• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2023

MËRIA E MADHE E MOISI GOLEMIT

December 12, 2023 by s p

AVNI ALCANI/

“Këndo, hyjneshë, mërinë e Akil Pelidit…”. Homeri, ILIADA, Kënga 1 

  1. Hyrje 

Ky shkrim i kushtohet princit shqiptar Moisi Golem Araniti, njërit prej pinjollëve më të shquar të familjes Araniti të shekullit të 15-të, si dhe mërisë së madhe të tij, e cila shkaktoi një tronditje dhe brengosje të madhe te bashkëluftëtarët e tij? 

Por cili ishte shkaku i mërisë së Moisi Golemit dhe përse figura e tij ende ruan te shqiptarët një farë admirimi dhe përçmimi njëkohësisht, ndonëse biografët e Skënderbeut patën shkruar se Moisi Golemi ishte ndër luftëtarët më të shquar të ushtrisë arbërore të shekullit të 15-të, i cili kishte një “shkëlqim të pashoq të emrit të vet” (Marin Barleti “Historia e Skënderbeut”, Tiranë 1983, f. 408.), që “kishte famën se vinte i dyti në zotësi pas Skënderbeut”, dhe kishte qenë “krahu i djathtë (dhe) gjenerali më i mirë i ushtrisë së Skënderbeut” (Fan S. Noli: “Gj. K. Skënderbeu 1405-1468”, Tiranë 1967, f. 140). Por, fatkeqësisht, për shkak të mërisë dhe qëndrimit inatçor që Moisiu i mbajti Skënderbeut, Heroit Kombëtar të shqiptarëve, figura e tij u mbulua nga një hije misteri  e tronsformuar njëkohësisht nga një dashuri-urrejtje 5-shekullore. 

      Në këtë shkrim do të përpiqemi të hedhim dritë mbi disa çështje dhe fakte që kanë mbetur ende të pa sqaruara për figurën e Moisi Golemit, me qëllim zbardhjen e të vërtetave rreth mërisë së madhe të tij, të konsideruar si “tradhtëti” ndaj Skënderbeut, e cila e ka njollosur padrejtësisht këtë figurë të shquar historike të kombit shqiptar. Gjithashtu do të tentojmë t’i japim përgjigje një sërë pyetjeve mbi disa të vërtetat që dihen por nuk thuhen dhe të lëna enkas në heshtje, për të denigruar figurën e tij, të tilla si:  Cilat ishin shkaqet e mërisë së madhe, që e çuan Moisiun t’i kthente armët kundër mikut dhe komandantit të tij? Kush ishte shkaktari kryesor i prishjes së marrdhënieve Moisi-Skënderbe? A ishte tradhtar Moisi Golemi? Si qëndron e vërteta e “pendimit”, apo e “mëshirës”, që, sipas biografëve të Skënderbeut, Moisiu ishte kthyer “zëmërdridhur dhe me lot për të kërkuar mëshirë” (Dh. Frangu: “Kumtar i luftrave të turqve kundër  Skënderbeut”, Tiranë 2000, f. 31), i cili, i “pikëlluar sa s’ka, i ra përpara (Skënderbeut) në gjunjë, i kërkoi me lot në sy që ta falte” (Barleti 1983, f. 468)?

      Para se t’i shqyrtojmë çështjet që kemi ngritur më lart, le të njihemi shkurtimisht me disa aspekte të jetës së princit Moisi Golemi, si: cila ishte origjina e tij, familja, prindërit, vendlindja, pronat (zotërimet), lidhjet familjare të Moisiut me disa prej figurave arbërore nga më të rëndësishme të shek. të 15-të etj.

  1. Jeta, familja dhe zotërimet

      Informacionet kryesore në lidhje me jetën dhe familjen e tij i kemi nga libri i biografit të Skënderbeut, Marin Barleti, i cili, në lidhje me origjinën e Moisi Golemit, shkruan: “Moisiu i Dibrës ishte epirot (shqiptar) nga kombësia”, që kishte lindur në qytetin e Valmëve (Elbasani i sotëm) dhe ishte pinjoll i familjes Araniti (Barleti 1983, f. 402). Babai i tij quhej Muzak Komnen Araniti, i cili, siç shkruan Barleti, “kishte dy vëllezër, d.m.th.., Aranit Golemin, Kominatin, të vjehrrin e Skënderbeut… dhe Vladen Golem Aranitin…” (Barleti, po aty). Nëna e Moisiut vinte nga dera e Muzakajve, Despotëve të Beratit, dhe quhej Vojsava Muzaka (po aty), kurse, sipas Gjon Muzakës, quhej Zonja Suina (Muzaka), e derës së Muzakajve të Beratit, e cila, siç shkrun Gj. Muzaka: “pati për burrë Zot Muzak Komnenin (babain e Moisi Golemit -shënimi im A. A.)” (Gjon Muzaka: “Memorje” (botim shqip), Tiranë 1996 , f. 35 ).  Nuk ka të dhëna në se Moisiu ka pasur vëllezër apo motra të tjerë. Dimë se ai ishte i martuar me Zanfina Muzakën, me të cilën pati dy fëmijë: një djalë dhe një vajzë. Djali quhej “Zot Komneni ose ndryshe Cezar Komneni”, (Muzaka, f. 52) i cili la vetëm një vajzë, të quajtur Johana Komnena, që ishte e martuar me Pal Brankaçi-n, një fisnik italian i derës “Nido”, (po aty) ndërsa vajza e Moisiut, Despina, u martua me Stanisha Kastriotin, nipin e Skënderbeut (nga i vëllai, Stanishi) Muzaka, po aty; Shuteriqi: “Aranitët-Historia, Gjenealogjia, Zotërimet”, Tiranë 2011, f. 59).

      Ku ndodheshin pronat e Moisi Golemit? Nuk ka asnjë të dhënë se ku ndodheshin pronat e Moisiut. Ato nuk i përmend as Gjon Muzaka në “Memorien” e tij, i cili ishte një njohës i mirë i pronave të familjeve fisnike të Arbërisë së shekullit XV. Gjon Muzaka në “Memorien” e tij ka përmendur vetëm pronat e atyre Aranitëve që ishin në lidhje të ngushta martesore me familjarët e tij. Kështu, p.sh., ai përshkruan me imtësi se ku ishin pronat e Gjergj Aranitit, Muzak Komnenit (atit të Moisiut), Muzhaqit të Angjelinës dhe Aranitit (djalit të Moisiut), të cilët ishin martuar me gra nga dera e Muzakajve të Beratit. Për Gjergj Aranit Komnenin, Muzaka shkruan: “Zonja Maria e lartpërmendur, motër e tim eti, pati për burrë Zot Aranit Komnenin, që ishte Zot i Çermenikës (Cermenica) dhe i Mokrës (Mochino) dhe i Shpatit (Spatenia) deri në lumin Devoll, që e ndan vendin e tij me tonin dhe e ka kufi” (Mazaka, f. 19). Kurse Muzak Komneni, i cili ishte i martuar me Zonjën Suina, motër e Gj. Muzakës, “kishte shtet të tij në pjesën e Çermenikës dhe në pjesën e Mokrës. Fshati i parë (i tij) quhet Liborasi (Librazhdi), Drago, Stugna (Dragostunja), Dorisa (Dorëzi), Zuchisi (Qukësi?), Guri (Gurra?) dhe fshatra të tjerë” (Muzaka f. 35). Kurse motra e dytë, Zonja Maria, ishte martuar me Muzhaq Aranitin, i cili, shkruan Muzaka, “kishte një kështjellë që quhej Bjeshka (Biescha) dhe mjaft fshatra të tjerë që janë në Çermenikë  dhe Tomadhi” (Muzaka, f. 36). Kurse motra e katërt e Muzaks, Zonja Komita, kishte “për burrë Zotin Aranit, të birin e Muzak Aranitit, i cili kishte një Principatë të mirë në Çermenikë…” (Muzaka, f. 37). Dhe ky Aranit, shkruan Dhimitër Shuteriqi, ishte djali i Moisi Golemit (Shuteriqi 2011, f. 27 dhe 105). Këtë djalë, me sa duket, Moisiu duket se e ka pasur nga një martesë e tij e mëparshme dhe jo nga martesa me Zanfina Muzakën, pasi, siç e pamë te Muzaka, djali që Moisiu pati me Zanfinën, quhej Cezar Komneni.    

      Dhimitër Shuteriqi, një nga studiuesit dhe biografët e familjes së Aranitëve, në artikullin “Aranitët-Zotërimet”, botuar në revistën “Studime Historike” (Nr. 1, Tiranë 1967), në lidhje me zotërimet e Moisiut në viset e Librazhdit të sotëm, shkruan: “…zotërimet e Moisiut e të familjes së tij gjendeshin në viset afësisht që nga Maqellara e gjer në kufijtë e Mokrës së sotme, në anët më lindore, të krahinave ku sunduan Aranitët. Dimë, në mënyrë më të përcaktuar, se familja e tij kishte pasur fshatrat e Librazhdit…, këtu ishte, si të thuash, bërthama e “shtetit të tij” (Shuteriqi, f. 106). Ndërsa pronat që Moisiu mund të ketë patur në Çermenikë, supozojmë se ia pati lënë djalit të tij, Aranitit, që ai e kishte nga martesa e tij e parë.

      Moisiu kishte prona edhe në Dibër dhe për këtë shkak ai thirrej “Moisiu i Dibrës”, apo, shpesh herë edhe si “dibrani” (Barleti 1983: f. 234, 270, 399, 402, 537 dhe 604.). “Moisiu, – shkruan Barleti, – i cili është mbiquajtur “i Dibrës” …Skënderbeu i kishte dhuruar shumë prona dhe një pjesë të madhe të vendit” (Barleti 1983, f. 402). Këto prona i ishin dhuruar si trofe (shpërblim) për shkak të trimërisë dhe heroizmit që ai kishte treguar gjatë betejave kundër ushtrisë osmane (Po aty). Autorët bashkëkohës të tij, si Barleti, Frangu apo Muzaka, nuk japin asnjë të dhënë se cilin fshat në Dibër ka pasur Moisiu pronë të tij. Por në një dokument osman të vitit 1467, të një defteri (regjistër) kadastral, në të cilin ishin regjistruar fshatrat e trevave të Dibrës, Çermenikës etj., një timarli me emrin Jakup, i cili  zotëronte dy fshatra në Dibrën e Poshtme, të quajtura Pllashci dhe Dolna Dorovjani, kishte kapur “tradhtarin Moisi” (Arkivi i IH, A. III. 315. Nr. inv. 1086 dhe Grup autorësh 2018, f. 45.). Mendojmë se dy fshatrat kishin qenë më parë pronat e Moisi Golemit dhe pas kapjes rob të tij nga Jakupi, ato i kishte marrë ky i fundit, pasi sulltani i shpërblente ata që kishin vrarë apo kishin kapur rob një fisnik të lartë, duke u dhënë pronat që kishin qenë më parë në zotërim të fisnikut të vrarë apo të zënë rob (O. J. Schmit: “Skënderbeu” (përkthim shqip), Tiranë  2009, f. 250).

  1. “Gjenerali më i mirë i ushtrisë” (Noli)

      Historianët që janë marrë më figurën e Gj. K. Skënderbeut, kanë shkruar se një nga gjeneralët më të mirë dhe ndër më të shquarit që pati Skënderbeu në ushtrinë e tij, më trimi dhe më i zoti ndër ta ka qenë Moisi Golem Araniti. Marin Barleti shkruan: “Të shumtë ishin në atë kohë ata që kishin autoritet të madh dhe gëzonin fort besimin e Skënderbeut si në kohë paqeje, si në luftë, por vendin e parë ndërmjet tyre e pretendonte Moisiu, jo vetëm për trimëri në luftë, por edhe për një farë shkëlqimi të pashoq të emrit të vet…” (Barleti, f. 408). Pas kthimit të Gjergj Kastriotit në Arbëri, Moisiu, si shumica e princërve arbër, iu afruan vullnetarisht Skënderbeut, duke i bashkuar armët e tyre për të luftuar kundër ushtrisë osmane. Por, nga ana tjetër, shkruante Barleti, “… fati kishte sjellë këtu Moisi Pjetër Golemin, burrë të shquar dhe bujar, me fis e me shpirt” (Po aty, f. 91). Janë të shumta betejat që kanë zhvilluar të dy së bashku kundër ushtrisë osmane. Trimëria dhe prania e tij kanë qenë vendimtare në këto beteja. Moisiu drejtoi betejat më të rëndësishme që ushtria arbërore ka zhvilluar kundër ushtrisë osmane.  

      Një nga betejat e para dhe më të rëndësishme që ndërmori Moisiu, sapo Skënderbeu nisi luftën kundërosmane në Arbëri, ishte pushtimi e kështjellës së Sfetigradit, pasi kjo kështjellë ishte një nga pikat më të rëndësishme strategjike, e cila shërbente si portë për kalimin e ushtrive osmane që futeshin në trojet e ku sundonte Kastrioti. Moisiu në atë betejë, shkruan Barleti, çfaqi një strategji të jashtëzakonshme, e cila bëri që kjo kështjellë të pushtohej dhe të binte lehtësisht në dorën e luftëtarëve arbërorëve, e cila, sikurse shkruan Noli, kështjella ra pas një rrethimi të gjatë (Barleti 1983, f. 104; Noli 1967, f. 81). Pushtimi i kështjellës së rëndësishme të Sfetigradit ishte sprova e parë e tij. Në betejën pasardhëse, ajo e vitit 1444, e përcaktoi Moisiun si gjeneral të ushtrisë arbrore, në të cilën Moisiu u tregua një luftëtar dhe drejtues i shkëqyer. Barleti shkruan se Skënderbeu e vuri Moisiun në vijën e parë dhe në krahun e djathtë të tij. (Barleti 1983, f. 142 dhe 143).

      Pas këtyre betejave të para dhe fitoreve të rëndësishmë që korri ushtria e Skënderbeut kundër osmanëve, Moisiu dhe luftëtarët e tij merrnin pjesë në çdo betejë, atje ku rreziku ishte më i madh dhe ku përcaktohej fati i betejave. Ai inkurajonte bashkëluftëtarët e tij dhe i ftonte në beteja, duke u bërë thirrje të çfaqnin heroizmin e tyre. Moisiu tregonte një kujdes të jashtëzakonshëm për ushtarët e tij, kur ata ishin plagosur në betejë, apo ishin në gjëndje të vështirë emocionale (Po aty, f. 244-245).

      Skënderbeu, sipas Barleti, kishte një dashuri dhe admirim të madh për Moisi Golemin dhe tregonte një kujdes të jashtëzakonshëm për të. Në një nga betejat Moisiu ishte plagosur shumë rëndë dhe për kurimin e tij ai u përkujdes nga vetë Skënderbeu (Po aty, f. 314). Moisiu, shkruan Barleti, qortohej shpesh prej Skënderbeut, që të tregonte kujdes për jetën e tij dhe të ishte më i vetëpërmbajtur në betejë: “Moisiu ishte fort i admirueshëm si për merita ushtarake, ashtu dhe meritat prej kapedani, por ishte me gojë ngaherë të gjakosur e, siç thonë, me kreshta përpjetë, që s’i frenonte dot dhe që shumë pak e urdhëronte veten. Prandaj thonë ai u qortua nga Skënderbeu dhe u këshillua që guximin e tij ta përdorte më me masë dhe fitoren më me mend; një veprim i tillë do t’i falej një ushtari të thjeshtë të turmës; për një kapedan ai do të ishte i rrezikshëm, si rrjedhim, fort i qortueshëm dhe një shembull shumë i keq” (Po aty, 402 ).

      Deri në fund të jetës së tij Moisi Golemi mori pjesë gati në të gjitha betejat që zhvilloi ushtria arbërore kundër ushtrive osmane (Po aty, f. 426, 142, 143, 234, 243, 246, 263, 270, 279, 309, 314, 352, 399, 403, 407, 470, 512, 603 dhe 604), venedikase (Barleti 1983, f. 194, 196, 197 dhe Noli 1967, f. 92), por dhe kundër ushtrive italiane në Itali (Barleti 1983, f. 531, 537, 547, 548, 550 dhe 587; Frangu 2000: f. 35, 36 dhe 52.), kur Skënderbeu kishte shkuar për të ndihmuar mbretin Ferdinand të Napolit, djalin e Alfoncit, mikut të tij, që kërcënohej nga princërit rebelë të Italisë së jugut, të cilët ishin aleatë me Burbonët e Francës, rivalë të hershëm të Mbretësisë së Napolit.

  1. Mëria e madhe e Moisi Golemit    

     Autorët shqiptarë, duke filluar nga Barleti, Frangu e deri te Noli etj., kanë shkruar se Moisi Golemi kishte tradhëtuar Skënderbeun për shkak të një zemërimi të madh dhe u bashkua me osmanët kundër tij. Por cili ishte shkaku i zemërimit të tij dhe përse Moisiu u nda nga Skënderbeu? Si qëndron e vërteta e “tradhtisë” së luftëtarit më të famshëm të ushtrisë arbërore të shek. të 15-të? Përse Moisiu iku në Stamboll dhe ç’e shtyu atë që të ngrinte armët kundër bashkëluftëtarit dhe mikut të tij? A është e vërtetë se ai, pas disfatës që pësoi ushtria osmane e komanduar prej tij, u kthye “fshehurazi” e “i penduar” dhe, siç shkruajnë Barleti dhe Frangu, u “përul i gjunjëzuar” duke i kërkuar Skënderbeut “me lot në sy” që ta falte? Këto dhe disa pyetjeve të tjera do të mundohemi t’iu japim përgjigje në vijim të shkrimit tonë.

Sipas Barletit dhe Frangut, “tradhtia” e Moisiut zuri fill pas humbjes së rëndë që pësoi ushtria e Skënderbeut në betejën e Beratit në vitin 1455. Barleti shkruan se shkak i tradhtisë së Moisiut ishte “Barbari”, dmth, Sulltani, i cili, sipas tij, pasi nuk e mundi Skënderbeun në fushën e betejës, bëri ç‘mos për ta mposhtur me anë të dredhive, duke i “grishur” (ftuar) në bisedime bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë e më të zot me qëllim për t’i joshur e korruptuar dhe, për këtë, gjithnjë sipas Barletit, ai përzgjodhi Moisi Golemin, kryegjeneralin e ushtrisë së arbërorëve dhe krahun e djathtë të Skënderbeut. Sulltani, shkruan Barleti, “s’la gurë pa luajtur për këtë punë. Mbi të gjitha ai vuri në veprim tërë urtësinë dhe mençurinë e vet për të tërhequr në bisedime Moisiun…” (Barleti 1983, f. 409-468.). Kurse Dh. Frangu shkruan se pas Betejës së Beratit dhe të përmbysjejes, sipas tij, së gjendjes në Arbëri: “Moisiu nuk shpresonte më se Skënderbeu të qe në gjendje të mbronte vendin” dhe kaloi tek osmanët, me qëllim “për ta shporrur Skënderbeun prej Shqipërisë nëse i jepeshin mijëra ushtarë turq të zgjedhur dhe me kusht që, pasi ta kishte përzënë Skënderbeun prej Shqipërisë, të bëhej zot i atij vendi, duke i paguar Turkut një tribut vjetor” (Frangu 2000, f. 29). F. S. Noli, biografi më i shquar shqiptar i Skënderbeut në shek. XX, shkruan se ishin venedikasit ata që e kanë nxitur Moisiun dhe princërit e tjerë arbër që ta tradhëtonin Skënderbeun dhe të hidheshin te turqit. “Ka të ngjarë, – shkruan ai, – që vendikasit të kenë dashur që ata të hidheshin në anën e turqve dhe të ktheheshin pastaj me ushtrinë turke, kundër ish komandantit të tyre të përgjithshëm. Në fakt ata i kanë inkurajuar dezertorët për të vepruar në kërë mënyrë (Makushev, Marinesco). Ata shpresonin ta likujdonin Skënderbeun me anë të luftës vëllavrasësë dhe të agresonit turk (112)” (Noli 1967, f. 113). 

      Por cili ishte shkaku i mërisë së Moisi Golemit, sa e çoi atë në një reagim ekstrem kundër Gjergj Kastriot Skënderbeut? A ishte e vërtetë se Moisiu e “tradhëtoi” Skënderbeun, siç shkruan Barleti, për shkak të grishjes që i bëri Sulltani, apo, siç shkruan Frangu, të egoizmit të tij që ai të bëhej Zot i Arbërisë, apo të intrigave të Venedikasve, siç shkruan Noli?! Akuzat e mësipërme të disa prej biografëve të Skënderbeut janë naive, kurse insinuatat e Nolit, se kanë qenë intrigat e venedikasve shkaku i tradhtisë së Moisiut, nuk mund të merren në konsideratë, pasi nuk ka dëshmi dokumentare apo fakte reale që e vërtetojnë një pohim të tillë.  

      Mëria e Moisi Golemit kishte shkaqe më të thella nga ato që kanë përmendur autorët e mësipërm. Së pari, ishte bashkëshortja e tij, Zanfina Muzaka, që, sipas Gjon Muzakës, Skënderbeu e kishte ndarë nga bashkshortit i saj i parë, Muzak Topia, për ta martuar këtë të fundit me të motrën, Mamica Kastriotin. Muzaka shkruan: “… Dhe ju them se Zot Skënderbeu e prishi këtë martesë të të lartpërmendurit Zot Muzakë e zonjës Zanfina Millosaka e lartpërmendur, pa e dashur as perëndia dhe askush,  dhe as fëmijët që ata kanë dhe i dha të motrën, Mamicën” (Muzaka 1996, f. 48). Edhe Noli, duke u mbështetur te Muzaka, shkruan se në ikjen e Moisiut duhet të ketë pasur gisht e bashkëshortja e tij, zonja Zanfina. “Padyshim…, – shkruan ai, – Ajo do t’i ketë mbajtur mëri Skënderbeut që i kishte marrë burrin e saj të parë për ta martuar me të motrën (112), Mamicë Kastriotin” (Noli 1967, f. 113.). 

      Së dyti, kishte të bënte me rrëmbimin që Skënderbeu u bëri pronave të Moisiut në Dibër. Skënderbeu, i cili në vitin 1444 ishte zgjedhur Komandant i Përgjithshëm i ushtrisë arbërore, me kalimin e viteve iu shtuan ambiciet për t’u bërë Mbret i Arbërisë, ndaj synonte zgjerimin e territoreve të shtetit të tij, që ishte ende i vogël, dhe këtë zgjerim ai kërkonte ta bënte duke u rrëmbyer tokat e fisnikërisë shqiptare. “Zot Skënderbeu…, – shkruan Muzaka, – u bë Zot i qytetit të Krujës, të cilën i ati nuk e kishte … e në pak kohë synoi të zotëronte të gjithë vendin… mori dhe Moisi Komnenit principatën e tij, e cila ishte në Dibër”  (Muzaka 1996, f. 50). Por, shkruan Muzaka, Skënderbeu, “na mori dhe neve Tomorrishtën, domethënë Myzeqenë e vogël dhe kështu bëri dhe me zotërinjtë e tjerë të krahinave të Komit dhe të Randisës që nuk mbroheshin dot, sepse ai kishte ushtrinë për luftë dhe turku kërcënonte çdo vend” (Po aty). Ai (Skënderbeu) nuk i kishte rrëmbyer prona vetëm Moisiut dhe Muzakajve, por edhe fisnikëve të tjerë arbër, si dhe dy nipërve të tij nga e motra Jella, vëllezërit Gjon dhe Gojko Balsha, të cilëve, pasi ua rrëmbeu fshatrat, u vuri prangat dhe “ia dërgoi Mbretit Ferrant plakut në Napoli, i mbajti në burg dhe iu mori Principatën e tyre që shtrihej midis Krujës e Lezhës e që thirrej vendi i Misisë” (Muzaka 1996, f. 50.). Fan Noli i justikon rrëmbimet e përdhunshme që u bënte Skënderbeu pronave të feudalëve të tjerë arbër. “Ishte fare e natyrshme, – shkruan ai, –  që Skënderbeu t’i hiqte këta krerë të paafrueshëm, t’i aneksonte kantonet (krahinat e tyre) dhe ta bashkonte të gjithë vendin kundër Turqisë dhe Venedikut” (Noli 1967, f. 113). Por, nga ana tjetër, vetë Noli pranon pasojat që rrjedhin nga një veprim i tillë. “Këto dezertime, – shkruan ai, – i detyrohen faktit që Skënderbeu po i aneksonte principatat e gjithë këtyre gjysëm feudalëve, ose më mirë, krerëve patriarkalë, të cilëve s’u mbetej më gjë tjetër, veç të kërkonin mbrojtje nga turqit ose nga venedikasit….“ (Po aty, f. 113). Mosmarrëveshjet, armiqësitë, mëritë etj. të fisnikve arbër, shkaktoheshin kryesisht për pronat dhe për territoret. Mjaft nga çështjet e mprehta, siç ishin, mëritë, apo zënkat, zgjidheshin në fushën e betejës, në dyluftimet trup me trup, apo me vrasje në pusi, siç ndodhi vrasja në pusi e Lekë Zaharisë nga Lekë Dukagjini (Aleks Buda: “Studime për Skënderbeun”, Tiranë 2018, f. 132), e cila nxiti një luftë të re të Skënderbeut kundër Venedikut, pasi venedikasit, pas vdekjes së  Zaharisë, kishin zaptuar pronat e këtij të fundit si dhe qytetin e Danjës. Në se fisnikët e tjerë, që u ishin rrëmbyer pronat, ishin më të dobët dhe të pafuqishëm të përballonin fuqinë e Kastriotit. Por “Moisiu, – shkruan Muzaka, –  ishte njeri me zemër dhe trim dhe, duke mos mundur të durojë një dhunë të tillë, u arratis tek Sulltani” (Muzaka 1996, f. 50).

      Së treti, shkaku kryesor, sipas mendimit tonë, kishte të bënte me sojin apo rangun e lartë të fisit të tij të Aranitve, në krahasim me Kastriotët, që vinin nga një familje e vogël  fisnikësh, e kishin origjinën e tyre nga familje të vjetra feudale, me lidhje të shumta me dyer mbretërish e perandorësh europianë.

       Në Mesjetë marrdhëniet midis fisnikërisë arbërore të shekullit të 15-të, si aleancat, vasalitetet, ndarjet, mosmarrëveshjet, tradhtitë etj., ishin të vendosura mbi bazë të një kodi, të quajtur “Kodi i nderit”. Skënderbeu e kishte thyer kodin e nderit ndaj një fisniku arbër të sërës së lartë, që ishte Moisiu. Historiani Pëllumb Xhufi, kur analizon marrdhëniet e familjes Araniti me Kastriotët, shkruan se edhe “Gjergj Arianiti …nuk e duronte lehtë autoritetin epror të Skënderbeut, aq më shumë kur bëhej fjalë për një kapedan që, ndryshe nga ai, vinte nga një familje fisnikësh të vegjël…” (Xhufi Pëllumb: “Nga Principata e Arianitëve tek shteti i Skënderbeut”, “Aranitët në Librazhd”, Tiranë 2019, f. 61).

      Kishte pasur edhe me parë armiqësi të mëdha mes familjeve aristokrake, të cilat kishin shkaktuar luftime të përgjakshme mes tyre. E tillë ka qenë ajo e Dukagjinëve kundër Kastriotëve. Dukagjinët dikur kishin qenë aleatë të Skënderbeut. Ata kishin marrë pjesë në Besëlidhjen e Lezhës (2 mars 1444), ku Skënderbeu u zgjodh Komandant i Përgjithshëm. Por ata kurrë nuk iu nënshtruan këtij të fundit dhe në mes tyre kishte plasur një mëri dhe armiqësi e egër, gjë që shkaktoi kalimin e Dukagjinëbe tek osmanët kundër Sknëderbeut. “Dukagjinët, – shkruan Schmiti, – u bashkuan me osmanët, pranuan, pra, më mirë të tërhiqnin sulltanin në vend se sa t’i nënshtroheshin Skënderbeut” (Schmitt 2009, f. 204-205). Kjo gjë shkaktoi shqetësim te Vatikani, sa që e detyroi Papën Nikolla V t’i kërcënonte Dukagjinët me çkishërimin e tyre (Po aty).

      Pas mërisë së madhe, edhe Moisi Golemi u largua nga Skënderbeu, ashtu siç kishin bërë fisnikë të tjerë para tij dhe, për ta luftuar Skënderbeun, dhe u bashkua me Sulltanin, armikun më të madh të tij. Kodi mesjetar për kohën se “Armiku i armikut tim është miku im”, ndoshta ka qenë arsyeja kryesore përse Moisiu shkoi te Sulltani, pasi shkaktari kryesor i konfliktit ishte i Skënderbeu, i cili, siç e pamë, kishte rrëmbyer pronat e Moisi Golemit dhe e kishte detyruar këtë të fundit që të hakmerrej. Historiani zvcerian, Oliver Jens Schmit, autori i librit “Skënderbeu” (Tiranë 2009), shkruan në librin e tij: “Fajin nuk e ka tradhtari, por Skënderbeu, i cili kishte fyer rëndë një fisnik dhe e kishte detyruar këtë të hakmerrej. Moisiu nuk kishte rrugëdalje tjetër, nëse donte të ruante nderin e vet…” (Po aty, f. 216).

      Moisiu u rikthye në krye të një ushtrie osmane të komanduar prej tij, por u thye keq nga Skënderbeu. Siç e kam analizuar këtë betejë në një artikull kushtuar Muzhaqit të Angjelinës (A. Alcani, “Muzhaqi i Angjelinës, Princi i Çermenikës dhe i Tomadhesë”, “Aranitët në Librazhd”, Tiranë 2019, f. 147), Skënderbeu hartoi një strategji të jashtëzakonshme kundër Moisiut, duke e vendosur ushtrinë e tij, e cila ishte e komanduar nga vëllezërit Muzhaq Komnen Araniti dhe Gjuric Vladan Araniti, që ishin djemtë e xhaxhait të Moisiut, duke i vënë Aranitët përballë njëri-tjetrit, gjë e cila shmangu dyluftimin vëllavrasës, si dhe i siguroi fitoren e ushtrisë së tij. 

Moisiu u kthye i mundur me një ushtri të shpartalluar. Brenda shpirtit të tij ka pasur tallaze të mëdha, pasi ai nuk mund të kthehej as te Sulltani, por as te Skënderbeu.  

  1. A ishte e vërtet se Moisiu u kthye i penduar dhe i kërkoi falje Skënderbeut?

Barleti dhe Frangu shkruajnë se Moisiu u kthye Skënderbeui penduar dhe i kërkoi falje. “I pikëlluar sa s’ka, – shkruan: Barleti, – i ra përpara në gjunjë, i kërkoi me lot në sy që ta falte e të mos i bënte gjë, jo se e meritonte, por për vetë bujarinë dhe njerëzinë e shpirtit të tij… Skënderbeu e zuri prej dore dhe e porositi që të ngrihej menjëherë. I gatshëm për ta falur, i foli me shumë mirësi dhe, duke e përqafuar e puthur shpesh, ia hapi zemrën krejt dhe u pajtua me të…” (Barleti 1983, f. 468). Kurse Frangu shkruan:“(Moisiu) erdhi fshehurazi në Shqipëri zëmërdridhur dhe me lot për të kërkuar mëshirë. Skënderbeu shtriu menjëherë dorën, e ngriti dhe nisi të bisedonte me të në një mënyrë të tillë, a thua se nuk kishte marrë as edhe një fyerje më parë nga ana e tij” (Frangu 2000, f. 31). A ishte e vërtetë se Moisiu u kthye i përulur ndaj Skënderbeut dhe i kërkoi falje? Muzaka shkruan krejt të kundërtën. Ishte Skënderbeu, shkruan ai që i shtriu dorën e pajtimit dhe i “…dërgoi lajm që të kthehej e të mbeteshin vëllezër dhe Moisiu, duke parë se nuk ishte i sigurtë tek Sulltani dhe për të mos rritur më gjakderdhjen e të krishterëve, u kthye” (Muzaka 1996, f. 50). Skënderbeu kishte gabuar me Moisi Golemin, por dhe Moisiu, me sa duket, kishte qenë i penduar dhe dy zotërinjtë e mëdhenj të Arbërisë bënë pajtimin e tyre historik. Edhe O. J. Scmitt-i, kur analizon kthimin e Moisit, shkruan se “…nuk ishte Moisiu ai që u kthye i përgjëruar te Skënderbeu, porse… ka ndodhur gati e kundërta… Skënderbeu e kishte kuptuar gabimin e tij edhe Moisiun e kaploi pendesa… kështu që interesat e të dy zotërinjve përputheshin me njëri-tjetrin; ishte harruar fyerja, ishte rimëkëmbur vëllazëria e armëve deri në vdekje…” (Schmitt 2009, f. 216). 

  1. Beteja Vajkalit. Fundi i Moisi Golemit

      Në vjeshtë të vitit 1464 u zhvillua Beteja I Vajkalit, midis ushtrisë së Skënderbeut dhe ushtrisë osmane të udhëhequr nga sanxhakbeu osman i Sanxhakut të Ohrit me origjinë arbërore, Ballaban Badera, i cili ishte një renegat i dërguar nga Sulltan Mehmeti II që të shkatërronte Skënderbeun. Ushtria arbërore sërish i ishte besuar Moisi Golemit. Para betejës, Skënderbeu u paraqiti luftëtarëve planin e luftimit, në të cilin ishte planifikuar që t‘i mashtronte osmanët, duke i bërë të mendojnë se forcat e tij janë shumë më të dobëta për të luftuar dhe tepër të frikësuara. Osmanët u futën në betejë me një ndjenjë të rreme sikur luftëtarët shqiptarë ishin më të pakët se ata në numër. Skënderbeu i lejoi ushtarët osmanë që të vinin sa më pranë tij dhe pastaj filloi kundërsulmin. Beteja u zhvillua e ashpër dhe ushtarët osmanë të frikësuar filluan të tërhiqeshin në panik. Në ndjekje të ushtrisë së shpartalluar të Ballabanit, shkruan Frangu, drejtuesit e ushtrisë së Skënderbeut nuk zbatuan urdhërat e tij për të ndaluar ndjekjen e forcave osmane dhe u kapën në befasi (Frangu 2000, f. 52). Disa nga luftëtarët më të shquar, më të afërt e më të besuar të Skënderbeut, të cilët, “të rrëmbyer nga furia e Marsit dhe vrulli i luftës, shkuan më tej nga ç’duhej” (Barleti 1983, f. 603-604), u kapën si robër nga ushtria e  Ballabanit. Ndëmjet tyre ishte Moisi Golemi. Në një dokument osman të vitit 1467, shkruhet se Moisiu ishte zënë rob nga një rrenegat i quajtur Jakub, i cili ishte “kthyer sërishmi mysliman” (Arkivi i IH, A. III. 315. Nr. inv 1086.). Së bashku me Moisiun u kapën Gjuric Vladani dhe Muzhaqi i Angjelinës, që ishin nipërit e Skënderbeut nga e motra, Angjelina, si dhe Gjin Muzaka, Gjon Perlati, Nikollë Berisha, Gjergj Kuka dhe Gjin Maneshi. Të tetë robërit e shquar u dërguan në Konstandinopojë.

      Skënderbeu dërgoi ambasadorët te Sulltani, që, kundrejt një shume të madhe të hollash, apo duke i afruar robër osmanë, t‘i këmbete me luftëtarët e tij, në të kundërt ai do të ekzekutonte të gjithë robërit osmanë të luftës. Sulltani nuk pranoi. Të tetë robrit e shquar u torturuan në mënyrën më çnjerëzore, duke i rrjepur të gjallë. “Me vdekjen e tyre, – shkruan Barleti, – e bënë Arbërinë më të përlotur se ndonjëherë më parë, sepse që të gjithë shquheshin shumë si për fuqinë e trupit, si për forcën e shpirtit dhe për dijen ushtarake” (Barleti 1983, f. 604).

Moisi Arianit Golemi - Quora

Moisi Golemi. Nga Johann Theodor de Bry, viti1596

Filed Under: Kulture

KONTRIBUTI I MILAN SHUFLAJT DHE LAZAR DODIQIT NË HULUMTIMIN E HISTORISË SHQIPTARE

December 12, 2023 by s p

Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies

Budapest/

Studiuesit e mesjetës – medievistët – që janë marrë më Shqipërinë nuk janë të shumtë. Njëri ndër më të njohurit, ai që i vuri themelet e medievistikës shqiptare, është kroati me origjinë gjemane Millan von Shuflaj. Për jetën dhe veprën e tij, është shkruar, por i patejkaluar, edhe sot e kësaj dite mbetet studimi i kroatit kosovar, nga Janjeva, Lazar Dodić (Lazër Dodaj), i cili mbrojti tezën e doktoraturës për vepërn e M. Suflajt për shqiptarët, te Instituti i studimeve Shqiptare në Romë, ku për udhëheqës kishte Ernest Koliqin. Kjo vepër deri me sot nuk është botuar.

Ne kësaj radhe sjellim një fragment të përkthyer nga kroatishtja dhe gjermanishtja (për këtë të fundit duhet ti shprehim mirënjohjen tonë kolegut dhe mikut Blerim Shabani), ku autori prof. dr. Lazar Dodić (Lazër Dodaj), në formë përmbledhëse e boton dhe sa ishte gjallë. Ai me dëshirë na e dha përbotim pasiqë e shikoj përkthimin në gjuhën shqipe, në Zagreb, në vitin 1997, kur ligjëronte gjuhën shqipe në Universitetin e atjeshëm. Duhet thënë se leksionet e tija ndiqeshin me mjaft interesim nga albanologët kroat dhe të tjerë, sepse, profesori kishte edhe kolegë e bashkëligjërues profesorët e nderuar kroat: Katiçiqin e Kovaqecin. Profesor Dodaj siç kishte dëshirë ta thërrasim, fliste dhe shkruante rrjedhshëm gjuhën shqipe. Ka lënë në dorëshkrim një numër të konsiderueshëm veprash, të cilat janë me intres për albanologjinë dhe historinë e popullit shqiptar. Shpresojmë se një ditë, familjarët e tij, të cilët ruajnë këto dorëshkrime do i botojnë ato ose do ju ofrojnë institucioneve përkatëse shqiptare për botim këto dorëshkrime të vlershme.

Në vijim sjellim një biografi-bibliografi përmbledhëse të jetës dhe veprave të botuara të profesor Dodiqir (Dodaj), kurse për dorëshkrimet, edhepse i kemi titujt, ne nuk kemi një autorizim për botimin e tyre.

Prof. Dr. Lazar Dodić (Lazër Dodaj)ka lindur në Janjevë të Kosovës më 30 shtator të vitit 1931 dhe vdiq më 6 qershor 2008, në moshën 77 vjeçare në St. Goar në Gjermani. Shkollimin fillor dhe dy vitet e para të shkollimit të mesëm i mbaroi në Shkodër, te jezuitët, për të vazhduar pastaj në gjimnazin klasik kroat, të Seminarit Ipeshkvnor në Pazin, për të vazhduar në gjimnazin Shtetëror të Osijekut e Vukovar, për vitin e fundit. Në Universitetin e Zagrebit, Fakulteti Filozofik, në vitet 1953–1955 studioi Filologji Romane. Nga Zagrebi u largua për në Romë ku vazhdon studimin e Filologjisë Romane, Sllave dhe Albanologjisë, në Universitetin e Romës në 1955-1959. Në vitet 1959-60 ka studiuar për dy semestra, në Institutin Evropian (Collège d’Europe) në Bruges, Belgjikë, për Studime të Larta Evropiane (Hautes Études Européennes). Ndërsa në vitet 1960/61 studion Historinë e Evropës Juglindore në Universitetin e Mynihut. Gjatë viteve 1962-1964 punon në Radio Evropa e Lirë, (Radio Free Europe ) në Mynih dhe nga viti 1964 deri në 1966 në radiot gjermane Deutsche Welle dhe Deutschlandfunk në Këln, në redaksinë kroate.

Në vitin 1966 doktoroi në Institutin e Studimeve Shqiptare në Romë, me tezën L’Albania nell’opera di Milan Šufflay, ku për mentor kishte Ernest Koliqin. Nga viti 1966 deri në vitin 1996, ka dhënë mësim si profesor për albanologji e ballkanologji, në Institutin e Gjuhësisë (Sprachwissenschaftliches Institut) të Universitetit të Bochum-it, ku kishte thirrjen Lektor në Lektoratin e Albanologjisë në Institutin për gjuhë të Europës Juglindore. Nga viti 1996 deri në vitin 1998 ka punuar në Fakultetin Filozofik në Zagreb, në cilësinë e profesorit të ftuar si mësimdhënës i gjuhës shqipe, së bashku me profesor Ratosllav Katiçiqin dhe Augustin Kovaçecin.

Gjatë punës së tij tridhjetëvjeçare në Universitet, përveç temave gjuhësore, të cilat ishin fusha kryesore e punës mësimore dhe shkencore, ai trajtoi edhe shumë tema historike dhe politike të vendeve të Evropës Juglindore në formë seminaresh, leksionesh dhe punimesh shkencore. Shkroi artikuj të shumtë në gazetat dhe revistat gjemane si dhe për radiostacionet Deutschlandfunk, Deutsche Welle dhe Hessischer Rundfunk dhe për gazetën Frankfurten Allgemeine Zeitung, kryesisht duke trajtuar temat nga “Evropa Juglindore”.

Për punën e tij shkencore dhe publike, ai mori mirënjohje me nga institucionet gjermane si ekspert, studiues dhe publicist për Evropën Juglindore. Gjatë luftës në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, ai u përfshi në prezantimin e çështjeve kroate përmes ligjëratave, intervistave dhe pjesëmarrjes në programet televizive që trajtonin luftën në Kroaci. Në vitet 1991-1997 drejtoi degën e Matica Hrvatska për rajonin e Ruhrit. Ishte anëtar i Kongresit Botëror Kroat në Gjermani dhe një nga themeluesit e tij.

Pos për kontributin e Millan Šufflayt në historiografinë shqiptare (Studia Albanica Monacensia. In memoriam Georgii Scanderbegi, Mynih 1969) shkruar studime edhe për korrespondencën e rilindësve shqiptarë me albanologun G. Meyer (Gjurmine albanologije, Prishtinë, 1972), për poetin shqiptar Gjergja Fishta (Marulić, Split, 1975), mbi trashëgiminë e albanologut Norbert Jokl (Akten des internationalen albanologischen Kolloquiums — zum Gedächtnis an Norbert Jokl, Innsbruck, 1977). Është autor i një studimi mjaft cilësor me titull: “Rückblick auf die Stellung Albaniens im Weltkommunismus (1941–1968), Këln 1970”; “Albanische Grammatik mit Übungen,” Bochum, 1980”; si dhe i “Der Beitrag Milan Šufflay zur Albanischen Geschichtsforschung“, në: Beiträge zur Kenntnis Südosteuropas und des Nahen Orients 8 (1969): 47-67.”etj.

Përkthimin që sjellim në vijim është nxjerrë nga studimi: i “Der Beitrag Milan Šufflay zur Albanischen Geschichtsforschung“, në: Beiträge zur Kenntnis Südosteuropas und des Nahen Orients 8 (1969): 47-67 dhe do jetë në dy vazhdime. Në pjesën e dytë është do të jetë edhe komenti dhe qëndrimi ynë për këtë studim dhe trajtimin profesional të autorit.

*************

KONTRIBUTI I MILAN SHUFLAJT NË HULUMTIMIN E HISTORISË SHQIPTARE

Lazar Dodiq – Bochum

(Përktheu në gjuhën shqipe, plotësoi me referanca

dhe përgatiti për botim

Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies

Budapest)

Pa dyshim që gjuhësia është pjesa më interesante e studimeve shqiptare. Që kur Laibnici iu referua shqipes si “lingua singularis”, vëmendja e shkencëtarëve i është drejtuar kryesisht kësaj fushe. Indogermanistë me emër u morën me shqipen dhe disa prej tyre si p. sh. Petersen, nxorrën nga ajo konkluzione të rëndësishme për të gjithë gjuhën indo-germane. Gjuha shipe ishte dhe është edhe sot pikëqendra e studimeve shqiptare.

Historia shqiptare nuk është më pak interesante. Që prej themelimit të kolonisë së parë greke, Buthroton, në shek. VII p.e.s deri në dëpërtimin e turqve në shek. XIV dhe XV, Shqipëria ishte arenë e ngjarjeve të rëndësishme kulturore dhe politike. Në antikitet këtu lulëzuan qendra kulturore dhe tregëtie të rangut të parë. E famshmja Via Egnatia, e cila lidhte Romën me Konstantinopolin, kalonte përmes Shqipërisë. Prej këtu degëzoheshin edhe rrugë të tjera për në brendësi të Ballkanit. Në Shqipëri përplaseshin interesat më kontradiktore të Lindjes dhe të Perëndimit. Kisha romake dhe bizantine i zhvillonin këtu kontraditat e tyre. Simbiozat e shumta kulturore dhe etnike gjendeshin në Shqipëri, më shumë se kudo tjetër në Ballkan. Shkëlqimi i antikitetit çoi në atë që historianët të merreshin kryesisht me historinë e vjetër shqiptare dhe madje me epikën greke, romake, dhe bizantinizmin e hershëm. Historianë klasikë dhe bizantinë kanë lënë një material mjaft të pasur për këtë epokë. Megjithatë shekujt e mesjetës dhe veçanërisht periudha kohore midis shek. VII deri në shek. XIV kanë mbetur një periudhë mjaft e vështirë për t’u ndriçuar për shkak të trashëgimisë së paktë burimologjike. I vetmi që e bëri këtë periudhë të historisë shqiptare qëllim të studimeve të tij, dhe e ndriçoi atë mjaftueshëm në pikat më thelbësore ishte historiani kroat Milan Shuflaj[1], i cili megjithatë u angazhua për gjithë historinë shqiptare.[2] Për shkak të punëve të tij, Shuflaj e tregoi veten si një njohës i pashoq i Shqipërisë.

Milan Shuflaj lindi më 8. 11. 1879 në Lepoglava (Kroaci). Arsimimin ekuivalent me atë tetëvjeçar ai e mori në vendlindje dhe gjimnazin e kreu në Zagreb. Që në gjimnaz ai u tregua mjaft i talentuar: ai ishte gjithmonë nxënësi më i mirë i klasës së tij. Pas maturës u regjistrua tek Fakulteti i Filozofisë në Universitetin e Zagrebit dhe studioi histori me Smiçiklasin.

Smiçiklasi e trajtonte Shuflajn si studentin e tij më të mirë. Ai e mori atë në rrethin e tij të punës, i besoi atij detyra shkencore për përgatitjet e botimit të ri të vëllimit të dytë të “Codex diplomaticus regni Croatiae, Slavoniae et Dalmatiae” nga Kukuljeviq dhe e mori me vete në udhëtimet e tij hulumtuese nëpër arkivat e Dalmacisë.[3] Nëpërmjet kësaj pune, Shuflaj u njoh me problemet e e historisë mesjetare të Ballkanit, sidomos të Ballkanit perëndimor. Që prej asaj kohe ai u ndesh me problemin e provincës antike romake të Diolkesë, e cila më vonë u quajt “Kroacia e kuqe” (Croatia rubea),[4] sot Mali i Zi. Ky problem e çoi atë drejpërdrejt tek studimi i historisë shqiptare, meqë fati i Shqipërisë së Veriut kishte qenë gjithmonë i lidhur ngushtë me fatin e Provincës së Dioklesë, respektivisht me atë të shtetit të mëvonshëm sllav, Duklja. Nëpërmjet përvojës që ai mblodhi në udhëtimet hulumtuese në Dalmaci, ai vendosi një bazë të sigurt për studimet e veta të mëvonshme në arkivat e pasura me lëndë burimologjike të Dubrovnikut, Venedikut, Milanos, Barcelonës, dhe Vienës.

Në vitin 1902 ai doktoron me dekorim me temën “Kroatien und die letzten Ansprüche des östlichen Imperiums unter dem Zepter der drei Komnenen 1075-1180” (Kroacia dhe pretendimet e fundit të Perandorisë së Lindjes, nën skeptrin e tre Komnenëve). Puna e tij u botua[5] dhe u bë shumë e njohur. Pak pas doktorimit, ai mori një vend provizor në Institutin Austriak për Studimin e Historisë në Vienë. Më 20. 5. 1903 i dorëzoi Akademisë së Shkencave në Vienë punimin e tij “Die dalmatinische Privaturkunde”. Ai u pranua dhe u botua. Në këtë kohë Shuflaj ishte 24 vjeç. Për një djalosh kaq të ri, botimi i kësaj pune ishte një sukses që binte në sy. Edhe sot e kësaj dite, ky punim ka mbetur një vepër standarte në çështjet e historisë së Notariatit mesjetar dalmatin. Në të njejtën kohë ai botoi në “Starine” e Akademisë së Sllavëve të Jugut dokumenta nga Makushevi për lidhjet e Raguzës me Venedikun.[6] Më 1904 ai u bë asistent në Muzeun Nacional në Budapest, ku qendroi deri në vitin 1908.

Kur në vitin 1907, Taloci bashkë me Jikeçekun filloi që të mblidhte dokumenta për Shqipërinë, për të nxjerrë “Acta Albaniae”, që nga fillimi ia besoi Shuflajt redaktimin e Acta-ve. Jireçeku dorëzoi materjalin që e kishte mbledhur nga arkivi i Dubrovnikut, Shuflaj e përmblodhi sipas kritereve të tij shkencore dhe e plotësoi aq sa ishte e nevojshme.

Më 1913 u botua vëllimi i parë i “Acta Albaniae” dhe më 1918 i dyti.[7] Në vitin 1908, Shuflaj u emërua profesor i jashtëzakonshëm për shkencat ndihmëse të historisë dhe në vitin 1912 u emërua profesor i rregullt në Universitetin e Zagrebit. Megjithatë, për shkaqe politike, ai nuk mundi që ta ushtronte profesionin e tij si profesor. Në vitin e 39-të të jetës së tij (1918) e nxorrën në pension. Në vitet e luftës 1915-1916 botoi tre nga punimet e tij më të rëndësishme për historinë e Shqipërisë: 1. Gjendja kishtare e Shqipërisë paraturke, 2. Fate politike të temës së Durrahut, dhe 3. Biologjia e rracës shqiptare[8] si dhe disa ese në shtypin vjenez për mesjetën shqiptare.[9] Në vitin 1918-19 ai punoi në romanin historik “Konstantin Balshaj”, të cilin e botoi nën një pseudonim.[10] Tema e romanit është marrë nga historia e Shqipërisë së epokës venedikase, fundi i shek. XIV dhe fillimi i shek. XV. Për shkaqe politike, në vitin 1921 ai u dënua me burg për tre vjet e gjysëm, gjysmën e të cilëve e kaloi në burgun e Mitrovicës. Pas lirimit të tij nga burgu, ai jetoi në një gjendje të rëndë ekonomike dhe me probleme të theksuara shëndetësore. Gjatë kësaj kohe ai punoi si publicist i lirë në Zagreb. Në vitet 1924-1930 ai botoi në shtypin Zagrebas artikuj të shumtë për tema të ndryshme ndër të cilat shumë për historinë e Shqipërisë.[11] Në vitin 1924, Akademia e Vjenës botoi në serinë e saj të shkrimeve memoriale “Qytete dhe kështjella të Shqipërisë”[12]. Këtë punë fondamentala Shuflaj e kishte përfunduar që në vitin 1918, megjithatë ajo doli në dritë si botimit i veçantë, gjashtë vjet më vonë, si pasojë e gjendjes së vështirë financiare të kohës së pasluftës në Austri. Në të njëjtin vit, Shuflaj botoi në arkivin e Bariqit trajtesën “Povijest sjevernih Arbanasa”[13] (Historia e Shqiptarëve të Veriut) dhe një vit më vonë librin “Srbi i Arbanasi”[14]. Ky libër, i cili u botua edhe në shqip[15] paraqet një sintezë të punëve të Shuflajt të botuara deri atëher për historinë shqiptare. Ky ishte botimi i fundit shkencor i madh i Shuflajt. Pas kësaj ai iu kushtua në mënyrë intensive mbledhjes së materjalit për vazhdimin e “Acta Albaniae”. Përpjekjet e tij në këtë territor bëhen të qarta në një shkrim[16], të cilin e boton në arkivin e Bariqit.

Në pranverën e vitit 1928 Shuflaj mori një thirrje nga universiteti i Budapestit për në profesoratin e historisë së Evropës Juglindore. Pas emërimit të tij si Ordinarius, ai aplikoi për një vizë udhëtimi për në Hungari. Megjithatë nuk iu dha leje kalimi. Kur në gjysmën e dytë të vitit 1929 Shuflaj u ngarkua nga Akademia e Vjenës me parapërgatitjen e vëllimit ttë tretë të “Acta Albaniae”, dhe për këtë shkak donte të vizitonte disa arkiva në Itali dhe disa qendra kulturore në Shqipëri, iu mohua viza përsëri. Vetëm pas shumë ndërhyrjeve nga qeveria shqiptare tek qeveria në Beograd, ai mori një vizë udhëtimi dhe vizitoi Shqipërinë për një javë. Gjatë kthimit ai u ndal në Kotor dhe në Dubrovnik. Në mes të shkurtit u kthye në Zagreb”.

Më 18. 2. 1931 u bë viktimë e një atentati politik. Ai u sulmua në banesën e tij në Zagreb dhe u godit rëndë me një shkop hekuri në kokë. Ai u çua pa ndjenja në spital, ku vdiq pak orë më vonë. Nëpërmjet raporteve të ndryshme, sidomos nëpërmjet dështimit në procesin gjyqësor kundër atentatorit në vitin 1940 u konstatua që organizatorët e atentatit ishin qeveritarët në Beograd. Në prapaskenë duket se kishte qenë vetë shtëpia mbretërore.[17] Atentati mbi Shuflajn çoi në indinjim dhe protesta brenda dhe jashtë vendit. Personalitete të shumtë të jetës kulturore dhe publike, ndër ta edhe shumë profesorë universiteti, dënuan krimin mbi Shuflajn. Ndër personalitetet gjermane janë veçanërisht dy për t’u përmendur: Heinrich Mann dhe Albert Einstein. Ata protestuan kundër krimit në një apel të përbashkët tek “Ligue internationale des droits de l’homme”.[18] Shtypi internacional shkroi gjerë e gjatë për Shuflajn dhe për kontributin e tij shkencor në fushën e Albanologjisë. Sipas mendimit të përgjithshëm, shkaku i atentatit ishte veprimtaria shkencore e Shuflajt mbi Shqipërinë, e cila nuk përkonte me politikën e qeverisë së atëhershme jugosllave.[19] Qeveria mbretërore nuk kishte hequr dorë nga pretendimet territorjale mbi Shqipërinë. Provë që ky ishte shkaku, është fakt që menjëherë pas atentatit policia shpërtheu banesën e Shuflajt dhe sekuestroi manuskriptet shkencore, ndër të cilat edhe vëllimin e tretë të “Acta Albaniae”[20]. Ky dorëshkrim me vlerë ka humbur.

Nëpërmjet atentatit mbi Shuflajn shkenca kroate humbi një burrë me cilësi jashtëzakonisht të larta intelektuale. Studimeve historike shqiptare iu shkaktua një dëm i pazëvendësueshëm. Shuflaj zotëronte një dije historike dhe të përgjithshme jashtëzakonisht të gjerë dhe të thellë. Krahas njohurive specialistike ai zotëronte njohuri të shkëlqyeshme në një sëri gjuhësh: përveç gjuhës së tij amtare, kroatishtes, ai fliste dhe shkruante rrjedhshëm gjermanisht dhe hungarisht. Në këto gjuhë ai ka botuar punime shkencore. Përveç kësaj, ai zotëronte shumë mirë edhe të dy gjuhët klasike: latinisht e greqisht. Në latinisht ai ka shkruar parathënien e detajuar të “Acta Albaniae” dhe komentarin për dokumentet e veçanta të veprës dyvëllimëshe . Nga gjuhët moderne, ai dinte mirë italishten, frengjishten, anglishten, greqishten e re, dhe shqipen.

Ai konsultonte pa vështirësi literaturën profesionale në të gjitha gjuhët sllave. Në aktivitetin e tij shkencor ai praktikisht i përdorte të gjitha veprat në gjuhën origjinale. Kjo shprehet qartë në punët e tij. Mund të pranohet me siguri që Shuflaj do të kishte kontribuar shumë më tepër në fushën e tij nëse nuk do të ishte vrarë kaq papritur dhe tragjikisht. Ai u shkëput në mes të punës së tij. Ndër të tjera, plani i tij për të botuar një histori të Shqipërisë mbeti i parealizuar. Megjithatë edhe aq sa ka lënë pas, paraqet një kontribut të rëndësishëm shkencor në historinë shqiptare dhe meriton një vëmendje të veçantë.

Aktiviteti i parë serioz i Shuflajt me historinë shqiptare ishte bashkëpunimi i tij në botimin e “Acta Albaniae”. Ai ka dhënë kontributin më të rëndësishëm në këtë vepër monumentale: ai i ka renditur dokumentet në mënyrë kronologjike, ka shkruar një parathënie të hollësishme për Shqipërinë mesjetare, ka përpiluar një hartë gjeografike të Shqipërisë mesjetare dhe ka komentuar dokumente. Nga këto kontribute, ai i definicionit gjeografik dhe etnik të Shqipërisë në mesjetë, i paraqitur nëpërmjet hartës së tij, është një kontribut shumë i rëndësishëm. Edhe komentet e tij të hollësishme për dokumentat janë me vlerë të madhe shkencore. Këtu del në dritë edhe njohuria profesionale e madhe e Shuflajt. Ai ka përdorur të gjitha burimet historike dhe të gjithë literaturën shkencore përkatëse.

Koncepti shkencor gjeografik i Shqipërisë mesjetare përmbledh Malësinë në katërkëndëshin Antivari-Prizren-Ochrid-Valona.[21] Kufijtë e saj të saktë[22] zgjateshin mbi Antibaris (Tivar) mbi qafën Sutorman diagonalisht mbi liqenin e Shkodrës deri në lumin Moraça. Pastaj merr lumin Cem (Cerna) përpjetë, deri tek burimet e tij, mbi Alpet Shqiptare – Bjeshkët e Nemuna , Malin Kainjo (nyja shqiptare) dhe pastaj për tek burimet e Valbonës mbi lumin Erenik. Nën Gjakovë pas Drinit të Bardhë, mbi Prizren, Ljumë Drinin e Zi, respektivisht mbi vargmalin lindor që shkon paralelisht me luginën e Drinit deri në Liqenin e Ohrit, pastaj mbi pjesën perëndimore të liqenit deri në Lumin Devoll, përpjetë Tomorricës drejt lumit Osum, nën Berat, përpjetë lumit Osum, mbi rrjedhjen e përronit të Selcës deri tek kthesa kryesore e Vjosës dhe mbi rrjedhën e Shushicës nën Vlorë për tek bregdeti i Adriatikut. E parë nga pikëpamja historike, në këtë zonë arrin të mbijetojë shtresa e parë etnike e ilirëve dhe trakasve, pasardhësit e të cilëve janë shqiptarët e sotëm, përballë shtresës sekondare (greke dhe romake) dhe përballë shtresës tertiere (sllave).

Shqiptarët përmenden për herë të parë në shek. II pas Krishtit nga Ptolemeu dhe pastaj zhduken nga historia. Në shek. XI ata përmenden përsëri në burimet bizantine dhe për më tepër si banorë të Malësisë midis Skutari, Durazzo, Ochrid dhe Prizren (Shkodrës, Durrësit, Ohrit, dhe Prizrenit) me kështjellën e Krujës në qendër.[23]Që këtu, ata u shpërndanë në rrjedhën e shekujve të mëvonshëm në të gjitha drejtimet.

Rabъnъ i serbët në shek. XII ishte më i madh se “Aλβανον”, “Αρβανον” i bizantinëve në shek. XI dhe Arbanoni i bizantinëve të shek. XIII (1255) ishte më i madh se Rabъnъ i serbëve në shek. XII. Në shek. XIV, princi Karl Thopia sundon zonën nga lumi Mat deri në lumin Devol (Seman) si “Zot i gjithë Shqipërisë” (1381). Në dokumentat raguzane të shek. XV, Antibari (Tivari), manastiri Rtac, Podgorica, dhe Lustica në Kotorr shënohen si territore që gjenden në Shqipëri. Përshkrimet venedikase të shek. XVI e quajnë Shqipërinë vendi nga Dulcigno (Ulqini) deri në Valona (Vlorë).[24] Vendabnimet e shqiptarëve mund ti vësh re edhe në shekujt e mëvonshëm deri në ditet tona, dhe pikërisht në drejtim të Kosovës dhe të Maqedonisë.[25]

Shuflaj mundi ta përcaktonte këtë Shqipëri të kohës paraturke, të skicuar me sukses në këtë mënyrë në bazë të dokumentave që përmban “Acta Albaniae”. Bëhet fjalë për një formacion mesjetar të periudhës nga shek. XI deri në shek. XV. Aspektet e veçanta të këtij formacioni ai i elaboroi në një trajtesë më vonë të hollësishme “Gjendja kishtare e Shqipërisë paraturke”; “Fatet politike të temës së Dyrrahut”; “Qytete dhe kështjella të Shqipërisë”. Konstruksioni i Shqipërisë mesjetare paraturke nuk ishte vetëm një kontribut i rëndësishëm shkencor në një fushë, në të cilën sundonte errësirë e plotë, por edhe një kontribut i rëndësishëm për forcimin e një shteti të ri shqiptar (1913). Puna e Shuflajt provoi se: qe në mesjetë kishte ekzistuar një Shqipëri e përcaktuar gjeografike dhe etnike, një Shqipëri që edhe në ditët tona përbën thelbin e një Shteti autonom. Në vitet pas çlirimit nga sundimi turk, në vitin 1912, ky fakt ishte shumë i rëndësishëm dhe fatal për Shqipërinë.

Vepra “Acta Albaniae” fillimisht ishte planifikuar në katër vëllime. Nga këto e panë dritën e botimit vetëm dy.Vëllimi i parë përmban 834 dokumenta dhe përmbledh kohën nga viti 344 deri në vitin 1344; vëllimi i dytë 812 dokumente që shtrihen nga viti 1344 deri në vitin 1406. Vëllimi i tretë dhe i katërt duhet të përmbanin dokumente nga koha e luftërave kundër turqve deri në vitin 1479, kur Skutari (Shkodra), Kroja (Kruja) dhe pjesë të tjera të Shqipërisë ranë përfundimisht nën sundimin e turqve.[26] Siç e thamë më parë, pak para vdekjes së tij tragjike, ai po përgatiste vëllimin e tretë që ka humbur.

Në lidhjen me aktivitetin e Shuflajt në dokumentet historike është interesat edhe edhe pohimi që bën Jovan Radoniq në veprën e tij “Djuradj Kastriot Skenderbeg i Arbanija u XV veku”. Radoniq përmend që Shuflaj i ka vënë në dispozicion atij materjal nga arkivat e Barcelonës dhe Milanos, për veprën e tij.[27] Është për të ardhur keq që 11 vjet pas vdekjes së Shuflajt, ai nuk dha informacione të tjera se cilat dokumenta nga ato të botuarat ai i ka falë Shuflaj. Unë besoj se kjo do të kishte qenë korrekte për bujarinë së Shuflajt. Përveç kësaj është interesant që të përmendet që Bariq[28] thotë për veprën e Radoniqit që ajo është krijuar kryesisht nga materjali i Shuflajt. Mund të pranohet me siguri të plotë që Bariq ishte i mirëinformuar, sepse ai vetë merrej me albanologji, dhe Shuflaj ishte bashkëpunëtor i Arkivit të tij. Pasi Shuflaj kishte botuar në Arkivin dhe në Bibliotekën e Bariqit “Povijest sjevernih Arbanasa” dhe “Srbi i Arbanasi”, ai bëri të njohur edhe dokumentet aragoneze për historinë shqiptare. Këto dokumente (Aragonski dokumenti za arbanasku povijest, Arhiv za arban. star., knj. II, f. 420) nuk janë botuar.

Një kontribut tjetër të Shuflajt për botimin e teksteve, ishin edhe përpjekjet e tij për të botuar Statutet e qytetit mesjetar shqiptar të Drivastit (Drisht).[29] Për botimin e këtyre statuteve Shuflaj u aktivizua në mënyrë të veçantë[30], por fati i këtij botimi është i paqartë deri tani, ngaqë nuk gjendet asnje ekzemplar gjëkundi.[31]

Trajtesa “Biologji e rracës shqiptare” është një kontribut për etnogjenezën e shqiptarëve. Këtu paraqiten dhe prezantohen madje në plotësi mendimet e disa gjuhëtarëve dhe historianëve për origjinën e shqiptarëve; elaborimet e Shuflajt janë megjithatë një kontribut i mirëfilltë në këtë çështje të komplikuar: Kush janë shqiptarët, nga vjen rraca e tyre? Shuflaj përsërit mendimin e Tunmanit, Hanit, Kreçmerit dhe Majerit që shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe për këtë mbështetet para së gjithash në Gustav Meyer. Nga ana e tij ai ndërmerr një analizë të simbiozës iliro-trake, dhe albano-rumune, mbi bazën e së cilës përpiqet që t’i kundërshtojë ithtarët e origjinës trakase të shqiptareve.

Që shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, për Shuflajn del nga fakti i thjeshtë që ata jetojnë atje ku në antikitet ishin ngulitur ilirët. Një kundërprove historike direkte nuk mund të paraqitet, sepse në histori nuk ka të rregjistruara shpërngulje të reja të shqiptarëve. Gjuha shqipe përmban disa elemente që janë të ngjashme me dalmatishten e vjetjer, d.m.th. me latinishten e bregdetit, dhe nuk janë të ngjashme me rumanishten, që ishte latinishtja e hinterlandit. Ky fakt vërteton që shqiptarët nuk kanë jetuar larg nga bregdeti. Edhe përputhja gjuhësore me italishten e jugut (dialekti i Abruzzia-s, dhe Puglia-s), që gjithashtu bazohet mbi një substrat ilir (mesap), vërteton origjinën ilire të shqiptarëve. Në mbishkrimet mesape, ekziston një përputhje gjuhësore me shqipen dhe mesapët ishin një fis iliro-ballkanik. Mbi bazë të këtyre përshkrimeve, mund të mbështetet sipas Shuflajt teoria e G. Meyer, sipas së cilës shqipja prezanton fazën më të re të një dialekti të lashtë ilir, në një dije shkencore. Megjithatë kjo teori u refuzua ndërkohë nga shumë studiues (Hirt, Weigand, Petersen Georgiev, Barić, Popović) dhe u zëvendësua me një teori të pasardhjes nga trakasit.[32] Për disa studiues (Budimir, Pisani, Çabej)[33] vërtetimi i tezës, që shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, me gjithë marrjen parasysh të elementeve trake në shqipe, vlen në të shumtën e rasteve akoma. Jokli[34] sqaronte që në gjuhën shqipe ka po kaq shumë elemente gjuhësore të ilirishtes sa ç’ka edhe të trakishtes. Në diskutimin për shqiptarët e vjeter, mori pjese edhe Shtatmyleri me një kontribut themelor.[35]

Përputhjet e shqipes me rumanishten, e cila është një gjuhë romane mbi substrat trak (dak), Shuflaj është përpjekur që t’i shpjegojë me anë të simbiozave iliro-trake, zhvendosjes së banesave të rumunëve në rrjedhën e historisë dhe nëpërmjet simbiozave të shqiptarëve me Rumunët në mesjetë. Kufijtë e ilirëve nuk ishin të fiksuar nga asnjë anë. Në periferi të bërthamës ilire kishte që herët përzjerje me popujt fqinjë, ndër të tjerë edhe me trakët. Përveç kësaj fluksi i elementeve trake drejt perëndimit në zonën e Ilirisë, të Shqipërisë së mëvonshme, ka qenë mjaft intensiv. Kështu gjurmët e ndikimit trak mbi elementin ilir në Shqipëri mund të gjenden edhe në mesjetë në disa emra vendesh si Dibra, Debra (Δίρβη, Δερβη), Benda (βενδίς), Ergessi (’Εργισσα), Sappa (Σαπαίοι, Σάπαι). Sidoqoftë kur kolonizimi romak u vendos, elementi trak ishte me siguri një zonë e përzier, që zgjerohej gjithmonë e më shumë në jug. Shtresat e para etnike ishin shtyrë. Më vonë erdhi edhe ndikimi i pushtetit politik romak, i cili nën perandorin Trajan e zhvendosi me dhunë p.sh. fisin ilir të Pirustëve në zonat me ar të Dacies. Zhvendosja e popullsisë mund tëvërehet edhe në faktin që gjatë kryengritjes së Ilirëve kunder Romës nën Augustin, u desh që ta linin brendesinë e vendit një masë e madhe e poullsisë vendase, ndërkohë që gjatë periudhës së migrimeve të popujve, atje mbizotëronte mungesë në njerëz. Bredësia e vendit duket se ka qenë më pak e populluar sesa zona bregdetare. Nën këtë aspekt duhet parë edhe procesi i romanizimit. Në thellësi të vendit, në limesin e Danubit, ku popullsia ishte e paktë, kolonizimi romak e kishte më të lehtë, aq me tepër që ky kolonizim kishte karakter militar. Ushtarët e shumtë që e kishin kryer shërbimin ushtarak, u ngulitën me familjet e tyre. Gjuha latine mundi që të përhapej shpejt dhe në mënyrë të plotë. Në bregdet, ku ishte masa kryesore e ilirëve, mundi që të ruhej gjuha shqipe, sidomos pas imigrimit të sllavëve.

(Përktheu në gjuhën shqipe, plotësoi me referanca

dhe përgatiti për botim

Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies

Budapest)

Referencat:

[1] Bibliografi për Shuflajn: Slavko Cihlar, “Milan Šufflay”, në: Berliner Tageblatt, 26. 2. 1931; Oskar Randi, “Milan Šufflay”, në: Europa Orientale, nr. 12, 1932; The Croatian University Association, Appeal of the Croatian academians to the world of civilization, how the Croatian savant, Professor of University Dr. Milan Šufflay, was murdered by the Serbian royal dictatorship, Zagreb 1931, Franjo Perše, “Milan Šufflay in memoriam-prilikom 25. godišnjice smrti – 18.2.1931”, në: Hrvatska Revija, nr. 4, 1956; Ivan Meštrović, Uspomene na političke ljude i dogadjaje, Buenos Aires 1961, f. 197-219; Josip Horvat, Hrvatski panoptikum, Zagreb 1965, f. 171-230 (Milan Šufflay); Enciclopedia Italiana di Treccani, … etj.

[2] Në botimin e trajtesave “Biologie des albanischen Volksstammes” (Biologjia e rracës shqiptare), “Die Kischenzustände des vortürkischen Albaniens” (Gjendja kishtare e Shqipërisë paraturke), dhe “Schicksale des Themas Dyrrachion” (Fatet e temës së Dyrrahut) Shuflaj përmend që këto janë kapituj të veçantë të një historie të Shqipërisë, në të cilën ai po punonte.

[3] Në trajtesën e tij “Die dalmatinische Privaturkunde” (Dokumenta private dalmate) Sitzungsberichte der Phil.-Histor. Kl. d. kais. Akadem. d. Wiss., Wien, 1904, vëll. 147, Abh.VI, f. 1-166, në faqen 3-5 Shuflaj shkruan që Tade Smiçiklas kishte marrë përsipër redaktimin e vazhdimit të “Codex diplomaticus regni Croatiae, Dalmatiae et Slavoniae,” nga Kukuljeviq pas vdekjes së Raçkit. Së pari doli e nevojshme më vëllimin e dytë të përpunuar ta botojnë përsëri (për një botim të vëllimit të parë ishte kujdesur tashmë Raçki. Si nxënës i Smiçiklasit Shuflaj kishte rastin që të merrte pjesë në parapërgatitjet për botimin e ri të vëllimit të dytë, veçanërisht në mbledhjen e materjaleve dokumentarre deri në vitin 1409. “Kështu m’u ofrua rasti që si shoqërues i tij ose nën udhëheqjen e tij, në shërbim të Akademisë, të hulumtoja pothuajse të gjitha arkivat apo koleksionet e dokumentave në mbretërinë trinitri” – shkruan Shuflaj. Në të dhënat mbi secilin prej arkivave që kishte vizituar, ai përmend arkivin në Zarë: Arkivi i guvernatorit mbreto-perandorak (das Archiv der k.k Statthalterei), Arkivi i murgeshave të Shën Marisë (das Archiv des Frauenklosters S. Maria), dhe koleksionin e dokumentave të bibliotekës publike të Paravisë; në Shibenik koleksioni i dokumentave të françiskanëve, në Split, Trogir dhe Hvar arkivi i kapitullit të katedrales (Domkapitulararchive), në Posedarje pranë Zarës koleksioni i dokumentave të Dukës Bagna. Më tej ai shkruan që për “Die dalmatinische Privaturkunde” ka punuar në Arkivin e Akademisë së Sllavëve të Jugut (Südslavischen Akademie), në Arkivin e Vendit (Landesarchiv) në Zagreb, dhe në atë shtetëror të perandorisë Austro-Hungareze (K.u.K. Staatsarchiv) në Vienë.

[4] Me këtë problem Shuflaj u mor tek “Srbi i Arbanasi”, f. 107-113 dhe në artikullin “U prodornoj zoni pravoslavlja na Jadranu”, në Obzor të datës 7. 4. 1928. Të njejtin artikull ai e botoi në përmbledhjen e tij të eseve “Hrvatska u svijetlu svjetske historije i politike”, Zagreb 1928, f. 52-60. Ekzistenca e “Croatia rubea” vërtetohet nga Thomas Archidiaconus (Kryeipeshkvi Thoma): “Deinde Maritima in duas divisit provintias a loco Dalmatiae, ubi rex tunc manebat et synodus runc facta est usque ad Valerino vocavit Croatiam Albam, quae et inferior Dalmatia dicitur. Item ab eodem loco Dalmatiae usque Bambolanum civitatem quae nunc dicitur Dyrrachium, “Croatiam rubeam” vocavit, quae et superios Dalmatia dicitur.” Shih. V. Mošin, Ljetopis popa Duklanina, Zagreb 1950, f. 54. Punë të tjera mbi këtë temë: Sava Štedimilija, Crvena Hrvatska, Zagreb 1937; D. Mandić, Crvena Hrvatska u svijetlu povjesnih izvora, Chicago 1957, D. Mandić, Rasprave i prilozi iz stare hrvatske povijesti, Roma: 1963, f. 368-375.

[5] Milan Šufflay, Hrvatska i zadnja pregnuća istočne imerije pod žezlom triju Komnena (1075-1180). Zagreb 1902.

[6] Vikentije Makušev, (za tisak priredio Milan Šufflay/ për botim i përgatiti M. Shuflaj), Isprave za odnošaj Dubrovnika prema Veneciji, në: Starine Jugoslavenske Akademije Znanosti i Umjetnosti u Zagrebu, knj. XXX. Zagreb, 1902, f. 335-352, knj. XXXI, (1905) f. 1-275.

[7] Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, collegerunt et degesserunt Dr. Ludevicus de Thálloczy, Dr. Constantinus Jireček et Drr. Emilianus de Šufflay,, vol. I Vindobonae MCMXIII, vol. II, Vindobonae MCMXVIII.

[8] Milan Šufflay, Die Kirchenzustände im vortürkischen Albanien, në: Vjesnik hrvatskog zemaljskog arhiva, 1915, f. 275-300; po ai: Biologie des albanischen Volksstammes, në: Ungarische Rundschau, 1916, f. 1-26.

[9] Milan Šufflay, Das mittelalterliche Albanien, në: Neue Freie Presse, 28 nëntor 1912; po ai: Die Grenzen Albaniens im Mittelalter, në: Pester Lloyd, 13 prill 1913.

[10] Alba Limi, Konstantin Balšić (1392 – 1402), Zagreb, 1920, f. 1-200. (Shih edhe përkthimin tonë nga kroatishja në gjuhën shqipe: Alba Limi (Milan Shuflaj), Konstantin Balshaj. (Roman historik). Prishtinë: Rozafa, 2010. (Po ai, po aty: “Milan Shuflaj jo vetëm studiues historie – por edhe romansier i zoti”, f. 5-20 dhe po ai, po aty: “Jeta dhe vepra e Milan Shuflajt (Emilianus de Sufflay” 268-275).

[11] Milan Šufflay, “Kulturno stanje na sredovječnom Balkanu”, në: Obzor, nr. 349, 1924; po ai: “Etnički cikloni na Balkanu”, Obzor nr. 16, 1924; po ai: “Nacionalne maglice (sredovječna plemena Albanije i Crne Gore”, në: Obzor, nr. 49, 50, 53, 54, 1924; po ai: “Kulturno stanje na Jadranu”, në: Obzor 24.12.1924; po ai: “Državne jezgrice (sredovječne dinastije Albanije i Crne Gore)”, në: Obzor nr. 105, 106, 107, 108 (1924); po ai: “O važnosti Skadarskog katastika iz god. 1416,” në: Glasnik geografskog društva, Beograd 1926; po ai: “Prasjedioci na Balkanu”, në: Obzor, 1. 5. 1926; po ai: “Vjerske prilike u Albaniji kroz vjekove (katolički sjever i pravoslavni jug u muslimanskoj državi)”, në: Obzor 11. 6. 1926; po ai: “Hrvati u sredovječnom svjetskom viru”, në: Sveslavenski Zornik, Zagreb 1930, f. 214-241; po ai: “Albanija u prošlosti”, në: Hrvatska Revija, nr. 5, 1930.

[12] Milan Šufflay, “Städte und Burgen Albaniens hauptsächtlich während des Mittelalters”, në: Akad. d. Wiss. In Wien, Phil.-hist. Kl., Denkschriften. Bd. 63, trajtim i parë, Vjenë, 1924.

[13] Milan Šufflay, “Povijest sjevernih Arbanasa”, në: Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologiju. Knj. II. (Beograd) 1924, f. 192-239.

[14] Milan Šufflay, “Srbi i Arbanasi”, në: Bibliotekae za arbanasku starinu, jezik i etnologiju.knj. I. Beograd: Izdanje Seminara za arbanasku filologiju i Biblioteke za arbanasku starinu, jezik i etnologiju, knj. I, 1925: 1-142.

[15] Milan Šufflay, Serbët dhe Shqipëtarët. Përkthyer prej: Zef Fekecit e Karl Gurakuqit, Tiranë 1926.

[16] Milan Šufflay, “Acta Albaniae. Kako da se nastavi njihovo izdanje?” Në: Arhiv za arb. Star., jez. I etnolog., knj. III, 1926: 209-212.

[17] Skulptori i famshëm kroat Ivan Meštrović, i cili kishte njohuri të bollshme për rastin në fjalë, shkruan në librin e tij “Uspomene na političke ljude i dogadjaje”, Buenos Aires 1961, f. 220: “Kada je usred Zagreba ubijen profesor Dr. Milan Šufflay, 18. veljače 1931, nastalo je u gradu veliko uzbudjenje i to ne samo zbog Šufflayeve osobe, nego i radi metoda, kojima se režim služi, da se riješi nepoželjenih ljudi. Saznalo se, da su ga ubili policijski agenti, a naskoro se saznalo i za njihova imena. Ima i drugih indicija, da je Šufflayevo umorstvo uslijedilo na službeni nalog državnih vlasti. Sam kralj je, na primjer, rekao Dru. Svetozaru Rittigu, kad mu je Rittig došao, da se žali na takove metode: – Pa moralo ga se ubiti, jer je on bio talijanski špijun!” Krahaso gjithashtu Josip Horvat, Hrvatski panoptikum, (Milan Šufflay), Zagreb 1965, f. 227; Svetozar Pribitscevitsch, La dictature du roi Alexandre, Paris 1933, f. 84.

[18] Krahaso, Appeal.

[19] Krahaso, Appeal.

[20] Krahaso, Horvat, vepër e cituar: 225.

[21] Krahaso, Šufflay, “Acta Albaniae I, Prolegomena”, f. III: “Namque haec est regio montuosa iacens in quadrangulo Antibaris-Prizren-Achris-Avlona, cuius in puncto illo, ubi diagonales decussantur, Albaniae nomen iam inde ab antiquissimis temporibus florebat.” Shih edhe: Šufflay, Das mittelalterliche Albanien (Shqipëria mesjetare) në: Illyrisch-Albanische Forschungen I., f. 283; po ai: “Die Grenzen Albaniens im Mittelalter (Kufijtë e Shqipërisë në Mesjetë),” në: Illyr.–alb. Forsch. I, f. 292.

[22] “Die Grenzen Albaniens im Mittelalter (Kufijtë e Shqipërisë në Mesjetë),” në: Illyr. –alb. Forsch. I, f. 292-293.

[23] Šufflay, “Acta Albaniae I, Prolegomena,” f. IV: “Nostra sententia nullum est dubium, quin Alanensium natio medio aevo, condensa ceterva itaque aboriginum instar, circa centrum Croense in illa seltem viveret dimensione, in qua nomen albanense circa centrum hocce paullatim potuerit dilatari.”

[24] Šufflay, “Acta Albaniae I. Prolegomena”, f. 3-4: “In fontibus saeculi XI byzantinis “Aλβανον”, “Αρβανον” regiones montuosas inter Scodram-Dyrrachium-Achriden-Prizrenum positas significat”. Rabъnъ Serborum utrumque Polatum, regionem scilicet a lacu Scutarensi ad Drin barz viae Scodra-Prizren se applicantem comprehendens saeculo XII. iam aliquanto maius est Arbano Byzantinorum. At eodem ipso tempore aut paulo post (1225) Arbanum Byzantinorum conceptum eximiae efficit capacitatis versus ortum brumalem (v. AA, no 239). Sed ad regiones etiam meridionales mature iam transit nomen Albaniae, nam Carolus Topia, qui se dominum totius Albaniae (αύθεντης πασης χώρας ’Αλβανου nominat (1381), re vera provintias inter flumina Mat et Dievali in suis manibus tenet, Andreas Musachi autem anno 1319 regni Albaniae marescallus dicitur a pontifice. Regnum Albaniae Andegavernsum saeculi XIII. regiones circa Dyrrachium interdum una cum oppido Croia complectebatur. In actis Ragusinis saeculi XIV. exeuntis Sanctus Sergius in ostio fluminae Bojanae, saeculo XV. Antibaris, Lustica prope Catharum, Podgorica in Albania sitae esse dicuntur. Descriptio quaedam saeculi XVI. Albaniam dicit terram ab Ulcinio usque Aulonem et montem Chimarae se extendum.”

[25] Krahaso: Šufflay, Srbi i Arbanasi, f. 51-68; po ai, “Povijest sjevernih Arbanasa”, në: Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologiju, knj. II, (1924), Beograd 1925, f. 236-239; Atanasije Urošević, Kosovo, Beograd 1965, f. 68-112 (VI Stanovništvo). Izdanje Srpske Akademije nauka i umetnosti, Srpski Etnografski Zbornik, knj. LXXVIII.

[26] Ky ishte plani origjinal. Në artikullin: Acta Albaniae. Kako da se nastavi nijhovo izdanje? Shuflaj i vuri vetes si qëllim një botim të Acta deri në vitin 1571, d.m.th. deri në vitin kur Venedikasit duhet t’ia linin turqve Tivarin dhe Ulqinin.

[27] Jovan Radonić, Djuradj Kastriot Skenderbeg i Arbanija u XV veku, Srp. Kralj. Akad., Spomenik XCV, Beograd 1942, f. X: “Kada sam mu jednom prilikom rekao da pribiram arhivalnu gradju za istoriju Skenderbega, Šufflay mi je bez daljega ustopio gradju koju je imao, osobito onu iz arhiva u Barceloni i Milanu. Pišući ove retke sa zahvalnošću sećam se ove širokogrudosti prof. M. Šufflaya.”

[28] Henrik Barić, Enciklopedija Jugoslavije, I, f. 164.

[29] Milan Šufflay et Victor Novak, “Statuta et orinationes capituli ecclesiae cathedralis Drivastensis”, në: Biblioteka Arhiva za arbanasku starinu, jezik i etnologiju, knj. IV. Beograd, 1927.

[30] Në “Srbi i Arbanasi” Shuflaj thotë që ky “Unicum” gjendet në pronësi të antikuaristit Laipcigas Hirzeman (Hiersemann). Hirzemani i ka përshkruar statutet e Drishtit në katalogun e tij 438 (qershor 1915), nr. 250 në faqen 43 dhe në katalogun 447 (1920), nr. 33, f. 7. Shuflaj i sugjeron qeverisë së atëhershme jugosllave që ta blinte këtë manuskript dhe ta linte atë të botohej nga akademia e Zagrebit ose e Beogradit. Shih edhe botimin komplet të statuteve të shoqëruar me: fkasimile të origjinalit; transkriptim në latinisht dhe përkthim në gjuhën shqipe: Musa Ahmeti & Etleva Lala. Statutet dhe Urdhëresat e Kapitullit të Kishës Katedrale të Drishtit. (Statuta et ordinationes capituli Ecclesiae cathedralis Drivastensis). Tiranë: Shtëpia e Librit OMBRA GVG, 2009.

[31] Sipas hetimeve tona, këto statuta nuk gjenden në asnjë bibliotekë jugosllave apo evropiano-perëndimore. Edhe vetë bashkë-botuesi, prof. Novak, i është përgjigjur pyetjes sime që nuk e ka. Megjithëate, në vitin 2006, ne kemi pasur fatin që dorëshrkimin origjinal të Statutit të Drishtit, ta gjejmë në Kopenhagë të Danimarkës, e në vitin 209 ta botojmë në tërsi. Shih ref. 30, këtu.

[32] Krahaso: Stadtmüller, Forschungen zur albanischen Frühgeschichte, (Studime në historinë e hershme shqiptare), botim i dytë, Wiesbaden 1966, f. 13-15; M. Camaj, Albanische Wortbildung, Wiesbaden 1966, f. 10-25.

[33] E. Çabej, Hyrje në historinë e gjuhës shqipe, Tiranë 1960, f. 19-37; Pisani, Origjina e gjuhes shqipe, në: Konferenca e parë Albanologjike, Tiranë 1965, f. 109-116

[34] N. Jokl, Reallexikon für Vorgeschichte I, Berlin 1924, shih edhe: Albaner…

[35] Georg Stadtmüller, “Forschungen zur albanischen Frühgeschichte”, në: Archivum Europae Centro Orientalis, VII, (1941), f. 1-196, Budapest; botim i dytë Wiesbaden 1966 (Harrassowitz).

Filed Under: Histori Tagged With: Prof. Dr. Musa ahmeti

Vitet e reja wilsoniane për shqiptarët

December 12, 2023 by s p

Ndriçim Kulla/

1999 dhe 2008-vite wilsoniane: çlirimi i Kosovës, fushata e pestë e ndihmës humanitare, pavarësia e Kosovës, pranimi i Shqipërisë në NATO.

Në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ka disa vite që meritojnë të quhen “vite Wilsoniane”, sipas vitit 1920, kur Wilsoni u bë shpëtimtari i shtetit shqiptar. Një vit i tillë Ëilsonian është viti 1999, i çlirimit të Kosovës, ku SHBA kishte rolin kryesor, si dhe viti 2008, që mund të quhet dyfish Ëilsonian, për arsye se në këtë vit me mbështetjen e SHBA u shpall pavarësia e Kosovës, që përsëri me mbështetjen e SHBA u njoh menjëherë nga SHBA dhe shumë vende të botës duke përfshirë pjesën më të madhe të vendeve të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Në të njëjtin vit, në Samitin e NATO-s në Bukuresht, Shqipëria mori ftesën për t’ u bërë vend anëtar i NATO-s.

Kosova përbënte shqetësimin kryesor të SHBA në marrëdhëniet amerikano-shqiptare, që kur nisën luftërat në ish-Jugosllavi. Fred C. Abrahams në librin e tij për Shqipërinë postkomuniste thotë për periudhën pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA në 1991:

Çështja kyçe për Uashingtonin dhe ideja kryesore që drejtonte politikat e tij për dhjetë vjetët e ardhshëm nuk ishte Shqipëria si shtet por shqiptarët në Ballkan.

Në fakt Kosova kishte qenë pikënisja e krizës që çoi në shpërbërjen e Jugosllavisë. Ambasadori amerikan në Jugosllavi, në vitet 1989-1992, Ëarren Zimmerman, domethënë në periudhën para dhe në fillimet e luftës në Jugosllavi, thotë në kujtimet e tij:

Kur erdha në Beograd në fillim të vitit 1989, të gjithë kishin në mendje Kosovën.

Zimmerman kishte në të kaluarën e tij diçka që e bënte të ishte i papëlqyer për serbët. Ishte fjala për kohën kur Zimmerman kishte kryesuar një delegacion amerikan në KSBE (sot OSBE), që kishte punuar fort për të arritur një rezulotë që serbët e shikonin si një mjet për të ndërhyrë në Kosovë. Zimmerman thotë për këtë çështje të së kaluarës së tij:

Vetëm pak muaj më parë mbledhja e radhës e Konferencës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Evropian (sot OSBE- N.K.), pas dy vjet negociatash kushtuar të drejtave të njeriut dhe kontrollit të armëve duke përfshirë shtetet e Europës dhe të Amerikës së Veriut, kishte përfunduar me një dokument që riafirmonte se trajtimi i qytetarëve të vet nga një qeveri ishte një subject i ligjshëm për t’ iu nënshtruar shqyrtimit ndërkombëtar.

Sipas kësaj rezolute KSBE mund të ndërhynte edhe në Kosovë, gjë që kuptohet se serbët nuk e donin aspak. Kjo rezolutë e miratuar me nismën dhe mbështetjen amerikane, tregonte se me sa largpamësi e kishin përgatitur amerikanët ndërhyrjen e mëvonshme në Kosovë, për çlirimin e saj nga Serbia. Në sajë të kësaj rezolute u mundësia vajtja në Kosovë në 1998 e misionit verifikues të OSBE, të kryesuar nga ambasadori Ëilliam Ëalker, përfaqësues i SHBA, i cili evidentoi provat e masakrave serbe ndaj shqiptarëve në rastin e Raçakut, që u bë shkak direct për Konferencën e Rambouillet, ku pas refuzimit të serbëve për të nënshkruar dokumentin e saj, NATO mund të niste bombardimin e Serbisë. Dhe tani (1989), Zimmerman, njeriu me emrin e të cilit ishte e lidhur kjo rezolutë, nga pozita e ambasadorit amerikan në Beograd, fliste për Kosovën atje, në bazë të kësaj rezolute:

Vërejtja ime për zyrtarët jugosllavë ishte që, nëse Jugosllavia dëshironte të vijonte marrëdhëniet e saj të ngushta me Shtetet e Bashkuara, ajo duhet t’ u vinte fre shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kosovë. I mbetej Jugosllavisë të vendoste se cfarë do të zgjidhte.

Rezolutën e mësipërme e kishte inicuar dhe mbështetur Administrata republikane e viteve ’80 në Shtëpinë e Bardhë, por atë e shfrytëzoi me shumë efektivitet Administrata demokrate e Clintonit. Kështu u vërtetua edhe një herë ai fenomen, i vënë re akoma më tepër me fillimin e luftërave në Jugosllavi se kishte një vazhdimësi në qëndrimin për mbrojtjen e Kosovës të administratave republikane dhe demokrate në Shtëpinë e Bardhë. Këtë gjë më mirë e tregon ish-Sekretarja e Departamentit të Shtetit në kohën e luftës së Kosovës, Madeleine Albright, që shkruan në kujtimet e saj:

Administrata e Bush-it të Vjetrit, e cila në përgjithësi kishte qenë pasive në Ballkan, vendosi të bënte një hap të guximshëm teksa po bëhej gati të linte pushtetin. Ditën e Krishtlindjeve të vitit 1992 diplomatët e Shteteve të Bashkuara e njoftuan Millosheviçin se Shtetet e Bashkuara do të kundërpërgjigjeshin ushtarakisht, nëse serbët do të fillonin një konflikt të armatosur në Kosovë. Tri javë pas ardhjes në pushtet të Presidentit Clinton më 1993, Sekretari i Shtetit Christopher e theksoi sërish “paralajmërimin e Krishtlindjeve”.

Nëqoftëse amerikanët mund të kishin ndonjë dyshim për pretendimet e shqiptarëve se dhuna serbe ndaj tyre kishte si objektiv final gjenocidin total ndaj shqiptarëve të Kosovës, këtë ua hoqi vetë Milosheviçi, i cili në bisedë me Komandantin e NATO-s në Europë, gjeneralin amerikan Ëesley Clark, ia pohoi vetë këtë gjë. Clark e tregon kështu një bisedë me Milosheviçin në Beograd, në 1998:

Milosheviqi solli “Brandy” për vetë, për Milutinoviqin, për Naumannin dhe për mua, dhe për herë të parë, iu bashkova atij. Tash, ai i gjasonte një filozofi, në momentin kur filloi të diskutojë rreth së ardhmes ekonomike të Serbisë. Më pas, sikur të kishte dalë ndonjë tren nga binarët, ai me shpejtësi ndërroi temë.

“Ju e dini general Klark, që ne e dimë se si duhet t’ i qërojmë hesapet me shqiptarët, me këta vrasës, me këta dhunues, me këta vrasës të fëmijëve të tyre. Përpara, ne jemi kujdesur për ta.”

Fytyra e tij u skuq dhe zëri i tij fitoi ashpërsi, në momentin kur i dënonte ata. Ishte ky ndonjë paragraph jashtë ndonjë kumtese publike, mendova unë.

“Në Drenicë më 1946 ne i kemi vrarë ata. I kemi vrarë që të gjithë!” Naumanni dhe unë e shikonim me kureshtje.

Ai, sipas gjasave kishte menduar se ne nuk i kishim besuar, kështu që filloi t’ i kualifikojë të arriturat. “Oh, na janë nevojitur disa vite, por ne, në fund, i vramë që të gjithë!” Ishte i vetkënaqur, i lumtur dhe shikonte sikur të priste aprovimin tonë.

Ne ishim të tronditur nga shfrimi i tij. “Zoti president, ne madje as që ishim duke diskutuar rreth kosovarëve, ne po bisedonim rreth zhvillimit ekonomik të Serbisë!” Po ne e denim, atëherë dhe aty, se gjasat janë tejet të vogla që e gjithë kjo krizë të përfundojë në mënyrë paqësore.

Në një çast sinqeriteti që me sa duket i vinte nga dehja me alkool, Milosheviçi po zbulonte se plani i tij nuk kishte të bënte vetëm me asgjësimin e atyre që i quante terroristë shqiptarë në Kosovë, por me asgjësimin e shqiptarëve të Kosovës si popull. Ishte ai që njihet si Plani “Patkoi” për spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës. Milosheviçi fliste për planin e tij sikur të kërkonte miratimin e amerikanëve, lejen e tyre për ta zbatuar atë. Që nga ky çast amerikanët e kishin të qartë se për çfarë bëhej fjalë në Kosovë. Nëqoftëse Milosheviçi i kishte fshehur gjurmët e tij në Bosnjë-Herzegovinë, duke arritur të luante rolin e faktorit të paqes në Konferencën e Daytonit, në Kosovë po e zbulonte veten si ideatorin dhe urdhëruesin e genocidit. Tanimë amerikanët e dinin Milosheviçi përbënte një sfidë të ngjashme me atë të Hitlerit. Sekretarja e Departamentit të Shtetit Albright, duhet të ketë qenë me siguri e informuar nga Clarku për këto mendime që shfaqi Milosheviçi, kur në një nga mbledhjet ndërkombëtare për Kosovën para fillimit të bombardimeve, ajo mbajti këtë qëndrim që tregon në kujtimet e saj:

Debati u nxeh dhe ndërsa dëgjoja, zhgarravitja e zemëruar në bllokun e shënimeve. Kisha ardhur në mbledhje e përgatitur t’ i parashtroja qartazi pikëpamjet e mia të papërkulura, kështu që isha e vendosur të mos e tradhtoja besimin e atyre që prisnin që Amerika të merrte situatën në dorë. Në një çast Jamie Rubin-i, që zakonisht ishte mjaft luftarak, më tha të bëja kompromis për një propozim të caktuar. Ia ngula sytë gjithë inat dhe i thashë: “Jamie, mos mendon se jemi në Mynih?”

Kosova nuk do të lihej në duart e Milosheviçit, si Çekosllovakia në ato të Hitlerit në 1938. Amerikanët ishin të vendosur për këtë gjë por Milosheviçi nuk e besonte këtë gjë. Ai nuk besonte se popull amerikan do ta kuptonte këtë vendim të Clintonit dhe Albrightit dhe se këta, edhe nëqoftëse do ta nisnin bombardimin e Serbisë, do të ishin të detyruar ta ndërprisnin pas pak ditësh për shkak të reagimit të opinionit public. Milosheviçi mendonte se Clintoni dhe Albrighti nuk do të ishin në gjendje që ta shpjegonin në mënyrë bindëse popullit amerikan vendimin e tyre pëe bombardimin e Serbisë, një vendi që kishte qenë aleat i Amerikës në dy luftra botërore. Por Milosheviçi nuk kishte kuptuar natyrën prej misionari të popullit amerikan, që reagoi ndryshe nga ç’ kishte pritur ai. Bill Clinton thotë në kujtimet e tij për ditën kur nisi fushata e bombardimeve e NATO-s kundër Serbisë:

Në 24 mars unë i fola popullit amerikan për atë që ishim duke bërë dhe pse po e bënim këtë. Unë u shpreha që Millosheviçi i kishte zhveshur kosovarët nga autonomia e tyre, duke iu mohuar atyre të drejtat e garantuara nga Kushtetuta për të folur gjuhën e tyre, për të patur shkollën e tyre, dhe qeverisur vetveten. Unë përshkrova krimet serbe: vrasjen e civilëve, djegien e fshatrave, dhe dëbimin e njerëzve nga shtëpitë e tyre, gjashtëdhjetë mijë në pesë javët e fundit , një çerek milioni gjithsej. (Bill Clinton e ka fjalën deri në 24 mars 1999- N. K.) Përfundimisht unë i vendosa ngjarjet e fundit në kontekstin e luftrave që Millosheviçi kishte bërë kundër Bosnjës dhe Kroacisë dhe pasojat destructive të vrasjeve të tij në të ardhmen e Europës.

Milosheviçi gjithashtu, mendonte se NATO do të përçahej dhe vendet europiane të saj nuk do ta pranonin vullnetin amerikan për të bombarduar kryeqytetin e një vendi europian. Amerikanët, edhe nëqoftëse do t’ i nisnin bombardimet mendonte ai, pas disa ditësh do të mbeteshin të vetëm në këtë luftë, dhe do të detyroheshin të tërhiqeshin me turp. Por Milosheviçi gaboi edhe këtu. Aleanca atlantike e ruajti kompaktësinë deri në fund të fushatës, deri në dorëzimin e Milosheviçit. Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë në atë periudhë Joschka Fischer në kujtimet e tij tregon edhe këtë ngjarje:

Unë u thashë kolegëve të mi se gjatë kohëzgjatjes së luftës, revista amerikane “Time” kishte publikuar një artikull tejet kritik, me titull: “Lufta e Medeleinit”. (fjala është për Sekretaren e Departamentit të Shtetit Meadelein Albright- N. K.) “Mirë, vazhdova unë, nëse kjo ka qenë lufta e Madeleinit, atëherë kjo sot është paqja e Madeleinit.”

Amerika e kishte udhëhequr Europën në të parën luftë humanitare në botë, dhe kjo luftë ishte bërë për Kosovën. Mironjohja e shqiptarëve të Kosovës dhe e shqiptarëve në përgjithësi, për Amerikën ishte e pakufishme. Komandanti i NATO-s në Europë, Gjenerali Ëesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën e NATO-s, thotë për vizitën e tij në Kosovë, pas hyrjes së trupave të NATO-s atje:

Më 24 qershor, Javier Solana dhe unë, shkuam së bashku në Prishtinë. Për dallim nga propaganda e mëhershme serbe, kryeqyteti i Kosovës ishte dëmtuar pak nga fushata ajrore- vetëm disa goditje precise kundër objekteve ushtarake dhe policore serbe. Kishte gëzim nëpër rrugë atë ditë, në momentin kur Solana dhe unë u rrethuam nga turma e ithtarëve të entusiazmuar. Deri në atë moment nuk ia kisha lejuar vetes të ndjeja efektin e asaj që kishte arritur NATO-ja. Por, tash kjo ishte e pamohueshme. Operacioni “Allied Force” ishte një fitore për këta shqiptarë, të cilët ishin keqtrajtuar, ishin sulmuar dhe, së fundi, ishin dëbuar me qindra mija nga shtëpitë e tyre dhe nga vendi i tyre. Thjesht kjo ishte më shumë se vetëm një fitore për NATO-n. Kjo ishte një fitore personale për të gjithë ne, që punuam për të tërhequr vëmendjen për planet e Millosheviçit për Kosovën dhe që luftuam për të ndalë dhe, në fund, për të kthyer mbrapsht spastrimet etnike.

Presidenti Bill Clinton fitoi një vend pranë Wilsonit në “Malin Rushmor” shqiptar të mirënjohjes për Amerikën. Paralel me luftën për çlirimin e Kosovës, Amerika në 1999 udhëhoqi edhe një nga fushatat më të mëdha të ndihmës humanitare në histori, atë për strehimin ushqimin dhe kujdesin shëndetësor për popullsinë shqiptare të dëbuar nga Kosova, që kryesisht erdhi në Shqipëri dhe Maqedoni. Më shumë se një milion shqiptarë të Kosovës u dëbuan me dhunë nga vendi i tyre. Solidariteti i popullit dhe shtetit shqiptar, si dhe i vëllezërve të tyre në Maqedoni ishte i madh, por burimet e tyre ishin fare të pamjaftueshme për të përballuar një emergjencë të tillë humanitare. Mediat ndërkombëtare, veçanërisht ato amerikane, sensibilizuan botën për këtë emergjencë humanitare dhe nga të gjitha anët, në radhë të parë nga Amerika erdhën shumë organizata humanitare për të marrë në dorë situatën. Promotorri i angazhimit të organizatave ndërkombëtare të ndihmës humanitare ishin gjithashtu amerikanët. Vetë qeveria amerikane mori pjesë në këtë fushatë humanitare me organizmat e saj të këtij lloji. Kjo ishte fushata e pestë amerikane e ndihmës humanitare që zhvillohej gjatë shekullit XX. Në sajë të kësaj fushate nuk pati vdekje masive te refugjatët shqiptarë të luftës të ikur nga Kosova, siç ndodh në botë me popullsitë e zhvendosura në mënyrë të dhunshme, dhe që pësojnë shumë vdekje nga uria dhe sëmundjet. Amerikanët e prishën edhe llogarinë e Milosheviçit se popullsia shqiptare e zhvendosur nga Kosova do të vdiste masivisht në Shqipëri dhe në Maqedoni.

Përveç Clintonit, një tjetër vend në “Malin Rushmor” të mirënjohjes shqiptare për Amerikën e fitoi Presidenti Bush i Riu, i cili në qershor 2007 u bë i pari president amerikan që vizitoi Shqipërinë dhe që nga Tirana shpalli dy lajme të mira për kombin shqiptar: Se pavarësia e Kosovës nuk mund të vonohej më, dhe se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të ishte një gjë e shpejtë. Nëqoftëse babai i tij, Presidenti Bush i Vjetri hoqi një “vijë të kuqe” në hapësirë, për Kosovën, me paralajmërimin e tij ndaj Serbisë që të mos e zgjeronte luftën në Kosovë, Bush biri në 2008 hoqi një vijë të kuqe në kohë, sa i përket statusit të Kosovës, duke paralamëruar pavarësinë e saj të shpejtë.

Të dy këto gjëra do të ndodhnin në vitin në vazhdim, që do të ishte viti i fundit i Bushit të Ri në pushtet, dhe ndodhën pa u mbushur një vit nga vizita e tij në Tiranë. Në përvjetorin e vizitës së tij në Shqipëri Kosova kishte shpallur pavarësinë dhe ishte njohur nga shumë shtete, dhe Shqipëria kishte marrë ftesën për t’ u anëtarësuar në NATO. Me këtë u bë realitet ëndrra e vjetër e shqiptarëve, që nga koha e Rilindjes Kombëtare, që Shqipëria të ishte nën diellin që lindte nga Perëndimi, sic thoshte Naim Frashëri. 2008 u bë kështu një tjetër vit gurthemeli në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

Marrëdhëniet speciale shqiptaro-amerikane u konfirmuan kur në 2012, me rastin e 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, Sekretarja e Departamentit të Shtetit Hillary Clinton nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, iu tha shqiptarëve fjalinë historike: “SHBA kanë qëndruar me ju për 100 vjetët e parë të pavarësisë dhe do të vazhdojmë te jemi me ju edhe në 100 vjetët e ardhshëm!”

Këto fjalë u pritën me duartrokitje të zgjatura nga deputetët e të gjitha krahëve të parlamentit. Pas 100 vjetësh, një tjetër Sekretar i Departamentit të Shtetit do të thotë në Tiranë: “SHBA kanë qëndruar me ju për 200 vjetët e parë të pavarësisë dhe do të vazhdojmë te jemi me ju edhe në 200 vjetët e ardhshëm!”

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ndricim Kulla

Kryetari i Parlamentit të Kosovës z.Glauk Konjufca takoi mërgatën shqiptare në New York

December 12, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 11 Dhjetor 2023 – Kryetari i Parlamentit të Republikës së Kosovës z.Glauk Konjufca zhvilloi një bashkëbisedim të ngrohtë e vëllazëror në Konsullatën e Kosovës me përfaqësuesit e organizatave e shoqatave patriotike shqiptare në New York e më gjërë. Në fjalën e hapjes Ambasador Blerim Reka falenderoi diasporën shqiptare të Amerikës për kontributin historik në çështjen e Kosovës. Kryeparlamentari Glauk Konjufca shprehu mirënjohjen e institucioneve të shtetit të Kosovës për përfaqësuesit e mërgatës, për rolin e kontributit e tyre të jashtëzakonshëm për Kosovën, çështjen kombëtare dhe kombin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë fjalës së tij z.Konjufca u ndal në tri pika thelbësore të diskutimit të cilat i renditi si sfida për republikën e Kosovës dhe institucionet shtetërore : “1. Situata me Serbinë, sulmi serb mbi Kosovë dhe rrezikun e mundeshëm të sulmeve nga Serbia e cila kërkon aneksim të territorit të Kosovës. 2. Konsolidimi i sigurisë kombëtare, territorialitetin dhe administrimin e territorit. 3. Forcimi i institucione shtetërore të sigurisë kombëtare, shumëfishim i forcës së institucioneve, rritje të kapaciteteve vepruese. Konsolidim i institucioneve shtetërore dhe sundim të ligjit. Forcim të ligjeve e sigurisë kombëtare” tha z.Konjufca. Ai i kërkoi përfaqësuesve të mërgatës që të kërkojnë mbështetje te përfaqësuesit amerikanë për çështjen e Kosovës pasi mbrojtja e interesit të Kosovës do të thotë mbrojtje të interesave amerikane dhe të shqiptarëve në ballkan si populli më pro amerikan në Europë. Gjatë bashkëbisedimit kryeparlamentari Konjufca shpjegoi modalitete të panjohura të “asociacionit”, marrëveshjet e ndryshme mes Kosovës e Serbisë, qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare etj. Përfaqësuesit e mërgatës e pyetën kryeparlamentarin Konjufca rreth specifikave të marrëveshjes së “asociacionit”, rreth mbështetjes ndërkombëtare ndaj Kosovës, presionit të fuqive të mëdha, çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, qëndrimet e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës etj. Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA z.Elmi Berisha gjatë një bisede të shkurtër e përgëzoi kryeparlamentarin Konjufca për lidershipin e diplomacinë parlamentare dhe i garantoi mbështetjen e pakursyer të Vatrës në sfidat me të cilat përballet Republika e Kosovës, qytetarët dhe institucionet në Kosovë.

Filed Under: Politike

Advocating for Change to Counter Gender Based Violence, F’Oda Holds NY Rally for Liridona Ademaj

December 11, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

In the aftermath of the killing of Liridona Ademaj in Kosova in a case of domestic violence, a rally was called on Saturday at corner of 42nd Street and 2nd Ave by F’Oda, a Women’s Advocacy Group. As the public outrage has cut across demographics and geographic locations, organizers in New York aim to bring change to the entrenched issue of gender based violence. President of F’Oda, Djellza Pulatani addressed the crowd on Saturday by first talking about Liridona, an accomplished woman, mother of two small children, reportedly killed in an alleged murder-for hire-scheme by her husband, Naim Murseli. In her remarks at the rally, Djellza reflected on the gender social norms that result in “being treated as a secondary being” – a citizen of a lesser social status assigned to women in a patriarchy which consequently subjects them to violence. To drive the point further Dita Dreaj, F’Oda partner and podcast host of Vajza + Gra, recited a poem she dedicated to the fear associated with “just being a woman.” 

Gender based violence is not an Albanian issue. Community activist Beti (Bedrije) Tola put it in the context of Albanian gender norms and the social stigma surrounding divorce. According to police and news reports, Liridona Ademaj had filed for divorce from her husband, Naim Murseli, currently in the custody of Kosova Police. From the time of the Albanian traditional Code of Ethics, Kanuni, Albanian men are perceived as protectors of the family. “The acts of violence suffered by Albanian women at the hands of their life partners and spouses are incomprehensible in that context,” said Gjek Gjonlekaj, former VOA correspondent, Albanian Language Service.   

Kosova Police have been commended for acting swiftly in making four arrests in the case. Bringing the perpetrators to swift justice is seen as a measure that serves as a deterrence. Yet organizers believe the issue goes beyond justice in the strict legal sense. It links directly to gender equality and social justice. The case of Liridona Ademaj is not an isolated case of gender based violence but rather reinforces the importance of a global conversation, that speakers like Dora Nano, one of the F’Oda partners, believe is starting to gain some traction. “It is within our collective voice that we find the strength for change,” said Dora, NYU Film and Documentary senior student.

In June, UNDP published a report showing that gender biases remain entrenched in the last decade. The severe under-representation of women and “a broken link between women’s progres in education and economic empowerment,” are the causes of the stagnation cited in the agency’s report. Authors write that “Despite the continued prevalence of bias against women, the data shows change can happen.” Fordham students and United Student Government Representatives Fiona Shehu and Desara Murati expressed the view that “Liridona could have been any of the women in our lives” and “the way to address the issue is to focus on being advocates of change.”

A number of speakers pointed out at the stark contrast between Albanian women with incredible achievements in the music and tech/AI world, and the violent murders like Liridona Ademaj’s that has jolted the community. Harnessing public and personal outrage in order to encourage change in and around us was a view shared by protestors who joined the rally from all Albanian lands and all age groups. Lorik Berisha, Medical Student at New Jersey Medical School said that “we need to go from this senseless act to actively championing gender equality.”

Former NYC Council member and leading community activist, Mark Gjonaj energized the crowd with his remarks and chanting “We are few but speak for many.” “Today, we give voice to the voiceless and stand up for those who suffer in silence,” said Gjonaj.

“Advocacy work for all women and girls is the purpose of F’Oda – an initiative that was put in motion by six girls who came together last year,” said Djellza Pulatani. In the face of severe inequality, there are some encouraging sings “as the narrative is shifting and the conversation on gender based violence is gaining momentum,” she added.

F’Oda will host its second Summit for High School students in the summer of 2024. As the group continues to fight against all forms of gender inequality, its mission centers in empowering girls as well as equip them with resources and connections to empower others.

 Photo Credit F’oda

Filed Under: Komunitet Tagged With: Rafaela Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT