• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2024

“Shteti dhe komunitetet fetare 1951-1952”

January 5, 2024 by s p

Kur Shqipëria vendosi të ndalojë me Kushtetutë komunitetet fetare dhe të drejtën e besimit de facto kjo kishte ndodhur kohë më parë. Përgjatë dy dekadave pas Luftës së Dytë Botërore regjimi komunist përdori një sërë mekanizmash represioni, denigrimi, persekutimi dhe së fundi edhe kontrolli e dobësimi të komuniteteve fetare. Në fazën e parë u eliminuan shumica e drejtuesve fetarë që konsideroheshin kundërshtarë politikë ose me ndikim më të madh sesa vetë Partia te qytetarët. Pas fazës së represionit (1945-1949), regjimi krijoi instrumente ligjore dhe institucionale për të legjitimuar ndikimin te komunitetet fetare dhe ndryshimin gradual të drejtuesve e fokusit të aktivitetit të tyre. Vëllimi i parë “Shteti dhe komunitetet fetare” e përshkruan në detaje këtë proces shtetëror të ndërhyrjes brutale në çështjet fetare dhe komunitetet përfaqësuese. Në këtë vëllim plotësohet tabloja e politikës fetare të regjimit me dokumente zyrtare, të cilat pasqyrojnë kontrollin ideologjik, dobësimin dhe izolimin e komuniteteve fetare.

Në shkurt të vitit 1951 organi më i lartë shtetëror për fetë, Komiteti për Çështje Klerikale, në një informacion drejtuar titullarit të Kryeministrisë paraqet shqetësimin se komunitetet fetare janë lejuar nga Ministria e Financave të njihen paraprakisht me draftin e buxhetit të tyre vjetor, i cili ishte reduktuar ndjeshëm në raport me kërkesën dhe me buxhetin e vitit paraardhës. Informacioni mbi buxhetin konsiderohej sekret dhe Kryeministria udhëzonte ministrinë për refuzimin e çdo konsultimi me komunitetet fetare për këtë problem. Ky është një prej rasteve të shumta të ndërhyrjes zyrtare për të ushtruar ndikim dhe presion përmes buxhetit te komunitetet fetare, i cili tregon më së miri eliminimin e pavarësisë së tyre.

Botimi sjell korrespondenca dhe shkresa të shumta zyrtare, nëpërmjet të cilave autoritetet shtetërore ushtronin kontroll dhe presion përmes shkurtimeve në buxhet, heqjes së investimeve dhe buxhetit për arsimin fetar, vonesave në miratimin e strukturave, ndërhyrjes në struktura dhe në projektet buxhetore, refuzimit të kërkesave të veçanta financiare lidhur me aktivitete të rëndësishme për komunitetet etj. Vetë fakti se komunitetet, në aspektin administrativ ishin pjesë e strukturës dhe e organikës shtetërore, me status të njëjtë si entet prodhuese dhe shtetërore, e dobësoi ndjeshëm rolin dhe aktivitetin e tyre dhe i ktheu ato në institucione të varura tërësisht nga vullneti politik e vendimmarrës i qeverisë dhe i PPSH-së.

Në botim gjenden relacione si ai i 30 prillit 1951 i Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Sarandës drejtuar Këshillit të Ministrave, i cili titullohej “Mbi disa priftërinj e hoxhallarë me qëndrim jo të mirë politik dhe kërkesë për pushimin e tyre nga puna”. Pra, ky institucion i pushtetit lokal vendoste për pushimin nga puna të klerikëve, ndonëse kjo ishte një e drejtë që, sipas statusit dhe ligjeve, u takonte vetëm komuniteteve fetare. Në relacionin e cituar dhe në dokumente të tjera tipologjike, të përfshira në këtë botim, priftërinj dhe hoxhallarë akuzoheshin se kanë pasur “qëndrim jo të mirë politik, që gjatë luftës kanë simpatizuar e ndihmuar organizatat tradhtare dhe okupatorin dhe sot mbajnë po atë qëndrim armiqësor karshi pushtetit dhe partisë”. Mbi këtë bazë komitetet ekzekutive propozonin “që të pushohen duke mos u lejuar që t’ushtrojnë profesjonin mbasi puna e tyre akoma si të tillë sjell rrezik”, një shprehje tipike e praktikës ideologjike dhe e ndërhyrjeve politike në çështjet fetare.

Vëllimi paraqet raste të ndryshme dhe emra konkretë të refuzimit nga autoritetet shtetërore të njohjes apo emërimit të kandidatëve të sjellë nga komunitetet fetare për postet fetare brenda vetë komunitetit. Këto të fundit ishin të detyruara të kërkonin lejen e autoriteteve qendrore për çdo veprim të brendshëm, deri edhe te punësimi apo emërimi i rojës së objekteve fetare, apo individëve të tjerë në sektorin teknik mbështetës. Ky ishte tregues i humbjes së plotë të lirisë dhe të drejtave të tyre për vetorganizim, si dhe i humbjes së pavarësisë apo të autonomisë së tyre. Praktika të tilla shfaqen vazhdimisht në dokumentet e këtij botimi, si në rastin e gushtit të vitit 1951, kur Komiteti Ekzekutiv i rrethit të Durrësit i kërkon Kryeministrisë shkarkimin e myftiut të Kavajës, me argumentin se ishte njeri me influencë, i lidhur me bejlerët e Kavajës, dhe se prandaj “pushteti e shpronësoi nga tokat, çifligjet që ai kishte, i shtetëzoi shtëpijat dhe pasurinë tjetër që kishte në qytetin e Kavajës”. Ai akuzohej se kishte një vëlla të arratisur politik jashtë shtetit; se, gjatë ushtrimit të detyrës së tij fetare, “asnjëherë nuk ka propaganduar për problemet e ndryshme të pushtetit”; dhe se “nën petkun e fesë, ai qëndron me njerzit kulakë me tregtarët e vjetër të Kavajës e të tjerë njerëz të kësaj kategorije”. Të gjitha akuzat ndaj tij, siç shihet, janë politike, dhe nuk kanë lidhje me aktivitetin e tij në përmbushje të detyrave dhe të përgjegjësive fetare. Në këtë mënyrë, dokumentet provojnë se testimi i biografive politike dhe kriteri thellësisht ideologjik u bënë kriteret kryesore të pranimit ose refuzimit të personelit fetar të secilit komunitet, duke zbatuar devizën e luftës së klasave dhe të diferencimit ideologjik edhe në çështjet e besimit. Po ashtu, angazhimi i strukturave drejtuese të regjimit kundër individëve fetarë me ndikim në komunitet dhe në qytetet ku jetonin, flet për papajtueshmërinë e tyre ndaj çdo force tjetër me ndikim publik, përfshirë edhe fenë dhe fetarët.

Pas ndryshimit të drejtuesve fetarë dhe promovimit të drejtuesve të tjerë me lidhje të forta politike me PPSH-në, disa prej tyre, përfshirë edhe institucionet fetare qendrore, iu përshtatën situatës së re, duke u shndërruar de facto në seksione politike të PPSH-së që vepronin në sferën fetare. Vëllimi paraqet një numër të konsiderueshëm dokumentesh origjinale të kohës, të gjitha të pabotuara më parë, nëpërmjet të cilave paraqitet thellësia e indoktrinimit ideologjik dhe e njësimit të një pjese të komuniteteve fetare me strukturat e seksionet besnike të PPSH-së. Një rast tipik i ndërhyrjes së politikës, por edhe i nënshtrimit të vetë komuniteteve fetare, vjen në vëllim përmes letrave të hapura, deklaratave dhe telegrameve të komuniteteve fetare pro “lëvizjes për paqe”, nismë e marrë në vendet ish-komuniste të kontrolluara nga BRSS-ja, me fokus sulmin kundër SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe fuqive të tjera perëndimore. Në njërin prej këtyre dokumenteve të nënshkruara nga kryepeshkop Paisi, theksohej se “n’atmosferën e llahtarshme, që nxitësit e luftës amerikano-anglezë dhe satelitët e tyre kanë krijuar me anën e kërcënimit të shpërthimit të një lufte, me qëllim që të skllavërojnë e shfrytëzojnë popujt me anën e forcës, bota paqedashëse, e prirë nga Bashkimi i lavdishëm Sovjetik dhe Stalini i Madh, përgjigjet me anë veprash dhe aksionesh paqësore dhe nëpërmjet t’intensifikimit të luftës për mbrojtjen e kauzës së shenjtë të paqes, e cila ushqen aspiratat dhe interesat vitale të masave dërrmonjëse të popujve të mbarë botës”. Në tërësi në dokumente të tilla të njëjta nga secili komunitet fetar, në rezolutat dhe deklaratat të cilat gjenden edhe në këtë botim, fuqitë perëndimore paraqiten si vende tradhtare, armike, kërcënuese për paqen, simbol i së keqes etj., terma të imponuar nga PPSH-ja dhe regjimi, në kuadër të fushatës propagandistike kundër tyre.

Në këtë botim del në pah edhe politika me dy fytyra e regjimit: njohja zyrtare e komuniteteve fetare në publik dhe, nga ana tjetër, angazhimi i qeverisë dhe i PPSH-së për të bllokuar apo kufizuar aktivitetin e tyre. Kjo pasqyrohet nëpërmjet disa dokumenteve sekrete të sjella në botim. Një prej tyre është letra sekrete e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Irfan Çelkupa, në shkurt të vitit 1951, drejtuar komiteteve ekzekutive të rretheve për pengimin e aplikimeve për bursa në Medresenë e Përgjithshme. Ai u kërkon komiteteve ekzekutive “të punohet indirekt për të mos dalë asnjë kandidat bursist për frekuentimin e kësaj shkolle, por në rast se kjo nuk arrihet, meqenëse myftinija aty është udhëzuar të kërkojë mendimin t’uaj për ata që do të propozojnë, duhet parë mirë që të mos përfitojnë njerëz që nuk kanë mbajtur qëndrim të mirë ose që rrjedhin nga shtresa që nuk pajtohen me frymën e pushtetit t’onë popullor”. Nga njëra anë, qeveria i lejon komunitetet të japin bursa dhe të paraqiten në publik si institucione të pavarura, nga ana tjetër udhëzimi “tepër sekret” është i kundërt, pengimi i dhënies së bursave dhe nëse dështohet, përzgjedhja ideologjike e kandidatëve të mundshëm fitues.

Po ashtu, në vëllim jepet një udhëzim tipizues i taktikave të regjimit për të ndikuar në situatën brenda komuniteteve fetare, siç është letra e Komitetit të Çështjeve Klerikale, drejtuar zëvendëskryeministrit Mehmet Shehu, lidhur me dy qarkore që do t’iu dërgoheshin komiteteve ekzekutive në gusht të vitit 1951 mbi raportet me klerin dhe porosia e zëvendëskryeministrit që udhëzimi, pasi të studiohej e të mbahej shënim, t’i kthehej prapë Kryeministrisë. Një prej objektivave kryesorë të punës në udhëzim ishte “puna për kufizimin e zgjerimit të klerit dhe të instituteve fetare në numër”, ku shprehet pakënaqësi p.sh., që Komunitetit Mysliman i ishin dekretuar 300 persona gjatë vitit 1950, “gjë e cila shkakton rritjen e influencës dhe të përhapjes së dogmave fetare në një shkallë më të gjerë që në parim bije në kundërshtim me vijën e Partisë dhe të pushtetit”. Kjo sipas udhëzimit, bëhej edhe më shqetësuese pasi “në shërbim të klerit si klerikë dhe laikë janë marrë njerëz me përbërje të keqe, kështu që në rast se nuk do të ushtrohet edhe më tej vigjilenca t’onë, ka rrezik që kleri të bëhet një organ i dallavereve dhe fanar për reaksionin”.

Rritja e influencës fetare si zhvillim në kundërshtim me vijën e Partisë dhe pushtetit?! Po. Në vitet ’50 ishte e qartë se PPSH-ja nuk do të toleronte që asnjë pjesë e shoqërisë të mbetej jashtë ndikimit të saj, si dhe asnjë organizim të mundshëm ose ide të pavarur, që mund të përbënte rivalitet me vijën politike të PPSH-së. Objektivi ishte i qartë dhe jetësimi i tij ishte vetëm çështje kohe, derisa Shqipëria në fund të viteve ’60 të niste edhe zyrtarisht përpjekjet për të arritur ndalimin e besimit fetar e institucioneve fetare dhe shpalljen e vendit, shteti i vetëm ateist. Dokumentet e vëllimit janë prova të kësaj kurbe që ndjek politika zyrtare dhe një tregues tjetër i situatës së jashtëzakonshme në të cilën u ndodhën komunitetet fetare, besimtarët dhe të gjithë ata që kishin një kulturë fetare në vend.

Pjesë e vëllimit janë edhe disa të dhëna statistikore me rëndësi hulumtuese dhe referuese, siç janë të dhënat e personelit drejtues të secilit prej komuniteteve fetare, aktet e brendshme rregullatore, buxhetet vjetore dhe strukturat përbërëse, të dhënat për lidhjet dhe raportet me komunitetet e tjera fetare brenda sferës sovjetike, proceset e brendshme të zgjedhjeve dhe të emërimeve, aktivitetet dhe bilancet e punës, si dhe debatet e brendshme rreth emërimeve dhe ndikimeve nga jashtë komunitetit. Të dhënat plotësojnë gjetjet e mësipërme dhe japin një pamje më të qartë të burimeve njerëzore në institucionet fetare në Shqipërinë e viteve 1951-1952 dhe raporteve të tyre me pushtetin.

Ashtu si edhe në vëllimin e parë, stafi realizues i Institutit të Historisë është mbështetur në punën e tij kërkimore dhe dokumentuese nga fondacioni gjerman “Konrad Adenauer” në Tiranë. Kolana mbi shtetin dhe komunitetet fetare arriti në vëllimin e dytë, një botim tjetër për vitet pasuese është në proces. Qëllimi i Institutit dhe i KAS-it është ofrimi përmes dokumenteve i raporteve midis shtetit dhe komuniteteve fetare në kuadër të dokumentacionit mbi indoktrinimin komunist në shtet e shoqëri, si dhe të nevojës për njohje e trajtim sa më shkencor dhe faktik të periudhës 1945-1990 në Shqipëri. Stafi u ka qëndruar besnik standardeve profesionale të kërkimit arkivor, të renditjes së dokumenteve, të gjuhës origjinale të tyre, të përzgjedhjes bazuar në rëndësinë e dokumenteve dhe cilësitë e tyre, si dhe të përzgjedhjes së balancuar midis komuniteteve.

Për jetësimin e këtyre vëllimeve Instituti i Historisë dhe autorët përgjegjës falënderojnë fondacionin gjerman KAS. Publikimi i tyre, pasuron burimet historike që vihen në qarkullim shkencor të cilat janë me interes për vetë komunitetet fetare dhe kanë vlerë referuese, studimore, memoriale dhe historike, duke sjellë edhe një kontribut mbështetës për sociologët, pedagogët, gazetarët, studentët, qytetarët e interesuar dhe grupet e ndryshme të interesit, aksesi i të cilëve për të gjitha dokumentet e vëllimit do të jetë falas.

Filed Under: LETERSI

SKAVICA – ARGUMENTA DHE EVIDENCE – TRAJTIMI ENERGJITIK

January 5, 2024 by s p

Koha per te menduar Hidroenergjine: SKAVICA-Ky projekt qe varros Dibren nen uje, a i duhet ne te vertete Shqiperise? 

A round white circle with green and yellow circle with a tree and water and text

Description automatically generated
A mountain landscape with a road and trees

Description automatically generated with medium confidence

Photo credit @Ferzileta Gjika

  1. Zhvillimi i procedurave kompetitive

1.1 Ndërtimi i hidrocentralit “Skavica” ishte parashikuar nëpërmjet Western Balkans Investment Framework (tani e tutje WIBF), kodi i projektit PRJ-ALB-ENE-008, bankë e cila kishte dhënë grant në vlerën 1,507,500 Euro. Kontributi lokal ishte në vlerën prej 40,000,000 Euro, ndërsa projekti kishte siguruar dhe kredi nga Institucioni Financiar Ndërkombëtar EBRD, me kushte mjaft të favorshme, në vlerën prej 206,000,000 Euro.

Ky projekt, jo vetëm që nuk përmbyt sipërfaqen e përcaktuar për tu përmbytur nga projekti i ri i Sklavicës, por, më e rëndësishmja, është në përputhje të plotë me legjislacionin ndërkombëtar (MSA) por dhe me atë shqiptar lidhur me konkurrencën. Gjithashtu, ka një grant të alokuar si dhe një kredi të garantuar.

WBIF është një partner institucional i Shqipërisë, ku, nga 2009 ka mbështetur 44 projekte me një vlerë prej 3.2 miliard Euro si dhe ka dhënë 62 grante me vlerë 355,6 milion Euro.

Nga aspekti ligjor, shteti shqiptar nuk ka pasur asnjë arsye për të anulluar këtë projekt, i cili bazohet në praktikat më të mira Europiane, për ta zëvendësuar me një projekt tjetër, i cili, jo vetëm përmbyt sipërfaqe më të madhe, por dhe nuk i nënshtrohet marrveshjejeve ndërkombëtare të cilat ka nënshkruar vendi jonë, duke shmangur thelbësisht konkurencën dhe transparencën.

  1. Humbjet në sistemin e shpërndarjes

2.1 Një ndër komponentët më kryesorë që ndikon në konsumin e energjisë elektrike në Shqipëri, është niveli i lartë i humbjeve në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Për vitin 2022 humbjet në systemin e shpërndarjes ishin në nivelin prej 1,457,840 MWh, apo 19.7%.

A power lines in a valley

Description automatically generated

Stacioni electrik i Fierzes

Photo Credit @Richard Burton

Duke konsideruar që vlera normale e humbjeve në sistemin e shpërndarjes është poshtë nivelit prej 10%, rezulton që, në rast se vlera e investuar për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, në kombinim dhe me uljen e humbjeve në sistemin e shpërndarjes në nivelet e pranueshme të industrisë, do të passillte kursimin e një sasie vjeçare prej të paktën prej 717,819 MWh, sasi e cila është më e lartë se sasia e energjisë elektrike që do të prodhohej nga hidrocentrali i Skavicës.

A river running through a valley

Description automatically generated
  1. Respektimi i acquis communautaire mbi mjedisin

3.1 Ndaj Shqipërisë, si anëtare e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, ratifikuar nëpërmjet ligjit Nr. 9501, datë 3.4.2006 “Për ratifikimin e Traktatit të krijimit të Komunitetit të Energjisë”, janë iniciuar tre çështje të karakterit mjedisor, lidhur me mosrespektimin e parametrave dhe kërkesave ligjore të mjedisit, specifikisht çështja ECS-03/19, çështja ECS-06/19 dhe çështja ECS-13/21. Në të treja këto çështje, është evidentuar që Shqipëria ka dështuar të përmbushë kërkesat ligjore dhe mjedisore të acquis Communautaire, specifikisht të Direktivës 2011/92/EU të 13 Dhjetor 2011 “Mbi vlerësimin e efekteve të disa projekteve publike dhe private mbi mjedisin”, transpozuar në legjislacionin tonë nëpërmjet Vendimit të Këshillit Ministerial Nr. 2016/12/MC-EnC të 14 Tetor 2016.

3.2 Sa më sipër, nuk ka asnjë garanci që Shqipëria, nëpërmjet zhvillimit të një procedure pa konkurrencë, pa asnjë transparencë, dhe, duke konsideruar precendentët negativ në trajtimin mjedisor të projekteve me karakter të ngjashëm, të respektojë kërkesat mjedisore përgjatë zhvillimit të projektit të hidrocentralit të Skavicës. Siç qartësisht përcaktuar në Raportin Vjetor të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, 2022, Shqipëria ka dështuar të transpozojë një nga garancitë më të forta mjedisore, përkatësisht Direktivën 2004/35/EC të 21 Prill 2004 mbi përgjegjësinë mjedisore lidhur me paralandalimin dhe kurimin e dëmtimeve mjedisore. A group of people standing in a rocky area

Description automatically generated

Photo Credit @Amelie Huber

  1. Përmbushja e Detyrimit të Shërbimit Publik të KESH sh.a. 

4.1 Korporata Eletroenergjitike Shqiptare (tani e tutje KESH sh.a) është përfituesi i projektit për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. KESH sh.a., në alternim të nenit 5, të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 456, datë 29.6.2022 “Për miratimin e kushteve për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik, që do të zbatohen ndaj të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike, të cilët ushtrojnë aktivitetin e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike” (tani e tutje VKM              Nr. 456), dhe aneksit 1, të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 872, datë 27.12.2022 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin Nr. 519, datë 13.7.2016, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e modelit të tregut të energjisë elektrike” (tani e tutje VKM 872) ka detyrimin për furnizimin me energji elektrike vetëm të klientëve tariforë të Furnizuesit të Shërbimit Universal sh.a. (tani e tutje FSHU sh.a.) . 

4.2 Portofoli i FSHU sh.a. përbëhet nga konsumatorët shtëpiakë dhe konsumatorët e lidhur në tensionin e ulët (0.4 kV). Nga viti 2024, ky portofol parashikohet në vlerën prej 4,887,058 MWh.

Duke konsideruar që rritja e konsumit të energjisë elektrike në Shqipëri është në nivelin mesatar prej 1.7% në vit, rezulton që KESH sh.a ka detyrim ligjor për të përmbushur kërkesat e FSHU sh.a. në sasinë e energjisë elektrike prej 5,784,383 MWh në vitin 2033. Në çdo rast, në këtë analizë nuk është marrë në konsideratë ulja e konsumit të energjisë elektrike si rrjedhojë e fillimit të prodhimit të energjisë elektrike nga vetëprodhuesit, të cilët, bazuar dhe në parashikimet e ligjit Nr. 24/2023 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme” , parashikohen që të marrin një zhvillim edhe më të rëndësishëm në vitet në vijim, duke përfshirë dhe konsumatorët e lidhur në tension të ulët në funksionimin e tyre si pjesë të komuniteteve energjitike.

A large dam in the mountains

Description automatically generated

Hidrocentrali i Fierzes

Photo credit @Richard Burton

Duke konsideruar që prodhimi mesatar shumëvjeçar i KESH sh.a. është në vlerën prej 3,800,000 MWh, ndërsa, në vitin 2022 ishte në vlerën prej 3,859,730 MWh (mesatarja e viteve 2009 – 2022 është 4,443,140 MWh), sasia shtesë që kërkohet është në vlerën prej ~ 1,000,000 MWh ose 2,000,000 MWh në vitin 2033.

4.3 KESH sh.a, për përmbushjen e detyrimit të shërbimit publik, ka kontraktuar energji elektrike dhe/ose ka në plan projektet, si më poshtë vijon:

a) në vitin 2023 futen në punë dy anijet lundruese në afërsi të TEC Vlora, me kapacitet 114 MW;

b) në vitin 2024 shtohen dhe 140 MW të shoqërisë Voltalia, projekti Karavasta;

c) në vitin 2025 futen në punë dy modulet e reja të TEC Vlora, me kapacitet 250 MW;

4.4 KESH sh.a, duke u bazuar në projektet e mësipërme, rezulton që në vitin 2025 të prodhojë/ketë në dispozicion si rrjedhojë e aseteve të reja dhe/ose kontratave afatgjata, sasinë e energjisë elektrike, si më poshtë vijon:

– dy anijet lundruese = 898,776 MWh;

– projekti Karavasta = 196,000 MWh;

– TEC Vlora = 1,971,000 MWh.

Prodhimi total i KESH sh.a., në vitin 2025, parashikohet në vlerën prej 6,865,776 MWh.

Kjo vlerë tejkalon ndjeshëm detyrimin e shërbimit publik të KESH prej 5,784,383 MWh në vitin 2033, duke e klasifikuar projektin e Skavicës si projekt me karakter të pastër tregtar, jashtë kuadrit të detyrimeve ligjore të KESH sh.a.

  1. Potenciali i energjive të rinovueshme 

5.1 Shqipëria ka nje potencial jashtëzakonisht të madh lidhur me energjitë e rinovueshme. Gjithashtu, ka një nevojë imediate të diversifikimit të prodhimit të energjisë elektrike, për arsye të aplitudës mjaft radikale të prodhimit të energjisë elektrike nga kaskada e lumit Drin (2,917 GWh në vitin 2017 dhe 7,014 në vitin 2010), dhe jo vetëm. Prodhimi i energjisë elektrike nga HEC-et e kaskadës së lumit Drin kanë potencialin e tyre maksimal jashtë periudhës së stinës së verës, ndërsa, teknologjia fotovoltaike e ka pikun e saj (~70% të prodhimit vjetor) në këtë stinë.

A solar panels in a field

Description automatically generated

Parku Voltaik, Fier photo Credit @VOA

Në “Planin e Konsoliduar Kombëtar të Veprimit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë, 2019–2020”, miratuar nëpërmjet Vendimit të Këshillit të Ministrave           Nr. 580, datë 28.08.2019 (tani e tutje VKM Nr. 580), përcaktohen politikat e energjisë së rinovueshme. Në këtë plan, përcaktohet qartë domosdoshmëria e diversifikimit të burimeve të prodhimit energjitik:  

… 2.5. Kjo shpjegon edhe një herë faktin se Shqipëria bazohet kryesisht në prodhimin hidro të energjisë elektrike, prodhim i cili ka një impakt të konsiderueshëm në paqëndrueshmërinë e Objektivit Kombëtar të BRE…

3.1.3. Lidhur me prodhimin e energjisë elektrike, në rajon Shqipëria përbën një rast të veçantë, sepse sot, prodhimi në vend realizohet 100% nga hidrocentralet e mëdhenj, të mesëm dhe të vegjël. Por, fakti që Shqipëria mbështet bazën e konsumit të energjisë elektrike, në energjinë hidrike, e bën atë vulnerabël ndaj ndryshimeve të kushteve hidrologjike, dhe kjo gjë ka zvogëluar ndjeshëm sigurinë e furnizimit me energji elektrike…

Pavarësisht sa më sipër, Shqipëria ka tejkaluar ndjeshëm përqindjen e kontributit të energjive të rinovueshme në konsumin e energjisë, në 45.01% përkundrejt objektivit të 38%.

5.2 Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm të prodhimit të energjisë elektrike nga burimet fotovoltaike, specifikisht 1,900 MW në toka jo-pjellore.

Vetëm në rast të shfrytëzimit të këtij potenciali, Shqipëria lehtësisht mund të kthehet në vend eksportues, pasi prodhimi i energjisë elektrike vetëm nga kjo teknologji, do të arrinte vlerat e 2,660,000 MWh.

Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës ka publikuar shprehjen e interesit për zhvillimin e procedurave konkurruese për ndërtimin e parqeve fotovoltaike me kapacitet të instaluar prej 1,000 MW. Këto kapacitete parashikohen që të instalohen përpara vitit 2028, vit i parashikuar për ndërtimin e HEC Skavica.

5.3 Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm të prodhimit të energjisë elektrike nga teknologjia eolike. Enti Rregullator i Energjisë ka licencuar 16 shoqëri, me kapacitet të parashikuar për instalim prej 4,029.6 MW.

Duke konsideruar koefiçentin e shfrytëzimit prej 35% (standardi i industrisë), rezulton që vetëm nga kjo teknologji, Shqipëria mund të prodhojë 12,088,800 MWh në vit, sasi e cila tejkalon nevojat e të gjithë vendit.

  1. “Domosdoshmëria” e ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës

Në pikën 3.7, të VKM Nr. 580, qartësisht përcaktohet detyrimi për diversifikimin e burimeve të energjisë elektrike. 

Skavica, si një burim energjie nga uji, thjesht do të shtojë varësinë e Shqipërisë përkundrejt kushteve klimatike, dhe konkretisht prurjeve hidrike.

Energjia e parashikuar për tu prodhuar nga hidrocentrali i Skavicës, lehtësisht mund të prodhohet nga burime alternative, të cilat janë parashikuar dhe në “Planin e Konsoliduar Kombëtar të Veprimit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë, 2019–2020”. 

Energjia e parashikuar për tu prodhuar nga burimet diellore dhe eolike, nuk ka asnjë kosto shpronësimi, pasi këto projekte zhvillohen, ose në tokë shtetërore, ose në toka private, nëpërmjet negociatave të bazuara në lirinë kontraktuale.

Dëmi i parashikuar nga ndërtimi i hidrocentrali i Skavicës, nuk mund të rikuperohet, pasi, në përfundim të ciklit të jetës (parashikohet rreth 100 vite), zona që hidrocentrali ka përmbytur do të kthehet në një zonë, jo vetëm të pashfrytëzueshme nga aspekti energjitk, por e parikuperueshme dhe nga aspekti mjedisor.

Pergatiti materialin: Shoqata “Kundershtimi ndaj diges se Skavices” A round white circle with green and yellow circle with a tree and water and text

Description automatically generated

Filed Under: Analiza

Papa Françesku bën thirrje kundër dhunës ndaj grave 

January 5, 2024 by s p

Nga Mimoza Dajçi/


Papa Françesku që së fundi u shfaq me një plis të bardhë me shqiponjën dy krenare, foli më 1 Janar 2024 nga Selia e Shenjtë për parandalimin e dhunës ndaj grave. Kjo thirrje vjen si këmbanë alarmi për cilindo që ngre dorë mbi gruan, dhunon apo vret atë. Një arsimtare shqiptare sëbashku me dy fëmijët e saj u gjetën të vrarë në banesën e tyre nga bashkëshorti e babai i fëmijëve në New York. Ngjarje tronditëse që po ndodhin mbarë botës edhe në shumë familje shqiptare. Dhuna në familje është shqetësim global dhe raste të tilla janë bërë virale në rrjetet sociale, kur një i dënuar tre herë për dhunë në familje godet gjykatësen në Amerikë.

Në takimet me miket tona pyesim pse vritet një grua?

Dihet se femrat janë seksi më i dobët, si shqiptare duke u ndalur tek femrat shqiptare, ato janë inteligjente, të bukura, sakrifikojnë shumë për fëmijët e familjen. Meshkujt shqiptarë apo të huaj që dhunojnë apo vrasin një grua, një bashkëshorte shqiptare e ndjejnë veten inferiorë ndaj tyre dhe përdorin forcën e shpatullave duke ushtruar dhunë apo duke i marrë jetën asaj dhe fëmijëve të tyre. Përjashtuar sigurisht ata djem e burra që janë korrekt me veten dhe familjen e tyre. Inferioriteti bën këdo të izolohet e përgjithësisht tipa të tillë nuk janë të shoqërueshëm, bëhen paranojak. Duke u prirur nga pasiguria kanë komplekse dhe reflektojnë negativitet ndaj personit tjetër. Femicidi brenda tyre është më i lartë se i vetë femrës me të cilën ata bashkëjetojnë. Krenaria dhe karakteri jo nënshtrues i femrës i bën ata lloj meshkujsh më agresiv e posesiv duke kaluar në arrogancë, dhunë e krim. 

Duke folur në meshën e përvitshme në Vatikan Papa Françesku tha se nënshtrimi që mund t’i bëhet një gruaje është një nënshtrim për gjithë njerëzimin. Ndërsa duke vlerësur gratë tha se ato janë dhuruese dhe ndërmjetëse të paqes. Një burrë që ushtron dhunë ndaj një gruaje është shprehur Papa përfshihet në diçka që është pothuajse “satanike”. Në një takim që kemi patur me Senatoren Ruth Hasell Thompson në New York tha se, kur dhunë shikojmë në familje edhe midis dy fëmijëve të vegjël duhet t’i veçojmë menjëherë nga njeri tjetri, aq më tepër dhunën mes një çifti që agravohet detyrimisht ata duhet të ndahen për mos patur drama më të rënda.

Por kemi dhe femra që “dashurohen me dhunuesin”, dashuria për mashkullin kriminel i verbon sytë i rrëmben zemrën, si rrjedhojë femra kthehet në viktimë të tij. Rritet njësh me dhunuesin ajo dhe fëmijët e tyre. Në këtë rast tek to ndodh “Sindroma e Stokholmit” shpëlarja e trurit. Një e keqtrajtuar në vend që të urrejë dhe dënojë kriminelin dhe aktin e tij kriminal, i cli ka ushtruar dhunë psiqike dhe fizike e simpatizon dhe e dashuron atë. Gjendje psikologjike kjo që përfshin lidhjen dhe ndjenjat pozitive të viktimës kundrejt kriminelit. Dikush që preket nga kjo sindromë mund të ketë ndjenja konfuze ndaj dhunuesit si dashuri, simpati, empati dhe dëshirë për t’i mbrojtur ata. Por jo çdo kush përjeton këtë sindromë, ka raste që disa persona reagojnë në këtë mënyrë në situata ekstreme për mbijetesë.

Sipas disa autorëve sindroma e stokholmit shfaqet në rrethana të ndryshme, ka raste kur një person kërcënon se do të vrasë një person tjetër, dhe duket vërtetë se është në gjendje ta bëjë këtë. Përsëri ndjesë për ata djem, ata burra që janë dhe e ndjejnë veten jashtë këtyre kategorive, por këto mendojmë janë disa arsye që shpjegojnë vrasjen ndaj nje gruaje, por ka ende shkaqe të tjera ndoshta të panjohura akoma. 

Në Shqipëri sot janë ngritur “Strehëza” për gratë e dhunuara e fëmijët e tyre. Që ato të jenë në funksion të kësaj pjese të shoqërisë e mos braktisen prej tyre, duhet kërkesë llogarie dhe të punohet me standartet e kohës. Pasi në një emision investigativ kemi parë punonjëset e një strehëze të tillë duke i thënë grave të dhunuara, nëse duan të rrinë le të rrinë, përndryshe u tregojnë derën….dhe në mungesë të ushqimit për bebet e vogla i thonë t’i ushqejnë me ujë dhe sheqer…Shpresojmë që këto probleme të jenë adresuar e mos të përsëriten më.

Filed Under: Kronike

Ushtria Terrakota  kineze 2200 vjeçare që u zbulua nga fermerët më 1974

January 5, 2024 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Perandori i parë i Kinës, Qin Shi Huang, që ndërtoi Mauzoleumin e tij

Ushtria Terrakota dhe kompleksi i varrimit të Qin Shi Huang janë cilësuar si vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dhe mbeten disa nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike në histori.

Më 29 mars 1974, fermerë fshatarë që hapnin puse në periferitë lindore të Xi’an, Shaanxi filluan të gjenin shigjeta të lashta dhe objekte të tjera të rëndësishme. 

Arkeologët zbritën në vend dhe gjetën shpejt një nga gjetjet më të mëdha arkeologjike moderne të zbuluara ndonjëherë, Ushtrinë Terrakota të Perandorit Qin. 

Rreth 8,000 ushtarë, 130 karroca me 520 kuaj dhe 150 kuaj kalorës. 

Ushtria Terrakota është një koleksion skulpturash terrakote që përshkruajnë ushtritë e Qin Shi Huang, perandorit të parë të Kinës. Është një formë e artit funeral të varrosur me perandorin në 210–209 para epokes sone me qëllim për ta mbrojtur atë në jetën e tij të përtejme.

Shifrat ndryshojnë në lartësi sipas gradës së tyre, më të lartat janë gjeneralët.  Shifrat përfshijnë luftëtarë, karroca dhe kuaj. Vlerësimet nga viti 2007 ishin se tre gropat që përmbanin Ushtrinë Terrakota mbajnë më shumë se 8,000 ushtarë, 130 karroca me 520 kuaj dhe 150 kuaj kalorës, shumica e të cilëve mbeten në vend në gropat pranë mauzoleumit të Qin Shi Huang. Figura të tjera terrakote joushtarake u gjetën në gropa të tjera, duke përfshirë zyrtarë, akrobatë, të fortë dhe muzikantë.

Perandori i Kinës Qin Shi Huang është një nga ato figura legjendare despotike, por piktoresk që duken shumë të mëdha për të ekzistuar ndonjëherë. Megjithatë Qin ekzistonte dhe ishte përgjegjës për bashkimin e Kinës dhe për ndërtimin e pjesës më të madhe të Murit të Madh. Ai ndërtoi edhe një monument tjetër të madh, mauzoleun e tij.

Mauzoleumi i perandorit, i cili sundoi nga viti 221 deri në 210 para Krishtit, ndodhet në distriktin Lintong, Xi’an, Shaanxi. Ai ruhet nga ushtria ikonë terrakote, skulptura që synojnë ta mbrojnë atë në jetën e përtejme.

“Mjeshtrit u urdhëruan të bënin harqe dhe shigjeta të përgatitura për t’u qëlluar ndaj kujtdo që përpiqej të hynte në varr. Mërkuri u përdor për të stimuluar njëqind lumenjtë, Yangtze,  lumin e Verdhë, dhe detin e madh, dhe u vendos të rrjedhë mekanikisht, thotë historiani në tekstin e tij, sipas IFL Science.

Sipas një raporti nga “Business Insider”, ndërsa disa shkencëtarë i hedhin poshtë pretendimet si trillime, një studim i vitit 2020 tregoi se përqendrimet e mërkurit rreth varrit ishin në nivele dukshëm më të larta se sa pritej.

Ndërtimi i varrit u përshkrua nga historiani Sima Qian (145–90 pes) në Records of the Grand Historian, i pari nga 24 historitë dinastike të Kinës, i shkruar një shekull pas përfundimit të mauzoleut. Puna në mauzoleum filloi në vitin 246 Para eres sone, menjëherë pasi perandori Qin (atëherë 13 vjeç) zevendesoi babain e tij si Mbret i Qin-it, dhe projekti përfundimisht përfshiu 700,000 punëtorë të rekrutuar. Gjeografi Li Daoyuan, duke shkruar gjashtë shekuj pas vdekjes së perandorit të parë, regjistroi në Shui Jing Zhu se mali Li ishte një vend i favorizuar për shkak të gjeologjisë së tij të favorshme: “i famshëm për minierat e tij, ana veriore ishte e pasur me ar.  Perandori i parë, ishte lakmues për reputacionin e tij të shkëlqyer, prandaj zgjodhi të varrosej atje”

Perandori dhe eliksiri i pavdekësisë

Në vitin 211 para Krishtit thuhet se një meteor i madh ka rënë në Dongjun në rrjedhën e poshtme të Lumit të Verdhë dhe dikush ka shkruar fjalët kryengritëse “Perandori i parë do të vdesë dhe toka e tij do të ndahet”. Perandori dërgoi një sekretar perandorak për të hetuar këtë profeci. Askush nuk do ta rrëfente veprën, kështu që të gjithë që jetonin aty pranë u vranë dhe guri u pluhuros.

Shi Huangdi u fiksua me idenë e pavdekësisë. Siç shënon Sima Qian, këshilltarët e tij e këshilluan atë se barishtet e pavdekësisë nuk do të funksiononin derisa ai të mund të lëvizte pa u vëzhguar.

Sundimtari i dinastisë Qin, Qin Shi Huang, i frikësohej vdekjes dhe kërkonte një mënyrë për të jetuar përgjithmonë. Ai i besoi Xu Fu detyrën për të gjetur eliksirin sekret të pavdekësisë.

Gjatë turneut të tij të pestë në Kinën Lindore, Perandori u sëmur rëndë në Pingyuanjin (konteja Pingyuan, Shandong) dhe vdiq në korrik ose gusht 210 para eres sone në pallatin në prefekturën Shaqiu rreth dy muaj udhëtim nga kryeqyteti Xianyang, në moshën 49 vjeçare.

Shkaku i vdekjes së Qin Shi Huang mbetet i panjohur, megjithëse ai ishte rraskapitur nga sundimi i tij shumëvjeçar.  Një hipotezë thotë se ai u helmua nga një eliksir që përmbante merkur, që iu dha nga alkimistët e oborrit dhe mjekët në kërkimin e tij për pavdekësinë.

Tani për tani, varri i Qin Shi Huang mbetet i vulosur, me misteret e tij të ruajtura. Megjithatë, ndërsa përparimet shkencore vazhdojnë, mund të jetë vetëm çështje kohe përpara se të zbulojmë me siguri sekretet që kanë mbetur të patrazuara për më shumë se dy mijëvjeçarë.

Presidenti Regan dhe Nancy Reagan vizitojne Ushtrine Terracotta

Ne nje foto te tyre gjate vizites, me 1984 jane kapur ne një moment magjepsës në histori, duke shfaqur ish-presidentin e SHBA- së Ronald Reagan dhe zonjen e pare Nancy gjatë vizitës së tyre në Ushtrinë Terrakota në Xi’an, Kinë në vitin 1984. Ky imazh i rrallë ofron një paraqitje të shkurtër të një momenti kryesor në marrëdhëniet SHBA-Kinë dhe nënvizon fuqinë e diplomacisë kulturore në lehtësimin e tensioneve ndërmjet kombeve.

Diplomacia e Reganit duke vizituar Ushtrinë Terrakota ishte një pjesë kyçe e përpjekjeve të Reganit për të përmirësuar marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Kinës, të cilat ishin tensionuar për shumë vite. Fotoja kap një moment të sinqertë midis Reaganëve dhe mikpritësve të tyre kinezë, duke treguar lidhjen njerëzore që mund të krijohet përmes shkëmbimit kulturor.

Presidenti Clinton, Hillary dhe Chelsea midis luftëtarëve të Terrakotës

Bill Clinton, Hillary dhe vajza e tyre Chelsea vizitojnë Luftëtarët dhe Kuajt 

Ushtrinë Terrakota në Xi’an, ne provincën Shaanxi të Kinës veriperëndimore, më 26 qershor 1998, e vizituan dhe Bill Clinton kur ishte president i SHBA-së. 

Klintonët bën turne në seksionin Mutianyu të Murit të Madh, 79 km në verilindje të Pekinit, më 28 qershor 1998. 

Në shumë gazeta të rëndësishme kineze u shkruajt se: “Për shumicën e grave kineze, Hillary Rodham Clinton, nuk kishte nevojë për prezantime të mëtejshme.

Në sytë e tyre, ish-zonja e parë e SHBA-së 61-vjeçare, e cila bëri një përpjekje serioze për t’u bërë presidentja e parë femër e Amerikës vitin e kaluar, ka krijuar një imazh të forcës, këmbënguljes, fuqisë dhe mençurisë për gratë e botës.

“Ajo ka dhënë një shembull të mirë që gratë kanë të drejtën dhe fuqinë për të bërë një ndryshim dhe për të ndryshuar botën,” tha Hong Huang – vajza e mësuesit të anglishtes së kryetarit të ndjerë Mao Zhang Hanzhi – i cili tani është një nga sipërmarrësit më me ndikim në gjuhën kineze si media e shkruar dhe një bloger i famshëm.

Filed Under: Ekonomi

Heshtje

January 4, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Dhe thonë se heshtja është si bojë që nuk lë gjurmë Por, po të shihet me vëmendje, ajo mund të lexohet. Çdo gjë – një dhomë, ose shtëpi ku dikur ke jetuar, gjithçka që krijon dhimbje e mbresa – është përshkruese. Dikush që zvarritet ndërsa kërkon t’i bësh nder, është si ai që nuk i vendos të gjitha presjet në vendin e duhur. E vetmja arsye që ndjehesh keq është se i vendos të gjitha sendet në vend të gabuar.

Çdo pamje ose rrethanë krijon ndikim brenda teje, si ekpozita që ka nevojë për audiencë ose njerëz. Puna ëdhtë se njeriu nuk mund të mendojë për një dhomë, një shtëpi apo ndonjë gjë për të përshkruar mënyrën se si duhet të jetë. Është si të qeshësh fort me diçka që mendon kur je në tryezë duke ngrënë.

Disa gjëra janë të vështira të mbahen mend. Dua të them se nuk të kujtohen saktësish. Të gjitha boshllëqet i mbushim me fantazi prandaj ajo që formohet është gjithmonë gjysmë e vërtetë. Kur shqetësohesh për diçka, vetëm atëherë nuk mashtron vetëm; ose fillon ta pranosh këtë të vërtetë të stisur, ose përgjithmonë të heshtësh.

Problemi ëdhtë se heshtja bëhet disi magjepsëse edhe nëse nuk dëshiron të jetë. Bëhet zakon.

Të shkosh në shtrat kur nuk je i lodhur, është e vemja gjë që urren të bësh, njësoj si të lexosh për një ngjarje që e di se ka ndodhur ndryshe, ose të mendosh se njerëzit nuk dëshirojnë të flasin nëse nuk je më i mirë, dhe gjithmonë janë gati të ndërhyjnë për të shkatërruar gjërat që mund t’i bësh vetë. Papritur, ndjen se duhet të ecësh, pavarësisht sa larg apo lart. Mundohesh të mos biesh në sy. Merr guximin edhe të qëndrosh, duke u përpjekur të shohësh të tjerët. Ky është dallimi. Ndjehesh aq i dëshpëruar sa fillon flasësh me vete, si ai që quhet i çmendur sepse qëllon me gurë veten. A nuk bëjmë kështu të gjithë, në një mënyrë a një tjetër?Është populli, prandaj duhet të jetë qeveria, dhe jo anasjelltas.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • …
  • 52
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT