• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2023

LA TRIBUNE JUIVE (1920) / ALEKSANDËR MOISIU U PENGUA TË RECITONTE VARGJET E TIJ NË HAMBURG NGA MANIFESTIMET E SHPESHTA ANTISIMETIKE

December 30, 2023 by s p


Aleksandër Moisiu (1879 – 1935)
Aleksandër Moisiu (1879 – 1935)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 30 Dhjetor 2023

“La Tribune Juive” ka botuar, të premten e 2 prillit 1920, në faqen n°11, një shkrim në lidhje me disa manifestime antisimetike në Hamburg asokohe kundër Aleksandër Moisiut, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Manifestime antisemitike

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“Kohët e fundit kemi raportuar protestën e studentëve të Karlsruhes kundër emërimit të profesorit Mayer si profesor në Shkollën Politeknike.

Zyra e Korrespondencës hebraike në Londër mori gjithashtu lajmin nga Hamburgu se aktori i njohur berlinez Aleksandër Moisiu, i cili erdhi në këtë qytet për të lexuar disa vargje, u pengua nga manifestimet e shpeshta të karakterit antisemitik.

Në të gjitha rrugët e Këlnit janë ngjitur postera nga shoqatat pan-gjermaniste që kërkojnë që popullata të rebelohet kundër zgjedhës hebraike. Janë shpërndarë trakte të shumta me të njëjtën përmbajtje.”

Filed Under: Kulture

TRI MODELE TË LETËRSISË BOTËRORE PËR FËMIJË NË OPTIKËN E STUDIUESES  KLARA KODRA

December 30, 2023 by s p

HASAN  GREMI/

Studiuesja Klara Kodra nuk ka lënë jashtë vëmendjes së saj edhe kryeveprat e letërsisë botërore për fëmijë si “Pinoku”, “Piter Pani”, dhe  “Liza në botën e çudirave”, ku ajo fokuson mishërimin e vlerave të personazhit dhe shijen estetike, që ndikojnë jo vetëm në botën e ndjeshme të fëmijëve, po japin mesazhe të qarta edukuese edhe për prindërit, se letërsia për fëmijë, ndofta më tepër se letërsia për të rritur, mbështetet te personazhi i cili mishëron heroin e kësaj letërsie dhe në letërsinë shqiptare, pas dështimit të “heroit pozitiv” të realizmit socialist, ndihet mungesa e personazheve që përfaqësojnë vlera në letërsinë për fëmijë.                                                          Tri modele të fuqishme dhe tërheqëse në letërsinë europiane dhe botërore që i përbëjnë heronjtë si “Pinoku”, “Piter Pani” dhe “Liza në botën e çudirave” vijnë në botën e lexuesit të vogël me ndikim të fortë emocional.                                                                                                            Këta janë heronj që i kanë qëndruar kohës me karakterin e tyre tipik, si dhe me individualitetin e vet të papërsëritshëm që jep iluzionin e një jete të veçantë të këtyre personazheve, më realë se vetë realiteti.                                                                                                                                         Në këtë letërsi janë personazhe fëmijë që shkrijnë realen me fantastiken si “Pinoku”, kukulla fëmijë, “Piter Pani”, fëmijë zog, ose shfaqen si fëmijë realë në një kornizë fantastike, “Liza në botën e çudirave”.  Këto krijesa të pavdekshme të lindura njeri nga një shkrimtar italian, dy nga shkrimtarë anglezë, mund të luajnë rolin e modelit si për fëmijët shqiptarë ashtu edhe për shkrimtarët shqiptarë për fëmijë që sapo kanë nisur të krijojnë tipa të tillë frymëzues si “Çapaçuli” i Dionis Bubanit, botuar në vazhdimësi me një rubrikë të veçantë në revistën e fëmijëve “FLLAD*”,  “Derrkuci  Çufo” i Gaqo Bushakës, tri personazhet fëmijë të Bedri Dedjes “Kokëdruthi”, “Kokëtapa” dhe “Kokëfirifiu”.  Në vëllimin e studiueses dhe shkrimtares Klara Kodra “Pinoku”, “Piter Pani” dhe “Liza”, tre shembuj të figurës së fëmijës në letërsinë botërore, janë vënë në qendër pikërisht këto figura që kanë tërhequr për më tepër se një shekull fëmijët e të gjithë botës dhe analizohen në disa rrafshe kuptimore dhe formale duke zbërthyer kështu unitetin estetik të veprave, protagonistë të të cilave këto personazhe janë. Këto personazhe fëmijë bashkohen nga një veçori, autonomia prej prindërve që u mungojnë apo nga të cilët janë larguar. Studiuesja merr shkas nga kjo veçori për të analizuar problemin e marrëdhënieve prindër-fëmijë që shtrohet në këto vepra, aspiratën e fëmijëve për autonomi dhe liri dhe raportin midis disiplinës dhe respektimit të lirisë së fëmijëve që lidhet me autoritetin e prindërve dhe marrëdhëniet e tyre me fëmijët. Studiuesja ka parasysh një literaturë të gjerë që është shkruar rreth këtyre veprave nga studiues dhe shkrimtarë të ndryshëm, po përpiqet të japë edhe mendimin e vet origjinal.                                                                                                     Veprave në fjalë, në harkun e gjërë kohor që e ndan lindjen e tyre nga koha e sotme (dy nga veprat i takojnë shekullit XIX, njëra fillimit të shekullit XX) u janë bërë lexime të ndryshme që lidhen me ecjen përpara të pedagogjisë, psikologjisë dhe letërsisë artistike. Pra, nuk është e lehtë të orientohesh në tërë këtë labirint mendimesh ku ndeshen ithtarët e një edukimi të rreptë me ithtarët e një edukimi tepër liberal dhe njëkohësisht synohet të zbulohet mesazhi i tre shkrimtarëve, pa e deformuar atë në bazë të ideologjisë së lexuesve kritikë. Studiuesja përpiqet, pra, të kapë mesazhin e autorëve duke e miratuar apo duke polemizuar me të dhe njëkohësisht të solidarizohet apo të debatojë me studiuesit apo kritikët e ndryshëm. Objekt të analizës së saj bëhet edhe realizimi artistik i tre heronjve të letërsisë për fëmijë, realizim që shpjegon forcën e tyre ndikuese. Gjithashtu analizohen edhe drejtimet letrare që u kanë dhënë jetë këtyre tipave (romantizmi, realizmi, natyralizmi, simbolizmi, surealizmi). Edhe për këtë çështje të fundit studiuesja ka mendimin e vet dhe përpiqet ta argumentojë me të dhëna konkrete nga vepra duke  iu shmangur, me sa është e mundur, subjektivizmit.                                                                     Studiuesja është e vetëdijëshme për rëndësinë e formës në veprat letrare për fëmijë, formë që nuk mund të shkëputet nga mesazhi dhe rrezikun që paraqet gjithnjë në veprat e letërsisë për fëmijë fryma didaktike dhe zgjidhjet artificiale si “fundi i lumtur”,  me çdo kusht, duke thyer logjikën e ngjarjeve apo karaktereve.                                                                                                   Studiuesja është gjithashtu e bindur që lexuesi fëmijë ka një shije tepër të hollë që e bën të shmangë çdo artificialitet, prandaj ushqimi letrar që duhet t’í jepet duhet të jetë tepër i zgjedhur, siç është në fakt në rastin e këtyre tri veprave dhe tre protagonistëve të tyre që i kanë bërë ballë gjyqit më të vështirë dhe më objektiv, gjyqit të kohës.                                                                        Në studimin e Klara Kodrës ka një koncept të drejtë për letërsinë që u drejtohet fëmijëve, e cila larg së qenuri një letërsi dytësore, është një letërsi në thelb elitare, çka nuk e përjashton popullaritetin e saj. Vepra  është strukturuar në mënyrë të goditur në disa kapituj, i pari është një kapitull hyrës “Tre shembuj të figurave të fëmijëve në letërsinë botërore” ku vihet theksi mbi faktin se figurat e fëmijëve në veprat që analizohen, janë vendosur në qendër; pasojnë dy kapituj që trajtojnë çështje të mesazhit në vëllimet që studiohen “Problematika dhe mesazhe të shprehura përmes tre protagonistëve të këtyre tri romaneve-përrallë” dhe “Marrëdhëniet me prindërit edukatorë”. Katër kapitujt që pasojnë, u kushtohen çështjeve të formës, “Fantazia dhe realiteti, dimensioni heroik dhe humori në këto romane”. “Tipizimi dhe individualizimi i tre heronjve”: A është e mundur të inkuadrohen këto tri kryevepra në drejtime të caktuara letrare?”; “Pinoku”, “Piter Pani” dhe “Liza” si shembuj të llojit të romanit-përrallë”,  Në këta kapituj, pra, trajtohen çështje nevralgjike të romanit për fëmijë si vendi që i takon fantazisë dhe fantastikes në këtë lloj, disa çelësa për të depërtuar në shpirtin e fëmijëve si dimensioni heroik dhe humori; marrëdhëniet midis tipikes dhe individualizmit në krijimin e personazheve plot gjallëri jetësore, roli i drejtimeve letrare midis të cilave kanë vendin e tyre drejtime që i japin rëndësi ëndrrës në art si romantizmi, simbolizmi dhe surealizmi; së fundi çështje të tipologjisë së romanit për fëmijë ku një vend të rëndësishëm e zë romani-përrallë, pikërisht lloji të cilit i përkasin veprat e lartpërmendura.                                                                                                                                    Studiuesja ndalet edhe në kapërcimin e skematizmit bardhë e zi, të ndarjes midis “të mirëve” dhe “të liqve” në romanin për fëmijë. Tipat që janë protagonistë të romaneve të analizuara, u përkasin disa kategorive të veçanta fëmijësh, “fëmijë të vështirë” dhe fëmijëve me natyrë artistike të prirur ndaj.ëndërrave dhe fantazive. “Pinoku” i përket kategorisë së parë dhe “Piter Pani” kategorisë së dytë; “Liza” është një fëmijë antikonformist dhe me logjikë të mprehtë, po jo aq rebele sa “Pinoku”.                                                                                                                        Studiuesja nënvizon edhe një tipar të këtyre veprave, tregues i fillimit të krizës së vlerave, luhatjen midis  moralit fetar që anon nga dashuria dhe mëshira dhe moralit pragmatik borgjez, madje flitet edhe për një kundërmoral, karakteristik për një shoqëri ku u takon të pafajshmëve të shkojnë në burg dhe jo kriminelëve .Studiuesja shtron edhe çështjen a është apo jo “Pinoku”  “roman formimi” si mendojnë disa kritikë dhe a ka një thyerje të karakterit në fund të veprës? Pyetjes së parë i përgjigjet “po”, së dytës “jo” dhe i argumenton këto përgjigje. Në këtë studim zbatohet metoda komparativiste, tri veprat e analizuara krahasohen me njera-tjetrën dhe evidentohen ngjashmeri dhe dallime.                                                                                                   Studimi dallohet për konçizitet maksimal: një larmi çështjes trajtohen vetëm në pesëdhjetë faqe. Secili problem i trajtuar mund të zgjerohet dhe të thellohet dhe, megjithatë,  shfaq një lloj plotësie.                                                                                                                                                           Stili është i gjallë dhe i rrjedhshëm, stil shkencor që huazon disa veçori të stilit letrar. Vepra dy gjuhëshe, shkruar shqip dhe italisht, me rrjedhshmëri në të dyja gjuhët.                                             Studimi është, padyshim, origjinal në tezat e shprehura dhe i gjallëruar nga debatet. Ai spikat në studimet e pakta të krahasuara të letërsisë së huaj për fëmijë të shkruar nga autorë shqiptarë, madje do të thoshnim se vlerat e tij mund të spikasin edhe në kuadrin e kritikës europiane për fëmijë, siç dëshmon fakti se ky studim kishte dalë finalist në një konkurs të kritikës për fëmijë i nivelit ndërkombëtar i mbajtur në Itali (konkursi “Rolando Anzilotti”,  më 1993-in, në nderim të emrit të kritikut të shquar dhe politikanit italian), ku u fokusuan disa vlera pa pretenduar se është thënë gjithçka.                                                                                                                                                Kjo vepër u botua më 1998-ën nga shtëpia botuese  “Elite”. Do të ishte e dëshirueshme që të ribotohej në një kohë që letërsinë për fëmijë e ka përfshirë kriza në marrëdhënie me lexuesin që dallon letërsinë për të rritur. 

Filed Under: Analiza

GJILPËRA E SABRI MAXHUNIT – GRIS E QËNDIS FLAMUJ

December 30, 2023 by s p

 U njohëm qysh në vitin 1962 me Sabri Maxhunin, por viti 1963 na afroi edhe më shumë dhe kjo afërsi vazhdon sot e kësaj dite.Një rrobaqepës PAR EXALANS në Prishtinë, asokohe, një mustaqezi i ri që lente përshtypjen e një figure burrnore serioze, kishte hetuar se edhe unë -Fetiu, një nxënës i medreses Alaudin në fqinjësi ku jeton Sabriu(Rruga Rijeka, nr. 5), jam i denjë për t`iu bashkuar aktivisht idealeve të Sabriut për Liri Kombëtare.

Këtë bindje e kishte përforcuar nga drama Prej territ në dritë, në  të cilën unë luaja rolin e doktorit( rol i mjekut). Kjo  shfaqje teatrale  u realize me rininë e lagjës Alaudin në bashkpunim me nxënësit e Medreses dhe kah fundi nëntorit 1963 u  shfaq në shtëpinë e kulturës të lagjës – tash TEATRI DODONA.  Në Prishtinë ishte ringjallë ideja  për RIBASHKIM KOMBËTARë, që e kultivuan veprimtarët e Lëvizjes Nacionale Demokratike SHqiptare, të cilën e kishte ripëtrirë  Adem Demaçi  me emrin  Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH). Sabriu ishte anëtarë i Komitetit të Qarkut Prishtinës dhe veprimtarë i vendosur për këtë çështje.  

Në vjeshtën e vonë të viti 1963 shkova te  Sabri Maxhuni, jo  për këtë qëllim – shkova të provoj pantollonat, që ditë më parë ia kisha lënë stofin Sabriut dhe pasi ndërruam disa mendime, më tha do të  vish pas tri ditësh për provë – kështu ishte praktika e mjeshtrit Sabri për profesionin e tij, me qëllim që prodhimi që dilte nga dora e Sabriut mos ketë vërejtje. 

Kur shkova për provë, më la përpara nja dy tri faqe tekst të daktilografuar me makinë – ishte STATUTI I LRBSH-s, lexoja ngadal, më tha, e pastaj do ta diskutojmë. Pasi e lexova, USTA SABRIU, me një maturi e seriozitet të veçant, për moshën e atij dhe për moshën time, më tha, kur të vish t`i marrish pantallonat du një përgjigje nga ti, ç`mendon për këtë, a je i gatshëm, është sakrificë por ia vlen – është koha!Unë nuk e dija se ai ishte antarë I Komitetit të LRBSH-s për Qarkun e Prishtinës.Nuk kisha nevojë të mendoj më tepër. Gjatë leximit të STATUTIT, vendosa. Unë përgjigjen e kam sot për këtë. Më trego çfarë mund të jetë kontributi im në kët.  

Më dha disa sqarime rreth veprimeve që duheshin bërë, u morëm vesh për kur do t`I merrja pantallonat dhe u ndamë. Sabriu nuk qepte vetëm pantallona e kostime komplete – madje edhe me jelek – por gjilpëra e Sabri Maxhunit kishte shkep flamurin e jugosllavisë së harrnuar me copa të huaja dhe iu kishte përvesh qepjes së FLAMURIT KOMBëTARë SHQIPTAR, për të cilin në vitin 1963, 64, 65….. e deri kur të duash thuaj, shkohej në burg, madje edhe pasi dilje nga burgu nuk kishte vend pune për ty,  përveç fshirjes së rrugëve  dhe ngarkim shkarkim thëngjilli an`e kënd Jugosllavisë. Për këtë ishim të vetëdijshëm përpata se ta thonim atë PO-në vendimtare.

Gjilpëra e Sabri Maxhunit që shkepte e qepte flamuj,  I qepi në pranverën e vitit 1964  nja 70-80 flamuj  kombëtarë dhe njëri nga ata flamuj gdhini në ndërtesën e medresese, te drejtoria e medreses – kuptohet, nga ana e jashtme. Ishte sinjal I qartë se këtu  aty brenda përkundej një mini  armatë për çlirimin e Kosovës.  Falë kujdesit dhe strategjisë së Sabriut, kjo ndodhi nuk e dëmtoi shumë medresenë, por Sabriu në qershor të atij viti u gjend prapa grilave dhe provoi kazmatet e Jugosllavisë deri nëburgin fame keq.” Goli Otok,” por ama mua nuk më mori me vete.

Gjykimin e parë të  Sabriut te Gjygji I Qarkute në Prishtinë, e ndoqa  nga trotoari përball Gjykatës dhe deri kur u kthye nga  burgu I parë, lidhjet tona u pezulluan. 

Kur dol inga burgu vazhduam, sigurisht në rrethana tjera e me strategji të reja.  Ai me gjilpërën e tij unë me pendën shytë, deri në takimin e radhës te PLEPAT E DURRSIT, Në VITIN 1999. Kontakte me telefon mbanim, por mjaft të kufizuara. Tani, kur ai I mbushi tetëdhjet vjet e unë në prag të tetëdhjetës, takohemi ke :Qendra per rehabilitim me ujra termike  që mban emrin“ NëNA NAILE” Nëna që e lindi dhe rriti Sabri Maxhunin. Jetë të gjatë, pleqëri të  qetë Sabriut e shëndet për  shëndetin e popullit të Kosovës, e përtej Kosovës.

 Prof.Dr. Feti Mehdiu   Montreal 

20 dhjetor, 2023.   

Filed Under: Mergata

Brengat e zemrës dhe të shpirtit…

December 30, 2023 by s p

Dr.Vlora Obërtinca/

“Nuk predikohet askund sekreti se si të jetohet jeta në mënyrën më të mirë të mundshme apo si të zbatohet mendimi pozitiv. Kështu njeriu, sikurse bateria, konsumohet dhe harxhohet, deri në djegie (burn out). Nuk gjen mbushës për baterinë e quajtur Njeri” – (Dr.Vlora Obërtinca).

Ne jetojmë në një shoqëri moderne, ku fare pak predikohet mënyra pozitive e të menduarit si çelës për jetë të suksesshme. Madje mbizotëron frenimi, ku një shoqëri e tërë predikon se si njeriu duhet të punojë shumë për të arritur pak, që realisht flet për një rrugë fizike dhe psikike të mundimshme. Në vend që të predikohet të menduarit pozitiv si gur themel për të filluar çdo punë me lehtësi, në fakt është predikuar mendimi negativ për të arritur diçka pozitive në jetë dhe kështu, mbi bazën negative, çdo ditë e më shumë është trashur negativiteti i të jetuarit dhe si pasojë e kësaj, në shumicën e rasteve, njerëzit nuk arrijnë t’i realizojnë ëndrrat e tyre.

Ka raste, kur njerëzit rezonojnë pozitivisht dhe arrijnë të realizojnë ëndrrat e tyre, qoftë realizimin e studimeve në universitetin më të mirë apo edhe të bëjnë punë që paguhen shumë mirë, por nuk dinë ta shpjegojnë se si pas arritjes së të gjitha qëllimeve të jetës, ndihen të zbrazët dhe shpeshherë kalojnë në depresion dhe nuk dinë ta shpjegojnë pse ndodh kjo. Kjo ndodh, sepse e tërë energjia jonë ndër vite harxhohet me dominimin e negativitetit, duke u munduar të realizojmë dëshirat dhe qëllimet tona. Çuditërisht, ditë pas dite zgjohemi të lodhur, të rraskapitur, pa vullnet për jetë dhe punë, që dikur aq shumë dëshiruam ta arrijmë. Tani jemi këtu dhe nuk dimë t’i gëzojmë këto të mira dhe pyesim veten: Vallë, a jemi ne të vetmit që po na ndodh kjo, ngaqë askush tjetër pos nesh nuk është duke u ankuar? Askush nuk ankohet, ngaqë secili prej nesh ka frikë, që të mos e dinë të tjerët se si ndihemi brenda vetes, sepse mund të paragjykohemi nga shoqëria dhe nga rrethi i ngushtë dhe mund të përfundojmë të diskriminuar apo të përjashtuar nga ky rreth. Kjo ndodh ngaqë nuk jemi të hapur me njëri-tjetrin, nuk jemi të sinqertë, sepse frika na e drejton jetën dhe jo motivi pozitiv për jetën.

Deri kur duhet të jetojmë jetën e rrejshme, të jetojmë për sytë e botës, ose të jetojmë për një kompliment, ose mendim të mirë “fals” nga të tjerët, të cilët njëkohësisht ndihen keq përbrenda dhe po të njëjtit duhet të na japin vlerësime apo ndodh edhe anasjelltas? Në fund të fundit, gati të gjithë jemi të pakënaqur në heshtjen tonë, duke u shkrirë dhe duke u venitur si një qiri që nuk ka gojë të flasë, derisa fitilit t’i vijë fundi. Mendoj se shekulli i 21-ë duhet të jetë shekull i shënuar për shumë zbulime shkencore, për shërimin e shumë sëmundjeve, por njëkohësisht besoj se njerëzit do të fillojnë të afrohen më shumë me njëri-tjetrin dhe duke u hapur me njëri-tjetrin, do ta shërojnë njëri-tjetrin në mënyrë natyrale.

Andaj, mos luftoni me jetën, por bëni paqe me jetën dhe me njerëzit që ju rrethojnë. Shijojeni jetën duke e marrë çdo gjë që ju ndodh në jetë si diçka shumë të rëndomtë dhe njerëzore dhe mos hezitoni të hapni zemrat tuaja, sepse kështu nuk do t’i ndihmoni vetëm vetes suaj, por edhe njerëzve të tjerë, që janë në të njëjtën pozitë si ju. Pranojeni jetën ashtu siç ju vjen, sepse ju e keni krijuar vetë këtë jetë, me mënyrën tuaj të të menduarit. Nëse nuk jeni të kënaqur me jetën tuaj, hapuni me njerëzit më të afërt dhe rrëfeni brengën e zemrës, sepse të gjithë i kemi ato brenga, në një mënyrë apo në tjetrën. Pasi ne, me mendimet tona, e krijojmë realitetin tonë, atëherë ne mund të fillojmë në çdo kohë të ndryshojmë mendimet tona dhe me këtë të fillojmë edhe ta ndryshojmë realitetin me të cilin nuk jemi të kënaqur. Andaj, gjithmonë do të kemi nevojë për njerëzit e dashur që na rrethojnë. Mos hezitoni të kërkoni ndihmë dhe të rrëfeheni, sepse kjo mënyrë është më e lehta për të tejkaluar sfidat, problemet dhe brengat e zemrës dhe të shpirtit.

Mos u mbyllni në vetvete, sepse, duke u mbyllur në vetvete, krijoni qeli burgu në mendjen dhe shpirtin tuaj dhe me këtë e mbyllni dhe e shuani vetë jetën tuaj, që është e shenjtë. Mos e frikësoni veten tuaj me mendime të frikshme, sepse secili prej nesh ka dëshirë të ketë mendime që na bëjnë të lumtur dhe për të qeshur, mendime që na bëjnë të ndihemi mirë, sepse gjatë 24 orëve vetëm mendimet tona janë gjithmonë me ne dhe na përcjellin gjithandej. Nuk ka ilaç më të mirë se sa të zgjedhim mendime të bukura dhe pozitive dhe t’u themi mendimeve të këqija “shporruni, sepse ju nuk keni vend në mendjen dhe trupin tim!”. Unë kam ardhur në këtë jetë të gëzoj çdo moment të bukur dhe nuk do t’ia lejoj askujt dhe asgjëje të ma prishë as lumturinë, as këtë ditë të bukur. Asnjë moment që kalon, nuk kthehet më, andaj duhet t’i themi vetes sonë se çdo çasti të jetës do t’i jap bukuri, aq sa mundem do ta gëzoj dhe do ta shijoj jetën, sepse jeta është e bukur dhe jetohet vetëm njëherë.

Atëherë le ta jetojmë jetën nga prizmi i bukur. Kjo është thjeshtësia e të menduarit, që do të thotë, të mendojmë mirë dhe përfundimi i çdo gjëje do të jetë i mirë. Edhe kur informata e parë vjen si negative, nëse jemi në gjendje ta transformojmë, do të jemi në rrugë të mirë për ta menaxhuar suksesshëm jetën tonë. Sekreti qëndron në atë se sa kemi aftësi që informatën e parë negative, që e marrim për një rast, ta shndërrojmë dalëngadalë në situatë pozitive dhe, si të tillë, ta përmbyllim, sepse në fund të fundit, çdo informatë që e perceptojmë, është vetëm një mendim dhe mendimin mund ta ndryshojmë në çdo kohë.

Psikoterapia më e mirë është biseda me njerëzit dashamirës që ju rrethojnë. Të gjithë ne kemi probleme të natyrave të ndryshme. Pse të mos e hapim zemrën, ta zbrazim helmin e grumbulluar brenda nesh? Kur edhe familjet mbretërore kanë probleme, atëherë edhe ne si njerëz të thjeshtë që jemi, pse të mos kemi probleme? Familjet mbretërore sot përballen me probleme të njerëzve të rëndomtë, qoftë probleme divorci, konsum drogash, depresion, alkoolizëm, fëmijë jashtë martese etj, etj. Familjet mbretërore kanë mundësi të pashtershme financiare dhe mekanizma për të angazhuar me automatizëm për t’i zgjedhur problemet e tyre. Përderisa mekanizmi ynë më i fortë, si njerëz të thjeshtë, është faktori njeri dhe human me njëri-tjetrin që, është faktori kyç për të tejkaluar çdo sfidë në jetë. Por, të mos harrojmë se të gjithë ne, edhe pse s’jemi familje mbretërore, por familje të zakonshme, jemi njerëz që përdorim mekanizmin më të fortë që ekziston, që është mendja jonë e shëndoshë dhe kështu, në raste të vështira, ne duhet t’i vijmë në ndihmë njëri-tjetrit, sepse fjala e mirë e gojës, fjala përkrahëse dhe ngushëlluese, fjala e dashur dhe e çiltër që buron nga zemra dhe shpirti, është falas. Këto veprime, karshi njeriut në nevojë, janë një thesar i paçmuar në shërimin e mendjes, zemrës dhe shpirtit të tij në momente të vështira të jetës, duke mos harruar që secili prej nesh mund të gjendet një ditë në atë pozitë.

Çdo mëngjes kur zgjohem dhe çdo mbrëmje para gjumit, falënderoj për çdo gjë që kam në jetë, praktikë që e kam mësuar në shkollat metafizike. E falënderoj Zotin për çdo gjë dhe për çdo bekim që kam në jetë dhe kështu e filloj ditën me mendime të bukura dhe mundohem, aq sa mundem, të qëndroj me mendime pozitive, që ta përmbyll ditën me mendime të bukura. Shpeshherë, kur e zë veten që më ka fluturuar mendja në diçka të keqe, shpejt e përmbledh mendjen time dhe e kthej në një ngjarje të bukur që më ka ndodhur apo që pres të më ndodhë, duke i paraprirë asaj ngjarjeje me mendime të bukura. Nëse çdo mëngjes filloni të praktikoni falënderimin për të mirat që keni në jetë, do ta mësoni trurin tuaj, që ta filloni ditën me mendime të bukura dhe do ta mësoni se si t’i lidhni në formë zinxhiri mendimet pozitive gjatë ditës. Natyrisht, ne nuk mund të lundrojmë tërë kohën vetëm në mendime pozitive, por, së paku, të mundohemi t’ia marrim anën mendimeve negative dhe kështu të arrijmë të kemi një bilanc pozitiv ditor të mendimeve.

Ndryshimin e mënyrës së të menduarit dhe ndikimin e tij direkt në ngjarjet e jetës, në mënyrë intuitive, e kam kuptuar në fillimin e dekadës së dytë të jetës sime. Dhe që atëherë, kam filluar të zbatoj dalëngadalë ndryshimin e mendimeve, ndonëse është një proces i vështirë, kur mësohet në moshë madhore dhe jo në atë fëmijërore. Kjo ngase deri në atë moshë unë kam mbledhur miliona e miliona mendime në ndërdijen time, një pjesë e të cilave sigurisht është negative dhe, pavarësisht dijes që kam deri tani dhe përkushtimit tim për të ndryshuar mënyrën e mendimit, është proces që kërkon kohë dhe durim për ta realizuar atë. Andaj, unë vazhdoj praktikimin e mënyrës pozitive të mendimit, duke e tejkaluar vazhdimisht atë negative, sepse në fund të ditës e di që jam unë ajo që në të ardhmen do t’i paguaj llogaritë për mënyrën e të menduarit të sotëm.

Shpeshherë më shfaqet ndonjë situatë e pakëndshme dhe them me veten time: “Ah si ndodhi kjo situatë, duke qenë se unë çdo ditë praktikoj mendimin pozitiv?” Nganjëherë më ikin edhe orë të tëra duke u munduar të lirohem nga situata negative, për të kaluar në mendime pozitive të momentit. Por, e rëndësishme është se unë nuk dorëzohem. Në një moment i flas vetes sime dhe i them: “Prit pak se kjo situatë më është shfaqur për të më mësuar diçka të mirë, sepse e tërë kjo situatë është mësim për mua dhe leksionet e saj duhet të mësohen. Vlora, merre me qetësi situatën, sepse për çdo situatë, njeriu i gjallë dhe i shëndoshë ia gjen zgjedhjen, sepse siç thotë një fjalë e urtë “njeriu, para se të vijë në jetë, Zoti i ka dërguar paraprakisht të gjitha zgjedhjet e jetës”, që do të thotë se ne vetëm sa sprovohemi, se sa jemi të aftë dhe sa kemi qetësi dhe durim të gjejmë zgjidhje që janë para nesh”.

Në kësi situatash negative, i them vetes sime: “Unë jam krijuese e realitetit tim dhe e pranoj me vetëdije të plotë që këtë situatë të krijuar sot, e kam krijuar me mënyrën negative të të menduarit në të kaluarën”. Me rëndësi është që unë nuk fajësoj askënd për situatën e krijuar, por e marr përgjegjësinë e plotë, që unë jam shkaktare e mendimeve të mia, por njëkohësisht, unë jam ajo që i gjej zgjidhjet më të mira të mundshme për veten time, sepse mendja që e ka krijuar problemin, po ajo do ta gjejë zgjidhjen e duhur për mua.

Në fund, i them vetes sime se çdo gjë që ndodhi, është për të mirën time dhe fundi i kësaj pune është i shkruar për të mirën time, për lumturinë dhe mirëqenien time. Kështu i thërras paraprakisht në mendje fjalët e mia, të mirën, lumturinë dhe mirëqenien e situatës konkrete dhe njëkohësisht, i hap derën të ardhmes së ndritur për veten time. Unë jo vetëm që e them, por tani, duke e praktikuar çdo ditë mënyrën pozitive të të menduarit, edhe e besoj një gjë të tillë. Abraham Hicks thotë: “Kërko dhe kërkesat e tua janë të plotësuara nga Universi”. Problemin e krijojmë gjithmonë ne, me mendjen tonë, duke mos besuar se mund të realizojmë mendimet tona pozitive, që do të thotë se kërkojmë apo shprehim dëshira dhe në po të njëjtën kohë i vëmë në dyshim ato kërkesa si potencialisht të parealizueshme, që do të thotë se ne vetëkundërshtojmë apo sabotojmë realizimin e dëshirave tona, duke shprehur dyshim dhe jo besim të plotë në mendimet tona. Universi nuk pranon mendime të paqarta, andaj edhe dëshirat tona vonohen për t’u realizuar apo nuk realizohen kurrë, sepse mënyra e të kërkuarit duhet të përkojë me rezultatin. Janë tri hapa, sipas Hicks: kërko, beso dhe prano. Mosbesimi shkakton mospranimin apo realizimin e kërkesës apo dëshirës sonë.

A i keni parë fëmijët se sa të sigurt janë, kur kërkojnë lodra për t’i pasur ato? Ata nuk dinë të analizojnë se si fitohen paratë, a ka para të mjaftueshme apo jo, a gjendet lodra në tregun tonë apo jo. Ata thjesht janë të sigurt se lodrën do ta kenë në duart e tyre dhe zakonisht ashtu bëhet, sepse ata nuk dinë të mos besojnë, që do të thotë, ata kërkojnë dhe besojnë njëkohësisht pa kushtëzime dhe kjo gjendje e sigurt e të menduarit, ua sjell lodrën në duart e tyre. E shihni që edhe ne të rriturit mund të mësojmë shumë nga fëmijët tanë për sekretet e të jetuarit mirë.

Në fakt, jemi ne të rriturit që gjatë procesit të rritjes së fëmijëve, gabojmë dhe fusim dyshime dhe pasiguri te fëmijët tanë dhe në këtë mënyrë fëmijët, sa më shumë rriten, aq më shumë bëhen më të pasigurt në hapat e të jetuarit të jetës së thjeshtë, duke e vështirësuar atë me mosbesimin e përcjellë nga gjeneratat më të vjetra tek ata. Por, mos harroni, se kurrë nuk është vonë për të mësuar, për të ndryshuar dhe për të filluar të jetoni mirë jetën. Niseni sot!

Dr.Msc. Vlora Obertinca – ështe motivuese, shkrimtare dhe poete që shkruan në gjuhën shqipe dhe angleze. Ajo është poliglote, eksperte e tregjeve financiare dhe doktor shkence në lidership, e arsimuar në Univerzitetin ekonomik të Vjenës. Ka një karriere të bujshme pas vetës, duke qe qenë pesë herë në postin e drejtoreshës në institucionet kyqe financiare të Kosovës. Ajo njihet edhe si hartuese e reformave ekonomike qeveritare në cilësinë e ekspertes së pavarur .

Fragment i shkeputur nga libri i saj motivues “ Vera e shpirtit “.

Filed Under: Kulture

EDHE RAMIZ ALIA PASKA PASË DASHTË ME E BOTUE FISHTEN…

December 30, 2023 by s p

Frano Kulli/

Në përvjetorin e 83-të të vdekjes së Fishtës.

Në të vërtetë unë nuk e kisha pasë ditë, ase, ndoshta e kisha harruar se edhe Ramiz Alia paska pasë porositë me e botue veprën e Fishtës. Kjo paska pasë ndodhë në vitin e largët ’91, kur udhëheqësi qe konvertuar nga besimi fundamentalist komunist, i pari i sekretarëve të Partisë, në President i Republikës demokratike. Na e kujtoi “Zëri i Popullit” në numrin e 25 tetorit 1990. Kronika e kohës : … veprimtari e organizuar me vargjet e poetit Gjergj Fishta nga shoqëria që mban emrin e tij në Shkodër, në bashkëpunim me aktorët e teatrit “Migjeni. “Mes të ftuarve të tjerë dashamirës të poetit, antarë të shoqatës së shkrimtarëve e intelektualëve, në këtë veprimtari erdhi edhe Presidenti i Republikës Ramiz Alia. Dhe ai erdhi thjesht për të nderuar kujtimin e poetit e vendlindjen e tij, ku siç tha shoku Ramiz, mësova me zjarr vargjet e poetit dhe ndërsa aktorët recitonin, më kujtoheshin të gjitha, sepse Fishta ka fuqinë dhe fisnikërinë edhe pas pesë dekadash të rizgjohet i fuqishëm në mendjet e njerëzve”…. E kronika vijon:

-Fishta e meritonte këtë veprimtari të bukur, tha shoku Ramiz.-Ai ishte një arstist i madh. Idetë e tij janë me vlera të mëdha politike e atdhetare. Ato i shërbyen atëherë, por edhe sot më shumë i shërbejnë kombit.(!) Më pas, studiuesi (i ndjerë) Ferdinand Leka i drejtohet Presidentit: “Vepra e Fishtës duhet botuar e plotë, pastaj njerëzit t’i shohin vetë vlerat e saj”. Porse shoku Ramiz e “tejkalon” studiuesin e dashuruar gjithë jetën me Fishtën e i mëkuar që në fëmijërinë e vet me veprën e tij.

-Fishta duhet botuar i gjithi, e tërë vepra e tij madhore – thotë vetë ai – Është gabuar që nuk është botuar deri tani…

Këtu kronika mbyllet…Për të mos u hapur më. I pari dhe i fundit president që ka sugjeruar botimin e veprës së Fishtës paska qenë presidenti komunist. Bash ai, i cili, bashkë me pararendësin e tij e kishin rroposë shtatë pash nën dhé Fishtën dhe veprën e tij, për të mos u kujtuar e përmendur kurrë.

Asnji president shqiptar më pas, nuk e ka zënë në gojë veprën e Fishtës. 21 vjet më vonë, me 2002-shin, njëri prej tyre, Zoti Alfred Moisiu i ka dekretuar titullin “Nderi i kombit” Fishtës…(62 vjet më vonë, mbasi ai e kishte mbyll me nder si akush tjetër jetën e këtushme në dobi të kombit të vet). Asnjë ministër kulture i 33 vjetëve të pas rregjimit nuk e ka përmendur botimin e veprës së Fishtës e jo më të hartojë ndonjë projekt. Asnjë ministër arsimi i 33 vjetëve nuk ka hartuar, madje as përmendë ndonjë projekt që vepra e Fishtës të mësohej në shkollat e Shqipërisë. Gjithfarë autorësh e librash letrare kanë hyrë në listat e pasurimit të bibliotekave të shkollave të Shqipërisë në 33 vjet, porse Fishta jo.(Përveç disa kolanave të veprës së plotë që ka tërhequr Drejtoria Rajonale Arsimore e Lezhës, sivjet. Nderim e rrespekt !). Gjithçka më mbas është sipërmarrje pasioni e dashamirësve të Fishtës së madh, pa asnjë përkrahje nga shteti

* * *

…Sipërmarrja e parë dhe më serioze , zyrtare për botimin e veprës së plotë letrare të Fishtës u ndërmor, siç dihet, nga Instituti i Studimeve shqiptare, kryetar i të cilit qe Ernest Koliqi. Nisma pati zënë fill pak ditë para datës 10 tetor 1942, datë, të cilën mban në krye letra që nga ky Institut i drejtohet provinçialit të Françeskanëve, në Shkoder, At Anton Harapi. Letra fillon me :”I dashuni shok – dhe vijon – Sikurse kemi nda në mbledhjen e pergjithëshme mbajtun me 21 shtatuer k.v [të këtij viti], në të cilën more pjesë edhe Ti, do të ja nisim veprimit për botim të “Opera Omnia [vepra e plotë]” të të ndjerit At Gjergj Fishta, shok i jueji rregulltarie dhe Antar i Institutit tonë.”

Në korespondencën e mëpasme priten e përcillen propozimet, e përballen idetë rreth botimit. At Antoni, në emër të “grupit që do të kurojë botimin”, i gjegjë: të botohen të gjitha veprat e auktorit, tue perfshi edhe artikujt e letrat e botueme.

Më pas theksohet rendi kronologjik, veprat të dallohen mbas gjinish: satirika, epika, lirika, dramatika, proza. Proza të rregullohet simbas planit që ka lanë vetë auktori: I-Sociologji, II-Polemikë, III-Ligjirata, IV-Miscellanea [të përzjera]. Në mbarim do të shtohet epistolari…

Foto:

Letër e Institutit të Studimeve (firmosur nga drejtori Ernest Koliqi) dërguar Atë Anton Harapit, Provinciali i Françeskanëve të Shqipërisë për botimin e “Opera omnia”.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT