• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

ZBULOHET KARTËVIZITA E ISMAIL QEMALIT

April 6, 2024 by s p

Nga Evarist Beqiri

Kjo kartëvizitë e Ismail Qemalit shfaqet për herë të parë për publikun. Ajo ruhet në arkivin e familjes “Vlora”. Prandaj, shfrytëzoj rastin për të falënderuar z. Darling Vlora, stërnipin e Ismail Qemalit, për vendosjen e saj në dispozicion. Ajo i përket periudhës 1908-1912, kur Ismail Qemali shërbeu si deputet i Vlorës në parlamentin otoman. Në kartëvizitë shkruhet qartë, shkurt dhe thjesht: Ismail Qemal Bej, deputet i Vlorës…

Me triumfin e Revolucionit Xhonturk u rivendos Kushtetuta, u rikthye parlamenti dhe pluralizmi politik në jetën politike otomane. Në zgjedhjet parlamentare të nëntorit të vitit 1908, Ismail Qemali u zgjodh deputet i Vlorës. Ishte nëntori i vitit 1908, kur Ismail Qemali arriti në Stamboll si deputet i Vlorës dhe i Beratit, por faktikisht ai ishte përfaqësues i të gjithë Shqipërisë. Turqit e Rinj kishin fituar pushtet dhe ndikim të madh. Ata bënë çmos për ta penguar ardhjen e Ismail Qemalit e për të mos pasur ndonjë pritje me karakter zyrtar ndaj tij. Megjithatë, pritja nga ana e kolonisë shqiptare dhe miqve të tij ishte e shkëlqyer. Një varg i gjatë njerëzish e pritën dhe e shoqëruan Ismail Qemalin nën tingujt e bandës muzikore deri te Klubi i Shqiptarëve, ku u mbajtën disa fjalime patriotike. 

Të nesërmen Kryeministri (Veziri i Madh), Qamil Pasha, i kërkoi takim Ismail Qemalit. Qamil Pasha i propozoi Ismail Qemalit që të bënte pjesë në qeverinë e tij, dhe të merrte postin e ministrit të Punëve të Jashtme. Ismail Qemali e pranoi në parim postin, por kishte dëshirën që para se të bëhej një ndryshim i tillë dhe për të përforcuar pozitën e Vezirit të Madh, të bëhej një votim në parlament për politikën që ai donte të ndiqte…

Kur parlamenti turk u mblodh më 17 dhjetor 1908, ai kishte 26 deputetë që vinin nga katër vilajetet shqiptare dhe që përbënin grupimin e tretë më të madh etnik në parlamentin osman. Pas fitores së Revolucionit Xhonturk, lufta politike për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar do të mbartej edhe në parlamentin osman. Dy rrymat kryesore që ishin shfaqur te Turqit e Rinj në azil, nacionalistët turq dhe liberalët osmanë, po rishfaqeshin tani edhe në Parlamentin Osman. Nga njëra anë ishin liberalët, që favorizonin njëfarë decentralizimi dhe të drejta autonomie për minoritet kombëtare dhe fetare, nga ana tjetër, ishin nacionalistët, që kërkonin ta forconin më tepër autoritetin qendror dhe sundimin e turqve. Shumica e deputetëve shqiptarë i përkisnin grupit të parë. Me ata u bashkuan edhe disa deputetë të tjerë, kryesisht të krishterë. Në këtë mënyrë ata formuan Partinë Liberale (Ahrar), nën lidershipin e Ismail Qemal Vlorës, e cila i përkiste opozitës parlamentare. 

Ai ishte lideri i opozitës liberale multietnike në parlamentin osman. Ai do të vijonte deri në vitin 1912, betejën e tij parlamentare për reforma administrative decentralizuese, me qëllim njohjen e autonomisë rajonale dhe të drejtave etnike për popujt e ndryshëm në perandori. Ismail Qemali e shpalosi shkëlqyeshëm platformën partiake në një intervistë për gazetën londineze “Pall Mall”, në janar 1909. Ai deklaroi se, shpëtimi i vetëm për Turqinë, është garantimi i lirive të plota. Turqit, grekët, sllavët, armenët, shqiptarët, arabët dhe të gjithë popujt e tjerë të Perandorisë duhet të qëndrojnë të barabartë. Pretendimi se turqit duhet të zënë vendin e parë është një “broçkull”. Ismail Qemali kërkonte që Turqit e Rinj të dilnin hapur dhe të hiqnin dorë nga sekretet, maskat dhe takimet në mes të natës. Ismail Qemali kërkonte që ushtria, marina dhe administrata civile të ishin të hapur për të gjitha kombësitë dhe të gjitha besimet, dhe ata që ishin më të aftët duhet të zinin vendet më të mira. Gjatë ditëve të para të  mbledhjes së parlamentit, si doyen-i i politikanëve osmanë, Ismail Qemali kreu detyrën e kryetarit të parlamentit.

Patrioti Jani Vruho e përshkruan kështu aktivitetin e Ismail Qemalit në parlamentin osman: “Koha po na tregon zotrinë e tij, zotin Ismail Qemal Vlorën nga më të mirët e të gjithë deputetëve shqiptarë! Populli Shqiptar ka borç i tërë anë e mbanë t’i jap votën e tij këtij burri, i cili u rrëfye kaq trim e guxonjës, duke i mburrur të drejtat e tërë Shqipërisë”.

Qëndresa e Ismail Qemalit ndaj xhonturqve, të cilët arritën deri tek sulmi fizik ndaj tij në parlamentin osman, u lartësua edhe nga shtypi ndërkombëtar. Shtypi përdori ndaj Ismail Qemalit epitete si, “shqiptari zemërluan”, “trimi dhe i larti burrë shqiptarë”. Gazeta londineze Daily Telegraf, do të shkruante se në parlament: “Zëri i Ismail Qemal Beut ka rëndësinë e 100 zërave”. Ndërsa gazeta “Albania”, theksonte se, Ismail Qemali tregoi kurajë morale dhe e nderoi emrin e shqiptarit kudo në botë.

Filed Under: Histori

DYQIND ARSIMTARËT E ERNEST KOLIQIT NË KOSOVË …

April 6, 2024 by s p

Frano Kulli/

Ende sot mbasi kanë kaluar tetëdhjetë vjet han prap hamendësime pjesmarrja e Ernest Koliqit në qeverinë e Shevqet Vërlacit (21 prill 1939 – 3 dhjetor 1941). Koliqi, njëri prej shkrimtarëve dhe intelektualëve më në zë të Shqipërisë së kohës u përfshi në një qeveri “të përbërë nga njerëz pa vlera të veçanta”, siç pohon studiuesi dhe historiani Berndt Fischer . Sikurse ende përmendet si e dhënë gojore edhe një bisedë e Koliqit , rrethanë e momentit kur ai ftohet në Tiranë për t’i propozuar postin e ministrit. Është viti 1939 ai kishte pak kohë që ishte emëruar titullar i Katedrës së Gjuhës dhe letërsisë Shqipe në Universitetin “La Sapienza” në Romë. Sipas gojëdhënës, Koliqi nuk e jep përnjiherë pëlqimin, por kërkon pak ditë kohë. Prej atje kthen në Shkoder e takon… At Gjergj Fishten.
-Më kanë propozue me u ba ministër i arsimit, pader…
-Me u ba minister – ia kthen pader Gjergji, pa pritë shpjegime më të gjata prej bashkëfolësit.
-Po, unë s’kam mujt me e dhanë fjalën, për pa u pá e me fol me ty, pader – kërkon të shtjellojë kërkesen e vet Koliqi më parë se t’ia merrte mendimin atij që e çmonte aq shumë.
-Po pra po, me u bá minister – ia kthen me këmbëngulje pader Gjergji e i thotë prerë argumentin e vet- se të tanë tjerët e bajnë ma keq se ti… ( O Zot ç’farë kut vlerësimi për vlerat kishin njerëzit si ata. Me një ekzigjencë shembullore për dijet e për punët në dobi të saj e të kombit). Dhe Ernest Koliqi, kështu u bë ministër i shtetit për arsimin. Ministri me gjurmën më të dukëshme e të dobishme në arsimin e shqiptarëve… Sapo filloi punën në këtë detyrë , ai mblodhi rreth vetes njerëzit e kulturës, shkrimtarët më të shquar dhe filloi përpilimin dhe botimin e teksteve shkollore. Si Ministër i Arsimit në shtatorin e vitit 1941 ai mundësoi me një vendim që mbi 200 arsimtarë normalistë, të shkonin në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Pa u caktuar ende formula me të cilën Kosova do t’i kthehej Shqipërisë dhe pa ardhur ende udhëzimet nga Roma, nën përgjegjësinë personale, Ministri i Arsimit, Prof. Ernest Koliqi nisi drejt “tokave të lirueme” 200 mësues e profesorë me synimin e qartë të vendosjes së themeleve të arsimit shqiptar. Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht një nga aktet më sublime sepse ai dha frutet e veta në hapjen e shkollave shqipe, në rrënjosjen e dëshirës për të mësuar shqipen në të gjithë trojet shqiptare.
Prej shtetit të brishtë shqiptar, ende pa u formësuar mirë si i tillë shkoi ndër mend dhe e bëri punë të kryer dërgimin te vëllezërit e nji gjaku atë për atë çfarë ishte më e nevojëshme atje. Dërgoi mësues për të dhënë dije atje, duke plotësuar kështu të nxënit e të mësuarit shqip si nevojë jetikë për ruajtjen e idenditetit kombëtar, të shqiptarëve të atjeshëm që historia e padrejtë i kishte shkëputë prej trungut të kombit e dheut amë.
Në vijim të asaj ç’ka nisi ministri Koliqi, “në vitin 1943, pa u mbushur dy vjet, në Kosovë dhe në vise të tjera shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi u hapën dhe punonin 511 shkolla fillore shqipe me 19 121 nxënës, të cilët i mësonin dhe edukonin drejt kombëtarisht 487 mësues (prej tyre 78 mësuese)… Ernest Koliqi kontribuoi edhe në hapjen e Normales së plotë në Prishtinë, në hapjen e Liceut në Prizren dhe Tetovë, në hapjen e Shkollës Normale në Gjakovë, të institutit Teknik Bujqësor dhe Gjimnazit në Pejë “.
Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi konsullit shqiptar Kolë Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar Norbert Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari…). Edhe si arsye madhore për ta shpëtuar albanologun e shkëlqyer hebre nga kthetrat e nazistëve.
Qeveria e Shqipërisë 4 vjet më parë, ministren e arsimit e kishte nga Kosova. Nuk e di se për ç’potenciale publike e punë të mirë mund të përmendet zonja. Përveçse si përzgjedhje kinse patriotike e kryeministrit, Zotit Rama në sinkron me mbledhjet e përbashkëta të atyre kohëve, të dy qeverive, tashmë të harruara, vendimet e të cilave u “shkruan në akull”. Dhe po të sjellësh ndër mend “shown” e atëhershëm ndjen neveri prej fallsitetit. Si për shumë gjëra të tjera të shpeshta , këso dore…. Për traun e rrugës së kombit a për a për taksën e shtrenjtë të mallrave që qarkullojnë nëpër të ndërmjet dy popullatave shqiptare andej e këndej. Apo për taksën e shtrenjtë të librave 6%,(edhe të librit shqip, sigurisht) më të shtrenjtën në rajon.
Kurse po t’i krahasosh punët e ministres së vitit 2019 me ministrin Ernest Koliqi, të vitit 1941…fyen rëndë historinë…
foto: prointegra.ch

Filed Under: LETERSI

KRYENGRITJA ANTI-OSMANE E MALËSISË SË MADHE 

April 6, 2024 by s p

Gjergj Fishta: “Mësyn Turku me furi, e pret Malësia me trimëri” – 6 Prill, 1911 

Frank Shkreli/

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated Sipas lajmeve të fundit, mësohet se Presidenti i Republikës, Z. Bajram Begaj po viziton Malësinë e Madhe këto ditë për të lartësuar, me praninë e tij si figura përbashkuese Kombit, kujtimin e – Kryengritjes së Malësisë së Madhe – kësaj ngjarjeje të madhe historike, që sipas historianëve, për nga rëndësia historike, ka ndryshuar përgjithmonë historinë dhe ka shënuar për shekuj me germa ari, kujtimin e këtyre burrave dhe burrneshave malësore, që me trimërinë dhe guximin e tyre, pas pesë shekujsh robërie otomane, shpalosën Flamurin e Gjergj Kastriotit- Skenderbeu, në trojet shqiptare. 

Në Malësi shënohet përvjetori i kryengritjes së Malësisë së Madhe, (6 Prill, 1911), ose Kryengritjes së Ded Gjo Lulit, siç njihet ndryshe.  Kjo kryengritje e malësoreve kundër Perandorisë Osmane, perveç se çoi në ngritjen e parë të flamurit kombetar në tokën shqiptare, c’prej kohës se Gjergj Kastriotit, sipas historianëve, ka një rendësi të veçantë në lëvizjen e rilindjes kombëtare shqiptare. Sipas tyre, veprimtaritë kryengritëse dhe luftërat e malësoreve tërhoqën, si asnjëherë më parë, vëmendjen e shteteve evropiane si edhe të opinonit publik të kohës në Evropë, mbi ato që po ndodhnin në Malësi dhe në trojet shqiptare.  Lëvizja e kryesuar nga prijsi i Malesisë së Madhe, Ded Gjon Luli dallohet nga lëvizje të tjera të shqiptarëve për liri, pikërisht, nga jehona e amdhe që bëri lufta e malësorëve në ato vite, anë e mbanë Evropës. Ndërsa, kryengritësve të Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit e Shkrelit iu bashkuan edhe shumë përfaqsues patriotë nga krahina të tjera të Shqipërisë dhe trojeve shqiptare. 

Është meritë e kryengritjes së Malesise së Madhe fakti se kjo lëvizje nuk ishte e lokalizuar, por kishte qellime mbarëkombetare, gjë që gjeti ndihmen dhe përkrahjen edhe të Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, të cilët me patriotë të tjerë të kohës, duke parë luftën serioze të Malësorëve për liri e pavarësi, shkuan në Podgoricë, ku përpiluan Memorandumin për t’ua dërguar fuqive të mëdha të asaj kohe, përfshir Perandorinë osmane, e që përmbante, ndër te tjera, kërkesat e Shqiptarëve për një Shqipëri, me administratë, gjuhë e buxhet të vetin. Por, edhe që Shqipëria të drejtohej nga një guvernator shqiptar.  Memorandumi në fjalë, në të vertetë, ishte një pasqyrim, jo vetëm i kërkesave të Malësorve, por edhe i të gjithë shqiptarëve.  Nënshkrimi i përfaqësuesve të malësorëve të kërkesave të shpallura e në Memorandum i benë kryengritsit Malesorë t’i paraqiteshin botës së atëhershme si përfaqsues edhe të kërkesave por edhe të aspiratave të mbarë Kombit shqiptar për liri e pavarësi, pas pesë shekuj robëri.  Lufta për liri e Malësorëve, në fillim të shekullit të kaluar dhe ngritja e flamurit te Skenderbeut ne Deçiq që pasoi, ishte simbol i vellazërimit të kombit shqiptar rreth një Flamuri të vetëm dhe tregoi se Shqiptaret kishin një Atdhe të vetëm e të përbashkët, që dëshironte liri dhe dritë, për të dalur nga errësira shekullore e robërisë osmane.  Si rrjedhojë e këtyre ngjarjeve në Malësinë e Madhe, gazetat anë mbanë Evropës, ndoshta për herë të parë, shkruanin për Shqipërinë si një entitet, jo më si një frazë e zbrazët gjeografike, por flisnin për një popull që ishte në prak të lirisë dhe të çlirimit nga zgjedha shekullore e pushtimit robërues turk. Për më tepër, Kryengritja e Malësorve, në krye me Ded Gjo’ Lulin, frymëzoi edhe kryengritjet e tjera anti-osmane në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, ose vilajeteve të asaj kohe, duke çuar, më në fund, në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 nëntor, 1912. Kjo, falë sakrificave dhe derdhjes së gjakut të dëshmorëve si Ded Gjo Luli me Malësorët, të cilët luftuan dhe vdiqën për idealin e shenjtë të lirisë, pavarësisë dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore. 

Malësorët e vitit 1911 dhe prijësi i tyre u bënë zëdhënësit e drejtëpërdrejtë të Rilindjes Kombëtare dhe platformës së tyre për liri. Në të njëjtën kohë, ata ishin vijues të traditës së tyre shekullore për rezistencë ndaj okupatorit! Kur ekzistenca e këtij kombi të lashtë ishte në rrezik nga pesha e pushtimit të gjatë por edhe nga konjukturat politike të kohës, nën shembullin e heronjve antikë të atyre trojeve, në skenën e përgjakshme të Ballkanit, në Malin Deçiç, ngjitet Dedë Gjo Luli si fuqi shpirtërore, patriotike e pse jo edhe ushtarake e një populli që do t’i thonte lamtumirë së keqes 5-shekullore otomane, një herë e përgjithmonë. 

Me pushkën e qëndresës dhe me emblemën e identitetit shqiptar, me Flamurin kuq e zi në dorë, ai do t’i përcillte shqiptarëve dhe botës mbarë, porosinë e Gjergj Kastriotit — Skënderbeut se kjo tokë ka zot, se kjo tokë ka malësorë, se këto troje kanë identitet kombëtar:  shqiptarë dje, shqiptarë sot, shqiptarë përgjithmonë! 

Dedë Gjo Luli ngjitmas me fatin historic të Shqipërisë eci nëpër rrugë të vështira, rrugë që më në fund e çuan atë dhe malësorët e tij drejt Bratilës së Deçiqit, majë nga e cila shihej horizonti i Shqipërisë. Ajo ishte rruga e atdhedashurisë, rruga e cila e çoi, eventualisht dhe për fat të keq, drejt një vdekjeje prej martiri që pushtuesit e trojeve shqiptare ia kurdisën në vitin 1915, atëhere kur vendi përsëri ishte pranë një gremine tjetër.  

Në panteonin e Atdheut, aty ku përjetësia dhe mirënjohja e brezave bëhen një, burrat e sojit të Dedë Gjo Lulit janë pushkë të ngrehuna të Shqipërisë siç do t’i quante Ismail Qemali asokohe, por edhe modele për çdo bir shqiptari! Rojtar i përjetshëm i fateve të Shqipërisë mbetet ai. Kryengritja që filloi më 24 Mars të vitit 1911, e që kulmoi me ngritjen e Falmurit shqiptar me 6 prill, 1911, e ndezi flakë gjithë Shqipërinë, flakë që nuk u shua, kryengritje pas kryengritjeje, deri në shpalljen e Pavarësisë me 28 nëntor 1912. Shtizë e atij flamuri ishte Dedë Gjo Luli! 

Një meritë tjetër e këtyre burrave në krye me Ded Gjon Lulin, është se kryengritësit malësorë i erdhën në ndihmë Kombit në çastin kur mendohej se raca shqiptare po jepte shpirt e ndarë dhe e përçarë, e harruar nga bota perëndimore, e lakmuar dhe e pushtuar nga armiqtë shekullorë të tij. Dedë Gjon Luli me malësorët e tij i erdhën në ndihmë tokës arbërore, atëherë kur dukej se shpresat e shqiptarëve për liri e pavarësi po zhdukeshin dhe kur fqinjët; lakmues të tokave shqiptare, nëpër kancelaritë e Evropës, bërtisnin duke thënë se nuk kishte komb shqiptar. Malësorët e vitit 1911, jo vetëm që u bënë simboli i Rilindjes Kombëtare, por ata ishin edhe dallëndyshet, që paralajmëruan Pavarësinë kombëtare të shqiptarëve një vit më vonë. Ata ishin lajmëtarët e kombit, që njoftuan Evropën dhe botën se toka e Gjergj Kastriotit, më në fund, kishte zot. 

Memorandumi dhe kryengritja e malësorëve, mund të konsiderohet edhe fillimi si fillimi i përpjekjeje, që sot do ta quanim, “ndërkombëtarizim të çështjes shqiptare”, që pasqyronte dëshirën e të gjithë shqiptarëve, pa dallim, për bashkim, për liri e pavarësi, anë e mbanë trojeve të veta shekullore. Ishte pra një mesazh i fuqishëm për atë kohë, por edhe për sot, se shqiptari dëshiron të jetojë në shtëpinë e vet, zot i fatit të vet, pa ndërhyrje dhe influenca nga jashtë, në paqe e siguri me fqinjët, si pjesë e familjes së madhe evropiane. 

Në botën aktuale shqiptare të korrupcionit e konflikteve politike, koncesioneve ekonomike, publiko-private, të interesave të shumë llojshme personale e partiake, përfshirë interesat dhe influencat e huaja që nuk prajnë kurrë së vepruari kundër interesave shqiptare, është mirë të kujtohet me këtë rast se kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit në Deçiq me 6 prill, 1911, u bë thjesht për ideale të larta kombëtare dhe jo për interesa personale as partiake. Kryengritja e malësorëve nuk ishte një ndërmarrje për përfitime të përkohëshme personale, krahinore, fetare ose ideologjike, por ishte një luftë për jetë a vdekje, për mbijetesën e identitetit kombëtar të shqiptarëve, pavarësinë dhe lirinë e kombit shqiptar. Si e tillë, kryengritja e Malësisë së Madhe që shënohohet sot kishte qëllime dhe objektiva të interesit mbarë-kombëtar për ruajtjen e identitetit dhe të vlerave, vetive e karakteristikave që kanë dalluar gjithmonë shqiptarët nga të gjithë popujt e tjerë: dashuria për Atdheun, nderi, besa dhe burrëria shqiptare!  

Me shpresë për ditë më të mira e të bukura për Malësinë e Madhe dhe për të gjithë shqiptarët: Gëzuar 6 Prillin, Malësisë së Madhe dhe mbarë Kombit shqiptar! 

Frank Shkreli 

Presidenti i Shqipërisë, Z. Bajram Begaj me Kryetarin e Bashkisë Malësia e Madhe (në të tretin mandaat), Z, Tonin Marinaj  –Kryetari i Bashkisë, Malësia e Madhe z.Tonin Marinaj ka mirëpritur të Premten në Malësi të Madhe presidentin e Republikës z.Bajram Begaj, n[ një vizitë e cila i shërben bashkëpunimit institucional por edhe forcimit të lidhjes ndërmjet qytetarëve dhe përfaqësuesit më të lartë të shtetit. Gjatë takimit me intelektualë, shkrimtarë dhe përfaqësues të institucioneve, si Presidenti Bajram Begaj ashtu edhe Kryetari Tonin Marinaj, ndanë të dy të njëjtin qëndrim për rolin e rëndësishëm që ka çdo individ për t’i shërbyer vendit të tij dhe për të lartësuar emrin e kombit tonë, duke ndjekur edhe shembullin e figurave të shquara që ka nxjerrë treva jonë ndër shekuj, thuhet në portalin e Bashkisë Malësia e Madhe (Për më shumë të dhëna nga vizita e Presidentit Bajram Begaj në Malësinë e Madhe vizitoni portalin e kësaj bashkie.  

Filed Under: Reportazh

THE CHRISTIAN SCIENCE MONITOR (1933) / RRËFIMI I REPORTERIT AMERIKAN REUBEN HENRY MARKHAM : “JA SI PO BORGJEZOHET SHQIPËRIA”

April 6, 2024 by s p


Reuben Henry Markham (1887 – 1949)
Reuben Henry Markham (1887 – 1949)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 6 Prill 2024

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të hënën e 9 janarit 1933, në faqen n°12, rrëfimin e reporterit amerikan Reuben Henry Markham rreth borgjezimit (zhvillimit) asokohe të Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqipëria po borgjezohet

Burimi : The Christian Science Monitor, e hënë, 9 janar 1933, faqe n°12
Burimi : The Christian Science Monitor, e hënë, 9 janar 1933, faqe n°12

Është zakon që udhëtarët dhe shkrimtarët t’i referohen Shqipërisë si toka që kaloi me një kërcim nga mesjeta në shekullin e njëzetë në çështjen e transportit; për shembull, nga gomerët e grumbulluar te aeroplanët. Por ndryshimi i shpejtë në jetën shoqërore dhe politike të Shqipërisë është akoma më interesant.

Shqipëria është e mbushur me rrënoja fortesash. Ato janë simbole të organizimit të saj shoqëror të së kaluarës – ose mungesës së tij. Pronarët e tokave, shumë prej të cilëve ishin bejlerë dhe disa pashallarë, dominonin vendin, secili zot i mbretërisë së tij të vogël ose më të madhe. Masa e popullit u shërbente atyre si bujkrobër.

Rezultati ishte varfëria e tmerrshme, analfabetizmi i plotë, padrejtësia e madhe dhe kaosi i përgjithshëm. Nuk kishte rrugë të mira dhe pak ura të klasit të parë. Asnjë qytet modern, një mungesë e plotë e akomodimeve në hotele, pa kulturë popullore dhe pak siguri.

Në atë kohë nuk ekzistonte ndërgjegjja kombëtare shqiptare, por në fillim të shekullit të sotëm pati shenja zgjimi. Kur krerët e kësaj lëvizjeje të re nisën një kryqëzatë për një Shqipëri të pavarur dhe të bashkuar, panë se bejlerët përbënin një pengesë pothuajse të pakapërcyeshme.

Kishte dy mënyra historike për të kapërcyer kundërshtimin e tyre : njëra ishte që një princ të vinte nga jashtë dhe të zbatonte rendin në Shqipëri me ndihmën e huaj, dhe tjetra ishte që një nga krerët vendas të fitonte epërsi mbi të gjithë rivalët e tij. Të dyja mënyrat u provuan dhe një kombinim i të dyjave pati sukses. Një udhëheqës vendas, i riu, i vrullshëm dhe i aftë Ahmet Zogu, pas shumë revolucioneve dhe shumë mundi, iu imponua Shqipërisë me ndihmën jugosllave dhe italiane dhe u bë Mbret me emrin Zogu i Parë.

Njerëzit e rëndësishëm tani janë organizatorët, oficerët, shefat inteligjentë të departamenteve, shefat e policisë, sipërmarrësit mendjemprehtë, burokratët dominues. Mbreti Zog mbështetet me zjarr nga një grup i ri njerëzish të arsimuar dhe të punësuar.

Këta burra kanë formuar një këndvështrim krejtësisht të ri në Shqipëri. Ata janë për ligjin, stabilitetin, komunikimin e sigurt, policët kompetentë, gjyqtarët e drejtë dhe një ushtri të fortë. Ata do të shkatërroheshin plotësisht nga revolucionet dhe rikthimi i dominimit të baronëve (bejlerëve) të vjetër të tokës.

Shqipëria është borgjezuar patjetër. Për rrjedhojë, kundërshtimi ndaj Mbretit Zog është zhdukur në masë të madhe. Prosperiteti i gjithë inteligjencës shqiptare varet nga ai ose nga dikush tamam si ai. Ai ka inauguruar një sistem që për shumicën e shqiptarëve të arsimuar është i mirë. Atyre iu pëlqen. Sepse do të thotë një rrogë mujore, rroba të bukura, një shtëpi dhe tokë, pak kulturë dhe një vend në botë. Këta liderë borgjezë mund të luftojnë mjaft ashpër mes tyre për kontratat, koncesionet dhe punët më të mira, por secili prej tyre mbetet për Mbretin dhe sistemin e tij.

Kjo do të thotë, për shumë vëzhgues politikë, se ushtria, e cila është shumë aktive, do të bëhet një forcë e madhe politike dhe shoqërore; se do t’i akordohet një vend i lartë në rendin shoqëror dhe se ndoshta do të zhvillohet një burokraci e ngurtë. Ndoshta me kalimin e kohës do të lindë një oligarki.

Por pikërisht tani Shqipëria e gjen veten në atë fazën e parë të lezetshme ku jakat e bardha dhe kostumet formale kanë përparësi ndaj kostumeve tradicionale të bejlerëve dhe ku rrugët e drejta, orkestrat, tualetet dhe llogaritë bankare preferohen në vend të pyjeve dhe luginave të mbushura me bujkrobër. Sistemi borgjez përfaqëson një përmirësim të konsiderueshëm ndaj feudalizmit dhe Shqipëria duket se ka interes të ndjekë rrugën që ka marrë ose po ndjek secili nga fqinjët e saj perëndimorë.

R. H. M. (Reuben Henry Markham)

Filed Under: Histori

Tërmeti 4.8 ndihet në gjithë Nju Jorkun

April 6, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Një tërmet i shkallës 4.8 u ndie në gjithë Nju Jorkun në orën 10:23 (koha e zonës lindore) të premten, njofton agjencia amerikane e sondazheve gjeologjike (United States Geological Survey). Epiqendra e tërmetit sipas të dhënave ishte në Whitehouse Station, Nju Xhersi. Tronditjet janë ndierë në disa qytete nga Filadelfia deri në Boston.

Deri tani nuk ka njoftime për dëme, ndonëse lëkundjet ishin të ndjeshme në të gjithë qytetin, njofton bashkia e Nju Jorkut. Departamenti i zjarrfikëseve dhe ai policor janë duke monitoruar situatën. Rrjeti i transportit publik nëntokësor raportoi se nuk ka pasur ndërprerje të komunikacionit në Nju Jork. Departamenti i Arsimit ka njoftuar se ndërtesat e shkollave nuk janë dëmtuar por personeli po inspekton me kujdes strukturat e ndërtesave.

Në Nju Jork lëkundjet vazhduan të ndihen për 30 sekonda. Aeroplanët në tre aeroportet kryesore në afërsi të qytetit nuk u lejuan të aterojnë sipas Administratës Federale të Aviacionit. Përsa i takon transportit hekurudhor të pasagjerëve, autoritet njoftojnë se tërmeti shkaktoi disa vonesa. Ata paralajmërojnë se gjatë ditës mund të ketë të tjera.

Në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara ka pasur tërmete. Një prej tyre ka qenë në shkallën 5.8 në Nju Jork në 23 gusht, 2011.

Një krisje e pllakës e quajtur Ramapo që lidhet me vargmalet Apalaçe gjendet në Nju Xhersi dhe pesë të tjera më të vogla janë nën ishullin Manhatan. Para disa muajve agjencia kombëtare USGS ka paralajmëruar se në 75% të Shteteve të Bashkuara mund të ketë tërmete të forta në 100 vitet e ardhshme.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 61
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT