• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2024

MUSICAL AMERICA (1947) / NJË KRITIKË QË ASKUSH NUK DUHET TË HUMBASË PËR LIBRIN E FAN NOLIT “BEETHOVEN DHE REVOLUCIONI FRANCEZ”

May 28, 2024 by s p


Burimi : Musical America, 1 dhjetor 1947, faqe n°31
Burimi : Musical America, 1 dhjetor 1947, faqe n°31

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 26 Maj 2024

“Musical America” ka botuar, me 1 dhjetor 1947, në faqen n°31, një shkrim kritik mbi librin “Beethoven dhe Revolucioni francez — Beethoven and the French Revolution” të Fan Nolit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Beethoven dhe Revolucioni francez

Nga peshkopi Fan S. Noli,

International University Press, Nju Jork, 1947. 117 faqe. 2,50 dollarë.

Burimi : Musical America, 1 dhjetor 1947, faqe n°31
Burimi : Musical America, 1 dhjetor 1947, faqe n°31

Peshkopi Fan Stilian Noli, pasi ka mbushur moshën 65-vjeçare, vështirë se mund të pretendojë nofkën “i ri” që përdoret kaq shumë këto ditë në Amerikë për njerëzit e fushës së muzikës që nuk i kanë mbushur ende të 50-at. Ai ka lindur në një vendbanim shqiptar pranë Adrinopojës, ka studiuar në Harvard, në Universitetin e Bostonit dhe në New England Conservatory. Ai është B. A., mus. Bac., Ph.D.; edhe kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare në këtë vend. Në vitin 1920 përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve dhe më 1924 u bë kryeministër dhe ushtrues detyre i regjentit të atdheut të tij. Gjeti kohë gjatë viteve të turbullta të viteve ‘30 për të bërë studime të konsiderueshme në fushën e muzikës dhe historisë. Dhe frytet e kërkimeve dhe veprimtarive të tij shkencore përfshijnë një vëllim të vogël me pamje të thjeshtë prej pak më shumë se 100 faqesh të quajtur “Beethoven dhe Revolucioni francez”.

Na thuhet se dekani i ndjerë i Kolegjit të Muzikës Universitare të Bostonit e përshkroi veprën si “një kontribut të vërtetë për letërsinë e Beethoven”. Është e gjitha kjo dhe ne pajtohemi me gjithë zemër me botuesit që thonë se “çdo admirues i Beethovenit duhet ta lexojë këtë libër”. Jo sepse tregon diçka të re apo të paarritshme deri tani. Por pikërisht për arsyen se, duke grumbulluar fakte dhe të dhëna të disponueshme prej vitesh, dhe duke nxjerrë prej tyre deduksione logjike të shkëlqyera, peshkopi Noli na paraqet një portret të Bethoven-it,  që i kujton dikujt llojin e fotografisë që Kromuelli i kërkoi të kishte pikturuar për veten e tij – pa asnjë lyth apo të metë të modifikuar apo eliminuar. E gjithë monografia është, nga njëra anë, një demistifikim i paçmuar. Dhe gjëja më befasuese është se autori nuk dështon kurrë të mbështesë pohimet e tij më ekstreme. Gjithçka është e dokumentuar deri në fund. Ne jemi vërtet të befasuar kur shohim se si ky libër i vogël i shpëtoi shkrimit të mëparshëm.

Ndoshta është më mirë kështu, sepse ka relativisht pak muzikologë dhe historianë që shkruajnë me aq shkëlqim dhe humor të thatë sa ky klerik i denjë. Megjithatë, në njëfarë mënyre traktati nuk i përshtatet shumë mirë emrit të tij. Ndikimi i Revolucionit francez te kompozitori është, në realitet, vetëm një pjesë e tregimit dhe ndoshta jo pjesa që ngjitet më fort pas kujtesës së lexuesit. Kapitulli i shkurtër dhe i mprehtë i titulluar “Beethoven the Man” është në një farë mënyre pjesa më e çmuar e veprës për përvijimin mahnitës të gjallë dhe shkatërrimtar të kompozitorit që ofron – një idhull me këmbë prej balte, nëse ka pasur ndonjëherë një të tillë.

Në fund të fundit, natyrisht, të gjitha këto dobësi dhe vrazhdësi nuk kanë vërtet rëndësi dhe nuk e heqin lavdinë e kontributit të Bethoven për njerëzimin. Por paradoksi zbavitës i këtij vëllimi të vogël qëndron në faktin se një biznesmeni i është dashur të bashkojë një pasuri të tillë detajesh shpesh të rrëmujshme, ta përqendrojë dhe ta fokalizojë në atë mënyrë që të na prezantojë shkëlqyeshëm një hyjni që ishte, në e tërë, çdo gjë më shumë se sa një shenjtor. “Asgjë nuk i dëmton perënditë” (Göttern schadet nichts) janë fjalët me të cilat autori e mbyll studimin e tij – dhe kjo ndjenjë madhështore është thelbi i librit.

“Beethoven i vërtetë,” sipas burimeve dhe jo legjendave, “është më interesant se të gjithë heronjtë legjendarë të mbledhur së bashku”, përmbledh Peshkopi. “Beethoven i vërtetë, sipas burimeve, ishte shumë i shëmtuar dhe nuk dukej aspak si një hero. Ai u godit nga disa dobësi dhe ishte pothuajse i gjymtuar nga shurdhimi… Ai ishte një pijanec i rëndë dhe thjesht pinte deri në vdekje në vitet e fundit të jetës. Ai nuk ishte as puritan, as tepër seksi, kishte disa lidhje dashurie, por asnjëra prej tyre nuk ishte aq serioze sa të ndikonte shumë thellë tek ai. Ai ishte shumë i keq për të gjithë rreth tij, ai sillej si një despot oriental dhe e meritonte plotësisht titullin e Grand Mogul që i dha Haydn. Pavarësisht nga të gjitha problemet e tij, Beethoven ishte zakonisht gazmor dhe letrat e tij janë plot me pseudonime, lojëra fjalësh, shaka dhe me të qeshura ulëruese. E vetmja dashuri serioze që Bethoven kishte ndonjëherë ishte ajo për nipin e tij të vogël, kujdestari i të cilit ai u bë. Shqetësimet për këtë fëmijë pushtuan 12 vitet e fundit të jetës së tij. Arsimi i tij ishte shumë i mangët, por ai i dha vetes një arsimim të shkëlqyer duke lexuar me bollëk libra të të gjitha llojeve.

“Gjermania dhe Austria u ndikuan thellë nga Revolucioni francez. Po ashtu edhe Beethoveni. Ai ishte arka e feve dhe e mbylli jetën me një tallje për Kungimin e Shenjtë që mori. Mungesa e fesë së tij është dëshmia më e rëndësishme se ai kishte pikëpamje radikale politike. Ai ishte republikan… Sistemi i tij etik i ngjan shumë atij të Mbinjeriut dhe Vullnetit për Pushtet të Niçes. Donatorët e tij ishin aristokratë të shkolluar, por miqtë e tij intimë ishin republikanë, si ai. Përshkrimi i Beethoven nga Gëte, ftesa ndaj Beethovenit nga mbreti Jerome Bonaparte i Vestfalisë për të qenë kryetar i oborrit të tij në Cassel dhe raportet sekrete të policisë së Vjenës mund të konsiderohen si diploma që konfirmojnë ideologjinë revolucionare të zotit. Nga ana tjetër, Beethoven ishte pak antisemitik dhe pretendonte se e kishte prejardhjen nga mbreti prusian Frederick William II. Si përfundim, Bethoven ishte bir i Revolucionit francez, siç e përshkruan Romain Rolland, por me pak rezerva për disa nga pikëpamjet e tij reaksionare dhe aktet oportuniste.

“Ne nuk kemi asnjë pamje (tablo) të mirë të Beethoven. Fotografia e tij më e mirë do të ishte ajo që thekson tre nga karakteristikat e tij kryesore : dashurinë e tij të jashtëzakonshme për nipin, shëmtinë e tij fizike së bashku me egoizmin dhe arrogancën e tij; dhe muzikën e tij revolucionare. Sugjerimi i mëposhtëm i ofrohet një piktori ose një skulptori : një gargojle njerëzore me flokë të ngjeshur dhe dhëmbë fort të dalë që mban një djalë të bukur me njërën dorë dhe Simfoninë e Nëntë me tjetrën. Mbishkrimi duhet të jetë si vijon : Beethoven Engjëlli, Djalli dhe Rebeli.”

Në këto paragrafë përmbyllës, peshkopi Noli përmbledh përmbajtjen e librit të tij, të cilin dikush do të donte ta përmbledhte shumë më tepër se sa është e mundur këtu. Megjithatë, një fjalë paralajmëruese : ky është një libër që asnjë student apo “Beethovenolator” nuk duhet të ëndërrojë ta humbasë.

Filed Under: Kronike

ALEANCA E BRISHTË NDËRMJET XI E PUTINIT 

May 28, 2024 by s p

Nga FEDERICO RAMPINI – “Corriere della Sera”, 18 maj 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika/

“Keep on Rockin’ in the Free World” ka kënduar sekretari i Shtetit Antony Blinken, duke shoqëruar me kitarrë në një bar të Kievit. Por ajo copë klasike e Neil Young është më pak optimiste nga sa mund të duket nga tituli. E kompozuar më 1989, ndërsa shëmbej blloku komunist i zotëruar nga Bashkimi Sovjetik e Amerika fitonte luftën e ftohtë, ajo këngë ishte, mbi të gjitha një autokritikë  për të këqijat e shoqërisë amerikane. Edhe atëherë, në majën e prestigjit tonë botëror, këndonim “kundër” vetvetes.

Tridhjetepesë vite mbas rënies së Murit të Berlinit, “bota e lirë nuk po vallzon rokun”, comenton Washington Post. Shfaqja e Xi Jinpingut që në kuptimin e vërtetë të fjalës përqafonte Vladimir Putinin – një paraqitje dashurie e pazakontë  për udhëheqësin solemn kinez – don të shprehë  veçimin e Perëndimit. Vizita e gjatë e Putinit në Republikën Popullore ka çimentuar Boshtin që nuk ka asnjë logjikë ekonomike: shkëmbimi i mallrave ndërmjet Kinës dhe Perëndimit vlen gjashtë herë t’atij me Rusinë. Ndërmjet atyre të dyve ngjitësja është shumë më e fuqishme se sa interesi lëndor: neveria për “botën e lirë” e synimi për të shpejtuar rënien tonë, të vërtetë apo të supozuar që të jetë. 

Boshti Xi-Putin ka shumë kundërshti dhe brishtësi. Por duhet konstatuar dukja: një pjesë e mirë e botës është në anën e tyre, ndoshta edhe për armiqësinë e përbashkët kundrejt nesh.

Shih përparimin e Rusisë n’Afrikë, që vazhdon edhe në këto javë (e i bën disi të vonuara disa nisma të reja si Planin Mattei). Nixheri është i fundit i një sëre të gjatë të regjimeve të grushteve të shtetit që kanë vendosur të përzënë ushtarakët amerikanë. Me gjithë problemet ekonomike që krijoi me mësymjen e Ukrainës, Putini arrin të shtriijë ndikimin e tij ushtarak n’Afrikë, Vënd mbas Vëndi, në sajë të Grupit Wagner. Franca është e rrethuar nga marrëzi kundër-koloniale madje planetare. Nuk mjaftojnë ish kolonitë e saj afrikane që e urrejnë dhe e kundërshtojnë, tani vihet edhe Kaledonia e Re në Paqësor të ngrihet kundër Parisit. Dukuria e hedhjes poshtë të Perëndimit është botërore.

Anekdotë vetiake: në një udhëtim të fundit në Porto Riko, territor SHBA, por jo i barazuar plotësisht me 50 Shtetet e tjerë të Bashkimit, dëgjova se ndërmjet të rinjve rritet përqindja (edhe se në pakicë) e atyre që do të donin pavarësinë e plotë. Të infektuar nga dogmat e shesheve universitare amerikane në kontinent, a nuk shohin se përkatësia në Komonuelthin amerikan i ka shpëtuar nga fati i Haitit apo të Kubës?

Ende Perëndimi nuk ka marrë masat e duhura kundrejt problemit, se sa është urgjente të rimerret nisma e Jugut të Madh për t’u a hequr ata XI-së e Putinit. Tragjedia e Gazës ka rënduar humoret kundër-amerikanë e kundër-perëndimorë ndërmjet shumë Vendeve të Jugut, jo vetëm myslimanë: n’Azi, Afrikë, Amerikën Latine, shumë rigjejnë atë shpirtin e “botës së tretë” që, në vitet Gjashtëdhjetë e Shtatëdhjetë  i dorëzoi ata propagandës sovjetike ose maoiste apo kastriste. Një hop mbrapa në të shkuarën. Si atëherë, Perëndimi vallzon rokun duke u vetëfshikulluar e duke shprehur tmerr për vetveten. Dje Ernesto Galli della Loggia me të drejtë ka vërejtur se problemi fillon me vetë neve dhe indoktrinimin e dhënë të rinjve tanë. Psikoterapistët na mësojnë se nëse nuk ke asnjë thërrime vetëvlerësimi, nëse luan me poshtërimin e shkatërrimin, është e vështirë që të tjerët të të respektojnë. Ajo që bota mendon për ne  është përfundim i një praktike të gjatë vetë-shkatërrimi, në të cilin jemi përshkruar  si qytetërimi më i rrezikshëm i historisë njerëzore, duke nxirë dy shekuj të historisë së përparimit. Por kuadri është më pak rrënimtar se sa duket. Të marrim përqafimin e XI-së e të Putinit. Një studjues rus që drejton në Berlin Carnegie Russia Eurasia Center, Alexander Gabuev, ka përshkruar përdhunimin e kulturës e të historisë së popullit të tij, që Putini kryen n’emër të nënështrimit ndaj Kinës. Rusët papritmas blejnë vetëm “made in China”, bëjnë pushimet në Kinë, i shkruajnë fëmijët në shkollën e gjuhës mandarine. Është një përpjekje për të shrrënjosur shekuj prirjesh evropiane në zakonet e në kulturën ruse. Paraqitja e botës që i kundërvihet Perëndimit një “koalicion i gjithë të tjerëve” davaritet sapo vërehet se çfarë ndodh në afërsi të perandorive autoritare. Jo vetëm Ukraina, edhe shoqëria civile në Gjeorgji është në luftë kundër detyrimeve të Moskës. Jo vetëm Taivani, edhe Filipinet mobilizohen për t’u mbrojtur nga ekspansionizmi agresiv i Xi Jingping-ut.

Përsa i përket të rinjve tanë: nuk i japim të drejtën nëse i njëjtësojmë të gjithë me rradhët pro-Hamas që djersitin urrejtje kundër Perëndimit. Këtu n’Amerikë  faqja tjetër e botës rinore është një shpërthim i krijimtarisë teknologjike e sipërmarrësie: mosha nën 29 vjeçe, e puthur nga punësimi i plotë, shpreh një përqindje të rinjsh që drejtojnë start-up. Janë talentet e rinj që projektojnë etapat e ardhëshme të inteligencës artificiale, një sektor në të cilin Amerika ka fituar drejtimin botëror. Do të ishte jo bujare të përcaktohej ajo pjesë e brezave të rinj si “shumicë e heshtur”. Nuk janë aspak të heshtur në laboratorët e kërkimeve e në këshillat e administratave ku punojnë. Mes tyre një kuotë janë talente të importuar, vijnë nga Jugu i Madh që “voton me këmbë”: vijnë në Amerikë sepse besojnë në lirinë e sipërmarrjes e në ekonominë e tregut. Ideja e tyre e Perëndimit, kaq e ndryshme nga ajo e Putin-Xi, meriton vëmëndje.

“Corriere della Sera”, 18 maj 2024      Përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Komente

PERO KAÇAUNI NJЁ FOTOGRAF I HERSHЁM NЁ SHQIPЁRI  DHE SHBA

May 28, 2024 by s p

Autoportret.jpg

Nga: Kristaq  BALLI

KRISTI 11.jpg

“Fotot hapin dyert e së kaluarës, por gjithashtu lejojnë të vështrosh në të ardhmen”

          Sally Mann, 1951

Veç të tjerash, Dardha e Korçës është e përmendur si një prej oazeve etnokulturore të Shqipërisë, prej ku u lindën dhe zhvilluan veprimtarinë e tyre një plejadë e madhe ikonografësh e më tej fotografësh, madje këta të fundit  përbëjnë edhe pikën e referimit të nisjes dhe lëvrimit të fotografisë në Shqipërinë Jugore paralelisht në kohë me dinastinë Marubi në Shkodër. Fotografi i vjetër dardhar Jani Zengo (Papa Jani Zengo) që mendohet se ka realizuar foton e parë të tij më 1862, konsiderohet nga studiuesit si fotografi i parë autokton shqiptar. (Q. Vrioni, N. Kotherja, K. Balli). Kësisoj krijimtaria e fotografëve të vjetër dardharë ze një vend të posaçëm në Historinë e Fotografisë Shqiptare.  

Gjatë dekadave të fundit të shekullit XIX Dardha kish pësuar një rritje të vrullshme të popullsisë së saj. Meqënëse burimet natyrore për sigurimin e jetës, kryesisht toka, u bënë të pamjaftueshme për përballimin e nevojave të prodhimit bujqësor e blektoral për ushqim e të ardhura, burrat dardharë kishin gjetur një alternativë tjetër punësimi, atë të spatarit, sharxhiut, qymyrxhiut, pra të përpunimit të drurit. Këto profesione ishin të kërkura në vendet e Ballkanit si në Greqi, Serbi, Rumani, Turqi, ku këta burra punëdashës nuk nguruan të shkonin e të punonin për t’ju ardhur në ndihmë familjeve të tyre në fshat. Shpesh kryefamiljarët merrnin me vete edhe djemtë e tyre të rinj apo adoleshentë për të punuar, por edhe për të rënë në kontakt me një mjedis më të zhvilluar, ku ata mund të punonin, por edhe të edukoheshin e kultivoheshin me një kulturë më kozmopolite. Një nga këto familje ishte edhe ajo e Jovan Kaçaunit, i cili ushtronte profesionin e përpunuesit të lëndës drusore në Greqi, Rumani e Rusi. Si plot të tjerë ai merrte me vete edhe tre djemtë e tij, njëri nga të cilët ishte Perikliu, apo shkurtimisht Peroja. Nga fotot e familjes Kaçauni, vihet re se ajo ishte në gjendje ekonomike relativisht të stabilizuar në sajë të punës dhe se babai Jovan kishte synim edhe të ardhmen më të mirë të fëmijëve të tij. Ndoshta kjo shte një nga arsyet që Peroja iu përvesh mësimit të një prej profesioneve të reja asokohe në botë, atij të fotografit dhe këtë ai e bëri në Odesa të Rusisë, siç do ta vlerësojmë edhe më tej, tepër cilësore, pasi influencat artistike e estetike të saj do të linin gjurmë edhe në krijimtarinë individuale të paskëtajme të tij në Dardhë dhe SHBA. 

Familja.jpgPeroja kishte lindur në Dardhë në vitin 1880 dhe kur studioi e praktikoi për herë të parë fotografinë duhet të ketë qenë riosh, rreth moshës 20 vjeçare, pasi dihet që ai u kthye në Dardhë si fotograf i formuar rreth vitit 1900, ku menjëherë “ngriti” studion me sfondin e tij të njohur antik, të pikturuar me kollona antike të lashtësisë, ashtu sikundër objekt i kamerës të tij ishin edhe fotot në natyrë në mjedise arkitekturore, familjare, festive, piknikë, ceremoni masive e ngjarje të shënuara fetare, sociale,etj. Madje ai ishte edhe një fotograf shëtitës në fshatrat e zonës përreth, ku në atë kohë nuk kishte fotografë.

MONTAZH 1 copy.jpgda-F-089-2 copy.jpgVeprimtaria fotografike e Peros në Dardhë zgjati rreth 10 vjet. Sigurisht, duke ushtruar vetëm këtë profesion, prodhimtaria e tij është e bollshme dhe e identifikueshme. Zor se mund të ketë familje në Dardhë, apo edhe më tej, që të mos ketë trashëguar  fotografi të vjetra (1900-1910) të Pero Kaçaunit, ashtu siç nuk mund të ketë ngjarje masive të asaj kohe që të mos jetë fiksuar në thierrëzat e tij. Por, meqë bëhet fjalë për vitet 1900-1910, dhe në Shqipëri ende nuk parashikohej e vlerësohej vizioni i vlerave historike e artistike të fotografisë, edhe krijimtaria e këtij mjeshtri nuk bëri përjashtim nga mossistemimi, pakujdesitë, dëmtimet, sidomos pas largimit të tij përfundimtar në ShBA.

da-F-080-2 copy.jpg

UJI BEKUAR 1906.jpgPor dihet se numuri,  larmia tematike dhe e subjekteve e fotove të tij ishte shumë e madhe. Në fotot masive të banorëve të fshatit në natyrë dallohet përkujdesja e tij për të zgjedhur tablo ku evidencohen dhjetra burra, gra e fëmijë para peizazheve të njohura si Sheshi i Shën Thanasit, Kodra e Vogël, Shën Pjetri në raste festash, ceremonish të ndryshme, dasmash, festash fetare, piknikësh e ngjarjesh kulturore, etj., që zakonisht organizoheshin gjatë stinëve të ngrohta, kur burrat e djemtë e tyre ktheheshin nga mërgimi sezonal dhe punonin në fshat në punët bujqësore e blektorale. Një veçori që të bije në sy është se, përgjithësisht, ai preferon shkrepje  “rastësore” të turmave të veshura me kostume tradicionale dardhare dhe kjo u jep një vlerë të veçantë etnografike fotove të tij.

Fotografimi në “studio” ishte ndoshta puna kryesore dhe më profesionale, ku shpaloset edhe formimi i tij  mjeshtëror nga një shkollë shumë serioze. Këto foto kanë subjekt kryesor  familje të shumta të Dardhës apo fshatrave përreth si kujtime e dëshmi mbresëlënëse për pasardhësit e tyre, apo për t’ia u dërguar anëtarëve të tjerë të familjes në ShBA, me të cilat ata çmalleshin. 

1 kartolina origjinale copy.jpgNga ky version fotografimi, ku fotot janë të shumta, duhet vlerësuar fakti që Pero Kaçauni ishte shumë ekzigjent dhe i duruar në fazën përgatitore të kurimit të mizansenës. I prirur pas formalizmit  të skajshëm estetik, detajeve të hierarkisë familjare, kërkesës për rregullsinë e pastërtinë e veshjeve ceremoniale, të kompozimit të detajeve, ku të binte në sy qëndrimi impozant i çdo personazhi,  ekspozimi nën një dritë natyrale që krijonte raporte të dalluara dritë-hijesh, kryesisht me kontraste të mprehta që nuk mënjanoheshin kollaj (pasi atë botë nuk ishte aplikuar elektriciteti), si dhe përpunimi “laboratorik” shumë i kujdesshëm, vendosja e tyre mbi një kornizë kartonçine që ato mund të vareshin apo të qëndronin mbi tryezë apo komo, i bënin këto foto jo vetëm punime të vërteta artistike, por edhe që  zbukuronin dhomën e miqve me “panorama” të vyera. Fototeka e tij e shpërndarë gjithandej në Dardhë përbën shembullin e një fotografi relativisht të brezit të vjetër, por figurativisht tejet konsekuent e “ekspresionist” në pamjen e vlerësimin  e përgjithshëm  të fotografisë dhe që e vendos atë në vendin e merituar të historisë së fotografisë shqiptare.

Dega_e_Vatres_ne_Boston_1912.jpgKoshient, por edhe i afirmuar për nivelin e tij mjeshtëror në fotografi, pas 10 vitesh pune intensive në Dardhë, më 1910 ai vendos të shkojë në SHBA, po ashtu me synime të reja në profesionin e tij. Por, gjithsesi,  duke e lënë Dardhën me një pauses tjetër, të cilin e pati ndihmës për disa kohë, i mësoi  sekretet e  profesionit,   i dhuroi atij të gjitha aparaturat dhe, kështu, mërgoi i sigurt se Dardha  nuk do të mbetej pa fotograf. Fatmirësisht, qëlloi që edhe pasuesi i tij, pra Thimi Raci të ketë po ashtu  një “dorë” mjeshtri pasionant.

  Pjesa e dytë dhe më e gjata e mjeshtërisë së tij si fotograf përbëhet nga ushtrimi i saj në SHBA. Ai u përshtat shumë shpejt në Boston, ku ishin edhe shumica e emigrantëve korçarë e  dardharë dhe, pas një fare kohe realizoi qëllimin e tij për të hapur një studio fotografike, sigurisht me arametra e paisje më të përparuara që t’i përshtatej tregut të avancuar e shumë konkurues amerikan në këtë zeje artizanale. Jo vetëm për statistikë e kuriozitet, duhet të theksoj se Pero Kaçauni ishte i dyti fotograf shqiptar në SHBA (pas Kistaq Sotirit (1883-1970), i cili, pasi kishte mësuar profesionin e fotografit nga kunati i tij Kristo Sulidhi në Korçë, emigroi në ShBA në vitin 1900 duke ushtruar  fotografinë në fund të dekadës së parë të shekullit të ri e më vonë dhe  që parapriu edhe disa fotografë të tjerë shqiptarë më të rinj të njohur botërisht si Gjon Mili, George D.Boria dhe George Tames, etj.,  të cilët kanë lënë kontribute të vyera për Amerikën dhe gjithë Botën. (K. Balli në disa artikuj mbi ta)

Peroja kishte karakter të tipit tepër social, të komunikueshëm, të shoqërueshëm dhe aktiv e altruist në problemet që lidheshin me marrëdhëniet e komunikimin me fshatin tij të lindjes, me shoqëritë bamirëse të fshatit dhe akoma me organizatat atdhetare e politike, si dhe me gazetat e emigrantëve shqiptarë të Amerikës, për të cilët edhe punoi për shumë fotografi të karakterit patriotik, disa nga të cilat  përdoren edhe sot masivisht si ilustrime në shtypin shqiptar për marrëdhëniet e atëhershme shqiptaro-amerikane.

Sigurisht pjesa kryesore e punës së tij të përditshme ishte fotografia komerciale, me të cilën ai siguronte jetesën. Ishin pothuajse të gjithë dardharët e  shqiptarët në Boston e rrethinat që frekuentonin studion e tij tashmë jo anonime por të emërtuar “Perry Studio, 29 ½ Tremont Street, Boston Mass” dhe të stampuar në një kënd  fotove. Emri i studios së tij u bë  i preferuar nga shumë klientë dhe biznesi i shkoi mirë e ai mbijetoi në tregun amerikan.

Kuvendi_Vatres_1920.jpgNuk kishte emigrant apo familje emigrantësh në Boston që të mos kishte fotografi të realizuara nga Pero Kaçauni. Një pjesë e tyre dërgoheshin në Dardhë si kujtime familjare e kjo do të thotë se fototeka e Kaçaunit është shumë e madhe dhe e larmishme. Por fotot e tij janë aq të shpërndara dhe koha ka bërë punën e vet, sa është shumë e vështirë  të krijohet një koleksion gjithëpërfshirës për të. Disa dhjetra pllaka xhami negativësh të punëve të tij në Dardhë janë digjitalizuar e   ruhen ende sot. Pjesë e veprimtarisë së tij në  SHBA e cila është mbledhur, tregon se Kaçauni e ka perfeksionuar dhe pasuruar me detaje e vlera të reja mjeshtërinë e tij në cilësi, larmi këndvështrimesh e formatesh, ai ka aplikuar madje montazhin dhe polifoton që ishte një gjini relativisht e re dhe e jo fort e praktikuar  nga fotografë të zakonshëm, po ashtu edhe kujdesin për standardin e lartë të kurimit të kornizave që i jepnin fotove një pamje më estetike . 

Me  emrin e Pero Kaçaunit lidhet  gjithashtu botimi i kartolinës më të hershme shqiptare të ilustruar me foton e tij Ura e Dardhës e vitit 1904. (Kristaq Balli: Një prej kartolinave më të Hershme Shqiptare. Gazeta “Koha Jonë”, 13.3.2016, f.18-19)

Në një vlerësim të përmbledhur, Pero Kaçauni mund të cilësohet si një prej fotografëve të vjetër shqiptarë që ze vend të merituar në historinë e fotografisë shqiptare. Ai shfaqet si një produkt i një studioje të kualifikuar, ai u mësua dhe u kultivua me prirjen, vullnetin e pasionin e vet, punoi për rreth pesë dekada këtë profesion jo vetëm për të plotësuar kërkesat e klientëve të vet, por edhe duke tentuar që në një pjesë të tyren (sidomos ato të periudhës së Dardhës, 1900-1910) të bëjë edhe  kronikanin apo fotoreporterin e historisë (Qerim Vrioni:” Pero Kaçauni – një fotograf midis Dardhës dhe Amerikës, gazeta “Vatra”, 27 Gusht 2015) traditave, zakoneve, evenimenteve e sidomos etnografisë e etnokulturës të një prej zonave tipike të zhvilluara shqiptare, si Dardha,  në fillim të shekullit XX.  Ndërkaq, puna e tij në ShBA e rriti atë profesionalisht e artistikisht duke e shndrruar në një mjeshtër ekselent plot sqimë e intuitë, të kulturuar e të kompletuar  “më aristokratin”  midis fotografëve të hershëm dardharë.

Pero Kaçauni ndërroi jetë në SHBAnë vitin 1949. 

■■■■■

Burime referimi: 

Niko Stefani, Vangjo Ilo:: “Të dhëna për fotografinë dhe fotografët dardharë deri në gjysmën e dytë të shekulit XX”, Kumtesë,  Sesion Shkencor, Dardhë 1985

Qerim Vrioni: 1. Dy fotografë të hershëm nga Dardha e Korçës

          2. Pero Kaçauni – Një Fotograf Midis Dardhës dhe Bostonit

Kistaq Balli: “Kartolina më e hershme shqiptare “Inaugurimi i  Urës në Dardhë”, 1904, Gazeta “Koha Jonë” dt. 13.3.2016, f. 18-19

Niko Kotherja: Enciklopedi e Fotografëve Korçarë Tiranë,2010

Filed Under: Opinion

Një foto e rrallë e Ismail Qemalit në Kongresin e Xhonturqve më 1902, në Paris

May 28, 2024 by s p

Nga Evarist Beqiri

Një foto e rrallë e Ismail Qemalit në Kongresin e Xhonturqve më 1902, në Paris

Nga Evarist Beqiri

Në fillim të shkurtit 1902, u mblodh në Paris, Kongresi 1-rë i Xhonturqve ose thënë ndryshe Kongresi i Opozitës Liberale Osmane. Fotografia që po sjellim është botuar në një nga revistat e përjavshme italiane më të lexuara të kohës “L’illustrazione italiana”, më 15 shkurt 1902. Në qendër të fotografisë gjendet Princi i kurorës Sabahaddin-i (Sabahedin) dhe në të djathtë të tij gjendet Ismail Qemal Bej Vlora. 

Njëkohësisht po publikojmë për herë të parë edhe artikullin për Kongresin Otoman, të publikuar nga gazeta franceze “Le Bloc”, i shkruar nga Xhorxh Klemanso (Georges Benjamin Clemenceau 1841-1929), më 22 shkurt 1902. Aty pasqyrohet edhe zgjedhja e Ismail Qemal në Komitetin e Përhershëm. Kjo gazetë përgatitej dhe botohej asokohe nga Xhorxh Klemanso, burrështetas francez, mjek dhe gazetar, i cili më pas do të bëhej edhe kryeministër i Francës.

Ismail Qemali kishte spikatur në qarqet intelektuale turke edhe në ato evropiane si përkrahës i parimeve liberale. Ai përkrahte parimin e decentralizimit të Perandorisë Osmane, respektimin e të drejtave kombëtare dhe rivendosjen e kushtetutës osmane. Ismail Qemal Vlora ishte një figurë kyçe si e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ashtu edhe e Revolucionit të Turqve të Rinj. Ismail Qemali, së bashku me eksponentë të tjerë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare si Ibrahim Temo, Dervish Hima, Jashar Erebara etj., u përfshinë në lëvizjen e Turqve të Rinj (Xhonturqve), duke pasur parasysh synimin e kësaj lëvizjeje për rivendosjen e kushtetutës së vitit 1876. Ata e shikonin atë si një mundësi për të realizuar të drejtat kombëtare shqiptare. Por, për shkak se Ismail Qemali i mbeti besnik vizionit dhe ideve të tij, ai u nda me Turqit e Rinj që në kongresin e zhvilluar në Paris më 1902, pavarësisht se ai ishte edhe një prej organizatorëve të tij. 

Ismail Qemali pas arratisjes së tij të bujshme nga Kostandinopoja më 1 maj 1900, vazhdonte të banonte në Bruksel, ndërkohë dy djemtë e Damat Mahmudit, – princi Sabahedin dhe princi Lutfullah nga familja perandorake osmane – u kthyen nga Egjipti dhe u ngulën me banim në Paris, ku dhe po bënin plane për të thirrur një kongres për të diskutuar situatën në Turqi. Ata shkuan në Bruksel, ku e takuan dhe e ftuan edhe Ismail Qemalin që të merrte pjesë në këtë kongres të liberalëve osmanë, që ishin në azil nëpër Europë. 

Ismail Qemali vendosi si kusht kryesor për pjesëmarrjen e tij në këtë kongres, që aty të përfaqësoheshin të gjitha etnitë e Perandorisë, në mënyrë që të formuloheshin dëshirat e të gjithë popujve. Kushtet e tij u pranuan dhe ai shkoi në Paris, ku u mbajt kongresi. Pas debatesh të gjata e të nxehta, shumica e Kongresit të Turqve të Rinj, e kryesuar nga princi Sabahedin dhe e përkrahur nga Ismail Qemali, dha pëlqimin t’u drejtohej një thirrje Fuqive për një regjim në përputhje me parimet e Kushtetutës së 1876. Ky organizim duhet të përfshinte të gjithë elementët etnikë në Turqi, duke u garantuar liri e drejtësi dhe mbrojtje të të drejtave kombëtare të tyre. Por një ndarje e thellë u shënua lidhur me çështjen e ndërhyrjes së huaj. Grupi, i kryesuar nga filozofi Ahmed Riza, i cili këmbëngulte për një pushtet qendror të fortë, e kundërshtonte me forcë çfarëdolloj ndërhyrje të jashtme. Kështu që midis Turqve të Rinj filluan të merrnin formë dy rryma kryesore, njëra që favorizonte nacionalizmin turk dhe tjetra otomanizmin liberal. 

Turqit e rinj përkrahnin idenë e pushtetit të qendërzuar, ndërsa kombësitë joturke si shqiptarët dhe armenët ishin për decentralizimin e pushtetit. Ideja që përkrahte Ismail Qemali ishte dhënia e autonomisë për kombësitë joturke në perandori. Ismail Qemali mori pjesë në kongresin e xhonturqve si shqiptar dhe ai kurrë nuk u bë xhonturk. Parulla e Ismail Qemalit ishte: “As me turqit e vjetër as me turqit e rinj, por të punojmë për vatanin.” Ismail Qemali ka bashkëpunuar me xhonturqit vetëm kur kjo ishte në interes të çështjes shqiptare. Ai kishte rezervat e veta ndaj krerëve xhonturq, ashtu si edhe krerët xhonturq kishin rezervat e tyre ndaj Ismail Qemalit. 

Megjithatë, xhonturqit kishin nevojë për burra shteti dhe njerëz të kalibrit të Ismail Qemal Vlorës. Ata i propozuan atij kryesimin e organit të tyre më prestigjioz të shtypit, gazetës “Osmanllë”. Ai nuk e pranoi propozimin, për arsye se, siç thoshin xhonturqit, “Ismail Qemali përpara çdo gjëje mendon për Shqipërinë.”. Sejfi Vllamasi, në librin “Ballafaqime politike”, shkruan se: “Ismail Qemali, i shquar si diplomat e patriot shqiptar, dhe me një prestigj të konsiderueshëm në Shqipëri e në Turqi dhe jashtë kufijve të perandorisë, peshonte rëndë. Për këtë shkak, xhonturqit e urrenin dhe ia kishin frikën.”.

Ismail Qemali e shikonte bashkëpunimin me Turqit e Rinj si pjesë e luftës së përbashkët të shqiptarëve dhe turqve për vendosjen e rendit kushtetues në Perandorinë Osmane. Por, nga ana tjetër, ai kërkonte të ruante pavarësinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare nga lëvizja xhonturke. Ai nuk dëshironte që shqiptarët të identifikoheshin si turq, osmanë apo myslimanë. Siç do të tregonin më pas faktet, politika dritëshkurtër dhe nacionaliste e xhonturqve, vuri në rrezik jo vetëm ekzistencën e popullit shqiptar, por edhe vetë ekzistencën e pavarur të kombit turk, i cili shpëtoi vetëm falë revolucionit të udhëhequr nga Mustafa Qemali. 

Ismail Qemali e shikonte vijimin e bashkëpunimit midis turqve dhe shqiptarëve në luftën e përbashkët për ta futur Turqinë në rrugën e reformimit dhe njohjes së të drejtave kombëtare dhe autonomisë për popujt brenda Perandorisë, duke u dhënë atyre autonomi sa më të gjerë në përputhje me nenin 23 të Traktatit të Berlinit. Largpamësia politike e Ismail Qemalit shfaqet edhe në letrën e datës 18 tetor 1900, nga Brukseli, ku pasqyrohen mendimet e shprehura nga Ismail Qemali lidhur me të ardhmen e Perandorisë Osmane. Pavarësisht verbërisë proverbiale të xhonturqve, Ismail Qemali e kishte kuptuar që herët rrezikun që u kanosej shqiptarëve nga shpërbërja e Perandorisë Osmane. Nuk do të kalonte asnjë dekadë dhe parashikimet e Ismail Qemalit do të bëheshin realitet. 

Sytë nga Perëndimi

Ismail Qemali ishte një shqiptar, i cili i përkiste fesë myslimane. Si mysliman dhe anëtar i Perandorisë, ai ishte për ruajtjen e Perandorisë Osmane. Por njëkohësisht si shqiptar, ai mbështeste një qeverisje të decentralizuar, e cila do të bënte të mundur autonominë e Shqipërisë. Në grupin e xhonturqve të Ahmed Riza-it, ai shikonte jo vetëm tendencën për një qeverisje të centralizuar, por edhe dëshirën për dominim të elementëve turq në Perandori. 

Ismail Qemali përkrahte grupin e princit Sabahedin, pasi aty shikonte mundësinë për të fituar më shumë të drejta dhe liri për shqiptarët si grup etnik. Në këtë periudhë, aktiviteti i Ismail Qemalit fokusohej njëkohësisht te rrëzimi i sulltan Abdyl Hamidit II dhe në lëvizjen kombëtare shqiptare, e cila ishte duke fituar terren gradualisht. Prandaj, ai hartoi edhe një projekt për fillimin e një revolucioni kundër sulltanit nga provinca e Tripolitanisë. Ismail Qemali përkrahte decentralizimin e thellë të Perandorisë Osmane, dhe sigurimin e të drejtave të barabarta për të gjithë nënshtetasit pa dallim kombësie dhe feje. 

Ismail Qemali ishte mbrujtur me konceptet liberale, prandaj e shikonte të ndërlidhur zhvillimin ekonomik të vendit me depërtimin e kapitalit të huaj. Në lëvizjen kombëtare shqiptare ai përkrahu fillimisht autonominë kulturore dhe më pas autonominë politike dhe administrative nën Perandorinë Osmane. Këtë stad Ismail Qemali e shikonte të nevojshëm për mbrojtjen dhe konsolidimin e shtetit të ri dhe si pararendës të formimit të shtetit të pavarur shqiptar. 

Ismail Qemali mendonte se krijimi i një shteti shqiptar të fuqishëm do të pengonte shtrirjen e mëtejshme të sllavizmit në Ballkan dhe afrimin e Rusisë në Mesdhe. Kjo doktrinë qëndronte në themel të programit politik të Ismail Qemalit dhe po ky koncept qëndron edhe sot në themelet e aleancave strategjike të shtetit shqiptar. Ismail Qemali i drejtoi sytë e shqiptarëve nga Perëndimi. Ai nuk bënte pjesë në grupin e atyre që i kishin sytë nga Lindja dhe ndiheshin më tepër myslimanë dhe turq, sesa ndiheshin shqiptarë. Ai bënte pjesë në grupin e atyre shqiptarëve që e vendosnin kombin mbi fenë dhe mundësuan krijimin e kombit shqiptar mbi tri fe të ndryshme. Ismail Qemal Vlora u përpoq që ta përmirësonte Perandorinë Osmane, së cilës i shërbeu me zell dhe i kushtoi një pjesë të mirë të jetës së tij. 

Në fund, Ismail Qemal Vlora veproi njësoj si baballarët e kombit dhe hartuesit e Deklaratës së Pavarësisë amerikane në vitin 1776, të cilët pavarësisht se i kishin shërbyer Perandorisë Britanike, në fund e luftuan shtypjen e padrejtë dhe e udhëhoqën kombin e tyre drejt lirisë dhe pavarësisë. Thomas Jefferson deklaronte se: “Nuk ka njeri në Perandorinë Britanike që ta dojë më shumë se unë bashkëjetesën me Britaninë e Madhe. Por, në emër të Zotit që më ka bërë, më mirë vdes sesa ta lejoj këtë bashkim me ato kushte që propozon Parlamenti Britanik; dhe në këtë rast mendoj se përfaqësoj ndjenjat e Amerikës.”. Një ide e ngjashme do të vërtitej edhe në mendjen e Ismail Qemalit, për raportet turko-shqiptare, 136-vite më pas kur ai shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë…

Filed Under: Histori

Një ftesë për të gjithë shqiptarët e Amerikës…

May 28, 2024 by s p

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT