• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2024

TRE DEKADA TË KORPUSIT TË PAQËS NË SHQIPËRI

May 29, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Korpusi i Paqës i Shteteve të Bashkuara shënon (pak më shumë se) tre dekada të veprimtarisë së tij në Shqipëri. Me këtë rast, Gazeta Telegraf boton një njoftim të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, që ajo ka ndarë në rrjetet sociale, se Drejtuesja e Korpusit të Paqes Carol Spahn mbërriti këtë javë në Shqipëri për vizitën e saj të parë zyrtare në vend. Njoftohet se Zonja Spahn do të zhvillojë takime me Presidentin Bajram Begaj, ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu si edhe me vullnetarë dhe stafin e Korpusit të Paqes në vend. Si pjesë e vizitës së saj zyrtare, ajo do të vizitojë gjithashtu disa vendqëndrime të vullnetarëve të Korpusit të Paqes në Shqipëri dhe do të hapë një sesion trajnimi për vullnetarët e sapo betuar që do të shërbejnë anë e mbanë Shqipërisë. 

Me këtë rast vlen pak histori mbi këtë ent amerikan që është themeluar 64-vjet më parë. Në atë kohë, Senatori i atëherëshëm amerikan, John F. Kennedy ka mbajtur një fjalim historik gjatë fushatës së tij për president në Universitetin e Michigenit, në Tetor të vitit 1960, fjalim ky që një vit më vonë çoi në formimin e Korpusit të Paqes. Me atë rast, John F. Kennedy u drejtoi një thirrje emoocionale studentëve universitarë që të shkonin si vullnetarë për një vit ose dy, në vendet në zhvillim.

Në shkallet e Univeristetit Michigen, John F. Kennedy i sfidoi studentët amerikanë që t’i shërbenin vendit të tyre në kauzën për paqe duke jetuar dhe duke punuar në vendet në zhvillim, anë e mbanë botës. Vetëm disa javë pas fjalimit të Z. Kennedy, studentët filluan të mblidhnin firma në përkrahje të kësajë ideje dhe kështu lindi Korpusi i Paqes.  Kongresi amerikan, si rrjedhim, miratoi në vitin 1961 legjislacionin duke i dhënë Korpusit të Paqes mandatin “për të promovuar paqen dhe miqësinë në botë”.  Megjithëse kane kaluar 64-vjetë, kjo thirrje dëgjohet edhe sot ndërsa shumë të rinjë e të reja i përgjigjen gjithnjë apelit prej disa dekadash të Presidentit Kennedy për të shërbyer vullnetarisht anë e mbanë botës, për kauzën e paqes dhe miqësisë midis popujve.

Misioni i Korpusit Amerikan të Paqes, atëherë dhe sot është që vullnetarët e këtij enti qeveritar amerikan të ndihmojnë vendet në zhvillim, me qëllim që ato vetë të ndërmarrin programe zhvillimi; që të promovojnë një mirëkuptim më të madh për amerikanët nga ana e të huajve dhe të kontribojnë gjithashtu drejtë një mirëkuptimi më të madh të popujve anë e mbanë botës, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Fillimisht, vullnetarët punonin si mësues, por më vonë puna e tyre u zgjerua edhe në fusha të tjera siç është zhvillimi ekonomik dhe programe të sektorit të mjedisit, teknologjisë, e tjera.

Është thënë se ajo që e bën edhe sot Korpusin e Paqes të mbrekullueshëm është fakti se ky ent vazhdon të shërbejë si urë që bën të mundur arritjen e sukseseve të mëdha anë e mbanë botës, nga një person në tjetrin, dhe nga një komunitet në tjetrin.  Kjo “urë” e Korpusit të Paqes, në rastin e Shqiperisë nuk ekzistonte para Marsit të vitit 1991, datë kjo kur Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria lidhën marrëdhënjet diplomatike pas më shumë se 45 vjetësh. 

Grupi i parë i vullnetarëve i përbërë prej 21 vetash, sipas Korpusit të Paqes, mbërrijti në Shqipëri në Qershor të vitit 1992 dhe menjëherë ata filluan veprimtarinë e tyre duke dhënë mësim në anglisht në shkolla te mesme dhe universitete.  Ky grup u pasua nga dërgimi i 12 vullnetarëve të tjerë që morën pjesë në një projekt të zhvillimit të biznisit të vogël.  Programi për Shqipërinë u zgjerua përsëri në vitin 1995 me 15 vullnetarë të tjëre, për një projekt bujqësor.  Në vitin 1997, ishte në plan që programet e Korpusit të Paqes në Shqipëri të shtoheshin dhe të zgjeroheshin edhe më shumë, por tragjedia e vitit 1977 çoi në evakuimin e të gjithë vullnetarëve të Korpusit Amerikan të Paqes dhe në mbylljen e misionit të tij në Shqipëri.

Pas një mungese prej gjashtë vjetësh, vullnetarët e Korpusit të Paqes janë ri-kethyer në Shqipëri për të filluar trajnimet për një projekt, në ndihmesë të bashkive dhe për zhvillimin e projekteve për mësimin e gjuhës anglisht, si edhe për projekte të shërbimit shëndetësor, ndër të tjera.  Sipas Korpusit të Paqes, vullnetarët e tij në Shqipëri punojnë dhe bashkrendojnë  gjithë aktivitetin e tyre me organizma dhe ente të qeverisë shqiptare, USAID, organizata jo qeveritare shqiptare, universitete dhe me drejtorë shkollash, anë e mbanë Shqipërisë. Ata marrin pjesë në projekte siç janë planifikimi urban, zhvillimi ekonomik, zhvillimi turistik, planifikimi strategjik si edhe në promovimin e pjesëmarrjes së qytetarëve që të kenë një zë në vendimarrjen e tyre në komunitetet ku jetojnë.

Frank Shkreli

Korpusi i Paqes, gjatë dekadave, ka ndër shumë perpjekje për të ndihmuar bashkitë dhe komunat në Shqipëri duke kërkuar bashkpunim me ente të tjera që përkrahin qeveritë lokale, organizatat jo-qeveritare, si dhe grupe të ndryshme të komuniteteve, në përpjekje për realizimin e objektivave të tyre në nivelin lokal.  Zhvillimi dhe përforcimi i organizatave dhe enteve vendore është me rëndësi jetësore për fshatrat dhe komunat anë e mbanë Shqipërisë, po të merret parasyshë mungesa e besimit të publikut shqiptar në politikën vendore dhe në institucionet qendrore të vendit.

Puna dhe veprimtaria e vullnetarëve të suksesshëm të Korpusit Amerikan të Paqes është një kontribut me vlerë për të dy palët, pasi ndihmon në njoftimin dhe mirë-kuptimin e përbashkët midis popujve dhe shteteve.  Le të shpresojmë që në këtë më shumë se 30-vjet të lidhjes së marrëdhënjeve midis Washingtonit dhe Tiranës, vullnetarët e Korpusit të Paqes në Shqipëri, të krijojnë lidhje dhe njohuri pozitive me shqiptarë anë e mbanë vendit, sidomos në zona të izoluara, të cilët rradhë herë kanë mundësi kontaktesh me amerikanë.  Duke uruar që veprimtaria e këtyre vullnetarëve amerikanë në Shqipëri të kontribojë edhe në përforcimin e marrëdhënieve, historikisht, miqësore midis dy kombeve tona.

Frank Shkreli

    A person and person standing in front of a door

Description automatically generated Drejtuesja e Korpusit Amerikan të Paqës, Znj. Carol Spahn u prit nga i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Z. David Wisner

May be an image of 4 people and the Oval Office

Drejtuesja e Korpusit të Paqës, Znj. Carol Spahn në takim me Presdientin e republikës së Shqipërisë, Z. Bajram Begaj

Filed Under: Politike

HARKIV, KIEV: LUFTA NUK ËSHTË E HUMBUR

May 29, 2024 by s p

Nga BARBARA STEFANELLI – “Corriere della Sera”, 28 maj 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika

Të kaluar 825 ditë mësyemje, është në kufirin verilindor të Ukrainës që duhet të shohim se ç’po ndodh, se çfarë mund të ndodhë. Harta e kësaj zone përvijëzon gjithshka. Ndoshta gjithshka që nuk do të donim të shihnim. Vladimir Putini ka grumbulluar  këtu trupa, armë, furnizime. E që këtu nisen sulmet që shënjestrojnë gjithë provincën e Harkivit, ish kryeqytetit, që është kthyer në simbolin e qëndresës, i stërmbushur me refugjatë. Një pallat e një supermerkat janë të goditurit e fundit, të vrarë e të plagosur, vetëm civilë.

Ndalimi që i është imponuar Volodimir Zelenskit për të mos përdorur armët e aleatëve – amerikane së pari – për të gjuajtur objektivë rusë përtej kufirit, në fakt ka krijuar mbas shpatullave të Harkivit një zonë jastëk, të pasulmueshme: është në brëndësi të asaj rezerve që Moska ka përqëndruar një rrip bazash ushtarake e paraushtarake, të kthyera drejt për drejt nga armiku, një lloj “faltoreje”, të barabartë me gjysmën e Valle d’Aosta, të përsosur për të goditur lehtësisht nga larg. Për shumë vëzhgues, është zemra e një shkallëzimi të pashpallur nga Moska e shpjegon përparimin, fshat mbas fshati, të javëve të fundit.

Për Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s, është arsyeja që duhet të shtyjë Shtetet antarë të njohin të drejtën ukraine “të godasë objektivë ushtarakë të ligjëruar jashtë territorit të saj”, duke pezulluar shtrëngesat që kufizojnë përdorimet e sistemeve perëndimorë të raketave me rreze të gjatë veprimi. Stoltenbergu ka thënë: “Mesazhi im është se besoj se ka ardhur çasti të shohim përsëri  atë çështje”. Përndryshe e detyrojmë atë që duhet të mbrohet “ të luftojë me një krah të palosur mbas shpine”.

Menjëherë shpërtheu alarmi diplomatik. E kështu ankthi i atij që, natyrisht, do të donte të shpejtonte fundin e kësaj lufte, jo fillimin e një faze të re. “T’i zgjidhej” krahu ukrainasve, t’i lejohej Kievit të përgjigjej me armë jo pa majë – që kalojnë kufijtë kombëtarë dhe vijat e kuqe mbi marrëveshjet ushtarake – do të thotë t’i nënështrohemi rrëshqitjes, të gjithë së bashku, drejtuar një skenari të pakontrollueshëm me horizontin skajor të Luftës së Tretë Botërore, të ndjellur që në agimin e parë?

Ka një  tjetër hipotezë, sfilitëse, por që i thërret të gjithë – nga Brukseli në Washington – të japin përsëri provë të bashkësisë, të seriozitetit, ndoshta edhe kujdesit, si në atë dimër 2022. Çështja, duhet thënë qartë, nuk është të goditet Rusia “në thellësi”. Askush nuk do të mendonte e do të donte të vinte Moskën në shënjestër. Zgjedhja është një rrugë e hapur e kërkuar nga Zelenski, në çdo etapë të udhëtimeve të tij, pa e marrë kurrë, për t’u lënë ukrainasve mundësinë për të inkuadruar e goditur ata pozicione të përparuar – siç janë, pikërisht, bazat ajrore gjatë kufirit – që po i sigurojnë Putinit një epërsi në rritje. Sigurisht nuk do të mund t’a bëjnë duke zhveshur shpatën e droneve “made in Ukraina”.

Nëse (e si) të ndërhyhet për Kievin dhe Harkivin  është një çështje në qendër të një lëmshi konsideratash ushtarake e gjeopolitike, vërejtjesh e kundërvërejtjesh që mund të mbërtheheshin deri në përjetësi. Vendimi i përket aleatëve, veçmas, një për një, mbasi disponueshmëria e armëve i përket qeverive, jo drejtuesve të Aleancës. Stoltenbergu e ka përsëritur dhe nënvizuar, duke i drejtuar “mesazhin” e tij kujtdo që po vozit me sy të lirë,  – i kushtëzuar nga fushata zgjedhore e miratimet n’atdhe – me qëllim që secili të bregëzohet në ndonjë strategji që mund të jetë e bashkëndarë, e diskutuar, e bashkërenduar. Por jo e shmangur, e bishtnuar. E përsëri Evropa – të cilën po e përtërijmë, ndoshta pa e ditur mirë se çfarë duam të jetë – do të duhej të përpiqej të përfytyronte e të ndërtonte një lidership të vetin , qoftë edhe duke vepruar brënda NATO-s, apo nga NATO e mbrapa.

Koha, në terren e rreth tavolinave, është e pakët. Mund të jemi në prag të një presidence të dytë Trump me një shkëputje pasuese (të mundëshme) të Shteteve të Bashkuar nga frontet e jashtëme.  

Putini që tani vë bast mbi zbrazësirën që mund të lindë në Perëndim dhe  mospajtimet që do të shpërthejnë në Kontinentin e vjetër. Kremlini ngujohet në refrenet e propagandës (zëdhënësi  Dmitri Peshkov ka thënë: “Jo, nuk jeni duke u afruar përplasjes së drejtpërdrejtë, jeni brënda”) e mbi të gjitha llogarit mbi aleanca më pak të ndërlikuara. “Boshti i Kundërshtarëve” – e ka përkufizuar gjenerali Chris Cavoli, komandant i përgjithshëm i Forcave SHBA  në Evropë, i laureuar në Jale në studime ruse e të Evropës lindore duke i shtuar Moskës Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut. Kujtesa fatzezë  bushiane e Boshtit të së Keqes, në 2002, e bën përcaktimin të papërdorëshëm – ka komentuar Gideon Rachman në Financial Times – por sigurisht na këshillon të mos harrojmë se Ukraina është  vija e parë e një lufte shumë më të madhe. Lufta me Putinin, që është ende edhe e jona, nuk është e humbur.

Ukrainasit kanë mbaruar municionet, jo guximin.

“Corriere della Sera”, 28 maj 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika   

Filed Under: Analiza

Truri dhe sistemi AI: çfarë duhet të dimë!

May 29, 2024 by s p

Fatjona R. Lubonja Ed.D/

Teknologjia, edhe pse ende në fazën e saj të hershme, ka shfaqur potencial për përdorim në të ardhmen në mjediset klinike. Studimet e fundit diskutojnë se si truri përpunon gjuhën dhe ofron shpresë për rivendosjen e të folurit shumëgjuhësh tek individët joverbalë. Krijimi i implanteve të trurit nga shkencëtarët mundëson interpretimin e të folurit duke identifikuar me saktësi fjalët e formuara në mendje pa përdorimin e lëvizjes fizike apo zërit. Disa individë kanë arritur shpejtësi prej 62-78 fjalësh në minutë me pajisjet e ndërfaqes tru-kompjuter (BCI) që konvertojnë sinjalet e trurit në tekst.
Studimi më i fundit, i botuar në revistën “Natyra”, i referohet një studimi specifik me përdorimin e systemit AI, që është i pari që deshifron fjalët e folura nga brenda duke regjistruar sinjale nga neuronet individuale të trurit në kohë reale. Kjo teknologji do të ishte veçanërisht e dobishme për individët që nuk janë më në gjëndje të lëvizin ose të flasin. Implantet ose kufjet, të gjitha teknologjitë e leximit të trurit funksionojnë në të njëjtën mënyrë: ato regjistrojnë aktivitetin nervor të lidhur me funksione si fjalimi ose vëmendja, zakonisht aktiviteti elektrik.
Sinjalet e trurit të kapura nga BCI-të (tru-kompiutër ndër-komunikim) të implantuara (nën lekurë) përmbajnë një sasi më të madhe informacioni sesa ato nga BCI-të e jashtme (mbi lëkurë). Gjithsesi, këto pajisje eksperimentale janë krijuar posaçërisht për individët që kanë një potencial më të madh për përfitime klinike në krahasim me rreziqet e përfshira. Numri i individëve që kanë marrë implante afatgjatë është afërsisht 50 (USA). FDA (administrimi i ushqimit dhe ilaçeve) e SHBA-së dha miratimin për një sistem të mbyllur për individët me epilepsi në vitin 2013. Qëllimi i disa studiuesve është në të arrdhmen të trajtojnë edhe individë që vuajnë nga depresioni, dhe të tjera.
Me gjithë arritjet e teknologjisë, një faktor i rëndësishëm që duhet të merret në konsideratë përpara së të përdorësh AI teknollogji është se shumë kompani
neuroteknologjike nuk arrijnë të mbështesin produktet e tyre, duke i lënë përdoruesit të bllokuar dhe pa ndihmë. Disa disavantazhe që duhen marrë në konsideratë përpara se të bëhen ndërhyrje në mënyrë tipike klinike, kur prodhuesit e pajisjeve të implantuara dalin
nga biznesi, implantet mbeten në trup për shkak të kostos së lartë, rrezikut ose mungesës së domosdoshmërisë që lidhet me heqjen e tyre. Pa asistencë teknike të vazhdueshme, programimi i implantit do të kërkojë rregullime ose do të bëhet i papërdorshëm për shkak të problemeve si telat e kapur, software, ose bateritë e varfëruara.
Zëvendësimi i implanteve të vjetruara të këtij lloji kërkon një operacion që përndryshe do të kishte qenë i panevojshëm dhe kërkon javë për t’u rikuperuar. Dhe me rreth 40,000 dollarë amerikanë për pajisjen kirurgjikale dhe zëvendësuese, është gjithashtu e shtrenjtë. Dekodimi i trurit arritur nga neuroshkenca dhe teknologjia është akoma shumë pak i kuptuar dhe në hapat a para. Ka akoma një rrugëtim të gjatë për të kuptuar aktivitetin e mirfilltë të trurit. Për momentin është e diskutuar që të konsiderohet vetëm nga individët me patologji akute që kanë një potencial më të madh për përfitime klinike në krahasim me rreziqet e përfshira.
Fatjona R. Lubonja Ed.D. është studiuese/autore e shumë shkrimeve dhe ka studiuar Neuroshkencë & Behavior në Columbia University, në New York. #fatjonalubonja

Filed Under: Ekonomi

“Dritë dhe hije historike në New York”

May 29, 2024 by s p

Tomë Mrijaj/

Sërisht autori shqiptaro amerikanë Klajd Kapinova, paraqitet para lexuesit mbarëshqiptarë me një vepër tjetër interesante, me librin e ri: “Dritë dhe hije historike në New York” (Shënime & Refleksione), New York, 2024, botuar në Amazon, Barnes and Noble etj., i cili gjerësisht trajton temat e larmishme të disa prej figurave të shquara historike shqiptare ndër dekada, hulumtimin dhe analizën e disa prej tyre, si dhe shohim një ndërthurje të re mes publiçistikës dhe reçensionëve mbi librat e rinj të botuara për nacionalizmin dhe personazhet e tyre, shkruar ndër vite, sipas këndvështrimeve të reja të autorit, që faqe pas faqeje përshkojnë natyrshëm të gjithë veprën e tij të re voluminoze.

Autori e fillon librin me Prek Calin, i cili ishte një figurë e madhe kombëtare shqiptare e përbaltur dhe harruar me qëllim për shumë dekada, nga diktatura totalitare komuniste. Këtë temë të re dhe shumë të dashur historike, të mbuluar nga pluhuri i madh i dekadave dhe të përbaltur pa të drejtë, studiuesi ynë e ka trajtuar vazhdimisht pas viteve ‘90 të shekullit XX, nëpër faqet e ndryshme të shtypit periodik në SHBA dhe vendlindje. 

Sikurse dihet Preka ishte dhe mbeti deri sa kaloi në amshim, një piramidë e gjallë e sinorëve të shejta arbërore, i cili, padrejtësisht në mënyrë sistematike u anatemua dhe u ngjyroz zi e më zi vazhdimisht për shumë dekada nga historiografia propagandistike dhe “gazetarët” komunistë dhe fletushkat e reja sot neo-komuniste. 

Me në krye Prek Calin, banorët kreshnik kelmendas, për arsye të vetëmbrojtjes, ishin të detyruar vazhdimisht të bënin roje në kufi, në provat e tyre, në bjeshkët e në stanet e verës, mbasi asokohe ato binin përherë pre e vjedhjeve, plaçkitjeve dhe dhunimeve nga hajdutët kojshi (komshi) sllavë.

Të gjithë akuzat qesharake të bëra në drejtim të tij nga rregjimi i diktatorit antishqiptar Enver Hoxha janë të pathemelta, shpifje, dashakeqe, trillime bajate të ulëta dhe pa fakte e argumente. Kjo vite nga fakti historik, se Preka tek komunizmi i zi, shihte bashkëpunëtorin me armikun e përjetshëm të tij dhe popullit shqiptar, që ishte dhe mbeti vazhdimisht sllavizmi komunist serbo-malazez. 

Si një kopje apo model i denjë i malësorit stoik atdhedashës pa kufi të kelmendasit Prek Calit, ishte edhe nacionalisti dhe atdhetari i pamposhtur krutan Gjeneral Abas Kupi, të cilin studiuesi Kapinova e ka ofruar mjeshtërisht, duke e zbërthyer me detaje, përmes analizës shkrimore, kushtuar monografisë së shkruar me pasion dhe kulturë nga ish i perndjekuri politik, në kohën e regjimit komunist në Shqipëri, shkrimtari shqiptaro amerikan Makensen Bungo.

Shumë rrallë dhe për më tepër vetëm në vitet e demokracisë në Shqipëri, fatmirësisht është zbardhur apo shkruar dhe folur me fakte konkrete historike, për veprimtarinë e pasur dhe jetën e madhe të nacionalistit të shquar të botës shqiptare në vendlindje dhe diasporë, personalitetin e paharruar legalist patriotin Abas Kupi.

Sikurse shihet qartë edhe në veprën shkrimore në fjalë, që fatmirësisht kemi në dorë sot, shohim se ajo në brendsi është edhe historia e jetës së tij brenda popullit shqiptarë në vendlindje, sikurse edhe këtu në diasporën e SHBA-së, pranë familjes së tij, dhe komunitetit të madh shqiptaro amerikanë, ku nacionalisti Abas Kupi kaloi një pjesë shumë të mirë të jetës së tij tepër aktive, me përmbajtje të theksuar nacionaliste dhe antikomuniste, deri sa ai kaloi në amshim apo jetën e pasosun, sikurse thoshte vazhdimisht, nga elteri i kishës katolike (në shenj nderimi dhe respekti, për mikun e vet të ngushtë Abas Kupin), personaliteti brilant, kleriku dhe patrioti i shquar i komunitetit shqiptaro amerikanë, lideri antikomunist i përbetuar, Themeluesi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare në SHBA imzot dr. Zef Oroshi (1912-1989).

Studiuesi Kapinova, në librin e tij interesant na ofron disa konsiderata apo këndvështrime të veçanta historike, rreth librit biografik: “Marie Shllaku bijë e Shkodrës martire e Kosovës”, të shkruar nga studiuesi Tomë Mrijaj. 

E parë në planin e rizgjimit të traditës atdhetare, trimëresha e zgjuar sypatrembur shkodrane Marie Shllaku, i përket atij brezi të patriotëve shqiptarë, që fatin e lidhën ngushtësisht me atë të popullit të vet, që zemra e re rrahu gjithë jetën për popullin, gjithçka që patën, si: energjitë, aftësitë e dituritë i vunë me ndërgjegje të pastër në shërbim të çështjes nacionale, të realizimit të aspiratave të ligjshme amtare.

Martirët tanë, me madhështinë e stoicizmit të tyre të gjatë, falë fakteve të reja, që ruan nëna histori, dalin nga labirinthet e heshtjes, në momentin e përshtatshëm, kur populli ka nevojë më së shumti për ta. 

Për bashkëqytearin e vet shkodran prof. Sami Repishtin me banim prej disa dekadash në SHBA, autori shkëput citatin e tij, se: “Asgjë nuk kam harruar, por shumë kam mësuar: Shqipëria, sot jeton në pellgun e padrejtësisë”, duke ndërtuar dhe shkruar vit pas viti një studim të veçantë historik, për jetën dhe veprimtarinë e madhe atdhetare dhe intelektuale prej shumë dekadash në diasporë të profesorit të shquar Repishti. 

Ai duke u mbështetur në volumin narrativ të profesorit me titull: “Pika e Loti” (tregime burgu, Shkodër, 1997), tregon në studimin e tij, se ky libër, ka qëndruar në dorëshkrim, për shumë vite. Kujtimet e para, prof. Repishti i shkroi në tetor të vitit 1960 (Zagreb), kurse shkrimin e fundit në vitin 1977 dhe të plota ato kujtime u botuan mbas 27 vjetëve në vendlindjen e tij të dashur Shkodër, në vitin 1997. 

Një temë e re shumë interesante, dhe që zbardhet për herë të parë dhe e plotë në faqet e librit të ri, është edhe jeta dhe veprimtaria e pandalshme antikomuniste e bashkëqytetarit tjetër të tij Kolec Pikolinit, i cili u arratis nga “lumturia” e Shqiperisë komuniste dhe ndërroi jetë në Detroit, Michigan, në moshën 96-vjeçare.

Këtu mësojmë, se Koleci, për shumë dekada punoi pa u lodhur dhe me pasion si elektriçist në Detroit për Ford Motor Company deri sa doli në pension. Ai ishte një ndër themeluesit e zjarrtë të kishës katolike shqiptare të shën Palit dhe shën Pjetrit në Warren, Detroit, Michigan, ku shërbeu për shumë vite si antar i Këshillit të Kishës. 

Fotografi amator Pikolini, ishte i pari që i dhuroi me bujari kishës katolike shqiptare të shën Palit dhe shën Pjetrit fotot origjinale të Dedë Gjon Lulit dhe liberatorit demokrat shkodran Luigj Gurakuqit, të cilat, i zmadhoi dhe sot fatmirësisht janë të ekspozuar në ambientet atdhetare të kishës në fjalë, në Ditën e Flamurit dhe Pavarsisë (më 28 nëntor 1912, në Vlorën historike) dhe për përkujtimin e përvitshëm të ngjarjes më të rëndësishme në historinë e lavdishme të popullit shqiptar.

Një nga temat interesante të autorit, të cilën e ka pasqyruar edhe në këtë libër është edhe Janullatosfobia, shqiptarët ekstremistë të Al Qaidës në Luftën e Shenjt të ISIS dhe kush është realisht Fortlumturia e Tij akademik prof. dr. Anastas Janullatosi, i cili drejton me dinjitet nga viti 1992 Kishën Autoqefale Orthodokse të Shqipërisë. 

Shkak për këtë shkrim, dhe më pas të kthyer në studim akademik të autorit, u bë një protestë e vogël në numër, të disa shqiptaro amerikanëve, para ambienteve të jashtme të Fordham University (1841) në Bronx, New York, shumë vite më parë, kundër Fortlumturisë se Tij, shtetasit shqiptar prof. dr. Anastas Janullatosit, i cili fatmirësisht ishte ftuar nga Universiteti Jezuit Katolik Amerikan, për t’i dhënë titullin e lartë akademik “Doktor Nderi” (Doctor Honoris Causa) i Universitetit Jezuit Fordham. 

Më pas, autori Kapinova bën për herë të parë në botën shqiptare një jetëshkrim të plotë studimor për Kryepeshkopin Fortlumturine e Tij akademik prof. dr. Anastas Janullatos.

Supërstari kantautor Frederik Ndoci, është në një këndveshtrim të ri nga studiuesi ynë, i cili i ka bërë këtij artisti me përmasa dhe famë të madhe kombëtare shqiptare dhe ndërkombëtare. 

Aty ndodhet fatmirësisht me detaje përshkrimi historia e një artisti e rrëfyer saktësisht për herë të parë në New York; Tragjedia e gjyshit dhe gjyshës, që vdesin nga orteku i borës; Adoloshenti 17-vjeçar Kola (babai i Rrikut), njeriu me zemër të madhe, venit ëndërrat në shkollat akademike të Rusisë për vellezërit e motrat jetim; Si zbulohet talenti i artistit Frederik Ndoci, në moshën 4-5 vjeçare në korin e kishës katedrale të qytetit?; Arti dhe muzika një traditë e familjes Ndoci; Nxënësi me rezultate të shkëlyera në mësime, bëhet këngëtari numër një për fëmijë me shumë çmime nderi…; Adolishenca dhe ndikimi i muzikës kontemporane botërore në kulturën e tij; Shkolla e lartë dhe letra anonimë sajuar për t’a goditur karrierën e “armikut”; Lotët e braktisjes së vendit nga Maqedonia e Veriut në Jugollavi…; Buzëqeshjet e para të suksesit në Itali…; Si bëhet maestro i orkestrantëve në Bergamo të Italisë; Rruga e albumit të parë në CD dhe kasetë etj., janë disa nga nentemat e bukura të jetëshkrimit apo studimit shumë tërheqes, për t’u lexuar me andje deri në fund. 

Me këte përkujdesje hulumtuesi, ka trajtuar edhe punimin e studiuesit të shquar pasionant dr. Pjetër Ndoc Pepa (1942-2014), një bir i denjë i Shkodrës, ashtu sikurse ishin edhe dy vëllezërit e tjerë të tij albanologu dhe profesori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” (Shkodër) prof. dr. Simon Pepa dhe intelektuali i njohur dhe shkrimtari i humorit Kolec Pepa.

Stomatologu prof. Pepa, gjatë gjithë kohës, hulumtoi dhe punoi papushim si bleta punëtore, me përkushtim dinjitoz, për të nxjerrë në dritë të Diellit, malin e madh të kalvarit dhe mundimeve mbinjerëzore, që kaloi mbi shpinën e përvuajtur qyteti ynë.

Me shumë endje, mund të kundrohet edhe shkrimi interesant kushtuar nënës heroinë Hane Sinës dhe të birit të saj, gazetarit veteran të komunitetit shqiptaro amerikanë, mikut tim të hershëm Beqir Sina, ku të dy nanë e bir ishin ikona të gjalla të kalvarit të vuajtjes dhe mundimeve në Shqipëri, gjatë kohës së sundimit të egër të regjimit totalitar.

Temat shqiptare të periudhave të ndryshme historike, që vijnë njera pas tjetrës, në faqet e librit, zënë padyshim një vend dhe rëndësi të veçantë, për mënyrën e trajtimit me guxim larg klisheve dhe tabuve se po na idhnohen “vëllaznit” ish pushtues otomanë dhe analizën mjeshtërore historike, me të cilin ai i ka trajtuar ato në veprën e tij. 

I tillë është shkrimi bashkëkohor për neo-otomanistin dhe islamizmin radikal të flaktë Rexhep Taip Erdoganin, për të cilin dje dhe sot asimilimi i turqve në Gjermani është krim, ndërsa asimilimi i shqiptarëve në Turqi është sevap!!! 

Për figurën e madhe poliedrike të prof. Arshi Pipës, studiuesi Kapinova, ka shkruar vazhdimisht në shtypin tonë këtu dhe vendlindje, sepse po ndodh shpesh, që fatkeqsisht në librat e reja, që po botohen për shqiptarët e Amerikës mungon vazhdimisht jeta dhe veprimtaria shumë vjeçare e një ndër profesorëve më të shquar dhe nderuar të komunitetit shqiptaro amerikanë dhe qarqet e përzgjedhura elitare intelektuale universitare amerikane. Shkodrani prof. Pipa, ishte njëherazi për një vit kryetar i Federatës Panshqiptare Vatra dhe editor i gazetës së saj Dielli. 

Në serinë e pasur të atdhetarëve të shquar shqiptarë, brenda librit në fjalë, studiuesi me përvoj një vend të merituar i ka dhënë Nikollë Pren Mrijaj, që sikurse thotë ai ishte një intelektual dhe kuvendar i zgjuar në odat e burrave dhe që gëzonte një emër shumë të mirë në Dardani. 

Për piktorin e talentuar dhe fisnik Enrrik Mendoja, në libër lexojmë një histori interesante përkujtimi, për shokun dhe bashkëqytetarit të vet, ku Kapinova, i ka ndezur një qiri drite, në 43-vjetorin lindje së tij si dhe e ka përshkruar aktivitetin e artistit me realizëm të gjithë veprimtarinë artistike të piktorit të talentuar shkodran. 

Sikurse dihet historikisht vazhdimisht Shkodra, është referencë e pasur historike, për artin grafik si djepi i kulturës elitare shqiptare, ku piktura, është njëra nga gjinitë e artit figurative të spikatur, që ka patur dhe ka zanafillën dhe lulëzimin e vet në qytetin zëmadh antik. Përgjatë pjacës (sheshit) dhe rreth saj gjen disa studio grafike të piktorëve shkodranë, ku, ekspozohet puna e tyre intelektuale dhe mund të blihen fatmirësisht pikturat e mjeshtërve bashkëhore tematike të sotme dhe të traditës.

E thënë në mënyrë të përmbledhur, vepra artistike e piktorit të talentuar Enrrik Mendoja, për motive të pastra shqiptare, mbetet një bazë e shëndoshë në tabanin e gurrës së pashtershme shqiptare, si një art i mirëfilltë autokton, dhe një gur i çmueshëm në artin modern shkodran dhe gjerdanin e pasur shqiptar të figurave të shquara ndër shekuj.

Zbulime të reja historike, mësojmë, duke lexuar me kujdes veprën voluminoze të autorit shqiptaro amerikan, ku, ndër të tjera në vijimsi ai shkruan me detaje për studentin e talentuar shqiptar me Medalje të Artë, nacionalistin Qazim Mulleti, që asokohe njihte 8 gjuhë të huaja. Intelektuali i shquar elitar Qazim Mulleti, ishte një politikan shqiptar, nacionalist dhe kryetar bashkie i Tiranës nga viti 1939 deri më 1940 dhe prefekt i saj nga vitet 1942-1944. 

Ai bënte pjesë në njësinë e vullnetarëve të flaktë patriotë shqiptarë, në luftën kundër ushtrisë kolonizuese serbe, gjatë vitëve 1919-1920. Sikurse dihej asokohe Qazimi, ishte një poliglot, ku, njihte (fliste dhe shkruante) shumë mirë 8 gjuhë të huaja, si: turqishten, arabishten, gjermanishten, frëngjishten, italishten, latinishten, greqishten dhe serbokroatisht.

Intelektuali i shquar erudit Mulleti, ishte i dhënë pas pasioneve të tij të dashur, që ishin ai i sporteve të kalërimit, patinazhit në akull dhe si mbledhjes apo koleksionist pasionant të suvenireve dhe relikeve të ndryshme origjinale, në shtëpinë e tij “muze”. Shumë pak vetë e dijnë faktin historik, se atdhtari ynë asokohe la një kat bosh në shtëpinë e tij, me  qëllimin fisnik të krijimit të një minimuzeu me sende apo relike (koleksione) të ndryshme origjinale me vlera të mëdha historike, duke menduar që një ditë me shumë dëshirë t’ia dhuronte muzeumeve historike kombëtare shqiptare, që mund të krijoheshin në të ardhmen e lirë dhe demokratike. 

Për më tepër, mësojmë se shtëpia e patriotit dhe intelektualit të shquar Qazim Mulletit u bë asokohe Ministria e parë e Bujqësisë së Shqipërisë. Ky është rast i vetëm në historinë e Shqipërisë dhe trojeve të tjera etnike amtare, kur një person me dashuri dhe përkushtim të madh atdhedashësi vë në dispozicion të Atdhetu të tij të gjithë shtëpinë e tij private, pa qira dhe interesa përfitimi financiarë.

Si për t’i dhënë një kuptim të ri veprës se re, autori hulumtues shqiptaro amerikanë, merr në analizë tre figura të komunitetit tonë këtu, ku, përballë njeri-tjetrit vë peshkopin e kuq Fan Stilian Nolin leninisto-hoxhist, me dy intelektualët e shquar disidentë dhe anti-komunistë stoik si miq të njeri-tjetrit, atdhedashësit brilantë: prof. Arshi Pipën dhe imzot dr. Zef Oroshi. 

Dhe për këtë, ai sjell nga historia shembuj dhe fakte investigative të reja, duke iu referuar personaliteteve të shquar të kohës, sikurse ishte antikomunisti i përbetuar prof. Mhill Marku, i cili me kurajo qytetare i kujton Nolit bolshevik, se: “Nuk u besova syve të mij, kur pash telegramet që Hirësia e Juaj i ka çue herpasher qeveris së kasapvet të Tiranës. Në ketë telegram, Hirësia Juaj, jo vetëm që aprovon ç’ka bajn ata, që kanë deklarue kjartsisht se nuk besojn në Zotin dhe kanë fut në burg e vra të tjerët… Ju i keni paraqitë komunistat e Tiranës në sytë e botës si njerëz të denj me e qeveris popullin shqiptar. Nji ditë, keni me takue Skanderbegun dhe po ju thom se ka me qenë shumë i idhnuem. Shpresoj, se nuk i ka ra në dorë kopja e Diellit, ku në të krahasohet Enver Hoxha me të.”

De-komunistizimi i shkodranëve dhe qytetit antik të Labeatëve apo Gentit dhe Teutës, vazhdimisht është sot domosdoshmëri e kohës post-komuniste. Me këtë dhimbje të drejtë qytetari, studiuesi dhe hulumtuesi ynë trajton me fakte një temë aktuale dhe shumë shqetësuese sot në trojet shqiptare dhe qytetin e tij Shkodër, e cila sikurse dihet nga historia e dhimbshme e saj, ka vuajtur dikur shumë nga diktatura mostruoze komuniste, gjatë viteve të zeza 1941-1990. 

Në Shqipërinë totalitare komuniste, Shkodërloca antike, mbahet si qyteti më antikomunist, ndërsa sot po ndodh një fenomen i çuditshëm absurd (Sindroma e Stokholmit), ku herë pas here përkujtohen fatkeqsisht emrat e debatikasve komunistë, si: Ndoc Mazi, Vasil Shanto, Shejnaze Juka, Jordan Misja, Salo Halili, Perlat Rexhepi, Branko Kadia etj. 

Mjedologu i shquar prof. Mentor Quku me një seri albanologjike esseistike me 11 vëllime brilante rizbulon edhe më tej poetin e ambelsisë dhe personalitetin e shquar të botës shqiptare dom Ndre Mjedën, ku, studiuesi Kapinova në veprën e tij pëshkruan punën e madhe kolosale hulumtuese prej disa dekadave të profesorit shkodran Quku, i cili, sikurse mësojmë më hollësisht i kushtohet rinisë së dom Ndre Mjedës dhe aktivitetit të hershëm letrar e gjuhësor të tij, shoqëruar me një literaturë voluminoze të pasur, me futnota, fotografi, spote, fotokopje dokumente, grafika dhe pasqyra, harta e ilustrime shumë intereante dhe të panjohura më parë, për botën letrare dhe historike shqiptare. 

Kjo nga ana e tjetër, tregon seriozitin dhe punën e madhe shteruese dhe voluminoze në seri të studiuesit të palodhur skrupuloz prof. Quku, për zbardhjen në detaje të ciklit të plotë të jetës dhe veprës së shumanshme të poetit tonë brilant dom Ndre Mjeda. 

Kësisoj albanologu Quku, me një përkujdesje të vazhdueshme profesionisti, i jep rëndësi të dorës së parë gjenezës dhe botës së brendshme të poetit të ambelsisë dom Ndre Mjedës, si: fëmijërisë, familjes, mjedisit dhe shkollës, poezisë Vaji i bylbylit, si dhe problemeve shumë të diskutueshme: frymëzimit dhe mënyrës së të shprehurit poetik, vit kur i palodhuri e i perkushtuari Mjeda boton tre libra dhe la në dorëshkrim edhe shumë vepra të tjera, ç’ka në këte rast lexuesi shqiptar zbulon inteligjencën e jashtëzakonshme, me një kujtesë fenomenale dhe talentin e rrallë, qe zotëronte asokohe bariu shpirtëror katolik Mjeda, i cili kishte arritur të bëhej një nga artistët dhe poliglotët më të shquar të kohës. 

Për Kapinovën, poeti dom Mjeda dhe prof. Quku si studiues i tij, bëhen përjetësisht dhe natyrshëm sinonim i pandashëm të njeri-tjetrit për shumë dekada, në fushën e letrave albanologjike. Prof. Quku, provon bindshëm dhe në mënyrë serioze punën e madhe që bëri Mjeda, për alfabetin e njësuar të gjuhës shqipe, se ai ka qenë i aftë të falë punën e tij shumë vjeçare si dhe të ndryshojë qëndrimin e tij, sa herë që këte gjë ia kanë kërkuar asokohe interesat madhore të kombit, duke provuar me argumente historike rolin vendimtar prej negociatori të talentuar apo të lindur të meshtarit dhe patriotit dom Ndre Mjedës në shumë momente kthese historike.

Në ditët tona, një pjesë e mirë e shqiptaro amerikaneve ndër vite, kanë arritur të integrohen me sukses në nivelet e larta të shoqërisë së lirë dhe demokratike amerikane, falë talentit dhe punës së madhe personale të tyre. 

Autori, në këte libër sjell një shembull të shkëlqyer pozitiv, se si shqiptaro amerikanja Violetta Berisha nga dyerët e ferrit komunist në Shqipëri (që u detyrua të kaloi familja Berisha ndër vite), sot ajo u bë kryetare e Bashkisë Fairview në shtetin New Jersey, ku, ndër të tjera thjeshtësia e saj është e admirueshme dhe mbresëlenëse, mbasi fatmirësisht talenti i saj i spikatur dhe meritokracia, bën që ne të kemi zj. Violetta Berisha si Kryetare të Bashkisë. 

Kujtojmë, se shqiptaro amerikanja Violetta Berisha, është me origjinë nga Puka, e lindur në Itali, e cila në moshën 3 muajshe ka ardhur në SHBA si emigrante, së bashku me familjen e saj. Ajo është rritur në Amerikë, nën përkujdesin e vazhdueshëm të familjes fisnike pukjane, ku, këtu ajo ka përfunduar me sukses të gjithë ciklin e plotë mësimor të shkollës fillore, të mesme dhe universitetin.

Në vijim Kapinova, bën një meditacion cilësor mbi esse-në e kredos së njohurive etiko-shkencore filozofike të mikut tonë të përbashkët filozofit shkodran, ish i përndjekuri dhe i denuari për motive të pastra politike antikomuniste Bepin Kuqani (1930-2016), duke e përshkruar atë, në një jetë të tërë mes idealizmit dhe materializmit.

Këto mendime dhe pikëpamje filozofike mbi gjithësinë (universin) dhe jetën, mes njerëzve në planetin tonë e kanë preokupuar vazhdimisht, gjatë dekadave të jetës në vendlindje Shkodër dhe me pas në Stamford (SHBA), njeriun me dije të thella dhe gjëra mbi shkencat ekzakte dhe ne veçanti mbi matematikën dhe filozofinë e lashtë dhe bashkëkohore botërore. 

Në këte kontekst, shqiptarët, gjatë diktaturës totalitare, ishin të përjashtuar dhumshëm, për të njohur të vërtetën reale, përmes dritës të së vërtetës, sikurse natyrshëm ndodh në vendet e qytetëruara dhe të lira të botës përparimtare, ku pikë sëpari respektohet diversiteti i pasur i mendimeve dhe ideve të ndryshme pa paragjykime dhe çensurë apo ideologji politike sociale qeveritare apo shteterore. 

Kujtoj, se miku im Bep Kuqani, u përshkua vazhdimisht dhe padrejtësisht nga kalvari i gjatë i mundimeve non stop dhe burgut të tmerrshëm politik, ku e plandosi arbitrarisht regjimi totalitar policorë dhe diktatori antishqiptar dhe antihuman Enver Hoxha. 

Por, megjithatë, autori filozof shkodran i esse-ve në qelitë e ftohta të burgjeve, fati i krijoi mundësinë të merrte një “univesitet” cilësor, me dije të qendrueshme, larg injorancës dhe propagandës me elozhe, fodullekun dhe pseudo intelektualizimin shterp të servilëve propagandist politik të sistemit absurd dhe diktaturës komuniste.

Bepi, meditoi kështu thellë e më thellë për jetën, edhe pse trupin e kishte të sfilitur nga vuajtjet e një pas njëshme, mbasi ishte i izoluar e i stërmunduar nga trajtimi më ç’njerëzor, që iu bë të gjithë elementëve elitarë shkodranë, që ishin asokohe shumë të ditur dhe të mirë shkolluar antikomunistë. 

Edhe pse në kafazin e hekurt ateisto-komunist, ai e ndiente në shpirt agimin e dritës së lirisë, ndiente se një ditë ky sistem shterp, i ndërtuar si kalaja mbi rërë do të shembej keqas, ashtu sikurse edhe ndodhi në realitet, në vitin e shpresës së madhe më 1991…

Sa herë që shkruaj tema me ngjarje të paharruara nga vendlidja ime e dashur Kosova martire, menjëherë në mendje më parakalojnë si episode filmash dokumentarë, episode, data, figura të shquara dardane ndër shekuj, ngjarje dhe historitë tragjike, që ka kaluar mbi trupin e saj të sfilitur vendlindja ime e shtrenjtë në vitet e zeza të pushtimit nga kolonizatorët antihuman serb. 

Një ndër këto ngjarje të pashlyera, të mbushur plot histori lufte dhe mbijetese të vazhdueshme kreshnike, është edhe dera zëmadhe e familjes Berisha të Dardanisë në arkivat e historisë dhe për të ardhur natyrshëm deri tek simboli i martirit të gjallë, që ishte dhe mbeti aktivisti i palodhur i ditëve tona miku im i hershëm, punëtori dhe patrioti i palodhur i çështjes shqiptare Ismet Uk Sadiku Berisha, një ndër bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë të “Lidhjes së Tretë Shqiptare të Prizrenit”, ku unë prej disa dekadash jam zgjedhur dhe jam sot ende Sekretar i Pergjithshem i Lidhjes së Tretë të Prizrenit, ku kam punuar vazhdimisht non stop me Ismetin, për të njëjtat qëllime fisnike dhe ideale të pastra atdhetare, për çeshtjën kryesore shqiptare dhe të Kosovës në veçanti.

Historia e kësaj familje të madhe, është e lidhur me historinë legjendare të “Lidhjes së Tretë Prizrenit”, që vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka një vijimësi dhe aktivitet të pasur patriotik 62-vjeçarë (1962-2024).

Autori Kapinova, librin e tij e mbyll me një analizë serioze mbi Ismail Kadarenë, një shkrimtar servil klasik dhe shembull negativ i oborrit të diktaturës më të egër ateiste dhe komuniste në Shqipëri, gjatë viteve të zeza 1944-1990, duke na dhënë faqe pas faqeje një përshkrim dhe analizë serioze të jetës dhe veprimtarisë së tij letrare, në interes tërësisht të regjimit dhe diktatorit totalitar asokohe në Shqipëri.

Në këte rast, është i saktë përcaktimi historik i autorit, se asokohe “shkrimtari servil Ismail Kadare ishte një kubure e flaktë në duart e diktatorit Enver Hoxha.”, duke ofruar për këte përcaktim real dhe të argumentuar fakte dhe prova shkrimore të vërteta nga historia e librave të tij të turpshme letrare  socialkomuniste tipike propagandistike si njolla turpi sot në historinë e letërsisë shqipe. 

Sikurse shohim në veprën e re, autori risjell shembullin se si shkrimtari Kadare, ishte lider klasik shpirtëror i nomeklaturës së kuqe komuniste, sepse ai asokohe ka shkruar mbi 25 faqe kundër SHBA-së dhe demokracisë së saj si kampione shembullore pozitive kudo në botë. (Yonkers, New York)

Filed Under: Komente

Jeta njerëzore është luftë e pandërprerë ndërmjet instiktit të jetës dhe atij të vdekjes!

May 29, 2024 by s p

Dr. Iris Halili/

Gjithmonë kam menduar që psikoanaliza e çon njeriun në interpretime origjinale. Një ndër shpjegimet më interesante frojdike ka qënë përcaktimi i instiktit të vdekjes, Thanos dhe atij të jetës, Eros. Të dy termat janë të huazuara nga antikiteti Grek, për të cilin Dr. Freud ishte tërësisht i apasionuar dhe nga ku mendohet se ka ardhur edhe vetë prirja e tij ndaj psikoanalizës. Ai shprehej se: “Qëllimi i gjithë jetës është vdekja dhe duke vështruar prapa, jo i gjalli ka ekzistuar para të gjallit”. Njeriu lind me instiktin e vdekjes dhe më pas takon instiktin e jetës që gjendet jashtë tij. Sipas Dr. Freud, baza e ekzistencës tek çdo qënie e gjallë është pikërisht opozita dhe antagonizmi i pandalur i këtyre dy instikteve. Përpjekja për jetën apo instikti i jetës tek qenia njerzore përcaktohet nga plotësimi i çdo nevoje apo dëshire të tilla si nevoja për ushqim, miqësi, komunikim, dije, pushtet, të ardhura, informim, marrëdhënie seksuale, lavdi, sukses etj etj. Në opozitë me instiktin e jetës, instikti i vdekjes shfaqet tek arroganca njerzore, krimet, vetvrasjet apo tentativat për vetvrasje, sadizmi, mazokizmi,luftrat, terrorizmi apo çdo makabritet që godet jetën dhe vazhdimësinë e saj.

Reagimi njerëzor në kohën e Novela Kovid 19 është ndoshta dëshmia më e gjallë dhe bashkëkohore e luftës midis instiktit të jetës me atë të vdekjes, konflikt ky i nisur nga i njëjti faktor i jashtëm njëherazi tek i gjithë njerzimi. Në qoftëse në kushtet normale të ekzistencës jeta e çdo njeriu është dëshmi e luftes së vazhdueshme e të brëndshme midis këtyre dy instikteve, në kohen e Kovid 19 instikti i jetës apo ai i vdekjes ndeshën në një konflikt të njëllojtë dhe me shtrirje universale.

Në fillim pranverën e vitit 2020të, papritur njerzit në të gjithë botën u njoftuan për pandeminë dhe karantinën që do e shoqëronte atë. Nga ana tjetër thirrja masive për ndalimin e aktiviteteve të përditshme, ishte një shprehje e shumë mundësive, nevojave dhe dëshirave njerzore dhe sa më shumë që rritej kjo shtypje aq më shumë rritej si kundërveprim instikti i jetës apo ai i vdekjes. Sipas Dr. Freud baza e analizës psikoanalitike fillon tek shtypja. Kështu që paniku dhe frika ndaj armikut të padukshëm e të panjohur padyshim që do sillte histeri kolektive tek njerëzimi i cili u sul t’ë sigurojë çdo mjet që do i jepte mundësi të mbijetonte dhe plotësonte nevojat. Po të ishte gjallë Dr. Freud do ta quante proçesin psiqik të njerzimit në atë moment si një frenim traumatik që është baza e çdo histerie, ku në këtë rast kishim një histeri kolektive. Gjatë kohës së kovidit njerzimi u ndesh para frikës që sipas frojdizmit përcakton një gjendje të karakterizuar nga forca e rrezikut dhe përgatitja për të. Në fakt ajo që ndodhi, më shumë mund të shpjegohet si një tmerr. Dr. Freud e shpjegon tmerrin si një gjëndje kur bie në një situatë befasuese e të rrezikshme pa qenë aspak i parapërgatitur për të. I lindur me instiktin e vdekjes, por edhe i mësuar për të luftuar deri në fund për jeten, njeriu përpiqet dhe shfaq në kushtet e tmerrit luftën midis këtyre dy instikteve. Herë fiton jeta e herë vdekja. Kjo u duk më së miri tek forma si njerzimi e jetoi karantinën duke bërë humor, kënduar, krijuar, gatuar, komunikuar, etj etj. Nga ana tjetër, çdo vetvrasje apo tentativë vetvrasjeje, çdo lloj formë agresioni personal apo social ka qenë në atë kohë një shfaqje e instiktit të vdekjes.

Psikoanaliza frojdike gjithmonë i ka dhënë peshë interpretimit të simboleve, dhe mes tyre ka shpjeguar rrethanat dhe bërë analizat përkatëse. Në fillimet e Novelës Kovid 19, e në mes të gjithë atyre që u bënë apo thanë, mes gjithë kërkesave apo mohimeve dy reagime kolektive duket sikur u kthyen në simbolika: Akoma pyesim si shpjegohet histeria kolektive e blerjeve në masë të letrave higjenike apo hapjes së menjëhershme të salloneve të bukurisë? Ndonëse letra higjenike në ditët e sotme nuk konsiderohet aspak një luks, histeria në blerjen e saj qe më shumë një simbol i aktit të instiktit të jetës për të triumfuar duke treguar se individi po “luftonte” të siguronte edhe ato lehtësira që quhen minimale për jetën e përditshme. Më pas efekti i teorisë së gjykimit në turmë u aplikua më së miri: “Përderisa e blejnë të gjithë duhet t’a blej edhe unë”. Psikologët e cilësuan këtë dukuri si “bandwagon effect”që shqipëruar apo saktësisht përshtatur do të ishte “efekti i turmave”, apo veprim kolektiv i mbështetur jo në llogjikën personale por në atë kolektive: “Perderisa e bën ti atëherë po e bëj edhe unë”, një tjetër teori edhe kjo frojdike.

Një histeri tjeter kolektive ishte kërkesa masive për të hapur sallonet e flokëve, a thua se ky shërbim ishte një domosdoshmëri tjetër për të mbijetuar. Besoj se sërisht frojdizmi do e interpretonte këtë impuls njerzor si një përpjekeje tjetër e instiktit të jetës për të mundur vdekjen. Të kërkosh medoemos hapjen e salloneve të flokëve është kërkesë natyrale për ti thënë pro jetës, më sakte t’i thuash po vanitet të saj, është si të insistosh pasjen e mëtejshme të luksit që jeta të ka ofruar deri më tani, është thjesht një formë simbolike dhe e pavetëdijshme e luftës që bën instikti i jetës për të fituar.

Përpjekja e vazhdueshme për të luftuar shtypjen dhe sjell normalitetin, apo dhe durimi për të jetuar karantinën me gjithë pengesat mbeten demonstrim i shkëlqyer i instiktit të jetës që vepron brenda nesh në forma nga më të shumëllojshmet, herë gati unikale e herë krejt origjinale. Edhe lidhja organike me natyrën është një vetëaprovim i pavetëdijshm se jeta vazhdon dhe natyra është dëshmia më e gjallë e saj. Është një ngushëllim për të mos u mposhtur dhe duruar sikur vetë natyra ka berë në mijra vjet shtrëngata e katastrofa nga më të rëndat. Natyra na shfaq shëmbullin më virtuoz si të presim apo të jemi të durueshëm, pasi sikur thote Dr. Freud: “Ajo që nuk arrihet duke dëshiruar, duhet pritur duke çaluar. Të çalosh, thonë shkrimet e vjetra, nuk është mëkat.”

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT