• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2024

Me Vallen Arbëreshe, “Vallen e Pashkës”

April 3, 2024 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Bijtë e Gjergj Kastriotit, Arbëreshët tanë janë trashëgimia jonë e vyer ndërshekullore. Ata vazhdojnë që prej gjysmë mijëvjeçari të mbajnë gjallë gjuhën, traditën e ritet tona të hershme kombëtare.

Dy ditë pas Pashkës, Arbëreshët festojnë ditën e Valles.

“Vallja e Pashkës” lindi gjatë shekullit të XV-të e ka një karakter ritual e historik. Ky kërcim popullor evokon me krenari një nga fitoret më të rëndësishme të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti të zhvilluar pikërisht në të martën e Pashkëve të vitit 1467.

Për çdo zemër shqiptari kjo është një trashëgimi heroike, patriotike e tejet prekëse, duke nxitur e ushqyer më shumë atdhe-dashuri.

Historia e Arbëreshëve u rrënjos kur prijës të Gjergj Kastriotit u shpërngulën në Itali përpara pushtimit otoman por pjesa më e madhe e tyre u shpërngul në Jug të Italisë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit në vitin 1468, rënies së Krujës në vitin 1478 dhe Shkodrës 1479.

Për shkak të pushtimit nga osmanët, grupe të tjera shqiptarësh u larguan nga atdheu i tyre përmes detit Adriatik për në Itali duke themeluar më 30 gusht 1488 “Piana degli Albanesi” siç thuhet nga arbëreshët “Hora e Arbëreshëvet”.

Ruajtja e gjuhës, besimit, traditës, riteve, kostumeve, këngëve etj, i Arbëreshëve prej afro 6 shekujsh është rast unik jo vetëm në Evropë por në mbarë botën.

Arbëreshët kanë ruajtur shumë elemente etnike të kulturës së saj shqiptare, veçantitë e saj kulturore, gjuhësore, fetare (gjuhën, ritin bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin).

Ekzistojnë rreth 800 veshje tradicionale vetëm në Horën e Arbëreshëvet, e mbi një mijë në zona të tjera.

Në ditë festash arbëreshët organizojnë parada dhe varin në ballokone qilima disa shekullor, të endur me tezgjah, të trashëguara brez pas brezi në çdo familje. Si motiv ato kanë shqiponjën dykrenare, por edhe lule të kuqe që simbolizojnë ngjyrën e flamurit, si në rastin e Kalabrisë, ku në qilima figuron lulja Geranium Imperial, e cila rritet masivisht në kodrinat e lëndinat e zonës.

Ushqimet tradicionale janë një karakteristikë e veçantë, si kulaçi dhe buka pa maja, mënyra e ngjyrosjes në vezëve të pashkës përmes zierjes në kazan të rrënjëve të kuqe, ndërsa kërcimet dhe këngët përçojnë emocione mallëngjyese për largimin nga atdheu dhe mallin për vendlindjen e tyre, si për shembull kënga për Morenë, vendin e tyre që tashmë e kishin lënë shumë larg.

“Mori e bukura More�Si të le e më së të pë!�Atje kam zotin tatë,�atje kam zonjën mëmë,�atje kam edhe tim vëlla:�Gjithë të mbuluar në dhe!”

Komunitetet Arbëreshe ndodhen jo vetëm në Itali, por edhe në Argjentinë, Gjermani, Francë, ShBA, Kanada, Greqi, Australi, etj, ku me krenari ata vazhdojnë të ruajnë prej shekujsh identitetin arbëresh.

Siç thuhet edhe në këtë këngë arbëreshe:

“O zë i ngrohtë i vendit tim.�O dritë e syve të mi.�Ne jemi bijtë e Kastriotit.�Ne u përkasim dheut të shenjtë.”

Sa e mrekullueshme është kjo!

Sa krenari për ne!

Gjak i shprishur, por një.

Filed Under: Reportazh

Familja Pojani, vatër e lëvizjes kombëtare

April 3, 2024 by s p

Zbulohet dorëshkrimi i rrallë i shkruar për familjen Pojani 20 vjet më parë

Nga Klajdi Lulollari/

Njohja ime me veprën “Qëndresa e vëllezërve Pojani” e gazetarit të mirënjohur të Radio Televizionit Shqiptar, Ndue Ukcama, u mundësua nga znj. Safete Pojani, vajza e Demir Pojanit, pati mirësinë të ma dorëzojë dorëshkrimin e librit i cili qëndronte i pabotuar në arkivën e pasur të familjes Pojani prej vitit 2004.

Mbiemri Pojani kishte kohë që më ngacmonte. Rrugëtimi i ndjekur nga pinjollë të dalluar të këtij trungu dhe raportet e tyre me dheun amë, Shqipërinë, më mban mbërthyer pas rreshtave që shkruhen për ta. Kështu ndodhi edhe me librin në dorëshkrim të autorit Ndue Ukcama. Pyetja që i bëra vetes ishte: Ç’është ky libër? A ka përmbajtje patriotike, kombëtare për Pojanin, Korçën dhe Shqipërinë? Mora përsipër përgatitjen për botim, vetëm pasi e studiova disa herë.

Në parathënien e librit, autori Ndue Ukcama shkruan: “Kam kënaqësinë dhe dhimbjen t’ju ftoj në faqet e këtij libri, që është historia dramatike e një dere fisnike, histori e shkruar, si të thuash, në tre kohë. Nuk ka qenë rastësi nisja e këtij libri. Ai e ka fillimin në vjeshtën e vitit 1996 në Malësitë e Gjakovës, tek rënojat e një shtëpie ku kish hedhur dritë në histori familja Bajraktari, ndër më të njohurat por më të persekutuarat nga komunizmi. Këtu, atë ditë në një qiell të pastër, në një diell të ëmbël e në një dekor mahnitës të bimëve me ngjyra vjeshte, pata fatin e kënaqësinë të dëgjoj Demir Pojanin, kur foli aq bukur, aq qartë dhe aq dhimbshëm për mikun e tij të shtrenjtë Mustafa Bajraktarin, që u martirizua atje, në burgun e tmerrshëm të Burrelit. Duke pyetur mësova se familja Pojani me prejardhje nga Pojani i Korçës e banim në Elbasan i është nënshtruar një kalvari të gjatë sakrificash dhe vuajtjesh me tre vëllezërit, dy motrat dhe nënën Safete. Më vonë miku im gazetar, Zef Lleshi, më rekomandoi përgatitjen e një emisioni televiziv për familjen Pojani. Në ndihmë na erdhi edhe operatori e gazetari i mirënjohur Ilir Buçpapa.”

Ishte nëntori i vitit 2001, kur së bashku me vëllezërit, Demirin, Muhametin dhe Edmondin autori shkoi në Pojan, atje në prehër të Malit të Thatë, ku edhe ka qenë selia qindra vjeçare e kësaj familje. Ka qenë familje elitë në historinë e trevës së Korçës. Në Pojan, ndër njerëzit që takuan ishte Halil Ahmet Hoxha (1919-2004), pasardhës i familjes Hoxha. Të dyja familjet kishin miqësi me njëra tjetrën. Në kujtimet e tij në dorëshkrim Halil Hoxha thekson mes të tjerash: “Stërgjyshi im, Sali efendiu, ishte mik me Mustafa Pashë Gjiritin. Gjyshi im, Ibrahimi ishte shok i ngushtë me nipin e Mustafa Pashës pasi kishin vazhduar bashkë në një klasë gjimnazin e Manastirit, më pas Ibrahimi studioi për ekonomi në Stamboll, ku pas studimeve Mustafai i caktoi një detyrë të rëndësishme.”

Dokumentari tregon familjen e Ilmi Pojanit në një kalvar të gjatë, të jetës së tyre plot sfida. Të gjithë mbetën të mahnitur nga gjithçka që po mësonin për këtë familje fisnike. Rrëfimi vijonte, në ato ditë autori njohu nga afër Safete Pojanin, nënën fisnike, qëndrestare të admirueshme, me zemrën e saj të madhe. Ajo u dha fuqi tre djemve e dy vajzave të qëndrojnë e të mbajnë lart emrin dhe nderin e familjes Pojani.

Ata në të vërtetë, që prej rreth pesëqind vjetësh, njihen e nderohen si atdhetarë të mëdhenj. Lidhjet e pemës gjenealogjike na çojnë tek katragjyshi i tyre legjendar Mustafa Pashë Gjiriti dhe akoma më tej, tek familja Princërore e Gropajve dhe lidhja martesore me Muzakajt. I pari i tyre Hajdarbegu u martua me Annën (Kyranën) dhe patën një djalë Hasanbegun. Atë kohë paraardhësit e Pojanëve me origjinë nga Kosturi jetonin në Zvirinë dhe kishin zotërime të mëdha…

Ja si e kujton Demir Pojani këtë histori “profesor Myqerem Janina, që kishte për grua vajzën e Sulltan Hamitit, ishte në Ballsh, në burg. Kishte respekt për linjën e fisit tonë, pa u takuar me ne. Qe i dënuar herët, ishte njeri i madh, historian i shquar, burrë i ndershëm rreth 85 vjeç. Emri im i dilte si në revoltën e Spaçit e në raste të tjera. Më shkruan një copë letër ku më bën së pari shumë të fala e pastaj pyet: “A e din kush je? Je ndër familjet më të mira në Shqipëri. Ju jeni Muzakë, selia juaj ka qënë në fshatin Zvirinë, atje janë rrënojat tuaja, të cilat nuk e di historikisht pse janë boshatisë dhe keni zënë vend në Pojan. Ti je stërnip direkt i Mustafa Pashë Gjiritit.”

Shumë bij të shquar të kësaj familje u dalluan midis rretheve atdhetare shqiptare me kontributet, angazhimet dhe pjesëmarrjet e tyre në veprimtaritë patriotike.

Në faqet e këtij libri lexuesi do të njihet edhe me fakte të tjera historike, që për arsye të persekutimit komunist, janë mënjanuar ose errësuar fare. Do të njihemi me veprat e ndritshme të gjyshit të vëllezërve Pojani, Demir Beut, kushërinjtë e shquar Orhan, Sami e Mahmud bej Pojani.

Një material të çmuar për rilindasit e kësaj dere na jep edhe Mihal Grameno tek libri “Kryengritja shqiptare”, kurse te “Enciklopedia Turke” e hartuar nga i madhi e i dituri Sami Frashëri shkruhet për jetën e shqiptarit të famshëm, kryeministrit të Turqisë, Mustafa Pashë Gjiritit, ndërsa tek “Bleta Shqiptare” e Thimi Mitkos, kënga e famshme “Ta ngjiti Moskov ta ngjiti/ Mustafa Pashë Gjiriti!”

Ashtu si tek rrënojat e shtëpive në Kasaj të Tropojës, edhe në Pojan prapë rrënoja sarajesh, selia e Pojanëve jetonte vetëm në kujtime, ashtu edhe në Bulgarec tek Agollët, njerëzit e nënë Safetes.

Familjet më fisnike të kohës sistemi i përndoqi me egërsi. Ilmi Pojani me fëmijët e tij, më të madhin trembëdhjetë vjeç, u detyrua të largohej nga fusha e bukur e Korçës, të lerë çdo gjë, të shkojë në malet e Elbasanit e gjetkë. Në Mjekës, fshat në Elbasan, ai filloi të ndërtojë furra, ku gëlqerja i hëngri mushkëritë e i shkurtoi jetën. Ata iknin, diktatura i ndiqte. I ndiqte si kope egërsirash një tufë qingjash. Quhej luftë klase dhe Pojanët, i madh e i vogël, quheshin klasa të përmbysura ose të deklasuar. Të tre vëllezërit, Demir, Muhamet, dhe Edmond Pojani u futën në burgje në periudha të ndryshme. Babai, Ilmi Pojani në vitin 1974 vdes, nënë Safetja u internua në vitet 1983-1988, një kalvar tragjik për këtë familje.

Kur bisedon me Demir Pojanin, – shkruan autori, – këtë burrë të pathyeshëm, i njohur edhe si njëri ndër prometejtë e Burrelit, futesh thellë në atmosferën tragjike të kohës. Ai ka një memorie të jashtëzakonshme. Të duket se nga fjalët e tij, fytyra si shkëmb e sytë që shpesh shkëlqejnë nga pika loti, i sheh ngjarjet dhe njerëzit. Demiri ka një dhimbje të jashtëzakonshme, jo për rininë e tij, që e kaloi burgjeve, se sa për miqtë e tij, bashkëvuajtësit e sidomos për ata që mbetën përjetësisht në këto burgje, mbetën telave me gjëmba si flamuj e kryengritës të përjetshëm.

Janë edhe kujtimet e dhimbshme të nënë Safetes, Muhametit dhe Edmondit, të motrave Bardhylka dhe Vjollca, të gjitha këto vijnë me besnikëri në faqet e këtij libri.”

Pra, në këtë kuptim ky libër i autorit Ndue Ukcama është një autobiografi dhimbjeje, që ka vlera të pazëvendësueshme për hulumtimet e krimeve të komunizmit në Shqipëri, mbështetur këto edhe në dokumente, letra, kartolina, akt-akuza, kujtime të bashkëvuajtësve e të tjera.

Për këtë, duke filluar nga takimi i parë me Demir Pojanin, – vazhdon autori, – u binda unë dhe cilido që do të ishte në vendin tim se duhej të hidheshin këto dëshmi që ushqejnë historinë në një libër, që nuk është thjesht një kujtesë historike për familjen Pojani, por pjesë e asaj kujtese të vuajtjes e qëndresës mbinjerëzore të të burgosurve politikë në pesëdhjetë vjet të diktaturës komuniste.

Lidhur me këtë, pra me qëndresën e tyre përballë torturave, vuajtjeve çnjerëzore, provokimeve, vëllezërit Pojani në faqet e fillimit të librit, bëjnë edhe një deklaratë mirëkuptimi me lexuesit dhe bashkëvuajtësit.

Pjesë kryesore e librit janë dosjet e hetimit e të gjykimit. Demiri ka tetë dosje hetimi dhe gjykimi, është dënuar katër herë. Muhameti katër dosje – dënuar dy herë, Edmondi dënuar një herë.

E pra, përderisa historia kërkon e ka nevojë të ndriçojë me fakte e dokumente kohën e egër të diktaturës, monografi të tilla, libra si ky për kalvarin e vëllezërve Pojani, janë të nevojshëm.

Për figurat e shquara të fisit Pojani, do të ishte e pamundur të pasqyrohen kontributet e tyre atdhetare në një monografi të vetme, por kjo do të realizohet në botime të veçanta. Puna ka filluar me ndërtimin e pemës gjenealogjike të Fisit Pojani-Gropaj, evidentimin e rolit që kanë patur në themelimin e fshatit, bamirësive që kanë bërë, organizmin, mbështetjen dhe financimin për lëvizjen kombëtare në kryengritjet anti osmane e greke, ngritjen dhe aktivizimin e klubeve patriotike, çetës së Pojanit, gazetës “Korça”, hapjen e shkollave shqipe, bursat që iu siguronin nxënësve për të studiuar në Universitetin e Stambollit në degë si mësuesi, teologji, mjekësi, drejtësi, bashkë me shumë foto të figurave të kësaj familje, dokumente të arkivit qendror të shtetit shqiptar, të arkivit të Stambollit, të cilat janë në proces përkthimi nga osmanishtja.

Të gjitha këto materiale të mbuluara nga pluhuri i qëllimtë i harresës do të përgatiten për botim pasi tregojnë për ngjarje dhe figura të shquara të historisë sonë kombëtare.

Filed Under: Sociale

DËMET E MENTALITETIT BAJRAKTAR DHE KOMUNIST

April 3, 2024 by s p

Prof. Thanas Gjika/

Në vitin 1992 mbi 75 përqind e popullit shqiptar ia dha votën partive opozitare. Ky rezultat tregoi se populli ishte i pakënaqur nga jeta nën regjimin komunist dhe përkrahësit e Partisë Socialiste fituan më pak se 25 përqind, pra kjo parti në mars 1992 kishte si elektorat pakicën e popullit, vetëm ish-komunistë dhe ish-sigurimsa që ishin përlyer me krime dhe kishin përfituar dukshëm prej ish-regjimit diktatorial.

Mirëpo në zgjedhjet e vitit 2013 dhe më pas ky raport ka ndërruar në mënyrë drastike kundër partive të së djathtës, të cilat nuk kanë marrë më shumë se 40 përqind të elektoratit. Thjesht dhe shkoqur, kjo do të thotë se partitë e së djathtës nuk kanë ditur të menazhojnë elektoratin e Shqipërisë.

Udhëheqësit e partive të djathta që erdhën në pushtet në mars të vitit 1992 u vetëkënaqën, menduan se e kishin me vete një herë e përgjithmonë shumicën e popullit shqiptar. Nuk iu futën seriozisht punës për të konsoliduar elektoratin e tyre, nuk punuan për të brumosur veten dhe mbarë popullin me mentalitetin e ri demokratik. Duke qenë se shumica e udhëheqësve të partive të djathta, por dhe të partive të majta shqiptare, ishin bij të familjeve me origjinë fshatare provinciale, të lidhura para vitit 1992 me pushtetin komunist, në mentalitetin e tyre sundonin mendësitë e vjetra: bindmu dhe mbështetmë mua se unë të siguroj jetën, kush nuk mendon si unë është armiku im.

Pushtetarët e së djathtës, të kënaqur nga fitorja e zgjedhjeve dhe duke pasur të tilla dobësi në mentalitetin e tyre, filluan të mos i zbatonin me rigorozitet ligjet e shtetit të ri, që krijuan, nuk jepnin sa e si duhej shembuj se çdo qeveritar ishte i barabartë përpara ligjit si çdo qytetat tjetër. Hatërllëku, akraballëku dhe rushfeti morën përmasa të papara.

Në gazetat e së djathtës dhe në ato të së majtës u ushqye si më parë lufta e klasave. U mbush shtypi me sharje e fyerje. Gazetat “Rilindja Demokratike”, “Republika”, etj shanin e kritikonin me fakte e pa fakte anëtarët dhe përkrahësit e Partisë Socialiste. Po ashtu gazeta “Zëri i Popollit” shante e fyente me të drejtë e pa të drejtë, madje dhe shpifte kundër anëtarëve dhe simpatizantëve të Partive të së djathtës.

Në këtë situatë jo demokratike, në këtë situatë lufte klasash, kuptohet se përfitoi Partia Socialiste për të mbledhur rreth vetes gjithë ish-anëtarët dhe simpatizantët e dikurshëm të Partisë së Punës. Shumë njerëz që kishin votuar për partitë e së djathtës u trembën nga kjo luftë. Gazeta “Zëri i Popullit” dhe agjitatorët e Partisë Socialiste filluan t’i trembin e tu thoshin: “Ju nuk e keni vendin tek elektorati i djathtë, atje sundojnë ballistët dhe kuislingët, kriminelët e Luftës Antifashiste. Ata ju duan sa për votë, një ditë do t’ju dënojnë, etj”.

Nga ana tjetër partitë e së djathtës nuk krijuan ligje për dënimin e krimeve të komunizmit, nuk ua kthyen pronat pronarëve të vërtetë. Historianë, me përjashtime të pakta, nuk punuan seriozisht për të sqaruar me studime objektive se pse shumica e ballistëve u detyruan të gabonin, të lidheshin me pushtuaesin gjerman pasi Partia Komuniste nën presionin e Miladin Popovicit e Dusahn Mugoshës e mohoi Marrëveshjen e Mukjes (gusht 1943) dhe e shpalli Ballin tradhëtar. Po ashtu historianët nuk sqaruan se disa atdhetarë të mirënjohur u detyruan të gabonin duke marrë pjesë në qeveritë shqiptare që krijuan pushtuesit italo-gjermanë jo se ishin tradhëtarë, por për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohej në rrethanat e pushtimit, etj. Këto probleme ende nuk janë kthjelluar si duhet duke vënë interesat kombëtare mbi ato politike partiake.

Ndonjë historian me bindje komuniste vijon ende t’i fryjë luftës së klasave duke thirrur në Televizionin Shteteror Shqiptar se demokratët kërkojnë: “Tu pritet koka atyre që kanë jetuar në komunizëm”, shpifje monstruoze që nuk e ka thënë ose shkruar asnje demokrat. Ky historian harron se në vitet e tranzicionit nuk u ënua fare, madje nga profesor u emërua akademik…

Natyrisht fajin kryesor e kanë udhëheqësit numër një të dy partive të mëdha, të cilët e ushqyen luftën e klasave dhe bajraktarizmin në radhët e anëtarëve të partive e të pushtetit dhe krijuan oligarkët, që sundojnë sot ekonominë dhe politikën e vendit.

Për të mirën e kombit shqiptar, kjo situatë mentaliteti duhet shkatërruar sa më parë. Nga ana e saj opozita shqiptare duhet të riorganizohet duke bashkuar në gjirin e vet gjithë partitë e së djathtës, pavarësisht nga diferencat e nuancat. Partia demokratike e bashkuar ka për detyrë të bëjë brenda saj zgjedhje të reja dhe të dalë me një platformë të qartë ekonomike e politike ku mund të gjejë plotësimin e nevojave të veta shumica e popullit shqiptar. Po ashtu dhe Partia Socialiste ka nevojë për rigjenerim e jo thjesht për shtimin e radhëve me kuadër të ri, por pasurim me mentalitet të ri demokratik të anëtarëve të vet.

Mentaliteti i luftës së klasave i kamufluar si luftë partike e ka shpënë popullin shqiptar në përcarje e amiqësi. Një shqiptar anëtar i Partisë Demokratike, ose simpatizant i saj, e shikon dhe e quan shqiptarin me bindje socialiste si armik të papajtueshëm. Po ashtu dhe një shqiptar anëtar i Partisë Socialiste ose simpatizant i saj e quan dhe e trajton si armik të vetin. Nuk pranojnë të bashkëpunojnë, të diskutojnë e as të pijnë kafe në një tavolinë. Me një fjalë janv ende provincialë, patriarkalë, vuajnë nga mentaliteti bajraktar e komunist, ndryshe nga qytatarët e botës së zhvilluar demokratike. Në vendet demokratike të botës euro-atlantike, ku jetoj prej 28 vjetësh, partitë, kryetarët dhe anëtarët e tyre nuk nxitin urrejtje ndaj partive, kryetarëve dhe anëtarëve të partive të tjera. Secili ecën sipas programit të partisë së vet. Gjatë votimit populli zgjedh këtë ose atë kandidat duke u nisur nga programi që ai përfaqëson dhe jo nga fakti se çfarë pasurie, çfarë shkollimi ka, a është miku im, etj.

Në këtë fushë rol të rëndësishëm mund të luajnë gazetarët e opinionistët tanë, të cilët për fat të keq shumica deri sot i kanë shërbyer përcarjes që ushqenin partitë politike…

Filed Under: Ekonomi

ABC-ja

April 3, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Një herë e një kohë, njeriut “i erdhi goja”; filloi të fliste – për të shkruar nuk dinte ose e kishtë të ndaluar. Shkrimi ishte profesion i zgjedhur; shumë pak njerëz nga paria e mësonin, për të shkruar bëmat Zotit ose tê mbretit. Shkrimet ishin kryesish kode ose akronime, të pakuptueshme për kohën tonë. Kur një shkrim i lashtë deshifrohet, ngjarja zë vend në analet shkencore.

Pastaj dolën murgjit, të cilët mbylleshin në manastire dhe shkruanin akte ose kopjonin tabletat prej dheu të shkruara nga njerëzit e parë. Kështu feja mori përparësi. Në shekullin XV, Guttenbergu shpiku shtyshkronjën e parë dhe fjala e Zotit fluturoi. Për disa vende, Bibla është referencë gjuhën e tyre. Të gjithë u zgjuan dhe u hapën shkolla.

Disa popuj vazhduan traditën e vjetër, duke e folur gjuhën e tyre; shkrimin e konsideronin sakrilegj. Kjo traditë qëndroi deri vonë mes shqiptarëve, të cilën ishin mësuar ta përcillnin gjuhën gojarisht.

Në shekullin XIX dolën rilindasit (të edukuar në shkolla ne Europë).

Ata ishin mismëtarët e të shkruarit dhe përhapjes së kulturës; zgjodhën shkronjat latine ose ABC-në, larg nga ato të pushtuesit ose fqinjëve, për të shkruar gjuhën shqipe.

Filed Under: ESSE

Rrethi vicioz…

April 3, 2024 by s p

Ajet Delaj/

Për hir të së vërtetës Shqipëria ka hyrë në një rreth vicioz vetëshkatërrues që gjatë pushtimit ottoman kur fqinjët sllav fituan pavarësinë e ne morëm armët duke brohoritur “duam baben” e fatkeqësia vazhdoi dhe pas luftës së dytë botërore që na atashuan me botën sllave edhe për fajin tonë. Duhet theksuar se shqiptarët vazhdojnë të qëndrojnë brena këtij rrethi edhe sot e kësaj dite pasi historikisht jemi treguar të vonuar në kapjen e shanseve historike.

Historia e kombeve dhe e popujve është si historia e familjes dhe e vetë jetës së njeriut që përparon mbi bazën e asaj se sa e si njeriu i shfrytëzon shanset e tij. Nëse shqiptarët do kishin arritur të kapnin dorën e shtrirë të Kryeministrit të Bavarisë në 1986 me siguri jeta e historia e re e shqiptareve do ishte diçka krejt tjetër.

Vazhdojmë pastaj me të ashtuquajtur revolucion demokratik te 90-tës ku më së miri këtë situatë e përcakton i madhi Dritero Agolli ku thotë se revolucionin e beri rinia e parlamenti u mbush me pleq e më tej, ata që u hodhën në zjarre heronj në lista ata që i pane u bënë ministra.

Pranuam pluralizmin dhe bëmë çmos që ta tregojmë e te mos funksionojë. Pranuam sistemin kapitalist por nuk aplikojmë parimet dhe rregullat bazë të tij duke mos pranuar bazën e tij, pronën private.

Vetë dokumenti i fundit i sigurisë kombëtare të Shqipërisë i hartuar me ndihmen e partnerëve ndërkombëtarë thotë se kërcënimi më i madh i Shqipërisë e shqiptarëve janë korrupsioni e braktisja e Atdheut. Pra jemi ne e keqja më e madhe e vetvetes.

Korrupsioni e monopoli zhvillohen e lulëzojnë në kushtet e mungesës së drejtësisë duke prodhuar antishtet e oligarki.

Presioni ndërkombëtar për të instaluar sistemin e ri të drejtësisë duket se nuk po funksionon si duhet. Klasa politike edhe nëse nuk kanë arritur ta bllokojë me siguri e kanë ngadalësuar ritmin në mënyrë të frikshme duke arritur deri atje sa tërë vendimmarrja së bashku nuk zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuse duke bllokuar votën e diasporës e heqjen mandateve të kupolës së tyre.

Duhet theksuar se po në të njëjtën mënyrë bllokuan me Kushtetutë djemte e vajzat shqiptare që kane mbaruar universitetet me prestigjoze te perendimit ne jurisprudence duke e vendosur sistemin e ri te drejtesise ne karantine e nen monitorim të rreptë megjithse gjygjesori eshte pushtet i pamvarur apo ashtu duhet te jete.

Formalisht Shqiperia eshte vend demokratik por nje nder vendet me te korruptuar te Europes e pranuar nga vete klasa politike e institucionet shqiptare.

Ju lutem beni nje paralelizem te politikes e drejtesise shqiptare me ekipin kombetar te fudbollit qe me djem kryesisht te lindur e rritur ne perendim fizikisht e profesionalisht me menaxhim profesional her te nje italiani e tani nje brazilian po konkurojne denjesisht ne eliten e futbollit europian si ekip e si individe.

Historitë botërore kanë treguar qe kombet kane nevoje per energjine e tere antareve te gjakut te tije me vote, aftesi e pasuri.

Asnje nga keto elemente nuk gjejne aplikim me realitetin politiko – organizative ne shqiperine e sotme.

Analiza reale e gjendjes se demokracise ne Shqiperi nuk do te thotë që dorëzohemi por të gjejmë mundësi te reja që ai realitet të ndryshojë për mirë duke punuar se bashku me miqte tane perendimore.

Me ndihmën e drejtpërdrejtë të diasporës gjigande në raport me madhësinë e kombit shqiptaret duhet ta çajnë rrethin vicioz që kam bindjen se kemi mundesine e forcen për ta realizuar.

Shekspiri i madh ka thënë “bota është teater, njerëzit janë aktorë, mjerë ata që nuk dinë të luajnë rolin e tyre.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 61
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT