• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2024

Federata Pan – Shqiptare e Amerikës “VATRA”:

May 2, 2024 by s p

DEKLARATË PËR OPINIONIN PUBLIK LIDHUR ME ZGJEDHJET PARLAMENTARE DHE PRESIDENCIALE NË MAQEDONINË E VERIUT

Federata Pan-Shqiptare “VATRA” e Amerikës përcjell me vëmendje secilin zhvillim politik, socio-ekonomik, kulturor dhe ngjarje të tjera me rëndësi në tërë etnikumin shqiptar.

Kemi përcjellur me vëmendje procesin elektoral, fushatën, qasjet politike dhe programore të spektrit politik në Republikën e Maqedonisë Veriore, veçanërisht atij shqiptar.

Në respektim absolut të pluralizmit dhe vullnetit politik të vëllezërve tanë në Maqedoninë e Veriut, vlerësojmë se është tani momenti i duhur, më i nevojshmi dhe imperativ i kohës që faktori politik shqiptar të unifikohet, të bashkërëndojnë veprimet politike dhe të forcojnë pozitën e tyre politike në jetën institucionale dhe shtetërore të Maqedonisë së Veriut.

Trendet politike, të sigurisë dhe gjeopolitike sidomos në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në kontekstin e të ardhmes politike të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut kërkojnë vullnet politik, urtësi, mendje të ftohta dhe maturi politike në mënyrë që faktori politik shqiptar atje të jetë partner i pakalueshëm në vendimarrje, në proceset politike, ekonomike por edhe afirmimin dhe avansimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Përçarjet politike, ndarja e votës shqiptare, pas rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale është treguesi më i mirë se po të ishte vota e shqiptarëve unike për një kandidat koncensual, në raundin e dytë do të ishte një shqiptarë në garë për president të shtetit. Duke dëgjuar deklarimet publike dhe fjalorin e disa liderëve politik maqedonas me tone nacionaliste që flasin për “Tribunale për krime lufte” dhe kërcnime të natyrave të ndryshme, që bien ndesh me rregullimin kushtetues, Marrëveshjen e Ohrit dhe orientimin euro-atlantik të vëndit, unifikimi i faktorit politik shqiptar është domosdoshmëri e kohës dhe interes strategjik i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Si organizata më e vjetër e shqiptarëve të Amerikës, në cilësinë e kryetarit të “VATRËS”, ju bëj apel publik z. Ali Ahmeti, z. Bilall Kasami dhe z. Arben Taravari që të jeni në nivelin e përgjegjësisë politike dhe kombëtare për rolin, pozitën por edhe proceset e avancimit të statusit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. “VATRA” është në gadishmëri të plotë, në konsultim edhe me miq të kombit tonë në Vashington që të ndihmojmë në këtë proces me qëllimin më fisnik, avansimin dhe forcimin e rolit dhe pozitës së shqiptarëve ne Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Unë jam i gatshëm që tani, të jem bashkë me juve në këtë proces unifikimi të domosdoshëm dhe tepër të rëndësishëm për një të ardhme prosperuese të bashkëkombasve tanë në Maqedoninë e Veriut.

Vëllazërisht,

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës,

“VATRA”

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Politike

PAPAS ANTONIO BELUSHI: MESHTARI I ETNISË

May 2, 2024 by s p

Shkruajnë: Myrvete&Begzad Baliu/

Me Shqipërinë mëmë më lidh matronimia (himariote), me arvanitasit më lidh patronimia, me Arbëresht më lidh vendlindja ime, ndërsa me Kosovën ideja e lidhjes vëllazërore shqiptare! (Antonio Belushi)

E kemi njohur Papas Antonio Belushin menjëherë pas Luftës së Kosovës, në konferencat shkencore e në ngjarjet kulturore të Tiranës, Shkodrës, Prishtinës e të Pejës. Ai ishte i kudondodhur për të thënë fjalën e tij, mesazhin e tij, i kudogjendur për të kryer misionin e tij.

Tekstet e tij, mendimet e tij, kërkimet e tij, për trashëgiminë shpirtërore të arbëreshëve të Italisë e të arvanitasve të Greqisë, i kishim njohur edhe më parë sado në përmasa modeste. I kishim lexuar disa nga veprat e tij dhe disa nga tekstet e tij te gazeta “Lidhja” e te gazetat e tjera të kohës në Tiranë, në Prishtinë, ndër botimet e arbëreshëve e për arbëreshët e Italisë dhe madje te një gazetë krejt e panjohur Besa, e arvanitaseve të Greqisë. Por, dëshira për të gjurmuar e lexuar kërkimet e tij, sidomos ndër arvanitasit e Greqisë na qe kthyer në pasion, ndërsa insistimi për të njohur dhe mësuar nga fjala e tij për atë krah të hershëm të shqipes na bënte po aq kureshtarë sa i bënte kureshtarë bashkëkohësit e tij për të ditur, qartësuar e saktësuar dëshminë mesjetare të Brokardit për gjuhën shqipe, librin shqip apo shkronjat shqipe.

E njohem në ditët e para të pasluftës së Kosovës!

Kishte lindur në fshatin Frasnita të Kozencës në Kalabri. Ishte teolog e filozof prej profesioni, por të gjithë që e njihnin e quanin edhe shkrimtar, publicist, mbledhës i trashëgimisë arbëreshe kudo në botë, botues e studiues. Tregonte por më shumë rrëfente gjer e gjatë e pa përtesë për punën e tij fillestare në fshatin Shën Konstantin Arbëresh të Potencës (1965-1973), për hulumtimet në Falkunara Arbëresha të Kozencës (1973-1977), për përkushtimin e tij prej misionari për kërkimet themeltare në vendbanimet arbërore të Greqisë (1965-1986), për dëshmitë e tij misionari e intelektuali që të dëshmojë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën për Kosovën në botë.

Prej kërkimeve të tij të trashëgimisë materiale e shpirtërore të arvanitasve të Greqisë, të arbëreshëve të Italisë e të shqiptarëve në gjithë botën, nga Kosova deri në Amerikë e Australi ai, në vitin 1971 botoi veprën “Këngë fetare arbëreshe”; më 1977: “Argalia në tekstet popullore arbëreshe në Frasnitë”; më 1983: “Magjia, mite dhe besime popullore në katundet arbëreshe; më 1989: “Fjalor frazeologjik i arbëreshëve në Itali dhe arbërorëve në Greqi”; më 1991: “Blegtoria në Frasnitë”; më 1994:“Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës; më 2003 “Antologjia arbëreshe; më 2007: “Regesto – Manoscritti d’Archivio nella Biblioteca Internazionale “A. Bellusci” di Frascineto”; më 2008: “La parrocchia bizantina “Maria Assunta” di Frascineto”; më 2018: Biblioteka Arbëreshe “A. Bellusci”; më 2019: A. Bellusci-R.Burigana, “Storia dell’Eparchia di Lungro”; më 2020: së bashku me Ornela Radovicka, “Rrugëtimi në ngulimet arbëreshe”-50 kartolina gjigande arbërore në tokën italiane; dhe më 2021: Cultura tradizionale a San Costandino Albanese-Ricerche sul campo 1965-1973 e të tjera studime e të tjera dokumente dhe dëshmi.

Brenda këtyre vëllimeve me të dhëna dokumentare të mbledhura në një periudhë prej rreth 60 vjetësh, veç tjerash janë përfshirë çështje, tema, motive, tekste, dokumente, fotografi, imazhe dhe sidomos dëshmi gjuhësore të një vazhdimësie 500-vjeçare ndër arvanitas e ndër arbëreshë të kujtesës mesjetare, si dhe ndër shqiptarë të kohës moderne. Në këto vepra janë botuar tekste popullore nga të folmet arbëreshe e arvanitase, tekste popullore e dialektore, tekste me mite dhe besime popullore në katundet arbëreshe; tekste dhe dokumente në të folmet arbërore arvanite; këngë djepi, gjëegjëza, këngë te vatra e te sheshet, lojëra për fëmijët, zakone dhe besime ndër arbëreshët e Italisë; tekste krahasuese në të folmet arbërore-arvanite; prozë dhe poezi gojore, shënime për mënyrën e veshjes, mënyrën e të ngrënit, emrat e mjeteve dhe punëve bujqësore, blegtorale dhe të martesave, po edhe vjersha, vajtime, fjalorth mbi argalinë, frazeologji, dorëshkrime të shekullit XIX, shënime për vizitat, kujtimet dhe dëshmi të tjera për bibliotekën “A. Bellusci”, e të tjera e të tjera aspekte të përditshmërisë arbëreshe.

Vepra e tij si rrallë ndonjë tjetër në studimet shqiptare ka shtrirjen e plotë hapësinore sepse çështjet i ka trajtuar me tërë kompleksitetin kontekstual, interdisiplinar e konvergjues historik (duke i vënë në plan të parë kohën dhe ngjarjet); me tërë pasurinë e identifikuar e ubifikuar arkeologjike (gjurmët, artefaktet e prekshme e të emërtuara saktë me gjuhën historike të kohës); me tërë kontekstualitetin e matjes demografike e krahasuese, për të mos thënë kundërvënies së administratës greke (një korpus i tërë evidencash, regjistrash e dokumentesh ndër arbërorët në Greqi); por, çështja që dimensionon thellësisht përpjekjen dhe qëllimin e tij është konteksti gjuhë, i shprehur përmes fjalës dhe fjalësit, thënies dhe tekstit ndër arbëreshët në Itali e Greqi, si dhe një korpusi onomastik nga rreth 40 fshatra arvanitase, në të cilat veç tjerash do të mbahet mend për shqetësimin e tij rreth ndryshimit të ojkonimisë mesjetare të vendbanimeve arbërore nga administrata greke, ndërkohë që të gjitha mikrotoponimet rreth tyre ishin në gjuhën e shqipes mesjetare dhe moderne. “Arvanitasit më rrëfenin që në “këto vitet e fundit” në Greqi një vargu të gjatë katundesh arvanitase u janë ndryshuar emrat. Ndryshimet kanë ndodhur në tri dekadat e fundit. Për shembull: Kutumasë arvanjitë nani i thonë Koronja në elenika; Nani i thonë Fili në greqisht, po në arvanjitika na i themi Hasa’. Streveniku u bë Triadha; Zërikji u bë Elikonas; Kukurati u bë Agia Anna; Lutsa u bë Artemidha. Spata ish një katund që të gjitha toponimet rreth e përqark tij i kishte në shqip. Aty ku u ndërtua aeroporti i ri i Athinës quhej Liopëza ose Lopëza, domethënë fusha ku kullosnin lopët. Grekët këto 20 vjetet e fundit u kanë ndryshuar emrat mbi 60% të toponimeve, që ishin emra të vjetër shqiptarë. Mendoj se qeveria greke bën një politikë iracionale dhe relativisht dinake”, – shkruante etnologu Belushi, në të vërtetë dëshmonte Ati ynë, Papas Antonio Belushi.

Me jetën dhe sidomos me veprën e tij ai u shndërrua në paradigmë prej krijuesi të etnologjisë shqiptare, si korpus i tërësisë së gjeografisë historike dhe bashkëkohore ku kanë jetuar dhe jetojnë shqiptarët; prej autori të korpusit të gjuhës si dokumenti më i rëndësishëm i identifikimit të përbërësve materialë e shpirtërorë të një populli edhe kur ai është në fazën e fundit të agonisë; prej ideatori e personaliteti intelektual e moral, që për pjesën gjeografike të atdheut angazhohet si për tërësinë e saj, për t’u bërë së fundi institucioni moral e kombëtar i botës shqiptare.

E mendonim si një murg hijerëndë që ligjëron vetëm me fjalët e konceptet e Perëndisë, por ai ishte plotë gaz e ligjëronte kryesisht me fjalët e gjuhën e historisë së etnisë; e mendonim si një shërbëtor të zotit që diskuton me konceptet biblike të universit shpirtëror, e ai fliste me referencat historike të kërkimit të tij shkencor; e mendonim si një bari të Perëndisë, që referencë dhe paradigmë të mendimit të tij ka bëmat e heronjve biblikë, e ai ishte intelektual, që fliste me referenca për heronjtë e Arbërisë.

Duke e dëgjuar Papas Antonio Belushin, duke e lexuar veprën e tij, duke shfletuar revistën e tij Lidhja, dëgjuam dhe mësuam për gjuhën e tokës (toponiminë), gjuhën e shpirtit (fjalët shqipe), gjuhën e trupit (veshjen), gjuhën e sedentaritetit (vendbanimet), gjuhën e besës (etninë) së arvanitaseve të Greqisë, arbërorëve të Italisë e shqiptarëve të të gjithë botës, ‘mbledhur nga një prift’, theksonin të tjerët, ‘mbledhur nga një prift arbëresh’, shtonte ai.

Prej asaj kohe ne u bëmë bestarë të grigjës së tij, e ai meshtar i etnisë.

Filed Under: Analiza

Votëbesohet në detyrë për një mandat tjetër 2- vjeçar, Kryetari  i  Shoqatës Shqiptaro – Amerikane “Skënderbej” Inc, z. Imer Laçaj

May 2, 2024 by s p

Kuvendi i Shoqates –  28 Prill, 2024

Votëbesohet në detyrë për një mandat tjetër 2- vjeçar, Kryetari  i  Shoqatës Shqiptaro – Amerikane “Skënderbej” Inc, z. Imer Laçaj

Në zbatim të statusit të shoqatës, Neni 7 për zgjedhjet e reja, në muajin Prill 2024, përfundonte afati i mandatit dy- vjeçar i Kryetarit dhe Kryesisë që udhëhoqen Shoqatën për periudhen dy- vjeçare, Prill 2022 – Prill 2024.

Kryetari, sipas rregullores shpalli ditën e zgjedhjeve më 28 Prill 2024 si edhe u publikuan afatet e dergimit të  kërkesave  të anëtarëve të shoqatës për kandidat për Kryetar.

Sot në ambjentet e restorantit “Teura” në afërsi të kompleksit Luna Park, në Coney Island,Brooklyn, New York, me një pjesemarrje mjaft të konsiderueshme të anëtareve të shoqatës si dhe me mbështetjen maksimale të tyre, u votëbesua nga Kuvendi i Shoqates, për të drejtuar për dy vitet ne vazhdim shoqatën Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” Inc., zoti Imer Lacaj.

Zoti Imer Lacaj, ka dhënë kontribut të çmuar në përparimin e shoqatës që prej themelimit të saj, në Dhjetor te vitit 2017. Ai ka mbajtur detyrën e financierit të shoqatës që prej krijimit të saj, deri në datën 3 Prill 2022. Zoti Imer Lacaj ka mbajtur detyrën e n/Kryetarit të shoqatës për një periudhë dy vjecare, Dhjetor 2020 – Prill 2022. Nga periudha Prill 2022, deri më sot, ai ka drejtuar shoqatën Shqiptaro-Amerikane “Skenderbej” Inc, në rolin e Presidentit të saj. Mbeshtetja në maksimum nga anëtarët e shoqatës për votëbesimin ndaj z. Imer Lacaj, tregoi drejtimin e suksesshëm në mandatin dy – vjeçar si dhe miratimin e planeve për zhvillime të reja në shoqatë.

Keryesia qe do te mbeshtesi zotin Laçaj per dy vitet ne vazhdim jane:

Zoti Leke Preci

Zonja Alketa Ktona Veshi

Zoti Lidmir Hatia

Zonja Arta Xhaferi

Zoti Adrian Tahiri

Zoti Ervin Toro

Urime dhe mbaresi shoqates per dy vitet e ardhshme

Filed Under: Analiza

A DO TË KETË MAQEDONIA E VERIUT, PËR HERË TË PARË, KRYETAR TË REPUBLIKËS, GRUA?!

May 1, 2024 by s p

Emir Kurtishi, jurist/

REZULTATI NGA RRETHI I PARË ZGJEDHOR

Në Zgjedhjet e 25 majit për Kryetar të Republikës, ku garuan shtatë kandidatë, arritën këtë rezultat zgjedhor: Stevo Pendarovski: 180.500 vota apo 19,92%; Gordana Siljanovska-Davkova: 363.086 vota apo 40,08%; Stevço Jakimovski: 8.121 vota apo 0,90%; Bujar Osmani: 121.088 vota apo 13,37%; Biljana Vankovska Cvetkovska: 41.331 vota apo 4,56%; Arben Taravari: 83.393 vota apo 9,20% dhe Maksim Dimitrievski: 83.856 vota apo 9,26%. Sipas nenit 81 të Kushtetutës së RMV-së, në rrethin e dytë votohet për dy kandidatët të cilët kanë fituar më së shumti vota në rrethin e parë, që do të thotë, se më 8 Maj, kur edhe janë përcaktuar Zgjedhjet për Kryetar të Republikës së bashku me ato Parlamentare, beteja do të zhvillohet mes Stevo Pendarovskit dhe Gordana Siljanovska-Davkova, dallimi mes të cilëve është 182.586 vota, për dallim nga zgjedhjet e kaluara të mbajtura më 21 prill 2019, ku dallimi në rrethin e parë ishte vetëm 4.606 vota në favor të Stevo Pendarovskit. 

RMV-ja përgjatë historisë së saj me Zgjedhjet për Kryetar të Republikës ka parë dallime edhe më të mëdha si ajo e vitit 1994 mes kandidatit Kiro Gligorov dhe Lubisha Georgievski me 516.593 vota; Tito Petkovski dhe Boris Trajkovski në vitin 1999 me 124.508 vota; Branko Crvenkovski dhe Sasho Kedev në vitin 2004 me 64.689 vota, ajo e Gjorge Ivanovit dhe Lubomir Frçkovskit në vitin 2009 ka qenë 142.003 vota dhe ajo e Gjorge Ivanovit me Stevo Pendarovskin 122.935 vota.

Ajo që bie në sy është rezultati i dobët i Stevço Jakimovskit, i cili edhe përkrah që mori 10.000 nënshkrime nga ana e qytetarëve për kandidaturën e tij, në këto zgjedhje nuk arriti që t’i tekalojë më shumë se rreth 8 mijë vota, edhe atë vetëm 2.000 në Komunën e Karposhit, ku është kryetar dhe rritja enorme e Maksim Dimitrievskit, i cili ka shënuar rezultat më të lartë se Arben Taravari, i cili është në koalicion me tre parti politike.

DALJA E VOGËL, FAKT QË DUHET LEXUAR

Për dallim nga viti 2019, kur u shënua edhe dalja më e ulët në historinë e vendit në Zgjedhjet për Kryetar të Republikës, këtë vit ka pasur rritje prej 6.56%. Në këto zgjedhje, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 828.402 votues të regjistruar apo 48,38% dhe natyrisht ky është një fakt që duhet lexuar drejt. Njëra prej shkaqeve që ka pasur dalje të ulët të votuesve, fillimisht ka të bëjë me vetë personalitetin e kandidatëve dhe me zhvillimin e deritanishëm të politikave të kësaj qeverie. Nga kjo duket edhe humbja e madhe e kandidatit të LSDM-së, Stevo Pendarovski, i cili u bë viktimë e politikave të partisë së tij, si pasojë e premtimeve të shumta që nga ardhja në pushtet në vitin 2016 e këndej dhe prej tyre, shumë pak janë realizuar. Andaj, jo rastësisht votat e kësaj partie si shenjë e pakënaqësisë, u kanalizuan tek ish partiaku i tyre, Maksim Dimitrievski.

Çështja tjetër që rezultoi në mosdalje në zgjedhje dhe në goditjen e kandidatit, Pendarovski, kryesisht ka të bëjë Marrëveshja me Bullgarinë dhe disponimi pozitiv për ndryshimet kushtetuese, ku bullgarët do të përfshihen në Preambulën e Kushtetutës së RMV-së, për dallim nga kundërkandidati i tij, Siljanovska-Davkova, që është më e konzervuar në këtë aspekt, e cila vlerëson se këto procese politike, duhet të zhvillohen në kushte të caktuara. Për Kryetarin aktual, Pendarovski, arsyet konsistojnë diku tjetër dhe faji e gjen në numrin e madh të kandidatëve mes të cilëve janë shpërndarë votat e supozuara. Faktori tjetër, ka të bëjë me situatën e përgjithshme politike, juridike dhe ekonomike në vendin tonë, ku gjithçka e ka humbur sensin e zhvillimit të një jeteje normale. Kriza financiare dhe diferencimi shoqëror është gjithnjë e në rritje.

RMV-JA PËR HERË TË PARË NË HISTORINË E SAJ, DO TË KETË KRYETAR NJË GRUA?!

Republika e Maqedonisë së Veriut, në Zgjedhjet për Kryetar të Republikës të shtatat me radhë, do ta zgjedhë kryetarin e gjashtë me radhë pas Kiro Gligorovit (1991-1999); Boris Trajkovskit (1999-2004); Branko Crvenkovskit (2004-2009); Gjorge Ivanovit (2009-2019) dhe Stevo Pendarovskit (2019). Funksioni i Kryetarit të Republikës, në përgjithësi ka treguar efikasitet më të madh në kuadër të kompetencave, kur Kryetari i Republikës me Kryetarin e Qeverisë, kanë qenë nga provinienca të ndryshme partiake dhe politike, pra, me rastin e kohabitimit. Kjo mund të vërehet edhe në përdorimin e vetos presidenciale. Përjashtim këtu bën Stevo Pendarovski, i cili së fundmi e përdori veton presidenciale për ta rikthyer Ligjin për Lojërat e Fatit në Kuvend, të propozuar nga partia e tij, LSDM dhe BDI. Kjo mbase e imponon nevojën për gjetjen e një kandidati i cili do të ishte i pavarur dhe mbipartiak për t’i ushtruar kompetencat e tij në mënyrë të pavarur pa qenë i ndikuar nga partitë politike të cilët i promovojnë dhe i zgjedhin. Se sa janë të lidhura me partitë, kjo duket edhe nga deklarata e kandidates aktuale, e cila pas shpalljes së rezultateve nuk harroi ta falënderojë partinë e cila e ka kandiduar dhe anëtarët e saj: “Krenare jam për qytetarët. Jo vetëm për ato që më kanë votuar, por edhe të tjerët. Veçanërisht jam krenare me anëtarët e VMRO-DPMNE-së për shkak të mbështetjes. Krenare jam me ekipin tim, vazhdimisht ka qenë me mua, më brohorisnin, më kritikonin, më këshillonin…”.

Rezultati në rrethin e parë zgjedhor, është një indikator i fuqishëm për atë se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i Republikës, por edhe formuesi i përbërjes së re qeveritare. Vetë fakti që më 8 Maj kemi zgjedhje të dyfishta, kjo do të thotë që kërkohet dhe pritet një pjesëmarrje më e madhe në votime nga ana e qytetarëve, por, ajo që parashikohet është se rezultati mes dy kandidatëve në rrethin e dytë, vështirë se do të jetë i ndryshueshëm. Dallimi i madh i votave, e pasqyron pakënaqësinë e qytetarëve ndaj kësaj Qeverie dhe njëkohësisht e shpërfaq fotografinë e fituesit në rrethin e dytë. Këtë bindje e ndan edhe kandidatja, profesoresha Siljanovska-Davkova: “…veçanërisht jam krenare me gratë në Maqedoni, pavarësisht përkatësisë etnike. Mendoj se është koha për identifikimin e gruas me gruan, pavarësisht cilës parti dhe ideologji i përket. Shumë gëzohem që këto ditë takoj gra nga parti të ndryshme që më thonë se po vjen koha jonë. Nuk do të ndërtojmë matriarkat, por do të tregojmë që kemi në vete dituri, mençuri, energji, kreativitet dhe se është e rendit që kjo shoqëri ta shfrytëzojë krejt këtë…”. Ajo që është e rëndësishme, uroj që mos të ngelë vetëm në nivel të deklaratave, por të dëshmohet edhe në vepra është ajo që e thekson profesoresha në fjalë se do të bashkëpunojë me partinë që e ka mbështetur, por do të bashkëpunojë edhe me opozitën dhe sektorin joqeveritar, për këtë edhe thotë se: “…por, e di se atë që e premtoj edhe e realizoj. Për këtë të jeni të sigurt që ditën e parë… Vazhdimisht kam thirrur në sundimin e së drejtës, por më shumë në nevojën e bashkimit në këtë shtet. Unë do të bashkëpunoj me partinë që më ka mbështetur, por do të bashkëpunoj edhe me opozitën dhe sektorin joqeveritar. Do të tregoj dhe do ta dëshmoj se këtu jam për shkak të Maqedonisë, se dua të jenë krenare me mua, sepse unë do ta tregoj atë se Maqedonia duhet të jetë e ngjajshme me shtetet e tjera demokratike…”. Kjo është shumë me rëndësi nëse arrihet të realizohet edhe pse nga përvoja me këtë parti politike dhe me kandidatin e saj, Gjorge Ivanov, jemi ndarë të pakënaqur, pikërisht për shkak të premtimeve të mëdha për t’u transformuar më pas në një dëgjues dhe nënshtrues të madh ndaj partisë që e kandidoi dhe kundërshtues i hapur i opozitës, duke e thyer baraspeshën politike, si me rastin e mbajtjes së fjalimit në Kuvendin e RMV-së më 18 dhjetor 2012, kur e hidhëroi opozitën e atëhershme, LSDM, e cila krijonte pengesa në Kuvend, përkatësisht e pengonte shumicën parlamentare në sjelljen e Buxhetit për vitin 2013, që pastaj kulminoi me ngjarjen e 24 dhjetorit. Mjafton të merret shembull figura e Gjorge Ivanovit, se si nuk duhet të jetë një Kryetar i Republikës. Duke ju drejtuar opozitës së asaj kohe në lidhje me sjelljen e Buxhetit për vitin 2013 pati thënë: “Nuk mundet e gjithë shoqëria, me të gjitha nevojat e saj, të jetë peng i sjelljes së papërgjegjshme. Nëse do të ndodh, për shkak të sjelljes së papërgjegjshme politike, që Maqedonia të durojë dëm ekonomik, me cilën fytyrë nesër do të dilni që ta kërkoni besimin e qytetarëve”. Me këtë rast, siç thekson edhe profesori i së drejtës kushtetuese, Svetomir Shkariqi për Gjorge Ivanovin, kjo vlen edhe për kandidaten Gordana Siljanovska-Davkova: “si jurist, me siguri e njeh mekanizmin e funksionimit të demokracisë parlamentare, të përshkruar nga profesori gjerman, Karl Levenshtajn. Si politolog, me siguri shumë mirë e njeh balansin mes opozitës dhe shumicës parlamentare, si dhe të drejtën e opozitës për obstruksionin e paraparë në Rregulloren e Kuvendit. Si intelektual, në mënyrë të përsosur e di se intelektualiteti i një burrështetasi dhe një njeriu të caktuar më tepër tregohet përmes afërsisë së tij me opozitën, sesa përmes mbështetjes së shumicës parlamentare dhe Qeverisë. Pas fjalimit në Kuvend, opozita e vlerësoi paraqitjen e tij me fjalët në vijim: “Ivanovi veproi jo si Kryetari i Shtetit, por, si hije e besueshme e kryeministrit Gruevski”. Nëse në zgjedhjet e 8 Majit, arrin që ta merr besimin e shumicës së qytetarëve të këtij vendi, kështu duke u bërë kryetarja e parë grua, uroj që të gjitha këto t’i ketë parasysh, e cila jam i bindur se i di më mirë se gjithkush tjetër, sepse është profesoreshë e së drejtës kushtetuese, intelektuale, ashtu që, pritet të gjitha njohuritë e saj t’i zbatojë në pavarësinë e këtij funksioni, të veprojë si Kryetar i Republikës, e jo si hije e besueshme e VMRO-DPMNE-së dhe Mickovskit. 

foto: kercova.net

Filed Under: Analiza

I PARI ËSHTË TINGULLI – Lec Kurti, një madhështi e trefishtë

May 1, 2024 by s p

Uran Butka/

I pari është tingulli, mandej fjala. Lec Kurti u lind dhe u përkund në djepin e tingujve muzikorë të familjes Kurti. I ati, Palok Kurti, krijues i Bandës së parë në Shkodër, njihet si kompozitor i mjaft këngëve qytetare shkodrane si “Për mue paska kenë kismet”, “Marshalla bukurisë sate”, “Qenke nur i bukurisë” etj. Nga i ati, Leci trashëgoi talentin dhe ndjeshmërinë muzikore. Leci i vogël jetonte në botën e tingujve, madje i kuptonte dhe i vlerësonte njerëzit me anën e tingujve, tonalitetit dhe ngjyrës së zërave. Paloka ia njohu drejtimin dhe e nisi për në vendin e muzikës, në Itali. Në vitin 1909, Leci nisi Liceun e Pesaros, mandej Akademinë e Arteve për kompozicion në Venecia, të cilën e kreu në vitin 1916. Kjo është edhe koha e studimit dhe e krijimtarisë muzikore të Lec Kurtit. Të gjitha veprat e tij muzikore që njohim, mbajnë vulën e kësaj moshe të re dhe të kësaj kohe: 1909-1916.
Pas diplomimit, u kthye në Shkodër. Në shtëpinë muzikore “Kurti” do të kishte dhomën më të madhe dhe pianon më të mirë. Ishte i heshtur, punonte në qetësi të plotë dhe askush nuk guxonte kush t’ia prishte qetësinë e punës. Sigurisht që studionte dhe kompozonte, por kompozimet e kësaj periudhe nuk gjinden. “Në shtëpinë Kurti kishte pesë piano, që u shtetëzuan pas vitit 1944. më kujtohet fare mirë se, për t’i nxjerrë ato nga shtëpia, është dashur të prishej edhe çatia. Një nga pianot ia dhanë Radio Tiranës, tjetrën Radio Shkodrës dhe të tjerat në destinacione të kësaj natyre”- kujton aktorja e madhe Tinka Kurti.
Pushteti i komunist mori nga familja e famshme shkodrane të gjithë fonotekën, disqe të panumërta me operat e kompozitorëve më me zë të asaj kohe. Po ashtu, edhe një numër të madh partiturash të Lec Kurtit, që përbënin krijimtarinë e tij. Të gjitha këto u sekuestruan pa ndonjë vendim dhe u hodhën në shtëpinë e kulturës, ku u trajtuan pa asnjë kujdes. Një pjesë e tyre humbën. Është meritë e familjaes Kurti, që në kushte të frikshme, ruajti disa dorëshkrime me vlerë që hedhin dritë mbi historinë e muzikës moderne shqiptare dhe veçanërisht mbi krijimtarinë e Lec Kurtit.
Lec Kurti është shquar dhe ka lënë gjurmë të pashlyera në tri fusha: muzikë, diplomaci dhe politikë. Megjithëse në diplomaci dhe në politikë punoi e veproi për një kohë të gjatë, në fushën e muzikës është “Primo” dhe ka krijuar vepra të rëndësishme që mbeten, me vlera të padiskutueshme profesionale, që janë themeli i muzikës artistike shqiptare. Muzikologu i njohur, prof. dr. Sokol Shupo, studiues i veprës së Lec kurtit, thekson se është padyshim i pari kompozitor profesionist në historinë e muzikës shqiptare dhe vepra e tij është konkuruese.

Kompozitori

Krijimtaria e njohur muzikore e Lec Kurtit numëron gjithsej 24 vepra, tetë prej të cilave të papërfunduara. Ne krijimtarinë e tij përfshihen vepra të gjinive te ndryshme muzikore: opera, sonata, variacione, trio, romanca, , muzikë dhome, muzikë korale, muzikë sinfonike, kuartete dhe pjesë të vogla pianistike etj.
Në historinë e artit shqiptar, Lec Kurti duhet të zerë vendin e tij të merituar. Mjaft më me harresë. Ai është kompozitori i Operës së parë shqiptare, kompozitori i së parës sonatë për piano, së parës sonatë për violinë e piano, së parës temë me variacione për piano, së parës romancë shqiptare, të parit kuartet harqesh dhe së parës muzikë sinfonike në historinë e muzikës shqiptare.
Lec Kurti është babai i kompozicionit shqiptar.
Vepra e parë muzikore e Kurtit është “Romanca Dramatike” e vitit 1909, për të cilën studiuesi grek J. Leotsakos, shpreh dyshime nëse përfaqëson vërtet krijimin e parë te Lec Kurtit. Sipas Leotsakosit, nje vepër e parë nuk mund të ketë atë qartësi ndërtimi, sikurse e ka romanca në fjalë.
Lec Kurti ka kompozuar veprat: “Gavotte”, në si mazhor, 24 shkurt 1912; “Scherzo”, në mi mazhor, 17 dhjetor 1913, “Scherzo”, në la minor, 12 dhjetor ..; romancat “Romanza senza parole”, në mi mazhor, më 9 dhjetor 1913, “Preludio”, në la minor, 20 mars 1913; “Andante”, në la mazhor, “Presto”, në do minor; “Preludio”, në sol minor, 11 maj 1914. Veprat për kanto “Le fronde che vedresti rinverdire, romanza, parole di Ada Negri”, 5 dhjetor 1913 apo “N’amasti mai”, romanza që janë shkruar në Venezia më 2 mars 1914. Të tjera krijime të Kurtit janë edhe “Fuga me katër zëra”, “Marsh Ëied”, klavier, 30 dhjetor 1913, si dhe dy partitura për orkestër sinfonike, njera daton më 10 mars të vitit 1914 dhe tjetra më 2 prill 1914; “Sonata, për violinë dhe piano” në mi mazhor; “Adagio, për violinë dhe piano” në fa mazhor; “Allegro un po sostenutto, për violinë dhe piano” në la minor; “Non troppo lento, për violinë dhe piano”; “Sonata, për violinë dhe piano” në re mazhor. Po ashtu, “Sonata, për violinë dhe piano” në re minor, Venezia, që datojnë në 15 shtator të vitit 1915, “Romanza për violinë dhe piano”, shkruar më 3 shkurt të vitit 1914. Krijimtaria e Lec Kurtit vijon me të tjera vepra për ansamble dhome: ”Trio për violinë, violonçel dhe piano”, që mban datën 6 mars të vitit 1914; “Quartetto”, në sol minor për harqe, shkruar më 24 prill të vitit 1914; “Tema con variazioni”, në la minor; “Allegro molto moderato”, në do minor, 27 janar 1914, “Preludio”, në Re Mazhor, për piano, 20 mars 1914; “Preludio”, 29 janar 1914; “Berceuse”, në la Mazhor, 12 janar 1914; “Minuetto”, në la mazhor, 6 dhjetor 1914, “Preludio”, në sol minor, 20 dhjetor 1914; “Sonata”, në do minor, 19 mars 1914.
Por vepra kryesore është Opera “Arbëreshtja”, Venecia, maj 1915, nga e cila kanë mbetur vetëm 11 fashikuj. Edhe nga sa ka mbetur, vlerësohet jo vetëm si opera e parë shqiptare ( deri më sot besohej se opera e parë ishte “Mrika” e Preng Jakovës, viti 1959), por edhe si një vepër tepër profesioniste me temë shqiptare.
Leci mund te konsiderohet, pa frikë si kompozitor klasiko-romantik. Eshte klasik ne pikpamje të formës, ndersa deri-diku romantik, për shkak të gjuhës harmonike të përdorur dhe shmangies nga rregullsia e principeve formale klasike. Dy vitet e fundit të krijimtarise se tij, 1915-1916, shenojne dhe vitet e pjekurise se tij kompozicionale. Nga partiturat e vitit 1915 vjen per here te pare ne krijimtarine e tij forma e sonates (Sonata per piano ne Do-), e cila të krijon përshtypjen e ndikimit bethovenian. Padyshim që në krijimtarinë e Lec Kurtit kjo vepër shënon dhe pjekurinë e tij krijuese për ta përfunduar në vitin 1916 me “Luisa di Charpentier, quadro II”. Kjo e fundit dëshmon tendencën drejt romantizmit, si edhe njohjen e mirë me krijimtarine e Vagnerit.
Një nga kompozimet e bukura dhe impresioniste të Kurtit është “Hymni Kombëtar”, me tekst të Gjergj Fishtës:
Bini toskë e bini gegë
Si dy rrfe’ qi shkojn’ tue djegë…
Ky hymn patriotik, që i ka qëndruar kohës, ndoshta është krijuar qysh në vitin 1912, por është regjistruar në vitin 1922. Po ashtu, marrshi kushtuar Princ Vidit është kompozuar në fund të vitit 1913, kur V. Vidi ishte caktuar nga Fuqitë e Mëdha si princ i Shqipërisë, ndonëse nuk kishte mbërritur ende në Durrës. Leci edhe me muzikë u paraprinte ngjarjeve. Lec kurti ishte artist i lindur. Brenda tij ishte edhe kompozitori, edhe instrumentisti (ai luante në disa vegla muzikore), edhe poeti, edhe përkthyesi. Ai ka shkruar poemat “Kërshëndellat’, “Mbrashtbulli”, “Sikur të mujsha”, “Lula Marnesha” dhe ka përkthyer në shqip autorë të mëdhenj të letërsisë botërore: Pirandelo, Poe, Gorki, Pushkin, Gauthier, Merime, Korolenko etj. Vepra e Lec Kurtit mbeti e panjohur. Ajo u ndalua, sepse autori më vonë u bë diplomat perëndimor dhe politikan kundërkomunist.

Diplomati

Lec Kurti është diplomati me karierë më të gjatë diplomatike, prej vitit 1918 deri në vitin 1939.
Përse u nda nga jeta muzikore një personalitet shumë i talentuar dhe u përfshi në diplomaci e politikë?
Mendoj se ishte një sakrificë e madhe në dobi të atdheut e të çështjes sonë kombëtare. Shqipëria ishte në gjendje kritike si komb dhe si shtet. Lufta e Parë Botërore e shkeli dhe e shkatërroi. Ajo u bë shësh lufte i Fuqive të Mëdha ndërluftuese, por edhe e orekseve gllabëruese të vendeve fqinjë. Mjaft ngjarje të hidhura ndodhën edhe për faj të vetë shqiptarëve si largimi i Princ Vidit, lëvizja esatiste dhe rebelimi haxhiqamilist. Në mbërim të luftës, Shqipëria rrezikohej të coptohej sërish. Në këto rrethana ekzistencialiste, atdhetarët dhe politikanët e shquar të Shqipërisë u mobilizuan në një përpjekje madhore për të bërë të njohur çështjen shqiptare dhe për ta mbrojtur atë me çdo mjet. Një nga këta ishte edhe artisti Lec Kurti. Ai e ndjeu përgjegjësinë e kohës dhe të vetvetes dhe zgjodhi diplomacinë si një armë të fuqishme për të propaganduar dhe mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar në botë. Në këtë vendimmarrje ndikoi edhe koha e intenimit të tij, bashkë me të atin, në Korfuz, në vitin 1917. Njohës i mirë i kulturës dhe i gjuhëve europiane, ai u angazhua në artin e diplomacisë për gati 21 vjet me radhë.
Fillimisht si zv.konsull në Bari në vitin 1918, mandej në Romë si ingarkuar me punë i Shqipërisë në Itali. Atje ndihmoi emigracionin shqiptar të zhvendosur për shkak të luftës. Ruhet në arkivat e Ministrisë së Jashtme një rekomandim i Fan Nolit i vitit 1922 për vlerat e Lec Kurtit si diplomat i mençur, i përkushtuar dhe i ndershëm
Ai zëvendëson Mid’hat Frashërin në vitin 1926 si Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi, ku vijon me sukses punën për afrimin e bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve fqinjë.
Kulmi i veprimtarisë diplomatike të Lec Kurtit është përfaqësimi prej tij i Shqipërisë në Lidhjene Kombeve 1930-1935. Një përfaqësim dinjitoz që e rriti prestigjin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. “Lec Kurti ishte inteligjent, poliglot, shumë i kulturuar, njohës i mirë i çështjes shqiptare dhe i të drejtës ndërkombëtare”- thotë diplomati tjetër i shquar, Fuat Asllani.
E mbylli karierën diplomatike si Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Britaninë e Madhe. Vlen të përmendet protesta e tij në Radio Londra kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939. Zëri i Lec Kurtit ishte zëri i parë dhe i vetëm në Evropën mjerane të asaj kohe, kur zërat e tjerë të politikës “së madhe” evropiane heshtën dhe e pranuan pushtimin.
Gjithashtu, Lec Kurti bashkë me Miss Durhamin, mbrojtësen e madhe të Shqipërisë, dhe miq të tjerë të Shqipërisë në Londër, protestuan përpara Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe kundër agresionit ushtarak fashist ndaj Shqipërisë si edhe kundër heshtjes së qeverive perëndimore për pushtimin e një vendi anëtar i Lidhjes së Kombeve.
Në këto çaste dramatike, Lec Kurtit i erdhi një ftesë nga “Vatra”, që e grishte në SHBA si kryetar i shoqërisë panshqiptare “Vatra”. Por lec Kurti nuk pranoi. Ai mendoi se në kushtet e robërisë të Shqipërisë, atij i takonte të gjindej dhe të luftonte atje për lirinë dhe pavarësinë e popullit e të vendit të tij.

Politikani

7 prilli 1939 është dita kur Lec Kurti hyri në politikë.
U kthye në atdhe dhe u lidh me figurat nacionaliste si Mid’hat Frashëri, Jup Kazazi, Zef Pali, Ymer Lutfia, Mustafë Dervishi e personalitete të tjera kombëtare.
Në atë kohë, në Shqipëri kishte nisur reziztenca antifashiste. Më 8 prill 1939, një ditë pas pushtimit, ishin hedhur në Tiranë themelet e organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar” dhe ishte shpërndarë programi prej tetë pikash: “Nacionalizma shqiptare (Balli Kombëtar), Shqipëri 1939”. Natyrisht, Leci nuk ishte ndër themeluesit, sepse atëbotë ndodhej në Londër. Por, me të ardhur në Shqipëri, ai u bashkua me liderët e Ballit Kombëtar dhe mori pjesë aktive në organizimin e Ballit Kombëtar në Shkodër. U zgjodh kryetar i kësaj organizate për prefekturën e Shkodrës dhe e drejtoi atë deri në fund.
Përse Lec Kurti bëri këtë zgjedhje?
Së pari, sepse tek programi i “Ballit Kombëtar” i shprehur tek “Nacionalizma shqiptare” (1939) dhe më vonë, tek “Dekalogu” (1942), Lec Kurti gjeti një alternativë patriotike dhe thellësisht demokratike, që përkonte me idetë dhe formimin e tij: “Luftojmë për mobilizimin e të gjitha fuqive të gjalla të kombit kundër pushtonjësve, për realizimin e idealit kombëtar: Shqipëria e shqiptarëve”
Ndërkohë, ai kishte një miqësi e bashkëpunim të ngushtë me Mid’hat Frashërin, në mënyrë të veçantë kur ishin të dy diplomatë dhe punonin intensivisht për çështjen shqiptare. Në gazetën “Flamuri” është botuar një fotografi e këtyre viteve me diçiturën kuptimplote “Dy miq”.
Natyrisht, një personalitet i kulturës dhe i diplomacisë, i edukuar në një familje nacionaliste dhe i shkolluar e formuar në Perëndim, ku studioi, jetoi e punoi thuajse për 30 vjet nga viti 1909 e deri në vitin 1939, nuk mund të lidhej me lëvizjen komuniste, që binte ndesh me formimin nacionalist dhe idetë e tij demokratike.
Ai ishte i ndërgjegjshëm për udhën që mori. Në ditarin e tij, që ruhet në familjen Kurti në Shkodër, shkruan për veprimtarinë e vet politike: “Në çështje nderi, nuk njoh autoritet tjetër veç ndërgjegjes sime”
Në muajt gusht-shtator 1939 Balli kombëtar u organizua, duke krijuar edhe degët e tij nëpër prefektura. Më 31 gusht 1939 u themelua dega e Ballit Kombëtar për qarkun e Shkodrës, me kryetar Lec Kurtin. E shkruan vetë Lec Kurti tek revista “Rrobni, o vdekje”: “Asht dita e 31 gushtit 1939, që i përgjigjet themelimit të Organizatës “Balli Kombëtar” në Shkodër”
Si kryetar i Ballit Kombëtar për Shkodrën, Lec Kurti, u kthye në një misionar të bashkimit të të gjithë shqiptarëve në luftë kundër okupatorëve nazifashistë. Nga veprimtaritë kryesore të Ballit Kombëtar në Shkodër ishin demonstrata e 26 korrikut 1943 kundër italianëve, ku u vra nga fashistët kryetari i Rinisë së Ballit Kombëtar për Shkodrën, prof. Mustafë Dervishi, miku e bashkëpuntori i ngushtë i Lec Kurtit, lufta e përbashkët e ballistëve dhe e partizanëve kundër italianëve në Reç më 30 gusht 1943 e të tjera. Balli Kombëtar themeloi e botoi edhe revistën “Rrobni, o liri” në Shkodër ku shpalosi idetë dhe veprimet atdhetare e demokratike dhe sidomos platformën për bashkim e luftë të përbashkët kundër pushtuesve. Le të përmendim shkrimin “Bashkim” të Lec Kurtit në revistën”Rrobni, o liri” datë 2.03.1944, ku ai bënte thirrje për bashkim të të gjithë shqiptarëve, pa dallim ideje, në luftën për liri.
Një nga çështjet kryesore të Ballit Kombëtar ishte ajo e Shqipërisë etnike, zhvilluar në mënyrë të plotë e të institucionalizuar në Kuvendin Kombëtar të Mukjes, 2-3 gusht të vitit 1943. Ishte fjala për bashkimin në një shtet të vetëm të trojeve shqiptare, ku shumicën e popullsisë e përbënin shqiptarët, pra, një zgjidhje mbi kriterin etnik dhe mbi parimin universal të vetvendosjes së kombeve, garantuar edhe nga Karta e Atlantikut.
Lec Kurti ishte ithtar i këtij parimi dhe luftëtar i vendosur i çështjes së drejtë të Kosovës martire dhe i Çamërisë së shkombtarizuar e shpronësuar me dhunë, çështje që i kishte mbrojtur me argumenta të pakundërshtueshëm edhe në Lidhjen e Kombeve.
Janë lapidare fjalët e Lec Kutit : “Ne luftojmë për Shqipërinë, as për Shqipëri të Madhe as për Shqipërinë të vogël, por për Shqipëri etnike, që nuk pranon suazë as nga Lindja e as nga Perëndimi, se suaza e kombit formohet vetëm nga kufijtë e kombit ”
Kur komunizmi nisi kryqëzatën ushtarake kundër Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe Krerëve të Veriut, ai ngiti zërin kundër luftës së shqiptarëve kundër shqiptarëve. Ai mori pjesë në “Lidhjen Shkodrane”, marrëveshje ndërmjet Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe Bllokut Indipendent në nëntor 1944 në Shkodër, firmosur nga Lec Kurti e Jup Kazazi për Ballin Kombëtar, Ndoc Çoba dhe Shefqet Muka për Legalitetin dhe Mark Gjonmarku e Hafëz Ali Kraja për Indipendentët, përkundër mësymjes komuniste sllavo-shqiptare
Rezistenca e fundit antikomuniste u bë në Shkodër.
Për t’i shpëtuar hakmarrjes komuniste, por edhe për ta vazhduar rezistencën e përpjekjen në Perëndim, një pjesë e liderve të Ballit Kombëtar u larguan nga Shqipëria. Bashkë me ta edhe Lec Kurti.
Ishte ditë e paharuar ajo e 22 nëntorit 1944. Ora 16.00. Rreth 150 nacionalistë hipën në anije në brigjet e Tivarit. Në heshtje të thellë. Dëgjoheshin veç llapashitjet e dallgëve. Para nisjes, Mid’hat Frashëri u ngrit më këmbë, mandej gjithë të tjerët. Ishte çasti kur do ta linin Shqipërinë, ndoshta përgjithmonë. “Bota duhet ta dijë se ne bëmë detyrën karshi atdheut dhe qytetërimit. Nuk përpiqemi të shpëtojmë lëkurën, se ajo s’vlen as për një daulle. Largohemi prej atdheut për të përsëritur përpjekjen tonë në vende të tjerë dhe përgatisim udhën e shpëtimit të Shqipërisë”- tha Mid’hati.
Udhëtuan drejt Brindisit, mandej me kamiona ushtrie për në Grummo, një kamp përqëndrimi me çadra për refugjatë politikë, rrethuar me tela me gjemba dhe roje britanike.
Ekziston një foto e kampit të Grummos, ku Mid’hat Frashëri, Lec Kurti, me flokë të krejtësisht të bardhë dhe Vasil Andoni kanë dalë pas telave me gjemba. Pikërisht këtu, më 28 nëntor 1944, domethënë gjashtë ditë pas largimit nga mëmëdheu, emigrantët politikë shqiptarë kremtuan Ditën e Flamurit. Mid’hati u tha që të ktheheshin me fytyrë nga Lindja, nga Shqipëria. Të gjithë u kthyen andej… Kënduan në kor Hymnin e Flamurit. Mandej foli Mid’hat Frashëri. Ishte e para herë, ndoshta e papërsëritshme në historinë e ligjërimit botëror, që dëgjuesit dëgjonin me shpinë të kthyer nga folësi, por me fytyrë kthyer nga mëmëdheu i tyre! Lec Kurti, derdhte lotë mallëngjimi…
Pas tri javësh, emigrantët shqiptarë u vendosën në kampin e Santa Farës, në gazermat e ushtrisë italiane të Karbonarës. Aty erdhi një përfaqësi e Misionit Aleat, ku bënte pjesë edhe Alfred Andoni nga Elbasani dhe Asim Jakova nga Shkodra. Misioni u takua me Mid’hat Frashërin, Lec Kurtin dhe Vasil Andonin. Lec Kurti bisedoi me kolonelin Hill që kishte qenë në Shqipëri dhe me të cilin ishte miqësuar në Angli dhe i dha atij një mesazh për qeverinë italiane dhe britanike për refuzimin e dorëzimit të tyre tek guberna e Enver Hoxhës, që i kërkonte me insistim si kriminelë lufte.
Në kampin e Reggio Emilias, dita niste me korin e mëngjezit, që e drejtonin Lec Kurti dhe Dom Zef Shestani, nganjëherë dhe Zef Pali apo Veniamin Deljana. Kori fillonte me këngën “Lutje Zotit” dhe vazhdonte me këngë patriotike kushtuar Flamurit dhe dëshmorëve të kombit: Hysni Lepenica, Safet Butka, Mustafë Dervishi, Dom Ndre Zadeja, Besnik Çano, Hamit Troplini, i cili ra duke luftuar në Kosovë e të tjerë. Tekstet e këtyre këngëve janë përmbledhur nga Mid’hat Frashëri tek libërthi “Mallëngjimi”. Mendoj se disa prej këtyre këngëve t’i ketë vënë në muzikë Lec Kurti, por edhe Dom Zef Shestani, Luan Gashi etj. Gjithashtu në konferencat kulturore që mbaheshin çdo javë në emigracion në Ditët e Kulturës, ku Lec Kurti mbante bisedat për muzikën, siç kujton Seit Demneri.
Në memorandumin paraqitur Konferencës së Paqes në Paris, më 23 korrik 1946, Mid’hat Frashëri, Lec Kurti e Vasil Andoni shpjegonin tragjedinë që i solli Shqipërisë propaganda komuniste e ardhur nga jashtë, regjimi totalitar i Enver Hoxhës, lufta vëllavrasëse e nxitur dhe e drejtuar nga PKSH-ja e cila u vu në shërbim të jugosllavëve.
“Po të mos ishte propaganda e ardhur nga jashtë, shteti ynë i vogël pranë Adriatikut, do të ishte vendi më pak fatkeq dhe, njëkohësisht, më i lumturi i Ballkanit. Fatkeqësisht, propaganda në vendin tone u ashpërsua, ajo iu bind një logaritjeje të gabuar. Vërejtjet e bëra nga Balli Kombëtar, që parashikonte qysh në fillim se kujt do t’i shërbente lufta ideologjike dhe aspak patriote, nuk paten fatin të merreshin në konsideratë nga ata që ishin ngarkuar të bashkërendonin rezistencën aktive. Kështu që furnizimet e Aleatëve iu dhanë Partisë Komuniste Shqiptare, që u vu në shërbim të Jugosllavëve. Dhe me porosi të tyre udhëhoqi luftën vëllavrasëse në Shqipëri, e cila nuk u shërbente interesave të vendit dhe Fuqive të Mëdha”- shkruhej në këtë memorandum. “Situata sa tragjike aq e hidhur e Shqipërisë së sunduar nga një regjim i paligjshëm sa totalitar aq edhe despotik do të ndryshonte me angazhimin e me përpjekjen e të gjithë shqiptarëve brenda e jashtë Shqipërisë, jo me mjete dhune, armë e gjak, por me vullnet fisnik dhe mjete demokratike, me mbështetjen e vendeve perëndimore demokratike.”
Me këtë ëndërr mbylli sytë përgjithnjë në Romë, në shtëpinë e motrës, në dhjetor të vitit 1948. Në varrimin e tij morrën pjesë gjithë emigrantët shqiptarë. E përcollën për në banesën e fundit me “Hymnin e Flamurit” të kompozuar nga vetë i ndjeri në fillimet e shtetit të pavarur shqiptar. E nisi dhe e mbylli jetën me tingujt e muzikës së tij të pavdekshme.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT