Feti Mehdiu
Montreal/
Në 120 vjetorin e vdekjes së Sami Frashërit
Me 18 qershor 2024 është 120 vjetori i vdekjes së Sami Frashërit. Qershori i vitit 1978 ishte jubileu i 100 vjetorit të LShP, për të cilën Samiu kishte investuar shumë mund, që kjo Lidhje të jetë e qëndrueshme me fqinjët e popullit shqiptar, në Ballkan.* Deri sa isha në Institutin e Historisë, (viti 1973-74), u njoftova me kontributet e Sami Frashërit në gjuhën turke të periudhës Osmane. Në vitin 1977, mora Ftesën për Simpoziumin Ndërkombëtarë 100-vjetori I LSHP, dhe paraqita temën: LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT NË gazetën TERCÜMAN-i ŞARK. Këtë gazetë e kishte themaluar Sami Frashëri. Nuk më ka shkuar mendja se Sami Frashëri do të më ngjitet si këmisha e lagur për trupi dhe të më përcjellë deri sot.
Për Sami Frashërin kam ditë fare pak. E dija se ishte Liksikografi më i madh Ballkanit, se ishte autor i Abetares dhe alfabetit të Stambollit,Kamusu-la`alam… , por për GAZETËN TERCÜMAN-i-ŞARK, sapo kisha dëgjuar dhe ky ishte shkaku që ia mësyna Stambollit. Duhej shfrytëzuar Gazeta, burimisht, e kjo gjendej vetëm në Stamboll. Përkundër gjendjes shëndetsore jo të mire në familje, fal mbështetjes së familjes udhëtova për Stamboll dhe qëndrova dy javë.
Në Bibliotekën e qytetit BELEDIYE KÜTÜPHANESI, në Beyazit, përveç gazetës që kërkoja, gjeta edhe gazetën tjetër TERCÜMAN-i HAKIKAT, ku Samiu shprehte shqetsimet e opinionit shqiptar në rrethanat aktuale. Polemizonte me shtypin grek, me gazetën Neologos, për të prezentuar realitetin e popullit shqiptarë dhe peripetitë që përjetonte ky populli në prag të shpërbërjes së sulltanatit Osman. Popullit shqiptar, nga katër shtete shqiptare-Vilajete, i kanosej rreziku për zhbërja nga intrigat e fqinjëve të shqiptarëve, me argatët e tyre.* Qëndroja te halla Zëmyle, në Shirinevlerprej nga udhtimi deri në Bibliotekë më zgjaste një orë deri në dy orë, por ia dola që nga këto dy Gazeta të përshkruaj artikujt ku trajtohej çështja konkrete për të cilën kisha shkuar.
Këtë kontribut e prezentova në KONFERENCËN SHKENCORE për 100-vjetorin e Lidhje SHqiptare të Prizrenit, 1978 dhe në vitin 1981 u botua në vëllimin PUNIMET E KONFERENCËS LSHP, vëllimi për histori, që e botoi ASHAK. Është edhe në veprën REFLEKTIME TË LUFTËS SË SHQIPTARËVE PËR PAVARËSI – në burime orientale, Prishtinë, 2012. Gjatë atij qëndrimi e takoja zotëri Tahir Kolgjinin, të cilin e kisha njohur më parë, por tani, nga ai mësova edhe më gjërësisht për jetën dhe historinë e Sami Frashërit. Më dha një pasqyrë konkrete ku kishte jetuar dhe kishte ndërruar jetë Sami Frashëri, për fundjetën e Sami Frashërit, si edhe për vorrimin e tij në Eren Köy.
Zotëri Kolgjini më siguroi edhe enciklopedinë 6-vëllimshe, Kamusu-l-a`lam, të Sami Frashërit, me anë të atij mikut Ibrahim, në Sahafçılar.
Samiu ka jetuar në Eren Köy – një lagje e Stambollit, ndërmjet Göztepe dhe Çatallçeşme, përtej BOSFORIT. Aty ka ndërruar jetë, me 18 qershor të viti 1904 dhe aty është i vorrosur.
E dava mendjen ta vizitoj vendin ku prehet trupi i kolosit Sami. Kalova Bosforin dhe drejt në Eren Köy. I gjeta varrezat, por nuk ia dola të gjejë vorrin e Sami Frashërit. Ato vite në Stamboll ishte situatë e trazuar, me rreziqe dhe pasi që kushërini im Rushani, ma kishte tërheq vërejtjen, mos ec shumë nëpër Stambull – nga Biblioteka ec në shtëpi.
Mund të ballafaqohesh me provokim: I majt a i djathtë? Nuk ke kohë të përgjigjesh në kso rastesh.
U ktheva, pa vizituar Samiun, por e ndjeja erën e Sami Frashërit, prandaj i kushtova poezinë:
KJO NUK MJAFTON…. e di! E di…*
Takimi me mbesën e Sami Frashërit – Samijen
Në Simpoziumin e tretë: III.Miletlerarası Turkoloji Kongresi, në Stamboll, në vitin 1979 shkova me kumtesën: SAMI FRASHËRI NË literaturën serbokroate(SIRPHIRVAT LİTERATÜRÜNDE SAMİ FRAŞERİ, që u botua në revistën Çevren, nr. 35, 1982, Priştine.
Samije Oz, e kishte parë programin e Simpoziumit dhe kishte ardhë të prezentojë kur prezentohet gjyshi i saj. Pasi prezentova referatin, m`u afrua dhe u përshëndetëm.
Ishte një takim i shkurtër, gjatë pushimit të shkurtër ndërmjet seancave, por mbresëlënës dhe jetëgjatë në kujtesën time.
Një zojë rreth të 60-tave, elegante, shumë e qartë në bisedë – sado që komunikuam në gjuhen turke. U shpreh me respect e mirënjohje për sa dëgjoi referatin tim, në gjuhen turke. Për aq kohë sa patëm këmbyem mendime të vlefshme.
Më tha se në familje të vet kishte edhe shkrime tjera të gjyshit Sami.
Kur ia përshkrova përpjekjen time që ta vizitoja vorrin e Sami Frashërit, u mallëngjy dhe nuk bëri asnjë koment. Por duke u përshëndetur më shtrëngoi dorën dhe, shtoi: herën tjetër inshallah do të keshë mundësi ta vizitosh.
Këmbyem adresat dhe u ndamë.
Kaq ishte takimi im me z.Samiye Öz.
Edhe sot ndihem krenarë dhe jam i nderuar që prezentimin tim për Sami Frashërin në vitin 1979, e ka përcjellë me kurreshtje e respekt mbesa e kolosit SAMI – zonja Samiye Öz.
KJO NUK MJAFTON…. e di! E di…
Vitet si ditë kalojnë
E pas jush ec historia
Varret tuaja, pas një shekulli
Në heshtje dëshmojnë
Amanet të qartë përçojnë.
Varret tuaja
Mburrja jonë
Vuajtjet tuaja
Festa jonë…
***
Përvjetor të madh festojmë
Me emrin Tuaj përpara marshojmë.
Stamboll-Eren Köy, 1978
(Feti Mehdiu, Në detin e brengave, Prishtinë, 2019, f. 89.)
Photo: wikidata.org