
Kosta Nake/
(Romani “Rrëfenjat e Amerikës” i Pëllumb Kullës, botimi i tretë, Tiranë Toena, 2022).
Poeti Ervin Hatibi që në vitin 2013 ka shkruar një analizë të shkëlqyer që i bashkëngjitet këtij botimi, nga e cila po citoj: “…me një kulturë kinematografike të dialogut, Pëllumb Kulla ka arritur të na japë një Shqipëri paralele, ose një Amerikë të tillë, brenda të cilës endet Peçoja njujorkez, një binjak po aq naiv e romantik i Markovaldos së Italo Kalvinos… një koleg, variant soft, korçar dhe jo psikopat i Di Niros në “Taxi-driver”… (f.365-366)
E folmja e Devollit ka shërbyer si lëndë e parë gjuhësore për veprën dhe si brumë stilistik i saj në atë masë që nuk mund ta mendosh se një vepër letrare mund të shkruhet fund e krye në dialekt ose nëndialekt. Shkrimtari Preç Zogaj në pasthënie jep një shpjegim për këto kur shkruan se “…po të provosh t’i lexosh në normën letrare, të duket se rrëfenjat e Peços humbasin më shumë se gjysmën e bukurisë.” (f.369)
Në fillim të pjesës së dytë, vetë autori ka dhënë një shpjegim të tërthortë për këtë zgjedhje gjuhësore nëpërmjet protagonistit Peço Jani: “Po ç’është ajo gjuhë që më ke vënë në gojë, prefesor?! Aaaa! Të lutem shumë! unë, kur të qaj tërë, kam qenë një nga nxënsit më të mirë të gjimnazit të Korçës, kurse aty në tregimet që shkruan ti, unë dukem më i humburi i të humburve, më fshatar i fshatarëve dhe më i ndyri i të ndyrëve nga tërë ata që flasin shqip në këtë botë! Sikur më ka kafshuar gjuhën gjarpri, o i …fsha t’ëmën!” (f.221)
Ndryshe nga analistët që përmenda, kam një këndvështrim të ndryshëm për konceptimin dhe kompozimin e librit, pasi shoh një ngjashmëri me “Don Kishotin” e Servantesit, me dy transformime të mëdha: I pari, Rosinanti i Don Kishotit i shndërruar në “Limuzinë”, i dyti mbi shpinë ka përherë Peço Janin, një Sanço Panço i cili merr në vithe të makinës një galeri udhëtarësh që mund të kenë ndonjë tipar të përbashkët me Don Kishotin. Të gjithë së bashku sjellin një tablo plot ngjyra të fatit të shqiptarëve në të dy anët e Atlantikut të cilët e kanë pothuaj të pamundur të shkëputen nga joshja dhe mendësia e vendlindjes. Uniteti i romanit është siguruar duke ia besuar rrëfimin Peço Janit, një devolliu real ose imagjinar, gjë që i jep dorë autorit të shfrytëzojë aftësinë e të folmes së Devollit sa për shprehësi aq edhe përftesa satirike dhe humoristike. Siç paralajmërohet që në titull, kapitujt janë zëvendësuar me rrëfenja dhe secila ka brenda vetes një ose disa situata kontraverse që sjellin keqkuptime në mjedisin amerikan, rrjedhimisht lexuesi shqiptar e këqyr herë si një gjerdan qyfyresh, herë si një zinxhir brengash. Në pasfjalën e autorit pohohet natyra e dyfishtë e këtyre rrëfimeve: “Në këtë libër gjenden faqe që sjellin gaz, por nuk ka qenë ky qëllimi im fillestar.” Por ka dhe lexues “që më kanë thënë se disa prej këtyre rrëfenjave i kanë lexuar përmes lotëve. Jo që ua poat shkaktuar gazi, por dhimbja.” (f.379)
Rrëfenjat nuk kanë një rend kronologjik, mjedisi ku lëviz Peço Jani alternohet në mënyrë asimetrike mes Nju Jorkut dhe Korçës dhe në ndonjë rast kalon edhe në Greqi nëpërmjet rrëfimeve të emigrantëve që e kanë filluar prej andej udhët e mundimit; tematika është mjaft e gjerë, karakteret mund të shfaqen para syve të rrëfenjësit më shumë se një herë.
Rrëfenja e njëzet e nëntë ka një vështrim të Amerikës me syrin e emigrantit i cili mbetet gojëhapur nga shpejtësia me të cilën zhvillohet teknologjia dhe me dembelizmin që shkon në kahje të kundërt me të. Po për Benin, “nip pe motre” të Peço Janit, Amerika mbetet jo vetëm një ëndërr, por edhe një zbulim i detajuar virtual, falë përparimeve të shkencës dhe teknologjisë kopmjuterike. Në antitezë me Benin, emigrantët që ëndrrën amerikane e kanë kthyer në realitet, provojnë të improvizojnë një copëz Shqipërie në Amerikë, siç ndodh me dasmën, ku ndarja e nuses me familjarët për policinë e Nju Jorkut intrepretohet si akt dhune.
Në Amerikë ka patur një emigracion të hershëm që lidhet me shkaqe politike, me pasojat e Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri. Përveç Europës, edhe në Amerikë ka patur qeveri hije, me kryeministër e ministra, por këta shfaqen në pozita qesharake, pasi duhet të bëjnë punë të rëndomta dhe janë në varësi të punëdhënësve; kjo bën që ministri në hije Xhipe nuk shkon në varrimin e kryeministrit në hije Emin Brahimllari; kjo bën që krekosja politike t’i bëjë kokulur ekonimikisht. Këtyre politikanëve të hershëm u shërbejnë si kornizë dekorative edhe politikanët e rinj të viteve të tranzicionit që luajnë herë pas here me kartën amerikane duke kryer vizita ku nuk i priste askush.
Ndërrimet e emrave në Greqi dhe përshtatjet e tyre në Itali, kthehen në dukuri që përfton humor edhe në Amerikë. Bardha, jo vetëm është kthyer në Barbara, por ngaqë nuk flet asnjë fjalë shqip, i bën burrat shqiptarë ta lëshojnë gojën në prani të saj me fjalë seksuale që do t’i bënin të skuqeshin edhe muret. Edhe Lulja e ka kthyer emrin në Roza, por ajo ka një problem më të madh – nuk do të martohet me shqiptarë, i duhet amerikan për të siguruar edhe legalizimin e vet, nga ana tjetër stoicizmi i saj për një martesë dinjitoze shkrihet si sheqeri në ujë kur shikon filma porno. Fati i ka rezervuar Papin, edhe pse pritja e tij zgjatet e zgjatet dhe ëndrra realizohet në mënyrë të beftë. Një komedi keqkuptimesh prodhon qenia pa dokumenta e Zikes prej disa vitesh, status që mund të ndryshojë në se martohet formalisht me të shoqen e kushëririt Nikollaq. Komedia vazhdon me faqen tjetër të mësallës kur Nikollaqi vjen në Shqipëri e martohet formalisht me Milkën, të shoqen e Zikes, për ta marrë në Amerikë.
Hetuesi emigrant Taqo fajëson viktimat që pranuan akuza të paqena duke ia zgjatur jetën diktaturës dhe këtu grotesku nuk të bën aspak për të qeshur. Taqua rishfaqet edhe në fund të librit, me kohët që i janë trazuar keqas në trurin e rrjedhur dhe hetuesi i shfaqjes së parë deklaron se ka qenë i persekutuar dhe ka punuar në ndërtim.
Peço Jani hedh dritë mbi natyrën komerciale të marrëdhënieve me amerikanët, ai mendon se pas çdo lavdërimi fshihet diçka që është për të shitur, por takimi me mësuesin Shorni merr një kthesë të pabesueshme, kur ia dhuron kitarën Fatlumit, djalit të Peços si shpërblim për një pritje miqësore të një fëmije shqiptar kur ishte për vizitë në Shqipëri.
Ardhja e parë e Peços në Shqipëri i jep mundësi autorit të sjellë atmosferën e viteve të para të tranzicionit kur nuk njihej celulari, nuk ishte shtrirë rrjeti i antenave telefonike dhe shërbimi ofrohej privatisht nga ata që kishin kthyer nga Greqia me këtë pajisje që shfrytëzonte valët që vinin në pika të caktuara duke i detyruar fshatarët të bënin një lëvizje të ngjashme me pelegrinazhin. Kjo krijon një atmosferë gazmore me bisedat me zë të lartë që hedhin për konsum publik të palarat e shtëpisë.
Në ardhjen e radhës Peçua kalon në doganë 43 mijë dollarë të padeklaruar duke i fshehur në mbathje. Topi i maskuar i parave ka krijuar një joshje seksuale për gratë, siç ndodh me bullgarkën, por e vë Peçon në pozitë të vështirë dhe në rrezik të zbulimit të dollarëve kur i propozohet garë pallash nga një polic shqiptar i kontrollit. Përmes groteskut përcillet ftesa e dasmës në Shqipëri ku Peços i bëhet nder i veçantë për dollarët e tij, darovat për nusen dhe përfshirja me lezet në garën e çmendur se kush do t’i hedhë orkestrës më shumë para.
Si një intermexo e dhimbshme mes udhëtimeve të Peços në Shqipëri ndërkallet ai i Erzen Kryeziut, atdhetari nga Kosoava që merr me vete të birin për të përmbushur një amanet, por bie në një rrjetë hajdutësh që sa futet në doganën e Qafë Thanës, ku nuk mund të kalosh pa lyer rrotën e qerres; kur kërkon të strehohet në një hotel dhe përfundon te një kambist mashtrues; kur ulet në një lokal dhe del prej tij për të parë që makinën ia kanë grabitur. Djali Frashër më kot pret që i ati t’i zbulojë Shqipërinë idilike hyjnore, sepse pas çdo ndalese vjen shprehja “do dhe ca” deri sa dalin në Hanin e Hotit.
Xha Jazua është emigranti më i veçantë, sepse skleroza ia ka përzier kohët. “Kujtesa e tij, si ndonjë dhi e egër, harbon në të gjitha skërkat e pllajat e jetës së plakut: partizan, oficer në ushtri, kryetar kooperative, pastaj i deklasuar… Harbon dhia, harbon, por gjene te pllaja e partizanit vete qëndron.” (f.126) Oficeri i rrjedhur mendon se është detyra e partizanëve të pastrojnë edhe Nju Jorkun nga gjermanët që s’janë veçse punonjës të ambasadës. Fantazia vazhdon me dorëzim armësh, me plotësim formularësh e pritje afatesh. Një lloj tjetër pushtimi i ndodh Amerikës në sytë e Papit naiv, një pushtim “avash-avash me dhelpëri të madhe”, pushtim me bileta duke përdorur “aropllanët e saj” me sloganin: “O burra, kush e do Shqipërinë, të niset për Amerikë, ce do na e zenë të tjerët!” (f.231) Shqiptarët bëhen kontributorë të mëdhenj të përparimit të Amerikës kur, si Ylli pe Devolli, lënë për një natë mijëra dollarë në kazinonë e Atllantik Sitit; shqiptarët dhe europianët e tjerë si Papi dhe Xhani, bëhen kontributorë si gjahtarë që i blenë fazanët dhe shkojnë e paguajnë në rezervat për t’i vrarë fazanët e blerë. Shqiptarët bëhen të famshëm, si Zikja me Fordin e tij të vjetër, që guxon ta përshkojë Amerikën nga Lindja në Perëndim në kërkim të një pune, pa ditur të komunikojë në anglisht dhe pa ditur të orientohet me tabelat rrugore. Shqiptarët shquhen edhe në fushën e artit, si pikturisti Ndreçkë, i cili hap ekspozitën vetjake ku fton ambasadorin shqiptar dhe bën thirrje që veprat të shiten në ankand për t’u dërguar në Kosovë, kurse paratë të derdhen në llogarinë e Ndreçkës. Si shumë shkrimtarë e artistë në Shqipëri, edhe Ndreçka i lëpihet përfaqësuesit të shtetit duke i premtuar ta futë portretin e tij në vend të ambasadorit të mëparshëm me shpresë se do t’i hidhet ndonjë llokmë. Tabloja e krijuesve pasurohet me gjeneralin e dënuar që ka vendosur të botojë kujtimet e veta në Shqipëri. “Ne ishmë gjeneralë pe lecke dhe i hanim munë Enver Hoxhës.” (f.275) Dorëshkrimi i tij jo vetëm ndesh në kundërshtimin e gruas dhe djemve për t’u bërë publik, sepse përmend emrat e vërtetë të persekutorëve, por e fut në telashe dhe Peçon që përfundon i varur me kokëposhtë në një vend të fshehtë, sepse është i vetmi njeri që e ka lexuar dorëshkrimin dhe mund t’ia zbulojë botës të vërtetat e rrezikshme.
Pasi i ka ndjekur shqiptarët këmba-këmbës rrugëve të Nju Jorkut dhe jo vetëm, Peço Jani rezervon një kuti me llokume edhe për ngjarjet e familjes së vet. Kontakti i përditshëm i tij me amerikanët vjen nëpërmjet Xhorxhit, bosit të shoferëve dhe dispeçeres Elisa; dashuritë dhe xhelozitë e bëjnë Peçon të marrë një puthje nga Elisa dhe të ngjallë xhelozinë e Rezartës. Gruaja e Peços bëhet shqiptarja e parë që sfidon anglishten duke u mësuar fëmijëve amerikanë shprehje mohuese shqip me fjalën kyç “mos!” dhe arrin të kthejë vendimin e zotit të shtëpisë për largim nga puna. Nga ana tjetër Rezarta kthehet në viktimë e mosnjohjes së anglishtes kur në ballafaqimin me mësuesen e Fatlumit, është i biri që bën përkthyesin mes të dy grave dhe e shtrembëron bisedën duke e përshtatur në lavdërime për veten. Fatlumi pas lidhjes me një vajzë kineze, të cilën e ndjek me qindra kilometra larg, i ofrohet një mundësi lidhjeje e re, pasi Peçoja, duke çuar dikë në një hotel, njihet me pronaren që kishte një vajzë dhe ishte e gatshme t’i jepte Fatlumit për ta shpëtuar nga shoqëria me vajza lesbike. Po kësaj krushqie i has sharra në gozhdë se del problemi kush do t’i paguajë dollarët për shpenzimet e benzinës që kërkon realizimi i takimeve mes të rinjve. Peçoja i ka rezervuar vetes një vend të veçantë nderi kur nga goja e tij dalin fjalët lapidare: “Ah, bre, të mira janë këto nënat shqiptare, të mira, por kanë veç një të metë të madhe: pjellën më shumë kumandantë se ushtarë!” (f.311) Mirëpo shtypi amerikan autorësinë e kësaj thënie ia kalon Faik Konicës dhe Peço Jani vjen posaçërisht në Shqipëri, madje troket deri në dyert qeveritare për të marrë autorësinë dhe, kur nuk ia del, e nxjerr inatin me bustin e Faik Konicës duke ia thyer hundën.
*
Pëllumb Kulla ka shfrytëzuar me mjeshtëri veçoritë leksikore të të folmes së Devollit me trajta arkaike dhe huazime, me përdorimin e “ll” në vend të “l”, me mbiemra e pjesore me “ë” tejfundore, etj. Disa nga fjalët karakteristike më të përdorura në këtë roman janë: akoma, alamet, avash/javash, biçim, byrazer, cimbis, një çiçkë, damblla, demek, firomë, gjene, kakapër, karta, leshra, llafosem, llahtarë, llangos, llaps, llastiçkë mbrojtëse, marifet, mesele, e mëngjër nejse, okllahi, pataksem, penxhere, romuze, qerrkë, sebep, sefte, sërë, shuk, teleshmen, tellall, turi, ujdis, ulk, etj. “Ce nuku na ke treguarë, mo byrazer?” (f.43) “Ne vetë ia kishmë varur ulkut mëlçitë në qafë.” (f.104)
Pjesa qëndrore e materialit gjuhësor që shfrytëzohet për humor janë shprehjet me një përdorim të shkujdesur dhe pa doganë të fjalëve tabu për standartin e gjuhës, por që kanë filluar të përdoren gjerësisht në letërsinë artistike në trajtat e plota, pa trepiksha, reagime pakënaqësie, sharje dhe mallkime. “O dë …çkë të s’ëmës” është presidentja e ligjërimit bisedor që nuk mungon pothuajse në asnjë nga 36 rrëfenjat ose zëvendësohet me maskimet “t’ëmën e s’ëmës” ose “t’ëmën-o”.
Shprehje të tjera karakteristike janë: T’u mbylltë e mëndjes, të më bëhesh def, të ma hash munë, nuku ka bythë të rrijë, u bëfsh lëmsh, më thertë mua, mo bythkë, më març pleshtat, e zuri tartakuti, ç’mutin ka?, nuku kish këllqe, u mblodhnë kulumçe, të rëntë dambllaja, nuk i jep dum, leri pordhët, e kam llafnë de/për, në hale të gomerëve të veç, është me zarar, “I bëj mutnë unë, jo fle atje” (f.239) nuk ja zuri llafnë njeri, të pjerdh mu në…, “Hë më të lërofsha” (f.252) “Në të sat’ëme vafsh!” (f.262) tërë dëngla, “më vjen gjyç të flas për vete” (f.323) mos ta pafsha bojën, rospi e mutit, etj.
Përdorimi i prapashtesave zvogëluese dhe përkëdhelëse është një dukuri që përdoret gjithandej në toskërishten e juglindjes, madje në to ka një aktivizim me dorë të lirë të autorit duke e përdorur edhe atje ku nuk ndeshet në të folmen e përditshme: mësuskë, doçkë, dritarkë, njëckë, flamurkë, etj.
SISTEMI FOLJOR
(Shënim: Në fillim janë vendosur fjalët normative të gjuhës dhe pastaj trajtat e të folmes devollite të përdorura në këto vepër.)
Koha e tashme, veta e parë, numri njëjës: shikoj – shëkoj, fluturoj – flytyroj, jeni – ini. “Kot ini munduarë.” (f.52)
Koha e tashme, veta e parë dhe e tretë, numri shumës: ndjekim – ndjekëm, ndjekin – ndjekën, vjedhim – vjedhëm, vjedhin – vjedhën. “Dë duartë kanë koburet që akoma nxjerën tym pe grykave.” (f.30)
Koha e pakryer: haja – hanja, hanim – hamin, dukej – dukshe, dukeshin – dukshin. “Unë nuku kishnja parë donjë zakon si ky. (f.29) “Më pyeti mos më ndodhçe ndonjë njëqind dollarëshe. (f.240)
Koha e kryer e thjeshtë: dola – dolla, dolëm – duallmë, u ktheva – u këtheva, u kthyem – u këthemë, u shtuan – u shtuanë, u mblodhëm – u mblothmë, sollëm – suallmë, ikëm – ikmë, preu – previ, bleu – blevi, kaloi – kalovi, përfshiu – përfshivi, u ula – u unja, u ulëm – u unjmë/u ungjmë/u ulmë. U ulmë e pritmë gjersa ata u ngopnë. (f.41)
Koha më se e kryer veta e parë dhe e tretë shumës: kishim ëndërruar – kishmë ëndëruarë. Sa e kishmë ëndëruarë Amerikën, o prefesor. (f.13)
Mënyra lidhore: Të më vrasësh – të më vraç, sa të dhjesësh – sa të dhjeç, Nuk ta japëm maqinën sëkur të pëlcaç. (f.175) “Raki, bre, që ta pish e të preç pesë minuta, pa të të lerë të marrç prapë frymë! Ama edhe ti, i thashë vetes, sëkur do të hapç dyqan në Bronks, o t’u mbylltë! (f.351)
Pjesorja: laluar – kaluarë, zbërthyer – xbërtherë, shkulur – çkulur.
Përcjellorja: duke qeshur – dyke qeshur.
SISTEMI EMËROR
Rasa emërore, trajta e pashquar: profesor – prefesor, karrige – karike/karekllë, aeroplan – aropllan, xhaketë – xhaqetë/zhaqetë, makinë – maqinë.
Rasa kallëzore, numri njëjës: Devollin – Devollë, zanatin – zanatnë, hurin – hunë, gishtin – gishtnë/gjishtin, të nesërmen – të nesmen. “Ti ia paske krehur bishtnë?” (f.274)
PJESËT E TJERA TË LIGJËRATËS
Përemrat: ai – ay, ndonjë – donjë, tjetër-tjatër, fëmijët e mi – temit. Me këtë taksiçkën teme tashi jam mirë. (f.35) I tregova për ato që the tinë. (f.140)
Mbiemrat: i këtushëm – i këtushmë, e ndershme – e nderçme, i çapluar – i çapluarë.
Ndajfoljet: spanjisht – spanjollçe, pastaj – papastaj/pastajza, zvarrë – xvarë, ca – cazë/cackë, ndonjëherë – donjerë, tani – tashi. Tashi do t’ja shëkoni avazë. (f.52)
Lidhëzat: sepse – ce, prandaj – pandaj/prandajza, sikur – sëkur. Po sëkur është vetëm ky hall këtu! (f.13)
Parafjalët: në – dë, nëpër – dëpër, prej – pe, nën – dënë. Gjashtë kate dënë dhe. (f.13)
Pjesëza: nuk – nuku, mjaft – mja. Xheç na zuri mëngjezi. (f.37) Mënë! Budalla djalë! (f.301)
Gjatë transplantimit duket se ca prëska nga Atlantiku mund të kenë ndikuar në disa rrëshqitje nga e folmja devollite, ose trajta të një rajoni përej Devollit mund të ketë arritur të përzihet si egjra me grurin. Trajta e parë është devollite, tjetra jabanxheshë: gollogash – gollomesh, njëndizë – njëditëzaj, yej – uej. “T’ëmën ky, uej!” (f.229). Në Devoll vazhdon të përdoret parafjala “dë” por autori e ka zbutur me “në”, ndërkohë e ruan te parafjala “dëpër.” Mungon në tekst përemri “yve” që vazhdon të jetë mjaft i përdorur edhe sot.
Bilisht, 20 – 26 mars 2024