• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2024

GAZETA AMERIKANE (1937) / “FAMILJA IME MUND TË MOS MË FALË KURRË QË KAM SHKRUAR PËR TA NË NJË LIBËR…” — INTERVISTA ME NEXHMIE ZAIMIN, AUTOREN E LIBRIT “DAUGHTER OF THE EAGLE”

January 15, 2024 by s p


Burimi : Wisconsin Rapids Daily Tribune, e shtunë, 13 nëntor 1937, faqe n°7
Burimi : Wisconsin Rapids Daily Tribune, e shtunë, 13 nëntor 1937, faqe n°7

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Janar 2024

“Wisconsin Rapids Daily Tribune” ka botuar, të shtunën e 13 nëntorit 1937, në faqen n°7, intervistën ekskluzive me Nexhmie Zaimin, autoren shqiptare të librit “Daughter of the Eagle”, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Nuk do të martohen me mbretin Zog

Vajzat amerikane të kolegjit hanë gjërat më të mira në botë. Ky është mendimi i Nexhmie Zaimit, një grua e re shqiptare që sfidoi traditat myslimane të familjes së saj dhe erdhi e vetme në Shtetet e Bashkuara për të studiuar në Kolegjin Wellesley në Boston. “Por unë mendoj se burrat e Harvardit janë shumë mëndjemëdhenj dhe kërcimtarë shumë të këqij dhe nuk më pëlqen të shoh burra të ulur në prehër të grave në metrotë e Nju Jorkut,” shton ajo.

Zonjusha Zaimi, përveçse është e vetmja vajzë shqiptare që erdhi e vetme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka shkruar një libër të quajtur “Vajza e shqiponjës — Daughter of the Eagle”, ku jep një pamje prekëse të jetës së saj familjare.

“Vëllai im u ofendua shumë sepse unë përshkrova lidhjen e tij të parë të dashurisë dhe motra ime u zemërua shumë për përshkrimin tim për martesën e saj. Ne shqiptarët kemi tradita të forta për privatësinë e jetës familjare. Familja ime mund të mos më falë kurrë që kam shkruar për ta në një libër që do të lexohet nga të huajt”, pranon ajo.

A i pëlqejnë asaj sjelljet e amerikanëve ? “Oh. Po, — nxiton të përgjigjet ajo, — por do të doja që çdo amerikan që takoj të mos më pyeste nëse kam ndërmend të martohem me mbretin Zog. Nuk dua. Unë i përkas partisë politike opozitare. Kam ndërmend të kthehem në Shqipëri dhe të bëj diçka për arsimin për bashkatdhetaret e mia. Arsimi është shumë i nevojshëm për gratë e vendit tim.

“Po, unë jam ende një myslimane, pavarësisht arsimimit tim modern. Nuk e kuptoj pse një studente e krishterë ose myslimane duhet të humbasë ndihmën e zjarrtë të fesë vetëm sepse ajo merr një diplomë në një universitet. Oh, po, e di që kjo deklaratë ju befason. Por unë jam ende një anëtare e besimit mysliman dhe ndihem shumë e sigurt se do të mbetem gjithmonë e tillë. Ndoshta të gjitha ceremonitë e jashtme nuk më interesojnë aq shumë sa më parë, por realiteti i thellë i fesë sime është ende një pjesë e jetës sime.”

22-vjeçarja bukuroshe shqiptare, me një libër dhe një udhëtim të pazakontë mbi oqean në llogari të saj, nuk është kurrë fare e vetme.

“Bashkatdhetarët e mi këtu në Shtetet e Bashkuara më vëzhgojnë nga afër. Sa herë që shkoj në një kërcim (vallëzim), ha darkë me një djalë të ri, blej një fustan të ri, më sheh ndonjë shqiptar dhe shkruan për këtë drejt Shqipërisë.

Filed Under: Kulture

Shembull diktatori

January 15, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Duket si klikë e kohês së sotme, kur udhêheqêsi behet diktator për të pasuruar rrethin e tij dhe veten. Fatmirësisht, ata nuk sundojnë gjatë; diskreditohen nga korrupsioni i tyre.

Perandori romak August urrehej nga nënshtetasit; prej tij kishin frikë të gjithë, pavarësisht se ishte një sundimtar dashamirës që solli paqen në Romë për më shumë se gjysmë shekulli.

Ky paradoks intrigues mund t’i atribuohet disa faktorëve që ndikuan në perceptimin publik gjatë mbretërimit të tij.

Së pari, ngritja e Augustit në pushtet erdhi pas një periudhe trazirash të forta politike në Romë. Republika Romake ishte copëtuar nga luftërat civile, duke e lënë popullsinë të rraskapitur dhe të etur për stabilitet. Augusti, i njohur atëherë si Oktaviani, doli fitimtar në këto konflikte dhe mori kontrollin e perandorisë. Megjithatë, ngjitja e tij në pushtet kërkoi që të miratonte masa autokratike, të cilat disa i shihnin si braktisje të idealeve republikane. Ky kalim nga republikë në perandori, me Augustin në krye të saj, nguliti një ndjenjë shqetësimi tek ata që vlerësonin lirinë dhe parimet demokratike.

Për më tepër, Augustus zbatoi reforma të ndryshme që synonin konsolidimin e autoritetit të tij dhe krijimin e një qeverie të fortë qendrore. Ndërsa këto reforma ishin kryesisht të suksesshme në ruajtjen e stabilitetit dhe prosperitetit, ato përfshinin gjithashtu ndryshime të rëndësishme në shoqërinë romake. Për shembull, Augustus miratoi ligje për të inkurajuar martesën dhe lindjen e fëmijëve, duke kërkuar të forcojë popullsinë në rënie. Këto masa, edhe pse me qëllime të mira, cënuan liritë personale, duke çuar në pakënaqësi në mesin e segmenteve të caktuara të popullsisë që ndjenin se autonomia e tyre po kufizohej.

Për më tepër, kontrolli i përpiktë i Augustit mbi imazhin publik dhe propagandën kontribuoi në frikën dhe armiqësinë e drejtuar ndaj tij. Ai punësoi shkrimtarë të aftë, si Virgjili dhe Horaci, për të krijuar rrëfime që e portretizonin atë si një udhëheqës të mençur dhe të virtytshëm. Ndërsa kjo ndihmoi në forcimin e reputacionit si një sundimtar i aftë, krijoi gjithashtu një atmosferë përkushtimi të ngjashëm me kultin, me Augustin që u hyjnizua dhe adhurohej së bashku me perënditë tradicionale. Kjo përzierje e pushtetit fetar dhe politik ngjalli shqetësime tek ata që kishin frikë nga ndikimi në rritje i perandorit dhe gërryerja e vlerave tradicionale romake.

Për më tepër, administrata efektive e Augustit dhe sukseset ushtarake krijuan zili në mesin e aristokracisë. Politikat e tij që synonin centralizimin e pushtetit dhe pasurisë në Romë çuan në një përqendrim të burimeve dhe ndikimit në duart e disa të zgjedhurve. Kjo krijoi pakënaqësi tek ata që ndiheshin të përjashtuar nga rrethi i brendshëm i perandorit, duke çuar në thashetheme dhe komplote kundër tij. Perceptimi se Augusti po grumbullonte pasuri të tepërt personale dhe po favorizonte anëtarët e familjes së tij nxiti më tej pakënaqësinë publike.

Filed Under: Mergata

ERNEST KOLIQI QĒ NUK IKĒN DOT…

January 15, 2024 by s p

…me rastin e 49 vjetorit

tẽ vdekjes sē shkrimtarit themeltar…

– Rikujtesē nga Visar Zhiti –

KARTELĒ NĒ REALIZMIN E DĒNUAR

“…mësues, poet, shkrimtar, përkthyes, ministër i arsimit… Ernest Koliqi u lind në Shkodër, kur Shqipëria po përgatitej të dilte nga robëria e gjatë otomane, në vitin e tretë të shekullit të kaluar, në majin plot petale të ngrohta si puthjet, mes të cilave përzihet edhe ajo, puthja e Judës. ​​​​​​​​Do të merrte dije të gjera në Itali e Kroaci, mbartës i traditës dhe mbrujtës i risive letrare, themeltar i modernes në tregime, stilist dhe qëmtues i fjalës, aq sa duket sikur i mblidhte si bimët e rralla mjekësore maleve të Veriut, njohës i jetës, i mekanizmit të konflikteve, i brengave të moszgjidhjes, i muzgut dhe dritës në rrugët e njeriut, sidomos i rrugicave të Shkodrës, që e donte aq shumë, aq sa e bëri emblemë të këngës së vet…

Kur emërohet Ministër Arsimit (1939) është ai që çon institucionalisht në Kosovë arsimin shqiptar, dërgon 200 mësues nga më të përgatiturit, duke hapur të parën shkollë të mesme atje, më 1941, kur këtej, 200 të tjerë, jo mësues, por komunistë, me ndihmën jugosllave, sapo kishin krijuar një parti, e cila do të vendoste diktaturën më të rëndë, duke e braktisur Kosovën, që do të dënonte Koliqët dhe veprën e tyre…

Mbarimi i luftës do ta gjejë me punët e albanologjisë në Itali duke iu mbyllur përjetë rrugët e kthimit në atdhe, kur e dënuan në mungesë me vdekje.

Gjatë mërgimit të detyruar politik Ernest Koliqi nuk do të reshtë së punuari, themelon katedrën e albanologjisë në Romë, hap revista, bashkon diasporën, ringjall shpirtin arbëresh, harton antologji të poezisë mbarëkombëtare, ndjek me vëmendje jetën politike dhe kulturore në atdhe, shkruan poema, romane dhe do të ndikojë fshehtas edhe në vepra madhore të mëvonshme të letërsisë shqipe. ​​Vdes papritur në 15 janar të vitit 1975, në Romë. Ende atje prehen eshtrat e tij, në Varrezat e Monumentale.”

Kēshtu kam shkruar nē librin “Kartela të Realizmit të Dënuar”, studim imi, botuar ne Tiranë në 2020..

Ndodh të pyesin: vdiq apo e helmuan? Sepse ndodh në vendet diktatoriale, që t’i zhdukin kundërshtarët e tyre, madje dhe t’i ndjekin ata kudo ku mund të jenë arratisur…

Gjithsesi shkrimtari Ernest Koliqi tashmë i ka tejkaluar të gjitha vdekjet e veta.

Dhe unē vazhdoj pērsiatjet, Koliqi kẽrkon kohē dhe hapēsira mē shumē dhe tē reja…

E ARDHMJA QË KALOI,

​​DY VEPRA, TË CILAVE U DOLI PROFECIA…

​​

Nëse njihet në letërsinë botërore romani distopik “1984” i George Orwell, që parashikonte shqetësueshëm ndërtimin e një shoqërie totalitariste, të kontrolluar rreptë, pikërisht të përfunduar në vitin 1984 ashtu siç ishin sistemet diktatoriale në perandorinë komuniste dhe vepra është përkthyer në shumë gjuhë dhe vazhdon të ribotohet duke kumbuar si një kambanë alarmi, pak e dinë se është dhe një dramë, që profetizoi rënien e komunizmit që në vitet ’70 të shekullit të kaluar, “Rrajët lëvizin” e Ernest Koliqit, por ajo është shkruar në shqip, në gjuhën e një populli të vogël, që e përjetoi atë dramë, mbase pa e kuptuar dhe aq mirë.

​

DY PROFETËT E KOMUNIZMIT,

​QË S’E PËRJETUAN.

DY SHKRIMTARË MOSHATARË

– George Orwell dhe Ernest Koliqi

nën tmerrin e imagjinatës dhe mbi rrënjët e traditës –

“1984”- roman dhe “Rrajët lëvizin”- dramë. Dy vepra fantastike të së ardhmes… së shkuar tashmë. Romani, dihet, është i famshëm dhe i përket gjuhës botërore, anglishtes, ndërkaq, siç e thamë, është përkthyer në shumë gjuhë të tjera dhe vazhdon të kujtohet e të studiohet, kurse drama është e vogël, pak fletë, e shkruar në gjuhën e një vendi të vogël, të shqiptarëve, që dukej sikur e harronin me qëllim, ishte diktaturë, duke mos e futur atë dramë në letërsinë e vet, kur ajo doli dhe ende mungon zelli në posdiktaturë për ta b;ere të njohur dhe dh:en;e vendin e merituar.

Të dy autorët e tyre, shkrimtari anglez George Orwell dhe shkrimtari shqiptar Ernest Koliqi kanë lindur në shekullin XX, në vitin e tij të tretë, 1903, e vetmja gjë e përbashkët, rastësi natyrisht. Por dhe parashikimi i tyre, edhe pse me kahe të kundërt…

Ndërkaq Orwell-i lindi jashtë atdheut të tij, në Indi, perandoria angleze, mund të themi, kurse Koliqi lindi në Shqipëri, perandoria otomane, ndërsa Orwell-i do të bëhej i majtë ideologjikisht, deri dhe komunist, që shkoi dhe në Spanjë në luftën civile krah republikanëve, kurse Koliqi do të ishte i djathtë, madje dhe ministër i arsimit nën pushtimin fashist në atdheun e tij.

Orwelli do të kthehej të vdiste në atdhe, në Londër, nga tuberkulozi në 1950, Koliqi kishte ikur për të vdekur jashtë atdheut, në 1975 në Romë. Për të vdekur për së dyti, se në atdhe fitimtarët e pas Luftës II botërore e kishin dënuar me pushkatim, atë dhe veprën e tij.

Orwell-i, shkrimtar dhe gazetar i njohur, mbas Luftës së Dytë Botërore, në 1949, boton romanin “1984”, një imagjinatë e frikshme, sipas së cilës në vitin e titullit të veprës, gati e gjithë bota dominohej nga një totalitarizëm i rreptë, mizor, udhëhequr nga një parti e vetme, sunduese me “Vëllanë e Madh” në krye (Big Brother). Policia shtetërore e pranishme kudo, e dukshme dhe e padukshme, kontrollonte dhe drejtonte gjithçka, jo vetëm veprimet, po deri edhe mendimet e ndjenjat, një nënshtrimin masiv kapitullues, një shoqëri “trushpëlarë”, aq sa hitleriane, po aq dhe staliniste, e të dyjave bashkë, si mos më keq.

Orwell e njihte romanin distopik “Ne”, të shkrimtarit sovjetik Evgenij Ivanoviç Zamjatin, të shkruar në vitet 1919-1921 dhe botuar për herë të parë në anglisht në 1924. Në Bashkimin Sovjetik s’ishte lejuar të dilte atëhere ajo satirë marramendëse e totalitarizmit të Bashkimit Sovjetik, e gjitha një utopi negative. Fundi i botës vërtet.

Kujtoj vitin 1984, më gjeti në burg. S’isha më i burgosur i ri, por as i vjetër, nga ata që kishin bërë mbi 15 vjet burg, 20, 25, 30, edhe 40 vjet, që kur kishte mbaruar Lufta, por s’kishte nisur ende paqja.

Në oborrin e burgut, në stendën, ku vendosej gazeta politike “Zëri i Popullit”, organ i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, (më i gjatë emërtimi se vendi), ishte dhe një shkrim kritik për “1984”. Aty gjeta se paskësh një roman të tillë dhe gazeta e Partisë e bënte copë-copë, që ja erdhi dhe ky vit dhe alarmi që kishte dhënë autori borgjezo-revizionist se ç’ishte komunizmi dhe që në 1984 duhej të binte, ishin të rreme. Komunizmi do të triumfonte në të gjithë botën së shpejti, sipas gazetës së Partisë, sidomos po të kishte një luftë të tretë botërore…

Bashkëmoshatari i Orwelli-t, shkrimtari Ernest Koliqi, që nuk e di në mund të jenë takuar ndonjëherë njëri me tjetrin, shkruajti në Romë, ku ishte vendosur si azilant politik, dramën me një dukë/akt, “Rrajët lëvizin”, titullin e së cilës e mori nga një varg i poetit Tomas Eliot.

Ngjarjet e dramës ndodhin në vendlindjen e autorit, në Shkodër, në perspektivë, kanë ardhur vitet ’70, (fjala është për shekullin e kaluar), pra jemi një dhjetëvjeçar para 1984 oruelliane dhe çudia është se aty parashikohet e kundertën e Orwellit, jo fitorja botërore, por rënia e totalitarizmit.

Unikale dhe largpamëse deri në mrekulli, e brishte, madje dhe lirike, trama e saj e ka forcën jo te konflikti i brendshëm, me fare pak personazhë e dialogë të zakonshëm, po te konflikti historik i popujve, atij ndërkombëtar, te rënia e natyrshme e komunizmit.

Vepra, sa klasike është dhe risi në letrat shqipe, etj, mbetet profetike mbase si asnjë vepër tjetër në të gjithë letrat në perandorinë komuniste. ​​Koliqi ishte i pari dhe i vetmi shkrimtar që parashikoi rënien e asaj perandorie me një vepër letrare, kur totalitarizmi stalinist ishte në kulmin e vet, në mesnatën e rëndë në vendin e tij..

Autori si një orakull kishte parashikuar vdekjen e vet në ato vite dhe të diktaturës. Saktësia është tronditëse për parashikimin e parë, por ndodhi dhe parashikimi i dytë, pak më vonë se viti i tij dhe i Orwellit, në vitet ’90, por krizat e tatëpjetës kishin nisur që në kohërat e tyre.

Koliqi si një “AntiOrwell” ose “Orwell pozitiv” me dramën e vet vegoi fitoren e individit mbi massën, e parë kjo në familje, në qelizën e shoqërisë, në një shtëpi të thjeshtë dhe të vjetër, që është atdheu.

Shqipëria, nga një vend i tmerrshëm ateist, i pari dhe i vetmi në botë, që i kishte ndaluar me Kushtetutë të gjitha fetë dhe i kishte prishur të gjithë tempujt e tyre, i rrënuar shpirtërisht, në dramën e Koliqit është ringjallur, janë hapur sërisht kishat, bien kambanat dhe po nis jet:en drejt normalitetit…

Regjimi në Shqipëri, Sigurimi i Shtetit e mori informacionin për botimin e një drame të tillë reaksionare nga një i dënuar me vdekje, por arratisur në një vend kapitalist, në Itali. Rrugët e fshehta jo dhe aq diplomatike bënim me dije udhëheqjen e lartë në Tiranë se Ernest Koliqi, armik i betuar i popullit dhe i Partisë, që meritonte plumbin ballit, ka botuar në Romë në revistën e tij reaksionare që del në shqip, “Shejzat”, dramën më reaksionare “Rrajët lëvizin”…

Dhe hakmerreshin mbi të vëllanë e tij, priftin Dom Ernest Koliqi, duke mos e nxjerrë nga burgu, por duke i shtuar dënimet, burg dhe internime deri në fund.

Kritikës së politizuar dhe cinike, po aq dhe mediokre të Realizmit Socialist i vinte më për mbarë heshtja e qëllimtë, por mbytëse dhe ashtu bëri si zakonisht, por në leksionet e studentëve të letërsisë, i mbaj mend dhe i diskutonim me njëri-tjetrin, në njërën nga dispencat si e shaptilografuar, ishte dhe një fletë nga fundi që e godiste ashpër dramën e Koliqit, si frojdiste, që kërkon të thotë se regjimi socialist në Shqipëri bëri ndryshime të mëdha, shkatërroi dhe vrau shumëçka dhe sipas autorit tradhtar, dmth Ernest Koliqit, gjithçka ka ndodhur përsipër, se nëntokë, rrënjët e jetës, të futura thellë te të vdekurit, janë gjallë dhe lëvizin….

Me një ngazëllim djallëzor kritika socrealiste tha atëhere se Koliqi nga dy parashikimet që bëri, gjeti veç atë të vdekjes së vet.

Ne si studentë, rrethi më i ngushtë yni, i ngazëllehej kumtit koliqian, duke na pataksur që paskësh një drame të tillë, nga Koliqi, ja aty e ka shtëpinë, te rruga matanë, jo shumë larg Institutit tonë, që ja, përtej vendit tonë, u folka për rënie të komunizmit, nuk qenka i përjetshëm dhe diskutonim që këtë pasazh lektori e kishte futur për të rroposur Koliqin apo me dinakëri, për të bërë me dije se ç’është shkruar. Gjethsesi ne i ishim mirënjohës për kritikën dhe shikonim se kishte shkrimtarë të tjerë shqiptarë më përtej, jo si tek ne…

Në dramën “Rrajët lëvizin” bien dhe kambanat e së dielës në kishat e qytetit të Ernest Koliqit, ku ishim studentë, se ndërkaq, sipas parashikimeve të dramës ishin ripahur kishat, që diktatura ateiste i kishte shtetëzuar bashkë me xhamitë duke i kthyer në kinema, ku shikonim filmat e socrealizmit, në pallate sporti, ku zhvillonim dhe mësimin e fizkulturës apo në magazina ushtrie, ku na jepnin uniformat dhe armën, që të stërviteshim për të luftuar imperializmin dhe revizionizmin botëror dhe nëse na sulmonin të dy njëherësh, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik, ne, Shqipëria, të fitonim…

Ndërkaq erdhi dita që “1984” të botohej dhe në Shqipëri, dhe jo vetëm me një përkthim. Rilexova njërin, pashë që gjuha shqipe e mbarte mirë atë tmerr dhe absurd.

Rreziku i 1984-ës duket se është permanent duke iu avitur jo vetëm vendeve të ish Bllokut Komunist, por si një ëndërr e keqe globale.

Ndërsa drama “Rrajët lëvizin” vazhdon të jetë si një kambanë, bie dhe bie dhe nuk ndalim ta dëgjojmë…

Me të do të mund të mburrej çdo skenë, nder për kulturën, për inteligjencën në të gjithë Evropës Lindore. Ishte dhënë kështu kumti i madh që atëhere dhe vinte nga letërsia shqipe, nga pjesa e dënuar e saj. Profecia e shkrimtarit të arratisur Ernest Koliqi do të dilte. Do të shëmbej Muri i Berlinit në vitin 1989, në Rumani do të ngrihej populli dhe do ta ekzekutonte diktatorin e vet, sundimtarët në Tiranë do të tmerroheshin, do të binin diktaturat me radhë të perandorisë komuniste. Edhe kjo, jona. S’ishte e jona, por që na shtypte ne… Akujt e saj andej larg, përmbysnin dhe këtej…

​Kishat dhe xhamitë u hapën vërtet. Kambanat po binin. Ndërsa vëllanë e shkrimtarit, Dom Mikel Koliqi, Selia e Shenjtë, Vatikani, e shpalli kardinal, i pari kardinal shqiptar…

​Nga skenat e teatrove shqiptare presim të shohim dramën “Rrajët lëvizin”, por dhe përkthimin e veprës, për teatrot e tjerë në Europë dhe botë… që të mos ketë “1984”. Por familje dhe botë të lirë dhe letërsi dashurie.

Filed Under: LETERSI

Dr. Lumnije Kqiku profesoresha e titujve akademik në botë, një shqiptare në Woman in global Health Austria

January 15, 2024 by s p

Shkruan: Alberina Shabani/

Prof. Dr. Lumnije Kqiku është një nga autoritetet botërore me prestigj të lart – model i një gruaje të suksesshme. Ajo njihet për arritjet e saja në të gjitha nivelet akademike në moshën e saj të re shkencore. Mbetet motiv edhe për shumë gra të tjera anekënd botës. Edhe pse jo e lehtë për të ajo mbetet edhe më tutje në trendin e zhvillimeve më të reja, ku me punën e saj të palodhshme dhe guximin që ka ofron një model ndryshe të vepruarit në shkencë e studime ndërkombëtare.

“Suksesi im është i prekshëm dhe jam krenare që përfaqësoj kombin tim dhe jam e pranishme në takimet më të avancuara të nivelit ndërkombëtar. Të depërtosh në portat e botës dhe të tregosh rrëfimin tendë të suksesit të madh është edhe nder edhe krenari, e para se jam nga Kosova dhe e dyta se e rangoj Kosovën dhe shqiptarët në hierarkinë e shkencës botërore” ka thënë Kqiku. Dr. Kqiku pothuajse ka përjetuar të gjitha të arriturat shkencore dhe pretendon se e ardhmja e saj është akoma më aktive në shkencë.

“Shkenca nuk ka kufij sepse ajo zhvillohet me kalimin e kohës edhe më shumë. Nuk guxojmë të stagnojmë e as të krekosemi, se kemi arritur rezultate finale apo kulminante. Ne duhet të ecim me kohën dhe durimi im dhe i kolegëve të mi i kushtohet shkencës, dijes, vlerave universale dhe atyre që kanë dëshirë të prosperojnë në fusha të ndryshme” shprehet Kqiku.

Prof. Dr. Kqiku e cila tashmë ka përfituar titullin ambasadore e shkencës në botën shqiptare jep edhe një mesazh për shqiptarët kudo që ndodhen në botë dhe janë të angazhuar ose mendojnë të angazhohen në tituj shkencor dhe hulumtime të avancuara studimore.

“Mos u dorëzoni për asnjë moment, mos u largoni nga dëshirat e juaja për të mbërritur në hierarkinë e njerëzve më me ndikim në shkencë sepse gjithçka është e mundur dhe gjithçka varet nga këmbëngulja e juaj dhe intelekti për ta finalizuar një ëndërr tuajën. Unë jam kudo dhe me ju e pranë jush sepse kam përkrahur dhe vazhdoj të përkrah pa asnjë interes kuadrot shkencore nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, e kudo në trojet shqiptare” shton Kqiku.

Ajo si nënë e tre fëmijëve, duket që përpos shkencës ka vendosur të përfaqësoj vetën dhe kombin shqiptar edhe në WOMAN IN GLOBAL HEALTH komunitet ky që boton biografitë e anëtarëve të saj aktiv, të cilët shquhen për të arriturat e tyre dhe karrierën e jashtëzakonshme, sidomos atyre që njihen si “gra te forta”.

Ndër temat kyqe që kanë lënë gjurmë dhe shquhet dr. Kqiku në këtë aktivitet do të jenë: Gratë udhëheqëse në shëndetin global, gratë në shkencë, të drejtat e grave dhe fëmijëve si dhe fuqizimin e grave.

Po ashtu, Prof. Dr. Kqiku ka marrë shumë çmime kërkimore dhe është ftuar në shumë vende ku ka mbajtur leksione të shumta “keynote” dhe ka shërbyer si eksperte e fushës. Në prill të vitit 2023, Dr. Kqiku është nderuar me Çmimin “Personalitet Nderi me medalje të artë” nga Qyteti i Graz-it të Austrisë, manifestim ky në të cilin ishin të pranishëm pothuajse gjithë qeveria e qytetit si dhe vet kryebashkiakja e Gracit Elke Kahr, e cila me këtë rast ka theksuar: “Mirënjohja është gjëja më e thjeshtë për të ju thënë faleminderit”.

Ndërsa, Dr. Kqiku kishte thënë në ditën e ndarjes së çmimit: “Çmimi i fundit që u nderova nga qyteti i Grazit të Austrisë për të arriturat shkencore “Personalitet nderi me medalje të artë”, është çmim që na nderoi të gjithëve si komb dhe do të vazhdoj të përfaqësoj atë kudo që jam”.

Prof. Dr. Lumnije Kqiku është profesoreshë në Universitetin e Gracit / Austri udhëheqëse e Klinikës Speciale të Endodoncionit dhe Traumatologjisë Dentare në Grac të Austrisë. Është anëtare e shumë shoqatave dentare vendore dhe ndërkombëtare, njëherit edhe recensente e shumë revistave shkencore dentare që me punën e saj të palodhshme, guximin dhe diturin e bën një zonjë të dalluar, karriera e së cilës është frymëzuese për rrugën e suksesit.

Filed Under: Emigracion

Në Kosovë – Masakra e Reçakut para çerek shekulli, një nga shumë dëshmitë e gjenocidit të Serbisë

January 15, 2024 by s p

– Në prag të 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në një takim Ambasadorin Amerikan William Walker

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 14 Janar 2024/ Në prag të 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një takim miqësor, Ambasadorin William Walker.

Kryeministri Kurti e falënderoi për kontributin e tij të pazëvendësueshëm gjatë kohës së luftës dhe jehonën që i dha masakrës së Reçakut në rrafshin ndërkombëtar, duke përshkruar ndodhinë në Reҫak si masakër dhe krim kundër njerëzimit.

Rikujtuan vitet 1998 dhe 1999, kur ambasadori William Walker ishte në Kosovë në krye të Misionit Verifikues të OSBE-së, që kishte për mision të verifikonte nëse forcat serbe po vepronin në përputhje me marrëveshjen e tetorit të Kombeve të Bashkuara, për të tërhequr forcat e armatosura dhe për të respektuar armëpushimin.

Ambasadori Walker tha se ndjehet i lumtur dhe krenar për atë që Kosova ka arritur në një periudhë të shkurtër kohore, duke u bërë një nga shtetet më demokratike në Evropë. Ai tha se sa herë që vjen në Kosovë u gëzohet ndryshimeve që i sheh teksa lëvizë nëpër rrugët e Kosovës.

Bashkë me urimet për jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, Kryeministri Kurti ritheksoi mirënjohjen ndaj Ambasadorit Walker, për rolin e tij korrekt, konkret dhe aq human të treguar në raport me krimet e luftës që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Neser në orën 08:30, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani bën homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak.

Në orën 09:30, Presidentja Osmani merr pjesë dhe mban fjalim në Akademinë Përkujtimore, në 25 vjetorin e Masakrës së Reçakut.

Në Reçak, fshat i Kosovës në komunën e Shtimes, në 15 Janarin e vitit 1999 forcat serbe rrëmbyen nga shtëpitë e tyre dhe ekzekutuan mbi 40 banorë civilë shqiptarë. Ambasadori Amerikan William Walker, në atë kohë shef i Misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, në vizitën në vendin e ngjarjes masakrën në Reçak e cilësoi krim kundër njerëzimit.

Në Kompleksin Përkujtimor Masakra e Reçakut, në Murin e Përkushtimit janë skalitur në mermer fotografitë e 44 martirëve-dëshmorëve.

Masakra e Reçakut është një nga dëshmitë rrënqethëse të krimeve në luftën e përfunduar në Qershorin e para çerek shekulli – 25 viteve në Kosovë, gjatë së cilës forcat serbe vranë e masakruan më shumë se 12 mijë shqiptarë e mëse 6 mijë rezultonin të zhdukur, derisa në fushatën e gjenocidit e spastrimit etnik rreth një milion shqiptarë i dëbuan, shumicën drejt Shqipërisë.

Po para 25 viteve, pas masakrës së Reçakut, pas intensifikimit të përgatitjeve për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, në Kështjellën e Rambujesë, afër Parisit, në 6 Shkurt 1999 filloi Konferenca e Rambujesë. Kosova përfaqësohej nga i gjithë spektri politik e ushtarak. Konferenca u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.

Në mes të Marsit 1999 përfaqësuesit e Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën. Beogradi – pala serbe refuzoi ta nënshkruajë. Ishte hapur rruga për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për Kosovën.

Periudha në mes të dy takimeve të Rambujesë dhe Parisit u shfrytëzua nga regjimi i Beogradit për të dërguar në Kosovë trupa dhe pajisje të mëdha ushtarake shtesë. Numri i forcave serbe, në kulmin e luftës, sipas vlerësimeve të kohës, mund të ketë arritur në 130.000.

Në 24 Mars filloi fushata ajrore e bombardimeve nga NATO prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mengjesi i 12 Qershorit 1999 forcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s nisën të hynin në Kosovë. Në këtë vit 2024 bëhen 25 vjet të Lirisë së Kosovës nga Qershori historik 1999…

Në atë kohë raportoja për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë…

MASAKRA E REÇAKUT, DISA NGA RAPORTIMET QË BËJA PARA 25 VITEVE:

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1999/99-01-15.ata.html

[05] Serb forces attack Shtimje areas

PRISHTINE, Jan 15 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that Serb police and army forces had started early on Friday an offensive against Recak village, Shtimje area.

Sources of the Council for the Human Rights said that heavy artillery was bombing the village while Serb infantry was attacking Albanian villages.

There are no reports on the consequences of the attack but the population is fleeing the area. /pta/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[12] Rugova urges deployment of NATO forces to calm situation

PRISHTINE, Jan 15 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that President of Kosova Ibrahim Rugova told a news conference on Friday that the situation in Kosova was worse, dangerous and tragic and deployment of NATO troops would calm it.

Rugova condemned the attempted assassination of the chief of the Kosova Information Office Enver Maloku calling it an attempt against the independent institutions of Kosova. He added that a “new climate of violence with unclear killings” was created in Kosova.

He called “dramatic” the presence of the Serbian army in Prishtina and blocking of access to Prishtina by Serb armed groups.

Rugova hailed the intervention of the OSCE chairman -in-office Knut Vollebaek and chief of the OSCE mission there William Walker and his staff in calming the worse situation created during the week.

But “the deployment of NATO troops in Kosova will calm the situation and guarantee safety for citizens and that part of Europe and world,” Rugova said. /pta/ak/

Albanian Telegraphic Agency

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1999/99-01-16.ata.html

[22] 80 Albanians killed, massacred in Shtimje

PRISHTINE, Jan 16 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that some 60 to 80 Albanians were killed and massacred by Serb forces in Recak village, according to sources of the Kosova Democratic League in Shtimje.

Most of them were women, old men and children. They were killed while trying to flee the attack and found dead out of the village. Killed and massacred people were also found in houses with 24 persons killed in a room.

Eight out of all killed and massacred in Recak are KLA members. LDK sources in Shtimje said that there were no reports on casualties in Mollopolc and Petrove villages, which were the targets of the attack of large Serb military, police and paramilitary forces.

Sources said that identification of those killed and massacred was continuing. /lh/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[24] Kosova leader urges NATO immediate intervention

PRISHTINE, Jan 16 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that the president of Kosova Ibrahim Rugova urged on Saturday an urgent intervention of NATO forces in compliance with the decision on immediate activation of the alliance.

Rugova said that an energetic and decisive international intervention could stop the Serb military and police machine and create preliminaries for a political solution to the Kosova issue. Rugova made the statement after yesterday’s massacres of Serb forces in Shtimje region.

He strongly denounced the massacre of the Albanian population and said that the heavy attack of Serb forces against the Shtimje region was undertaken while the international factors were engaged in finding a political solution to the Kosova issue.

The attack against the civilian population was a flagrant opposition to these efforts, Rugova said in his statement.

He urged international energetic intervention in Kosova in today’s meetings with an extensive delegation of the Foreign commission of the Norwegian parliament and Swiss ambassador to Belgrade Pol Vilfi.

Many political parties and organisations condemned the massive execution of Albanians in villages of Shtimje and asked for urgent deployment of NATO forces in Kosova. /lh/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[26] Kosova president declares mourning day

PRISHTINE, Jan 16 – ATA correspondent Behlul Jashari reported that the Kosova president Ibrahim Rugova declared Sunday a day of mourning in Kosova.

Sources of the presidency said that “following the massacres of dozens of Albanians in the commune of Shtimje by Serb military and police forces, the president of the Republic of Kosova declares Sunday, January 17, 1998 a mourning day in Kosova to honour the victims.” lh/ak/

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 52
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT