• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2024

Vatra Boston përkujtoi ditëlindjen e Faik Konicës

March 15, 2024 by s p

Dega e “VATRËS” në Boston përkujton sot 149 vjetorin e lindjes së patriotit dhe iluministit të madh dhe të nderuar, Faik Konica, i cili u lind në Konicë të Vilajetit të Janinës asokohe pjesë e Perandorisë Otomane.

Faik Konica mbahet mend si një nga figurat më të shquara të elitës intelektuale shqiptare që në moshën 22 vjeçare spikati si një talent në fushën e publicistikës, ku në vitin 1896 publikoi të famshmen revistë periodike “Albania”, menjëherë pasi u vendos në Bruksel të Belgjikës.

Qëllimi i publikimit të kësaj reviste ishte për të rritur ndërgjegjësimin patriotik të të gjithë faktorit shqiptar kudo ai jetonte, në Shqipëri dhe diasporë, për të promovuar vlerat kulturore dhe historike të Shqipërisë, si pjesë e lëvizjes së zgjimit patriotik dhe rilindjes kombëtare, në bashkëpunim me intelektualë elitarë të tjerë siç ishin Asdreni, Andon Zako Çajupi, Filip Shiroka, Gjergj Fishta, Kostandin Kristoforidhi, Thimi Mitko dhe shumë e shumë patriotë të tjerë, duke e mbyllur me bashkëpunimin e tij të ngushtë me Fan S. Nolin në kohën kur ai vendosi të zhvendoset në Boston të Amerikës, në vitin 1909 me ftesë të këtij të fundit për të marrë drejtimin e gazetës “DIELLI”, si kryeredaktor i saj që publikoheshe nga Shoqata politike-kulturore “Besa-Besën”, pararendësja e Federatës Pan-Shqiptare “VATRA”, duke u bërë edhe Sekretari i Përgjithshëm i saj.

Në vitin 1911 ai publikoi gazetën “Trumbeta e Krujës” në qytetin e Saint Louis-it në shtetin e Mizurit.

Roli i tij në komunitetin shqiptar në Amerikë u rrit jashtëzakonisht duke e shndërruar atë në një diplomat të mprehtë e të zhdërvjellët të cilit i ndihmonin edhe njohja shumë e mirë e shtatë gjuhëve të huaja dhe edukimi i tij i lartë në shkollat dhe universitetet më të famshme të botës, duke filluar që nga shkolla në Janinë, në Kolegjin Jezuit në Shkodër, në shkollën e mesme të Gallatasarait në Stamboll të Turqisë, në shkollat e Lisieux, Carcassonne dhe Universitetin e Dizhonit në Francë, në të famshmin Kolegj Francez të Parisit dhe së fundi, në të famshmin Harvard të Bostonit.

Ai ishte një mjeshtër i madh i letrave, i “Albanologjisë, i linguistikës, i historisë, I filologjisë, i folklorit, i letërsisë në prozë dhe poezi, i gazetarisë, i oratorisë, diplomacisë dhe politikës.

#evryone#followers#highlights

Filed Under: Histori

Kuvendi i Kosovës bën bashkë deputetet e të gjitha legjislaturave

March 15, 2024 by s p

Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës mbajti sot takim me ish-deputetet e legjislaturave të mëparshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me temën “Historia e deputeteve në Kuvendin e Kosovës – përparim dhe proces”.

Takimin e hapi kryetarja e Grupit të Grave Deputete, deputetja Tinka Kurti, e cila njëherësh edhe e drejtoi këtë ngjarje. Në fjalën e saj deputetja Kurti vlerësoi kontributin e të gjitha deputeteve të Kuvendit ndër vite, duke konsideruar se takimi i sotëm është pikërisht përpjekje për të shpërfaqur edhe njëherë këtë kontribut.

“Sot jemi këtu, me mes të muajit mars, i cili u kushtohet grave. Jemi bashkë, pavarësisht partive politike dhe pavarësisht legjislaturave. Sot janë ftuar të gjitha gratë që kanë qenë pjesë e këtij Kuvendi, që prej përfundimit të luftës në Kosovë. Secila ka lënë gjurmë dhe është në nderin tonë që të mos i mbulojmë ato gjurmë, por t’i bëjmë të dukshme. Është në solidaritetin e kauzës që të mos mendojmë se gjithçka filloi këtu, tash kur disa pengesa janë tejkaluar. Kuota tashmë po sfidohet dhe po tejkalohet. Ajo nuk është e panevojshme, por është e pamjaftueshme”, theksoi deputetja Kurti, duke kujtuar se këtë vit bëhen 20 vjet që prej miratimit të Ligjit për barazi gjinore dhe se rrugëtimi për barazi ende vazhdon.

Kryetarja e GGD-së shtoi se këtu janë të gjitha biografitë e pasura të cilat ato ia ofruan Kuvendit të Republikës, si mjeke, aktiviste, gazetare, poete, arsimtare, artiste, inxhiniere, akademike.

“Ato deputete kanë arritur të bëhen presidente, ministre, zv/kryeministre e ambasadore dhe janë në tavolina të rëndësishme politike, në kryesitë e partive dhe janë në terren. Por, ndoshta disa nuk janë fare në skenën publike. Dhe kjo është një humbje. Ato mund të jenë mentoret e vajzave të reja. T’u thonë të mos dorëzohen dhe të angazhohen shumë”, tha kryetarja e GGD-së, Tinka Kurti, e cila në nderim të këtij kontributi përmendi emrat e secilës që ka ushtruar mandatin e deputetes, duke ftuar të pranishmet që të mbajnë një minutë heshtje për ish-deputetet që kanë ndërruar jetë.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca tha se në historinë e krijimit dhe konsolidimit të shtetit të Kosovës si shtet sovran e demokratik janë të gravuar emrat e shumë grave që përgjatë etapave të ndryshme dhanë kontribut të jashtëzakonshëm e të pashembullt, duke rikujtuar në vijim pikënisjen e proceseve madhore që sollën deri këtu.

“Nuk mund të mos e kujtojmë vitin 1990, datën 2 korrik, kur 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës, në mesin e tyre 18 gra deputete, si përfaqësues të vullnetit të popullit, para dyerve të ndërtesës së Kuvendit dhe të rrethuar nga forcat ushtarako-policore të regjimit të atëhershëm serb miratuan Deklaratën e lavdishme kushtetuese dhe e shpallën Kosovën Republikë”, tha kryetari Konjufca.

Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit kujtoi edhe shumë gra të tjera intelektuale, aktiviste të palodhshme që ishin aktive si në lëvizjen për liri, ashtu edhe në pavarësinë dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës, e që nuk janë më në mesin tonë.

“Kujtojmë dhe nderojmë kontributin dhe rolin e shquar të ish-deputetes Nekibe Kelmendi, një veprimtare dhe aktiviste politike e cila punoi me devotshmëri në ndërtimin e shtetit të së drejtës. Kujtojmë dhe nderojmë figurën e intelektuales, ish-deputetes dhe akademikes Edi Shukriu, gjurmët e së cilës nuk i gjejmë vetëm në fushën e shkencës, kulturës e arkeologjisë”, theksoi kryetari Konjufca, duke shtuar se numri i grave të angazhuara aktivisht e politikisht është i madh. Me këtë rast ai përmendi presidenten Vjosa Osmani e ish-presidenten Atifete Jahjaga.

Kryetari Konjufca tha se përmirësim të dukshëm të pjesëmarrjes së grave në kuadër të legjislativit ka pasur edhe në funksionet udhëheqëse brenda Kuvendit, mirëpo sipas tij nuk mund të ndihemi komodë me progresin e dukshëm që kemi arritur, sepse, siç tha ai, barazia ende ka punë.

I pari i legjislativit tha se Kuvendi u është gjithmonë mirënjohës të gjitha grave, ish-deputeteve e deputeteve aktuale për gjithë kontributin që kanë dhënë, ngase secila gjeneratë e re e grave politikane që do të vijë pas tyre do ta ketë më të lehtë rrugën për të triumfuar kundrejt pabarazisë.

Ish-deputetja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albana Gashi, gjatë adresimit të saj përmendi kontributin e Grupit të Grave Deputete, duke potencuar se gratë duhet të angazhohen maksimalisht për arritje tjera. Duke risjell në vëmendje kontributin e tyre të para 10 viteve, Gashi përmendi me theks të veçantë Ligjin për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, për të cilin ligj tha se ndjehet krenare, ngase, siç tha ajo, ka dhënë kontribut direkt në hartimin e tij.

Mirëpo, sipas saj stigma vazhdon të mbetet problem kryesor.

“Për të qenë grua e suksesshme duhet të punosh dyfishin e një burri. Kërkoj nga të gjitha që të vazhdoni të luftoni për të drejtat e grave dhe vajzave, atyre që kanë nevojë për mbështetje”, tha ish-deputetja Gashi.

Flora Brovina, ish-deputete nga radhët e PDK-së, fillimisht tha se rruga në këto ulëse për deputetet gra nuk ka qenë aspak e lehtë.

“Askush nuk na dhuroi ulëset, as ne nuk i kemi pranuar falas, se pse jemi gra”, tha ajo duke përmendur tutje kontributin e të gjitha grave në të kaluarën, në kohën para luftës në Kosovë, si dhe të pasluftës: aktivisteve politike, humanisteve, ish të burgosurave politike, ushtaret e UÇK-së e veprimtareve të tjera.

Brovina vlerësoi se ligji i parë, i cili bëri bashkë gratë deputete, ishte Ligji për barazi gjinore, duke përmendur tutje edhe asokohe themelimin e Grupit të Grave Deputete, për të cilën falënderoi ish-sekretaren amerikane të shtetit, Medlin Olbrajt, për inicimin dhe bashkëpunimin.

“Olbrajt na mësoi që ta themelojmë këtë grup të grave, në mënyrë që të jemi bashkë më të forta, dhe ia arritëm”, tha ish-deputetja Brovina.

Në vijim, Besa Gaxherri, ish-deputete nga radhët e LDK-së shpalosi disa nga sfidat që ajo ka pasur për gjashtë mandate sa ishte në ulësen e deputetes.

“Të flasësh për historinë e gruas në politikë kërkon shume kohë. Udhëtimi i grave në politikë është i dhimbshëm, sfidues dhe krenar”, tha Gaxherri, duke përmendur faktin se janë pjesë e shumë etapave historike. Pasi kujtoi kontributin e zonjës Olbrajt në themelimin e GGD-së, Gaxherri tha se rrugëtimi dhe puna e grave deputete tashmë i ka rezultatet e veta dhe se tashmë janë thyer të gjitha barrierat politike.

Mes tjerash, ajo foli për kontributin e grave deputete në hartimin e shumë ligjeve, duke i përmendur të gjitha me radhë, për të cilat tha se kanë qenë drejtpërdrejtë të iniciuara e hartuara nga Grupi i Grave Deputete.

Tutje nga një fjalë rasti mbajtën edhe ish-deputetet e legjislaturave të kaluara, Teuta Haxhiu (AAK) dhe Müfera Srbica-Şinik (Grupi Multietnik), duke potencuar mes tjerash sfidat dhe të arriturat e tyre gjatë ushtrimit të mandatit të tyre si deputete.

“Kur ne dimë, duam dhe kur ne si gra bëhemi bashkë, atëherë vërtet çojmë një mesazh përtej partive politike. Mënyrën dhe rrugën si është trasuar ky grup mbetet mesazh për cilindo”, tha ish deputetja Teuta Haxhiu, duke përmendur po ashtu mes tjerash Ligjin kundër dhunës ndaj gruas.

Në vijim ajo ngriti si shqetësim dukurinë e cila po shënon rritje, atë të dhunës ndaj gruas, të cilën sipas saj duhet ta luftojmë me çdo mjet, duke kërkuar angazhim të përbashkët në këtë angazhim.

Filed Under: Rajon

Akademia e Shkencave të Shqipërisë nderoi shkrimtarin Naum Prifti

March 15, 2024 by s p

Akademia e Shkencave nderoi shkrimtarin Naum Prifti me konferencën shkencore “Naum Prifti – mjeshtër i prozës së shkurtër”

Pas një krijimtarie afro 70 vjeçare, Naum Prifti ndërroi jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte për shumë vite sekretar i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës Vatra.

Në aktivitet morën pjesë Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, anëtarë të Kryesisë së ASHSH-së, punonjësit kërkimorë shkencorë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, të departamenteve të letërsisë në universitete, kineastë, miq të autorit, studiues dhe studentë.

Të pranishme ishin edhe dy nga vajzat e Naum Priftit, Julika dhe Rafaela.

Akademiku Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike në Akademinë e Shkencave vlerësoi Naum Priftin si mjeshtër të prozës së shkurtër dhe që përfaqëson një figurë shumëdimensionale të artit dhe letërsisë shqipe si novelist, tregimtar, dramaturg, skenarist, kritik letrar, fabulist, qëmtues i folklorit, shkrimtar i dashur i letërsisë për fëmijë dhe mjeshtër i shqipërimit.

Akademiku Hoxha përmendi disa nga veprat e shkrimtarit Naum Prifti dhe më pas foli edhe për dashurinë e Naum Priftit për fjalën shqipe, që mund të vërehet më së miri edhe në përkthimet mjeshtërore të dy veprave poetike të Roald Dahl-it “Gjiganti i madh i mirë”, (1990), dhe “Çarli dhe ashensori i madh prej xhami”(2018). Nga frëngjishtja, ai ka përkthyer “Princin e vogël” të Exupéry-së, dhe nga gjuha italiane ka përkthyer vëllimin me përralla “Katër stinët”. Duke e mbyllur fjalën e tij me një profil shumëdimensional të shkrimtarit Naum Prifti, ai theksoi, ndër të tjera, se me tërësinë e veprës së tij Naum Prifti e konfirmoi veten si një ndër vazhduesit më besnikë të traditës së rrëfimit, të krijuar në Shqipërinë Juglindore me përfaqësues të tillë si Milto Guri, Sotir Andoni etj.

“Kjo traditë rrëfimi shumë e koncentruar, e realizuar me cilësi shumë të lartë në veprat e tij, ka çuar në vlerësimin objektiv të Naum Priftit nga kritika letrare, si prijësi i shkrimtarëve shqiptarë në gjininë e prozës së shkurtër, me mesazhe të ngjeshura dhe shumë domethënëse”, tha akademiku Hoxha.

Profesor Ymer Çiraku e vlerësoi Naum Priftin si tregimtarin e kapërcimeve estetike zhanrore. Ai theksoi se Naum Prifti (1932-2023) mbetet tregimtari sui generis në letërsinë shqipe, jo vetëm për qëndrimin besnik ndaj këtij zhanri letrar, por edhe se e përfaqësoi atë në nivele të larta.

Çiraku e vlerësoi shkrimtarin për një regjistër ligjërimi të veçantë, origjinal, në letërsinë shqipe, duke e radhitur përkrah tregimtarëve të suksesshëm të kohës si Mitrush Kuteli, Dhimitër S. Shuteriqi, Sotir Andoni, Jakov Xoxa, Vath Koreshi, Teodor Laço, Faik Ballanca etj.

Çiraku bëri një analizë estetike të tregimeve dhe të galerisë së personazheve në krijimtarinë letrare të Naum Priftit. Ai i vlerësoi tregimet për intensitet të dukshëm nga aspekti rrëfimtar, si dhe për galerinë e pasur të personazheve me karaktere të përkundërt e shfaqje të befta.

“Tejkalimi” estetik i kufijve të poetikave të zhanreve, është një nga tiparet e dallueshme të këtij tregimtari”, – tha prof. Çiraku.

Çiraku e vlerësoi Naum Priftin edhe për intensitetin emocional, ritmin e brendshëm të rrëfimit, si dhe për teknikat e shtjellimit kompozicional në nivel të sigurt intuitiv, për dialogun ekspresiv dhe dukshëm të pranishëm, veçori që tërhoqën vëmendjen e regjisorëve kineastë apo atyre të teatrit, si te filmat “Pylli i lirisë” dhe “Tokë e përgjakur”, që janë mbështetur në tregimet mjaft të njohura si “Ndjekësi i kuajve”, “Litar i zjarrtë” apo edhe skenarët e filmave të tjerë si: “Kush vdes në këmbë”, “Fejesa e Blertës”, “Pika e ujit” (film vizatimor), të mbështetura po në tregimet e këtij autori dhe ku ai shpesh është dhe bashkëskenarist.

Ai tha se shkrimtari nuk reshti së krijuari e së angazhuari plot përkushtim me veprimtari letrare e atdhetare, edhe në periudhën e dekadave të fundit, kur ai u vendos që të jetojë familjarisht në SHBA, ku qëndroi deri sa u nda nga jeta, këtu e një vit më parë.

Akademiku Shaban Sinani, sekretar shkencor në Akademinë Shkencave, paraqiti një kumtesë të përgatitur së bashku me prof. Tomor Plangaricën, “Memuaristika dhe eseistika, si dy profile të vlerta të shkrimësisë së Naum Priftit”.

“Një personalitet si Naum Prifti i përket letërsisë si institucion, me kontribute të shumanshme në trashëgiminë letrare të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar e më pas: prozator në shumicën e llojeve e nënllojeve letrare, por veçmas mjeshtër i prozës së shkurtër; me 16 vëllime me tregime e 40 të tjera me novela e përralla; po aq i shquar në llojet e dramatikës, me 15 drama, komedi e dramatizime; me vend të shënjuar për skenarë të filmit artistik, dokumentar e vizatimor (jo pak, por 12 skenarë të tillë); përkthyes a shqipërues i disa kryeveprave të letërsisë botërore për fëmijë e të rinj; autor jetëshkrimesh, monografish dhe krijimesh didaktike; me disa vepra të përkthyera në gjuhët anglisht, frëngjisht, rusisht, italisht, gjermanisht, arabisht, bullgarisht, greqisht; zë vend natyrshëm në hapësirat qendrore të saj”, tha Sinani.

Përmes kumtesës së akademikut Sinani dhe prof. Plangaricës u paraqit angazhimi në publicistikë, eseistikë e memuaristikë i Naum Priftit, angazhim i nxitur fillimisht si plotësim i kërkesave të përditshmërisë e më pas bëhet pjesë e përmbushjes së misionit që shkrimtari duhet të luajë në shoqëri. Kjo trashëgimi është një anë e panjohur ose jo aq e përmendur e Naum Priftit si krijues. Ajo është produkt kulturor i përftuar kryesisht përgjatë viteve të para nëntëdhjetës; që mbeti i pabotuar, sepse ishte jashtë konteksteve kufizuese ideologjike të asaj periudhe; një produkt i përftuar me pengun e pamundësisë së botimit, por njëherazi me entuziazmin e përmbushjes së misionit të intelektualit.

Eleni Karamitri mbajti një kumtesë, ku spikati modernitetin e veprës së Naum Priftit. Ajo vuri në dukej se letërsia e Naum Priftit vjen moderne edhe në kohën e sotme, novatore dhe e pandashme nga letërsia bashkëkohore shqiptare dhe ajo e diasporës.

Dr. Kastriot Gjika përgëzoi Akademinë e Shkencave dhe kryesinë e saj për rivlerësimin e shkrimtarit, dramaturgut dhe kineastit Naum Prifti.

Ai u ndal te kontributet në letërsinë për fëmijë, të cilat sipas tij janë të nënçmuara.

Naum Prifti është angazhuar në disa zhanre të letërsisë për fëmijë, – tha Gjika, – dhe e vlerësoi shkrimtarin si një zë origjinal, mjeshtër të prozës shqipe. Dr. Gjika kujtoi veprën “Legjenda dhe rrëfime për Skënderbeun” dhe “Erë mali, erë fushe”, ku ndër cilësitë mjeshtërore të rrëfimit përmendi rrëfimin në vetën e parë dhe zgjerimin e tematikës së tregimeve të lidhura me problemet e zhvillimit psikologjik të moshës fëminore.

Ai vuri në dukje se novelat si “Cikoja dhe Beni” e tregime të tjera që lidheshin me Luftën Nacionalçlirimtare janë shprehje e mjeshtërisë së rrëfimit, ku më shumë se tema lë gjurmë niveli artistik.

Në përrallat për fëmijë, ai e quajti Naum Priftin ideator të krijimit të përrallave të kultivuara me karakter njohës dhe shkencor, si vëllimi “Përralla për një muaj”, “Pika e ujit”, që u bë film i animuar, por edhe “19 rrëfime për Skënderbeun”.

Ermira Alija paraqiti një këndvështrim të veçantë të veprës në fokusin e perceptimit të lëvizjeve dhe veprimeve në veprën e Naum Priftit, ku sintetizohen raportet psikologjike me ato emocionale, të cilat e rrisin intensitetin e tërheqjes së vëmendjes së lexuesit në shkrimet e tij.

Dr. Anxhela Çikopano mbajti kumtesën “Naum Prifti: Teatri në kohën e krizës”, të cilën e prezantoi me materiale dhe foto ilustruese nga arkivat.

Dr. Çikopano vuri në dukje se Naum Prifti në librin “Teatri në kohën e krizës” shpreh shqetësimin për zhbërjen nga të rinjtë të letërsisë së realizmit socialist, ose siç e quante ndryshe ai, të mungesës së realizmit kritik ose të realizmit afermativ. Por, nëse ka një autor puna e të cilit nuk mund të zhbëhet, tha Çikopano, edhe pse cilësohet si i autor i brezit të realizimit socialist, është pikërisht zoti Prifti. Dramaturgjia e tij është e pakohë, me vepra që mund të vihen edhe sot në skenë, gjë që nuk haset shpesh mes veprave të asaj kohe, qoftë edhe të ndaluara.

Ajo kujtoi pjesën e parë dramaturgjike “Rrethimi i bardhë”, me të cilën u çel teatri i Elbasanit, po vetë autori sado entuziast që ishte, kur e pa veprën e tij të parë të mishërohej nga aktorët në provat e tavolinës, na tregon se premiera e saj nuk e kishte ngrohur, pasi temporitmi qe i ulët dhe kërkonte shumë kohë ndërrimi i skenave.

Dr. Evalda Paci mbajti kumtesën “Receptimi në dy kohë i një autori të letërsisë për fëmijë”, ku trajtoi çështjen e imazheve e përfytyrimeve rreth një habitati që autori i letërsisë për fëmijë Naum Prifti e kishte përndarë në sa përshkrime e rrëfime të disa dimensioneve.

“Si autor i prozës së shkurtër, Naum Prifti ka transmetuar në gjallërinë përkatëse përvoja të një veçanësie të rrallë, të rezervuar nga vetë përjetimet e tij, të risjella në vite në botime e ribotime, fakt që ka pasuruar së tepërmi bibliotekën e letërsisë për fëmijë e të rinj”, tha dr. Paci.

Ajo e vlerësoi Naum Priftin si një autor që i kushtohet letërsisë për fëmijë, që bëhet vetiu transmetuesi i një bote të veçantë për lexues të një moshe gjithashtu të veçantë, të pajisur e të karakterizuar nga një kureshtje e natyrshme, gjithnjë me pikëpyetjet rreth çështjesh themelore që më tej do të përkthehen në të tjera sfida e dëshira për të ditur më shumë e më qartë.

Në fund të veprimtarisë përshëndetën dy vajzat e shkrimtarit Julka dhe Rafaela, të cilat shprehën mirënjohjen dhe falënderuan veçanërisht Kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushin, akad. Shaban Sinanin dhe akad. Gëzim Hoxhën për organizimin e veprimtarisë.

Vajzat e shkrimtarit falënderuan përzemërsisht akademikët dhe studiuesit që mbajtën kumtesat.

Veprimtarinë e mbylli administratori i minibashkisë nr. 8, Dritan Dango, me një surprizë të veçantë. Ai iu dorëzoi bijave të autorit, Julka dhe Rafaela Priftit, në emër të Kryetarit të bashkisë, Erjon Veliaj, “Certifikatën e Mirënjohjes” për shkrimtarin Naum Prifti.

Akademia e Shkencave

Filed Under: Kulture

Dita e Verës

March 15, 2024 by s p

Faik Konica/

Miqve, shokëve të Lidhjes Shqipëtare “Verore”, u dërgoj kujtime miqësie, urime të zemrës, për Ditën e Verës që na afrohet. S’e festuam dot sivjet këtë ditë të bukur: po ne mos e festuam me trup, do t’a festojmë me zemër.

Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën stërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjeter, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë te Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një bare, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajme Dit’ e Verës.

Në pakë ditë, në Shqipëri, besnikët e funtmë të paganismit, besnikë pa dashur dhe pa ditur, do t’rethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjave, të dafinave, të gjithë shelgjeve të nderuara. Do t’ këputin degë të gjelbëra dhe do t’i vënë përmbi dyert e shtëpive dhe t’odave.

Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetëra të races s’onë. Nuk i bëjnë dëm njeriu. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpitë. Në një vënt ku jeta e të vegjëlve është aq trishtë, djelmuria dhe vajëzat kanë një rasë të rallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shie poetike të hollë e të rrallë.

*Ky shkrim u botua në faqen e parë të nr. 1 të gazetës, “Trumbeta e Krujes”, botuar në Saint Louis, MO më datë 20 mars 1911. Në fund të shkrimit jepet data kur është shkruar (25 shkurt 1911).

“Iliria Saint Louis

Filed Under: Analiza

SALI RAMADANI NË KOSOVË MBINDËRTOI GJITHË FORMIMIN E TIJ INTELEKTUAL E PATRIOTIK

March 15, 2024 by s p

Nga Prof.dr. Skender ASANI/

Libri monografik “SALI RAMADANI-KËRÇOVA – SHQIPTARI I PATHYESHËM” i autorit Shaban Dalipi që po promovohet në Prishtinë, është shprehje më e mirë e ndëveprimit të kauzave intelektuale e patriotike të Sali Ramadanit me Kosovën, e cila , e lidhi jo vetëm një pjesë të madhe të veprimtarisë së tij atdhetare, por e edhe fatin e jetës, sepse aty gjeti një bashkëudhëtare të devotshme, e cila ishte hija e gjithë rrugëtimti të bashkëshortit të tij.

Sali Ramadani në Kosovë mbindërtoi gjithë formimin e tij intelektual e patriotik, pasiqë aty ai u njoh me një galeri të tërër personazhesh, që më vonë do të bëhen bartës të proceseve në luftë dhe në paqe.

Libri monografik “SALI RAMADANI-KËRÇOVA – SHQIPTARI I PATHYESHËM” i autorit Shaban Dalipi është një sintezë të dhënash e dëshmish mbi një personalitet sa të veçant, aq edhe kompleks, sa origjinal aq edhe kreative, për nga natyra dhe energjia vepruese në rrethana e kohë të ndryshme. Sali Ramadani- Kërçova vjen në këtë libër i skalitur me vijat e një portreti që për një pjesë të madhe të publikut, nuk ishte i panjohur, por jo i studiuar sa duhet, ashtu siç e meritonte, sepse ai ishte mjaft ndikues në rrjedhën e ngjarjeve, në të cilat kishte qenë ose inicues, ose inspirues, ose të dyja bashkë.

E veçanata e këtij libri monografik është se autori, krahas portretizimit sa më besnik të figurës së Sali Ramadanit, ka sjellur edhe një vështrim panoramik të historisë së krahinës prej nga vjen ai, Uskana, duke ofruar të dhëna të vlefshme që nga kohërat e lashta p.e sonë, por edhe të historisë së trungut të tij familjar. Gjithsesi këtu nuk mungojnë të gjitha “stacionet” jetësore nëpër të cilat kishte kaluar S. Ramadani, që nga lindja (7 mars 1939 në fshatin Greshnicë të Kërçovës) e deri në vdekje (27 janar 2018 në Prishtinë).

Autori ka ndjekur hap pas hapi ecjen e Sali Ramadanit në kohë e hapësirë, duke filluar nga rinia e hershme e tij e deri në momentet e fundit të jetës. Në këtë ecejake të gjatë, lexuesi arrin të shoh si në një shirit filmi zhvillimin dhe formimin e një personaliteti, i cili gjatë rrugëtimit jetësor u ndesh në sfida e probleme që ishin rrjedhojë e angazhimit të tij, jotipik për kohën dhe aspak në përputhje me normat shoqërore e politike të një sitemi të cilin ai e luftoi me të gjitha forcat. Sali Ramadani nuk do të ishte ky që njihet botërisht, nëse do të vepronte ndryshe. Ai nuk do të ishte ky që e shohim të portretizuar në këtë libër, nëse jetën e tij nuk do ta mbushte me veprimtari që lanë gjurmë përtej kohës dhe hapësirës ku veproi.

materia që prezantohet në këtë libër monografik përbën edhe një kapitull të rëndësishëm të historisë politike të shqiptarëve në Maqedoni dhe si e tillë kjo materie mund t’iu shërbejë studiuesve të ndryshëm që të thellojnë njohuritë e tyre shkencore mbi procseet politike nëpër të cilat kaluan shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore. Por e gjithë kjo kronologji ngjarjesh pati një protagonist të fuqishëm që nuk u tundua as nga joshjet e pushtetit, dhe nuk u thye as nga vuajtjet dhe maltretimet e shumta që ushtronte aparati i atëhershëm represiv jugosllav-maqedonas. Rrjedhimisht, ky qëndrim stoik i S. Ramadanit nuk kishte mbetur pa pasoja, sepse protagonisti i këtij libri monografik qysh në rini kishte përjetuar në lëkurën e tij ndjekjet policore, burgosjet, arratisjet si dhe proceset e shumta gjyqësore.

Profili jetësor i Sali Ramadanit do të dilte i paplotë nëse nuk përfshijmë edhe veprimtarinë e tij ilegale, që përbën edhe një kapitull të posaçëm të këtij libri monografik. Ajo çka ka vërejtur edhe autori, gjatë veprimtarisë së tij ilegale, Sali Ramadani është treguar shumë i kujdesshëm në raport me bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij, sidomos në situata delikate që survejoheshin nga regjimi jugosllav. Veprimtaria e tij ilegale shtrihej në një hark të gjerë kohor, me një shtrirje të gjërë territoriale dhe një rrjet bashkëpunëtorësh, si përgjigje ndaj sfidave dhe bllokadave që i shkaktonte pushteti i atëhershëm. Kjo bëri që Sali Ramadani të ketë lidhje të fuqishme edhe me bashkëatdhetarët tanë në diasporë, sidomos në Amerikë.

Ky libër monografik përmbyllet me kapitullin XIII, ku autori ka sjellur opinione, mbresa dhe kujtime dhe kjo mbase mund të jetë përmbyllja më e natyrshme e jetëshkrimit të një veprimtari të veçantë të kauzës sonë kombëtare.

Pasi ta kemi lexuar dhe mbyllur edhe kopertinën e fundit të këtij libri, do të kuptojmë se shumëçka që ka qenë dashur të dijmë për Sali Ramadanin nuk e kemi ditur. Prandaj ky libër monografik, përveç që plotëson një boshllëk në tërësinë e informaciove tona, ai i shërben edhe qëllimit të (ri)vlerësimit të personaliteteve tona, i cili patjetër duhet të kalojë nëpër një proces të detajuar të kompletimit dhe sistemimit të të dhënave arkivore dhe vendosjen e tyre në një rrafsh studimi të paanshëm, siç pretendon edhe autori i këtij libri monografik.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT