• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2023

VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI EKREM BARDHËS PËR HUMBJEN E BASHKËSHORTES

December 29, 2023 by s p

E nderuar familja Bardha

Shumë i dashur dhe i nderuar miku ynë i çmuar Ekrem

Me keqardhje mësova lajmin e largimit nga jeta tokësore të bashkëshortes suaj të shtrenjtë Lumteri “Lydia” Bardha.

Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, në emër të të gjithë vatranëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të sinqerta për humbjen e bashkëshortes suaj të dashur.

Të gjithë bashkë si vatranë e shqiptaro-amerikanë jemi pranë jush e mbarë familjes Bardha në këto momente trishtimi, zie e lamtumire.

Lusim Zotin për shpirtin e bashkëshortes suaj të ndjerë.

Pushoftë në paqe e përjetësi.

I pikëlluar

Pranë jush dhe me nderime

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

Filed Under: Vatra

Hoxha: Në operacionin e Banjskës i mposhtëm terroristët dhe Serbinë

December 29, 2023 by s p

Emine Hoti | RTKlive/

Sfidat dhe sukseset gjatë vitit 2023 ishin temë e bisedës me drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në magazinën “Info Plus” në RTK. Ai ka thënë se gjatë këtij viti Policia e Kosovës ka qenë goxha shumë e ngarkuar, me shumë aksione, operacione e aktivitete gjithandej Kosovës, por në veçanti në veriun e vendit.

“Sot mund të themi se kemi më shumë rend dhe ligj, më shumë siguri në të gjithë territorin e Kosovës, por në veçanti në veriun e Kosovës”, ka theksuar Hoxha.

Ai ka veçuar disa prej operacioneve më të suksesshme të policisë në vitin 2023, siç janë operacioni për asistimin e kryetarëve të zgjedhur nëpër zyrat komunale në veri të vendit, mandej menaxhimi i situatës në sulmin e bandave serbe që ndodhi ndaj ushtarëve të KFOR-it më datën 29 maj në Zveçan.

“Edhe pse edhe ne kemi qenë cak i sulmeve, kemi arritur të kalojmë pa ndonjë dëm serioz ndaj policëve tanë, edhe pse ka pasur policë të lënduar e mjete të dëmtuara. Mandej një situatë e rëndë që kemi kaluar gjatë këtij viti ka qenë kidnapimi i tre policëve tanë nga forcat policore serbe më datën 14 qershor”, ka thënë Hoxha.

Ai më tej është ndalur tek puna e kurorëzuar me sukses në operacionet e fundit, sidomos me operacionin e Banjskës, ku Policia e Kosovës arriti ta zmbraps një sulm mirë të organizuar nga grupi kriminal terrorist i udhëhequr nga Milan Radojçiq, e i cili ishte planifikuar, mbështetur dhe trajnuar nga Serbia.“Një grup ky kriminal terrorist, i cili kishte shumëfish më tepër armatime e municione dhe pajisje tjera, duke tentuar të krijojë një realitet të ri në vendin tonë, mirëpo ne me profesionalizëm e me racionalizëm dhe me operacione goxha të mirëplanifikuara kemi arritur që këtë tentativë të Serbisë dhe këtij grupi terrorist ta zmprasim dhe t’i mësojmë se Kosova si shtet, ne si polici dhe gjithë vendi ynë të ketë një situatë më të qetë të sigurisë dhe po ashtu të kemi një situatë politike komplet tjetër”, ka theksuar Hoxha.

Ai ka thënë se përmes këtij operacioni është arritur që operativisht e ushtarakisht të mundet grupi kriminal terrorist, e në këtë rast edhe ata që i kanë mbështetur, e që ishte shteti serb.

“Kemi arritur edhe diplomatikisht ta mundim Serbinë dhe po ashtu në aspektin propagandistik Kosova ka fituar një betejë të madhe që është zhvilluar kundër saj dhe komplet faktori ndërkombëtar e ka kuptuar se çfarë kërcënimi kanë përbërë këto grupe”, ka shtuar Hoxha, transmeton RTKlive.

Duke folur për mundësinë e rritjes së pagave të policëve, sidomos të njësisë elitare, ai tha se po punojnë bashkë me ministrinë e Punëve të Brendshme që t’i adresojnë ankesat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

“Jemi takuar disa herë me ministrin e Punëve të Brendshme, po ashtu eprorët e kësaj njësie dhe të Policisë së Kosovës janë takuar edhe me kryeministrin e Kosovës dhe po shpresojmë që gjatë vitit 2024 të gjejmë modalitete dhe mundësi se si mund të adresohen kërkesat e policëve tanë për kushte më të mira të punës, për paga më të mira, që ata të jenë të motivuar për t’i kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tona që kemi ndaj vendit”, ka nënvizuar Hoxha.

Ai ka shprehur shpresën se do të ketë adresim të të gjitha kërkesave që janë bërë, por se do të shihen edhe mundësitë buxhetore për t’u plotësuar ato.

Filed Under: Rajon

LE QUOTIDIEN (1923) / MARTESA “ME QIRA” E FEMRAVE SHQIPTARE ËSHTË VETËM NJË LEGJENDË — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME XHEMIL BEJ DINON NË PARIS

December 29, 2023 by s p


Xhemil Bej Dino (1894 – 1972)
Xhemil Bej Dino (1894 – 1972)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 29 Dhjetor 2023

“Le Quotidien” ka botuar, të premten e 27 korrikut 1923, në faqen n°2, një shkrim rreth një legjende që përflitej asokohe në Paris mbi martesën “me qira” të  grave shqiptare, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Martesa “me qira” e femrave shqiptare është vetëm një legjendë

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Në Shqipëri mund të martohesh “për një vit”! Kështu na siguroi një shkresë e fundit që raportonte fundin tragjik të një gruaje të re, e vrarë nga i shoqi për arsye xhelozie të tepërt, një shqiptar që ishte martuar me të për një vit “me kontratë”.

Xhelozia dhe vrasja fatkeqësisht gjenden në të gjitha vendet. Por martesa me afat është sigurisht diçka e re – ose të paktën një ide e re që ndoshta traditat e vjetra të Lindjes na sjellin.

Unë doja detaje. Kështu shkova të gjej të ngarkuarin me punë të Shqipërisë në Paris, zotin Xhemil bej Dino. Por legjenda u shpërbë menjëherë.

Martesa “me qira” nuk njihet nga ligji shqiptar. Ajo që është e vërtetë është se krahas martesës së krishterë të pandryshueshme dhe të pandreqshme, ashtu si tek ne, ekzistonte deri në vitet e fundit, për popullsinë myslimane, legjislacioni turk, i cili lejonte një divorc të lehtë të pranuar nga palët, data e të cilit mund të caktohej paraprakisht pa rrezikun e një kundërshtimi. Por e gjithë kjo nuk është më vetëm temë e romaneve.

Fryma moderne fryn nëpër malet e Shqipërisë. Republika e re dëshironte një Kod të stilit francez dhe martesa civile, tashmë e detyrueshme, është po aq solemne dhe plot angazhime të përjetshme sa në bashkinë më pariziane.

Z. Xhemil Bej Dino i buzëqesh naivitetit me të cilin ne mirëpresim në Francë thashethemet më fantastike për zakonet e këtyre vendeve lindore, të cilat më shumë magjepsin imagjinatën tonë sesa tërheqin vëmendjen tonë serioze.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“Vendi ynë, më siguron ai, është tashmë krejtësisht perëndimor dhe i modernizuar si një reagim kundër dominimit turk që na ka kacafytur prej kaq kohësh.

Mësuesit tanë së shpejti do të kenë futur kudo kulturën evropiane. Nuk do të ketë asnjë fshat të vogël pa shkollën e tij. Mësuesit janë më të paguarit nga të gjithë nëpunësit tanë civilë. (Kjo, të paktën, nuk është kopjuar nga zakonet perëndimore!)

Ne kemi një gjimnaz në Korçë dhe disa shkolla profesionale në lulëzim.

Raca është e zgjuar, aktive. Nuk jam unë ai që e pohon këtë, kërkon ndjesë z. Xhemil bej Dino, është z. De Pourtalès që ka ardhur për të deklaruar në Lidhjen e Kombeve se në shkollën e Tiranës 70 % e nxënësve janë mbi nivelin e fëmijëve të të njëjtës moshë të shkollave amerikane.

Ne jemi ndonjëherë më demokratë se ju, më thotë sërish z. Xhemil bej Dino. Në shkollat tona të arsimit të ulët të cilat janë pothuajse falas, por me vende të kufizuara, fëmijët e prindërve të varfër kanë të drejta prioritare. Në fakt besohet se familjet e pasura mund t’i dërgojnë djemtë e tyre për të studiuar jashtë vendit.”

Tani pres që në një vend kaq të etur për të qenë në krye të gjithçkaje, gratë mund të jenë gjyqtare, ambasadore, ministre.

Të themi të vërtetën, feminizmi shqiptar, i mbushur me hijeshi orientale, më shumë pasqyron respektin që gëzojnë femrat atje sesa shpall dëshirën për të njohur barazinë e gjinive.

Megjithatë, z. Xhemil Bej Dino më siguron se nëse ndonjë grua do të kërkonte të drejtën e votës në emër të një numri të madh të grave shqiptare, Asambleja Kushtetuese “me kënaqësi do t’ia akordonte”.

Dhe asgjë më e mirë se kjo deklaratë nuk pasqyron përzierjen kurioze që ndërthur, në këtë vend misterioz, ndikimin e traditave orientale dhe guximin e një brezi të ri krenar për ndërtimin kaq të shpejtë të institucioneve moderne dhe i etur për progres. — H.B.

Filed Under: Reportazh

VRASJA PAS SHPINE E UDHËHEQËSIT DIBRAN TË DEMOKRACISË

December 29, 2023 by s p

Nga Abdurahim Ashiku/



ME RASTIN E 99 VJETORIT TË VRASJES

Një shkrim imi vite më parë…
Një portret historik nga Haki Stërmilli në librin në dorëshkrim “Dibra në prag të historisë”.
Dhe një portret luftarak për demokratin e madh dibran nga historiani Kristo Frashëri në “Historia e Dibrës”…

*                 *                 *

“GJENERALIN ME SHAJAK”  ELEZ  ISUFIN  E VRAU PLUMBI I ANTIDEMOKRACISË

Ai hyri në odën e madhe të kujtesës popullore dhe bëri “kryevend”.
Për të thuhet se “qe një burrë dibran me karakter të shqiptarëve të hershëm e me atdhedashurinë e fortë që nuk iu përkul as forcës brutale e as arit të huaj. Ai ishte një trim e mendar, ndër të parët patriotë të maleve tona e me Islam Spahinë e Lumës e Bajram Currin e Kosovës përbajshin një trini pleqsh dhe të papërkulshëm me karakter çelikut e që mendërisht e materialisht kishin mbajt ballinën e fortë nacionale”. Për kë janë këto fjalë që gazeta “Liria Kombëtare” na i përcjell për ti dhënë në ballinën e kohës? Janë për trimin dibran Elez Isufin.
– Mendoj që bjeshkët e Sharrit t’i mbeten Serbisë, – i tha në ’13-tën në një bisedë një diplomat anglez.
– Shqipnia nuk asht çifligu em, prandaj kte fjalë  mos ma ze ma me gojë se prishemi, – i tha Elez Isufi. Elez Isuf Ndreu lindi në Dardhë të Dibrës. Dita kur vdiq është fiksuar në dy momente:
17 dhjetori kur mori plumbin e antidemokracisë dhe 29 dhjetori 1924 kur në kullën e tije në Sllovë pushoi zemra e tij. Pesë ditë më parë, më 24 dhjetor 1924, në Tiranë kishte pushuar zemra e demokracisë së madhe shqiptare, që në historinë e popullit tonë njihet  me emrin “Revolucioni i Qershorit 1924”. Protagonist në rrjedhë të ngjarjeve që çuan në fitoren e këtij momenti të rëndësishëm demokratik ishte edhe Elez Isufi. Në mbrojtje të tij ai fali jetën. Në rrjedhën e 63 vjetëve të jetës së tij ka shumë kulme, njeri më i lartë se tjetri, njeri më trimëror se tjetri. Ishte i pa shkollë, por Oda Dibrane, auditor i “Universitetit të Dibrës” dhe fusha e luftës do ta pajisin me dijet e një universitari dhe trimërinë e strategjinë e një gjenerali. Për të parën historia do të gdhendte në kujtesën e popullit fjalën e tij të urtë që ndante kanune, shëronte plagë e afronte njerëz. Për të dytën, trimërinë e pashoqe, populli do ti jepte gradën e madhe “Gjenerali me Shajak”.
Imperatori i Austro – Hungarisë më 17 dhjetor 1917 në një takim të veçantë do ti jepte, me një dekret të posaçëm, urdhrin “Franc Jozef Orden”, dekorata më e lartë që u jepej në atë kohë gjeneralëve e strategëve. Urdhrat dhe duqit me florinj, fjalët e bukura dhe premtimet nuk do ta joshnin kurrë këtë burrë të maleve të Dibrës, këtë gjeneral të shquar të luftës për liri e demokraci. Ai do të përgatiste fitoren historike të shpalljes, mbrojtjes e konsolidimit të Pavarësisë të 28 Nëntorit 1912. Më 22 shtator 1913, në kryengritjen e madhe popullore të Dibranëve kundër pushtimit serb pushka dhe thirrja “Besa-besë” do të jehonte në Dibër e Lumë për tu përcjellë më pas në momente të tjera të historisë së kësaj treve, në shpartallimin e forcave serbe në shtatorin 1913, në kryengritjen e 16 gushtit 1920, në përballimin e rrebeshit serb më 1920-1921, në konsolidimin e pavarësisë kombëtare dhe në ruajtjen e tërësisë tokësore të atdheut.
Kontribut të shquar dha Elez Isufi në organizimin e lëvizjes së madhe 1922 e në veçanti në revolucionin demokratik të vitit 1924. Ai u bë mbështetës me fjalë dhe me armë i qarqeve politike progresive të kohës të kryesuar nga Fan Noli, Bajram Curri e shokë të tjerë. Me idealet e demokracisë në zemër, Elez Isufi luftoi derisa u vra në luftë për mbrojtjen e demokracisë nga kundërrevolucioni i dhjetorit 1924.
Jeta dhe vepra e Elez Isufit nderon kombin tonë. Populli e nderoi gjithnjë ndonëse propozimet që Elez Isufi të shpallej “Hero i popullit” kanë ndeshnë vesh të shurdhër në piramidën e lartë shtetërore. Emri i tij duhet të ngrihet në lartësinë që i takon pa asnjë vonesë, ndërkohë që propaganda për elektorat me figurën e Elez Isufit është një abuzim historik. Jeta dhe vepra e tij janë një mesazh qëndrimi mbarëkombëtar pa dallime partiake e bindjesh ideologjike.

NË NA NGUCSHI TEPËR QENKA THANË QË NE TË MBETEMI PA SHTËPIA E JU PA KOKA.

Elez Isufi i përshkruar nga shkrimtari demokrat Haki Stërmilli – dëshmitar i kohës. Eles Isuf  Ndreu leu më 1861 në katundin Dardhë të Dibrës.
Në qershor të vitit 1912 Elezi u bashkue me kryengritsat që u tërhoqën nëpër male  për me kërkue e sigurue të drejtat kombëtare shqiptare.
Me fuqina të konsiderueshme  që udhëhiqte muer pjesë në të gjitha kryengritjet e bame në Dibër kundër serbëve, më 1912, më 1913, më 1916 dhe më 1920.
Në fillim të vitit 1916, kur ushtritë serbe ikshin për Itali, Elezi i mësyni dhe, në luftën që u zhvillue në Qafë të Trojakut, i shpartalloi duke u shkaktue dëme të mëdha në njerëz e material. Për kët shkak, ma vonë, Austriakët e nderuen Elezin tue i dhanë dekoratën “Franc Joseph Orden”
Mbas humbjes së ushtrisë Austro-Hungareze e kthimit të serbëve më 1918, serbët i propozuen Elezit që të bahesh komandant i fuqive mercenare qysh nga Ura e Spiles e deri tek Ura e Vezirit, por ai s’pranoi. Propozime të ndryshme iu banë dhe shpërblime të mëdha iu premtuen Elezit prej Sërbëve, por ai i refuzoi të gjitha. Në një bisedim që pat me nëpunësin politik të Sërbisë Nikollën, i tha Elezi: “Në na ngucshi tepër qenka thanë që ne të mbetemi pa shtëpia e ju pa koka”.
Mbas këtij kuvendi Sërbët rishtazi iu kërcënuen Elezit tue sjellë fuqina të mëdha afër shtëpiave të tij dhe tue i ngre topat kundër tyne. Për këtë shkak Elezi mblodhi, për gjithë natën, nji fuqi prej ma shumë se njimij vetash dhe, mbasi i shtrëngoi Sërbët me u largue, u arratis bashkë me familje.
Më 15 gusht 1920, kur plasi kryengritja e Dibrës kundër Jugosllavëve, Elezi luejti nji rol kryesuer tue e dhanë kontributin e vet në çdo pikëpamje.
Më 1921 në luftën që u zhvillue për tre muej rresht në malet e Lurës ndërmjet Jugosllavëve e Shqiptarëve, Elez Isufi i dha armikut grusht të fortë.
Shkollën shqipe në katundin Sllovë, disa vjet me rradhë , e mbajti me shpenximet e veta tue i pague rregullisht edhe rrogën mësuesit të saj Haki Sharofit.
Më 17 Dhetuer 1924, tue luftue kundër mercenarëve t’Ahmet Zogut që e invadoi Shqipnin nga ana e Jugosllavisë, ra dëshmor në Peshkopi bashkë me nipin e vet Suf Xhelil Ndreu.
Haki Stërmilli- “Dibra në prak të historisë”, dorëshkrim, faqe 115

VRASJA PAS SHPINE E UDHËHEQËSIT DIBRAN TË DEMOKRACISË

Fragment nga “Historia e Dibrës” të historianit Kristo Frashëri

Në sektorin e Dibrës, forcat reaksionare e shkelën kufirin shqiptar më 14 dhjetor 1924, nga ana e Gollobordës, si duket me qëllim për të krijuar përshtypjen se synimi i tyre ishte Elbasani. Në fakt dredhia pati sukses, sepse shtatmadhoria shqiptare, i përqendroi forcat e vete në jug të Dibrës së Epërme. Por dy ditë më vonë, më 16 dhjetor hordhitë kundërrevolucionare zogiste, të shoqëruar nga disa qindra artiljerë vrangelistë, sulmuan në drejtim të veriut për të pushtuar sa më parë Peshkopinë, ku qenë grumbulluar me qindra vullnetarë malësorë, fshatarë e qytetarë me Elez Isufin në krye, të vendosur për ta mbrojtur Revolucionin e Qershorit. Atë ditë, më 16 dhjetor 1924 zëvendës prefekti i Peshkopisë njoftonte telegrafisht Ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë se “paria e vendit tradhtoi dhe u lidh me Ahmet Zogun”. Gjithnjë sipas zv. Prefektit, Elezi kishte thënë “paria e gjitha na tradhtoi”. Isuf Elezi me luftëtarët e vet të Reçit e të Dardhës ndodhet në Peshkopi, kurse të armatosurit po i drejtohen qendrës së prefekturës nga tri drejtime: Golloborda, Maqellara, Skërteci.
Marshimi i forcave kundërrevolucionare shërbeu si sinjal për krerët konservatorë të brendshëm, të cilët filluan të qëllonin prapa krahëve batalionin qeveritar të ngarkuar për të mbrojtur kufirin në këtë anë. Batalioni u ndodh kështu midis dy zjarreve. Së bashku me to u bashkuan me forcat zogiste edhe dy dhëndurët e Elez Isufit. Forcat e pakta të batalionit qeveritar nuk qenë në gjendje ta mbronin kufirin aq më tepër kur në çastin vendimtar atë e braktisën disa nga oficerët e saj, njeri nga të cilët ishte Taf Kaziu.
Po atë mbrëmje forcat kundërrevolucionare zunë pozicione ballë për ballë Peshkopisë. Shtatmadhoria e Tiranë as tani nuk i lëvizi repartet e veta nga Golloborda për tu rënë hordhive kundërshtare prapa krahëve.
Sulmi i forcave zogiste të paraprirë nga artileria e vrangelistëve, filloi në agimin e ditës së nesërme, më 17 dhjetor.  Disa qindra malësorë trima, të udhëhequr nga Isuf Xhelili, luftuan me trimëri të rrallë në kodrat e Peshkopisë duke i zmbrapsur disa herë sulmet e disa mijëra kundërshtarëve. Por në mbrëmje situata e tyre u keqësua, sepse Murat Kaloshi e Myftar Kaloshi, të cilët sapo ishin bashkuar me kundërrevolucionin filluan të qëllonin prapa shpine ish – aleatët e tyre. Kjo i detyroi mbrojtësit e revolucionit të tërhiqeshin nga pozicionet e avancuara dhe të përqendroheshin rreth kazermave të Peshkopisë. Gjatë një sulmi të tërbuar të forcave kundërshtare  u vra duke luftuar Isuf Xhelili. (Isuf Xhelili ishte i biri i Xhelil Ndreut, vëllai i Elez Isufit i cili njëkohësisht mbante  dhe mbiemrinIsuf Ndreu nga familja e Ndrejve të Sllovës (Peshkopisë) Isuf Xhelili sipas shkrimeve që ka lënë Haki Stërmilli, lindi në Sllovë në vitin 1886. Dibranët e çmonin si patriot trim dhe përparimtar. Shtojmë me këtë rast se biri i tij ishte Dali Ndreu gjenerali i njohur i ushtrisë antifashiste nacionalçlirimtare, i cili u ekzekutua së bashku me të shoqen Liri Gega nga regjimi komunist më 1956).
I egërsuar në kulm, Elez Isufi e la pozicionin e vet dhe vrapoi në vendin ku u vra nipi i tij. Pikërisht në këtë çast, atij i erdhi prapa një plumb i pabesë. Plaku i Sllovës u plagos rëndë. Malësorët prisnin që udhëheqjen e rezistencës ta merrte në dorë  biri i tij, Cen Elezi. Por Ceni, të cilin e kishte pushtuar shpirti i kapitullimit, urdhëroi ndërprerjen e luftimeve.
Gjatë natës, malësorët u tërhoqën nga Peshkopia duke marrë me vete trupat e të vrarëve dhe shokët e plagosur së bashku me Elez Isufin, i cili pas dhjetë ditësh vdiq nga plagët e rënda në Sllovë.
Të nesërmen, më 18 dhjetor 1924 forcat kundërrevolucionare hynë në Peshkopi. Pas dy ditësh pjesa më e madhe e tyre u drejtua për në Tiranë, të cilën e shtinë në dorë më 24 dhjetor 1924… (Kristo Frashëri, “Historia e Dibrës” f. 387-389)

Filed Under: Histori

ENGJËLL SEDAJ DHE PËRKTHIMI I KUR`ANIT

December 29, 2023 by s p

Në 80 vjetorin e lindjes

Me Engjëll Sedajn, profesor I filologjisë klasike, një Latinist i dalluar, punonim bashkë në Fakultetin Filozofik(tash I Filologjisë) në  Prishtinë prej vitit 1974. Fushat të ndryshme, ai professor i latinishtes në katedër të gjuhës Frenge, unë professor I arabishtes në katedër të Orientalistikës, por valët jo të ndryshme. Na afronte Ungjilli dhe Kur`ani. 

Kur dol inga shtypi përkthimi i Kur`anit, në vitin 1985,   Engjëlli e kishte blerë. Ai e kishte lexuar me kujdes dhe nuk kaloi një vjet pas botimit, e shoh në Rilindje të datës 14 shkurt, 1987: Engjëll Sedaj, DUKE LEXUAR KUR`ANIN në shqip, e përktheu Feti Mehdiu. 

Ishte prezentim serioz nga një kuadër me kompetencë jo për islamistikën, por për  nivelin e Shpalljeve hyjnore, gjithsesi. Ishte njohës I teologjisë krishtere dhe me prezentimin e përkthimit të Kur`anit në gjuhën shqipe nderonte kulturën shqiptare dhe Librin e shenjt Islam – Kur`anin. Ky prezentim ishte i pari dhe mbeti i vetmi, deri në vitin 1999, në faqet e shtypit shqiptarë. E falënderova për prezentimin pa rezervë, kurse Egjëlli poashtu më uroi për punën e kontributin e dhënë gjuhës dhe kulturës shqiptare, sepse përkthimi I veprave si Kur`ani kanë rëndësi për historinë e kulturës së popujve përkatës. Kur u ndamë nuk hezitoi të ma shpreh edhe dronë e tij me fjalët, ndoshta nuk qëndrojnë në tërësi vlersimet e mia, kolegë, por unë kështu e shikova me kënaqësi këtë kontribut tëndin. Edhe një herë I falënderova sinqerisht dhe u ndamë. 

Fitova përshtypjen se kur takoheshim herave tjera – punonim nën një kulm – me përshëndeste me simpati. Kaluan shumë vite që takoheshim më rrallë në rrethana të jashtzakonshme pasi që nga viti 1990 deri në vitin 1999, punën tonë me studentë e kryenim nëpër objekte private,pasi ishim të përndjekur nga organet e dhunshme të shtetit të Serbisë dhe të larguar nga institucionet tona.

Kur  filloi të  botojë  revistën shkencore DARDANIA SACRA, një ditë duke dalë nga Instituti Albanologjik, e vizitonim shpesh,  ma zgjati revistën Dardania Sacra nr. 2, që sapo kishte dal. Unë e kisha pas në dorë numrin e parë dhe e urova  për numrin e ri. Falemnderës kolegë, dhe ndali hapin pak e m`u drejtua, për numrin tjetër të pres me një kontribut për numrin 3. Nuk i premtova për shkak të angazhimeve tjera, por  kur e takova herën tjetër, dhe kur iu përgjigja jam shumë i zënë nuk kam kohë, prerazi më tha numrin tre nuk e dergoj në shtyp pa ty, të lutem, ka edhe  dy muaj kohë. 

Iu përvesha dhe zgjodha të prezentoj veprën e Muhamed M. Arnautit, Kosova bu’retu-n-nizai-l-albanijji-s-serbijji fi karni-l-‘ishrin, Al-Kahire, 1998,(Kosova,  Burimi i grindjeve shqiptare- serbe në shekullin njëzet), Dardania Sacra, nr.3, 2001, fq. 490-493, Prishtinë. Plotsova një obligim moral ndaj kolegut Engjëll Sedaj, për çka ai mbeti shumë I kënaqur me këtë kontribut timin, aq më tepër se prezentohej një vepër e një miku të tij – ai i çmonte lart kontributet e dr. Muhammed M. Arnautit.

Pas disa vitesh, kur ndërroi jetë, e pata mundësinë t`i bëja nderimin e fundit dhe ta përcjelli në banesën e fundit, në varrezat afër Ambasadës Amerikane, në Prishtinë.

Prof.Feti Mehdiu, Montreal, 19 dhjetor, 2023.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT