• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2024

Marko Kepi for NYS Senate

June 28, 2024 by s p

Filed Under: Emigracion

PIK-PIK PIKON PIKËLLIMI NGA STREHA E ZHGËNJIMIT

June 28, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

Duke lexuar poezitë e këtij vëllimi lexuesi mund të kuptojë se viti 1992 ka qenë një nga periudhat më të vështira në jetën e poetit dhe me sytë e mendjes mund të shohë një pikëllim të thellë që bie në heshtje nga streha e zhgënjimit, me dhembje më tepër se në çdo vëllim tjetër poetik. Dy metafora në ballin e librit organizojnë gjithë strukturën e veprës dhe filozofinë e jetës: peligrini dhe karvani. Përmendja e peligrinit që në poezinë e parë të bën të kthehesh pas në kohë, në Anglinë e shekullit XVII dhe të kuptosh se zgjedhjet që bëjmë në jetë mund të na detyrojnë të bëjmë një ndarje të dhimbshme nga vatra ku u ndez zjarri i parë. Peligrinazhi në fjalë u bë në rrugë detare, kurse futja e karvanit në këtë kontekst na zbret në tokë dhe na sjell në realitetin shqiptar.

“Jam ndarë pa dashur nga karvani im…/ Karvani që e ka ndërruar drejtimin me kohë.” (Pelegrini, f.5)

Ky ndërrim i drejtimit është ndryshimi i sistemit politik që rezultoi se nuk ishte veçse fillimi i një rruge të re e të gjatë me shpresën e madhe se do preknim te kthesa e parë lirinë e munguar dhe mirëqenien e dëshiruar. Sfida e parë ishte zëvendësimi i luftës së klasave me grupimet humbës-fitues që e zhvlerësuan shpejt shprehjen “bashkëvuajtës”.

Ja dhe deklarimi i pelegrinit të udhëve qiellore: “Ah, sikur me këtë avion si patë/ Të degdisesha diku në Tanganikë,/ Të martohesha me një negre a mulate/ Se m’u mërzitën të gjithë!” (Para avionit, f.34)

Lajtmotivi i vëllimit jepet si esencë në poezinë “Pasqyrimi” ku poeti sheh fytyrën e vet në fletën e një plepi “një mjeran i cfilitur/ Me torb të mbushur plot brengë e zhgënjime.” (f.49)

Në një rrafsh të gjerë shoqëror njeriu i ri i shoqërisë socialiste dhe heronjtë që zunë topin italian nga gryka, sot dynden te ndihmat italiane pa vënë fare në peshore dinjitetin. (Varfëria f.😎

Po ç’u bënë heronjtë?

“S’ka heronj, heronjtë i përzumë…//S’ka heronj, tani ka pehlivanë!” (Malli për heronjtë, f.24)

Një pjesë e madhe e poezive ndalen në rrafshin vetjak:

“Po iki me trishtim i zgjënjyer nga miqtë…” (Trishtimi, f.6)

“…hesht prej kohësh një vjershë. /E shkreta grua tregon me mërzi për pazarë.” (Vjersha e vrarë, f.9)

“Unë jam tharë si trari në hijen e murit,/ Jam tharë në hijen e trishtimit…” (Tharja, f.15)

Në vetëm katër vargje të poezisë “Përulja e madhe” (f.90) poeti konstaton me trishtim se në ditët tona njeriu i ndershëm pret ndihmë e shpresë nga maskarenjtë.

Përmasat e dhimbjes kulmojnë me poezinë “Mos ma kujto!” ndërtuar me distikë ku 16 herë përdoret epifora “mos ma kujto”: me duar të lidhura, të pirë, të rrahur, në disfatë, duke qarë, në shtrat pa u bërë burrë. (f.16)

Pas kësaj deklarata e njohur ndër poetët, por edhe mes njerëzve të zakonshëm:

“Sot pasdite dua të vdes//Askush mos mbajë fjalim në varreza,/ Mos qajnë e mos lavdërojnë të ligjtë.” (Sot pasdite, f.57)

Poezia “Kujdes me fjalën!” shërben si parashikim i hidhur për histerinë e sulmeve verbale që u kthye në një mjet spekulativ goditjeje jo vetëm ndaj poetit, por ndaj çdo kundërshtari politik. Dy vargje përsëriten në të pesta strofat e poezisë, “Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë,/ Kujdes me fjalën dhe ti, zotëri!” Pse? Sepse “fjala gatuan male dhe kakërdhi, pikojnë çezma me helm të zi”, nga fjala humbën strategë e mbretër. (f.65)

Ka një antitezë në largësi në marrëdhëniet e autorit me njerëzit: “S’kam përmbysur sofrën ku kam ngrënë…” (Për trimërinë dhe frikën, f.28) dhe të njerëzve me të, mendim filozofik i sjellë vetëm në katër vargje me motiv oriental: “Djaloshit ia mësova fshehtësinë/Të shtinte me shigjeta si fajkua;/ Ai mësoi aq bukur, sa një ditë/ E ngriti harkun e qëlloi mbi mua.” (Shpërblimi, f.67)

Gjendja e rënduar shpirtërore shoqërohet edhe me plakjen fizike:

“Dora në tryezë më dridhet mbi letër.” (E shoh se po plakem, f.55)

“M’u shtrembërua fytyra, u bëra plak i shëmtuar,/ U bëra për dreq!” (Fytyra, f.58)

Në rrafshin filozofik me dy paralelizma figurativë vjen starti i tranzicionit:

“Gjysma e qiellit me re dhe gjysma tjetër e kaltër/…/Gjysma e shpirtit e ngrirë dhe gjysma tjetër e vakët.” (Pritja, f.10)

“Gërmadhë në rrugë e gërmadhë në shpirt.” (Në gërmadhë, f.12)

Poeti ka pjekurinë e jetës për të mos u rrëmbyer nga entuziazmi i çastit, por të shohë të vërtetën e trishtë:

“Ikin lejlekët larg në arrati/…/Pikojnë strehët melankoli/…/Gazeta hapet me tituj gri.” (Gri, f.11)

Ka shumë njerëz që mendojnë se historinë e shkruajnë fitimtarët. Tranzicioni ynë 34-vjeçar e riprovoi këtë dhe, sapo një historian provon ta shkruajë me gjuhën e dokumentave, sakaq hidhen taboret e fanatikëve për ta linçuar e për ta zhbërë studimin e tij. Sipas poetit, u sulën për copa kurnacët, grykësit, batakçijtë, pehlivanët. (Sofra e historisë, f.26)

Diku pelegrini ia lë vendin kalit dhe ngjan me një farë reflektimi për zgjedhjen e vështirë në udhëkryqet e jetës, që dikur diku mund të të nxjerrë në një shteg ku do të ndjehesh i braktisur:

“Nga vinte ky kalë e ç’donte ky kalë/ I ndarë nga kuajt e tjerë?/ Mos donte prehje të gjente vallë/ Larg nga karrocat e botës së mjerë?” (Një kalë i bardhë f.17)

Jeta nën diktaturë me liri të kufizuar e të kontrolluar jepet drejtpërdrejt te poezitë e mëposhtme:

“Më lodhi mundimi në shpirt tërë jetën/Ta them lakuriq të vërtetën. Po s’munda ta them ngaherë të plotë,/ Se ishte zuskë kjo botë…” (Vështrim pas gjurmëve, f.23)

“Dhe vërtet një pemë e re kam qenë,/ Që s’më shkulën dot, s’më mbollën gjetkë…// Veçse më krasitën me sëpatë/ Dhe s’më lanë të kem shumë degë…” (Pema, f.82)

Sistemi ateist i diktaturës së proletariatit goditi rëndë besimin e njerëzve dhe ky akt i shoqëruar jo vetëm me propogandë, por edhe me vandalizëm, mund të jetë një nga shkaqet që mohimi ruajti përmasa të frikshme edhe në sistemin demokratik. I shembën kishat e xhamitë, po në gërmadhat e tyre tymonte shpirti i pavdekur që thonte se gurët do të jenë më të rëndë kur t’i ringremë. (Kishat e shembura, f.25)

Pas shiut të pikëllimit që sapo përcolla, po sjellë pak diell, ashtu si ndodh rëndom në pranverë, me ca vargje që e ndryshojnë krejtësisht motin politik.

Ç’është kjo lemzë natën? Ndofta një udhëtar i vonuar qëndron te gurët e shtëpisë dhe thotë: “Ka nxjerrë një poet kjo gërmadhë e bekuar!” (Lemza, f.80)

Ja strofa e parë dhe e tretë e poezisë së mrekullueshme “Pas ndarjes” (f.84):

“Ajo më la përngaherë atë natë/ Dhe unë i mundur si një kalorës/ Me plagë kthehesha rrugës së gjatë,/ Kur shkrinte fundi i dëborës.//Në ahur çukisnin brirët e qeve/ Dhe hundët rëndonin erën me vlagë;/ Në qiellin e turbullt leckat e reve/ E lidhnin hënën si plagë.”

Së fundi, poezia “Dëshira” me një shkarkim stresi që ta jep vetëm dashuria:

“Lermë t’i shoh plantacionet e trupit tënd,/…/Dy buzët, qershitë me lëng,/…/Dy kodrat e gjoksit që të lënë pa mend,/Luginën mahnitëse mes kofshëve të bardha./ /Fushëzën joshëse nën këmishë,/ Në mesin e fushës cipëz argjend, gropkën kërthizë.” (f.14)

(Vëllimi poetik “Pelegrini i vonuar” i Dritëro Agollit, Tiranë 1993)

Filed Under: LETERSI

The Highland Lute/Lahuta e Malcis- Gjergj Fishta at Producers Club Theatres 07/20/24- 8PM

June 28, 2024 by s p

https://www.eventbrite.com/e/the-highland-lutelahuta-e-malcis-gjergj-fishta-tickets-933604083947?aff=odeieiemailshare&utm-campaign=social%2Cemail&utm-content=attendeeshare&utm-medium=discovery&utm-source=strongmail&utm-term=checkoutwidget

Filed Under: Analiza

105-VJETORI I KONFERENCËS SË PAQËS: WILSONI, FISHTA, NOLI DHE AKTUALITETI POLITIK NË SHQIPËRI

June 28, 2024 by s p

 Nga Frank Shkreli/

 Frank Shkreli: Presidenti Meta vlerësoi At Gjergj Fishtën

Ky vit shënon 105-vjetorin e Konferencës së Paqes që filloi në Paris në janar të vitit 1919 dhe që kulmoi me nënshkrimin e Traktatit të Versajës, më 28 qershor, 1919. Lufta e Parë Botërore kishte marrë fund në nëntor të vitit 1918, por përfundoi zyrtarisht me nënshkrimin e Traktatit të Parisit qershorin e vitit 1919.

Janë dy arsye që shqiptarët duhet ta kujtojmë këtë përvjetor: Një, është roli i presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilsonit, si përfundim i takimit të Fan Nolit me ish-presidentin amerikan, para se Wilsoni të nisej për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes në Paris dhe arsyeja tjetër është pjesëmarrja e delegacionit shqiptar në atë konferencë, përfshirë At Gjergj Fishtën.  Ky 105-vjetor shënon fjalimin historik të At Gjergj Fishtës mbi të drejtat e shqiptarëve në trojet e veta autoktone — një fjalim ky, që deri më sot, as Evropa as bota nuk kanë dëgjuar një fjalim të tillë mbi “Shqiptarët dhe të Drejtat e tyre”, nga asnjë përfaqësues tjetër shqiptar – as në nivel kombëtar as në ndonjë konferencë ndërkombëtare – gjatë 105-viteve të kaluara.

A black and white text and a person's head

Description automatically generated

“Një zë do të kem në Konferencën e Paqes dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të Shqipërisë.”  Presidenti Wilson ishte i pari president i Shteteve të Bashkuara, i cili në politikën e jashtme amerikane të kohës, ka theksuar rolin ndërkombëtar si mjet për krijimin e një rregulli të ri botëror, ndërkohë që kishte shpallur hyrjen e Amerikës në Luftën e Parë Botërore, si një përpjekje – sipas tij – për të bërë botën, “të sigurt për demokracinë”.  Ndërhyrja amerikane bëri që lufta të përfundonte në favor të aleatëve dhe janarin e vitit 1918. Administrata e Wilsonit i paraqiti Kongresit të Shteteve të Bashkuara, objektivat amerikane të përfundimit të luftës, duke njoftuar, “14 Pikat”.  Në bazë të njërës prej këtyre pikave, me mbarimin e luftës do të krijohej Lidhja e Kombeve, në bazë të së cilës, të gjitha kombet – të mëdha e të vogla – do të gëzonin garanci të përbashkëta për pavarësinë politike dhe integritetin territorial të tyre.

Fan Noli ishte takuar me Presidentin Wilson, para se presidenti amerikan të shkonte në Paris për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes. Noli ishte i bindur se Shqipëria, në personin e Wilsonit, kishte një mbështetës të fortë. Në një fjalim të vitit 1918 botuar në gazetën Dielli, me titull, “Borxhi që Shqipëria i ka Amerikës”, Peshkop Noli shpreh bindjen e tij se Shtetet e Bashkuara do të përkrahnin pavarësinë e Shqipërisë. Duke shprehur besimin se Amerika do të dilte fituese dhe se fitorja e Amerikës, sipas Nolit, do të ishte edhe një triumf për demokracinë anë e mbanë botës.

Noli për takimin e tij me Wilsonin: “Unë kam pasur nderin të takoj këtë njëri të madh, me një rast historik.”  

Ai ishte i patundur në besimin e tij se kushtet e paqes do të vendoseshin, sipas Nolit, nga “Një arbitër i botës, i cili është i drejtë, d.m.th., nga presidenti Woodrow Wilson”, ka thënë Noli, duke theksuar: “Kushtet e tija njihen mirë prej të gjithëve… që secili popull duhet të ketë të drejtën të zgjedhë vetë sovranitetin nën të cilin dëshiron të jetojë”.  Në shkrimet e tija, Noli ka rrëfyer se Presidenti Wilson kishte ftuar me një rast, përfaqësues të grupeve etnike, përfshirë edhe Nolin si

përfaqësues i komunitetit shqiptaro-amerikan, për t’u takuar me presidentin Wilson në Mount Vernon, jo larg kryeqytetit amerikan.  Duke u kthyer nga Mount Vernon për në Washington, Noli kujton se, iu afrua presidentit Wilson për t’i folur për hallet e Kombit shqiptar duke i bërë apel Wilsonit që, të “shpëtojë një racë heroike por të pa-mbrojtur”. Sipas Peshkop Nolit, Presidenti amerikan Wilson u përgjigj pa hezitim: “Unë do të kem një zë në Konferencën e Paqes dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të Shqipërisë.”  Sot e dijmë se ashtu edhe ndodhi, megjithëse kërcënimet ndaj Shqipërisë dhe territorit të saj, nga fqinjët grabitqarë, nuk pushuan as pas Konferencës së Paqes.

A painting of a person in a garment

Description automatically generated

Gjendja politike në Shqipëri pas Luftës së Parë Botërore ishte tepër e paqartë. Fqinjët e saj, serbët, grekët dhe italianët mezi prisnin të ndanin copa-copa, mes tyre, Shqipërinë. Në të vërtetë, përfaqësuesit diplomatikë të fuqive të mëdha evropiane kishin rënë dakord që Shqipëria të ndahej duke i dhënë nga një pjesë të saj, Jugosllavisë, Italisë dhe Greqisë.  Kjo marrëveshje u arrit pa i pyetur shqiptarët dhe pa marrë parasysh dëshirat e Shqiptarëve, por dhe në mungesë të kryenegociatorit diplomatik amerikan në atë konferencë. Por një vit më vonë, Kongresi i Lushnjës, në Janar të vitit 1920, vendosmërisht hodhi poshtë marrëveshjen e armiqve të shqiptarëve për të ndarë midis tyre Shqipërinë, copa copa, sikur të ishte plaçkë, ndërsa u paralajmëruan fqinjët dhe Evropa se shqiptarët do të luftonin në mbrojtje të integritetit territorial të vendit.

Në atë atmosferë pasigurie për Shqipërinë dhe për shqiptarët, në Mars të vitit 1920, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Wilson ndërhyri për të bllokuar zbatimin e marrëveshjes anti-shqiptare të Parisit dhe menjëherë vendosi të pranonte përfaqësuesin diplomatik shqiptar në Washington, duke afirmuar, në këtë mënyrë, mbështetjen e Amerikës për pavarësinë e Shqipërisë. Ndërsa, nga fundi i atij viti, Lidhja e Kombeve njohu sovranitetin territorial të Shqipërisë, duke e pranuar atë si anëtare të plotë të organizatës botërore, megjithëse fatkeqësisht me kufij të cunguar e të sakatuar.  Prandaj, në këtë 105-vjetor të Marrëveshjes së Paqes në Paris, me 28 qershor, 1919 — megjithëse ka kaluar një kohë e gjatë — të kujtojmë rolin e Woodrow Wilsonit, këtij burrështetasi të madh amerikan, zëri i të cilit, në Konferencën e Parisit ishte vendimtar për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë, por jo vetëm.  Të kujtojmë, gjithashtu edhe Fan Nolin, për kontributin e tij, siç ka thënë edhe vet, “Për kauzën njerëzore dhe qytetërimin botëror, me aqë sa kemi mundësi.” 

Gazetari, shkrimtari dhe historiani Ilir Ikonomi në librin e tij të fundit, “Fan Noli Apostulli, Vëllimi i Parë”, shkruan, se para se Wilsoni të nisej për në Paris, me 4 dhjetor, 1918, Arkimandrit Fan Noli me priftërinjt e tjerë ortodoksë shqiptarë u mblodhën në Boston dhe hartuan një memorandum ku, sipas Ikonomit, argumentonin se pse Shqipëria duhej të ishte shtet i pavarur, me qëllim “që të hidheshin poshtë pretendimet e epirotëve se të krishterët ortodoksë shqiptarë duan bashkim me Greqinë.”  (Ilir Ikonomi, Fan Noli, Apostulli, Vëllimi i Parë, faqe 353). “Shqiptarët thuhej në Memorandum nuk pretendojnë të jenë aq të përparuar e të rafinuar sa kombet perëndimore të Evropës, por ata me të drejtë nuk durojnë asnjë insinuatë se qëndrojnë më poshtë se çdo komb tjetër ballkanik…Kleri katolik në Shqipërinë e veriut i përbërë nga dy kryepeshkopë, katër peshkopë dhe mbi 300 priftërinjë është më i shkolluari në të gjithë Ballkanin…shqiptarët në më pak se 30 vjet dhe në rrethanat më të vështira e kanë kultivuar gjuhën e tyre dhe kanë nxjerrë poetë e shrimtarë të fuqishëm, si At Gjergj Fishta, Andon Zako dhe Faik bej Konica, me të cilët nuk mund të krahasohet dot asnjë autor modern i Ballkanit”.  (Ilir Ikonomi, Fan Noli, Apostulli, Vëllimi i Parë, faqe 353).

Të kujtojmë me këtë rast pra edhe At Gjergj Fishtën, i cili si anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Parisit, 105-vjet më parë mbajti fjalimin historik – para përfaqësuesve të disa vendeve më armiqësore të kohës ndaj interesave shqiptare — që mbetet sot e kësaj dite si ndër fjalimet — në mos fjalimi më klasik në oratorinë shqiptare mbi, “Shqiptarët dhe të Drejtat e tyre”.

Është ironik fakti se 105-vjet pas Konferencës së Paqes në Paris, kur Shqipërisë i kërcënoheshin rreziqe të shumta nga armiqtë e jashtëm – sot rreziku më serioz që i kanoset Shqipërisë – siç e ka cilësuar edhe Gjergj Fishta – është dhe mbetet edhe  mbi tre dekada post-komunizëm zyrtar — “Rreziku i Përmbrendshëm”, megjithëse, ashtu si në kohën e Fishtës: “Sot Shqypnia ka nji qeveri të vetën, ka nji parlament të vetin, ka nji ushtri, nji financë, e ma tepër, ka nji vijë kufijsh të njoftme ligjsisht prej Fuqive të qytetnueme: të tana sende këto qi na dëshmojnë se Shqypnia ashtë e lirë dhe e pamvarun”. 

Është ironik fakti se 105-vjet pas Konferencës së Paqes në Paris, kur Shqipërisë i kërcënoheshin rreziqe të shumta nga armiqtë e jashtëm – sot rreziku më serioz që i kanoset Shqipërisë – siç e ka cilësuar edhe Gjergj Fishta – është dhe mbetet edhe  mbi tre dekada post-komunizëm zyrtar — “Rreziku i Përmbrendshëm”, megjithëse, ashtu si në kohën e Fishtës: “Sot Shqypnia ka nji qeveri të vetën, ka nji parlament të vetin, ka nji ushtri, nji financë, e ma tepër, ka nji vijë kufijsh të njoftme ligjsisht prej Fuqive të qytetnueme: të tana sende këto qi na dëshmojnë se Shqypnia ashtë e lirë dhe e pamvarun”. 

Por, për fat të keq, edhe sot, kur kufijtë e Shqipërisë janë të sigurt, falë aleancave ndërkombëtare siç është anatarësimi në NATO dhe në organizata të tjera ndërkombëtare të sigurisë së përbashkët, rreziku më i madh ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve, vazhdon të jetë, “rreziku i përbrendshëm”, si pasojë e konflikteve të brendshme aktuale politike, për të cilin ka paralajmëruar dikur At Gjergj Fishta, e që tingëllon aq aktual edhe sot. Ndonëse dikur ishin fuqitë armike ato që kërcënonin interesat kombëtare e territoriale të Shqipërisë, sipas Gjergj Fishtës, janë vet shqiptarët, pikërisht, ata që përbëjnë rrezikun më të madh ndaj interesave afat-shkurta dhe afatgjata të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Frank Shkreli

Woodrow Wilson: “The world must be made safe for democracy.”

“Bota duhet të bëhet e sigurt për demokracinë. Paqeja në botë duhet t’u besohet themeleve të besueshme të lirisë politike.” Woodrow Wilson

Filed Under: Politike

Dëshmorë nga Çamëria në Luftën e Dytë Botërore

June 27, 2024 by s p

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Antifashisti Ali Demi, biri i Çamërisë që ra në Labëri

Biri i Çamërisë së cfilitur nga shovinizmi grek, Ali Demi, i gjendur familjarisht në Tiranë, do të jepte një ndihmesë të shquar në organizimin e qëndresës popullore kundër fashizmit në krahina të ndryshme të Shqipërisë si në Tiranë, Çermenikë, Kërrabë, Zaranik dhe në trevën e Labërisë e kryesisht në Vlorë dhe në krahinën e Mesaplikut. Tashmë dihet botërisht se më 29 prill 1943, antifashisti Ali, së bashku me 26 të burgosur politikë të tjerë, pas një pune këmbëngulëse dhe në heshtje të plotë, hapën një tunel të nëndheshëm dhe u arratisën nga burgu i Tiranës. Menjëherë Ali Demi shkoi në Çermenikë, ku kreu detyrën e komisarit të çetës në batalionin e Çermenikës, duke kryer disa luftime në Shqipërinë e Mesme. Në fund korriku 1943, u dërgua me detyrë sekretar i Qarkorit të Partisë Komuniste për Vlorën dhe më pas si sekretar poltik. Në krye të kësaj detyre Aliu u gjend kudo në fshatrat e krahinës së Mesaplikut dhe në qytetin e Vlorës, së bashku me të deleguarit e tjerë Ramize Gjebrea, Andrea Varfi, Lefter Kasneci, Selim Alimerko etj.

Trimëria dhe guximi i tij spikatën në luftimet e zhvilluara në këtë periudhë në qarkun e Vlorës. Ai dha një ndihmesë në formimin e çetave partizane të Bregdetit, “Bashkimi” të Topalltisë, “Sali Murati” të Vranishtit, “Myzeqesë” të Myzeqesë së Vogël në Vlorë, të “Halim Xhelo” e “Avni Rustemi”. Ai mori pjesë si luftëtar në Luftën e Drashovicës, ishte në Vranisht për krijimin e Gr. 2 Partizan të Vlorë më 30 tetor 1943, ishte anëtar i Shtabit të ZIOp që në fillim të tetorit 1943. Punoi fort në përgatitjen për krijimin e Br. V S, të formuar më 28 nëntor 1943, në Gumenicë të Vlorës. Ali Demi dhe një ndihmesë të dukshme në ngritjen e pushtetit ushtarak të prapavijës në komandën e Qarkut Vlorë, në Komandat e Vendit në Topallti, Drashovicë, Brataj, Kuç, si dhe organizimin e Rojes Partizane Vullnetare Fshatare.

Duke qenë gjithnjë në lëvizje, Aliu kishte rënë në sy të pushtuesit dhe të tradhëtarëve. Në mbrëmjen e 19 dhjetorit 1943, duke u kthye natën vonë në bazën e tij në Kaninë, dhe pse në kalanë e Kaninës kishte gjermanë. Baza e tij ku strehohej ishte rrethuar nga gjermanët e ballistët. Thirrjes së tyre për t’u dorëzuar, Aliu me dy shokët, ju përgjigj me grykën e maliherit. Mbi ta filluan të bien edhe predha artilerie e mortajash. U vra shoku i tij Pano Dhimëgjoka. Plagoset Dhimitër Mandro, shoku tjetër. Aliu për të mos rënë i gjallë në duart e armikut, çan rrethimin, por te qafa e Dheut të Bardhë goditet dhe bie në fushën e nderit si trimat…

Më 9 korrik 1945, Këshilli i Përgjithshëm Antifashist, i jep titullin më të lartë, plotësisht të meritueshëm, “Hero i Popullit”. Emrin e Ali Demit e mbajnë rrugë dhe shkolla të ndryshme në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë dhe në Vlorë. Për të janë shkruar libra, monografi, poezi, janë bërë buste dhe është pasqyruar në artet figurative. Ai është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 104, datë 20.06.1977, të Komitetit Ekzekutiv Tiranë dhe varri i tij gjendet në vorrezat e Dëshmorëve në Vlorë. Në këtë manifestim për Antifashizmin çam, në 80 vjetorin e Çlirimit të Atdheut, populli i trevës së Labërisë përulet me nderim para veprës së lartë atdhetare të birit të shquar të Çamërisë, Ali Demi. Ai i përket Vlorës heroike, pasi dha jetën në luftë me pushtuesit gjerman dhe reaksionin në kalanë legjendare të Aranitëve. Antifashisti ngeli përjetësisht në Vlorë për t’u treguar brezave heroizmin partizan në luftë për çlirim dhe pavarësi…

Mësuesi luftëtar çam Bido Sejko ra për Shqipërinë

Bido Sejko ka lindur në vitin 1900 në qytetin e Filatit në Çamëri. Babai i tij, Haki Sejko ishte një patriot dhe i dëgjuar në krahinën e Çamërisë, burrë me autoritet dhe luftëtar. Bido në Filat nisi shkollën, ku mësues pati atdhetarë të shquar si Qamil Izet Gamin, Rexhep Hamit Demin etj. Ai u rrit me ndjenjën e frymës patriotike, kur shikonte se në shtëpinë e tij, babai si kryetar i klubit kombëtar të Filatit, organizonte mbjedhje. Në shtëpi mblidheshin mjaft njerëz sa dhoma e pritjes së miqve mbushej plot. Kështu sa herë në shtëpi vinin njerëz, ai vishej me rroba të reja dhe përshëndeste ata burra të moçëm dhe fisnik që kuvendonin me orë të tëra për fatet e krahinës dhe të vendit. Në këtë kohë Bido ishte nxënës me studime në Torino. Në shkollën ku mësonte ai bashkë me disa shqiptarë, personeli italian në shkollë bënte një politikë diskriminuese dhe fyese kundër popullit shqiptar dhe luftëtarëve vlonjat. Në një nga ditët, kur një italian i quajtur Armando po villte vrer kundër luftës së popullit shqiptar, Bido, i pasuar nga shokët e tij shqiptarë iu hodh përsipër Armandos. I dha kështu një mësim të mirë. Në ato ditë duke marrë zemër nga ndërhyrja dhe mbrojtja e policisë disa elementë italianë shkruan në muret rrethues të shkollës: “Poshtë Shqipëria”. Kur Bido i pa, me një shpejtësi të madhe, i fshiu shkrimet që fyenin atdhenë dhe shkroi: “Poshtë shkelësit dhe vrasësit italianë”. Bido u përjashtuan nga shkolla, si dhe e përzunë nga toka italiane. Bido, pas përjashtimit nga shkolla u kthye në vendlindje. Tashmë grekomëdhenjtë kishin krijuar kushte të padurueshme në tokën çame. Ai ishte krenar nga natyra, por dhe nga kultura familjare dhe ambjenti patriotik ku u rrit dhe u formua, nuk mund t’i duronte dot veprimet djallëzore dhe të neveritshme të disa grekëve…

Për shumë vite ushtroi detyrën e mësuesit dhe dha mësim nëpër shkollat e Çamërisë, duke përgatitur dhe edukuar mjaft luftëtarë dhe patriot për kohën. Kjo u manifestua dukshëm në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ku Shqipëria u pushtua e para nga fashistët italianë. Në fillim të vitit 1943, mësuesi doli partizan. Trimëria e rrallë dhe aftësitë e veçanta organizative të tij, spikatën gjatë luftimeve 55 ditore kundër nazistëve në Konispol. Në këto luftime mësues Bido komandoi një njësiti të batalionit partizan “Çamëria”. Në janar të vitit 1944 nga ky batalion u dërgua në Brigadën VI Sulmuese (BrVIS) një kompani, ku bënte pjesë dhe mësues, tashmë luftëtar Bido. Ai mori pjesë në mjaft luftime, por më kryesori ishte ai për marrjen e Kalasë së Margëlliçit, ku ra heroikisht Meleq Gostinishtit, i cili ishte zëvendëskomandant i batalionit të katërt të BrVIS, që mbante emrin “Naim Frashëri”. Këtë detyrë komanda e brigadës ja ngarkoi mësuesit luftëtar Bido Sejkos. Bido mori pjesë në një sërë luftimesh dhe përpjekjesh dhe në të gjitha u shqua si një luftëtar e komandant i zoti. Në luftimet që u zhvilluan gjatë vijës Brataj-Lepenicë, në luginën e Mesaplikut me forca të shumta nazistë që përpiqeshin të çanin nëpër zonën e lirë gjatë lumit të Vlorës dhe të dilnin në Kurveleshin e Sipërm, Bido, krejt papritur, duke manovruar dhe me një njësit prej 23 luftëtarë u doli mbas shpine dhe i goditi befas e me guxim nazistët. Sulmi ishte i befasishëm dhe i hutoi dhe i goditi rëndë armiqtë, gjë që u dha mundësi forcave të tjera partizane t’i asgjësonin. Luftimi i fundit i Bido Sejkos ishte në mesditën e 22 qershorit 1944 në kreshtën shkëmbore të malit Saraqin, mbi katundin Dishat të Sarandës. Këtu, ai u ndodh përballë më se 15 nazistëve të fshehur e të strukur mbas shkëmbinjve. Ai luftoi trimërisht deri në çastin kur një plumb armik e goditi për vdekje mësuesin e dashur të krahinës, partizanin e komandantin trim Bido Sejko.

Mësues Bido Sejko ishte dhe mbetet një nga figurat më të shquara të brezave të mësuesëve dhe të luftëtarëve të popullit shqiptar. Ai është dekorua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me dekoratat: “Medalja e Çlirimit”, “Medalja e Trimërisë” dhe “Medalja e Kujtimit”. Bido Haki Sejko është shpallur Dëshmori i Atdheut me vendim nr. 166, datë 27.12.1977 të Komitetit Ekzekutiv të Sarandës. Për të është shkruar në shtypin e kohës si dhe në serinë e vëllimeve të “Yje të pashuar”, në vëllim 3. Emrin e tij e mban shkolla e mesme e bashkuar “Bido Sejko” në Konispol. Varri i tij gjendet në varrezat e dëshmorëve të Konispolit.

Të luftojmë që të mos turpërohemi para brezave…

Xhezmi Delli lindi në Tiranë në vitin 1918, ku në rrugicën “Sulejman Pasha”, në një lagje të vjetër të saj, gjendej shtëpia e familjes Delli, me numrin e portës 39. Prindrit e tij kishin ardhur nga Margëlliçi dhe ishin vendosur në Tiranë. Shtëpia ishte prej qerpiçi dhe e vjetër, e ndarë në tri dhoma të vogla. Në njerën nga dhomat e kësaj shtëpie, në kohën e reaksionit më të egër, gjatë viteve 1942-1943, bëheshin vazhdimisht mbledhje të drejtuesve të PKSH që punonin ilegalisht në Tiranë. Në shtëpinë përdhese të familjes Delli vinin të maskuar me veshje të ndryshme, herë si punëtor, elektriçist e herë si intelektual antifashistët dhe luftëtartë e lirisë Gogo Nushi, Beqir Balluku, Kozma Nushi, Fiqrete Sanxhaktari (Shehu), Nexhmie Xhuglini (Hoxha), Abdyl Këllezi, e të tjerë, ku merrnin udhëzime dhe orientime nga Tarasi, drejtuesi kryesor i PKSH.

Shtëpia ishte bazë e luftës dhe këtu bëheshin mbledhje të qarkorit, mbledhje organizatash Partie dhe Rinie etj. Pozicioni i shtëpisë ishte i atillë që lejonte, në rast nevoje, largimin me lehtësi të shokëve, përmes baçeve, që lidheshin me njëra-tjetrën deri në rrugën e Fortuzit, pranë burgut. Ka ndodhur shpesh që ilegalët pas shumë orë pune, shtroheshin këmbëkryq në sofër bashkë me pjesëtarët e familjes Delli. Midis tyre gjendej dhe Enver Hoxha i cili me thjeshtësinë dhe përzëmërsinë e tij, dukej si djalë i shtëpisë. Nga kjo shtëpi niseshin për aksione anëtarë të njësiteve guerrile të Tiranës, të cilët, në mes të ditës, kryenin aksione të guximshme. Kjo shtëpi e vogël, ishte bërë qendër e rëndësishme e aktivitetit revolucionar të antifashistëve dhe tërhoqi vëmendjen e armikut. Në orët e vona të një nate maji të vitit 1942, pushtuesit dhe tradhëtarët e rrethuan shtëpinë. Në mënyrë më barbare, shkëputën nga gjiri i familjes djalin e shtëpisë Xhezmi Dellin. Atë e torturuan dhe i bë presion që të tregonte për lëvizjen, por fashizmi dhe tradhëtarët nuk e përkulen luftëtarin. Për mungesë faktesh e liruan. Shtëpia e tij mbeti përsëri strehë dhe bazë e ilegalëve. Në demostratën e madhe të organizuar përpara burgut, ku u vra nga plumbat e fashizmit nëna Mine Peza dhe u plagosën shumë të tjera, shtëpia u bë qendër, ku u grumbulluan më se dyzet vajza të reja, të cilat, të mbuluara me çarçaf, kishin marrë pjesë atë ditë në demostratë. Shtëpia u diktua nga fashistët, spiunët dhe tradhëtarët, të cilët e rrethuan atë dhe me forca të mëdha arrestuan të gjithë sa ndodheshin brenda. Që nga kjo kohe, shtëpia u bë objekt gjurmimi të vazhdueshëm nga fashistët dhe tradhëtarët.

Në muajin prill të vitit 1943, i deleguar i Komitetit Qarkor të Tiranës, Xhezmi Delli mori pjesë së bashku me patriot pa parti në një mbledhje me disa përfaqësues, krerë të Ballit Kombëtar. Në mbledhje Xhezmiu mbrojti me vendosmëri Lëvizjen dhe luftën kundër fashizmit dhe nuk ishte dakort me përfaqësuesve të Ballit Kombëtar për qëndrimin e tyre. Po kështu Xhemziu kundërshtoi dhe kompromisin e BK me fashistët dhe sidomos protokollin “Dalmazzo-Ali Këlcyra”. Këtu Xhezmiu u ekspozua shumë. Drejtuesit e lëvizjes në Tiranë e porositën të largohej nga Tirana, se qëndrimi i tij ishte në rrezik. Pas kësaj mbledhjeje, në ato ditë Xhemziu po përgatitej për t’u hedhur në ilegalitet, organet e fashizmit, spiunët e tij (SIM-i) në bashkëpunim me tradhëtarët e rrëmbyen Xhezmiun. Që prej ditës 23 prill 1943, Xhemziu u zhduk mizorisht nga fashizmi.

Për të përjetësuar emrin e Xhezmi Dellit, në Tiranë në Njësinë Administrative nr. 3 është shkolla 9 vjeçare me emrin “Xhezmi Delli”. Është shkruar në librin “Yje të Pashuar” në vëllim I, Tiranë, 1971, f. 226.

Nuk e lëshoi pozicionin për 55 ditë luftë

Zihni Elamaz Shaqiri ka lindur në Shqefar pranë Konispolit më 14 prill 1927, në një familje të thjeshtë puntori. Në shkollën e Konisplolit, Zihniu ishte nxënës i sjellshëm dhe i zellshëm për dije. Babai Elmazi kishte dëshirë që i biri të kryente një shkollë të mesme. Por në vitin 1937 babai vdes dhe Zihniu mbeti jetim. Ishte 10 vjeç kur la shkollën dhe u detyrua të punojë për të mbajtur nënën, tre vëllezër dhe motrën. Ai u detyrua të punojë në punë të rënda dhe mbi supet e tij të njomë provoi barrën e shtypjes, fyerjen e poshtrimin. Kur fashizmi italian sulmoi Shqipërinë Zihniu ishte 12 vjeç. Në janar të vitit 1943 Lëvizja Antifashiste Nacionalçlirimtare në krahinën e Konispolit po zgjerohej dhe po krijoheshin formacione dhe njësi partizane për luftë kundër armikut dhe tradhtarëve, Zihniu u bashkua me të rinjtë antifashistë. Në korrik të vitit 1943 mori pjesë aktive në komandën partizane të vendit, që në këtë kohë kryente funksione të rëndësishme për Frontin Nacionalçlirimtar, duke kryer detyrën e korierit. Më 5 gusht 1943 në ditën e parë që forcat partizane u ndeshën me forcat gjermane që vinin nga Sajadha e Greqisë për të kaluar në Qafë Botë, Zihniu 16 vjeçar u rreshtua partizan në çetën e parë të batalionit “Çamëria”. Ai mori pjesë në të gjitha luftimet e mëvonshme që ndërmori batalioni kundër armikut dhe luftoi si anëtar i denjë i rinisë shqiptare.

Më 20 gusht 1943 nazistët gjermanë të udhëhequr nga ballistë dhe tradhëtar ndërmorën një sulm të paparë kundër zonës së Konispolit. Armiku goditi me artileri të rëndë, sulmoi pozicionet partizane në Likojan dhe në Qafë të Botës. Lufta ishte e rreptë. Zihniu edhe pse ishte me temperaturë, nuk u nda nga llogoret e luftës, rezistoi dhe luftoi bashkë me shokë. Temperatura nuk po i ulej dhe ishte mjaft i sëmurë, komisari i çetës urdhëroi që të shkonte pranë familjes së tij të shpërngulur nga lufta në fshatin Kllogjer. Ai shkoi, u takua me nënën, vëllezërit dhe motrën, duke u thënë: “Erdha t’u shoh për t’u çmallur, nuk prish punë se jam në ethe, ato do të kalojnë. Më duhet me çdo kusht të kthehem tek shokët sonte, sepse luftën e kemi në prak të derës. Armiku do goditur”. U përqafua me të gjithë dhe ashtu i zhuritur nga ethet, u dha këmbëve për tek shokët që ishin në luftë.

Dita e 27 shtatorit 1943 ishte vendimtare për armikun e gjakatosur rëndë në 55 ditë beteje me partizanët e batalionit “Çamëria”, si dhe forcat territoriale të të gjithë krahinës së Konispolit dhe të Vurgut. Armiku sulmoi me forca të shumta. Plani i armikut ishte që t’u impononte forcave tona të pakta në numër një luftë frontale për t’i asgjësuar lehtë, por nuk ja arriti dot qëllimit. Në luftimet e kësaj dite ishte dhe Zihniu që luftonte… Në Butas ra. Copa të predhës së murtajës e kishin marrë në kokë dhe në kraharor…

Për dëshmorin u bë kënga: Zihni partizani, lule e rinisë,/ Zot i dole vendit, luftëtari i lirisë,/ Hije të kish shtati, pushka dhe gjerdani,/ I kuq të ndriste ylli, Zihni partizani. Është shpallur dëshmor i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare me vendim nr. 166, datë 27 dhjetor 1977 të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Sarandës. Është shkruar në librin “Yje të Pashuar” në vëllim XI, Tiranë, 2002, f. 269.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT