• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2024

Këngët folklorike nga treva Krajë-Shestan

February 6, 2024 by s p

Hamid Alaj/

Populli i trevës së Krajës dhe asaj të Shestanit, si në të gjitha fushat e jetës së vet, edhe në art ka treguar talent dhe aftësi krijuese. Vlerat artistike që ka krijuar ky popull ndër shekuj në përgjithësi janë të shumëllojshme, ku ndërmjet tyre gjejmë edhe shumë këngë, valle, tregime popullore, lojra popullore, gjëza, proverba etj., e që në literaturën shkencore njihen me emrin folklor. Pra folklori është një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë artistike të popullit që e krijon atë, të çfarëdo krahine, rethi apo treve qoftë ai. Prandaj ato mësohen nga shumë kush dhe ngjallin kënaqësi kudo: në punë, në shtëpi, në shkollë, në rrugë, në ndeja, në pushime etj., gjë që bën që populli i kësaj treve ta dojë artin folklorik.

Këngët folklorike nga treva Krajë – Shestan janë mjaft të vjetra dhe këndohen prej kohësh në këtë trevë. Janë të vjetra aqë sa vetë lashtësia e kësaj treve etnike shqiptare. Ato janë të shumta dhe të pasura nga vetë lloji i këngës. Si nga pikpamja ritmike po ashtu edhe nga pikpamja melodike, këngët folklorike nga treva Krajë – Shestan , paraqiten shumë të larmishme. Ato shquhen për nga bukuria, për nga madhështia si dhe për nga roli i tyre që kanë. Ato zënë një vend të rëndësishëm në përgjithësi, në kulturën e kesaj treve, por edhe më gjërë, si në tërësinë e kulturës sonë kombëtare. Populli i kësaj treve, këto këngë i këndon në variante të ndryshme, dhe dallojnë për nga ritmi i këndimit nga lloji i vetë këngës.

Populli i kësaj treve i ka çmuar shumë këngët e dashurisë dhe u ka dhënë një rëndësi të veçantë duke i pagëzuar me llojë-llojë fjalesh si: “moj e mira”, “moj e bukura”, “këngë dashurie”, “këngë jaranishte”, “këngë çobanash”, “këngë ashike”, etj. etj., që le të kuptohet se çdo emërim e ka kuptimin e vet simbolik.

Unë si bir i lindur dhe i rritur në këtë trevë dëshiroj të vë në dukje se gjatë punës sime mjaft serioze, por as pa mundime dhe me një kujdes të posaçëm, pa marr parasysh kohëzgjatjen e grumbullimit të këtyre këngëve, hasa në disa vështirësi të ndryshme, kur informatorët, pra treguesit e këngës, ndryshonin brendin e këngës, ndoshta nga harresa e saj apo nga frika se mos të preket dikush, sidomos tek këngët e dashurisë, të cilat pengesa, jo rallë më dukeshin të pakapërcyeshme. Mirëpo, duke e parë këtë pengesë, me aqë sa unë kam vërejtur gjatë grumbullimit të këtyre këngëve, mendoj se brendia e këngës fletë vetë. Megjithatë, këngët e botuara në këtë punim janë këngë të traditës gojore, të mbledhura kryesisht në terren nga subjekte të ndryshme, këngë të cilat mund të ndërrojnë ritmin e të kënduarit gjatë interpretimit të tyre, por kjo nuk do të thotë se është aqë me rëndësi sepse nuk mund ta ndryshojnë thelbin e tyre të burimsisë.

Kam besim se vetë lexuesi do të jetë i kënaqur me këtë material të grumbulluar në këtë punim aq me vlerë për ruajtjen e këngës folklorike të trevës së Krajës dhe të Shestanit. Gjthashtu kam besim se lexuesi do të më kuptojë nëse në këtë libër, apo koleksionim të këtyre këngëve, nuk kam arritur që t’i grumbulloj të gjitha këngët që i përkasin trevës në fjalë. Arsyet janë të shumta. Lexuesi duhet të jetë në dijeni se njiherit kjo çka u grumbullua në këtë punim, lindi si dëshirë e imja ndaj trevës sonë me qëllim të ruajtjes së vlerave kulturore të trevës.

Atëherë le të jetë një fillim i mbarë që në të ardhmen, dikush të vazhdojë në këtë rrugë të nisur, për të plotësuar këtë tempull, nëse më lejohet ta quaj kështu, të shenjtë e të bukur, të quajtur “KËNGËT FOLKLORIKE NGA TREVA KRAJË – SHESTAN”, për të mbajtur gjallë e për të vazhduar me dinjitet folklorin e pasur të kësaj treve.

Filed Under: LETERSI

QËNDRESË NË KUFIJTË E LEGJENDËS

February 6, 2024 by s p

Kosta Nake/

Parathënia e botimit të dytë të këtij libri është shkruar nga Ismail Kadare si një certifikatë letrare për një Ferr Dantesk në prozë dhe si një mirëkuptim mes kolosësh, pasi do të mjaftonte vlerësimi për dy vepra në faqen 660 dhe fjalët që vë në gojën e Kasëm Trebeshinës në faqen 685 që të krijonte një qejfmbetje të madhe e cila është kaq e shpeshtë në realitetin shqiptar.

Libri është një dëshmi autentike e përplasjes së dhunshme të diktaturës së proletariatit me përfaqësuesit shqiptarë të kishës katolike, veçanërisht të kishës françeskane, por edhe sfidë e një kleriku me shkallë të lartë intelekti që bën interpretime vetjake dhe sjell argumenta të shumtë për ngjarje që fillojnë nga Lufta e Dytë Botërore, sidomos te lufta e shtetit komunist për çrrënjosjen e besimit fetar dhe rrënimin e objekteve të kultit. Përpjekjeve të Partisë Komuniste për të shkëputur katolicizmin shqiptar nga Papa i Romës, klerikët shkodranë iu përgjigjën me analogjinë sfiduese: Ashtu si nuk ka komunizëm pa Moskën, ashtu nuk ka edhe kishë katolike pa Vatikanin. (f.255)

At Zef Pllumi rreshtohet në anën e atyre që mendojnë se gjithçka filloi keq që në themelet e Shqipërisë së re të dalë nga lufta. “Pretendentët kryesorë të pushtetit ishin Balli Kombëtar, Legaliteti dhe Partia Komuniste e mëshefun mbas emnit të Frontit Nacional-çlirimtar… më shumë se kundra gjermanve ato luftojshin ndërmjet vedit për të marrë pushtetin sa të mbaronte lufta.” (f.17)

Qasja patronazhiste e Jugosllavisë titiste ndaj udhëheqjes së Tiranës vjen me një detaj kuptimplotë: Në kumbanoren e Kishën Françeskane të Shkodrës nga ku qyteti dukej si në pëllëmbë të dorës dhe ku ngrihej flamuri kombëtar, u shtuan dy ganxha të tjera që përkrah tij të ngrihej edhe flamuri jugosllav. (f.22) Detaji i dytë është ai i kovaçit kosovar Qazim Vula që bashkëpunoi për vrasjen e Miladin Popoviçit, priste të dekorohej nga shteti shqiptar, por përfundoi në burg, pasi Miladini ishte miku i Enver Hoxhës.

Vlera të mëdha historike dhe kulturore u fshinë nga faqja e dheut si me ruspë traktori në emër të mohimit të botës së vjetër dhe ndërtimit të botës së re, pjesë e këtij sulmi të verbër u bënë edhe shkrimtarët dhe artistët shqiptarë. I pari shfaqet Kolë Jakova si pjesëtar i një grupi që kryesohej nga Nako Spiru, që gjatë bastisjes së bibliotekës dhe muzeut të kishës kundrejt një pusulle dore mori unazën e At Shtjefën Gjeçovit për të cilën një përfaqësues i Muzeut Britanik kishte ofruar 14 mijë stërlina ari. (f.24) I dyti është Skënder Drini me “Shembjen e Idhujve” dhe “Midis dy kohëve” që autori i quan romane politike servile. (f.61) At Zef Pllumi pati bashkëvuajtës Kasëm Trebeshinën e Kin Dushin (f.607). Autori ka patur rastin të takojë e të njohë figura të njohura të shkencës, artit e letërsisë, si Hasan Ceka, Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Odise Paskali, Skënder Luarasi, Sejfulla Malëshova, Aleksandër Xhuvani, Prof. Eqrem Çabej, Tonin Harapi, Prof. Jup Kastratietj. At Zef Pllumi ka qenë mbledhës dhe arkivues i veprës së Fishtës dhe kjo njohje e çon te deklarimi se “nuk mund të ketë histori të letërsisë shqipe pa Fishtën. (f.479)

Që para viteve ’90 është pranuar rezistenca e malësorëve ndaj shtrirjes së pushtetit komunist në Veri dhe autori përmend Shkrelin, Bajzën, Koplikun, Kelmendin, Postribën, Lekbibajn, Bushatin si dëshmitar okular; ai zbulon paralelizmin me atë që ndodhi në rrugët e Jerusalemit me Jezu Krishtin e Pons Pilatin. (f.61) Vetë autori që në arrestimin e parë u përball me një torturë të padëgjuar: 30 orë i privuar nga mundësia për të urinuar. (f.95)

Vepra i ngjan një galerie me figura të shquara klerikësh të përgatitur në univeristetet e njohur të Europës, me grada shkencore ose kulturë sipërane në fushën e tyre, por edhe me njerëz të zakonshëm që mençuria dhe qëndresa i ngriti në piedestalin e heronjve, si Dom Nikollë Gazulli, At Gjon Shllaku, At Mati Prendushi, mësuesi kompozitor Gac Çuni, Drita Kosturi që pati qenë e fejuara e Qemal Stafës, deputeti Kol Preleni, At Donat Kurti, Hafiz Dërguti, At Marin Sirdani që nuk pranoi të takojë Enver Hoxhën, etj.

At Zef Pllumi, avokati Qazim Dani dhe bashkëvuajtësi Mehmet Isufi i përkisnin atij grupi intelektualësh që mendonin se bektashinjtë dhe françeskanët janë më kryesorët që kanë formuar ndërgjegjen kombëtare. (f.140) Ilustrim i kësaj qasje ishte pjesëmarrja e Imzot Nikollë Kaçorrit krahas Ismail Qemalit në ngritjen e flamurit të Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912 duke qenë mirënjohës edhe për politikës austriake. (f.151) Si Faik Konica, edhe At Zef Pllumi ka guximin të evidentojë disa tipare dhe sjellje negative të shqiptarëve për të arritur në përfundimin se “asht i mjerë ai popull që nuk ia del me zotnue bijtë e vet të kqij.” (f.437) Në një duel mendimesh me njërin nga hetuesit ai deklaron: “Njerëzit që kanë bâ Shqipninë na nuk kemi të drejtë me i gjykue. Naim Frashëri, Faik Konica, Ismail Qemal beu, Imzot Doçi, At Gjergj Fishta, Lugji Gurakuqi e pak të tjerë si këta e krijuen Shqipninë. Populli ishte aq injorant sa muslimanët nuk kërkojshin shkëputje nga Turkia, ortodoksët kërkojshin nji bashkim me Greqinë, ndërsa vetëm katolikët bâjshin plane për nji Shqipni të pamvarun, tue u mbështetë te Austria dhe Italia.” (f.493)

Urrejtja është e papranueshme për At Zef Pllumin megjithatë dy njerëz mbeten përjetësisht të papranueshëm dhe personalisht përgjegjës për dramën e shqiptarëve dhe të rusve: Stalini dhe Enver Hoxha. Ai ndalet te thënia e Stalinit “njeriu është kapitali më i çmuar” dhe kapet fort pas përcaktimit “kapital”, vegël pune, rrjedhimisht jo njeri. (f.186) Autori bën krahasimin e Musolinit me Stalinin: “Musolini shpallte se don me rindertue Imperon Romane, por në të vërtetë ai ishte nji socjalist që donte me punësue italjanët e me i pasunue. Ndërsa Stalini shpallte drejtësinë shoqnore, luftën e klasave për shoqninë pa klasa, ndërsa në të vërtetë ai i shëndrron të gjithë njerzit në skllav e u hjek çdo pasuri që mund të kishin.” (f.211) Por edhe Stalini duket më i mirë se Enver Hoxha kur vjen fjala për qëndrimin ndaj kulakëve. Modeli rus i kulakut ishte pronari që zotëronte tokat e 10 deri në 20 fshatra, i dërgonte fëmijët në universitetet e Moskës e të Leningradit ku përgatiteshin për ekonomi, financë e jurispridencë. Kurse përshtatja shqiptare ishte karrikaturë. Ndër krerët e lartë të nomekalturës partiake komuniste duket sikur ka një farë simpatie për Tuk Jakovën që paraqitet si autoritet dialogues, ndryshe nga Mehmet Shehu që paraqitet si ushtarak i pamëshirshëm. Autori pati si bashkëvuajtës gjeneralin Gjin Marku dhe Dashnor Mamaqin. Autori arrin në përfundimin se “të gjithë tiranët e historisë njerëzore kanë të njajtat tipare. Ata shofin çdo shërbëtor të tynin nji komplotist që u rrezikon jetën.” (f.505)

Duke folur për kampet e punës dhe punën për tharjen e kënetës së Maliqit autori heq paralele me punën e skllevërve për kanalizimit e fushës së Nilit në kohën e faraonëve. (f.210) Propogandës qeveritare për këtë shfrytëzim kafshëror të të burgosurve, At Zef Pllumi i përgjigjet me largpamësi: “kur t’i thajmë të gjitha kënetat, kanë me na thanë: rrafshoni kodrat e malet e t’i bajmë fusha” (f.225) Dhe kjo ndodhi, madje u kthye në një parrullë të njohur.

Një nga fatet më tragjike të shqiptarit të indoktrinuar vjen nëpërmjet kosovarit Zyhdi Çitaku, nipit të Ramadan Çitakut, i cili u dërgua nga shteti shqiptar për të ndjekur dhe asgjësuar shqiptarët e arratisur. “Sa je dënue?” – e pyeta. “Katër. “Sa ke bâ?” “Katërmbëdhjetë.” “Sa të mbetën?” “Njzetekatër.” (f.689) Një dialog i ngjashëm gjendet dhe te libri “Rrathët e Ferrit” i Visar Zhitit. Realiteti mjeran nxin edhe te dialogu i nënës me djalin në burgun e Zejmenit: “Të falenderojmë, o djalë, që nuk na korite e nuk u dënove si armik i pushtetit, por vetëm për hajni.” (f.701) Brenda burgut janë xhelatët e verbër që deklarojnë me të madhe: “Ti nuk më njef mue. Unë jam urrejtja klasore.” (f.486) Në gjykata ishte prokurori Aranit Çela “i cili me guxim djaloshar synonte me hi në litën e njerzve të përmendun të drejtsisë komuniste internacionale,” (f.62) kurse brenda burgut shkonte për të shpalosur dhunën Nevzat Hasnedari, korrifeu i terrorizmit enverian. (f.622)

Në rrafshin vetjak At Zef Pllumbi, siç e pohonte vetë, ishte anarkist: “Un due vetëm lirinë e njeriut deri aty ku të mos jetë e damshme për tjerët…Sikur mos t’ishin sundimtarët, nuk do të kish as lufta. Ky asht anarkizmi im: leni njerzit në punë të vet.” (f.224) “Lirinë e kqyrshe sikur t’ishte nji kandil i vogël prej dheut, mbushun me voj ullinit, që mban ndezun nji dritë të vogël mbrenda njaj kasolleje të vorfën, nën çatinë prej kashte të së cilës rritet nji çift pëllumbash të butë që dijnë veç me bâ fëmijë për me vazhdue jetën.” (f.582)

Faqet e tejmbushura me hetuesi e tortura ua lënë vendin aty-këtu disa oazeve me rrëfenja që lidhen me zakone e karaktere të tilla si bashkëjetesa e komitit me ujkun, gjama malësore, hajnia dhe përzgjedhja e goditjes, rrëfenja për elefantin dhe elefanteshën, ilustrimi i shprehjes “ka dhe më keq”, humori për gozhdën, dërrasën dhe çekiçin, udhëtimi 150 km i maçokut Kuqo, dy rivalët që u futën nga mbreti në një fuçi, llupësi Ferit Lopa, mullisi që ndërroi rrobat e veta me të gjeneralit, pula e varur te agjencia e udhëtarëve në Lezhë, etj. Po veçoj, të shtrydhur, një shaka tipike shkodrane, “një barcoletë me xhanxhafil” siç e quante mësuesi i edukimit fizik Shyqyri Gruda (f.559): Shkoi dikush të blinte një çark për minj. E pyeti shitësin se si përdorej. “Në majë të këtij teli vendos një copë mish të thatë.” “Po t’kishem mish, e ha un e nuk ia qes minit.” “Veri pak djathë të fortë.” “As të fortë as të butë nuk e ka pa në shtëpi teme.” “Nji koje buke t’lyeme me voj.” “Shka po thue? Un i vetmi jam në punë, grueja pa punë, kam tre fëmijë, kam nanën, kam gjithë me nga 400 gr bukë. Mandej voj! Ku gjendet ky? Në Vlonë ose në Berat, se këndej më kallxo ku e ka pa ti.” “Jo, jo, as unë nuk kam pa kund. Por puna asht këtu: në kjoftë se ti mish nuk ke, djathë jo, bukë e voj jo, atëherë shka ka me hangër mini te ti?”

Një libër me 713 faqe në një format të madh është një objekt i frikshëm për ta parë dhe një lumë i rrëmbyer për ta kapërcyer, por, kur zbulon se brenda tyre ndrydhen rreth 10 mijë ditë burgu, atëherë shfleton edhe faqen e fundit të tij dhe pyetja e parë që mund t’i drejtosh vetes është: Si ka mundësi që ka dalë i gjallë nga ai kalvar i gjatë? Përgjigjja është në faqen 253 të tij.

(Libri “Rrno vetëm për me tregue” i At Zef Pllumit, Tiranë 2006).

Filed Under: Opinion

Si të merreni me një narcisist kur nuk mund t’i shmangni ata?

February 6, 2024 by s p

Rafael Floqi , shkëputur nga libri në proces “Psikologjia e vetvetes”

Ndërsa këshillohet gjithmonë t’u jepet narcisistëve një shtrat më të gjerë, kjo nuk është gjithmonë e mundur. Si të menaxhoni sjelljen narcisiste kur nuk mund t’i shmangni ato.

Në një botë ideale, ne do të rrethoheshim vetëm nga ata që respektojnë kufijtë tanë personalë. Nuk do të kishte shefa qortues, miq të tejkaluar apo të afërm manipulues dhe ne do të ishim në gjendje të ndjenim ndonjë toksicitet një milje larg dhe ta ndërpresim menjëherë.

Por fatkeqësisht nuk është gjithmonë kështu, dhe ne mund ta gjejmë veten në situata nga të cilat mendojmë se duhet të largohemi në vend që të ikim. Edhe nëse dikush afër nesh shfaq sjellje që e dimë se është e keqe, nuk është gjithmonë e mundur ta lëmë një punë, të largohemi, po ta ndërpresim dikë ose t’i japim fund një lidhjeje.

Ky është veçanërisht rasti kur bëhet fjalë për të jetuar afër me një narcisist. Sipas Psychology Today, narcisistët kategorizohen si njerëz me një pikëpamje tepër të fryrë për veten, gjë që shpesh çon ata në një ndjenjë të konsiderueshme të së drejtës dhe sjellje që shpërfillin nevojat, dëshirat dhe ndjenjat e të tjerëve rreth syresh.

Sidoqoftë, tiparet narcisiste, megjithëse duken të lehta për t’u identifikuar, ekzistojnë në një spektër, dhe e vërteta është se ne të gjithë bëjmë gabime dhe veprojmë në mënyra që janë më pak se ‘të shëndetshme’ ndonjëherë. Por ballafaqimi me sjellje të përsëritura toksike është një histori krejt tjetër, dhe diçka që kërkon navigim të kujdesshëm për hir të shëndetit tonë, sigurisë dhe mirëqenies mendore.

Pra, si të silleni me një narcisist që nuk mund ta shmangni dot? Ai që është aq fort i çimentuar në jetën tuaj saqë mendoni se opsioni juaj i vetëm është t’i duroni ata?

Gjëja kryesore është që së pari të kuptoni se me çfarë lloj narcisi keni të bëni.

Ndërsa ka shumë spekulime mbi llojet e narcisistëve atje, pjesa më e madhe e hulumtimit sugjeron se ekzistojnë dy variacione kryesore. E para, narcisizmi madhështor ose narcisizmi i hapur, përkufizohet si kur një person ka një imazh superior për veten dhe ka dëshirë ta ruajë atë imazh, të fitojë admirim dhe vëmendje nga të tjerët dhe të demonstrojë një ndjenjë dominimi ose fuqie.

E dyta, e njohur si narcisizëm i pambrojtur ose i fshehtë, kategorizohet nga vetëbesimi i brishtë, nga i cili një vetë-imazh i fryrë është shpesh një mekanizëm përballues për vetëvlerësimin e ulët.

Të dy llojet e individëve mund të jenë jashtëzakonisht shfrytëzues, duke përdorur metoda shpesh delikate por shtrënguese për të poshtëruar të tjerët.

Kur përgatiteni të takoni një narcisist, duke i kujtuar vetes vlerën tuaj dhe të kuptuarit se personi me të cilin keni të bëni mund t’ju shkaktojë mund të jetë i dobishëm, shpjegon Dr Houda Ounnas, një mjeke e trajnuar për psikoterapi.

“Njerëzit narcisistë kujdesen për imazhin e tyre më shumë se çdo gjë, kështu që shmangni kontaktet një me një tw tillw kudo që të jetë e mundur,” vazhdon Dr Ounnas. “Ata mund të jenë të tmerrshëm për ju në jetwn private, sepse kjo është ajo që ata bëjnë me njerëzit më të afërt me ta, të cilët tashmë kanë parë që maska t’i bjerë. Megjithatë, me shumë mundësi, ata do të sillen të sjellshëm dhe të dashur në publik, sepse duan t’u bëjnë përshtypje të huajve dhe të rrisin “bazën e tifozëve”. Përdoreni këtë në avantazhin tuaj. Nëse mundeni, takohuni diku publikisht dhe me një person tjetër të pranishëm.”

Dr Ounnas gjithashtu thekson rëndësinë e reagimit – por jo tw reagimit – ndaj sjelljes narcisiste. “Narcisistët i duan reagimet emocionale. Ata i perceptojnë ato si furnizim dhe ushqehen me to për të nxitur konfliktin dhe për të krijuar konfuzion dhe kaos që është atmosfera në të cilën ata lulëzojnë. Ju mund ta largoni këtë duke përdorur metodën e “shkëmbit gri”: përgjigje të shkurtra, pa emocione, shumë objektive, edhe nëse ato ju bwjnw tw kërceni.”

Kini parasysh se ata mund të përpiqen t’ju bëjnë të ndiheni fajtorë kur vendosen kufijtë, por është e rëndësishme të qëndroni të fortë

Michelle Begy, themeluesja e Ignite Dating, pajtohet se është e rëndësishme të kujdeseni për veten dhe t’i jepni përparësi mirëqenies suaj në këto situata. Pra, pavarësisht nga rrethanat, mbroni veten, jini të vendosur me kufijtë dhe kërkoni mbështetje shtesë kur dhe ku keni nevojë. “Të lundrosh në një marrëdhënie romantike me një partner narcisist nuk është gjithmonë e lehtë, por kjo nuk do të thotë që marrëdhënia nuk mund të funksionojë me disa ndryshime të vogla”, thotë ajo për Stylist.

“Nëse keni vendosur të qëndroni në marrëdhënie, duhet të kuptoni se për shkak të tipareve të sjelljes së narcisistit, nuk ka gjasa që partneri juaj të ndryshojë. Kjo do të thotë që pjesa më e madhe e punës do të jetë mbi ju që të njihni shkaktarët dhe më e rëndësishmja të vendosni kufij të qartë – por është ende e mundur të keni një marrëdhënie, thjesht mund të duket paksa ndryshe nga mënyra se si e keni imagjinuar atë.”

“Vendosja e kufijve në çdo marrëdhënie është e shëndetshme, por kur jeni në një marrëdhënie romantike me një partner narcisist, mund të jetë jetike. Shëndeti i mirë mendor është jetik dhe ndërsa një rrjet i fortë mbështetës ose terapist mund t’ju ndihmojë të menaxhoni shpërthimet, vendosja e kufijve mund të ndihmojë në mbrojtjen e mendjes suaj dhe t’ju ndihmojë të menaxhoni situatën në një mënyrë më të shëndetshme, “thotë Begy.

“Mendoni se çfarë është e rëndësishme për ju dhe shëndetin tuaj mendor. Mund qoftë të kaloni kohë me miqtë tuaj ose të largoheni kur një bisedë bëhet e keqe; duke vendosur këta kufij dhe duke i bërë të qarta që në fillim krijon një precedent për atë që prisni. Jini të vetëdijshëm se ata mund të përpiqen t’ju bëjnë të ndiheni fajtor kur vendosen kufijtë, por është e rëndësishme të qëndroni të fortë dhe t’u përmbaheni atyre, sepse nëse pendoheni, atëherë ata nuk mund të mësojnë kurrë të respektojnë kufijtë me ju.”

Filed Under: Analiza

Lamtumirë Lili Cingu, “Mbretëresha e valles shqiptare”

February 6, 2024 by s p

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor/

E trishtë ndarja nga jeta e “Mbretëreshës së valles shqiptare”, Lili Cingu.

Për vite me radhë, ajo ishte imazhi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke u dhënë jetë më shumë se 200 valleve të kërcyera prej saj.

Lili Cingu i përket asaj plejade artistësh, që e ngjitën vallen shqipe në skenat më të mëdha të botës, duke treguar një Shqipëri tjetër, me kulturë dhe folklor të pasur.

Sallës së provave të Ansamblit do t’i mungojë hapi i saj i lehtë, dhe fjala e saj e ëmbël.

Por kjo ikje është vetëm fizike, sepse emri i saj do të jetojë bashkë me Ansamblin, e kudo që të kërcehet vallja shqipe, do të jetë edhe kujtimi i Lili Cingut me publikun që aq shumë e deshi dhe e vlerësoi.

*Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhe gazeta Dielli i shprehin ngushëllimet më të thella familjes Cingu, kolegëve e miqve të saj dhe mbarë komunitetit artistik. I përjetshëm kujtimi dhe nderimi për ikonën e artit shqiptar, Lili Cingu.

Filed Under: Politike

SOT 10 VITE NGA SHUARJA E NJE YLLI

February 6, 2024 by s p

Albert Vataj/

Vaçe Zela, kumbimi i zërit që vazhdon të na magjeps.

Të gjithë ikin një ditë, ashtu siç zgjolli dhjetë vite më parë, e magjishmja e traditës sonë të këngës, Vaçe Zela. Ajo që mbetet pas është çfarë do të skaliste me shkronja përjetësie shkëlqimimin prej ylli të veprës, atë sublimitet të shpirtshëm që ju mëkua gjeneratës si një ambroz perëndish.

Zërit që u “peshua me flori” i’u këputën kodrat, por kumbimi që përshkoi kohën, si një jehonë eterne mbeti ashtu e pezullt në ëndjen tonë për gjithmonshmëri të të përjetuarit të intepretimit të Vaçe Zelës si këngëtare, si lartësim i atij talenti që ndezi në ovacione frenetike, salla koncertesh e tubime të këngës, brenda dhe jashtë vendit.

Dhjetë vite më parë, në orën 01:00 të mëngjesit të asaj të enjte të datës 6 shkurt 2014, u shua në një spital në Basel të Zvicrës, pas një sëmundjeje të gjatë, Vaçe Zela.

Kishte shterruar së frymuari kumbimi i një zëri që mahniti një brez të tërë dhe ngasi në grishje gjeneratën që pasoi të artistëve. Me zërin e saj të papërsëritshëm, Vaçe Zela për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e së përgjithmonshmes, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë Atdheut si një mëkim.

Këngëtarja ikonë e skenës shqiptare, zëri befasues i forcës dhe virtuozitetit, fuqia vokale e një talenti magjepsës, mishëruan tek ajo pavdekësinë. Ishte dhe mbeti e papërsëritshme. Kumbimi dhe emocioni i këtij zëri vazhdon të magjeps jo vetëm nostalgjikët por edhe gjeneratën e re të këngëtarëve dhe artdashësve.

Forca kumbuese, thellësia dhe aftësia depërtuese, bënë që ky dëshmim i artit shqiptar të rrëmbej edhe interesin dhe vlerësimin në arenën ndërkombëtare. Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Kujtesa jone kolektive është gjithnjë e më e gjymtuar, prej egos së njeriut bashkëkohor, i cili duke u ndjer plot energji krijuese dhe me një shpirt flakatar protagonizmi, e ka ta pamundu të ngjitet aq lart për të vendosur qoftë edhe një mirënjohje mbi mermerin e ftohtë të Panteonit ku ruhet shkëlqimi i atij dielli që na ngrohu zemrën dhe na mbush me mall kujtimesh.

Një ndërmendje e mbushur përplot nderim dhe respekt shkon për çdo copëz malli që përbashkon me kohën kur rrugëtoi ndër zemra ky zë, kjo qasje virtuoze e skenës së këngës.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT