• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2024

KU ISHE TI, “HERO”?

February 22, 2024 by s p

Dr. Durim Çaça/

Lexim i “Lufta ime për Kosovën”, publicistikë nga Rexhep Shahu.

Askush nuk jeton me të tashmen e menjëhershme. Që të gjithë ne i lidhim gjërat, detajet e përditshmërisë, ngjarjet, me funksionin bashkues, përngjitës të kujtesës, asaj personale e kolektive, -mit i lashtë qoftë, apo histori e re. Ndaj, në prozën jofiksionale theksohet, së pari, emocioni dhe tingëllimi i ligjërimit dhe, më tej, intelekti dhe thirrja për meditim, reflektim e veprim shoqëror moraliteti.
Kështu, vepra që po kundrojmë, gjithë një gazetari impulsive dhe publicistikë luftarake, herë shkulmuese e vrundulluese, si një trumpetë beteje në heroiken e përgjakshme, herë idhnake, e sertë, e ashpër ndaj cinizmit të manipulatorëve pseudopatriotë, me një energjizëm dhe dinamizëm hovi, vrulli dhe ajthi shkulmërak.
Një dëshmi e gjallë e Rexhep Shahut, një vërtetësi e kthjellët, e drejtpërdrejtë për ngjarjen epokale të shqiptarëve të fundshekullit XX, -siç qe lufta dhe çlirimi i Kosovës prej okupimit shekullor shovinist serb.

***
Nëpër faqet e kësaj vepre të retorikës tronditëse të faktit, sillen në kujtesë përmasat e barbarisë shpellare të shkjeve në Europën e kohës moderne, (vrasja e 15 mijë njerëzve të pafajshëm civilë në Kosovë, mes të cilëve, 1700 fëmijë, përdhunimi i 20 mijë vajzave dhe grave shqiptare, zhdukja e 5 mijë shqiptarëve të tjerë të pafajshëm, eshtrat e të cilëve nuk janë gjetur edhe sot, pas një çerek shekulli, për të patur një varr të vet, shkatërrimi dhe rrënimi i 1100 qendra të banimit, me djegien e mbi 20 mijë shtëpive, shkollave, bizneseve, punishteve, qendrave kulturore dhe, mes kësaj statistike ngjethëse, shpërfaqet epopeja e UÇK-së, kësaj fuqie të re vitale të kombit shqiptar, së cilës, Rexhep Shahu i ngre një memorial lavdie, me këtë kumt të tij të kësaj poetike të publicistikës së heroikes.
Autori i shquar, në këtë kujtesë madhështore, projekton, në sfond të një reflektimi kritik tronditës të pseudopatriotizmit të kafeneve të Tiranës, me një nerv të sertë sarkastik, tek i shfaq këta satrapë “atdhetarë”, përmes vetë arrivizmit të paskrupullt të tyre: “Mbajeni vetë atë rreckë (për flamurin kombëtar), ne na duhen dojçmarka”, apo kur, të ulur në poltronet e hotel “Rogner”-it, gjejnë “gabimet” e UÇK-së dhe skicojnë “strategji lufte” e “taktika sulmesh” “fitimtare” mbi paketat e cigareve, me gotat e xhinit përpara), apo të Prishtinës, të matrapazëve dhe “heroizmit legjendar” të sharkive, – frymëzimin e zjarrtë idealist të mijëra të rinjve atdhetarë që lanë Gjermaninë, Zvicrën, Anglinë dhe erdhën të bëheshin luftëtarë të UÇK-së, me ëndrrën e madhe të shpirtit kombëtar, të lirisë së Kosovës sonë martire nga genocidi shekullor serb.
Çdo veprimtar synon tërësinë dhe vlera e çdo arritjeje duhet kërkuar tek ajo, pra tek ajo që krejt qenia, tërësore dhe e pandashme e njeriut të gjejë shprehje. Dhe Rexhep Shahu me “Lufta ime për Kosovën”, më shumë se kronikën e një gazetari në vijën e parë të luftës, për ngjarjen e madhe shqiptare të kohës së re me jehonë botërore, jep një projeksion të thellë e të dhembshëm refleksioni ku, nga njëra anë është populli i thjeshtë, në të dyja anët e kufirit dhe më gjerë, që strehon, ushqen, ndihmon luftëtarët e lirisë, oficerët e Shqipërisë që përgatitin ushtarakisht, me sakrificat e tyre, grupet e djemve dhe vajzave për njësitë e ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe, nga ana tjetër, merkantilizmi, (pazarllëku) dhe populizmi i politikës institucionale të Shqipërisë si dhe sharlatanizmi i paskrupullt i një pjese të mediave të saj, për përfitimet e veta, nga konflikti i përgjakshëm i kombit, me fuqinë armiqësore sllave si dhe dramën e luftës së fshehtë civile, me vrasjet e para politike, mes Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), të djathtë, të Rugovës dhe Lëvizjes për Pavarësi të Kosovës (LPK), të majtë, dhe ushtrive të tyre përkatëse FARK të qeverisë së B. Bukoshit në egzil dhe UÇK, – të krahut tjetër politik, për marrjen e pushtetit pas luftës, (njëlloj si lufta civile e komunistëve në Shqipëri, me vrasjet politike brenda Frontit çlirimtar, “pa dallim feje, krahine dhe ideje” të lëvizjes antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore, për marrjen e pushtetit, pas luftës), rrjedhojë e së cilës është dhe gjykimi sot në Hagë, i drejtuesve të kësaj të fundit. Gjykim që nuk e zhvlerëson kurrë lavdinë dhe madhështinë e heroizmit popullor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për të cilën, autori i jep diskursit të vet tonalitetin e ligjërimit të lartë të një hymni e ode panegjirike:
“UÇK është krenaria e epërme e kombit shqiptar, është nderi e dinjiteti i tij, është fitorja më e ndritshme në historinë shqiptare moderne.. Ajo nuk është asnjë emër i përveçëm, asnjë dëshmor apo hero. UÇK që nxorri Adem Jasharin, kryeheroin e shqiptarëve të kohës së re…UÇK është armata e të gjithë të rënëve për liri. Është shpirti shqiptar.”
Një galeri e larmishme dhe e jashtëzakonshme personazhesh dhe individualitetesh (dhënë me veçantitë e tyre të dallueshme e të individualizuara njerëzore), institucionalë dhe njerëzish të thjeshtë popullorë, (që veprojnë në brezin kufitar Kukës- Has- Tropojë, me qendër qytetin e Kukësit), protagonistësh, veprimtarësh, luftëtarësh, refugjatësh të luftës, kontrabandistësh armësh, spiunësh, falsifikatorësh, mashtruesish, gazetarësh të agjencive më të mëdha të botës, oficerësh ushtarakë të Shqipërisë që stërvitin njësite luftarake të rinjsh atdhetarësh idealistësh shqiptarë që vijnë nga shumë shtete, sigurisht dhe nga Shqipëria dhe, në anën tjetër, përtej kufirit, masakrat e serbëve që vijojnë me egërsi mbi popullsinë e pafajshme, pas çdo humbjeje, në përballjet me UÇK-në. Dhe, të plagosur lufte, gra të përdhunuara, fëmijë jetimë, të moshuar që iu ka ngrirë loti në sy, prej plojës dhe shuajes së familjeve të tyre, që vijnë çdo ditë në Kukës dhe në rrethinat përreth, (gjysëm milioni shqiptarë refugjatë të dëbuar nga shtëpitë e tyre vetëm në këtë qytet), jehojnë nëpër faqet e kësaj dëshmie qindrafaqeshe, me një realizëm të dhembshëm, kritik e demaskues ndaj demagogëve e, njëherësh, dëshmi dinjitoze e heroike.
“Digjeshin, shpërnguleshin, burgoseshin, vriteshin shqiptarët në Kosovë vit për vit e dekadë për dekadë e “zotat” tanë këndej veç lehnin… Me ruajt gardhin e gjysmës së tyre. Këtu ishte Enveri dhe ushtria e hekurt shqiptare e derdhur cep më cep të kësaj çerek Shqipërie, që i vriste shqiptarët po të hynin në Shqipëri, ose i burgoste, ose i zhdukte, ose i nbante pengje…Dhe shqiptarët bënin burg dhe vdisnin pse donin Shqipërinë e cila nuk donte që ta donin shqiptarët”.
Kështu, përmes një vargu intervistash të drejtpërdrejta të autorit, gazetar i luftës, në Radion e Kukësit, shndërruar tashmë në Radion e Kosovës, (që drejtohej në atë kohë nga poeti dhe publicisti, Izet Duraku), me përfaqësues, funksionarë, veprimtarë të çështjes kombëtare, ushtarë entuziastë të UÇK-së edhe pse me plagë të shumta në trup, në spitalet e Shqipërisë, refugjatë të dëshpëruar lufte dhe me shpresë, shpërfaqet, kjo dhembje krenare, kjo atmosferë dramatike dhe e jashtëzakonshme (dhe në arenën botërore), Lufta e Kosovës, 1998-1999.
Dhe kalon para nesh kjo epikë, që nga fjala e mençur e Zekerja Canës; te faktet e gazetarit amerikan të “Uashington Post”, Filip Smukin, për mizoritë e masakrat serbe edhe ndaj grave e fëmijëve në Likoshanë, Çirez, Prekaz dhe në zona të tjera të Drenicës; te duart e këputura të Korab Mulës nga minat serbe, në brendësi të territorit të Shqipërisë, në një hapësirë prej 1400 hektarë, prej të cilëve vdiqën rreth 60 njerëz dhe mbetën invalidë të përjetshëm, pa sy, krahë, apo këmbë afro 280 persona të tjerë; te heroi Sali Çekaj, për vlerën e qëndresës, si ajo e popullit të Tropojës, që priti 15 mijë njerëz lufte, duke strehuar dhe ushqyer çdo familje, nga 20 deri 50 vetë, pa bërtitje e mburrje “patriotike” dhe në intervistën e tij në këtë trevë, më 1998, para rënies heroike, më 1999, (zërin e regjistruar të të cilit e ndërprenë pas 4 minutash të kësaqj interviste, në një tubim përkujtimor, për heroin në fjalë, më 2001, se të gjallët, -vijon më tej, Shahu, – do të tregojnë për bëmat e tyre heroike, duke stërpikur me do fjalë dhe të rënët, që duhet të heshtin e të dëgjojnë të gjallët për trimëritë e veta; gazetari i Rojter-it, Kurt Shork, që shkon me guxim në Koshare tek UÇK;
Amik Kasaruho, autoriteti i gjallë moral i shqiptarëve; ambasadori i OSBE-së, në Bajram Curri, Dan Everts, që i kërkon shtypit, këndej e andej kufirit, të luftojë panikun dhe lajmet e pavërteta se, me përhapjen e tyre, bota nuk do të jetë më e mirë; tragjedia e Pashtrikut, me 41 të vrarë, ushtarë të UÇK-së, më 14 dhjetor, 1998; zëvendësambasadori i Gjermanisë, Peter Blumayer, që shprehet se Shqipëria do të bashkohet, edhe po të ketë një kufi në mes; mjeku amerikan Uillard Noes dhe kolegu i tij, mjeku kanadez Roxher Like, në Kukës, në vitin 1999, gjatë krizës së Kosovës; historia e të fejuarve, Sofisë, nga Kukësi dhe Nuredinit, nga Prizreni, të cilët, pas mbylljes së kufijve, më 1948, mes Shqipërisë e Jugosllavisë, pritën 7 vjet që të bënin martesën, por kufijtë nuk u hapën dhe ata krijuan familjet e veta në qytetet e tyre dhe, vetëm pas më shumë se 50 vjetësh, me eksodin e refugjatëve të luftës, Nuredini vjen në Kukës, i moshuar, mbi të ’70-at dhe takon Sofinë, dhe ajo tashmë në pleqërinë e vet dhe qanë gjatë në heshtje me njëri-tjetrin; (siç duket, romani i famshëm i Markes-it, “Dashuri në kohën e kolerës”, nuk ngjan krejt trillim dhe fikshën), ku, në këtë rast, prej “kolerës” komuniste që izoloi e ndau njerëzit (dhe të vdekurit), të gjallët dhe varret, për dhjetëra vjet.
Eruan Deuer, përfaqësues i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, kryeministri i kohës, Majko, që deklaron se refugjatët janë vëllezërit tanë; ushtria shqiptare, Divizioni i Kukësit, pa topa, pa tanke, pa ushtarë, vetëm me një tank që mezi ndizet dhe topat luftarakë të shkatërruar më 1997, përballë Serbisë të armatosur gjer në dhëmbë; vrasja në kufi e Din Kolecit, nga fshati Kishaj dhe serbët që nuk japin kufomën, duke lënë mortin çelë në familjen e tij; poeti Din Mehmeti, refugjat lufte në Kukës, që ndihet as në qiell, as në tokë; profesori i folkloristikës në Prizren, ushtar i UÇK-së, Sabaudin Ceno, që thotë se rreziku i përhershëm i intelektualëve, është heshtja e tyre; Musë Rexha, përfaqësuesi i Republikës së Kosovës në Tropojë; Andrey Harver, shefi i Komisariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, në qershor, 1998, që shprehet se në Tropojë po ndodh një mrekulli shqiptare;
veprimtari Skënder Zogaj që flet me optimizëm për stërvitjen luftarake të 260 luftëtarëve të rinj nga Kosova, në vitet 1993-1994, në Labinot të Elbasanit; Naser Kuka, veprimtari i shquar i Kosovës; Rugert Neudeck, presidenti i organizatës gjermane “Kap Anamur” që thotë se miku i mirë njihet në ditë të vështirë; Bill Foxton, nga Anglia, shefi i zyrës së OCSE-së në Tropojë; Daniel Enders, shefi i UNCHR-së që vë në dukje faktin se Kukësi është një përjashtim në historinë e krizave humanitare të botës;
Aleksandra Moreli, shefe e UNCHR-së në Kukës, dhjetor, 1998, me shqetësimin e saj për grabitës dhe plaçkitës të autokolonave të ndihmave humanitare në Tropojë; Elez Biberaj, përgjegjës i seksionit shqiptar në radion “Zëri i Amerikës” që thekson se shqiptarët gjenden para sfidave të mëdha të së ardhmes së tyre; ardhja fshehtas e ambasadorit bullgar në Shkup, Risto Nikovski, në Kukës dhe në fshatra të Gorës, për të zbuluar “talebanët” e Shqipërisë; falsifikimet dhe lufta e frikës me veteranë të rremë dhe me brigata false të UÇK-së, që paskan qenë në Cahan të Hasit, manipulatorët që blinin uniforma UÇK-je në Kukës dhe bënin foto në verandat e vilave të tyre, si “luftëtarë” të ushtrisë heroike çlirimtare ( por “askush nuk e bën dot strehë e çerdhe të tij UÇK-në”) e që shkruajnë “kujtime” false të “trimërive” të tyre, pa qenë asnjë ditë në luftë, prej manipulatorësh e “herojsh” të rremë, etj., etj.
“Ku ishe ti, “shqiptar”? Pyet kështu krahu i një fëmije trevjeçar që kova e pusit e nxjerr nga thellësia e tij. (Trupi i foshnjes është shpërbërë). Pyet kështu varri i këtij krahu e i copave të tjera të këtij trupi njomëzak…Ku ishe ti,“hero”? – pyet gruaja burrin që e la atë me tufën e fëmijëve në shtëpi dhe vetë sikur doli “në mal”…Erdhën serbët, therën fëmijët dhe atë e përdhunuan…Burri nuk u gjend pranë për ta shpëtuar apo për të marrë të paktën hak…Se një pjesë e burrave u ndodhën në Perëndim për punë, një pjesë doli në mal, në radhët e UÇK-së…Ku ishe, bir?,- pyet plaku, që s’deshi e as mundi të vraponte për të ikur, po u vra në derën e kullës së tij, duke bërë qëndresë, për të paguar veten…A mos ike, bir, për të shpëtuar lëkurën tënde? Ku ishe, vëlla?,- pyet motra e përdhunuar nga ushtarët e çetnikët, motra e vrarë, trupi i bukur i së cilës është kalbur në breg të Drinit të Bardhë? Ku ishit ju, prizrenalinj, kur u dogj Tususi? Ku ishit ju, prishtanalij, kur digjej Qyqavica? Apo kur kalleshin në flakë fshatrat e Drenicës? Ku ishe ti. “fatosh?”. Ku ishe ti, Adam?, Ku ishe ti,“kreshnik”? Ku ishit ju, të gjallët?- , thërrasin të vdekurit, të rënët…”
Kështu, Shahu kap ritmin e historisë, përmes ngjarjes së madhe dhe fazës së veprimit, duke e interpretuar atë, duke artikuluar emocionet që janë të lidhura me të dhe duke përdorur një lloj strukture verbale për ta veçuar dhe drejtuar në kahun e vet, rrjedhën e pasqyrimit të historisë relevante (thelbësore e të rëndësishme).
Kalojnë para nesh (përmes kwsaj publicistike reportazhesh të një emotiviteti të thekshëm të detajeve prekëse), portrete njerëzish fisnikë si, Valdet Ziba, nga Suhareka, që vjen çdo vit në Tiranë për homazhe në varrin e e ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, vrarë në Shqipëri, Ahmet Krasniqi; Arafat Abazaj, biznesmen në Prizren që i bën dhuratë vendit, ku qe refugjat lufte, ndërtimin e shkollës së re fillore, të kopshtit dhe ambulancës së re, në Bardhoc të Kukësit; Avdulla Tafili që nuk jargavitet pas lavdisë së UÇK-së, si luftëtar i shquar i saj që di e mundet t’i përgjigjet pyetjes: Ku ishe ti, kur i duheshe Atdheut? – Në luftë, për lirinë e Kosovës! Ahmet Asllanaj nga Gjinoci i Suharekës që blinte armë në Morinë dhe Bicaj dhe nuk ua jepte pagesën në marka tregtarëve të armëve, pa iu marrë firmat atyre. Dhe episodi i trishtë që rrëfen se si në shkollën “Migjeni” në Gjinovc, që serbët e shkatërruan, duke harruar foton e Rugovës në mur, ndërkohë që shqiptarët pas luftimit, vodhën çka kishin lënë pa shkatërruar serbët dhe hodhën foton e Rugovës në plehëra. Bedri Koleci, nga Kishaj, që varrosi në arën e vet ushtaren e panjohur të UÇK-së.
Bujar Muçmata, oficeri i Shqipërisë që stërviti ushtarë të UÇK-së në Kalimash të Kukësit; 20 të vrarët e familjes Jashari dhe daja Osman Geci që luftoi e u vra për mbesat e nipat e vet. Ilir Konushevski, luftëtari që pyeti se si është e mundur që armët, (pushkët, granatat) blihen me nga 3 dollarë në Shqipëri dhe shiten me nga 6 dollarë për copë në Kosovë. Dhe që trafikantët e armëve e vranë në maj të vitit 1998. Shkëlzen Kurpali i Hasit që çminoi vetë në oborrin dhe kopshtet e tij, 220 mina serbe, etj. Dhe, së fundi, intervista e fuqishme e autorit dhënë në ATV të Kosovës: “Shqiptarët e Kosovës janë lokomotiva e Shqipërisë!” dhe emocioni i tij i madh kur lexoi për herë të parë tekstin e betimit të UÇK-së në mikrofonin e Radio Kukësit dhe të Radio Tiranës.
E gjithë kjo vepër e shquar e publicistikës sonë të sotme, në një pamje tjetër, lartëson me një entusiazëm ngazëllor, herojtë e thjeshtë popullorë të qëndresës, rezistencës e të vrullit në flakët e betejave, (“Në Prekaz u thye ushtria serbe me armatim të rëndë, mars, 1998, dhe neve filloi të na drejtohej kurrizi nga pesha e harrimit, e tjetërsimit, e kotësisë, nga pesha e fitoreve hiperbolike në telat e çiftelisë e sharkisë”), në sfond të demaskimit e diskreditimit, (me një guxim të epërm, edhe pse kërcënohej me jetë), të demagogëve, falsifikatorëve, spiunëve e renegatëve edhe në Shqipëri, të paguar prej Serbisë.
Lufta e UÇK-së për Kosovën dhe “lufta” e Rexhep Shahut për Kosovën, (këtij “ushtari” dhe “luftëtari” të UÇK-së në “llogoren” e tij të mikrofonit radiofonik), bashkohen në një pikë: në vërtetësinë heroike të kësaj lufte dhe në pasqyrimin e kësaj të vërtete. Autori lufton për Kosovën me të vërtetën e tij të pastër, të kthjellët, pa bizhdilet e spekulimeve, mashtrimeve, përgojimeve rreth saj, që janë po aq të turpshme sa dhe cilësimet e armikut për të si “ organizatë terroriste”, kur UÇK-ja ishte fuqia e humanizmit, (kurrë nuk bëri masakër mbi popullsinë civile serbe), ndërsa terroristët ishin paramilitarët dhe ushtria serbe, me tanket e topat e tyre obuzë që bombardonin mbi gratë dhe fëmijët në shtëpinë e vet. “UÇK nuk ka nevojë për mbrojtjen e askujt, – shprehet autori,- nuk guxon askush t’i dalë kundër, përballë, ta sulmojë, ta fyejë, ta poshtërojë…”
Sepse Shahu e pa UÇK-në drejtpërdrejt me sytë e vet, me dashurinë, dhembjen e besimin e vet, në fuqinë e saj, në plagët e saj, në madhështinë e saj humane, në lavdinë e saj popullore e kombëtare, si shpresë, si guxim, si përballje me mizorinë e çnjerëzoren…
UÇK-në që faktorizoi çështjen dhe luftën e Kosovës, (ku morën pjesë 30 shtete, nga njëra anë NATO, Shqipëria dhe në anën tjetër, Serbia, me tensionin mes superfuqive, Amerikës dhe Kinës e Rusisë), në arenën ndërkombëtare, që e ktheu atë në ngjarjen më dramatike të planetit të fundshekullit XX, (“luftë që ndriçoi mbi ndryshimet e botës, tek futi për herë të parë, në shkakun e një lufte, humanizmin”, siç shkruante gazetari amerikan, Tomas Friedman, më 10 korrik, 1999, në “Nju Jork Tajms”, në artikullin e tij, “A ishte Kosova, Lufta e Tretë Botërore?”), duke detyruar fuqitë e mëdha të politikës së sotme, të kthejnë sytë nga fati i saj dhe të kujtohen për padrejtësitë e tyre shekullore ndaj një kombi…

***
“Lufta ime për Kosovën”, (një vepër referenciale, për cilindo që do t’i drejtohet kësaj ngjarjeje epokale të historisë së re kombëtare e që mund të çmohet dhe si një vepër jetësore e autorit, e reflektimeve për argumentin, për rreth 20 vjet, si “një kujtesë e dinjitet, për të mos na shëmtuar harrimi” -siç shprehet ai në qëllimin e saj dhe që sjell në vëmendje dhe devizën e çmuar të Klinton-it, presidentit të SHBA të kohës e çlirimtarit të madh të shqiptarëve: “Ne bëmë luftën, -me të keqen, ju bëni paqen, -me njëri-tjetrin”), projektohet si poetikë e fuqi e faktit, si një epikë e re historike dokumentare veprimtarësh, protagonistësh, luftëtarësh të një kohe dramatike dhe ekzistenciale për fatet shqiptare dhe përpjekjesh vetmohuese “deri kur të lidhen damarët e Atdheut”.
Ku kuptimi i lartë është rrjedha që bashkon lumin e gjuhës me lumin e kuptimit të shfaqur. Si e tillë, dëshmuese e dorës së parë, narrativë fakt-ionale, e shkruar prej një reporteri lufte të vijës së parë, ku bëhet në një, poeti i një ajthi të epërm, me luftëtarin fisnik të së vërtetës, ajo krijon një emocion të thellë dhe madhështim shpirtërimi, si të një letërsie epopeje…

Filed Under: LETERSI

Ullmar Qvick thesar shqiptar në Suedi

February 22, 2024 by s p

Förhandsgranskning av bild

Nga XHAVIT ÇITAKU

Që në fillim të manifestimit kulturor, letrar e argëtues Fahredin Berisha, kryetar i SHKSH ”Iliria” në Norrkoping të Suedisë bëri me dije se ky event i organizuar së bashku me SHSHASH ”Papa Klementi i XI Albani” me rastin e kremtimit të 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës do të jetë pak me ndryshe, pak më emocional jo vetëm për ne që jemi të panishëm, por edhe për të gjithë komunitetin shqiptar në këtë vend skandinav. Në të vërtetë, tha ai, në këtë vit ka lindur edhe miku ynë i madh, lëvruesi i gjuhës, historisë, traditës e trashegimisë shqiptare, shkrimtari, studiusi, përkthyesi Ullmar Qvick. Ai i mbush 90 vjet dhe për shkaqe shëndetësore nuk mund të jetë i pranishëm fizikisht, por përmes telefonit ka thënë : ”Shëndeti po ma pamundëson pjesëmarrjen  dhe për këtë po me vjen keq, por unë jam me juve, pran jush, pranë shqiptarëve, gjithmonë. Urime festa e madhe, urime pavarësia e Kosovës së dashur”. Me pas u paraqitën kumtesa për veprimtarinë  e bujshme, të pasur e me përmbajtje të këtij personaliteti që tërë jetën a kushtoi shqiptarëve e Shqipërisë. 

Veprat tuaja brilante i kemi në tavolinat tona dhe në bibliotekë

Viron Kona, shkrimtar e publicist i njohur nga Tirana dhe anëtar nderi i SHSHASH ”Papa Klementi i XI Albani”,Suedi, ndër të tjera ka shkruar : ”Vazhdimisht  ju kemi në mendje dhe kemi ndjerë gjithnjë pranë vlerat tuaja, botën tuaj të mrekullueshme humane e shpirtërore, që për ne është dritë që ju e përhapni nëpëmjet veprave tuaja të shkruara sociale, kulturore e letrare, që fillojnë me përkthimet tuaja të shumta, e ku jeni përkthyesi kryesor i veprave shqiptare në gjuhën e bukur suedeze; nëpërmjet librave tuaj, veçanërisht librit tuaj  epope ”Me shumë heroizma sesa grurë”, një përshkrim dokumentar i historisë dhe jetës shoqërore të shqiptarëve gjatë shekullit XX. Po kontributi i juaj i madh është ndier edhe në fjalor, vepra gjuhësore, në artikuj dhe intervista brilante, me mesazhet tuaja plot respekt e dashuri, në portalin e miqësisë Suedi- Shqipëri dhe Kosovë, teksa ndihemi të privilegjuar  që ju jeni anëtar nderi i SHSHASH ”Papa Klementi i XI Albani”, Suedi dhe ndihmoni parreshtur në ngritjen e nivelit të lartë të punës e programit social-  arsimor të shoqatës. Veprat tuaja ne i kemi në tavolinat tona të punës dhe në bibliotek, ato janë për ne mësime dhe përvoja të përparuara, ato janë në udhën e artë të bashkëkombësit tuaj suedez Tumman, të fqinjit danez Pedersen dhe të shumë albanologëve të tjerë evropianë, që e kanë vlerësuar dhe e vlerësojnë gjuhën e bukur dhe të lashtë shqipe” theksoi Viron Kona.

 Prof. Fetah Bahtiri, i cili ka shkruar një libër të tërë për veprimtarinë e madhe të Ullmar Qvick, theksoi se: ”Ne shqiptarët në Suedi kemi hasur në shumë miqë suedez. Kemi pasur fatin që këtu e kemi gjetur edhe një mik suedez të veçantë, një thesar shqiptar të ndritshëm, i cili është i angazhuar me mish e me shpirt për t’iu ndihmuar shqiptarëve, e sidoms Kosovës që të çlirohet nga zgjedha serbe. Ky burrë që i thonin Ullmar Qvick, rregullisht ishte më i zëshmi, më i afti, më i miri, më i dijshmi, më besniku, më i madhi në mesin e të gjithë atyre veprimtarëve proshqiptar dhe vetë shqiptarëve. Ai është një figurë me peshë xhevahiri, i cili është marrë me kulturën shqiptare, ku për herë të parë kishte dëgjuar Radio Tiranën, Radio Shkodrën dhe Radio Kukësin, Ullmar Qvick i ka kushtuar një jetë të tërë miqësisë suedeze- shqiptare dhe është shndërruar si udhë lidhëse në mes të dy popujve dhe dy kulturave. Ullmar Qvick, si albanolog që është, e flet bulur gjuhën shqipe, por e shkruan më mirë dhe më drejt se shumë intelektual shqiptarë. 

Ullmari ka shkruar edhe shumë punime gjuhësore kërkimore, kritika letrare, recensione, ka mbajtur shumë ligjerata profesionale, politike e shoqërore, është përballur ashpër me një mori debatesh me kundërshtarët e shqiptarëve sidomos kur ishte në pyetje Kosova dhe çështja e saj nën okupimin serb. Veprat letrare, studimet dhe përkthimet e tij janë të shumta, mbi dyzet sosh. Mendoj  se, mbi të gjitha, është një thënie e tij e përseritur shumë: ”Unë, nëse do të jetoja edhe një herë, do të punoja me shqiptarët dhe për shqiptarët”. Zoti të bekoftë, Ullmar Qvick, ty që je thesar shqiptar në Suedi, tha ndër të tjera Prof. Fetah Bahtiri.

Kavajasi që shpresonte ta gjente Ullmar Qvick-un në mesin e 12.700 spektatorëve

Para se ta vizitonte Suedinë, Ëngjell Ndocaj, gazetar i spikatur i TVSH-së, skenarist e regjisor, mjeshtër i madh, kishte kontaktuar Viron Konen, shkrimtar, publicist, përkthyes e njohës i mirë i zhvillimeve në Suedi, sidomos në fushën e kulturës, për të mësuar për miqtë e tij në këtë shtet skandinav. Ai duke buzëqeshur i kishte thënë: ”Kam disa miqë në gjithë Suedinë por i pari që dua ta përmend, është Ullmar Qvick”. Ndaj, Ëngjelli për ta njoh më mirë filloi të hulumtoj se ndoshta edhe ai mund të sjell diçka të re në këtë tubim të mbrëmshëm dhe vërtetë kishte arritur. Nga të gjitha shkrimet studimet, artikujt, intervistat e të tjera që ka lexuar deri me tash, ka një fjali që i bashkon: ”Ullmar Qvick është një prej miqëve më të mëdhenj e të vërtetë të Kombit Shqiptar. Pashmangshëm shtrohet pyetja: Ku e ka fillesën kjo miqësi, çfarë u bë shkas?

“Ka qenë viti 1970, kur një 26 vjeçar nga Suedia e largët, vendosi të vizitojë tokën e shqipeve, të zaptuar nga dogma komuniste. Djalë i thjeshtë, studioz, me kulturë të përgjithshme, veçanërisht gjuhësore. I nxitur nga programt e Radio Tiranës e të ndonjë gazete që arrinte në Suedi, kish nisur të kuptonte po edhe të mësonte fjalët e para të një gjuhe, që për të, tingëllonte e vështirë. Nga ana tjetër dy- tre djem të rinj, emigrantë nga Jugosllavia e asaj kohe, por të lindur në Kosovë, e kishin ndihmuar  disi të kuptonte shqipen. Para se të nisej për Tiranë, kish vendosur të ishte i urtë që të linte një përshtypje të mirë në një vend të panjohur me një regjim që frenonte kedo. Në takimin e parë me shqiptarët ai ndjeu ndrojtjen e frikën e njerëzve për të komunikuar lirshëm me të huajt. E pa fillimisht në hotel Dajt pastaj në Durrës tek Adriatiku,… megjithatë suedezi  kurajoz vendosi ta sfidonte atmosferën mbytëse të mjedisit ku ndodhej. Doli nga hoteli dhe u drejtua tek stacioni i urbanit që të çonte në Kavajë.

Në vitin 1972, në Stokholm u zhvillua një Kogres botëror për gjuhësinë dhe etnografinë. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, pas shumë dyshimesh, dërgoi Prof. Rrok Zojzin, themeluesin e etnografisë sonë moderne. Shkenctari ynë i nderuar mbajti kumtesën që kish përgatitur. E vlerësuan të gjithë, kërkuan ta takonin dhe ta respektonin sidomos të zotët e shtëpisë. Kur u kthye në Shqipëri, në rrethin e tij të ngusht familjar, ku bëja pjesë edhe unë, midis impresioneve që kish marrë nga Stokholmi, tregoi për një bisedë të shkurtër  me një suedez, njohës i gjuhës, muzikës dhe etnografisë sonë kombëtare. Ishte mrekulluar nga njohurit e tij për Shqipërinë dhe Kosovën. Ullmar Qvick, me intuitën dhe kulturën që kish deri në atë kohë, kish ditur të vlerësonte, jo thjeshtë Prof. Zojzin, por pasurinë kulturore, sidomos atë të traditës që kish Shqipëria. Të gjitha këto profesori ynë kurajoz, nuk mund të rrinte pa i deklaruar me sinqeritetin e një shkenctari, duke e nisur me emrin e suedezit Ullmar Qvick, edhe pse e dinte se do t’i kushtonte… dhe kish pasur të drejt: nuk e lejuan më të shkonte jashtë shtetit. Atë emër kolegu, nuk e harroi kurrë, e ruajti në arkivin e tij shpirtëror dhe ma permendi deri në ditët e fundit të jetës së tij kur u shua në gushtin  e 1995-es. Unë isha nipi i tij.”

Disa vite më parë, më konkretisht në shtatorin e 2008-es, në Tiranë do të zhvillohej ndeshja Shqipëri- Suedi, në kuadrin e eliminatorëve të kampionatit botëror të futbollit. Një i njohur i im nga Kavaja m’u lut t’i gjeja një biletë për të vëllan. Tre orë para ndeshjes, një burrë në moshë, qendronte para meje. I dhashë biletën po para se të ndahem e pyeta si e parashikon rezultatin. Buzëqeshi, duke me thënë: “Kur luajmë me Suedinë, unë nuk jam thjeshtë tifoz. Kam një dobësi për këtë vend.” Më bëri kurioz… Kisha patur të drejtë. Ky qytetar kavajas, e nisi përgjigjën me një pyetje: “Besoj se si gazetar i TVSH-së, keni dëgjuar për intelektualin Ullmar Kvick. – Po, iu përgjigja. Ai nisi tregimin… “Duhet të këtë qenë pranvera e vitit 1970. Bashkë me një shok ndodheshim në qendër të Kavajës. Po flisnim si shumica e të rinjve të asaj kohe, për “Besën”, skuadrën tonë të zemrës. Pa pritur diskutimin na e preu një i panjohur. Me një shqipe të panjohur për veshin tonë, u përshëndet dhe na kërkoi që ta adresonim diku, ku mund të gjente ndonjë relike apo simbol të zonës për ta marrë si kujtim në Suedi. Një i huaj! Nuk e menduam gjatë ndonëse e njihnim frikën në raste të tilla… pse mos ta ndihmonim! Hm!…Një fjalë goje Përfunduam të tre në rajonn e policisë. Disa orë brenda pastaj… ai me shqipen e tij, çuditërisht krejt të kuptueshme kish sqaruar punonjësit e Degës së Punëve të Brendshme se ishte një turist i zakonshëm nga Suedia, i pajisur me një vizë kolektive… Ne na lëshuan pas disa orësh qortimi e kërcënimi… dhe që atëherë se takova më ndonëse kam mësuar se ka ardhur disa herë në Shqipëri. Me dukët se do ta takoj sonte në stadium…”

Ky qytetar kavajas ishte në tifoz i zjarrtë i futbollit por krejt i veçantë. Shpresonte ta gjente Ullmar Qvick-un mes 12.700 spektatorëve. Disi absurd po i dhashë të drejtë. Ndoshta dinte diçka ose kishte dëgjuar për figurën shumëdimensionale të atij qytetari suedez që kish ardhur në rininë e tij. Sa dëshirë do të kisha t’i tregoja qoftë edhe tani, se i njohuri i tij, sot ka edhe një emër, me të cilin duhet të mburremi ne shqiptarët- albanologu Ullmar Qvick.”, përfundoi Ëngjell Ndocaj

Zë malli i mërgimtares

Saranda Iseni, Kryetare e SHSHASH ”Papa Klementi i XI Albani” para një numri të madh bashkatdhetarësh që ishin tubuar në këtë ditë të bekuar për popullin e Kosovës u  shpreh: Kosovë, çdo ditë me mahnit me bukuritë rugoviane dhe ato brezore. Çdo natë me shafaqesh në ënderrë e bardhë si velo mendafshi nuserije. Çdo  ditë marr frymë lehtë kur shoh gëzimin e lirisë në sytë e tu. Me beso edhe kur qaj buzëqeshi me lotin e shkrirë. Po flasë, oj  Kosova e ime, me zë malli të mërgimtares. Ndërkaq, ju motra e vëllëzër, fëmijë  të dashur me emocionuat tej mase me këtë prani të madhe, me të cilën po dëshmoni dashurinë e madhe që keni për atdheun, për vendlindjen, për Dardanin. Sa me kënaqin shpirtin këto vajza me atë vallëzim brilant, me atë veshje tradicionale, me atë buzëqeshje, me atë gëzim e hare. Me ngrohtësinë, që delë nga thellësia zemra, në emrin tim dhe të Shoqatës sonë iu uroj 16 vjetorin e Pavarësisë të shtetit tonë, Kosovës. Ndërkaq, duke lartësuar veprën e madhe të Ullmar Qvick, Saranda Iseni përkujtoi se para një jave ditësh kishte folur me të dhe ai i kishte shprehur kënaqësinë se ajo tash është zgjedhur kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi i XI Albai”. Ai i kishte thënë edhe këtë se: ”Femra shqiptare ka qenë shtyll e familjes, e qendresës, e edukatës, e emancipimit me shekuj, por fatkeqësisht kjo ka mbetur në heshtje, ndaj duke e njohur kapacitetin e juaj intelektual, për të cilën gjë e kam kuptuar edhe nga të tjerët, kam besimin e plot se sukseset e shoqatës, anëtar nderi i së cilës jam edhe unë, kanë me qenë kulminante”, përfundoi fjalën Saranda Iseni.  

Förhandsgranskning av bild

Braktisja e Kosovës brengë e madhe

Kryesia e SHKSH ”Iliria” dhe delegacioni i SHSHASH ”Papa Klementi i XI” zhvilluan një debat që kishte të bënte me sukseset arritura, problemet e hallet me të cilat po ballafaqohet komuniteti shqiptar në qytetin e Norrkopingut. Fahredin Berisha, kryetar i shoqatës ”Iliria” dhe anëtarët tjerë folën rreth punëve të mira që janë kryer posaçërisht rreth përfshirjes së nxënësve shqiptar në mësimin e gjuhës amtare, U tha se gëzon fakti që numri i fëmijëve shqiptar është shtuar, për të cilën gjë flasin faktet se vite më parë në procesin mësimor të gjuhës së nënës ishte i përfshirë vetëm një mësues, ndërsa aktualisht janë duke punuar katër mësimdhënës. Po ashtu, ishte kënaqësi e veçantë të dëgjosh se sa shumë djem e vajza kanë kryer shkollimin superior në lëmi të ndryshme dhe me dijen e profesionalizmin që kanë treguar në vendet e tyre të punës janë bërë të njohur jo vetëm në këtë qytet, por edhe më gjerë. Shukri Ymeri, kryetar i Lobit Euro-atlanik Shqiptar shprehu brengën e tij të madhe se vetëm një orë mësimi për gjuhën amtare në javë nuk mjafon, duke shprehur frikën njëkohësisht se pa hapjen e shkollave shqipe asimilimi i fëmijëve tanë do të jetë i pashmangshëm, ndaj i gjithë komuniteti shqiptar duhet të punojë e kërkojë me ngulm shkollimin shqip në këtë vend skandinav. Brenga e tij edhe më e madhe është se Kosova, por edhe Shqipëria po shpopullohet dhe ky fenomen i rrezikshëm duhet të frenohet sa më parë. Në këtë drejtim mërgata shqiptare ka një rol të pazëvendësueshëm, ngaqë ajo ka potencial të madh intelektual e njerëzor për të ndaluar këtë të keqe, këtë tragjedi kombëtare që po i kanoset shqiptarisë. Në të vërtetë, homogjenizimi i mërgatës dhe hartimi i projekteve për investime në atdhe duhet të mbetët prioritet i secilit mërgimtar, shoqate, grupi apo biznesit në të gjitha shtetet ku punojnë e veprojnë shqiptarët, tha Shukri Ymeri.

Jehoi kënga e çiftelia, kënaqi shpirtin poezia

Nikoqiri i këtij manifestimi SHKSH ”Iliria” ishte kujdesur që për të pranishmit të organizoj edhe një program letrar e argëtues. Në shenjë respekti për mikun e madh Ullmar Qvick poezi të bukura kishin shkruar Fahredin Berisha, Fetah Bahtiri, Saranda Iseni, Xhavit Çitaku, ndërkaq grupi i vajzave i kësaj shoqate befasoi me një vallëzim brilant, që u shpërblye me duartrokitje të gjata. Po ashu, edhe këngëtarja e njohur Mevlyde Mehmeti- Hajra me grupin e saj kënaqi këtë numër kaq të madh bashkatdhetarësh me këngë të bukura. Duhet të vihet në spikam edhe kontributin e nënave shqiptare të cilat me duartë e tyre të arta kishin përgatitur ushqime tradicionale, të cilat ishin shumë të shijshme. 

Në fund të këtij eventi u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet SHKSH ”Iliria” dhe SHSHASH ”Papa Klementii XI Albani”. Pjesë e sponsorimit të këtij manifestimi ishte edhe SHSHASH ”Papa Klementi i XI Albani”.

Dhe krejt në fund: Ishte një pritje tipike tradicionale. Madhështia e këtij tubimi kulturor, letrar e argëtues qendron në faktin aty shihej se çfarë marrëdhëniesh të afërta, vëllazërore e të dashurisë kishin bashkatdhetarët tanë. Ndaj, kur ata e duan dhe e respektojnë njëri- tjetrin çdo gjë tjetër realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Ky është një shembull që duhet t’iu shërbej edhe të tjerëve. Ju lumtë!

Förhandsgranskning av bild

Filed Under: Komente

MILAN SHUFLAJ, DESHMOR I VËRTETËSISË SË HISTORISË SHQIPTARE

February 22, 2024 by s p

Hazir Mehmeti, Vjenë/

Nëntëmbëdhjetë shkurti, dita e likuidimit të shkencëtarit kroat nga sigurimi jugosllav. Shkencëtari me të cilin historiografia evropiane u pasurua në vërtetësinë e saj. Milan Shuflajt, shteti shqiptar i ndanë Dekoratën “Naim Frashëri i Artë”, me motivacion: “Për kontribut të shquar në studimet albanologjike, për karakterin shkencor dhe objektiv të mbrojtjes së çështjes shqiptare në veprën e tij”. Kryetarja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmain, Milan Shuflaj-n e dekoron me “Medalje Presidenciale të Meritave”, në vitin 2023.

Biografi

Milan Shuflaj u lind në Lepogllavë të Kroacisë. Pasi mbaroi shkëlqyeshëm gjimnazin, vazhdoi studimet për shkencat historike në Universitetin e Zagrebit. Njihet dhe mëson shumë gjuhë, mes tyre edhe gjuhën shqipe. Qe në moshën e re njëzet e katër vjeçar njihet si shkencëtar në nivel ndërkombëtar. Ai krahas studimeve të shumta dhe me rëndësi ndërkombëtare, kjo i hapi rrug0ë të punon gjatë viteve 1902-1903 pranë Institutit të Studimeve Historike në Vjenë ku boton “Dokumente private të Dalmacisë”. Zgjerimin e studimeve të tij e vazhdon në Budapest, njëri nga kryeqytet e Austro-Hungarisë, nga 1904 deri në vitin 1908 në Muzeun Popullor të Budapestit. Shuflaj aktivitetin e tij të vrullshëm studimor e vazhdon në Universitetin e Zagrebit deri në vitin 1918 ku ishte profesor Universiteti. Vepra monumentale e Shuflajt mbetet “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia” (“Dëshmi dhe dokumente që ilustrojnë ngjarjet e Shqipërisë në kohën mesjetare”, në dy vëllime për historinë e Shqipërisë njihet me emrin “Acta Albaniae”. Volumi i parë u botua me 1913, kurse volumi i dytë më 1918 që të dyja në Vjenë. Ato flasin për Shqipërinë e viteve 334-1406 dhe janë shkruar në bashkëpunim me studiuesit Konstantin Jireček dhe L. Talocin.
Në vitin 1916 e më pas boton: “Gjendja kishtare në Shqipëri”, “Kufijtë e Shqipërisë në mesjetë”, “Shqipëria mesjetare”, “Lidhja hungaro-shqiptare në Mesjetë”, “Fatet politike të temës së Durrësit”, “Biologjia e fiseve të popullit shqiptar” etj.
Pas Luftës së Dytë Botërore, me krijimin e shtetit sllav, ku veç Serbisë përfshihet edhe Sllovenia e Kroacia, për historianin, që tani ishte bërë i dallueshëm, fillojnë ndjekjet dhe persekutimet. Ai arrestohet, burgoset dhe dënohet me 3 vjet e gjysmë burg si anëtar i Komitetit Kroat të formuar në Grac të Austrisë. Serbët nuk mund të harronin aq lehtë argumentet dhe analizat që ai kishte bërë për lashtësinë e shqiptarëve.
Pasi del nga burgu i Mitrovicës boton “Mjegullat kombëtare”, “Kadastrat e Shkodrës”, “Ciklonet etnike në Ballkan”, “Kështjellat dhe qytetet mesjetare të Shqipërisë”, “Serbët dhe shqiptarët”, “Mozaiku nacional në Maqedoni”, “Qytetet dhe fshatrat ne mesjetë”, gati 3 mijë tituj librash e artikujsh studimorë mbi Shqipërinë, Serbinë, Kroacinë, Bullgarinë Rumaninë, Hungarinë, Malin e Zi, Italinë, Slloveninë, Austrinë.
Milan Shuflai ka botuar edhe me pseudonimin Alba Limi. Me këtë emër ai ka botuar romanin historik “Konstandin Balshaj”.
Shuflaj është një nga personalitetet më të mëdhenj të shkencës dhe albanologjisë, një nga përfaqësuesit më dinjitet të saj. Është albanologu më i madh i studimeve të periudhës së mesjetës. Ai argumenton fillimet e para të jetës qytetare të Shqipërisë, shumë kohë para se sa të vinin sllavët deri në kohën e re. Milan Shuflaj është përcaktuesi i saktë i periudhave historike kohore ilire, helene, romake e bizantine të Shqipërisë. Shuflaj e meriton vlerësimin e tij si njeri dhe shkencëtar i madh i kohës i cili la vepër të bazuar në argumentet e pakontestueshme.
Einstein, Heinrich,.. protestë
Milan Shuflaj vritet në atentat të organizuar nga forcat e mbretërisë jugosllave. Rreth vrasjes së tij shkruan gazetat kryesore në Evropë, kurse me një memorandum të veçantë protestuan edhe kolosët e shkencës e të letrave, si: Albert Einstein, Heinrich Mann, dr. Josef Bajza, dr. Max Hildebert Boehm, dr. Karl Fritzler, dr. Zenon Kuziela, dr. Martin Spahn, dr. Branimir Jeliq, Josip Milkoviq, Lumo Skendo, Faik Konica, si dhe organizatat “Ligue Internationale des Droits des L’Homme”, “Federation Universitaire Internationale” etj.
Trupi vdes fizikisht, por vepra mbetët gjeneratave si fanar që ndriçon hapësirave ku shkruhet e vërteta historike. I tillë ishte historiani trim Milan Shuflaj. Shqiptarët i nderojnë miqtë, edhe Milan Shuflajn. Lavdi veprës së tij!

Filed Under: Kulture

Mundësitë e investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik u promovuan para diasporës në SHBA

February 22, 2024 by s p

Nju Jork, 22 shkurt 2024 – Një delegacion prej 25 biznesesh nga sektorë të ndryshëm të Kosovës iu bashkuan nismës së Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Programit Kosovo Compete të USAID, për promovim të mundësive për investime dhe bashkëpunim ekonomik para përfaqësuesve të bizneseve të diasporës që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në dy aktivitete të ndara rrjetëzuese dhe të takimeve biznes me biznes, afaristët nga Kosova dhe nga diaspora në SHBA eksploruan mundësitë e bashkëpunimit në industri të ndryshme si ajo e përpunimit të ushqimit, ndërtimit dhe teknologjisë së informacionit.

Përfaqësuesve të bizneseve nga Kosova dhe nga SHBA iu adresuan me fjalime Zëvendës Ndihmës Administratorja e Lartë e USAID-it, Lisa Magno, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në New York, Blerim Reka, si dhe Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka. Ndërsa Roland Nezaj nga kompania RLN US LLP dhe Atdhe Deva nga Tech Fusion Ventures, folën për përvojën e tyre të investimit në Kosovë, si investitorë nga Diaspora.

Po ashtu, drejtuesit e lartë të USAID dhe të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë mbajtën edhe një tryezë diskutimi me përfaqësues të dalluar të komunitetit afarist shqiptar në SHBA, për të diskutuar lidhur me mundësitë dhe sfidat që karakterizojnë sfidën e investimeve në Kosovë, prej të cilës tryezë u gjeneruan rekomandime të vlefshme.

Filed Under: Ekonomi

Homazh për Shaban Polluzhën, Mehmet Gradicën dhe të gjithë heronjtë e Luftës së Drenicës

February 22, 2024 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Vështirë është të flitet për virtytet, trimërinë dhe meritat e luftëtarëve të palodhshëm të luftës së Drenicës, të prirë nga Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, duke marrë parasysh rëndësinë dhe peshën e madhe të kësaj lufte dhe këtyre dy heronjve.

Një dokument që kam marrë nga arkivi i presidentit H.Truman (Declassified: E.O.11632, Sec 3(E) and 3 (D) or (E) ; Dept.of State letter, Aug. 10, 197), tregonte për rezistencën e shqiptarëve te Kosovës ndaj forcave partizane jugosllave, po ashtu tregonte për mosinteresimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe krerëve të saj që Kosova të jetë pjesë e shtetit shqiptar, siç ishte gjatë viteve të pushtimit nga Italia fashiste.

Në asnjë takim, përfaqësuesit e komunistëve nga Shqipëria, nuk e kishin ngritur çështjen e Kosovës. Përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për të kundërshtuar konsolidimin e pushtetit jugosllav, pra kjo rezistencë që më e fuqishme ishte në pjesën qendrore të Kosovës, në Drenicë, mbetën të izoluara dhe pa përkrahjen e Shqipërisë.

Drenica ka rol të veçantë e të papërsëritshëm, në historinë tonë kombëtare, por edhe në atë për përgatitjen e gatishmërisë popullore në luftën çlirimtare, ka rolin e papërsëritshëm e të pakrahasueshëm për organizimin dhe ruajtjen e frymës për lirinë e Kosovës.

Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica, këta dy tribunë popullorë që udhëhoqën kryengritjen kundër sllavo-komunistëve, u bënë referencë historike për nacionalizmën shqiptare.

Lufta, trimëria, krenaria dhe lavdia e tyre ishte frymëzim i fuqishëm i luftëtarëve të mëvonshëm, që mbante lart moralin e luftës për të qëndruar deri në fitoren e fundit për lirinë e Kosovës!

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT