• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2024

NGA NJË ËNDËRR E BUKUR, TEK NJË REALITET I MADH

June 10, 2024 by s p

Prend Ndoja/

Duke ndjekur dokumentarin “The Bajraktari Journej”

Në një ambient të zgjedhur në Yonkesrs të New York-ut, ishin bashkuar shumë personalitete të larta të sferës politike, si dhe të artit e të kulturës shqiptare në Amerikë, gazetarë, fotoreporterë, kineastë etj. Ishim të bashkuar jo si dikur në të kaluarën tonë në tubime dhe organizime për lirinë e atdheut, por për të shikuar nëpërmjet dokumentarit “The Bajraktari Journej” jetën e të kaluarën e një familjeje me famë të madhe, familjes së Hajdar Bajraktarit. Dokumentari, që është prodhim i shtëpisë kinematografike “Dyrrachium Produktion” na sjell të realizuar ëndrrën amerikane të familjes Bajraktari. Kjo familje, brez pas brezi, me pushkë dhe penë ka dalë në mbrojtje të Atdheut. Të njëjtën gjë vazhdoi edhe Hajdari në SHBA. Por, për të siguruar një ndihmë sa më të efektshme ndaj Kosovës, ai veproi jo vetëm si biznesmen i suksesshëm, por edhe si një diplomat i mençur e aktiv, duke sensibilizuar jo vetëm shtypin e mediet në Amerikë, por edhe personalitetet më me influencë në jetën politike amerikane, që nga kongresmenët e senatorët e deri tek Presidentët e Shtëpisë së Bardhë. Në kontakte të përhershme me ta, duke i ftuar edhe në shtëpinë e tij, ai e vuri çështjen e lirisë së Kosovës në tavolinat më me shumë influencë, për çuarjen e kësaj çështjeje drejt zgjidhjes.

Tek shikoja filmimet, fotot, dokumentet e dëshmitë e shumta që na sjellin në ekran skenaristi e regjisori Dhimitër Ismailaj-Valona e drejtori i fotografisë Ben Wolf, në mendje më erdhi novela “Rrugët e fatit” e autorit të mirënjohur O’Henry. Në këtë novelë, në një moment të zhvillimit të subjektit të saj, autori e vë protagonistin në një kryqëzim prej tri rrugësh. Në dilemën se cilin drejtim të merrte, heroi i novelës zgjedh njërën prej tyre, e cila e çonte në një zgjidhje të jetës së tij. Por autori me mjeshtëri kthehet e na jap variantet se ç’drejtim do kishte marrë jeta e personazhit nëse do të kishte zgjedhur rrugët e tjera. Vetvetiu më lindi pyetja: “Ç’drejtim do të kishte marrë jeta e familjes Bajraktari, pas arratisjes nga Shqipëria, nëse nuk do kishte zgjedhur rrugën nga Italia në Amerikë me ndihmën e priftit Prek Ndrevashaj? Përsëri, përgjigjen do ma jepte dokumentari me dëshmitë e faktet e sjella përpara shikuesit, se familja Bajraktari kishte bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme, atë të realizimit të ëndrrës amerikane.

Hajdari, me kontributin e tij ndaj Atdheut, për disa dekada ishte shndërruar në një armë të fuqishme kundër Serbisë. Burimet e tij, si valë Drini në mullirin e kombit, nuk shterruan kurrë.

Të bashkuar, shokë e miq, të gjithë sëbashku, me një nostalgji e shikonim dokumentarin kushtuar familjes Bajraktari. Nëpërmjet sekuencave e filmimeve që shpaloseshin në ekran, silleshin fakte e pamje që për shumë vetë nga diaspora ishin kujtime nga jeta reale e së kalurarës sonë. Dihet që Noli, Konica, Bajraktari dhe Joseph DioGuardi, janë ata që mbollën farën e lirisë në tokat shqiptare

Në dokumentarin “The Bajraktari Journey”, krahas qëndresës së një gjeneze prej shumë brezave ndaj pushtuasve, sillen edhe skena të rënda vuajtjesh. Krijonin mbresa e emocione të forta dëshmitë për largimin nga vendlindja të babait të tij me 6 anëtarë të familje përmes shteteve të Europës e deri në arritjen në Amerikë. Jeta e tyre ishte plot vuajtje në fillimet e para. Por për një kohë të shkurtër, sëbashku me dajën e ti, Rrustem Geci, arritën nivele shumë të larta të prosperitetit ekonomik. E kjo, falë vullnetit, inteligjencies e aftësive të Hajdarit, që u bë një biznesmen i suksesshëm e me ndikim të madh jo vetëm tek bashkëkombasit e tij në mërgatë, por edhe në jetën politike e ekonomike amerikane.

Kur populli i Kosovës luftonte për jetë a vdekje kundër pushtuesit serb, Hajdari e bëri të pamundurën të mundur, duke ndihmuar për lirinë e atdheut. Dokumentari sillte përmes pamjesh e dokumentesh një varg ngjarjesh, vuajtjesh, shqetësimesh, shpenzimesh e sakrificash të mëdha. Ndër to ishin edhe ato ndihma të pakursyeshme, të cilat e forcuan qëndresën e Dukagjinit, duke bërë që ai të mos dorëzohej kurrë.

Një fakt i bukur dhe i rëndësishëm, i cili flet shumë për këtë familje, ishte ai kur, në vitet ’80-90, nëpër tubime mblidheshin të holla për t’i dërguar si ndihma në vendlindje. Atëherë tregohej se si Hajdar Bajraktari,e kishte shitur pasurinë e tij me vlera qindra miliona dollarësh, duke i vënë ato në shërbim të atdheut. Ky fakt e nxiste edhe më shumë sedrën e krenarinë kombëtare bashkë me ndienjën e partiotizmit tek secili mërgimtar shqiptar. Dhe ata kërkonin të jepnin deri në dollarin e fundit për të ndihmuar çështjen e lirisë në Kosovë. Për rolin e kontributin e Hajdarit, flasin në dokumentar edhe kongresmenë amerikanë si Eliot Engel, mik i shqiptarëve e i dekoruar me çmime nderi në Shqipëri e në Kosovë.

Përjetimin e kronikës së jetës së kësaj familjeje në dokumentar e bëjnë më të këndshëm e mbresëlënës edhe zërat e folësve Jul Nënshati e Samantha Light dhe kolona zanore e kompozitorit Klodian Qafoku. Vlerë të veçantë dokumentare marrin edhe fragmentet nga librat e Muhamet Mjekut kushtuar familjes Bajraktari dhe fotot e fotoreporterit Dritan Haxhia. Të gjithë këta komponentë e bëjnë dokumentarin një realizim kinematografik me cilësi të lartë, që përçon mesazhe të bukura e njerëzore tek të gjithë shikuesit.

Pas shikimit të dokumentarit ishte organizuar një koktej për të pranishmit. Në një atmosferë të ngrohtë e vëllazërore pjesëmarrësit në këtë aktivitet dhanë mendimet e tyre për vlerat e këtij dokumentari, nëpërmjet intervistave për disa televizione që ishin prezentë.

Filed Under: Mergata

“Adriatic Press” dhe “Vatra” promovuan librin e Emrije Krosit: “Letërsia e Pranguar e Sami Repishtit”

June 10, 2024 by s p

Adnan Mehmeti/

Në botën e botimeve, takimet dhe miqësitë shpesh krijojnë lidhje të fuqishme dhe të qëndrueshme. Një shembull i tillë është miqësia ime me Emi Krosin, një autore dhe intelektuale e respektuar me të cilën kam pasur privilegjin të bashkëpunoj prej shumë vitesh në Tiranë. Ky takim i sotëm do të ndajë emocionet e promovimit të librit të saj të fundit për Sami Repishtin në Amerikë.

Emi Krosi është një zë i fuqishëm në botën e letrave shqipe, e njohur për angazhimin e saj të thellë në fushën e kritikës. Gjatë viteve, ajo ka ndarë me mua dhe lexuesit pasionin dhe përkushtimin e saj për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë tonë kulturore. Kjo miqësi dhe bashkëpunim i gjatë më ka lejuar të njoh nga afër punën e saj dhe ta vlerësoj si një studiuese të veçantë.

Libri i saj i fundit, “Letërsia e pranguar e Sami Repishtit”, është një testament i përkushtimit të saj ndaj historisë dhe kulturës shqiptare. Sami Repishti, një personalitet i shquar në mërgatën shqiptare në Amerikë, ndër të tjera, anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe ndërkombëtare për çështjet shqiptare.

Udhëtimi i Emi Krosit në Amerikë për promovimin e këtij libri është një moment i veçantë që reflekton suksesin dhe përkushtimin e saj të palodhur. Ndërsa ajo prezanton veprën e saj para një audience të re dhe të ndryshme, unë ndihem i emocionuar për arritjen e saj.

Në përfundim, dua t’i uroj Emi Krosit çdo sukses në këtë nismë të rëndësishme. Jam i bindur se promovimi i këtij libri në Amerikë do të jetë një hap i madh përpara në karrierën e saj dhe do të ndihmojë në përhapjen e njohurive për Sami Repishtin dhe çështjet shqiptare në një nivel më të gjerë.

Profesor Repishti, personalitet i njohur

Dëshira jonë ishte që në mesin tonë të kishim profesorin e nderuar. Për shkak të moshës së thyer, vitin tjetër do të festojmë 100-vjetorin e lindjes së tij, gjë që e bën të pamundur pjesëmarrjen e tij në këtë ngjarje. Edhe Emi më sugjeroi nga Tirana, kur e mori vizën: “Sigurohu që të vijë profesori.”

Pavarësisht sfidave që lidhen me moshën e tij, prania e profesorit është gjithmonë një nder dhe burim i pashtershëm frymëzimi për të gjithë ne. Ndërkohë që flasim për këtë ngjarje të rëndësishme, ndjejmë thellësisht mungesën e tij sot, por ngushëllohemi nga trashëgimia e tij e pasur intelektuale dhe kulturore. Kjo trashëgimi do të vazhdojë të ndikojë dhe të frymëzojë brezat e ardhshëm.

Shtëpia botuese “Adriatic Press” në shërbim të librit shqip

Shtëpia botuese “Adriatic Press” me shumë përkushtim është duke vazhduar botimet e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë. Ajo ka depërtuar në bibliotekat e shumicës së autorëve. Ky zgjerim i veprimtarisë së “Adriatic Press” reflekton një angazhim të vazhdueshëm për të promovuar letërsinë dhe kulturën shqiptare në mbarë botën. Shtrirja e saj në SHBA dhe Kanada dhe tani edhe përtej Atlantikut, është një dëshmi e suksesit dhe përkushtimit të saj për të sjellë zërat e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë tek një audiencë ndërkombëtare. Kjo arritje është një moment krenarie jo vetëm për “Adriatic Press”, por edhe për të gjithë komunitetin e shkrimtarëve dhe lexuesve që mbështesin këtë mision të rëndësishëm kulturor.

Ndërkohë që shohim përpara drejt të ardhmes, është e qartë se “Adriatic Press” do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në përhapjen dhe promovimin e trashëgimisë letrare shqiptare në Amerikë. Urime dhe suksese në këtë rrugëtim të mrekullueshëm!

(Fjala e mbajtur gjatë promovimit të librit, organizuar në selinë e “Vatrës” në Bronx)

Filed Under: LETERSI

Kryeministri Kurti në konferencën shkencore për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe Çlirimit të Kosovës: Si shoqëri dhe si shtet kemi nevojë për diskurse të mirëfillta shkencore dhe për narracione sa më të plota dhe të vërteta historike për luftën tonë

June 10, 2024 by s p

Prishtinë, 10 qershor 2024

Në kuadër të aktiviteteve në shënim të 25-vjetorit të çlirimit të shtetit tonë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën shkencore për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe Çlirimit të Kosovës: ‘’Një çerek shekulli shtetndërtim, sfida dhe arritje- qasje multidisiplinare”, të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

“Më vjen mirë që javën gjatë të cilës do ta shënojmë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, po e nisim pikërisht me një konferencë shkencore dhe pikërisht këtu në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Sepse historia dhe trashëgimia e luftës në Kosovë, kanë aq shumë nevojë për t’u studiuar, hulumtuar dhe për t’u shkencëruar. Ngase ne si shoqëri dhe si shtet, kemi nevojë për diskurse të mirëfillta shkencore dhe për narracione sa më të plota dhe të vërteta historike për luftën tonë”, e filloi kryeministri Kurti fjalën e tij hyrës para të pranishmëve në këtë konferencë.

Ai rikujtoi se si 25 vjet më parë, në mes të muajit qershor të vitit 1999, populli i Kosovës po i përjetonte ditët e fundit të luftës dhe ditët e para të çlirimit.

“Më 10 qershor 1999, NATO i dha fund fushatës së bombardimeve mbi Jugosllavi pas 78 ditësh bombardime. Në New York, Këshilli i Sigurimit i OKB-së e miratoi Rezolutën 1244 me të cilën e autorizonte vendosjen e një force ushtarake dhe civile në Kosovë. Po atë ditë, UNHCR-ja njoftonte se gjatë gjithë luftës në Kosovë, 862,979 refugjatë ishin dëbuar jashtë Kosovës dhe se sfida e radhës ishte organizimi i kthimit të tyre”, u shpreh kryeministri. derisa theksoi se po nga kjo organizatë atëkohë, më 3 gusht, u njoftuam se 90 % të refugjatëve ishin kthyer në Kosovë, në mënyrë spontane dhe të vetëorganizuar.

Me kthimin e refugjatëve në Kosovë, bashkë me 120 mijë shtëpi të shkatërruara dhe të djegura që i gjetën ata, siç tha kryeministri, u shuan edhe shpresat e politikës së shtetit të Serbisë, që plani i tyre i gjenocidit përmes Operacionit Patkoi, të kishte të paktën pjesërisht sukses për zbrazjen e Kosovës nga shqiptarët vendas.

“Më 11 qershor, trupat ushtarake të NATO-s nisën të hynë në territorin e Kosovës nga toka dhe nga ajri, duke e vendosur kontrollin e tyre në tërë vendin tonë”, u shpreh tutje kryeministri Kurti, derisa përmendi mbi 10,000 viktimat civile që kanë humbur jetën në luftën e fundit në Kosovë, mes tyre 1133 fëmijë dhe mbi 3000 burra dhe gra, të cilët ranë dëshmorë të lirisë. Ai shtoi se në më pak se dy vite luftë, disa mijëra gra dhe burra u dhunuan dhe torturuan, ndërkaq mbi gjysmë milioni njerëz u zhvendosën si refugjatë brenda Kosovës.

Duke uruar punime të mbara gjatë kësaj konferencë, kryeministri Kurti tha se tashmë kemi nevojë për shumë studime shkencore dhe botime akademike për gjithë çfarë ka ndodhur gjatë gjithë luftës në vendin tonë, në mënyrë që diskutimet dhe debatet tona, hulumtimet dhe studimet, shkrimet dhe botimet, të bëhen më akademike, shkencore, konceptuale dhe më teorizuese.

Kjo konferencë shkencore u organizua nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku të pranishëm ishin Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ish-Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe akademikë të tjerë.

Filed Under: Rajon

10 qershor 2023- 146 vjet nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit

June 10, 2024 by s p

Bujar Leskaj/

Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e madhe më e rëndësishme shqiptare dhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut.

Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të Kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte Shqipërisë krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan kuvendin mbarëshqiptar, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman.

Në 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katër Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës.

Kuvendi, i cili themeloi lidhjen e parë mbarëshqiptare zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110.

Dy ishin rrymat kryesore që debatuan: atdhetarët të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial, dhe fraksionet osmane të cilët ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë.

“Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”- tha në fjalën e tij Abdyl Frashëri.

Lidhja e Prizrenit krijoi 3 komitete (ministri);

Punët e Jashtme: Abdyl bej Frashëri, mbështetur nga Shaban bej Peja, Galip bej Shkupi, Asaf efendi Manastiri.

Punët e Brendshme: Haxhi Shabani, mbështetur nga Qorr Abdyl Efendi myderriz i Shkupit, Mahmud Qyprili, Esat pashë Tetova.

Financat: Sulejman Vokshi, mbështetur nga Zija bej Prishtina, Shefik bej Gjilani.

Dy aktet e para që mori Lidhja e Prizrenit ishin një peticion nisur Kongresit të Berlinit dhe një tjetër perandorisë osmane. Aty i bënin të qartë se Shqipëria nuk do të lëshonte asnjë pëllëmbë tokë nga viset e saj, të shoqëruara më qindra firma nga patriotët shqiptarë pjesëmarrës në Kuvend.

Filed Under: Opinion

Feja dhe Fuqia: Përtej Hyjnores

June 10, 2024 by s p

Artan Nati/

Ne kemi nevojë për diçka për të besuar. Nuk ka rëndësi se çfarë. Zoti, Buda, Zeusi ose larg qoftë lideri partiak, qeveria etj. Të gjithë kemi nevojë për besim. Kjo është ajo që na jep shpresë, të shpresojmë se ka diçka më të mirë atje, diçka për të cilën të përpiqemi. Shpresa është ajo që na shtyn të ngrihemi nga shtrati, duke shpresuar se do të realizojmë atë projekt të madh apo shpresa të bësh krenar familjen me arritjet personale etj.

Kur mendojmë për fenë, shpesh mendimi i parë është për një qenie hyjnore ose një thelb shpirtëror që na lidh me diçka më të madhe se ne. Megjithatë, me një shqyrtim më të thellë, feja mund të shihet edhe nga një këndvështrim tjetër: si një mekanizëm kontrolli dhe manipulimi ( gjithashtu religjoni politik ose partiak). Ky koncept merr kuptim në se feja shihet e ndarë nga koncepti i një perëndie ose perëndish, mund të përdoret si një mjet për pushtet dhe kontroll.

Feja, gjatë historisë, është përdorur si mjet për të ushtruar kontroll mbi popullsinë. Ky kontroll nuk është në thelb i lidhur me besimin në një zot, por më tepër me strukturat dhe hierarkitë që krijojnë organizatat fetare. Duke vendosur një sërë besimesh dhe praktikash si ‘të vërteta absolute’, këto institucione kërkojnë respektim të palëkundur, shpesh dekurajues ose ndalues ​​të plotë të pyetjeve ose mospajtimit me praktikat e ndjekura. Nga një këndvështrim anarkist apo më saktë humanist, vetëkontrolli dhe individualizmi janë vendimtare. Megjithatë, shumë mësime fetare promovojnë të kundërtën: nënshtrimin dhe konformitetin. Duke indoktrinuar individë që në moshë të re, fetë shpesh zbatojnë një botëkuptim që e vendos autoritetin fetar si arbitrin përfundimtar të së vërtetës dhe moralit. Ky proces ndrydh mendimin kritik dhe autonominë individuale, të cilat janë thelbësore për një shoqëri të lirë dhe vetëqeverisëse. Fetë shpesh pretendojnë një monopol mbi moralin, duke diktuar atë që është e drejtë dhe e gabuar bazuar në doktrinat e tyre. Ky monopolizim mund të çojë në një mentalitet shoqëror ku udhëzimi moral nuk kërkohet brenda arsyetimit dhe ndjeshmërisë së individit, por nga një autoritet i jashtëm. Një kornizë e tillë është në kundërshtim me parimin humanist të vetëkontrollit, ku individët janë përgjegjës për gjykimet e tyre morale. Disa fe pohojnë nocionin e ‘të drejtës hyjnore’, veçanërisht në kontekstin e udhëheqësve dhe sundimtarëve. Ky koncept është përdorur historikisht për të justifikuar pushtetin absolut të monarkëve dhe liderëve të tjerë, duke sugjeruar se autoriteti i tyre sanksionohet nga një fuqi më e lartë. Ky besim minon parimet e vetëqeverisjes dhe barazisë, parimet qendrore të humanizmit dhe iluminizmit. Ndërsa besimi në një zot ose perëndi është një çështje personale e spiritualitetit, struktura e fesë si institucion shpesh largohet nga këto rrënjë shpirtërore. Në rolin e saj si një mjet për kontroll dhe manipulim, feja mund të bëhet një pengesë për mendimin e lirë, vetëpronësinë dhe autonominë individuale. Njohja dhe sfidimi i strukturave të pushtetit brenda institucioneve fetare është thelbësore për ata që mbrojnë idenë e një shoqërie të bazuar në parimet humaniste demokratike.

Por nëse do të braktisnim të gjithë fenë tradicionale përgjithmonë, mendoj se do të kishim akoma një lloj besimi, ndonëse të çuditshëm dhe ndoshta të papërshtatshëm dhe eksperienca botërore tregon se mund të jetë tragike. Ne shqiptarët e provuam në mënyrë tragjike këtë eksperiment çnjerëzor. Karl Marksi, duke folur për fenë si opium për popullin, arriti të krijojë një fe të re me emrin komunizëm, dogmë, e cila u zbatua dhe u përpunua nga diktatori Lenin dhe pasuesi tij, përfaqësuesi i vetë djallit në tokë, Stalini. Enver Hoxha, si dishepull i djallit në Shqipëri, mbolli terror, persekutim e varfëri në Shqipëri. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për fashizmin. Kjo vlen të thuhet edhe për diktaturat teologjike në lindjen e mesme si në Iran, Arabinë Saudite etj.

Ne duhet të kujtojmë gjithmonë se të menduarit racional dhe besimi kanë gjëra të rëndësishme për të thënë për mënyrën se si jetojnë njerëzit, sepse të dyja u zhvilluan përmes mençurisë së shumë brezave. Duke i bashkuar këto këndvështrime të ndryshme duke i mbajtur ato nën kontroll me logjikë dhe mirësi, ne mund të fillojmë të planifikojmë për një të ardhme më të mirë.

Rilindasit shqiptarë e kuptuan mundësinë e përçarjes së vendit dhe ishte pikërisht Vaso Pasha që thoshte se “Feja e shqiptarit osht shiptaria”. Duke përdorur këtë metaforë, sepse Shqiptaria nuk është fe, ai bëri thirrje për bashkim. Vaso Pasha me kete poezi beri thirrje për bashkim sepse Perandoria Osmane nuk i njihte etnitë dhe përdorte sistemin e miletit duke i ndarë shqiptaret mysliman në turq, ata ortodoks në serb e greke e ata katolik ne romak. Pra shqiptarët do të ishin tre përbërës të një identiteti dhe jo një identitet i ndarë më tresh. Kjo gjithashtu shërbeu si nxitje dhe ndërgjegjësim për popullin por edhe për autoritetet fetare se feja dhe autoritetet duhet të bashkërendonin mendimin kritik e atë fetar në funksion të Shqipërisë dhe shqiptarizmës. Rilindasit tanë gjithashtu duke evokuar figurën e Skënderbeut, të cilën autoritetet otomane dhe me mbështetje të autoriteteve fetare në vend e kishin ndaluar, bënë të mundur përdorimin e arësyes dhe të mendimit kritik në funksion të çështjes kombëtare. Gjithashtu mbreti Zog dhe komuniteti mysliman, në nderim të traditës shqiptare, por edhe në respekt të përkatësisë europiane të Shqipërisë, ndaloi ferexhenë dhe faljen në gjunjë, duke respektuar traditën tonë, sepse ulja në gjunj konsiderohet si vdekje morale për Shqiptarin. Mbreti Zog në bashkëpunim me komunitetin mysliman ndaluan gjithashtu qylafin turk për burrat, duke treguar se humanizmi dhe përkatësia perëndimore e Shqipërisë ishin prioritare dhe mundësuan triumfin e kombinimit të besimit fetar me humanizmin dhe iluminizmit europian. Ne mund të krijojmë një shoqëri që vlerëson përvojat e ndryshme njerëzore duke i qëndruar ende ideve të arësyes, empirizmit dhe kërkimit të së vërtetës, nëse pranojmë se çdo person ka vlerë më vete dhe pranojmë besimet e tij të ndryshme. Mendoj se anëtarësimi i Shqipërisë në Konferencën Islamike, apo involvimi dhe favoreve që u bëhen disa vendeve islamike me rregjime diktatoriale apo tendenca të theksuara diktatoriale, nuk e ndihmojnë çështjen shqiptare dhe europianizimin e vendit. Politikanët, tanë për interesa të ngushta personale dhe partiake, kanë shitur interesat e vendit dhe kanë lejuar që Shqipëria të shkasë në korrupsion galopant dhe krimi i organizuar i ka dhënë damkën më të errët shtetit tonë si “narkoshtet”. Bashkëpunimi i shtetit, intelektualëve dhe komunitetit fetar nën frymën e humanizmit dhe përkatësisë europiane shqiptare është e vetmja garanci për integrimin e Shqipërisë në Komunitetin Europian.

Mendoj se për shumë nga ne ka çudi, frikë dhe shpesh marrëzi të shohim Krijuesin brenda Krijimit. Ne mund të shohim se ne vetë i krijojmë gjërat. Ne zbulojmë. Ne shpikim. Ne krijojmë. Ne krijuam shkrim, art dhe muzikë. Nuk është aspak një çudi për të parë se krijimet mund të jenë rezultat i një krijuesi, dhe se krijimi (ne në këtë rast ne) gjithashtu fillojmë të krijojmë.

Shumica prej nesh janë të aftë të kuptojnë se është normale të jemi mjaft të përulur për të thënë se misteri më i madh nga të gjithë është aktualisht përtej njohurive tona.

A e krijuam ne Zotin? Askush nuk mund ta thojë sepse është përtej kapacitetit njerëzor . Por në mënyrë të qartë, ne krijuam fetë si një mënyrë për të eksploruar dhe zgjeruar përfshirjen tonë në një univers të fuqishëm mahnitës.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT