• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2024

Intelektuali, vlerë e veçantë e çdo shoqërie

June 13, 2024 by s p

Në jetën e përditshme, po t’iu bëhet pyetja individëve të ndryshëm për të shpjeguar dallimin në mes shprehjes inteligjencë dhe intelektual, ata ndihen ngusht dhe e kanë të vështirë të japin një përgjigje përfundimtare. Por, në botën e qytetëruar ka kohë që këto dy terma dallohen, pasi nuk kemi të bëjmë me të njëjtën përmbajtje. Madje jemi dëshmitarë se një defekt i tillë është i pranishëm edhe në ditët tona, sepse disa mendojnë se niveli shkollor apo i veprave të botuara ofron vetvetiu titullin intelektual. Një koncept i tillë është i gabuar sepse personat e tillë janë vetëm individë më përgatitje përkatëse shkollore dhe me profesionin e tyre, e asgjë më shumë, dhe si të tillë nuk mund të mbajnë epitetin intelektual.

Nail Draga

Studimet, shumë vite më parë, kanë vënë në dukje se në zhvillimin e inteligjencës ndikon ndjeshëm gjenetika, por, gjithashtu, dhe ambienti në të cilin rritet dhe zhvillohet njeriu. Psikologët janë të mendimit se inteligjenca e një individi mund të jepet me saktësi aty nga mosha 17-18 vjeç. Ndërsa, nga ana tjetër për termin intelektual ka shpjegime të mjaftueshme, duke e përkufizuar intelektualin si person të rrallë në mjedisin e tij, për qendrimin dhe veprimin ndaj dukurive shoqërore.

Semantika e termit intelektual dhe inteligjencë

Pikërisht në lidhje me këtë çështje, individët e zakonshëm jo që nuk hetojnë ndonjë dallim në mes të tyre dy termave, por është e kundërta i barazojnë sikurse të ishin sinonime, edhe pse nga ana e tyre semantike ato kanë dallime përmbajtësore. Sepse në botën e qytetëruar ka kohë që këto dy terma dallohen, pasi nuk kemi të bëjmë me të njëjtën përmbajtje. Madje është anakronike të mendohet se çdo kush që ka të kryer ndonjë shkollë (të lartë, apo superiore) të quhet me epitetin intelektual apo inteligjencë.

Por, jemi dëshmitarë se një defekt i tillë i trashëguar është i pranishëm edhe në ditët tona, sepse disa mendojnë se niveli shkollor apo i veprave të botuara ofron vetvetiu titullin intelektual. Një koncept i tillë është me qasje të gabuar sepse personat e tillë janë vetëm individë më përgatitje përkatëse shkollore dhe me profesionin e tyre, e asgjë më shumë, dhe si të tillë nuk mund të mbajnë epitetin intelektual.

Andaj, për të hequr dilemat semantike duhet cekur se përcaktimi i sotëm gjuhësor i këtyre shprehjeve mund të përmblidhet shkurtazi: “Inteligjent: njeri me aftësi të dalluara për ta kthyer realitetin që e rrethon në dobi të vetes” dhe “Intelektual: njeri me aftësi të dalluara për ta kthyer realitetin në dobi te të gjithëve”.

Një analizë e këtyre përkufizimeve pa dyshim heq dilemat përmbajtësore duke i dhënë vendin e merituar çdo personi, pa epitete, por sipas meritave, qendrimit dhe veprimit në mjedisin përkatës.

Gjergj Fishta për intelektualin

Por, nga ky aspekt pa mëdyshje se P.Gjergj Fishta për kohën kur jetoi, jep përmasat e intelektualit duke theksuar se “ai duhet të jetë prezent në kohën e vet, në kohën e të tjerëve që do të vijnë më pas, e të qenit prezent do të thotë të kesh kurajon të thuash të vërtetën ku dhe kur duhet, haptazi e ballazi, sado e idhët që të jetë, sado tragjike, sado e papëlqyeshme për veshët e të tjerëve.” Dhe nuk ka dilemë se një përkufizim i tillë dëshmon qartë se cilat vlera duhet të ketë ai individ nga aspekti profesional e moral për të merituar epitetin e intelektualit.

Por, pas vitit 1990, kur edhe te shqiptarët u vendos pluralizmi, jemi dëshmitarë se në këtë periudhë e cila njihet si tranzicion dolën në shesh tiparet dhe karakteret e individëve, andaj lirisht mund të themi se kjo është koha ku dominojnë jo intelektualët, por inteligjentët. Madje ekziston një lulëzim i tyre sepse nuk zgjedhin mjete për të realizuar qellimet e tyre. Në shumë raste, subjektet politike kanë qenë dhe janë mbulesë e angazhimit të tyre. Dhe me të drejtë, një inteligjencë e tillë cilësohet si inteligjencë sociale, me anë të së cilës një individ synon që ti arrijë qëllimet e veta me anë të një sjelljeje kooperuese, kompetitive dhe manipulative, që cilësohet si një inteligjencë makiaveliste.

Disidenti-apo armiku i shtetit

Shikuar historikisht, statusi i intelektualëve në të gjitha shoqëritë nuk ka qenë i njëjtë, sepse varej nga sistemet shoqërore në vendet përkatese. Nëse në sistemet shoqërore demokratike në botën perëndimore ka ekzistuar fjala e lirë dhe shprehja e mendimit ku intelektuali nuk rrezikohej edhe atëherë kur kritikonte pushtetin, e kundërta ka qenë në vendet e ish kampit socialist në Evropën Juglindore. Në këto vende, sistemi totalitar më kohë kishte eliminuar mendimin ndryshe duke krijuar pseudointelektualët të cilët ishin pararoja e partisë-shtet.

Ndërsa ata të cilët kishin guximin për ti shprehur pikëpamjet e tyre të cilat nuk ishin sipas vijës së partisë, përkatësisht të pushtetit, pasojat ishin të pashmangshme duke filluar me izolimin, internimin, burosjen e madje edhe eliminimin fizik të tyre. Andaj, nuk është për tu çuditur fakti se numri i intelektualëve në vendet e ish kampit socialist ishte i vogël, ndërsa ata që ishin të tillë quheshin disident, që kishte epitetin e armikut të sistemit dhe të shtetit, ku pjesa më e madhe e tyre ishin të burgosur politikë.

Ndonëse për nga numri ishin pak, intelektualët shqiptarë, si në ish-Jugosllavi dhe në Shqipëri, kanë vuajtur shumë dhe si të tillë janë shembull tipik i persekutimit nga ana e pushtetit përkatës.

Intelektuali konformist

Kjo shtresë intelektualësh në teoritë socio-politike ka emërtimin e vet përkatës dhe quhen konfromistë. Ndërsa nëse analizojmë anën semantike të termit “konformist” ku thuhet se “pajtim vetëm me fjalë me mendimin, veprimet a sjelljet e dikujt; prirje për t’iu përshtatur sa për sy e faqe qëllimeve, synimeve e interesave të më të fortëve a të shumicës; sjellje e veprime që bëhen sa për të qenë brenda”(FGJSSH, f.859), atëherë çdo gjë është e qartë se kemi të bëjmë me një grup të caktuar individësh, të cilët në sajë te qendrimit të tyre nuk e meritojnë termin intelektual. Sepse, siç kemi cekur në fillim të këtij shkrimi, intelektuali është ai i cili ka vizion dhe nuk angazhohet për qellime personale.

Sistemi monist është angazhuar me të gjitha mekanizmat që intelektualët e profileve të ndryshme ti angazhojë në politikën ditore, ku çdo gjë ishte e instrumentalizuar, ku edhe shkenca, kultura dhe arti nuk mund të ishin përjashtim. Në raste të tilla vazhdimisht janë përkrahur ata të cilët kanë pranuar dirigjimin nga të tjerët, të cilët patjetër kanë pasur një biografi të përshtatshme dhe si të tillë në njëfarë mënyre kanë qenë edhe të besueshëm, sepse kështu e ka lypur partia. Nuk kanë pasur mundësi të kenë përkrahjen shoqërore disidentët apo ata të cilët kanë pasur qendrimin dhe parimet e tyre për çështje të ndryshme shoqërore. Por, në raste të tilla nga një realitet i imponuar nuk ka dilemë se paraqiten pakënaqësi, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë e përjeton intelektuali opozitar, pra si konflikt me konformistët të cilët mbrojnë interesat e pushtetit duke përfituar gjithsesi edhe personalisht. Nga një situatë e tillë nuk ka dilemë se krijohet një ndarje nga jeta shoqërore, ku ne shqiptarët në ish-Jugosllavi kemi një përvojë disa vjeçare.

Kritika e argumentuar

Në shoqëritë me traditë demokratike jo vetëm që është i pranishëm mendimi kritik i intelektualit, por ai është i domosdoshëm për çështjet e ndryshme shoqërore. Madje nga qarqe të ndryshme shoqërore, ata porositën për të shprehur pikëpamjet e tyre, sepse si të tilla vlerësohen për avancimin e çështjeve përkatëse.

Por, edhe mendimi kritik duhet të ketë masën e vetë, sepse nuk mund të kritikohet çdo gjë, sepse një dukuri e tillë do të ishte destrukcion-mohim i çdo vlere.

Ndërsa, nga ky aspekt kemi edhe ekstremin tjetër ku politika merr përsipër që të jetë gjykatëse për çdo krijimtari dhe akt njerëzor, ku kriteret politike bëhen kritere supreme të njerëzores, e kjo do të ishte pa dyshim e dëmshme për jetën shoqërore.

Në rrjedhë të ngjarjeve shoqërore

Që intelektuali të jetë në rrjedhë të ngjarjeve politike, por jo edhe të ketë qendrim konformist ndaj tyre, nënkupton intelektualin me ndërgjegje dhe me vetëdije të lartë morale. Intelektuali apo intelektualët e këtillë, janë antipodë të intelektualëve të rremë, siç i cilëson Zhan Pol Sartri i cili shton se “intelektuali duhet të jetë rojtar i qëllimeve themelore: emancipimit dhe universalizmit”.

Edhe pse te shqiptarët në Mal të Zi numri i intelektualëve ka qenë i vogël ata nuk kanë heshtur, por kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të luajtur rolin e vet shoqëror, që kishte të bënte kryesisht me avancimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në këtë mjedis. Por, për shkak të veprimtarisë së tyre jashtë institucioneve vendosëse(Kuvedni, Qeveria), ndikimi i tyre ka qenë minimal. Dhe si të tillë, ata kanë qenë të përfshirë kryesisht në institucionet e ulëta dhe të mesme e kryesisht në ata arsimore. Andaj, nga një situatë e tillë nuk mund të bëhët fjalë për intelektualë të formatit të lartë, por vetëm për një shtresë të mesme, sepse rrethanat shoqërore kanë ndikuar në një situatë të tillë. Një gjendje e tillë ka ndikuar që të mos ketë pasur mundësi të kemi intelektualë të denjë, sepse shteti në monizëm nuk ka investuar në individë të tillë, por te të dëgjueshmit dhe servilët, sepse ata kanë qenë më të përshtashëm për të realizuar politikën e tyre shtetërore.

Heshtja nuk është cilësi e intelektualit

Ndërsa në rrjedhat e reja shoqërore që kanë të bëjnë më kohën e pluralizmit ekzistojnë parakushtet që të kemi intelektualët tanë, sepse nuk ekzistojnë më mundësitë ligjore për ndjekjen penale individëve që shprehin mendimin e tyre, i cili nuk është sipas shijes dhe dëshirës së pushtetit. Por, çështje në vete paraqet angazhimi i atyre individëve të cilët për nga përgatitja profesionale janë të fushave të ndryshme, dhe sa janë të gatshëm që të ballafaqohen me realitetin shoqëror. Dhe, me të drejtë bëhët pyetja: deri kur ata do të jenë indiferentë dhe kur do të angazhohen, apo do të qendrojnë gjithnjë në heshtje. Nëse qendron kjo e fundit, atëherë kemi të bëjmë me individë indiferent, sepse heshtja nuk është cilësi e intelektualit. Kujtojmë më ketë rast reagimin e Zolës për çështjen e Drajfusit.

Sindromi i politikës ndaj intelektualëve

Në sajë të qendrimit të tyre parimor, dhe në mungesë të respektit të tyre, intelektual të ndryshëm në heshtje në sajë të edukatës dhe etikës janë tërhequr sepse nuk kanë mundur të pranojnë situatat konfuze dhe grupet e interesave në subjektët politike. Në situatë të tillë nuk ka dilemë së injorohën vlerat profesionale, intelektuale dhe autoriteti shoqëror. Madje përvoja e deritashme dëshmon se të tillët subjektëve politike, përkatësisht udhëheqësve të tyre iu janë nevojitur për një kohë të caktuar, deri sa kanë arritur qellimet e tyre.

Një e dhënë e tillë dëshmon se kemi të bëjmë me një qendrim utilitar, nga ana e subjektëve politike përkatësisht mungesën e respektit, se ka ekzistuar friga si më parë edhe tash nga autoriteti i tyre profesional dhe shoqëror, sepse të tillët i kanë trajtuar si konkurent të mundshëm për stafin udhëheqës së partive politike. Pra kemi të bëjmë me sindromin ndaj intelektualëve, përkatësisht qendrimin dhe autoritetin e tyre ndaj rrethanave shoqërore, që bie ndesh me interesat e subjektëve politike në veçanti dhe pushtetit në përgjithësi.

Animoziteti ndaj intelektualëve

Çdo subjekt politik që ka një strategji të veprimit do të përpiqej që në mesin e tyre për të pasur përfaqësim intelektual, personalitete më vlera dhe kontribute, që vetëm intelektualët mund ti ofronin. Nga një veprim i tillë do të përfitonte subjekti politik duke pasur vizione dhe alternativa me të qarta. Por, përvoja e deritashme dëshmon së një numër i konsideruar i intelektualëve janë zhgënjyer, sepse më të arritur objektivat e tyre, subjektët politike në mënyrë përfide i kanë mënjanuar ata, nga del se ndaj tyre ekziston një animozitet sepse ata janë parimor dhe të vendosur në qendrimet e parimet e tyre.

Kemi të bëjmë pikërisht me çështjen e parimeve, që nuk janë të pranueshëm për struktura të ndryshme politike të cilët i kanë devijuar ato, në sajë të interesave personale apo të klanëve të ndryshme. Një përvojë e tillë është dëshmuar në praktikë pothuaj kudo në kohën e tranzicionit që nuk është në favor të demokracisë dhe vlerave të pluralizmit politik.

Pse janë intelektualët larg politikës?

Tek ne është një numër i vogël i intelektualëve që mund ti klasifikojmë si më afër formatit të lartë dhe si të tillë qendrojnë të paangazhuar në jetën politike. Mosangazhimi i tyre mund të kuptohet edhe si ikje nga homogjenizimi i shtresave popullore që pësoi pas paraqitjes në skenë të pluralizmit dhe të partive politike, por edhe si mosinteresim i subjekteve politike për angazhimin e tyre.

Intelektualët e tillë, edhe pse të pakët, janë dëshmuar, jo si njerëz të fjalëve, por të shkrimeve, në gamën e gjerë të profileve përkatëse. Nga trashëgimia apo anomali të tjera, intelektualët e tillë shihen si trup i huaj. Apo që të jetë absurdi edhe më i madh, si të paaftë për politikë. Një absurd krijon absurdin tjetër, kështu ndodh që profesionalizmi të zëvendësohet me amatorizëm.

Është fakt se me paraqitjen e pluralizmit politik dhe partive politike shqiptare, intelektualët e tipit të sipër përmendur në fillim ishin më të angazhuar në politikë. Por, me kalimin e kohës, shumë prej tyre u larguan. Largimi i tyre mund të interpretohet në dy aspekte: largim nga homogjenizimi i rrejshëm(anëtar i një partie është edhe ai që vërtet e kupton se çfarë është politika, por edhe ai që fare nuk e di së çfarë është ajo) dhe amatorizmi politik(u krijuan situata që për çështjet teorike, mësimdhënësi i shkollës së mesme ti “ligjërojë” profesorit universitar).Largimi i tyre dhe mosangazhimi i të tjerëve, sikur krijoi “lehtësi” për liderët politikë. Kjo s´ka dyshim se do të kthehet si bumerang.

Angazhimi, jo vetëm çështje personale

Ikja nga rrjedhat aktuale shoqërore e politike, nuk mund të arsyetohet. Intelektualët tanë përmes organizimeve në sektorin e shoqërisë civile, duhet që me angazhimet profesionale, të jenë fidanishte për politikë. Por, të gjithë jemi dëshmitarë se mungojnë relacionet e tilla, që janë të nevojshme për një shoqëri pluraliste.

Intelektualët nuk duhet të mbajnë qendrim konformist, por as indiferent ndaj partive politike në veçanti e politikës në përgjithësi, por as edhe të kalojnë në ekstremizëm, duke mohuar gjithçka. Intelektualët opozitarë duhet të jenë konstruktivë, kritikë dhe në funksion të synimeve kombëtare. Me qendrimet opozitare nuk duhet të lejohet edhe ajo që të çohet ujë në mulli të tjetrit.

Nuk ka dilemë se në kohën tonë është obligim moral që intelektuali të jetë në rrjedhë të ngjarjeve shoqërore e politike, sepse me të drejtë ka thënë E. Burke ”për të triumfuar e keqja mjafton që njërëzit e ndershëm të qendrojnë anash ”.

Andaj ka ardhur koha që intelektualët nga ana e tyre duhet të pranojnë sfidat dhe jo të mbeten në pozita pritëse. Intelektualët do të bënin gabim të madh nëse do të prisnin të demokratizohej politika më parë, dhe pastaj ata të angazhoheshin në politikë. Një qasje e tillë është në favor të autokratëve, të cilët pranë vetës ofrojnë të degjueshmit dhe servilet, sepse për mes tyre realizojnë objektivat personale dhe të grupeve të ndryshme, që është në kundërshtim me parimet e demokracisë.

Filed Under: Analiza

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës nderon gazetarë, kameramanë e fotoreporterë që raportuan në rrethana okupimi

June 13, 2024 by s p

-Mirënjohje gazetarit Behlul Jashari, tash nëntë vjet korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI/

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në faqen zyrtare ka shkruar: Në nder të shënimit të 25 vjetorit të çlirmit të Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, nderoi gazetarë, kameramanë e fotoreporterë vendorë e ndërkombëtarë, për kontributin e jashtëzakonshëm në gazetari, në rrethana okupimi, para dhe gjatë luftës në Kosovë 1998-99.

Fjalën hyrëse të ceremonisë e mbajti Kryetari i Bordit, Xhemajl Rexha, i cili u shpreh falënderues e mirënjohës për punën shembull që gazetarët, kameramanët e fotoreporterët e kanë dhënë në atë kohë.

“Ajo çfarë AGK-ja, dëshiron të tregojë me këtë event, është qe e cmojmë, e njohim punën e kontributin e secilit në periudhën më të vështirë të Kosovës. Të secilit, që ndoshta ka bërë punë nga më të voglat në redaksi e deri tek ato në terren, dhe me ballafaqimin me rrezikun e përhershëm. Ju jeni inspirim për gjenerata të tëra gazetarësh”, ka thënë Rexha.

Të pranishmëve iu drejtuan edhe gazetarja Afërdita Saraçini Kelemendi, moderatorja Besa Çeku Buçinca, Nuhi Bytyçi – gazetar i luftës , Sylejman Kllokoqi – kameraman i AP , Visar Kryeziu – fotoreporter i AP, Hazir Reka –fotograf i Reuters, si dhe Ron Haviv – fotografi i mirënjohur botëror i cili ka qenë dëshmitar i ngjarjeve historike që kanë definuar kohën në të cilën jetojmë, nga Kosova, Bosnja, Ukraina, etj.

Saraçini Kelmendi, tha se gazetarët në atë kohë kanë bartë me vete frikën për jetë e familje.

“Gazetaria më e bukur për mua është gazetaria e terrenit për shkak se aty takon njerëz, fate të cilat të japin përvoja jetësore, në këtë rrugëtim 45-vjeçar i kam hypur 44 shkallë të gazetarisë, gazetaria për mua nuk është vetëm profesion është edhe mënyrë e jetesës. Të gjithë gazetarët që kanë punuar para dhe gjatë luftës kemi bartur edhe frikën për jetën, familjen”, tha ajo.

Kameramani, Sylejman Kllokoqi, falënderoi kolegen Elida Ramadanin, me të cilën kanë ndarë shumë terrene, si dhe gazetarët botërorë që kanë raportuar nga Kosova.

“Iu dëshiroj gjeneratave sukses, por të iu them se ne e kemi pasur detyrë por një falënderim shkon për gazetarët qe kanë ardhur nga gjithë bota”, tha Kllokoqi.

Zëri ikonë i lajmeve, Besa Çeku Buçinca, tha se çmon lartë kontributin e kolegëve gjatë kohës së luftës.

“Të dashur kolegë, shumë pak janë të informuar për punën tonë dhe aq më pak e vlerësojnë atë ne kohët e vështira, detyra jonë ishte që të informonin, informimi që barte shumë rrezik, gazetarët kanë kaluar në rreziqe të shumta, megjithatë e vlerësoj shumë punën e gazetarëve në terren.”

Fotoreporteri amerikan, Haviv falënderoi AGK-në për ftesën e bërë për të folur në emër të gazetarëve, kameramanëve e fotoreporterëve ndërkombëtarë që kanë raportuar nga Kosova në atë kohë. Teksa, ndau me të pranishmit një takim menjëherë pas luftës me zv.presidentin Al Gore, kur kishin diskutuar për impaktin e punës së gazetarëve në Kosovë.

“Derisa i tregova për punën time që kisha bërë në Kosovë, ai më pyeti se përse ShBA-të, intervenuan më shpejtë në Kosovë, sesa në Bosnjë e Hercegovinë. Është për shkak të gazetarisë që prodhohej nga Kosova, sepse ata, ai(Al Gore), Tony Blair, Bill Clinton, ishin të turpëruar të shihin të njëjtat fotografi si në Bosnjë, duke lexuar të njëjtat histori…, dhe intervenimi në Kosovë, është një nga të paktat storie, të paktën në mendjen time, që gazetaria luan një rol të rëndësishëm, e direkt në atë se se çka ka ndodhur këtu.”, tha ai.

Në këtë ceremoni, me mirënjohje u nderuan mbi 400 gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, si dhe ata ndërkombëtarë që kanë raportuar në atë kohë nga Kosova.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e vlerëson pjesëmarrjen e gjithsecilit në ceremoninë e sotme, dhe do ta plotësojë listën e atyre që do t’i ndajë mirënjohje në ditët në vijim.

*****

Gazetarit Behlul Jashari, tash nëntë vjet, nga12 Qershori 2015, korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI të Federatës Pan-Shqiptare të Ameikës VATRA i është dhënë Mirënjohja e Asociacioniit të Gazetarëve të Kosovës.

Gazeta DIELLI, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, në 13 Nëntor 2015 shkruante:

Gazetarit Behlul Jashari Çmimi Karriera

NOVEMBER 13, 2015 BY DGRECA

-Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i ndan Çmimet në një veprimtari në Prizren/

PRIZREN, 13 Nëntor 2015/-Korrespondenti në Kosovë aktualisht i Gazetës Dielli – korrespondenti i ATSH nga Kosova e themelues i bashkëpunimeve të para të medias Kosovë-Shqipëri prej gati çerek shekulli, Behlul Jashari, gazetar shumëvjeçar, redaktor e kryeredaktor i gazetës tradicionale kosovare Rilindja, është fitues i Çmimit Karriera të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Kryetari i Unionit, Aleksandër Çipa, duke prezantuar motivacionin për çmimin tha se, “Behlul Jashari është dëshmia e gjallë e qëndresës së gazetarit përballë shtypjes dhe terrorit okupues. Jo vetëm shembull i gazetarit korrekt në një kohë kur sundonte censura e shumëfishtë dhe sidomos ajo shtetërore.

Behlul Jashari është emri i gazetarit jetëgjatë në profesion që përjetoi e përballoi sakrifica të mëdha. Ai si rrallë kush mori në dorë gazetën ‘Bujku” kur pushteti serb mbylli të vetmin titull të përditshëm “Rilindjen”.

Behlul Jashari ishte kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së përditshme të rezistencës e pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi “Bujku” që nisi të dalë nga 18 janari 1991 dhe si korrespondent i parë nga Kosova i një mediumi të Shqipërisë nga 24 maji 1992.

Raportimet e tij janë pjesë e rëndësishme e historisë së raportimit gazetaresk për krejt hapësirën shqiptare”.

Gazetari Behlul Jashari, duke pranuar çmimin u shpreh se ndihet shumë i nderuar që merr çmimin më të lartë të gazetarisë shqiptare, duke theksuar se para një çerek shekulli nisi raportimet për median në Shqipëri nga Kosova në rrethana të jashtëzakonshme dhe pjesë e atyre raportimeve ishte edhe reportazhi për “kufirin ndërshqiptar si mur, si fundi i botës”.

“‘Udhëtimi për në Prizren’, ishte reportazhi që kam shkruar në fundvitin 1996, në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave. Personazhi, e nisura nga Arta, jugu i trojeve ku flitet shqip, në kërkimet e saj drejt ‘Mollës së Kuqe’, ku tregohet se dikur ishte kufiri verior, erdhi edhe në Prizren, qytetin e Lidhjes Shqiptare, ku ndodhte diç e ngjashme si sot”, vijoi ai në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të gazetarëve nga të gjitha trojet shqiptare.

Ai reportazh është botuar edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, në 31 dhjetor 1996, duke thyer kufirin e hekurt me shkrimet shqip.

“‘Udhëtimi për në Prizren…’ ishte përsëri titulli i shkrimit që bëra për ATSH para takimit të parë historik të qeverive të Shqipërisë e Kosovës mbajtur në 11 janar 2014 pikërisht këtu në Prizren”, vijoi Jashari.

“Edhe sot të gjithë së bashku jemi në udhëtim për në Prizren, dhe do jemi”, theksoi Behlul Jashi dhe duke e përmbyllur fjalën u shpreh: “Ishte një rrugë shumë e gjatë. Edhe shumë e vështirë, sa njëra këpucë më ra sot në Prizren”.

Fitues të Çmimit Karriera janë edhe gazetarët e njohur prej dekadash Zenun Çelaj nga Kosova dhe Besnik Dizdari nga Shqipëria.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë organizoi sot në Prizren veprimtari në kuadër të 10 vjetorit të tij, ku në një ceremoni ku ishin ish presidentët Alfred Moisiu e Fatmir Sejdiu, si dhe ministri i Financavi i Kosovës, Avdullah Hoti, u ndanë çmimet vjetore

Karriera, Gazetari i Vitit, Çmimi Special. U bë edhe ndarja e çmimeve vjetore ”Vangjush Gambeta” për gazetarinë ekonomike. Në kuadër të veprimtarisë, u bë edhe nenshkrim i memorandumit të bashkepunimit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë me Unionin e Gazetarëve të Preshevës.

Filed Under: Reportazh

Çfarë duhet të bëni kur ndiheni të mërzitur se nuk ju pëlqejnë

June 13, 2024 by s p

Nga Rafael Floqi, marrë nga libri në proces “Psikologjia e vetvetes “

Është një pjesë e pashmangshme e jetës. Këtu janë disa mënyra të provuara dhe të testuara për të qenë më rehat me dikë që nuk ju pëlqen

Të jesh i pëlqyer nga të tjerët shpesh trajtohet si një qëllim parësor. Kërkimi për miratimin social fillon në fëmijëri dhe vazhdon në një sërë mënyrash gjatë gjithë jetëgjatësisë, ndërsa njerëzit përpiqen të gjejnë grupin e miqve të tyre, të kërkojnë një partner, të kërkojnë promovime në punë ose të organizojnë grupe lojërash me prindër të tjerë. Shumica e këtyre aktiviteteve janë të bazuara në pranimin dhe pëlqimin e të tjerëve.

Pra, për shumë prej nesh, ka pak gjë që është më shqetësuese sesa të mësosh ose të dyshosh se dikush nuk ju pëlqen. Shenjat e mospëlqimit mund të jenë delikate ose të dukshme. Ju mund të zbuloni se jeni duke u përjashtuar nga një grup me të cilin keni menduar se jeni miqësor. Ose mund të vëreni se një koleg po ju kthen papritur shpatullën e ftohtë. Më haptazi, një mik mund të tregojë se një sjellje e juaja i bezdis apo i mërzit, apo edhe t’ju thotë se nuk dëshirojnë më të jeni miq.

Në punën është e zakonshme që njerëzit të vijnë për ndihmë me ankthin social – një frikë dobësuese se ata do të vlerësohen dhe do të gjenden të varfër. Përafërsisht 12 për qind e të rriturve do të përjetojnë çrregullime të ankthit social gjatë jetës së tyre dhe shumë të tjerë përjetojnë ankth social subklinik. Shumë njerëz më kanë folur edhe për momente kyçe në fëmijëri dhe adoleshencë: raste kur ata u ngacmuan, u përjashtuan, u zgjodhën të fundit për sportet ekipore (kjo është një përvojë që edhe unë e mbaj mend, me një kthesë ankthi), u lanë të punonin në grup projekt i vetëm, ose kishte miq të kthyer kundër tyre. Ndikimi i përvojave si këto – kur shumë prej nesh e kuptojnë fillimisht se mund të mos na pëlqejnë dhe madje të trajtohen mizorisht nga disa – mund të rrjedhë gjak në moshë madhore, përmes ideve për të mos qenë ‘mjaft të mirë’ ose të mos përshtatemi. Përvojat e hershme shpesh janë në rrënja e shqetësimit të ndjerë nga dikush që është veçanërisht i shqetësuar për mospëlqimin. Por çdokush mund të përjetojë herë pas here shqetësime të tilla.

Në shumë mënyra, të qenit i papëlqyer është i pashmangshëm. Shumica prej nesh ndërveprojnë ndonjëherë me njerëz që janë shumë të ndryshëm nga ne dhe kanë pikëpamje që ndryshojnë nga tonat, gjë që mund të bëjë më shumë fërkime. Edhe nëse keni vetëm qëllime të mira dhe menaxhoni me kujdes sjelljen dhe fjalët tuaja, ka arsye të ndryshme të mundshme pse dikush mund t’ju pëlqejë akoma: ndonjëherë njerëzit padashur shkelin kufijtë e njëri-tjetrit; përplasen personalitetet, si për shembull kur një person shumë i shqetësuar kalon kohë me një person shumë të drejtpërdrejtë; ose, ndoshta ka një rrymë të fshehur xhelozie ose rivaliteti.

Nëse të gjithë ju kanë pëlqyer, kjo mund të tregojë se jeni duke fshehur atë që mendoni vërtet

Ndjenja e frikës për të qenë të papëlqyer ka kuptim nga një këndvështrim evolucionar. Për paraardhësit tanë të largët, të qenit i papëlqyer dhe i përjashtuar nga një grup që ofronte mbështetje dhe mbrojtje mund të ishte një dënim me vdekje. Ndërsa është e vështirë të provosh përfundimisht supozimet evolucionare rreth psikologjisë, ju mund ta përdorni këtë hipotezë si një trampolinë për të eksploruar ndjenjat tuaja rreth të qenit të papëlqyer. Bota ka ndryshuar shumë që nga ditët e njerëzve të shpellave, por truri ynë nuk ka ndryshuar, dhe të njëjtat rrugë nervore ka të ngjarë të aktivizohen nga shenjat që dikush nuk ju pëlqen.

Të qenit i papëlqyer nuk ka më gjasa të nënkuptojë vdekje, por gjithsesi mund të ketë efekte të dhimbshme si përjashtimi nga një grup miqsh ose mohimi i një promovimi. Ndonjëherë është ajo që mospëlqimi i dikujt. duket se thekson tek ju ajo që shkakton dhimbje. Ndoshta diçka që ju e perceptoni si një e metë dhe keni punuar shumë për ta fshehur është ekspozuar, ose një dyshim i fshehtë që keni pasur për veten tuaj (A jam shumë i zhurmshëm? Shumë i turpshëm?) ka filluar të kristalizohet. Shpesh çështja e vërtetë nuk është vetëm mospëlqimi, por kuptimi që ne i bëjmë, çfarë mendojmë se thonë për ne dhe implikimet që mund të ketë për të ardhmen tonë.

Në të njëjtën kohë, mënyra se si një mendje e shqetësuar i percepton kostot e të qenit të papëlqyer është shpesh joreale dhe e padobishme. Të qenit i papëlqyer nga një koleg, për shembull, mund të mos pengojë përparimin tuaj në punë. Në mënyrë të ngjashme, nëse një mik ose i njohur largohet nga ju, ka të ngjarë të ketë të tjerë që të qëndrojnë me ju. Dhe nëse dikush në rrjetet sociale mendon se ju jeni më i keqi, gjithmonë mund t’i akordoni ata me klikimin e një butoni. Të qenit i papëlqyer është, në fund të fundit, i tolerueshëm – dhe ndoshta edhe i shëndetshëm, në një farë mënyre. Sepse nëse të gjithë që keni takuar ndonjëherë ju kanë pëlqyer, kjo mund të tregojë se jeni duke fshehur atë që mendoni në të vërtetë, keni mungesë kufijsh ose nuk qëndroni kurrë për veten tuaj. Kur shqetësimi i të qenit i papëlqyer shkon shumë i thellë, bazohet në përvojat traumatike të fëmijërisë ose është në pragun ku çon në një çrregullim klinik të diagnostikueshëm, atëherë ndihma terapeutike është jetike. Për të gjithë të tjerët, megjithatë, disa hapa të thjeshtë mund të ndihmojnë në zbutjen e rrugës drejt pranimit. Pranimi i mundësisë për t’u papëlqyer nga disa njerëz mund t’ju mundësojë të toleroni raste specifike pa u katastrofuar (kjo do të jetë katastrofike për mua), duke u globalizuar (të gjithë nuk më pëlqejnë) ose duke përjetuar më shumë shqetësime sesa e kërkon situata. Ju mund të qetësoni shqetësimin tuaj për mospëlqimin, të njihni dhe korrigjoni çdo sjellje sfiduese në të cilën mund të jeni përfshirë (nëse është e përshtatshme) dhe mbani mend se përballja me mospëlqimin është një pjesë e pashmangshme e marrëdhënieve njerëzore.

Njihni dhe emërtoni shqetësimin

Identifikimi dhe emërtimi i emocioneve mund t’ju ndihmojë t’i përpunoni ato. Në vend që të uleni me një ndjenjë të paqartë shqetësimi, përshkruani (me gojë ose me shkrim) se çfarë ndjeni dhe pse. Për shembull, ju mund të thoni, ‘Ndihem i trishtuar sepse shoku im tha jo për të arritur hapin dhe shqetësohem se nuk më pëlqejnë më.’ Ose, nëse një koleg është dukshëm i pakënaqur me ju ose duket se po ju injoron. ju mund të kuptoni se kjo ngjall kujtime të ngacmimit në shkollë dhe ngjall shqetësime nëse jeni ‘mjaft i mirë’ dhe nëse do të keni sukses në karrierën tuaj.

Nëse jeni të sinqertë me veten, ndoshta mund të identifikoni disa nga arsyet më sipërfaqësore që nuk e pëlqeni dikë.

Ju nuk keni nevojë domosdoshmërisht t’ia komunikoni këtë dikujt tjetër; edhe shkrimi për të në një ditar mund të mbështesë një kuptim më të madh të proceseve tuaja emocionale. Ndërsa kuptoni më mirë emocionet tuaja dhe ndiqni gjurmët e të menduarit tuaj, mund të mësoni ngadalë të ndani të kaluarën nga e tashmja dhe të identifikoni dhe emërtoni emocione specifike në vend që të ndjeni një frikë pa emër.

Pyete veten: “Sa e keqe është kjo në të vërtetë?”

Tendenca e trurit për të katastrofuar, ose për të imagjinuar rezultatin më të keq të mundshëm, mund të rrisë ndjenjën tuaj të dënimit dhe zymtësisë për mundësinë që dikush t’ju pëlqejë. Disa pyetje specifike mund t’ju ndihmojnë të menaxhoni këtë lloj të menduari. Hulumtimet e dekadave tregojnë se kur dikush mund të riformulojë të menduarit e tij dhe ta riorientojë atë drejt asaj që është realiste, intensiteti i emocioneve shpesh zvogëlohet.

Disa pyetje përkatëse për t’i bërë vetes mund të përfshijnë:

 Sa do të ndikonte vërtet në jetën time mospëlqimi nga ky person/këta njerëz?

 A jam duke u hiperfokusuar në një përvojë negative dhe duke injoruar përvojat pozitive me njerëzit që kujdesen për mua?

 A po përgjithësoj shumë nga ky incident? A po i them vetes se askush nuk më pëlqen bazuar në këtë incident?

 Çfarë dëshmie kam që njerëzit më pëlqejnë?

 A besoj se është e mundur që të gjithë të pëlqehen nga të gjithë të tjerët, gjatë gjithë kohës?

 A marr përgjegjësi të plotë për emocionet e një personi tjetër? A është e mundur që dikush të mos më pëlqejë për shkak të modeleve, nevojave dhe mbrojtjeve të tij psikologjike, në vend të diçkaje që kam bërë?

A mund ta toleroj të jem i papëlqyer?

Në praktikë – nëse, të themi, ndiheni të përjashtuar nga disa aktivitete shoqërore nga disa nga bashkëmoshatarët tuaj – mund ta menaxhoni këtë duke pyetur veten, nëse po supozoni më të keqen apo po e përgjithësoni. A është ajo që po përjetoni një sulm personal, apo është e mundur që grupi sapo është ndarë? Nëse ka një zhvendosje të thjeshtë ose mungesë përafrimi në vlera ose interesa, a mund të jetë e dobishme ta lejojmë atë të ndodhë, për të liruar hapësirë ​​për lidhje më ushqyese? A keni njerëz të tjerë mbi të cilët mund të jeni në gjendje të mbështeteni? A po e lejoni veten të supozoni se asnjë miqësi nuk do të zgjasë sepse po përjetoni probleme me një grup miqsh? Marrja në konsideratë e të menduarit tuaj në këtë mënyrë mund të zvogëlojë intensitetin e ndjenjave të lënduara.

Mendoni nëse nuk e keni pëlqyer ndonjëherë dikë

Më pëlqen të mendoj për këtë për një arsye të thjeshtë: të orienton drejt së vërtetës se do të takosh shumë njerëz gjatë gjithë jetës tënde dhe nuk do të pëlqejnë të gjithë. Nëse jeni të sinqertë me veten tuaj, ndoshta mund të identifikoni disa nga arsyet më sipërfaqësore për të cilat mund të keni pasur ndjenja mospëlqimi ndaj dikujt.

 (A ishte mënyra se si ju panë një ditë? Një koment i pavëmendshëm që ata bënë vite më parë?) Më pas mund ta zbatoni këtë mësim për t’ju ndihmuar të kuptoni se nëse dikush tjetër nuk ju pëlqen, mund të jetë për arsye të ngjashme të vogla.

Qetësoni emocionet

Të qenit i papëlqyer mund të sjellë një mori emocionesh të vështira, si trishtim, ankth dhe frikë. Aftësitë përballuese të fokusuara në emocione mund t’ju ndihmojnë të ktheheni brenda, të vini re emocionet tuaja dhe t’i qetësoni ato. Ai është i ndryshëm nga përballimi i përqendruar te problemi, ku përpiqeni të zgjidhni çështjen në fjalë.

Ndoshta disi seç e keni hasur është rezultat i personaliteteve të ndryshme që fërkohen me njëri-tjetrin

Shembuj të praktikave të dobishme të menaxhimit emocional për t’u përdorur në momentet e ankthit, trishtimit, lëndimit ose frikës mund të përfshijnë ditarin, meditimin, jogën ose teknikat e frymëmarrjes si frymëmarrja e kontrolluar (marrja frymë për 4 sekonda, mbajtja për 2, nxjerrja e frymës për 6 e projektuar për të reduktuar aktivizimin e shqetësuar trupor. Ndonjëherë, mund t’ju duhet të kapërceni valën e emocionit, duke e ditur se ajo do të zvogëlohet me kalimin e kohës, siç bëjnë të gjitha emocionet. Dhe, nëse ndieni zemërim ndaj vetes – nëse, për shembull, keni bërë një gabim që bëri që dikush të mos ju pëlqejë – mund të përfitoni nga një praktikë emocionale siç është meditimi i vetdhembshurisë.

Dëmshpërbleheni nëse keni bërë diçka të gabuar

Siç e përmenda, ka raste kur njerëzit thjesht nuk e pëlqejnë njëri-tjetrin, kështu që mund të zbuloni se dikush shqetësohet nga ju pa fajin tuaj. Por nëse keni kuptuar se dikush nuk ju pëlqen për shkak të diçkaje të prekshme dhe specifike që keni bërë (p.sh. duke thënë diçka fyese, duke thënë një gënjeshtër ose duke tradhtuar besimin e dikujt), atëherë ndërmerrni veprime për ta riparuar marrëdhënien, duke kërkuar falje, kjo mund të jetë e dobishme.

Një falje e vërtetë përfshin të shprehurit falje dhe pranimin e ndikimeve të veprimeve të dikujt. Nuk duhet të përfshijë racionalizime ose justifikime, ose fraza të krijuara për të hedhur fajin, si ‘Më vjen keq që u ndjeve kështu’. dhe se nëse dikush ka thënë se nuk dëshiron të dëgjojë më nga ju, kjo duhet të respektohet.

Reflektoni se çfarë do të thotë për ju mospëlqimi

Nëse jeni në një situatë ku një sjellje specifike, për keqardhje ka bërë që dikush të mos ju pëlqejë, ju keni mundësinë të mësoni për veten tuaj. Për shembull, thoni se keni treguar shumë pak interes për jetën e një miku, keni përfolur për një koleg ose keni ngacmuar shumë herë një anëtar të familjes. Edhe nëse nuk mund të zhbëni mospëlqimin e një personi, reflektimi mbi atë që mund të ketë kontribuar në të mund t’ju ndihmojë të bëni ndryshime në sjelljen tuaj të ardhshme.

Dhe çfarë nëse nuk keni bërë asgjë të gabuar? 

Ndoshta mospëlqimi që keni hasur është rezultat i personaliteteve të ndryshme që fërkohen me njëri-tjetrin, ose anktheve ose rivaliteteve që personi tjetër ka projektuar mbi ju. Kuptimi që nxirrni nga mospëlqimi i këtij personi mund të jetë i vështirë për t’u përpunuar, veçanërisht nëse tundoheni të nxirrni nga ky rast në një deklaratë globale për veten tuaj (p.sh. “Unë kam një personalitet të bezdisshëm dhe askush nuk më pëlqen”). Nëse kjo ndodh, është e dobishme të ndaloni dhe t’i ktheheni reflektimit mbi disa nga stilet e të menduarit që kam theksuar më lart, dhe të shqyrtoni çdo besim të padeklaruar se është e mundur që të gjithë të shkojnë mirë gjatë gjithë kohës, ose se mosmarrëveshja dhe mospëlqimi janë katastrofike dhe thuaj diçka të tmerrshme për ty. Gjithashtu reflektoni se si ndiheni dhe si reagoni ndaj konfliktit, dhe nëse mund t’i pranoni ndjenjat tuaja të zemërimit ose mospëlqimit ndaj të tjerëve – ose tundoheni t’i shtypni ato.

Mundësia për të qenë të papëlqyer është diçka që çdo qenie njerëzore do të përballet. Të kujtosh këtë dhe të përdorësh teknika si ato që kam paraqitur, mund t’ju ndihmojë të lundroni në përvojën tuaj pa ndjerë shumë shqetësime. Në vend të kësaj, ju mund ta përdorni atë si një mundësi për të mësuar të banoni botën me vetë pranim dhe mirësi më të madhe.

Filed Under: Sociale

NJË PERIUDHË E VËSHTIRË PËR KIEVIN

June 13, 2024 by s p

Nga PAOLO MIELI – “Corriere della Sera”, 12 qershor 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika/

Lajme të këqija vijnë për Kievin nga përfundimet e votimeve evropiane. Shumica e rrjeshtuar në dobi të Ukrainës në thelb ka qëndruar, por përparimi i të djathtave më skajore ka shkaktuar tek neve ndonjë lëkundje jo të lehtë tërmetore e në Rusi një gjëndje dalldie. I pari e ka ngritur gotën Marat Bashirov, i vetshpallur që në 2014 kryeministër i Republikës popullore të Luganskut: “Ditë e bukur” ka thënë, “Në Kremlin po hapin shishet e shampanjës”. Ata rezultate ”prishin dukshëm klimën e konferencës zvicerano – ukrainase e të takimit të nivelit të lartë të NATO-s”. Dhe përbëjnë provën se “qytetarët evropianë nuk duan të luftojnë kundër Rusisë”. Humbjet e Makronit e të Scholzit, simbas shumë të njohurit Dimitër Medvjedev, “janë një  pasqyrim i pazotësisë  politike të tyre në mbështetje të autoriteteve ukrainase”. Për më tepër, ka shtuar Medvjedevi duke i shkelur syrin të djathtave më skajore, “të politikave të tyre idiote ekonomike dhe të imigrimit”. Dhimitër Peshkov është treguar i bindur se partitë e së djathtës skajore “do t’i shkelin këmbët” atyre që duan të vazhdojnë të mbështesin Zelenksin. E kështu me rradhë. 

Bën përshtypje që lëvdata dhe inkurajime (herë herë edhe financime) partive që hymnizojnë esesët vijnë nga një Vend që, prej dy vitesh e katër muajsh, kryen çdo ditë ploja me qëllim të “çnazifikojë” Ukrainën.

Ndërmjet mbështetësve të çështjes ruse (në emër të paqes, merret vesh) të jetë ndonjë – makar  një antifashist i sinqertë – që të shkandullohet nga ky solidaritet i hapur  forcave që haptas i thërrasin përvojës hitleriane. Ndonjëri – me që ra fjala – nga ata që dy vjet më parë me të drejtë u lebetitën në prani të simboleve naziste të pikturuar mbi krahët e luftëtarëve të batalionit Azov, apo të riabilitimit të Stepan Banderës, në emërimin e një sheshi apo të një rruge, asnjë prej tyre nuk i ka vënë re fjalëve të kërshërimta të Bashirovit, Medvjedevit, Peshkovit apo shumë të tjerëve “çnazifikues” besnikë të Putinit.

  Gjenerali Roberto Vannacci do të jetë ai që do të mbajë lart flamurin e “paqësorizmit” italian në Parlamentin e ri evropian. Më i votuari ndërmjet mbështetësve – simbas asaj që ai vetë deklaron – i “arsyeve të papës Francesco” (e, natyrisht të Matteo Salvinit). Përballë tij, për këtë mision do të kishte më shumë tituj – për shembull ish drejtori i Avvenire-s Marco Tarquinio kandidat në listat e PD – “populli i paqës” u tregua më pak bujar duke bërë të rrezikojë gazetarin e shquar, të mbetej i përjashtuar nga lista e të zgjedhurve. Në të njëjtën mënyrë ky trup zgjedhor që në social apo në media letre shprehet me ngulm për ndërprerjen e furnizimeve me armë qëndrestarëve ukrainas, këta zgjedhës, thonim, nuk janë treguar mirënjohës kundrejt më luftarakëve për vetë çështjen e tyre: Michele Santoro, Jasmine Cristallo, Ginevra Bompiani, karikaturisti Vauro, Raniero La Valle. Si shpërblim Vannacci mund të bashkëndajë – gjithnji në Parlamentin evropian – barrikadat kundër Zelenski me Cecilia Stradën, Ilaria Salis e hamendësojmë me Pasquale Tridico që ka fituar një vend në Strasburg në sajë të L5Y.

Ky bashkim ndërmjet së majtës paqësore dhe gjeneral Vannaccit – në llogari të të cilit, të jetë e qartë, nuk rezultojnë as vlerësime publike dhe as pagesa nga ana e rusëve – është kremtuar në tv nga një përqafim (së largu) ndërmjet tij dhe Angelo D’Orsit. Profesor D’Orsi, edhe ai, duhet thënë në mënyrë po aq të qartë, pa marrë përgëzime apo financime nga Moska –  lufton burrërisht e ndonjëherë me argumentë bindës në ballin paqësor.

Ajo që habit është ndieshmëria e pakët e paqësorëve tanë kundrejt përparimit të partive të djathta, edhe skajore, dhe kënaqësia e dukëshme kur shikojnë të poshtëruar udhëheqësit evropianë, të cilët pak ditë më parë kremtuan tetëdhjetëvjetorin e zbarkimit në Normandi. Një zbarkim, rëndësia e të cilit, ndërmjet të tjerash është vënë në lojë në disa botime që çojnë në rrjeshtimin e tyre.

E gjithë kjo është shoqëruar nga një urim – edhe ai i hapur – që tjetri personazh i pranishëm në Normandi, presidenti Shteteve të Bashkuar Joe Biden, të humbë zgjedhjet e nëndorit në dobi të kundërshtarit Donald Trump, që ai po, do të dinte të gjente “paqën” sa hap e mbyll sytë. Nuk guxojmë as t’a përfytyrojmë në çfarë kushtesh për Zelenskin dhe për ata që kanë luftuar deri sot për pavarësinë e integritetin territorial të Vendit të tyre. 

Nga ky kuadër i vogël nxjerrim mësimin  se Evropa (ajo që, mbas votimeve, mbetet në këmbë nga Evropa) ka katër muaj kohë – nga tashti e deri në nëndor – për t’u vënë në rregull me vetveten. Kështu për t’u gjendur kur të mbahen votimet presidentore në Shtetet e Bashkuar (dhe ka ende ndonjë arsye për të qënë pohenikë) e gatëshme për të bërë pjesën e vet deri në fund. E mund të dilte jashtë diçka e mirë, përtej Ukrainës, për vetë Evropën. Do të thotë për t’ardhmen tonë.

“Corriere della Sera”, 12 qershor 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika      

Filed Under: ESSE

Kosovë, urime dita e çlirimit!

June 13, 2024 by s p

Ambasador Blerim Reka/

Aleatët euro-atlantik, javën e kaluar festuan 80 vjetorin e mposhtjes së nazizmit hitlerian, e Kosova sot po kremton 25 vjetorin e çlirimit nga fashizmi millosheviqian. Para tetë dekadash, zbarkimi i aleatëve në Normandi dhe para çerek shekulli hyrja e NATO-s në Kosovë, pas ndërhyrjes ajrore 78 ditëshe; i dhanë fund dy regjimeve gjenocidale.

“D-Day”, shënoi desantin trans-atlantik krah rezistencës së armatosur franceze. Hyrja e tankeve britanike të KFOR-it, shënoi zbarkimin e trupave veri-atlantike, në vijim të luftës çlirimtare të UÇK-së.

Derisa Republika e Kosovës, u ngrit nga hiri i luftës, në një rrëfim suksesi të shtet-ndërtimit demokratik; Beogradi, nuk ndryshoi as pas çerek shekulli. Agresioni në Banjskë vjet dhe “Kuvendi Pan-Serb” sivjet, dëshmuan se Serbia mbeti e njejta: hegjemoni militariste, e papenduar për të kaluarën e saj gjenocidale.

Falemnderim luftëtarëve të lirisë dhe aleancës veriatlantike. Kosovë, urime dita e çlirimit!

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT