• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2024

BE: Po presim përfundimin e hetimeve për Banjskën nga autoritetet e Kosovës

March 14, 2024 by s p

Gjeraqina Tuhina |Bruksel|RTK/

Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdojnë të insistojnë se pa i përfunduar Kosova hetimet lidhur me sulmin në Banjskë, Brukseli nuk mund të bëjë asnjë lëvizje apo të marrë qëndrim lidhur me këtë ngjarje.

Këtë pozicion të Bashkimit Evropian e ka përsëritur zëdhënësi i institucioneve Peter Stano, duke nënvizuar se kohëzgjatja e këtij procesit varet nga autoritete kompetente të Prishtinës zyrtare:

“Ishte ky një sulm shumë brutal dhe i dënueshëm në territorin e Kosovës. Dhe, autoritetet e Kosovës janë duke e hetuar. Përveç dënimit të sulmit dhe kërkimit të sqarimeve, qëndrimi i Bashkimit Evropian ishte se presim një hetim të duhur. Pra, qëndrimi ynë është se presim përfundimin zyrtar të hetimit nga autoritetet e Kosovës, kurdo që të jetë gati. Dhe pastaj në bazë të këtij hetimi, ne do të vendosim hapat ose qëndrimin tonë. Ky është qëndrimi ynë. Nuk na takon ne të komentojmë për afatet kohore. Kjo është në duart e autoriteteve të Kosovës”, ka theksuar Stano.

Ai rikujtoi se reagimi i Bashkimit Evropian më 24 shtator ishte i qartë. E përsëriti të njëjtën edhe sot dhe nënvizoi domosdoshmërinë që të dilet me rezultatet e hetimeve.

“Të gjithë ne jemi të interesuar të kemi qartësi se kush e ndërmori atë sulm, kush e mbështeti dhe kush është përgjegjës. Por për të pasur përgjigje për këto pyetje, duhet të shohim raportin përfundimtar nga hetimi e jo dokumente që po publikohen apo lëshohen nga palët e treta. Kjo, është procedurë normale, ligjore lidhur me cilindo krim sulm apo incident. I bëni hetimet dhe pastaj nxirrni përfundime”, ka shtuar Stano.

Bashkimi Evropian vazhdon të kërkojë nga Serbia bashkëpunim në hetimet lidhur me Banjskën. Më herët ishte thënë se ka gatishmëri për vendosjen e masave në rast se hetimet vërtetojnë lidhjen drejtpërdrejtë të shtetit serb me këtë sulm. Megjithatë, me kalimin e kohës, mundësitë për masa ndaj Serbisë zbehen.

Filed Under: Analiza

Prof. Genti Kruja zgjidhet President i Këshillave Ndërfetarë të Europës

March 14, 2024 by s p

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë/

Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja zgjidhet President i Këshillave Ndërfetare të Europës, pjesë e organizatës “Fetë për Paqe” (European National Interreligious Bodies, Religions for Peace Europe).

Gjatë muajit shkurt 2024 Bordi i Presidencës i Organeve Kombëtare Ndërfetare Evropiane në organizatën “Fetë për Paqen” në Evropë shpalli zgjedhjet për President të ri të Këshillave Ndërfetare të Europës.

Pas thirrjes për nominim të kandidatëve, Bordi Drejtues emëroi unanimisht Prof. Genti Kruja, si Presidentin e ri të Këshillave Ndërfetarë të Europës, i cili prej dy vitesh mbante dhe detyrën e Zëvendës Presidentit të këtyre organeve. Ai është zgjedhur kështu me një mandat tre vjeçar në krye të organeve kombëtare ndërfetare evropiane.

Bordi Drejtues ka shprehur vlerësimin për prof. Krujën dhe punën e tij ndër vite për promovimin e dialogut ndërfetar në Evropë, si dhe mbeten në pritje të rritjes së frymës së bashkëpunimit ndërfetarë gjatë këtij mandati.

Prof. Genti Kruja pason ish-Presidentin Dr. Luigi de Salvia, i cili vazhdon të jetë anëtar i Bordit Drejtues të Këshillave Ndërfetarë të Europës dhe President i “Religions for Peace” Itali.

Kush është Genti Kruja?

Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja me profesion sociolog është pedagog i Sociologjisë, Sociologjisë së Fesë, Komunikimit Ndërkulturor dhe Dialogut Ndërfetar në Kolegjin Universitar Bedër. Ai është anëtar i Bordit të Administrimit të Universitetit dhe Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

Prof. Kruja ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në shumë konferenca ndërkombëtare mbi Arsimin, Lirinë e Besimit dhe Dialogun Ndërfetar. Ai është autor i librave “Shqiptarët përballë sfidave të mirëkuptimit ndërfetar” (2008) dhe “Historia e Dialogut Ndërfetar” (2023), botuar nga Instituti i Dialogut “PRIZMI”, si dhe autor i disa studimeve dhe artikujve të ndryshëm shkencorë në lidhje me “dialogun ndërfetar”.

Në vitin 2021, ai u zgjodh anëtar i programit të Bashkimit Evropian “Global Exchange on Religion in Society”. Më 2022 mori pjesë në programin e shkëmbimit, mbështetur nga Departamenti i Shtetit në Universitetin Seattle, Uashington, SHBA. Po në këtë vit, ai u zgjodh ekspert i Lirisë së Besimit në OSBE, Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Gjatë vitit 2023 ai ishte pjesë e Programit Ndërkombëtar të KAICIID, si dhe prej vitit 2022 mbante detyrën e zv/Presidentit të Organizmave Kombëtare Ndërfetare Evropiane-Fetë për Paqe, Evropë.

Më 15 shkurt 2024 ai u zgjodh President i Organeve Kombëtare Ndërfetare Evropiane (ENIB) në organizatën “Fetë për Paqe”, Evropë (European National Interreligious Bodies, Religions for Peace Europe).

Filed Under: Analiza

Kryesia e “VATRËS” në Boston vendosi buqeta me lule tek vend prehja e Fan S. Nolit

March 14, 2024 by s p

Me rastin e 59 vjetorit të ndarjes nga kjo jetë të Fan S. Nolit, Kryesia e “VATRËS” bëri homazhe dhe lutje për shpirtin e tij.

Kryetari i saj, z. Maksutaj, vendosi lule pranë varrit të Nolit duke kujtuar punën e madhe që ai bëri për të mirën e komunitetit shqiptar në SHBA dhe kombin në tërësi.

Ndërkohë Zv/Kryetari i “VATRËS” në Boston, Hirësia e Tij Peshkop Theofan Koja, bëri “Shërbesën e Përshpirtjes” në gjuhën shqipe, pikërisht nga përkthimet fetare që vetë Noli i ka shkruar!

Me rastin e këtij përvjetori të 59-të të fjetjes së Nolit, “VATRA” në Boston në bashkëpunim me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Harvardit do të prezantojnë librin e ish gazetarit të “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi, “Fan Noli – Apostulli”.

Promovimi i librit bëhet të shtunën më 16 mars 2024, ora 12:00 deri 2:00pm në adresën: Boylston Hall 103 Harvard Yard, Cambridge, MA 02138

Fan S. Noli ndërroi jetë më 13 Mars 1965 në Fort Lauderdale të Shtetit të Floridës në SHBA, ku kaloi vitet e fundit të jetës mes miqve.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Filed Under: Opinion

BOTIME NGA SHOQËRITË SHQIPTARE NË AUSTRI

March 14, 2024 by s p

HAZIR MEHMETI, Vjenë 

“Sa mund të mendohet dielli pa dritë, aq mund të mendohet kombi pa gjuhë”  (DIJA )                                                                                                                                                                                                                                                                    

                                                     Pjesa e parë        

                                                                                                                            Periudha e fundshekullit nëntëmbëdhjetë dhe fillimi i shekullit njëzet karakterizohet mes tjerash me botime të shumë teksteve shkollore didaktike, pedagogjike, psikologjike, historike,  gjeografike nga shoqëritë e ngritura në shumë qendra të kohës; Stamboll, Bukuresht, Kalabri, Vjenë, Selanik, etj.  Në rrethin e kryeqyteteve në kontinent në botime tekstesh hynë Austri ku gjetën vend të përshtatshëm për studime dhe veprimtari patriotike intelektualët shqiptarë sot të njohur me ndihmën e tyre në formësimit të shtetit dhe kombit shqiptar.  Në veçanti dallohej Vjena, Graci, Linci, Insbruk, Klagenfurt. 

Shqiptarët kudo që u gjenden jashtë territoreve etnike; në Evropë, Amerikë e Azi, në fillim shekullin e njëzet kishin përqendruar veprimtarinë në jetësimin e idealeve të rilindësve në bërjen e alfabetit dhe shtetit shqiptar. Sundimi i gjatë turk e kishte dëmtuar çdo gjë shqiptare, në radhë të parë gjuhën, trashëgiminë kulturore, fetare, zakonet. Edhe në trevat shqiptare filloi të ndihet rritja në kërkim të identitetit kombëtar për çka duhej liria dhe shteti i lirë. Idetë e tyre të shprehura natyrshëm i shkruan e  rishkruan gjithandej shtypit të kohës duke ndikuar në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. 

SHOQËRIA “ILIRIA”  E SHËNDRUAR NË  “DIJA”, VJENË, 27 DHJETOR 1904

Dr. Gjergj Pekmezi, kryetar i shoqërisë “Dija”, Hilë Mosi, sekretar në Vjenë dhe Nikollë Ivanaj i degës në Raguzë.

           Në Vjenë në fillim shekullin e njëzet, studionin  shumë të rinj shqiptarë dhe kishte  intelektualë që jetonin e vepronin jo vetëm në kryeqytet por edhe në qytet tjera në Austri. Ata fillimisht e fillojnë me formimin e  “Kolonisë Shqiptare të Austrisë” e cila pas një kohe të shkurtër themelon “grupit nismëtar” për themelimin e shoqërisë “Liria”.  Vet emri i saj ishte synonim qëllimi.  Nga jeta e kësaj shoqate kemi pak shënim dhe pas pak vitesh do ndërron emër në Shoqëri “Dija”, ditëlindja e së cilës është 27 dhjetori i vitit 1904.  Nga bashkëthemeluesit, kryetar i saj zgjidhet Dr.Gjergj Pekmezi,  kurse Hilë Mosi, sekretar. Sipas deshifrimit të nënshkrimeve, pseudonimeve, inicialeve del se në takimin themelues morën pjesë 15  anëtarë tjerë, mes tyre:  Dervish Hima, Gaspër Beltoja, Gaspër Mikeli, Kristo A Dako, Kolë Kodheli, , Ndue Paluca (Batusha), Kolë Rrota, Kolë Margjini, Lec Çurçia Simon Kadarja, dhe  të tjerë emra të respektuar në letërsinë, kulturën e historinë kombëtare. Shoqëria e intelektualëve shqiptarë i kishte vënë vetit qëllime patriotike. 

Shoqëria e re “Dija” për një kohë do jetë shoqëri gjysmë ilegale deri në krijimin e rrethanave të favorshme shoqërore e juridike kur do veproj legalisht.  Sipas letrës që Hilë Mosi dërguar  Asdrenit në Bukuresht, regjistrimi i “Dija”-së ishte bërë e mundur tek pas katër vjetëve, me 29 mars 1907. 

Statuti i shoqërisë i ruajtur në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë (Österreichische National Bibliothek) i  botuar në fletushkë i cili  dallohet për nga  rregullsia e  shkrimit dhe renditjes së neneve në shtrirjen e tyre sipas ligjeve dhe strukturës përcaktuese funksionale e praktike.  Neni i parë në statut shkruan:  “Shoqëria “Dija” e ka selinë e saj në Vjenë me degën e saj në Raguzë”. Pika dy: ”Qëllimi i Shoqatës është ngritja e arsimimit të shqiptarëve duke e kultivuar gjuhën e letërsinë shqipe”. Nga këtu shihet lidhja e intelektualëve të Vjenës me intelektual në Raguzë (Dubrovnik) në krye me  Nikollë Ivanaj, një veprimtar i çështjes kombëtare i lindur në Triepsh të Grudës, i shkolluar një kohë në Vjenë dhe mbrojtës i platformës së Rilindjes kombëtare për formim të shtetit shqiptar.  

 Në Vjenë qysh në vitin 1904 do botohet libri “Këndime për shkollën e parë të Shqipënisë”, një formë e veçantë e tekstit për mësim fillestar të fëmijëve në Shqipëri. Nuk ishte i lehtë botimi i teksteve në rrethanat e rënduara në vendin e pushtuar, andaj qendrat e mëdha ku vepronin intelektual të dalluar u bënë burim i rrjedhave kulturore, letrare e shkencore. Vështirësi tjetër ishte jo unifikimi i alfabetit të shqipes, kështu tekstet, ne mesin e tyre edhe gramatikat do shkruhen sipas alfabeteve të Shoqërive të mëdha shqiptare ndër të cilat ishte Shoqëria “Bashkimi” dhe “Agimi” etj. Vlera e veprimtarisë në arsim, letërsi e politikë është e pazëvendësueshëm. Botohen: Shkronjëtoren shqip për gjermanët”-“Albanische Gramatik” nga Dr.  Gjergj Pekmezi, Kalendarët e viteve 1906/7/8/ , të 1910-ës e shtyp në Manastir, “Këndime për shkollat e para të Shqypnisë”. Këto tekste pas Kongresit të Manastirit botohen me alfabetin e miratuar nga Kongresi si bie fjala ”Këndime për të rritshmit”,   “

Gramatika ia folmaria shqyptare e permbledhme me pak fjalë per përdorim t’fmive”, “Libri i dytë i knoitorës shqype për shkollë në Shqypni”, “Libri i tretë i knoitorës shqype për shkollë në Shqypni”, “Abetare” e Ndue Paluces   e folmja e shqipes”.  

                Gazeta “Albanisch Corespondenze“ u botua në Austri nga viti 1912 deri në vitin 1918. Gazeta e parë u botua nga Leo Freundlish dhe Alfred Rappaporti. Kjo gazetë periodike botonte artikuj rreth çeshtjes shqiptare, kryesisht të përmbledhur nga gazetat e kohës në gjuhën gjermane siç ishin gazetat e njohuara “Neu Freie Presse”, “Neues Wiener Tageblat”, Neues Wiener Journal”.  

Shoqëria “Dija” më 12 Janar të vitit 1916 e fillon botimin e gazetës “Vëllazënija” e dyjavëshe fillimisht e pastaj javore. Kryeredaktor ishte Leo Freundlich, i njohur me veprën e tij “Albaniens Golgotha” ku zbulon gjenocidin e ushtrisë serbe mbi popullin shqiptar të Kosovës. Për gjatë tri vjetëve u botuan 110 numra të “Vëllaznija”-së me shumë materiale nga lufta, arsimi e kultura, analiza e shkrime mbi hapjen e shkollave shqipe. Kjo gazetë dallohet me shkrimin e saj të shoqëruar me fotografi që nuk i hasim në gazetat tjera të kohës. Pa dyshim veprimtaria e shoqërisë “Dija” të Vjenës është një gurë i çmuar në themelet e shtetit dhe kombit shqiptar. Veprimtarët patriot që përbënë këtë shoqëri, janë sot emra që shkëlqejnë në historinë e kulturën kombëtare. Adresa e saj ishte: Josefstätestrasse 54, Wien.  Artikulli i parë me temë nga lufta në numrin e parë me titull: “U mor Lovçeni” i kushtohet sukseseve të ushtrisë Austro-Hungareze. 

Nga tema e shkollës dhe mësimit në gjuhën shqipe, nfë numrin e dytë, të datës 28 janar 1916, në rubrikën letrare  “Për Shqypëni e Shqiypëtarë” gjejmë artikullin me titull “Amaneti i shenjt-Gjuha”, artikull porositës për çdo shqiptar kudo që “… një gjë është që nuk mund të blihet, të shitet, të ndërrohet, është një gjë që do tër ruhet, është dhunti dhe shenjë e parë i cili na dallon prej kombeve tjera. Është gjuha jonë”… “Sa mund të mendohet dielli pa dritë, aq mund të mendohet kombi pa gjuhë”, citat nga “Agimi i Gjytetnisë”  

 “Vëllazënija”  e dyjavëshe fillimisht e pastaj kalon për një periudhë si gazetë javore. Kryeredaktor i saj  ishte miku i madh i shqiptarëve  Leo Freundlich, i cili kujdesej për botimin e gazetës me grupin e tij si redaktor dhe bashkëpunëtor i zellshëm. Nuk ishte e lehtë boimi i një gazeta në gjuhën shqip në kohën kur sapo kishte filluar shtrirja e përdorimit të alfabetit të gjuhës shqipe i dalë nga Kongresi i Alfabetit të Shqipes në Manastir. 

        Vjershë nga Gjergj Fishta e botua në “Vëllazënija”  

GJUHA SHQYPE

Porsi kanga e zogut t’verës, 

Qi vallzon n’blerim të prillit; 

Porsi i ambli flladi i erës, 

Qi lmon gjit e drandofillit;

Porsi vala e bregut t’detit, 

Porsi gjâma e rrfès zhgjetare, 

Porsi ushtima e nji tërmetit, 

Ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare. 

Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë,

Porsi gjumi m’nji kërthi, 

Porsi drita plot uzdajë,

Porsi gazi i pamashtri; 

Edhè ndihet tue kumbue; 

Porsi fleta e Kerubinit, 

Ka’i bien qiellvet tue flutrue 

N’t’zjarrtat valle t’amëshimit.

Pra, mallkue njai bir Shqyptari, 

Qi këtë gjuhë të Perëndis’,

Trashigim, që na la i Pari, 

trashigim s’ia len ai fmis;

dhe atij iu thaftë, po, goja,

që përbuzë këtë gjuhë hyjnore; 

qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja, 

flet e t’veten e lèn mbas dore. 

Në gjuhë shqype nanat tona 

qi prej djepit na kanë thânun, 

se asht një Zot, qi do ta dona;

njatë, qi jetën na ka dhânun; 

edhe shqyp na thanë se Zoti 

për shqyptarë Shqypninë e fali,  

se sa t’enden stina e moti, 

do ta gzojn kta djalë mbas djali. 

Vëllazënija, në çdo numër, përveç lajmeve, analizave, kishte edhe shkrime nga arti letrar; poezi, tregime, anekdota.  Poezia e bukur e Dom Ndre Mjedës botuar në rubrikën letrare “Për Shqypëni e për shqyptarë” numri i 10 i saj i datës 30 prill 1916.    (Vazhdon) 

Burime: 

Ndue Paluca-Kolë Kamesi-Ernest Koliq, “Shkollë e jetë” botuar në Austri për nevoja të shkollave në Shqipëri, nga shoqëria studentore “ALBANIA”, 1935 
Max Lambertz, Gjergj Pekmezi, Lehr-und Lesebuch des Albanischen , Wien, 1912. Gazeta,Vëllazënija,  Nr.  1, 12 Janar 1916.
Gazeta, Vëllazënija, Për Shqypëni e Shqiypëtarë, 28 Janar 1916.
Gazeta, Vëllazënija,  Nr.3, Vjenë, 17 Fruer 1916. Gjegj Fishta, Gjuha Shqype.
Dom Ndre Meda, Për Shqypëni e për shqyptarë, 30 prill 1916, Wien. 

Hazir Mehmeti,“Studiues austriakë e shqiptarë në Austri” Prishtinë, 2021. 

Filed Under: Kulture

Zbulime 

March 14, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Disa skica të famshme të bëra nga shkencëtarët e lashtë kanë çuar në zbulime të mëdha. 7 janar 1610 Galileo Galilei po vëzhgonte qiellin me teleskopin e tij. Duke e drejtuar nga Jupiteri, ai vuri re disa pika të vogla që ishin të padukshme me sy të lirë: ata ishin 4 nga afërsisht 69 satelitët e Jupiterit. Nje zbulim i madh. 

Shkencëtari nga Piza i quajti satelitët “yjet Medici” për nder të Cosimo II de’ Medici. Më vonë, të katër satelitët u riemëruan si Io, Europa, Ganymede dhe Callisto (në përputhje me mitologjinë në lidhje me Jupiterin).

Revolucioni kishte filluar.

Në foton e postuar, sipër është skica e Galileos, dhe në fund, një simulim i qiellit në atë kohë në orën 18:00 (i bërë me një program të famshëm PC të quajtur Stellarium).

***

Origjina e Strukturës Richat në Mauritania, e njohur si Syri i Saharasë, nuk dihet.

Për mijëvjeçarë ai mbeti i fshehur nga shikimi i shumicës së njerëzve. Më pas, me ardhjen e misioneve hapësinore dhe satelitëve, Syri i Saharasë, një formacion rrethor gjeologjik në shkretëtirën perëndimore të Saharasë, është bërë një nga subjektet fotografike më interesante në Afrikën e Veriut.

Por çfarë e shkaktoi këtë “vragë” në Tokë me diametër rreth 40 km?

Fillimisht, Struktura Richat – emri shkencor i formacionit – besohej të ishte një krater. Astronautëve nga misioni Gemini IV, që rrotulloheshin rreth Tokës për katër ditë, iu kërkua të kërkonin nga lart për ndonjë formacion rrethor që mund t’i atribuohej strukturave të goditjes, por nuk u gjetën shenja të shkëmbinjve të shkrirë në zonën e Syrit. Ky fakt ka bërë që kjo hipotezë të hidhet poshtë.

Sot, teoria më e besueshme, e mbështetur nga dy gjeologë kanadezë, e gjurmon origjinën e strukturës më shumë se 100 milionë vjet më parë, në kohën e shpërbërjes së superkontinentit Pangea për shkak të zhvendosjes kontinentale. Ndërsa ato që janë tani Afrika dhe Amerika e Jugut u shpërndanë, shkëmbinjtë e shkrirë të shtyrë drejt sipërfaqes formuan një kube shtresash shkëmbore ku tani shtrihet Syri (që do të ishte kështu një lloj kodre e madhe në koren e Tokës). Ky fenomen gjeneroi gjithashtu linja thyerje rreth dhe përmes strukturës, si dhe shpërbërjen e gurit gëlqeror në qendër të tij.

Shpërthimi i mëvonshëm i Syrit shkaktoi shembjen e kupolës dhe erozioni e përfundoi punën, me unazat që shohim ende sot që tregojnë llojet e ndryshme të shkëmbinjve që janë konsumuar me ritme të ndryshme. Pika më e lehtë në qendër të saj do të ishte shkëmbi vullkanik që doli në sipërfaqe gjatë shpërthimit.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT