• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2024

Kosovë-Përkujtohen heronjët Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha

January 31, 2024 by s p

PRISHTINË, 31 Janar 2024-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Në Kosovë përkujtohen tre heronjët e kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, në 27 vjetorin e rënies.

Në homazhet te lapidari, te vendi i rënies së tre heronjëve dhe te shtatoret e tyre e në veprimtari tjera përkujtimore marrin pjesë përfaqësues institucionalë e politikë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot në Prishtinë bëri homazhe te shtatorja e Zahir Pajazitit, në 27 vjetorin e rënies së heronjëve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.

“Ata ishin nismëtarë të lirisë, ishin frymëzues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nëpërmjet guximit, trimërisë dhe sakrificës së tyre inspiruan mijëra djemë e vajza të UÇK-së që të luftojnë për lirinë e Kosovës dhe ndërtuan themelet e forta për shtetin e pavarur e sovran”, është shprehur ajo.

Presidentja ka thënë se ata dëshmuan se çmimi i lirisë është i lartë, por që sot shteti i Kosovës të vetmin udhërrëfyes e ka trimërinë e heronjve si ata.

Para 27 viteve, në 31 janar 1997, në fshatin Pestovë – në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, rrugës Prishtinë-Mitrovicë, drejt realizimit të një misioni të veçantë, ranë heroikisht në krye të detyrës heronjët e lirisë e pavarësisë së Kosovës, komandanti Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, tre nga drejtuesit e luftës çlirimtare të UÇK-së.

Filed Under: Histori

Ditën e parë të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e fillova me takimin në Departamentin Amerikan të Shtetit, me emisarin e qeverisë amerikane për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar

January 31, 2024 by s p

Në takim theksova që arritjet e deritanishme si shtet, përpos që janë meritë e sakrificës së shumë brezave ndër vite, padyshim e kanë vulën e Amerikës.

Në takimin me z. Escobar u dëshmua mbështetja e parezervë e qeverisë amerikane për popullin dhe shtetin Kosovës, në veçanti në proceset nëpër të cilat po kalon vendi, duke përfshirë edhe procesin e dialogut.

Kërkova që të ngritet niveli i marrëdhënieve bilaterale, sidomos në fushën e sigurisë, me anëtarësimin me hapa të përshpejtuar të Republikës së Kosovës në NATO.

Aleanca mes dy vendeve tona është e përjetshme dhe do të punojmë pandalur që të zhvillohet e forcohet çdo ditë.

Ramush Haradinaj

Filed Under: Kronike

Të jesh në një sofër ku shtrohet fjalëshqipja

January 31, 2024 by s p

Reportazh nga Stamfordi

Namik Selmani

Kur u nisa nga Burligtoni, një qytet afër Bostonit, për të shkuar në Stamford atë ditë janari, ashtu si një pjesë e madhe e Amerikës, ishte në pushtetin e të ftohtit amerikan. Në pushtetin e ngricës që sikur thoshte: “Ej, ku po shkoni në këtë kohë të ftohtë???”

Aq më tepër për Masacusesin që është përherë bujar me dëborën e me ngricën.

Në itinerarin e rrugës vajtje-ardhje ishin gati 600 km që do të bëheshin brenda një dite, veç kohës që do të kalonim në atë aktivitet të bukur. Mhill Velaj, kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë do ta quante me plot gojë FESTA E LIBRIT SHQIP.

E përtej kësaj sakrifice, ishte lumturia e bashkimit të njerëzve të mençur të disa qyteteve amerikane që po vinin në Stamford të shtetit të Konetikës që prej mjaft kohësh do ta quaja edhe KRYEQYTETI I LIBRIT SHQIP në Amerikë.

Amerikanët e quajnë ndryshe këtë shtet edhe si “Shteti i kushtetutës”.

Pse jo, dhe obligimi për kulturën tonë kombëtare që nuk njeh stinë e kapriçio moti.

Rrugë të tilla të kërkojnë që ti të gjesh dhe SIMBOLIKËN e tyre që e mbjell brenda vetes dhe që kërkon miqësisht ta bësh dhe pjesë të miqve të tu që të lexojnë e të frymëzojnë.

Kërkon ballë aktivitetit njerëz, ngjarje, emocione të jetuara më parë, për të ngritur URËN me të sotmen, me atë që prek e shijon me shpiritn e miqve të ty.

Ishte një rrugë që më dërgonte në një promovim të dy librave në një ditë që kishin në qendër një autor si Adi Mehmeti që është në të njëjtën kohë dhe President i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

Njëri ishte libri im me titull “Pesha e fjalës së Adnan Mehmetit“dhe tjetri ishte “Poezia e Adi Mehmetit” me autor Dr. Besim Muhadri.

…….

Këtu e 10 vite më pare, isha në një fshat të Tetovës në Iliridë ku po promovoja librin e një mikut tim të letrave që aso kohe ishte emigrant në Zvicër prej 25 vitesh.

E që prej 20 vitesh ai shkruante poezi. Punonte te një pronar zviceran që kishte një biznes mjaft të veçantë, atë të kuajve të zgjedhur të races, ku hipnin turistët e pasur të Europës dhe botës që vizitonin Zvicrën.

Menduam që promovimin ta bënim në fshatin e tij të lindjes, mes miqve bashkëfshatarëve të tij dhe mësuesit të tij të klasës së parë që jetonte ende.

Sikur i kam parasysh fytyrat e tyre të lumtura të asaj mbrëmjeje iliridase. Të lumtur dhe krenarë deri në majën më të lartë të saj.

Të emocionuar deri në pikëlotin etyre rebel. Në rreshtin e parë ishte mësuesi i tij Vetë djali-poet fliste për ëndrrën e fjalëshqipes që ai e kishte mbajtur të gjallë për 25 vite.

Dhe nuk ishte mëkat pikëloti i tyre. Më kristalori në kohëra, që bashkonte mërgimin me vendlindjen.

Më tej, na dërguan për të ngrënë një një shtëpi fshati. Mund ta na dërgonin në ndonjë hotel, po ngrohtësia e fjalëshqipes dhe mikpritja shqiptare si duhet e kërkonte dhe një mjedis tjetër që e madhështonte dhe më shumë atë.

Në atë dhomë, konak, odë, si të doni quajeni, katër burra ose më saktë 4 djem shtatgjatë e të fortë, sollën një sofër të stërmadhe druri duke e mbajtur me supet e tyre.

Më të mëdhatë që kisha parë deri atëherë, por dhe tani.

Mbase po të ishit dhe ju aty, do të më besonit edhe pa ju betuar para jush.

Në të mund të uleshin këmbëkryq pa prekur gjunjët e njëri-tjetrit gati 20 burra.

Ajo nuk ishte thjesht SOFRA e dasmës, por ishte urimi i librit shqip. Ia bënin një djali-mërgimtar pak të thinjur në flokë për fjalën shqipe që po e sillte në atë fshat ku kishte lindur e rritur. Ky urim dukej si një një nusërim të bukur.

Unë dua të besoj se edhe aktiviteti i asaj dite në Stamford, i ngjante një Sofre të madhe frymëzuese

I ngjante një ure shkronjash. I ngjante një zjarri që ngrohte zemra shqiptarësh shkrimtarësh e miq të librit që të gjithë e ushqenin në mënyrën e tyre.

I ngjantë një kalaje që ngrihej me fjalët më të mira për mikun tonë Adi Mehmeti, një drejtues i aftë, një autor i njohur i poezive dhe librave të ndryshëm.

Ishte e tepërt të thoje se ishte janar. Po afësia e drejtuesit të makinës dhe poetit Kastriot Fetahu, e bëntë më të lehtë fitoren me ngricën.

Mund të ishte bërë ky takim dhe me ato kamerat e vogla internetike që Amerika i bën mjaft lehtë e që quhet “Bisedë virtuale”.

Me një videpoprojektor mund të flisnin mjaft poetë, po zgjodhëm takimin sy më sy, me një dorështrëngim miqësor, me një buzëqeshje të ngrohtë që ta jep emocioni i librit dhe i miqësisë.

Secili kishte emocionet e tij që të gjithë bashkë formonin një buqetë të freskët.

Në heshtje apo dhe nën zë dikush mund të thoshte atë ditë: “E ç’është ky libër për një autor që është në kulmin e krijimtarisë së tij?

Që i këndon hapi i çdo dite. Që ka ende kaq plane ashtu si të gjitha ata që ishin pjesë e sallës së mbushur plot e përplot.

Unë do ta jepja përgjigjen me atë varg të rapsodit shqiptar “Kndoma kangën sa jam gjallë!”

Historia e letërsisë botërore, e politikës e bën shpesh vlerësimin e punës pas ndarjes nga jeta të shkrimtarëve, artistëve politikanë humanë. Pas jetës kthjellimi i historisë i jep të drejtë njerëzve–monumentë për të gjetur kodin e kujtesës.

Edhe shqiptarët në shumë raste kanë qenë e mbeten pjesë të shkrimit vetëm pas ndarjes nga jeta.

Po për njerëz të tillë modele njerëzore dhe krijuese shumë herë dhe mund të bëhen dhe kur ata janë në vazhdën e krijimtarisë

Sa trishtim por dhe sa krenari ndjejmë kur dëgjojmë sirenat e trenave që kaojnë tunelin e Semeringut mes Italisë dhe Zvicrës në kujtim të Arkitektit me origjinë shqiptare Karl Gega!

Ne kemi Sirenat e Kujtesës dhe të vlerësimit dhe tani për Adi Mehmetit për jehonën e punës së tij në shërbim të komunitetit të krijuesve shqiptarë në Amerikë.

Mbase mjaft shqiptarëve mund t’u kujtohet një ngjarje që lidhet me kinemanë e Kuçovës ku mjaft miq artdashës, menduan që t’i vinin asaj emrin e Mjeshtrit të skenës shqipe, Kadri Roshit. Aso kohe Mjeshtri ishte mjaft sëmurë e jeta e tij ishte në fije të perit, po ai u ngrit nga shtrati dhe, kur u fut në kinema dhe pa emrin e tij në hyrje të saj, lotët e tij rrodhën bukur si një kryepoezi shenjtërore për të. Të gjithë u ngritën në këmbë. Legjenda mbahej në krahët e djemve që gëzoheshin me të.

Libra të tillë për Adin janë dhe pjesa e jetës sonë. Se dhe vepra është ndërtuar me fjalë zemre nga miqtë e tij në Amerikë e në trojet amtare.

Të gjithë atë ditë u bëmë krushq të fjalës shqipe.

Me një drejtues si Mhill Velaj, të gjithë u ndjenë mjaft të lumtur. Me kulturën e tij me një të folur mjaft miqësore dhe me pak shaka, ai e ktheu tribunën dhe sallën si një familje ku të gjithë e ndjemë veten kaq bukur.

Venera Çallpani lexoi parathënien e librit tim ku jepej një pasqyrë për jetën e veprën e Adi Mehmetit

Një tufë poezishë të Adit të recituara nga aktori një vajzë krijoi emocione shkronjore.

Fjala e D. Besim Muhadrit plotësoi edhe më mirë atë vlerë që ai ka dhënë në librin e tij studimor për Adin me titull “Poezia e Adi Mehmetit”

Një mustakbukur Kosove dhe mik i poezisë, aktori Shaban Lajçi me një alegori të bukur, recitoi dhe përshëndeti pjesëmarrësit.

Pas pak u ngjit në tribunë një burrë truplisnajtë që në atë tubim kishte ardhur si përfaqësues i Federatës Panshqiptare VATRA, nënkryetari dhe shefi kabinetit të saj. Ishte Pashkë Camaj. Bukur foli Pashku Si një rilindas i kohëve moderne që më kujtoi të paharruarin Martin Camaj. E kur mbaroi aktiviteti, në duarshtrëngimin shqiptarçe me të, si njohje e parë, e urova shqiptarisht: “Rrofsh sa fjala e mençur, Pashk Fisniku!”

Besoj se e shpreha sadopak mirënjohjen ndaj tij dhe dëshirën për të bashkëpunuar më shumë me këtë Grupim shqiptarësh ndër më të vjetrit e më të lavdishëm në Amerikë.

Një shkrim mjaft profesional nga poeti Kastriot Fetahu, hodhi më shumë dritë në aktivitetin letrar të Adi Mehmetit.

Një heshtje nderimi e bëri dhe më sublime. U nderua kujtimi i të madhit Ibrahim Rugova, i poetit Adem Gashi që u nda nga jeta para disa ditësh dhe motra e poetit Pal Ndreca

Duket se në një mënyrë tjetër Festa ndiqej nga qindra lexues miq të librit shqip në Amerikë. Në shenjë respekti kryetari Mhill Velaj lexoi disa emra që e përshëndetnin këtë aktivitet.

Në një moment të caktuar Mhilli në tribunë doli me një libër voluminoz në dorë. Ishte libri “Dielli nuk lind vetëm në Rugovë” i autorit Ramiz Mujaj. Bukur Mbase edhe ai libër e donte një tribunë më vete për gjithë ata që ishin e nuk ishin aty. Pas aktivitetit e urova sinqerisht atë dhe ngriëm sëbashku urën e së nesërmes.

Dhe së fundi, duhej dhe fjala e nikoqirit Adi Mehmeti. Në sallë ishte dhe familja e tij. zonja Vilma, djali dhe vajza me familjet e tyre. Krenarë për rrugën e tij.

I emocionuar, por pa e shuar buzëqeshjen e tij karakteristike, ai falenderoi të gjithë, madje bëri një gjest mjaft të bukur. Përmendi me emër të gjithë pjesëmarrësit. Jo thjesht për ata, po dhe për ne që njohëm më mirë njëri-tjetrin në atë Sofër fjalëshqipeje.

Falenderoi dhe shqiptarin e mirë dhe dashamirin e kulturës së kombit tonë Mhill Gjuraj që kishte ndihmuar financiarisht aktivitetin Më tej, na ftoi në drekën miqësore që ishte përgatitur për të gjithë pjesëmarrësit.

Ishte një mrekulli e vërtetë që aktiviteti bëhej në librarinë publike Ferguson Library të Stamfordit që cilësohet një nga bibliotekat më të mira të Amerikës. Djali i Besimit kujdesej deri në detaje për dekorin e Festës së Librit. Mjaft shqiptar sa dhe modern, ai dekor. Flamujt shqiptarë e ata amerikanë rrinin si dy vëllezër pranë njëri-tjetrit

E ballë nesh dy kamera të televizioneve shqiptare të Njy Jorkut dhe të Stamfordit. Skënder Pali vinte si produksioni Njy TV dhe Ulqin TV dhe Asoshejdet Press dhe Nazim Salihu me televizionin NOLI Shou TV

Ai aktivitet do të kishte jehonë në mjaft shqiptarë të Njy Jorkut, Bostonit, Njy Xhersit Filadelfias etj

Na erdhi keq që nuk patëm kohë të shihnim nga afër këtë qytet të bukur, të kulturuar, po kur hapet një portë e ke të lehtë të trokasësh përsëri tek ajo.

Kur u nisëm, na dukej se akoma ishim në atë jehonë festive. Nuk ishte vetëm gëzimi i dy librave, po ishte rilindja e fjalës shqipe në Amerikë, që në këtë vend nderi të librit shqip po merrte flatra të reja. Përtej entuziazmit, emocionit, secili mendonte “Ç’duhet të bëjmë më tej, më shumë?”

Secili po e jepte përgjigjen me zemrën e rinuar, me veprat e tyre dhe me planet e bukura të Shoqatës që çdo vit kërkon maja të reja. Maja që arrrihen me dashuri për shqipen me respektin për këtë vend të madh që bëhet strehë e kësaj përtëritjeje të fjalës shqipe.

Bash si ai mendim i mençur që është dhe kurora e Naimiadës “Dhe dritë e diturisë përpara do të na shpjerë”.

Sofra e Fjalës shqipe

Meditim në aktivitetin e organizuar në Stamford për promovimin e librave “Pesha e fjalës së Adnan Mehmetit” të autorit Namik Selmani dhe “Poezia e Adnan MEHMETIT” i autorit Besim Muhadri

I dua ndryshe këto rrugë të ngricuara në Stamford

E

nuk më trishton mungesa e zogjve përmbi drurë.

Sot

dua të ndaj dollinë për fjalëshqipen e ngrohtë.

Për miqtë e largët

që udhëtojnë mes shkronjave pa u lodhur kurrë.

Dhe qënka bukur

Të sfidosh këtë qiell ngjyrë gri.

Dhe qënka mrekullisht

të ulesh me të mençurit e kombit tënd në tryezë.

Të jesh karvanar në një tjetër stacion e zgjim

Për librin shqip të jesh si para një altari të shenjtë.

Dhe qënka bukur

njëlloj sikur vjel nga blerimi ullirin

Nga vreshtat verdhullore

vjel veshulët e rrushit për verën e festës.

Një majë mali

Po më duket kjo festë libri ku urimi nxjerr filizin.

ku zemrat

lastarojnë si në kulmin e pranverës.

Na ka bërë kjo ditë

si bahçevani që mbjell për nipin mollë

Si

ai mjeshtri që ndërton në male një krua të ri.

Të njomin buzër

mërgimtarët në udhë, në vapë a dëborë

Si

gurgdhendësi

që vë në bedena gurë pa mbarim

E bukur, e ëmbël, e dritësuar kjo ditë

që futet në kujtesën e florinjtë.

Stamford, 21 janar 2024

Filed Under: Reportazh

NJË LIBËR SHKENCOR PËR SIGURINË GLOBALE

January 31, 2024 by s p

Mehmet Hajrizi/

Në vend të hyrjes: Autorja

Dr.Sc Albulenë Halili, e doktoruar në Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës, është bashkëpunëtore shkencore në Institutin Max van der Stoel në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Ajo drejton Ekipin e Kërkimor për Edukim mediatik dhe dezinformim që funksionon në kuadër të këtij instituti.

Pas librit të parë Rendi i Versajës: Bërja e një bote të brishtë (2020), vjen para lexuesit me veprën tjetër Transatlantizmi, Bërthama e sigurisë globale (2023). Ka shkruar dhjetëra kumtesa shkencore, artikuj studiues, ka bërë intervista hulumtuese, vizita studimore etj. Interesi i saj kërkimor është fokusuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, më specifikisht marrëdhëniet transatlantike, luftën hibride, dezinformimin si sfidë e sigurisë dhe gjeopolitikën e Ballkanit.

Libri

Në botën e sotme të trazuar dhe të kërcënuar, studimet shkencore në fushën e doktrinës së sigurisë globale, paraqesin interes jo vetëm për qarqet akademike, ushtarake e politike, por edhe për lexues të zakonshëm. Vepra e radhës e autores Albulenë Halili përbën kontribut të ri dhe të rëndësishëm për studimet shqiptare në plan të sigurisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare. Me temën e zgjedhur dhe aktuale, me shtjellimin metodologjik shkencor të lëndës, me përfundimet e rezultatet dhe bibliografinë, sa një bibliotekë, të konsultuar gjerësisht, autorja e ka përmbushur objektivin e saj studiues.

Tema

Autorja hyn shpejt në temë dhe nuk e devijon atë gjatë gjithë punimit. Tema e veprës e kthen atë te gjeneza e transatlantizmit dhe institucionalizimit të tij me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) më 1949. Në vijim ajo e trajton jetën e kësaj organizate politike-ushtarake nëpër faza të botës moderne, në hark kohor 73 vjetësh, deri te sfidat e saj në mijëvjeçarin e ri. “Sfidat globale nuk mund të përballohen vetëm nga një shtet”, – shkruan me të drejtë autorja.

Tema e transatlantizmit është e rëndësishme, serioze dhe shumë aktuale, por jo shumë e studiuar në botën shqiptare.

Lloji i shkrimit

Libri është studim shkencor, në përmbajtje dhe formë, i bërë me kompetencë profesionale nga autorja, fillimisht si disertacion i vlerësuar doktorate, për ta përshtatur në vepër të mirëfilltë krijuese.

Struktura e veprës

Libri ka titullin e qartë për temën që shtjellon, përmbajtjen, hyrjen dhe ndarjet në kapituj, si: Marrëdhëniet transatlantike gjatë Luftës së Ftohtë; Marrëdhëniet e reja transatlantike; Transatlantizmi dhe Evropa e re; Transatlantizmi në mijëvjeçarin e ri; Përfundimin dhe së fundmi Bibliografinë dhe Shtojcën. Libri ka dhe aparaturën e nevojshme shkencore.

Strukturimi i librit është gjithëpërfshirës për zhvillimet botërore të sigurisë.

Përmbajtja, analiza dhe interpretime

Lënda voluminoze e mbledhur nga autorja, faktet dhe idetë, trajtohen, interpretohen e analizohen me metoda shkencore, sidomos me atë historike, me faktorët e saj si kronologjia, zhvillimi etj. Dijet e sintetizuara kredibile në temë të sigurisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, instrumente, akte dhe dokumente të ndryshme, përbëjnë burimet primare dhe sekondare të librit të Albulenës. Ajo ka studiuar dhe konsultuar seriozisht literaturë të huaj, duke iu referuar shkrimeve aktuale shkencore të autorëve të shquar në fushë të marrëdhënieve ndërkombëtare në përgjithësi dhe të transatlantizmit në veçanti.

Origjinaliteti që i jep autorja veprës, nuk ka të bëjë vetëm me mënyrën e mbarështimit të lëndës, me gjuhën e stilin, me kompozimin e materialit dhe metodologjinë, por edhe me prurjet e saj të reja në fushën që studion, me faktet dhe idetë, me praktikën specifike të botës shqiptare etj. Ajo nuk kufizohet vetëm në marrëdhëniet transatlantike, por studimin e shtrinë deri në marrëdhëniet ndërkombëtare në përgjithësi.

Sipas autores, fill pas LDB kontradikta më e mprehtë ndërkombëtare ishte ideologjia, lufta midis komunizmit dhe kapitalizmit, midis totalitarizmit dhe demokracisë perëndimore. Ky polarizim i aleatëve të luftës antifashiste, me në krye SHBA në një anë dhe të BRSS në anën tjetër, çoi pashmangshëm në rendin e ri botëror bipolar, duke zëvendësuar sistemin multipolar të Versajës, në ndarjen e zonave të influencës të dy superfuqive dhe në ngritjen e strukturave ushtarake të blloqeve rivale, NATO dhe Traktati i Varshavës.

Zhvillimet botërore karakterizoheshin sipas politikës së jashtme amerikane dhe sovjetike, dy qendrave përcaktuese të rendit të ri botëror pas LDB, – shkruan autorja.

Në analizën e saj, mandati fillestar i NATO-s ishte parandalimi i një sulmi sovjetik në Evropën Perëndimore. Karakteri mbrojtës i doktrinës transatlantike i kundërpërgjigjej karakterit mësymës dhe ekspansionist sovjetik.

Ndarja e botës në Konferencën e Jaltës, përbënte një fatkeqësi tjetër për shqiptarët në përgjithësi dhe për Kosovën e trevat tjera etnike shqiptare nën Jugosllavi, në veçanti.

Pas LDB fillon tensionimi i raporteve ndërkombëtare që u quajt Lufta e Ftohtë, e cila si shpatë demokleu qëndroi mbi kokën e popujve dhe vendeve të botës, (me ndonjë periudhë shtensionimi-Detantë), rreth tri dekada e gjysmë, deri në shembjen e BRSS dhe Murit të Berlinit.

Këtë periudhë të gjatë dhe kërcënuese, autorja e analizon dhe interpreton detajisht, duke paraqitur dhe trajtuar doktrina, teori dhe shkolla të mendimit,

si shkollat realiste, neorealiste dhe neoliberale në marrëdhëniet ndërkombëtare, konstruktivizmi, tradicionalizmi, revizionizmi dhe postrevizionizmi etj., por mbi të gjitha transatlantizmi si doktrinë. Këto ide, teori dhe shkolla të mendimeve, ishin baza mbi të cilat është ndërtuar rendi botëror.

Në libër gjejmë Strategjinë e NATO-s në Luftën e Ftohtë dhe në fazën e Detantës, pikëpamjet amerikane dhe evropiane, rënien e komunizmit në lindje të Evropës, ribashkimin e Gjermanisë, globalizmin, rolin e NATO-s dhe konceptin e saj strategjik pas Luftës së Ftohtë, Marrëdhëniet transatlantike dhe Bashkimi Evropian, zgjerimin e NATO-s, Ballkani dhe NATO, Kosova dhe ndërhyrja e NATO-s etj.

Në kapitullin e fundit autorja shkruan për sfidat e brendshme dhe të jashtme të transatlantizmit në shekullin XXI, për Rusinë dhe Kinën, kontrollin e armëve, çarmatimin dhe armët e shkatërrimit në masë, për rrezikun që paraqet terrorizmi dhe për të ardhmen e transatlantizmit.

Bashkësinë transatlantike, shkruan autorja, e përbëjnë tri karakteristika: ndërvarësia, institucionet e përbashkëta dhe identiteti i përbashkët. Që në themelim, NATO përbëhej nga vende me vlera të përbashkëta.

Burimi i aleancës transatlantike qëndron te Plani Marshall për Evropën.

Në libër trajtohet edhe historia e themelimit të BE si dhe zhvillimet e fundit mbi bazën e dokumentacionit të bollshëm që e mundëson hapja dhe deklasifikimi i tyre, oscilimet në raportet e SHBA me aleatët europerëndimorë etj.

Konferenca e Helsinkit më 1975, rezultoi me dy kompromise: Perëndimi ia njohu të drejtën Bashkimit Sovjetik të ruante ndikimin mbi aleatët e tij të bllokut socialist, por në këmbim të pranimit të të drejtave të njeriut në këtë bllok. Këto të drejta ngjallën në vendet e bllokut disidencën, si një minë shpërthyese brenda tij. Nuk vonoi shumë dhe në dekadën e fundit të shekullit XX ndodhën pesë kthesa historike: Shembja e BS, fundi i komunizmit në Evropë, rrënimi i Murit të Berlinit, fundi i Luftës së Ftohtë dhe i rendit bipolar ndërkombëtar, duke i lënë vendin atij unipolar me SHBA, si superfuqia e vetme në botë.

Një hapësirë në libër i kushtohet raporteve të botës shqiptare dhe transatlantizmit në përgjithësi dhe ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës nga regjimi pushtues serb, në veçanti. Brezat e Kosovës së lirë janë e do të jenë në gjithë jetën e tyre mirënjohës SHBA-ve dhe NATO-së për lirinë që gëzojnë. Ky libër i Albulenës do t’u shërbejë efektshëm atyre për ta njohur historinë e transatlantizmit dhe për mbajtjen gjallë të lidhjeve miqësore e shpirtërore dhe partneritetit me aleatët.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Autorja i jep hapësirë të veçantë rolit të SHBA në zhvillimet botërore, për sigurinë globale dhe përhapjen e idealit të demokracisë. Në libër citohet Zbignew Brzezinski, i cili thotë: “SHBA dhe BE së bashku përfaqësojnë bërthamën e stabilitetit global politik dhe të mirëqenies ekonomike”.

Izolacionizmi i SHBA pas 150 vjet rresht ishte tejkaluar, por administrata e presidentit Tramp pati tendencë ta rikthente, duke lënduar marrëdhëniet me aleatët evropianë.

Që nga Wilson dhe Truman SHBA përhapin idealet amerikane në botë, me aspiratën universaliste që bota të bëhet si Amerika. Doktrina e Truman ishte fundi i izolacionizmit amerikan, – konstaton autorja.

Gjatë Luftës së Ftohtë SHBA kishin dy strategji: Frenimi-me kërcënim dhe Përmbajtja; bashkimi i strategjisë ushtarake, ekonomike dhe diplomatike.

Forma, gjuha dhe stili

Gjuha e artikuluar akademike, me sintaksë shqipe dhe ortografi korrekte, si dhe fjalori i pasur që eviton përsëritjet, e bëjnë leximin dhe të kuptuarit e tekstit, të lehtë dhe tërheqës.

Stili i autores është i natyrshëm, i thjeshtë dhe i matur, i ngrohtë dhe me gjallëri.

Lënda voluminoze e veprës është ngjeshur në vetëm 275 faqe libri, sepse Albulena zgjedh dhe kursen fjalët, duke mos lejuar teprinë e tyre. Gjuha koncize e veprës e bën atë dinamike, pa lënë mundësinë që lexuesi të gjejë hapësirë pushimi a dremitjeje. Albulena shkruan shkurt, qartë dhe shqip. Stili akademik i saj është i kuptueshëm edhe për çdo lexues të zakonshëm.

Vlerësime

Informatat shkencore, faktet, të vërtetat e idetë që ka mbledhur nga literatura dhe dokumentet, autorja i gjykon, duke mbajtur qëndrim kritik, për t’i nxjerrë përfundimet. Ajo e ka organizuar dhe kompozuar e renditur me profesionalizëm lëndën e temës brenda kapitujve të veprës.

Autorja ballafaqon teori dhe shkolla të ndryshme, shpesh kontradiktore, të cilat i interpreton me syrin kritik, duke sjellë kontributin e saj origjinal për çështjet e shumta në temë të sigurisë globale dhe transatlantizmit.

Vepra nuk rëndohet me çështje të vogla as me përsëritje të panevojshme. Libri sjell informata të shumta dhe të nevojshme për të gjithë ata që kanë interes për temën bosht e materialin e shtjelluar. Me shqyrtimin korrekt dhe analizën e argumenteve të ndryshme të shkollave dhe teorive divergjente, autorja qëmton të vërtetat dhe përfundimet e saj studiuese.

E gjithë struktura e librit ka harmoninë si tërësi organike dhe vijimësinë e trajtimit të temës. Çështjeve që trajton autorja, në proporcion sipas rëndësisë u jep vendin dhe hapësirën që meritojnë. Libri është punuar me pasion, përkushtim dhe profesionalizëm të lartë, duke e bërë studim serioz, aktual dhe shumë të rëndësishëm. Ai ka të gjitha karakteristikat e një vepre të mirëfilltë shkencore.

I mungonte literaturës dhe bibliotekave shqiptare një libër i kësaj teme dhe i këtij niveli.

Rëndësia e veprës, përfundim

NATO lindi si nevojë e mbrojtjes së vlerave të përbashkëta demokratike të anëtarëve të saj. Jeta e gjatë e kësaj aleance shpjegohet me rolin prej gardiani të sigurisë globale dhe me përshtatjen e saj situatave botërore e strategjive të çdo faze që ka kaluar, me dinamizmin, zhvillimin dhe reformat e vazhdueshme.

Autorja vjen në konkluzion se kërcënimi i paqes dhe i sigurisë e bëjnë të domosdoshme NATO-n edhe kohë të gjatë, pavarësisht sfidave të jashtme dhe të brendshme të saj.

Rusia ende e sheh dhe e trajton veten si perandori. Ajo e ka humbur dominimin në ish-bllokun socialist, por nuk e pranon dhe synon ta kthejë përsëri. Njëjtë synon në Ballkanin Perëndimor Serbia (mini Rusia) për Kosovën etj. Doktrina ekspansioniste ruse-serbe në aktualitetin tonë kërkon mbështetje mitologjike, duke e konsideruar Ukrainën djep të kombit rus, kurse Kosovën djep të kombit dhe shtetit serb.

Një sfidë serioze për transatlantizmin përbën aktualisht, por edhe në të ardhmen, terrorizmi, si një rrezik dhe shëmti globale. Teknologjia e avancuar përbën gjithashtu sfidë serioze për NATO-n, por edhe përparësi njëkohësisht. Vatrat e pashuara të konflikteve potenciale, aktualisht mbahen nën kontroll nga SHBA dhe NATO, – përfundon autorja.

Libri i Albulenë Halilit, për informatat dhe njohuritë enciklopedike që sjell para lexuesit, për karakterin e studimit shkencor, për vlerat shumëdimensionale të tij, ka rëndësi të veçantë dhe uroj që të jetë pjesë e bibliotekave publike e private të shqiptarëve, por edhe literaturë e doracak në katedrat e universiteteve tona.

Duke qenë e re në moshë dhe ekzigjente në veprimtarinë studiuese, Albulenë Halili ka përpara një karrierë të shkëlqyer shkencore.

Recensë për veprën e autores Albulenë HALILI,

TRANSATLANTIZMI

Bërthama e sigurisë globale

Botimet SYTH, Tetovë 2023.

Filed Under: Komente

T’i kujtojmë përherë ata që u flijuan për lirinë tonë

January 31, 2024 by s p

Dr. Lulzim Nika/

(Në përkujtim të dëshmorëve

Sahit Shala, Enver e Shani Morina)

Sot kujtojmë me nderim tre dëshmorët, të cilët së bashku me mijëra demonstrues u ballafaquan me forcat e njësisë speciale të ish-shtetit kriminal jugosllav. Ata ranë dëshmorë në rrugën, e cila do të shpinte drejt çlirimit të vendit, në rrugën e sakrificës, nderit dhe lavdisë.

Në këtë ditë ishin plagosur edhe shumë demonstrues që kishin arritur atë ditë nga të gjitha fshatrat e Drenicës.

Drenica me historinë e lavdishme të rezistencës dhe luftës për liri, gjatë historisë do të dëshmonte se ishte vatër e përhershme e rezistencës për liri.

Qytetarët e komunës së Drenasit para 34 vitesh, iu bashkuan protestave masive anekënd Kosovës kundër apartheidit dhe gjenocidit qe ushtronin forcat fashiste jugosllave kundër popullsisë shqiptare ne Kosovë dhe hapësirat shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia.

Ndërsa, Drenasi ishte përzgjedhur nga njësia speciale jugosllave për ta shuar kryengritjen kosovare, për të ushtruar terror shtetëror.

Historia atë ditë kishte përzgjedhur Sahit Shalën, Enver e Shani Morinën të ishin martirët e patrembur kundër njësive okupatore, të cilave ua bënë me dije se kjo tokë nuk duronte robërinë.

Ata, me guximin e tyre, u bënë pjesë e pavdekshme e historisë dhe lirisë tonë.

Sot kujtojmë me nderim tre dëshmorët, të cilët u bënë pjesë e historisë sonë te lavdishme dhe krenare për lirinë e Kosovës.

I përjetshëm është kujtimi për dëshmorët Sahit Shalën, Enver e Shani Morinën!

Lavdi!

Filed Under: Interviste

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 52
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT