• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2024

Kryeparlamentari Glauk Konjufca: Kosova e palëkundur në përpjekjet për integrim evropian, demokraci dhe barazi

March 27, 2024 by s p

Ka filluar dje në Kuvendin e Republikës së Kosovës Takimi i 11-të i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë. Nën drejtimin e bashkëkryesuesve, Mimoza Kusari Lila dhe Lukas Mandl, sesioni i parë trajtoi një varg temash që lidheshin me zhvillimet aktuale në Kosovë dhe perspektivën e saj euro-atlantike.

Në fjalën e tij para anëtarëve të këtij komisioni, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, vlerësoi rolin e BE-së në nxitjen e bashkëpunimit rajonal, promovimin e rritjes ekonomike dhe mbështetjen e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, duke shprehur përkushtimin për të punuar së bashku në adresimin e sfidave dhe avancimin e mëtejshëm të integrimit të Kosovës në BE.

Duke përmendur sfidat që Kosova ka para vetes, kryetari Konjufca theksoi nevojën e vazhdimit të zbatimit të reformave në lidhje me sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.

“Ne kemi treguar tashmë përkushtimin tonë për të forcuar qeverisjen demokratike dhe për të siguruar që institucionet tona të jenë transparente, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një komponent i rëndësishëm i bashkëpunimit tonë rajonal. Ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të promovuar paqen dhe stabilitetin në rajon. Ne besojmë se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është pjesa thelbësore e marrëveshjes përfundimtare gjithpërfshirëse, si një parakusht i domosdoshëm që të dyja vendet të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”, theksoi kryetari Glauk Konjufca, duke shtuar se përkushtimi i palëkundur i Kosovës për anëtarësimin në BE qëndron si një fanar i shpresës, duke reflektuar aspiratat e qytetarëve të saj për demokraci dhe prosperitet.

Kreu i Kuvendit tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE ishte dhe vazhdon të jetë një moment historik, i rëndësishëm, drejt integrimit më të thellë, duke theksuar respektimin e kritereve të Kopenhagës dhe vlerave evropiane.

Kryetari Konjufca potencoi gjithashtu se miratimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës nënvizon përkushtimin e vendit ndaj bashkëpunimit dhe integrimit ndërkombëtar. Të drejtat themelore, veçanërisht të drejtat e pakicave dhe grave, sipas tij, janë parime themelore të përkushtimit të Kosovës për barazi dhe gjithpërfshirje. Ai tha se strategjitë që synojnë avancimin e të drejtave të komuniteteve pakicë janë shembull i përkushtimit të vendosur të Kosovës për të siguruar mundësi të barabarta për të gjithë individët, pavarësisht nga përkatësia etnike, gjinia apo orientimi seksual.

“Si përfundim, Kosova mbetet e palëkundur në përpjekjet e saj për integrim evropian, demokraci dhe barazi. Ne besojmë se BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor dhe u bëjmë thirrje vendeve anëtare të BE-së që t’i japin përparësi zgjerimit dhe të japin përfitimet e premtuara pasi të jenë plotësuar kushtet”, tha në fjalën e tij kryetari Glauk Konjufca.

Bashkëkryesuesja e KPSA-së, Mimoza Kusari-Lila takimin e sotëm e konsideroi një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Duke kujtuar masakrat që shteti i Serbisë kreu mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare dhe bombardimet e NATO-s mbi ish-Jugosllavinë, në 25-vjetorin e tyre, Kusari Lila tha se duke parë luftën kaq afër nesh, në Evropë, na kujtohet sasia e punës që duhet bërë të gjithë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin.

“Duke pasur parasysh se viti 2024 është vit zgjedhor për Parlamentin Evropian dhe zgjedhjet janë në afërsi, ju duke qenë këtu me ne, flet me zë të lartë për angazhimin tuaj të palëkundur për zgjerimin e BE-së dhe për qëndrimin pranë Kosovës në këto momente të rëndësishme dhe vlerësimin e hapave që po bëjmë, duke shkuar drejt integrimit në BE”, theksoi bashkëkryesuesja Mimoza Kusari Lila.

Ajo kujtoi edhe njëherë sulmin terrorist nga grupi paramilitar i Serbisë në veri të Kosovës dhe vrasjen e majorit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, akt ky i cili, siç tha ajo, nxori në dritë fytyrën dhe synimin e vërtetë të Serbisë, për të penguar komunitetin serb në Kosovë të integrohet dhe gjithashtu për të sulmuar dhe destabilizuar jo vetëm Kosovën, por paqen dhe sigurinë në mbarë rajonin.

Kusari Lila tha se komuniteti ndërkombëtar e ka marrë parasysh progresin tonë, ku Kosova ka shënuar përmirësim të dukshëm në indekset e ndryshme ndërkombëtare.

“Ndërsa shikojmë drejt së ardhmes, rruga jonë mbetet e vendosur drejt një integrimi më të thellë evropian. Diskutimet e sotme jo vetëm që do të reflektojnë mbi arritjet tona, por gjithashtu do të përshkruajnë rrugën për sfidat dhe mundësitë që na presin. Angazhimi ynë për reforma, së bashku me mbështetjen e vazhdueshme nga Bashkimi Evropian, do të na shtyjë drejt vizionit tonë të përbashkët për një Evropë paqësore, të begatë dhe të integruar“, theksoi Kusari Lila.

Lukas Mandl, bashkëkryesues të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, në paraqitjen e tij bëri thirrje për zbatim të plotë të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, ndërsa përkujtoi se Parlamenti Evropian ka kërkuar heqjen e masave ndaj Kosovës. Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi do të ketë kuptim vetëm kur të mbahet në frymën e mirëbesimit dhe të kompromisit për të arritur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve. Ai tha se takimi i sotëm është vazhdimësi e takimeve që janë mbajtur me herët dhe se zhvillohet në një moment me rëndësi për Kosovën dhe BE-në.

“Nga takimi i marsit Kosova ka përjetuar dy ngjarje, dhuna në maj dhe sulmi terrorist në Banjskë. Përsëris thirrjen e PE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ftoj që të ketë implementim të plotë të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, pa vonesa. Theksoj që Parlamentit Evropian i vjen keq për masat që i janë bërë Kosovës dhe kërkon heqjen e tyre”, theksoi Mandl.

Duke marrë fjalën në takim, zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, tha se Republika e Kosovës i vlerëson lartë rezolutat dhe thirrjet e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për njohjen e Kosovës nga 5 shtetet mosnjohëse, për njohjen e progresit që Kosova ka arritur në reformat e thella politike dhe ekonomike, që ndërlidhen me integrimin tonë evropian, për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, për mirëpritjen e aplikimit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për mbështetjen e aplikimit tonë në Këshillin e Evropës, për thirrjen ndaj Komisionit Evropian për largimin e masave restriktive, si dhe për dënimin e sulmit agresor e terrorist në Banjskë në termat më të ashpër.

Ai tha se Kosova i përket Bashkimit Evropian dhe po punohet secilën ditë që kjo të bëhet realitet sa më shpejt, jo vetëm si qëndrim politik, por edhe si qëndrim e vullnet i qytetarëve të vendit.

Edhe ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, bëri thirrje të hiqen masat ndaj Kosovës, duke i konsideruar tragjikomike.

“Kemi dy programe të bashkëfinancuara dhe këto kanë për qëllim mbrojtjen e komuniteteve dhe forcimin dhe kam kërkuar nga z. Tomas dhe ju lus të bëni çmos t’i përjashtoni këto dy programe nga masat. Me këto masa po i godisni komunitetet, ju lus të bëni diçka për këto masa sepse nuk po mundemi të bëjmë diçka me programet“, theksoi Rashiq, duke shtuar se po bën çmos që serbët në katër komunat në veri të marrin pjesë në zgjedhje.

Shefja e Sektorit Politik, Ekonomik për Integrim Evropian, AnnaCarin Platon, duke folur në emër të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit për Punë të Jashtme dhe Politikës së Sigurisë dhe në emër të Komisionit Evropian, rikonfirmoi bashkëpunimin mes BE-së dhe Kosovës, ndërsa shtoi se është e rëndësishme që Kosova të zbatojë reformat dhe të arrijë progres, duke përmendur një varg objektivash që duhet realizuar.

Takimi i komisionit vijoi me diskutimet e nënkryetarit Bahrim Shabani, deputetëve Fitore Pacolli Dalipi, Armend Muja dhe Eliza Hoxha, si dhe europarlamentarëve Thijs Reuten dhe Ladislav Ilçiq. Gjatë fjalimeve ata paraqitën pikëpamjet e tyre lidhur me progresin dhe sfidat në fushën e reformave të lidhura me integrimin në BE, dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE-ja, si dhe bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Filed Under: Ekonomi

DEVOLLI DHE E FOLMJA E TIJ NË NJË TRANSPLANTIM AMERIKAN

March 27, 2024 by s p

Kosta Nake/

(Romani “Rrëfenjat e Amerikës” i Pëllumb Kullës, botimi i tretë, Tiranë Toena, 2022).

Poeti Ervin Hatibi që në vitin 2013 ka shkruar një analizë të shkëlqyer që i bashkëngjitet këtij botimi, nga e cila po citoj: “…me një kulturë kinematografike të dialogut, Pëllumb Kulla ka arritur të na japë një Shqipëri paralele, ose një Amerikë të tillë, brenda të cilës endet Peçoja njujorkez, një binjak po aq naiv e romantik i Markovaldos së Italo Kalvinos… një koleg, variant soft, korçar dhe jo psikopat i Di Niros në “Taxi-driver”… (f.365-366)

E folmja e Devollit ka shërbyer si lëndë e parë gjuhësore për veprën dhe si brumë stilistik i saj në atë masë që nuk mund ta mendosh se një vepër letrare mund të shkruhet fund e krye në dialekt ose nëndialekt. Shkrimtari Preç Zogaj në pasthënie jep një shpjegim për këto kur shkruan se “…po të provosh t’i lexosh në normën letrare, të duket se rrëfenjat e Peços humbasin më shumë se gjysmën e bukurisë.” (f.369)

Në fillim të pjesës së dytë, vetë autori ka dhënë një shpjegim të tërthortë për këtë zgjedhje gjuhësore nëpërmjet protagonistit Peço Jani: “Po ç’është ajo gjuhë që më ke vënë në gojë, prefesor?! Aaaa! Të lutem shumë! unë, kur të qaj tërë, kam qenë një nga nxënsit më të mirë të gjimnazit të Korçës, kurse aty në tregimet që shkruan ti, unë dukem më i humburi i të humburve, më fshatar i fshatarëve dhe më i ndyri i të ndyrëve nga tërë ata që flasin shqip në këtë botë! Sikur më ka kafshuar gjuhën gjarpri, o i …fsha t’ëmën!” (f.221)

Ndryshe nga analistët që përmenda, kam një këndvështrim të ndryshëm për konceptimin dhe kompozimin e librit, pasi shoh një ngjashmëri me “Don Kishotin” e Servantesit, me dy transformime të mëdha: I pari, Rosinanti i Don Kishotit i shndërruar në “Limuzinë”, i dyti mbi shpinë ka përherë Peço Janin, një Sanço Panço i cili merr në vithe të makinës një galeri udhëtarësh që mund të kenë ndonjë tipar të përbashkët me Don Kishotin. Të gjithë së bashku sjellin një tablo plot ngjyra të fatit të shqiptarëve në të dy anët e Atlantikut të cilët e kanë pothuaj të pamundur të shkëputen nga joshja dhe mendësia e vendlindjes. Uniteti i romanit është siguruar duke ia besuar rrëfimin Peço Janit, një devolliu real ose imagjinar, gjë që i jep dorë autorit të shfrytëzojë aftësinë e të folmes së Devollit sa për shprehësi aq edhe përftesa satirike dhe humoristike. Siç paralajmërohet që në titull, kapitujt janë zëvendësuar me rrëfenja dhe secila ka brenda vetes një ose disa situata kontraverse që sjellin keqkuptime në mjedisin amerikan, rrjedhimisht lexuesi shqiptar e këqyr herë si një gjerdan qyfyresh, herë si një zinxhir brengash. Në pasfjalën e autorit pohohet natyra e dyfishtë e këtyre rrëfimeve: “Në këtë libër gjenden faqe që sjellin gaz, por nuk ka qenë ky qëllimi im fillestar.” Por ka dhe lexues “që më kanë thënë se disa prej këtyre rrëfenjave i kanë lexuar përmes lotëve. Jo që ua poat shkaktuar gazi, por dhimbja.” (f.379)

Rrëfenjat nuk kanë një rend kronologjik, mjedisi ku lëviz Peço Jani alternohet në mënyrë asimetrike mes Nju Jorkut dhe Korçës dhe në ndonjë rast kalon edhe në Greqi nëpërmjet rrëfimeve të emigrantëve që e kanë filluar prej andej udhët e mundimit; tematika është mjaft e gjerë, karakteret mund të shfaqen para syve të rrëfenjësit më shumë se një herë.

Rrëfenja e njëzet e nëntë ka një vështrim të Amerikës me syrin e emigrantit i cili mbetet gojëhapur nga shpejtësia me të cilën zhvillohet teknologjia dhe me dembelizmin që shkon në kahje të kundërt me të. Po për Benin, “nip pe motre” të Peço Janit, Amerika mbetet jo vetëm një ëndërr, por edhe një zbulim i detajuar virtual, falë përparimeve të shkencës dhe teknologjisë kopmjuterike. Në antitezë me Benin, emigrantët që ëndrrën amerikane e kanë kthyer në realitet, provojnë të improvizojnë një copëz Shqipërie në Amerikë, siç ndodh me dasmën, ku ndarja e nuses me familjarët për policinë e Nju Jorkut intrepretohet si akt dhune.

Në Amerikë ka patur një emigracion të hershëm që lidhet me shkaqe politike, me pasojat e Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri. Përveç Europës, edhe në Amerikë ka patur qeveri hije, me kryeministër e ministra, por këta shfaqen në pozita qesharake, pasi duhet të bëjnë punë të rëndomta dhe janë në varësi të punëdhënësve; kjo bën që ministri në hije Xhipe nuk shkon në varrimin e kryeministrit në hije Emin Brahimllari; kjo bën që krekosja politike t’i bëjë kokulur ekonimikisht. Këtyre politikanëve të hershëm u shërbejnë si kornizë dekorative edhe politikanët e rinj të viteve të tranzicionit që luajnë herë pas here me kartën amerikane duke kryer vizita ku nuk i priste askush.

Ndërrimet e emrave në Greqi dhe përshtatjet e tyre në Itali, kthehen në dukuri që përfton humor edhe në Amerikë. Bardha, jo vetëm është kthyer në Barbara, por ngaqë nuk flet asnjë fjalë shqip, i bën burrat shqiptarë ta lëshojnë gojën në prani të saj me fjalë seksuale që do t’i bënin të skuqeshin edhe muret. Edhe Lulja e ka kthyer emrin në Roza, por ajo ka një problem më të madh – nuk do të martohet me shqiptarë, i duhet amerikan për të siguruar edhe legalizimin e vet, nga ana tjetër stoicizmi i saj për një martesë dinjitoze shkrihet si sheqeri në ujë kur shikon filma porno. Fati i ka rezervuar Papin, edhe pse pritja e tij zgjatet e zgjatet dhe ëndrra realizohet në mënyrë të beftë. Një komedi keqkuptimesh prodhon qenia pa dokumenta e Zikes prej disa vitesh, status që mund të ndryshojë në se martohet formalisht me të shoqen e kushëririt Nikollaq. Komedia vazhdon me faqen tjetër të mësallës kur Nikollaqi vjen në Shqipëri e martohet formalisht me Milkën, të shoqen e Zikes, për ta marrë në Amerikë.

Hetuesi emigrant Taqo fajëson viktimat që pranuan akuza të paqena duke ia zgjatur jetën diktaturës dhe këtu grotesku nuk të bën aspak për të qeshur. Taqua rishfaqet edhe në fund të librit, me kohët që i janë trazuar keqas në trurin e rrjedhur dhe hetuesi i shfaqjes së parë deklaron se ka qenë i persekutuar dhe ka punuar në ndërtim.

Peço Jani hedh dritë mbi natyrën komerciale të marrëdhënieve me amerikanët, ai mendon se pas çdo lavdërimi fshihet diçka që është për të shitur, por takimi me mësuesin Shorni merr një kthesë të pabesueshme, kur ia dhuron kitarën Fatlumit, djalit të Peços si shpërblim për një pritje miqësore të një fëmije shqiptar kur ishte për vizitë në Shqipëri.

Ardhja e parë e Peços në Shqipëri i jep mundësi autorit të sjellë atmosferën e viteve të para të tranzicionit kur nuk njihej celulari, nuk ishte shtrirë rrjeti i antenave telefonike dhe shërbimi ofrohej privatisht nga ata që kishin kthyer nga Greqia me këtë pajisje që shfrytëzonte valët që vinin në pika të caktuara duke i detyruar fshatarët të bënin një lëvizje të ngjashme me pelegrinazhin. Kjo krijon një atmosferë gazmore me bisedat me zë të lartë që hedhin për konsum publik të palarat e shtëpisë.

Në ardhjen e radhës Peçua kalon në doganë 43 mijë dollarë të padeklaruar duke i fshehur në mbathje. Topi i maskuar i parave ka krijuar një joshje seksuale për gratë, siç ndodh me bullgarkën, por e vë Peçon në pozitë të vështirë dhe në rrezik të zbulimit të dollarëve kur i propozohet garë pallash nga një polic shqiptar i kontrollit. Përmes groteskut përcillet ftesa e dasmës në Shqipëri ku Peços i bëhet nder i veçantë për dollarët e tij, darovat për nusen dhe përfshirja me lezet në garën e çmendur se kush do t’i hedhë orkestrës më shumë para.

Si një intermexo e dhimbshme mes udhëtimeve të Peços në Shqipëri ndërkallet ai i Erzen Kryeziut, atdhetari nga Kosoava që merr me vete të birin për të përmbushur një amanet, por bie në një rrjetë hajdutësh që sa futet në doganën e Qafë Thanës, ku nuk mund të kalosh pa lyer rrotën e qerres; kur kërkon të strehohet në një hotel dhe përfundon te një kambist mashtrues; kur ulet në një lokal dhe del prej tij për të parë që makinën ia kanë grabitur. Djali Frashër më kot pret që i ati t’i zbulojë Shqipërinë idilike hyjnore, sepse pas çdo ndalese vjen shprehja “do dhe ca” deri sa dalin në Hanin e Hotit.

Xha Jazua është emigranti më i veçantë, sepse skleroza ia ka përzier kohët. “Kujtesa e tij, si ndonjë dhi e egër, harbon në të gjitha skërkat e pllajat e jetës së plakut: partizan, oficer në ushtri, kryetar kooperative, pastaj i deklasuar… Harbon dhia, harbon, por gjene te pllaja e partizanit vete qëndron.” (f.126) Oficeri i rrjedhur mendon se është detyra e partizanëve të pastrojnë edhe Nju Jorkun nga gjermanët që s’janë veçse punonjës të ambasadës. Fantazia vazhdon me dorëzim armësh, me plotësim formularësh e pritje afatesh. Një lloj tjetër pushtimi i ndodh Amerikës në sytë e Papit naiv, një pushtim “avash-avash me dhelpëri të madhe”, pushtim me bileta duke përdorur “aropllanët e saj” me sloganin: “O burra, kush e do Shqipërinë, të niset për Amerikë, ce do na e zenë të tjerët!” (f.231) Shqiptarët bëhen kontributorë të mëdhenj të përparimit të Amerikës kur, si Ylli pe Devolli, lënë për një natë mijëra dollarë në kazinonë e Atllantik Sitit; shqiptarët dhe europianët e tjerë si Papi dhe Xhani, bëhen kontributorë si gjahtarë që i blenë fazanët dhe shkojnë e paguajnë në rezervat për t’i vrarë fazanët e blerë. Shqiptarët bëhen të famshëm, si Zikja me Fordin e tij të vjetër, që guxon ta përshkojë Amerikën nga Lindja në Perëndim në kërkim të një pune, pa ditur të komunikojë në anglisht dhe pa ditur të orientohet me tabelat rrugore. Shqiptarët shquhen edhe në fushën e artit, si pikturisti Ndreçkë, i cili hap ekspozitën vetjake ku fton ambasadorin shqiptar dhe bën thirrje që veprat të shiten në ankand për t’u dërguar në Kosovë, kurse paratë të derdhen në llogarinë e Ndreçkës. Si shumë shkrimtarë e artistë në Shqipëri, edhe Ndreçka i lëpihet përfaqësuesit të shtetit duke i premtuar ta futë portretin e tij në vend të ambasadorit të mëparshëm me shpresë se do t’i hidhet ndonjë llokmë. Tabloja e krijuesve pasurohet me gjeneralin e dënuar që ka vendosur të botojë kujtimet e veta në Shqipëri. “Ne ishmë gjeneralë pe lecke dhe i hanim munë Enver Hoxhës.” (f.275) Dorëshkrimi i tij jo vetëm ndesh në kundërshtimin e gruas dhe djemve për t’u bërë publik, sepse përmend emrat e vërtetë të persekutorëve, por e fut në telashe dhe Peçon që përfundon i varur me kokëposhtë në një vend të fshehtë, sepse është i vetmi njeri që e ka lexuar dorëshkrimin dhe mund t’ia zbulojë botës të vërtetat e rrezikshme.

Pasi i ka ndjekur shqiptarët këmba-këmbës rrugëve të Nju Jorkut dhe jo vetëm, Peço Jani rezervon një kuti me llokume edhe për ngjarjet e familjes së vet. Kontakti i përditshëm i tij me amerikanët vjen nëpërmjet Xhorxhit, bosit të shoferëve dhe dispeçeres Elisa; dashuritë dhe xhelozitë e bëjnë Peçon të marrë një puthje nga Elisa dhe të ngjallë xhelozinë e Rezartës. Gruaja e Peços bëhet shqiptarja e parë që sfidon anglishten duke u mësuar fëmijëve amerikanë shprehje mohuese shqip me fjalën kyç “mos!” dhe arrin të kthejë vendimin e zotit të shtëpisë për largim nga puna. Nga ana tjetër Rezarta kthehet në viktimë e mosnjohjes së anglishtes kur në ballafaqimin me mësuesen e Fatlumit, është i biri që bën përkthyesin mes të dy grave dhe e shtrembëron bisedën duke e përshtatur në lavdërime për veten. Fatlumi pas lidhjes me një vajzë kineze, të cilën e ndjek me qindra kilometra larg, i ofrohet një mundësi lidhjeje e re, pasi Peçoja, duke çuar dikë në një hotel, njihet me pronaren që kishte një vajzë dhe ishte e gatshme t’i jepte Fatlumit për ta shpëtuar nga shoqëria me vajza lesbike. Po kësaj krushqie i has sharra në gozhdë se del problemi kush do t’i paguajë dollarët për shpenzimet e benzinës që kërkon realizimi i takimeve mes të rinjve. Peçoja i ka rezervuar vetes një vend të veçantë nderi kur nga goja e tij dalin fjalët lapidare: “Ah, bre, të mira janë këto nënat shqiptare, të mira, por kanë veç një të metë të madhe: pjellën më shumë kumandantë se ushtarë!” (f.311) Mirëpo shtypi amerikan autorësinë e kësaj thënie ia kalon Faik Konicës dhe Peço Jani vjen posaçërisht në Shqipëri, madje troket deri në dyert qeveritare për të marrë autorësinë dhe, kur nuk ia del, e nxjerr inatin me bustin e Faik Konicës duke ia thyer hundën.

*

Pëllumb Kulla ka shfrytëzuar me mjeshtëri veçoritë leksikore të të folmes së Devollit me trajta arkaike dhe huazime, me përdorimin e “ll” në vend të “l”, me mbiemra e pjesore me “ë” tejfundore, etj. Disa nga fjalët karakteristike më të përdorura në këtë roman janë: akoma, alamet, avash/javash, biçim, byrazer, cimbis, një çiçkë, damblla, demek, firomë, gjene, kakapër, karta, leshra, llafosem, llahtarë, llangos, llaps, llastiçkë mbrojtëse, marifet, mesele, e mëngjër nejse, okllahi, pataksem, penxhere, romuze, qerrkë, sebep, sefte, sërë, shuk, teleshmen, tellall, turi, ujdis, ulk, etj. “Ce nuku na ke treguarë, mo byrazer?” (f.43) “Ne vetë ia kishmë varur ulkut mëlçitë në qafë.” (f.104)

Pjesa qëndrore e materialit gjuhësor që shfrytëzohet për humor janë shprehjet me një përdorim të shkujdesur dhe pa doganë të fjalëve tabu për standartin e gjuhës, por që kanë filluar të përdoren gjerësisht në letërsinë artistike në trajtat e plota, pa trepiksha, reagime pakënaqësie, sharje dhe mallkime. “O dë …çkë të s’ëmës” është presidentja e ligjërimit bisedor që nuk mungon pothuajse në asnjë nga 36 rrëfenjat ose zëvendësohet me maskimet “t’ëmën e s’ëmës” ose “t’ëmën-o”.

Shprehje të tjera karakteristike janë: T’u mbylltë e mëndjes, të më bëhesh def, të ma hash munë, nuku ka bythë të rrijë, u bëfsh lëmsh, më thertë mua, mo bythkë, më març pleshtat, e zuri tartakuti, ç’mutin ka?, nuku kish këllqe, u mblodhnë kulumçe, të rëntë dambllaja, nuk i jep dum, leri pordhët, e kam llafnë de/për, në hale të gomerëve të veç, është me zarar, “I bëj mutnë unë, jo fle atje” (f.239) nuk ja zuri llafnë njeri, të pjerdh mu në…, “Hë më të lërofsha” (f.252) “Në të sat’ëme vafsh!” (f.262) tërë dëngla, “më vjen gjyç të flas për vete” (f.323) mos ta pafsha bojën, rospi e mutit, etj.

Përdorimi i prapashtesave zvogëluese dhe përkëdhelëse është një dukuri që përdoret gjithandej në toskërishten e juglindjes, madje në to ka një aktivizim me dorë të lirë të autorit duke e përdorur edhe atje ku nuk ndeshet në të folmen e përditshme: mësuskë, doçkë, dritarkë, njëckë, flamurkë, etj.

SISTEMI FOLJOR

(Shënim: Në fillim janë vendosur fjalët normative të gjuhës dhe pastaj trajtat e të folmes devollite të përdorura në këto vepër.)

Koha e tashme, veta e parë, numri njëjës: shikoj – shëkoj, fluturoj – flytyroj, jeni – ini. “Kot ini munduarë.” (f.52)

Koha e tashme, veta e parë dhe e tretë, numri shumës: ndjekim – ndjekëm, ndjekin – ndjekën, vjedhim – vjedhëm, vjedhin – vjedhën. “Dë duartë kanë koburet që akoma nxjerën tym pe grykave.” (f.30)

Koha e pakryer: haja – hanja, hanim – hamin, dukej – dukshe, dukeshin – dukshin. “Unë nuku kishnja parë donjë zakon si ky. (f.29) “Më pyeti mos më ndodhçe ndonjë njëqind dollarëshe. (f.240)

Koha e kryer e thjeshtë: dola – dolla, dolëm – duallmë, u ktheva – u këtheva, u kthyem – u këthemë, u shtuan – u shtuanë, u mblodhëm – u mblothmë, sollëm – suallmë, ikëm – ikmë, preu – previ, bleu – blevi, kaloi – kalovi, përfshiu – përfshivi, u ula – u unja, u ulëm – u unjmë/u ungjmë/u ulmë. U ulmë e pritmë gjersa ata u ngopnë. (f.41)

Koha më se e kryer veta e parë dhe e tretë shumës: kishim ëndërruar – kishmë ëndëruarë. Sa e kishmë ëndëruarë Amerikën, o prefesor. (f.13)

Mënyra lidhore: Të më vrasësh – të më vraç, sa të dhjesësh – sa të dhjeç, Nuk ta japëm maqinën sëkur të pëlcaç. (f.175) “Raki, bre, që ta pish e të preç pesë minuta, pa të të lerë të marrç prapë frymë! Ama edhe ti, i thashë vetes, sëkur do të hapç dyqan në Bronks, o t’u mbylltë! (f.351)

Pjesorja: laluar – kaluarë, zbërthyer – xbërtherë, shkulur – çkulur.

Përcjellorja: duke qeshur – dyke qeshur.

SISTEMI EMËROR

Rasa emërore, trajta e pashquar: profesor – prefesor, karrige – karike/karekllë, aeroplan – aropllan, xhaketë – xhaqetë/zhaqetë, makinë – maqinë.

Rasa kallëzore, numri njëjës: Devollin – Devollë, zanatin – zanatnë, hurin – hunë, gishtin – gishtnë/gjishtin, të nesërmen – të nesmen. “Ti ia paske krehur bishtnë?” (f.274)

PJESËT E TJERA TË LIGJËRATËS

Përemrat: ai – ay, ndonjë – donjë, tjetër-tjatër, fëmijët e mi – temit. Me këtë taksiçkën teme tashi jam mirë. (f.35) I tregova për ato që the tinë. (f.140)

Mbiemrat: i këtushëm – i këtushmë, e ndershme – e nderçme, i çapluar – i çapluarë.

Ndajfoljet: spanjisht – spanjollçe, pastaj – papastaj/pastajza, zvarrë – xvarë, ca – cazë/cackë, ndonjëherë – donjerë, tani – tashi. Tashi do t’ja shëkoni avazë. (f.52)

Lidhëzat: sepse – ce, prandaj – pandaj/prandajza, sikur – sëkur. Po sëkur është vetëm ky hall këtu! (f.13)

Parafjalët: në – dë, nëpër – dëpër, prej – pe, nën – dënë. Gjashtë kate dënë dhe. (f.13)

Pjesëza: nuk – nuku, mjaft – mja. Xheç na zuri mëngjezi. (f.37) Mënë! Budalla djalë! (f.301)

Gjatë transplantimit duket se ca prëska nga Atlantiku mund të kenë ndikuar në disa rrëshqitje nga e folmja devollite, ose trajta të një rajoni përej Devollit mund të ketë arritur të përzihet si egjra me grurin. Trajta e parë është devollite, tjetra jabanxheshë: gollogash – gollomesh, njëndizë – njëditëzaj, yej – uej. “T’ëmën ky, uej!” (f.229). Në Devoll vazhdon të përdoret parafjala “dë” por autori e ka zbutur me “në”, ndërkohë e ruan te parafjala “dëpër.” Mungon në tekst përemri “yve” që vazhdon të jetë mjaft i përdorur edhe sot.

Bilisht, 20 – 26 mars 2024

Filed Under: Kulture

Ylber Merdani: Se doja shumë në jetë e putha pak…” dhe “Lotët në sytë e një burrit janë margaritarë!

March 27, 2024 by s p

Requim Homazh për Poetin dhe Publicistin e njohur korcar Ylber Merdani

Shkruar nga Raimonda MOISIU

I trishtë lajmi i ndarjes nga jeta i Poetit e Publicistit të njohur korcar Ylber Merdani, ndjejmë trishtimin, boshllëkun dhe mungesën që na lë në zemër e shpirt, gjithmonë humbje e një personaliteti intelektual, kombëtar e historike për kombin, letrat shqipe dhe shoqërinë shqiptare. Unë kam pasur fatin e lumtur, se me poetin Ylber Merdani, më lidh miqësia e hershëme, prej fëmijërisë sonë, e në vazhdim, lindur dhe rritur në lagjen e; “Mirahorit të Madh”, në lagjen e Merdanëve, e Tuxharëve, e bejlerëve Mytevelinj, e Tabakëve etj, një nga lagjet autoktone të aristokracisë myslimane. Poeti dhe publicisti Ylber Merdani ka lindur në qytetin e Korçës, në një familje autoktone qytetare, nga aristokracia myslimane më e hershëme e këtij qyteti dhe në një nga ato “Familjet e Mëdha Shqiptare”, sikundër është edhe familja “Merdani”. Në historinë e Shqipërisë, familja “Merdani”, ka qenë me një influencë jo vetëm brenda qarkut të Korçës, e vendit, por edhe më tej, ne Ballkan. Edhe pse ka kaluar më shumë se një shekull – jemi gati në mbarim të cerek shekullit të njëzetenjëtë, por akoma edhe sot në memorien e kombit, në memorien e brezave të ardhshëm të Korçës tonë ndihen: forca, karizma, shpirti filantropik e intelektual, humanizmi, njeriu arsimdashës, atdhetar e influenca e familjes Merdani. Brezat e ardhshëm të Korçës sonë, përpiqen të adaptojnë nga aureola e kësaj familjeje fisnike dhe bashkëkohësit e fisit “Merdani” shprehen me dhimbje duke thënë se: kjo familje u përndoq dhe u persekutua pa asnjë shkak.

Regjimi komunist influencën dhe fisnikërinë e kësaj familjeje autoktone korçare e shihte si një kërcënim demokratik, për sistemin e tyre të urryer. Përveç burgosjes të burrave të fisit Merdani, që nga tregetarët e grosistët e kësaj familjeje, deri te këngëtari i talentuar, artisti i kombit, Sherif Merdani, poeti e publicisti Ylber Merdani, pjesëtarët e tjerë të kësaj familjeje të madhe ju nënshtruan kalvarit të tmerrshëm të persekutimeve, vuajtjeve dhe dhimbjeve, edhe në internim, për 24 vjet. Sa herë vija në Korcë, takimin e parë do e kisha me mikun tim, poetin e publicistin, Ylber Merdani, të vuajturin në burgjet famëkeqe të diktaturës komuniste dhe në internim, një prej zërave që nuk heshtën për krimet e diktaturës. Aty ulur aty nën hijen e një bliri, në oborrin e Bar Restorant;”Sofra Voskopojare”, nën shoqërinë e me poeteshës Zhaneta Tuxhari, kompozitorin e serenatave Nonda Kajno dhe editorin e Korcaneës., publicistin korcar Erget Cenolli, etj. Ashtu i pakët në trup, me thinjat mbi krye, fliste me humorin e hollë, ironik, sarkastik, dhe kur fliste për dashurinë cdo tipar i fytyrës së tij qeshte, kënaqej dhe nga shpirti i tij lirik dilte vargu klasik i poezive të tij që është edhe aristokracia e poezive.

Ndjej një emocion të vecantë teksa po shkruaj këtë requem për një burrë plot virtyte, mik, koleg, bashkëshort shëmbullor dhe një artdashës i cmuar, si Poeti dhe Publicisti Ylber Merdani. Ende ruaj në kujtesë, rrëfimin e tij në një intervsitë kam zhvilluar me të, të cilën që në fjalët para shprehte fatin fatal e të pamohueshëm të bashkëvuajtësve, një rrëfim tragjik, përpos gjithë atij kalvari dhimbjesh e vuatjesh, deri në humbje jete, sakrifca, që poeti dhe publicisti Ylber Merdani dhe bashkëkohasit e tij, përjetuan në burgjet e diktaturës. I thinjur, me syze, disi i mpakur në trup, por energjik, optimist i qeshur e plot humor, herë sarkastik dhe herë gazmor, altruist dhe me shpresë tek ardhmja, Ylberi të jepte përshtypjen e një personazhi që jetoi njëherazi mes së vërtetës historike dhe hipokrizisë së kohës, mes tragjikes dhe dhimbjes, mes atyre personazheve “ ish – heronj”, që nuk kanë të krahasuar, e i shkatërruan ëndërrat dhe u munduan të përdhosnin nderin e familjes Merdani! Por ja vjen një ditë e ndërrojnë kohët, rolet dhe personazhet. Ndërrojnë vërtet! “Ish- heronjtë” zveniten, ushton klithma e zërit të të parëve, klithmë për nderin e rilindjen e një shpirti të lirë. Nuk është më iluzion, se jeta tashmë ka ndryshuar, janë kilthma të një tragjedie historike, biles, as që mund të perceptohen – thoshte poeti Ylber Merdani, – nga brezat e ardhshëm. Ai botoi një studim publicstik mbi krimet e komunizmit ndaj inteligjencës përparimtare të kohës, ishte zëri i parë popullor, për të kuptuar jetën, ekzistencën, bashkëjetesën e të mirës me të keqen, të dhimbjes me vuajtjen, të së vërtetës me krimin, libri që na rrëfeu, se cilët kemi qënë e cilët jemi në të vërtetë. Në atë rrëfim shpesh, sytë e poetit përloteshin, porse “rrezatimi i atyre lotëve” – është margaritar në sytë e një burri”- shprehej Ylberi. Që do të thotë se edhe në fatkeqësi, në dhimbje e gëzim, nën trysninë e realitetit tjetërsohesh e ndërgjegjësohesh, për të hedhur në letër, emocionin, plagën që ti mendon se ka zënë kore, për të dhënë mesazhin ndryshe të përjetësimit e nderimit të veprës së tyre. Ylber Merdani, poezinë e donte si fëmijën e tij, e kishte “dashurinë e tij të përjetshme”;

“Sonte s’dua dimër dua maj, / Tani natën le të shkrepë dielli, / Kam dy buzët, kam dy sytë e saj, / Sonte kam këta dy yje qielli.

Sonte dertet, brengat i përzura, / Sonte jam i joti, -Dashuri. / Le të tallet dhe hëna me mua, / “Cilimi, i shkreti cilimi.”

Ndërsa lexoja poezitë e poetit Ylber Merdani, vura re se fjalori poetik i tij me një larmi të gjetura shprehjesh gjuhësore e metaforash, shkruar në vitet e dhimbjes e të mbijetesës, brenda një fshati të vogël, i internuar, i vetmuar, në Shtyllë të Vithkuqit, -apo- brenda mureve të burgut të Spacit. Poezitë e tij janë të mrekullueshme, meditative, mjeshtër i ironisë e sarkazmës, i humorit dhe batutave, i dhimbjes e trishtimit, mallit e dashurisë, me një stil elegant e elokuent në varësi të rrethanave fizike e shpirtërore që e ka shkruar poezinë. Duke përfshirë edhe poezinë;”Rikthim në Korcë pas 24 vitesh”, përshkrimi i shmbëlltyrës letrare, eleganca e vargjeve dhe fisnikëria e zërit të tij poetik mbesin të pazvëndësueshme. Pesha e historisë qëndron e mbushur me dhimbje, sakrifica, vuajtje, dëshpërim dhe i pashpresë në Korcë, aty ku ka rrënjët e tij.

“Pa kisha dhe prindër, pa kisha shtëpi, / nga shokët askush s’paska mbetur./ Kaloj kësaj rruge si i huaj tani,/ I thinjur, i kërrusur, kockë tretur./ Me mijra mendime, kujtime në kokë,/ Pengohem, rrëzohem përdhe. / “U vrave o bir?” -një zë më thotë, / është zëri yt mëmëdhe!

Apo te vargjet e para të po kësaj poezie kur thotë:“Dikur kësaj rruge, kaloja i qetë, / Dhe kollë nuk kisha aspak. / Po kisha ca shpresa, ca ëndrra në jetë, / Pa kisha dhe miken zambak.”

Vargje lirike që analizojnë deri në imtësi të vërtetën e një ekzistence të fragmentizuara me sqimë intelektuale, me forcën e dhimbjes e të dashurisë njerëzore. Në një poezi të tillë lirike Poeti Ylber Merdani na jep dhimbjen që ka kaluar nëpër rrotat e historisë. E në ditën e ikjes së Poetit e Publicistit të njohur korcar, Ylber Merdani kemi aq shumë për të treguar, kujtime që përzier me trishtimin tonë, janë; mirënjohja dhe vlerësimi. Mirënjohje, që jeta na ofroi të ishim pjesë e orbitës së mëncurisë dhe erudicionit të tij intelektual, qytetar e krijues, duke qenë nga njerëzit e panumurt që mësuam shumë më tepër prej personalitetit, dhe dritës së veprës dhe kontributit të cmuar që la pa.

Mirënjohje dhe nderim për mikun dhe kolegun tonë të cmuar, Ylber Merdani, hija e veprës së tij do të malit shquhet ndër breza si një vlerë kombëtare e historike.

U prehsh në paqe Ylberi ynë i mrekullueshëm, Poeti i Dhimbjes e Dashurisë!

Qofsh i paharruar! Ëngjëjt të këndofshin në çdo agim!

Raimonda MOISIU

Author/ Freelancer,

Florida/SHBA

Filed Under: ESSE

Lamtumirë Ina Kasimati kolege e çmuar e Gjimnazit “Çajupi” në Tiranë

March 27, 2024 by s p

Me shume dhimbje e mora lajmin e ikjes së parakohshme nga kjo botë të koleges sime Ina Kasimati dhe gjithë shqiptarëve që e donin dhe e çmonin aq shumë për profesionalizmin dhe karizmën e saj. Ndonëse u njohëm shumë pak, sa për të lënë pyetjen: se cila është kjo mësuese me sy të bukura që na ka ardhur në sallën e mësuesëve, përsëri ne i vazhduam lidhjet si mësuesja me mësuesen, pasi u largova nga viti i mbrapshtë dhe i mallkuar i 97-ës.

Ti luftove fort, fort për ta mposhtur sëmundjen makabre të shekullit të kaluar dhe të këtij shekulli. Luftove se e doje shumë jetën, luftove se doje djemte e tu të shpirtit, ti ishje një luftëtare e paepur e të drejtave të grave dhe të njeriut, ti e doje natyrën dhe e mbrojte atë me shpirt. Në websit-in e shkollës “ÇAJUPI” gjithmonë shkruajnë për ty si: “Falënderues për mësuese Ina Kasimatin, që mundëson përfshirjen e nxënësve të gjimmazit “Andon Zako Çajupi ” në projekte globale, duke ndërgjegjësuar brezat për të vlerësuar çdo gjë që i rrethon…

Në fakt ti na doje të gjithë, o sy bukura dhe shpirtbardha Ina. Nuk do ta harroj kurrë komunikimin dhe organizimin surprizë që doje t’i bëje mësuesit të matematikës, kolegut tone të çmuar Arben Cferit dhe më kërkove nje vidio mesazh për ta uruar.

Ina e dashur, tani po ta tregoj se me sa lot e kam bërë atë vidio, ma ktheve njëherë se thoshje që të duken sytë pak me hije, në fakt ato ishin rrëkeza loti, por s’desha të të mërzisja, ishin gjithë kujtimet e mia për atë shkollë me kolegë të mrekullueshëm, me nxënës brilantë, ishin kujtimet të mbledhura me kotka lotësh në grykë. Sa shumë më urove me dhimbje, kur bëra shkrimin homazh per ish drejtorin tonë të nderuar Vedat Sferdelli, dhe qe nga sot ti iu bashkove ëngjëjve në qiell. Gëzohesha shumë kur shikoja dhe lexoja kolegët e mi te shkollës së mesme të përgjithshme “Çajupi” që të suportonin aq shumë si Herta Prushi, Aishe Karaj Hajredini, Arben Cferi, Dhurata Kasa e shumë e shumë të tjerë, si dhe gjithë nxenesit e tu të dashur, sepse ti ishje mësuese e përkushtuar, plot kulturë, bamirësi, profesionale.

Sa frymëzuese ishje sybukura Ina dhe këtu po sjellë një ndër mesazhet që kemi shkëmbyer së bashku:

E dashur Ina ju uroj shëndet dhe sherim të shpejtë. Gjithmonë je në vemendjen time, me shkumësin e bardhë në dërrasë si qumështi i gjirit, me perqafimin e një nxënësi qe i jep muzë për të vazhduar mëtej, me një molekule shpirti që lufton reaksionet masikiliste që mjerisht janë pirgje pirgje në atë vend… Të lutem merr ne telefon vellain tim F.Gj. në Rinas, pasi i kam dhënë një dhuratë të vogël për ty. Ndihu e lirshme! Të përqafoj me mall si kolegjia kolegen!

E mira Ina përgjigjet: Shumë faleminderit! E dashur Këze, ju jeni prova që tregon se një njeri mund ta takosh një herë në jetë, por të *godet* me mirësi natyrale që ti e mban me vete gjithmonë… Në atë sallë të vogël te mesuesëve, ti hyre krejt ndryshe nga kolegët, e buzëqeshur pyete për mua: kush është kjo vajzë e bukur? Dhe vazhdove fjalët e mirëseardhjes po kështu…

Të perqafoj dhe të uroj të jesh gjithmonë keshtu!

I solla këto copëza kujtimesh sepse e çmonte shumë miqësinë, mirënjohjen, respektin reciprok dhe ashtu veproi një jetë të tërë duke përhapur dritë dhe mirësi të pashoqe. Ajo fitoi pavdekësinë!

Dritë të pastë shpirti dhe djemtë e tu me Amantinin e vogël paçin uratat e tua dhe bekimin e Zotit.

Lamtumirë kolege e çmuar dhe e vyer Ina Kasimati!

Kozeta Keze Zylo

Filed Under: Sociale

Jorgo Papingji do kujtohet si poezia fjala më e bukur e zotit

March 27, 2024 by s p

Albert Z. ZHOLI/

Jorgo Papingji është një nga poetët më elegant shqiptar si dhe një intelektual me vlera të rralla. I qetë, i qeshur, i dashur e sheh gjithmonë me laps dhe letër në dorë. Me të kam bërë shumë intervista, por edhe biseda miqësore dhe kam ngelur i befasur nga dijet e tij. I madhi Papingji, është një autor dhe poet shqiptar, i njohur për këngët e tij të shumta që morën pjesë në “Festivali i Këngës në RTSH”. Ai ka shkruar 5 këngë fituese në “Festivali i Këngës”, njëri prej të cilave ka marrë pjesë edhe në Festivalin Evropian në vitin 2014. Mban titullin “Mjeshtri i Madh”. Jorgo Papingji ka shkruar mbi 4000 këngë që ruhen në arkivin e tij. Në biseda ai gjithmonë patjetër do ta përcillte emrin e Vlorës disa herë. Ja si shprehet ai në një bisedë telefonike para 1 viti:

“Kam disa muaj që jam në vendlindje, në Vlorën heroike. Jam në Vlorën e Ismail Qemalit aty ku hodha hapat e parë dhe mora aromën e detit që më nxiti për krijimtarinë. Ishte ky qytet fisnik që m’i fali të tëra që unë të merrja penën dhe të krijoja. Vlora është një magji, është diell, hënë, është det, hapësirë, mbushur me stoli dhe vende piktoreske. Vlora më çlodh, më emocionon, më jep krahë dhe më lehtëson nga çdo dhimbje. Ka burra të mençur dhe natyrë përrallore. Nuk do isha ky që jam besoj nëse nuk do të kisha lindur në këtë qytet historik, ku çdo gur ka një ngjarje, ku çdo ditë ka një histori”. Një situatë të vështirë Papingji kaloi në vitin e Covid-19. Nuk e kishte parë kurrë veten të izoluar. Kjo situatë ka qenë tepër e vështirë, tepër e dhimbshme më thoshte shpesh në telefon. Kjo situatë as që ishte menduar pasi e ndau nga shokët, nga miqtë nga aktivitetet, nga krijimtaria e mirëfilltë, nga dasmat, fejesat, nga lëvizjet jashtë atdheut. Ju larguan në përjetësi shumë shokë pa u dhënë lamtumirën si duhet. Çdo ditë e atij viti dëgjoheshin lajme nga më të trishtat, vrasje, zjarre, vdekje, vjedhje, grabitje, largim të rinisë. Shqipëria po varfërohet dhe po plaket më thoshte kur takoheshim. Në disa momente nuk dimë as si të veprojmë. Si duket i kishte ikur ajo iniciativa e dikurshme për të bërë vepra të bukura. Por megjithatë në çdo ditë ka pak diell, ka momente të bukura, kishte situata që e gëzonin. Krijimtaria e largonte nga ky terr që e ka çuar vendin politika. Sa herë dëgjonte në televizione lajme të pabesueshme merrte lapsin. Aty gjente ngushëllim. Aty sikur largonte hallet. Politika jo vetëm si koncept, por edhe si profesion ishte dhe mbetet jashtë shijeve të tija. Kjo s’do të thotë që s’e ndiqte politikën që nuk njihte politikanë. Jo! Përkundrazi, çdo poet është një ndjekës i rregullt i politikës, pasi me krijimet e tij jep një nxitje ndaj popullit, ndryshe nga ajo që bën politika. Por tjetër të miresh dhe tjetër ta ndjekësh. Çdo intelektual duhet ta ndjekë me vëmëndje politikën e vendit të vet. Aq më tepër poetët. Në shumë vende të botës poetët e mëdhenj edhe me tre vargje kanë qenë burim frymëzimi për masat popullore, për të drejtat e tyre dhe për t’i nxitur ata kundër shfrytëzimit. Por ai nuk është marrë direkt me politikë, pasi politika më e mirë për vendin e tij, për kombin e tij është poezia, arti. Një poezi e bukur me frymë atdhetare për të janë sa qindra ligjërata të politikanëve në parlament. Një poezi për Atdheun është sa mijëra fjalë boshe të politikanëve. Sot më tepër se kurrë politika shqiptare duhet t’i thërrasë mendjes për të qenë e qetë, gjakftohtë, korrekte me ligjin dhe Kushtetutën që t’i shërbejë sa më mirë vendit të saj. Politikanët bëjnë ligjet, ata tensionojnë situatën, pasojat i vuan populli, reagon Papingji në biseda. Me ç’të drejtë kjo klasë politike luan me fatin e popullit tonë të shumëvuajtur? Me ç’të drejtë kjo klasë politike acaron situatën që mund të degjenerojë dhe përkeqësohet më tej? Kush jua jep këtë të drejtë të luajnë me jetën e një populli, që iu ka besuar me dëshirë fatet e tij? Jorgo shprehej se “Për mendimin tim kjo klasë politike duhet të largohet pasi janë të njëjtat fytyra për shumë e shumë vjet. Ju lutem, kujdes. Jemi në zgripin e acarimit dhe të humbjes së orientimit. Kujdes, kujdes. Larg zjarrit dhe kokëfortësisë. Larg mendjemadhësisë dhe arrogancës. Larg molotovëve dhe provokimeve. Këtij populli i duhen më shumë libra, këngë, komedi, piktura, pak politikë”. Meraku i tij mbetej cilësia e poezisë. Dhe realisht tregu i lirë i ka prishur shumë punë poezisë. Sot shikon më shumë poetë se kuzhinjerë. Sot kushdo që ka dëshirë boton se nuk ka filtra. Pra, ndaj sot nuk ka tekste. Sot ka fjalë. Poezi do të thotë fjalë e bukur, fjalë e artë, fjalë që të mbërthen. Poezi apo tekst kënge do të thotë: Fjalë magjie. Sot në një tekst kënge ka vetëm 4 fjalë. Kaq! Ku është fjala e magjishme?! Në poezi kur lexon të rrëqethet mishtë. Ngrihesh në këmbë nga emocionet. Kënga ka tekst, ka muzikë, ka këngëtar. Pa tekst të bukur si do të jetë një këngë e bukur?! Poezia ka ngritur në këmbë perandorë, presidentë, kryeministra, një popull. Poezia është fjala më e bukur e zotit. Por sot thoshte Papingji ka më shumë poetë se punëtorë.

Një poet ka thënë; “Ai që nuk i përket atdheut nuk i përket as njerëzimit”. Pra Papingji i përket në radhë të parë atdheut të tij. Ai është një ndjekës i rregullt i zhvillimeve të hapësirës mbarëshqiptare. Sot, shumë gjëra nuk duan shumë koment. Kosova ishte e lënë në harresë nga koha, vjen një ditë dhe fiton pavarësinë edhe pse nuk bashkohet me trungun mëmë. Çamëria është një krahinë po aq martire, po aq e dhimbshme, po aq e diskutueshme. Sot është koha e Çamërisë. Shoh shumë këngëtarë të njohur çamë si Enkeljda Alushi, Sajmir Braho, etj…që i janë përkushtuar kësaj çështjeje dhe ata me zërin e tyre po e bëjnë prezent këtë çështje dhe në organizmat ndërkombëtarë. Kërkimi i një të drejte nëpërmjet një kënge merr një këndvështrim tjetër, paqësor, artistik, që ndoshta sjell më shumë reagim. Kënga të çarmatos por dhe përhapet si vetëtima. Ajo është si zog shtegtar që kalon shumë shpejt kufijtë e vendit…Dhe për këto brenga ai merr penën. Ka shkruar poezi për të gjitha trevat shqiptare, për të gjitha tragjeditë shqiptare. Por ai ka pasur një jetë të vështirë. Ka ecur i vetëm mes halleve. Një poet jetim dhe nga dhimbja ka shkruar ato perla që nuk vdesin kurrë.

Jeta e tij ka një histori të rrallë, një histori të pabesueshme, një histori që përcjell dhimbje të patregueshme. Jorgo Papingji dhe Lefter Gjyli janë dy vlonjatë, baballarët e të cilëve u vranë nga bisha naziste në Mat’hauzen së bashku me 308 burra të tjerë vlonjatë. Arrestimi i tyre u bë në mesnatën e 15 mars 1943, u mbajtën një natë në burgun e Vlorës dhe të nesërmen u nisën për në Prishtinë dhe prej andej në Austri. Jorgo atëherë ishte vetëm 6 muajsh, ndërsa Lefteri vetëm 4 vjeç. Lajmi për vdekjen e baballarëve e morën vesh në qershor 1945 me anë të një liste të Kryqit të Kuq Shqiptar. Ata u rritën pa baba, por nga ana tjetër dhe pse prindërit janë shpallur dëshmor, për të 308 të vrarët vlonjat në Mat’hauzen, nuk ka një lapidar ku fëmijët të vendosnin një lule (pasi ata janë pa varr) …Kur kujtonte fëmijërinë ai lotonte. Ai punonte, sepse artistin e mirë sado ta vlerësosh gjithmonë je i mangët në vlerësim pasi ecën më përpara se koha, i paraprin kohës. Arti ka vlera të pallogaritshme. Asnjë artist nuk mund të thotë në Shqipëri që merr hakun e punës që bën. Megjithatë artistët janë shpirtmëdhenj dhe me këtë gjendje vazhdojnë të shkruajnë dhe krijojnë. I japin njerëzve të thjeshtë gëzim dhe kënaqësi. I tillë ka qenë dhe do mbetet dhe poeti penë artë, Jorgo Papingji. Lamtumirë miku im i mirë! Do na mungosh shumë!

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT