
Një ftesë për të gjithë shqiptarët e Amerikës.
Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p

Një ftesë për të gjithë shqiptarët e Amerikës.
by s p

Nga Hajro Limaj/
Para 10 muajsh Turqia ishte në zgjedhjet e përgjithëshme. Ato u fituan nga partia me kryetar Erdoganin. Kushtet e atyre zgjedhjeve nuk kishin ndryshim të madh me keto të tashmet. Por në këto zgjedhje që u bënë mbas 10 muajsh nuk u votua Erdogani dhe ndryshoi krejtësisht tabloja.
Përse ?
Sepse qytetarët që përballen me problemet e mëdha ekonomike nuk panë ndryshimet që prisnin dhe e paralajmëruan qeverinë për jetë gjatësinë e saj. Ishte një paralajmërim serioz. Më i rëndësishmi i këtyre faktorëve, ishte ndikimi dhe influenca e pensionistëve dhe e rinisë. Nuk u përmirësua ekonomia familjare. Varfëria dhe Inflancioni në rritje. Korrupsioni galopant. Kandidatëtë të pa merituar, qëntë e rrugëve të pa kontrolluar. Zgjedhësit ishin të lodhur. Tre zgjedhje njëra pas tjetres; 14 Maj, 28 Maj të vitit të kaluar dhe tani 23 Mars. Përfundimi; zëmërimi i pensionistëve u hodh në kuti,atyre ju bashkuap të rinjtë dhe gratë. Kjo ishte një grushtë “I rëndë”, por i merituar për Erdaganin dhe partinë e tij. Liria e shtypit dhe të drejtat demokratike të njeriut. Një përfundim kaq i rëndë nuk pritej, por ata që e prisnin këtë përfundim ishin përgatitur, sepse Erdogani nuk e kishte mbajtur premtimin,vecanërisht për vështirsitë ekonomike që përballen shtresa të gjëra të popullsisë. Nga 61 430 934 qytetarë me të drejtë vote morën pjesë 78.55 % e tyre, 48 256 117 votues, nga te cilat 2 210 016 u vlersuan të pa vlefshme. Partia kryesore opozitare, CHP mori 37.75 %, 17 385 867 vota,ndërsa partia e Erdoganit, AKP mori 35.48 %, 16 339 297. 11 % e votuesve të kësaj partie nuk morën pjesë në zgjedhje. Pra opozita ka marrë mbi 1 milion vota më shumë. Nga 26 bashkitë e mëdha 14 bashkitë kryesore i mori opozita : Stambollin, Ankranë, Izmirin, Antaljan, Bursën etj, pothuajse te gjithe Turqinë Qendrore dhe Perndimore. E njëjta gje ështe edhe ne bashkite e vogla.
Ishte nje reagim i domosdoshem, bile i vonuar i një pjese te popullsisë turke që banon kryesisht ne rajonet rurale për rikthimin e Turqisë në shtetin demokratik, ligjor dhe laik te Ataturkut, e cila deri ne vitet 2002 po i afrohej plotësisht Bashkimir Europian.
foto: tetovasot.com
by s p

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Prill 2024
“The Christian Science Monitor” ka botuar, të premten e 1 korrikut 1932, në ballinë, rrëfimin e reporterit amerikan Reuben Henry Markham rreth pagës së majme të Mbretit Zog dhe justifikimit të saj nëpëmjet arritjeve të bëra asokohe në Shqipëri falë udhëheqjes së tij, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Shqiptarët paguajnë më shumë për Mbretin se sa për Parlamentin, dhe kjo u pëlqen

Nën udhëheqjen e Zogut, ky vend i lashtë malor ka përparuar më tej dhe në më shumë fusha (linja) se në 2000 vitet e fundit.
Nga R. H. MARKHAM
Korrespondent i Stafit të The Christian Science Monitor
Tiranë, Shqipëri — Zogu, Mbreti i Shqiptarëve, merr më shumë se 3000 dollarë në javë dhe Kryeministri i tij, zyrtari më i paguar në mbretërinë shqiptare, vetëm 80 dollarë. Një anëtar i Parlamentit merr 35 dollarë dhe një gjyqtar i Gjykatës së Lartë po aq.
I gjithë Parlamenti i kushton vendit shumë më pak se mbreti; këshilli ministror vetëm rreth një e teta e kësaj shume.
Mbreti me familjen dhe oborrin e tij konsumojnë një të tridhjetën e të gjithë buxhetit të shtetit. Ai merr një fitim financiar jashtëzakonisht të mirë për drejtimin e punëve të 1,000,000 njerëzve.
Por ai ia vlen ! Domethënë, shërbimet që ai po bën vlejnë pothuajse çdo çmim. Ky i ri ka bërë më shumë për Shqipërinë se çdo sundimtar tjetër në historinë e kombit, i cili është një nga më të vjetrit në Evropë. Gjatë këtyre pak viteve të sundimit të tij, shqiptarët kanë bërë më shumë përparim se në çdo kohë tjetër që kur janë njohur nga shkrimtarët e analistët e popujve. Për herë të parë Shqipëria është diçka më shumë se një shprehje gjeografike.
Në asnjë periudhë tjetër shqiptarët nuk kanë qenë kaq të bashkuar sa tani. Edhe pse të ndarë në tre grupe fetare, të cilat janë në konflikt të ashpër me njëri-tjetrin në shumë vende të tjera, shqiptarët janë plotësisht të lirë nga armiqësia fetare. Megjithëse flasin dy dialekte shumë të ndryshme, ata kanë arritur të kuptojnë njëri-tjetrin pa shumë probleme. Ndonëse të ndarë nga njëri-tjetri nga male të larta, lugina të thella dhe lumenj të pabesë, ata janë bashkuar.
Asnjëherë më parë, as në kohën e dominimit romak rrugët në Shqipëri nuk ishin aq të mira sa tani. Dy ose tre linja kryesore mund të kenë qenë pak më të mira atëherë, por sistemi aktual i komunikimit tejkalon shumë çdo gjë që ka ekzistuar deri më tani.
Shqiptarët kanë një sistem shkollor, një gjuhë letrare, tekste shkollore dhe një frymë kulturore dhe të gjitha këto kanë origjinën e kohëve të fundit. Dy-tre dekada më parë shkollat shqipe ishin të ndaluara.
Për herë të parë në një mijëvjeçar, toka është mjaft e sigurt nga jashtë dhe jashtëzakonisht e sigurt brenda. Ka pak vende në Evropën Lindore në të cilat mund të udhëtohet me më pak rrezik. Dhe përkundër kontrollit shumë të rreptë policor, ka më pak ndërhyrje policore se më parë.
Një sistem mjaft i mirë juridik zbaton një kod ligjor modern : ekziston një shtyp i përditshëm — i paimagjinueshëm vetëm pak vite më parë.
Të gjithë të rinjtë janë të stërvitur në kazerma dhe shumë në shoqëri atletike. Kazermat sigurisht që kanë defekte serioze, por ato i japin rinisë fshatare analfabete një trajnim të dobishëm.
Teatrot, koncertet, ekspozitat e artit dhe argëtimet si për burrat ashtu edhe për gratë jepen në disa qytete — gjëra të padëgjuara pak kohë më parë.
Kryeqyteti po shndërrohet në një qytet modern dhe kapërcen në komoditet çdo vendbanim që ekziston në Shqipëri prej dy mijëvjeçarësh.
Udhëtimi është i shpejtë dhe i lirë, pavarësisht mungesës së plotë të hekurudhave.
Fati i gruas shqiptare, ndonëse ende shumë i vështirë, është më i mirë se çdo herë tjetër.
Ka më pak korrupsion, ryshfet dhe parregullsi administrative se më parë. Sigurisht, ka shumë për të dëshiruar, por shumë është arritur.
Sporti po përparon me hapa të mëdhenj.
Pakicat (minoritetet) trajtohen relativisht mirë.
Shumë pak vende në botë kanë një shërbim ajror më të mirë.
E gjithë kjo nuk është tërësisht falë mbretit Zog – në asnjë mënyrë. Shpirti i zgjuar i një kombi që lufton për të ecur përpara ka dhënë një kontribut të madh. Zogu është instrumenti i këtij shpirti.
I gjithë ky përparim mbështetet në rregull, siguri dhe një shkallë të caktuar drejtësie. Shkollat, rrugët, gjykatat dhe ndërtesat janë të pamundura pa rregull. Zogu e imponoi këtë rregull. Nuk ka ekzistuar asnjëherë më parë.
Shqipëria është ende prapa. Ka ende një rrugë të gjatë për të bërë. Ka përmirësime të mëdha për të bërë. Por ajo ka shkuar shumë më tej në një dekadë se në çdo shekull të mëparshëm dhe vazhdon të përparojë me shpejtësi.
by s p

Gjatë qëndrimit në Bukuresht, kryeqytetin e Rumanisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi dy përfaqësues të mërgatës shqiptare të Rumanisë, zëvendëskryetarin e Shoqatës “Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë”(ALAR) Luan Topçiu, dhe doktorin e shkencave dhe inxhinierinë e metalurgjisë, Përparim Demi.
Së bashku me ta, kryeministri Kurti vizitoi bustin e Ismail Qemalit te “Grand Hotel Continental” ku në fillim të nëntorit të vitit 1912 ai së bashku me Luigj Gurakuqin dhe patriotë tjerë u takua para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë. Gjithashtu vizitoi edhe pllakën përkujtimore të kishës “Shën Nikolla” ku shënohet se aty për herë të parë ka meshuar në gjuhën shqipe rilindasi Fan S. Noli në vitin 1911, dhe në të cilën deri në vitin 1945 janë kryer ritet fetare nga komuniteti ortodoks shqiptar në Bukuresht. Vizitë i bëri edhe parkut Herastrau ku gjendet edhe busti i poetit, rilindasit tonë të madh Naim Frashëri.
Rumania ka qenë historikisht një vatër e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, një vend ku intelektualë shqiptarë shtjelluan mendimin kombëtar dhe kultivuan ndjenjat dhe identitetin kombëtar përballë rrymave armiqësore.
by s p

Nga Anila Kadija/
Prej shumë vitesh komuniteti shqiptar në Angli përpiqet, nëpërmjet shoqatave apo organizatave shqiptare jo fitimprurëse, në mënyrë vullnetare, të ruaj dhe të mbrojë gjuhën, traditën dhe kulturën shqiptare.
Shëmbull model Lidhja e Mësuesve Shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar e themeluar para pak kohësh por me një kontigjent intelektualësh model në fushën e arsimit dhe kulturës. Ministria e Arsimit dhe Sportit, znj.Ogerta Manastirliu e cila ndodhej për një vizitë pune në Britaninë e Madhe ditën e shtunë, 6 prill, u takua me mësues e përfaqësues të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë.
Gjatë këtij takimi ajo theksoi rëndësinë e madhe që ka mbrojtja e gjuhës shqipe dhe përhapja e kulturës ndër breza në mërgatë.
“Është nder dhe privilegj që ndodhem midis një pjese të kontribuesve në përcjelljen e gjuhës dhe kulturës shqipe” – tha ministrja, duke e falenderuar në veçanti z.Lutfi Vata për bashkimin e mësuesve në krijimin e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.
Me këtë rast ju akordua një vlerësim mirënjohje me simbolin e selisë ministeriale, në kristal, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, z. Lutfi Vata dhe znj. Anila Kadija për kontributin e tyre në mbrojtjen e kulturës, traditës dhe gjuhës shqipe në mërgatë.
Në fjalën e hapjes, Kryetari i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë z.Lutfi Vata bëri një përmbledhje të shkurtër të eksperiencës së mësimdhënies së gjuhës shqipe që në fillesat e shkollave shqipe “Ardhmëria” e deri në ditët e sotme, duke përmendur dhe vlerësuar edhe kontributin e madh të shoqatave të tjera.
Ndërsa ministrja Manastirliu jo vetëm nënvizoi punën kolosale të mësuesve kudo në diasporë por edhe vuri në dukje ndryshimin, këto vitet e fundit, të politikave bashkëpunuese mërgatë – shtet amë. Lidhjet dhe ndihmën konkrete e cila lëviz me projekte në mbështetje të mësimdhënies në diasporë, paketat e librave nga QBD-ja të cilat shpërndahen falas, librat që përpunohen dhe vazhdohen të botohen pas Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare 1 është në proces edhe vazhdimi i tekstit me Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare 2, trainimet në vazhdim për mësuesit e diasporës, vazhdimi i regjistrimit të mësuesve në regjistrin shtetëror apo lidhjet e Universitetit Shtetëror Shqiptar me universitetet e tjera nëpër botë dhe firmosja e kontratave midis tyre. Duke vazhduar me shumë e shumë plane të tjera me perspektivë pozitive për brezin e ri.
I pranishëm në këtë takim edhe deputetit z. Lavdrim Krashi. Ai me eksperiencën e tij në Londër dhe bashkëpunimin e pa ndërprerë me shoqatën “Ardhmëria”, si kryetar bordi, për mbarëvajtjen e shkollave shqipe vazhdon të jetë një lidhje e fortë dhe konkrete e një përfaqësuesi shteti me komunitetin.
Nga të pranishmit, anëtarë të lidhjes dhe bashkëpunëtorë, e morën fjalën me ide dhe sugjerime interesante siç ishte ajo për bashkëpunim dhe shpërndarje përvoje nga akademikët e mërgatës në Shqipëri dhe Kosovë ide e propozuar nga prof. Shyqyri Xhaxha.
Apo mendime dhe eksperincë nga Ardjana Gjoni, Rozana Hyka, Dhurata Hoti, Feim Kabashi, Vildana Dibra Zhubi, Marsela Koçi, Anila Kadija, Lindita Bazina, Najada Fani, Mira Sakura Brazhda, Euord Pajo, Altin Sula, Migena Goga, Majlinda Xhaferri, Marsela Kalaja Hoxha, Skënder Përpepaj, Feim Kabashi, Egla Legisi dhe Endri Gjoni.
U përgëzua në mënyrë të veçantë, nga znj. Ogerta dhe këshilltarja e saj Etiola Kola biznesmeni Xhevat Lita i cili i ka dhuruar ambientet e bukura të zyrave ku u krijua Lidhja e Mësuesve Shqiptarë dhe ku punon vullnetarisht tashmë stafi i shoqatës “Ardhmëria”.
Tri vajza të bukura dhe plot emocione, nxënëse në njërën nga shkollat “Ardhmëria”, përshëndetën me poezi dhe shqipen e pastër që u trashëgohet atyre nga prindërit dhe u mësohet aq bukur nga misionerët mësues të Lidhjes.
Gjithmonë me krahët hapur për bashkëpunim Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në MB.