• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2024

STRATEGJIA E PERËNDIMIT PËR TË LËNË PUNËT PËRGJYSMË

July 13, 2024 by s p

Prof. Milazim KRASNIQI/

Tragjedia e tashme e Ukrainës është shembull se si mund të çoroditen fatet e një shteti, punët e të cilit janë lënë përgjysmë nga ana e aleatëve të tij. Integrimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi i saj në NATO, janë lënë në gjysmë të rrugës, gjë që i ka lënë dorë të lirë Rusisë që sot të bëjë gjenocid dhe urbicid në atë vend. Vërtet, Ukraina është lënë në baltë nga aleatët e saj perëndimorë, shkaku i kalkulimeve hileqare të disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, ku koncensusi në vendimmarrje shumë herë përdoret si kartë hileqare nën mëngë, për të realizuar politika egoiste dhe okulte. Në rastin e Ukrainës shtete si Franca dhe veçmas Gjermania, për shkak të interesave të veta egoiste e okulte me Rusinë, e kanë bllokuar rrugën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe BE. Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, e kanë lënë në baltë edhe më shumë. Ato i kanë dhënë Ukrainës garancione pa mbulesë për sovranitetin e saj, në këmbim të dorëzimit të arsenalit bërthamor, por pa ia hapur rrugën e anëtarësimit në NATO. Marrëveshja e Budapestit e vitit 1994, ndërmjet Rusisë e Ukrainës, e garantuar nga SHBA dhe Britania e Madhe, do të duhej ta kishte një klauzolë që dorëzimi i arsenalit bërthamor të kishte si kompensim anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Por, nuk e ka pasur. Ukrainës i janë dhënë premtime, pa garancione. Rjedhimisht ajo marrëveshje është tradhti ndaj Ukrainës, sepse ia kanë hequr nga dora arsenalin bërthamor, të cilin po ta kishte sot, Rusia nuk do të guxonte kurrë ta sulmonte. E mbetur në gjysmë të rrugës së anëtarësimit në BE dhe NATO, sot Ukraina është viktimë e agresionit barbar rus dhe e kërcënuar me rikthim nën tutelen ruse, ose me copëtim të vendit. Meqë agresioni rus është duke vazhduar e duke u intensifikuar, sot nuk mund të dihet si do të përfundojë kjo tragjedi e Ukrainës, por qysh sot mund të dihet se aspirata e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO, po paguhet me çmim tepër të lartë, ndërsa BE dhe NATO ende janë duke harmonizuar politikat e veta, se si të ndihmojnë Ukrainën, por veëtm nga distanca.

Loja e moçme e Perëndimit me premtime pa mbulesë

Strategji të tilla të dhënies së premtimeve pa mbulesë, të nxitjes së rebelimeve dhe të lënies pastaj në “fatin e vet”, Perëndimi ka testuar edhe në të ashtuquajturën “Pranvera Arabe”, e cila u shndërrua në një tragjedi arabe. Rebelimi kundër sundimeve gjakatare e totalitare në Tunizi, në Egjipt, në Libi e në Siri, u inkurajua nga bota perëndimore, me synimin që ato shtete të shndërroheshin në shtete demokratike. Por, kur zhvillimet morën drejtim të përgjakshëm, popujt e atyre shteteve u lanë në fatin e vet dhe e paguan me gjakun e vet një tentativë të pasuksesshme për t’u liruar nga sundimet gjakatare. Përderi sa në Egjipt ndodhi restaurimi i diktaturës, Libia faktikisht u shpërbë, Tunizia mbijetoi por me kriza që nuk po reshtin, Siria u shndërrua në storien më të përgjakshme të së ashtuquajturës “Pranvera Arabe.” Siria u shndërrua në arenë të luftës politike e të luftërave sektare, të rivaliteteve të shteteve të rajonit, Iranit, Turqisë e Arabisë Saudite dhe të matjes së muskujve të Fuqive të Mëdha, SHBA e Rusisë, në rend të parë. Siria u shkatërrua pothuajse tërësisht dhe në fund mbeti si trofe lufte i Rusisë, me Asadin si sundimtar kukull. Triumfi në Siri e inkurajoi Rusinë që të mësynte Ukrainën, e bindur se Perëndimi ishte i përçarë dhe i dobët. Në të vërtetë Perëndimi ashtu u paraqit në Siri, ku edhe hoqi dorë nga përkrahja e ideve fillestare të së ashtuqujaturës Pranvera Arabe dhe la të shkërryhen barbarisht në tokën e Sirisë, jo vetëm organizata paramilitare terroriste e shtete të rajonit dhe Rusia gjakatare.

Një nga rastet ku Perëndimi i la punët përgjysmë dhe u largua në panik, duke lënë që gjërat të rikthehehsin në pikën zero, në duart e talebanëve, ishte edhe Afganistani. Ndonëse Afganistani ishte një projekt i gabueshëm dhe tragjik që nga fillimi i pushtimit të tij nga SHBA dhe aleatët e saj, edhe aty punët u lanë përgjysmë, pasi ishte nxitur njëfarë vesternizimi i shoqërisë afgane. Vetë fakti që kishin instaluar një qeveri kukull, që mori ikën dhe e la vendin në kaos, është dëshmi se ishin adoptuar politika të instalimit të qeverive kukulla, e jo të trasnformimit të mirëfilltë të mbarë shoqërisë afgane. Bartja me avionë e ish bashkëpunëtorëve të armatës amerikane dhe të administratës properëndimore dhe degëdisja e atyre në vende të ndryshme kliente të SHBA-së, ishte një tabllo e dështimit të projektit amerikan e perëndimor, në stilin e njohur të lënies së punëve përgjysmë, që u jep mundësi armiqve për hakmarrje edhe më të egër. Sot talebanët janë më të fortë në pushtet se sa në vitin 2001!

Punët e lëna përgjysmë në Ballkan kërcënojnë ta rikthejnë luftën

Nga zhvillimet në Ukrainë, në botën arabe e në Afganistan, në sfondin e strategjisë perëndimore që punët të lihen përgjysmë, mund të kuptohet shumë më lehtë edhe gjendja në Ballkan. Veçmas mund të kuptohen krizat e mbetura të hapura në Kosovë e në Bosnë e Hercegovinë, ku punët janë lënë përgjysmë që nga fillimi. Në rastin e BeH, Marrëveshja e Dejtonit ka sjellë një paqe të brishtë, por nuk ka sjellë zgjidhje të qëndrueshme për shtetin. Republika Serpska ka mbetur si shtet në shtet, me të njëjtën ideologji armiqësore ndaj shtetit boshnjak dhe me të njëjtat lidhje me Serbinë e me Rusinë. Kapacitetet destabilizuese të Repubika Serpskas janë të tilla që në çdo moment mund të bllokojnë funksionimin e institucioneve qendrore të Bosnes, po edhe të fillojnë konflikte të armatosura. Pas gjithë asaj lufte të përgjashme dhe pas gjenocidit serb në Srebrenicë, punët sërish kanë mbetur përgjysmë, ku serbët janë shpërblyer në vend se të ndëshkoheshin për agresionin e faktuar të Serbisë kundër BeH dhe për gjenocidin në Srebrenicë.

Punë e lënë përgjysmë është edhe puna në Kosovë. Marrëveshja në Rambuje nuk u arrit (fatmirësisht.) Marrëveshja e Kumanovës ka larguar forcat serbe nga Kosova, por pa pasur ndonjë qëndrim për statusin e Kosovës. Nga ana tjetër rezoluta 1244 ka tentuar të ofrojë një kompromis lidhur me statusin e Kosovës, duke e koncptuar Kosovën brenda RFJ-së po edhe duke e lënë mundësinë e deklarimit të popullsisë, pas një periudhe tranzitore. Pra, në të gjitha drejtimet puna ka mbetur përgjysmë, gjë të cilën e ka vazhduar edhe Procesi i Vjenës, shumë më keq ai i Brukselit. Pra, në vend se të organzizohej një referendum, ku pas një periudhe trevjeçare të administrimit ndërkombëtar, popullsia të votonte për statusin e Kosovës, ashtu si e lejonte rezoluta 1244, u fillua Procesi i Vjenës, i cili e proklamoi një pavarësi të kushtëzuar. Për shkak të statusit të kushtëzuar, Kosova nuk arriti të konsolidohej si shtet dhe u bë arenë e lojërave të ndyta, që nga ndikimi i Serbisë, raporti i Dik Martit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës deri te Gjykata Speciale, që janë thikë mbas shpine Kosovës, jo vetëm nga armiqtë e saj, po edhe me dorën e aleatëve të saj. Puna e lënë përgjysmë, ua hapi portat e eskperimentimeve të derisotme, të cilave nuk po u shihet fundi. Ndikimi politik i Serbisë në Kosovë sot është më i madh se sa në vitet nëntëdhjetë, kur Kosova ishte e okupuar, por tërësisht refuzuese ndaj çdo tentative serbe.

Edhe Perëndimi ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës

Në fakt, edhe aq sa ka kryer punë për pavarësinë e Kosovës, Perëndimi e ka bërë qartaqejfas, sepse nuk kanë qenë fare në favor të pavarësimit të Kosovës. Këtë gjë e konfirmon edhe njeriu më dashamirës i Kosovës në faqe të dheut nga bota perëndimore, Madlen Ollbrajt, kur pohon se: “I kisha kërkuar njërit prej këshilltarëve të mi më të afërt, James O’ Brien-it arkitekt i Marrëveshjes së Dejtonit, të lidhej me ambasadorin Cheistofer Hill dhe të dy të kryesonin bisedimet. Së bashku kishin propozuar një zgjidhje interesante, në bazë të së cilës Kosova do të mbetej brenda Jugosllavisë e do të krijonte një polici të re me forca civile, si edhe institucione të tjera vetëqeverisëse. Pa ia mbyllur dyert pavarësisë, që mund të vinte më vonë, propozimi kërkonte një periudhë të ndërmjetme prej të paktën tre vjet, përpara se të mirrej në shqyrtim kjo çështje delikate.”

Ndërsa për bisedën e zonjës Ollbrajt me presidentin e Serbisë, Millan Millutinoviqin në Rambuje, Ollbrajt sjellë këtë detaj me rëndësi: “I thashë se zgjidhja politike që kishim paraqitur ishte e mirë për vendin e tij. Ajo do të çarmatoste UÇK-në, do ta mbante Kosovë brenda Jugosllavisë dhe do t’i jepte mundësinë ushtrisë së saj të vazhdonte të patrullonte kufirin.” Pra, njeriu më dashamirës i Kosovës, njëherësh diplomati më kompetent në atë kohë, e kishte në mendje e në tavolinë këtë projekt autonomist, e jo pavarësinë e Kosovës.

Këtë gjë e saktësin edhe strategu i mëvonshëm i Marrëveshjes së Ohrit, Xhejms Pardju, i cili konstaton: “Millosheviqi mund t’i ishte shmangur pavarësisë për Kosovën, por e bëri nje gabim strategjik, me peshë kritike, në periudhën ndërmjet tetorit të 1998-s dhe marsit të 1999-s. Po të kishte bashkëpunuar me bashkësinë ndërkombëtare, ta kishte kthyer në normale shkallën e forcave të sigurisë, ta kishte negocuar autonominë për Kosovën dhe t’i lejonte paqeruajtësit ndërkombëtarë ta monitoronin marrëveshjen, ai me siguri se do ta kishte zvarritur pavarësinë e Kosovës dhe mund t’i ishte shmangur pavarësisë si rezultat i pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare. Në vend të kësaj, Millosheviqi zgjodhi konfrontimin, duke e garantuar në të vërtetë më herët pavarësinë.“ Pra, nga rruga që ka ndjekur shtefotmimi i Kosovës është e qartë se Kosova është bërë shtet prej zorit e jo nga logjika e hekurt e interesave gjeopolitike të Perendimit, gjë që ne kemi dëshirë ta sforcojmë, si gjoja fakt. Për arsye se është formuar si shtet, si pasojë e refuzimit arrogant të Millosheviqit ndaj Marrëveshjes së Rambujesë, e jo si projekt i Perëndimit, Kosova është lënë qëllimisht për këto dy decenie si projekt gjysmak.

Mësimet që duhet të nxjerrë Kosova

Si pasojë e këtij realiteti, Kosova është e pavarur, por pavarësinë e saj nuk e pranojnë pesë shtete të BE. Kosova është e pavarur, por katër shteteve të NATO-s nuk e pranojnë pavarësinë esaj, ndonëse NATO e tyre ushtron mandat legal sigurie në Kosovë. Bile, jo vetëm Kosova e Bosnja, po edhe Maqedonia e Veriut dhe Mali I Zi janë për një kohë të gjatë si projekte përgjysmë. Për atë arsye, në Mal e Zi pati tentim të grushshtetit nga shërbimet ruse e serbe, ndërsa në Maqedoninë e Veriut poashtu pati një rebelim me elemente të grushtshtetit në Sobranje. Pranimi i këtyre dy shteteve në NATO, i ka larguar nga zona e rrezikut direkt të intrvenimti rus e serb, ndonëse Mali i Zi ka pësuar sërish një goditje me fitoren e forcave proserbe. (Në rastin e Malit të Zi duket sikur fitorja e forcave proserbe e ka pasur edhe miratimin e Perëndimit, për ta detronizuar sundimin e Gjukanoviqit, sikundër që trazira në Sobranie, duket sikur e dhënë pretekstin për të rrëzuar pionin rus, Gruevskin.)

Çka mund të mësojmë ne si Kosovë nga këto përvoja të punëve të lëna përgjysmë nga Perëndimi, për kohën e tashme dhe të ardhshme? E para, duhet ta kemi para sysh rrezikun që Kosova mund të përfshihet në skenarët e konflikteve, në pajtim me përvojat e deritashme të krizave të lëna pa u zgjidhur plotësisht. Fjala vjen, ideja për shkëmbimin e territoreve ka qenë në funksion të rindezjes së konflikteve. Po edhe aktivitetet e tashme diversioniste në veri të Kosovës janë në funksion të rindezjes së konfliktit. Prandaj, duhet të bëhet politikë e matur dhe të mos hyhet në skenarë me të panjohura. E dyta, shtetet anëtare të BE dhe të NATO-s që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, janë nxitëse të konflikteve, sepse e ushqejnë ambicien e Serbisë për ripushtimin e Kosovës. Ato e dinë se ish federata e Jugosllavisë më nuk ekziston, e dinë se e ka shpall të shpërbërë komisioni i Badenterit, e dinë se Kosova nuk mund të kthehet nën Serbi pa luftë, po prapë e mohojnë pavarësinë e Kosovës. Ndaj, ekspertiza e shteteve të BE-së nuk duhet të pranohet, madje as në Procesin e Brukselit, sepse mund të ketë brenda vetes edhe elemente komplotiste të shteteve armiqësore. E treta, duhet të jetë e qartë se edhe Perëndimi zhvillon në shumë raste politika jo të moralshme, ku tregu i armëve mund të dominojë mbi politikën, të drejtën dhe mbi moralin. Prandaj aleanca me Perëndimin duhet të jetë strategjike, por e peshuar në çdo detaj. Verbërisht nuk duhet t’i besohet askujt. Kush ka dilema në këtë qasje, vetëm le ta shikojë Sirinë dhe Ukrainën!

Filed Under: Analiza

Më 13 korrik 1867 lindi Murat Toptani

July 13, 2024 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Më 13 korrik 1867 lindi Murat Toptani. Ai ka qenë patriot, atdhetar, ushtarak, poet, publicist, piktor, skulptor, si dhe mësues që punoi fort për futjen e gjuhës shqipe nëpër shkollat turke. Mbahet mend edhe si poliglot, ngaqë zotëronte disa gjuhë të huaja: turqisht, frëngjisht, arabisht, persisht, gjermanisht dhe italisht. Mësimet i filloi në shkollën “Madam Fyrer”, ndërsa studimet e larta i vazhdoi në “Gallata Saraj” të Stambollit. Gjatë vijimit të mësimeve në “Madam Fyres” pati rastin të njihej me Asijen, vajzën e poetit kombëtar, Naim Frashërit. Kjo njohje motivoi lindjen e një dashurie të sinqertë mes Muratit dhe Asijes, ndërsa më vonë, me pëlqimin e vëllezërve Frashëri, dy të rinjtë u martuan. Lidhjet mes familjes Toptani dhe Frashëri u forcuan edhe më shumë kur Vesimeja, motra e Murat Toptanit, u martua me më të voglin e vëllezërve Frashëri, me Mehmet Frashërin.

Më 1912, Murat Toptani ishte përfaqësues i Tiranës në Kuvendin e Vlorës, ku nënshkroi aktin e Pavarësisë. Po ashtu ai njihet edhe si njëri nga pionierët e skulpturës shqiptare, sidomos me realizmin e bustit të Skënderbeut. Ai vdiq në Tiranë në vitin 1918.

Foto: wikipedia.org

Filed Under: Mergata

Uran Kostreci dinte t’i këndonte Lirisë duke rrëfyer…

July 13, 2024 by s p

Agim Baçi/

Politologu dhe filozofi francez, Chanta Millon –Delsol, përmes një pyetjeje në librin e tij “Idetë politike në shekullin e XX-të” shtronte një nga çështjet që ne si shoqëri nuk kemi guxuar t’i japim një përgjigje të drejtpërdrejtë: “Cila ishte ajo forcë që bëri bashkë inteligjencën e vendeve ish- komuniste, madje edhe elitën në mjaft shtete perëndimore, për të mbështetur apo simpatizuar regjimet totalitare, kriminale, që shfarosën miliona të pafajshëm?”

Në fakt, jo vetëm politologu Millon-Delsol, por edhe sociologu Zygmunt Bauman, poeti dhe filozofi Çesllav Milosh, apo kriminologu i madh norvegjez, Nils Christie, kanë ngritur si alarm për shoqëritë postkomuniste pikërisht rutinizmin e së keqes, burokratizimin e krimit dhe sidomos neutralizimin e qëndrimeve etike të shoqërisë ndaj së keqes. Eshtë pikërisht kjo e fundit që rrezikon çdo shoqëri, sidomos shoqëritë që nuk kanë guxuar të lexojnë të shkuarën kriminale si një e keqe që fle mes nesh edhe kur ke arritur ta lexosh mirë atë.

Pas bishtinimit për pyetjet thelbësore ndaj së keqes dhe mbështetjes nga një pjesë jo e vogël e shoqërisë, fatkeqësisht ne mund të rrezikojmë ta rishkruajmë historinë pa shumë nga dëshmitarët e së shkuarës, gjë që mund të humanizojnë dhe relativizojë të keqen, duke e lexuar si normale atë që ka ndodhur me gjyshërit dhe prindërit tanë. Kjo tendencë lidhur me relativizimin e së keqes nga ata që mbrojnë filozofinë e së shkuarës, nuk ka qëllim vetëm që të rishkruajë vetëm të shkuarën, por edhe të kërkojë të kontrollojë të ardhmen sipas të njëjtës ideologji. Dhe kjo është pasoja kur ne rrezikojmë të kalojmë të shkuarën me “krimet e askujt”, duke mbetur e vetmja shoqëri postkomuniste që nuk kemi të penduar, e, për pasojë, nuk mund të kemi as ata që mund të falnin.

Por, a do vijojmë ta shohim të shkuarën tonë nën diktaturë vetëm si fragment, si një lajthitje çasti që mbetet vetëm në një pjesë të historisë sonë, apo si diçka që ka vijuar të na ndikojë në përditshmërinë tonë edhe sot?

Sociologët që janë marrë me studimet e krimeve, duke iu referuar nazizmit, fashizmit, e sidomos regjimeve totalitare që shfarosën miliona qytetarë, kryesisht të pafajshëm, shprehen se, nëse nuk e shohim atë të shkuar kriminale si një tentative e përhershme të së keqes, si në tentativë për të përmbysur vlerat shoqërore, atëherë do të jemi nën rrezikun e asaj të keqeje vazhdimisht. E për aq kohë sa nuk e mendojmë si realitet i së shkuarës sonë, nuk do të mundet dot ta zbojmë nga jetët tona, por thjesht do të shtojmë nihilizmin tonë ndaj asaj të shkuare, e cila tashmë është rikthyer thuajse fitimtare.

***

Në këto 34 vite ne vite kemi patur njerëz që i kanë thënë të vërtetat me zë të lartë. Uran Kostreci, që u nda nga kjo jetë 3 vite më parë (12 Korrik 2021), ishte një nga ata guxoi, jetoi dhe i tha të vërtetat. Ai, si shumë bashkëvuajtës të tjerë, jetoi pa pasur nevojë ta shihnim si hero. I kishte thënë brenda burgjeve të vërtetat, i tha dhe në Liri, duke kërkuar që ne mos të harronim të rrëfenim të vërtetat e së shkuarës me zë të lartë. Si Kostreci janë edhe dhjetra të tjerë, të cilve ISKK u ka marrë dhe botuar dëshmitë, duke i analizuar e rrëfyer në shkolla e media, si pjesë e një amaneti.

Rëfimet e Kostrecit, At Zef Pllumit, Lekë Previzit, Lekë Tasit, Ejll Çobës, Tanush Kasos, Bedri Blloshmit, Sami Repishtit, Visar Zhitit, Fatos Lubonjës e shumë të tjerë që kanë dëshmuar për mizoritë që kanë pësuar nga xhelatë si Edmond Caja, Kristo Vangjeli, Rrapo Dhimo, Maringlen Rrapi, Thoma Jano, Mark Pëllumbi, Shyqyri Çoku, e shumë të tjerëve, të cilët më shumë se ligji tregonin zellin e tyre torturues, janë dëshmi që tregojnë më shumë se sa dhejtra libra historie.

Dëshmitë e tyre duhet të jenë udhëzuesi ynë moral që zëri i tyre, e vërteta e tyre të mos mbulohet e mos të vijojmë të jetojmë me gënjeshtrën trinzare të “krimeve të askujt”. Të paktën, Uran Kostreci dinte t’i këndonte Lirisë duke rrëfyer.

Filed Under: Analiza

Kujtojmë intelektualin e njohur, “Nderin e Kombit”, 𝗚𝗷𝗲𝗿𝗴𝗷 𝗩𝗹𝗮𝘀𝗵𝗶

July 13, 2024 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Sot, në 96 vjetorin e lindjes, kujtojmë me respekt regjisorin dhe shkrimtarin e njohur, “Nderin e Kombit”, 𝗚𝗷𝗲𝗿𝗴𝗷 𝗩𝗹𝗮𝘀𝗵𝗶. Trashëgimia më e madhe që mund të lërë pas një intelektual dhe krijues është EMRI. Emri që lë mbi veprat, emri që lë përtej kohës si frymëzim për brezat e ardhshëm. Klubi I Librit “Gjergj Vlashi” në Durrës, që mban emrin e tij, edhe pas ndarjes së tij nga jeta, është provë e gjallë e kësaj trashëgimie, duke bashkuar intelektualët, krijuesit, edukatorët, e këdo tjetër, nga të gjitha fushat e jetës, që është i pasionuar pas librit.

In libras, veritas (Te librat gjendet e vërteta). Por përmes librave ne gjejmë edhe shumëkënd tjetër me të njëjtën mendësi e pasion për të bukurën, krijimtarinë dhe emancipimin e shoqërisë. Klubi i librit “Gjergj Vlashi” në Durrës, u krijua më 28 janar të vitit 2023.

Ishte një tjetër nismë e ndërmarrë në kuadër të nxitjes së interesimit ndaj të lexuarit. Do të donim të ndaleshim sot në një nga detajet më të rëndësishme: emërtimin e tij. Pas diskutimeve të pjesëmarrësve për nevojën e një klubi leximi në Durrës, u kalua te emri që ai do të mbajë. U diskutuan disa, por ai që la mbresë te të gjithë, ishte emri i Gjergj Vlashit. Me një duartrokitje të pjesëmarrësve, u vendos njëzëri që ky klub të mbante emrin e tij.

Gjergj Vlashi, shkrimtar, dramaturg dhe përkthyes i autorëve të rëndësishëm të letërsisë botërore në gjuhën shqipe, konsiderohet si regjisori modernizues i estradës dhe një nga themeluesit e varietesë muzikore. Ai ishte personazh-kyç i tri periudhave të zhvillimit të artit të dramës dhe i teatrit shqiptar: para lufte, mbas saj, si dhe gjatë tranzicionit të pas viteve 1990.

Gjergj Vlashi lindi në qytetin antik të Durrësit me 13 korrik 1928.

Gjergj Vlashi mban tituj dhe dekorata të larta si “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh”. Në vitin 2007 është nderuar me urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në vlerësim të figurës së tij si shkrimtar, dramaturg dhe si themelues i estradës shqiptare, në nderim të veprave dhe kryeveprave të vëna në skenë në mjaft qytete të Shqipërisë, duke u bërë një personalitet i pazëvendësueshëm i artit dhe letërsisë së vendit tonë”.

Gjergj Vlashi ka qenë për shumë vite, anëtar nderi i Këshillit Të Bibliotekës së qytetit. Pjesëmarrës aktiv në veprimtaritë letraro-artistike të organizuara nga ky institucion.

Me dhënien e emrit të tij Klubit të librit, ai do të vazhdojë të kujtohet ndër vite dhe të përfaqësohet nga lexues të mirë, pse jo edhe studiues dhe intelektualë të spikatur durrsakë.

Do të vazhdojë të përcillet ndër vite::urtia, fjala dashamirëse, eleganca e fjalës dhe ai arsenal i vyer veprash që na ka lënë pas si në përkthime dhe në krijimtari origjinale.

Me nismën e Klubit të librit dhe mbështetjen e shtëpisë botuese “Jozef” dhe drejtuesit të saj Aurel Kaculini, u realizua ribotimi i librit “Njeriu i netëve të vjeshtës” me një parathënie të poetit, shkrimtarit dhe studiuesit të letërsisë Arian Leka.

Kujtojmë sot në ditën e lindjes Gjergjin tonë, pasi ai veç ka ardhur mes nesh dhe do të vazhdojë të qëndrojë.

Filed Under: Kulture

A MUND TË BËJMË PA LIRINË?

July 13, 2024 by s p

Nga BEPPE SEVERGNINI – “Corriere della Sera”, 6 korrik 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika/

Është çmimi për t’u paguar sot në Francë; është rreziku në Gjermani; është kujdesi që duhet t’I kushtojmë Italisë. E po t’isha n’Amerikë do t’isha I shqetësuar.

Liria është tashmë një fjalë e mirë për çdo rast. Një koncept I përgjithshëm, një marifet për politikanët pa idera. Një guaskë e zbrazur.

Çfarë është liria? Të bërit e çdo gjëje që të vjen ndër mënd? Këtë mendojnë njerëzit e sipërfaqshëm, egoistët, skilet. Ushtroj gazetarinë prej dyzet vitesh. Sa herë më ka rënë rasti të bisedoj me këta njerëz? Skilet politike mëtojnë të quhen liberalë (liberalët e vërtetë detyrohen të heshtin; skilet ekonomike vetëquhen liberistë; skilet shoqërore paraqiten si libertarë (“Rripa sigurimi. kufij shpejtësie, ndalim pirje duhani, vaksina? Ne themi jo! Jemi për lirinë!”).

Liria është një gjë më serioze. Është mundësia e zgjedhjes duke respektuar të tjerët; është siguri të qënit i respektuar (nga ai që kemi pranë, nga autoriteti). Cili është problemi? Shoqëria demokratike që kemi ndërtuar është e papërsosur, e shuma e këtyre papërsosmërive, për ndonjërin, është kaqë ngacmuese sa të kërkohet alternativa: mospranimi i lirisë. Vetëm kështu shpjegohet zemërbutësia kundrejt diktatorëve, regjimeve, autokratëve ose synuesve të këtillë.

Kjo nuk është filozofi: është përmbledhja e belegut që kemi përpara. Është çmimi për t’u paguar sot në Francë; është rreziku në Gjermani; është kujdesi që duhet t’i kushtojmë Italisë. Ose përmirësojmë demokracitë tona, ose shumë janë të gatshëm të bëjnë pa ato. Për këtë përfundimi i votimeve në Mbretërinë e Bashkuar është qetësues: jo sepse kanë fituar laburistët, por sepse një forcë demokratike ka zëvendësuar një tjetër të tillë. Kështu funksionon.

Në Itali është folur pak – po thuajse fare – për vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, simbas të cilit Presidenti gëzon “një imunitet absolut” (23-939 Trump v United States-07/01/2024). A e dini se çfarë do të thotë? Që nuk është më i nënshtruar ndaj ligjit: mund të bëjë gjithshka që dëshiron, si një mbret i lashtë (ose si një autokrat i ri). Sonja Sottomayor, një gjykatëse që mendon ndryshe ka shkruajtur: “(Presidenti urdhëron Navy’s SEAL të vrasë një rival politik? I paprekshëm. Organizon një grusht Shteti ushtarak për të mbetur në pushtet? I paprekshëm. Merr para për të falur një të dënuar? I paprekshëm. I paprekshëm, i paprekshëm, i paprekshëm.

Po të isha amerikan , do të isha i shqetësuar. Fundi i lirisë fillon edhe kështu.

“Corriere della Sera”, 6 korrik 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT