• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2023

CILAT MUND TË JENË EFEKTET E FITORES ABSOLUTE TË VUÇIQIT?

December 23, 2023 by s p

Prof. Milazim Krasniqi/

Fitorja absolute e Vuçiqit në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit 2023 në Serbi, pritet të ketë disa ndikime në Serbi, në rajon e edhe në Kosovë: 1. Serbia mbetet një shtet jodemokratik, me një lider populist e autoritar që ka dalë mbi partinë, mbi qeverinë e mbi Kuvendin. Është thjesht një vozhd serb. Një Putin ballkanik. 2. Serbia do të vazhdojë të qëndrojë në tri karrige (me Perëndimin, me Rusinë, me Kinën) duke përdorë kapacitetet destabilizuese që ka ndaj Kosovës, ndaj Bosnjes e Malit të Zi. Perëndimi teorikisht ka kapacitet t’ia heqë dy karriget e tjera, por nuk ka vullnet e unitet. Për mimikri, Vuçiqi mund të ketë një distancim të lehtë nga Rusia, por jo ndryshim strategjik të aleancës-vasalitetit. 3. Me fuqinë e re që ka marrë, Vuçiqi me këtë fitore absolute, në raport me Kosovën ka hapësirë të madhe manovruese. Nuk pritet që ta përdorë më terrorizmin, sepse e ka konsumuar në maksimum përfitimin elektoral prej sulmit terrorist në Banjskë. Me atë sulm e largoi temën e Kosovës nga fushata zgjedhore, risiguroi edhe përkrahjen e serbëve të Kosovës. Tash pritet të fokusohet te zbatimi i Planit Franko-Gjerman, por me autonominë e serbëve të Kosovës brenda marrëveshjes. 4. Pozita e Kosovës përballë Serbisë mund të dobësohet edhe më shumë në dialog, nëse vazhdon ky format i dialogut dhe nëse imponohet definitivisht DraftStatuti që është publikuar. Në atë rast Kurtit i mbeten dy mundësi: ta pranojë autonominë e serbëve, duke e gjymtuar shtetin, ose të provojë ta shtyjë zbatimin, duke provokuar zgjedhje të parakohshme parlamentare në Kosovë. Këtë e ka vështirë ta bëjë ngase në atë rast serbët do të bojkotonin dhe kjo do ta përkeqësonte edhe më shumë pozitën e Kosovës, duke e ekspozuar si shtet të dështuar. Nga ana tjetër, nëse provokon zgjedhje dhe nëse prapë fiton, futet në rrugë pa shtegdalje, me nje mandat tjetër të plotë, por pa kurrfarë fuqie për të rezistuar, gjë që do të mund të shkaktonte krizë të re në skenën politike në Kosovë e me shumë gjasa edhe në partinë e Albin Kurtit.

Filed Under: Fejton

Bettina, vajza e Aleksandër Moisiut

December 23, 2023 by s p

Prof. Sylë Ukshini/

Bettina Moissi (lindur më 15 tetor 1923 – vdiq më 21 nëntor 2023) ishte një aktore gjermane e skenës dhe filmit. Ajo luajti rolin kryesor të femrës në filmin e vitit 1948 Long Is the Road, filmi i parë gjerman që portretizon Holokaustin.

Moissi ishte fëmija i dytë i aktorit të famshëm të skenës me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu. Babai i saj shpesh cilësohej si hebre vetëm për shkak të emrit të tij (që përkthehet si “Moisiu”) dhe mbrojtjes së tij të hapur ndaj aktorëve dhe njerëzve të tjerë hebrenj gjatë një periudhe antisemitizmi në rritje.

Ajo rrit në Zvicër dhe u kthye atje në pension me emrin Bettina Berggruen. Ka studiuar për aktrim në Mynih.

Bettina ishte katolike dhe me 1960 ajo u martua me Heinz Berggruen, i cili ishte hebre. Berggruen vdiq në Spitalin Amerikan të Parisit më 23 shkurt 2007. Me dëshirën e tij ai u varros në varrezat pyjore në Waldfriedhof Dahlem, në Berlin. Funerali i tij u ndoq nga kancelarja gjermane Angela Merkel, dhe presidenti i atëhershëm Horst Köhler.

Ata kishin dy fëmijë: Olivier Berggruen, kurator në Schirn Kunsthalle Frankfurt, Gjermani dhe Nicolas Berggruen, një financier dhe koleksionist arti.

Ajo ndërroi jetë më 21 nëntor 2023.

Filmografi e përzgjedhur

In Those Days (1947)

Der Apfel ist ab (1948)

Long Is the Road (1948)

The Orplid Mystery (1950)

Filed Under: Kulture

Letrat

December 22, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Megjithëse njerëzit kanë dërguar korrespondencë në një formë ose në një tjetër që nga antikiteti, shekulli i 18-të konsiderohet si epoka e madhe e shkrimit të letrave, kur rrugët postare u zgjeruan me shpejtësi dhe romani epistolar u shfaq si një zhanër popullor.

Përgjatë pjesës më të madhe të dy shekujve në vijim, letrat mbetën mjeti kryesor i komunikimit nga formal në atë jashtëzakonisht personal. Epistolarët kishin fuqinë për të formësuar historinë dhe nxitur njeriun.

Me ardhjen e telefonit dhe tani të mediave sociale, arti i shkrimit të letrave ka humbur kryesisht – por jo plotësisht. Për fat të mirë, ende mund të lexohen disa nga letrat më të paharrueshme në histori, qofshin ato politike, romantike apo humoristike.

“Gjithnjë e jotja. Gjithnjë e imja. Gjithnjë e jona”; vjen nga një nga letrat e shumta që Ludwig van Beethoven i shkroi më 1812, një gruaje identiteti i së cilës nuk dihet.

“Nëse skllavëria nuk është e gabuar, asgjë nuk është e gabuar”. Lincoln e përdori këtë letër për të shpjeguar besimin e tij në emancipim.

“Në vend që të mblidhni të rinjtë e vërtetë të zgjuar, mblidhni vajzat e vërteta të zgjuara, nxirrini ato nga balta, jepini atyre një shtytje lart në shkallët e jetës dhe shpërblehuni me sukses si nga suksesi ashtu edhe nga mos-harrimi i atyre që qëndruan përpara”. Nellie Bly, 1885

Kur ishte vetëm 20 vjeç, gazetarja Nellie Bly e shkroi këtë në një letër drejtuar redaktorit të “Pittsburgh Dispatch”.

“Gjëja kryesore është TI poshtë rrobave dhe lëkurës – aftësia për të bërë, vullneti për të pushtuar, vendosmëria për të kuptuar dhe njohur këtë botë të madhe, të mrekullueshme, kurioze. W.E.B. Du Bois i shkroi më 1898 vajzës së tij 13-vjeçare Yolande pasi ajo u largua nga shtëpia e familjes në Nju Jork për të studiuar në Bedales School në Angli.

“Besoj se kjo luftë, në të cilën hyra si një luftë mbrojtëse dhe çlirimtare, tani është bërë një luftë agresioni dhe pushtimi”. Më 1917, Siegfried Sassoon ia dërgoi këtë letër oficerit të tij komandues dhe e cila më pas u lexua në Dhomën e Komunave. Poeti anglez i luftës ishte vlerësuar më parë me Kryqin Ushtarak për heroizëm, por refuzimi i tij i guximshëm për të vazhduar luftën u pa nga shumë si tradhti.

“Kryetari im i dashur, më pëlqen kapela juaj. Sa herë që shikoj brenda saj, do të mendoj për ju dhe për qytetin e Kembrixhit. Unë të heq kapelën”. H.G. Wells i shkroi këtë mosfalje gazmore kryetarit të bashkisë së Kembrixhit, Ernest Saville Peck, pasi Wells aksidentalisht mori kapelën e kryetarit.

“Mos u shqetësoni për humbjen. Nëse është e drejtë, ndodh – Gjëja kryesore është të mos nxitoni. Asgjë e mirë nuk ikën”.

John Steinbeck, 1958, e shkroi këtë këshillë atërore në një letër drejtuar djalit të tij.

“Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo. Ne jemi kapur në një rrjetë reciproke, në një rrobë të vetme fati. Çfarëdo që prek një person drejtpërdrejt, ndikon të gjithë në mënyrë indirekte”. Martin Luther King Jr.,

në një letër të hapur nga burgu i Birminghamit, më1963, argumentoi se njerëzit kanë një përgjegjësi morale për të thyer ligjet e padrejta dhe për të ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta për të marrë drejtësi.

Filed Under: Analiza

Në Vjenë u lexuan poezi nga shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare

December 22, 2023 by s p

Moto: Ura në mes Austrisë dhe mërgimtarëve shqiptarë

Hazir Mehmeti, Vjenë

Përmbledhja e re lirike me poezi “Die Zeit nimmt Gift und Süsse” nga Ismail Kadare. Prezantim nga Fondi për Integrim në Austri (ÖIF) me drejtues Franz Wolf.

Nadja Kayali, Markus Meyer, Andrea Grill,

“Si zogjtë e qyqes shpërndarë anembanë

ata që bij të shqipes qenë gjer dje,

të lodhur nga gjithçka, nga trenat, vizat,

dhe nga kontrollet q’i gjëmojnë si pre”

(nga poezia: Dimri në Evropën e Bashkuar. Refugjatët shqiptarë. 1992)

Vjenë, 18 dhjetor 2023. Organizuar nga Fondacioni për Integrim i Vjenës, e drejtuar nga Franz Wolf , u mbajt lexim letrare me poezi nga shkrimtari të njohur shqiptar, Ismail Kadare.

Fjalën hyrëse e paraqiti përfaqësuesi i Fondacionit i cili përshëndeti të pranishmit, mes tyre diplomat, aktiviste e aktivistë, artiste e artistë vjenez. Programin e drejtoi gazetarja e Ö1 Nadja Kayali. Poezitë u zgjodhën nga libri “Die Zeit nimmt Gift und Süsse” me poezi nga Ismal Kadare i përkthyer nga shkrimtarja Andrea Grill. Libri u botua në mbështetje të Ministrisë së Integrimit Evropian, në gjermanisht dhe shqip. Libri i vogël me poezi u pasurua me fotografi nga artisti Sepp Jahn të shkrepura nga ambienti shqiptar në vitin 1937. Në gjuhën shqipe lexoi Manjola Zaçellari, Docente në Universitetin “Aleksandër Mosiu” në Durrës, kurse në gjermanisht Markus Meyer, aktor në Burgteater. Mbrëmja u pasurua me pika muzikore të kënduara nga soprano e njohur Flaka Goranci. Salla e Pallatit Mollard ishte e mbushur përplot të interesuar të dëgjojnë vargjet poetike të shkrimtarit të njohur i propozuar disa herë për çmimin Nobel.

Në fjalën e hapjes nga përfaqësuesi i organizatorit foli rreth shqiptarëve në Austri duke cekur se jetojnë mbi njëqind mijë shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia Veriore dhe viset tjera etnike shqiptare. Përkthyesja, shkrimtarja Andera Grill dha një vështrim të shkurtë rreth poezive të Ismail Kadare i njohur me romanet e tij shumë të lexuara të përkthyera në shumë gjuhë. Kadare është shkrimtar shumë i pëlqyer tek lexuesit gjermano-folës. Ndihmën e tyre në realizimin e librit dhanë gjithashtu: Christine Sicher, Bahri Troja, Sara Michel, Marie Theres Stampf, Fatbardha Idrizaj, Vjollca Blakaj, Ina Arapi.

Disa nga poezitë e lexuara: Kataraktet, Në parkun që mbuluan gjethet, Motiv me diell, Fund vjeshte, Akullnaja, Mall, Dimri në Europën e Bashkuar – Refugjatët shqiptarë, Sapuni “Ledi Makbeth”

Prania e krijuesit nga i cili prezantohet është e pazëvendësueshme për të venë kontakte njohje, ndjesie shpirtërore me lexuesin dhe adhuruesit e tij. Miqtë e tij nuk janë të pakët në Austri, e në veçanti në Vjenë ku Ismail Kadare së bashku me gruan e tij Elena Kadare ishin disa herë. Teknologjia e mundëson praninë e tij vizualë, me pak fjalë, qoftë me dy-tre minuta në respekt dashamirëve të tij.

Që nga vitet nëntëdhjeta “Kultur-Kontakt Austria” ishte aktive në organizimin e aktiviteteve me krijues nga trevat shqiptare. Para pesëmbëdhjetë vitesh, nëntor 2008, Kadare lexoi në Sallën Jubilare të Muzeut e Historisë së Arteve në Vjenë. Nën drejtimin e Anamari Türk. “Kulturë Kontakt Austria” e Vjenës organizoi shumë prezantime arti e kulture nga shumë vende nga “bota e tretë” duke përfshirë këtu edhe autor nga trevat shqiptare. Bursën dymujore për qëndrim në ambientet e mrekullueshme kulturore në kryeqytetin austriak e shijuan: Lindita Arapi, Fatos Kongoli, Etleva Tafa, Agron Tafa, Ag Apolloni, Ervina Halili, etj.

Aktivitetet kulturore e letrare në Austri kanë histori shekullore. Koncertet e Tefta Tashkos, Marie Kraja, e shumë tjerë janë bazamenti i shijimit të artit e artistëve shqiptarë qysh para një shekulli. Kjo traditë e shkëlqyer u pasurua nga emrat e njohur si: Inva Mula, Eno Peçi, Shkëlzen Doli, Destan Gashi etj dhe janë vazhduesit e denjë në rrugën e artit modern në Austri. Pa e harruar asnjëherë këtu rolet e Aleksandër Moisiut që shndrisin në majat e artit botëror. Respekt për të gjithë aktivistët mike e miq shqiptarë e austriakë që ndërtojnë ura miqësie mes dy popujve!

Filed Under: LETERSI

Vatra Boston – në shërbim të komunitetit dhe çështjes kombëtare

December 22, 2023 by s p

Artur Vrekaj, Cambridge,MA/

Është një fat i madh për Federatën Vatra, riorganizimi me zgjedhje i kryetarit të degës Vatra Boston me votë të fshehtë. Meritë për riorganizimin kanë kryetari Elmi Berisha që vendosi përfundimisht pjesëmarrjen e komunitetit shqiptar në këtë moment kaq dritëndjellës për ardhmërinë e Vatrës.

Meritë u takon grupit nismëtar për anëtarësinë dhe vatranëve që janë anëtarë për disa dekada në Boston.

Vatra Boston sot ka moshën më të re dhe anëtarësinë më premtuese për gjallërimin e Federatës . E veçantë është se ka anëtarësinë edhe të Andrea Panit, nipit të ish-kryetarit të Federatës Vatra më 1929 ,Vasil Panit .

Çfarë mund të synojë dega Vatra Boston për të fuqizuar veprimtarinë e saj ?

Të prezantojë vizionin e saj përbashkues në komunitetin shqiptar për gjallërimin e Identitetit kombëtar apo kulturën shqiptare.

Të përpilojë regjistrin e familjeve të para vatrane ( për Massachusetts) dhe të organizojë një takim pasardhësit e tyre në Amerikë.

Të punojë në bashkëpunim me Federatën Vatra për të ngritur një shtatore për Nolin në Boston, një dhomë muze për Federatën Vatra dhe një film dokumentar për Vatrën në Boston.

Të punojë në bashkëpunim me bashkinë e Boston për të emëruar një rrugë në Seaport, Boston ku ishte dhe Pier 4 , me emrin e Anthony Athanas, lider i Vatra, edukator për kuzhinën Amerikane, filantrop dhe vizionar për lulëzimin e Bostonit në zonën e braktisur.

Të punojë për shtimin e familjeve shqiptare që të frekuntojnë shkollën shqipe të Massbesa.

Të përkujtojë dëshmorët bij të famijeve shqiptaro-amerikane rënë në luftën e dytë botërore e deri sot në bashkëpunim me organizatën e veteranëve të shtetit Massachusetts. Një nga heronjtë është edhe djali i themeluesit të Bandës Kombëtare Vatra , Thoma Nasit, Albert Nasi.

Të inicojë apo të bashkëpunojë për çdo projekt kulturor apo shkencor që ndërmerret nga studentë dhe pedagogë shqiptarë apo amerikanë nga auditoret e Harvard, MIT, Boston University etj që kanë për tematikë Identitetin dhe kulturën shqiptare.

Të mundësojë një ekspozitë kostumesh kombëtare në bashkëpunim me seksionet e diasporës në Shqipëri e Kosovë.

Të mundësojë trajnimin e ekipit të futbollit Vatra Boston për moshat 14 deri 18 vjeç për të çelur mundësinë e kampionatit shqiptar në Amerikë ndër qytetet me shqiptarë.

Të bashkërendojë me bizneset shqiptare Ditën e kuzhinës shqiptare në Boston.

Të organizojë ansamblin Vatra Boston Songs and Dance të konkurojë në festivalet e komunitetit shqiptar në Amerikë, në festivalet tradicionale në Kosovë dhe në festivalin kombëtar në Gjirokastër.

Të mundësojë me konsulta juridike sipas nevojave të rastit për komunitetin shqiptar në bashkëpunim me Albanian Bar Association of Boston.

Vatra Boston të inicojë nismën për ngritjen e flamurit kombëtar në çdo qytet amerikan çdo 28 Nëntor në Ditën e Flamuirt kombëtar kudo ku ka organizime shqiptare të çertifikuar në shtetet përkatëse .

Si mund ta ndihmojë Vatra Boston çështjen kombëtare ?

Me përbashkim të çdo organizimi të çertifikuar shqiptar në Massachusetts apo individi të kthejë në traditë të përvitshme Albanian Day me leksione, dokumentarë etj pranë Harvard apo në çdo kolegj ku ka shqiptarë me temën – Kush janë Shqiptarët e Ballkanit ?

Duke mbështetur punën studimore të studentëve apo kujtdo individi që shpreh interesim për shqiptarët e trevave etnike.

Të bashkëpunojë apo inicojë protesta paqësore përkundër mohimit të Identitetit kombëtar në trojet etnike pranë shërbimeve diplomatike në SHBA apo edhe në kordinim me Diasporën tonë në shtetet Europiane në të njëjtën kohë.

Të punojë për inicimin e një vizite të kongresmenëve apo senatorëve Amerikanë në trojet etnike për të verifikuar në terren mohimin e Identitetit kombëtar në Kosovën Lindore apo Ish-Sanxhakun e Pazarit të Ri, ose Masbjeshkën me synim mbështetjen e rezolutave për këtë rast apo edhe deri në dëgjime në Kongresin apo Senatin Amerikan.

Si do të fuqizohet dega e Vatrës Boston ?

Që Vatra Boston të jetë model i organizimeve shqiptare në Amerikë duhet :

Të bëhet pjesë e programve komunitare pranë bashkisë Boston.

Të synojë në bashkëpunim me bashkinë Boston një ambjent për të kryer lehtazi verpimtarinë e saj.

Të afrojë shqiptarë që kanë mbaruar studime për organizatat jofitimprurëse.

Të ketë komunikim të hapur me listën e anëtarësisë dhe komunitetit për çdo veprimtari.

Të jetë transparente në veprimtarinë e saj me anëtarësinë dhe Kryetarin e Federatës dhe organet qëndrore të Federatës.

Çdo vit t’ju urojë anëtarëve të saj Krishtlindjet dhe vitin e Ri dhe t’ju dhurojë Vatra Boston kalendar për veprimtaritë traditë për vitin në vazhdim.

Nëse do i themi dega numër NJË atëherë duhet të jemi model i organizimit të verpimtarive dhe strukturës organizative të degës duke zbatuar vetëm statutin e Federatës Vatra.

Falenderim të veçantë vatranit gazetar Fuat Memelli dhe Albanian Culture TV të zotit Adem Belliu për dokumentimin e kësaj dite zgjedhore.

Artur Vrekaj,

Nga fjala në kuvëndin riorganizues të degës Vatra Boston.

Titulli i autorit: ” Vatra Boston – premtuese për gjallërimin e Federatës mbarëshqiptare” mbajtur më 17 Dhjetor 2023.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT