• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2024

Mid’hat Abdyl Frashëri, 25 mars 1880 – 3 tetor 1949

March 25, 2024 by s p

Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”/

Lindi në Janinë më 25 mars 1880. I ati, Abdyli, ishte në Prizren, në krye të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur lindi Mid’hati. Abdyli, Naimi dhe Samiu u morën direkt me edukimin e tij. Në vitin 1897 themeloi biblotekën “Lumo Skëndo” dhe mori pjesë aktive në botimin e “Kalendarit Kombtar” bashkë me Kristo Luarasin. Shkrimet e para me temë rilindëse i botoi qysh në moshën 16 vjeç, madje puna e parë ishte për Skënderbeun.Pas studimeve, punoi në admistratëm osmane në Stamboll dhe mandej në Selanik, ku themeloi Klubin shqiptar dhe gazetën “Lirija” (1908).

Mid’hati u zgjodh kryetar i Kongesit të Manastirit, (1908) që hartoi një program kombëtar prej 18 pikash dhe vendosi alfabetin krejtësisht latin të gjuhës shqipe.

Ai qe nismëtar i thirrjes së Kongresit arsimor të Elbasanit( 1909) për çeljen dhe administrimin e shkollave shqipe dhe të Normales për mësues.

Botues i revistës kulturore “Dituria”, një enciklopedi ejetës dhe monument i kulturës shqiptare(1897-1929).

Veprimtar i shquar i Pavarësisë. Pjesëmarrës në tubimin e Shkupit( tetor 1912) ku u vendos te shpallej Pavarësia e Shqpërisë.

Delegat i Pejës dhe Gjakovës, Plavës e Gucisë dhe mandej dhe i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës (1912). Firmëtar i Pavarësisë Kombëtare dhe anëtar i qeverisë së Ismail Qemalit, ministër i Punëve të Përgjithshme.

Në vitin 1914 ministër në qeverinë e Princ Vidit.

Largohet nga Shqipëria, kur nis rebelimi haxhiqamilist, që i dogji edhe shtëpinë me gjithe dokumentet në Elbasan. Emigrant në Zvicër, Sofje, Bukuresht. Në Sofje boton veptat e para: “Letra nga një udhëtim në Zvicër”, “Hidhe shpuzë”, “Popullsia e Epirit”, “Pritmi i Shqipërisë”, si edhe gazetën në gjuhën frengjisht “L’indipendance Albanaise” ku propagandonte dhe mbronte çështjen shqiptare.

Gjatë Luftës së Parë Botërore u internua në Moldavi, në minierat e naftës dhe të vdekjes. Atje shkroi “Ditarin”, kujtimet nga Rumania.

Ministër pa protofol ne qeverinë e Turhan Pashës (1918). Delegat i qeverisë në Konferencën e Paqes në Paris (1919), njëherësh delegat i “Vatrës” SHBA në atë konferencë, i Komitetit “Mbrojtja e Kosovës” dhe i shqiptarëve te Turqisë.

Në Lozanë dhe Gjenevë, qendra të propagandës dhe botimeve të kombeve, Mid’hati botoi në vitin 1919-një sërë veprash të rëndësishme historike në gjuhën frëngjisht si “Rilindja shqiptare”, “Shqiptarë e sllavë”, “Shqiptarët në vend të tyre dhe jashtë atdheut”, “Rivendikimet shqiptare”, “Çështja e Epirit”, si edhe qindra artikuj, promemorie, letra, ese, memorandume drejtuar Konferencës së Paqes, qeverive të Fuqive të Mëdha dhe personaloiteteve politike e kulturore të Europës si edhe shkrime botuar ne gazetat dhe revistat më prestigjioze të Europës.

Gjithashtu, i dërgoi Presidentit Uilson të SHBA një mesazh për ta njohur me çështjen shqiptare dhe nje aneks-promemorie të shoqëruar me gjashtë harta etnografike, që ndikuan tek Presidenti Uilson për mbrojtjen e çështjes së rrezikuar shqiptare, në prag të coptimit.

Kryetari delegacionit shqiptar në Konferemncën e Paqes në Paris (1920-1922) dhe në Lidhjen e kombeve, ku mbrojti si askush tjetër çështjen shqipare.

Në vitin 1923 emërohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi, ku u shqua për regullimin e marëdhenieve shtetërore me Greqinë, mbylljen e Sillogjeve antishqiptare dhe mbrojtjen e çëshjes çame, ndalimin e shkëmbimit të shqiptarëve si turq në Turqi(1923-1925) dhe kundërshtimin e kolonizomit të Çamërisë me kolonë grekë.

Dha dorëheqjen si ambasador në vitin 1925, kur politika e shtetit shqiptar nuk përputhej më me parimet e tij, pikërisht kur Shën Naumi dhe Vermoshi iu dhanë Jugosllavisë nga Zogu, me protestën “Asgjë të japim nga trupi i mëmëdheut tonë”.

Në vitet 1925-1939 u mor me punë kulturore dhe studimore, themeloi librarinë “Lumo Skendo në Tiranë” dhe botoi një sërë veprash të rëndësishme si “Plagët tona”, “Gruaja”, “Udhëtarët e huajnë Shqipëri”, “Liga e Prizrenit”, “Përshtypjet e udhëtimit””, “Bibliografitë” etj

Më 8 prill 1939 hodhi themelet e organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar” si një alternativë antifashiste me program “Nacionalizma shqiptare, 1939. Në vitin 1942 publikoi progamin e Ballit Kombëtar “Dekalogu”, një program nacionalist për një Shqipëri etnike dhe demokratike dhe socialdemokrat nga pikpamja sociale.

Gjatë Luftës së Parë Botërore udhëhoqi luften e nacionalisteve kunder pushtuesve nazifashistë dhe paqen ndermjet shqiptarëve. Ishte organizatori kryesor i Kuvendit të Mukjes (3-4 gusht 1943) dhe i Marrëveshjes së Mukjes per një luftë të përbashkët kundër okupatorëve, në krah të Aleatëve të mëdhej Antifashistë. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes nga komunistët dhe emisarët jugosllavë, ai u përpoq të ndalte Luften civile (1943-1945) dhe u përball me terrorizmin komunist.

Emigroi nga Shqipëria pas pushtimit komunist te saj (nëntor 1944) për ta vazhduar luftën kundër regjimit komunist me mjete demoktatike me ndihmen e vendeve Perëndimore. Në emigracion organizoi qëndresën, por edhe edukimin e shkollimin emigrantëve politikë shqiptarë (në kampet Gramo, Santa Fara, Regio Emilia, etj) me konferencat, kurset, shkollën “Besnik Çano”, mësimin e gjuhëve të huaja dhe botimin e revistës”Flamuri”).

Ne vitin 1949 Mid’hat Frashëri në bashkepunim me Aleatët aglo-amerikanë themeloi ne Francë më 26 gusht 1949 Komitetin “Shqipëria e Lirë”, qeveria shqiptare ne emigracion. Qëllimi i Komitetit “Shqipëria e Lirë” ishte lirimi i Shqipërisënga diktarura komuniste dhe vendosja atje e një sistemi demokratiksipas modeleve më të përparuara perëndimore. Mid’hat Frashëri u zgjodh kryetar i komitetit dhe nga BBC në Londër shpalli programin e Komitetit, 6.09.1949. Komiteti Shqipëria e Lire” u vendos me seli në Nju York, ku nisi veprimtarinë.

Për fat të keq, vdiq paprirur më 3 tetor 1949. Vdekja e tij mbetet e dyshimtë, ndonëse u njoftua një atak kardiak. Mendohet se vdekja e M.Frasherit u shkaktua nga një ndërhyrje e Sigurimit Rus, nëpërmjet agjentit Kim Filbi, sipas vendit te qeverisë shqiptare për ta zhdukur Mid’hat Frashëtin (dok. arkivi i Ministrisë së Brendshme).

Vdekja e Mid’hat Frasherit ishte një humbje e madhe per Shqipërinë dhe kombin shqiptar, por edhe më gjerë. Ai ishte figura më e madhe e Kombit tonë, njëherësh edhe nje nga personalitetet më të shquar të Europës në atë kohë.

Filed Under: Kronike

Aktiviteti i panjohur i arkeologut Perlat Kulla në Vlorë gjatë viteve 1970-80

March 25, 2024 by s p

Kriledjan Çipa/

Zyrtarisht aktivitetin arkeologjik të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri e njohim kryesisht nëpërmjet botimeve të shumta të artikujve dhe raporteve arkeologjike në revistën “Iliria” të Institutit të Arkeologjisë, apo nëpërmjet buletineve dhe botimeve të akteve të konferencave shkencore të kohës. Si rezultat, ne njohim si arkeologë apo bashkëpunëtor të jashtëm të Institutit të Arkeologjisë vetëm arkeologët që kanë botuar në këta periodik. Në fakt, duke “gërmuar” në shtypin lokal të kohës mësojmë se një numër i madh punësh apo raportesh arkeologjike janë botuar nëpër gazeta. Gjatë periudhës së sistemit Komunist, ka patur disa specialistë me një formim të mirë në arkeologji, të cilët punonin kryesisht në muzetë e rretheve dhe kanë dhënë kontributin e tyre në këtë fushë. Nuk duhet të harrojmë se muzetë e asaj periudhe (ndryshe nga sot) kishin autonomi për të kryer punë kërkimore në terren. Arkeologët që punuan pranë tyre, patën mundësi të kryenin gërmime arkeologjike, si dhe të ishin të parët që raportonin gjetje të rastit në territoret që ata mbulonin. Për arsye të ndryshme punët e tyre nuk arritën gjithmonë ta gjejnë dritën e botimit në revistën “Iliria”, as në formën e raporteve, për pasojë edhe kontributi i tyre ngeli i panjohur jo vetëm për publikun e gjerë, por edhe për komunitetin e arkeologëve dhe profesionistëve të tjerë të fushës së trashëgimisë kulturore. Një rast i tillë është edhe ai i Perlat Kullës, i cili punoi për një kohë të konsiderueshme në Muzeun e Vlorës dhe realizoi gërmime arkeologjike e botoi raportime të ndryshme në shtypin lokal.

Aktiviteti i tij në arkeologji është zhvilluar kryesisht në vitet 1970-80. Në literaturën arkeologjike, emrin e Perlatit e gjejmë për herë të parë të përmendur në vitin 1968. Arkeologu i shquar Bep Jubani, i cili drejtonte gërmimet arkeologjike të tumave të Ҫinamakut në Kukës, në një nga botimet e tij për rezultatet e gërmimeve përmend edhe kontributin e Perlat Kullës, që në atë kohë kishte marrë pjesë në gërmime në cilësinë e studentit të Histori-Gjeografisë. Pra, që në vitet studentore ai kishte nisur rrugën e formimit si arkeolog, duke marrë pjesë në ekspedita, të cilat do ta ndihmonin për të krijuar eksperiencën e duhur profesionale për kërkimin në terren. Megjithatë, kontributi i Kullës në gërmimet e tumave të Çinamakut do të vijojë deri në vitin 1973, tashmë si arsimtar i emëruar në këtë zonë. Gjithashtu, si bashkëpuntor i jashtëm i Sektorit të Arkeologjisë (pjesë e Instituti të Historisë në atë kohë), ai do të marri pjesë në gërmimet arkeologjike që nisën në Kalanë e Kaninës në vitin 1971, dhe vijuan në disa fushata në vitet 1973 e deri të paktën në vitet 1974-1975. Gërmimet në këtë qendër të rëndësishme antiko-mesjetare zhvilloheshin nën drejtimin e arkeologut Damjan Komata. Kulla, për rezultatet e këtyre gërmimeve do të botojë edhe konsideratat e tij në shtypin e kohës, por këtë përvojë të pasur në terren ai do ta shfrytëzojë për të vijuar në vitet e mëvonshme aktivitetin e tij me gërmime e kërkime arkeologjike në zonën e Vlorës, tashmë si specialist i Muzeut të Vlorës.

Kontributi i parë i tij do të jetë gërmimi arkeologjik që do të kryej pranë fshatit Zvërnec në vitin 1974, rezultatet e të cilit do ti botojë në periodikun “Buletini Arkeologjik” (periodik i Sektorit të Arkeologjisë, në Institutin e Historisë), si dhe me disa plotësime të dhënash në një raport të botuar në gazetën “Zëri i Vlorës” në vitin 1975. Gërmimi ishte i natyrës së shpëtimit dhe kishte si synim dokumentimin e një rruge të periudhës Romake, e cila kishte dalë rastësisht gjatë punës për ndërtimin e një rezervuari. Krahas zbulimit dhe dokumentimit të traktit rreth 12 m të gjatë dhe 4 m të gjerë të rrugës së shtruar me rasa guri, ai raporton gjetjen e materialeve parahistorike prej stralli, si dhe qeramikë që i përkiste dy shekujve të parë pas Krishtit. Së bashku me arkeologun Vasil Bereti për herë të parë do të nisin gërmimet arkeologjike në kodrën e Plakës në Treport, në vitin 1975. Në këto sondazhe të para të kryer në kodrën e Plakës, që ata e identifikonin me Aulonën antike, krahas materialit të pasur arkeologjik të datuar nga shek. IV p.Kr e deri në periudhën Romake, ata zbuluan murin fortifikues, disa tjegulla antike me mbishkrime, një ndërtesë me tulla dhe materiale metalike, duke përfshirë edhe monedha. Përveç raportit të botuar në shtypin lokal nga dy bashkautorët e gërmimit, materiali i kësaj fushate nuk u botua asnjëherë i plotë. Siç dihet, gërmimet në qendrën arkeologjike të Treportit në vitet e mëvonshme do të vijojnë nga arkeologu Vasil Bereti, ndërsa Perlat Kulla pati një aktivitet shumë të pasur kryesisht në vitin 1978, ku ka vijuar të kryej sondazhe e gërmime në qendra arkeologjike të ndryshme, si dhe raportime të shumta nga gjetje rastësore. Në gazetën “Zëri i Vlorës” gjejmë një numër të konsiderueshëm raportesh arkeologjike në lidhje me gjetje të rastit në fshatrat e zonës së Orikumit. Gjetjet vijnë kryesisht nga varreza antike nga fshatrat Tragjas dhe Dukat. Disa nga këto gjetje ruhen ende dhe janë të ekspozuara në Muzeun Historik të Vlorës. Ky aktivitet i tij zhvillohet në kuadër të kontributit që ai jep për pasurimin e hartës arkeologjike të rrethit, si dhe sigurisht pasurimin e koleksionit të objekteve arkeologjike të muzeut ku ai punonte. Në këtë kuadër ai raporton një nekropol të zbuluar në vendin e quajtur Vallto (Orikum), gjatë punimeve të bonifikimit të kënetës, jo shumë larg qytetit antik të Orikumit. Punimet për ndërtimin e stacionit të pompave për qytezën kishin nxjerrë rastësisht një nekropol, me një numër të konsiderueshëm varresh. Njëri ndër varret e ruajtur më mirë me muraturë tulle, u bë edhe objekt i një gërmimi arkeologjike shpëtimi nga ana e tij. Varri rezultoi të kishte inventar të pasur me terakota, enë balte dhe objekte metalike që i përkisnin shek. III-II p.Kr. Perlat Kullës i takon edhe njoftimi i parë për zbulimin e bazilikës paleokristjane të Mesapliku në vitin 1978, si dhe ai është autori i sondazhit të parë për dokumentimin e monumentit. Në artikullin e botuar në gazetë u ndal në përshkrimin paraprak të mureve, një kapiteli dhe fragmenteve të ndryshme të qeramikës, por ai u përqendrua kryesisht në përshkrimin e hollësive të mozaikut të sapo zbuluar të dyshemesë. Gërmimi dhe dokumentimi i plotë i bazilikës u realizua së bashku me arkeologun Damjan Komata, i cili realizoi edhe botimin e rezultateve të gërmimeve në revistën “Iliria”. Arkeologia Zhaneta Andrea, për raportimin që u bën kërkimeve arkeologjike në Shqipëri gjatë viteve 1973-83 në revistën ndërkombëtare të raporteve arkologjike “Archaeological Reports”, Perlat Kullën e përmend si bashkautor të gërmimit arkeologjik. Për më tepër Kulla do të botonte në vitin 1981 një përshkrim të detajuar të mozaikut. Ai vijoi kërkimet dhe gërmimet arkeologjike në Luginën e Lumit të Vlorës, ku kryen gërmime arkeologjike në shpellat parahistorike të Velçës. Objekt i gërmimit të tij do të bëhet kati i dytë i shpellës që quhet “Kala” ose “Mbikala”, ku nga gërmimi arkeologjik u gjetën një numër i konsiderueshëm enësh të fragmentuara të periudhës Mesjetare. Nëpërmjet këtyre gërmimeve ai saktësoi se shpellat e Velçës janë përdorur si vendbanime apo vendstrehime në një diapazon të gjerë kohor, nga Parahistoria e deri në Mesjetë.

Krahas raportimeve arkeologjike në shtypin e kohës ai ka botuar edhe disa artikuj mbi muzeologjinë. Si punonjës i muzeut, në rolin e kuratorit dhe menaxherit do të ngrinte shqetësime dhe do të botonte disa artikuj ndërgjegjësues për menaxhimin dhe mbarëvajtjen e rrjetit të muzeve në rrethin e Vlorës. Shqetësimi i tij lidhej me aktivitetin e muzeve, pasurimin e tyre me objekte autentike, me qëllim që të luajnë rolin e tyre si institucione që transmetojnë mesazhe të historisë dhe të së shkuarës, duke qenë edukuese për shoqërinë. Në këtë drejtim Kulla do të bëhej edhe inisjator i aksioneve konkrete. Së bashku me kolegë të tjerë, do të organizojë ekspedita në terren për mbledhjen e objekteve etnografike dhe dokumentacionit autentik, me qëllim ngritjen dhe pasurimin e koleksioneve të muzeve të fshatrave.

Në vitin 1985, pasi u gjet rastësisht një thesar me rreth 5,8 kg ar gjatë punimeve mirëmbajtëse në pragun e hyrjes së godinës së Klubit Labëria, ai do të drejtojë vijimin e gërmimeve për verifikimin e kontekstit dhe vendgjetjes. Për shkak të integritetit të tij profesional, ai u caktua edhe si një ndër anëtarët e komisionit të vlerësimit të thesarit.

Sipas informacioneve që kemi, në vitin 1983 ai ishte transferuar tashmë në Sektorin e Kulturës dhe Sportit. Ky transferim, si dhe problemet e tij shëndetësore do e bënin të pashmangshëm ndërprerjen e aktivitetit kërkimor në arkeologji. Pas viteve 1990, ai vijoi të punonte në institucione me karakter kulturor deri në daljen e tij në pension. Fatkeqësisht ndërroi jetë në 21 Janar të vitit 2021, por për sa kohë punoi si arkeolog dhe specialist i Muzeut të Vlorës, ai dha kontributin e tij në evidentimin, gërmimin, dokumentimin dhe për fat të mirë botimin e informacionit mbi vendgjetje dhe vendbanime të shumta antike e mesjetare në zonën e Vlorës. Një numër i konsiderueshëm objektesh të mbledhura prej tij, sot janë ende pjesë e fondeve të Muzeut Historik të qytetit të Vlorës. Raportet arkeologjike të botuara nga Kulla në shtypin e kohës janë mjaft të vlefshme nga pikëpamja shkencore, si punë të referueshme për çdo studim arkeologjik që do të zhvillohet në të ardhmen në territorin e Vlorës.

Filed Under: Komente

Faktorët kryesorë të fuqisë globale Amerikane në rajonin e Pacifikut dhe në botë?

March 25, 2024 by s p

Dr. Dritan Demiraj, autor i librit “Gjeopolitika e Republikës të Kinës.”

Kohët e fundit është shtuar frika për një koalicion të mundshëm ushtarak dhe ekonomik midis Federatës Ruse dhe Kinës. Por pavarësisht faktit se nga ana ushtarake dhe ekonomike Kina vazhdon të forcohet shumë, përsëri është i vërtetë fakti se SHBA-të vazhdojnë të jenë e vetmja superfuqi ekonomike, diplomatike, ushtarake, teknologjike dhe e sigurisë globale. Por me qëllim që të kuptohet më qartë ky avantazh, do të duhet shkurtimisht të bëjmë një analizë të shkurtër të faktorëve kryesore të cilat ndikojnë në këtë zhvillim pozitiv dhe shpresëdhënës në rajonin e Indo-Pacifikut.

Sasia e madhe e forcave të armatosura dhe e aseteve të inteligjencës të SHBA-ve me pothuajse të gjitha qeveritë e vendeve në rajonin e Azisë dhe të Paqësorit, ka bërë që komandanti i Komandës Strategjike Amerikane të Indo-Pacifikut të jetë një aktor shumë i rëndësishëm në këtë rajon dhe marëdhëniet midis SHBA-ve dhe këtyre vendeve janë marëdhënie me interes reciprok. Pavarësisht tërheqjes nga Traktati i Partneritetit të Trans Paqësorit (TPP), ekonomia dhe marketet amerikane realizojnë një sasi të madhe eksporti edhe nga kompanitë e këtyre vendeve.

SHBA-të kanë një themel të fuqishëm në marëdhëniet me organizatat jo qeveritare (NGO) me vendet e Azisë, për shkak të numrit shumë të madh të miliona aziatikëve të cilët marrin pjesë në mënyrë konstruktive në marëdhëniet e shkëmbimit midis SHBA-ve dhe vendeve të kontinentit aziatik. Baza e përcaktimit të fuqisë dhe e influencës së SHBA-ve në rajonin e Azisë dhe të Paqësorit përfshin pesë faktorë të rëndësishëm.

Së pari, mund të themi që është faktori i sigurisë. Në shumicën e qeverive të kontinentit aziatik, vendimet e tyre merren bazuar në drejtimin e politikës së tyre të jashtme. Ajo që ndikon shumë në politikën e ndjekur nga këto qeveri, është influenca e mediave, opinioni publik, elita politike por jo vetëm në lidhje me politikën rreth SHBA-ve dhe vendeve të tjera perëndimore, por në fund të ditës janë vetë politikëbërësit të cilët marrin vendimet sa më lartë. Këta zyrtarë marrin në konsideratë legjitimitetin, zhvillimin ekonomik dhe të ndërtimit të vendeve të tyre, të cilat kërkojnë një ambient të sigurtë ndërkombëtar. Edhe kontinenti Aziatik nuk është një rajon krejtësisht i stabilizuar, duke bërë që vendet e saj të jenë të qartë për këto rreziqe dhe kërcënime.

Për rrjedhojë, ata i drejtojnë sytë nga SHBA-të jo vetëm si një vend për të bashkëpunuar nga ana ekonomike dhe diplomatike, por në të njëjtën kohë edhe për sigurinë e tyre kombëtare. Ata e shohin me frikë të madhe fuqizimin ekonomik, diplomatik, teknologjik dhe ushtarak të Kinës.

Së dyti, prioriteti i ndërtimit të vendit në shumicën e qeverive të vendeve të Azisë varet drejtëpërsëdrejti nga rritja e eksporteve të tyre. Shumica e tregtisë së Kinës dhe e vendeve të tjera të fuqishme të Azisë, varet nga eksportet e tyre për të zhvilluar vendet e tyre kryesisht me SHBA-të. SHBA-të kanë një tregti të madhe defiçitare me Kinën, e cila vlerësohet në më shumë se 600 miliardë dollarë. Qeveritë e zhvilluara të Azisë, e pranojnë faktin se Kina është tashmë vendi numër një për prodhimin e materialeve në botë.

Ekonomia e saj është shumë herë më e fuqishme se e Japonisë, Indisë, Koresë së Jugut dhe e vendeve të tjera të fuqishme. Ata nuk kanë dëshirë, as nuk janë të gatshëm që të marrin përsipër koston e kësaj sasie të madhe të defiçitit tregtar. Lufta aktuale tregtare midis SHBA-së dhe Kinës, dëmton seriozisht zinxhirin e produkteve të vendeve aziatike, duke rritur kostot e tyre dhe vartësinë e tyre ndaj eksporteve në SHBA.

Së treti, pavarësisht pikëpamjeve negative në kontinentin Aziatik për vendimarrjen e presidentit amerikan George W. Bush rreth politikave në Irak dhe në Afganistan, duhet thënë se bashkëpunimi i administratës së tij me vendet kryesore si Kina, Japonia dhe India ka qënë pozitiv. Administrata e presidentit Barack Obama ribalancoi marëdhëniet me qeveritë e këtyre vendeve nga India në Paqësor, veçanërisht me Korenë e Jugut dhe Japoninë. Ndryshe nga administrata Bush, ajo ishte e aftë të përcaktonte qartë rëndësinë e rajonit të Azisë dhe Paqësorit, por nuk ishte e aftë të ndalonte veprimet dhe ndërtimin e paligjshëm të ishujve artificialë që ndërtuan forcat e armatosura të Kinës në Detin e Kinës Jugore.

Ndërkohë, komanda amerikane e Indo-Pacifikut dhe organizatat e tjera ushtarake amerikane të inteligjencës dhe të sigurisë, kanë vazhduar përpjekjet e tyre për të forcuar rolin e tyre në këtë rajon me rëndësi strategjike, nëpërmjet angazhimit të ndërtimit të bazave të reja ajrore, detare dhe rritjes së asistencës ushtarake me vendet e interesit, me qëllim kundërshtimin e projektimit të fuqisë së Kinës. Qeveria e administratës së presidentit Donald J. Trump ka qënë shumë e fortë ndaj politikave të ndjekura ndaj Kinës.

Së fundi, administrata e presidentit Joe Biden në gjykimin tim ka qënë më aktive në raport me dëmtimin e projektimit të fuqisë ekonomike dhe ushtarake të Kinës në rajon, duke intensifikuar masat kundër saj në të gjitha fushat edhe me të gjitha mënyrat.

Së katërti, SHBA-të kanë qënë të angazhuara për një kohë të gjatë në rajonin e Azisë dhe Paqësorit përmes shkëmbimeve ekonomike, diplomatike, ushtarake, mediave dhe edukimit. Ndërveprimi i një numri të madh të organizatave jo-qeveritare amerikane në këtë rajon, i mundëson asaj prioritet të madh për të rritur influencën amerikane në rajon.

Për më tepër, këtë e kanë rritur edhe politikat amerikane më shumë se 50 vjeçare të emigrimit, duke bërë që pas vitit 1965, miliona shtetas aziatikë të emigrojnë në SHBA duke ndikuar pozitivisht në rritjen e bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve kulturore midis këtyre vendeve. Kjo mori një goditje të përkohshme vetëm gjatë administratës së presidentit Trump, pas ndalimit të politikave të emigrimit, duke e ulur fuqinë e butë amerikane në këtë rajon por ajo u rivendos gjatë administratës së presidentit Joe Biden.

Së pesti, një pjesë e rëndësishme e suksesit të përpjekjeve amerikane për të forcuar marëdhëniet me këto vende, ka lidhje me planifikimin aktiv të emergjencave të shumë qeverive të rajonit të Azisë dhe Paqësorit. Ndërkohë që fuqia e vendeve ndryshon kohë pas kohe, veçanërisht vitet e fundit pas forcimit të madh të Kinës, qeveritë rajonale nga njëra anë vazhdojnë të bashkëpunojnë në mënyrë pragmatike me Kinën, por nga ana tjetër kërkojnë garanci sigurie nga SHBA-të në rast agresioni nga Kina.

Rasti më i freskët aktual është kërcënimi që Kina bën për pushtimin qoftë edhe me anë të përdorimit të forcës kundër Tajvanit. SHBA-të, Japonia, India dhe Australia vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin ushtarak në kuadër të të ashtuquajturit ‘QUAD’, me qëllim shkëmbimin e ideve dhe forcimin e kapaciteteve ushtarake për të kundërshtuar rritjen, fuqizimin dhe kërcënimet e Kinës në këtë rajon me rëndësi strategjike.

Si përfundim, fatmirësisht edhe për shumë vite të tjera SHBA-të dhe fuqia e tyre ushtarake do të jenë të pasfidueshme në rajonin e Indo-Pacifikut dhe bashkëpunimi i saj me qeveritë demokratike me vendet e ASEAN-it do të fuqizohet edhe më shumë në të ardhmen duke zvogëluar në këtë mënyrë ndërhyrjen e Kinës në punët e tyre të brendshme dhe në projektimin e fuqisë në Detin e Kinës Jugore dhe Lindore.

Filed Under: Politike

Kujtesë për zëëmblin dhe të hirshmin e artit skenik shqiptar, Sandër Prosin

March 25, 2024 by s p

Albert Vataj/

Sot 39 vite më parë, u nda nga jeta Sandër Prosi, zëëmbli i skenës, stomatologu që u bë aktor dhe u magjeps me personalitetin dhe karakteret që ai përjetësoi, me mishërimin që ai u dha roleve dhe jetësoren që ai u mëkoi personazheve, për t’i bërë ata të përgjithmonshëm, në kujtesën dhe admirimin që ushqyem për filmin.

Më 25 mars 1985, ndërsa ishte me xhirimet e filmit “Pranverë e hidhur” të autorëve Luan Rama e Muharrem Fejzo, në qytetin e Durrësit, gjeti vdekjen e papritur, Sandër Prosi. Një vdekje enigmë për të cilën është folur me rezervë të madhe, sikur të prekej një e vërtetë që duhej shtyrë në kohë, e për të cilën duhej folur kur të vinte momenti i duhur.

Por siç tregojnë kolegët dhe familjarët e tij, Sandër Prosi ishte i mbyllur në vetvete. Lidhur me këtë djali i tij Aristidhi në një komunikim për mediat mësohet të jetë shprehur se: ”Babai bënte një jetë të rregullt familjare. Ai nuk pinte alkool, ndonëse frekuentonte zakonisht barin e “Vollgës” dhe atë të katit të tretë në Pallatin e Kulturës, që ishin dhe dy nga lokalet ku ai shkonte zakonisht me kolegët e tij artist, (nga miqtë më të afërt kishte Prokop Mimën e Naim Frashërin) dhe pinte rreth shtatë-tetë kafe në ditë, të cilat i shoqëronte me tre paketa cigaresh”.

Gjithsesi vdekja e tij ishte një humbje për familjen dhe një goditje e beftë për artin tonë skenik. Kishte ikur për të mos qenë më pjesë e kësaj vazhdimësie suksesi, për të dhënë më nga përkushtimi me mish e me shpirt, në përmbushjen e egos profesionale dhe justifikimin e besimit që kishin për t’i besuar atij role të mëdha.

Kinematografia shqiptare pa shumësinë e personazheve të Prosit, pa lojën e tij do të kishte mangët një nga gurët e themeltë të mozaikut të saj. Çdo mungim është një sprovë e bashkëjetimit në amshim, përmes veprës dhe kujtimeve. Çdo ikje është një shndërrim, edhe ajo e Sandër Prosit kësisoj ndodhi, ai tashmë është një mbamëndje e përgjithmonshme e teatrit dhe filmit.

Tek ai fjala shqipe ishte më e bukur, më e ëmbël. Personazhet emblematikë të historisë së kombit shqiptar, rivijnë përmes lojës virtuoze dhe trajtimit shpirtëror të Sandër Prosit, me atë shkëlqimin shpërthimtar. Janë pjesë e ëndjes dhe nostalgjisë, për të ngritur peshë vetëdijen tonë, për të rrokur më fuqishëm të drejtën tonë të krenarisë nacionale!

Dhaskal Todri dhe Ismail Qemali qi ai “ringjalli” s’mund të përsëriten më. Por ne jemi të pasur pasi Sandër Prosi na i ka skalitur në dublat e fimave këto figura, dhe ne kemi pse të mburremi, pse të jemi krenar. Gjithëpoaq të gjitha rolet e Prosit janë ajo gravura e qëndisur me fije shpirti, është ajo panorama magjepsëse që përplotëson dëshirimin për t’u përfshirë dhe përjetuar, pasazh pas pasazhi, episod pas episodi, fuqishëm dhe emocionalisht. Po, ajo që ai la në celuloid dhe memuar ishin dhe do të mbeten një qiell llamburitës me yje, kur ne harroheme në admirim dhe kujtime.

*** Sandër Prosi u lind në 6 janar të vitit 1920 në Shkodër, ku nëna e tij, Aspasia, kishte shkuar për të qëndruar për pak kohë në familjen e saj. Sandri ishte fëmija i fundit i Jovan Prosit, nga tre djem dhe tre vajza që kishte ajo familje e vjetër tiranase me origjinë vllehe dhe kur lindi Sandri, familja e tij banonte në një shtëpi të vjetër në rrugën e “Barrikadave”.

Pas mbarimit të gjimnazit në vitin 1938, Sandri mundi të përfitojë një bursë nga qeveria e Zogut, për të studiuar për stomatologji në një nga universitetet e Vjenës. Në kryeqytetin austriak, ai studio për dy vite, dhe më pas atij i’u ndërpre bursa pas pushtimit italian të Shqipërisë.

Si pasojë e kësaj ai u detyrua që të kthehej në Tiranë, ku herë pas here ndihmonte të vëllanë, Kleanthin në klinikën dentare. Më pas ai shkoi në Bari të Italisë, ku disa nga miqtë e tij anti-fashistë që ishin të internuar aty, i thanë që të mos rikthehej në Tiranë, pasi aty kishte shpërthyer lufta.

Në vitet 1942-43, maturantët e gjimnazit shtetëror të Tiranës, ku midis të cilëve ishte dhe aktori Naim Frashëri, vunë në skenë dramën “Vilhelm Tel”. Për këtë ata kërkuan ndihmën e shokëve të tyre më të rritur, Sandër Prosit dhe Prokop Mimës, të cilët kishin jo më shumë se 3-4 vite që ishin larguar nga shkolla.

Është viti 1947 kohë kur Sandër Prosi do të hidhet në sfidën e aktrimit duke u bërë pjesë e konkursit në Teatrit Popullor, për ta fituar atë. Prej këndej nisi rrugëtimi i tij i gjatë në promovimin e vlerave të tij interpretuese, në aftësinë për të depërtuar thellë në personalitetin dhe konstruktin sentimental të personazheve, të cilët i jetësoi me kaq vërtetësi sa të ngjan sikur ishte vetë që luante historitë e tij. Nuk do të kishte të reshtur ngjitja në skenat e teatrit e futja në sheshgjirimet e filmave për të shënuar kështu 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si A.Z. Çajupi, K. Jakova, B. Lëvonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj.

“Ishte i madh edhe në rolet e vogla, mbamendet të jetë shprehur në një përvjetor të ndarjes me të, regjisori Viktor Gjika, pasi për të nuk kishte role të mëdha e të vogla, ai punonte që t’i bënte të mëdha edhe rolet e vogla dhe ja arrinte”. Kritiku Josif Papagjoni mësohet të ketë thënë për Prosin se: “Çdo fjalë e thënë për të nuk është shumë, dhe të gjitha fjalët nuk mjaftojnë për të”. Por ajo çka është e sigurtë, çdo fjalë e thënë është një penel më shumë për të ravijëzuar portretin e tij, Sandër Prosit, kontit të hijshëm të skenës dhe ekranit shqiptar.

Për Pirro Manin, Sandër Prosi ishte ndryshe, askush nuk mund të harrojë që qeshurën e tij të bukur, aq sa edhe fisnike.

Ai e dorëzoi frymën e tij të fundit atëherë kur ende mund të mbushte me emocion përmes lojës virtuoze dhe shpirtit të pasur, të cilin i’a mishëroi të gjithë roleve që e kthyen këtë personalitet në një gurthemel të qenësishëm të teatrit dhe kinematografisë shqiptare.

Për kontributin e tij të madh në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me çmime të Republikës dhe urdhra e medalje të tjera.

Në 25-vjetorin e vdekjes së tij, aktori i madh Sandër Prosi, u dekorua nga Presidenti i Republikës, me Urdhrin “Nderi i Kombit”, ndërsa në 24 shkurt të vitit 2017, ai u nderua me urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, pas vdekjes

është shëmbëllim i të bukurës, i të fismes, atërores në kujtesën historike të aktrimit dhe memuarin e atyre që jetuan emocionalisht me personazhet që skaliti me pasion e përkushtim. Në përjetësi udhëtoftë ky shpirt i pasur, ky njeri madh, kjo ndërmendje e përgjithmonshme e së bukurës.

Filed Under: Kulture

KUJTOJMË PREKË CALIN E MALËSISË SË MADHE

March 25, 2024 by s p

Pushkatuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, 25 Mars, 1945

Nga Frank Shkreli

Prekë Pjetër Cali – Piramida e kufirit shqiptar

“O ti kangtari i kangve kreshnike,

Merre lahuten tashti njiherë

Na i thuej trimnitë e doket fisnike

Na i kujto të parët se e kishin për nder:

Deken m’e ba sikurë me le

Të huajve nën thunder mos me iu nënshtrue” –

(Ndoc Vulaj, Lufta e Kelmendit, botuar në 1999 nga Shtëpia Botuese, “Gjergj Fishta”)

Në këtë ditë të 25 marsit kujtohet Kreshniku trim i Malësisë së Madhe, nderohet dhe përkujtohet Heroi trupmadh, me një forcë të jashtzakonshme atdhetare dhe morale, kreshniku i maleve tona, burrin e shquar për trimëri, për vepra heroike dhe fisnikëri – Prekë Calin – ‘Nderi i Kombit’. Prekë Calin, të parin e Kelmendit, i cili bashkë me malsorët gjatë gjithë jetës së vet luftoi në mbrojtje të Atdheut. Fillimisht, kundër perandorisë osmane, pastaj kundërshtoi zgjerimin djallëzor territorial të Malit të Zi, në kurriz të trojeve shqiptare, ndërsa ka mbrojtur në përgjithësi integritetin territorial të Shqipërisë në takimet me komisione evropiane. Dhe, në fund të jetës së tij, ka kundërshtuar me vendosmëri instalimin e komunizmit sllavo-aziatik të Enver Hoxhës në Shqipëri – përpjekjet për të cilën edhe është pushkatuar në këtë ditë, 79-vite më parë.

Kujtojmë Prekë Calin, bashkëpunëtor i qeverisë së Fan Nolit, Prekë Calin e internuar në Gjirokastër nga Ahmet Zogu si kundërshtar i tij dhe Prekë Calin e pushkatuar nga regjimi barbar komunist Hoxha-Shehu.

Përkujtojmë Prekë Calin, të cilit as varri nuk i dihet. “Vërtetë, jam malësor pa shkollë, por jam SHQIPTAR”, citohet të ketë deklaruar Preka në gjyqin komunist në Shkodër, që e dënoi atë me vdekje me 25 mars, 1945, krah për krah, me Dom Ndre Zadejën dhe 14 anti-komunistë të tjerë malësorë, pasi i torturuan dhe i munduan deri në vdekje.

Ky është Prekë Cali “Prijsi i Popullit”, “Piramida e kufirit shqiptar”, “Kreshniku i Vermoshit” dhe i krejt Malcisë së Madhe dhe mbarë Shqipërisë. “Vërtetë, jam malësor pa shkollë, por jam SHQIPTAR”, citohet të ketë deklaruar Preka në gjyqin komunist në Shkodër, që e dënoi atë me vdekje me 25 mars, 1945, krah për krah, me Dom Ndre Zadejën dhe 14 anti-komunistë të tjerë malësorë, pasi i torturuan dhe i munduan deri në vdekje. Dom Ndre Zadeja, meshtar, poet e atdhetar i flakët, martir i parë i Kishës Katolike shqiptare gjatë persekutimeve barbare të periudhës komuniste.

Sot, përkujtojmë Prekë Calin, Malësorin dhe Shqiptarin e madh, i cili për vite me rradhë luftoi dhe kundërshtoi synimet e armiqve të Kombit shqiptar si edhe vendimet e padrejta të kancelarive të Evropës, në dëm të Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare.

Përkujtojmë Prekë Calin, mbrojtësin e kufijve të vendit dhe të tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe trojeve shqiptare nga kthetrat e synimeve grabitqare të shovinistëve sllavë.

Përkujtojmë Prekë Calin e Selcës së Kelmendit, bartësin e traditave dhe virtyteve më të shenjta të malësorit e të shqiptarit: të atdhedashurisë, nderit e burrënisë, të mik-pritjes e bujarisë, gjithmonë sy-patrembur ndaj armikut.

Përkujtojmë Prekë Calin, i cili gjithë jetën ia kushtoi, jo vetëm, mbrojtjes së integritetit tokësor të Shqipërisë, por edhe lirisë e demokracisë, dhe i cili sakrifikoi edhe jetën duke kundërshtuar vendosjen e komunizmit ndërkombëtar në Shqipëri.

Harresa e vrasjeve të patriotëve shqiptarë si Prekë Cali nga regjimi komunist enverist dhe anashkalimi i tyre zyrtar nga historiografia shqiptare duhet të shqetësojë ndërgjegjen e çdo shqiptari.

Në vend të harresës do duhej të përkujtojmë Prekë Calin, atdhetarin dhe anti-komunistin, i cili para se të pushkatohej nga regjimi i Enver Hoxhës, pyetjes së Mehmet Shehut se pse nuk bëhej me komunistët shqiptarë, se ashtu do ta mbyllte historinë e tij me shkronja ari — Prekë Cali është përgjigjur: “Zotëni, faji bie mbi ju, se ju u bëtë aleatë me anmikun tonë shekullor, Serbinë”.

Prandaj, sot le të përkujtojmë Prekë Calin e Malësisë së madhe, për bindjen e tij se komunizmi ishte gjëja më e keqe që po i kërcënohej Shqipërisë dhe i cili me burrat me të njohur të Kelmendit dhe të Malësisë së Madhe i bëri një qëndresë të fortë këtij sistemi sllavo-aziatik – i huaj për shqiptarët për nga historia dhe identiteti — sllavo-aziatik me prejardhje, kriminal në shpirt për nga natyra e morali, një regjim që iu imponua shqiptarëve nga armiqtë më të përbetuar të Kombit.

Përkujtojmë Prekë Calin, i cili para se t’i rrëxohej trupi i tij vigan nga plumbat e mitralozit të komunistëve të Enver Hoxhës, bërtiti me zërin e fuqishëm të malësorit: “Rrnoft Shqipënia, Rrnoft populli shqiptar. Herët ose vonë, Shqipënia do të fitojë”.

Përkujtojmë pra, Prekë Calin – edhe si simbol i gjakut të derdhur në shenjë nderimi e respekti edhe për bashkëluftëtarët e tij, disa prej të cilëve u pushkatuan gjithashtu në të njëjtën ditë me të, si edhe për mijëra martirë të tjerë nacionalistë anti-komunistë, anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan, të burgosur e të internuar për pothuaj një gjysëm shekulli komunizëm.

Prandaj edhe njëherë le të shënojmë kujtimin e këtij burri të madh duke shpresuar që, më në fund, të peshohet mirë dhe me të drejtë e Vërteta Historike e cila është aty për t’u zbuluar dhe, vetëm asaj t’i jepet arsyeja. Ashtuqë, heronjve si Prekë Cali, përfundimisht, t’u kthehet lavdia, nderi dhe vendi që u takon në historinë e Kombit shqiptar të gjithë patriotëve të vërtetë si Prek Cali.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Prekë Calit. Nder e lavdi, veprës dhe qëndresës së tij anti-sllave dhe anti-komuniste, në shekuj!

Frank Shkreli

Vasel Shkreli, shqiptaro-amerikani me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe me këngën kushtuar Trimit të Kelmendit, Prekë Cali.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT