• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2024

ZGJEDHJET PRESIDENCIALE NË IRAN DHE NDIKIMI I TYRE

July 10, 2024 by s p

Dr. Evarist Beqiri

Në Iran, të premten e shkuar u zhvillua ruandi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. Fitues u shpall kandidati reformist Masoud Pezeshkian me 30.5 milion vota. Pezeshkian fitoi 53.6% të votave duke mundur kandidatin  ultra-konservator Saeed Jalili, i cili mori 44.3% të votave. Pjesëmarrja në votime ishte 49.8% e zgjedhësve. Ndërkohë që raundi i parë i votimeve shënoi pjesëmarrjen më të ulët të zgjedhësve në votime qysh prej vendosjes në Iran të Republikës Islamike në vitin 1979…

Fillimisht duhet qartësuar se çfarë nënkupohet me termin “reformist” në Iran. Në një vend ku nuk lejohen partitë politike, sistemi teokratik përdor element të sistemit demokratik siç janë zgjedhjet. Dhe në zgjedhje lejohen që të marrin pjesë fraksionet ideologjike të elitës qeverisëse të Republikës Islamike. Pra, me termin “reformist” nuk kuptohet një politikan, i cili përkrah vlerat e sistemit të demokracisë liberale. Si reformistët ashtu edhe konservatorët iranian janë Islamist, por reformistët besojnë se moderimi i ideologjisë së regjimit mund të jetë më i dobishëm për klasën sunduese dhe shoqërinë iraniane.

Presidenti i ri është një kardiokirug 69 vjeçar me prejardhje nga pakica azero-kurde. Ai do të jetë edhe presidenti më i moshuar që zgjidhet në këtë post në Iran. Këshilli Gardianëve, të cilët shqyrtojnë paraprakisht kandidaturat presidenciale, e pranoi kandidaturën e tij në këto zgjedhje, pas refuzimit që ata i bënë kandidaturës së tij në zgjedhjet presidenciale të viti 2021. 

Pas protestave masive që shpërthyen në Iran në shtator 2022, menjëherë pas vdekjes së 22 vjeçares Mahsa Amini, në duart e policisë së moralitetit, fitorja e Pezeshkian duket si një shenjë që regjimi po dëgjon zërin e protestës masive popullore. Njëkohësisht, zgjedhja e tij shpërfaq edhe ndasitë që ekzistojnë brenda së plotëfuqishmes Gardë Revolucionare Islamike, ku një pjesë e saj e ka përkrahur kandidaturën e Pezashkian dhe jo atë të rivalit të tij konservator. 

Masoud Pezeshkian pas humbjes së bashkëshortes dhe djalit të tij të vogël, në një aksident automobilistik në vitin 1994, vendosi të mos rimartohej duke i rritur i vetëm  të tre fëmijët e tij. Dhe përgjatë fushatës elektorale presidenciale ai është shfaqur në publik përkrah vajzës së tij, Zahra. Pezashkian ka shërbyer si ministër i shëndetësisë në vitet 2001-2005, përgjatë mandatit të dytë të presidentit reformist Mohammad Khatami. Përgjatë fushatës elektorale presidenciale ai e ka shfaqur veten si një njeri i popullit, i cili do to jetë zëri atyre që nuk kanë zë…

Pezashkian është anëtar i parlamentit iraninan që prej vitit 2008. Ai u shfaq si një zë kritik ndaj dhunës së ushtruar nga organet shtetërore përgjatë protestave popullore të vitit 2009, 2018 dhe 2022. Zgjedhja e tij ka ngjallur disi shpresën në shoqërinë iraniane, të rraskapitur nga sanksionet e gjata ekonomike perëndimore. Asnjë ekonomi në historinë botërore nuk ka arritur që rritet, duke qëndruar e izoluar në një kafaz… 

Prandaj, Pezashkian synon që të ringjall Marrëveshjen Bërthamore Iraniane të arritur në vitin 2015, dhe të heq sanksionet ekonomike ndaj Iranit. Ai ka premtuar ndjekjen e një politike miqësore me të gjitha vendet e huaja, duke përjashtuar Izrealin. Kjo nënkupton se Irani do të vijojë të mbështes Aksin e Rezistencës. Dhe pikërisht një nga telefonatat e para të urimeve për zgjedhjen e tij ai e mori nga Presidenti rus Vladimir Putin, i cili syonon garantimin e ndihmës iraniane për Luftën në Ukrainë. Nëse Irani do të vijojë forcimin e aleancës me Rusinë dhe mbështetjen e proksive të tij në Liban, Palestinë dhe Jemen, pak gjasa ka që dialogu me vendet perëndimore të ketë sukses.

Gjithsesi, zgjedhja e Pezashkian është pritur mirë veçanërisht nga të rinjtë, femrat, si edhe nga minoritet etnike në Iran, të cilët kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre. Se sa do të jetë në gjendje presidenti Pezashkian që të sjell ndryshime sociale në Iran, kjo ngelet për t’u parë. Duke pasur parasysh që fjalën e fundit në politikën e jashtme dhe atë të brendshme në Iran e ka lideri suprem Ali Khamenei, hapësirat e manovrimit të tij janë të kufizuara. 

Megjithatë, si një njohës i mirë i sistemit politik iranian, Pezashkian do të përpiqet që të ringjall ekonominë dhe të krijojë një mjedis më pak shtypës. Dhe patjetër që zgjedhja e një fytyre më të moderuar mund t’a lehtësojë dialogun me vendet perëndimore, por kjo do të varet sidomos edhe nga fakti se kush do të jetë fituesi i zgjedhjeve presidenciale në SHBA…

Filed Under: Komente

Angazhimi intelektual modern i Ismail Kadaresë për Çamërinë

July 10, 2024 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Në vitin 2016 pata kënaqësinë që Prof Xhufi të më ftonte për të qenë bashkëautor në shkrimin e librit “Çamëria vështrim historik dhe identitar”, një punim i drejtuar nga Prof. Pëllumb Xhufi, e shkruar sëbashku me Prof. Pëllumb Xhufin, Profesor Bashkim Kuçukun dhe Profesor Hajredin Isufin. Në këtë ndërmarrje fisnike na bashkoi dëshira për të shkruar një rrugëtim historik, identitar e kulturor të Çamërisë ndër shekuj si pjesë e pandarë e historisë, identitetit dhe kulturës shqiptare. Për kënaqësinë tonë të veçantë kësaj ndërmarrje profesionale dhe kulturore iu bashkangjit dhe shkrimtari ynë Ismail Kadare që shkruajti Hyrjen e tij. Në kundërshtim nga çu dëgjua dhe u shkrua në këto ditë ,duke mos respektuar as kodin njerëzor të mirrësjesjelljes kur shuhet një njeri, për rolin jo aktiv të shkrimtarit dhe intelektualit Kadare për çështjen kombëtare, kjo Hyrje tregon qartë angazhimin e plotë të tij në një diskurs modern që i bën nder kulturës dhe identitetit tonë. Çamëria shkruan Kadare-bën pjesë në një nga hartat më të dhimbshme të Europës, atë që ka njohur shpërnguljen. Është një hartë për të cilën flitet me kujdes, për të mos nxitur acarime të reja, në këtë botë të shqetësuar. Ndërkaq, heshtjet, gjithashtu mund të acarojnë, ndoshta më keq. Kontinenti ynë europian është plot me shembuj të tillë dhimbjesh. . Në rastet e shumta kur flitet për këtë dramë, është theksuar, se Çamëria nuk është kurrsesi një fantazmë që ngrihet për të errësuar marrëdhëniet e fqinjësisë midis grekëve dhe shqiptarëve. Përkundrazi, kur popujt e lehtësojnë ndërgjegjen e tyre nga peshat e vjetra, ata afrohen më fort, dhe, rrjedhimisht, duke u kuptuar më mirë, e duan edhe më shumë njëri-tjetrin. Ky libër i ri për historinë e Çamërisë është në vazhdën e një tradite të tillë pozitive, larg mllefeve dhe smirave kombëtariste. Në të flitet gjerësisht për të vërtetat historike, mbështetur në dokumente të autoreve shqiptare dhe të huaj, pa paragjykimet e njohura, ato që me aq lehtësi e kthejnë çdo mirëkuptim në moskuptim dhe çdo afrim në të kundërtën e vet. Pasqyrimi gjerësisht i traditave kulturore të Çamërisë, duke nisur nga kultura urbane, nga muzika, këngët polifonike, vallet dhe veshjet e një bukurie të rrallë, është një riafirmim i thelbit pozitiv të këtij libri.

Libri u përkthye dhe u botua dhe anglisht dhe frëngjisht dhe duhet thënë se falë edhe Hyrjes së shkruar nga Kadare, shkrimtarit që është përkthyer në 45 gjuhë, ai egziston si referencë në çdo punim bibliografik duke ndërkombëtarizuar edhe çështjen çame kulturialisht. Europa, Shqipëria humbi më 1 korrik një figurë e personalitet që shenjoi kulturën dhe identitetin tonë për gjysëm shekulli. Shqipëria do të ketë gjithnjë e më tepër nevojë për mesazhet e veprës së Kadaresë që plazmojnë identitetin europian të shqiptarëve.

Ismail Kadare:

Çamëria, harta e dhimbshme e Europës*

Njerëzit janë mësuar prej shekujsh me hartat dhe leximin e tyre, sado të larmishme të jenë ato. Harta shtetesh dhe popujsh, harta historike, klimatike, detare apo tokësore, ngulitën qysh në bankat e shkollës në kujtesën e nxënësve, me emrat dhe ngjyrat e tyre dalluese. Më pas, me shtimin e dijenive, njerëzit mësojnë se ka harta të vjetra dhe të reja, në të cilat disa nga emërtimet mungojnë ose janë zëvendësuar me të tjera. Kjo është e njohur dhe e shpjegueshme, si pasoje e zhvillimeve të historisë, kryesisht, të luftërave dhe shpërnguljeve. Kur viset e populluara zbrazen nga gjindja e vet njerëzore, letërsia dhe arti janë të fundit që i braktisin. Mund të thyhen ushtritë, të tërhiqen rojet e fisit, të heshtë diplomacia, arti nuk bindet. Ai kthehet e rikthehet atje, të logu i vjetër.

Atje ku ndodhi shkulja, këputja mizore, krimi. Atje ku të tjerët i ndal shenja e kufirit të ri, traktatet ose rendi i ri i botës. Këto radhë janë pjesë nga parathënia, shkruar për një antologji letrare-artistike për Çamërinë, përzgjedhur nga miku im i ndjerë, Ali Podrimja, më 2004. Çamëria bën pjesë në një nga hartat më të dhimbshme të Europës, atë që ka njohur shpërnguljen. Është një hartë për të cilën flitet me kujdes, për të mos nxitur acarime të reja, në këtë botë të shqetësuar. Ndërkaq, heshtjet, gjithashtu mund të acarojnë, ndoshta më keq. Kontinenti ynë europian është plot me shembuj të tillë dhimbjesh. Në antologjinë me motive letrare artistike për Çamërinë, është theksuar në mënyrë të ndjeshme se kjo përmbledhje nuk është as thjesht politike, as nismëtare e ndonjë fushate.

Është, në radhë të parë, një libër njerëzor. Libër me vjersha, poema dhe art, shkruar nga njerëzit për njerëzit. Është një dhimbje, që nuk ikën ngaqë dikush e shpall të paligjshme. As duke bërë sikur nuk e di. E, aq më pak, kur sillesh pa nderim ndaj saj. Në rastet e shumta kur flitet për këtë dramë, është theksuar, se Çamëria nuk është kurrsesi një fantazmë që ngrihet për të errësuar marrëdhëniet e fqinjësisë midis grekëve dhe shqiptarëve. Përkundrazi, kur popujt e lehtësojnë ndërgjegjen e tyre nga peshat e vjetra, ata afrohen më fort, dhe, rrjedhimisht, duke u kuptuar më mirë, e duan edhe më shumë njëri-tjetrin. Ky libër i ri për historinë e Çamërisë është në vazhdën e një tradite të tillë pozitive, larg mllefeve dhe smirave kombëtariste. Në të flitet gjerësisht për të vërtetat historike, mbështetur në dokumente të autoreve shqiptare dhe të huaj, pa paragjykimet e njohura, ato që me aq lehtësi e kthejnë çdo mirëkuptim në moskuptim dhe çdo afrim në të kundërtën e vet. Pasqyrimi gjerësisht i traditave kulturore të Çamërisë, duke nisur nga kultura urbane, nga muzika, këngët polifonike, vallet dhe veshjet e një bukurie të rrallë, është një riafirmim i thelbit pozitiv të këtij libri.

Një popull që gjen kohën e nevojshme të përpunojë me kaq finesë këta tinguj e këto ngjyra të jetës, pohon një prirje humane e mirëkuptim me botën. Vëmendja ndaj teksteve të autorëve të huaj e shqiptare, që nga Maksim Artioti i mesjetës së vonë, lindur në Artë, e gjer të Abedin Dino i Parisit të viteve 1930, pinjollit më të ri të dinastisë së Dinenjve, mik i Gertrude Shtejn, Tristan Cares e Pikasos, janë disa nga shembujt e një vizioni humanist e kulturor të Çamërisë, larg spekulimeve të ngushta politike të ditës.

Problemi çam ka mbi njëqind vjet që është i pranishëm në zonën juglindore të Europës. Ai është i ngjashëm me probleme të tjera, herë më të vjetra e herë më të reja, që janë shfaqur e shfaqën në pjesë të ndryshme të kontinentit tonë. Në pamje të parë shpesh ato duken të ndërlikuara e të pandryshueshme, madje të pazgjidhshme, ngaqë lidhen me emancipimin e përgjithshëm të njerëzimit, i cili, ndonëse, jep përshtypjen e një zhvillimi me ritëm të shpejtë, në të vërtetë qëllon të jetë më i ngadaltë sesa duket. Krijimi i Europës së bashkuar, në mesin e dytë të shekullit njëzetë, ka qenë një lajm i madh jo vetëm në përmasa kontinentale, por ato botërore.

Bashkë me zhvillimet e reja ekonomike, politike e kulturore, ai krijoi premisat e një çlirimi të brendshëm shpirtëror, falë të cilit u ringjallën shpresa për zgjidhje të çështjeve që ngjanin më parë pa asnjë shpresë, përveç mjeteve të armëve dhe të luftës. Një vizion i ri për kufijtë dhe bashkëpunimin midis shteteve çon vetvetiu drejt mirëkuptimit të mëtejshëm midis kombeve, çka është baza që secili prej tyre të ndihet më i plotë brenda thesarit të përgjithshëm njerëzor, që popullon planetin tonë.

* Hyrja e librit

Filed Under: Politike

7 Alfabetet e Gjuhës Shqipe

July 10, 2024 by s p

Nga Ndrek Gjini

MA University of Galway, Ireland/

Alfabeti i gjuhës shqipe është një variant i alfabetit latin. Akti më i hershëm i njohur deri më tani i shkrimit shqip vjen nga një dokument i kishës katolike franceze të vitit 1332. Ky dokument është shkruar ose nga kryepeshkopi Guillaume Adam ose murgu Brocardus Monacus. Në këtë dokumnet thuhet: (“Megjithëse shqiptarët kanë gjuhën e tyre që është një gjuhë krejtësisht e ndryshme nga latinishtja, ata megjithatë përdorin shkronja latine në të gjithë librat e tyre”). Ky dokument provon se shqiptarët e shkruanin gjuhën shqipe që para vitit 1332. Pra, jo domosdoshmërisht ata përdornin vetëm shkrimin latin.

Gjeografi franko-danez Conrad Malte-Brun në studimet e tij është marrë seriozisht me krjimin dhe zhvillimin e një alfabeti shqip në shekullin e 18-të. Në librin e tij rreth Gjeografisë Universale të botuar në 1826, Malte-Brun përmend një “alfabet kishtar të shqipes, i cili përbëhet nga tridhjetë shkronja. Pas tij Johann Georg von Hahn, Leopold Geitler, Gjergj Pekmezi dhe të tjerë vazhduan studimet për të njëjtën temë. Që atëherë janë zbuluar shtatë alfabete origjinale të gjuhës shqipe.

Alfabeti Elbasanit i shekullit 18-të përdoret për të shkruar dorëshkrimin e Ungjillit të Elbasanit. Ky alfabet mendohet gjerësisht si vepër e Gregorit të Durrësit. Sipas Robert Elsie, “Alfabeti i Dorëshkrimit të Ungjillit të Elbasanit i përshtatet mjaft mirë gjuhës shqipe. Në të vërtetë, në përgjithësi, mund të konsiderohet më i përshtatshëm se alfabeti i sotëm i shqipes, bazuar në një model latin.

Alfabeti i Elbasanit përdor një karakter për fonemë, me përjashtim të n-së, për të cilën ka dy karaktere, dhe g-së, për të cilën ka tre karaktere (dy prej të cilave kufizohen në huazime specifike greke Dallimi midis shqipes r dhe rr dhe). ndërmjet l dhe ll krijohet nga një pikë mbi karakterin Një pikë mbi një d krijon një nd akute, si në greqisht, për të treguar një fjalë ose frazë.

Në tërësi, sistemi i shkrimit i përdorur në dorëshkrimin e Ungjillit të Elbasanit është i qartë, relativisht i saktë dhe duket se është i menduar mirë nga shpikësi i tij.

Fjalët e padeshifruara nga Dorëshkrimi i Ungjillit të Elbasanit. Në faqen e parë të vetë dorëshkrimit të Ungjillit të Elbasanit është një vizatim dhe rreth 12 fjalë, ndoshta emra personal, të shkruara në një shkrim që ndryshon krejtësisht nga ai i pjesës tjetër të dorëshkrimit. Ky sistem shkrimi ende nuk është deshifruar, megjithëse studiuesi elbasanas Dhimitër Shuteriqi ka bërë përpjekje për ta deshifruar.

Alfabeti i Todhrit i shekullit 18-të që i atribuohet Theodhor Haxhifilipit. Ky alfabet u zbulua nga Johann Georg von Hahn (1811–1869), konsulli austriak në Janinë dhe babai i studimeve shqiptare. Hahn botoi atë që ai e konsideronte si alfabetin ‘origjinal’ të shqipes në monumentin e tij Albanesische Studien (1854) dhe ai thotë që zbuloi në të një derivat të shkrimit të lashtë fenikas.

Studimi i këtij alfabeti u mor më pas nga Leopold Geitler (1847–1885) i cili e konsideroi shkrimin Todhri si të ardhur kryesisht nga shkronjat kursive romake, tezë të cilën e ka mbrojtur edhe studiuesi slloven Rajko Nahtigal (1877–1958).

Alfabeti i Todhrit është një sistem i ndërlikuar shkrimi prej pesëdhjetë e dy karakteresh, i cili është përdorur në mënyrë sporadike për komunikim me shkrim brenda dhe rreth Elbasanit që nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë. Ai nuk përputhet sa duhet me gjuhën shqipe, madje jo aq mirë sa alfabeti i dorëshkrimit të Ungjillit të Elbasanit, me të cilin nuk ka asnjë lidhje.

Një tjetër alfabet origjinal I shqipes gjendet në Kodikun e Beratit, (të mos e ngaterrojmë këtë me Codex Beratinus I dhe II). Ky dorëshkrim prej 154 faqesh, që tani ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë në Tiranë, është në fakt një dorëshkrim i thjeshtë letre dhe nuk duhet të konsiderohet si një ‘kodik’ i ndriçuar me pergamenë në traditën perëndimore. Duket se ka qenë vepër e të paktën dy autorëve dhe është shkruar midis viteve 1764 dhe 1798. Dorëshkrimi zakonisht i atribuohet një Konstandini të Beratit (rreth 1745 – rreth 1825), i njohur në shqip si Kostandin Berati. apo Kostë Berati, i cili mendohet se ka qenë një murg dhe shkrimtar ortodoks nga Berati. Konstandini i Beratit thuhet se e ka poseduar dorëshkrimin nga viti 1764 deri në vitin 1822, megjithëse nuk ka të dhëna se ai ishte autori i tij.

Kodiku i Beratit përmban tekste që janë të ndryshme në greqisht dhe të ndryshme në shqip.Këto janë tekste liturgjike biblike dhe ortodokse në shqip të shkruara me alfabetin grek, të gjitha pa dyshim të përkthyera nga greqishtja ose të ndikuar fort nga modelet greke. Aty gjënden; një poemë shqipe me dyzet e katër vargje me tekstin përkatës greqisht të njohur si Zonja Shën Mëri përpara kryqit; dy fjalorë greqisht-shqip me gjithsej 1710 fjalë; shënime të ndryshme fetare; dhe një kronikë e ngjarjeve midis 1764 dhe 1789 e shkruar në greqisht.

Në faqen 104 të këtij kodiku, janë dy rreshta shqip të shkruara me një alfabet origjinal prej 37 shkronjash, të ndikuar, siç duket, nga shkrimi glagolitik. Në faqen 106, autori jep edhe një pasqyrë të sistemit të shkrimit apo si të thuash alfabetit që ai krijoi.

Alfabeti i Veso Beut. Ky është një tjetër alfabet origjinal i gjuhës si shqipe I krijuar nga Veso bBeu, i cili është një nga krerët më të shquar të Gjirokastrës, nga familja e Alizot Pashës. Veso Beu thotë se e mësoi këtë që në rininë e tij nga një hoxhë shqiptar si shkrim sekret që e trashëgoi familja e tij dhe e përdori vetë për korrespondencë me të afërmit e tij.

Alfabeti i Vellaras-it i cili përdorej në Shqipërinë e Jugut. Ky alfabet e kishte marr emrin nga mjeku, tekstshkruesi dhe shkrimtari grek Ioannis Vilaras (Shqip: Jan Vellara). Djali i mjekut Vilaras studioi mjekësi në Padova në 1789 dhe më vonë jetoi në Venecia. Më 1801 u bë mjek i Veliut, djalit të të famshmit Ali Pashë Tepelenës (1741–1822).

Vilaras mbahet mend kryesisht si një poet modern grek dhe duket se nuk ka qenë fare shqipfolës. Ai është autor i tetëdhjetë e gjashtë faqeve me shënime gramatikore dygjuhëshe, të datës 1801, të cilat pa dyshim u krijuan për t’u mësuar ghuhën shqipe greqishtfolësve të tjerë. Shqipja në fjalë është një dialekt toskë i shkruar me një alfabet origjinal prej tridhjetë shkronjash bazuar në latinisht dhe në një masë më të vogël në greqisht.

Dorëshkrimi i veprës iu dhurua Bibliothèque Nationale në Paris (shtojca grec 251, f. 138–187) në 1819 nga François Pouqueville (1770–1839), konsull francez në Janinë gjatë mbretërimit të Ali Pashë Tepelenës. Pouqueville ishte i vetëdijshëm për vlerën e veprës, duke vënë në dukje: “Je possède un manuscrit, une grammaire grecque vulgaire et schype qui pourrait être utile aux philologues”, por zgjodhi të mos e botonte në rrëfimet e tij të udhëtimit. Shënimeve gramatikore u bashkëngjitet edhe një letër e datës 30 tetor 1801, e shkruar në shqip me dorëshkrim të Vellarës nga fshati Vokopolë, në jug të Beratit, ku mjeku kishte qenë i detyruar të ndiqte Veliun e tij gjatë fushatës ushtarake të këtij të fundit kundër Ibrahimit të Beratit. Pjesë e dorëshkrimit janë edhe disa fjalë të urta, si në greqishten e sotme ashtu edhe në gjuhën shqipe.

Alfabeti i Vithkuqit (1844). Nga viti 1824 deri në 1844, Naum Veqilharxhi zhvilloi dhe promovoi një alfabet me 33 shkronja, të cilin e kishte shtypur në një libër drejtshkrimor shqip me tetë faqe në vitin 1844. Ky libër i vogël drejtshkrimor u shpërnda në të gjithë Shqipërinë e Jugut, nga Korça në Berat, dhe u prit, si duket, me shumë entuziazëm. Në vitin pasardhës, 1845, broshura u shtua në dyzet e tetë faqe në një botim të dytë tashmë po aq të rrallë, të titulluar Faré e Re – Abétor Shqip per Djélm Nismetore (Një libër i ri drejtshkrimor shqip për nxënësit e shkollave fillore).

Megjithatë, fama e këtij alfabeti origjinal, që ngjan në shikim të parë me një lloj Armenishtje me shkronja latine, në fakt ishte shumë e kufizuar, pjesërisht për shkak të vdekjes së parakohshme të autorit një vit më vonë dhe pjesërisht pa dyshim për shkaqe financiare dhe teknike. Si i tillë, ky alfabet i Veqilharxhi-t , ndonëse I hartuar në mënyrë të shumë të mirë fonetike dhe asnjanës nga ana rrëfimtare, nuk mundi t’i rezistojë kohës.

Duhet theksuar se gjuha shqipe ka patur shumë versione të vjetra të alfabetit të saj në latinisht, greqisht dhe mjaft gjuhëve të tjera të vëndeve të botës lindore. Por të gjitha këto përpjekje nuk mundën t’i mbijetojnë kohës.

Dhe këto përpjekje vazhduan deri në Kongresin e Manastirit të mbajtur në qytetin e Manastirit nga 14 deri më 22 nëntor 1908, ku u bë Standardizimi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Kështu pra, në ditët e stome, 22 Nëntori është një ditë përkujtimore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, dhe në diasporën shqiptare, e njohur si Dita e Alfabetit.

Përpara Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe përfaqësohej nga një kombinim i gjashtë ose më shume alfabeteve të ndryshme, plus një numër nënvariantesh të tyre.

Filed Under: Opinion

Dy fjalë për këngën polifonike të Labërisë

July 10, 2024 by s p

Gëzim Zilja/

Marrë nga shkrimi i përgatitur për botim: Tuneli i Llogarasë dhe mjerimi i përdorimit politik të këngës polifonike.

….Kënga polifonike tashmë dhe pasuri e UNESKO-s dhe është një dukuri thellësisht shqiptare ku në të isua, si bashkim zërash të harmonizuar është elementi kryesor. Bashkë me marrësin, hedhësin dhe kthyesin ata përbëjnë një ansambël të përkryer të polifonisë labe. Kur këto janë në harmoni të plotë, kur zërat nuk “hahen” kur kënga vete “gjym,” ajo vjen e dallgëzuar e lozonjare si valët e detit, në një ditë plot diell, kur këndohet për një leshverdhë trëndelinë, ose dashuri të humbur diku, dikur; vjen si gjëmim malesh kur këndohet për atdheun dhe luftëtarët e lirisë; dëgjohet dhe ndihet si shushurima e rrëkeve pas shirave pranverorë, kur i këndohet bukurisë së një vajze; kthehet në një det të trazuar e dallgë të shkumbëzuara pas përplasjes në shkëmbinjtë e thepisur kur sjell lajmin e vrasjes së një djali të ri; vajton si violina në duart e një muzikanti virtuoz, kur i këndohet halleve e derteve të panumërta të shqiptarit, e kështu pa mbarim. Nuk ka sferë të jetës shoqërore që të mbetet jashtë temave të këngës polifonike. Ato shoqërohen sipas rastit me britma gëzimi, me thirrje për tu bashkuar në gëzime dhe hidhërime, nga marrësi, hedhësi apo kthyesi. Ndërkaq isua herë si dallgë deti, herë si nanuritje kur nëna ve në gjumë fëmijën, herë si bubullimë para rrebeshit të shiut, herë si përzierje e zërave të bilbilave në agimet e majit, herë me zhurmën e përrenjëve që derdhen nga malet pas shkrirjes së dëborës, e herë si krisma armësh në luftë, shoqëron këngën që është unike në llojin e saj dhe ka lindur bashkë me labin. Nuk mund të mësohet në asnjë shkollë apo akademi muzikore kënga labe. Ajo mësohet vetëm në trevat ku ka fillesat e saj e trashëgohet brez pas brezi. Nëse ndodh që kënga polifonike përdoret për qëllime politike, ky veprim e nxjerr atë nga binarët e misionit të saj historik, si kronikë e jetës së popullit dhe arkiv i kujtesës kombëtare transmetuar në shekuj.

Filed Under: Analiza

Amerika NUK është demokraci, Amerika është republikë

July 9, 2024 by s p

Dr. Bledar Kurti/

(Alumni i Departamentit Amerikan të Shtetit)

Në kundërshtim me besimin e gjerë të pasaktë, Amerika NUK është dhe as NUK u mendua e NUK u krijua të ishte një demokraci e pastër. Amerika është një REPUBLIKË. Thënë thjesht, demokraci do të thotë dy ujqër e një dele që votojnë kë do hanë për drekë, pra, sundimi i shumicës, ndërsa republikë do të thotë e drejta e të gjithëve, një sistem që mbron pakicën nga shumica kur ajo është e padrejtë dhe siguron kushtet për liritë politike dhe shoqërore të gjithësecilit. Ndërkohë që me votën e shumicës, pra me demokraci, Sokrati u dënua të pinte kupën me helm dhe Krishti të kryqëzohej sepse turma votoi për lirimin e shkelësit Baraba, Republikë do të thotë se asnjë pjesë e komunitetit nuk ka monopolin e drejtësisë, politikës dhe vendimmarrjes, por të gjithë individët, të pasur e të varfër, të shkolluar e të pashkolluar, elitat dhe njerëzit e zakonshëm, janë pjesë e të mirës së përbashkët.

Si lidhet kjo me situatën e tanishme, ku në Shtëpinë e Bardhë ka pllakosur paniku i humbjes së zgjedhjeve presidenciale në nëntor të këtij viti? Dhe, përse është tejet e rëndësishme për mbarë botën?

Sepse përpjekjet e vazhdueshme të dekadave të fundit për ta tjetërsuar republikanizmin amerikan me demokraci të drejtpërdrejtë, kryesisht në lidhje me heqjen e Kolegjit Zgjedhor (një filtër i qëllimshëm dhe efikas që nuk lejon amerikanët të votojnë drejtpërdrejtë presidentin, për të evituar monopolin e shumicës, por siguron zgjedhjen e një numri delegatësh të cilët më pas zgjedhin presidentin, por edhe me zhbërjen e institucioneve themeltare të shoqërisë si familja, besimi, tradita, etj) kanë çuar në krijimin e disa elitave të cilat kanë rolin kryesor të vendimmarrjes, e kësisoj përcaktojnë drejtuesit e shtetit. Ndaj edhe sot, sidomos pas debatit televiziv në CNN midis rivalëve Trump dhe Biden, i cili dështoi në mënyrë spektakolare për shkak të problemeve konjitive të shkaktuara nga dementia dhe mosha e thyer, u duk qartë e u pa nga e gjithë bota, se ka diçka serioze që nuk shkon me qeverisjen, politikën dhe median amerikane. E mbi të gjitha u pa qartësisht se elita të caktuara kanë manipuluar prej vitesh opinionin e gjerë publik amerikan dhe ndërkombëtar.

E para ndër këto elita është media. CNN, New York Times, The Economist, e media të tjera të cilat sot kërkojnë largimin e Biden nga gara presidenciale, ishin mbrojtësit më fanatik të tij gjatë viteve të fundit, deri në pikën e sulmit, njollosjes, demonizimit dhe censurës ndaj kundërshtarëve të cilët ata i konsideronin pakicë e parëndësishme.

E megjithatë, loja vazhdon. Për shkak të sondazheve që parashikojnë humbje të thellë të Biden, elitat, sidomos ajo mediatike, e ekspozoi në mënyrë të qëllimshme në sytë e mbarë botës, paaftësinë konjitive të një shtetari të moshuar, duke hedhur kështu në treg planin e zëvendësimit me një kandidat tjetër që mund të ketë më shumë gjasa të fitojë në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.

Por, sa e trishtueshme dhe sa shumë efekte globale ka patur e gjithë kjo mendësi manipuluese në emër të shumicës! Gjatē presidencës Biden, me elitat në hije, u ndezën dy luftra tragjike si ajo Rusi-Ukrainë dhe Izrael-Gaza. Edhe pa hyrë thellë në analizimin e debatit televiziv Trump – Biden të 27 qershorit në CNN, natyrshëm shtrohen pyetjet, cilët janë vendimmarrësit e vërtetë në politikën e jashtme amerikane? Si do ishte bota gjatë tre viteve të fundit dhe sot nëse do ishin zbatuar parimet e republikanizmit dhe jo të sundimit të elitave në emër të shumicës politike? Dhe, a do ndryshojë kurs qëndrimi i politikës së jashtme amerikane pas 5 nëntorit nëse ndodh rotacioni në Shtëpinë e Bardhë?

Amerika është vendi me Kushtetutën dhe qeverisjen më unike në botë. Vendi i njerëzve të lirë. Qyteti mbi kodër. Kjo periudhë tranzitore do kalojë siç kanë kaluar edhe shumë sprova të mëparshme, sepse në themelin e saj e si thesar të përjetshëm të saj Amerika ka lirinë.

Në mbyllje, për sqarim e kthjellësi argumenti publik, republika është sistem, demokracia është mekanizëm për ta përmbushur mirëfunksionimin e këtij sistemi. Pjesa më e madhe e shteteve të botës e kanë në emërtim të tyre se janë republikē, përfshirë edhe vendin tonë: Republika e Shqipërisë. Gjithashtu, pjesa më e madhe e shteteve të botës e konsiderojnë veten demokratike, por vetëm 10% prej tyre janë vërtetë demokratike. Për të ndërtuar një tē ardhme më të mirë për të gjithë ne e mbarë globin, duhet që të mbahemi fort pas vlerave themeltare të patjetërsueshme historike e shoqërore, pa rënë pre e mendësive manipuluese. Dhe në këtë betejë të vazhdueshme e të stërhollë, intelektualët luajnë rolin më kryesor. Mos u kompromentoni! Mos u tregoni indiferentë! Mos flini! Zgjohuni! Kontribuoni në ruajtjen e vlerave, paqes dhe të integritetit njerëzor të çdo kombësie!

Filed Under: Editorial

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT