• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2023

Ta zhvillojmë turizmin rural përmes trashëgimisë kulturore

December 9, 2023 by s p

Mrs. Valent Qafleshi/

Libri për Trashëgiminë kulturore të Sharrit, është një nisëm e mirë e Komunës së Dragashit që synon të orientojë turizmin drejt traditës, folklorit, ushqimeve dhe natyrës, është faktuar tashmë si një sukses, ku vizitorët në këtë libër do të mësojnë për historinë, gjeografinë, etnografinë, doket dhe zakonet e kësaj ane etj.

Natyra me bukuri të rralla dhe folklori i dy krahinave etnografike të Opojës dhe Gorës shton ngjyrat ofertës turistike të këtij rajoni, edhe pse duhet bërë më shumë që përmes organizimeve të aktiviteteve dedikuar turizmit cilësor dhe produkteve natyrale rural, që sjellin njëkohësisht ruajtjen dhe kultivimin e traditës e vlerave të trashëgimisë kulturore.

Krahina e Opojës dhe Gorës trashëgon një thesar të pasur folklorik ku pasqyrohet vitaliteti, kultura materiale dhe shpirtërore. Është e vërtetë që kostumet popullore dhe orenditë e traditës janë zhdukur tashmë nga përdorimi i përditshëm, por ato mund të shihen dhe gjenden me tërë bukurinë dhe finesën e tyre artistike në manifestimet folkloristike e në muzetë etnografike.

Këngët dhe vallet

Opoja shquhet si një krahinë e valleve karakteristike dhe tradicionale të njohura në opinion si “Kollqoja” të cilat kërkojnë zhdërvjelltësi në lëvizje të valltarëve dhe për ritmet e larmishme.

Po ashtu SHKA “Bresana” nga Bresana ka sjell nëpër shumë festivale kombëtare e ndërkombëtare në mënyrë origjinale vallet dhe këngët nga ritet e përditshmërisë sonë si dasma opojane, punët në bujqësi e blegtori me të cilat valle e këngë shpërfaqin karakteri etno-folklorik të kësaj zone. Rituali i dasmës opojane vjen po ashtu si një vlerë e çmuar e kulturës dhe traditës së kësaj treve.

Nga instrumentet popullore përmendim dajrja (defi), lodra (tupani) cyrlja (zurla), çiftelia, sharkia, fyelli, kavalli etj. Kënga e kurbetit dhe dashurisë është mbizotëruese në këto dy krahina. Zakonisht kënga këndohet nga një person por edhe nga dy e më shumë!

Traditat dhe zakonet

Treva e Opojës dhe Gorës është e pasur me trashëgimi kulturore materiale, shpirtërore dhe natyrore, të cilat në libër janë paraqitur në hollësi, si dhe veprimtaritë ekonomike të kësaj anë.

Mikpritja në zonën e Opojës dhe Gorës është e kultivuar përgjatë shumë shekujve. Respekti për mikun, të huajin është diçka e veçantë.

Gatimet

Në mjaft vende me traditë të zhvilluar gastronomia përbën pothuajse një lloj turizmi. Edhe rajoni i Opojës dhe Gorës ka veçoritë e saja të gatimit. Llojet e piteve si: kulare,me kuletë, me gjizë, me prasa, me një petë, fli, karalla, petulla, nërpetë, si edhe gjella si pasul, jani, gullash etj. Në rajon dhe më gjerë është i njohur djathi Sharrit i bardhë e i butë dhe i fortë. Tipike janë edhe ëmbëlsirat të bëra nga mjeshtrit opojan e goranë si tatli të kollomojtë, tatli qorre, ravoni, qeshkek, zerde, sytliash, urmashica, sheqer pare etj.

Veshjet tradicionale Karakteristike është veshja e femrës dhe mashkullit opojan e goranë.

Tip veshjeve të burrave përbëhet nga këto pjesë: tirqit, xhamadani, këmishë, shoka (brezi), çorapet, opingat. Blegëtorët përdorin edhe Ferxhenë, koporoninë dhe gëzofin. Opingat përgatiteshin nga lëkura e regjur e lopës ose e buallit. Veshjet tradicionale ose kombëtare, që mbahej nga burrat opojan e goranë në ditë dasme, të festat e motmotit dhe atyre fetare etj. Ndërsa karakteristike e veshjeve të grave është veshja me këmishë me zyrefë, jelek, çitjane, bohçe (përparësja), shami, çorape, sandale ose opinga dhe stolitë të ndryshme.

Filed Under: Reportazh

EDITH DURHAMI-PËRKRAHËSE E KAUZËS SHQIPTARE

December 9, 2023 by s p

Edith Durham 1863-1944/

(Në 160-vjetorin e lindjes)

Ngjarjet e zhvilluara gjatë periudhës së lavdishme të Rilindjës Kombëtare Shqiptare kanë zgjuar kurreshtjen e personaliteteve të huaja për të vizituar viset shqiptare. Trajtimi i çështjeve përkatëse për shqiptarët dhe Shqipërinë ishin në qendër të vëmendjes së artikujve dhe botimeve të tyre në qendrat e ndryshme evropiane. Falë angazhimit të tyre bota evropiane u senzibilizua dukshëm për çështjen shqiptare jo si çështje ballkanike por evropiane.

Nga plejada e atyre personaliteteve që vizituan shqiptarët dhe Shqipërinë nuk ka dilemë së vend nderi zë anglezja zonja Edith Durhami (1863-1944). Ajo ishte një udhëtare, artiste, publiciste, shkrimtare dhe një antropologe e njohur në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX.

Nail Draga

Edith Durhami ishte më e madhja nga 8 fëmijët. Babai i saj Arthur Eduard Durham ishte një kirurg i njohur në Londër. Edukimin e mori në mënyrë private dhe nga mosha e re shfaqi talent në art, duke i bërë të mundur pjesëmarrjen në Akademinë Mbretërore të Arteve. Por, jeta e saj kishte sfida të mëdha , sepse pas vdekjes së babait asaj iu desh të kujdesej vite më radhë për nënën e sëmurë. E këshilluar nga mjekët në moshën 37 vjeçare, ajo ndërmori një pushim jashtë vendit për t’u qetësuar e relaksuar. Nga Triesta me një anije të Llojdit austriak gjatë Adriatikut udhtoi për në Kotor, duke u sistemuar përfundimisht në Cetinë të Malit të Zi, në gusht të vitit 1900. Ishte pikërisht ky udhtim, shkruan më vonë Durham ”kur zura për herë të parë një fill të lëmshit ballkanik, pa kuptuar se sa thellë do të ngatërrohesha më vonë dhe, aq më pak, se si ky lëmsh do të mplekste më në fund të gjithë botën”.

Vizita e parë në Shqipëri

Pas qëndrimit disamujor këtu, ajo në vitin 1901, viziton për herë të parë Shqipërinë, dhe shkruan se “ u mahnita nga energjia dhe origjinaliteti i popullit shqiptar”. Këtu u vendos në qytetin e Shkodrës, ku më pas do të shkruante se“Shkodra më bëri për vete. Kish ngjyrë, jetë, art. Banorët ishin miqësorë dhe të aftë dhe nuk e kalonin kohën duke pirë raki apo duke u sorollatur poshtë e përpjetë rrugëve, si në Cetinë. Kishte mbi vete diçka të njerëzishme”.

Këtu u vendos në shtëpinë e Mark Shantojës i cili më pas u bë shoqëruesi i saj në udhëtimet në viset e Veriut shqiptar. Gjatë këtyre udhtimeve ajo mblodhi dhe shënoi ngjarjet dhe histortitë dhe fotografoi nga afër pothuaj çdo aspekt të jetës në fshatrat malore, duke grumbulluar një arkiv të pasur nga trashëgimia kulturore shqiptare.

E përkushtuar për çështjen shqiptare

Pas Luftës së Parë Botërore ajo u kthye në Londër, ndërsa në vitin 1918 u bë sekretarja e Shoqatës Angli-Shqipëri, themeluar më parë nga Aubrey Herbert në Londër, e cila mbronte të drejtat e shqiptarëve. Përpjekjet e saja më pas ishin në atë që Shqipëria të njihej nga Lidhja e Kombëve në vitin 1920. Si mike e dëshmuar e shqiptarëve deri në vdekje i qëndroi besnike kauzës shqiptare. Kur Shqipëria u pushtua nga fashistat italianë në vitin 1939, edhe pse ishte 76 vjeçare doli në rrugët e Londrës duke mbajtur në duar pankartën ku shkruhej “Larg duart nga Shqipëria”. Vdiq në Londër në moshën 81 vjeçare, me 15 nëntor 1944.

Në saje të shkrimeve publicistike dhe botimeve të veçanta ajo mori një famë të madhe. Gjatë punës së vet prej një çerek shekulli, ajo lexuesit anglez i pat dhuruar këto vepra: “Nëpër tokat e serbëve” (1904). “Brenga e Ballkanit” (1905), “Shqipëria e Epërme” (1909), “Lufta për Shkodrën” (1914), “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike” (1920) dhe “Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve” (1928) etj.

Nga opusi i saj botues gjashtë libra trajtojnë pothuaj tërësisht çështjen shqiptare. Madje botimet e saja edhe sot e kësaj dite janë një udhërrëfyes i mirë i kulturës dhe trashëgimisë kulturore të malësorëve në veçanti e Shqipërisë Veriore në përgjithësi.

Ndonëse ajo u paraqit rastësisht në këtë regjion, ajo çështjeve ballkanike në përgjithësi, e atyre shqiptare në veçanti, iu qas me një pasion e objektivitet të rrallë, duke dhënë përfundime të qëndrueshme shkencore.

Duke lexuar veprat e Durhamit shqiptarët dhe të huajt do të mësojnë shumë të vërteta nga historia e tyre, më shumë të dhëna për kombin, për trashëgëminë kulturore, për qëndrimet e sjelljet e fqinjëve dhe Fuqive të Mëdha në fillim të shek. XX. Si të tilla ata janë referenca të domosdoshme për studiuesit e profileve të ndryshme shkencore.

Pasi në mënyrë të përafërt u njoh me popullin tonë ajo u bë, jo vetëm dashamire e shpirtit dhe e kulturës së tij, jo vetëm një përshkruese dhe studiuese e traditave dhe e ngjarjeve të tij, jo vetëm një zëdhënëse e të drejtave legjitime të popullit shqiptar, por edhe pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë e ngjarjeve si kroniste besnike e tyre, me një fjalë u bë një luftëtare e denjë e çështjes shqiptare.

Me qëllime të caktuara për të nënvlerësuar krijimtarinë e saj disa pseudoshkencëtarë e quajnë atë si shqiptarofile e me epitete të tjera nga i vetmi mëkat që “kishte” sepse ushqente simpati e ndjenja të sinqerta ndaj popullit shqiptar duke u vënë në mbrojtje të së vërtetës dhe të kauzës shqiptare. Ajo vërtet ishte pro-shqiptare por nuk ishte armiqësore me popujt serb e malazez, por ishte kundër politikës së tyre pushtuese ndaj trojeve shqiptare. Sa ishte gjallë epiteteve të tilla kurrë nuk iu përgjigj, përkundrazi, miqësinë me popullin shqiptar e konsideronte një fat të madh, që e bënte krenare dhe të lumtur. Rrallë mund të gjenden raste analoge të një përkushtimi të tillë ndaj fateve të një populli mik.

Intelektuale e guximshme

Edith Durhami ishte parimore e mbi të gjitha guximtare. Ajo nuk kishte paragjykime ndaj popujve të tjerë ballkanikë, por i gjykonte çështjet më drejtësi. Por, duke qëndruar dhe hulumtuar në regjionin e Ballkanit i cili popullohej nga sllavët dhe shqiptarët arriti të kuptonte shumë mirë intrigat, prapaskenat dhe veprimet djallëzore të serbëve dhe malazezëve ndaj shqiptarëve.

Pikërisht duke qenë dëshmitare okulare e skenave kriminale edhe pse ishte dekoruar nga knjazi i Malit të Zi Nikolla në vitin 1907, duke parë veprimet dhe krimet e ushtrisë së tij ndaj shqiptarëve në vitet 1912/13 dhe luftërat e tyre pushtuese në viset shqiptare, pati guximin për t’ia kthyer dekoratën. Ishte ky një guxim i rrallë dhe veprim dinjitoz i një personaliteti me karakter që duhet t’ia kenë pasur zili të tjerët, në atë kohë por edhe më vonë.

Duke parë angazhimin dhe kontributin e saj në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, Mit’hat Frashëri, që në vitin 1914 në gazetën “Liri e Shqipërisë” shkruante: “Miss Durhamit, shkrimtares angleze, duhet t’i shprehim mirënjohjen më të madhe dhe t’i blejmë një penë të florinjtë për të mirat që ka bërë ndaj Shqipërisë”.

Dekorohet nga Mbreti i Shqiptarëve

Angazhimi i saj personal ndaj çështjës shqiptare është vlerësuar nga Mbreti i Shqiptarëve ZOGU I i cili e ka dekoruar më Urdhërin e Skënderbeut, me dekretin e datës 28. 12. 1928, që është publikuar në Fletorën zyrtare nr. 1 të datës 9 janar 1929.

Pas rënies së diktaturës dhe miratimit të pluralizmit në Shqipëri nga viti 1992 e më pas, në Shqipëri kanë filluar të botohen veprat e Edit Durhamit, të plota pa censurë si në kohën e diktaturës. Duhet cekur me ketë rast punën plot pasion e profesionalizëm të Shtëpive botuese si ARGETA –LMG, Camaj-Pipaj, Arbëria, Dituria etj. në botimin e veprave të Durhamit të plota të përkthyera në shqip.

Botime kushtuar Durhamit

Veprimtaria e saj hulumtuese e botuese ka qenë nxitje nga autoritete të ndryshme shkencore e kulturore, ku i janë kushtuar artikuj, studime e botime të veçanta. Gamës së këtyre botimeve bëjnë pjesë: Afrim Q.Karagjozi, Mary Edith Durham,Tiranë, 2012, Medina Çoba, Mary Edith Durham dhe shqiptarët, Tetovë, 2014,Marcus Tanner, Mbtertërësha e Malësisë-Edith Durham dhe Ballkani, Prishtinë, 2017 etj.

Duke analizuar jetën dhe veprimtarinë e zonjës Durham del qartë se ajo ishte grua e fortë, me kurajë, energjike, e dhënë pas aventurës, të shkruarit dhe pikturës. Pra, ishte një grua ndryshe nga të tjerat. Në vend të jetës së qetë dhe angazhimeve artistike ajo zgjodhi të kundërtën, sepse jeta e saj nga koha kur la Anglinë, mori tjetër kthesë. Për 20 vite ajo udhtoi në Ballkan. Punoi duke mbledhur material, shkruar e pikturuar. Mblodhi foklorin dhe trashëgiminë kulturore të zonave ku qendroi. Ajo iu përkushtua tërësisht çështjes shqiptare. Kudo ku qëndroi në viset shqiptare u mirëprit nga malësorët shqiptarë duke mos pasur asnjë keqtrajtim edhe pse ishte një femër e vetme, andaj me të drejtë e quajtën me titullin honorifik “Mbretëresha e Malësorëve”.

Në ditët e sotme dokumentet e saj mbahen në Muzeumin e njerëzimit (Museum of Mankind) dhe Instituti Mbretëror Antropolgjik (The Royal Anthropological Institute) në Londër, ndërsa koleksioni me bizhuteri të grumbulluara në Ballkan ndodhen në Muzeumin e Oksfordit dhe atë të Halifaksit. Po ashtu edhe Muzeumi Banfield ka një monstër prezentative rreth jetës dhe veprimtarisë së saj.

Shtatorja që mungon në Shkodër

Në nderim të emrit të saj në Shqipëri, përkatësisht në Tiranë, Shkodër e Koplik, emrin e saj e mbajnë rrugë, shkolla dhe një subjekt kulturor. Por për mbeshtetjen që i ka dhënë popullit shqiptar jam i mendimit se ajo meriton që në Shkodër t’i vendoset jo busti por një shtatore monumentale. Mbetet në nderin e bashkisë së këtij qyteti që të marrin një nismë të tillë, sepse duke nderuar zonjën Durham nderojmë vetveten.

Pamje nga Ulqini punuar nga Edith Durham(1908)

Në Ulqin një rrugë më emrin e saj

Pasi ajo ishte e pranishme edhe në Ulqin, ku në shkrimet e saja disa herë e ka trajtuar edhe Ulqinin, madje ka pikturuar edhe një rrugë në këtë qytet në drejtim të Ranës e Kalasë, ka qenë motiv i mjaftueshëm që një rrugë të emërtohet me emrin e saj, propozim që është miratuar nga Kuvendi i Komunës së Ulqinit më 20.7 2015. Ishte ky një kontribut modest i yni, për të nderuar jetën dhe veprimtarinë e saj, si veprohet kudo në mjediset e qytetëruara.

Përfundim

Dhe në fund më rastin e 160-vjetorit të lindjës së saj ky shkrim kushtuar zonjës Edith Durham le të jetë një homazh për këtë antropologe të shquar sepse ajo meriton të nderohet dhe përkujtohet në çdo kohë, me e pa shkas, sepse vepra e saj shumëdimensionale dëshmon përkushtimin jetësor ndaj kauzës kombëtare shqiptare dhe si e tillë meriton plotësisht mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve.

(Nentor 2023)

Filed Under: Opinion

Nënë Tereza, shenjtorja dhe kombi i saj – nga Tine Van Osselaer

December 9, 2023 by s p

RECENSË LIBRI – Përktheu Arben Çokaj/

Mother Teresa. the Saint and her nation, Gëzim Alpion Bloomsbury, New Delhi, London, Oxford, New York, Sydney, 2020, 284 pp., £85 (hardback), ISBN: 978-93- 89165-05-0

[ Marrë nga versioni në anglisht, me leje të autorit të librit ]

Studimi mbresëlënës i pasur i Gëzim Alpion për Nënë Terezën merr një trajtim disi befasues, pasi e diskuton shenjtoren kryesisht në mungesë: vetëm në kapitujt e fundit shenjtorja nga Kalkuta merr skenën qendrore. Në pjesën e parë të librit fokusi është kryesisht tek populli shqiptar dhe tek familja e Gonxhe Bojaxhiut, siç njihej në rininë e saj.

Kjo taktikë origjinale i ofron lexuesit një pamje të shtresuar të fitueses së çmimit Nobel. Kapitujt shmangin me mjeshtëri një pikëpamje reduksioniste dhe veprimet e Nënë Terezës nuk paraqiten kurrë vetëm si rezultat i prejardhjes së saj familjare apo historisë shqiptare.

Përkundrazi, duke eksploruar këtë sfond, lexuesit mbledhin informacion që i ndihmon ata të kuptojnë më mirë disa nga veprimet dhe qëndrimet e Nënë Terezës. Si një heroinë shpirtërore dhe një personazh i famshëm, kështu shkruan Alpion, ajo është ‘produkt i një zinxhiri kompleks rrethanash personale, brenda-kombëtare, kombëtare dhe ndërkombëtare’ (f.1).

Duke mbuluar shekuj të historisë shqiptare, libri diskuton hyrjen (dhe sukseset) e hershme të krishterimit në këto rajone deri në shekullin e njëzetë e një marrëdhënie jo paprobleme midis Selisë së Shenjtë dhe katolikëve shqiptarë. Në pjesën e parë, Alpion skicon me vija të gjera, por me sy për detaje, historinë shqiptare nga lashtësia ilire deri në epokën postmoderne.

Në pjesën e dytë, ai përdor informacionin që dha në kapitujt e mëparshëm si kanavacë për të pikturuar portretet e brezave të ndryshëm të familjes së ngushtë të Nënë Terezës. Në këtë mënyrë ai reflekton mbi ndikimin e tyre në vendimin e saj për të hyrë në jetën fetare dhe zgjedhjen e shërbesës.

Për ta bërë këtë, ai nuk i përmbahet thjesht burimeve të shkruara ose gojore, por eksploron mbetje materiale (shtëpia e familjes që u shkatërrua nga serbët, ‘duke zhdukur një objekt që lidhet me paraardhësit e yllit në rritje të katolicizmit romak‘, f.99). , burime vizuale (filmi kostumet dhe ambientet e të cilit injoruan të pasmet e saj shqiptare dhe katolike terren) madje edhe emrat e anëtarëve të familjes (Gonxhe/‘Rosebud’, emër shqip si referencë për entuziazmin atdhetar të asaj kohe, f.74). Në pjesën e tretë, ai trajton marrëdhëniet e Nënë Terezës me Selinë e Shenjtë dhe me kombin shqiptar.

Si lexues mësojmë të ngjyrosim pikëpamjen e shqiptarëve si ekskluzivisht ‘myslimanë’, siç dëgjojmë për rrënjët dhe betejat e tyre ilire nën Perandorinë Osmane dhe regjimin komunist. Krishterimi mbijetoi me gjithë përpjekjet për çrrënjosje nga pushtuesit sllavë dhe osmanë) dhe kjo, sipas Alpion, falë ‘vendosmërisë së shqiptarëve të zakonshëm për të ruajtur besimin e tyre të lashtë dhe përkushtimit të bashkatdhetarëve të tyre që kishin hyrë në jetën fetare‘ (f. .46).

Gjatë gjithë librit, lexuesit ndjekin shqiptarët katolikë në Kosovë, Maqedoni dhe Egjipt dhe njihen me qëndrimin e tyre të qetë, jo të pakuptimtë, pragmatik ndaj fesë (f. 71: ‘Si shumica e bashkatdhetarëve të tyre, pavarësisht nëse i përmbahen krishterimit ortodoks apo islamit, besimtarët katolikë në mesin e shqiptarëve nuk e kanë pasur kurrë prioritet identitetin e tyre fetar mbi identitetin e tyre kombëtar‘, f.206: ‘asnjë besim nuk ka qenë kurrë arsyeja e ekzistencës së tyre apo shënuesi kryesor i identitetit të tyre‘).

Alpion zbulon pjesë të jetës së Nënë Terezës, që deri më tani kanë mbetur të panjohura (p.sh. duke gjurmuar historinë e mbesës së saj Filomena, duke identifikuar gjyshin e saj nga babai dhe duke përshkruar gjakmarrjen në të cilën mund të ishte përfshirë një nga paraardhësit e saj). Ai reflekton mbi arsyet se përse disa elementë mund të jenë filtruar nga imazhi publik i shenjtores (‘përpjekjet për të “sanitizuar” dhe “mbrojtur” imazhin e saj” f.99) dhe diskuton shkaqet e ndryshme, për të cilat Nënë Tereza është përdorur (në mënyrë të pavullnetshme).

Ai tregon për shembull se si përpjekjet për të rritur ‘kredencialet patriotike’ të saj dhe të familjes së saj, filluan pasi ajo mori Çmimin Nobel për Paqen (1979) dhe kanë vazhduar që atëherë. Sipas mendimit të tij, qëllimi pas përpjekjeve ishte ‘paraqitja e Nënë Terezës si një heroinë shqiptare, që rridhte nga paraardhës që ishin flijuar vazhdimisht për besimin dhe atdheun‘ (f.90). Në të njëjtën kohë, ‘përpjekjet u intensifikuan ta mohojnë fare prejardhjen e saj shqiptare dhe ta paraqesin kryesisht si sllave’ (f. 119).

Vetë Nënë Tereza, siç na bën me dije Alpion, ‘ka pushuar së shikuari veten në terma etno-raciale menjëherë sapo ajo e vuri zakonin e murgeshës’ (f.183). As vendimi i saj për të hyrë në një jetë fetare, as vendimi i saj për të themeluar Misionarët e Bamirësisë nuk ishin ‘frymëzuar nga ndonjë qëllim për t’u shërbyer bashkëqytetarëve të saj shqiptarë, të cilët, rastësisht, kishin nevojë për sa më shumë ndihmë në vazhdën e Luftës së Dytë Botërore‘ (f. 186).

Ky qëndrim pa komente, dhe refuzimi i saj për të biseduar në shqip, mund të ketë të bëjë me lidhjen e saj me vdekjen e papritur të babait të saj Nikollës në vitin 1919, për veprimtarinë e tij si avokat i çështjes kombëtare shqiptare dhe gjuhës amtare (f. 170).

‘(H)istori-bërësit si Nënë Tereza nuk vijnë nga askund’, thekson Alpion (fq.205). Siç tregon libri i tij, ka shumë për të fituar duke shkuar përtej përvojave dhe rrethanave personale. Përshkrimi i historisë shekullore shqiptare dhe zhytjet në sfondin familjar ndihmuan për të krijuar një pamje më komplekse sesa “pastrimi” i imazhit të shenjtë të Nënë Terezës.

Do të ishte e dobishme një pemë familjare dhe një hartë me vendet më të rëndësishme për ta ndihmuar lexuesin në mbajtjen e një pasqyre, por nga ana tjetër, këto janë lëshime të vogla për një libër jashtëzakonisht i pasur.

Deklarata e zbulimit

Asnjë konflikt i mundshëm interesi nuk u raportua nga autori(ët).

Shënime për kontribuesen

Tine Van Osselaer është profesoreshë e asociuar në historinë e spiritualitetit, përkushtimit dhe misticizmit në Institutin Ruusbroec. Hulumtimi i saj fokusohet në fenë dhe gjininë, fenë dhe mjekësinë, historia e emocioneve dhe, së fundmi, ndërmjetësimi i fesë dhe historia e dhimbjes. Ajo ishte hetuesja kryesore e “Midis shenjtorëve dhe të famshëmve. Te përkushtimi dhe promovimi i stigmatikës në Evropë, rreth 1800-1950” (Granti Fillestar ERC) dhe aktualisht mbikëqyr projektet mbi perceptimet katolike të dhimbjes (FWO/FWF) dhe mbi jetët e kufomat fetare (FWO/SNF).

Tine Van Osselaer

tine.vanosselaer@uantwerpen.be

Marrë nga: fjala.info

May be an image of 1 person and text

Filed Under: ESSE

Kryeministri Kurti takoi në Berlin, Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz

December 9, 2023 by s p

Prishtinë, 9 dhjetor 2023/

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi në Berlin, Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz.

Në takimin që u zhvillua në kuadër të Kongresit të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), kryeministri Kurti dhe kancelari Scholz diskutuan mbi marrëdhëniet e forta dhe të shkëlqyeshme dypalëshe, rëndësinë e intergrimit në Bashkimin Evropian të Republikës së Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, dhe vizionin e përbashkët si socialdemokrat për zhvillim, drejtësi sociale dhe mirëqenie në të dy vendet.

Kryeministri Kurti shprehu edhe në këtë rast mirënjohjen dhe falënderimin e tij për rolin e rëndësishëm dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për popullin dhe Republikën e Kosovës.

Ky ishte takimi i dytë bilateral ndërmjet kryeministrit Kurti dhe kancelarit gjerman Scholz këtë vit, nga katër gjithsej në dy vitet e fundit.

Filed Under: Politike

Njoftim për mediat, publikun dhe anëtarët e VATRËS: Nuk ka takim nesër te Vatra

December 8, 2023 by s p

Në përgjigje të keqinformimit të përhapur në platforma të ndryshme si dhe media sociale në lidhje me një takim në selinë e VATRËS në Nju Jork më 9 dhjetor 2023, në orën 1 pm Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA njofton se NUK KA TAKIM të planifikuar në VATËR në këtë ditë.

Siç e dini, takimet zyrtare në Vatër shpallën eksluzivisht nga Kryetari, Kryesia apo Sekretari i VATRËS dhe ato publikohen në Gazetën Dielli.

Mirëupafshim në takimin e rrallës për të cilin do t’iu informojmë së shpejti në gazetën Dielli.

Me respekt

Kryetari i VATRËS

Elmi Berisha

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT