• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2024

MIRATIMI I REZOLUTËS NJË HAP I RËNDËSISHËM CIVILIZUES NË LUFTËN PËR TË VËRTETËN DHE DREJTËSINË

June 1, 2024 by s p

NIKË GASHAJ/

Projekt – rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë në vitin 1995, duhet të votohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombëve të Bashkuara, më 23 maj 2024. Krimi në Srebrenicë u shpall gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Ai i referohet vrasjes së më shumë se 8.000 boshnjakëve, siç përcaktohet nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare, në korrik 1995, nga ushtria dhe policia e Republikës Serbe. Lidhur me këtë, në përvjetorin e gjenocidit, Unioni Evropian deklaroi se Srebrenica është një nga faqet më të errëta të historisë evropiane.

Propozuesit oficiel të rezolutës janë Gjermania dhe Ruanda, dhe sponzorët janë vende nga të gjithë bota. Midis tyre janë vendet perëndimore më me ndikim dhe SHBA-së. Vendet nga rajoni aplikuan gjithashtu për të sponsorizuar rezolutën e OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë: Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëra, Maqedonia e Veriut. Edhe pse 35 deputetë të Parlamentit të Malit të Z, 84 OJQ dhe më se 100 intelektualë të shquar iu drejtuan me shkrim qeverisë së Mali të Zi më një kërkesë për një vendim për të sponsorizuar rezolutën e OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë, si dhe vendet të tjera rajonale, Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, deklaroi se Mali i Zi nuk do të sponzoroj Rezolutën e Kombëve të Bashkuara për gjenocidin në Srebrenicë, por do ta mbështesë atë.

Në ndërkohë, qeveria e Malit të Zi i ka përgatitur dhe dorëzuar propozuesëve të rezolutës dy amendamente për rezolutë në fjalë. Në amendamentin e parë thuhet:”Duke përsëritur se fajësia për krimin e gjenocidit është e individualizuar dhe nuk mund t’i atribuohet asnjë grupi apo komuniteti etnik, fetar apo tjetër në tërësi”, ndërsa në amendamentin e dytë thuhet:”Rikonfirmimi i paprekshmërisë së Marrëveshjes së përgjithshme kuadër për paqën në Bosnjë dhe Hercegovinë në të gjitha dispozitat e saj”.

Mirëpo, shumë ekspertë juridikë dhe politikë e kanë vlerësuar se ndërhyrja e qeverisë së Malit të Zi ka qenë e panevojshme, sepse amendamentet janë të përfshira në tekstin e rezolutës. Andaj edhe kryeministri Spajiq, e dinë atë, por qëllimi tij është të riparojë dëmit politik në marrëdhëniet me Serbinë për shkak të vendimit për të votuar për rezolut.

Gjithashtu, subjekti tij politik “Evropa tani” është në një koalicion të gjerë të shumicës parlamentare politike me parti proserbe/proçetnike dhe proruse, si dhe me shumicën e partive shqiptare në Mal të Zi. Pra të gjitha këto parti kanë gjetur një gjuhë dhe vlera të përbashkta politike. Ajo është dhe e natyrshme, sa që janë në një koalicion, apo në një “përqafim” të përbashkët politik. Prandaj, për fat të keq, partitë politike shqiptare kanë hyrë në “Vallen çetnike dhe proruse” për shkak të karriges.

Kryeministrit, Spajiq, amendamentet i shërbejnë si “ perde tymi” për të qetësuar tensionet politike dhe për t’ua bërë më të lehtë partive të koalicionit që ta “përpijnë” votimin e rezolutës. D.m.th. të konfirmojnë besnikërinë ndaj Presidentit të Serbisë, Aleksadar Vuçiq dhe ideologjisë që ua mundësoi strukturës aktuale politike që të vijë në pushetin shtetëror të Malit të Zi.

Pushteti politik në Serbi ka kundershtuar prej vitesh miratimin e çdo rezolute që do ta quante krimin në Srebrenicë gjenocid. Qeveritarët në Serbi edhe sot janë fuqishëm kundër miratimit të rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë. Andaj, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka lobuar kundër miratimit të rezolutës për ditë të tëra në selinë e Kombëve të Bashkuara. Megjithatë, kjo nuk do ta pengojë miratimin e saj në Organizatën e Kombëve të Bashkuara.

Ekzekutimi i akteve gjenocidiale, kriminale, antinjerëzore janë produkt i regjimeve politike diktatoriale shtetërore, sikurse ka qenë regjimi politik i diktatorit Millosheviq. Në lidhje me krimet gjenocidiale në Srebrenicë ekzistojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare të formuara nga OKB-a. Prandaj, tëra shpjegimet të tjera janë irelevante dhe të pa pranueshme në lidhje me gjenocidin në Srebrenicë.

Antari i Kryesisë së BeH-së, Denis Beqiroviq, para pak ditësh, në fjalimin e tij para Kombëve të Bashkuara, theksoi: “Gjenocidi në Srebrenicë është vertetuar me vendimet e gjykatave të OKB-së, si dhe me vendimet e gjykatave në BeH. Më tutje, ai tha: “Në Srebrenicë 8.700 persona u vranë, duke përfshirë 563 fëmijë, se 85 varreza masive u konfirmuan dhe se më shumë se 800 persona të zhdukur janë ende duke i kërkuar. Më shumë se 2.500 pjestarë të ushtrisë/policisë morën pjesë në gjenocid, se 79 persona u dënuan me 783 vite burg, me pesë burgime të përjetshme.

Dr. Zharko Koraq, profesor në pension i Fakultetit Filozofik në Beograd dhe ish-nënkryetar i Qeverisë së Serbisë, thotë: “Është një tronditje për pushtetin politik serb që bota befas tregon se nuk e ka harruar Srebrenicën. Megjithatë, faktet historike nuk mund të ndryshohen, sepse në tre aktqykime të gjykatave ndërkombëtare përmendet fjala gjenocid me një shpjegim të detajuar. Më tutje profesori Koraq, shprehet: “Ata që “kërcejnë” më shumë kanë qenë në politikë kur gjenocidi ka ndodhur. Mendimi im është se ata po e kundërshtojnë vetëm për veten e tyre. Por, për fatë të keq, kjo politikë vazhdon edhe sot. Përfundimi është se si ne e trajtojmë krimin e kryer në emrin tonë”.

Profesori i njohur i së drejtës ndërkombëtare, akademiku Tibor Varadi, shprehet:”Për sa i përket situatës juridike, vendimet e gjykatave ndërkombëtare janë të një rëndësie kyçe dhe ato vendime janë marrë. Dhe nuk ka asnjë të vërtetë tjetër para nesh në botë, përpos asaj që e kanë vërtetuar gjykatat ndërkombëtare. Më tutje konkludoi, se Gjykata e Tribunalit e ka konfirmuar se në Srebrenicë është kryer gjenocid”.

Në projekt-rezolutën, asnjë komb i vetëm nuk përmendet si fajtor për gjenocidin në Srebrenicë. Por në projekt-rezolutën kërkohet të dënohet pa rezerva çdo mohim i gjenocidit në Srebrenicë dhe të inkurajohen anëtaret e OKB-së që të ruajnë faktet e vërtetuara dhe të zhvillojnë programe të përshtatshme përmes sistemeve të tyre arsimore, në mënyrë që të parandalojnë revizionizmin dhe gjenocidin në të ardhmen. Ai dënon gjithashtu veprimet që lavdojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë.

Rezoluta e OKB-së do ta shpalli 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, të kryer në vitin 1995. Të gjithë ata që kundërshtojnë miratimin e rezolutës të OKB-së për gjenodin në Srebrenicë po përpiqen të mbrojnë politikën kriminale të luftës. Në fakt, është një përpjekje për të ndaluar atë që nuk mund të ndalet – të vërtetën. Gjegjësisht, bëhet fjalë për faktin se disa politikanë do të donin të justifikonin të kaluarën e tyre politike.

Më në fund, Jamë i bindur se Serbia ka kryer gjenocid dhe në Kosovë ku gjatë luftës së viteve 1998-1999 kanë mbetur të vrarë rreth 13,500 persona, mijëra të tjerë janë të zhdukur, ndërsa mbi 800 mijë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Muaji më i përgjakur ishte prilli i vitit 1999 me rreth 4 mijë viktima. E gjithë kjo meriton një padi të Kosovës kundra Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Mirëpo, për këtë ekziston një problem formal, pasi Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Por, juridikisht ekziston një mundësi, që padia në emër të Kosovës të ngrihet në Gjykatën Ndërkombëtar të Drejtësisë përmes një vendi të tretë, antare i OKB-së. Mirëpo, në praktikë vështirë mund të supozohet se një palë e tretë do ta pranonte një rol të tillë. Megjithatë, mundësia e padisë së Kosovës kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë mbetet e hapur, nëse dhe kur Kosova të bëhet anëtare e Kombëve të Bashkura, sepse çështja e gjenocidit nuk skadon.

( Autori është politolog dhe antar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Diokles)

Photo: theguardian.com

Filed Under: Kronike

Popullaritet

June 1, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Përpara se të ishte presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara, George Washington ishte anëtar i Shtëpisë së Burgesses të Virxhinias nga viti 1758 deri në 1775. Megjithatë, ai në fakt humbi zgjedhjet e tij të para dhe “ia atribuoi humbjen e tij dështimit për të siguruar alkool të mjaftueshëm për votuesit”, sipas autorit David Okrent.

Në atë kohë, ishte e zakonshme që kandidatët të joshnin votuesit duke i furnizuar me ushqime dhe pije. Uashingtoni shmangi të njëjtin gabim gjatë garës së tij të dytë, duke shpenzuar pothuajse të gjithë buxhetin e fushatës në 50 gallon rum, 34 gallona verë, 46 gallona birrë dhe dy gallona musht mbretëror të shërbyer për 391 votues – gati gjysmë gallon për votues. (Ai gjithashtu shpenzoi 3 paund për darkën për miqtë, e cila ka shumë të ngjarë të përfshijë edhe pije alkoolike.) Fushata e tij madje dërgoi fuçi me pije alkoolike në qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve, një zakon në Virxhinia në atë kohë.

Praktika e fitimit të votuesve me pije alkoolike ishte e përhapur, pavarësisht se ishte teknikisht e paligjshme.

Uashingtoni nuk kishte nevojë të joshte askënd që të bëhej President; krejt e kundërta, në fakt, pasi ai nuk bëri asnjë fushatë dhe duhej të bindej që të pranonte rolin, pavarësisht se u zgjodh unanimisht.

Ai gjithashtu planifikoi të tërhiqej pas mandatit të tij të parë, por u bind të qëndronte në detyrë, duke konkurruar pa kundërshtarë në zgjedhjet e vitit 1792 dhe duke fituar përsëri njëzëri. Politikanët sot vetëm mund të ëndërrojnë për një popullaritet të tillë.

Photo: metmuseum.org

Filed Under: Histori

Walt Whitman, poeti që shkroi Biblën e shpirtit amerikan, mishëruesi i besimit dhe forcave të epërme të zotërimit

June 1, 2024 by s p

Nga Albert Vataj/

Ai, Walt Whitman, poeti që shkroi Biblën e shpirtit amerikan, u lind më 31 maj 1819 dhe u shua më 26 mars të vitit 1892 në moshën 73-vjeçare, duke mbetur në kujtesën e letërsisë botërore dhe historisë, si poeti që përfaqëson dhe personifikon Amerikën, mishërimin e forcave të epërme të zotërimit, zellin dhe zërin e gjeneratave që vunë gurëthemelet më të rënda të një kombi të madh.

Jo rastësisht, për vite të tëra vepra e Walt Whitman është konsideruar si Bibla e demokracisë amerikane, shpirti i shpresës, emblema e një shteti në rritje, simboli forcës që lind nga mundi dhe nga puna, nga nevoja e dëshirimit të jetës. Në poezinë e tij, individi shndërrohet në komb. Poezitë e Walt Whitman erdhën si lajmi i mirë i ngjalljes së shpresës. Nevoja e këtij shpirti për të kënduar, jetësoi kësodore shprehinë demokratike të miliona amerikanëve dhe jo vetëm. Me një gjuhë të përzier e krejtësisht personale, poeti në lirikat e tij kompozon një himn të pasionuar të mundësive ideale të individit dhe të botës, duke lartësuar dhe stërpikur me puhiza të hyjshme, natyrën njerëzore dhe mrekullinë e realitetit të përditshëm. Ai ishte i njimendtë si një vullnesë e shenjtë, kjo ndoshta edhe për vetë shpirtin e atij populli që hapi kanatat dhe e mishëroi atë si një fluturim parajsor.

Walt Whitman beh papritmas dhe në koherencë si një vullnet i epërm, me hovet e gjallimit të një ngulmi përtëritës. Erdhi në atëkohjen kur kremtohej pavarësia amerikane. Erdhi si një kumtues i një vepre që lartësonte shpirtin e atij populli, asaj njerëzie që rrëmon ngadhnjyeshëm mes rrënojave të luftës, kujtesës së britmave dhe apoteozës së dhimbjes, shpresën shpëtimtare.

Ai do të vinte me një mision të shenjtë. Jo medoemos si një dishepull, as si një apostull, por një rrëzëllimë drite që feks befas në qiejt e ngrysur prej reve të luftës, në tokën e mbjellë me varre e në shtatin e drobitur, e përplot vrragë të një shoqërie në kapërcyell të kohëve.

“Arritjet estetike të Whitmanit kanë ende nevojë për vlerësim dhe në disa raste janë të keqkuptuara… ai është artisti më i madh, që ka nxjerrë kombi. Dhe vërtet, në 400 vitet e fundit, asnjë figurë tjetër artistike nuk është e krahasueshme me atë të Whitman-it në të gjithë Amerikën dhe Karaibet.

Arti i tij pasqyron studime të vetëdijshme të pararendësve të tij në gjuhë, pavarësisht se, kombësia e tij amerikane do ta bënte atë të prirur ndaj traditës britanike.

Walt Whitmani ishte kremtuesi vendimtar i asaj, të cilën ne ende do të vazhdojmë ta quajmë “Besimi Amerikan”, një shkrirje e çastit i të gjitha besimeve në një amalgamë të Entuziazmizmit dhe Agnosticizmit, që shënoi fillimin e rënies së protestantizmit europian në Amerikë dhe që filloi Cane ridge revival më 1800.

Walt Whitman ishte poet i madh i një kombi të madh. Zëri i një mishërimi ndryshesash dhe ngadhënjimi. Ngulmi i kumteve të tij artistike u kthye asokohe në limfën amerikane të gjenerimit të pulsit të vërshimeve të hovshme. Rrapëllimave të një shpirti që do të mëkonte me fjalë, maksima, lirika dhe thellësi mendimi, ushqimin e gjallimit harlisës të shpirtit, i një populli të drobitur nga lufta.

Tek Walt Whitman gjallon një personalitet i tjetërllojtë i kumtit dhe këndimit. Ai është poeti i një energjie përtëritëse, i vitalitetit, asaj që lind magjishëm dhe vetvetiu. Ndër shpërthimet e atij shpirti predikues përftohet një tretësirë e përbërë nga humanizmi dhe hyjnorja, duke kumtuar sakaq afrinë me njerëzit dhe duke u kunguar atyre këtë ngulm sentimentesh si urdhnesat e një shëlbyesi siç mund të ishte vetëm Walt Whitman.

Duke përçapur të shkelim në vitet e hershme të rrugëtimit si personalitet, mësojmë se ai frekuentoi shkolla të ndryshme, por mbeti autodidakt, kremtues i së natyrshmes. Në lëmin e krijimit mbamendet të ketë botuar pjesë një romani, por më 1855 del dritë në New York përmbledhja me poezi “Fije bari”, e cila do futej në fondin e artë të letërsisë botërore, si themeli i poezisë moderne. I rrokur prej kërshërisë së shumë gjuhëve të botës, ky libër do të ngaste gjenerata të tëra dishepujsh, përfaqësuar prej zërash të fuqishëm të poezisë botërore. Por s’pariherë ajo ishte gjaku i shpresës në shtatin e Amerikës së pasluftës, ishte vetë Amerika, ishte ajo që e shuguroi Walt Whitman, atin e Amerikës.

Jeta e poetit

Walt Whitman lindi më 31 maj 1819, plot 195 vjet më parë, pranë Huntington, Long Island, ishulli në formë peshku për të cilin flet shpesh në poezitë e tij, ishull i adhuruar dhe i urryer në të njëjtën kohë, në një familje në gjendje jo të mirë ekonomike. Babai, ndonëse nuk kishte një punë të përhershme, solli në botë nëntë fëmijë. Whitman do të kishte një lidhje të veçantë me nënën, saqë vdekja e saj, ndodhur kjo gjithsesi në moshë shumë të vonuar, e degdisi atë në një gjendje dërrmimi. Kjo goditje do të linte gjurmë pesimizmi në pak nga poezitë e Walt Witman. Në vitin 1823, familja vendoset në Brooklin, kur poeti i ardhshëm ishte 4 vjeç. Witman deri në vitin 1830, iu dedikua studimeve, pastaj filloi të mësojë mjeshtërinë e tipografit. Në vazhdim punoi si mësues filloreje, fatorino dhe një mori angazhimesh të tjera derisa u bë gazetar. Kalimi nga tipograf në gazetar ishte një gjë e natyrshme asokohe në Amerikë. Në këtë periudhë, lindi dashuria e tij për lëvrimin e poezisë.

Në vitin 1833 boton atë që do ta shpallte atë përfundimisht poet dhe “shenjtor”, librin “Fije bari”. Libri kur doli s’pariherë vetëm portretin e tij me uniformë punëtori në kopertinë. Dymbëdhjetë poezitë pa titull dhe një parathënie dhe foton e tij me uniformë punëtori në kopertinë, ishte gjithçka e këtij botimi.

Vitet e famës dhe ndarja tokësore

Rrugëtimi i famës së këtij “ati” shpirtëror do të vijonte ta mbante në zenit famën dhe interesin për poezinë e Whitman.

Harold Bloom te “Amerika e Walt Whitmanit” shkruan se Ralph Emerson-i ishte Elijani, ose John Baptisti i Krishtit amerikan të Whitmanit. A nuk është Whalti aq enigmatik, fluturak, bishtnues, tërheqës sa Jezusi tek Ungjilli i Markut? Ai e vetëpublikoi Fije bari dhe ia dërgoi Emerson-it, i cili iu përgjigjvetpërurimit mendjehollë e të papritur më 21 korrik 1855. Se ishte, sikundër është edhe pas një shekulli e gjysmë, – “pjesa më e jashtëzakonshme e zgjuarsisë dhe mençurisë, që Amerika ka nxjerrë ndonjëherë”. Emerson-i vazhdon: “Ndjehem shumë i lumtur tek e lexoj atë, meqë fuqia e madhe na lumturon. Të përgëzoj për lirinë dhe mendimet e tua aq të guximshme. Kjo më gëzon shumë. Gjej gjëra të pakrahasueshme të thëna në mënyrë të pashembullt. I fërkova pak sytë për t’u bindur, nëse kjo rreze dielli nuk ishte gënjim, por plotëria e librit është e vërteta e esëllt. Libri ka meritat më të mira për sa i takon ndjesisë së fuqisë dhe nxitjes.”

“Fijet e barit” dhe këputja

Vijojnë botime gjithnjë e më të shpeshta të teksteve tashmë të famshme uitmaniane. Botimi i katërt e i pestë shohin dritën mes viteve 1867 e 1868, ndërsa botimi i gjashtë është ai i vitit 1876, për tu pasur Nga i shtati, ai i vitit 1882. Ndërkohë, Whitman bën ndonjë udhëtim: shkon në St. Louis, pastaj në Ontario, për të gjetur doktor R.M. Bucke që do të shkruante studimin e parë kritik për të. Në vitin 1873, do të merrte një goditje frenuese të këtij vërshimi, me një paralizë të pjesshme, por, fatmirësisht, rimerr veten. Më 1884, merr me qirà një shtëpi në Mickle Street, në Camden; në vitin 1888 ka një tjetër paralizë. Ndonëse në kushtet e krizës ekonomike, do të gjendeshin fondet për ta ndihmuar. Në vitin 1889 del botimi i tetë i “Fijeve të barit”. Në vitin 1891 Whitman filloi të përgatisë të ashtuquajturin “death-bed edition”, botimin në shtratin e vdekjes, publikuar më 1892. Po atë vit, më 26 mars, ndahet nga jeta në moshën 73-vjeçare. Vepra e plotë, poezi dhe prozë, iu publikua më 1902, në dhjetë vëllime, duke bërë të mundur ngjizjen e këtij kurmi të plazmojë në memuarin e vetëdijes dhe shpirtit amerikan, si një pjesë e historisë dhe mishërimit të shpresës së kombit, të cilit i shërbeu si një “shenjtor” i shpresës.

Filed Under: ESSE

“Noli Film Festival” nisi rrugëtimin e tij në Boston

June 1, 2024 by s p

Flamur VEZAJ/

Në kopshtin e gjelbëruar të Katedrales së Shën Gjergjit në Boston, në prani të dhjetëra artdashësve shqiptarë dhe amerikanë, solistët e shoqatës “Labëria” e nisën me iso-polifoni ceremoninë e hapjes së “Noli Film Festival.”

Pas isove labe, prezantuesja e ardhur nga Shqipëria ftoi ideatorin e festivalit, Erand Sojli nga “SojliArt Production.” Sojli falënderoi Katedralen e Shën Gjergjit, “Albanian Fighting Cancer,” Librarinë e Nolit dhe qendrën kulturore pranë saj, drejtorin artistik të festivalit, regjisorin Bujar Alimani, si dhe producentin ekzekutiv Nikolin Gace, koordinatoren Elisabeta Gaçe dhe të gjithë vullnetarët që bënë të mundur organizimin e këtij eventi. Ai u shpreh i emocionuar për këtë ngjarje, duke theksuar se ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë të “Noli Film Festival,” dhe falënderoi të gjithë producentët dhe regjisorët për filmat dhe dokumentarët e sjellë për të konkurruar në këtë festival.

Në natën e hapjes së festivalit ishte i pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Washington, z. Ervin Bushati. Në fjalën e tij, ambasadori Bushati tha se “shqiptarët kanë tre heronj dhe figura të rëndësishme të historisë së tyre: Skënderbeun, Nënë Terezën dhe Fan S. Nolin. Fan Noli,” shtoi ai, “ishte njeriu i gjithë botës shqiptare. Në Boston, shqiptarët vijnë për shkak të kishës së themeluar nga Noli dhe tani e tutje do të vijnë edhe për artin që përcjell ‘Noli Film Festival.’ Shpirti i Nolit është këtu në Boston dhe ne duhet të përmbushim dimensionet që na ka lënë ai bashkë me shpirtin e tij artistik, e që ju do të vazhdoni edhe me art të ngrini shqiponjën sa më lart.”

Nga ana tjetër, Elisabetta dhe Nikolin Gaçe, koordinatorët e këtij eventi, shprehën mirënjohje për të gjithë ata persona që u angazhuan edhe si vullnetarë për të mundësuar këtë event. Në emër të qendrës kulturore pranë Librarisë së Nolit, foli ish-gjyqtari i parë shqiptaro-amerikan në Massachusetts, Robert Tochka, i cili ndër të tjera tha se aktivitete të tilla kulturore nuk do të mungojnë edhe në vazhdim, duke dhënë një lajm të mirë se me ndihmën e avokatit shqiptar Pavli Përmeti është aplikuar që “Libraria e Nolit dhe qendra kulturore” pranë saj të regjistrohet në shtetin e Massachusetts-it si një organizatë jo fitimprurëse.

Të pranishmit i përshëndeti edhe peshkopi i Kishës së Nolit, hirësia e tij Nikodhim Preston, i cili theksoi se “Noli themeloi dhe ngriti kishën për të gjithë shqiptarët, e cila hapi dyert këtu në Massachusetts.” Edhe drejtuesja e bibliotekës së Nolit, znj. Neka Doko, shprehu mesazhe pozitive për të pranishmit, duke pranuar në fund të fjalës së saj një libër dhuratë për bibliotekën, të shkruar nga profesoresha Jonila Spaho për Kristo Floqin.

Para të pranishmëve foli edhe përfaqësuesja e shoqatës “Albanians Fighting Cancer,” Roberta Noshi, e cila shprehu kënaqësinë e saj për këtë nismë të suksesshme, duke theksuar se të ardhurat e këtij festivali do të shkojnë për këtë shoqatë në ndihmë të shqiptarëve që vuajnë nga kjo sëmundje e tmerrshme. Nuk munguan mesazhet e urimit edhe nga zyrtarë amerikanë, mes të cilëve ishte edhe prokurori i qarkut Suffolk të Bostonit, Kevin Hayden, i cili nuk kurseu fjalët e bukura për këtë event dhe për shqiptarët në Boston. Gjithashtu, këshilltari bashkiak për zonën e Bostonit jugor, z. Edward Flynn, lexoi proklamatën e Bostonit për “Noli Film Festival.”

Në hapjen solemne të këtij eventi nuk munguan edhe aktorë të ardhur nga Shqipëria, si Mariana Kondi, këngëtarja Mariza Ikonomi, nga Michigan Arben Dervishi, e shumë të tjerë që përshëndetën nisjen e këtij festivali. Ndërkohë, drejtori artistik i festivalit, regjisori Bujar Alimani, prezantoi jurinë e këtij festivali duke filluar nga kryetari i jurisë: Astrit Cerma, anëtarët Mariza Ikonomi, Nensi Bregu Karanxha, Jul Neshati, Valentin Veizi, Andis Gjoni, Arben Dervishi, Bashkim Braho dhe Dhimitraq Demiraj.

Pas prezantimit të jurisë, organizatorët ftuan të pranishmit për në auditorin “Anthony Athanas” që ndodhet në katin e dytë të katedrales për të parë hapjen e këtij festivali me dokumentarin “Fan Noli – Apostuli,” të shkruar dhe montuar nga gazetari Ilir Ikonomi. Festivalin e hapi filmi “THE SPARK” i regjisorit Erand Sojli, i realizuar në Boston nga Sojli & Px Production dhe Aldo Toda. Ky film ishte filmi pritës dhe u prit shumë mirë nga audienca shqiptaro-amerikane. Në këtë festival do të shfaqen disa dokumentarë, filma me metrazh të shkurtër, filma artistikë, komedi dhe filma të animuar.

Në këtë event ishin edhe kryesia e VATRES në Boston të cilët ndihmuan për këtë event me angazhimin e përkushtuar nga anëtarja e kryesisë Lindita Meçe!

Udhë të mbarë, NFF. Faleminderit që po çelni një dritare të re të multikulturës shqiptare.

Filed Under: Politike

HERONJ QË I LARTON ÇASTI DINJITOZ

June 1, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

(Poema “Kupe Danja”)

Nga Gjirokastra në jug ngjitemi në Shkodër në veri me një tjetër figurë reale, madje me një fotografi të Marubit. Nëse Shemo Ibrahimi kishte një histori qëndrese prej 30 vitesh, Jakup Danjës iu desh vetëm një rastësi që të hynte në këngë për hir të një akti simbolik që i kapërcente kufijtë e moshës.

Baza historike: Kupe Danja, një burrë në moshë të thyer që banonte në lagjen Perash, po dilte nga shtëpia e tij, kur pa dy gra katolike, të mbuluara me çarçafë,  që vinin nga lagjja Tepe dhe po nxitonin në rrugën e Qafhardhisë. Ato po ndiqeshin nga dy ushtarë turq për t’u abuzuar seksualisht, por, për fatin e tyre, vunë re plakun dhe i thirrën me zë të lartë: “Në dorën tande, se po na merret erzi sot!” Ushtarët nuk e vlerësuan aspak shkodranin dhe u vërsulën mbi gratë. Atëherë koburja e Kupes rrëzoi njërin nga ata, tjetri e mësyu, por Kupja qe më i shpejtë dhe e shtriu për tokë.

Kaq mjaftoi që Arshi Pipa ta bënte plakun një karakter ngrihet në piedestalin e heroit, kurse akti i tij përcolli modelin e bashkëjetesës fetare në Shqipëri një qasje e përsëritur me qindra herë dhe e pranuar botërisht.

Poema fillon nga rruga, duke prezantuar së pari dy agresorët seksualë, që për t’u bërë edhe më të urrejtshëm, janë ushtarë turq. Ndryshe nga episodi i sipërpërmendur, objekti i dhunës është vetëm një grua së cilës “fjolla flokësh prej shamis/ nëpër ball’ i janë përndarë.” Dhuna paralajmërohet nga romuzet e hedhura: 

“Kam nji shok, âsht pak qyqar

Fort maraku n’ty e ka kapë,

Hidhja syt’ e ban sevapë.”

Vargjet pasuese, me këmbënguljen e mëtuesit dhe bukurinë e shprehjes,  futen në hullinë e lirikave të dashurisë, po zbulojnë dhelprën e Lafontenit: 

“Bâhem gjarpën, n’u bâfsh ferrë!

Bâhem zog, n’u bâfsh qershi…

Ato duer, mori sulltanë,

s’jan’ për vegjë e për gjylpanë.

Në m’i dhanç, moj, gji e gushë,

me flori kam me t’i mbushë,

me flori e me inxhi..”

Sipas rrëfimit të mësipërm, ngjarja ndodhi në zhegun e vapës, kurse te poema e Pipës është buzëmbrëmje, Jakupi mbyll shitoren dhe shkon të falet, por përballet me skenën e përdhunimit dhe thirrjen e gruas: 

“Mjera vetë qi ndodha e hueja!

Mjera vetë ndër gjith kta njerëz

qi m’la Turku pa erz!…

Kupe Danja, ndore tande!”

Në raste të tilla ose duhet të tërhiqesh, ose duhet vepruar menjëherë dhe Kupja reagoi me një gjest rinor duke i vrarë të dy ushtarët turq.

Poema merr përmasa të tjera kur çështja shtrohet në rrafshin e besimit: një mysliman hyn në konflikt me qeverinë turke për të mbrojtur nderin e një gruaje katolike. Përgjigja është një variant i asaj të Pashko Vasës “feja e shqiptarit âsht shqiptarija!”: “Ndryshe kem’ Bajram e Pashkë,/besë e nder i kemi bashkë.” Arsyetimi i ndërhyrjes shoqërohet edhe me një vetëprezantim:

  “Nuk kam emën, pasuni,

jerevi m’ka lanë baba

kam dugajë me tri taraba.”

Poema mbyllet me solidaritetin e komunitetit shkodran, pa dallim feje, duke refuzuar ta dorëzojë personin e shpallur në kërkim: “S’e qet Shkodra kurr Jakupin.”

Sipas kronikës, Kupe Danja u arratis, u strehua ndër miqtë e tij, të cilët e pritën me shumë bujari, sepse kishte “qitë pushkë për nder” dhe ia kishte zbardhur faqen Shkodrës. Ky solidaritet vazhdon edhe pasi pashai dha urdhër për djegien e shtëpisë: 

“U çue prifti, vendi mbarë,

shehërlij e katundarë,

me t’ungjillit e t’islamit,

turrevrap iu gjegjën damit.”

Përtej poemës dhe kronikës, fakti që Marubi e ka fotografuar Kupen në moshë të thyer, tregon se atij ia fal jeta dhe  u vendos në konakun e bukur që ia ngritën “me një qoshk përmbi çardak.”

KJO QËNDRESË SHQIPTARE QË S’KA SHOQE

(Balada “Sheme hajduti”)

Duke filluar që shekulli XV në territorin e Perandorisë Osmane dhe deri në katrahurën e Luftës Ballkanike u shfaqën grupime të armatosura që morën emra të ndryshëm sipas vendeve: hajduk në Galici në jug të Polonisë, kleft në Greqi, hajdut në Shqipëri, vojvodë në Maqedoni, etj. Shkaku kryesor i kësaj dukurie ballkanike ishte kundërshtimi i detyrimeve ndaj pushtetit osman dhe mobilizimit të gjatë ushtarak. Për shkaqe natyrore dhe ekonomike këto çeta vepronin nga Shën Gjergji deri në Shën Mitër dhe strehoheshin në raste të veçanta në shtëpi të sigurta që quheshin jatakë. Jeta prej kaçaku bënte që hajdutëria të shtrihej edhe mbi familje të pasura dhe karvanet e tregëtarëve. Mbijetesa lidhej edhe me krijimin e territoreve të qëndrueshme të ndikimit e strehimit, prandaj mund të kishte edhe përplasje mes çetave. Një ilustrim të qartë për këtë dukuri sjell balada “Sheme hajduti” e Arshi Pipës e frymëzuar nga figura reale e Sheme Kaso Ibrahimit (1822 – 1875).

Balada hapet me një apostrofë drejtuar qytetit të Gjirokastrës, sepse lagjja Manalat pati qenë vendlindja e Shemes, duke komunikuar atë që mund të ishte mbyllje konkluduese: 

“Kape, vrave një shqiponjë,

Le pa këngë një milonjë.”

Pas kësaj e ka radhën lajmi që shkon në Stamboll për kapjen e hajdutit pas një qëndrese 9-vjeçare për të mos shkuar ushtar. Pandehmat për kapjen e tij me trajtat pyetëse-mohuese ngrihet në rrafsh artistik:

“Mos u lodh a mos u mplak,

U mërzit nga çeta, vallë?

Mos ju shkrep, i ra një mall…

Për fëmijt’, gruan e re.”

Përgjigjja është ajo që pritet, me ngarkesë të madhe krenarie:

“Jo, mor jo, s’u mplak hajduti,

As u lodh, as falje luti.”

Ajo që nuk pritej, është pabesia e kushëririt:

“Faqeziu i shtroi gosti,

Mish të  pjekur dhe raki,

Kallëzoi në qeveri.”

Vetëm plagët e detyrojnë Shemen të kapet rob:

“Katër plagë trimi muar,

Dy në brinjë, një në duar,

Tjetrën mu në kraharuar.”

Peshën kryesore të baladës e merr ballafaqimi me pashain në burgun e kalasë së Janinës, ku hajduti tregon për jetën dhe bëmat e tij dhe ku përfshihen edhe aktet e bamirësisë:

“Edhe çupa kam martuar,

Pleq, bonjakë kam ndihmuar…”

Të gjitha ato që përmend Sheme hajduti i kam ndeshur edhe te hajdutovinat e Devollit gjysmë shekulli më vonë, por këtu marrin një përndritje me deklaratën që vijon:

“Jam hajdut, pëlqej më mirë

Të rroj malesh ujk i lirë,

Se sa balo me zinxhirë.”

Përballja mbyllet me një skenë që i ngjan një lirishte dashurie, është amaneti për gruan dhe fëmijët: gruaja le të martohet, fëmijët t’i marrin vëllezërit e Shemes. Befas balada ngrihet në një lartësi të re nga përgjigjja e gruas besnike të cilën e ka rrëmbyer që kur ishte kërthi:

“Lulja jote s’merr më burrë!

Do rris djemtë, t’u kall zjarrin

Gjakun tënd ata ta marrin!

Pasuri, oxhak nuk dua!

Do të bredh krua më krua

Të dëgjoj këngët e tua!”

Balada është ndërtuar me tetërrokshin e këngëve popullore dhe rimë të përputhur. Siç duket, kompozicioni i baladës është i gjetur me një raport harmonik të rrëfimit dhe dialogut. Ajo serviret si këngë popullore edhe pse ka një autor dhe pse nuk është e vetmja që i kushtohet kaçakut. Gëzim Zilja sjell një informacion të pasur për Shemo Ibrahimin, citon vargje këngësh të tjera dhe ka një emër për atë që e futi në kurth duke e lidhur me vrasjen e vëllamës Muhedin Vasjari.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT