• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2024

ZGJEDHJET E SHBA E NJË EVROPË E PAMBROJTUR

July 26, 2024 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO – “Corriere della Sera”, 22 korrik 2024 – Përktheu: Eugjen Merlika/

Dorëheqja e Bidenit hap një lojë që dukej tashmë e mbyllur. Ndoshta Trumpi do të fitojë njëlloj zgjedhjet e nëndorit, por së paku, demokratët janë rivënë në kushte për të mundur të luftojnë. Demokracia amerikane vërteton gjallërinë e saj, por si evropianë ne duhet të pyesim veten se pse ky beleg zgjedhor do të jetë për ne kaq i rëndësishëm, cili është ndryshimi ndërmjet tij dhe gjithë zgjedhjeve presidenciale që janë zhvilluar para tij mbas luftës së Dytë botërore. Ndryshimi qëndron në atë, se nëse do të fitonte Trumpi, Amerika do t’i a mbathte, do të braktiste Evropën në fatin e saj. Do të përcaktohej një thyerje në brëndësi të bashkësisë së demokracive perëndimore, me rrezatime mbi gjithshka: me rrezikun për shembull, të një ashpërsimi të masave mbrojtëse. E me një ndikim të fuqishëm mbi sektorin e brishtë të sigurisë e të mbrojtjes. Pikërisht në një çast në të cilin kontinenti i vjetër është përsëri i pështjelluar në një luftë të armatosur. Që nga lufta e Dytë botërore evropianët janw mbrojtur nga amerikanët. Secili kishte leverdinë e tij të mirë: evropianët mund të investonin rezervat e tyre në mirëqënie pa kthyer shumë mbi mbrojtjen, ndërsa amerikanët përfitonin nga pranimi evropian i udhëheqjes së tyre. Gjithshka do të mund të ndryshonte nëse Trumpi do të fitonte.

Sepse siguria evropiane, një përparësi e të gjitha Administratave nga 45 e këndej, nuk është e tillë për Trumpin e ndjekësit e tij. Nuk është e rastit që filo-rusët e Evropës janë miqtë e tij. Ukraina, marrëdhëniet evropiane me Rusinë, mbrojtja evropiane: mbi secilën prej këtyre temave qeveritë tona do të duhej të shihnin fund e majë agjendën e tyre politike.

Është e mundur që me Trumpin Ukraina duhet të pranojë një ndalim zjarri që do t’i linte Putinit territoret e pushtuar, do t’i lejonte atij të deklarohej fitues, të merrte frymë e të përgatitej për aventura të reja ushtarake. Filo-putinianët të djathtë e të majtë, të përforcuar nga fitorja e Trumpit, do të kërkonin, n’emër të “paqes” paqëtimin ndërmjet Evropës e Rusisë, ose (siç thuhej në kohët e Luftës së Ftohtë), “finlandizimin” e Evropës. Një pjesë e madhe e evropianëve (por jo ndërmarrjet e shumta, që do të donin të rifillonin allishverishet me Rusinë), me dëshirë nuk do t’ishte e gatëshme të ndiqte miqtë e Putinit në këtë rrugë. Por duhet të bëjë llogaritë me përparësitë e reja të Administratës amerikane, duke filluar nga kërkesa, madje urdhëri për të rritur menjëherë shpenzimet ushtarake në kuadër të NATO-s ( krejt tjetër nga pritja e ndonjë viti , siç do të dëshëronte qeveria e jonë, për të shpënë një shpenzim të tillë në 2 përqind të PPI).

Evropa do të vihej nën trysni. Do t’i duhej të vinte para saj problemin e famshëm të “këmbës evropiane” të NATO-s, për të cilën është folur shumë kur të folurit nuk kushtonte politikisht asgjë. Do të ishte me arsye fillimi i një psiko-drame të përgjithëshme n’Evropë, i një konflikti çjerrës që do të rishkruante aleanca, miqësi e armiqësi. Mbas kaqë lloqeve, më të shumtat të mërzitëshme, mbi mbrojtjen evropiane do të duhej të kalohej në faktet, duke u shpjeguar evropianëve se, në kushte të reja, bëhet fjalë të zhvendosen (menjëherë) rezerva nga mirëqënia në luftë, nga gjalpi në topa.

Evropianistët, të cilët deri tani kanë mundur të kërkojnë mbrojtjen evropiane pa shkaktuar skandal, do të vizatoheshin atëherë si luftënxitës nga putinian-pacifistët të së djathtës e të së majtës, nga Orbani tek Melenchoni, duke kaluar nëpër të gjithë të tjerët. Me pasoja paradoksale. Megjithë Brexitin e namin e “evroskeptiçizmit”, Britania e Madhe do të bëhej pika e riferimit për të gjithë ata që nuk duan një Evropë të pambrojtur, ushqim për ujqërit. Britania e Madhe, e drejtuar nga një laburist, do të kthehej me pëlqim, veç udhëheqjes morale, edhe në një fuqi tërheqëse në përpjekjen për të mbështetur Ukrainën, ashtu si dhe për të krijuar këmbën evropiane të sipërpërmendur. Ndërsa Franca, vendi tjetër evropian që, së bashku me Britaninë e Madhe, nuk ka ëndërruar kurrë “të verë lulet mbi topat e saj” do t’ishte e ndarë ndërmjet kërkesës për të dhënë ndihmesën në mbrojtjen evropiane dhe kushtrimit të të parëve, vullnetit të një pjese të konsideueshme të francezëve për të mos hequr dorë nga ajo pak që mbetet nga Madhështia e lashtë, pra nga pavarësia e plotë ushtarake.

Mund të pritet edhe ndonjë rrëshqitje nga shumica që sapo ka votuar në Parlamentin e Strasburgut për Ursula von der Leyen, nga të gjelbërit por edhe nga socialistët.

Pasojat do të ishin veçanërisht të rënda për demokracitë e dala nga humbja e luftës së Dytë botërore, Gjermania e Italia. Vlen edhe për Italinë ajo që ka shkruajtur pak kohë më parë një historian gjerman, Michel Stürmer për Vendin e tij: bëhet fjalë për demokraci që për kundërveprim ndaj nazizmit e fashizmit, kanë zëvendësuar shpatën me tregëti, kanë besuar të fortë në mbrojtjen amerikane, se nuk do të kenë nevojë të kujdesen për sigurinë e tyre duke ndërtuar, qoftë edhe në hijen e NATO-s një aparat të qëndrueshëm e të efektëshëm ushtarak. Një prirje që është fuqizuar me fundin e Luftës së Ftohtë. Klasat drejtuese dhe opinionet publikë gjermanë e italianë kanë përfunduar së besuari se në botë kishte vetëm miq me të cilët të mund të bëheshin allishverishe, asnjë armik për t’i u ruajtur, (me përjashtim të ndonjë terroristi).

Bëhet fjalë për një vështrim të botës që në Itali e Gjermani ka farkëtuar mendësi, ka ushqyer një ndjenjë të përhapur kundër-ushtarake, ka bërë opinionin politik të pandjeshëm ndaj nevojës së sigurisë. Është kthyer në një përbërës të identiteve përkatës kombëtarë. Prandaj u duk gjëmëmadh lajmërimi gjerman, menjëherë mbas fillimit të luftës në Ukrainë, për një plan armatimi. Ndërsa nuk habit që ai vendim nuk ka prodhuar rezultate të mëdha deri sot.

N’Itali, në rastin e fitores së Trumpit, mund të pritet shpërthimi i një konflikti të padëgjuar. Me shumë kalime frontesh, nga ai evropian tek ai kundërevropian (në dobi apo kundër mbrojtjes evropiane) dhe anasjelltas. Do të ishte e dobishme të kuptohej , duke mbajtur parasysh peshën që zgjedhjet e saj kanë në Itali, se si do të qëndronte Kisha katolike në këtë konflikt. Nëse fiton Trumpi na pret një psiko-dramë. Më mirë të përgatitemi.

“Corriere della Sera”, 22 korrik 2024 E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Ekonomi

DISA EMËRTIME GJEOGRAFIKE ME EMRIN ALBAN(Y) NE AMERIKËN E VERIUT

July 26, 2024 by s p

DR. ALBERT KURTI/

Nga shfletimi i literaturave të ndryshme, enciklopedive të njohur botërore dhe kërkimet në internet, mund të gjejmë lehtësisht vende të ndryshme gjeografike, si; qytet, lumë, liqen, kodër, mal, etj., me emrin Alban ose Albany. Emërtimet Alban(y) i gjejmë jo vetëm në Europë, por edhe në Amerikën e Veriut. Edhe pse shumë studiues nuk japin shumë shpjegime, por thjeshtë shkruajnë se i kanë vendosur kolonizatorët nga Europa. Në fakt emërtimet Alban(y) e kanë origjinë nga emri i fisit ilir të Albanëve. Disa prej këtyre emërtimeve gjeografike do t’i përshkruaj shkurtimisht karakteristikat e tyre.

Një nga vendbanimet më të njohurat me emrin Albany ndodhet në shtetin e Nju Jorkut (New York). Aty ku ndodhet sot ky qytet ishte arenë përplasjesh ndërmjet holandezëve dhe anglezëve. Fillimisht qyteti quhej Beverwijck, më pas në 1664 ky emër u ndryshua në Albany, për ndër të Dukës së Albanit. Duka e Albanit ishte një titull skocez i dhënë që nga viti 1398, për një djalë të vogël të mbretit të Skocezëve (Albany, Dukes of- Hugh Chisholm). Emri rrjedh nga Alba, emri gaelik për Skocinë. Emri Alba ishte edhe shkurtimi i emrit të fisit ilir të Albanëve. Një fakt që e mbështet këtë është edhe kryqi i zbuluar në Ilirinë e Jugut (Shqipërinë e Mesme) skocezët e kanë sot në flamurin e tyre kombëtare (Libri Misteri i Shfaqur, The Secret Unveiled-Albert Kurti).

Albany City shtrihet 230 km në veri të qytetit të Nju Jorkut. Është qytet-port, termini verior i kanalit të thellë të lumit Hudson, dhe një pikë transshipmenti natyror midis anijëve që lundrojnë në oqean dhe rrugëve të Sistemit të Kanaleve të Shtetit të Nju Jorkut për në Liqenet e Mëdha. Që nga viti 1797 Albany është kryeqytet i shtetit të Nju Jorkut (Britannica). Aktualisht në këtë qytet banojnë 101 mijë banorë.

Një tjetër vendbanim me emrin Albany, por me madhësi shumë të vogël ndodhet në qarkun Prince, në ishullin Princ Eduards në Kanada.

Në shtetin e Oregonit në SHBA, konstatohet një tjetër qytet me emrin Albany, i themeluar në vitin 1848. Ai është qendra e qarkut të Lin dhe përsa i përket numrit të popullsisë, renditet në vendin e 11 në këtë shtet (City Populations: Adair Village-Echo). Në regjistrimin e vitit 2020, qyteti numëron rreth 56 mijë banorë. Vendbanimi shtrihet në luginën e Willamette dhe popullsia merret kryesisht me aktivitetet bujqësore.

Me emrin Albany nuk kemi jo vetëm vendbanime, por edhe liqene apo kodra e male. Një nga këta është liqeni Albany në shtetin e Uinskonsit (Wisconsin): ndodhet në jug. Ai është liqen glacial dhe ekzistonte midis vitëve 15000 dhe 12600 vjet (Wikipedia). Albany si liqen u formua nga shkrirja e ujit nga një akullnajë në tërheqje (zhdukje). Liqeni u tha rreth 10500 vjet më parë për shkak të rikthimit të akullnajave.

Një mal me emrin Mont Alban e ndeshemi në Meksikë. Ky mal shtrihet në shtetin e Oaksakës (Oaxaca) në jugperëndim të Meksikës. Ai përfaqëson rrënojat e qendrës së lashtë të Zapotec (Britannica), në lartësi 400 m mbi nivelin e detit. Këtu ndodhet një nga zonat më të rëndësishme arkeologjike në Meksikë.

Filed Under: Emigracion

“Papa Shqiptar Klemens XI – Albani”

July 26, 2024 by s p

Jaho Brahaj/

Në keto ditë të 375 vjetorit të lindjes së Papa Albanit autorët Eqrem Zenelaj dhe Dod Luli na sjellin botimin historik kushtuar ketij Pape me gjak shqiptar që dha nje kontribut të jashtëzakonshëm për Kombin tonë. Për herë të parë sillen të dhëna të vlefshme nga Gjenealogjia e kesaj familje fisnike shqiptare e vendosur në fillim në Brgamo të Italisë. Kjo gjeanologji sillet për herë të parë si rezultat i kerkimeve arkivore të autorëve. Nga kjo familje rrjedin nje plejadë njerzish të shquar të politikës, artit dhe klerikale, por që shendrit figura e Papes Klementi i XI Albani.

Në ketë botim i behet një analizë dhe botimit të gramatikës së gjuhës shqipe nga Fr. Maria Da Lecce, vepër e inicuar dhe mbeshtetur nga Papa Albani, që u botu në vitin 1716. Ndriqohet me burime arkivore që kjo vepër ishte nën patronazhin e Papës dhe me porosi të Tij.

Gjon Françesk Albani, siç u thirr në Pagëzim, lindi më 23 korrik 1649 në Urbino të Italisë. Si kreu shkollimin e plotë në Romë, falë aftësive të tij, ngjiti shumë shpejt shkallët e karrierës kishtare: së pari si sekretar i kanonikëve (1687), më pas si kardinal (1690) e së fundi si i 261-ti pasardhës i Shën Pjetrit (23 nëntor 1700). Pati një papni të trazuar nga konflikti i vazhdueshëm ndërmjet Francës e Perandorisë spanjolle, që krijoi rrezikun e një sulmi të armatosur kundër papatit. Përballoi me urtësi këtë konflikt e të tjerë, që u krijuan pas Traktateve të Utrehtit, të Ratsadit e të Badenit (1712- 1714) ku u caktuan normat për ndarjen e Evropës. Më pas iu desh të përballonte një rrezik tjetër: atë të pushtimit turk.

Në historinë shqiptare, si dhe ne fusha te tjera studimore albanologjike emri i Papa Klementit XI- Albani, do ruhet si Pape me “origjine shqiptare,” si Papa qe ka thirrur Kuvendin e Arbërit me 1703 dhe se ka pasur plot merita te tjera për çështjen shqiptare.

Krenar për prejardhjen e tij shqiptare, u interesua nga afër për fatet e vendit të të parëve. Emri i papës Albani mbeti në historinë e Shqipërisë si për organizimin e Kuvendit të Arbërit (1703) e për botimin e Akteve të tij në shqip e latinisht, vepër me rëndësi të dorës së parë për traditën tonë letrare, ashtu edhe për kontributin që dha në përhapjen e gjuhës e të kulturës në trojet shqiptare. I dha kështu dheut të të parëve të tij, ndihmesën e çmuar për të hedhur hapin e parë drejt rilindjes shpirtërore e kombëtare të popullit. Papa Klementi XI vdiq më 19 mars 1721 në Romë.

Kuvendi Kishtar i Arbërit ishte një mbledhje e klerit katolik shqiptar, mbajtur më 14-15 janar 1703 në Kishën e Shën Gjon Kryepremit në fshatin Merqi të Lezhës, me nismën dhe përkrahjen e Klementi XI – Albani

Kuvendi i Arbërit shqyrtoi gjendjen shpirtërore dhe shoqërore të besimtarëve, duke synuar të vërë në jetë në Shqipëri porositë e Vatikanit për t’i bërë ballë islamizmit të vazhduar të popullsisë. Ndër vendimet e marra ishin edhe kërkesat për të hapur shkolla dhe për të botuar libra në gjuhën shqipe, të cilat u zbatuan gjatë shek. XVIII e XIX me disa botime fetare të bëra në dialektin e Shkodrës.

Aktet e Kuvendit të Arbërit u shtypën si botim më vete në gjuhën shqipe që më 1706. Ato kanë vlerë në radhë të parë si dokument gjuhësor me rëndësi.

U hartu programi për mbajtja e shkollave shqipe pranë famullive që ekzistonin, por edhe rihapja e atyre që ishin mbyllur, gjithashtu u vendos ringritja e kishave të rrënuara, si dhe u vendos që katolikët të kenë bekimin e kishës vetëm atëherë kur jetojnë në bazë të dokeve e zakoneve shqiptare të miratuar e predikuar prej shekujsh nga doktrina kristiane.

Të gjitha këto do të bënin të mundur vazhdimin e qëndresës e palëkundur të Shqiptarëve nën pushtuesin mizor otoman, pushtim që kërkonte të zhdukte pa mëshirë jo vetëm të identitetit të etnisë tonë dhe të traditave.

Fatmirësisht Kuvendi e kreu detyrën. Bota shqiptare e njohu dhe e përkrahu Kuvendin e Arbërit të 14 e 15 janarit të vitit 1703. Në këtë botim monografik përmblidhen dhe dokumenti, aktet e Kuvendit të Arbënit (Arbërit) siq është shtypur në gjuhën shqipe në ato vite.

Ketu sillen dhe të dhëna historike dhe arkivore në përpjekje për të saktësuar se nga cila treve e Shqipërisë u shperngul familja fisnike e Mikel Lacit, paraardhësit e Papa Albanit, temë që mbetet e hapur per gjurmime në të ardhmen.

Ky studim monografik shkencor historik i autorëve Eqrem Zenelaj dhe Dd Luli ka vlera dhe mirpritet nga qarqet e studiuesve dhe lexuesit të gjerë sepse eshte me referenca te shumta, bibliografi e njohur per herë të parë, e me e rendësishmja eshte se është bazuar dhe ne hulumtime e gjurmime në arkiva te rendësishëm, materiale qe gjejnë pasqyrim ne faqet e keti botimi.

Së dyti, publiku shqiptar njihet me kontributin e keti personaliteti që jo vetëm nuk e harroi origjinën familjare, por dhe krenohej me gjakun shqiptar të Tij.

Së treti njohja me jetën dhe veprintarinë e Papa Albanit na shpalos dhe faqe të historisë tone kombëtare ne ato ditë e vite të veshtira.

Libri i Ri: “Papa Shqiptar Klemens XI – Albani” – Autorë: Eqrem M. Zenelaj, Dod Luli.

Filed Under: Interviste

Albanologu arbëresh Antonino Guxeta në 7 vjetorin e largimit në amshim

July 26, 2024 by s p

QSPA/

Sot më 26 korrik shënon 7-vjetori i ndarjes nga jeta të albanologut të mirënjohur arbëresh, gjuhëtarit dhe profesorit, Antonino Guxeta. Lindi më 1922 në Horën e Arbëreshëvet, Siçili. Ishte i biri i Gjergj Guxetës (Giorgio Guzzetta), themeluesit të seminarit Arbëresh të Palermos. U diplomua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë të Universitetit të Palermos. Në vitin 1974 u emërua profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Institutin Oriental të Napolit. Në vitet 1975–1997 ka drejtuar Institutin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Palermos. Ka dhënë gjithashtu mësim edhe në Universitetin e Kalabrisë në vitet 1987–1990. Si drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare “Rosolino Petrota”, prej vitit 1968 organizoi 23 kongrese ndërkombëtare për studimet shqipe, aktet e të cilëve i publikoi rregullisht. Themeloi kolanën “Albanica” që numëron mbi 20 vëllime dhe shkroi një varg librash studimorë në fushën e gjuhësisë dhe të studimeve letrare. Ndër të cilët përmendim: “Gjurmë të shqipes në shekullin XV në dokumentet venedikase të kohës” (1968); “Ernest Koliqi, një poet social”(1968); “Magjia e së vërtetës: tregimet e Ernest Koliqit ndërmjet traditës dhe ripërtëritjes” (1974); “E folura e Piana degli Albanesi” – pjesa I – Fonologjia (1978); “Bajroni në Shqipëri” (1978); “Përshkrim fonematik i të folurës arbëreshe të konteshës Entellina”(1978); “Etnia shqiptare në Itali” (1978) etj. U nda nga jeta më 26 korrik të vitit 2017. Veprimtaria e tij i ka dhënë nxitje zhvillimit të albanologjisë në universitetet italiane gjatë një periudhe të vështirë, duke garantuar formimin e një brezi të ri studiuesish arbëreshë. Është dekoruar me disa çmime ndërkombëtare ndër të cilat iu akordua edhe Urdhrin “Naim Frashëri” më 1992. http://www.archivioradiovaticana.va/…/nd%C3…/sq-1327174

Filed Under: Komente

Pavendosmëria, vetëvrasja e ngadalshme

July 26, 2024 by s p

Agim Baçi/

(Shënime për romanin “Konformisti” të Alberto Moravias)

Sa e mundur është të kapërcesh fëmijërinë? A janë vendimtare marrëdhëniet që ndërtojmë me prindërit në hapat e para të jetës? A mund të jemi në fund të jetës tonë vetvetja nëse kemi bërë vetëm atë që na kanë thënë të tjerët? Alberto Moravia i përket atyre shkrimtarëve që heronjtë e tij i ka në kufijtë e brishtë mes instiktit dhe pamundësisë. Duket sikur nuk denjon aspak të ketë heronj që ndryshojnë botën. Moravias i intereson ajo që rrezikon të mbetet e fshehur brenda gjithsecilit, e duke qenë e tillë, edhe mund të kthehet në bombën e ndjesive ose në fundosjen e atyre që kurrë s’arrijnë të lexojnë vetveten. Marçelo, personazhi kryesor i rrëfimit “Konformisti” është një person që ka vulën e tij të pavendosjes dhe dyzimit në fëmijëri. Ai është personi i rritur me prindër që e kanë patur gjithnjë larg vetes, me nënën që tenton të jetojë “e lirë”, larg çdo detyrimi dhe babain i dyshuar për të çmendur. Ndërkohë, brenda gjithë ndjesive e ka të pamundur të shmangë peshën e dhunës ndaj tij, një peshë që e ka çuar në vrasjen e personit që deshi ta joshte, ish-priftit Lino.

E gjithë kjo panoramë e asaj që thur Marçelo për vetveten është një ndjesi e pandalshme pafuqie për të kapërcyer të dhunshmen brenda vetes. Nuk i bën punë as të qenurit një person i mirëarsimuar. Madje, nën këtë peshë ai është gati të marrë përsipër gjithçka, që të sigurojë një jetë të qetë.

Moravia na e prezanton Marçelon në prag të martesës me Xhulian. Kur e prezanton ai është personi që ka marrë përsipër të jetë agjenti i fashistëve. Moravia, i njohur edhe si mbështetës i antifashistëve në rininë e tijm i mvesh Marçelos portretin e njeriut që kërkon të jetë në rregull me atë që i kërkohet, duke shtypur brenda vetes gjithçka që mund të dëshirojë vetë, edhe kur ajo është krejt e kundërta e asaj që bën. Guximi për të vepruar sipas dëshirës së tij, për të besuar apo kundërshtuar, për Marçelon ka marrë fund me kundërshtimin e mikut të tij të fëmijërisë, Robertit, kur ai i kërkonte të bëheshin bashkë për të vrarë hardhucat dhe qentë. I vetmi moment rebelimi ka qenë kur shokët e klasës e kanë thirrur “Marçelina”, ndërkohë që dëshira për t’u dukur e bëri të kishte historinë me Linon i cili, edhe pse nuk arriti ta dhunonte seksualisht, i la atij peshën e një mëkati të pandashëm.

Kërkesa e Xhulias pak përpara martesës që që t’ia rrëfejë priftit mëkatet i jep mundësinë të kapërcejë të fshehtën e tij. Por Marçelo nuk i përket atyre që duan të vendosin vetë, të marrin vetë në duart e tyre fatin. Ai pret të vendosin të tjerët. Merr përsipër të vrasë profesorin e tij të universitetit. Në këtë rrugëtim i bashkëngjitet Xhulia, e cila nga një adhuruese në momentin e njohjes, vjen e rritet si personazh, duke qenë më e vendosur për atë që kërkon për jetën e saj. Ajo rrëfen të shkuarën e saj, rrëfen se është përdhunuar, duke marrë përsipër edhe rrezikun se mund të braktisej nga i shoqi pas rrëfimit të së vërtetës. Një rrezik që Marçelo nuk e ndërmerr kurrë.

“…Marçeloja, para se të përgjigjej, heshti një çast. Tani ndërgjegjësohej se kishte ardhur çasti për të folur për misionin e vet, i cili, siç e dinte, parashikonte veprime të dënueshme, madje të dënuara që më parë nga normat e krishtera. E kishte parashikuar atë çast dhe me të drejtë i kishte dhënë rëndësi të madhe aftësisë së vet për ta kryer misionin. Atëherë, me një ndijim të qetë dhe të trishtuar të një zbulimi të parashikuar, vuri re, meqë gati po e hapte gojën të fliste, se ndiente një neveri të pakapërcyeshme. S’kishte neveri morale, as turp, as ndonjë lloj faji; përkundrazi, diçka krejt e ndryshme që s’kishte asnjë lidhje me fajin”. (Alberto Moravia, “Konformisti”, Përktheu Klara Kodra, “Toena”, f. 153)

Pra, vlera apo dyshimet vijnë e zerohen përballë personazhit tonë, që është gati të marrë vendimin të vrasë Kuadrin në Paris e të shohë me indiferencë historinë që gruaja e profesorit, Lina, kërkon të tundojë Xhulian në preferencat e saj seksuale. Bindja se duhet të shërbejë për atë që i kërkohet, pasi kështu mund të bëhet pjesë e pranueshme e shoqërisë, merr rolin vendimtar në jetën e tij. E pas arritjes së detyrës që iu ngarkua, duke shkelur në çdo kohë vetvetn, vjen edhe vdekja, ashtu aksidentale, si vetë jeta e tij. Ai ikën si portret i pavendosmërisë.

Jo pak kritikë në Itali apo mbarë botën e kanë konsideruar romanin e Moravisë si një libër që lidhin angazhimin e autorit me debatet mbi fashizmin dhe të majtën. Por kjo linjë mbetet krejtësisht në hije përballë pikëpyetjeve që ngre personazhi ynë lidhur me vetëvrasjen morale që shkakton konformizmi i përhershëm, kur njeriu nuk guxon të bëjë pyetjet e duhura apo të japë përgjigjet e duhura.

“Mendoi në atë çast se në rast se kishte pasur gabim, gabimi i parë dhe më i madh ishte ai se kishte dashur të dilte nga anormaliteti i vet, të kërkonte një normalitet çfarëdo nëpërmjet të cilit të komunikonte me të tjerët. Ky gabim kishte lindur nga një instinkt i fuqishëm; për fat të keq normaliteti me të cilin ishte ndeshur ky instinkt, s’ishte veçse një formë e zbrazët brenda së cilës gjithçka ishte anormale dhe arbitrare. Në përplasjen e parë, kjo formë ishte bërë copë e thërrime; dhe ai instinkt aq i përligjur dhe aq njerëzor e kishte shndërruar në xhelat atë që kishte qenë dikur viktimë”. (Alberto Moravia, “Konformisti”)

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT