Rafaela Prifti/
Një tërmet i shkallës 4.8 u ndie në gjithë Nju Jorkun në orën 10:23 (koha e zonës lindore) të premten, njofton agjencia amerikane e sondazheve gjeologjike (United States Geological Survey). Epiqendra e tërmetit sipas të dhënave ishte në Whitehouse Station, Nju Xhersi. Tronditjet janë ndierë në disa qytete nga Filadelfia deri në Boston.
Deri tani nuk ka njoftime për dëme, ndonëse lëkundjet ishin të ndjeshme në të gjithë qytetin, njofton bashkia e Nju Jorkut. Departamenti i zjarrfikëseve dhe ai policor janë duke monitoruar situatën. Rrjeti i transportit publik nëntokësor raportoi se nuk ka pasur ndërprerje të komunikacionit në Nju Jork. Departamenti i Arsimit ka njoftuar se ndërtesat e shkollave nuk janë dëmtuar por personeli po inspekton me kujdes strukturat e ndërtesave.
Në Nju Jork lëkundjet vazhduan të ndihen për 30 sekonda. Aeroplanët në tre aeroportet kryesore në afërsi të qytetit nuk u lejuan të aterojnë sipas Administratës Federale të Aviacionit. Përsa i takon transportit hekurudhor të pasagjerëve, autoritet njoftojnë se tërmeti shkaktoi disa vonesa. Ata paralajmërojnë se gjatë ditës mund të ketë të tjera.
Në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara ka pasur tërmete. Një prej tyre ka qenë në shkallën 5.8 në Nju Jork në 23 gusht, 2011.
Një krisje e pllakës e quajtur Ramapo që lidhet me vargmalet Apalaçe gjendet në Nju Xhersi dhe pesë të tjera më të vogla janë nën ishullin Manhatan. Para disa muajve agjencia kombëtare USGS ka paralajmëruar se në 75% të Shteteve të Bashkuara mund të ketë tërmete të forta në 100 vitet e ardhshme.