Kosta Nake/
Le të bëjmë dy manovrime të thjeshta: Ta mbështjellim veprën me një mbulesë për ta fshehur për një kohë emrin e autorit, ta zëvendësojmë Pragën me emrin e një kryeqyteti tjetër. Atëherë do të mendonim se kjo vepër është atribut i një shkrimtari të njohur nga Europa Lindore, nga Ballkani, pse jo edhe nga republikat balltike. Si është e mundur? Sepse u krijua një uniformitet tronditës në ish-kampin socialist që kishte si kështjellë Kremlinin. Vepra është konceptuar me dy rrafshe – atë politik që ka si emblemë Kthimin e Madh dhe atë social me detajin e tavllës së duhanit, kurse subjekti është linear dhe ka një alternim të kthimit testues në atdhe të dy protagonistëve: Irenës që vjen nga Franca dhe Jozefit që vjen nga Danimarka.
Duke përjashtuar veçanësinë shqiptare të ndryshimit fetar të emrit për shumë emigrantë në Greqi dhe përshtatjes së emrit sipas veçorive tingullore në Itali e ShBA, pjesa tjetër e fatit të emigrantëve të Lindjes është pothuaj identike. Tashmë emigracioni i ri shqiptar është 34-vjeçar, rrjedhimisht e ka të brendashkruar periudhën 20-vjeçare të personazheve çekë. Problemi i parë i madh është raporti i emigrantit me vendin ku është strehuar në kërkim të lirisë dhe të një jete më të mirë. Problemi i dytë i madh është marrëdhënia e re e krijuar me atdheun e lindjes së cilës autori i ka kushtuar një këqyrje gjuhësore krahasuese për disa popuj. Është trishtim i shkaktuar nga pamundësia për t’u kthyer në atdhe? Për shqiptarët kjo marrëdhënie përmbushet me shprehjen “më griu malli”.
Është një dyzim i jetës që trand ekuilibrat e jetës: ditën copëra nga peizazhi i vendlindjes si tablo lumturie – natën kthime të lemerisura, ditën parajsa e humbur – natën ferri nga kishin ikur. (f.16) Po 20 vjet janë të mjaftueshëm për t’u integruar, për t’u ikur kurtheve që ngrehin ëndrrat sepse malli nuk ka aftësi për ta forcuar kujtesën.
Po pse emigruan popujt e Lindjes drejt Perëndimit? Sepse u ndodhi një fatkeqësi e madhe: humbën plotësisht shpresën për ndryshim. Njerëzit e lëshuan komunizmin sepse bindja komuniste nuk i përgjigjej më asnjë nevoje. Perandoria sovjetike u shemb sepse nuk i mposhtte dot kombet që donin të ishin sovrane.
Njerëzit emigruan pa e ditur se sa e vështirë është t’i bësh vend vetes në një botë të huaj. E filluan me ankesa se sa shumë kishin vuajtur në vendin e tyre duke dashur që secili të shpallej viktimë.
Duke ngritur lart llampën e Kthimit të Madh, Kundera do të përdorë si gjeneratorë rezervë luftëtarin Odise nga antikiteti dhe kompozitorin Arnold Shënberg nga kohët moderne duke na dëshmuar edhe një herë, sikurse Kadareja ynë, që antikiteti do të mbetet një minierë mineralesh të rrallë ku do të ketë përherë diçka për të zbuluar apo për ta parë përmes një prizmi të ri.
Kundera e sjell në vepër Shënbergun e kohëve moderne për të treguar se sa e vështirë është të parashikosh të ardhmen. Më 1921 ai shpalli se pas një shekulli muzika e tij do të bëhej mbretëresha e botës, por ja ku kaluan 100 vite dhe radioja e mbyti magjinë e koncerteve, një lumë gjigant i zhurmshëm ka ndotur muzikën me ujërat e ndotura.
Ç’ndodh me Jozefin dhe të njohurit e tij? Ajo që ndodhi me Odisenë dhe itakasit. Itakasit ruanin shumë kujtime për Odisenë, por nuk kishin mall për të, Odisea kishte mall për itakasit, por kujtimet për ta ishin fshirë. Gjatë viteve të lundrimit njerëzit dëgjonin gojëhapur rrëfimet plot aventura të Odisesë, por kur u kthye në Itakë, askush nuk i thoshte “Na rrëfe!” sepse ai nuk ishte i huaj mes tyre. E njëjta gjë i ndodh edhe Irenës dhe Jozefit – askush nuk është kureshtar për vitet e emigrimit të tyre, biseda ka interes vetëm kur flitet për shqetësimet e atyre që nuk u bënë “dezertorë.” Sfida e Irenës është që ta pranojnë ashtu si është, e transformuar, por shoqet e dikurshme janë refraktare, fillimisht ia refuzojnë verën “Bordo” që kishte sjellë nga Franca duke e kundërsfiduar me birrën e përditshme çeke, pijen e shenjtë të sinqeritetit. Me mosinteresimin për atë që kishte ndodhur përtej kufijve, ato donin t’ia qepnin të kaluarën me të tashmen duke i prerë 20 vite të mundimshme, duke i djegur dhe kthyer në tym mes zjarrit në altarin e atdheut. Për Jozefin ka një tjetër detaj të dhimbshëm: ai shkon në varreza dhe lexon emra njerëzish të njohur që nuk e dinte se kishin vdekur. Çfarë kishte ndodhur? Pas vitit 1989, kur perandoria sovjetike u shpërbë, Jozefi emigrant nuk ekzistonte më për ata që mbetën të nënshtruar. 20 vjet pas kthimit në Itakë Odiseu njohu ullirin plak, kurse në vendin e Jozefit një fshesë e padukshme kishte kaluar mbi peizazhin e rinisë së tij duke marrë me vete gjithçka të njohur. Po në Shqipëri? Peizazhi u sulmua me teknikat e reja të sjella nga vendet e emigrimit.
Ajo që në Shqipëri ndodhi pak ndryshe: shqiptarët që qëndruan ishin të etur për ta zbuluar botën duke pyetur pafundësisht. Erdhi dita që një në katër vetë kishte se ç’të rrëfente për vendet e huaja, pastaj raporti shkoi në një me dy, sot s’ka mbetur cep i botës i paeksploruar prej nesh, rrjedhimisht ka më tepër rrëfyes sesa dëgjues.
Një dukuri krejt e ngjashme me tranzicionin shqiptar është procedura e kthimit të pronave, e mishëruar në këtë roman me rrëmbimin e shtëpisë nga i vëllai, madje edhe me mbajtjen e një tabloje që ishte me dedikim për Jozefin. E ndërsa në Çeki regjimi ua nxinte jetën të afërmëve të atyre që emigronin, në Shqipëri nuk ekzistonte termi “emigrim”, kishte vetëm “arratisje”, kurse zezona e rrethit familjar quhej “burgim” dhe toleranca më e madhe quhej “internim.” Diktatura prodhoi një nënshtrim që ne e kemi provuar, kurse Jozefi këtë e përjeton me shtimin e flamujve të kuq, më shumë nga ç’priste, në Pragën e pushtuar nga ushtria ruse në gusht 1968.
Tani që po diskutohet për vendprehjen e Kadaresë dhe rëmohen me fjalë varret e të tjerëve, është me interes ajo që tregon Kundera për atë që ndodhi me poetin islandez Jonas Hallgrimson. Ai vdiq në Danimarkë, por dikush, pas një shekulli, u kujtua që eshtrat e tij të çoheshin në Islandë, në Itakën e tij. Gabimisht, në panteonin islandez çuan eshtrat e një kasapi danez. Cili është morali i këtij incidenti? Nuk ka pikë rëndësie ku ndodhen eshtrat e një të vdekuri. Sepse madhështinë ia ka dhënë vepra e tij që mund të jetë ilaç për shpirtin e mbarë botës. Për të qëndruar edhe pak te letërsia, gjatë qëndrimit në atdhe Irena e pyet shoqen e saj: “Ende lexojnë poezi sot?” “Jo më, – thotë Milada.” (f.134) Dhe këtu ka filluar tharja e shpirtit për t’u mbushur me materien e thatë.
“Mosdija” flet për Kthimin e Madh. Do të ketë një të tillë? Pyetjes së Silvit franceze “Po ç’bën akoma këtu?”, Irena i përgjigjet: “Këtu kam punën, shtëpinë time, fëmijët…Unë kam 20 vjet që jetoj këtu. Jeta ime është këtu!” (f.5) “Kam pavarësinë time. Gjithmonë kam pasur përshtypjen se jetën ma kanë bërë të tjerët.” (f.135) Jozefin e ftojnë për darkë te familja e një ish-sigurimsi në Bohemi dhe vjen dialogu: “Darka më gjen në shtëpi sonte.” “Kur thua në shtëpi e ke fjalën…” “Në Danimarkë.” (f.132) Do të ketë kthim të madh për shqiptarët? Shumica mendojnë si Irena dhe Jozefi.
Koncepti i atdheut, në kuptimin fisnik dhe sentimental të kësaj fjale është i lidhur me shkurtësinë relative të jetës sonë dhe forca tërheqëse e tij do të vijë duke u pakur brez pas brezi, kujtesa kolektive do të ruajë vetëm një pjesëz të vogël të asaj që është thelbësore. Çekët dhe shqiptarët e duan atdheun e tyre, jo se është i lavdishëm, apo se trumbetohet si i tillë, por sepse është i vogël dhe gjithmonë i rrezikuar.
*
Rrafshi i dytë social ka në bërthamën e vet një dramë dashurie që na kujton atë thënien universale: “Të tjera duam, të tjera na duan, me të tjera martohemi”. Është një gjysmë dashurie në fakt, sepse ka lindur te Irena dhe është mishëruar te ajo tavlla e duhanit që ia dha Jozefi duke e grabitur nga lokali; ajo e ruajti si një hajmali dhe e mbajti me vete për 20 vjet; mjerisht Jozefi ka harruar edhe emrin e Irenës, edhe tavllën, po se po. Një dashuri si shpendi me një krah që nuk mund të fluturojë, një krah si ai bredhi i hajthëm para shtëpisë me tulla që Jozefi sheh nga frëngjia e avionit në largimin pa kthim. Irena është femra që ka emigruar familisht, vështirësive të integrimit i shtohet vdekja e të shoqit duke e lënë me dy fëmijë të vegjël, pastaj vjen njohja me suedezin Gustav që është burri korrekt, por hapësira mes bashkëshortëve mbushet me heshtjen memece. Kjo është një arsye më shumë që Irena t’i rikthehet edhe një herë dashurisë së vjetër, të marrë diçka të bukur prej saj, por të zhgënjehet nga harresa e Jozefit. Tavllës së duhanit i shtohet edhe një detaj tjetër, akti marrok i vetëvrasjes i ka lënë Irenës një shenjë – një vesh i prerë që nuk i shpëtoi dot ngrirjes. Kjo ka bërë që ndryshimeve të shumta në jetën e saj t’i bëjë qëndresë krehja e njëjtë e flokëve e detyruar nga nevoja për të fshehur veshin e prerë. Jozefi pati edhe një mundësi tjetër për ta rizbuluar Irenën, kur në shtëpia e vjetër të lindjes gjeti një ditar të viteve rinore me dalldisje, jetë të përbashkët, besnikëri, pasion të vërtetë. Sa kontrast me të tashmen! Në Bohemi ka lënë gruan e parë me një vajzë që s’ka dëshirë ta takojë, në Kthimin e Madh ka takuar rastësisht Irenën, pa e njohur vajzën e dikurshme që e bëri të shkojë drejt vetëvrasjes pas një shpërthimi xhelozie. Atëherë ajo ishte adoleshente, dhe adoleshentët shkojnë lehtësisht drejt vdekjes pasi e ardhmja, ajo pjesa e gjatë e pakonsumuar, është e largët, abstrakte, irreale.
Edhe këtu antikiteti vjen sërish me Odiseun dhe mëdyshjen e zgjedhjes midis Kalipsosë dhe Penelopës. Lexuesit deri tani i është ushqyer me lartësimin e pritjes 20-vjeçare të Penelopës dhe përqeshjes për lotët e Kalipsosë, por një këqyrje me detaje mund të sjellë qasje të tjera.
(Romani “Mosdija” i Milan Kunderës, Dituria 2014)