• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2024

Bluarje gjatë një udhëtimi me tren

February 13, 2024 by s p

Hasan Bulçari/

Ish një kohë e zezë, një ’97, ku të drejtën e “fjalës” e kishte vetëm kallashnikovi… Shqipëri ime e dashur, aktorja lakuriqe në të gjitha mediat e botës.

Të gjithë kishin frikë nga Shqipëria, nga shqiptarët. Pseudogazetarë të kategorisë Emilio Fede që për çdo lajm të zi, pasi për gazetarë të llojit të tij vetëm po të jetë i zi, mund të jetë një lajm, nuk harronin të shtonin nga pas konsideracionin personal “probabilmente albanesi”

U vra dikush, u vodh diçka, u dogj, u poq, u shkatarrua a u shkerrmoq… “ka shumë mundësi të kenë qenë shqiptarë”.

U bë aq e modës saqë edhe kur Erika me të dashurin e saj Omar, vranë me thikë nënën e vëllanë e saj, e kishin menduar se po të thonin që u sulmuan nga disa hajdutë vrasës nga “Europa dell’est”, “duhet të kenë qenë shqiptarë”(deponimi i tyre), që do të ishin aq të besueshëm sa me siguri do t’i shpëtonin burgut…

Ishte kjo kohë pra, kur ansambli ynë i këngëve dhe valleve do të merrte pjesë në një takim ndërkombëtar në Korsikë të Francës… dhe pamangësisht edhe gazetarë që nuk kursenin shkrepjet e aparateve të tyre për “divat” e grupeve të tjera, ndërsa të veçuar, atje në hije, ishte ai grupi “i lebrozëve”, i të njëmijë të zezave, ai i shqiptarëve… por nuk dinin se në atë grup ishte një diamant, një perlë, një dive e vërtetë me emrin Irini Qirjako, nuk dinin që nëpërmjet zërit të saj do të gjëmonin sa do të tundnin, zgjonin grupet e tjera, gazetarë, TV madje edhe jurinë e takimit, fjalët mjaltë të Lefter Çipës “këngët e atdheut tim, janë ilaç, janë more shërim”…

Pastaj… pastaj ndryshoi gjithçka. Të gjithë kameramanët të zënë me shqiptarët. Kush e kush të “vidhte” sa më shumë foto me shqiptarët… Grupet e tjera në rradhë që të takoheshin, pergezoheshin me shqiptarët…

Në një tjetër atmosferë u takuan për dy ditë në Bari të Italisë ata që mjaft bukur, me mjaft kujdes e kanë ruajtur dhe aq pastër e sollën fjalën shqipe, gazetarët, sëbashku me ata që i japin shpirt fjalës shqipe, poetët… Por me një mendim e qëllim mjaft fisnik i ishte bashkuar edhe Misioni për vazhdimësi i gjuhës shqipe.

Kam krenarinë të them se organizatorët e ketij takimi të 16° ishin nga qyteti i dijes, i arsimit, artit e kulturës, Elbasani, qyteti im.

Faleminderit Unioni i gazetarëve shqiptarë, Misioni për Kujtesë e Vazhdimësi, Rest Egnatia, Elona Agolli, Aleksandër Çipa, Blendi Gremi, Xhimi Vila, Iliriana Sulkuqi, Flora Brovina, Shqipe Bytyçi, Iliaz Bobaj , Hasan Aliaj, Mimoza Leskaj, Besim Dybeli, Frrok Çupi…

Dhe u ktheva përsëri te emocionet e Korsikës… kur Elona Agolli, e bija e poetit tonë të madh Dritëro Agolli, i dha çmimin ndërkombëtar “Dritëro Agolli” ligjëruesit që aq bukur, rrjedhshëm, pastër, plot muzikalitet e solli fjalën shqipe, kryetarit të Unionit të Gazetarëve shqiptarë, djalit të fjalemjaltit… Aleksander Lefter Çipa.

Mbas asaj që ndodhi, mbas atyre që u thanë, mbas asaj që u bë, mbas fjalës shqipe shkruar e recituar aq bukur nga goja e Legjendës Flora Brovina, fjala e sjellë nga “Rrënjët” e Hasan Aliajt, fjala këngë e Shqipe Bytyçit, fjala plot humor e Besim Dybelit e Frrok Çupit, fjala kumbuese e Iliaz Bobajt,… mund të them me besë e shpresë, me krenari se Fjala e Atdheut tim, është ilaç, është more shërim!

…

Tani fjalën e kanë ata, profesionistet e fjalës: Gazetarët.

…

C@ne 12/02/24

Filed Under: Fejton

KUTELI, VËSHTRIME NGA KËNDE TË NDRYSHME TË NJË PROZE MJESHTËRORE

February 13, 2024 by s p

Kosta Nake/

Atdhetarë dhe mercenarë te novela “Më kot”

Novela “Më kot”, e vendosur në një truall sa real aq edhe legjendar, duke ftuar në skenë figura historike dhe karaktere letrarë, na trondit me fatin dhe misionin e shqiptarëve në Gadishullin e trazuar Ilirik. Ndjesia bëhet edhe më e madhe kur autori te trojet dhe heronjtë jo vetëm që përfshin edhe trevën e Devollit, por i vendos në fokusin e vështrimit të vet. Duke lexuar shënimet përmbyllëse të vëllimit të parë, gjen dy të dhëna që koincidojnë me përmbajtjen e kësaj novele: e ëma e Kutelit ishte nga Devolli dhe ka ndikuar me rrëfimet e saj në krijimtarinë e Kutelit; Vasil Tromara që përmendet këtu, kishte qenë mik i familjes Kuteli.

Sipari i ngjarjeve hapet me Xhezarin e plagosur rëndë, që duke ardhur në vete, mjedisin që e rrethon, e identifikon me një luadh të vendlindjes, pastaj, kur bashkë me mendimin kthjellohet dhe shikimi, e gjen veten në fushën e luftës, mes kërleshjes së të vrarëve dhe të plagosurve. Çuditërisht, fusha e luftës nuk është në Devoll, as në Shqipëri, po më larg, aty ku përzjehen gjuhët ballkanike, sepse shqiptarët kanë luftuar dhe janë vrarë duke u rreshtuar në rradhët e ushtrive të huaja për interesa që jo vetëm nuk kishin lidhje me brothtësinë e atdheut të tyre, por mund t’u shërbenin pa dashur planeve shoviniste. Ky mjedis politik i kohës vjen gjuhësisht me një inventar të madh fjalësh turke, si: redif, mylazim, yzbash, bimbash dhe një tok komandash ushtarake. Janë mercenarë të paguar, apo njerëz të mashtruar, kjo ndriçohet vetëm kur bien në kontakt me ata që në tatëpjetën e perandorisë turke, filluan të aspirojnë për lirinë e Shqipërisë. Se për çfarë bëhej lufta, e zbulojnë emblemat dhe fjalët në fushën e betejës: “Andej – bajrak bojëqielli, me vija të bardha, me kryq; këtej – bajrak i kuq, me hënë të bardhë. Edhe një bajrak jeshil… Andej “embros”, këtej “ilderëm.” (f.131)

Fshati i Xhezarit nuk përmendet me emër, por ai ndodhet diku në rrugën që kalon nga Dishnica drejt Bilishtit, me kënetën e Maliqit aty pranë, me erën e e fortë të malit të Lenies, një fshat nga ku duken majat dhëmbë-dhëmbë të Malit të Thatë. Kur Xhezari vjen në vete herën e dytë, autori zbulon kuadrin historik që ka paraprirë këtë luftë të përmasave të mëdha: “Kanë dalë ca njerëz që i thonë vetes “shqipëtarë” dhe kanë sjellë një fjalë të re: liri. Për këtë fjalë luftojnë, për këtë fjalë vrasin e vriten… Nuk duan festen e kuqe, nuk e duan hënëzën me yll…” (f.125)

Novela merr një kthesë të plotë historike kur këtë lëvizje të re me karakter kombëtar e ilustron me çetat e Spiro Bellkamenit dhe Qamil Panaritit, kur përmend çetat në Kolonjë, Gorë dhe Frashër, pastaj ndalet te ngjarja e gushtit 1912 kur Themistokli Germenji me Dalip Përmetin dhe Vasil Tromarën kryen atentatin ndaj Rexhep Pallës, komandatit të ushtrisë turke për Korçën, si shpagim për masakrimin dhe vrasjen e gjashtë luftëtarëve shqiptarë, që njihen si gjashtë dëshmorët e Orman Çifligut. Xhezari kujton emrat e heronjve që i pati njohur: Bajazit Rehova, Nuçi Lapi, Kristaq Karafilaku. Pastaj shtohen edhe Odhise Pjasto, Kristaq Kosturi dhe Kostaq Furrxhi. Xhezari e pati njohur edhe Vasilin se ishte nga Qyteza, prandaj bashkë me aksionin i vjen parasysh edhe portreti i atij trimi: “qepallëbardhë, me ca sy të hirtë, i hollë, pa mustaqe, as i gjatë, as i shkurtër.” (po aty)

Edhe pse nuk është objekt i novelës, autori e shfrytëzon udhëtimin e detyruar për mobilizim ushtarak të Xhezarit redif që më pas bëhet suvari, për të hedhur dritë mbi trojet shqiptare dhe ngulimet e tyre. “Follorina i ngjante Korçës. Në pazar, në udhët – në të hyrë e në të dalë, këtej e andej lumit – valonte shqipja.” (f.128) Kur mbaroi lufta dhe Turqia u mund, atje në Tarabulluz Xhezari shkon te xhamia Jeni e shqiptarëve. “Aty pothuaj tërë lagjja flet shqip. Atij i bëhet zemra mal kur dëgjon fëmijët që thërresin e shajnë shqip. Edhe gratë shqip flasin.” (f.129) Kishte shumë shqiptarë që ishin futur në radhët e ushtrisë greke nga Thesalia, Maqedonia, Epiri, Kosturi, Follorina, Vodena. Edhe Pilua ishte shqiptar nga Athina, nga ata që grekët i quanin brabaç. “Tërë fshatrat rrotull Athinës janë brabaçe,” i thotë sinicari Guri devolliut tjetër Xhezar. (f.138)

Ngarkesën më të madhe emocionale e merr skena e përleshjes në afërsi dhe trup me trup, kur luftëtarët, jashtë urdhërave të eprorëve, komunikojnë shqip. “Armiku ra duke thirrur: Bjeri, Pilo. Më vrau turku!… Një djalosh i gjatë, kaluar mbi një kalë çil, klithi: Erdha Guri!” (f.132) “Xhezari dëgjoi, si nëpër ëndërr, të thirrura turçe e grekçe, po më shumë shqipe, nga të dy anët e valëve që përpiqeshin të tërbuara, shqyeshin njëra me tjetrën: Bjeri! Na! Ah, qen! Qen, qen! O, nëno!” (f.133)

Shqipja ridëgjohet në sheshin me të vrarë e të plagosur: “Ujë! U-u-ujë…” (po aty) “Të solla ujë, – i tha Xhezari… Ai tjetri zgurdulloi sytë… Një turk me hënë në ballë po i jep ujë. Dhe i flet shqip! – Pi i tha Xhezari së dyti. – Jam shqiptar.” (f.135) Ishte Guri nga Sinica që luftonte për ta bërë Korçën Helladhë. Pilon e vrau shoku i Xhezarit nga Kosturi. Xhezari rrëzoi me shpatë Gurin. Guri e qëlloi Xhezarin duke i hapur dy plagë. Zbulimi i kësaj të vërtete të hidhur përmblidhet të fjalia që i ka dhënë edhe titullin tregimit: “U vramë e u premë vëlla me vëlla. Më kot…” (f.139)

Xhezari e kishte patur një rast për të hapur sytë e atdhetarit kur ishte në kazermat e Selanikut dhe një shqiptar nga Kosova u ishte drejtuar të gjithëve: “O vllazën! Ne jomi shqyptar, s’jomi tyrk! Pra të luftojm për Shqypni, për atdhe! N’Kosovë zin pushka. Hasan Prishtina, Bajram Curri e Isa Buletini po luftojn për Shqypni…. Merrni ene ju armët e hajdeni të ikim. Të vdesim për Shqypni! Për atdhe!” (f.141-42) Atë ndërgjegjësim që nuk e bëri atëherë, Xhezari e arrin gjatë përçartjeve nga plagët që ftoheshin në kufirin mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës. “U mblodhët, vëllezër? Haj, nisuni. Për Shqipëri! … Ushtarët nxjerrin thikat dhe diç presin nga kapat. Bien poshtë hënëzat e turkut dhe kryqet e grekut. Vendin ua marrin shqiponjat, ashtu siç kishin pasur në kësulë Bajazit Rehova e Nuçi Lapi.” (f.147)

Grekët mbledhin të plagosurit, por nuk ka ndihmë për Xhezarin dhe Gurin dhe mbeten të dy në fushën e një beteje që nuk ishte e tyrja.

Marrëdhënia e egër e njeriut me natyrën

Kur lexon titullin “Lumi i madh” mendja të shkon menjëherë te një prurje uji që i jep jetë e bukuri jo vetëm natyrës, por edhe komunitetit që jeton pranë tij. Shumica e lumenjve të Shqipërisë burojnë në malet e lindjes dhe derdhen në detet e perëndimit, por Shqipëria shtathollë në aksin veri-jug, nuk ka hapësirat e gjera për të mbajtur lumenj të gjatë e të lundrueshëm, prandaj përcaktimi “i madh” është sipas psikologjisë shqiptare që e quan “lumë” edhe një përrua që mbledh ujin e dy-tre burimeve dhe ka guximin ta çojë deri te dega më e afërt e një rrjedhe tjetër. I tillë është edhe Lumi i Madh i Kutelit që modestisht derdhet jo në det, po në liqenin e Poradecit. Përkundër shtatit të shkurtër, shtrati i tij është mjaft i pasur: Merrte fill nga kronjtë e largët të Hijes së Zezë, çante grykën e Krushës, hidhej nëpër shkëmbenj, shtohej me ujëra të tjera, jazi i hynte në pjesë për të çuar ujin në mulli, çante udhë përmes arave, gurgullonte midis drizash e kulprash, kërcente rrasë më rrasë, shkonte nën vigun e udhës së Mokrës, merrte nën urën e Nackës. Kaq mjafton për ta përmbushur misionin e vet jetëdhënës, por kur zbret te qendrat e banuara, fillon marrëdhënia e vështirë me njerëzit. Në të dy brigjet banorët fillojnë të zgjerohen mbi shtratin e tij dhe Kuteli nuk përton të numërojë një për një të varfër e të pasur që verbohen pas një pëllëmbe tokë, kurse zullumqarët i bëhen ortakë lumit duke ndërtuar edhe mbi shtratin e tij.

“Lumi nuk iu qa gjykatores se e dinte se hante rryshfet, por i duroi të gjitha.” (f.155) Ja, rrëfimtari gjen rastin dhe fut kunjën e parë, sepse mbrojtja e lumenjve nuk mund të jetë thjesht raport individual i njeriut me natyrën. “Njerëzit e kishin bërë lumin kutullaç, si litarin në thes e si të drejtën nëpër nenet e ligjeve.” (f.159) Ja ku erdhi erdhi kunja e dytë, sërish për pushtetin gjyqësor. “Kjo botë paska shumë të palara e të gjitha i hedh në lumë.” (po aty) Këtu goditja është e përmasave të mëdha dhe tepër e kapshme për ditët tona, kur lumenjtë janë shfrytëzuar egërsisht dhe janë ndotur në përmasa të frikshme duke zhdukur gjallesat ujore brenda dhe pranë tyre. Ndërhyrjet në shtratin e lumit shoqërohen edhe me prerjen e malit dhe hapjen e shesheve për vërshimin e rrëkeve, me djegien e korijeve dhe gështenjave për të bërë vreshtë e për të zgjeruar kullotat. Atëherë autori e personifikon lumin duke i dhënë gojë për të folur: “Kur bjenë shira të rrëmbyera, s’kam ç’bëj e doemos do mbushem majë më majë, do bëj kërdinë… Hapmë udhë, se po s’më hape ti, do ta hap vetë.” (f.159) Kjo ndodhi vërtet një vjeshtë dhe lumi “e bëri fora, me pallë në dorë”, nuk u kufizua me hapjen e shtratit, por edhe me shkatërrimin e shtëpive, mbytjen e bagëtive dhe humbjen e jetëve njerëzore.

Mesazhi është i qartë, por ka rënë në veshë të shurdhët. Etja për fitime ka sjellë shkatërrimin e pyjeve, mbushjen e shtratit të lumenjve jo vetëm me mbetjet e oborreve, por edhe me inerte. Rënia e prurjeve të lumenjve ka bërë që banesat të zbresin edhe në zonat që dikur ishin pjesë e kontrolluar ose e përmbytur prej ujërave. Situatat kritike janë përsëritur nga shkarkimet e detyruara të hidrocentraleve ose nga sasia e madhe e reshjeve të rrëmbyeshme brenda një hapësire të shkurtër kohe. Vërshime katastrofike kanë ndodhur edhe gjatë këtij viti e gjatë këtyre ditëve te fqinjët tanë dhe më tej.

Një karikaturë pijetarësh e punuar me dashuri

Tri dekadat e fundit, kur Shqipëria socialiste kishte marrë tatëpjetën, pijetarët e fshatit tim shënuan një përndritje të re dhe, me që rakia nuk arrinte, edhe kur në fuçi u shtuan edhe mollët e qershitë, iu drejtuan votkës, pasi mund ta përgatisnin aty për aty duke përzier alkoolin me ujë. Me ndryshimin e sistemit politik, bashkëshatarët e mi morën udhët e emigrimit duke e lënë të shkretë Llomin e Hanit dhe nuk gjetën kujt t’ia dorëzojnë stafetën. Kjo trashëgimi e pasur që ndez zjarr këngët e vallet, të bën ta shijosh maksimalisht rrëfimin e Kutelit “Fshati im e pi rakinë”, të cilin e ka bërë me aq ironi dhe elegancë, sa lexohet si një prozë poetike plot lirizëm.

Rrëfimi fillon me një deklarim që tingëllon si ato me rrahjet e gjoksit të lebërve: “Fshati im, o tungjatjeta, e pi rakinë me hov e vrull të madh që nga djepi e gjer në varr. Me kupë në dorë lind, me kupë në dorë rron e me kupë në dorë vdes. Raki nër gaze, raki nër helme e gjithë raki midis helmesh e gazesh.” (f.169)

Pjesa themelore e çështjes është kazani i rakisë. “Mund të kesh ti ara sa të mundësh, gështenja sa të lodhesh e tregëti të rëndë, me dengje – puna jote – po s’pate kazan, numërohesh fundi i fshatit e pa nder.” (f.172) Kuteli rrëfen për një periudhë kur prona ishte private dhe kooperativave nuk u ishte dëgjuar emri. Pijetarët e fshatit socialist ishin të çliruar nga ky kompleks sepse me krijimin e kooperativës në vitin 1946, prona private filloi të zvogëlohej deri te tredynymëshi dhe nuk bëhej më fjalë as për vreshta, as për kazanë rakie. Fshati kishte një punishte rakie që përpunonte mjeshtërisht rrushin e vreshtëve të sektorit, pjesa tjetër sigurohej nga rrjeti i dyqaneve të konsumit.

Në fshatin e zgjedhur prej Kutelit, lezetin e rakisë e dinin edhe foshnjat e lyrekut, sepse fshati kishte nevojë për “trima pa shoq në llogoret e kupës”, … sepse “kur rakia zbret në kusi, njeriu fluturon nëpër xhehnetet e pijanikëve.” (f.175) “Kështu e ka lëmi i rakisë. Sikujt i duket bregu shesh e deti kos.” (f.181)

Ironia rritet në grotesk kur rakia përfshin në dallgët e veta jo vetëm gratë e fëmijët, por edhe kafshët. “Edhe pak sikur të paskej pirë ky gomari i Shopit, mend bëhej njeri e këshilltar epror.” (f.182)

Autori e ka ndërtuar rrëfimin sikur ka përballë dikë, prandaj natyrshëm i duhet të kalojë nga historia e fshatit te heronjtë pijetarë dhe galeria që hap në këtë pjesë të tregimit, është mjaft e pasur: xha Trifuni që mbante dy pagure të mëdha me raki në brez, Dajo Pali që zahire të parë për dimër kishte rakinë, Shitja i cili dëshironte që gjoli të ishte i mbushur me raki dhe jo me ujë; Nuçi Shyti që u betua se nuk do të hidhte asnjë kupë raki në grykë duke u betuar për Shëndaumin, por erdhi një dervish nga teqja dhe i tregoi se mund t’i qëndronte besnik betimit duke e pirë rakinë me një copëz kashte që e fuste në poçe; Kamber Kollozhegu ishte më i famshmi se i dehu lalët, u vuri samar dhe nga një vulë katrani në ballë; i veçantë ishte Ilo Kulluzdrumi që e pinte në shtëpi e s’përzihej me njeri; lavdinë e pijetarëve e ngriti më lart kolonel Shabedin Aga me moton e tij: “Buka është për minjtë, ujët për bagëtinë, burri është për raki.” (f.196) Ky shkëlqim në fushën e pijes shënon edhe fundin e rrëfimit.

Mozaiku i fshatit shqiptar

Novela rrëfenjë “Një natë tetori” është një nga dëshmitë artistike të një stili që gatuan mjeshtërisht në magjen me brumë të vendlindjes duke rrokur brenda një hapësire kohe të kufizuar skenën ekonomike dhe politike të vendit, njëkohësisht kapërcen jo vetëm matanë kufirit, por edhe matanë oqeanit.

Ngjarjet vendosen në kohën kur Shqipëria është kthyer në mbretëri gjë që propoganda e reklamon si shpëtim të vendit nga rreziku i jashtëm dhe si hyrje në rrugën e përparimit. Në antitezë me këtë zhvillim politik autori sjell në skenë një grua të ve, Tete Ngjelon, që e zhvlerëson sakaq optimizmin e rremë. “Mbret, mbret, po si u bëhet halli qepëve të mia? Më mbetnë në derë. Dhjetarët kërkojnë pare të madhe, duan t’u shtrosh drekë e darkë.” (f.214) Në këtë rast e në këtë muaj shekulli fluturon si era dhe kjo puna e qepëve merr një tingëllim aktual, pasi fermerët devollinj gjatë gjithë këtyre dekadave të tranzicionit janë ndier të braktisur nga shteti dhe të viktimizuar nga tregëtarët që luajnë me çmimin e grumbullimit të prodhimit duke përfituar nga mungesa e organizimit dhe nga frika e përhershme e fshatarit se qepët mund të përfundojnë në hendeqe. Ky rrezik nuk është imagjinar, por i deklaruar: “Bëj si të duash: kalbi qepët, hidhi në lumë.” (f.223)

Gruaja vejushë ndalet edhe te marrëdhëniet vjehrrë-nuse, si një raport i vështirë që përcillet në vite dhe sjell tre tipe të ndryshme të tyre. “Ti e di se nuset e djemve janë sprija e s’çajnë kokë për hallet e pleqërisë.” (f.255)

Familja e madhe mblidhet për të punuar së bashku për të bërë vargjet e qepëve dhe Fija, bija e Tete Ngjelos, u tregon fëmijëve një përrallë me miushë që jo vetëm kthehen menjëherë në njerëz, por u referohen të njohurve pasanikë si Ristua i Ristos, Mahir beu e Sasho beu, përrallë e mbushur me spica për deformimin e tregut që gjithë barrën e detyrimeve e shkarkon mbi fshatarët e varfër duke e rënduar pozitën e tyre ekonomike. Përralla është një improvizim i mençur dhe i këndshëm me ngjyra të ndezura folklorike që mbledh material jetësor nga fshatrat rreth e rrotull dhe më larg, si kapedanët e qëmotshëm të Alarupit, agallarët e Mokrës e të Gorës, bejlerët e Starovës, të Zagorçanit e të Poradecit. “Shtatë a tetë shtëpi kanë zaptuar tri fusha: të Starovës një, të Velitërnës dy, të Domosdovës tri. Ca janë hedhur gjer tutje në Maliq, ca të tjerë nëpër Jamën e Omeshit, kanë zaptuar kullotat. E bënë çiflig Piskupatnë, e bënë edhe Urakën. Ja shkurtuan pëqinjtë Rrajcës, e shtynë në mal. Tashi dashkan ta bëjnë çiflig edhe Peshkëpinë. Na e pinë gjakun me të dhjetat, me haraçet.” (f.250) Tete Ngjelua i tërheq vëmendjen hera-herës së bijës për kalimin nga miushët te njerëzit, por te fjalët e saj ka po aq spica ironie: “Aman! Mos u hidh në gjol, se do të teptisë uji e do të mbytë tërë fshatin e qepëve dhe kokarkave… Si do të mbetemi ne të gjorët jetimë, pa belerë? Kush do të na nxjerrë nga shtatë fasha barkut e kurrizit? Kush do të marrë të dhjetat e fshatarëve të Mokrës e Gorës?” (f.251)

Përralla me ilustrime nga jeta e fshatit prek rrethin e afërm të nuseve, prandaj Fija e fillon me shfajësim dhe u rikthehet spicave tipike me apologjinë e Sokratit: “A mos thashë unë se Ici Matua nuk ishte dora e djathtë e agajt të madh të Starovës e nuk i vriste njerëzit sikur të paskeshin qenë miza?” (f.258)

Pjesa e dytë e novelës fillon me një kthesë të papritur, pasi në shtëpinë ku janë mbledhur për të punuar vijnë mysafirë të rinj, krushku Risto me Ristovicën dhe Xexua i Xexos me Cecon, i pari si sahanlëpirës i bejlerëve e agallarëve, i dyti si bashkëpunëtor i qarqeve greke që synonin Vorioepirin me kufi deri në Shkumbin. Përballë tyre autori vë “filozofin” Loli me rrëfimin brenda rrëfimit për udhëtimin e mundimshëm dhe të dështuar në pazarin e Korçës, për rromuzemëdhenjtë e atjeshëm që tallen me fshatarin e shkretë: “Ua, ua! Ky qenka më saraf se Rakua! Më i shtrenjtë se Ballauri.” (f.277)

Loli bëhet zëdhënës i zgjimit të shtresës së vuajtur duke u treguar mysafirëve të tjerë për revoltën e fshatarëve të Vllahisë. Xexua sjell përvojën amerikane të emigrimit, kopracinë e vet ndaj nevojave të “Vatrës” e “Diellit” dhe lëshimin e dorës për Sillogun grek. Mozaiku pasurohet kështu me çështjen atdhetare duke përmendur edhe rreshtimet e kundërta brenda Shqipërisë, Osman Çotën e Librazhdit që vrau shqiptarët e Kolonjës që deshën ta bëjnë vendin Shqipëri. “Shqipëri kjo! Atdhe! Kur je larg e do njëqind herë më shumë. … Kush të shan gjuhën të ka sharë nënën, tërë të gjallët e tërë të vdekurit.” (f.294)

Realizmi magjik te rrëfenja “Natë vjeshte të tretë”,

Arti i Kutelit zgjat rrënjët në përrallat popullore, pse jo edhe te përrallat arabe të 1001 netëve, dhe kjo duket te emërtesat “Natë prilli”, “Natë muaji maji”, “Natë qershori” që të kujtojnë netët e gjata të dimrave të largët që mbusheshin me folklorin e pasur të popullit. Madje dy prej tyre fillojnë sipas formës tradicionale të përrallave: “na ish njëherë” (f.51), “një herë e një herë” (f.63) Vëllimi i dytë është një rreshtim netësh sipas muajve duke filluar nga marsi dhe vazhdon deri në vjeshtën e tretë. Te “Natë muaji maj” me nëntitull “I vdekuri dhe i gjalli” një nga mushtullukët e dasmës e derdh si me shaka verën e mbetur mbi një varr ndanë rrugës dhe duke u larguar kthen kokën e thërret: “O i vdekur! Mos harro se je i ftuar në dasmë!” (f.52) Dhe mrekullia ndodh: ashtu si Kostandini i legjendës së njohur, edhe i vdekuri i ftuar ngrihet e shkon në dasmë. Te rrëfenja “Rinë Katerinëza” po ashtu kemi një bashkim të dy botëve dhe përmbushet një dëshirë e realizohet një martesë mes një vajze të gjallë dhe një djali të vdekur.

Këto rrëfenja shërbejnë si paradhomë për një nivel të ri ku legjendarja ia lë hapësirën të jashtëzakonshmes dhe këtu fillojnë e shkrihen natyrshëm kufijtë mes reales dhe ireales. Sprova e parë kalon me rrëfenjën “Natë qershori” ku Bendo Shapërdani vendoset mbi një truall real, mbi një kontekst kohor dhe futet në këngët e popullit për qëndresën e pashoqe së bashku me Suli Starovarin.

Shtysë për rrëfenjën “Natë vjeshte të tretë” shërben një vit me prodhime të begata bujqësore, kur buka bie nga qielli dhe “nuk matet dot me shinik e nuk peshohet dot me kandar” (f.129), kur paralajmërohen dasma “nga ato që ha qeni petulla dhe kërcasin trarët e shtëpisë.” (po aty) Është nga ata shtatë vitet e proklamuar që në kohët biblike, risjellë këtu me një variant të ngjashëm me shtatë lopët e majme në Misir. Po para se të fillojnë dasmat, paraprijnë gostitë dhe një e tillë në shtëpinë e Zafir Kurilës vjen e shpaloset para lexuesit. Rrëfimi i parë është për të, gjyshin e rrëfyesit, i cili ishte furrtar dhe mirësia vetë, sepse u dërgonte bukë të burgosurve sipas motos: “Buka është bukë. Kur e ke, jepe, se ay që të kërkon e ka pisk, s’ta zgjat dorën më kot.” (f.135) Akti i dytë i bamirësisë së gjysh Zafirit ishte kujdesi për të fejuar një vajzë jetime, sepse “është më mirë të mblosh e të martosh një çupë jetime, se sa të ndërtosh një kishë.” (po aty) Ai niset nga fshati për në Elbasan, po grupi i udhëtarëve ku ndodhet ai, bie në pritën e hajdutëve te shkalla e Xhyrës. Ishte bamirësia e Zafirit që i shpëtoi të gjithë, sepse kapedani kish ngrënë bukën e tij kur ishte mbyllur në hapsanë.

Një linjë interesante e rrëfimit është ajo frëngut që nuk është frëng, por arbëreshi Mërtir që ka ardhur të zbulojë gjurmët e të parëve, ngarkuar plot elementë të romantizmit me rastësinë e trokitjes në derën e duhur, pikërisht te rrënjët dhe degët e fisit mbuluar nga pluhuri i kohës. Mërtiri me Rrapon e Mukes dalin që janë kushërinj. Ato kartat e shkruara në lëkurë kaprolli të ruajtura nën tokë në këllëfë argjendi që kalojnë nga duart e Mërtirit te ato të Rrapos e përsëri te Mërtiri, përcjellin mesazhin e madh që lexohet edhe sot e kësaj dite te arbëreshët e Italisë dhe arvanitët e Greqisë. “Mërtir frëngu i mori kartat, i puthi dhe ia zgjati Rrapos: Të tuat janë, vëlla. Se dheu është yti. Merri. Rrapo ia kthen: Dheu është imi, po një herë e një kohë ka qenë i përbashkët, i vëllazërisë. Ty të duhen këto gjëra. Falë të qofshin!: (f.154)

Atë që nuk dinte Zafiri, e dinte gjyshja e Rrapos: mani i Jaçes thuhej një herë e një kohë i mani i Mëhillit, çezma e Haxhiut thuhej kroi i Rrahut, burimi i Çardhakut thuhej kroi i Sheshit të Pjetrit. Pikërisht me këto emra kërkonte të orientohej vëllai arbëresh duke prekur njëkohësisht fatin e toponimeve të hershme.

As gazi i dasmës, as ankthi i pritës së hajdutëve, as balada e rinjohjes nuk është gjë para kërkesës këmbëngulëse të fëmijëve për të dëgjuar nga goja e Zafirit historinë e qypave të Rrapsallit që besohej se ishin me florinj. Është një rrëfim me të gjitha karakteristikat e realizmit magjik që iu servir lexuesit shqiptar para se të njihej me shkrimtarët latinoamerikanë të gjysmës së dytë të shek. XX, si Borgesi dhe Kortasari të Argjentinës, Asturiasi i Guatemalës, Fuentes i Meksikës, Márkesi dhe Mutis i Kolumbisë, Vargas Josa i Perusë, Donoso i Kilit, etj.

Një gjuhëtrashë që kishte kënduar në skoli të gjuhëhollit, vinte me gjeminë e Andonit i veshur me dolloma e me feste, hynte ne papafingua e Nastos dhe dilte i veshur me fustanellë e takije, merrte shtigjet malore në kërkim të qypave me florinj. Zafiri dhe Zyferi, djali i Rrapos, e ndjekin në afërsi dhe këtu fillon pjesa magjike e rrëfimit ku nuk e përcakton dot ku mbaron realja e ku fillon irealja. Vetëm një fragment, sepse duhet një lexim tërësor për ta kapur e shijuar këtë krijim fantastik. “Si mbaruam shkuam të flemë. Kësaj radhe nuk hymë në shpellë, po ia shtruam në një lëndinë, pranë zjarrit: unë në të djathtë, Zyferi më të mëngjër e Mustaqeverdhi në mes. Kjo natë ka qenë më e llaftarisur se e para. Me të mbyllur sytë, vinte e na pllakoste një hije e zezë, si pllane, plumb e rëndë. Kur e kur ikte hija e vinte një burrë i gjatë me ca mustaqe si fshesë e na rrihte me një topuz thane. Sa ikte ky, na bëhej sikur vinte një tufë dhish të egra, të zeza, me një cap përç në krye, na shkelmonin e na shtypnin me thundra, ktheheshin prapë, gjersa na bënë dërmajë fare. E një të blegërirë, sikur i ndiqte ulku! Më të gdhirë, si iknë dhitë e egra megjithë përç, krisi një tërmet i madh, sikur të paskej ardhur një gjë më e keqe se tellua e priftit të Llëngës (se ay thoshte që do të vinte tellua në botë, do të shterrnin kronjtë, puset, lumenjtë – të gjitha, pastaj do të dilte ay me një këmbë, me një stomnë me ujë në dorë e me një vulë në dorën tjetër: kush do të pinte ujë, do të vulosej me vulë.) Malet përpiqeshin njëri me tjetrin e nxirrnin shkëndija, prush… E një buçimë, një gjëmim që s’rrëfehen dot.” (f.167)

Pse na pushton shpesh kjo nostalgji për të shkuarën? Sepse njerëzit e kishin qesen e parave të vogël, por e kishin të madhe dashurinë e zemrës, se nuk kishin radio e televizorë, por i mbushnin netët me përralla, legjenda, gjë e gjëza e lojëra që gdhinin edhe netët e gjata të dimrit dhe duke qenë me njëri-tjetrin dhe pranë njëri-tjetrit shkëmbenin më shumë dashuri e dhembshuri.

I ndodhur mes luftrash të të tjerëve dhe mes vedi

Jemi te tregimi “Natë marsi” i vëllimit të dytë. Le të përfytyrojmë një kthim pas në kohë, plot një shekull. Një plakë krejt në të bardha zbret nga mali me një kalë të ngarkuar. Quhet Qyrana e Thodrit, por bota e quan Plaka e Bubullimës. Ka lënë fshatin e vet dhe po vjen në Liqer te shtëpia e Kote Komit, sepse Azis Gega i Dibrës i ka vrarë nip e mbesë, i ka djegur shtëpinë dhe i ka grabitur gjënë e gjallë. Me vete po sjell jo vetëm plagët e shpirtit, por edhe urrejtjen ndaj gegëve dhe një vendim të heshtur për t’u hakmarrë. Qyrana dhe Azisi kthehen në dy shqiptarë që përfaqësojnë atë luftë të brendshme që prodhon dhunë e viktima duke minuar themelet e paqes sociale. Ky adresim te gegët është një pasojë e tymnajave përçarëse apo ndonjë raport personal i autorit? Ka dhe një rimarrje kalimtare te tregimi pasues “Natë prilli” me vargun e një kënge: “Ç’i vrave gegët ç’i sose.” (f.30) Ka dhe një theksim tjetër te rrëfenja “Natë qershori”: “Bendo Kapedani me shokë m’i shpinte gegët gjer përtej Strugës!” (f.91) Edhe pse nuk përfshihet gjithë gegëria, por vetëm ajo e Dibrës, kontrasti është i fortë me vargjet: “Geg’ e tosk’, malci jallia,/ janë një, m’u da s’duron,/fund e maj’ nji asht Shqipnia/e nji bes t’gjith’ na bashkon.”

Zija e bukës dhe thashethemet që mbjellin tmerr për fundin e botës, kanë një përgjigje shprese në fjalët e Plakës së Bubullimës: Nuk ka fund të botës se kjo nuk ndodhi as atëherë kur turku bëri që gjaku të arrijë në bark të kalit. Kjo shprehje ilustrohet me një rrëfenjë për Kostandinin e Bubullimës që nuk pranoi t’i hapë rrugë turkut për të goditur latinët. Përftohet kështu një legjendë që, e paidentifikuar në kohë, sjell jehonën e qëndresës shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut, kthimin e shqiptarëve në mburojë të qytetërimit perëndimor. Te Kostandini kjo motivohet me besën e dhënë, tashmë e kthyer në vlerë të njohur botërisht. Po kjo besë e dhënë nuk funksionon si shkëmbim energjie në të dy kahet e saj. “Kostandini mbeti vetëm (se llatini dërgoi) me bekime në trajsë, ballë për ballë me turkun. E jo vetëm me turkun po edhe me gegën e egër që ish bërë një me turkun e vinte për plaçkë.” (f.18)

A nuk kanë luajtur e po luajnë Lindja e Perëndimi me besën shqiptare?

Veçori të rrëfenjave

Rrëfenjat e Kutelit janë ushqyer nga një gurrë popullore familjare, posaçërisht nëna e tij, kanë evoluar si një përpunim i përrallave dhe kanë realizuar kapërcimin e madh duke shkundur botën e nëndheshme për t’u mbathur me më shumë realizëm nga bota e mbidheshme. Ka elementë të realizmit magjik sepse karakteret kapërcejnë aty-këtu kapacitetet njerëzore dhe mbajnë në kufij sipëranë tensionin e ndodhive.

Rrëfenjat ruajnë veçoritë e ligjërimit bisedor me thirrorë dhe fjalë të ndërmjetme që i drejtohen lexuesit të tipit “ore”, “si thonë një fjalë”, “që thua ti”, “mor tungjatjeta”, “që lëre mos e nga”, “si tha ay”.

Futja e trajtave të shkurtra të përemrit vetor të vetës së parë, apo dhanorja empatike, shton një ngarkesë emocionale më të madhe: “dhe më kish një sy”, “a nuk m’u rrëkëllye kjo kokë e prerë”, “atje na mbetka njeriu edhe pa kokë”, “I lodhur si ish Bendo Kapedani m’i shpinte gegët gjer përtej Strugës.” (v.2, f.91) “Na doli një fërtymë e një rrufe e na dogji lisin ku luftoi Bendo Shapërdani.” (f.92)

Përdorimi i formave mohuese për të rritur forcën e pohimit: “A nuk i ka dalë përpara një mylazim me një kordhë në dorë, a nuk ia ka ruskosur kokën…, a nuk m’u rrëkëllye nëpër tokë kjo kokë e prerë…” (v.2, f.32)

Përdorimi i fjalëzës “pa” në vend të lidhëzave bashkërenditëse shtuese ose përmbyllëse dhe fjalëzës “ç”: “Pa na janë nisur këta mushtullukë” (v.2, f.51), “Pa na u hapke pastaj një vragë…” (v.2, f.35) “Pa kënga ç’na sillte këngën” (v.2, f.78) “A iku Ago Dajlani? – ç’më pyeste ky ustai i qosheve.” (f.79)

“Ay se ç’vazhdonte këngën e tij.” (f.80)

Veçori përbëjnë përdorimi i shtuar i pasthirrmave, urimeve, mallkimeve dhe betimeve. Mjaft i pasur është përdorimi i fjalëve tingullimituese si element ndërtues i imazhit.

Kuteli përdor format e habitores atje ku mund të përdorej e pakryera ose e kryera e thjeshtë dhe nganjëherë ky përdorim është intesiv: “Ky Simon i Mokrës… ç’paske lënë nga dora cigaren pa dredhur, ç’paske krrusur pakëz gjysmën e trupit e ç’ia paske buçitur me zë të thellë e të plotë këngës së Bedo Shapërdanit.” (v.2, f.84) “Ky Bendo Shapërdani nuk paske qarë me kujë e vaj, si gjithë robi, po na paske rrëmbyer dajlanë, na paske ngjeshur dy pisqolla brezit, na paske mbushur vezmet me barut… e na marrke ca shokë e na hapke një batare të zezë në mes të Ohrisë sa edhe pashajt iu paske dredhur mjekra…” (v.2, f.88)

See Insights and Ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: ESSE

25 vjet më parë marka gjermane dëboi dinarin serb jashtë Kosove

February 12, 2024 by s p

Prof. Sylë Ukshini/

25 vjet pasi Bernard Kouchner e futi si valutë zyrtare të Kosovës Markën Gjermane (DM), e gjen Kosovën nen trysni për dinarin Jugosllav/Serb!!!

25 vjet më parë Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Bernard Kouchner, mori vendim për dëbimin e dinarit jugosllav/serb dhe vendosi në bazë të kompetencave të tij që në Kosovës valutë zyrtare të jetë marka gjermane (DM), e cila më pas u pasuar me valutën evropiane euro.

Dhe tani pikërisht zyrtarët evropian, të cilën për çdo rast në Kosovë bërtasin duam modele evropiane, u pengon pikërisht valuta evropiane në Kosovë dhe synojnë legalizimin e valutës serbe. EURO nuk është valutë nacionale kosovare, por evropiane!

Filed Under: Ekonomi

1922 / HISTORIA E SADIK HASANIT NGA MATI, DJALOSHIT QË MORI NË KLOS, NGA DUART E VETË SHKRIMTARES AMERIKANE ROSE WILDER LANE, DHURATËN E KRISHTLINDJEVE QË KISHTE PËRSHKUAR GJYSMËN E BOTËS

February 12, 2024 by s p


“Ju falënderoj me gjithë zemër që na dërguat një dhuratë që ka kaluar nëpër dete të shumta” — Nga një pikturë e Anna Milo Upjohn. — Burimi : Junior Red Cross News, dhjetor 1922, faqe n°53
“Ju falënderoj me gjithë zemër që na dërguat një dhuratë që ka kaluar nëpër dete të shumta” — Nga një pikturë e Anna Milo Upjohn. — Burimi : Junior Red Cross News, dhjetor 1922, faqe n°53

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 11 Shkurt 2024

“Junior Red Cross News” ka botuar, në dhjetor të 1922, në faqet n°53 – 54, një histori tepër të veçantë rreth dhuratës së një djaloshi amerikan për Krishtlindje që ka bërë asokohe xhiron e gjysmës së botës dhe ka përfunduar në duart e një djaloshi matjan falë shkrimtares Rose Wilder Lane, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Sadik Hasani nga Mati

“Ju falënderoj me gjithë zemër që na dërguat një dhuratë që ka kaluar nëpër dete të shumta” — Nga një pikturë e Anna Milo Upjohn. — Burimi : Junior Red Cross News, dhjetor 1922, faqe n°53
“Ju falënderoj me gjithë zemër që na dërguat një dhuratë që ka kaluar nëpër dete të shumta” — Nga një pikturë e Anna Milo Upjohn. — Burimi : Junior Red Cross News, dhjetor 1922, faqe n°53

Nga Rose Wilder Lane

Vitin e kaluar një nxënës i një shkolle në Amerikë paketoi një kuti (pako) Krishtlindjesh për të rinjtë e Kryqit të Kuq dhe ia dha mësuesit të tij dhe nuk dëgjoi më për të. Kutia kishte udhëtuar nëpër tokë dhe det në pothuajse gjysmën e botës dhe djali që e paketoi kishte harruar Krishtlindjet dhe po shijonte pushimet verore kur një malësor shqiptar me pantallona të bardha leshi dhe brez të kuq flakë dhe jelek të zi të shkurtër e fiksoi atë kutinë e Krishtlindjeve në një shalë dhe u nisëm për në Mat.

Zona e Matit shtrihet përtej maleve që fshehin diellin në lindje të Tiranës, qyteti i vogël i ulët dhe i bardhë që është kryeqyteti i Shqipërisë. Kutia e Krishtlindjes hyri në Mat me mushkë, sepse ka vetëm dy mënyra për të hyrë në Mat. Vetëm këmbët tuaja ose ato të një mushke të vogël malore mund t’ju çojnë — dhe ndonjëherë edhe mushka dështon në shtigjet e pjerrëta dhe të vështira.

Tri ditë të gjata udhëtimi të tmerrshme, ngjitjeje në anët e greminave dhe lëvizje ngadalë, centimetër pas centimetri, siç mund të lëvizësh në skajin e dritares së një rrokaqielli (qiellëgërvishtësëje), dhe duke u ulur me dorë në faqet e shkëmbinjve, do të kaloni malet më të larta dhe do të hyni në zonën e Matit.

Ishte në fund të ditës së tretë që pashë për herë të parë Sadik Hasanin. Kishim ecur gjatë gjithë ditës, nën diellin e nxehtë të korrikut. Në orën gjashtë kaluam lumin Mat, pranë rrënojave të një ure të vjetër të ndërtuar nga Skënderbeu (i cili ishte George Washington-i i Shqipërisë, pesëqind vjet më parë), pastaj u ngjitëm për tre orë në faqen e një shkëmbi.

Ishte natë, hëna kishte dalë mbi majat e thepisura të maleve perëndimore dhe unë po ngjitesha e lodhur, kur papritmas pashë në buzë të shkëmbit sipër meje një figurë të vogël që në dritën e pasigurt mund të ishte një Brownie shumë e madhe. Me ngjyrë si shkëmbinjtë, dhe me një plis mbi kokë, më pa për një çast dhe më pas u zhduk.

Në momentin tjetër u shfaq para meje në kthesën e shtegut, me një qëndrim statik dhe drejt, duke përshëndetur si një ushtar.

“Rrofshi sa më gjatë!” tha ai, me mirësjellje, dhe e dija që ishte një djalë i vogël, me uniformën kaki të policisë malësore shqiptare.

“Rrofshi sa më gjatë!”, i thashë unë.

“Si keni mundur të vini?” tha ai. Sepse kjo është përshëndetja e sjellshme në malet shqiptare dhe ka qenë e tillë prej shekujsh.

“Ngadalë, ngadalë, pak nga pak”, përgjigjja e duhur.

“Unë jam Sadik Hasani, roje e kryetarit të bashkisë së Klosit dhe i dymbëdhjetë fshatrave të tjerë”, tha ai. “Ju uroj mirëseardhjen në Mat. Lavdi shtigjeve që ju kanë sjellë.”

Pas pak minutash ishim ulur në oborrin e xhandarmërisë në majë të shkëmbit dhe Sadiku po na ofronte filxhanë të vegjël kafeje turke, të cilën e bëri vetë në një xhezvë të vogël bakri me dorezë të gjatë, të vendosur në hirin e një zjarri kampi.

Burimi : Junior Red Cross News, dhjetor 1922, faqe n°53
Burimi : Junior Red Cross News, dhjetor 1922, faqe n°53

Ne ishim tre ditë në Klos dhe në atë kohë u njoha shumë mirë me Sadikun, sepse sa herë që vinte kryetari i bashkisë për të na thirrur, vinte edhe një roje e vogël dhe ulej këmbëkryq në tokë, mbrapa kryetarit të Bashkisë — i cili gjithashtu ulej këmbëkryq — duke dëgjuar me zell gjithçka që thuhej. Kurrë më parë në jetën e tij Sadiku nuk kishte parë një të huaj, sepse ne ishim të parët që kishim ardhur në Mat. Dhe ai kurrë nuk e kishte ëndërruar të shihte një amerikan.

Megjithatë, ai dinte diçka për Amerikën. Ai dinte për Xhorxh Uashingtonin dhe kishte dëgjuar për automobila dhe për Presidentin Wilson. Ai e dinte që Amerika ishte një vend shumë i ri, më i ri se fshati më i ri në Mat, — sepse Mati ka qenë shqiptar para “Përmbytjes – The Flood” dhe i kujton ende legjionet romake, siç e kujtojmë ne Luftën tonë Civile. Por ai e dinte gjithashtu se Amerika ishte një vend shumë i mrekullueshëm. Ai kishte dëgjuar se në atë vend të gjithë shkonin në shkollë.

Kjo, mendoi Sadiku, është edhe më e mrekullueshme se makinat. Ndërsa u njoha pak më mirë me të, ai më tha se ambicia e tij e madhe ishte që të shkonte në shkollë. Ai kishte shkuar në shkollë dy dimra dhe kishte një laps plumbi. Sa herë që kryetari i bashkisë nuk kishte nevojë për të, ai ulej dhe ushtronte shkrimin në një copë letre. Ai shkruan shumë bukur. Por ai e dinte se nuk mund të shkonte më në shkollë, sepse tani ishte dymbëdhjetë vjeç dhe duhej të mbante familjen e tij, e cila ishte shumë e varfër. Si roje, fitonte dhjetë dollarë në muaj dhe qeveria i jepte uniformën dhe pushkën, dhe dy herë në ditë një copë bukë misri dhe një copë djathë dhie dhe mund të flinte në dyshemenë e xhandarmërisë me burrat e tjerë. Kështu, familja e tij kishte plot dhjetë dollarë çdo muaj dhe mund të jetonte me to. Por nëse ai ndalonte së punuari për të shkuar në shkollë, ata do të vdisnin nga uria.

I dhashë Sadikut kutinë (pakon) e Krishtlindjes. Shënohej “Për një djalë dhjetë vjeç”. E mori në duar dhe e pa për një kohë të gjatë. Ai kurrë nuk kishte parë një kuti të bërë kaq bukur dhe me shkrime kaq të bukura mbi të. Ai lexoi me zë të lartë, “Gëzuar Krishtlindjet – Kryqi i Kuq i të Rinjve”. Ai mund ta lexonte mirë, sepse shqiptarët mësojnë të lexojnë nëpërmjet tingujve të shkronjave, por ai nuk e dinte se çfarë kuptimi kishin fjalët. U përpoqa t’i tregoja. Pastaj ngadalë hapi kutinë nga Amerika e largët.

Kishte dy lapsa të gjatë e të bukur, një top, një kuti me lapsa me ngjyra dhe një qese me zara (kaçola). Ai nuk e dinte se çfarë ishin zarat apo topi, sepse, natyrisht, nuk kishte luajtur kurrë. Por ai ishte aq i lumtur për lapsat sa nuk mund të fliste për një kohë. Pastaj ai tha: “Nëse do t’i shkruaja një letër djalit që më dërgoi kutinë më të bukur, a do t’ia jepte Zonja amerikane kur të kthehet në Amerikë?”

Unë i thashë që do ta bëja. Nuk e kuptova pse u largua atë ditë pa e shkruar letrën, por të nesërmen mësova arsyen. Ai kishte shkuar të pyeste familjen e tij nëse, vetëm këtë herë, mund të merrte nga paga e tij dy cent, me të cilat të blinte një fletë të bardhë e të bukur letre shkrimi. Familja i tha se do të mundte, dhe të nesërmen e solli, të mbështjellë me kujdes në një copë pëlhure të qendisur me dorë, së bashku me njërin prej lapsave, të cilin e mprehi.

I ulur këmbëkryq pranë çadrës sonë, buzë lumit të Matit, Sadiku shkruante me kujdes e bukur, me aq kujdes sa një piktor bën për të bërë një tablo. Ja çfarë shkruan ai :

“Shoku im i dashur,

Unë quhem Sadik Hasani, lindur në fshatin Lis të rrethit të Suçit (Mat) dhe në këtë botë kam jetuar dymbëdhjetë vite. Të falënderoj nga zemra për interesin që ke ndjerë për Shqipërinë, që na ke dërguar një dhuratë që ka kaluar nëpër detet e shumta.

Unë, Sadiku, jam në shërbim të rrethit të Stragjut si roje. Ishte dëshira ime e madhe që të vazhdoja të fitoja dije, sepse e di që të jesh injorant është turp. Por për shkak të varfërisë aktuale të prindërve të mi, unë mund të qëndroj kështu për një kohë të gjatë.

Të ardhshin të gjithë të mirat,

Duke nënshkruar me respekt,

Shoku yt,

Sadik Hasani.”

Filed Under: Reportazh

SHQIPJA, SI ORIGJINE E GJUHEVE ANGLO-SAKSONE

February 12, 2024 by s p

Albert V. Nikolla , gjuhëtar-filozof-shkrimtar

Ann Taylor; Donald Ringe; Tandy Warnow (2000). 

“Character based reconstruction of a linguistic cladogram”.

(Rindërtimi i një kladogrameve gjuhësore bazuar në karaktere)

Shqipja ka një rol themelues në fillesën e gjuhëve, të cilin Leipniz qartë e vë  në dukje, por më vonë gjuhët kanë adaptuar sistemin e tyre, dhe shqipja ka mbetur ajo e para, me sistemin e saj primitiv. Gjithsesi unë mendoj se shqipja duhet klasifikuar në mënyrë më inteligjente me anë të principeve gjuhësore të aksialitetit të saj mes gjuhëve të tjera.  Gjuhëtari Pierre Chantraine, në një raport rreth studimeve mbi Ilirishten, të Vladimir Georgiev, shprehet se:  “Hulumtimet e fundit, në veçanti ai i M. H. Krahe, kanë synuar të sqarojmë njohuritë tona për trakishten dhe ilirishten. Pranohet se këto janë gjuhë indo-evropiane. Por për të mund të marrim një ide vetëm përmes disa glosave shpesh të korruptuara, emrave të përveçëm, më shpesh gjeografikë, të cilët origjina e tyre na fton t’i konsiderojmë si ilire, disa mbishkrime veneciane ose mesapiane (1). Gjithashtu nuk ka dyshim se ilirishtja dhe thrakishtja duhet të kenë pasur ndikim në greqishten e zakonshme dhe ka arsye për të besuar se ilirët kanë jetuar në rajone të caktuara të Greqisë përpara pushtimit të grekëve. Prandaj do të ishte joshëse të gjesh elemente ilire në fjalorin grek. Zoti Kretschmer u përpoq të nxirrte nga ilirishtja emrin e fisit të vjetër */’ϊλλείς/, dhe atë të qytetit të */bizantit/.[]. Pra gjuhëtarët kishin nuhatur që në fillimet albanologjike se shqipja kishte rol themeltar, madje edhe brenda kulturës së lartë greke antike. Por shqipja ka shumë më tepër për të thënë në historinë botërore të gjuhëve.  

Shumë analiza gjuhësore kanë treguar që shqipja është  e afërta me gjermanishten, madje ka pasur gjuhëtarë që e kanë  vendosur atë në një grup albano-gjermanik. Parë në sistemin struktural të morfologjisë së krijimit të fjalëve, shqipja me anë të etimonëve të saj fillestarë njërrokësh, është brenda të gjitha gjuhëve indo-evropiane edhe për shkak  të karakterit të saj protonik- nostratik, ajo nuk mund të klasifikohet me siguri në asnjërën nga nën familjet indo-evropiane. 

[]

Në vitin 1995, Taylor, Ringe dhe Warnow, duke përdorur disa teknika sasiore gjuhësore, zbuluan jo pa surprizë se shqipja duket se futej një nëngrup me gjermanishten. 

Saussure na mëson saktësisht se asnjë lloj gjuhë nuk duhet të diskriminohet sa i takon  pikënisjes së studimeve gjuhësore që kanë të bëjnë me origjinën.  Në demarshet metodologjike dhe normative, duke  marrë fonemat njërrokëshe, të cilat janë edhe matrica gjuhësore të pastra, etimone dhe folje të shqipes gege, ekuacionet gjuhësore rezultojnë shumë me të sakta dhe të thjeshta sesa me glosat e PIE dhe IE. Fjalët e shqipes  janë folje onomatopeike, të prejardhura nga natyra. Këtu fillon studimi i gjuhës shqipe dhe jo me “Mesharit” të Gjon Buzukut, shumë i  vonë dhe i shkruar në të folmen e Ulqinit (Malit të Zi). Meshari i Buzukut është një formë e dokumentuar e shqipes mesjetare, por nuk është forma fillestare e origjinës së gjuhësh shqipe. Pastaj disa harrojnë se gjuha shqipe është shkruar para gjuhës greke dhe latine nga fiset iliro-mesape të Italisë dhe janë të panumërta artefakte të shkruara në gur. Është imediate shkencërisht të klasifikohen dokumentet e lashta, duke përfshirë shkrimet Dako-Myze, Getè dhe Thrake, përpara se të thuhet se shkrimi i parë shqip ishte Meshari i Gjon Buzukut. Nuk mund të shkruash për shqipen pa njohur dy studiues të mëdhenj të saj, antropologun Georgi Georgiev dhe gjuhëtarin e madh Vladimir Georgiev, njohës të mirë të parahistorisë së gjuhës shqipe. Megjithëse gjuhëtarët e thonë me gjysmë zëri, tani nuk ka me asnjë dyshim që  “Shqiptarët konsiderohen si pasardhës të fiseve më të lashta me origjinë proto indo-evropiane që kanë ekzistuar në gadishullin ballkanik, përpara formimit të grekëve, si derivat i kulturës Iliro-thrake”.[]. Po meqenëse fiset proto indoevropiane (hindo-sumero -skytho- hitite) një derivat i kulturës “Cadmium-Vinça” të gadishullit ilirik janë të parat kultura evropiane , i takon  që shqiptarët të jenë  fosil antropologjik nga popullata më e vjetër që ka jetuar  në Evropë, por edhe në territoret indo-evropiane .

Nëse shqipja arvanite e Greqisë mund të konsiderohet si dega e shqipes prehistorike që ka dhënë Greqishten e vjetër, latinishten dhe grupin e gjuhëve neolatine, shqipja gege prehistorike nga ana e saj, ka pasur lidhje më të forta me grupin e gjuhëve me origjine keltike si gjermanishtja, anglishtja dhe grupi i gjuhëve vikinge etj. Këtu mund të japë shpjegime etimologjike mjaft të qarta.

Teknikat strukturale të ndërtimit të fjalës, pra metoda morfologjike e kërkimit etimiologjik, na mundëson të gjejmë një substrat të gjuhës angleze apo gjuhës gjermane të lidhur mjaft ngushte me shqipen. Një ndër foljet me të vjetra të shqipes është folja /â/ e shqipes e cila ka dhënë në shqipen e sotmë formën */jam/ (ïam) , e cila nëse ndahet në strukturë është e njëjtë me formën e anglisht  */I am/ . Cila është forma më e vjetër në këtë rast, ajo e anglishtes apo ajo e shqipes. Forma më e vjetër në këtë rast është ajo e substratin të përbashkët. 

Mund të dallohet fare qartë fonetikisht se forma */speak/ e anglishtes dhe */sprechen/ e gjermanishtes  kanë orgjinë të njëjtë me shqipes */shpreh/. Por duke qenë se shqipja ka fjalën */fōl/(phol) (ngaku vjen edhe termi “Phonetic” që u huazua prej greqishtes antike nga anglishtja,  në formën */phone/, gjetja edhe e formën */shpreh/ në shqip, që i takon burimit keltik, përforcon tezën e substratit të përbashkët të shqipes me gjuhët gjermanike.  Ndër faktet me interesante është  të shikohet folja */do/(dua)  e shqipes, e cila haset në formën  */do/ ,(do you speak)  në anglisht. Kjo folje primitive i takon substratit të gjuhës së parë nostratike. Nëse emri */hundt/ e gjermanishtes vjen nga fjala */hundë/ e shqipes për shkak se qeni me anë të hundës kryen gjuetinë e tij (-sipas Leibnitz) , me të njëjtin parim krijues gjuhësor  mund të thuhet se fjala */dog/ e anglishtes vjen nga fjala */do/ e shqipes, e cila korrespondon me cilësinë afektive të qenit (aspekti fizik i marrëdhënieve qe i jep kuptim emërtimit të kësaj kafshe)  brenda realitetin kuptimor semantik  si kafshë që; – “e */do/ njeriun”.  Por edhe përemri vetor i anglishtes */you/, korrespondon me përemrin e gjuhës gjuhën shqipe:*/ju/.  */I/, (ai) e anglishtes, si përemër vetor ka një lidhje me versionin */äi/, të shqipes dialektore të veriut , një përemër vetor i shqipes primitive që haset në zonat e thella të malësive të Mbishkodrës dhe Tropojës , në format */äi e baï/ ose */ü e bai/ (unë e bëj), ndërkohë që veta e tretë e përemrit vetor */he/(hi) dhe */she/ (shi)  forma të gjuhës nostratike */hi/ (hyn) dhe /si hi/ (togfjalësh) që gjenden në shqip, kanë derivuar si përemra vetorë në gjuhët anglo-saksone. Ky ishte shkaku që Franz Bopp, hapat e parë të studimeve të tij gjuhësore i hodhi me studimin e përemrit vetor të gjuhës shqipe (Gegnishtes). 

Ka fjale si */bowen/ (ndërtues) e cila korrespondon me shqipen */ba – bae/, (bëj), nga e cila  ka lidhje me fjalët e shqipes */banoj/, */banor/, etj.

Sa i takon gjuhës gjermane, krahasimi me shqipen gege,(si forma fillestare) mund të bëhet vetëm me prusishten ose dialektet e vjetra të saj dhe jo me gjuhen aktuale, për faktin se standardizimi i gjuhëve” u fshin nga memoria e tyre strukturale diakroninë e zhvillimit natyror.  Por me gjithë këto ndërhyrje  gjenden ende në gjermanisht qindra mijëra fjalë të përbashkëta me shqipen gege, forma të tilla si */absurd/ e cila vjen nga togfjalëshi i shqipes */a */ba shurdh/ (është bërë shurdh- nuk kuptohet);   */bagazh/  nga togfjalëshi i shqip */ba gati/ */balkon/ nga togfjalëshi */ball kön/ (ball i këndit)*/ ballett/ nga togfjalëshi  */ba leht/(bërje e lehtë-kërcim i lehtë );  /bar/ nga folja */ba/ (bëj);  */ chef/ nga folja shqipe */she-sheh -shef/ (mbikqyrës) , /kronik/ nga fjala */kro nikê/ (rrjedhje e dëgjuar-histori),  */debet/(debit)  nga togfjalëshi i shqipes */dë bie – të bie/)  */dechiffrieren/  nga /dae shifrë/;  */embargo/ nga */e mba/ ( e bllokon) etj. 

Nga ana tjetër , ka fjalë anglishtes të cilat konsiderohen me origjinë franceze, por që në të vërtetë janë të shqipes Gege , si */confort/ , e cila rrjedh nga togfjalëshi */kan i fort/;  */credit/  nga */kre di/,  */kualition/ nga */ku a lidh / (ku eshtë lidh) , */ligue/  nga */lidh/ e shqipes,  etj.etj.

Mund të jetë një imazh i harta dhe teksti që thotë "Nordic é图 Phalic Dinaric Dinaric-Iliric.Bajern-Bujar Bujar Eastern 69 East Baltic Westerr CHART 1.-Geographical Distribution of Races in the German Reich Namensbedeutung von Bujar lm Albanischen steht der Vorname Bujar für den Ausdruck der Tapfere" oder auch „der Großzügige" bzw. „die Hoffnung,.."

Tashmë gjuhëtarët gjermanë nuk kanë asnjë dyshim se civilizimi i tyre teuton është me origjinë ilirike. Fakti që emërtimi i Gjermanisë */Allemangne/, ka lidhje me togfjalëshin e shqipes gege */all e mag/,  */yll i  madh/ , nga rrjedh edhe fjala */gög/ (i madh) */magög/ (shumë i madh -në shqipe), që haset edhe në veprën e Homerit e gjetër */giga/) dhe */de magog/ (madhështi e rreme). Gjithashtu edhe fjala //Deutschland/ ka lidhje me shqipen /t’Zeus-land/ , kur dihet qe fjala */land-on/ e shqipes, ka të njëjtës origjine me */lind-on/ të Keltishtes. Por ka dhe një hipotezë tjetër sipas të cilës  fja */Deutsland/ vjen nga togfjalëshi */Teut’s land/, (Shkëmbimi [d/t] kurse fjala Teuta  është emri i mbretëreshës Ilire, por që lidhet me  origjinë antike nga fisi i  “Teukrëve”, fise para-ilirike (pellazge). Teza e tretë, është prejardhja e emërtimit nga Mali i Dajtit, në lindje të Tiranës;   */Daït -land/  ku gjenden edhe gjurmë shumë të forta të prezencës së fiseve para-fenikase (kultura kadmium)  , si qyteti Alba-Noi, kështjella ciklopike e Përsqopit, apo qyteti para-antik i Turamit, etj, rrënojat e të cilave janë 95 për qind akoma nën tokë.  Të tria tezat provojnë origjinën shqipe të emrin. 

Gjithashtu e gjith toponimia gjermane është me prejardhje ilire, si emrat e qyteteve, emrat e rajoneve si Bavari nga shqipja Bujbari, që në shqipen e sot, */bujari/ , dhe që lidhet me foljen shqipe */buj/, e cila krijohet nga matricat gjuhësore  */buk+uj/, =*/ buj/-*/bujk/ (krijimi i kushteve për jetesë në një vend) por edhe dhënien e ushqimit; (bujar), qe emërtonte njerëzit e kamur gjenerozë. Por edhe emra të tjerë në gjermani si Cologne , që fjen nga emri “Kolonjë” (zonë e Shqipërisë së jugut) , emërtimi i rumit “Rin” etj, tregojnë për një gjenezë të përbashkët mes gjermanëve dhe shqiptarëve. 

Shumë më e fortë dhe me direkte eshtë lidhja e shqipes gege me gjuhen hollandeze. Një studim i thelluar i lidhje të shqipes gege me versionin holandez te dialektit flaman do të nxirrte në dritë lidhje prehistorike të epokës nostratike mes këtyre versioneve gjuhësore) Folje primitive si */te hur/ (shqiptohet hyr) që lidhet me foljen shqipe */hyj/ dhe edhe emrin */hyrje/(banesë) , */te koop/ qe lidhet me foljen shqipe */kap /( blej),    por edhe */ kaan/ (a mund ) , si në rastet */kan je spreken /(A keni mundësi të flisni)  , */je mut spreken/ (ju mund të shpreheni) , etj, parë nga forma fillestare e fillimit të gjuhës njerëzore tregojnë marrëdhënie shumë të forta mes këtyre dy gjuhëve, dhe çimentojnë bazamentin e tezes se Shqipja gege eshtë mëma e gjuhëve Gjermanike.

Hans Günther , njëri ndër antropologët e njohur të historisë gjermane e cili studioi rracat evropiane, bazuar mbi greqishten e vjetër, që në të vërtetë nuk ka qenë gjë tjetër vetëmse standardizimi i gjuhës Akease (Arvanite). Ai përdori terma të tille si */nordik/ , i cili vjen nga etimoni i shqipes  */në or të/ (Nord) , */dinarik/ (rraca ilirjane) */Qefalik/ , nga fjala */qãf /(qafa) e shqipes, */alpin/  nga “alp in”-  (gjenezë e bardhë) e kundërta në shqip */kalp-hin/ ose */kalb-hin/  (diçka e pabazë) [], nuk qe në gjende të përcaktonte se “mënyra e rritjes së fëmijëve nga fise  të ndryshme për shkak të klimave të ndryshme, ka sjelle forma atropomologjike të ndryshme”, por që në gjenezë janë të njëjta.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT