• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

NË PËRKUJTIM TË NGRITJES SË FLAMURIT NË DEÇIQ- ME 6 PRII 1911…!

April 7, 2024 by s p

Nga NDUE BACAJ/

Sukseset e dy javëve të para të kryengritjes kundër turke-osmane të malësorëve e më gjërë, (24 mars-06 prill 1911) do të sillnin atë ditë të shenjtë , të enjtën e 6 prillit 1911 kur trimat kryengrites çuan në vend, amanetin e Gjergj Kastriotit dhe fjalen e prijesit legjendare Ded Gjon Luli, duke e ngritur flamurin kombetar me shqiponjen dy-krenore në majen Bratiles së Deçiqit, që u LA me gjakun e shtatë deshmorve Kojas : Dokë Preç Kercaj, Tomë Uc Ivanaj, Marash Lucë Gjokaj , Cak Uc Ivanaj, Gjeto Tomë Kolçaj, Kolë Dokë Marashaj, dhe Gjeto Gjekë Ivanaj, të cilet ranë heroikisht njeri pas tjetrit per flamurin kombetar shqiptare, dhe sot ata janë të perjetsuar në një memorial në Kojë . Ndersa Nikë Gjelosh Luli, Gjon Ujkë Miculi dhe Pjeter Zefi janë flamurtaret e paharrur të shqiptarisë.1. Ketë ditë historike luftoi e gjithë Malesia, që arriti të valvitë në driten e diellit , atë flamur që per shekuj kishte qendruar i “burgosur” nga pushtuesi turko-osman , por i strehuar mrekullisht në shtëpiat e malësorëve, që e ruanin si sytë e ballit, por larg syrit vigjilent të hafijeve turkoshake…Kjo dritë e Flamurit kishte filluar të rilindë së-bashku me kryengritjen, në Rapsh te Hotit, në Malesi të Madhe. Kjo epope-drite i ngjanë një meteori, që sa më shumë vite i afrohet qiellit, aq më shumë i bënë dritë tokës… Me 6 prill të vitit 1911, Malësia e Madhe “Etnike” nxorri nga katakombet turko-osmane në dritën e diellit Europian, Flamurin kombëtarë të Gjergj Kastriotit –Skenderbe.. Në këtë ditë të paharruar nga mali i DEÇIQIT valvitet flamuri jonë Kombetarë i larë me lot e gjak per 432 vite rrjesht. Deçiqi është “Oxhaku” nga i cili ka dalë “tymi i bardhë” i ngritjes së flamurit kombetarë, por është edhe “Oxhaku” që shperndau shkendijat që fluturuan nga Veriu në Jug, duke ndezur në të gjithë Shqiperinë idealet e flamurit dhe mvehtësisë… Ky “Oxhak” i shqiptarisë nuk u fikë kurr edhe pse mbi të u derdhen pa papushim ; rrebeshe, stuhi, gjakë, lotë e mundime. Tash mbi një shekull në trojet tona bëhet be ; pasha njatë flamur që u ngrit në Deçiq… Atë ditë (me 6 prill 1911) Lekët e Hotit, Grudes, Trieshit, Kojes, Orahoves, Fundnave, Kastratit, Kelmendit, Shkrelit, Dukagjinit etjerë, mbas fjales së Dedë Gjon Lulit :”Bini bini sokola, he në krajlni ju shkoft zani”. Rrugën flamurtaret ja hapen vehtes në mes të mitrolozave e mauzerreve të turkut, sikur të ishin badema derdhun mbi nuse e krushq ditën e dasmes, e jo plumba, që shkepusin jetë e shtrijnë burra për tokë.. Në pak orë u gjeten në maje të Deçiqit, dhe shpalosen në ajër të lirë të Malesisë Madhe at Rub të Kuqe me Shqipe të Zezë që tash 450 vjet kishte ndejë palua e diku edhe harrua, ndër skutat ma të fshehta të Shqipnisë robnueme..”.2. Kesaj dite fatlume, fetari, atdhetari dhe poeti i embel malsor, dom Aleksander Sirdani i kushtonte vargjet brilante :

“Nalt Flamuri perhillet,

Armikut s’i leshon cak,

Me besë Arbnori lidhet,

Me gjakë mbrojt Atdheun me gjakë,

Ngallnjyese kthen Malesia,

N’Deçiq Flamuri të valojnë,

Plot gjak e jetë i kushtojnë.

……………………………

Kuq e Zi Flamuri perhillet,

N’dor Ded Gjo’Lulit trim,

me Gurakuqin mblidhet,

Shqipnia me një kushtrim “.

Në atë ditë me 6 prill (1911) shqiptari i vertet mbushi mushkeritë me frymen e lirisë, e brohoriti në Zemer të vet :”Rrnoft Shqipnia”.3. Ndersa poeti kombetarë At Gjergj Fishta (te Mrizi i zanave) ketij Flamuri i kushton një poezi që e titullon ; “Hymni i Flamurit Kombëtar”, nga e cila citoj:

“….Mbi njatë Flamur Perendia

Me dorë t’vet Ai e ka shkrue:

“ Per shqiptarë do t’jet Shqipnia

Kush ua prekë, ai kjoftë mallkue !

……………………………………

Ma mirë dekë me u shue nën hije

T’Flamurit tonë në fushë t’mejdanit,

Se me rrnue nji jetë robnie

Per nën sukuj t’huejë t’Ballkanit…4.

Kjo krye-kryengritje dhe ky Flamur (në trojet tona) identifikohet shpesh me figuren madhore të Malësisë e Shqiptarisë, heroin e popullit Dedë Gjon Luli… Këto ditë heroike të Malësisë Madhe i përshkruan mrekullisht edhe poeti pogradecar, Lasgush Poradeci në Poemen me titull “MBI TA” që ia kushton kësaj kryengritje, ku pak vargje nuk po mendem të rri pa i cituar:

“…..Ku mposht halldupin turkoshak

Atdheu duke u dëshmuar.

Në Hot e Grudë e Traboin

Puth Ded Gjo`Lul viganin,

Mirditë e Shalë e Dukagjin

Puth Mehmet Shpend Luanin.

Dhe puth kuvendin heroik,

Ku ngrihet kombi peshë,

Ku mposht t’urryerin armik

Malsija burrereshë;

Malsija qe bën sulm ne zjarr

Po si dragoj me flete,

Siç bënte sulm ngadherimtar

Gjergj Kastrioti vete.…”.5.

Ndersa gazeta “Liri e Shqipnisë”, që botohej në Sofje nga Kristo Luarasi do të shkruante: “Nji punë e bukur ndër këta burra, që leshi i kresë të çohet përpjet prej gzimit, që këta fatosa luftojnë me flamur të kuq me shqiponjën e zezë me dy krena, due me thane me flamurin (bajrakun) e Skenderbeut”.6. Këtu nuk po mundem të lë pa kujtuar edhe aktin heroik të grudasit trim-dragua Nikë Pretash Leci – Sinishtaj, per të cilin Risto Siliqi (pjesmarres në kryengritje me pushkë e pendë) do të shkruante: Fatosi shqiptar, i flakti trim prej Grudet Nikë Pretashi në betejen per marrjen e fortesës të Shipshanikut, kur e pa se turqit ishin të fortë në ketë forsadë e mbasi …shqiptaret topa nuk kishin vetëm luftonin me plumba, i plasi zemra e u nis në pikë të vrapit kalasë perpjetë edhe pse si breshen pikojshin plumbet në të gjitha anet …mberriti tu bedeni , ku me një hov murin e shkaperceu, pos sa e kapi murin e derës të hymjes së kalasë perbrenda e priti batarja e plumbave të nizamit..e ra deshmor në kambët e armiqëve …!

Me hov të luanit, me guxim burrash,

Desht ta rendojnë kalanë me dorë;

Prej njiqind singinash, prej njiqind plumbash

Mbrenda bedenit u ba therorë….7.

Ndërsa trashigimia gojore thotë se Nikë Pretash Leci është hellur mbi gryken e Topit turk që qellonte malësorët kryengritës…

Për luftën e kryengritesve malësor në Deçiq shkruan edhe autori i librit “DUKAGJINI” (Zef Gjeta), nga i cili po citoj: “ Në luften e Deçiqit dhe në ngritjen e Flamurit Kombetar moren pjesë edhe vullnetarë nga Shala e Shoshi . Në luften per ngritjen e Flamurit, midis të tjerëve u vranë edhe Bal Gjoni nga Nicaj-Shalë dhe Bush Delia i Shoshit. Kur u ngritë Flamuri në Deçiq dhe më vonë, populli i Shkodres e Malesisë i kendoi kengen:

Vigmen tue i dhanë Shqipnisë, po anë e mbanë

Bini bre burra bini ksaj Turki

Dirgu moj djelmni, e bjer në tiran

Me nji Gurakuq, me nji Dedë Gjo’Lul

Me nji Mehmet Shpend, me nji Prel Tul

Me ne janë Lekët që u shkrinë per Shqipni…“ .8.

Dita e Flamurit tonë kombetar është një ditë e madhe, që deshmojë me zë të lartë, deri në kupë të qiellit, se shqiptaret e themelisht malsorët kanë ruajtur per shekuj fillin (shpesh të holluar) të perkatësisë sonë Europerendimore.. Ngritja e Flamurit në një ditë pranvere e bënë me domethënse ketë eveniment historik, pasi pranvera në kalendarët enciklopedik të popujve “ njihet “si : Pranvera e ringjalljes, pranvera e dashurisë, pranvera e luleve, ndërsa në kalendarin enciklopedit të memories sonë prej 6 prillit 1911 “kujtohet” si pranvera e Flamurit.

Prej asaj kohë e deri sot, në këto lendina, kodra e male, ( në çdo pranverë ) kanë lindur, rritur e lulezuar lule shumngjyreshe, të cilat perveçse mrekulluan natyren tonë, ato shperndanë edhe aromen e flamurit kombëtar të Gjergj Kastriotit në trojet e Shqipërisë Etnike. Por të mos harrojmë se deri në vitin 1991 Lulet e pranveres së flamurit në Deçiq etjerë, vyshkeshin para kohe nga acaret e Uraleve.. E ndersa sot flladi i Pranveres (Europerendimore ) ka filluar të fryjë edhe në trojet tona etnike të Malesisë Madhe e Shqiperisë, perseri lulet e flamurit të Gjergj Kastriotit ende kanë nevoje per më shumë dritë e diell, jo lokal (se atë tashma e kanë), por kombetar, duke i dhënë vendin që i takon ketij evenimenti historik per të cilin trojet shqiptare kishin pritur rreth 432 vite…

Vlen të kujtohet se ndonse Flamuri kombetar ishte i ndaluar nga hyqameti otoman, shumë shtepia malesore kishin ruajtur flamujë (të vegjel) të Gjergj Kastriotit, që i frymezonin në atdhedashurin e tyre të pakufishme. Ndersa për flamurin e ngritur në Deçiq (me 6 prill 1911) thuhet se ishte porositur që në vitin 1906 nga trimi i urtë i atdhetarisë Dedë Gjon Luli, ku këtë Flamur e prurë Aleandro Kastrioti me anë të Preloc Prekës, dhe ka qënë dy metra i gjatë me shirita anash…9. Ndërsa Profesor Petraq Pepo , në librin e tij ”Lufta për çlirim Kombëtar në vitet 1878-1912, fq.446-447, botua në Tiranë në vitin 1962, shkruan: “Palok Traboini me 1911 kishte kthye prej Austrisë e tre flamujt që kishte pru prej andej i kishte nda kështu: njënin Dedë Gjon Lulit, tjetrin Ujkës së Grudës e të tretin Prelë Lucës së Trieshit.10. Se cili nga këta Flamuj u ngritë në Deçiq për mua nuk ka rëndësi, se rëndësi ka ngritja e flamurit kombëtar në Deçiq, si dhe dhe dashuria dhe besnikëria e pafundme për këtë symbol të patjetërsueshm të identitetit tone kombëtar, për të cilin heroi i popullit Dedë Gjon Luli thoshte: “Flamuri i ka të gjitha, ai ka besën, ka pushkën, ai ka brenda gjithë Shqipërinë.. atij i falen, atë e ndjekin mbrapa të gjithë, çka është shqiptarë i vertet..”.

LAVDI PËR JETË TË JETËVE DËSHMORËVE DHE TRIMAVE ATDHETARË TË KËSAJ KRYENGRITJE TË MALËSISË, QË I LANË NDERË E LAVDI SHQIPTARISË.

REFERENCAT:

1.”Hylli i Drites” 1932/11, fq.575 , revista “Leka” 1937/6, fq.249-250, (Flamuri i kuq ne Deçiq), Kol Kamsi “Kronikë e Agimit te Lirise”, “Leka” 1937/VIII-XII, fq.371-372.

2.At marin Sirdani, Flamuri në Deçiq, revista “Leka”, nr.6 -1937, fq.249.

3.Klajd Kapinova, Në mes Kryqit dhe Atdheut, fq.63.

4.At Gjergj Fishta, Mrizi i Zanave, fq.15-17, botime Franceskne , Shkodër 2019.

5.Poemë për kryengritjen e Malësisë së Madhe – nga Lasgush Poradeci, Kujtimit te poetit Risto Siliqi.

6.“Liridashësi” gazeta “Liri e Shqipnisë”, (që botohej në Sofje nga Kristo Luarasi), nr.4, dt.13 prill 1911.

7.Risto Siliqi, “PASQYRA” e Diteve të pergjakshme nëtë pestin Shekull të Shqipnisë të Ronueme, fq.81-82, Trieste 1912.

8.Zef Gjeta “DUKAGJINI”, fq.412-413, Tiranë, Qershor 2008.

9.“Hylli i Drites”, 1937/12, fq.518.

10.Kolec Traboini: http://traboini1.blogspot.al/2015/11/prejardhja e hotit-dhe flamuri-i.html#!/tcmbc.

Filed Under: Komente

S’ka -Ndal! L’ Ali baba me D5 hajdutë

April 7, 2024 by s p

Satirë nga Rafael Floqi/

Pese drejtorë në një derë sa shumë po u vjen erë. Në një qytet si Tirana, me politikanë të njëjtin nivel idiotësie që gënjejnë me premtimet e tyre, duket se edhe tentativa për të fshehur korrupsionin vjen me një dozë të madhe tutkunizmi. Me sa duket, drejtuesit e 5D kanë përdorur të njëjtën strategji të mungesës së mendjehollësisë për të grabitur paratë publike dhe për të mbuluar gjurmët e tyre.

Fillimisht, ata krijuan në mënyrën më naive të mundshme, duke krijuar një firmë të veten dhe duke i transferuar mbi 20 milionë euro aty. Në vend që të vazhdonin me ryshfetet tradicionale, ata menduan se mund të shpëtojnë duke i futur paratë në xhepat e tyre përmes një firme fantazmë.

Dhe pastaj, tentativa e tyre për të fshehur gjurmët e korrupsionit duket të jetë një katastrofë e vërtetë. Pavarësisht arrestimeve të drejtorëve të Bashkisë dhe presionit për të fshehur lajmin, ata po përpiqen të bëjnë sikur asgjë nuk ka ndodhur. Me sa duket, ata janë shpresë e vetme për të treguar që bota është e plotë me budallenj apo idiotë si ata

Por edhe pse ata mund të kenë arritur t’i mbajnë mediat larg lajmit të tyre të turpshëm, ka disa indikacione të qarta që tregojnë se shteti i tyre të pasigurt po bëhet akuzuesi i vetvetes. Në vend që të mbulojnë skandalet e tyre, ata po e përhapin atë, duke bërë që opinioni publik të shohë se ata janë aq të paaftë sa të bëjnë asgjë me rëndësinë e tyre.

Në një botë të drejtë, këto lloj bëmash korrupsioni do të ishin të pa pranueshme, por duket se në bashkinë e Tiranës, ato janë të zakonshme. Të paktën, kështu qëndron rëndësia e lajmeve që zbulojnë këtë grabitje të hapur.

Kjo është si një telenovelë e neveritshme, me politikanë që ikin në kokën e tyre për të mbajtur fshehur skandalet e tyre të mjerueshme. Por sa kohë do të vazhdojë kjo lojë e kukafshehtas? Shpresojmë që drejtësia të fitojë dhe të sjellë drejtësi për qytetarët e Tiranës, ndërsa politikanët e korrupsionit të humbasin në hije të historisë.

Oh, cila histori emocionuese për t’u lexuar! Kompania “5D Konstruksion” duket si një parajsë e vogël ku elektricistët marrin pushtetin dhe ndërtojnë një shtet brenda shtetit. Imagjinoni veten: Igor Elektrik, një mjeshtër i dritave dhe sigurisë elektrike, që hap një firmë të vogël, dhe pastaj, bam! Molla dhe Qato zbresin nga qielli si engjëll, duke grabitur komandën dhe pasuritë si pronarë të rrethuar me një mur mbrojtës të dokumentacionit financiar.

Ky çift i mrekullueshëm që vjen dhe merr kompaninë, duke u bërë një pjesë e pazëvendësueshme e saj. Të jesh vetëm një elektricist që ka punuar me pinca në dorë për të dhënë dritë në shkollat e lagjes? Pse jo, thonë ata. Të jesh vetëm një bukëpjekës që shpërndan bukën në rrugët e qytetit? Nuk është problem, thonë ata. Ata janë gjigantët e ndërtimit, sunduesit e fitimeve, dhe më i rëndësishmi, pronarët që mund të bëjnë çfarë të duan, duke u përjashtuar nga të gjitha rregullat dhe ligjet e zakonshme.

Dhe në fund të ditës, kompania “5D Konstruksion” është një fabrikë e pasurive, ku të gjithë, nga elektricistët e guximshëm deri tek pronarët e lartë, janë të përfshirë në një lojë të madhe. Një lojë ku mund të bësh tendera, të shpërndash dividende, dhe të krijosh një imazh të pasurisë që është më shumë se sa një klishe e thjeshtë. Ah, çfarë aventure! Ah, çfarë rrugëtimi emocionues në botën e korruptuar të biznesit dhe politikës lokale! Mor lal !.

Për të mësuar më shumë për këtë histori të mrekullueshme të mbijetesës dhe forcës së kapitalizmit të ekuilibruar, mos harroni të shihni lajmet e vazhdueshme dhe raportet e mediave lokale, ku të gjithë këta heronj do të shfaqen në përmasat e tyre të plotë.

Oh, cila udhëtim i mrekullueshëm në botën e biznesit dhe politikës së gatshme për t’ju bërë të mahnitshëm! Apo jo, mor lal.

Në të njëjtën kohë, nuk mund të neglizhojmë elementin e ironisë së mbushur me mollë dhe vezë të përdorur për të shprehur pakënaqësinë ndaj kordonit policor që rrethon institucionet. Kjo është një formë simbolike e kritikës ndaj autoriteteve, e cila ndoshta mund të interpretohet si një shprehje e sinqertë e pakënaqësisë publike. Siç ka thënë edhe kryeministri ynë, kur një nga bashkëpunëtorët e tij kapet duke vjedhur, ‘ata që kanë ngrënë mollë pas shpinës së tij’. Le të shpresojmë se kjo ironi do të ndihmojë në sensibilizimin e autoriteteve për sfidat dhe kërkesat e qytetarëve të tyre.”

Rama tha se binte dakort “me pikë dhe me presje” me qëndrimin që Erjon Veliaj mbajti dhe se “fajësia nuk ishte kolektive” duke konfirmuar qëndrimin se nuk do të ndërhyjë ndaj SPAK dhe drejtësisë së re. Ndërkohë Veliaj në mesazhin që shpërndau paraditen e së shtunës, kopjoi pikë për pikë alibitë e Ramës për korrupsionin në qeveri, duke ngritur paralele mes pozicionit të tij sot, me ato të Ramës në skandalet e inceneratorëve dhe të sterilizimit.

O, i menderuar L’ Ali Veliaj, me çetën e tija. Në këtë kohë të përkryer kur grabitjet e mjeteve publike dhe korruptimi bëhen tema të shumta në qytet, le të ulemi për një çast dhe të reflektojmë mbi kërkesat për dorëheqjen tuaj. Nuk është një përshkrim i një proteste, por një thirrje me ironi, e cila mund të dallohet lehtë nga realiteti. Qytetarët dhe disa prej deputetëve opozitarë janë prezantuar me një kërkesë të thjeshtë: ‘Largohu, mos e lërë zyrën me qira, dhe lëviz nga Bashkia e Tiranës!’

Pra le të rrojë L’ Ali baba me 5D drejtorë. Dhe fajtorët mbrohet po me të njëjtin stil. Drejtorët kanë qenë të mirë pasi unë s’di gjë. Unë e di që për shumë njerëz politikanët janë njerëz që tjetër thonë, tjetër mendojnë dhe tjetër bëjnë, po pikërisht pse Edi Rama, kryeministër dhe kryetari ynë i Partisë Socialiste, dhe kjo parti e udhëhequr prej tij, janë ndryshe nga ky stereotip dhe Shqipëria sot është shumë më ndryshe se 10 vite më parë, edhe Tirana sot është më ndryshe se 10 vite më parë, edhe drejtësia sot është më ndryshe se 10 vite më parë!

Por ndryshe në shqip s’do të thotë më mirë, mor L’ Ali.

Filed Under: Ekonomi

Pa Dedë Gjo Lulin, s’do ta kishim as Vlorën e vitit 1912-të

April 7, 2024 by s p

Mehmet PRISHTINA/

Shqiptarët duke e parë situatën e rënduar nën sundimin osman dhe lëvizjet politike brenda oborrit të Portës së lartë, krerët shqiptar u rreshtuan krah forcave kryengritëse në revolucionin xhon turk. Ky rreshtim ishte edhe si pasojë e premtimeve të kësaj lëvizje për autonominë e Shqipërisë.

Levizja shqiptare, qysh në fillim të ardhjes në pushtet të xhon turqve u tradhetua dhe si rrjedhojë prijësit tanë u organizuan dhe shpërthyen kryengritjen në Vilajetin e Kosovës më 1910. Kjo kryengritje e popullit tonë u futi frikën pushtuesve turq dhe ata e shtypen atë duke kryer masakra dhe mizori të paparë mbi kombin tonë.

Më 1911, malësorët të prirë nga patrioti Dedë Gjo Luli, ngritën flamurin kombëtar në Deqiq, duke filluar kështu kryengritjen antiosmane për liri dhe pavarësi të trojeve shqiptare.

Dedë Gjo Luli, si një burrë i urtë e largapamës, pas ngritjes së flamurit, i dha patriotit e dijetarit Hasan Prishtina flakadanin prijës për ideimin dhe krijimin e shtetit të ri shqiptar. Kjo rezultoi me kryengritjen e madhe mbarëkombëtare që çoi deri në çlirimin e Vilajetit të Kosovës deri në Shkup, në gusht të vitit 1912 me kryngritje të tilla!

Pa Deqiqin e malsorëve të Dedë Gjo Lulit, të vitit 1911, pa çlirimin e Shkupit më 12 gusht të vitit 1912 dhe Kuvendit të Shkupit, të datës 14 retor të vitit 1912, ku Hasan Prishtina kalon nga kërkesa për autonomi, në kërkesën për pavarësinë e plotë dhe krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, nuk do ta kishim as Vlorën e 28 nentorit 1912.

Vëllezër e motra të të gjitha viseve shqiptare, të dashur vëllezër malesorë, sot jemi në një situatë ndryshe, lufta jonë po vazhdon, por në tjera kushte dhe rrethana politike e organizative. Populli ynë tani është më i fuqishëm se asnjëherë, andaj tani është koha që të rikthejmë pikat politike të Hasan Prishtinës për shqiptarët, pika këto që u përkrahën nga të gjithë patriotët e kohës, edhe nga malesorët e Dedë Gjo Lulit e deri te komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari.

Urime shqiptarë kjo dotë e shënuar në histori me shkrinja të arta dhe I perjetshem qoft kujtimi për Ded Gjo Lulin nga Bardhaj i Tuzit.

Filed Under: Histori

Në Boston, darka për “Natën e Kadrit” bashkoi shqiptaret e të gjitha besimeve

April 7, 2024 by s p

Flamur VEZAJ/

“VATRA”, “ÇUNAT E BOSTONIT” dhe Shoqata Kulturore Atdhetare “LABERIA” falënderuan komunitetin shqiptarë të besimit musliman dhe jo vetëm, që u bashkuan në darkën familjare për Natën e Kadrit!

Në ambientet e klubit social shqiptar “Çunat e Bostonit” në Peabody, ku muret janë zbukuruar me fotografi të personaliteteve të kombit shqiptar dhe me flamuj të shumtë, u mblodhën shumë familje shqiptare të ftuara për iftarin e së premtes së fundit të muajit të Ramazanit!

Në emër të tre organizatorëve të darkës foli kryetari i VATRËS dege në Boston, z.Mentor Maksutaj, i cili falënderoi të gjithë që u bashkuan në këtë iftar. “Motra dhe vëllezër, sot falenderojmë Zotin që kemi shëndet të mirë, kemi familje të shëndosha e miq të mirë, me të cilët Zoti na bëri të mundur që të bashkohemi sontë të gjithë si një familje”, tha z.Maksutaj. Ai shprehu mirënjohje dhe falenderim të veçantë për organizatorët e kësaj darkë. “Falenderoj “ÇUNAT E BOSTONIT” Artur e Ardi Boçoven dhe Eno Kumen për mikpritjen në shtëpinë e tyre, pasi janë të gatshëm gjithmonë bashkë me anëtarët e tyre të kontribuojnë për të mirën e komunitetit tonë. Shoqatën Kulturore Atdhetare “LABERIA” për kontributin e veçant në këtë darkë, ku na ka nderuar edhe vet kryetarja Rudina Bardhi. Por e bukura e kësaj darkë është fakti se përveç familjeve të besimit musliman që kanë gatuar ushqime tradicionale për këtë iftar, si burek të ndryshëm, fli, qofte, tavë kosi etj., janë edhe shqiptarë të besimit ortodoks, të krishterë dhe bektashjanë. Pra, harmonia fetare mes shqiptarëve vazhdon të jetë shembull për të gjithë botën”, tha z.Maksutaj duke falenderuar njëherazi edhe vatranët dhe kryesin e VATRËS dege Boston për këtë darkë familjare.

Në fund, por jo më pak të rëndësishme, z.Maksutaj falënderoi të pranishmit, familjet që gatuan dhe sollën ushqime tradicionale, si dhe me përulje për bizneset shqiptare që kontribuan për iftarin. “Falënderoj me përzemërsi “Boxford House of Pizza” në Boxford, “Ellie’s Pizza” në Beverly, “Peabody House of Pizza” po në Peabody, Child Care “Golden Steps” në Weymouth, si dhe kompaninë “Art Painting” në Salem”, mbylli fjalën kryetari z.Maksutaj.

Gjithashtu, gjatë darkës u shpërndan edhe dhurata për fëmijët dhe nga një libër me poezi për fëmijët “Më thuaj, o Gjyshi…” nga autorja Lata Ajdini Musabelliu.

Foto: Subi Çako & etj!

Filed Under: Komunitet

Kujtimi i një vizite të paharrueshme në Kosovën e pasluftës dhe 99-vjetori i Prof Sami Repishtit

April 7, 2024 by s p

Nga Harry Bajraktari/

Në 99-vjetorin e Prof. Sami Repishtit, gjej rastin që ta përsëris se sa me fat kemi qenë si komunitet shqiptaro-amerikan që e kemi pasur dhe e kemi në mesin tonë.

Që nga koha kur mbërriti në SHBA në vitet 1960, ka qenë pjesë e çdo veprimtarie të rëndësishme kombëtare të shqiptarëve këtu në Amerikë.

Duke filluar që nga dëshmia e pare në Kongresin Amerikan në vitin 1965 e deri në ditët tona.

Kur fillova të angazhohem në lobimin dhe aktivitetin shqiptar në Washington DC dhe në New Yok, Prof Sami Repishti ishte një nga ata liderë që më frymëzuan e në gjurmët e të cilëve doja të ecja. U afrova me të në Ligën Qytetare Shqiptaro Amerikane e pastaj akoma më shumë kur themeluam Këshillin Kombëtar Shqiptaro Amerikan.

Por kurrë nuk kam qenë më afër me Prof Sami Repishtin sa në prillin e vitit 2000, kur që të dy u nisëm për një udhëtim në Kosovën e çliruar.

Ishte një vizitë e paharrueshme. Kujtimet dhe mbresat e saj i përmblodhëm në një libër të vogël, “Kosovë Prill 2000”, bazuar kryesisht në shënimet e Prof. Sami Repishti. Këtë libër e ruaj të shtrenjtë në bibliotekën time dhe e shfletova këto ditë përpara se të shkruaja urimin për Prof Repishtin.

Bashkw me Dr. David Phillips u nisëm të tre me avion nga New York-u, për në Vienë e që aty në Shkup, se për në Prishtinë nuk na u hap sinjali. Nga Shkupi hymë me makina në Kosovë, të shoqëruar nga miku ynë Dr. Alush Gashi.

Kosova ishte ende e shkatërruar, me njerëz që ende kërkonin njëri-tjetrin, me varre të freskëta, ende duke vuajtur pasojat e masakrave dhe mizorisë serbe.

Tre mijë shqiptarë ishin ende të burgosur politikë në Serbi. Një prej tyre kryeministri i sotëm, Albin Kurti.

Por ishte një Kosovë e re, që po punonte tokat, po rindërtonte shtëpitë, kishte rihapur shkollat, dhe po ndërtonte institucionet e reja. Njerëzit po regjistroheshin për zgjedhjet e tetorit. Optimizmi ishte i jashtëzakonshëm.

Bashkë me Prof. Sami Repishtin na u mbushën sytë disa herë me lot. Si për shembull kur takuam 12-vjeçarin Hashim Beqën në Reçak, i cili na kapi përdore e na tregoi varret e babait dhe dy vëllezërve 17 dhe 15 vjeç të vrarë nga serbët në Masakrën e Reçakut.

Në Lugun e Baranit u përlotëm nga gëzimi i fëmijëve kur bashkë me Akademik Mark Krasniqin dhe Terry Heselius drejtor i “Mercy Corps” për Kosovë u dorëzuam kompjutera e libra, laboratorë e televizorë për shkollat e qarkut, që i kishim sjellë nga Amerika në bashkëpunim me David Phillips.

Qindra mësues e nxënës, e banorë të Lugut të Baranit kishin ardhur për të na parë. Ishte një pritje madhështore. Ata dëgjuan më vëmendje fjalën e Prof. Sami Repishtit.

Pastaj, në Vranoc, familja Bajraktari shtroi një drekë për të nderuar miqtë nga Amerika, në të cilën morën pjesë më shumë se një qind vetë.

Në Prishtinë, Presidenti Ibrahim Rugova na priti me ngrohtësi e biseduam për të ardhmen e re të Kosovës. Na priti në zyrë e pastaj para kthimit për darkë në shtëpinë e tij.

Vizituam Mitrovicën e ndarë, deri te Ura e Ibrit. Shqiptarët ende nuk ktheheshin dot në shtëpitë e tyre në veri të qytetit. Vizituam Suharekën, Prizrenin e plotë fshatra e qytete.

Ishte hera e parë dhe e fundit që Prof Sami Repishti e vizitoi Kosovën dhe sa herë që kemi biseduar më vonë, e çonte fjalën te ajo vizitë. “E kam pa Tokën e Kosovës. E kam prekë me dorë. E kam marrë si kujtim një copë dhé, e tashti është në xhepin tim, e ruejtun si një relike fetare!”, shkroi ai plot emocion në fund të vizitës.

Në vitin 2018, pata nderin të prezantoj Prof. Sami Repishtin në ceremoninë e nderimit që i bëri Federata Vatra dhe fola për jetën dhe veprën e tij.

Sot, kur ai mbush 99 vjeç nuk kam shumë çfarë t’i uroj se ai ka arritur gjithshka në jetë. Në vend të urimit, por e falenderoj për kontributin e madh që ka dhënë për kombin shqiptar, për Kosovën, për komunitetin tonë në SHBA, për të drejtat e njeriut kudo. Por po i uroj edhe shëndet e jetë të gjatë. Po i uroj që ta festojmë së bashku 100-vjetorin e lindjes.

Zoti e bekoftë Sami Repishtin dhe familjen e tij!

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • …
  • 61
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT