• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2024

GËZIM HIDRI, MJESHTRI I “QËNDISJES” SË MOZAIKUT

June 4, 2024 by s p

AVNI ALCANI/

Rreth vitit 2010 në mediat shqiptare u përhap lajmi i rikthimit të Gëzim Hidrit, mjeshtër i mozaikut, i cili kishte filluar një mozaik të madh, kushtuar miliarderit të madh rus, Roman Abramoviç. Lajmi ishte i bujshëm, pasi Abramoviçi në atë kohë ishte shumë i njohur, jo vetëm për pasuritë e tij kolosale që zotëronte, por dhe për faktin se ishte Presidenti i “Çelsit”, Klubit më të famshëm anglez të futbollit.

      Emri “Gëzim Hidri” ishte shumë i dëgjuar për mua, pasi kisha njohur me këtë emër një djalë nga Librazhdi, por fytyra e këtij Gëzimi që shkruanin mediat nuk më përngjasonte me bashkëqytetarin tim. Gëzimi që kisha njohur unë ishte një djalosh simpatik me flokët të gjata e kaçurrela-kaçurella të dendura, si të futbollistit holandez Frank Rijkaard. Disa nga gazetat kishin rrëmuar thellë në biografinë e tij, duke dëshmuar se ai ishte nga Librazhdi. Nuk mund të mos e them se jam çuditur pa masë me bashkëqytetarin tim, si dhe për suksesin e tij. Brënda meje kisha dy ndjenja: e para, admirimin që ai ishte djalë nga Librazhdi dhe, e dyta, që kishte realizuar një mozaik të jashtëzakonshëm, kushtuar manjatit rus, Abramoviç. 

      Por kush është Gëzim Hidri dhe cili ka qenë rrugëtimi i tij në fushën e artit?

      Gëzim Hidri lindi në qytetin e Librazhdit më 17 mars 1969. Shkollën 8-vjeçare e kreu në qytetin e lindjes. Që në moshë të vogël ai kishte filluar të vizatonte, duke rënë në sy të babait të tij, i cili ishte një mjeshtër i punimit të drurit. Babai e inkurajonte djalin e tij për ta zhvilluar më tej talentin në pikturë. Me mbarimin e shkollës 8-vjeçare, Gëzimi ndjek për katër vjet mësimet për pikturë pranë shkollës së mesme artistike “Onufri” në Elbasan. Pas përfundimit të saj, në vitin 1987 ndjek studimet e larta në Akedaminë e Arteve të Bukura në Tiranë, në degën e pikturës monumentale, nën drejtimin e pedagogëve Hasan Nallbani, Sali Shijaku dhe Gazmend Leka. Në shkurtin e vitit 1991 merr pjesë në grevën e urisë të qytetit të “Studenti”, për heqjen e emrit të diktatorit E. Hoxha nga Universiteti i Tiranës. Për këtë shkak ai përndiqet nga organet e ish Sigurimit të Shtetit dhe kjo e detyroi atë që, në vitin 1991, të arratisej në Greqi. 

      Në vendin fqinj fillon karrierën si piktor, skulptor dhe mozaikbërës. Ishte një prift grek ai i cili e ndihmoi dhe e bëri të njohur në vendin ku banonte. Ai i dha mundësinë e disa porosive (punimeve), që Gëzimi i realizoi me shumë sukses. Nga viti 1994 dhe deri në vitin 1998 ishte profesor në “Shkollën e Arteve Grama”, në specialitetet si skulpturë dhe arkitekturë, për përgatitjen e studentëve në universitet. Nga viti 1998-2000 punon pranë kompanisë “Lithos”, ku drejton punimet në profilin e  mozaikut,  me dekoracione dhe motive nga arti klasik i Greqisë së lashtë (antike).

      Në vitin 2000 Gëzimi vendosi të emigrojë në Mbretërinë e Bashkuar (Angli), ku punoi për restaurimin dhe rinovimin e kishave ortodokse greke. Në Angli ai iu përkushtua edhe fushës së gdhendjes së mermerit dhe hapi atelienë e tij, të quajtur “Orbit Marble & Granit”. 

      Në vitin 2008, pas tetë vjetësh mërgimi në Angli, u rikthye në vendlindjen e tij, në Librazhd, dhe filloi të punonte mozaikë me gurët natyrorë të gjetura në brigjet e lumit Shkumbin. Fatmirësisht prurjet e lumit Shkumbin kanë gurë të ngjyrave të shumëllojshme dhe të mrekullueshme, të cilat janë një “minierë ari” për mozaiçistët. Fillimisht Gëzimi iu përkushtua tërësisht punës së mozaikut, duke rinisur portretin e Presidentit të Klubit anglez të futbollit “Çelsi”, Roman Abramoviç, i cili i ka përmasat: 1,40 m e gjate dhe 2,60 m e gjerë. Puna për këtë mozaik, kishte filluar në vitin 2006, kur ai ishte në Londër, por që nuk e përfundoi për shkak të largimit të tij. Portreti i Abramoviçit tërhoqi vemendjen e disa prej medjave kryesore të vendit, të cilat publikuan punën fantastike dhe të magjishme të Gëzimit, e cila ndërtohej dita-ditës, duke i ngjarë në mënyrë të mahnitshme Abramoviçit. 

      Një tjetrër sukses i Gëzimit ishte realizimi i Projektit të mozaikut “Flamuri i Marigosë”, kushtuar 100-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Mozaiku u realizua njëqind për qind me gurë të mbledhur në trevat e Librazhdit dhe u vendos në sheshin para Kuvendit të Shqipërisë, ku ndodhet edhe sot. Kur autiritetet e Bashkisë së Tiranës kërkuar që ta shpërblenin për “Flamurin”, mjeshtri Hidri iu përgjigj: “Flamurin për 100-Vjetorin e Pavarësisë ia dhurova kombit jo Bashkisë. Në momenti që unë e shes “Flamurin” s’jam më shqiptar, se kam shitur gjakun  dhe sakrificen e atyre burrave të luftës, të mëndjes dhe të penës, për të ruajtur ADN-ë e shqiptarizmit”. Flamuri i tij, thotë Hidri, ruan një sekret: “Flamuri, është i gjithi i punuar me gurë, me mozaik. Është 2012 milimetra ose 2 metra e 012 centimetra gjatësia, 1200 milimetra gjerësia. Pra jemi në vitin 2012, i thonë 1200 muaj që plotësojnë një shekull dhe kështu, kam punuar në një realizim artistik dhe historik. Një flamur i pakufizuar në natyrën artistike dhe i lënë hapur për 100-vjetorin tjetër që kushdo skulptor që do të punojë mozaikun të bëjë përfundimin e tij. Valëvitja e tij do të jetë origjinale” (Gazeta “Telegraf”, datë 5 nëntor 2012).

      Në vitin 2017 Gëzim Hidri hapi një ekspozitë personale në oborrin e Presidencës në Tiranë, me veprat e tij më të zgjedhura në mozaikë, gurë etj. Një vit më pas, në datat 14-18 shtator 2018, merr pjesë në Bienalen “Homo Faber” (Venecia), me një nga veprat e tij të artit në gur, duke përfaqësuar Shqipërin në këtë Bienale.

        Në periferi të qytetit të Librazhdit Gëzim Hidri ka ndërtuar një atelie arti, që e ka kthyer në një biznes shumë të suksesshëm, në të cilën krijon veprat e tij të artit në pikturë, mozaikë dhe gdhëndje guri, si skulptura, vepra arti me gurë konglomerat, portrete, vazo, bazorelieve me figura dhe me motive të ndryshme etj. Veç veprave të mirëfillta artistike, ai krijon objekte arti që shërbejnë si aksesorë arkitektonike për ambienbte të brëndëshme e të jashtme banimi, si dyer dhe dritare dekorative, korniza guri, çezma monumentale guri, mure dekorative, tavolina guri, oxhaqe, lavamanë, shatërvanë, memoriale etj., duke u shërbyer me artin e tij qytetarëve librazhdas dhe më gjërë. Në një nga parqet më të reja të qytetit të Librazhdit, Gëzim Hidri ka realizuar një skulpturë parku në gur, e cila është një abstraksion i bukur artistik. Skulptura është e vendosur në ambientet e këtij parku.          

      Atelieja e tij, e cila është kthyer në një vënd të vizitueshëm, pret çdo ditë vizitorë të ndryshëm. Atë e kanë vizituar disa nga personalitetet më të larta të Shtetit shqiptar, personalitete nga diaspora, nga trevat shqiptare jashtë kufijve të atdheut, personalitete të huaja, si ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, artistja e shquar shqiptare me famë botërore, Eliza Dushku etj. 

      Artisti Gëzim Hidri mban titullin “Mjeshtr i Madh”, i dhënë në vitin 2013 nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Bujar Nishani.

C:\Users\Avni\Desktop\Gezim Hidri\13707586_10202046140871653_1385527888600119805_n.jpg  C:\Users\Avni\Desktop\Gezim Hidri\42317170_10205313759160068_4009732444788883456_n.jpg  C:\Users\Avni\Desktop\Gezim Hidri\IMG_4465.jpg    Mozaiku i Roman Abramoviçit                         Në Bienalen e Venecias       Mozaiku i “Flamurit” në Tiranë

C:\Users\Avni\Desktop\Gezim Hidri\80791617_10207434576499176_1779508158796922880_n.jpg
C:\Users\Avni\Desktop\Gezim Hidri\196750426_10209426504576133_7676374999200932798_n.jpg

   Skulpturë parku në qytetin e Librazhdit                                        Shatërvani me mozaik

C:\Users\Avni\Desktop\Gezim Hidri\333648_1495002991623_1059806_o.jpg
C:\Users\Avni\Desktop\Gezim Hidri\280962_2721548854503_1720059413_o.jpg

             Me aktoren Eliza Dushku             Në Presidencë duke marrë titullin: “Mjeshtër i Madh”

Filed Under: Kulture

JOURNAL DE LA CÔTE D’OR (1847) / RRËFIMI PËR ALI PASHË TEPELENËN — LETRA E 26 SHKURTIT 1806 QË FRANÇOIS POUQUEVILLE I DËRGOI BIBLIOTEKARIT PERSONAL TË NAPOLEON BONAPARTIT NGA JANINA, E CILA BOTOHET PËR HERË TË PARË NË GAZETËN TONË

June 4, 2024 by s p


François Charles Hugues Laurent Pouqueville / Louis Marie Madeleine Ripault / Ali Pashë Tepelena
François Charles Hugues Laurent Pouqueville / Louis Marie Madeleine Ripault / Ali Pashë Tepelena

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 3 Qershor 2024

“Journal de la Côte d’Or” ka botuar, të martën e 28 shtatorit 1847, në faqen n°3, letrën ekzkluzive të François Pouqueville (i emëruar asokohe nga Napoleon Bonaparti konsull i përgjithshmë pranë Ali Pashë Tepelenës) dërguar Louis Ripault, bibliotekarit personal të Bonapartit, në lidhje me Ali Pashë Tepelenën, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Në numrin tonë të fundit, duke raportuar për banketin e mbajtur në Fixin pas inaugurimit të statujës kushtuar Perandorit nga z. Noizot, shprehëm keqardhjen që nuk mundëm të riprodhonim dollinë e propozuar nga zoti gjeneral Boyer dhe që u mirëprit me ngrohtësi nga të gjithë të ftuarit. Më të lumtur sot, ne ofrojmë tekstin besnik për lexuesit tanë, të cilëve u kishim dhënë vetëm një ide të papërsosur :

“Zotërinj, dollia që kam nderin t’ju propozoj është për Mbretin!

Mbretit, çdo mendim i të cilit, çdo vigjilencë e të cilit i kushtohet lumturisë së vendit! Mbretit! mbrojtës i ndritur i arteve, i cili donte që i njëjti pallat të bashkonte të gjitha lavditë e Francës! Mbretit, më në fund, që e kuptoi aq mirë ndjenjën kombëtare, kur dërgoi me devotshmëri njërin nga djemtë e tij për të mbledhur në tokë të huaj eshtrat e njeriut të madh për nder të të cilit jemi mbledhur sot!

Për Mbretin !”

— Festa e Fixin-it ka bërë natyrshëm shumë njerëz të riprodhojnë një mori kujtimesh të ruajtura në mënyrë të devotshme të ngjarjeve që lidhen me lavdinë e perandorit. Mes gjallërisë së transporteve të manifestuara në solemnitetin e datës 19 (shtator), ne kthyem sytë pas me gëzim në kohën kur Franca nuk ishte i vetmi komb i prirur të entuziazmohej për triumfuesin e lumtur që e kishte ripërtërirë dhe e kishte vendosur mbi të gjithë popujt; dhe, me shikimin e këtij entuziazmi spontan të turmës, ne kujtuam se me çfarë brohoritje unanime u përshëndet emri i Napoleonit edhe në vendet më të largëta. Letra e mëposhtme, e cila nuk është botuar kurrë më parë dhe që gjendet me shumë autografe kureshtare për epokën e perandorisë në portofolin e një bashkëqytetari tonë, meriton të lexohet me mjaft interes.

***

Janinë, 26 shkurt 1806.

Zotëri,

Unë hyra në Shqipëri më 3 shkurt dhe më kishin paraprirë lajmet për fitoret e Shkëlqesisë së Tij perandorit tonë; nuk dija asgjë për ditën e lavdishme të Austerlitz-it. E bëra të njohur duke e përkthyer në greqisht, në Porto-Palermo, ku zbarkova, ishte pika e parë nga u përhap fama. Epirin e kalova deri në Xhixhë (Dzidza); Veziri Ali Pasha shkoi në këtë vend dhe në këtë takim të parë, ai e përqafoi Besierin (Bessières) si një mik të vjetër. Ai pyeti për shëndetin e Shkëlqesisë së Tij dhe u emocionua kur mori vesh për bëmat e mëdha të armëve të kësaj fushate. Ai e mori dhe e puthi pushkën që Bessières i paraqiti, duke thënë se donte ta përdorte për kauzën e Shkëlqesisë së Tij perandorit Napoleon, të cilin e quajti disa herë “perandori i mbinatyrshëm, zotëria i tij (1). Unë, shtoi ai, dhe dy djemtë e mi, jemi ushtarë të Bonapartit; Unë ia kushtoj djemtë e mi.”

Unë nuk do të hyj në detajet e misionit me të cilin jemi ngarkuar dhe ju do të miratoni heshtjen time. Muktar Pasha, duke marrë armët që i dërgoi perandori, i mbajti në kokë dhe tha : “Le t’i përdor në shërbim të tij! Vel Pasha pohoi të njëjtat ndjenja dhe tha “se Perandori Napoleon, zoti i tij, nuk do të kishte kurrë një ushtar më besnik.”

Ja tani disa detaje mbi ndjenjat e veçanta të vezirit. Kohët e fundit ai mbante një portret të perandorit në mes të oborrit të tij të mbledhur; pasi u mendua, foli : “Pse nuk jam unë vëllai yt”, tha ai, “kur duhet të kem fenë tënde!” Më pas, duke u kthyer nga djemtë e tij : “Ja një portret që duhet ta keni gjithmonë para syve, për të imituar Bonapartin. Është jeta e këtij njeriu që ne duhet të studiojmë, dhe jo romanet tuaja greke, as librat tuaj. Imitoni vetëpërmbajtjen, maturinë dhe aktivitetin e tij.” Këto janë fjalët e Ali Pashës, fjalë që i dinë të gjithë. Sa i përket fesë së tij, ai thotë se është profet në vendin e tij dhe kjo e bën të qeshë.

Ali Pasha është një burrë 56-vjeçar, i fortë, vigan, mjekër të bardhë, me fytyrë të plotë, me trup atletik. Për të përdorur shprehjen e grekëve vendas, ai u hedh mjaltë fjalëve të tij. Ai fle maksimumi tre ose katër orë dhe e shfrytëzon kohën e tij për punë. Shëtitjet, gjuetitë apo udhëtimet e tij kanë gjithmonë biznesin si qëllim. Ai hyn në detajet më të vogla të brendshme. Bessières ishte njeriu që u mor me të dhe shpresoj të vazhdoj me sukses. Pres të vrapoj, sepse ai vazhdimisht udhëton, dhe kjo përshtatet në mënyrë të përkryer me vizionin tim.

Shqiptarët janë një racë burrash të ndarë në Evropë dhe do t’ju skicoj, kur të njoh më ngushtë zakonet e tyre, sepse nuk dua t’ju jap asgjë veç gjërave pozitive. Edhe unë do ta përshkruaj gjithë këtë vend dhe do të kërkoj miqësinë tuaj, për t’u rishfaqur në Paris, kur të kem shteruar plumbin e lapsit tim; duhet kohë. Ka shumë medalje dhe antikitete në vend dhe topografia e tij nuk ekziston askund. Kujtimet në të cilat kam shkruar vëllimin tim të tretë ishin të paplota.

Ali Pasha sapo ka përfunduar pushtimin e vendit të tij, dhe atij i ka mbetur vetëm Gjirokastra për të nënshtruar. Marrja e Sulit ishte për këtë vezir baza e pushtetit të tij. Në kohët e lashta kjo luftë do të kishte merituar këngët e gjysmëperëndive dhe ju siguroj se ajo u sjell po aq nder të mundurve sa fitimtarëve. Do të jetë një nga episodet më të bukura të udhëtimit tim në Shqipëri.

Rusët kanë vetëm partizanë të shpërndarë nëpër Shqipëri dhe ata janë të stërvitur në shtatë ishujt; por grekët e urrejnë çdo qeveri për të vetmen arsye se ajo kufizon shpirtin e tyre kryengritës. Është e vërtetë se rusët janë hajdutë dhe barbarë, morali i ashpër i të cilëve bie ndesh me atë të grekëve.

Lidhur me gjendjen shpirtërore të shqetësuar të grekëve, Ali Pasha i le të veprojnë. I këndojnë, e shajnë me sarkazëm dhe ai qesh duke thënë : “Janë grekë.” Peshkopi i Artës u ankua për disa satira që bredhin në vend dhe që drejtoheshin kundër tij; pashai i tha : “Epo! peshkopi im i dashur, ne duhet t’i lëmë njerëzit e letrave të përdorin privilegjin e tyre; Unë përdor shpatën time; ju, vini në praktikë Ungjijtë tuaj.” Më pas, ai thirri disa burra që i kënduan në banesën e tij marrjen e Sulit, një himn në të cilin lartësohet bujaria e suliotëve që iu përkushtuan vendit të tyre. Kjo ka të drejtë t’ju duket e çuditshme te një vezir; por Ali Pasha është një personazh shumë i habitshëm. Nuk do t’jua paraqes ushtrimin : nuk i lejon turqit t’i mërzitin grekët dhe ata jetojnë në një harmoni mjaft të mirë.

Rusët, tek të cilët do të kthehem sërish, e kanë humbur besueshmërinë në vend. Sëmundjet i shkatërrojnë në detaje. Forca e tyre efektive, në rastin e transportimit jashtë shtatë ishujve, është tetë mijë burra; Ata kanë, përveç kësaj, 1500 grekë shqiptarë. E tillë është ushtria e ekzagjeruar dhe unë garantoj vërtetësinë e pohimit tim.

Unë sapo e kam parë vendin dhe tashmë kam një ide të shkurtër të asaj që është. Do të jetë një kënaqësi e madhe për mua ta diskutoj këtë me ju në pjesën e mbetur të korrespondencës sime. I flas një shërbëtori besnik të Madhërisë së Tij dhe për këtë arsye i shpjegoj të gjitha këto gjëra. Ju lutem, i dashur Ripault (2), vazhdoni miqësinë tuaj me mua dhe ji i bindur se i kushtoj një vlerë shumë të lartë.

Siguroni zonjën Ripault për respektin tim dhe këtë njeri të mirë z. Bézanger (3), i cili ju do me kaq dashamirësi.

Me respekt dhe dashamirësi,

Zotëri,

Shërbëtori dhe miku juaj i devotshëm.

(Nënshkruar) POUQUEVILLE

(1) Këtu dhe më poshtë, të gjitha fjalëve të nënvizuara paraprihen nga teksti greqisht që riprodhon fjalët e vezirit Ali-Pasha.

(2) Atëherë bibliotekar i Napoleonit që nga viti 1801.

(3) Sekretar i z. Ripault.

Filed Under: Kulture

10 Qershori, 1878 – THEMELIMI I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

June 4, 2024 by s p

“Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?/

Nga Frank Shkreli/

Ndoshta më shumë për t’i bërë qejfin vetes, ashtu si në të kaluarën, përpiqem të kujtoj në mënyrën më modeste, data dhe personalitete nga historia kombëtare e shqiptarëve, sidomos personat dhe datat historike, nga të cilat shqiptarët edhe sot mund të marrin shembull e mësim, në përballimin me aktualitetin e sotëm politik në trojet shqiptare. Frank Shkreli – Mësimet nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për aktualitetin politik mbarë shqiptar: A ekziston më “Besa Shqiptare”? | Gazeta Telegraf

Sivjet, në kujtim të Kuvendit Kombëtar të Prizrenit ose Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mbledhur në Prizren më 10 qershor, 1878, tri ditë para se të fillonte punimet Kongresi famëkeq i Berlinit, po sjell në kujtesë poemën patriotike, “O moj Shqypni”, një poezi e shkruar nga Pashko Vasë Shkodrani, rreth viteve 1878–1880.

Sot, e kësaj dite, kjo poemë patriotike, por njëkohësisht, kritike dhe historike e Pashko Vasës, konsiderohet si një prej botimeve më të rëndësishme të viteve të Lidhjes së Prizrenit, me një ndikim mjaft të gjërë në Rilindjen kombëtare të shqiptarëve në atë kohë dhe si njëra prej veprave më të rëndësishme të letërsisë shqipe, në përgjithësi. Thuhet se Vaso Pashë Shkodrani e kishte shkruar këtë vjershë gjatë themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – si organizata e vetme shqiptare – që kishte marrë përsipër bashkimin e të gjithë shqiptarëve për të mbrojtur terësinë e trojeve shqiptare dhe interesat kombëtare të gjithë shqiptarëve pa dallim feje a krahine.

Poema e Vaso Pashës, “Moj Shqypni”, edhe sot simbolizon dhe motivon shqiptarët për bashkim e atdhedashuri dhe, njëkohësisht, frymëzon të gjithë shqiptarët e ndershëm, që të mbrojnë edhe sot interesat dhe të drejtat e të gjithë shqiptarëve, anë e mbanë trojeve kombëtare në Ballkanin Perëndimor, lënë amanet nga gjyshërit dhe stërgjyshërit.

Me shpresën e pa shpresë se kjo poemë e Vaso Pashës, do të frymëzojë sadopak ata që kanë sot në dorë punët e shqiptarëve, që të reflektojnë në këtë përvjetor të kësaj date historike – themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – si një rast që të pakën për një ditë klasa politike aktuale të shpalosi një ndërgjegje më të pastër kombëtare: Për një bashkim e qëllim, duke “lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar”, për mbrojtjen e trojeve dhe të interesave kombëtare të gjithë shqiptarëve, në përgjithësi, dhe pa dallim.

“Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?”

MOJ SHQYPNI

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,

Kush te ka qitë me krye n’hi?

Ti ke pas kenë një zojë e randë,

Burrat e dheut të thirrshin nanë.

Ke pasë shumë t’mira e begati,

Me varza t’bukura e me djelm t’ri,

Gja e vend shumë, ara e bashtina,

Me armë të bardha, me pushkë ltina,

Me burra trima, me gra të dlira;

Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.

Kur kriste pushka si me shkrep moti,

Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti

Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun

E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.

Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,

I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;

Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,

Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.

Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?

Po sikur lisi i rrxuem përdhe,

Shkon bota sipri, me kambë, të shklet

E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.

Si mal me borë, si fushë me lule

Ke pas qenë veshun, sot je me crule,

E s’të ka mbetun as em’n as besë;

Vet e ke prishun për faqe t’zezë.

Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,

Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;

Ca thone kam fè ca thonë kam din;

Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”

Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,

Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!

Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,

Për me ju damun me ju vorfnue!

Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,

Me ju turpnue me grue e motër,

E për sa pare qi do t’fitoni,

Besën e t’parëve t’gjith e harroni,

Baheni robt e njerit t’huej,

Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.

Qani ju shpata e ju dyfeqe,

Shqiptari u zu si zog ndër leqe!

Qani ju trima bashkë me ne,

Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!

E s’i ka mbetun as bukë as mish,

As zjarm në votër, as dritë, as pishë;

As gjak në faqe, as nder ndër shokë,

Por asht rrëxue e bamun trokë!

Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,

M’ata sy t’bukur q’dini me qa,

Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,

Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;

Ka mbet e vejë si grue pa burrë,

Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!

Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë

Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?

Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,

Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?

Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do

Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!

Para se t’hupet kështu Shqypnia,

Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!

Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,

Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,

E mos shikoni kisha e xhamia:

Feja e shqyptarit asht shqyptaria!

Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,

Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,

Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë

Kush mos na e preki, se desim t’tanë

Të desim si burrat që vdiqnë motit

Edhe mos marrohna përpara zotit.

Poezi nga Vaso Pasha

Filed Under: Histori

NË ERENKOJ VINTE ERA SAMI

June 4, 2024 by s p

Feti Mehdiu

Montreal/

Në 120 vjetorin e vdekjes së Sami Frashërit

Me 18 qershor 2024 është 120 vjetori i vdekjes së Sami Frashërit. Qershori i vitit 1978 ishte jubileu i 100 vjetorit të LShP, për të cilën  Samiu kishte investuar shumë mund, që kjo Lidhje të jetë e qëndrueshme me fqinjët e popullit shqiptar, në Ballkan.* Deri sa isha në Institutin e Historisë, (viti 1973-74), u njoftova me kontributet e Sami Frashërit në gjuhën turke të periudhës Osmane. Në vitin 1977, mora Ftesën për Simpoziumin Ndërkombëtarë 100-vjetori I LSHP, dhe paraqita temën: LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT NË gazetën TERCÜMAN-i ŞARK. Këtë gazetë e kishte themaluar Sami Frashëri. Nuk më ka shkuar mendja se Sami Frashëri do të më ngjitet si këmisha e lagur për trupi dhe të më përcjellë deri sot. 

Për Sami Frashërin kam ditë fare pak. E dija se  ishte Liksikografi më i madh Ballkanit, se ishte autor i Abetares dhe alfabetit të Stambollit,Kamusu-la`alam… , por për GAZETËN TERCÜMAN-i-ŞARK, sapo kisha dëgjuar dhe ky ishte shkaku që ia mësyna Stambollit. Duhej shfrytëzuar Gazeta, burimisht, e kjo  gjendej vetëm në Stamboll. Përkundër gjendjes shëndetsore jo të mire në familje,  fal mbështetjes së familjes udhëtova për Stamboll dhe qëndrova dy javë.

Në Bibliotekën e qytetit BELEDIYE KÜTÜPHANESI, në  Beyazit, përveç gazetës që kërkoja, gjeta edhe gazetën tjetër TERCÜMAN-i HAKIKAT, ku Samiu shprehte shqetsimet e opinionit shqiptar në rrethanat aktuale. Polemizonte me shtypin grek, me gazetën Neologos, për të prezentuar realitetin e popullit shqiptarë dhe peripetitë që përjetonte ky populli në prag të shpërbërjes së sulltanatit Osman. Popullit shqiptar, nga katër shtete shqiptare-Vilajete, i kanosej rreziku për zhbërja nga intrigat e fqinjëve të shqiptarëve, me argatët e tyre.* Qëndroja te halla Zëmyle, në Shirinevlerprej nga udhtimi deri në Bibliotekë më zgjaste një orë deri në dy orë, por ia dola që nga këto dy Gazeta  të përshkruaj  artikujt ku trajtohej çështja konkrete për të cilën kisha shkuar. 

Këtë kontribut e prezentova në KONFERENCËN SHKENCORE për 100-vjetorin e Lidhje SHqiptare të Prizrenit, 1978 dhe në vitin 1981 u botua në vëllimin PUNIMET E KONFERENCËS LSHP, vëllimi për histori, që e botoi ASHAK. Është edhe në veprën REFLEKTIME TË LUFTËS SË SHQIPTARËVE PËR PAVARËSI – në burime orientale, Prishtinë, 2012. Gjatë atij qëndrimi e takoja  zotëri Tahir Kolgjinin, të cilin e kisha njohur më parë, por tani, nga ai  mësova edhe  më gjërësisht  për jetën dhe historinë e Sami Frashërit. Më dha një pasqyrë konkrete ku kishte jetuar dhe kishte ndërruar jetë Sami Frashëri, për fundjetën e Sami Frashërit, si edhe për vorrimin e tij në Eren Köy. 

Zotëri Kolgjini më siguroi edhe enciklopedinë 6-vëllimshe, Kamusu-l-a`lam, të Sami Frashërit, me anë të atij mikut Ibrahim, në Sahafçılar.

Samiu ka jetuar në Eren Köy – një lagje e Stambollit, ndërmjet Göztepe dhe Çatallçeşme, përtej BOSFORIT. Aty ka ndërruar jetë, me 18  qershor të viti 1904 dhe aty është i vorrosur.

E dava mendjen ta vizitoj vendin ku prehet trupi i kolosit Sami. Kalova Bosforin dhe drejt në Eren Köy. I gjeta varrezat, por nuk ia dola të gjejë vorrin e Sami Frashërit. Ato vite në Stamboll ishte situatë e trazuar, me rreziqe dhe pasi që kushërini im Rushani, ma kishte tërheq vërejtjen, mos ec shumë nëpër Stambull – nga Biblioteka ec në shtëpi. 

Mund të ballafaqohesh me provokim: I majt a i djathtë? Nuk ke kohë të përgjigjesh në kso rastesh. 

U ktheva, pa vizituar Samiun, por e ndjeja erën e Sami Frashërit, prandaj i  kushtova  poezinë:

KJO  NUK MJAFTON…. e di! E di…* 

Takimi me mbesën e Sami Frashërit – Samijen 

Në Simpoziumin e tretë: III.Miletlerarası Turkoloji Kongresi, në Stamboll, në vitin 1979  shkova me kumtesën: SAMI FRASHËRI NË literaturën serbokroate(SIRPHIRVAT LİTERATÜRÜNDE SAMİ FRAŞERİ, që u botua në revistën Çevren, nr. 35, 1982, Priştine.

Samije Oz, e kishte parë programin e Simpoziumit dhe kishte ardhë të prezentojë kur prezentohet gjyshi i saj. Pasi prezentova referatin, m`u afrua dhe u përshëndetëm.

Ishte  një takim i shkurtër, gjatë pushimit të shkurtër ndërmjet seancave, por mbresëlënës dhe jetëgjatë në kujtesën time. 

Një zojë rreth të 60-tave, elegante, shumë e qartë në bisedë – sado që komunikuam në gjuhen turke. U shpreh me respect e mirënjohje për sa dëgjoi referatin tim, në gjuhen turke. Për aq kohë sa patëm  këmbyem mendime të vlefshme. 

Më tha se në familje të vet kishte edhe shkrime tjera të gjyshit Sami. 

Kur ia përshkrova përpjekjen time që ta vizitoja vorrin e Sami Frashërit, u mallëngjy dhe nuk bëri asnjë koment. Por duke u përshëndetur  më shtrëngoi dorën dhe, shtoi: herën tjetër inshallah do të keshë mundësi ta vizitosh. 

Këmbyem adresat dhe u ndamë.

 Kaq ishte takimi im me z.Samiye Öz. 

Edhe sot ndihem krenarë dhe jam i nderuar që prezentimin tim për Sami Frashërin në vitin 1979, e ka përcjellë me kurreshtje e respekt mbesa e kolosit SAMI – zonja Samiye Öz.

KJO  NUK MJAFTON…. e di! E di…

Vitet si ditë kalojnë

E pas jush ec historia

Varret tuaja, pas një shekulli 

Në heshtje dëshmojnë

Amanet të qartë përçojnë.

Varret tuaja

Mburrja jonë

Vuajtjet tuaja

Festa jonë…

***

Përvjetor të madh festojmë

Me emrin Tuaj përpara marshojmë.

Stamboll-Eren Köy, 1978

(Feti Mehdiu, Në detin  e brengave, Prishtinë, 2019, f. 89.) 

Photo: wikidata.org

Filed Under: Politike

Arbëreshët në Kalabri: Pasurojmë leksikun edhe në Arbërisht 

June 4, 2024 by s p

(Një vizitë në biblotekën Inernacionale A. Bellusci: Mes Librave në arbërisht dhe kulturës arbëreshe). 

Thuhet që zoti la nga  parajsa  mbi tokë fëmijët dhe lulet.

Jemi në Frascineto\ Frasnitë një ngulim arbëresh në Kalabri. Është ditë e shtunë 1 Qershor  “Dita e fëmijëve”. Me rastin e kësaj dite mesueset e shkollës fillore të Franitës së bashku me atë të Civita,(dy ngulime arbërsh distante jo më tepër se 5-6 km larg nga njëri tjetri) Carolina Sancineto, Anna Tarantino, Rosita Barile, Teresa Carollo e Loredana De Franco, shoqëruan  për më tepër se një orë leksion nxënësit e tyre  në Bibliotekën Bellusci. Tematika ishte. Si të pasurojmë leksikun. Gjatë kësaj ore kërkuam që tiu pasuronim leksikun nëpërljet fjalës shkruar si edhe kulturës trasmetur, kështu që  përfituam dhe i njohëm nxënësit edhe me disa koncepte në arbërisht. 

Siç është folur shpesh, gjuha arbëreshe nuk është gjuhë e kurrukulave shkollore, gjë që do të thotë se nuk mësohet në shkollë, por që nëpërmjet Ligji 482\99 jep këtë mundësi që të mësohet gjuha arbéreshe në formë fakoltative, dhe para disa ditësh shteti Italian në gazetën e tij Ufficiale nr 121 iu njeh arbëreshëve, arbërishten si gjuhë zyrtare në përdorim të gazetarisë, të radiofonisë si dhe të pragrame të ndryshme. Ky ishte një Hap historik, duke shënuar për arbërishten një kthesë epokale. 

Por, le të kthehemi tek dita e 1 Qershorit kur rreth orës 10 u paraqiten para bibliotekës  rreth 38 nxënës. 

I priste At Bellusci tek zyra e tij, i cili i mblodhi në gjirin e tij e  iu foli këndshëm e se sa e rëndësishme është libri, dhe më tepër të lexojmë aq më të ditur bëhemi, kështu i shërbejmë shoqërisë. 

Kushtet shëndetësore të At Belluscit penalizojnë shëndetin e tij, por punën e tij po e vazhdon me vullnet e impegnim vëllai i At Belluscit  Avv Tommaso Bellusci i cili është edhe Drejtori i Bibliotekës. 

Fëmijët spostohen për te qëndra Albanologjike themeluar nga At Bellusci që ndodhet pranë bibliotekës. 

Saph hyjnë gumëzhijnë si zogj. Biblioteka është e vendosur në një banesë  400-vjeçare, ndërtuar me gurë është një nga bibliotekat më të rëndësishme në Krahinën e Kalabirisë. 

E veçanta e kësaj biblioteke është se në brendësi të saj përmban  mbi 10.000 mijë egzemplarë në gjuhën shqipe dhe arbërisht.

Fëmijët pozicionohen dhe fjalën e merr sekretari i kësaj Biblioteke Emanuele Rossanova. Një djalosh që është shembull për arbëreshët. Ai e mësoi gjuhën në këtë Qendër prej At Belluscit dhe duke qenë një djalë i zoti At Bbellusci e mbajti si sekretar të Bibliotekës. Midis Emanuele dhe fëmijët u krijua menjëherë ajo sienergji e fort dhe pozitive. Që në fillim treguan inters dhe u zhvillua një dialog pyetje përgjigje.

Ishte një raport  miqësor midis fëmijëve dhe tij. 

Biseda kaloi midis fëmijëve dhe  mua (Ornela Radovicka) ku u përqëndrova në botën arbëreshe, duke parë që një fetë e mirë e fëmijëve kishin edhe me origjinën arbëresh apo me prindër të përzjerë. Tematika ishte të pasurojmë fjalorin dhe ajo u përqëndrua tek fjalët arbëreshe Gjitonija, si edhe tek koncepti i saj si edhe tek  fjala “ Poliglot” 

Koncepti i Gjitonisë u spjegua dhe u shtjellua në formën e saj të mirfilltë në  përfshirjes së 5 shqisave: Shikimi, shija, nuhatja, prekja, dëgjimi. Fjalë këto që jo vetëm për ti mësuar në arbërisht, por edhe për të kuptuar arkitekturën e fshatrave arbëresh, sepse askush nuk u flet mbi këto argomenta. 

Koncepti i dyte ishte “Poliglot. Tematika prekte idenë për të mësuar arbërishten( vlente edhe për fëmijët e tjerë  të karkaterit multi kultural që të mësonin gjuhën e prindërve të tyre “Bashk edhe pse jemi të ndryshëm” është një pasuri e humanitetit). Fjalën “Poliglot” e lidha me kulturën  arbëreshe duke nxjerrë në pah që të parët e tyre arbëresh,  të cilët erdhën në këto troje në shekullin XIV,XV  në Itali komunikonin në 4 gjuhë: Kalabreze, (gjjuha me të cilin bënin tregëti) Greqishtja( sepse kishte qenë liturgjia), Latinishtja që ishte gjuha zyrtare( gjuha me të cilën shkruheshin aktet notarile) dhe Gjuha arbërishte, ( gjuha e shpirtit, gjuha e mëmës)të cilën e flisnin çdo ditë, këndonin, rrëfenin, luteshin etje.

Në këtë mënyrë  këta fëmijë nuk mësonin vetëm fjalën “ Poliglot” dhe pasuronin leksikun por edhe historikun mbi popullin arbëresh.  

Momenti më i bukur ishte kur shumë prej këtyre fëmijëve  panë libra,  u lindi dëshira që të shkruanin edhe ata libra.

 Secili kishte idetë e tij, dhe idetë ishin nga më të ndryshme, po përcjellë një ide që më bëri disi përshtypje  Ja se çmë tha njëri prej tyre: Unë dua të shkruaj në Arbërisht  një libër, por a mund të flas brenda këtij libri  edhe për  “Dinosaurit”? 

Përse dëshiron ti futësh edhe Dinosaurët brënda këtij libri?- e pyeta gjithë kurjozitet.    

Dua të them se nëse arbëreshët janë populli më i lashtë, me pa tjetër do të kenë parë ndonjë Dinosaurë para se ata të zhdukeshin kommplet. Unë mendoj se  me siguri që ndonjë prej tyre  ata i ka  njohur Dinosaurët, e fundit, para se të  zhdukej i fundit prej  Dinosaurët – mu përgjigj Ai.

 Vura buzën në gaz. 

Në çastin e largimit, i folëm edhe  për fjalën “Mikpritje”. Gjesti që At Antonio Bellusci edhe pse i sëmurë,  u ngrit për ti përcjellë fëmijët, të cilët i kishte pritur me dashuri, iu ofroi  karamele dhe biskota, e në fund i përcolli deri jasht porte. Këto shenja tregojnë “ Mikpritjen” që iu bëhet miqve, që është shenjë e respektit të një civilizimi e vlera humane të popullit arbëresh. 

Gjendeshim në rrugën “ Udhe e Malit”. Pyeta nëse dikush dinte të lexonte tabelën dygjuhëshe që ishte vendosur tek fasada e shtëpisë së At Belluscit. Nuk dinin ta lexonin, vetëm dikush tha: Është në arbërisht dhe lexohet Uda\ Udha e Malit. Nuk arrinte ta kuptonte shkronjën “ Dh” por nuk dinin as kuptimin.  

Kaluam disa momente të bukura ku me “Atlanten tonë” për të pasurar leksikun,  fluturuam në botën arbëreshe, në Bibliotekën A. Bellusci dhe mësuam fjalën, por edhe konceptin dhe kulturën nëpërmjet fjalës.  

U gëzova pa masë kur të nesërmen Emanuele Rossanova më thotë. Ornela  takova gjyshen e njërës prej nxënësve, e cila  ishte kthyer në shtëpi shumë e kënaqur dhe kishte kërkuar të thellonte dijen mbi “Gjitoninë”. 

Nëpër mend më erdhi menjeherë idea se – Nëse do të impenjohem më tepër që të rrisim “ il  Senso della appartenza” do të shohim se gjërat do të ndryshojnë. Gjakun nuk mund ta mohosh dot, dhe pa rrënjë nuk mund të qëndrojmë. Mendoj se Ligji 482\99 është një ligj i çalë, dhe nuk njeh si detyrim shkollën në arbërisht, por deri sa që përmirësojmë gjërat nuk mund të qëndrojmë duar lidhur, prandaj nuk mund të presim më. Arbëreshët janë në tehun e thikës së asimilitit. Unesco po “ Ulurin” duke thënë se Arbërishtja është një gjuhë në rrezik zhdukje. Akademikët me sa duket nuk janë më të zotë që të bëjnë Unifikimin e gjuhës arbëreshe, nuk kanë me sa duket edhe istrumenta për ta bërë. Kanë humbur dhe po humbasin shumë kohë duke mos i dhënë PRIORITET GJUHËS. 

Kurset që bëhen sot ndihmojnë deri diku  dhe janë vetëm instrumenta “ terapi intensive”, por nëse nuk kemi një ABETARE të përbashkët,  nëse nuk arrijmë në unifikimin e arbërishtes,  Nëse nuk zgjidhet një model UNIK  për 52 fshatrat arbëreshe në një Arbërishte Nacionale nuk kemi një Arbëri të fort e të shëndosh. Përfitoj  të zë në gojë punën e madhe të Dy federatat e mëdha në Kalabri  UNIARB DHE FAA , si  dhe të gjithë individët, studiues, autor,  hulmtues,mësues vullnetarë, sporteli linguistici, teatro, grupe folkloristike, korograf, istrumentist, të cilët  bëjnë të pa mundur për të mbajtur gjallë gjuhën. 

Pa këta nuk do të kishte Arbëria. Kjo arbëri është falë këtyre njerëzve! 

Falenderojmë në mënyrë të veçantë mësueset e këtyre dy shkollave Frasntitës dhe Civita, që falë tyre kaluam këto emocione, dhe falë tyre duhet të Reflektojmë se sfida të reja për gjuhën dhe kulturën arbëreshe na presin.  

I urojmë këtyre fëmijëve: Shëndet, Gëzime, të bëhen të aftë në dobi të shoqërisë, ndërsa për ata fëmijë që që janë të komunitetit arbëresh, i urojmë që të rriten edhe me  dashurinë, për këtë gjuhë sa të rrallë e të lashtë siç është arbërishtja. 

Shënim:  midis Qëndrës Albanologjike A. Bellusci dhe Lidhjes së Krijuesve në Diasporë, me Kryetar Musa Jopulli dhe sekretar Mentor Thaqi, hulmtuesin, studiuesi në Austri prof Hazir Mehmeti, Koordinatorin e gjuhës shqipe në Svicër prof Vaxhid Seidiu, si dhe me  Anëtarin e Nderit të  Qendrës Albanologjike Rexhep Rifati, lidhur një akord në mbështetje, për përhapjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës arbëreshe. 

Përgatiti materialin    

Ornela Radovicka.Qëndra Albanologjike A. Bellusci 

C:\Users\iljas\Downloads\FB_IMG_1717337901396.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\IMG-20240601-WA0055.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\IMG-20240601-WA0052.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\IMG-20240603-WA0005.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\IMG-20240603-WA0006.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\IMG-20240601-WA0044.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\IMG-20240601-WA0047.jpg

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 47
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT