• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2024

MOTËRZIMI ÇEK I MALLIT DHE NOSTALGJISË SHQIPTARE

July 29, 2024 by s p

Kosta Nake/

Le të bëjmë dy manovrime të thjeshta: Ta mbështjellim veprën me një mbulesë për ta fshehur për një kohë emrin e autorit, ta zëvendësojmë Pragën me emrin e një kryeqyteti tjetër. Atëherë do të mendonim se kjo vepër është atribut i një shkrimtari të njohur nga Europa Lindore, nga Ballkani, pse jo edhe nga republikat balltike. Si është e mundur? Sepse u krijua një uniformitet tronditës në ish-kampin socialist që kishte si kështjellë Kremlinin. Vepra është konceptuar me dy rrafshe – atë politik që ka si emblemë Kthimin e Madh dhe atë social me detajin e tavllës së duhanit, kurse subjekti është linear dhe ka një alternim të kthimit testues në atdhe të dy protagonistëve: Irenës që vjen nga Franca dhe Jozefit që vjen nga Danimarka.

Duke përjashtuar veçanësinë shqiptare të ndryshimit fetar të emrit për shumë emigrantë në Greqi dhe përshtatjes së emrit sipas veçorive tingullore në Itali e ShBA, pjesa tjetër e fatit të emigrantëve të Lindjes është pothuaj identike. Tashmë emigracioni i ri shqiptar është 34-vjeçar, rrjedhimisht e ka të brendashkruar periudhën 20-vjeçare të personazheve çekë. Problemi i parë i madh është raporti i emigrantit me vendin ku është strehuar në kërkim të lirisë dhe të një jete më të mirë. Problemi i dytë i madh është marrëdhënia e re e krijuar me atdheun e lindjes së cilës autori i ka kushtuar një këqyrje gjuhësore krahasuese për disa popuj. Është trishtim i shkaktuar nga pamundësia për t’u kthyer në atdhe? Për shqiptarët kjo marrëdhënie përmbushet me shprehjen “më griu malli”.

Është një dyzim i jetës që trand ekuilibrat e jetës: ditën copëra nga peizazhi i vendlindjes si tablo lumturie – natën kthime të lemerisura, ditën parajsa e humbur – natën ferri nga kishin ikur. (f.16) Po 20 vjet janë të mjaftueshëm për t’u integruar, për t’u ikur kurtheve që ngrehin ëndrrat sepse malli nuk ka aftësi për ta forcuar kujtesën.

Po pse emigruan popujt e Lindjes drejt Perëndimit? Sepse u ndodhi një fatkeqësi e madhe: humbën plotësisht shpresën për ndryshim. Njerëzit e lëshuan komunizmin sepse bindja komuniste nuk i përgjigjej më asnjë nevoje. Perandoria sovjetike u shemb sepse nuk i mposhtte dot kombet që donin të ishin sovrane.

Njerëzit emigruan pa e ditur se sa e vështirë është t’i bësh vend vetes në një botë të huaj. E filluan me ankesa se sa shumë kishin vuajtur në vendin e tyre duke dashur që secili të shpallej viktimë.

Duke ngritur lart llampën e Kthimit të Madh, Kundera do të përdorë si gjeneratorë rezervë luftëtarin Odise nga antikiteti dhe kompozitorin Arnold Shënberg nga kohët moderne duke na dëshmuar edhe një herë, sikurse Kadareja ynë, që antikiteti do të mbetet një minierë mineralesh të rrallë ku do të ketë përherë diçka për të zbuluar apo për ta parë përmes një prizmi të ri.

Kundera e sjell në vepër Shënbergun e kohëve moderne për të treguar se sa e vështirë është të parashikosh të ardhmen. Më 1921 ai shpalli se pas një shekulli muzika e tij do të bëhej mbretëresha e botës, por ja ku kaluan 100 vite dhe radioja e mbyti magjinë e koncerteve, një lumë gjigant i zhurmshëm ka ndotur muzikën me ujërat e ndotura.

Ç’ndodh me Jozefin dhe të njohurit e tij? Ajo që ndodhi me Odisenë dhe itakasit. Itakasit ruanin shumë kujtime për Odisenë, por nuk kishin mall për të, Odisea kishte mall për itakasit, por kujtimet për ta ishin fshirë. Gjatë viteve të lundrimit njerëzit dëgjonin gojëhapur rrëfimet plot aventura të Odisesë, por kur u kthye në Itakë, askush nuk i thoshte “Na rrëfe!” sepse ai nuk ishte i huaj mes tyre. E njëjta gjë i ndodh edhe Irenës dhe Jozefit – askush nuk është kureshtar për vitet e emigrimit të tyre, biseda ka interes vetëm kur flitet për shqetësimet e atyre që nuk u bënë “dezertorë.” Sfida e Irenës është që ta pranojnë ashtu si është, e transformuar, por shoqet e dikurshme janë refraktare, fillimisht ia refuzojnë verën “Bordo” që kishte sjellë nga Franca duke e kundërsfiduar me birrën e përditshme çeke, pijen e shenjtë të sinqeritetit. Me mosinteresimin për atë që kishte ndodhur përtej kufijve, ato donin t’ia qepnin të kaluarën me të tashmen duke i prerë 20 vite të mundimshme, duke i djegur dhe kthyer në tym mes zjarrit në altarin e atdheut. Për Jozefin ka një tjetër detaj të dhimbshëm: ai shkon në varreza dhe lexon emra njerëzish të njohur që nuk e dinte se kishin vdekur. Çfarë kishte ndodhur? Pas vitit 1989, kur perandoria sovjetike u shpërbë, Jozefi emigrant nuk ekzistonte më për ata që mbetën të nënshtruar. 20 vjet pas kthimit në Itakë Odiseu njohu ullirin plak, kurse në vendin e Jozefit një fshesë e padukshme kishte kaluar mbi peizazhin e rinisë së tij duke marrë me vete gjithçka të njohur. Po në Shqipëri? Peizazhi u sulmua me teknikat e reja të sjella nga vendet e emigrimit.

Ajo që në Shqipëri ndodhi pak ndryshe: shqiptarët që qëndruan ishin të etur për ta zbuluar botën duke pyetur pafundësisht. Erdhi dita që një në katër vetë kishte se ç’të rrëfente për vendet e huaja, pastaj raporti shkoi në një me dy, sot s’ka mbetur cep i botës i paeksploruar prej nesh, rrjedhimisht ka më tepër rrëfyes sesa dëgjues.

Një dukuri krejt e ngjashme me tranzicionin shqiptar është procedura e kthimit të pronave, e mishëruar në këtë roman me rrëmbimin e shtëpisë nga i vëllai, madje edhe me mbajtjen e një tabloje që ishte me dedikim për Jozefin. E ndërsa në Çeki regjimi ua nxinte jetën të afërmëve të atyre që emigronin, në Shqipëri nuk ekzistonte termi “emigrim”, kishte vetëm “arratisje”, kurse zezona e rrethit familjar quhej “burgim” dhe toleranca më e madhe quhej “internim.” Diktatura prodhoi një nënshtrim që ne e kemi provuar, kurse Jozefi këtë e përjeton me shtimin e flamujve të kuq, më shumë nga ç’priste, në Pragën e pushtuar nga ushtria ruse në gusht 1968.

Tani që po diskutohet për vendprehjen e Kadaresë dhe rëmohen me fjalë varret e të tjerëve, është me interes ajo që tregon Kundera për atë që ndodhi me poetin islandez Jonas Hallgrimson. Ai vdiq në Danimarkë, por dikush, pas një shekulli, u kujtua që eshtrat e tij të çoheshin në Islandë, në Itakën e tij. Gabimisht, në panteonin islandez çuan eshtrat e një kasapi danez. Cili është morali i këtij incidenti? Nuk ka pikë rëndësie ku ndodhen eshtrat e një të vdekuri. Sepse madhështinë ia ka dhënë vepra e tij që mund të jetë ilaç për shpirtin e mbarë botës. Për të qëndruar edhe pak te letërsia, gjatë qëndrimit në atdhe Irena e pyet shoqen e saj: “Ende lexojnë poezi sot?” “Jo më, – thotë Milada.” (f.134) Dhe këtu ka filluar tharja e shpirtit për t’u mbushur me materien e thatë.

“Mosdija” flet për Kthimin e Madh. Do të ketë një të tillë? Pyetjes së Silvit franceze “Po ç’bën akoma këtu?”, Irena i përgjigjet: “Këtu kam punën, shtëpinë time, fëmijët…Unë kam 20 vjet që jetoj këtu. Jeta ime është këtu!” (f.5) “Kam pavarësinë time. Gjithmonë kam pasur përshtypjen se jetën ma kanë bërë të tjerët.” (f.135) Jozefin e ftojnë për darkë te familja e një ish-sigurimsi në Bohemi dhe vjen dialogu: “Darka më gjen në shtëpi sonte.” “Kur thua në shtëpi e ke fjalën…” “Në Danimarkë.” (f.132) Do të ketë kthim të madh për shqiptarët? Shumica mendojnë si Irena dhe Jozefi.

Koncepti i atdheut, në kuptimin fisnik dhe sentimental të kësaj fjale është i lidhur me shkurtësinë relative të jetës sonë dhe forca tërheqëse e tij do të vijë duke u pakur brez pas brezi, kujtesa kolektive do të ruajë vetëm një pjesëz të vogël të asaj që është thelbësore. Çekët dhe shqiptarët e duan atdheun e tyre, jo se është i lavdishëm, apo se trumbetohet si i tillë, por sepse është i vogël dhe gjithmonë i rrezikuar.

*

Rrafshi i dytë social ka në bërthamën e vet një dramë dashurie që na kujton atë thënien universale: “Të tjera duam, të tjera na duan, me të tjera martohemi”. Është një gjysmë dashurie në fakt, sepse ka lindur te Irena dhe është mishëruar te ajo tavlla e duhanit që ia dha Jozefi duke e grabitur nga lokali; ajo e ruajti si një hajmali dhe e mbajti me vete për 20 vjet; mjerisht Jozefi ka harruar edhe emrin e Irenës, edhe tavllën, po se po. Një dashuri si shpendi me një krah që nuk mund të fluturojë, një krah si ai bredhi i hajthëm para shtëpisë me tulla që Jozefi sheh nga frëngjia e avionit në largimin pa kthim. Irena është femra që ka emigruar familisht, vështirësive të integrimit i shtohet vdekja e të shoqit duke e lënë me dy fëmijë të vegjël, pastaj vjen njohja me suedezin Gustav që është burri korrekt, por hapësira mes bashkëshortëve mbushet me heshtjen memece. Kjo është një arsye më shumë që Irena t’i rikthehet edhe një herë dashurisë së vjetër, të marrë diçka të bukur prej saj, por të zhgënjehet nga harresa e Jozefit. Tavllës së duhanit i shtohet edhe një detaj tjetër, akti marrok i vetëvrasjes i ka lënë Irenës një shenjë – një vesh i prerë që nuk i shpëtoi dot ngrirjes. Kjo ka bërë që ndryshimeve të shumta në jetën e saj t’i bëjë qëndresë krehja e njëjtë e flokëve e detyruar nga nevoja për të fshehur veshin e prerë. Jozefi pati edhe një mundësi tjetër për ta rizbuluar Irenën, kur në shtëpia e vjetër të lindjes gjeti një ditar të viteve rinore me dalldisje, jetë të përbashkët, besnikëri, pasion të vërtetë. Sa kontrast me të tashmen! Në Bohemi ka lënë gruan e parë me një vajzë që s’ka dëshirë ta takojë, në Kthimin e Madh ka takuar rastësisht Irenën, pa e njohur vajzën e dikurshme që e bëri të shkojë drejt vetëvrasjes pas një shpërthimi xhelozie. Atëherë ajo ishte adoleshente, dhe adoleshentët shkojnë lehtësisht drejt vdekjes pasi e ardhmja, ajo pjesa e gjatë e pakonsumuar, është e largët, abstrakte, irreale.

Edhe këtu antikiteti vjen sërish me Odiseun dhe mëdyshjen e zgjedhjes midis Kalipsosë dhe Penelopës. Lexuesit deri tani i është ushqyer me lartësimin e pritjes 20-vjeçare të Penelopës dhe përqeshjes për lotët e Kalipsosë, por një këqyrje me detaje mund të sjellë qasje të tjera.

(Romani “Mosdija” i Milan Kunderës, Dituria 2014)

Filed Under: Analiza

ORNELA RADOVICKA, ZËRI ARBËRESH NË SEMINARIN E MËSUESVE NGA DIASPORA

July 29, 2024 by s p

Hazir Mehmeti/

“Arbërishtja e deklaruar nga UNESKO si gjuhë ne rrezik. Dija dhe ndërgjegjja për gjuhën, mbi gjuhën, si dhe kulturën arbëreshe ,të ecin në mënyrën paralele me dijen dhe ndërgjegjen për gjuhën shqipe. Arbëreshët kanë nevojë për abetaren e tyre”

Vështrim: Seminari i radhës, tani i 17 – ti me radhë u mbajt në Prishtinë organizuar nga qeveria e Kosovës dhe të Shqipërisë. Takimet gjithëpërfshirëse të mësuesve nga diaspora nisen 21 vjet më parë në Bern, duke kaluar në seminarin të parë (2005 ) në Prishtinë organizuar nga Ministria e Arsimit të Kosovës.

Në ditën e tretë të seminarit u paraqit me ligjëratën e saj interesante Dr. Ornela Radovicka, studiuese e njohur e kulturës, historisë, gjuhësisë e traditave arbëreshe. Ligjërata e saj ishte shumë argumentuese, e bazuar në fakte mbi nevojën e bashkëpunimit me arbëreshët, problemet e nevojat e tyre për ta mësuar gjuhën e tyre. Është lëshim të mos dëgjojnë e mësojnë të gjithë seminaristët mbi mësimin e arbërishtes nga nxënësit arbëresh në seancë të përbashkët e jo vetëm pak prej tyre në njërën prej punëtorive me kohë të shkurtër.

Duke qenë njohëse e shkëlqyer e problemeve për ruajtjen e gjuhës tek nxënësit arbëresh në shkollat e qendrave arbëresh, ajo foli mbi planin e bashkëpunimit me shkollat e fshatrave arbëresh me nxënës që flasin shqip në vende të ndryshme. Ajo zbërtheu në detaje nevojat dhe përpjekjet për ta unifikuar arbërishten tek arbëreshët fshatrave të largëta të cilët flasin varietete gjuhësore sa gati nuk kuptohen mes veti njëri ngulim me ngulim tjetër.

“Ndoshta unë mund të kem qenë femra e parë që i kam vizituar të gjitha fshatrat arbëreshe sa janë tani 54 ngulime (fshatra). Së bashku me At Antonio Belluscin, të gjitha hulumtimet në fshatrat arbëreshe i mblodhëm në një libër, vepër që nuk e bënë as akademitë dhe ua kemi dhënë Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve në Tiranë e drejtuar nga Diana Kastrati. U gëzuam shumë që qeveria kishte hapur një qendër për arbëreshët”. Ajo foli mbi nevojën e unifikimit të arbërishtes dhe hartimin e një abetareje të përbashkët për të gjithë nxënësit që dëshirojnë ta mësojnë në shkolla arbërishten. Ajo theksoi se: riti bizantin i dalluar nga ritet latin dhe të tjerë ishte element dallues dhe ndihmoi në ruajtjen e arbërishtes dhe identifikoi arbëreshët dhe arbërishten shekujve. Theks të veçantë ajo vuri se: Akoma nuk e keni kuptuar qe Arbëreshët duan gjuhen e tyre! Qe arbëreshet nuk kane një gjuhe te përbashkët. Arbëreshët duan arbërishten e tyre dhe jo gjuhen shqipe!!! Si njohëse e mirë e rrethanave dhe nevojave të arbëreshëve, Ornela Radovicka iu drejtua figurave shtetërore përgjegjëse duke konstatuar se nuk kanë bërë asgjë për arbëreshët dhe për për ruajtjen e arbërishtes si gjuhë e saj. E Vetmja që kishte treguar interesimi ishte Donika Donika Gërvalla-Schwarz, ndërsa fare Ministria e Arsimit të Shqipërisë.

Projekti i nisur nga grupi i shoqatave arbëreshe, shkolla të mësimit plotësuese në Zvicër, Qendra e Studimeve Albanologjike në Frasnito e mbështetur nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, lidhur me shkëmbimi i përvojave në praktikë të funksionimit të mësimit të arbërishtes në shkolla ku ka nxënës arbëresh që e flasin arbërishten dhe dëshirojnë ta mësojnë në shkollë gjuhën e tyre. Kjo nismë e projektuar do jetësohet gradualisht dhe pret mbështetje konkrete e të gjithanshme.

Pjesë nga tema e ligjëratës: ” Plan bashkëpunimi mes shkollave me nxënës arbëresh dhe me nxënës tjerë në diasporë”

Ornela Radovicka: Shkova në këtë takim jo si mësuese, por për një projekt mbi arbëreshët.

Po pse zgjodha Diasporën do thotë dikush? Kisha provuar me parë lidhje me Shqipëri dhe Kosovë dhe asgjë nuk u bë.

Shansi fundit e pash me Diasporën kur nga diaspora Lidhja e Krijuesve dhe poetëve në Mërgatë kryesuar nga Kryetari i tyre Musa Jupolli, Sekretari Mentor Thaçi, Koordinatori i gjuhës shqipe në Zvicër Vaxhid Sejdiu, Prof dhe hulumtuesi Hazir Mehmeti, Mësueset Bashkim Halilaj e shumë mësues të shkollave në Diasporë, nën drejtimin e mikut të arbëreshëve dhe anëtar nderi të Qendrës sonë, Rexhep Rifati erdhën në Kalabri për orën e tyre Letrare. Ata me një mendje u treguan të gatshëm dhe menjëherë u hodhëm në “kandiere”

Projekti:

Të shpëtojmë arbërishten dhe të pasurojmë gjuhën shqipe.

Kohë zgjatja: Viti akademik; Tetor 2024 deri në Maj 2025

Qëllimi i projektit: Të pasurojmë leksikun mbi gjuhën arbëreshe, të njohim historikun dhe kulturën arbëreshe në kurrikulat shkollore, por edhe të përhapim historinë shqiptare tek vëllezërit tanë arbëresh.

Objekti: Koordinimi dhe binjakëzimi i dy shkollave: Ungra\ Lungro në Kalabri, me një popullsi arbëreshe numri i të cilëve arrin mbi 80% dhe shkolla shqipe e diasporës në Zvicër

Në specifikën e saj ky projekt përmbledh;

A)Mësuesit dhe nxënësit e diasporës

Arbërishtja e deklaruar nga UNESKO si gjuhë ne rrezik. Dija dhe ndërgjegjja për gjuhën, mbi gjuhën, si dhe kulturën arbëreshe ,të ecin në mënyrën paralele me dijen dhe ndërgjegjen për gjuhën shqipe.

Të pasurojnë leksikun me arbërishten

Spastrimi i gjuhës arbëreshe nga ndikimet e huaja, dhe aty ku nuk arrihet me arbërishten, të pasurohet me shqipen!

Të njihen me historikun, kulturën, artin, arkitekturën, e vëllezërve arbëresh.

Të promovojmë për hapjen e pikave të tjera të Mësimit arbëresh në kurrukulat shkollore të ngulimeve arbëreshe.

Të krijohen akorde bilaterale midis shtetit të Kosovës apo Shqipërisë për trajnim intensiv si fillim të disa mësuesve madre lingua arbëreshe për të nisur e krijuar një armatë mësuesish për arbërishten që të vijë duke u përmirësuar deri në pajisjen e tyre me një licencë.

B) Mësuesit dhe nxënësit arbëresh

Dija dhe ndërgjegjja për sensibilizimin e mësimit të gjuhës, dhe kulturës arbëreshe, por edhe të njohim kulturën, historikun e rrënjëve të të parëve tanë.

Të pasurojmë leksikun në arbërisht

Spastrimi i gjuhës arbëreshe nga ndikimet e huaja, dhe aty ku nuk arrihet me arbërishten, të pasurohet me shqipen me ndihmën e vëllezërve shqiptarë në diasporë.

Materiali didaktik

A) Arbëreshët vënë në dispozicion, dy volumet mbi Alfabetizzazonit

Arbërisht Përse Jo? B) Fjalorin arbërisht të Emanuele Giordano në PDF

Paradokse që ndeshim midis Vullnetit të arbëreshëve në përdorim të arbërishtes në institucionet italiane, dhe institucioneve linguistike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe

Nëse institucionet italiane, për të folmen arbëreshe vënë në përdorim termin “gjuhë arbëreshe”, paradokaslisht kemi institucionet mbi e për arbëreshët mbi gjuhën dhe kulturën e tyre në Itali Kalabri, Napoli, Bari, Venezia, etje Vazhdojnë ta konsiderojnë Arbërishten variant apo dialekt të shqipes.

Katedra e Universitetit të Kalabrisë ende e pa qartë apo JO transparent mbi kategorizimin e kësaj çështje. Nëse mbështet projektin Arbërishte Përse Jo, dhe në fund të kopertinës shkruan “ Kurs në gjuhën shqipe” nuk arrijmë ta kuptojmë këtë “ Sfinks” të pozicionit të saj apo këtë “ Gioco di parole”

– Nuk ka një pozicion të qartë nga palët akademike, dhe këtë e shohim në simpoziumin e fundit kryer nga Katedra e Universitetit të Napolit ku Gjuha arbëreshe nuk është një gjuhë më vete, por trajtuar nga ata një dialekt, apo variant i gjuhës shqipe?!

Kjo situatë, herë i një pozicioni i paqartë, herë dualistik i këtyre institucioneve dhe akademikëve sjellë një situatë amorfe e paradoksale dhe herë penguese.

Kush janë këto pengesa?

A) Na ofrohet ligji i cili jep të drejtën për mësimin e gjuhës arbëreshe, por nuk kemi një mbështetje nga ana akademike për këtë ligj, sepse mbështesin gjuhën shqipe dhe jo vullnetin e arbëreshëve

B). Sot bota arbëreshe nuk ka ende një gjuhë të zyrtarizuar, një gjuhë të njëjësuar. Bota akademike ende nuk ka bërë as unifikimin e 52 ngulimeve. Kisha arbëreshe këtë problem e ka zgjidhur që në 1968 duke e përkthyer në arbërisht. Ernest Koliqi e ka quajtur këtë vepër aktin më të vështirë dhe më madhor deri në atë kohë që arbëreshët bënë për gjuhën e tyre.

C) Nëse ligji jep mundësinë për mësimin e arbërishtes, paradoksi qëndron se nuk ka mësues mbi gjuhën dhe për gjuhën arbëreshe, dhe se Katedrat mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe nuk kanë në auditorët e tyre asnjë student me profil mësues arbërishte. Shkurt: Nuk ekzistojnë katedra të mirëfillta, ku të “fabrikohen” mësues për gjuhën arbëreshe.

Një paradoks i madh qëndron në mos kompatibilitetit. Mos përputhja midis Katedrave të gjuhës dhe kulturës arbëreshe në Kalabri, Napoli, etje, dhe vullnetit të arbëreshëve në Molise, në Sicili, në Puglia, Kampania, apo në mënyrë të veçantë arbëreshët e 70 shoqatave arbëresheve që gjenden sot në Kalabri të udhëhequr nga dy federatat FAA dhe UNIARB përfaqësuar nga drejtuesit e tyre Damiano Guagliardi dhe Italo Elmo, të cilët kanë shprehur vullnetin e tyre duke konsideruar të folmen e arbërishtes si Gjuhë dhe jo si një dialekt të gjuhës shqipe, siç vazhdohet të konsiderohet nga bota akademike. Arbëreshët ende janë në pritje në kthimi i arbërishtes në normë si gjuhë zyrtare në përdorimin e saj në katedrat e gjuhës dhe kulturës arbëreshe, ashtu siç e përcakton edhe ligji.

Një paradoks krijon në vetvete edhe Ligji 488\99, kur vendos klauzolën si tutelë (si mbrojtje) vetëm shtatë krahinat me popullsi minoritare historik arbëreshe.

Gjuha arbëreshe dhe përdorimi i saj në shtyp në Kalabri.

E vetmja gazetë në Kalabri që funksionon sot në Arbërisht është Jeta Arbëreshe me Profesor Agostino Giordano,.

RAI Calabria nëpërmjet Gazetës Ufficiale 121 i jep mundësi arbëreshëve t’iu ofroi

shërbime radiofonike si dhe programe televizive në arbërisht.

Kush është risia që sjellim për herë të parë në këtë seminar?

Risia qëndron tek Akordi i vënë në zbatim për një projekti të përbashkët, mbi mësimin e gjuhës arbëreshe në kurrikulat shkollore, gjë e cila bëhet për herë të parë midis një shkolle arbëreshe në Kalabri dhe një shkollë të diasporës në Zvicër.

Pas ligjëratës pati pyetje e diskutime nga seminaristët lidhur me arbëreshët dhe gjuhën e tyre e cila po flitet gjithnjë e më pak. Në raste ishte biseda mendimesh të ndryshme.

Ligjërata e saj ishte e thukët dhe shembull se si duhet konkretisht dhe me profesionalizëm të flitet për arbëreshët.

Filed Under: Kronike

Kafe, cigare dhe limonadë – liberalë e konservatorë 100 vjet më parë!

July 29, 2024 by s p

Ilir Ikonomi/

Në korrikun e vitit 1924, liberali Fan Noli ishte kryeministër në Tiranë. Ai kishte ardhur në pushtet me kryengritjen e qershorit, që kishte rrëzuar konservatorin Ahmet Zog. Ky i fundit kishte lënë Shqipërinë dhe banonte në Hotel Bristol të Beogradit, ku përgatitej për të rrëzuar qeverinë revolucionare.

Një korrespondenti të huaj që i erdhi për ta intervistuar në Bristol, Ahmet beu i tha:

“Isha unë që themelova muzeun e parë kombëtar, krijova ligje në frymën e reformës agrare dhe ndalova poligaminë, e cila ishte në modë edhe midis fiseve katolike. Përdora ligjet e taksave për të mos lejuar shpenzimet e mëdha të luksit, urdhërova që nëpër dasma dhe vdekje të shërbehej vetëm kafe me sheqer, cigare dhe limonadë, në vend të festimeve që zgjatnin tetë ditë, ku thereshin 50 dele dhe shpenzoheshin mijëra franga. Për shembull, dasma e tim eti, Xhemal pashës, zgjati 41 ditë dhe zija për vdekjen e tij 40 ditë. Isha unë që krijova ligjin për martesat civile, e largova më shumë Kishën Ortodokse nga Kostandinopoja, ndërkohë që shqiptarët u bënë të parët ndër 42 popuj që u shkëputën nga Kalifi dhe krijuan një bashkësi të pavarur myslimane. A mund të quhet kjo një politikë konservatore? Do të isha i lumtur dhe mirënjohës nëse kundërshtarët e mi do të ishin më liberalë se unë!”

Filed Under: Ekonomi

NË SHTËPINË E KUJTESËS…ME PROFESOR ARSHI PIPËN NË WASHINGTON

July 29, 2024 by s p

– nga Visar Zhiti -/

XHONTURQIT E DEMOKRACISË:

Është dita e Arshi Pipës, madje është dhe koha e tij, kështu duhej të ishte, por s’e di sa u kujtuan mediat, institucionet, kujtesa kolektive? Është datëlindja e tij, kur të gjitha ditët duhej të kishin frymën e tij.

Nuk e di, e kujtuan njerëz të veçantë dhe mbase e ardhmja është ajo që sjellin të veçantët.

Trauma e shoqërisë postdiktatoriale shqiptare, përveç grafikut të përmirësive, ka dhe befasira e marrëzi, piskamat e së cilës gjallërohen dhe ia kalojnë britmave të hetuesve të vjetër.

Xhonturqit e demokracisë, – le t’i quajmë si pas Profesor Pipës. Ndonjë trushkulur kërkon prapë dënime, jo të atyre që dënonin, por të atyre që u dënuan, 10 vjet burg prapë, 20, përjetë, pushkatim…

Po ndieja dëshirën të shfletoja “Librin e Burgut” të Arshi Pipës si kundërvënie, vetë dita sikur e donte, ma kishte dhuruar dikur autori në Uashington si bashkëvuajtës, si aleat, si prijës shpirtëror…

…kumtin që na vjen nga ai, qëndrestari i rreptë, ish-i burgosuri politik, i arratisuri guximtar dhe emigranti antikomunist, eseisti, kritiku letrar, përkthyesi, filozofi, që shkruante jo vetëm në shqip, por dhe në anglisht e në frëngjisht, emblematiku sipëran Arshi Pipa, është urdhër.

Dhe po shfletoja shënimet e mia nga takimi i paharruar me Profesorin. Po i risjell.

RAFTET DHE HIRI:

…telefonoi se na priste në shtëpinë e tij atë paradite në Uashington, ora 10:00. Meqenëse kishim dhe ca kohë, vendosëm të futeshim në librarinë pranë dhe pastaj të vazhdonim një shëtitje të shkurtër. Uashingtoni, po mendoja, është qytet me fizionomi klasike europiane: s’ka qiellgërvishtëes, siç ishte përfytyrimi i shqiptarëve të padalë për Amerikën, por sheh blerim kudo, rrugë të pastra e qetësi të bardhë. Mbase këtë ndjesi ta japin Shtëpia e Bardhë, Kapitoli, Bibliotekat e famshme të Kongresit, të gjitha të bardha. Një kryeqytet që ka shumë e shumë më tepër pemë, se… policë. Dhe sa shumë ketra! Ketra qytetarë!…

Ndalnin, na shikonin në sy, s’kishin frikë nga njerëzit, madje prisnin t’u jepje diçka për të ngrënë; biskota, shiteshin enkas dyqaneve, afroheshin, tundnin bishtin e madh e të bukur si të argjendtë, dilnin dhe në rrugë, vraponin poshtë veturave të ndalura, endeshin, ktheheshin pas, u ngjiteshin me vrull pemëve, një zot e di se ç’kërkonin. Edhe ne tani po nxitonim. S’donim të bëheshim vonë për në shtëpinë e profesor Arshi Pipës, nën një diell që po më dukej i bardhë dhe ai. Mbas trokitjeve tona të buta, portën na e hapi motra e moshuar e profesorit, ndërsa në krye të shkallëve të drunjta lart, në katin e dytë, na priste vetë profesori, në këmbë, i gjatë dhe i hollë, i drejtë, me flokët e bardha, “të uashingtonta”, por dhe si borë e largët e atdheut, që nuk shkrin kurrë. Vetullat çuditërisht të zeza, siç dukej një shenjë e përzishme që nuk shkëputej për jetë nga fytyra fisnikërisht gjatoshe e tij. S’dita ta përcaktoj në e theksonin apo e neutralizonin pamjen disi skeptike të asaj fytyre, a i jepnin rini më shumë, bashkë me një pesimizëm të mençur, por gjithsesi me një përzemërsi të palodhur.

– E di emrin tënd, – më tha, kur u ulëm në kolltukët e thjeshtë, – je poet i ri dhe ke qenë në burg. Kësaj së dytës unë i jap rëndësi… për shkrimtarin, – shtoi. Menjëherë i tregova ç’dija për “Librin e burgut” të tij, të botuar në vitin 1959 në Romë, ç’kisha dëgjuar dhe si e kisha lexuar më në fund. Kur autori qe arratisur, pikërisht ato sonete skëterrore kishin bërë rrugë të kundërt me autorin, po aq të rrezikshme, në mos më shumë, qenë futur fshehurazi në atdhe, përmes telave me gjemba. Kisha bërë përpjekje për të botuar një cikël prej tyre në shtypin e ri opozitar tonin. Kujtova sonetin për një të shtrirë në vig, që vdekja e shndërroi në arkivol lecke…

– Më ka ndodhur… me tim atë, – shpjegoi profesori, – vdiq udhës në burg. – Edhe zëri i tij sikur zbardhte, i njëllojtë, me pak ngjirje që ai ia vinte fajin torturave, – prandaj më del i tillë. Me ftohje. Çimento qelish. Në fisin tonë, – po tregonte profesori – s’kemi kënd me zë të tillë. Pastaj ne e çuam në spital, – qesh me ironi, por zëri iu prish. Kë kishin çuar në spital, babain e vdekur apo zërin? S’ka zë të tillë në fis…

– Ne e njohim këtë zë, – ndërhyra, – që s’e prishi dot diktatura. As liria e mirëqenia e suksesi. Dhe tregova librat e tij mbi tryezë, te të cilët po hidhte autografe, po m’i dhuronte mua. Ime shoqe shkrepi befas aparatin fotografik mbi ne. Me siguri do t’i jetë fanitur gjyshi i saj, të cilin dhe atë e burgosën në kënetën e Maliqit, ja, atje, ku ishte dhe Profesori, me siguri do të jenë njohur… mbi baltë, ku shpesh, policia të rrëzuarit, ata që binin nga mundimi i madh dhe uria e madhe, i shkelte me këmbë. Hipnin me çizme mbi shpinën e njeriut të dënuar derisa e zhysnin thellë e më thellë, në llumin e pafund, në kënetën e vdekjes. Po gjyshi i saj mbeti gjallë, edhe atëherë kur i hodhën një bombë policët e një njeri tjetër kërceu, se e dinte copë buke e donte ta priste, por u bë copë-copë. Dhe prapë do ta arrestonin Dane Zdravën, gjithmonë, sepse kishte qenë biznesmeni i parë, ai kishte sjellë kinemanë e parë në qytetin e tij, në Berat, po ja, që ishte dhe me akademi në Itali, sillte centrale elektrike, autokombajna në tokat e tij dhe falte peliçe apo bënte pajën e të gjitha vajzave të miqve të tij dhe teksa e nxirrnin nga shtëpia të lidhur me pranga, përqafon për herë fundit mbesën e vogël, të sapokthyer nga shkolla… e ajo tani fotografon bashkëvuajtësin e gjyshit.

Me siguri do të jenë njohur bashkë, kanë folur, edhe pa e ditur se cilët janë, atje, në kënetën e vdekjes, kanë shpresuar. Autori i soneteve të baltës së burgut pati fat pastaj, e kërkoi fatin, e bëri vetë dhe ja, tani, bisedon me atë që është i shoqi i saj, edhe ai me plot poezi burgu gjithë errësirë ferri.

– Jam familje borgjeze, – vazhdonte të rrëfente profesor Pipa, – jo në kuptimin që e përdorin komunistët. Në familjen time janë marrë me gjyqësi të gjithë: gjykatës e avokatë ishin e mua m’u desh të bëja punë proletari, më të rëndë se proletarët. Po burgut i jap rëndësi, e quaj universitet…

– … të zi, – shtova unë. Pastaj Profesori nisi të flasë për Fransua Vinjonin, poetin rebel, vagabondin, të burgosurin, të dënuarin me varje, por që i shpëtoi litarit… (Ah, Avzi Nela yni, nuk i shpëtoi dot… diktatura komuniste ishte më keq se mesjeta.) E dua Vijonin, – m’u duk sikur u rrëmbye profesori, por gjithsesi i qetë, me qetësinë e mistershme që gjen në një tempull. Me Vijonin shihet se jeta është tjetër gjë dhe tjetër poezia. Edhe krijimtaria e Kadaresë është kështu…

Siç thuhej, Arshi Pipa ishte njeri i prerë, autoritar, “madhërisht i pamëshirshëm” me diktaturën, të cilën ai e sfidoi, jo vetëm si mërgimtar politik, por si poet dhe si mendimtar, mbi të gjitha. Profesori do të pohonte pa mëdyshje që Atdheu ynë është më mirë se dikur, me gjithë rezervat e mëdha që mund të kihen. Diktatura e bunkertë u ça nga brishtësia e demokracisë. Në fund të fundit, demokracia është edhe kritikë për të përmirësuar veten.

Dhe deshi të më tregojë përkthimet e tij nga klasikët e mëdhenj, Dante e Petrarka, Gëte… francezë, rusë e rumunë. – I kam përkthyer, – po thoshte profesor Pipa – ca me toskërisht e ca me gegërisht. Po t’i jap, por mos i boto. I përgëzoj botimet kosovare që arritën të shkruhen në gjuhën letrare, megjithëse ata ishin për përdorimin e dy dialekteve, edhe unë. Janë pasuri, – këmbënguli.

– Edhe gjuha e përbashkët letrare është! – iu përgjigja. – Erdhi shpejt, – tha sërish.

Ndërsa pinim kafetë, unë u ngrita të shoh raftet e çuditshme të librave. Të gjatë dhe bosh! Bo-o(h)-osh… Vetëm ca fjalorë, dorëshkrimet e fundit në një qoshe, ksomblat e librave të tjerë, vepra të mikut të tij të madh, arratiakut tjetër, poetit Martin Camaj. Kaq! Dhe dhembje si e drunjtë. Ç’kishte vdekur aty? Ja, ca fotokopje të zmadhuara të letrave të cigareve, ku kishte shkruar dikur poezitë e burgut. Me ato ishte arratisur… Se si dukeshin ashtu raftet, dramatikisht bosh, si arkivole. Sërë-sërë. Ku janë librat, desha të bërtas së brendshmi. Kërkova se mos shoh nga dritarja ngrehinën e mrekullueshme të Librarisë së Kongresit Amerikan, që të lehtësoja frymëmarrjen disi. Të gjithë bibliotekën e tij, librat e të gjithë jetës, profesori ia kishte dhuruar bibliotekës së qytetit të Shkodrës. Ndihej dhe qytetar shkodran, edhe pse ishte libohovit me origjinë. Një gjest i lartë ky i dhurimit të librave, i dha qysh në gjallje, pa ia lënë si detyrë testamentit. Pse? Mendoja rrugës së kthimit. Ku e gjeti fuqinë të ndahet me librat e vetë, qëllimin e jetës së tij?

– Po vazhdoj të merrem me filozofi, – më tha, kur e pyeta se ç’po shkruante. Pra, ai po guxonte të bashkëjetonte me vdekjen e vet, me ikjen e pashmangshme në jetë të tjera, qiejve. Mos ishte sfidë filozofike e të ngritur mbi të zakonshmen, mposhtje e vetë vdekjes, triumf i gjithëkohësisë? Dhe pikërisht, kur unë i tronditur kundroja atë boshësi të drunjtë, bibliotekën e librave të padukshëm, të mërguarën, dëgjoja zërin e tij që kritikonte një seminar ortodoks në Amerikë të lobit grek. Pastaj folëm për eposin ballkanik. Ka një trill dhe turp,- tha ai, për të vjedhur histori të të tjerëve. Zhvatim tokat dhe legjendat dhe trazojmë të vdekurit. Politizojmë miqësitë, por dhe sëmundjet. Eposi ynë, tha papritur. Jo se nuk është i bukur, përkundrazi, është i bukur, madhështor, por sepse karakteristikë për vargjet tona tradicionalisht është përdorimi i tetërrokëshit, kurse eposin e kemi njëmbëdhjetë rrokësh. Që e kanë sllavët e jugut. Atëherë ç’mund të themi? Shkrimtari jugosllav, Ivo Andriq, gjeta rast dhe po i thosha, thotë se Kënga e Gjergj Elez Alisë është shqiptare. Po, shqiptare është, pohoi me një kërshëri si të ftohtë Arshi Pipa. Ku do të dilja? Po a është njëmbëdhjetë rrokësh “Gjergj Elez Alia?”, gati bërtita miqësisht. Po, tha përsëri dhe heshti. Në sy po vezullonin rafte librash, kujtesa e tyre parake. Po shikoja dedikimet në veprat që më dhuroi: “… poetit të ri dhe shokut të burgut…”, “… këtë libër të shkruar dhe plotësuar në mërgim”, “për kujtim të takimit në Washington, më 23 gusht 1994, përzemërsisht…” dhe kishte firmosur poshtë emrit të shtypur në frontespic: “Arshi Pipa”, me shkronja të vogla. Seç m’u bë brenda në kraharor një si brengë dhe boshësi si ajo e rafteve. Desha të kujtoja patjetër ketrat dhe zgjata dorën në ajër, sikur po i ndillja. Arshi Pipën do ta takoja dhe një herë tjetër në Tiranë, mbajti një leksion të shkëlqyer për poezinë e Martin Camajt. Me poezinë e tij fillon paqja në poezinë shqipe, tha profesori. Më vonë erdhi lajmi mortor se Arshi Pipa kishte ndërruar jetë dhe kishte kërkuar që hiri i tij të shpërndahej… mbi atdhe. Në detin Adriatik. Hiri ka brenda ripërtëritjen, ai nuk është harrim, së pari është purifikues dhe ushqen tokën dhe kohën. Vepra e hirshme e Arshi Pipës është pasuri tashmë e jetës sonë, e qëndresës dhe e kulturës në tërësi, fosfor ndriçues në kujtesën kolektive, vlerë e pazëvendësueshme, veç me veten. Le ta hedhim mbi Tepelenë atë hi, mbi Spaç e Qafë Bari, Burrel e Lushnjë… mbi kujtesën tonë dhe ndërgjegjet tona!

BISEDË TË BURGOSURISH

PËR ARSHI PIPËN:

(Nga libri “Rrugët e ferrit”)

…po më tregonte Maks Velo me mllef e art se një ditë, kur qe ndodhur në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, vjen një pako me një libër gri, me kapak të fortë. Arshi Pipa. Libri i Burgut. Poezi. Botuar në Romë. Shqip. Desha ta shfletoj, të lexoja vetëm një poezi. Vetëm një. Një varg. Aty më këmbë. S’ma lanë as ta hapja. S’lejohej. Kishte ardhur posaçërisht për kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Dhimitër Shuteriqin, maskarai, shau, por do të futej në fondin e zi të Bibliotekës. Arshi Pipa është i arratisur. Ka qenë në burg, në kënetën e Vloçishtit. Mbeti gjallë. Doli nga burgu i Burrelit. Tani është profesor universiteti në Amerikë. Të burgosurit thonë se ai ka shkruar një skenar filmi “Qershiza”. Jo roman? Dhe është realizuar nga Hollivudi. Duket si e pabesueshme. Rrëfehen tmerret e burgjeve tona, sidomos atij të Burrelit. Se si i vrisnin të burgosurit në ditën e fundit, në atë të lirimit të tyre dhe i varrosnin tek ajo qershiza. Kishte nga ata që u binte të fikët, teksa shihnin filmin në Perëndim, vazhdonin të tregonin të burgosurit, ulërinin në kinema, vinte ndihma e shpejtë ambulanca, njëri kishte nxjerrë revolverin dhe kishte qëlluar mbi ekran për të prapsur një oficer shqiptar, që po copëtonte të burgosurin e vet. Nuk dimë gjë, thoshin ata që kishin ardhur nga jashtë si suedezët, Agron amerikani, francezët e Veriut, gjermani, grekërit… Sidoqoftë, thoshim, edhe po të mos jetë e vërtetë, ne, të burgosurit, e ndiejmë nevojën e një mbrojtjeje, të një apeli të madh kundër shtypjes që na bëhet, indiferencës së tmerrshme dhe harresës më të tmerrshme. Na duhet një vepër arti. Dikush po e bën a duhet ta bëjë. Ne kemi zgjedhur tani emrin e një bashkëvuajtësi, profesor Arshi Pipës, ai e mbart këtë nder, po ia besojmë. Të tjerët brenda, sa më shumë lavdi marrin, aq më shumë kanë mashtruar. Ka shumë mundësi që e tëra ajo të jetë krijim i yni, kolektiv. Qershiza është vërtet, por s’e dimë a është futur në letërsi? Ne ngushëllojmë vetveten. E ndihmojmë të qëndrojë. Dhe kështu ky art që s’është, ndërkohë është më magjepsësi dhe krijon artin tjetër anonim, tragjikun. Të cilit do t’i gjejmë një emër. Ndonjëherë gjërat me mungesën e tyre janë më të fuqishme.

“PANTEONI I NËNDHESHËM”

OSE REALIZËM I DËNUAR

Poeti, eseisti dhe filozofi Arshi Pipa do të ishte ai që do të realizonte ëndrrën e të gjithë të burgosurve politikë shqiptarë në diktaturë: ikjen. Të ikje dhe të tregoje nëpër botë burgjet e tmerrshme, vuajtjen e një populli pa liri. Se dilnin shkrimtarë jashtë shtetit, por ata s’e hapin gojën. Turp! 1000 herë turp! Fill pas burgut, Arshi Pipa do të arratisej, do të mbërrinte në Itali duke pasur me vete dhe poezitë e shkruara fshehurazi mbi letra të holla cigaresh. Gati sa një kuti shkrepësesh bëhej sasia e tyre dhe do t’i botonte në Romë në përmbledhjen gri të zymtë: “Libri i burgut”, një hata e vërtetë, ku Sonetet e Kanalit të asaj kënete të tmerrshme do të ishin, sipas meje, “Ferri” i poezisë shqipe. Pra, profesor Arshi Pipa kishte shkuar në SHBA, ku dha leksione në universitete të njohura, pa e shkëputur vëmendjen nga letërsia e dheut amë, madje dhe do të përkthente prej andej, siç do të sillte në shqip në të dyja dialektet poetë të mëdhenj klasikë nga bota. Profesori do të shkruante në anglisht dhe një studim “Montale dhe Dante”, me lejen e vetë Montales, që do të ishte në një farë mënyre, paraprijës i çmimit “Nobel”, që do t’i jepej poetit gjenovez. Korpusi i Veprës së Arshi Pipës po vazhdon të botohet pas vdekjes në atdhe në kujdesin e familjarëve, duke përfshirë dhe dorëshkrimet që i ruajtën përmes rreziqesh motra e tij Bukuria dhe i ndjeri kunati, shkrimtar tjetër i burgjeve, Uran Kalakulla.

Kartela

ARSHI PIPA:

U lind më 28 korrik 1920 në Shkodër. Ndoqi studimet në Kolegjin Severian në Shkodrën e tij të lindjes dhe më pas studioi filozofi në Universitetin e Firences, ku në 1942 mori titullin “dottore” në filozofi, me një punim për konceptin e moralit në filozofinë e Henri Bergson. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë kthehet nga Italia bashkë me vëllanë e tij, Myzafer Pipën. Punoi si mësues në Tiranë dhe Shkodër dhe redaktor i revistës letrare “Kritika”. Mbas Luftës së Dytë Botërore, pas ekzekutimit të vëllait të tij Myzaferit, nga fitimtarët, Arshi Pipa, në prill 1946 u arrestua me akuzat për veprimtari kundër shtetit dhe u dënua me 10 vjet burg. Dënimin e vuajti në kampet e punës në Durrës, në kënetën e vdekjes në Vloçisht, në kalanë e Gjirokastrës dhe në ferrin e Burrelit. Me t’u liruar, arratiset në Jugosllavi dhe në 1958 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fillimisht punoi në Universitetin e Georgetown, Berkeley dhe pastaj në Universitetin e Minesotës në Mineapolis.

Në vitin ’90 viziton Shqipërinë. Pritet me kërshëri, moskuptim, largësi dhe adhurim.

Poezitë e para që shkroi në fund të viteve ’30 përfshihen në një ksombël që do të pasohej dhe nga të tjerë. Veçanërisht të vlefshme, lartësi e mendimit shqiptar janë veprat e tij në kritikën letrare, historinë e kulturës shqiptare dhe politikën e gjuhës në Shqipëri gjatë sundimit diktatorial të Enver Hoxhës.

Vitet e fundit të jetës së tij i kaloi në Uashington DC, ku dhe mbylli sytë më 20 korrik 1997

Po sot në ditën e lindjes së tij, në 104 vjetor, kujtojmë se vepra e Arshi Pipës është më e domosdoshme dhe më e fortë, një dritë e pashuar feneri në errësirën dhe ngricën e një dimri, ftohtësia e të cilit nuk ka ikur, që fërgëlloi dhe nga vendi i lirisë së madhe…

Filed Under: LETERSI

PËR SHQIPTARËT “DIELLI LIND NË PERËNDIM”!

July 29, 2024 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

28 korrik 1922 – 28 korrik 2024

🇦🇱
🤝
🇺🇸

GËZUAR

102 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike

Shqipëri🇦🇱 – SHBA🇺🇸

……………………………………………………………..

Marrëdhëniet diplomatike Shqipëri🇦🇱 – SHBA🇺🇸 janë vendosur zyrtarishtë, më 28 korrik 1922, pak muaj pas përfundimit të Konferencës së Paqes në Paris, ku presidenti amerikan Woodrow Wilson doli në krah të shqiptarëve.

Këto marrëdhënie patën një ndërprerje prej 52 vitesh, duke filluar gjatë luftës së dytë botërore dhe pastaj gjatë gjithë kohës së regjimit komunist, për t’u rivendosur sërish më 15 mars 199, me përmbysjen e regjimit komunist dhe vendosjen e demokracisë në Shqipëri🇦🇱.

Ambasadori i parë amerikan🇺🇸, në Tiranë ishte Ulysses Grant Smith, i cili e nisi misionin diplomatik, më 4 dhjetor 1922. Ndërsa William Rajerson u bë ambasadori i parë amerikan pas rivendosjes së këtyre marrëdhënieve në vitin 1991.

Ambasadori i parë shqiptar🇦🇱, në Uashington DC ishte Faik Konica, i cili u emërua në këtë detyrë në vitin 1929 nga Mbreti i Shqiptarëve Ahmet Zogu.

Zyrtari i parë i lartë i SHBA-së🇺🇸, që vizitoi Shqipërinë🇦🇱 ishte Sekretari Amerikan i Shtetit, James Bakeri cili erdhi në Tiranë më 21 qershor 1991, 3 muaj pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Presidenti i parë në detyrë i SHBA-së🇺🇸, që vizitoi Shqipërinë🇦🇱 ishte Presidenti George W. Bush, icili erdhi në vendin tonë më 10 qershor 2007.

Para dy viteve, në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike SHBA🇺🇸 – Shqipëri🇦🇱 dhe 15 vjetorit të vizitës së presidentit Bush në Tiranë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH), ka zhvilluar një konferencë me pjesëmarrje të personaliteteve diolomatike dhe politike, si dhe disa aktivitete të tjera ku është theksuar partneriteti i ngushtë mes dy vendeve dhe kombeve tona, si dhe është potencuar fuqishëm se SHBA-të🇺🇸 mbeten një nga aleatët strategjik dhe kryesor të Shqipërisë🇦🇱, Kosovës🇽🇰 dhe kombit shqiptar🇦🇱 në përgjithësi!

#JamShqiptar…🇦🇱🤝🇺🇸🤝🇽🇰

May be an image of 2 people and text

See insights and ads

Create Ad

All reactions:

66

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT