• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2024

Pandi Raidhi, aktori që i’u dha me mish e me shpirt roleve që e lartësuan atë në panteon

July 18, 2024 by s p

Nga Albert Vataj/

Pandi Raidhi megjithëse i përket një kinematografie, e cila për shkak të sistemit, me ndryshimet, mori damkën e papajtueshmërisë dhe refuzimit kadegorik, ai mbetet një personalitet shumë i veçantë dhe unik. Përkushtimi dhe pasioni, me të cilat ai i dha jetë roleve që ju besuan, bënë që ai të zinte një vend të privilegjuar në adhurimin e atyre që ende i lidhe nostalgjia dhe malli i vitete dhe kujtesa që zgjohet me filmin shqip, me atë pjesë që edhe pa dashjen e shumë revolucionarëve të ndryshimeve dhe gjykatorëve antikomunistë dhe antirelsoc, ajo mbetet sërish ajo, mbetet sërisht një grishje dhe dashuria. Pandi Raidhi, pavarësisht kohës që ushtroi aktorin, ai diti të ishte dhe të mbetet në kujtesën e kolegëve një njeri i mirë, një bashkëpunëtor komod dhe me shumë humor, i apasionuar dhe i vendosur për të përmbushur me shpirt rolet, karakteret, personazhet, ato përfaqësime kinematografike që e mbajnë atë në kolanën e korifejve të artit tonë skenik .

Ai ishte një aktor i lindur. Ai kishte mimikën dhe timbrin e zërit, kishte shprehinë dhe plastikën, kishte vështrimin shpues e ngrohtësinë prej babaxhani. Përmes këtyre karakteristikave ai rrëmbeu zemrat e artdashëve, dhe ashtu i përkundur në këtë prehër admirimi ai iku atë ditë korriku, për të lënë pas një emër që meriton vetëm mirënjohje. Të gjithë ikin një ditë dhe është fatlum ai që ikën duke lënë një emër të madh, një vepër të realizuar, një ëndërr të çuar deri në skaj të reales, siç pati fatin Pandi Raidhi. Nga këta të zgjedhur që i ledhi fati, e mbrujtën vështirësitë, sfidoi sprovave dhe triumfoi për të mbetur ai, Pandi Raidhi, një njeri i përkorë dhe një aktor i përkushtuar, një personalitet i fuqishëm dhe një integritet unik artistik dhe krijues. Korça që lindi dhe Shqipëria që e pati të zëshëm në arenën e madhe të skenës, i janë mirënjohës atij dhe sot përulen me respekt në këtë cak ndërmendjeje.

Po, ishte 18 korrik 1999, kur ai u nda nga jeta, duke lënë pas një galeri të pasur personazhesh dhe karakteresh tipesh dhe identitetesh, të cilave i jetësoi nga vetja shpirtin duke i bërë ata të pavdekshme me Pandin, me zemrën dhe shpirtin e tij, me atë lëndën e pavdekësisë që ashtu përjetësisht ndaloi në jetë me frymën e tij, dhe rrugëton në memorie, për të riardhur sa herë, po ai.

Ndërsa vitet kanë përpirë të shkuarën dhe vdekja i mori një e nga një ata që ndërtuan tempullin e artit tonë skenik, edhe Pandi Raidhin, ne rrekemi të rizgjojmë prej thellë nesh kujtimet, ata që na mëkuan, dhe vërejmë se gjithçka ka mbetur si më parë. Ne rijetojmë suksesin e atyre pasionantëve të punës ngadhënjyese, dhe hyjmë në kohën e tyre për të ribërë pulsin e asaj atmosfere suksesi, që ishte i tyre por që mbeti i yni.

Edhe pse ideologjia e ndëshkoi punën dhe artin e tyre, ata arritën të mbesin të mëdhenj, sepse i fuqishëm ishte pasioni që ngjiti ata në skenë, e madhe ishte përgjegjësia e sheshxhirimeve. Pandi Raidhi me veprën e tij aktoriale ka mbetur i tillë edhe sot. Ai ngriti në monument të vetëdijes sonë filma dhe role, të cilat nuk i dobësoi censuara komuniste dhe nuk i nënshtroi evoluimi dhe sofistikimi i shijeve artistike dhe estetike.

“Artisti i Popullit”, Pandi Raidhin, ishte një ata që dhanë shumë më shumë se sa morë. Dhe përulësia e tyre ishte emblematike. Puna me përkushtim dhe pasion, lodhja dhe vështirësitë e panumërta, me të cilat ata u përballën, nuk i gjunjëzuan asnjëherë në ankim, përkundrazi arritën të shndërroheshin për ta në forca ngadhënjyese, në energji gjeneruese të pasionit dhe përkushtimit. Pandi Raidhi ishte dhe mbeti i tillë deri në fund. Në karrierën e tij krijuese nuk kishte role të vogla dhe të mëdha, personazhe të pakapshme dhe karaktere të palexueshme, tipe të ngurta e individualitete të padepërtueshëm. Gjithçka ishte e mundur ashtu siç thotë proverbi: “Ku ka vullnet ka dhe mjete për të arritur qëllimin”.

Çdo aktor në galerinë e tij krijuese ka një seri ballafaqimesh skenike, edhe i madhi, shtatshkurtër e zemërbardhë, zëëmbël dhe atëror, Pandi Raidhi kishte prej atyre filmave që e kanë ngulitur thellë në kujtesën dhe ëndjen tonë nostalgjike. Disa prej këtyre sprovash të pashlyera të jetës së tij aktoriale, janë filmat; “Yjet e netëve të gjata”, “Përballimi”, “Krevati i Perandorit”, “Zonja nga Qyteti”, “Beni ecën vetë”.

Pandi Raidhi lindi në 14 prill të vitit 1921 në qytetin e Korçës. Ai nisi karieren e tij artistike ne vitin 1937 ne shfaqen teatrale “Dasma Korçare” ku fitoi menjëherë simpatinë e publikut korçar.

Mori pjesë në luftën Nacional-Çlirimtare në radhët e Rinisë Antifashiste. Në vitin 1948 pas mbarimit të shkollës së mesme u fut në punë në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) ku interpretoi dramën “Dasma Korçare”. Në vitin 1950 u kthye në teatrin “A.Z.Çajupi” të Korçës ku do të interpretonte me dhjetëra role.

Debutimin kinematografik e bëri në filmin e parë shqiptar “Tana” në vitin 1958. Më tej interpretoi në 36 role të tjera të filmave Shqiptar. Roli i tij më i fundit ishte ai i babait të sekretarit në filmin “Njerëz në rrymë” në vitin 1989. Në një karrierë artistike gjysmë shekullore Raidhi ka interpretuar më shumë se 200 role në dramë, komedi dhe opereta.

Ai u kthye shume shpejt në një figurë të dashur dhe shume popullore për të gjithë shqiptarët. Ai kujtohet me respekt për thjeshtësinë buzëqeshjen e ëmbël dhe humorin e tij të hollë. Karakterizohej nga serioziteti i madh për punën. Asnjëherë gjate xhirimit në rolet e tij, kamera dorëzohesh para portretit interesant që ai krijonte.

U nda nga jeta dhe familja e tij në Tiranë në 18 korrik të vitit 1999.

Nderime

Për meritat e tij artistike Pandi Raidhi u nderua në vitin 1975 me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Për nder të tij Bashkia e Tiranës i ka dhënë një prej rrugëve të Kryeqytetit emrin e tij.

Filmografia

Njerëz në rrymë-(1989)

Familja ime – (1987) ….Tasi

Përsëri pranverë – (1987)…Xha Tasi

Rrethimi i vogël – (1986)…shoku Meti

Duaje emrin tënd – (1984)…Thomai

Kush vdes në këmbë – (1984)…Prifti i fshatit

Nëntori i dytë – (1982)…Demir Arbana

Shoqja nga fshati – (1980)

Partizani i vogël Velo – (1980)…Bani i Dukes

Agimet e stinës së madhe (1981)..Sharko Sheqi

Liri a vdekje – (1979)…Çarçani

Ne vinim nga lufta – (1979)

Flamur në dallgë – (1977) (TV)

Përballimi – (1976)…Pllaton Burbuqi

Monumenti – (1976)…Llambro Leka

Tokë e përgjakur – (1976)

Zonja nga qyteti – (1976)…Xha Bakoja

Beni ecën vetë – (1975)…. Xha Thomai

Rrugicat që kërkonin diell – (1975) Jorgo, Pronari i kafenesë

Shpërthimi – (1974)…Lajmja

Shtigje të luftës – (1974) Babai i Shabanit

Krevati i perandorit – (1973) Partizani Meke

Yjet e netëve të gjata – (1972)…Ago Beqoja

Kur zbardhi një ditë – (1971) Xha Loni

Mëngjeze lufte – (1971)…Raqi Teneqenxhiu

I teti ne bronz – (1970) Mullixhiu

Horizonte të hapura (1968) …. Xha Ymeri

Ngadhënjim mbi vdekjen (1967)…Xha Teloja

Vitet e para (1965) …. Kasëmi

Tana – (1958)

Filed Under: Kulture

PROMOVIMI I MODËS SHQIPTARE NË SKENAT NDËRKOMBËTARE

July 17, 2024 by s p

Gentiana Dervishi, themeluese dhe presidente e shoqatës për Promovim Shoqëror “APS Showteam”, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetës “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” në New York, nëpërmjet editorit Sokol Paja, tregon me detaje organizimin e spektaklit të modes “GX Fashion Week 2024” në Milano dhe Paris si një ngjarje që shkon përtej kufijve të modës, duke promovuar shkëmbime kulturore dhe marrëdhënie ndërkombëtare përmes gjuhës universale të stilit dhe kreativitetit artistik.

“APS SHOWTEAM” PROMOVUESE E NGJARJEVE KULTURORE DHE ARTISTIKE

Shoqata për Promovim Shoqëror “APS Showteam” promovon ngjarje kulturore e artistike që përfshihen nën sloganet artistike «Gx Fashion Week» Milano dhe Paris. Ky realitet shoqëror, i themeluar më 12 mars 2018, promovon dhe ndihmon iniciativa kulturore dhe artistike të cilat synojnë të lançojnë stilistë të rinj dhe stilist profesioniste, si dhe merret me përvojë dhe soliditet të pjekur në formimin e modeleve, të cilat zakonisht ngjiten në pasarela. Paralelisht, “APS Showteam” i kushton vëmendje maksimale sektorëve të make-up dhe stilimit të flokëve, përmes kurseve të dedikuara, të cilat synojnë maksimizimin e teknikave glamuroze gjithmonë të azhurnuara me tendencat e reja. Është e rëndësishme të theksohet angazhimi i fortë social drejt integrimit efektiv të individëve të talentuar më pak fatlumë për t’u marrë me veten dhe për të arritur rezultate e mrekullueshme në fushat të përmendura më sipër. Shoqata “Aps Showteam” është një ent jofitimprurës që merret me modë. Presidentja është ndihmuar nga një grup anëtarësh të apasionuar që besojnë fort në rëndësinë e promovimit të një mode të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme. Qëllimi kryesor është sensibilizimi i publikut për problemet që lidhen me industrinë e modës dhe promovimi i një ndryshimi pozitiv brenda këtij sektori industrial. Ne jemi të vetëdijshëm se mund të kemi një ndikim të rëndësishëm në mjedis, në njerëz dhe në komunitete. Prandaj, ne angazhohemi të promovojmë stilistë që përdorin praktika etike të prodhimit dhe marka që adoptojnë një qasje të qëndrueshme dhe të inkurajojmë konsumatorët të bëjnë zgjedhje të vetëdijshme. APS Showteam organizon një seri ngjarjesh, workshop-e dhe iniciativa edukative për të përhapur njohuri dhe ndërgjegjësim mbi temat që lidhen me krijimet e qëndrueshme. Përmes këtyre ngjarjeve, synohet të përfshihet dhe frymëzohet publiku, duke ofruar informacion mbi praktikat më të mira etike dhe alternativat. Bashkëpunohet me marka dhe stilistë që ndajnë të njëjtat vlera, promovohen krijimet e tyre dhe ofrohet publikut më të mirën e artizanatit. E rëndësishme është angazhimi për mbështetjen e gjithëpërfshirjes së sektorit. Moda duhet të jetë e arritshme për të gjithë, pavarësisht nga mosha, forma e trupit, gjinia apo etnia. “APS Showteam” organizon ngjarje që festojnë diversitetin dhe autenticitetin, duke theksuar bukurinë unike të çdo individi të bindur se një ndryshim domethënës mund të ndodhë përmes edukimit, sensibilizimit dhe bashkëpunimit. Prandaj, të gjithë ata që ndajnë këtë pasion janë të ftuar të bashkohen me ne. Së bashku, është e mundur të bëhet një ndryshim dhe të kontribuohet në dhënien e sinjaleve të duhura për një industri më të vetëdijshme promovuese dhe zhvilluese.

PROMOVIMI I MODËS SHQIPTARE DHE TALENTEVE SHQIPTARE

Jam konsoliduar si një figurë kyçe në promovimin e modës shqiptare në skenën ndërkombëtare. Përmes Shoqatës sime për Promovim Shoqëror “APS Showteam”, kam krijuar në mënyrë efektive një urë jetike midis talenteve shqiptare dhe qendrave të modës në Milano dhe Paris. Puna ime përqendrohet në ofrimin e mundësive konkrete për stilistët, modelet dhe artistët shqiptarë që të tregojnë talentin dhe kreativitetin e tyre në platforma ndërkombëtare. Iniciativa të tilla si “Gx Fashion Week” ofrojnë një vitrinë unike për modën shqiptare, duke lejuar stilistët të paraqesin krijimet e tyre përkrah emrave të njohur të industrisë. Unë nuk kufizohem vetëm në organizim, por i dedikohem edhe formimit, duke përgatitur talentet shqiptare të konkurrojnë në nivelet më të larta në sektorin e modës. Angazhimi im po kontribuon ndjeshëm në ngritjen e profilit të modës shqiptare në kontekstin global, duke hapur rrugë të reja për shprehjen artistike dhe inovacionin stilistik të vendit.

TË BEFASUAR NGA KREATIVITETI DHE CILËSIA E PUNËS SË STILISTËVE SHQIPTARË

Të shohësh emocionin në sytë e stilistëve tanë kur parakalojnë përkrah emrave të njohur është e papërshkrueshme, është si të realizojmë një ëndërr kolektive. Ndikimi i punës sonë shkon përtej ekspozimit të thjeshtë. Po ndryshon perceptimin e modës shqiptare në nivel global. Shumë njerëz janë të befasuar nga kreativiteti dhe cilësia e punës së stilistëve tanë. Po dëshmojmë se Shqipëria ka shumë për t’i ofruar botës së modës. Çdo ngjarje është një mundësi për të mësuar dhe për t’u rritur. Stilistët tanë kthehen në Shqipëri me ide të reja, kontakte dhe, mbi të gjitha, me një besim të ri në aftësitë e tyre. Dua që ata të jenë të gatshëm jo vetëm të marrin pjesë, por të shkëlqejnë në skenën globale. Çdo stilist shqiptar është si një yll që shkëlqen në një pasarelë ndërkombëtare dhe hap rrugën për të ardhurit e rinj. Ne po ndërtojmë një trashëgimi për modën shqiptare.

SHQIPTARËT NË “GX FASHION WEEK 2024” NË MILANO DHE PARIS

GX Fashion Week 2024 në Milano dhe Paris, e planifikuar për në shtator, do të paraqesë koleksionet e vitit 2025. Ky takim prestigjioz, që bashkon stilistë ndërkombëtarë dhe shqiptarë, premton të jetë një kryqëzim i inovacionit dhe stilit në vazhdën e atyre të mëparshme, ku vlerat e meritës janë themeli dhe vijnë gjithmonë përpara çdo forme të elegancës. Ngjarjet, që do të zhvillohen në dy nga kryeqytetet botërore të modës, do të shohin model dhe modele nga çdo cep i globit të parakalojnë në pasarela, duke mishëruar thelbin e vërtetë të diversitetit dhe gjithëpërfshirjes në botën e modës. GX Fashion Week 2024 është më shumë se një ndalesë e thjeshtë gjatë javës së modës; është një platformë që ofron dukshmëri ndërkombëtare për talentet në zhvillim, veçanërisht për stilistët shqiptarë, duke i vendosur ata krah për krah me emrat e njohur të industrisë. Pasarelat e Milanos dhe Parisit do të shndërrohen në një skenë të lartë dhe prestigjioze, ku koleksionet e reja për vitin 2025 do të marrin jetë. Pritja është e ndjeshme midis stilistëve, të cilët janë të etur për të prezantuar krijimet e tyre të fundit për një publik global të ekspertëve të industrisë, blerësve dhe dashamirësve të modës. Këtë vit, më shumë se kurrë, synojmë të tejkalojmë kufijtë tradicionalë të modës. Duam që çdo stilist, qoftë një emër i njohur apo një talent në zhvillim nga Shqipëria, të ketë mundësinë të shkëlqejë dhe të lërë gjurmë.

MARKAT SHQIPTARE, SUKSES SHQIPTAR

Markat kryesore shqiptare që kanë marrë pjesë në  GX Fashion Week-et e mëparshme janë:  Atelier Margot e Margarita Kola, A Tangerine Design e Leida Troci, Atelier Elsida Pepa, Ina Gjoka, Aulona Store e Aulona Mecaj, Dream Store Albania e Sonila Harizi, Nicol Sposa e Xhimi Designer, Albanian Design Academy.

MODE, SHKËMBIME KULTURORE DHE MARRËDHËNIE NDËRKOMBËTARE

Që nga edicionet e para, GX Fashion Week kam pasur nderin të mirëpres konsuj shqiptarë dhe autoritete italiane. Kjo prani institucionale nënvizon rëndësinë e ngjarjes jo vetëm në botën e modës, por edhe si një urë midis kombeve. Në takimet e fundit, kam numëruar edhe duartrokitjet e institucioneve të kombeve të tjera të rëndësishme, të ardhura në Milano për këtë rast. Pjesëmarrja e përfaqësuesve diplomatikë shqiptarë thekson rolin e GX Fashion Week në promovimin e talentit dhe kulturës shqiptare në një skenë ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, prania e autoriteteve italiane reflekton njohjen e ngjarjes si një kontribut i rëndësishëm në panoramën kulturore italiane. Kjo konvergjencë midis modës dhe diplomacisë ka krijuar një atmosferë unike, ku arti i krijimit të modës ndërthuret me dialogun ndërkombëtar. Prania e këtyre figurave institucionale hap mundësi të reja për bashkëpunim dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Për edicionet e ardhshme, duke përfshirë atë të vitit 2024, pritet që kjo traditë të vazhdojë, duke forcuar më tej rolin e GX Fashion Week si një ngjarje që shkon përtej kufijve të modës, duke promovuar shkëmbime kulturore dhe marrëdhënie ndërkombëtare përmes gjuhës universale të stilit dhe kreativitetit.

POROSI PËR ARTISTËT SHQIPTARË: TRADITA E PASUR SHQIPTARE, UNIKE NË SKENËN NDËRKOMBËTARE

Inkorporoni elementë nga tradita e pasur shqiptare në dizajne moderne dhe inovative. Kjo do t’ju dallojë dhe do të sjellë një perspektivë unike në skenën ndërkombëtare. Investoni në pëlhura dhe materiale të cilësisë së lartë. Zgjedhja e materialeve mund të bëjë diferencën midis një veshje të mirë dhe një të jashtëzakonshme. Saktësia në përfundimet dhe detajet është thelbësore. Kjo është ajo që blerësit dhe kritikët ndërkombëtarë vërejnë menjëherë. Inkorporoni praktika të qëndrueshme në procesin tuaj krijues. Moda etike është gjithnjë e më shumë e vlerësuar në nivel global. Zhvilloni një histori të fortë rreth markës suaj. Identiteti juaj shqiptar mund të jetë një pikë e veçantë e fortë. Mësoni të paraqisni koleksionet tuaja në mënyrë profesionale. Një lookbook i realizuar mirë dhe një prezantim i kuruar mund të hapin shumë dyer. Merrni pjesë në ngjarje të sektorit, edhe si vëzhgues. Ndërtoni marrëdhënie me profesionistë të tjerë të sektorit. Qëndroni të azhurnuar mbi teknikat dhe tendencat e fundit. Konsideroni kurse trajnimi ose bashkëpunime ndërkombëtare. Studioni tregjet e ndryshme ndërkombëtare. Përshtatni krijimet tuaja për apel global duke ruajtur autenticitetin tuaj. Suksesi ndërkombëtar kërkon kohë dhe përkushtim, mos u dekurajoni përballë sfidave fillestare.

Filed Under: Opinion

Mediat sociale 

July 17, 2024 by s p

Astrit Lulushi/

Teoritë e konspiracionit për tentativën për vrasjen e Trump janë një shenjë e kohërave të mediave sociale

Dyzet vjet më parë, teoritë e konspiracionit ishin objekt i radios gjatë natës kur drejtuesit mbushnin orët për pagjumësi me tema të nxehta si, nëse ulja në hënë ishte e rreme, cilët alienë fshiheshin në Zonën 51 dhe, nëse Elvis jetonte në një ishull të largët në Paqësorin Jugor.

Një teori ngrihej mbi të tjerat: Kush ishte vërtet përgjegjës për vrasjen e Presidentit John F. Kennedy në Dallas në vitin 1963?

Në dekadat paraprake pas vrasjes, teoritë e konspiracionit u ndërtuan dhe u detajuan me aromën e saktë të një episodi të “CSI”. Kishte libra më të shitur si “Rush to Judgment” nga Mark Lane, speciale të shumta televizive dhe filmi i Oliver Stone i vitit 1991, “JFK”, që ndihmuan të forconte idenë se vdekja e Kenedit ishte një komplot i përpunuar që përfshin, në thelb, të gjithë ata që mbanin një inat ndaj tij. Nuk dukej e mundur që një gjuajtës i vetëm i çmendur të kishte shkaktuar një trazirë të tillë. Kështu që amerikanët shkuan në kërkim të shpjegimeve që flisnin për pikëllimin dhe frikën e tyre kolektive.

Të shtunën, 13 Korrik 2024, pasi u publikua lajmi për tentativën për vrasjen e ish-presidentit Donald Trump në një miting në Butler, Pensilvani, teoritë e konspiracionit rrodhën si uji i rubinetit. Nuk kishte asnjë provë për t’u ekzaminuar menjëherë pas kësaj, përveç riprodhimit të vazhdueshëm të pamjeve të drejtpërdrejta të Trump-it që preku veshin dhe më pas ra, ndërsa Shërbimi Sekret nxitoi ta rrethonte.

Me shpejtësi të rrufeshme, pretendimet në mediat sociale e lidhën përpjekjen me agjencitë qeveritare të inteligjencës, e etiketuan atë si të inskenuar ose argumentuan ndryshe se një plan tjetër i poshtër po shpalosej, qoftë nga e majta apo e djathta politike.

Kishte shumë arsye për të qenë të kujdesshëm derisa të dihej më shumë. 

Por teoritë e konspiracionit nuk presin asnjë fakt. Një anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, një republikan nga Xhorxhia, madje postoi në X (ish-Twitter): “Joe Biden dërgoi urdhrat”.

Siç shkroi BBC të dielën, teoritë e konspiracionit mund të lindin nga përpjekjet për të mbushur boshllëqet e shqetësimeve reale – nga të cilat ka shumë që përfshijnë përpjekjen e së shtunës: “Si arriti sulmuesi në çati? Pse nuk u ndaluan? Në atë vakum u fut një valë mosbesimi, spekulimi dhe dezinformimi.”

Dhe falë mediave sociale, (dhe natyrës tonë si njerēz) teori të tilla janë në gjendje të arrijnë audiencë të madhe me një lehtësi që do të kishte mahnitur një adhurues konspirativ të JFK të viteve 1970.  

Brenda një ore, NBC News raportoi të shtunën vonë në mbrëmje, një numër postimesh që pretendonin se të shtënat ishin inskenuar, edhe pse nuk kishte asgjë për të mbështetur pretendimin e egër.

A është i habitur dikush që mungesa e informacionit të verifikueshëm për ngjarjet në Pensilvani shërbeu vetëm për të nxitur kaosin dhe urrejtjen që është një tipar, jo një defekt i jetës politike në 2024?

Kjo është bota në të cilën jetojmë. Politika është polarizuar aq thellë sa ka qenë ndonjëherë, në të njëjtën kohë që burimet legjitime të lajmeve (TV, radio e gazeta) vazhdojnë të bien për sa i përket numrit të lexuesve, dëgjuesve dhe shikuesve – dhe vazhdojnë të denigrohen nga ata që dyshojnë për besueshmërinë e tyre. Gjithnjë e më shumë njerëz po i marrin lajmet e tyre nga burime si TikTok, komedisë, shakave dhe pothuajse çdo gjë tjetër që mund të marrë hite masive.

Ka pak udhërrëfyes në mediat sociale në lidhje me faktet kundrejt thashethemeve dhe gënjeshtrave të plota. Amerikanët që kërkojnë njohuri mbi atë që ndodhi të shtunën janë kundër dezinformimit (përhapjes së qëllimshme të gënjeshtrave) dhe dezinformimit (përhapjes së padashur të përmbajtjes nga ata që bien në gënjeshtra). Goditja ka qenë shkatërruese për sa i përket ndezjes së pasioneve dhe dekurajimit të votuesve për të qenë të informuar për çështjet.

E vërteta është se shumica e faqeve të mediave sociale ofrojnë një dietë të qëndrueshme të lajmeve të padëshiruara. 

Është kënaqësi e menjëhershme pa vitamina dhe minerale. Mbledhja aktuale e fakteve është një proces i ngadaltë dhe i mundimshëm. Gazetarët nuk nxiten nga axhenda të fshehta, siç këmbëngulin disa, por nga një nxitje e thellë, përcaktuese për të marrë faktet drejt dhe për të mos nxituar në ndonjë përfundim që nuk mbështetet me prova.

Kjo është arsyeja pse mbulimi televiziv i së shtunës për tentativën për vrasjen e Trump ishte kaq i përsëritur dhe kaq i pavullnetshëm për të ofruar një lloj spekulimi të shfrenuar në internet. Madje u desh kohë që organet legjitime të lajmeve të përdornin fjalë si “qëllua” në mbulimin e tyre në vend të përshkrimeve të paqarta si “duket të rrjedh gjak”. 

Pritja për konfirmimin e fakteve më të thjeshta është pjesë e procesit.

Në javët dhe muajt në vijim, gazetarët do të mbulojnë çfarëdo hetimi zyrtar dhe do të kryejnë punën e tyre hetimore për të zbuluar se si një i ri me një pushkë gjysmë automatike ishte në gjendje t’i afrohej kaq shumë një kandidati presidencial. Faktet do të kërkojnë shumë kohë për t’u mbledhur. Dhe pasi të mblidhen dhe verifikohen, ka të ngjarë të mos kenë kërcitjen emocionale ose dramën thriller të filmave të teorive konspirative, të cilat duken të dizajnuara për algoritmet që nxisin konsumin në internet.

Teoritë e konspiracionit janë një simptomë e një sëmundjeje në jetën bashkëkohore që vlerëson nxitjen e emocioneve dhe përhapjen e guximit mbi tolerancën, mirësjelljen dhe shikimin e dikujt nga një palë tjetër si një person me mendime të ndryshme, jo një armik. 

Siç raportoi Los Angeles Times, “pushtet e nxehta në internet krijojnë një terren të pjekur për rritjen e ndarjes dhe dhunës së mundshme”.

Ka pasur thirrje të përhapura nga republikanët dhe demokratët në prag të së shtunës për të ulur temperaturën përreth politikës. Do të ishte mirë të mendohej se të paktën mund të ndodhte ndonjë shërim. 

Por ka më shumë gjasa që gjestet pajtuese të ndezin teorinë e radhës konspirative, ndoshta se si idetë e fundit të qetësimit janë vetëm një strategji për të vluar ndjenjat në maskim. “Mirësevini në mediat sociale!”

Filed Under: ESSE

Oponencë Euroatlantike ndaj Ligjit Grek të luftës me Republikën e Shqipërisë

July 17, 2024 by s p

Dr. Halil HYSENI/

Temperaturat e ngritura sezonale, 80 – vjetori i Genocidit Çam, aktiviteti i PDIU, e angazhuan Kryesinë e Kuvendit ton Popullor. Konform medias, përfaqësuesit në Kryesi kanë dakortësi për të nxitur Kuvendin drejt një akti, për të katalizuar çështjen e Ligjit Grek të Luftës. Planifikuar për datën 18 korrik 2024. Angazhimi i anëtarëve të Kuvendit, i Kryesisë së tij, i vetë Kuvendit në zgjidhjen e cilitdo problemi që cënon sigurinë e vendit, pengon fqinjësinë e mirë vlen admirim. Vlen të vlerësohet lart. Përfaqësuesve tanë në parlament i bën nder, është në meritë të tyre cilado inisiativë a kërkesë për abrogimin e ligjit të Grek Luftës dhe zhbërjen e pasojave të tij. Angazhimi i deputeteve të PDIU reflekton vlerësimin e merituar nga komuniteti që i mbështet.

Ani pse është pjese e “job description” të parlamentarëve, edhe pse është puna e tyre, e paguar, përkushtimi në çështjet kombëtare, përfshi ato që rrokin Çështjen Çame shënjon dinjitet.

Faqja zyrtare e Kuvendit, në kalendarin e punimeve për periudhën 1 korrik – 26 korrik 2024 ende nuk e pasqyron të planifikuar ndërsa në rubrikën ‘Konferenca e Kryetarëve’ njoftohet për shqyrtimin, më datë 09 korrik 2024, të Projektdeklaratës “Për forcimin e bashkëpunimit me Republikën e Greqisë dhe heqjen e ligjit të luftës” propozim i Grupit Parlamentare “Demokraci dhe Integrim”.

Ligji i Luftës / Ligji i Forcës Nr. 2636 i vitit 1940 “Rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurisë armike” ka tetëdhjet e ca vjet që mbahet në këmbë, me artifica e për interesa. Është edhe për këtë arsye që cilido akt e procedurë që e adreson duhet të jetë e filtruar mirë, pa ekuivoke, me objekt, kërkime e terma të qartë, si ne lëndë ashtu edhe në parashtrim.

‘DEKLARATË’ versus ‘REZOLUTË’

Agjencia telegrafike Shqiptare, pjesmarrës në mbledhjen e Kryesisë, aktorë dhe media, folën per nje “Rezolutë” te Kuvendit, të planifikuar për tu kaluar në Seancën Plenare në datën 18 korrik 2024, ndërkoh zyrtarisht në rubrikën ‘Konferenca e Kryetarëve’ njoftohet për shqyrtim të një Projekt ‘Deklarate’. Në media ofrohet një draft i saj.

Flitet për “Ligjin e luftës”. Pesha e termit, vlera e pasojave të tij, serioziteti i cështjes; implikimi politik e trajtimi juridik nuk e pranon ambiguitetin. Përfaqësuesit e tij duhet të ia thon qartë popullit. Do vendoset për një Rezolut apo do shprehen me një Deklarat. “Deklarata” është tjetër gjë dhe “Rezoluta” është tjetër gjë. “Deklarata” është pohim, “Rezoluta” është vendim. Kuvendi, për rastin, mundet te prodhojë ose Rezolut ose Deklarat por nuk prodhon një akt hemafrodit edhe, edhe. Një akt edhe, edhe është një akt as, as.

Dallimi Rezolut – Deklarat nuk është vetëm leksikor. Dallimi është thelbësor e qëndron në vetë lëndën. Qëndron në pasojat që sjellin. Dallimi mes dy termave është i qartë edhe në faqen zyrtare të Kuvendit. Në Rubrikën “Dokumenta”jo më kot gjendet veç rubrika “Deklarata” dhe veç rubrika “Rezoluta”. Përzierja e tyre, në eter, ambiguiteti i hedhur, ndoshta padashje sjell dëm.

Akti i pritshëm, Rezoluta ose Deklarata për vet natyrën e tij do ti kundrejtohet njëherësh dy auditoreve. I drejtohet publikut dhe institucioneve Shqiptare, do i drejtohet edhe Institucioneve eksperte të palës përballë. Nëse për përdorim të brendshëm adresohemi verbalisht me “Rezolutë” ndërsa institucioneve dhe ekspertizes përballë u përcillet në letër “Deklarate”, është thënë shumçka. Populizëm brenda, vakum për jashtë. Ekspertët dhe jo vetëm ata mbajnë shënim.

Vetë titulli i Projektdeklaratës, i përbërë nga dy fjali të bashkërenditura “Për forcimin e bashkëpunimit me Republikën Greqisë dhe heqjen e ligjit të luftës” ngec. Është shtuar një pale e panevojshme dhe uj në përmbajtje.“Heqja e ligjit” është veprim juridik unilateral. Forcimi i bashkëpunimit është veprim bilateral. Përse duhet të kthejm një veprim të pastër unilateral (te palës Greke) në një detyrim të dyanshëm (edhe per ne)? Për ta kushtëzuar ?!.

‘EX NUNC’ versus ‘EX TUNC ’

Projektdeklarata, në titullin e saj kërkon heqjen e Ligjit të luftës. “Heqja”, në kuptimin e saj literal por edhe në kuptimin funksional, brenda konteksit të vetë fjalisë – Titull, nënkupton heqjen = mënjanim e pengesës (ligjit të luftës) për të vijuar më tej, për të mundësuar forcimin e bashkëpunimit. Shkurt, Ligjin e heqim (tani) e të forcojm bashkëpunimin (në vijim). Shkurt, në draft deklaratë, në titull e përmbajtje adresohet shfuqizimi “ex nunc” i Ligjit.

Për të përcaktuar kohështrirjen e fuqisë së një akti, përdoren gjërë dy terma ligjore “ex nunc” që do të thotë ‘nga tani e pas’ dhe ‘ex tunc’ që do të thotë “që nga fillimi” / “që at’herë”.

Mbështetur në të vërtetën historike, në Të Drejtën dhe në interesin tonë kombëtar duhet shprehimisht të kërkohet shfuqizimi ‘Ex Tunc’ i “Ligjit të luftës”. Të shkruhet shprehimisht në akt. Bashkë me shfuqizimin e mundshëm të konsiderohet nul e pavlerë, që nga data e hyrjes së Ligjit në fuqi, edhe aktet, edhe praktikat e krijuara në zbatim të “Ligjit të luftës”.

Nëse mbetemi te shfuqizimi “ex nunc” i “Ligjit të luftës”, efektet nuk shtrihen përpara datës së pritshme të shfuqizimit të vet aktit. Në këtë rast Palës Greke nuk i kërkojm. I dhurojm.

Përmes kërkimit për shfuqizim “ex nunc” të ligjit, Ipso juro pranojme të pavërtetën se përgjat luftës së Dytë Botërore Shqipëria ishte vend armik i Greqisë, e për rrjedhojë vend armik i aleancës fituese, e për pasojë nuk bën pjesë në vendet fituese. E kundërta është fakt i pranuar botërisht, nga vendet aleate fituese të Luftës së Dytë Botërorë. Radhitja me vendet fituese të Luftës së Dytë Botërore është ndoshta trashëgimia më e vyer që solli lufta Nacional-çlirimtare.

Përmes kërkimit për shfuqizim “ex nunc” të ligjit Ipso juro heqim dorë nga të drejtat, e qytetareve Shqiptar në Republikën Helene, të drejta të humbura prej tyre përgjat qënjes në fuqi të ligjit. Nuk është kjo që duam.

Sa më sipër nuk bëhet teori juridike, Jo. Për paralelizem me vjen përher ne mendje shënjimi i theksuar në Tiranë i Ministrit Kocias se Marrveshja (e Detit) ka fuqi “erga omnes”.

‘LIGJI’ versus ‘LIGJET’

Në Projekt Deklaratën e ofruar nga media, po edhe më herët në veshët e cilitëdo qytetari Shqiptar, kërkesat dhe deklamimet e qeverive dhe politikanëve tanë për shfuqizim të Ligjit të Luftës kan ardhur gjithnjë në njëjës. Gjithmon thuhet Ligji i Luftës. Qytetarit normal i është treguar dhe ka dëgjuar se egziston një Ligj Lufte dhe këtë ligj, shteti Grek e mban ne fuqi sepse nuk do tu’a kthej tokat Çamëve. Për qytetarin më të lëçitur, me Ligjin e Luftës nënkuptohet Ligji i Forcës Nr. 2636 i vitit 1940 “Rreth akteve ligjore të armiqve dhe sekuestrimit të pasurisë armike”.

E vërteta është se nuk është një ligj, nuk jan dy ligje, është një korpus i tërë normash dhe praktikash që e kalçifikojnë gjëndjen e luftës dhe e pa mundësojnë adresimin e Çështjes Çame, përmes shfuqizimit, në njëjës, të Ligjit të Luftës. Edhe pse Ligji i Forcës Nr. 2636 përben gurin themeltar, ustallarët Grek kan krijuar dhe vijojnë të krijojnë një ngrehinë legjislative perfide, e aftë të qëndroje pa u rrëzuar, edhe nëse hiqet guri i themelit, edhe nëse shfuqizohet Ligji i Forcës Nr. 2636 i vitit 1940.

Në korpusin e normave për Ligj të Luftës mund të përmendim, por pa u kufizuar: Ligjet Nr. 2636 dhe Nr. 2637 të vitit 1940; Ligjet Nr. 45 dhe Nr. 86 të vitit 1945; Ligji Nr.900 i vitit 1946; Dekret Ligjet Nr. 422 i vitit 1947 dhe Nr. 1138 i vitit 1949; Ligji Nr. 4506, i vitit 1965, etj, si edhe mjaft praktika dhe akte nënligjore mbështetur në to e për zbatim të tyre.

Kërkimi i mundshëm për heqjen vetëm të Ligjit Nr.2636 /40 dhe të pasojave juridike që burojnë vetëm nga ky ligj shkon në përfitim të palës Greke.

Nesë një ditë të bukur, Pala Greke, vendos ta shfuqizoj “ex nunc” Ligjin e Luftës (Forcës), Nr. 2636 të vitit 1940, pa e prekur korpusin e normve të lidhur me të, nesë vendos ta shfuqizoj Ligjin por pa i anuluar pasojat negative të korpusit të Ligjeve, at’here, ajo thjesht i bën dhurat vehtes. Ne marrim lugen bosh, ndërsa shteti Grek veç përfitimeve, që padyshim do të kërkoj e do marrë ne këmbim, do t’i heq vetes edhe një ngarkesë negative. Shteti Grek do t’ë çlirohet nga një barrë anti Evropiane, anti NATO, do trumpetojë paqe por do ti ruaj të paprekura përfitimet e “luftës”.

Vokalizimi i kërkesës për të shfuqizuar vetëm “Ligjin e Luftës” pa kërkuar shfuqizimin e sejcilës dhe të gjitha normave të lidhura me të është boomerang.

Nuk mund të paragjykojmë, pa lexuar, draftin final që urojmë të miratohet në Kuvend.

Është në nder të Kuvendit që përmes një “Rezolute” ku të kërkohet shfuqizim ‘ex tunc’ i Ligjit të Forcës Nr. 2636 të vitit 1940 dhe ‘tërë kuadrit normativ’ dalë në zbatim dhe plotësim të tij, të përcaktojë waterlinjën, të vejë nën detyrim institucionet shqiptare, si edhe ti përcjellë impulsin e duhur palës përballë. “Deklarimi” për heqjen “ex nunc” të ‘Ligjit “të Luftes” Nr. 2636 të vitit 1940, është koncesion, i radhës.

*ish/Zëvendës Ministri Jashtëm.

Filed Under: Analiza

Më 17 korrik u pushkatuan dy poetët, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

July 17, 2024 by s p

Besim Ndregjoni/

Sot mbushen 47 vite që u pushkatuan Poetet Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Dy yje lirie. Vilson Blloshmi dhe Genc Leka lindën në muaj Mars dhe diktatura jua mor jeten ne muajn Korrik. Ata bënin pjesë në radhët e familjeve kundërshtare të regjimit komunist. Për këtë arsye u përfshinë në një proces agjenturialo-operativ të Sigurimit dhe më pas hetimor-gjyqësor të hetuesisë e gjykatës. U pushkatuan se deshën poezin, deshën paqen, deshën lirine! Vilsoni 29 vjeç, Genci 36 vjeç. Perse i pushkatuat or barbare aziatik me emer shqiptar!?

Saharaja s’di të ëndërrojë.

Ajo bluan gurë me mend’ e saj…

Saharaja s’ka këngë të këndojë,

Saharaja s’ka as lot të qajë.

Saharaja nuk ka miq e shokë,

Saharaja nuk ka bijë, as bir.

Saharaja është një copë tokë,

Thonë se dhe me natën s’shkon mirë

Shkëputur nga poezia e Vilson Blloshmit, me titull “Saharaja”, e konsideruar si vepër penale e “agjitacion e propagandës për dobësimin dhe minimin e pushtetit popullor”. Ata qe i ban ekspertizen e poezise sot krenohen ne emisionet televizive si shkrimtare, si politikane, i gradon Keshilli Bashkiak i hajduteve te Tiranes ne drejtime te komisioneve, ca moderatore te paskrupullta qe drejtojne emisione televizive i nxjerrin fytyrat e xhelateve te djeshem perpara shoqerise sikur keta jane engjuj, realisht ata jane xhelate qe ju moren jeten Poeteve te lirise. Po turpi këtu tek ne nuk njeh kufi!

Ka 34 vite që Vilsoni dhe Genci na lëshojnë piskamën “Kur do ti denoni krimet e xhelatëve komunistë” por kjo piskame njerëzore përballet me heshtjen e Presidentit, të Parlamentit, të Qeverise, të Opozitës!

Na fal Vilson, Genc vendin tuaj e tonin, Shqipërinë e ka perfshire Saharaja! Ne te mbijetuarit e diktatures ju bejme Homazhet me lule çdo korrik pranë dy kokave të mëdha prej bronzi që ndodhen krah për krah në një pellg me ujë të kristaltë në një platformë betoni në qytetin qendror shqiptar të Librazhdit.

Lulet përkujtojnë Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin, të cilët u ekzekutuan nga regjimi i diktatorit komunist Enver Hoxha më shumë se katër dekada më parë për shkak të poezive që ata shkruanin, megjithëse ato nuk ishin botuar kur ata u nxorën në gjyq. Ne synojmë që vepra e tyre të jetojë përgjithmonë, për hir të fjalës së lirë dhe shpirtit të tyre poetik”

Ju dhe pse u pushkatuat Rroni në zemren e popullit, ata që ju ekzekutuan dhe pse janë gjallë fizikisht janë të vdekur!

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT