• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2024

MESHTAR NGA DARDANIA NË SHBA…

February 6, 2024 by s p

– kronikë e 7 takimeve me Don Ndue Gjergjin –

Nga Visar Zhiti

FYTYRA E VENDLINDJES

Më parë se ta njihja Don Ndue Gjergjin, i njoha vendlindjen në Kosovën tonë, tej në Stubllën e Epërme të Vitisë, një vend i blertë, me kisha dhe peizazhe plot diell, vërtet si të krishterta, kështu m’u duk, një qetësi peshpëritëse…

Vendlindja na jep kujtesën, por dhe karakterin, madje dhe fytyrën…

Ç’kujtohet nga Stublla? Ajo përmendet 100 vjet para botimit të Mesharit të Gjon Buzukut në Defterin osmano-turk të vitit 1455. Tregohet se atje ka qenë hapur një shkollë e lartë teologjike, një kolegj, pikërisht te “Ara e Kishës” sot, te lëndina në anë të varrezave të bardha me kryqe.

Këtu, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, u hap dhe shkolla e parë shqipe e gjithë Kosovës, e lejuar, se të fshehta, ku mësohej gjuha amë kullave tona e tempujve, ka patur herët e më herët, është dhe muzeu në Kishën e Shën Gjergjit, ku mbahen takimet kulturore e letrare të Don Mikelet, aq të bukura, që fillojnë me një meshë të shenjtë.

Në kujtesën kolektive nuk harrohet masakra e viteve 1846 – 1948, që u ushtrua aty dhe në vendbanimet përreth për të hequr dorë nga besimi i krishterë. Pas qendresës heroike, 177 vendas i internuan në Anadoll. Një pjesë vdiqën rrugës nga mundimi, moçalishteve nga acari dhe torturat dhe tani nderohen si “Martirët e Karadakut”. Vetëm 76 veta mundën të kthehen gjallë në vendlindje dhe prej tyre u krijuan famullitë në Stubëll, në Binçë dhe në Kabash…

Stublla sot ngjan me një qytet të vogël, me rrugë e park e fushë tenisi, e qendër rinore, me libra e takime, por dhe e heshtur, se vërtet mërgojnë shumë nëpër botë.

Quhet e Epërme, se Stublla e tillë është në virtyte, fisnike në bujarinë e saj, sofër në Dardani, ku bëhet kryq…

* * *

Don Ndue Gjergji u lind në Stubullën e Epërme dhe aty kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Ndjeu thirrjen… afër është dhe Kisha kroate e Letnicës, ku vinte Nënë Tereza, kur ishte vogëlushe dhe aty mori vendimin, që të bëhej motër misionare…

Dom Ndou shkoi në Romë të diplomohej për Teologji dhe atë vit që mbaroi, në 1973, shugurohet meshtar në Komunën e Binçës, gjysmë shekulli më parë, nga ipeshkëv Imzot Nikë Prela.

Me sa dashuri e përkushtim shërbeu në famullinë e Binçës që nga viti 1975 deri në 1993. Ndërkaq brenda vetes ndjente se vendlindja i kishte dhënë durimin dhe qendresën, karakterin e saj “të blertë” dhe fytyra e mirë dukej si një copëz pllaje e saj.

Dom Ndou ia lë drejtimin e famullisë vëllait më të vogël, Don Lushit, shkrimtarit, që do të ndiqte nga pas Nënë Terezën kudo, edhe në Indi apo kur do të merrte çmimin Nobel për Paqe në Norvegji, në vizitat në Kosovë, etj, etj, duke u bërë biografi shqiptar më i mirë i Saj…

Në 1997 Don Ndue Gjergji kalon oqeanin dhe vjen në SHBA, meshtar në Miçigan, pikërisht në Kishën “Our Lady of Albanians”, e Zojës së Këshillit të Mirë, “Pajtores së Shqiptarëve”, Mbrojtëses së Nënë Terezës, siç na e dëshmon vetë. Kishën këtu kishte 20 vjet që e udhëhiqte famullitari i përndershëm, Ndrekë Ndrevashaj, tashmë i ndjerë.

Me ardhjen e Dom Ndue Gjergjit shqiptarët panë fytyrën e dhembshur të dheut amë.

Ndërkaq Kisha vazhdoi lulëzimin e saj, jo vetëm fetarisht, nga ana shpirtërore në predikimin shqip dhe anglisht të Fjalës së Zotit, por dhe nga ana atdhetare dhe me krijimin e Qendrës Kulturore për të gjithë, me emrin e shenjtes tonë “Nënë Tereza”, u rrit edhe më kulturalisht dhe artistikisht.

Dhe kështu u krijuan traditat e kremtimit të festave kombëtare shqiptare e amerikane, e festivaleve të përvitshme, konferencave, ekspozitave, përurimeve të letërsisë dhe ftesa shkrimtarëve, deri dhe të gëzimeve familjare, fejesa e dasma, etj, etj, e veprimtari me fëmijët, pra me të ardhmen. Së pari dhkolla e tyre edhe në gjuhën amë…

Dhe ai që printe ishte Don Ndue Gjergji, i përunjur dhe i kudogjendur, fjalëpak, por gjithë urtësi, “i paqtë dhe qëndrestar i së drejtës dhe të vërtetës njerezore” – do të shkruanin për të. Duke dalë tej mureve të kishës dhe si “njeri publik” Don Ndou u bë “strateg i paqes”, siç e cilëson një nga bashkëpunëtorët e tij të afërt, Valentin Lumaj. Don Ndou është përbashkues mes gjithë shqiptarëve të të gjithë besimeve, në shoqata dhe parti, duke e tejkaluar atë që thoshte Konica qortueshëm se shqiptarët vetëm në valle bashkohen më shumë.

Dhe vinin nga kudo këtu, në këtë tempull, nga gjithë Amerika dhe Europa, nga Shqipëria e Kosova, nga Maqedonia e Veriut (e Jugut për ne), nga Mali i Zi, etj, përpara u del shtatorja në bronz e shenjtes tonë Nënë Tereza e portat ua hap më pas Don Ndue Gjergji.

Fytyra e vendlindjes. Këtu “është një Shqipëri e vogël” – do të thoshte Zef Pergega.

Kisha është dekoruar dhe me titullin e lartë, “Nderi i Kombit” nga Presidentë të Shqipërisë, që dhe kanë ardhur këtej…

KRONIKË TAKIMEVE TË MIA

1.

Që të takohesha me Don Ndue Gjergjin, shkak u bë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Heroi ynë Kombëtar, mbrojtësi i Europës, i qytetërimit Perëndimor dhe i Krishtërimit, – fjalë të tilla u thanë në simpoziumin shkencor që ishte organizuar me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së tij në Detroit, shteti i Miçiganit, në janar të vitit 2018, nga dy kishat katolike shqiptare, “Zoja Pajtore” dhe e “Shën Palit”.

Pashë se aty ishte dhe një statujë e madhe e Skënderbeut, lart mbi kalë, duket se vazhdon udhëtimin e tij shekullor, të bronztë në histori dhe në kujtesën e njerëzimit.

Një kongresmen amerikan kishte thënë se pa Skënderbeun ndoshta dhe Amerika do të ishte ndryshe.

Simpoziumi që mblodhi studiues dhe historianë nga SHBA, Shqipëria e Kosova e Maqedonia e arbëreshë të Italisë, kishte për kryeorganizator Don Ndue Gjergjin, Një Kuvend i tillë kaq i gjerë nuk po bëhej dot as në Tiranë me akademi e institute historie, institucione e qeveri, edhe pse ishte shpallur Viti i Skënderbeut.

U takova me Don Ndue Gjergji, më dha dorën përzemërsisht. Ishte me kostumin e zi dhe me koletën e bardhë të priftit në gushë, flokët e bardha, fytyrë të butë, me rrudha të mira si hullitë e tokës se vendlindjes, truppakët si vëlla i Nënë Terezës, mikpritës, i qetë… Përshëndeti simpoziumin, zëngrohtë, me fjalë të zgjedhura, duke ua lënë radhën shkencëtarëve, referimeve të tyre. E shikoje kudo, i kujdesshëm me të gjithë, që gjithçka të shkonte sa më mbarë. Po kështu dhe prifti tjetër i kishës tjetër, Don Fred Kalaj, më i ri, me mustaqe të bardha, që punonte po aq, duke ruajtur dhe nderimin për Dom Ndoun.

Foli dhe Inxhinier Mërgim Korça, e njihnim që në Lushnjë im atë dhe unë, kishim miqësi dhe nderim për kulturën e tij. Babai i tij, minister dikur, vdiq në burgun e Burrelit me grevë urie, me të parën grevë urie kundër diktaturës, akt madhor, moral, i skajshëm. Folën në simpozium dhe historiani Pëllumb Xhufi, deputeti Romeo Gurakuqi, studiuesi Eduart Grishaj, arbëreshi Italo Sarro, Frashër Demaj nga Kosova, Njazi Muhameti nga Tetova, Konsulli i Nderit Ekrem Bardha, etj.

Për gazetën “Dielli” ishte gazetari Dalip Greca, kurse për “Zërin e Amerikës” me mikrofon në dorë ishte Ilir Ikonomi, historian dhe autor librash me vlerë.

Don Ndue Gjergji, që i ftoi, i përzgjodhi të gjithë këta? Dhe sa i tërhequr që rri vetë, dëgjon dhe thotë se do t’i botojmë të gjitha referatet në një libër të veçantë.

Sa mbresëlënës! I thjeshtë siç do të ishte dhe në një Kishë në Kosovë, në vendlindje, madje nuk bënte që të dukej si zot shtëpie, por njëri nga të gjithë aty, teksa duhej të kujdesej për të gjithë. Përunjësisht…

2.

Përsëri erdha nga Uashingtoni, nga Ambasada e Shqipërisë, ku punoja, por këtë radhë bashkë me time shoqe, Edën, për dy veprimtari: të ndiqnim një koncert, Dita e Shqipërisë në Detroit, në një amfiteatër të madh, të hapur, ku te shkalla e parë ishim ne dhe në mes kishim Don Ndue Gjergjin, po ajo pamje gjithë mirësi e tij dhe po ajo veshje, kryqi i argjendë në gjoks, i përzemert, ndejti ca dhe u ngrit, iku, kishte disa detyra të tjera për të kryer, na tha dhe të nesërmen, veprimtaria e dytë: meshën në kishën e tij, u shfaq në altar ashtu i bardhë, si i dalë nga retë dhe do të ftonte Edën… besimtarëve te shumtë do t’u thoshte me zë të lartë, kumbues e të ngrohtë, gjithë familjaritet, se ajo, Eda, është autorja e një libri, të botuar në Vatikan, të shkruar italisht, që i kushtohet Nënë Terezës në ditën e shenjtërimit, ku Eda me bashkëshortin ishin aty, dëshmitarë të kësaj ngjarje të madhe, të përbotëshme dhe ia la fjalën asaj, të tregonte për atë ditë përjetësie dhe emocionet, që kishte derdhur në libër.

Dëgjonte bukur. Me kryet pak mënjanë. Të bardhë si bora në Kosovë.

Fole më mirë se ç’e prisja, shkëlqyer! – i tha Edës buzagas, kur mbaruam, duke e falenderuar me shpirt.

3.

Përsëri në kishën “Zoja Pajtore” në Detroit, me Don Ndue Gjergjin përsëri dhe 800 të ftuar në përurimin e Qendrës së re kulturore “Nënë Tereza” aty pranë me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, në 107 vjetorin e saj. Tani vinim nga Çikago, ku kishim vendosur të jetonim, pasi i mbaruam të gjitha punët dhe detyrat në atdhe.

Pritja e Don Ndout dhe e bashkëpunëtorëve të tij, organizatorëve të festës ishte perfekte, kështu po thoshim…

Don Ndou na vuri te “të ftuarit e nderit”. Fjala e tij si përherë e shkurtër, e qartë, e përzemert, frymëzuese. Fytyra e tij – gjithmonë si vendlindja, kaq- shumë-mirë-pritëse. Me një qetësi të shenjtë.

Në skenë do të ngjitej Eda.

– Kam sjellë këtë dhuratë, – tha ajo, – me zërin ku përziehej dhimbja dhe gëzimi, – këtë portret të shenjtes tonë Nënë Tereza. Është vepër e piktorit Maks Velo, personalitet i kulturës shqiptare, ka qenë në burg politik bashkë me tim shoq, Visarin, por tani janë të njohur për veprat e tyre, Maksi ka hapur shumë ekspozita nëpër botë, edhe në SHBA, po edhe poezitë e Visarit janë përkthyer në gjuhë të tjera, edhe në anglisht. Këtë portret të Nënë Terezës, që e dua shumë, ai ma dhuroi mua dhe unë, me pëlqimin e tij po ia dhuroj Qendrës së re Kulturore “Nënë Tereza”… Dhurata duhet të të dhimbet, na mëson Nëna Tereza, – e përfundoi fjalën e saj gjithë emocion Eda.

Don Ndou e çmështolli me ngadalë pakon, nxori portretin e vënë në një kornizë, ua tregoi të gjithëve në sallën që po duartrokiste. Nuk ishte i madh, por rrezëllinte shenjtërisht. Pastaj përqafoi Edën…

4.

Miqësia me Don Ndue Gjergjin po bëhej më e bukur dhe e thellë, flisnim dhe në telefon. Më pyeste se ç’po shkruaja dhe shtonte se i lexonte me shumë qejf ato që botoja…

Ndërkaq në botë pllakosi pandemia e Covid-12, u ndalën shumë punëra e u pezulluan shumë veprimtari, fluturimet e avionëve u shtynë për një kohë të pacaktuar, Spitalet u mbushën plot dhe njerëzit u mbyllën nëpër shtëpira, edhe për në funerale nuk lejoheshin të dilnin… etj, etj.

Dom Ndou interesohej për ne, ishim të rinj si banorë të Çikagos, ç’nevoja kishim e si mund të na ndihmonte?

Ndërkaq ai erdhi të celebrojë disa mesha në Çikago, në rrethina, kishë katolike shqiptare s’ka ende këtej, por miku ynë i përbashkët, Leka Brisku, diakoni i parë shqiptar në shtetin Illinois, e ftonte në Kishën, ku shërbente vetë dhe kujtoj, besimtarët ishin të gjithë me maska.

Na mrekullonte ardhja e Don Ndout, fjala e tij e qetë, qetësia e tij që fliste, sytë e vegjël që i ndrisnin, vullneti dhe forca, jepnin siguri e shpresë. Teksa tundëte incensierën në lter, djajtë trëmbeshin të padukshëm.

Don Ndou vinte me makinë nga Miçigani e me të mbaruar meshën, nisej për t’u kthyer nëpër natë dhe dimër. I luteshim të rrinte. Por e prisnin punë të tjera. Dhe ishte më buzagaz se herët e tjera. Bënte humor, na përqafonte dhe ikte… Duke na lënë të mbushur me meshë shqip. Dhe do të vinte prapë…

5.

Me Leka Briskun, që ngiste makinën, dhe të shoqen e tij, Blandinën, shkuam në Detroit me rastin e 50 vjetorit të themelimit të famullisë “Zoja Pajtore e Shqiptarëve”, ishte organizuar sërish një simpozium shkencor për historikun e kësaj kishe, e kaluara dhe e ardhmja.

Në ceremoni morën pjesë edhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji dhe Arqipeshkvi i Tivarit, Rrok Gjonlleshaj si dhe kreu i Françeskanëve të Shqipërisë, P. Pashku Gojcaj, njëherësh dhe botues i revistës “Zani i Shna Ndout” në Tuz. Nga Uashingtoni kishte ardhur dhe mikja jonë Merita Bajraktari.

Do të takoheshim sërish me atë që na prisnin aq mirë përherë, bashkëpunëtorë të Don Ndout, anëtarë të Këshillit të Kishës…

Pikë kulmore në simpozium do të ishte dhe fjala e mikut tonë, Dr. Lisandri Kola, lektor i letërsisë shqipe në Universitetin Ann Arbor. Kur ai do t’më ftonte mua pas një viti për të mbajtur një fjalë para studentëve të tij për “Letërsinë e dënuar shqipe”, do të vinin në auditor dhe Don Ndou dhe Don Fredi.

Ja, Don Ndou, shfaqej gjithë mirësi, me thjeshtësinë adhuruese, aq sa më dukej sikur flatrat i kishte lënë në dhomën e tij. Në famullinë e tij ai ishte zot shtëpie, por me kanun shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe mikut…

Sa shumë miq që mblodhën! Ja, Don Xhovani Kokona… Po Inxhinier Mërgim Korça është?… takuam Huanën me Lekën…. atje tej vatranët…

6.

Përsëri të ftuar, tani në përurimin e një vepre të re për Nënë Terezën të vëllait të Don Ndout, Don Lush Gjergjit, vinte nga Prishtina, nga Katedralja “Nënë Tereza”.

Shkuam me Dhimo Janon, ai drejtonte makinën, ndoqëm meshën si fillim, dy vëllezërit në altar, zërat si lahutat në Kosovë… u kthyem brenda ditës. Kujtuam fjalët që kishte thënë Don Ndou për të vëllanë: Është më i vogël se unë, por ka të mira më shumë, ai shkruan.

Ai shkruan… lavdi shkrimit!

7.

Dhe po në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” në Detroit do të përurohej dhe romani im më i fundit “Këpuca e aktorit”, metaforë e ecjes së Shqipërisë, do të thuhej në diskutim.

Përsëri erdhëm me Dhimon e me Taip Beshirin, që u përkujdes të kishm dhe librat me vete. Udhëtuam një fundjavë maji, të këtij viti, ishim bashkë me zonjat tona. Do të na prisnin te pragu si përherë Vali, motër Vitorja…

Takimin do ta drejtonin z. Gjek me bashkëshorten Rita, dhe do ta çelte Don Ndou. Folën dhe znj. Merushe, edhe Eda ime…

Sa bukur, dy vajza të vogla na dhuruan lule. Po ato lule janë vetë, thashë.

Me motër Vitoren vizituam klasat, ku fëmijët mësonin shqipen, por dhe të kurseve të valleve, të teatrit, të punëdoreve, etj… Ndala në krye të klasës te dërrasa e zezë… si këmisha e Don Ndues, si netët tona plot ëndrra… më pëshpëriti Eda.

Ja, dhe Biblioteka me emrin “Don Ndue Gjergji”… Librat po më dukeshin sikur ishin duart e tij të shumta. Sa më shumë duar për punët dhe meshat… për të përqafuar aq shumë njerëz…

“Ndërkaq në ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer…”. Kështu shkruhet në Bibël, në Dhjatën e Vjetër, te Zanafilla. “Dhe Perëndia e bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë… u çlodh nga gjithë vepra që kishte krijuar…” Shtatë ditë u deshën që të krijohej bota dhe jeta. Shtata – numër i shenjtë… Dhe kronika ime me Don Ndue Gjergjin kishte këto shtatë takime, më kryesoret. Që të krijohej një miqësi e sinqertë dhe nderimi im ndaj tij me përulësi.

* * *

Dom Ndou nga Kosova në Miçigan… 7 takimet e mia me Dom Ndoun, mbresa, që sikur përforconin brenda meje një dëshmi, një vepër…

Kishim shkuar përsëri në Kishën e tij “Pajtorja e Shqiptarëve”, nëpër dimër ta takonim pas lëngatës, që sapo kaloi. Deshi Zoti, është shumë më mirë tani, i rrethuar me miq, – na thoshin, kur pyesnim.

Ja, hapi derën dhe na u afrua sikur sapo kishte dalë nga fletët e Biblës. Dukej i përvuajtur, por buzëqeshja ishte po ajo, copëz drite. U fut dhe prifti i ri, Don Dino, që iu lut Dom Ndout të shkonte në krye të tryezës, por ai s’deshi… je ti tani… Më bëri përshtypje respekti dhe dashuria, por dhe marrëdhënia.

Dhe thashë me vete: meshtar nga Dardania e lashtë në Amerikën moderne… SHBA – aleati jetik i Kombit Shqiptar, që me NATO-n çliroi Kosovën… që le të bëhet sërish Dardani… Dardania Sacra …

Filed Under: Reportazh

Zbulime dhe spekullime

February 6, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Piramidat ka 200 vjet që studiohen, por përse përdoreshin nuk dihet. Shkencëtarët spekullojnë. Po ashte edhe të tjerët.

Një teori e re thotë se Piramida e Madhe e Gizës u ndërtua nga një racë e sofistikuar alienësh, teknologjia e së cilës vetëm tani po rizbulohet. Struktura konike egjiptiane është si një “kompjuter guri shumëfunksional, termocentral me valë, ose pajisje komunikimi”, thotë Bill Carson, i cili është një i diplomuar nga Harvard dhe M.I.T. Ai ka parashtruar teorinë se ka prova të një lufte të lashtë bërthamore të varrosur nën rërën e Egjiptit.

“Kur gërmoni në rërë, do të gjeni sfera prej xhami. Duhen temperatura 3000 gradë për të krijuar xhamin nga rëra. Ky është zjarr me armë”.

Shumica e UFO-ve janë “avionë ushtarak sekret”, sipas ish-shefit të Pentagonit për çështjen e jashtëtokësorëve.

Carson nuk pajtohet me teorinë e mbajtur prej kohësh se Piramidat ishin varre për udhëheqësit e vdekur egjiptianë.

“Unë as nuk mund të shtrihem në atë gjë, gjunjët e mi duhet të jenë të përthyer. Nuk është sarkofag. Ka të njëjtat përmasa të sakta si Arka e Besëlidhjes”.

Carson thotë se Arka e Besëlidhjes ishte një pajisje termocentrali, sipas përshkrimeve në Bibël; dy universitete të ndryshme nga dy grupe të ndryshme shkencëtarësh kanë kryer eksperimente dhe kanë gjeneruar aq shumë fuqi saqë është dashur ta mbyllin atë.”

Këto teknologji të avancuara mund të mos kenë origjinë tokësore. Carson teorizoin se piramidat përdoreshin si një mekanizëm komunikimi midis racave të huaja dhe njerëzve të lashtë. A nuk është NASA sot duke kërkuar për jetë jashtë planetit Tokë?

Astrofizikanët komunikojnë dhe dërgojnë informacion në hapësirë ​​në frekuencën e hidrogjenit – frekuenca më e bollshme në univers. Kur shikoni Piramidën e Madhe, ajo ka boshte gjigante në anët që përputhen me Orionin, Aldebaran, Arcturus dhe të gjitha sisteme të tjera yjore në korniza kohore specifike.

Nëpërmjet kompanisë së tij, First Class Space Agency, Carson thotë se është i vetëdijshëm për informimet top-sekret mbi teknologjinë e NASA-s. Teknologjia, thotë ai, është e avancuar “300 vjet përpara asaj që shohim tani”, pjesa më e madhe e së cilës funksionon me “energji të lirë”. Carson thotë gjithashtu se ushtria amerikane po krijon armë të avancuara në laboratorët e saj, duke përfshirë automatizimin që mund të transportojë mendjen e një njeriu në një robot ose në një njeri tjetër.

‘UFO 12 metra e gjerë’ e vërejtur në Antarktidë nga një përdorues i googlemap, Carson e quan ‘gjetje të mrekullueshme’

Ai paralajmëron se sondat e stacionit të akullit në Antarktidë ‘mund të zgjojnë të keqen e lashtë’

Këto përparime teknologjike u parashikuan në “pllakat smerald” një mijë vjet më parë.

“Ata kanë marrë tashmë një majmun dhe e kanë transferuar vetëdijen e tij në një kompjuter. kjo u bë rreth vitit 2010,” pohoi entuziasti i UFO-ve.

“DARPA ka Projektin Avatar, ku shkencëtarët transferojnë vetëdijen e një ushtari në një robot në terren, dhe më pas e vetmja gjë që dëmtohet, nëse roboti hedh në erë, është lidhja simbiotike. Kjo është shkencë e vërtetë që përdoret në mënyrë aktive sot”.

Carson thotë se e gjithë kjo teknologji është transmetuar përmes Tabletave Emerald, të cilat janë një koleksion i relikeve të lashta që thuhet se janë të gdhendura me sekretet e universit.

Filed Under: ESSE

WOODROW WILSON, origjina që shpëtoi pavarësinë e Shqipërisë

February 6, 2024 by s p

Abedin Kaja/

Është i njohur fakti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk tregonin ndonjë interes të veçantë për zhvillimet në Evropë dhe për më tepër për Shqipërinë e vogël në fillim të shekullit XX-të.

Indiferenca e SHBA ndaj zhvillimeve në Evropë, ashtu si edhe në vitet që pasuan, ishte e lidhur me veçantinë e raporteve të qytetarëve amerikanë ndaj jetës politike e shoqërore, në përgjithësi dhe në veçanti me ngjarjet që ndodhnin jashtë vendit të tyre. Shkatërrimet, masakrat dhe plaçkitjet e ushtrisë greke në verën e vitit 1914, në jug të Shqipërisë, do t’i bënin diplomatët amerikanë, të akredituar në shtetet fqinjë me Shqipërinë, lajmëtarët e parë të njohjes së Shqipërisë,

ndonëse në rrethe të ngushta shkencore janë për t’u përmendur shkrimet e Edit Durham apo Xhorxh Gordon Bajron, i njohur si Lordi Bajron.

Këto informacione u përhapën atëherë kur i morën në dorë aktivistët e fondacionit “Ndihmë për Shqipërinë”, fondacion ku mund të kenë pasur ndikimin e tyre edhe organizatat e emigrantëve shqiptarë që ndodheshin në këtë kohë në Amerikë. Fondacioni “Ndihmë për Shqipërinë”, nëpërmjet shtypjes dhe ndarjes së pamfleteve, mundi të njohë publikun amerikan me gjendjen në Shqipëri, dhe më pas të grumbulloi ndihma për popullsinë e kërcënuar të Shqipërisë. Nga politikani dhe historiani boshnjak Haris Silajxhiç, në librin e tij “Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Uashingtonit”, mësojmë se nëpërmjet njërit nga këto pamflete, ambasadori amerikan në Turqi dërgon një telegram, me të cilin informon se disa qindra-mijëra shqiptarë kanë mbetur pa çati mbi kokë dhe po vdesin nga uria. Po sipas të njëjtit burim, në këtë artikull përdoren edhe deklaratat e dëshmive nga vendi i ngjarjes të disa shqiptarëve ortodoksë, që në këtë kohë kishin shkuar me banim në Amerikë.

Sipas këtyre informacioneve, qeveria greke i detyroi banorët e fshatit Voskop, rreth 8 km në perëndim të Korçës, të kthehen në shtëpitë e tyre dhe pastaj i masakroi të gjithë, rreth 1500 njerëz, me gra, fëmijë dhe pleq. Në këtë fushatë sensibilizimi, anëtarët e fondit “Ndihmë për Shqipërinë”, përdorën me shumicë materialet e një institucioni kristian me influencë, i cili me artikujt e tij dramatikë, që bazoheshin kryesisht në lajmet e dëshmitarëve dhe personaliteteve të njohura, përpiqej të paraqiste gjendjen në Shqipëri. Në këto raportime shkruhej se që nga viti 1913 janë djegur 35 mijë shtëpi dhe janë vrarë 20 mijë njerëz në jug të Shqipërisë. Qindra-mijëra njerëz enden në kërkim të ushqimit. Duke iu referuar ngjarjeve të korrik-gushtit të vitit 1914, në këta artikuj shkruhej se as që mund të mendohej që në Shqipëri do të gjendeshin aq shumë vuajtje njerëzore dhe krime të padëgjuara ndaj grave të pafuqishme. Sipas H. Silajxhiç, “Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Uashingtonit” f. 7, artikulli për këto krime akuzon ndikimin e kishës greke. Artikulli në fjalë i bënte thirrje ndjeshmërisë së qytetarit amerikan që t’i njohë ata me vrasjet që grekët bënin në zonën e jugut të Shqipërisë në kohë paqeje. Ngjarjet e ndodhura në vitin 1915 dhe sensibilizimi i popullit amerikan rreth këtyre ngjarjeve do t’i hapnin rrugë punës së Kryqit të Kuq amerikan, në Shqipërinë e pas-Luftës së Parë Botërore.

NDIHMA e Kryqit të Kuq amerikan (KKA) në Shqipëri

Edhe pse sensibilizimi i politikës dhe popullit amerikan për gjendjen në Shqipëri kishte filluar më herët, në kohën kur trupat greke në verën e vitit 1914 kishin plaçkitur dhe vrarë në jug të vendit, njësia e parë e KKA arriti në Shqipëri në fund të shkurtit të vitit 1919. Kjo vonesë është shpjeguar me faktin se bregdeti shqiptar ishte i bllokuar dhe se nga toka ishte e vështirë që të hyje. Burime historike flasin për një përpjekje të fondacionit “Rokfeler” që të dërgonte njerëzit e tij në nëntor të vitit 1916, por pa sukses. Gjatë po këtij viti, një mjek i KKA, që punonte në Serbi, u përpoq që të hynte në Shqipëri. Dy anëtarë të kësaj organizate u përpoqën nga Selaniku të vinin në Manastir, por edhe ata nuk mundën të vinin. Në fund të shkurtit 1919 u formua në Itali njësia e parë e KKA. Ky aksion filloi mbi bazën e informacioneve të mbledhura për Shqipërinë nga Çarls Telford Erikson, i cili fillimisht kishte ardhur si misionar dhe më vonë si kapiten i KKA. Kapiteni Çarls Telford Erikson më vonë luajti një rol të rëndësishëm në jetën politike në Shqipëri. Sipas mendimit të Eriksonit, në Shqipëri KKA duhej të vepronte në tri fusha kryesore: në industri, me qëllim punësimin e popullsisë dhe zhvillimin e burimeve natyrore, në bujqësi, duke vënë në zbatim në mënyrë graduale metodat shkencore, si dhe në fushën e mbrojtjes së shëndetit dhe shërbimeve të tjera publike. Për pajisjen me veshje në këtë kohë u themeluan qendra, në të cilat gratë shqiptare qepnin veshje me materiale që i sillte KKA, gjë që shërbeu për njohjen nga afër të personelit të KKA, me popullsinë vendase. Nga një informacion i Robert Denison, drejtor i njësisë së KKA për Shqipërinë, rezulton se situata në Shqipëri ishte shumë më e rëndë se kudo tjetër në Ballkan. Edhe pse përballë një gjendjeje shumë të rëndë, Denison vëren se shqiptarët janë shumë të duruar: “Shqiptarët nuk luten, ata presin të disiplinuar dhe në heshtje para dispanserisë, në radhë për te mjeku”, – konstaton drejtori i KKA, Denison.

NDIKIMI i emigrantëve të Amerikës në njohjen e Shqipërisë

Mendimi politik dhe opinioni publik amerikan për vendet e tjera në të shumtat e rasteve informohej nga organizatat e emigrantëve që ndodheshin në këtë vend, por fuqia e këtij ndikimi varej shume edhe nga numri i anëtarëve, ndikimi i tyre në zgjedhje dhe mjetet që ata kishin në dispozicion. Edhe pse jo shumë e fuqishme në fillim për shkak të numrit të kufizuar të emigrantëve, mjeteve të kufizuara materiale dhe financiare, veprimtaria e emigrantëve bëhet pjesë përbërëse e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Shqiptari i parë që është vendosur në shtetin amerikan ka qenë një shqiptar nga Korça në vitin 1876, i cili shumë shpejt kaloi në Argjentinë. Shqiptari i dytë, por që mund të quhet edhe i pari që u vendos në Amerikë, ishte Koli (Nikolas) Kristofori, 10 vjet pas të parit, në vitin 1886. Pas disa vitesh pune, ai kthye në fshatin e tij Katund të Korçës, dhe kur u kthye përsëri mori me vete edhe disa bashkëfshatarë të tij nga fshati Katund. Këtë punë ai e bëri disa herë, dhe në vitin 1895 në Amerikë jetonin 17 shqiptarë nga fshati Katund i Korçës. Në vitin 1900, në Masaçusets jetonin 42 shqiptarë, kryesisht nga jugu i Shqipërisë. Që nga ky vit emigracioni shqiptar u zhvillua me shpejtësi, sidomos në Boston dhe Masaçusets, ku kishte edhe më shumë mundësi punësimi, duke krijuar kështu një bërthamë, nga e cila do të formohej shumë shpejt organizata më e fuqishme e shqiptarëve në emigracion. Bashkësisë së vogël të emigrantëve shqiptarë të fillim-shekullit të 20, në vitin 1904, do t’u shtohej edhe mësuesi në fshatin Katund të Korçës, Petro Nini Luarasi, pionieri dhe pishtari i arsimit shqiptar, si dhe patriotët e tjerë si Sotir Peçi, që në vitin 1906 botoi gazetën e parë në gjuhën shqipe “Kombi”, i cili krahas punës në fabrikë, në një shtypshkronjë primitive shtypte, shpërndante dhe pastaj u lexonte të tjerëve gazetën në fjalë. Në këtë kohë në Amerikë ka pasur rreth 5 mijë shqiptarë, nga ku vetëm njëzet prej tyre dinin të lexonin. Bashkësisë shqiptare, veç Petro Nini Luarasit dhe Sotir Peçit do t’i shtohej edhe vajtja në SHBA e Fan Nolit, Faik Konicës apo shqiptarit që vinte nga Bukureshti, Kristo Dako, që në vitin 1908 hapi shkollën e parë shqipe në Natik të Bostonit, ku u mësonte bashkatdhetarëve gjuhën shqipe dhe anglishten. Gruaja e tij, Sevastija, së bashku me të motrën e saj, Parashqevinë (motrat Qirjazi), hapën një qendër të vogël në shtëpinë e tyre në Boston dhe iu mësonin emigrantëve shqiptarë “Gramatikën elementare” dhe “Aritmetikën praktike”. Veç përhapjes së diturisë te bashkatdhetarët e tyre të Amerikës, përkundër politikës greke, dijetarët shqiptarë si detyrë kryesore kishin që bashkë me të gjithë komunitetin shqiptar të dëshmonin se shqiptarët e besimit ortodoks që jetonin në Shqipërinë e Jugut dhe ata që jetonin në Amerikë nga kjo zonë, nuk janë grekë, ndaj Shqipëria e Jugut duhej të mbetej pjesë e shtetit shqiptar. Në vijim të referimit të arkivave të Uashingtonit, nëpërmjet historianit H. Silajxhiç mësojmë se pas përpjekjes së dështuar të Komisionit për Çështjet Greke që të arrinte një konkluzion të caktuar në mënyrë që pastaj ta detyronin Konferencën e Paqes të merrte masa konkrete, shqiptarët në Amerikë, të shqetësuar nga deklarata e Venizellos dhe Politisit, u dërgojnë nëpërmjet Mehmet Konicës (vëllai i Faik Konicës) një telegram udhëheqësve të katër Fuqive të Mëdha, në të cilën tregojnë vendosmërinë e tyre në favor të çështjes shqiptare. Ky telegram, dërguar presidentit Wilson, Paris, 28. 03. 1919, u përgatit direkt nga mbledhja e Koncilit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës dhe u firmos nga peshkopi i lartë i Kishës Ruse në Amerikën e Veriut, Aleksandër, së bashku me 124 priftërinjtë dhe delegatët që përfaqësonin 52 kisha dhe bashkësi fetare në Amerikë.

SHQPTARËT përballë Fuqive të Mëdha, kërkojnë mbrojtjen e SHBA

Në fillim të vitit 1919, shqiptarët i kërkonin bashkësisë ndërkombëtare që SHBA të jetë mandatore për Shqipërinë. Kjo vërtetohet edhe nga një letër e federatës pan-shqiptare dërguar shefit të Departamentit të Shtetit, Robert Lansing.

Politikanët dhe emigrantët shqiptarë mendonin se në Konferencën e Parisit pjesëmarrja aktive e SHBA do të ndikonte pozitivisht në zgjidhjen e problemit shqiptar. Rezoluta e dt. 04. 01. 1919, e miratuar në mbledhjen e jashtëzakonshme të federatës pan shqiptare i bëhet e ditur Lansingut, me anë të të cilit i bëhet thirrje SHBA të merret me vendosjen e sovranitetit shqiptar nën garancinë e bashkësisë ndërkombëtare. Ata kërkojnë që në të gjitha territoret ku popullsia shqiptare është në shumicë dhe territoret e diskutueshme të zhvillohet referendum, por kjo pas ardhjes së trupave amerikane, në mënyrë që të sigurohet ajo gjendje, në të cilën popullsisë t’i jepet mundësia të shprehet lirshëm. Iniciativa për këtë ide në fillimet e Konferencës së Paqes për koordinimin e veprimtarisë së të gjithë shqiptarëve i përket Mehmet Konicës dhe pastaj dr. Adhamidhit dhe prof. Xhorxh Heronit, amerikanit me të cilin dr. Adhamidhi kishte lidhje të ngushta. Në një letër dërguar Nolit, Heron i bën me dije se nëpërmjet përfaqësisë diplomatike amerikane në Zvicër, i dërgoi Wilson-it të gjithë dokumentacionin që kishte të bënte me çështjen shqiptare.

WOODROW WILSON në Konferencën e Paqes në Paris kundërshton Traktatin e Fshehtë të Londrës

Të ndodhur përballë rrezikut të humbjes së pavarësisë shqiptarët bënë të gjitha përpjekjet për sensibilizimin e popullit amerikan dhe në veçanti të presidentit Wilson, në njohjen e problemit shqiptar, por ende nuk dihet se sa ishte arritur qëllimi, po të kemi parasysh se edhe Italia që kishte një emigracion shumë të madh në SHBA, për shumë dhjetëvjeçarë ngeli e panjohur në Amerikë. Masa e emigrantëve italianë nuk mundi t’u afrohej amerikanëve dhe të pranojë shpejt mënyrat e tyre të jetesës, ndaj amerikanët silleshin me indiferencë ndaj gjithçkaje që kishte të bënte me italianët. Edhe ndaj një zhvillimi të tillë të papritur të ngjarjeve, marrëveshjet e fshehta, duke patur parasysh që nuk ishin rezultat i pozicionimit të çastit apo i ndikimeve të rrethanave në aktivitetin diplomatik të Evropës, përfaqësojnë dhe më tej bazën më të fortë të kërkesave të Fuqive të Mëdha, sepse këto marrëveshje, pa patur parasysh formën në të cilën u nënshkruan, pasqyronin me vërtetësi dëshirën dhe kërkesat e këtyre vendeve. Krahas marrëveshjes së marsit të vitit 1915, sipas së cilës Rusia duhej të merrte Bosforin dhe marrëveshjes me Rumaninë të datës 08. 08. 1916, e cila e futi këtë të fundit në luftë në anën e aleatëve, si dhe të një sërë marrëveshjesh të tjera, siç janë ato për ndarjen e Togos, Kamerunit, Shantungut, u nënshkrua më datën 28. 04. 1915 edhe Traktati Fshehtë i Londrës. Sipas këtij traktati, Italia, për të hyrë në luftë, krahas disa aneksimeve në Mesdheun Lindor dhe Afrikë, duhej të merrte Triesten, Goricien, Trentinon, Isrian, disa ishuj në Adriatik, një pjesë të Tirolit, si dhe portin e Vlorës me rrethinat e tij. Në këtë mënyrë, Austro-Hungaria do të shkëputej plotësisht nga Adriatiku dhe Italia, me zotërimin e Vlorës, do ta kthente detin Adriatik, siç thuhej shpesh, “liqen italian” dhe, kështu, Rjeka e humbiste rëndësinë. Neni i fundit i Traktatit të Londrës ishte që ai të mbahej i fshehtë. Roli vendimtar që luajti presidenti Wilson në Konferencën e Paqes në Paris automatikisht shton problemin e qëndrimit të tij ndaj marrëveshjeve të fshehta. Se deri në ç’masë Wilson ishte i njohur me përmbajtjen e këtyre marrëveshjeve, janë pyetje të cilave mund t’u përgjigjej vetëm Wilson personalisht. Një senator (Borah) e pyeti Wilson-in më 19. 08. 1919: “Kur u njohët për herë të parë me marrëveshjet e fshehta ndërmjet Britanisë së Madhe, Francës dhe vendeve të tjera evropiane, që kishin të bënin me ndryshime thelbësore në Evropë? A mos vallë pas ardhjes tuaj në Paris?” Wilson iu përgjigj: “Pikërisht, veçse nëse ka ekzistuar ndonjë informacion në Departamentin e Shtetit, për të cilin unë nuk kam patur dijeni. Po këtë përgjigje dha edhe Shefi i Departamentit të Shtetit, Robert Lansing, duke shtuar se “këtyre marrëveshjeve asnjëherë nuk u është kushtuar vëmendje”. Megjithatë, është fakt se ministri britanik i Punëve të Jashtme, Balfur, i ka dërguar Wilson-it më datën 18. 05. 1917, një kopje të marrëveshjeve të fshehta, duke i bërë të njohur se ai e di që këto dokumente për Wilson-in nuk do të jenë ndonjë gjë e re dhe se në asnjë rast nuk do të ndryshojnë qëndrimin e tij. Sipas kësaj, Wilson duhet të ketë qenë i informuar, meqenëse kishte kopjet e këtyre marrëveshjeve. Nga ana tjetër, për Traktatin e Fshehtë të Londrës u informuan në maj të vitit 1915 ambasadorët amerikanë në Paris dhe në Londër…!

Konferenca e Paqes në Paris u mbajt më 18 janar 1919, pak muaj pasi kishte përfunduar Lufta e Parë Botërore. Ajo zgjati relativisht shumë dhe i mbylli punimet më 10 prill 1920. Presidenti amerikan, Wilson, në këtë konferencë shpalosi platformën e tij, e cila konsistonte në atë që siguria ndërkombëtare duhej të vendosej jo mbi bazën e ekuilibrimit të forcës, por në atë të vetëvendosjes kombëtare, jo nga aleancat ushtarake, por nga sigurimi kolektiv. Me këtë qëndrim Wilson iu kundërvu atij qëndrimi evropian, i cili ishte për zhvillimin e një diplomacie mbi bazën e traktateve apo marrëveshjeve të fshehta. Presidenti amerikan iu kundërvu në këtë mënyrë hapur atyre që kërkonin zbatimin e Traktatit të Fshehtë të Londrës, i cili u nënshkrua më 26 prill 1915, dhe që e copëtonte Shqipërinë në favor të fqinjëve, të cilët aderonin në Antantë. Ky moment kishte sjellë në atë kohë edhe bashkimin e Italisë me Antantën, duke e paraqitur atë si një ndër përfitueset nga traktati në fjalë. Mirëpo me pas do të ishte vetë Italia që, përveç marrjes së Vlorës nga ana e saj, do të kërkonte moszbatimin e nenit 7 të traktatit që parashikonte copëtimin e Shqipërisë në favor të fqinjëve. Kjo kërkesë bëhej për të mos i dhënë mundësi depërtimit sllav në territoret shqiptare. Konferenca diskutoi gjatë për të ashtuquajturën “Çështje të Adriatikut”.

Më 10 shkurt 1920, presidenti amerikan Wilson iu dërgoi kryeministrave të Francës dhe Britanisë së Madhe notën zyrtare, ku ai nuk pranonte asnjë ndryshim të memorandumit anglo-franko-amerikan të 9 dhjetorit 1919, drejtuar qeverisë italiane, të përbërë nga 6 pika. Ndërkohë që përfaqësuesi britanik Lloid Xhorxh dhe ai francez Milerand (që kishte zëvendësuar Klemansone), kishin paraqitur veç e veç, dy memorandume të tjera, përkatësisht më 17 dhe 26 shkurt 1920. Në këto dy memorandume ata mbronin pikëpamjen se “për interesat e tyre jetike”, Shqipëria duhej të copëtohej midis fqinjëve. Presidenti amerikan kundërshtoi hapur dhe prerë çdo skemë që do të shpinte në copëtimin e Shqipërisë. Më 6 mars 1920 Wilson përfundimisht u shpreh kundër copëtimit të Shqipërisë. Qëndrimi i tij pro Shqipërisë ishte gjithashtu një grusht i fortë kundër politikës së vjetër evropiane që nuk kishte dalë dot nga skemat mesjetare të pazareve me territore të vendeve të vogla. Kontributi i presidentit amerikan, Thomas Woodrow Wilson, në çështjen shqiptare kur kjo çështje ishte e rrezikuar në Konferencën e Paqes në Paris, mbeti një akt që u vlerësua gjithmonë, jo vetëm nga shqiptarët me banim në SHBA, por edhe shqiptarët në Shqipëri. Por, a mjaftonte puna dhe kontributi i emigrantëve shqiptarë në SHBA, po të kemi parasysh se populli dhe politika amerikane ishte indiferente edhe ndaj komuniteteve më të mëdha të emigrantëve që gjithashtu kishin krijuar bashkësitë e tyre dhe në këtë shtet dhe që ishin vënë në shërbim të interesave të shteteve të tyre që kërkonin copëtimin e Shqipërisë?

“ÇAJLD HAROLD” (lordi Bajron): Shqiptarët, si skocezët

– Përplasja e kryeministrit britanik, Lloid Xhorxh, me presidentin e SHBA, Wilson

Fjala e Bitëllsave: “Të gjithë ia dalim me pak ndihmë nga miqtë”, na bën të besojmë se veç punës së bashkësisë së vogël të emigrantëve shqiptarë të fillim shek. 20 mbetet për t’u vlerësuar edhe ndikimi që kanë pasur shkrimet Bajronit (“Çajld Harold”), apo “Nata e Dymbëdhjetë”) e Shekspirit dhe shkrimet e anglezes Edit Durham, e njohur si Mis Durham në opinionin evropian dhe ata amerikan. Edhe pse ngelet për t’u vërtetuar se çfarë ndikimi mund të ketë pasur vlerësimi që Bajroni iu bën shqiptarëve dhe krahasimi që ai bën mes tyre dhe skocezëve prej nga ishin gjyshërit e Wilson, tashmë kemi të dokumentuar reagimin që ai ka bërë në Paris në vitin 1919, kur kryeministri britanik, Lloid Xhorxh, në mënyrë përbuzëse i ka quajtur shqiptarët njëlloj si malësorët skocezë. Bajroni në përpjekjet e tij për të ndihmuar Shqipërinë shkruante se, në qoftë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin dorën parisë shqiptare duke i mbledhur së bashku për të zgjedhur nëpunësit e vendit dhe për të vënë përpara një statut, ata do të bëjnë atë që Evropa nuk mundi ta bëjë, gjë të cilën medoemos do ta shohë të arsyeshme. Evropa nuk duhet të tregohet e pakënaqur për një qeveri që i pëlqen popullit vetë. Më poshtë në librin “Shtegtimi i Çajld Haroldit”, Bajroni, ndërsa kritikon fuqitë evropiane, i kërkon popullit të SHBA, që ta ndihmojë popullin shqiptar. “Gjashtë fuqitë evropiane krijuan shtetin e lirë të Shqipërisë, por duke mos qenë të zotët për të themeluar një qeveri, e lanë këtë vend në dorë të fatit. Megjithëse marrëveshja e Londrës u prish nga lufta, pavarësia shqiptare nuk mbeti e pabërë. Nuk ka fuqi tjetër në faqen e tokës që të kërkojë të drejtë mbi këtë vend tani veç popullit shqiptar. Italia dhe Greqia që kanë shtyrë ushtritë e veta në Shqipëri thonë se e bënë këtë vetëm për të mbrojtur pasurinë dhe jetën e vendasve. Populli i Shteteve të Bashkuara mundet ta ndihmojë këtë popull duke iu siguruar paqen dhe duke larguar anarkinë. Mundet që t’i udhëheqë shqiptarët për të formuar një qeveri të përkohshme edhe deri sa këta të vihen në udhën e drejtë të punës e të përparojnë në vetëqeverimin e tyre”. Në përpjekjet për të vlerësuar anët pozitive të shqiptarëve Bajroni i referohet edhe italianit Xhuliano duke thënë se asnjë njeri në Evropë nuk e njohu më mirë popullin dhe tokën shqiptare sesa italiani i famshëm, Markezi San Xhuliano. Asnjeri nuk mundet të thotë se shqiptarët nuk janë të zotët për vetëqeverim, sepse asnjë rast prove nuk u qe dhënë për të formuar një qeveri të vetën. Markezi San Xhuliano ka patur të drejtë, kur ka thënë: “Shqiptarët janë një fuqi e paprovuar për sa i përket vetëqeverimit, as prej vetes e as prej të tjerëve”.

Por ajo që ngelet për t’u vlerësuar në kontekstin e kohës kur janë zhvilluar ngjarjet që përcaktonin fatin e ruajtjes së pavarësisë së Shqipërisë, është krahasimi që Bajroni u bën shqiptarëve me skocezët. “Në zakone, në udhëheqje, në karakter ose në mundësi u ngjajnë shumë skocezëve të hershëm; janë pikërisht si ata të papërkulur dhe liridashës. Shqiptarët më bënë përshtypje të thellë me ngjashmëritë me malësorët e Skocisë, në veshje, në pamje dhe mënyrën e jetesës. Malet ku ata jetonin dukeshin si ato kaledoniane, por me klimë më të butë. Fustanella, porse e bardhë; shtati i thatë, trupi plot gjallëri, dialekti i tyre, që tingëllon si e folura kelte…”, -shkruan Bajron. Historiania Margaret Mekmillan, në faqen 362 të librit të saj “Paris 1919” , shkruan se kryeministri britanik, Lloid Xhorxh, (i cili, ishte stërgjyshi i saj), kishte thënë në atë kohë se: “nuk e di se çfarë do të bënin shqiptarët, nëse do të mbeteshin të pavarur, përveçse t’i prisnin gurmazin njëri-tjetrit, ashtu si në malësinë skoceze në shekullin e pesëmbëdhjetë”. Presidenti Wilson ishte përgjigjur, “Mos i përflisni malet e Skocisë; familja ime andej e ka origjinën”. Dhe kjo sipas Mekmillan, i kishte vënë kapakun çështjes. Me një të tillë frazë të vogël u shpëtua pavarësia e Shqipërisë. Woodrow Wilson ishte kthyer në Uashington në kohën e Kongresit të Lushnjës. Për të qenë të drejtë karshi tij, duhet vënë në dukje që, pasi mori vesh për Kongresin, në shkurt 1920, ai i dërgoi një notë diplomatike aleatëve të tij në mbështetje të popullit të Shqipërisë dhe kjo padyshim pati ndikim pozitiv në rezultatin përfundimtar. Gjithashtu, duhet theksuar që ai nuk do ta kishte bërë kurrë këtë, nëse vetë shqiptarët nuk do të kishin organizuar Kongresin e Lushnjës, i cili ngriti peshë popullin shqiptar për të rifituar lirinë e pavarësinë, për të çliruar vendin nga ushtritë pushtuese, si dhe hodhi poshtë synimet e planit të Konferencës së Paqes për copëtimin e Shqipërisë dhe u shpreh për moslejimin e asnjë lëshimi politik në formën e një mandati ose protektorati të huaj në dobi të shteteve apo fuqive të tjera.

Filed Under: Histori

Vatra dhe Dielli me libra pranë Shkollës Shqipe Alba Life” Ambasador i Kombit në Bronx

February 5, 2024 by s p

Qemal Zylo/

Në Shkollën Shqipe “Alba Life” në Bronx në një nga degët e saj të shumta në gjithë Nju Jorkun erdhën dhe u takuan me plot dashuri një ekip i Vatrës i kryesuar nga Dr. Pashko Camaj sekretar i Vatrës, Sokol Paja Editor i Diellit, anëtarët e kryesisë z. Bashkim Musabelliu dhe z. Ilir Cubi, anëtari i Këshillit të Vatrës gjeneral Asllan Bushati.

Kishte kohë që Editori I Diellit z. Paja na kishte lajmëruar për të dhuruar libra pranë nxënësve të shkollave Shqipe në New York. Mësuesit dhe nxënësit i mirëpritën me duartrokitje ardhjen e delegacionit të Vatrës, pasi Vatra e themeluar nga Noli dhe Konica është krenari kombëtare dhe ne ju mësojmë fëmijëve për t’i çmuar dhe vlerësuar ndër breza kontributet kombëtare. Nxënësit e Shkollave Shqipe “Alba Life” njihen mirë me Vatrën jo vetëm që e vizituan, më 19 Nëntor, 2022, por edhe reportazhet e gazetares Kozeta Zylo kanë qenë të mirëpritura gjithmonë pranë gazetës famëmadhe të Diellit. Mësueset ua lexuan dy vjet më parë shkrimin e gazetarit Paja i cili shkruajti artikullin me temë:

110 vjetori i Pavarësisë, 110 nxënës, mësues e prindër të Shkollës Shqipe Alba Life, festë në Vatër.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe ditëve të Alfabetit Shqip mikpriti 110 nxënës, mësues dhe prindër të Shkollës shqipe Alba Life. Një vizitë shumë emocionuese e fëmijëve shqiptarë, trashëgimtarëve të vazhdimësisë së rracës sonë të bukur shqiptare, të historisë sonë të lavdishme, të kulturës sonë të veçantë, gjuhës dhe identitetit tonë këmbëtar shqiptar.

Si themelues dhe drejtues i përshëndeta dhe i falënderova për mirëseardhjen e tyre pranë Shkollës Shqipe e cila zhvillon mësimin në mjediset e Shkollave publike amerikane në Christofer Columbus, Bronx. Në emër të stafit shpreha mirënjohjen time, të prindërve dhe të gjithë nxënësve për dhurimin e librave, pasi këto veprime dhe bashkërendime e nderojnë Vatrën me drejtues Dr. Elmi Berisha i cili vazhdimisht ka shprehur mirënjohjen e pakufishme për Misionin Kombëtar nga Alba Life. Dr. Pashko Camaj pedagog në Universitet e njeh mirë mësimdhënien, ai falënderoi nxënësit që vinë pranë shkollave Shqipe dhe mësojnë gjuhën shqipe me plot dashuri dhe përkushtim. Editori Paja shprehu me plot kulturë dhe respekt aktivitetet kulturore dhe programet mësimdhënëse që organizon Alba Life. Kolegu im i nderuar Gjeneral Asllan Bushati u shpreh me plot besim dhe krenari për këtë punë kolosale të mësuesëve, stafit, nxënësve për të mësuar Shqip, pasi ajo është identiteti ynë. Avokati Bashkim Musabeu falënderoi themeluesit dhe gjithë nxënësit që për çdo të shtunë lënë gjithçka dhe kanë vënë të parën mësimin shqip. Z. Cubi tha se këta nxënës kane modelet më të mira për t’u frymëzuar si Heroin Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Realisht Vatra përpos të gjitha përpjekjeve patriotike si dhe luftrave të pamëshirshme të qarqeve të caktuara shoviniste për ta zhdukur farën e Gjuhës Shqipe vazhdon te qëndrojë në mbrojtje si shqiponjë, qe si kurorë shkëlqesie ka gazeten “Dielli” me dy editorët e parë më poliedrikë dhe të vendosur për mbrojtjen e saj si Fan S.Nolin dhe Faik Konicën.

Ne frymëzohemi nga titanë të kombit, sepse “Gjuha e Nolit është Asht e jo tul do të shkruante mjeshtri i fjalës së Gjuhës Shqipe Mitrush Kuteli.

Këto lexime të veprave të patriarkëve na bëjnë të pohojmë gjithmonë dhe përjetësisht se Gjuha Shqipe është Ashti i Kombit, pa Gjuhën Shqipe ne humbasim si kripa në ujë, humbasim identitetin tonë si shqiptar.

Takimi me vatranët e nderuar ishte një ditë e bukur, një e shtunë e dielltë shkurti, vëllazërore, mikpritëse dhe me dhuratën më të shenjte në botë Abetaren dhe libra shqip dhuruar nga Vatra.

Pas dhurimit të librave nxënësit vazhduan rregullisht mësimin.

TV “Alba Life” së shpejti do të transmetojë kronikën e përgatitur rreth vizitës së delegacionit të Vatrës pranë Shkollës Shqipe “Alba Life” në Bronx.

Autori i shkrimit është themelues dhe drejtues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në New York dhe Online dhe mban titullin e lartë “Kalorësi i Urdhrit të Flamurit” dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

3 shkurt, 2024

Bronx, New York

Filed Under: Analiza

24 vjet nga 3 dhe 4 shkurti i vitit 2000, 24 vjet nga masakra dhe dëbimi i shqiptarëve nga Mitrovica

February 5, 2024 by s p

Lëvizja Vetëvendosje/

24 vite më parë, 8 muaj pas përfundimit të luftës, në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, formacioni kriminal serb “Rojat e Urës” filloi aksionin për spastrimin etnik të veriut të Mitrovicës nga shqiptarët. Ngjarjet ndodhën para syve të pjesëtarëve francezë të KFOR-it.

10 shqiptarë u vranë. Më i riu 13 vjeç. Më e moshuara 65 vjeç. Mbi 100 të tjerë u torturuan e plagosën. 11,364 shqiptarë të pambrojtur u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Mijëra shqiptarë ende nuk janë kthyer në shtëpitë dhe trojet e tyre.

Kjo masakër, ky dëbim i shqiptarëve civilë e të paarmatosur, nga shtëpitë e tyre në pjesën veriore të Mitrovicës përmbysi demografinë aty në favor të asaj që kërkonte Serbia.

Ndarja e qytetit të Mitrovicës do të bëhej e mundur pas kësaj masakre dhe dëbimi duke krijuar artificialisht një gjoja shumicë serbe në pjesën veriore.

Kjo u arrit përmes këtij krimi makabër në sy të forcave të KFOR-it dhe u fashit përmes ish drejtuesve politikë të atyre viteve.

Frazat e thënë ato ditë se së shpejti do të kthehen në shtëpitë e tyre dhe se Mitrovica nuk do të ndahen mbeten vetëm video. Realiteti e dërgoi diku tjetër. Plani i Ahtisaarit e formalizoi këtë ndarje që në thelb e ka një masakër dhe dëbimin masiv të shqiptarëve.

Për qytetarët shqiptarë që përjetuan dhe i mbijetuan masakrës duke humbur më të dashurit e tyre presin ende vendosjen e drejtësisë nga Prokuroria dhe Gjykatat në Kosovë.

Në vitin 2013, 13 vite pas masakrës së 3-4 shkurtit, mazhoranca e asaj kohe bashkë me disa nga partitë opozitare hartuan e miratuan ligjin për amnistinë e kriminelëve në veri të vendit tonë.

Atë botë Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe deputetët kundërshtuan dhe rezistuan për të mos ta miratuar këtë akt të turpit. Për fat të keq ligji kaloi dhe amnistia ndodhi.

Sot, 24 vite pas masakrës së 3 dhe 4 shkurtit në Mitrovicë, edhe pse gjendja në pjesën veriore ka ndryshuar me qeverisjen e re që ka vendosur ligjshmërinë, ka përndjekur e burgosur bandat dhe strukturat kriminale, ka shpallur terroriste organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, ka rindërtuar dhe mundësuar kthimin e shqiptarëve në shtëpitë e tyre, 3 dhe 4 shkurti ende kërkon adresimin, ende kërkon vendosjen e drejtësisë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! përkujton me nder dhe respekt të rënët e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 dhe vijon të jetë e përkushtuar që drejtësia për ta të gjejë dritë.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT