• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2023

PRO ARMENIA (1903) / NUMRI I PARË I GAZETËS SË RE NË GJUHËN SHQIPE “VETËTIMA” NË SOFJE FILLON ME LETRËN E VEÇANTË TË SHKRIMTARIT BULLGAR STOJAN MICHAÏLOWSKI

December 13, 2023 by s p


Stojan Michaïlowski (1856 – 1927)
Stojan Michaïlowski (1856 – 1927)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Dhjetor 2023

“Pro Armenia” ka botuar, me 15 prill 1903, në faqen n°6, letrën e shkrimtarit bullgar Stojan Michaïlowski me rastin e botimit asokohe të numrit të parë të gazetës së re në gjuhën shqipe “Vetëtima” në Sofje, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një letër nga Stojan Michaïlowski

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Një gazetë e re në gjuhën shqipe, Vetëtima (l’Éclair) sapo ka dalë në Sofje. Numri i parë fillon me një letër të Stojan Michaïlowskit, i cili duket se nuk e konsideron të pamundur një mirëkuptim midis shqiptarëve dhe maqedonasve, ndryshe nga sa besohet zakonisht. Ja kjo letër :

“Botimi i një gazete të re shqipe në Sofje është më shumë se një akt guximi; është një ngjarje.

Është një manifestim i shpirtit shqiptar.

Gradualisht, por me siguri, kombi shqiptar po ecën përpara në rrugën e progresit.

Dje ishte zgjimi. Nesër do të jetë vetëqeverisja.

Shqiptarët duan atë që duan, kudo në Turqi, rajat, atë që duan këta krishterë fatkeqë të Maqedonisë, fati i të cilëve po preokupon sot opinionin evropian : — vendin e tyre në diell, të drejta të pajtueshme me dinjitetin njerëzor, një atdhe të lirë. 

Me zemrat e guximshme asgjë nuk është e pamundur ! Shqipëria do të triumfojë, po ashtu edhe Maqedonia. Drejtësia do ta ketë gjithmonë fjalën e fundit në këtë botë; për nder të njerëzimit nuk mund të ishte ndryshe.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Më shumë se kurrë, Turqia aziatike me tërbim, e pamëshirshme me Evropën, armiqësore ndaj çdo gjëje të ndershme, inteligjente, bujare, na sulmon me urrejtjen e saj shtazore dhe të pathyeshme!

Epo ! Ne do të dyfishojmë përpjekjet tona !

Ne kurrë nuk do të ndalemi së thirruri ndaj kësaj torfe sinekristësh, eunukësh, odaliskësh, shërbëtorësh, të preferuarish — që përbëjnë rrethin e Sulltanit të Kuq : — “Kaloni sërish Bosforin ! Ju përfaqësoni të kaluarën e vdekur; ju jeni mohimi i çdo rendi moral ose material; ju jetoni me plaçkitje dhe dhunë; shkoni të gjeni çakejtë dhe hienat : jeni të së njëjtës racë !”

Ne do të organizojmë rezistencën — këtë rezistencë të madhe dhe të shenjtë, e cila është preambula e gjithë rinovimit shoqëror. Birucat e torturës mund të jenë të tejmbushura — ne do të veprojmë — do të jemi të palodhur. Ne e dimë shumë mirë se kushdo që është i vendosur të sakrifikojë gjithçka për pavarësinë e tij nuk mund të shkatërrohet.

Pastaj, një ditë, revolucioni hakmarrës do të shpërthejë — revolucioni i madh dhe i bukur i rajave (raïave)…

Atë ditë, nuk do të ketë më Turqi !”

Sofje 

Stojan Michaïlowski

Kryetar i Komitetit Maqedono-Andrinopojës.

Filed Under: Interviste

Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” Inc., në 6 vjetorin e themelimit të saj

December 13, 2023 by s p

Me datӫn 10 Dhjetor, 2023, anӫtaret e shoqatӫs Shqiptaro-Amerikane “ Skenderbej” Inc., u mblodhӫn sӫ bashku, nӫ Manhattan, pӫr tӫ pӫrkujtuar 6-Vjetorin e themelimit tӫ Shoqates, si edhe pӫr t’u argӫtuar sӫ bashku, nӫ atmosferat mbresӫlӫnӫse tӫ fundvitit , nӫ zemӫr tӫ New York-ut, nӫ Manhattan. Takimi ishte i pӫrzemӫrt dhe atmosfera e krijuar ishte vӫllazӫrore! Bisedat ishin të sinqerta rreth veprimtarisë së shoqatës, si dhe vazhdimit të aktiviteteve në të ardhmen. Gjate vitit 2023, kryesia dhe anӫtaresia e shoqatӫs pӫrballuan njӫ sfide tӫ ish- drejtuesve tӫ shoqatӫs , nӫ pӫrpjekje pӫr tӫ tjetӫrsuar pӫrmbajtjen dhe funksionimit e saj. Ata dolӫn hapur kundӫr statusit tӫ saj, i cili pӫrbӫnte bӫrthamӫn ligjore tӫ funksionimit tӫ shoqatӫs dhe rregullave tӫ saj. Kryesia dhe Kuvendi, nuk pranuan ndryshime apo shkelje tӫ statusit. Ata nuk lejuan tӫ krijohen organe drejtuese paralele, tӫ cilat, e dëmtonin strukturen ligjore tӫ organizatӫs, tjetërsonin pӫrmbajtjen e saj, dhe linin hapӫsirë pӫr kontroll nga njӫ apo njӫ grup personash, mbi organet e zgjedhura.

Shoqata, vazhdoi me sukses, aktivitetet e saj, sipas planifikimeve dhe programeve tӫ miratuara nga kryesia. Aktiviteti më i rëndësishem ishte më datӫn 26 Nӫntor, 2023 ku shoqata festoi me madhӫshti, 111 vjetorin e Shpalljes sӫ Pavarӫsisӫ sӫ Shqipӫrisӫ. Vitin e kaluar, kryesia, organizoi festӫn Jubilare tӫ 5- Vjetorit tӫ krijimit tӫ shoqatӫs. Ajo u festua me madhӫshti e pӫrkushtim nga cdo anӫtar i saj , nӫ Bronx, New York. Kӫtӫ Vit, u mendua qӫ pӫrvjetori i saj i 6-të, tӫ pӫrkujtohet nӫ njӫ formӫ tjetër, me një takim shoqӫror, nӫ Manhattan, si edhe e shoqӫruar me njӫ pjesӫmarrje tӫ pӫrbashkӫt nӫ njӫ shfaqje baleti. Anӫtarët e saj zgjodhӫn tӫ shikojnӫ sӫ bashku, baletin Arrӫthyesi (Nutcracker), tӫ kompozitorit Çajkovski. Balerinӫt pӫrformues ishin Klevis Tafaj dhe Bianka Skӫnderi, tӫ dy anӫtarӫ të shoqatës. Nӫ kӫtӫ takim mori pjesӫ, kryetari i shoqatӫs Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” z.Imer Laçaj, sekretarja e kӫsaj shoqate, znj. Alketa Veshi, koordinatoret ,znj. Majlinda Tafaj dhe znj. Geltjana Bulku, anӫtarӫ tӫ tjerӫ tӫ shoqatӫs me familjet e tyre.

Anӫtarӫt e shoqatӫs u priten me shumӫ dashamirӫsi nga trupa e kӫtij baleti, nga si edhe drejtorja dhe koreographja e kӫsaj trupe, znj. Chiara Ajkun. Arrethyesi, na con me historine e tij, nӫ viset Gjermane tӫ viteve, 1816. Arrӫthyesi, (Nutcracher) sipas kӫsaj tradite, konsiderohej si njӫ simbol fati apo siç mund tӫ quhet nӫ mӫnyre tjetӫr, symbol i rebelimeve tӫ qeta. Ky balet ӫshtӫ kryesisht njӫ sekuence ӫndrrash. Valset, ngjyrat piktoreske tӫ melodive tӫ bukura tӫ Çaikovskit, ndiqnin pa fund skena tӫ ndryshme. Kӫto ishin festa tӫ pӫrbashkӫta tӫ tӫ gjithӫ personazheve, njӫ magji ӫndrrash tӫ pafundme. Kostumet e shumӫllojshme, skenat e panumӫrta, dritat dhe efekte tӫ tjera skenike, teknika e lartӫ e balerinӫve, unifikimi i lӫvizjeve tӫ tyre nӫ grup, meloditӫ e pafundme tӫ cilat varionin çdo dy minuta,( tipike tӫ Çajkovskit) , e mbajtӫn spektatorin tӫ mbӫrthyer nӫ emocion dhe vemendje. Shpesh, salla shpӫrthente nӫ duartrokitje, drejtuar momenteve tӫ bukura artistike tӫ grupit apo teknikës sӫ pӫrkryer tӫ balerinӫve, nӫ rolet kryesore. Orӫt kaluan pa u kuptuar.

Nӫ fund tӫ shfaqjes, znj. Chiara Ajkun, i ftoi pjesӫmarrӫsit tӫ takoheshin me interpretuesit. Anӫtarӫ tӫ trupӫs së baletit dolӫn nӫ sallӫ me gota shampanje duke sӫrvisur spektatorӫt. Momentet e bukura pӫrshendetӫse mes tyre, u shoqӫruan me foto. Balerini Klevis Tafaj, u pӫrshendet, nga të pranishmit, jo vetӫm pӫr interpretimin e tij tӫ shkӫlqyer por edhe pӫr punӫn e palodhur, pӫr të sjellӫ nӫ kӫtӫ skenӫ, balerinӫ tӫ tjerӫ me origjinӫ Shqiptare. Ishte emocionues fakti qӫ kӫsaj rradhe nӫ tӫ njӫjtӫn shfaqje u gjendӫn 4 balerinӫ ( dy prej tyre ) vogӫlushe, Anja dhe Emma me origjinӫ Shqiptare. Zonja Bulku, ngriti dhe valӫviti flamurin kuq e zi, i cili jo vetӫm emocionojӫ zemrat e shikuesve shqiptarӫ por u admirua edhe nga qytetarӫ dhe interpretues tӫ tjere të trupës së baletit. Mbremja u mbyll me falenderime dhe premtime pӫr t’u parӫ sӫrish nӫ aktivitete tӫ tjera tӫ bukura artistike tӫ qytetit tӫ New York-ut.

Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” Inc. i uron balerinӫve, suksese nӫ punӫn e tyre artistike. Ajo shpreh mirӫnjohjen pӫr kontributin qӫ ata japin nӫ pӫrçimin e vlerave artistike tek qytetarӫt e New York-ut, nӫ ndihmӫn qӫ ata japin pӫr ta parӫ botӫn me emocion dhe kuptuar atӫ, si njӫ, dhe tӫ pӫrbashkӫt. Shoqata gjithashtu i uron çdo anӫtari dhe familjeve tӫ tyre: Gezuar 6-Vjetorin e themelimit tӫ saj , si edhe festat e fundvitit.

Suksese nӫ aktivitete tӫ tjera!

Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” Inc.

Staten Island, New York,

12 Dhjetor, 2023

Filed Under: Komunitet

Thirrja për luftë e Vuçiçit dhe indiferenca e Perëndimit!

December 13, 2023 by s p

Prof. Sylë Ukshini/

Nëse dikush akoma ka iluzione se autoritetet e Beogradit janë të interesuar për paqe dhe normalizim të raporteve fqinjësore, atëherë duhet ta dëgjojë këtë intervistë të Vuçiqit, i cili krejt hapur e bënë të qartë kërcënimin ndaj Kosovës, duke aluduar se Serbia duhet të mësoj nga ish-presidenti dhe presidenti aktual i Azerbejxhanit, babë e birë, Haydar dhe Ilham Aliyes, të cilët pritën të krijohen rrethanat gjeopolitike për të rikthyer krahinën e Nagorni Karabahut: “Ata pritën 27 vjet për rrethana të veçanta gjeopolitike” për ta rikthyer Nagorni-Karabahun në Azerbajxhan.

Kosova nuk guxon të hesht ndaj këtij qëndrimi të Serbisë! Duhet të reagojë edhe NATO dhe Perëndimi, pasi kjo qasje e Serbisë është kërcënuese edhe për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan. Apo lëviz drejt Ballkanit strategjia e re ruse, pas asaj që ndodhi në Nagorni Karabah?

Tërheqja e paraleleve mes Kosovës dhe rastit të Nagorno-Karabah, vjen vetëm pas dy muaj e ca nga agresioni ushtarak serb mbi (Banjskë), ku as Shtetet e Bashkuara dhe as BE-së nuk morën ndonjë masë ndëshkuese ndaj Beogradit. Ka qenë e qartë se mungesa e ndonjë mase ndëshkuese ndaj Beogradit do të ndikoj në trimërimin e politikës hegjemoniste.

Në nëntor të vitit të kaluar Vuçiq dhe Alijev në Beograd dhe nënshkruan Memorandumin për themelimin e Këshillit për Partneritet Strategjik. Për të reduktuar varësinë nga gazi rus, Serbia, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, po ndërton një gazsjellës për në Bullgari, i cili është pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, i cili do të sjellë gaz nga Azerbajxhani.

Midis Serbisë dhe Azerbajxhanit marrëdhëniet bilaterale janë në një “nivel shumë të lartë” dhe gjithashtu Vuçiq nuk kalon rast pa falënderuar Azerbejxhanin për “respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë”. Pos tjerash, kjo lidhje vjen edhe për faktin se Azerbajxhani nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Dhe në vend se komuniteti ndërkombëtar t’i kundërvihet kësaj qasje hegjemoniste, ai vazhdon të mbështesë “krijimin e Asociacionit të Komunave Serb të Republikës së Kosovës. Shtrohet pyetja, pse Kosova duhet të ndjek një projekt të tillë kur Serbia nuk shfaq prirje as minimaliste për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Nëse tani e përdor paralelen e Nagorni Karabahut si mundësi që duhet ndjekur, nëse do të thirret në modelin e dy gjermanive që përfundoi në riunifikim.

Rasti i Gjykatës Speciale ka treguar se Kosova nuk duhet të jetë naive, pa njohje të ndërsjellë Kosova nuk ka asnjë detyrim të bëjë asociacionin, aq më pak kur Serbia tregon hapur se ka synim invazionin ushtarak, për çka blen dhe armatoset në katër anët. Më shumë se për asociacion, Kosova ka nevojë për njohje nga të gjitha vendet e BE-së dhe nëse për asgjë, një hap i tillë do ta bënte Brukselin një ndërmjetës të paanshëm.

Filed Under: Rajon

Toka nga Hapësira

December 13, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Kur udhëton me aeroplan, Toka duket e gjerë dhe e lidhur. Për ata që kanë fluturuar më lartë, në hapësirë, ajo duket e brishtë dhe vogël.

Më 1962, Yuri Gagarin u bë njeriu i parë që arriti në hapësirë ​​dhe ndoshta i pari që përjetoi atë që shkencëtarët tani e quajnë “efekti i përgjithshëm”. Ky ndryshim ndodh kur njerëzit e shohin botën nga lart dhe vërejnë se është një vend ku “kufijtë janë të padukshëm, ku grindjet racore, fetare dhe ekonomike nuk shihen askund”.

Efekti i përgjithshëm i bën grindjet e njeriut me njëri-tjetrin të duken tepër të vogla dhe e paraqet planetin ashtu siç është në të vërtetë, një organizëm të ndërlidhur.

Tani shkencëtarët thonë, që nëse më shumë njerëz do ta zhvillonin këtë perspektivë planetare, ne mund të rregullonim shumë nga ato që mundojnë njerëzimin dhe planetin.

Parë nga lart, Toka është shumë më e brishtë nga sa mendohej.

“Nga dritarja e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, ​​pashë shkreptimat e stuhive të rrufesë, pashë perde vallëzuese të aurorave që dukeshin aq afër sa mund të zgjatnim dorën dhe t’i prekje. Dhe pashë hollësinë e pabesueshme të atmosferës së planetit tonë. Në atë moment, u godita me kuptueshmërinë e mprehtë se ajo shtresë e hollë mban gjallë çdo gjallesë në planetin tonë”, tha astronauti Ron Garan në një intervistë në televizionin amerikan.

“Pashë një biosferë të ylbertë që mbushej me jetë,” vazhdon ai. “Është e qartë se nga këndvështrimi i hapësirës ne po jetojmë një gënjeshtër, se njerëzimi duhet të rivlerësojë prioritetet e tij.

Garan thotë se po paguajmë një “çmim të lartë si qytetërim për paaftësinë tonë për të zhvilluar një perspektivë më planetare dhe kjo është një arsye pse nuk po zgjidhim shumë nga problemet tona. Edhe pse aktiviteti ekonomik mund të përmirësojë cilësinë e jetës në njërën anë, është gjithashtu katastrofike për planetin që mban jetën tonë.

Është njësoj si të presim hundën për të rregulluar fytyrën tonë”.

Aktori William Shatner, 92 vjeç, pati një përvojë të ngjashme kur udhëtoi në hapësirë më 2021.

“Ishte ndër ndjenjat më të forta të pikëllimit që kam hasur ndonjëherë”, shkroi Shatner. “Kontrasti midis ftohtësisë së egër të hapësirës dhe ushqimit të ngrohtë të Tokës më mbushi me trishtim dërrmues. Çdo ditë, përballemi me njohurinë e shkatërrimit të mëtejshëm të Tokës nga duart tona: zhdukjen e specieve shtazore, të florës dhe faunës. … gjëra që u deshën miliardë vjet për të evoluar dhe befas ne nuk do t’i shohim më kurrë për shkak të ndërhyrjes së njerëzimit.”

Pra, kur të mund ta shohim botën përtej një mendësie dy-dimensionale dhe të përqafojmë realitetin e vërtetë shumë-dimensional të universit në të cilin jetojmë, vetëm atëherë nuk do të notojmë më në errësirë, si sot.

Filed Under: ESSE

14 DHJETORI, DATË HISTORIKE PËR ELBASANIN DHE DEMOKRACINË

December 13, 2023 by s p

Prof.Dr. Roland Gjini/

Nuk janë të pakta rastet në historinë shqiptare që Elbasani dhe qytetarët e tij kanë dhënë shembuj të çmuar, madje kanë paraprirë ngjarje të mëdha historike. Më 25 nëntor 1912 ishte i pari qytet në Shqipëri që parapriu ngritjen e flamurit të Pavarësisë. Ky qytet kishte nxjerrë edhe më parë burra në zë, që paraprinë dhe organizuan mësimin e shkollën shqipe, duke nisur nga Dhaskal Todri e Kostandin Kristoforidhi e duke vazhduar më tej me Aleksandër Xhuvanin e shumë të tjerë. Ky qytet i dha vendit burra që do të ideojnë e do të formojnë, më pas, shtetin e pavarur shqiptar, si Aqif Pashë Elbasanin, Lef Nosin, Qemal Karosmanin, Shefqet Daiun e të tjerë. Edhe gjatë funksionimit të shtetit të pavarur shqiptar në vitet 1912-1939, nuk ishin të pakët personalitetet elbasanas që kontribuan si në politikë, ashtu edhe në zhvillimin shoqëror e kulturor të vendit. Po nga ky qytet nuk ishin të paktë burrat e gratë që luftuan kundër pushtuesve nazi-fashistë. 

Muajt e vjeshtës dhe të dhjetorit u kujtojnë elbasanasve mjaft ditë e data të shënuara, të regjistruara këto përgjatë dekadave të Rilindjes së popullit shqiptar, përgjatë përpjekjeve të tij në rrugën e pavarësisë, lirisë e përparimit. Kështu, janë të paharruara jo vetëm nga kujtesa e historisë, por e çdo qytetari elbasanas data të tilla si:

-2 Shtator 1909 – Kongresi historik i Elbasanit.

-Pranojmë edhe 11 Nëntorin e vitit 1944 si ditë të çlirimit nga pushtuesit fashistë e nazistë.

-25 Nëntor 1912 – Shpallja e pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar.

-1 Dhjetor 1909- Hapja e shkollës Normale.

Gjatë viteve të regjimit totalitar,nëntorit dhe dhjetorit do t’i shtoheshin edhe data përkujtimore të tjera, që përfaqësonin kryesisht revolucione apo ditëlindje udhëheqësish komunistë, por që të jemi realistë, populli i Elbasanit nuk arriti t’i ndjejë asnjëherë këto data si festa apo ditë nderimesh. Po të shtojmë këtu faktin që gjatë këtyre viteve, pushtetarët e lartë të dalë nga Elbasani do të ishin të paktë, atëherë do të pranonim që këto janë shenja të mospajtimin në masë të qytetarëve të këtij qyteti me diktaturën komuniste. Mospajtim ishte edhe heshtja e e këtij qyteti dhe mungesa e entusiazmit në tubimet popullore që zhvillonte herë pas here partia-shtet e asaj kohe. 

Elbasanasit e duruar e të matur, por asnjëhere pasivë, si në çështjen kombëtare, ashtu edhe në rrugën e zhvillimit e përparimit, paraprinë përsëri procesin e progresit kombëtar. Nëse dekadada më parë, me ngritjen e të parit flamur në 25 nëntor të vitit 1912, paraprinë aktin e patriotëve shqiptarë që u mblodhën më pas e shpallën pavarësinë kombëtare në Vlorë më 28 nëntor të 1912-tës, tashmë me ngjarjet e 14 dhjetorit të vitit 1990 elbasanasit paraprinë procesin e rrëzimit të komunizmit.

Heshtja, në dukje, për Elbasanin gjatë vieteve të komunizmit nuk vazhdoi gjatë. Pa u mbushur dy ditë nga shpallja e plurazmit dhe nga formimi i Partisë Demokratike, Elbasani shpërtheu. Djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë më guximtare të tij dolën në shesh dhe u përballën me diktaturën, e cila ishte egërsuar ngaqë kishte kuptuar që po vinte agonia e saj. Ditën e 14 dhjetorit 1990 nga pak nismëtarë numri i tyre shumë shpejt kaloi në qindra. Të rinjve iu bashkuan edhe moshat më të rritura. Djemve dhe burrave iu bashkuan edhe vajza dhe gra. Punëtorëve dhe intelektualëve iu bashkuan edhe të rinj edhe studentë. Pra demonstrimi mori përmasa masive.

Pas afro gjysëm shekulli, ishte 14 dhjetori i vitit 1990, hapi i parë për t’i rikthyer Elbasanit dinjitetin e datave e ditëve të shënuara të nëntorit e dhjetorit. Elbasanasit e duruar e të matur, por asnjëhere pasivë, si në çështjen kombëtare, ashtu edhe në rrugën e zhvillimit e përparimit, paraprinë përsëri procesin e progresit kombëtar. 14 dhjetori i vitit 1990 është vështirë të hiqet nga kujtesa e qytetarëve të vet, pse jo, edhe e shqiptarëve. Lidhur me këtë ditë problemi nuk qëndron te numri i atyre që dolën në shesh, pasi të gjithë ne jemi dëshmitarë për të gjykuar mbi atë ditë. Pjesa më e madhe e elbasanasve, megjithëse nuk mori pjesë në protestë, brenda vetes i dha të drejtë guximit të atyre që dogjën simbolet e dikaturës, tanke, libra të Enver Hoxhës, apo simbole të varfërisë e prapambetjes, siç ishin ata pak autobuza rrangallë që transpotonin punëtorë. Nga ana tjetër, të paktë qenë ata që nuk u pajtuan me veprimet e protestuesve. Rregjimi në fuqi i asaj kohe, madje edhe disa nostalgjikë të sotëm, e cilësojnë këtë ditë si “shfaqje rrebelimi rrugaçësh”, që sipas tyre turbulluan qytetin dhe dëmtuan “pasurinë socialiste”, kur tashmë dihet që vjedhjet e shkatërrimet e dyqaneve i kryen provokatorët e futur nga sigurimi i shtetit. Kjo pasi diktatura e pranonte revolucionin, por vetëm për vete, për ruatjen e pushtetit të saj.

Në planin historik lëvizja e 14 dhjetorit nuk ishte as spontane dhe as shkatërrimtare e antikombëtare. Ngjarjet e 14 dhjetorit të vitit 1990 në Elbasan nuk ishin as revolucion, e as kryengritje rebele. Ato ishin një shpërthim popullor, në emër të mllefit të grumbulluar, nga njëra anë, dhe idealeve të reja të shfaqura menjëherë nga Lëvizja Studentore në Tiranë dhe krijimi i Partisë Demokratike, nga na tjetër.

Fakti që në këtë lëvizje nuk pati gjakderdhje nuk ka të bëjë me tolerancën e pushtetit të asaj kohe, por me largpamësinë e popullit elbasanas. Nuk ishte nevoja të ndeshej me forcat policore, megjithëse këta u urdhëruan të ushtrojnë dhunë mbi protestuesit. Populli e kishte të qartë se ato ishin vetëm leva të një rregjimi që po i vinte fundi. Kur flet populli, flet e vërteta, mbase këtë e kuptuan edhe policët e thjeshtë të asaj kohe. Dhe kështu ndodhi, revolta e 14 dhjetorit dhe e ngjarjeve që pasuan më pas rrëzuan godinën karakatinë të pushtetit komunist.

14 dhjetori u rendit në ditët e shënuara të krenarisë elbasanase për disa arsye:

–Së pari, këtë ditë djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë, të rinjtë dhe studentët pjesëmarrës në këtë ngjarje i treguan qytetarëve të vet dhe gjithë Shqipërisë se jo vetëm janë kundërshtarë të regjimit diktatorial, por edhe aktorë aktivë për rrëzimin e komunizmit,

–Së dyti, kjo datë shprehu solidarizimin e elbasanasve me Lëvizjen Studentore të Tiranës, si dhe me të tërë lëvizjet parardhëse antikomuniste të ndodhura në Shkodër, Kavajë, Tiranë e në qytete të tjerë,

–Së treti, me anë të veprimeve në dukje të pakontrolluara, por për mendimin tim të menduara mirë, protestuesit thyen disa tabu dhe dhanë disa shembuj se si mund të shembet sistemi komunist, i padëshiruar nga shumica e shqiptarëve.

Kështu, me djegjen e ndonjë autobusi u dha simboli i daljes nga skllavërimi dhe trajtimi mizerabël i punëtorëve, të cilët udhëtonin me këto fizarmonika të shtrembëruara e të shqyera e që fusnin brenda ujë, të ftohtë e pluhur. Me djegjen e shkatërrimin e ndonjë tanku apo makine policie u dha sinjali i urrejtjes ndaj pushtetit shtypës. Me djegjen e librave të diktatorit, që u nxorën nga libraritë e qytetit, u shfaq hapur kundërshtia e elbasanasve ndaj ideologjisë komuniste dhe ndaj të ashtuquajturës vijë udhëheqëse të Partisë së Punës. Ndërsa vjedhjet e shkatërrimet e disa dyqaneve i kryen provokatorët e futur nga sigurimi i shtetit.

Lind pyetja: A kishin të drejtë përfaqësues të popullit të Elbasanit të ngriheshin në këtë mënyrë në 14 dhjetor? Mendoj se po. Për të argumetuar këtë pohim po citoj përcaktime të disa personaliteteve të shquara të mendimit njerëzor apo teoricienë të demokracisë. Kur një sistem është i padëshiruar për popullin është po populli që e rrëzon atë. Që në shekullin e XVI rilindasi italian Makiaveli thoshte “Vox populi, vox Dei”, fjala e popullit është fjala e zotit. Pra, për dekada me rradhë, regjimi dikatorial ishte bërë i padurueshëm për popullin, dhe 14 Dhjetori qe shenja e parë e dukshme që populli është gati ta rrëzojë atë.

Por, si mund të rrëzohej ky rregjim? Me revolucion, si në kohërat e shekujve XVI-XIX kur në Evropë e më gjerë u përmbysën monarkitë absolute totalitare dhe u hap rruga drejt qytetërimit modern perëndimor në Angli, Francë, Gjermani etj. Jo. Revolucioneve shoqërore jo vetëm u ka kaluar koha, por ata u bastarduan dhe kaluan në luftëra të ashpra civile gjatë shekullit XX, kur fillimisht në Rusi e pastaj në mjaft vende të Lindjes revolucionet u kthyen në bolshevike, proletare apo socialiste.

Këta revolucione jo vetëm shkaktuan gjakderdhje, por pas fitores vendosën dikatura të reja, më të egra se regjimet monarkike absolute mesjetare. Koha të cilën po përjetonte Shqipëria kërkonte arritjen e demokracisë me rrugë demokratike. Protesta mbarëpopullore është provuar se është rruga më e efektshme për të sjellë e për të forcuar demokracinë.

Demokracia e re që po kërkohej të vendosej do ndiqte rrugën e vet të sigurtë e të pakthyeshme. Të gjithë sistemet dhe të gjitha regjimet pretendojnë se punojnë në emër të popullit, madje jo vetëm monarkitë absolute por edhe diktaturat. Sistemi demokratik ndryshon nga ai totalitar se i shërben popullit dhe nuk mburret se vepron në emër të tij.

Studiuesi i demokracisë amerikane, historiani dhe diplomati francez Aleksi Tokëvil (Alexis de Tocqueville), thotë se në themel të demokracisë qëndron sovraniteti i popullit. Por, vazhdon më tej ai, gjatë ushtrimit të qeverisjes demokratike ky sovranitet qëndron i fshehur, ky sovranitet respektohet pa u njohur.

E përmenda këtë përcaktim për të gjykuar sot, pas 22 vjetësh mbi rolin e pjesëmarrësve në ngjarjet e 14 dhjetorit. Ishin me dhjetra e qindra guximtarët që zgjuan Elbasanin nga letargjia që i kishte vënë komunizmi. Ata u përballën me tanket e forcat shtypëse të regjimit. Disa edhe u burgosën. 14 Dhjetori u pasua me ngjarje e situata të reja e të shpeshta, që si një zinxhir çuan deri në përmbysjen e rregjimit komunist.

Sot, po të kthejmë kokën pas, shohim që këta heronj heshtin, ose të paktën nuk mburren për atë çfarë kanë bërë. Shumë prej tyre janë të kënaqur me përmbysjen e regjimit dhe kanë shfrytëzuar mundësitë e reja që hapi periudha post-komuniste demokratike, sidomos ekonomia e tregut. Disa të tjerë janë mjaftuar me gjetjen e një pozicioni sa për të jetuar, disa madje mund të themi që edhe sot mund të kenë vështirësi jetese. Më tej, me keqardhje kujtojmë, se disa prej tyre nuk jetojnë më.

Kanë kaluar shumë vite nga 14 Dhjetori 1990, të lindurit e këtejshëm kanë krijuar një brez më vete. Lind pyetja: A është realizuar qëllimi i dhjetoristëve të Elbasanit dhe të krejt Shqipërisë për ëndrrën europiane? Për fat të keq jemi ende larg realizimit të kësaj ëndrre. Tranzicioni po zgjat, por ky tranzicion, të paktën, nuk duhet të na pengojë të respektojmë ata që na sollën të parët ndër mend se rruga e vetme e përparimit të shqiptarëve është rruga drejt Evropës. Këta janë heronj, pasi heronjtë nuk shfaqen rëndom, por ata i nxjerr koha në momentet më kyçe të historisë së një kombi.

Elbasani dhe shoqëria u ka mjaft borxhe këtyre heronjve. Mbi të gjitha është respekti dhe vlerësimi për veprën e tyre. Prandaj, që kjo vepër të mos hiqet nga kujtesa jonë dhe e brezave që vijnë më pas, lipset të përjetësohet e shpërblehet, jo me rrugë ekonomike e poste politike, por së paku me një monument, ashtu siç është përjetësuar, për shembull, kontributi i elbasanasve në kulturën e arsimin kombëtar, me anë të obeliskut të ngritur në qendër të qytetit. Veprën e tyre të madhe nuk mund ta nxëjë dot një pllakë e vogël përkujtimore, por një monument i madh, ku së paku të shkruhen emrat e këtyre heronjve, sado që të jenë ata.

Nëse sot ne kujtohemi për këta heronj vetëm një herë në vit, të jeni të sigurtë se historia ata nuk do t’i harrojë. Ata vetë e kanë treguar modestinë e tyre, nuk flasin e nuk mburren për atë që kanë bërë. Por, do të jenë jo vetëm historianët që do të shkruajnë për ta, por edhe populli, që do t’i ruajë gjatë në kujtesën e tij, si emrat ashtu edhe veprën heroike të tyre.

Mirënjohje përjetë heronjve elbasanas të 14 Dhjetorit. U shkruaftë me gërma të arta emri i tyre, në mos në ndonjë monument apo pllakë përkujtimore, të paktën në mendjen dhe zemrat e elbasanasve dhe të tërë shqiptarëve. 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: roland gjini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT