• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2024

GJEOPOLITIKA 

March 23, 2024 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/

Fundi i Luftës së Ftohtë, zhvillimi teknologjik, çrregullimet e mëdha demografike dhe ekonomike si dhe shtimi i numrit të aktorëve që veprojnë në skenën ndërkombëtare ka ndryshuar thellësisht sistemin e mëparshëm botëror. Globalizmi dhe ndërvartësia e shumë sektorëve, financiarë teknologjikë e informativë dhe shfaqja e qendrave të forta të fuqive transnacionale, jo të kontrollueshme nga shtetet, detyrojnë marrjen e vendimeve qofshin edhe të brendshme. Kështu bëhet e domosdoshme që çdo subjekt të mendojë për vetveten në raport me botën, të ndikojë në ndryshimet e saj dhe të përcaktojë interesat dhe rolet e veta ndërkombëtare, natyrisht në atë masë që e lejon fuqia që ka. 

Gjeopolitika është e domosdoshme për analizën e kapaciteteve të një shteti dhe të interesave të tij kombëtare. Me fjalë të tjera ajo shërben për studimin e teorive e të hipotezave funksionale, qoftë për analizat e politikës së jashtme, qoftë për vlerësimin e për përcaktimin e interesave dhe të politikave të brendshme, duke vlerësuar prej tyre pasojat që mund të rrjedhin nga konfliktet e interesave të përhershëm apo të rastit, me aktorët e tjerë që veprojnë në të njëjtën hapësirë gjeopolitike. 

Gjeopolitika duhet të nxjerrë në pah: Paraqitjet gjeografike të rëndësishme, sepse ato kanë ndikime të mëdha në interesat kombëtare; Hapësirën që i përket çdo populli dhe që i ka rrënjët në historinë, kulturën dhe vlerat e vetë popullit;  Skenarët gjeopolitikë specifikë apo të përgjithshëm, me qëllim që të përcaktohen prirjet dhe lëvizjet që mundet të ndodhin, e kjo bëhet në të mirë të zhvillimit natyror të faktorëve në veprim; Opsionet politike alternative mbi ndryshimet duke qenë edhe në harmoni me interesat dhe me vlerat.

Në thelb gjeopolitika shërben, të mendosh për vetveten në raport me botën. Ajo nuk ka të bëjë me planifikimin racional të hapësirës për qëllime politiko-ushtarake apo politiko-ekonomike, por me një vlerësim global të lidhjeve hapësinore për qëllime parashikuese, edhe pse në praktikë më shumë sesa për qëllime të tilla ajo është përdorur për të bërë të pranueshme objektivat dhe zgjidhjet politike të caktuara. Dobishmëria e gjeopolitikës është rritur pas Luftës së Ftoftë, kur është rihapur lufta për sundimin e hapësirës dhe për krijimin e zonave të influencës, sepse ndarja e punës në kuadër botëror ka mbetur e diskutueshme dhe sepse janë duke dalë në sipërfaqe nga njëra anë veçoritë dhe rivaliteti midis kombeve dhe nga ana tjetër rivalitetet fetare transnacionale, financiare e informative, të cilat janë bërë faktorë me rëndësi të madhe në skenën ndërkombëtare dhe kanë sjellë globalizmin ndërhapsinor.

Henry Alfred Kissinger ish diplomat, shkencëtar politik, konsulent gjeopolitik dhe politikan amerikan që shërbeu si Sekretar i Shtetit dhe Këshilltar për Sigurinë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara midis viteve 1969 dhe 1977 e shef boten e sotme së paku në katër sisteme ndërkombëtare pranë njëri-tjetrit. 

Shtetet e Bashkuara e gjejnë vetën në një botë për të cilën pak është bërë për ta përgatitur gjatë eksperiencës së tyre historike. Të siguruara midis dy oqeaneve të mëdhenj, ato e kanë refuzuar konceptin e ekuilibrit të fuqisë, të bindura se do të ishin në gjendje që të qëndronin asnjanës nga konfliktet e kombeve të tjera, ose do të sillnin paqen universale, duke insistuar në zbatimin e vlerave të tyre të demokracisë dhe vetëvendosmërisë. 

1. Në marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës Perëndimore dhe brenda Hemisferës Perëndimore, idealet historike të Amerikës kanë gjetur zbatim në një masë të konsiderueshme. Këtu versioni idealist i paqes, i bazuar në demokraci dhe progresin ekonomik, demonstron lidhjen e tij. Shtetet janë demokratike, ekonomitë orientohen nga tregu, luftërat janë të paimagjinueshme me përjashtim të periferisë, ku ato mund të nxiten nga konfliktet etnike. Grindjet nuk zgjidhen me ane të luftës ose të kërcënimit për luftë. Përgatitjet ushtarake janë një përgjigje ndaj kërcënimeve që vijnë nga jashtë zonës, kombet e rajonit të Atlantikut ose të Hemisferës Perëndimore nuk synojnë të kërcënojnë njëri-tjetrin. Sulmi i Rusisë mbi Ukrainën dhe veprimet e Serbisë në Kosovë e kanë lëkundur këtë përcaktim të Kissinger.

2. Fuqitë e mëdha të Azisë e trajtojnë njëra tjetrën si rivale strategjike. India, Kina, ]aponia, Rusia,  me Korenë dhe me shtetet e Azisë ]uglindore që nuk kanë mbetur shumë prapa, konsiderojnë se disa nga shtetet e tjera dhe sigurisht, një kombinim i tyre, janë me të vërtetë në gjendje të kërcënojnë sigurinë e tyre kombëtare. Luftërat ndërmjet këtyre fuqive nuk janë të afërta, por nuk janë edhe të pabesueshme. Shpenzimet ushtarake aziatike po rriten dhe ato janë planifikuar kryesisht si mbrojtje nga kombet e tjera aziatike (megjithëse disa nga përpjekjet ushtarake të Kinës përfshijnë, gjithashtu, mundësinë e një lufte me Shtetet e Bashkuara për Tajvanin). Ashtu si në Evropën e shekullit të nëntëmbëdhjetë, një periudhe e gjatë paqeje është e mundshme, madje edhe që mund të shpresohet, por një ekuilibër i forcës duhet medoemos të luajë një rol kryesor në ruajtjen e saj. Ky ekujlibër sot po prishet.

3. Konfliktet e Lindjes së Mesme janë shumë të ngjashëm me ata të Evropës së shekullit të shtatëmbëdhjetë. Rrënjët e tyre nuk janë ekonomike, ashtu si në rajonin e Atlantikut dhe në Hemisferën Perëndimore, ose strategjike si në Azi, por janë ideologjike dhe fetare. Parimet e diplomacisë së paqes së Vestfalisë nuk zbatohen. Kompromisi është i pakuptueshëm. Prandaj, në mënyrë paradoksale përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare për zgjidhjen e konflikteve të tilla kanë potencialin e madh për të sjelle rezultate të padëshiruara.

4. Kontinenti për të cilin nuk ka rast të ngjashëm në historinë e Evropës është Afrika. Megjithëse dyzet e gjashtë kombet e saj e quajnë veten demokraci, ata nuk i zhvillojnë politikat e tyre mbi bazën e një parimi ideologjik të unifikuar. Politikat afrikane nuk dominohen as nga koncepti i përfshirjes së ekuilibrit të fuqisë. Kontinenti është shume i madh, kapacitetet janë shumë të pakta për të qenë në gjendje të flitet për një ekuilibër afrikan të fuqisë. Dhe me mbarimin e Luftës se Ftohtë, rivaliteti i fuqive të mëdha për Afrikën ka rënë, gjithashtu, në një masë të konsiderueshme. Përveç  kësaj, trashëgimënia e sundimit kolonial në Afrikë e ka pajisur atë me një potencial shpërthyes, konflikt etnik, mungesë zhvillimi të konsiderueshme, dhe i ka përkeqësuar shumë problemet shëndetësore. Kufijtë e përcaktuar për të lehtësuar sundimin kolonial i ndanë fiset dhe grupet etnike në fe dhe fise te ndryshme në nënndarje administrative, që më vonë u shfaqen si shtete të pavarura. Kështu, Afrika ka prodhuar luftëra civile barbare që u përhapen në konflikte ndërkombëtare si dhe epidemike që copëtojnë ndërgjegjen njerëzore. Në këtë kontinent ka një sfidë për demokracitë për të kompensuar për historitë e tyre duke gjetur një rrugë për ta ndihmuar Afrikën që të marrë pjesë në zhvillimin global. Dhe komuniteti botëror ka një detyrim për të përmbushur, ose, së paku, për të ndërmjetësuar në konfliktet politike dhe etnike.

Pikërisht gama dhe shumëllojshmëria e sistemeve ndërkombëtare e ka bërë disi të parëndësishëm një pjesë të madhe të debatit tradicional amerikan mbi natyrën e politikës ndërkombëtare. Nëse janë vlerat ose fuqia, ideologjia ose arsyet shtetërore që janë përcaktuesit kryesore të politikës së jashtme, në fakt, varet nga faza historike në të cilën ndodhet sistemi ndërkombëtar. Sepse për politiken e jashtme amerikane, gjithnjë në kërkim të magjisë, formulës që i shërben të gjitha qëllimeve, nevoja që del si përfundim për një mprehtësi ideologjike dhe strategji afatgjatë paraqet një sfidë të veçantë që nuk është zgjidhur akoma. 

Shtetet janë subjektet kryesore të lidhjeve ndërkombëtare. Ato janë në gjendje të mobilizojnë rezervat e nevojshme të interesave e të politikave. Ata njëkohësisht janë edhe vendet kryesore mbi të cilët bien fajet, por janë edhe vendet e ekuilibrit midis lirisë e solidaritetit. Ndërvartësia, e cila është në rritje, bën që të ekzistojnë rregulla loje ndërkombëtare që shteti nuk mund t’i injorojë. Asnjë shtet nuk mund të mbyllet më në vetvete duke ndjekur një politikë  mëvehtësie, përndryshe do të izolohej nga tregu botëror dhe shpejt do të kapitullonte siç ndodhi me Shqipërinë. Fuqia dhe pasuria e një shteti varen nga pjesëmarrja e tij në sistemin ndërkombëtar dhe nga aftësia e tij për të shfrytëzuar mundësitë që ka ky sistem në të mirë të tij. Dallimi midis “brenda” dhe “jashtë” është zvogëluar ose të paktën ka ndryshuar rrënjësisht në krahasim me të kaluarën. 

Demokracia është demokraci vetëm kur është në gjendje të sigurojë, natyrisht nëpërmjet metodës demokratike, përcaktimin dhe përparësinë e interesave të përgjithshme mbi ato të veçanta. Interesi i përgjithshëm nacional nuk është diçka objektive as diçka e përcaktuar që të rrjedhë nga parametra dhe vlera jashtë politike. Sa më i madh të jetë largimi nga debati publik i interesave kombëtare, aq më shumë interesat do të përcaktohen në mënyrë të detyrueshme dhe antidemokratike. Nga ana tjetër, kërkimi i unanimitetit me çdo kusht do të çonte në mosveprim. Por kjo nuk do të thotë që në politíkën e jashtme dhe për vendimet themelore të politikës së brendshme të mos kërkohet një konsensus sa më i gjerë. Ekzìstojnë interesa të përbashkëta themelore, si ai i sovranitetit dhe i integritetit territorial, ai i zhvillimít ekonomik dhe i ruajtjes së jetës së qytetarëve dhe “imazhit” të vendit etj. Këto interesa do të duhet t’u takojnë të gjithë qytetarëve e të gjitha forcave politike. Të tilla interesa jetësore janë në një farë kuptimi mbi politikën. Interesat kombëtare nuk kanë të bëjnë vetëm me aspekte të llogaritshme siç janë pasuria dhe pushteti apo begatia dhe siguria, por edhe imazhi i jashtëm i vlerave të kulturës së çdo populli. Interesat janë të lidhura edhe me konceptin se si shfrytëzohet sistemi ndërkombëtar, me qëllim që t’u përgjigjet sa më mirë interesave e parimeve të çdo shteti.

Faktorët kryesorë gjeopolitikë të përhershëm e të qëndrueshëm në kohe janë: hapësira, pozicioni, largësia, natyra kontinentale apo ishullore, kultura, burimet natyrore dhe klima.

Kultura e çdo populli, që është pjesë e përvojës së historisë së tij, e vlerave, e miteve dhe e fesë së tij, është thelbësore. Ajo ndikon në mendimet e në përfytyrimet gjeopolitike. Hapësira, pozicioni, largësia dhe natyra kontinentale e detare konsideroheshin faktorët përcaktues të gjeopolitikës në fillim të shekullit XX. Pozicioni dhe zotërimi i rrugëve të mira të komunikacionit natyror kushtëzojnë ende sot mundësitë e komunikimit me jashtë, sepse transporti i mallrave bëhet para së gjithash me anije, me trena dhe me mjete të zakonshme. Mungesa e daljes në det të hapur e bën një shtet të prekshëm nga trysnitë e ushtruara nga shtetet kufitare, ose nga shtetet që kontrollojnë ngushticat që lidhen me oqeanet. Nga kjo del se edhe në të ardhmen nuk do të zvogëlohet prirja e shteteve kontinentalë për t’u hapur drejt deteve dhe oqeaneve. Klima kushtëzon mentalitetin dhe zakonet e popujve. Kohët e fundit është rivlerësuar rëndësia gjeopolitike e klimës. Dimri rus ka bashkekzistuar me historinë dhe fatin e Rusisë, gjë që nuk ka ndodhur me dimrin gjerman, suedez apo amerikan. Burimet natyrore (mbi të gjitha burìmet ushqimore e ujore) përbëjnë një faktor relativisht më të qëndrueshëm. Qëndrueshmëria e tyre është e tillë edhe pse hierarkia e tyre në faktorët gjeopolitikë është transformuar vazhdimisht si rrjedhojë e zhvìllimit teknologjik dhe e ndryshimeve të bëra në ekonominë bashkëkohore. Për gjeopolitíkën janë veçanërisht të rëndësishme disa burime natyrore, për shembull, burimet ujore, energjetike dhe mineralet strategjike.

Faktorët kryesorë gjeopolitikë të ndryshueshëm janë: popullsia, ekonomia, teknologjia, institucionet politike të brendshme e ndërkombëtare (midis të cilave aleancat strukturore organike si NATO-ja,) sistemet e transportit të komunikimit e të informacionit.

Një nga ndryshimet kryesore në krahasim me të kaluarën është shpejtësia e ndryshimeve demografike. Shtimi i popullsisë më parë ishte i shpejtë. Zvogëlimi shkaktohej nga katastrofat, sëmundjet, luftërat, të cilat hera-herës ishin përcaktuese. Sot rritja demografike ndodh në periudhën kohore mesatare me tendenca drejt nënmesatares. Ekziston një mungesë ekuilibri midis rritjes së moshës mesatare të vendeve të industrializuara dhe uljes së moshës mesatare të vendeve të Botës së Tretë. Këto çrregullime demografike kanë efekte shkatërruese për stabilitetin dhe ekuilibrat strategjikë e politikë. Veçanërisht këtë ndryshim demografike po e prishë emigracioni, plaga më e rënd e shekullit XXI. Trysnitë e ushtruara nga masat e Botës së Tretë mbi botën e industrializuar me anë të emigracionit dhe të kërkesave për ndihmë ushqimore mund të sjellin rrezikun e përfshirjes së Perëndimit në konfliktet ndërshtetërore ose civile të Botës së Tretë. Çrregullimeve demografike midis Jugut e Veriut i shtohet edhe një ndryshim i madh, ai i kostos së fuqisë punëtore. Kjo e bën më të paqëndrueshme ndarjen ndërkombëtare të punës. Në botën e sotme të informacionit e të njohjes nuk vlerësohet aq sasia e përgjithshme e fuqisë punëtore, sesa niveli i saj cilësor. Kjo ndodh për faktin se ndërmarrjet e mëdha në ekonominë botërore nuk janë të detyruara të veprojnë vetëm brenda kufirit shtetëror, përkundrazi ato janë të lira t’i çojnë veprimtaritë e tyre në ato zona ku ekziston fuqia punëtore më e specializuar dhe me kosto sa më të ulët. 

Në këtë fillim shekulli të trazuar, sfida më e madhe për kombin Shqipëtarë është bashkëpunimi dhe integrimi i gjithanshëm ekonomik, kulturor, shkencor, financiar, në fushat prioritare energjetike arsimore lëvizjes së lirë, tregut të lirë e të hapur të përbashkët etj, mbi bazën e marrëdhënieve midis dy shteteve shqiptare, sovrane, të barabartë e në dobi të të gjithë shqiptarëve kudo në rajon, në frymën e parimeve ndërkombëtare e europiane dhe të prosperitetit kombëtar të shqiptarëve në Ballkan, drejt të njëjtit objektiv të integrimit në strukturat euroatlantike. 

New York Mars 2024

Filed Under: Rajon

Pyetja e pafajshme dhe shkelja e kufijve të zemrës së kryeministrit

March 23, 2024 by s p

Satirë nga Rafael Floqi/

Një incident i papritur shfaqi dritën e diellit në Tiranë kur kryeministri Edi Rama u përfshi në një mosmarrëveshje jo të dëshiruar me gazetaren Ambrozia Meta. Pamjet e kryeministrit që e shtynte përballë pyetjeve të gazetares së Syri TV-së shkaktuan një tronditje në arenën politike shqiptare. Ndërkohë, mediat e huaja, të njohura për perspektivën e saj të zbehtë ndaj ngjarjeve, nuk e përjashtuan veten nga tregimi i rrethuar me tension.

Oh, çuditërisht, çdoherë që kryeministri Rama përballet me gazetarë, duket sikur është si një lehtësi për të. Duke prekur fytyrën e një gazetareje, ai pothuajse bëhet një piktor i pashmangshëm i portreteve të padëshiruara. Është një art i vërtetë të tejkalosh kufijtë e etikës në marrëdhënien me median.

Duhet të pranojmë se kryeministri Rama është një kampion i mirësjelljes, gjithmonë gati për të shprehur “përshëndetje miqësore” me dorën e tij drejt fytyrës së një gazetareje. Nuk ka mënyrë më të mirë për të shprehur dashurinë për shtypin sesa me një përqafim spontan në formën e një prekjeje të papritur.

Nuk është se Rama kërkon ndjesë për këtë “përshëndetje miqësore”, sepse pse duhet, apo jo? Tani, çfarë do të ishte një prekje fizike ndaj një gazetareje krahasuar me një thikë ndaj dashamirësisë? Ndoshta ka nevojë për një manual të ndryshëm të sjelljes për ta kuptuar këtë.

Dhe e gjithë kjo kohë, gazetarja thjesht po bënte punën e saj, duke i drejtuar pyetje që, sipas kryeministrit, janë formuluar “diku tjetër”. Tani e kuptoj pse kryeministri Rama është kaq i shqetësuar. Nuk është thjesht një pyetje e rëndësishme, është pyetje e formuluar në vend të gabuar!

Në artikujt e freskët, te mediave evropiane përpiqen të zbulojnë shkaqet e zemërimin e kryeministrit shqiptar. Dhe ajo nuk është thjesht një pyetje e zakonshme, por një krizë e vërtetë për zemrën e Ramës, me fakte dhe statistika. “Pse Rama e shtyu gazetaren?” është pyetja që po ndez flakët e diskutimit në këndin politik.

Në një përpjekje për të sqaruar ngjarjen, hedh dritë mbi projektet investive në ishullin e Sazanit. Nga ambiciet e Jared Kushner deri te vizionet për të ardhmen e turizmit shqiptar, çdo segment duket të jetë pjesë e një ansambli më të madh që po ndryshon pamjen e bregdetit shqiptar. Por a është ky investimi i mjaftueshëm për të zbehur tensionin e krijuar nga pamjet e Rama dhe Meta?

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me një dozë të qartë sarkazmi në lidhje me incidentin me gazetaren e Syri Tv, duke e cilësuar si një manipulim të qartë të situatës. Duke mos pranuar të kërkojë falje për veprimin e tij, ai bën të qartë se është i bindur se nuk ka patur asnjë faj në gjestin e tij “miqësor”.

Në deklaratën e tij, Rama pohon se manipulimi i situatës është një nga më të neveritshmet që ka parë ndonjëherë, duke e akuzuar gazetaren për të pasur një qasje të gabuar dhe manipulative. Ai gjithashtu shpreh qartë se nuk do të pranojë të ndjekë linjën e kërkesës së faljes, duke e cilësuar veprimin e tij si të drejtë dhe miqësor.

Me një ton të mprehtë, Rama shprehet se nuk ka pasur ndjenjë për të kërkuar falje, duke e vendosur përgjegjësinë për ngjarjen tek gazetarja, e cila sipas tij, ka manipuluar qëllimisht situatën. Kjo deklaratë e tij flet për një përçartje të qartë midis perceptimit të tij për ngjarjen dhe atij që po përpiqet të përhapet.

Ndërsa gazetarët kapen nga detajet e projekteve në zhvillim, një pyetje duket të mbetet e pashpjegueshme: “Çfarë e zemëroi realisht kryeministrin shqiptar?” Në një kohë kur politika e jashtme ka vend për të ngjallur emocione të forta, kjo ngjarje e rëndë shfaq nevojën për një analizë të thellë.

Ndërsa politika e investimeve po hap horizonte të reja për turizmin shqiptar, Incidenti me Ambrozia Metën nuk duhet të harrohet lehtë. Mediat nxitin diskutimin, duke hedhur dritë në detaje që mund të ndryshojnë narrativën. Ndërkohë, përpara se të arrijmë te destinacioni i ëndrrave të turizmit shqiptar, duhet të kapim kufijtë e zemrës së kryeministrit dhe të shikojmë nëse ka një zemër të hapur për pyetje, apo vetëm për investime të huaja.

Po pse Rama e shtyu gazetaren?

Pasi ajo donte t’i jepte “një dorë” para se t’i bënte atij një pyetje. 

Filed Under: Kronike

NJË RRËFIM I GUXIMSHËM I INDOKTRINIMIT SHKOLLOR DHE NJË RADIOGRAFI PA KOMPLEKSE E FILLIMEVE TË TRANZICIONIT

March 23, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

Bota shqiptare duket veçanërisht e çuditshme kur shikon se si fati i njerëzve gjatë diktaturës së proletariatit flakej në labirinthin e Minotaurit pa shpatën dhe pa fillin e Arianës. Këtë herë në vendin e Tezeut është një vajzë e vogël, jo aq e zakonshme, që fillin e orientimit në labirinth ia ka prerë një gërshërë e mprehtë biografike, si stërmbesë e një ish-kryeministri shqiptar të para një shekulli. Nga ana tjetër ka një armë moderne që zëvendëson shpatën e lashtë – rritet në një familje ku gjyshja flet frëngjishten dhe greqishten me po atë siguri dhe elegancë si shqipen, ish-vajza e vetme në liceun francez të Selanikut, gruaja e parë që punoi në administratën e shtetit shqiptar. Më tepër se kthesa e madhe politike e fillimit të viteve ’90, në lulen e rinisë mbesa e kësaj gjysheje përjeton një trandje të pabesueshme prej rebelimit të vitit 1997 që për pak sa nuk u shndërrua në një luftë civile e cila do ta flakte Shqipërinë në humnerë. Gjithkush ka diçka për të treguar nga jeta e vet, por kalimi nga mjedisi familjar i persekutimit në sistemin socialist te fitimtarët pas ndryshimeve demokratike, pastaj humbja e shpresës për shkak të atyre muajve trazirash, me siguri u kthye në një shtysë të papërballueshme që e bëri Lea Ypin të rrëfehej.
Ngritja e siparit ndodh në kapërcyellin e ndryshimeve politike në Shqipëri: rrëzimi i shtatores së Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej.” Simbolikisht, vajza e trembur nga lehja shurdhuese e qenve të policisë shkon e kërkon shpëtim te monumenti i Stalinit duke përqafuar këpucët e tij prej bronzi. Është Stalini për të cilin mësuese Nora kishte bërë aq shumë që ta lartonte në sytë e nxënësve si pjesë e misionit indoktrinues të shkollës dhe si aneks i propogandës së regjimit komunist. Armatës së komisarëve të dritës do t’i shtohet edhe edukatore Flora dhe profesor Hakiu që nuk mund të lëvizin në skenë pa kaluar nëpër një tis satire dhe grotesku. Hapja e perdes ka edhe dëshminë e parë që vjen si pasojë e zgjedhjes së autores për të ardhmen e saj – vazhdimi i studimeve të larta për filozofi, zgjedhje e cila, siç duket, rezultoi jo vetëm e suksesshme, por e vendosi në plejadën e mendimtarëve më të mëdhenj të botës. Gjithsesi, Lea Ypi brenda retrospektivës që zbret deri te ngjyrat e kordeleve të klasës së parë, ka ruajtur një linjë kronologjike të zbulimit të asaj që i ka ndodhur familjes dhe i është fshehur asaj nga prindërit ose është maskuar prej tyre nëpërmjet zhargonit të bisedave siç është kryerja e studimeve të larta në B, M dhe S. Prindër me kulturë të lartë nuk mund të lejojnë që një fëmijë i shkollës 8-vjeçare të përfshihet në viktimat e luftës së klasave, as nuk mund ta tërheqin në rrjetën e terminologjisë që prodhon ajo. Po edhe një fëmijë i zakonshëm zbulon dhe ndien në shkollë atë që nuk e gjen në familje: mësuese Nora ka prekur dorën e xhaxhit Enver, prandaj protestuesit dhe ata që hyjnë në ambasada i klasifikon si huliganë. Shokët e klasës kanë gjyshër që kanë qenë partizanë dhe vijnë në shkollë për të treguar heroizmat, kurse Leas i mungon një i tillë; shokët e klasës kanë në bufetë e dhomave të ndenjes buste ose portrete të xhaxhit Enver, kurse në shtëpinë e Leas vendosja e tyre shtyhet për në kalendat greke. Dikush hidhet nga dritarja për vetëvrasje duke thirrur “Allahu-akbar” në vend të thirrjes “Rroftë Partia!” Në antitezë me këtë vetësakrifikim të dëshpëruar vjen atmosfera e vdekjes së Enver Hoxhës, udhëheqësit të lavdishëm të kështjellës së pamposhtur në brigjet e Adriatikut, të cilin e kishte njohur edhe gjyshi gjatë viteve të studimit në Francë. Atmosferës optimiste revolucionare i bëjnë hije radhët e gjata para dyqaneve ushqimorë me atë detajin e dhimbshëm të zëvendësimit të njerëzve me gurë, tulla, bidona, shishe, rrjeta sepse e kanë të pamundur për të qenë njëkohësisht në dy vende, apo për t’u larguar nga puna përtej kohës së kufizuar. Socializmi fitimtar kontraston me mjerimin ekonomik që i bën njerëzit të konfliktohen edhe për një kanaçe të zbrazët koka-kole.
Babai Zafo dhe mamaja Doli shpesh kanë mendime të kundërta për çështje të ndryshme. P.sh. a duhej pritur me armë Italia fashiste më 7 prill 1939, kur depërtimi i saj kishte ndodhur vite më parë? A ishte Ahmet Zogu satrap e fashist? Ndryesh nga prindërit, gjyshja Nini jo vetëm e ka mësuar Laushen të flasë frëngjisht para shqipes, por shërben edhe si një analiste e hollë e ngjarjeve dhe situatave. Kjo gjyshe, karakteret e ndryshme të prindërve dhe ngarkesa politike e mjedisit shkollor krijojnë një shtrat ku fëmija fillon e formohet duke mbetur në grackën e arsyetimeve filozofike. Arkivolet e kuq dhe të zinj të bëjnë të meditosh se ç’ndodh me shpirtin; kortezhi që shoqërohet me marshin mortor të çon te kompozitorët e mëdhenj; rrëfimet për luftën të çojnë te përballje mes partizanit Mihal dhe gjermanit Hans ku trazohen urrejtja dhe dhembshuria; admirimit të turistëve të huaj për vendin tonë u bashkëngjitet pickimi i mushkonjave që ua thithin gjakun të gjithëve, pa mbajtur me hatër askënd; parapëlqimeve për frutat u pranëvihen simpatitë për revolucionet në vende të ndryshme me veçanësitë e tyre; paradoksi i të njëjtëve njerëz që deri dje kishin marshuar për të demonstruar se ishin luftëtarë të socializmit dhe idealeve komuniste, sot pushtojnë sheshet për të kërkuar fundit e socializmit; bindjet politike nuk kanë lidhje me trashëgiminë, dinjiteti nuk ka lidhje me paratë dhe lavdinë; bota është e mbushur plot dilema kur një vend ka ligje të padrejta dhe ligjvënës mizorë, kur mungojnë kategoritë filozofike për të përkufizuar humbjen dhe fitoren.
Pjesa e dytë është një radiografi pa asnjë kompleks i shtatë viteve të para të tranzicionit demokratik. Shtrati filozofik i ndërtuar që në pjesën e parë, ka një zhvendosje të vëmendjes nga vetja te fati i prindërve dhe krejt shoqërisë shqiptare. Fillon me terapinë shok dhe qëndrimin ndaj Zotit, procesit zgjedhor që të detyron të kujtosh falsitetin e tij në vitet e socializmit. Pas entuziazmit të parë të lirisë do të vijnë pasojat e sistemit të diktaturës së proletariatit që fillojnë me ikjen e Elonës, shoqes së afërt të Leas, me eksodin biblik ku emigrantët e marsit do trajtohen si viktima të sistemit totalitar, kurse vala e dytë e gushtit si emigrantë ekonomikë, justifikim i mjaftueshëm për t’i mbajtur si të burgosur në stadiume. Shtuar këtu edhe dyshimin e autores se ky nuk ishte një eksod spontan, por një veprim i organizuar për të hequr qafe sa më shumë njerëz të papunë. Shtuar këtu edhe qasjen kontradiktore të Europës së lirisë dhe emancipimit që të mëson ta braktisësh sistemin shtypës, por nuk të ofron mikpritjen. Shtuar këtu edhe efektin negativ që sjell shfryrja e kësaj valvule sigurie – largimin përgjithmonë të më të rinjve dhe më të aftëve.
Gjyshe Nini merr një ftesë nga dikush në Athinë për pronat e familjes në Greqi dhe kjo krijon mundësinë që të kapërcehet kufiri shtetëror, të krahasohen dy botë, krahasim që kulmon me një enumeracion të gjërave që shihen ose përjetohen për herë të parë: ajri i kondicionuar, bananet, semaforët, xhinset, kryqet mbi varre, reklamat vezulluese, etj, etj. Mamaja, e nxjerrë në pension të parakohshëm, gjykon se ka ardhur koha të përfshihet në politikë dhe bëhet figurë imponuese në lëvizjen e grave demokrate. Ajo qëndron me këmbë në tokë, nuk e njeh frikën dhe i shkund të tjerët nga iluzionet kur pohon se njerëzit janë lindur për t’u kacafytyr me njëri-tjetrin dhe përpjekjet nuk duhet të bëhen për t’i ndryshuar ata, por për të pakësuar dëmet. Në rrafshin e barazisë gjinore, ajo që mund të arrihet nga gratë është mbrojtja e vetvetes. Në rrafshin social secili duhet të vrasë mendjen se si të asgjësojë varësinë nga shteti. Babai që i përmbahet bindjes se shpirti i mirë lulëzon edhe në gjemba, del nga apatia dhe zgjidhet deputet, por mbetet njeri i moderuar që nuk e pranon revanshizmin. Sistemi i ekonomisë së lirë nuk ka çelësat e parajsës, pasi ndryshimi vjen përmes reformave dhe reformat hedhin në rrugë mijëra njerëz për ta bërë ekonominë rentabël. Në Shqipëri për herë të parë bëhet fjalë për shoqëri civile dhe futen terma që duan kohën e vet për t’u ftilluar: liberalizim në vend të centralizmit demokratik, privatizim në vend të kolektivizimit, transparencë në vend të autokritikës dhe luftë kundër korrupsionit. Po transparenca humbi që në hapat e para kur lulëzuan firmat piramidale Sudja, Kamberi, Populli, Vefa, ekonomistët që duhet të ktheheshin në misionarë, u bënë përfituesit e parë, shtetarët heshtën ndaj një marrëzie kolektive ku njerëzit vrapuan të pasurohen sa hap e mbyll sytë duke shitur edhe shtëpitë e vetme të banimit. Hapja e Shqipërisë ndaj botës solli edhe vërshimin e lloj-lloj mysafirësh që nga misionarët mormonë që nxisnin njerëzit ta ndërronin fenë dhe te ustallarët e tipit Vincent Van der Berg i njohur me nofkën Krokodili që priten krahëhapur nga shqiptarët sikur të ishin mbretër, një pritje e materializuar në një enumeracion maramendës ku tavolinat mbushen me pjata mezesh të përgatitura për merak: byreçka, qofte, speca të mbushur, gogozhare speci e kastraveci, patëllxhanë të skuqur, të pjekur, të mbushur me kima, kimë me vezë, ullinj, salcë kosi, gjizë, djathë i bardhë, kaçkavall i freskët, i tiganisur, i pjekur, qengj në hell i pjekur gjithashtu, kofshë pulash kotoletë, krahë pulash kërc, llokume, bakllava, kadaif, sheqerpare, gurabie, biskota, hasude, çokollata Hilal turke, shëndetlije, kikirikë, sa më shumë kikirikë, birrë, verë e bardhë Riesling, verë e kuqe Merlot, raki rrushi, mani dhe dëllinje, uzo, kafe turke, kafe me qumësht, neskafe, çaj mali, çaj kinez dhe sa e sa kanaçe Koka Kole, Fanta, Sevenap, Sprajt… (f.234) Gjithçka bëhej për t’i treguar botës se sa të veçantë ishim, pa menduar se tek të huajt heronjtë tanë shfaqeshin si njerëz të rëndomtë, gjuha jonë ngjante me një rrumpallë lara-lara, ne ekzistonim si pjellë e mëshirës së kombeve të mëdha. Për disa muaj shqiptarët u përfshinë nga ekstaza duke menduar se kishte ardhur koha që Shqipëria të ishte si gjithë Europa, prandaj kjo u kthye në parrullë elektorale dhe kishte një thjeshtësi çarmatosëse pasi “fshinte gjysmë shekulli ëndrrash të burgosura.” (f.270) Liria e vërtetë tashmë do të bazohej mbi disa shtylla krejt të ndryshme nga ato të propogandës komuniste: lufta ndaj komunizmit dhe korrupsionit, shenjtëria e pronës private, mbëshetja e sipërmarrjes së lirë, mbrojtja e individit. (po aty). Por rruga drejt Europës paskej qenë një tunel i gjatë, “me hyrjen të ndriçuar me llampa farfuritëse dhe brendësinë të zhytur në një terr enigmatik. (f.273) Ëndrra europiane pësoi zhgënjimin e parë dhe katër muajt e parë të vitit 1997 vijnë nëpërmjet shënimeve të shkurtra të ditarit që ka mbajtur Lea. Kjo kthesë tronditëse e gjeti atë si maturante, mësimet u ndërprenë, provimi i maturës u zhvillua formalisht pas një alarmi të rremë për vendosje bombe, festa e maturës u zhvillua në një hotel që i përkiste një prej bandave kriminale të qytetit dhe e kufizuar nga orët e shtetrrethimit. Ky realitet i ri e jep goditjen edhe brenda familjes: mamaja dhe vëllai ndjekin udhën e hapur të eksodit dhe përfundojnë në Itali, kurse babai vazhdon jetën parlamentare dhe do të mbyllë sytë pa patur pranë bashkudhëtaren e jetës. Edhe Lea zgjedh të largohet nga Shqipëria duke humbur dashurinë e gabuar me K-në.
Të rrëfesh për veten është një akt i guximshëm, Lea Ypi ia ka dalë ta bëjë sipas mënyrës së vet duke sjellë me detaje kontratën e pashkruar shoqërore, duke zbuluar diçka nga privacia e vet dhe duke e mbajtur sekret jetën e vëllait Lani; ia ka arritur të bëhet e besueshme me naivitetin fëminor dhe bindëse për rritjen e vet si analiste dhe dialoguese.

(Libri “Të lirë” i Lea Ypit, Tiranë, Dudaj 2021)
Bilisht, 22 mars 2024
Foto: Gazeta Telegraf

Filed Under: Analiza

Kosova, Shqipërinë partnere kryesore tregtare dhe shumë bashkëpunime

March 23, 2024 by s p

-Kryeministri Kurti në konferencë për media në 3-vjetorin e qeverisjes/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 22 Mars 2024/ Shqipërinë e kemi partneren tonë kryesore tregtare, tha sot Kryeministri i Republikës së Kosovës,  Albin Kurti, në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Financave, Punës  dhe Transfereve, Hekuran Murati,  në 3-vjetorin e qeverisjes.

“Shqipërinë në vitin 2023 e kemi partneren tonë kryesore tregtare. Investimet nga Shqipëria në Kosovë ishin 5 herë më shumë në vitin 2022,  sesa në vitin 2019. Abetaren e unifikuam, e filluam punën edhe për enciklopedinë shqiptare. Për të thelluar edhe më tej lidhjet, gjithashtu filluam ndërtimin e rrugëve që lidhin fshatrat e Kosovës dhe të Shqipërisë”, tha Kurti.

Ai theksoi se, Investimet të cilat po i bëjmë në infrastrukturë janë të karakterit transformues dhe përbashkues me shtete në rajon. “Kemi trasuar udhën edhe për projekte të mëdha të Qeverisë sonë. Kemi nënshkruar marrëveshje me Maqedoninë e Veriut për rrugën Prizren- Tetovë. Kemi paraparë 200 milionë euro investime për rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10. Kemi arritur në fazën e përgatitjes së projektit ideor për ndërtimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Durrës dhe gjithashtu, kemi bërë gjithçka nga ana jonë si palë për rrugët që lidhin Pejën me Rozhajën, dhe Deçanin me Plavë, pra në marrëveshje me Malin e Zi”, u shpreh Kryeministri i Kosovës.

 Ai vlerësoi se, vitin 2024 Kosova e ka filluar si është më së miri në raport me marrëdhëniet me jashtë. “Deri më tani, ky vit është vit i pasaportës sonë, i fuqizimit të saj. Tash e tre muaj udhëtojmë lirshëm e pa viza në zonën Shengen, përfshirë këtu edhe Spanjën, që iu bashkua shteteve të Bashkimit Evropian të cilat e njohin pasaportën e Kosovës”, tha Kurti.

Filed Under: Ekonomi

Kthimi

March 23, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Rrëfimi i Homerit në Iliadë përfundon me varrimin e Hektorit. Historia e Kalit të Trojës tregohet e plotë në Eneidën e Virgilit dhe hollësi të tjera vijnë nga shfaqja e e Euripidit, Gratë Trojane, e cila gjithashtu flet për rrënimin e Trojës dhe fatin e të mbijetuarve. Euripidi shkroi disa tragjedi rreth Luftës së Trojës, duke përfshirë Helenën dhe Andromakën, si dhe dramat Agamemnon dhe Ifigenia. 

Është për t’u habitur që përrallat e Luftës së Trojës tregohen kryesisht nga shkrimtarë grekë dhe në favor të fitores (përveç Virgjilit, i cili shkroi në latinisht për një fitore të shëmtuar, dhe flet me simpati për të mundurit. Hektori, kampioni i Trojës, është njeriu më i admirueshëm në këto legjenda. Kuptimi i plotë i profecisë së Kasandrës rreth Agamemnonit, tregon për kthimin e Agamemnonit në shtëpi. Ndërkohë që kthimi tjetër i famshëm i vështirë, i rrezikshëm dhe i vonuar, është ai i Odiseut.

Grekët patën fitoren e tyre, por mënyra se si e fituan i kishte zemëruar perënditë. Edhe Athena, kampionia e grekëve u zemërua,  sepse Kasandra ishte tërhequr zvarrë nga altari i saj. Athena shkoi te Zeusi dhe u ankua për këtë. Zeusi i dha asaj rrufenë e tij dhe Poseidoni e mbajti detin të qetë derisa flota u largua shumë nga bregu, pastaj e goditi me një stuhi të tmerrshme. Zhurma e bubullimës dhe gjëmimi i detit ishin shurdhuese, dhe vetëtimat ishin verbuese. Kapiteni që kishte marrë Kasandrën nga tempulli u mbyt në atë stuhi dhe Agamemnoni, i cili e kishte kërkuar Kasandrën për konkubinë, për pak u mbyt. Kur anijet e tij më në fund u lanë të kaloni nën retë e stuhisë, Agamemnon e ndjeu veten të falur nga perënditë. Por, jo. Megjithëse, rruga e Agamemnonit për në shtëpi ishte më e shkurtra; ceremonia e pritjes së tij ishte e vështirë. 

Njerëzit e lavdëronin Agamemnon për trimëri, fitore dhe uronin një kthim të shpejtë. Ndonjëherë e kishin fajësuar për marrjen e bijve të tyre në një luftë të kotë për një grua të pabesë. Here tjetër, më në heshtje, mërmërisnin për Ifigjeninë, bijën e tij të pafajshme, që e kishte flijuar për të marrë një erë të favorshme për udhëtimin e tij; kishin parë edhe pallatin ku mbretëresha Klitemnestra, nëna e Ifigjenisë, ulur në errësirë, qante e sikur gërmonte… 

Agamemnoni u prit me fjalim të pasionuar dhe lule; copa të purpurta ishin shtrirë, që këmbët të mos i preknin pluhurin. Ai argumentoi se një nder i tillë u shkonte perëndive jo njerëzve, por Klitemnestra tha se i ishte lutur perëndive për këtë. I bindur, Agamemnoni hyri në pallat, ku mbretëresha e nxiti të shkonte të lahej dhe të vishte rroba të bukura përpara se të ulej në festën e fitores. Njerëzit e tij shikonin dhe murmuritnin ndërsa portat e mëdha mbylleshin pas tij. Një shërbëtor solli Kasandrën në shtëpi – me nervozizëm, sepse dihej se ajo ishte e çmendur ose profete ose diçka tjetër e pakëndshme, dhe gjithashtu se ishte jashtëzakonisht e lirë me gjuhën e saj. Njerëzit ishin ende të befasuar, nëse jo të shokuar, kur Kasandra e shikoi pallatin me tmerr; i kujtoi që të vëzhgonin vrasjet dhe tradhtitë që kishin pllakosur familjen e Agamemnonit për breza, dhe shtoi se episodi tjetër në atë histori të tmerrshme ishte gati për t’u shfaqur. – ajo vetë do të ishte një nga viktimat. Disa nga dëgjuesit mërmëritën se nëse nuk donte të bëhej viktimë, duhet të fliste më me kujdes. Kasandra tha se heshtja nuk do ta shpëtonte, por vetëm do të kujtohej dhe hakmerrej. Pastaj shkoi duke u dridhur në pallat. 

Menjëherë pasi portat e mëdha u hapën përsëri, Klitemnestra i thirri njerëzit e saj për të parë se si e kishte pritur zotin e saj në shtëpi. Agamnenoni shtrihej te këmbët e saj, i mbështjellë me një rrobë argjendi – dhe gjithashtu – të rëndë e të mbyllur – me trupin e mbuluar me gjak, krejt i vdekur; gruaja e tij Klitemnestra e kishte goditur me thikë, ndërsa Kasandra më pak e stolisur – por po aq e vdekur –  shtrihej pranë tij. Njerëzit u zmbrapsën të tmerruar, por Klitemnestra u tha se kishte vrarë vrasësin e fëmijës së saj; veç kësaj, linja e Agamemnonit ishte njollosur me më shumë vrasje; shtëpia e Atreusit ishte mallkuar, me rrënjë e degë, nga perënditë; Klitemnestra, ishte vetëm instrumenti i hakmarrjes. 

Menelaus dhe Helen i mbijetuan stuhisë, por anija e tyre u largua nga rruga, dhe shkoi në brigjet e Egjiptit. 

Sa i përket Odiseut, mbretit të Itakës, i cili kishte dhënë idenë për Kalin e Trojës dhe kërkoi vrasjen e djalit të Hektorit për të parandaluar hakmarrjen e mëvonshme, pati rrugën më të gjatë të kthimit (10 vjet); anijet e tij qëndruan në det mes erërave çorientuese – ndaluan ishujve – derisa mbërritën në Itakë. 

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT