• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2024

Altarë

July 19, 2024 by s p

Astrit Lulushi /

Sot quhet altar (hebr. mizbe, nga një fjalë që do të thotë “me zhbë, me vra”) çdo strukturë prej dheu. ose guri të papërpunuar mbi të cilin ofroheshin flijime. Altarët në përgjithësi ngriheshin në vende të dukshme. Fjala përdoret për sakrificën e ofruar. Apostulli Pali gjeti mes shumë altarëve të ngritur në Athinë, një që mbante mbishkrimin, “Perëndia i panjohur”. Arsyeja e këtij mbishkrimi nuk mund të përcaktohet me saktësi, por i dha apostullit rastin që t’u shpallte ungjillin “burrave të Athinës”. 

Athina, kryeqyteti i Atikës, ishte qyteti më i famshëm i botës antike, selia e letërsisë dhe artit gjatë periudhës së artë të historisë. Banorët e saj ishin të dashur për risitë dhe të shquar për zellin në adhurimin e perëndive. Ishte një thënie romake: “më lehtë të gjeje një zot në Athinë sesa një njeri”. 

Në udhëtimin e tij të dytë misionar, Pali e vizitoi këtë qytet dhe mbajti në Areopag fjalimin e tij të famshëm. Altari për të cilin Pali flet i kushtohej “Perëndisë së panjohur” (ishte ndoshta një nga disa altare që mbanin të njëjtin mbishkrim), dhe supozohet se e kanë origjinën në praktikën e lëshimit të një tufe delesh dhe dhish në rrugët e Athinës me rastin e një murtajeje dhe për t’i ofruar ato si flijim, në vendin ku bagëtitë shtriheshin, “për Zotin i shqetësuar.”

Altari i parë është ai i ngritur nga Noeu. Altarët u ngritën nga Abrahami, Isaku, Jakobi dhe nga Moisiu. Në tabernakull dhe më pas në tempull në Jeruzalem u ngritën dy altarë. Altari i olokaustëve, i quajtur gjithashtu “altari prej bronzi” dhe “tryeza e Zotit”. Ky altar përshkruhet te Eksodi. Ishte një katror i zbrazët, i gjatë prej druri akacie dhe ishte i veshur me pllaka prej bronzi. Këndet ishin zbukuruar me “brirë” dhe vegla të ndryshme që i përkasnin altarit. Në tempullin e Solomonit altari ishte me përmasa më të mëdha dhe ishte bërë tërësisht prej bronzi, duke mbuluar një strukturë prej guri ose dheu; më në fund u shkatërrua dhe u rrëmbye nga babilonasit. Pas kthimit nga robëria, Altari u ringrit në të njëjtin vend ku kishte qëndruar më parë. Kur Antiokus Epifani plaçkiti Jerusalemin, altari i olokausteve u hoq. Sërish altari u ngrit nga Herodi dhe qëndroi në vendin e tij deri në shkatërrimin e Jeruzalemit nga Romakët në vitin 70. Zjarri në altar nuk lejohej të shuhej. 

Në Xhaminë e Omerit, poshtë kubesë së madhe e cila zë vendin e tempullit të vjetër, ka një projeksion të përafërt të shkëmbit natyror, mbi trotuarin e përgjithshëm. Ky shkëmb duket se ka mbetur i paprekur që mga koha kur u ndërtua tempulli i Solomonit. Me shumë mundësi ishte vendi i altarit të olokausteve. Nën këtë shkëmb është një shpellë, e cila ndoshta mund të ketë qenë hambari i lëmit të Araunahut. Altari i temjanit, i quajtur gjithashtu “altari i artë” qëndronte në vendin e shenjtë “përpara velit që është pranë arkës së dëshmisë”. Mbi këtë altar digjeshin vazhdimisht erëza të ëmbla me zjarrin e marrë nga altari prej bronzi. Djegia e temjanit ishte një lloj lutjeje. Ky altar ishte një tryezë e vogël e lëvizshme, e bërë me dru akacieje të veshur me ar.  Në tempullin e Solomonit, altari kishte përmasa të ngjashme, por ishte prej druri i veshur me ar. Në tempullin e ndërtuar pas Mërgimit, altari u rivendos. Antiochus Epiphanes e mori atë, por më pas u rivendos nga Juda Maccabaeus. Mes trofeve të marra nga Titi në shkatërrimin e Jeruzalemit, altari i temjanit nuk gjendet dhe as nuk përmendet.

Filed Under: ESSE

1969 / “LA NACIÓN”, SANTIAGO (KILI) : FILMI “AVENTURIERËT” ME BEKIM FEHMIUN ËSHTË MË SHUMË SE NJË FILM BRUTAL…

July 18, 2024 by s p


Fehmiu, duke kërcyer me Shirley MacLaine — Burimi : La Nación, e diel, 7 shtator 1969, faqe n°22
Fehmiu, duke kërcyer me Shirley MacLaine — Burimi : La Nación, e diel, 7 shtator 1969, faqe n°22

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 17 Korrik 2024

Gazeta kiliane “La Nación” ka botuar, të dielën e 7 shtatorit 1969, në faqen n°22, një shkrim për filmin “The Adventurers – Aventurierët” me aktorin e madh shqiptar Bekim Fehmiu, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një film shumë brutal (i vrazhdë), por jo vetëm kaq

Nga Barry Norman

Bekim Fehmiu, aktori jugosllav që mishëron “egërsinë” që i nevojitej Gilbertit për protagonistin e tij. — Burimi : La Nación, e diel, 7 shtator 1969, faqe n°22
Bekim Fehmiu, aktori jugosllav që mishëron “egërsinë” që i nevojitej Gilbertit për protagonistin e tij. — Burimi : La Nación, e diel, 7 shtator 1969, faqe n°22

“The Adventurers – Aventurierët”, një roman i Harold Robbins, ka qenë baza për realizimin e një prej filmave më të vrazhdë në kujtesë, por, sipas producentit dhe regjisorit të tij, Lewis Gilbert, e gjithë dhuna dhe seksi në film është funksion i gjuhës kinematografike dhe jo thjesht për të tërhequr publikun. Diçka që është padyshim e siguruar nëse kemi parasysh se në tre vitet që nga shfaqja e romanit, tashmë janë shitur 9 milionë kopje.

Gilbert-i ka udhëtuar 250 mijë kilometra për të mbledhur një kastë prej 300 aktorësh të 22 kombësive të ndryshme dhe 12 mijë ekstra. Në mesin e këtyre të fundit, edhe pse për qëllime rreptësisht kinematografike, përfshihen edhe dy prostituta.

Deri tani regjisori ka filmuar në Nju Jork dhe Itali, përdhunime, orgji, joshje, skena mes lezbikeve e gjëra të tilla. E cila për shumë mund të duket si përzierja e zakonshme : mëkat nën diell, epsh nën pluhur. Është një film tjetër i këtij lloji apo synimet e tij janë të ndryshme ? Rekordi i Gilbert – veprat e tij përfshijnë “Alfie” – vërteton se ai është serioz në lidhje me punën e tij në këtë drejtim.

Në rregull. Filmi është komercial. Si ta mohojmë atë. Me këtë çmim, duhet të jetë (Deri tani filmi kushton rreth 13 milionë dollarë). Por nuk e kuptoj pse nuk mund të realizohet artistikisht. Sigurisht që në film ka shumë seks dhe dhunë, por ne mundohemi ta paraqesim në mënyrë serioze, si pjesë përbërëse të historisë. Unë nuk jam i interesuar vetëm për një blockbuster. 

Playboy amerikanojugor

Bekim Fehmiu, aktori jugosllav që mishëron “egërsinë” që i nevojitej Gilbertit për protagonistin e tij. — Burimi : La Nación, e diel, 7 shtator 1969, faqe n°22
Bekim Fehmiu, aktori jugosllav që mishëron “egërsinë” që i nevojitej Gilbertit për protagonistin e tij. — Burimi : La Nación, e diel, 7 shtator 1969, faqe n°22

Intriga e filmit flet për një playboy të Amerikës Latine. I pashëm, atletik dhe idealist, ai e kalon gjysmën e kohës në shtratet italiane dhe gjysmën tjetër duke ndihmuar në krijimin e një evolucioni në vendlindjen e tij, Kolumbinë. Duket sikur Porfirio Rubirosa të ishte bashkuar si një person i vetëm me Fidel Kastron.

Në parim është një temë mjaft serioze — thekson Gilbert —, ka kontraste të arritura shumë mirë. Njerëzit e pasur të botës në krahasim me një nga vendet më të varfra në botë. Përveç kësaj, ne i kemi lejuar vetes të bëjmë disa ndryshime në lidhje me romanin e Robbins…

Dhe kjo e fundit është e vërtetë. Historia origjinale është një përzierje jashtëzakonisht brutale e seksit dhe dhunës. E papërshtatshme për kinemanë.

Megjithatë, Gilbert bëri gjithçka në vendimin për t’ia dhënë rolin kryesor aktorit jugosllav Bekim Fehmiu. Ky aktor, emri i të cilit duket se është marrë nga “Një mijë e një netë”, është zbuluar rastësisht nga gruaja e regjisorit. Ajo e pa atë të aktronte në një film modest jugosllav dhe mendoi se kjo ishte ajo që kërkonte i shoqi. Nuk e kishte gabim.

Ky është njeriu që më duhet! Bërtiti Gilbert kur e pa atë.

Sigurisht që Fehmiu duhej të mësonte anglisht për dhjetë javë për të luajtur rolin.

Para se të vendoste për jugosllavin, Gilbert pa dhjetëra aktorë. Dhe ai është i vendosur të anulojë filmin nëse Fehmiu nuk e përfundon punën e tij në mënyrë plotësisht të kënaqshme.

Por unë mendoj se po ia dalim mirë — thekson Gilbert — Bekimi ka atë lloj “egërsie” që kërkon roli… Përveç kësaj, ai është një aktor 100 % serioz. Ai mendon se ky film është artistik. Ai nuk pranon që është komercial…

Fehmiu, 32 vjeç, nuk ka luajtur më parë jashtë Jugosllavisë. Dhe ai thotë se nuk do të punonte në një film nëse nuk do të realizohej ashtu siç është (duhet).

Filed Under: Reportazh

HIMARA MIDIS SHILËS DHE KARIBDËS

July 18, 2024 by s p

Besnik Imeri*/

Me shkatërrimin e shtetit në vitin 1992 çakenjtë grekë të Greqisë dhe grekofonët e Shqipërisë ju vërsulën me tërbim Shqipërisë duke e kafshuar ku të mundeshin duke shkulur copa mishi prej saj, si dhe duke e copëtuar atë thela-thela. I pari që shpalli hapur para presidentit të Shqipërisë  kërkesën për njohjen e Vorio-Epirit qysh në vitin 1991, ishte kryeministri i atëhershëm i Greqisë Miçotaqi Plaku. I dyti që erdhi në Shqipëri në vitin 1992 për vënien në jetë të kësaj kërkese ishte mitropoliti grek Anastas Janullatosi, i cili me ndihmën e Sali Berishës uzurpoi Kishën Autoqefale Ortodokse Shqioptare, si një mjet i rëndësishëm për të kthyer Shqipërinë e Jugut në një tokë greke. E treta vepër kriminale dhe antishqiptare ishte lejimi i ndërtimit të varrezave greke në Shqipërinë e Jugut prej qeverive kuislinge filo-greke shqptare, duke e quajtur de fakto atë një tokë greke, e cila ishte “çliruar” në vitin 1940 nga Greqia, por që e kishin “pushtuar” më pas shqiptarët. Kjo ishte një ngulje thike e pabesë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve me ndihmën e kryeministrave të Shqipërisë. 

        Një armë e pabesë në duart e Greqisë për shpalljen e Vorio-Epirit ishte edhe përdorimi i të ashquajturit minoritet grek në jug të Shqipërisë (të ardhur gjatë periudhës së sundimit osman para rreth 200-300 vjetësh nga vllehët e greqizar të Thesalisë, si argatë për të punuar tokat e bejlerëve shqiptarë të Delvinës dhe Gjirokastrës), të cilët të zgjuar dhe nxitur nga Greqia u quajtën shtetas grek dhe ata u bënë promotor të kësaj pabesie ndaj shqiptarëve, të cilët për pesëdhjetë vjet ishin mbajtur në pëllëmbë të dorës nga shteti shqiptar. Pjesë e kësaj loje hileraqare dhe të pabesë u bënë edhe nje pjesë e vllehëve që banonin në territoret e Shqipërisë së Jugut.

        Në këto situata Himara u shpall nga Greqia tokë greke, banorët e saj shqiptarë prej mijëra vjetësh u quajtën popullatë greke minoritare, dhe aty filluan të vijnë misionarët e parë të “çlirimit” të saj prej Shqipërisë dhe shqiptarëve. Politika shqiptare heshturazi, haptazi dhe fshehurazi, u bë pjesë e kësaj loje të ndyrë në kurriz të Shqipërisë. Në këtë veprimtari antishqiptare, për të mos mbetur pas të tjerëve, por edhe për të dhënë ndihmën e saj në rrënimin e Himarës shqiptare, nxituan të marin pjesë edhe disa nga mediat shqiptare, të cilat flisnin me nënkuptime për minoritetin grek në Himarë. Politikanët grekë që vinin në Shqipëri, haptazi deklaronin para politikanëve shqiptarë se Himara ishte tokë greke, madje për tridhjetëedy vjet rresht kërkojnë llogari shkeljen e të drejtave të “minoritetit grek të Himarës”. Pasardhësit e familjeve antishqiptare në Himarë qysh nga shekulli i kaluar, të cilat i kishin shërbyer grekëve për copëtimin e Himarës prej tokës shqiptare, duke filluar që nga krijimi i shtetit shqiptar në vitin 1912, ndezën motorrët dhe me një egërsi të patreguar zhvilluan një veprimtari të ethshme antishqiptare. Pjesë e këtyre ishte edhe Fredi Beleri, pjesëmarrës në masakrën e Peshkëpisë në vitin 1994, vepër e organizatës antishqiptare MAVI, ku mizorisht u vranë ushtarakë të mbrojtjes së kufirit shqiptar.

        Në këtë veprimtari antishqiptare tre fshatra dygjuhësh, shqip dhe greqisht folës: Himara, Dhërmiu dhe Palasa, moren zvarrë, rrënuan dhe groposën katër fshatra të pastra shqiptare me një aktivitet atdhetar qysh nga Lidhja e Prizrenit (pjesë e krahinës së Himarës qysh nga fillimi i shekullit të XX), të cilat flisnin një shqipe nga me të pastrat, e afërt me të folurën e Kurveleshit dhe të Çamërisë: Vunoin, Pilurin, Kudhësin dhe Qeparoin, duke i quajtur banorët e tyre si grekë.

        Në këto kushte të vështira për sigurinë territoriale të vendit tonë prej agresivitetit grek, politikanët shqiptarë duke e pasur mendjen tek vjedhja dhe grabitja, duke shfrytëzuar edhe ligjin antishqiptar, famëkeqin 7501, zaptuan tokat e bregdetit të fshatrave të Himarës, për të ngritur aty objekte personale dhe turistike. Të parët në këtë dhunim të pashëmbullt ndaj banorëve të Bregut ishin kryeministrat e Shqipërisë, të cilët, për realizimin e këtij synimi, vunë në përdorim edhe strukturat shtetërore. Loja me dy porta e këtyre, ku nga njëra anë bëjnë atdhetarin, dhe nga ana tjetër, duke grabitur pronat e banorëve të Bregut, gjoja si pa dashka, i japin një armë të fortë kundërshtarëve politikë (në të vërtetë partnerëve dhe miqve të tyre) politikanëve grekë, për të ngritur akuza ndaj Shqipërisë. Kjo lojë e fëlliqur antishqiptare ka njëzetedy vjet që luhet në kurriz të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në këtë rast armiku i vërtetë i banorëve të Himarës dhe i gjithë shqiptarëve është politika shqiptare. Politika greke është thjesht përfituese duke u bërë pjesë e lojës. Tokat dhe pronat në fshatrat e Bregut janë pronë e banorëve të tyre denbabaden dhe prej mijëra vjetësh.

        Rasti më i freskët dhe më i pastër është loja që luajnë Miçua i Greqisë dhe i biri i Taqit të Shqipërisë, njëri në rolin e atdhetarit grek, dhe tjetri në rolin e atdhetarit shqiptar, njëri në rolin e kryeministrit të Greqisë dhe tjetri në rolin e kryeministrit të Shqipërisë (ndërkohë që, që të dy janë të një etnie dhe të një gjaku, dhe, aq sa i pari nuk është grek, aq dhe i dyti nuk është shqiptar), të cilët, para do kohësh ishin miq të ngushtë dhe putheshin buzë më buzë, kurse kohët e fundit kanë nxjerrë pallat nga milli dhe po bëjnë namin si armiq të vërtetë. Molla e sherrit është bërë Fredi Beleri. Edvin Kristaq Rama në rolin e një “atdhetari shqiptar” nuk i jep mandatin, ndërsa Miçua në rolin e një “atdhetari grek” mbron mandatin e një kryetari bashkie greke. Të gjitha këto në funksion të politikave zgjedhore në të dy vendet, por më shumë, dhe, në të vërtetë, në zbatim të platformave antishqiptare të qarqeve antishqiptare në perëndim, për copëtimin e Shqipërisë, ku pyka çarëse është Himara.

        Po opozita shqiptare do të pyesë ndokush çfarë bën? Ajo në rolin e rospisë i hedh benzinë zjarrit, duke kandiduar në bashkinë e Himarës një antishqiptar të betuar. Pra si gjithmonë ajo bëhet një vegël qorre e politikës greke dhe qarqeve antishqiptare në perëndim. Kjo lojë e fëlliqur e çon Shqipërinë në buzë të greminës. Thonë që Fredi Belerin, Miçua e bëri eurodeputet. Në të vërtetë atë eurodeputet e bëri Edvin Kristaq Rama, i cili duke e arestuar bëri që nga Greqia të vijnë me shumicë pasuesit e partisë greke në Shqipëri, PBDNJ, dhe rezultati të përmbysej. Pastaj, ky duke dënuar kryetarin e zgjedhur të bashkisë Himarë, të cilin e kandidoi opozita, i hapi rrugën Miços për ndërkombëtarizimin e saj. Pra nga një flluskë e vogël krahinore, kjo u kthye në një flluskë ndërkombëtare, ku për zgjidhjen e saj do të fusin hundët ndërkombëtarët antishqiptarë. 

*Botuar me shkurtime. 

Filed Under: Komente

Amerika dhe Europa përballë një bote në ndryshim

July 18, 2024 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/

Teoritë e mëdha klasike gjeopolitike janë globale dhe gjithmonë kanë qenë për një lidhje të ngushtë midis të vërtetave të mëdha gjeografike e atyre historike. Ato e vlerësojnë qëndrimin kontradiktor midis tokës e detit, midis fuqive kontinentale e atyre detare dhe synojnë të përcaktojnë ndikimin e mjedisit mbi njeriun e mbi veprimtarinë e tij, duke filluar nga shoqëria tek institucionet e saj politike dhe nga ekonomia deri te kultura specifïke e çdo populli. Gjeopolitika e re është edhe rajonale edhe lokale. Ajo nuk kundërshton të vërtetat e mëdha, por ndalet në veçoritë rajonale dhe në sensin e hapësirës që kanë grupe të ndryshme kombesh në kërkim të një identiteti, të një afirmimi dhe realizimin e atyre që ato përcaktojnë si “të drejta historike”. Me një nacionalizem që po vjen në rritje, veçimi i pozicioneve të tilla është themelor për të parashikuar konfliktet e ardhshme si dhe për të përcaktuar nismat që duhen marrë për parandalimin e tyre. Në përgjithësi, gjeopolitika e re, e krahasuar me atë tradicionale, i jep një rëndësi të madhe faktorëve gjeopolitikë njerëzorë, të krahasuara këto me faktorët fizikë, ku ndikimi i këtyre të fundit, si rezultat i teknologjive, ka ndryshuar.

Ekzistojnë shkolla e mendime gjeopolitike të ndryshme, shumëllojshmëria e të cilave më shumë është e lidhur me shtete të veçanta sesa me ideologji politike të ndryshme. Sot nuk mund të flitet më për një gjeopolitikë marksiste, socialiste apo liberale, por mund të flitet për një gjeopolitikë; amerikane, gjermane, kineze, ruse, angleze, franceze apo italiane. Pra duhet të flitet për shumë gjeopolitika në vend që të flitet vetëm për një gjeopolitikë. Fundi i Luftës së Ftohtë, zhvillimi teknologjik, çrregullimet e mëdha demografike dhe ekonomike si dhe shtimi i numrit të aktorëve që veprojnë né skenën ndërkombëtare ka ndryshuar thellësisht sistemin e mëparshëm botëror. Globalizmi dhe ndërvartësia e shumë sektorëve (financiarë, teknologjikë, informativë),si dhe shfaqja e qendrave të forta të fuqive transnacionale, jo të kontrollueshme nga shtetet, detyrojnë marrjen e vendimeve qofshin edhe të brendshme. Kështu bëhet e domosdoshme që çdo subjekt të mendojë për vetveten në raport me botën, të ndikojë në ndryshimet e saj dhe të përcaktojë interesat dhe rolet e veta ndërkombëtare, natyrisht në atë masë që e lejon fuqia që ka.

Shekulli 19-të padyshim pa një ekspansion të madh dhe intensifikim të shkëmbimeve tregtare si dhe pushtimin e territoreve të mëdha në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine nga fuqitë evropiane, në betejën për kolonitë. Shpikja e telegrafit si dhe shtrirja e kabllove përgjatë oqeaneve lidhi kontinentet me shpejtësinë e dritës dhe revolucionarizoi komunikimin. Ndërtimi i anijeve shumë të shpejta ndëroqeanike reduktoi së tepërmi kohën e udhëtimeve përgjatë Atlantikut, duke e bërë më pak se një javë. Kështu që, nuk ishte vetëm informacioni që udhëtonte elektronikisht nëpër glob, por edhe shkëmbimi masiv i mallrave përgjatë rrugëve detare të botës, së bashku me lëvizjen e njerëzve. Deri në fundin e shekullit 19, këto lëvizje njerëzish nisën të shterojnë, ndërkohë që udhëtimet me qëllime biznesi dhe turizmi, sidomos mes Evropës dhe Amerikës së Veriut pësoi një rritje të madhe. Amerikanët vinin sepse atëherë Evropa njihej ende si qendra e botës, në kuptimin ekonomik, politik dhe kulturor. Evropianët kishin marrë me kohë angazhimin për të “evropianizuar botën”, shpesh herë përmes depërtimit ekonomik, por edhe përmes forcës brutale ushtarake. Por, nga ana tjetër kish gjithashtu shumë pak dyshim se brenda ansamblit të vendeve imperialistë, Britania ishte fuqia hegjemoniste. Për dekada të tëra pas luftërave të Napoleonit, shumë pak mund të bënin fuqitë e tjera, pa patur të paktën miratimin e heshtur të Londrës.

Me ardhjen e fundit të shekullit 19-të, pati shumë shenja që tregonin se hegjemonia britanike po zbehej dhe ajo po sfidohej nga fqinjët. Në Evropë ishte ambicia e Gjermanisë për të lënë pas Britaninë jo vetëm si vendi kryesor tregtar dhe industrial, por edhe në drejtim të ekonomisë dhe kulturës. Kaizeri gjerman, Uilliami II si dhe këshilltarët e tij më të ngushtë ishin të bindur se Londra do të pengonte ngjitjen e vendit të tyre në statusin e fuqisë botërore, nëse ata nuk do të ishin në gjendje t’i kundërviheshin dominimit të marinës britanike në dete, me një instrument detar të madh dhe eficient, aq sa për të mposhtur britanikët në një betejë vendimtare në Detin e Veriut. Në Luftën e Parë Botërore Londra pati sukses në frenimin e rrezikut gjerman duke angazhuar Berlinin në një garë armatimi që në 1912-1913 Kaizeri tashmë e kish humbur. Pesë vjet më vonë jo vetëm që monarkia gjermane ishte mundur, por kish nisur njëkohësisht de-evropianizimi i botës. Edhe Britania dikur e gjithëpushtetshme doli si një fuqi e dorës së dytë nga katastrofa. Shtetet e Bashkuara dalëngadalë kishin dalë në radhë të parë. Pas Parisit, gjithnjë e më shumë evropianë udhëtuan për në SHBA për të vizituar Washingtonin, New Yorkun ose Çikagon, por edhe për të inspektuar qendrat e punimit të çelikut dhe prerjes së tij në Pensilvani, industritë e prodhimit të veglave apo ato elektrike në Ohajo si dhe të prodhimit të automjeteve në Michigan. Frederik Tejlor dhe Henri Ford në Detroit, kryeqyteti i ri botëror i automobilave, përveç teknologjisë, ata ishin veçanërisht të interesuar për organizimin e punës sipas stilit amerikan, siç rekomandohej nga linjat e montimit.

Nëse Hitleri do t’ia kish dalë të mundte Bashkimin Sovjetik në 1941-in siç ai e kish parashikuar në biseda private, bota do të ishim bërë dëshmitare e një përpjekje për të gjermanizuar Euro-Azinë, Afrikën dhe Amerikën Latine. Edhe përballë këtij rreziku, kundërshtarët evropianë të Gjermanisë sërish rezultuan shumë të dobët për të ndalur agresorin. Vetëm hyrja e SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore, fshehtas në 1940-n dhe haptas pas sulmit të japonezëve në Pearl Harbour në dhjetor 1941, ndryshe nga situata në 1917-n, bëri që fitorja e aleatëve të sigurohej kundër boshtit të fuqive të Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë. Kur ky konflikt botëror më në fund përfundoi në 1945, elitat ekonomike, politike dhe intelektuale të SHBA-së morën dy vendime themelore për rendin botëror të pasluftës. Ata donin të rindërtonin, për të dytën herë një sistem botëror tregtar liberal-kapitalist, të mbështetur nga sisteme politike demokratike parlamentare. Në mënyrë të veçantë Plani Marshall dhe NATO ishin dy komponentë shumë të fuqishëm që shtynë përpara evropianizimin. I pari me mbështetje ekonomike, i dyti me elementët e sigurisë transatlantike.

Fundi i Luftës së Ftohtë zhduku perden e hekurt tradicionale midis lindjes dhe perëndimit. Rënia e sistemit komunist dhe perfundimi i luftës së ftohtë sollën zhdukjen e kësajë perdeje dhe krijuan premisën për ndërtimin e një Evrope të pandarë, të madhe e të lirë, të stabilizuar e paqësore, demokratike dhe të begatë. Rënia e murit të Berlinit u pasua me një shpërbërje shtetesh e federatash edhe në vende të tjera. Tani Evropes lindore jo vetëm nuk i shkon në mënd të mbrohet nga një kërcenim gjerman, por dëshiron të lidhet sa më ngushtë të jetë e mundur me të për të marrë prej saj ndihma ekonomike dhe për të siguruar qëndrueshmëri politike. Por ndërsa në vendet e tjera të Europës kjo shpërbërje ndodhi e qetë dhe pa probleme në Ballkanë dhe ish Federatën Jugosllave prej vitit 1992 deri ne vitin 1999 proçesi i shpërbërjes së saj u shoqërua me luftra të përgjakshme. Këto konflikte që ndodhen në fund të shekullit të XX-të kercënuan përsëri ballancen dhe realitetin e brishtë të pas renies së komunizmit dhe po vazhdojn edhe sot.

Ndërsa të gjithë prisnin që shekulli i 21-të të fillonte me një botë edhe më të qetë, në realitet nuk po ndodh kështu. Konfliktet Rusi-Ukrainë, në Ballkan, në Lindjen e Mesme e kanë trazuar përsëri gjeopolitiken globale. Kohët e fundit ka shumë zëra që mendojn se është zbehur dominimi Amerikan në Europë dhe më gjërë. Edhe nëse Evropa kërkon të krijojë koalicione në formën e “partneriteteve strategjike” me fuqi të tjera si Rusia, Japonia, Kina, Kanadaja apo India, siç theksohet në ‘Strategjinë e Sigurimit Evropian”, për të vënë nën kontroll fuqinë amerikane, një gjë e tillë nuk ka gjasa të ketë sukses, por edhe nëse ndodh, do jetë shumë e përkohëshme. Përvoja historike na mëson se marredhëniet e krijuara vetëm mbi bazën e interesave të rastit mbeten të dobëta, ndërsa marredhëniet që ngrihen mbi bazën e interesave dhe vlerave të përbashkëta kanë rrënjë të thella dhe jetojnë gjatë. Zgjedhjet në SHBA do të jenë një test shumë i fuqishem për të ardhmen e Europës dhe Botës. Dominimi Amerikan ka qënë dhe do të jetë detriminantë sado që në perjudha të vogla mund të pësojë luhatje. Amerika ka ditur të ngrihet edhe në perjudha më të veshtira për të qënë lider botrorë. Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një Evropë të Bashkuar, të fortë dhe të vendosur, që të sakrifikojë në mbrojtje të interesave të përbashkëta transatlantike. Në këtë aleancë, Amerikën nuk e shqetëson fakti që Evropa është e forte, përkundrazi, Amerikën e shqetëson fakti që Evropa është e dobët.

New York, Korrik 2024

Foto: Washington.org

Filed Under: Opinion

Ekspozitë “In memoriam Naum Prifti (1932-2023)”

July 18, 2024 by s p

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çeli ekspozitën përkujtimore “In memoriam Naum Prifti (1932-2023)”, duke sjellë në vëmendje të publikut, në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta, krijimtarinë e mjeshtrit të rrëfimit dhe të dialogut Naum Prifti.

Naum Prifti lindi në Rehovë të Kolonjës, më 7 mars 1932, ku kreu shkollën fillore. Më pas, në Ersekë, atë 8-vjeçare. Në vitin 1953, përfundoi Politeknikumin Mjekësor në Tiranë. Punoi një vit si ndihmësmjek në Sanatoriumin e Korçës. I pasionuar pas letërsisë, vijoi studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës.

Gjatë viteve 1954-1960 shërbeu si redaktor në revistën “Hosteni”. Ndërsa nga 1960-1967 si redaktor në revistën “Ylli”. Më pas punoi si arsimtar nga 1967-1970 në Divjakë të Lushnjës. Në vitet 1970-7192 ishte redaktor përgjegjës për buletinin “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-1976. Në këto vite si shërbeu edhe si pedagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës.

Në vitin 1991, emigroi në Amerikë (Nju-Jork), ku dha ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar atje dhe për Letërsinë Shqipe. Në vitin 1995, u zgjodh sekretar i Federatës Panshqiptare “Vatra”. Me krijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e zgjedhin kryetar të saj. Është nderuar me shumë çmime për veprat letrare si: vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash. Në vitin 2001 u nderua nga Ministria e Kulturës dhe Lidhja e Shkrimtarëve me çmimin: “Penda e Argjendtë”, për vëllimin me legjenda “Nëna e Diellit”. Çmimin “Penda e Artë” për vëllimin me tregime dhe skica humoristike “As Miço, as Muço” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptare-Amerikane, Nju-Jork, 2003. Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe “Urdhrin Naim Frashëri” Klasi II.

Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë etj. Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete dhe dyfishi i një gjysmëshekulli krijimtarie. Disa nga tregimet e tij janë bërë edhe filma dhe është vlerësuar me shumë çmime për veprat e tij letrare.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSH-së.

#NaumPrifti

#BKSH

#ekspozita

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT