• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2024

Fatkeqësisht Kosova nuk është në modë!

August 31, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Duke e parë reagimin në kor të diplomatëve perëndimorë dhe të qendrave ndërkombëtare të vendosjes është e qartë kundër çdo veprimi qeveritar në veri, madje edhe ndaj mbylljes së strukturave ilegale të Serbisë së operojnë në territorin e Kosovës, është e qartë se ka një zotim ndërkombëtar dhe një vendosmëri që veriu i vendit të mos kontrollohet nga autoritetet vendore shqiptare të Kosovës. Ndoshta nuk është ndonjë marrëveshje ndërkombëtare, por shumë gjëra lënë me kuptua se një linjë e tillë e ndarjes nga brenda është përcaktuar në Marrëveshjen e Helsinkit të 18 qershorit 1999. Nëse është kështu, atëherë është e qartë se mbyllja e strukturave ilegale të Serbisë brenda territorit të Republikës së Kosovës ka këto pasoja:

– Dëmton relacionet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare;

– Legjitimon vetviktimizimi e serbëve;

– Dëmton investimet e shtetit serb për minimin e shtetësisë së Kosovës nga brenda;

– Dëmton kredibilitetin e ndërkombëtarëve të cilët për dy dekada na ligjëruan për rrezikun dhe pamundësinë e zhbërjes së strukturave paralele;

– Pamundëson ndarjen e brendshme të Kosovës dhe e bënë i relevante peshën e asociacionit;

– Dëmton strategjisë serbe për ndërtimin e një konflikti permanent në Kosovë;

– Zhbënë strategjinë serbe për instalimin e mendësisë së përkohshmërisë së çdo gjeje në Kosovë;

– E dëmton idenë se një ditë, duke u thirrur në klauzolat e Rezolutës 1244, mund të realizohet kërkesat serbe dhe ndërkombëtare për rikthimin e disa njësiteve policore serbe në lokalitet dhe manastiret serbe, ashtu siç u kërkua rikthimi i dinarit serb;

Kjo situatë tregon qartë se diplomacia dhe politikanë nuk nisen nga premisat morale, por gjeopolitike kur e trajtojnë një problem të caktuar. Nëse është kështu, dhe është kështu, në rend të parë duhet shmangur një diskurs konfrontuese nga i cili mund të dalim humbës dhe në shenjë ndëshkimi të legjitimohen kërkesat e Serbisë dhe miqve të saj për krijimin e një autonomie të serbëve në Kosovë, si hap kalimtar për defunksionalizimin e shtetit të Kosovës, për t’u pasur pastaj me një status të ri të privilegjuar për Kishën Ortodokse Serbe, që kalon përtej aranzhmaneve që i garanton Plani Gjithpërfshirës i Ahtisaarit.

Për më tepër, në këtë situatë delikate klasa jonë politike në pozitë dhe opozitë duhet të demonstrojë një qasje me rezonë shtetëror, që nuk ndërlidhet me asnjë përfitim partiak të momentit, aq më pak zgjedhjet e ardhme nacionale.

Prandaj, kemi të drejtë të kërkojmë edhe qartësi nga qendrat e vendosjes, çfarë dëshirojnë deri fund nga ne, edhe sa kompromisi kërkohen nga ne? Ose ata që komunikojnë me partnerët ndërkombëtarë le le të na e thonë të vërtetën, çfarë po duan nga ne, ngase dikush, njëra palë, ose po fsheh të vërtetën ose ne nuk po e lexojmë si duhet zhvillimet gjeopolitike. Më mirë një fund i keq sesa një e keqe pambarim!

Mbeten shumë pyetje të hapura të cilat kërkojnë qartësi!

– A duhet bashkësia ndërkombëtare të na jap një afat kohor, 1, 2, 3 apo më shumë vjet për hapjen finale të urës në Ujëbardhë(Ibër);

– A duhet bashkësia të ofrojë një perspektivë dhe një plan se si duhet t’i qasemi veriut apo ajo po kërkon alibi për etablimin e autonomisë sa më të madhe për serbët;

– A duhet të qartësohet pse me Aneksin e Ohrit kërkohet hapja e Pakos së Ahtisaarit për çështjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe;

– A duhet Kosova ta ketë të qartë çfarë nënkupton kërkesa e ndërkombëtareve për kompromise të reja nga pala kosovare;

– A duhet bashkësia ndërkombëtare të na thotë nëse asociacioni e funksionalizon shtetin e Kosovës apo e minon;

– A duhet bashkësia ndërkombëtare të na tregoj nëse asociacioni nuk e respekton Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, a duhet të zhbëhet apo duhet negociuar në Bruksel;

– A duhet të na qartësoj çfarë duhet bërë Kosova nëse asociacioni provon të legalizoj struktura policore si zgjatje e Serbisë;

– A duhet të na e sqaroj bashkësia ndërkombëtare pse ekziston kjo vendosmëri për ndarje të brendshme të Kosovës sipas modelit të Bosnjës;

– A duhet të na e qartësojë BE-ja përse njohu pasaportat ilegale të Serbisë ku qytetet e Kosovës paraqiten si territor serb;

– A duhet të na e qartësoj bashkësia ndërkombëtare nëse edhe Kosova mund të lëshojë pasaporte ku Preshevë, Shkupi, apo Ulqini mund të paraqiten si territor i Republikës së Kosovës;

– A duhet të na e sqaroj bashkësia ndërkombëtare pse duhet të ketë Tribunal një-etnik vetëm për shqiptarët e Kosovës në kohën kur në Serbi qeverisë komplet një strukturë e politikanëve që dikur ishte në shërbim të aparatit represiv dhe të ideologjisë serbomadhe të Milosheviqit;

– A mund të na e sqaroj bashkësia ndërkombëtare si mund të armatoset pa kushte një shtet që ka bërë luftëra dhe krime të luftës të papara që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe kur për çdo ditë bënë përpjekje për ta revizionuar të kaluarën;

– A duhet të na e sqaroj bashkësia ndërkombëtare përse ajo që kërkohet për serbët në Kosovë nuk vlen edhe për shqiptarët e Luginës apo Maqedonisë;

– A duhet të na tregoj bashkësia ndërkombëtare a na konsideron shtet evropian apo na sheh vetëm si mbetje kulturore dhe fetare e Lindjes?

Kosova ka vite që është lodhur dhe nuk ka këllqe të përballet pafundësisht me kurthe të tilla për defaktorizimin e elitave politike sa herë që ndërkombëtarët shtrojnë nevojën për kompromise të reja në dialogun Kosovë-Serbi. Vështirë të besojmë se ka qenë koincidencë e rast që bashkë me vendimin për rifillimin e dialogut të Brukselit na shfaqet si rrufe teoria konspirative e shekullit, ajo e “trafifikimit të organeve”, e cila me kalimin e kohës u zhbë, por pasojat e saj mbetën, u krijua një Tribunal për dënimin vetëm të shqiptarëve. Po thuajse, të gjithë duartrokitën se drejtësia duhej bërë se “reja e zezë” mbi Kosovën duhet hequr, edhe pse Kosova, si asnjë vend tjetër në ish-Jugosllavi, ishte gjykuar në vazhdimësi nga gjykata e UNMIK-ut (OKB), EULEX-it (BE), Serbisë. Edhe sot, si dikur në vitet 1980-të, kur në pushtet erdhi Milosheviqi, ka filluar teoria të afishohet teoria e viktimizimit të serbëve, si strategji për të na bindur se ky komunitet i privilegjuar historikisht, ka arsye për të jetuar të veçuar dhe jashtë sistemit shtetëror të Kosovës. Dhe beteja për këtë nuk ka filluar as sot dhe as dje, por nga 12 qershori i vitit 1999, kur Serbia bashkë me miqtë e saj kishin nisur një fushatë për të kthye përmbys të vërtetën e asaj që kishte ndodhur në Kosovë në harkun kohor 1989-1999. Nga ky moment filloi revizionimi i të vërtetës dhe shumë organizata ndërkombëtare, në sinkroni me propagandën serbe, filluan të flasin për dëbimin e 250 mijë serbëve nga Kosova, në kohën që asnjëherë në Kosovë nuk kishte patur një shifër kaq të lartë të serbëve. Dhe paralelisht, siç thoshte Ismail Kadare (“Le Mond,” dhjetor 1999), filloi të përhapej me këmbëngulje narracioni “se një pjesë të shqiptarëve i paska varrë UÇK-ja”. Dhe qëllimi ishte që opinioni publik ndërkombëtar të lodhej me Kosovën, me fjalë të tjera të relativizohej ajo çfarë kishin bërë serbët në Kosovë. Fatkeqësisht Kosova nuk është në modë!

Filed Under: Rajon

Ja që dhe poezitë e Omer Khajamit mund të lexohen dhe në shkodranisht

August 31, 2024 by s p

Luan Rama/

Kur më ra në dorë ky libër me poezitë e Omer Khajamit të përkthyer nga Arben Hysi u habita pasi përkthimi ishte në të folurën e vjetër shkodrane. Arbenin e njoh prej kohësh dhe është nga të përhershmit në veprimtaritë kulturore të Maison de l’Albanie në Paris. E dija se ishte një koleksionist i librave të vjetër dhe të zgjedhur, veçanërisht të letërsisë klasike, për më tepër franceze, me autorë që pak dëgjohen sot por që janë pjesë e historisë së letërsisë. Madje një ditë më tregonte për një libër të Dekameronit në frëngjisht dhe « numeroté » siç i ka qef ai, pra në një botim të kufizuar, ndoshta në 100 kopje. Eshtë i apasionuar pas poezisë. Dhe kështu, kureshtar nisa të lexoj « les quatrines » apo « Katërshet » siç e titullon librin, me një fjalë poezi në katër vargje. Prej vitesh Khajami ka qenë i njohur në Shqipëri veçanërisht nga Noli me vëllimin me poezi të poetit të madh sufi. Në një botim për verërat franceze, ku mes të tjerash shkruaja dhe për poetët dhe vera, kisha vendosur dhe një poezi të Khajamit për verën, krahas Bodlerit, Colette, Apolinerit e shumë të tjerë. A nuk shkruante Khajami se « Dëgjoj të thonë se ata që adhurojnë verën do të dënohen. Por kjo nuk ka si të jetë e vërtetë. Është një gënjeshtër. Nëse adhuruesit e verës dhe të dashurisë do të shkonin në ferr Parajsa sigurisht do të ishte një vend i zbrazët. »

Kështu përmes shkodranishtes hyra në botën poetike të poetit persian çka në fillim më dukej e habitshme. Për përkthimin, Hysi kishte përdorur një përkthim të një studjuesi gjerman të fillimit të shekullit XX (1914), Friederich Rasen, i cili ishte botuar në frëngjisht. Pra më dukej pak i komplikuar përkthimi i një gjermani, pasi kështu poezitë kishin udhëtuar nga persishtja në frëngjisht dhe tashmë në shkodranishte. Hera e parë që Khajami përkthehet me gjuhën e folur në Shkodër. E megjithatë gjuha e këtij libri duket interesante dhe e figurshme dhe besoj se një shkodran do ta pëlqente dhe lexonte nisur nga nostalgjia e gjuhës me të cilën është rritur. Gjuha është melodioze :

« Dikur diçka ishim, diç, jo vetëm fjalë / sa ikme, u’harruem, a thu kjemë kotit ?… »

Gjatë përkthimit fjalët përdoren, ashtu siç i ka mbajtur mend ai në qytetin e lindjes, fjalë si, « bylbyl kangtor », « nadje kuçerreme », « nën ashkun e dashnisë », « drandofilë », « kjo botë prafullon », « idhnimi », « hupëm » ; etj çka na kthejnë në një kohë tjetër.

« E na, tash’n’ode vetëm të qeshun/ çka festojmë kët’verë – plot lule veshun / Jam plaku Kajam, lan’ n’mëshirë t’fatit/…

Hysi ka qenë një detar që ka rrahur botën dhe prej dy dekadash tashmë është ngulur me familjen e tij në periferi të Parisit. Ndoshta ky udhëtim nëpër dete ka bërë që përveç gjuhëve që ka mësuar, ta ruajë me xhelozi gjuhën e tij të fëmijërisë dhe të rinisë.

« Gjithshka i loj shahu, nat’ dit’ pa marru / si ushtar t’heshtun n’fatin tonë pa kthim /katror n’katror, nji mas nji të vramë / të tjerë në kuti, deri në amëshim… »

Lexoja vargjet në shkodranisht dhe mendoja se si ky njeri që s’kish botuar më parë ndonjë libër kishte rënë në dashuri me poetin e lashtë të lindur në maj të vitit 1048 dhe që kishte vdekur në dhjetor të vitit 1131. Padyshim në fillim do kishte pyetur : Cili është ky poet ? Nga vjen dhe nga cili cep i botës, nga cili qytetërim ? Dhe kështu aventura e tij me Khajamin kishte filluar duke përkthyer strofë pas strofe, pa menduar se një ditë këto strofa do i botonte. Sigurisht një përjetim poetik duke jetuar me poetin dhe botën e tij sufi ku rëndësi në jetë ka dashuria njerëzore, e dashura, gruaja dhe vera për tu dehur disi në këtë botë efemere. Mbase Hysi e shihte veten si një pinjoll i tij, pasi ashtu si Sokrati në Athinë dhe Khajami, poet, matematikan dhe astronom, kishte nxënësit e tij në observatorin e Ipsahanit.

Përkthimi i parë i «Rubairave » apo « Robbayate » u bë nga anglezi Edward FitzGerald më 1850, dorëshkrim që është sot në Oxford dhe pas tij nga francezi Charles Grolleau. Në fakt, dorëshkrimi më i vjetër i Rubairave daton 3 shekuj pas vdekjes së tij dhe ruhet në Stamboll. Një poet i madh padyshim, matematikan dhe astronom, i influencuar nga mendimtarë të mëdhenj si Avicenne, Al-Biruni, Euclide (për të cilin ka lënë dhe një traktat), Apollonios de Perga etj. Thëniet e tij u shkruan në librat e artë të popujve: “Pemën e trishtimit mos e mbill në shpirtin tënd. Cdo ditë lexo librin e gëzimit”, “Nata s’është tjetër, veç qepalla e ditës”, “Ngrihu, kemi gjithë përjetësinë për të fjetur”, e qindra sentenca të tjera… Dhe kështu ti gjendesh ballë Khajamit me poezi në shkodranisht. Pse jo, janë poezi që kanë një filozofi njerëzore, që i këndojnë dashurisë, gruas, verës, ku ngjizen në fjalët e tyre hëna, fyelli, gonxhet e trëndafilave, këngë që në ato kohë bënë që ai të vdiste në moshën 85 vjeçare. Kohë e artë për atë epokë.

“O ti njeri me kaq vrull nga bota e shpirtit / ti që habitesh e pyet rreth numrave 5,4,6 dhe 7 / pi verë, pasi ti e di nga vjen /gëzohu, pasi ti e di ku shkon…”.

Shumë shkrimtarë të shquar e kanë vlerësuar këtë poet persian popullor, i cili meqë kishte të atin shitës tendash, pra “khajam”, mori mbiemrin Khajam. Mes tyre dhe akademikja franceze Marguerite Yourcenar.

Këto poezi në shkodranisht janë ilustruar nga piktori Zamir Mati me vizatime mjaft elokuente dhe elegancë. Dhjetra e dhjetra vizatime që të fusin në botën poetike të Khajamit dhe që e bejnë këtë libër të këndshëm. A nuk thoshte Khajami se “Ligji im është vera dhe humori i gëzuar / feja ime është indiferenca ndaj ligjit dhe dyshimit. E pyeta të fejuarën time që për mua është vetë bota: ç’peshqeshe do? Dhe ajo më tha: zemra tënde e gëzuar është peshqesh për mua…”

Filed Under: ESSE

MEDITIM PËRBALLË ARMËVE TË MUZEUT ETNOGRAFIK TË MALËSISË NË TUZ

August 31, 2024 by s p

NGA  NDUE  BACAJ

HYRJE

Ah armët e muezeut!… Ato më fusin në mendime e më “kthejnë” mote e shekuj prapa. Ato më kujtojnë çfar kanë hequr të parët tanë në mbrojtje të trojeve tona , të drejtave tona, të lirisë e identitetit tonë. Sa lufta u ba, për jetesën e në të shumtën e kohës mbijetesen, sa gjaku u derdh , sa mundime, sakrifica e mjerime  kaluan të parët tanë, sa dyer shtëpiash u mbyllen me “ferrë”, sa votra u fikën për të mos u ndezë kurrë ma… E megjithatë ne mbijetuam…mbijetuan duke u mbështetur edhe në armët tona, trashigimia simbolike e të cilave është e sistemuar edhe në Muzeun Etnografik të Malësisë në Tuz nga krijuesi e pronari i keti muzeu z.Shtjefen Ivezaj Në këtë meditim të vogël para permbajtjes së madhe të Muzeut etnografik, nuk po munden pa sjellë në kujtesë një poezi brilante që u kushtohet sakrificave dhe mjerimeve që suallen e lanë pas  luftrat, në mbrojtje të trojeve shqiptare nga lakmitë e fqinjëve shoven e më gjërë.  Poezia ndonse i kushtohet gruas hotjane, ajo poezi është perfaqësuese shumë  më shumë, veçanarisht për Malesinë e Madhe si “balli” i shqiptarisë e më gjërë.

GRUEJA  HOTJANE  

Nji grue e vejueme 

Len ksollen n’mallim, 

Ku jetën pat shkuemun, 

Plot gaz e vajtim.

Me djepin mbas shpine , 

Me  shkopin në dorë, 

Tek ulet prej malit, 

Q’asht veshun me bore. 

Prej ksolles  së dashtun 

I duhet me dalë, 

Prej tmerrit me pshtuemun 

Të dashtunin djalë. 

Derdh lot prej mallimit, 

Katundin tuj pa, 

Se burri për kombin 

Atje i qe vra. 

“Lamtumirë !” tue dnesun 

Kasolles i thot’ 

E’ mollzat e faqes 

I mbushen me lot. 

N’vegim tek i duket 

I shoqi ndër re ; 

Kësaj shpirti i kputet 

E rrxohet përdhe. 1.

ARMËT E MUZEUT: 

Armët kanë qenë të  shumëllojshme , ato kanë ardhur duke u permirësuar. Studiuesi dhe etnografi At Kolë Berishaj i ka rënditë këto armë edhe sipas një  dëshmie të marrur nga një plak 115 vjeçar nga Arza e Traboinit  (Ucë Tomë  Gjelaj). Ai armët e zjarrit i “rendiste”: -Huta e zakonshme apo huta kacaturrë , – Kapsulaça, – Huta Martine, – Kapaklija, – Berdanka, -Ostrogusha, -Novica.. Pos këtyre ka pasë edhe armë të tjera që malësorët shqiptarë i “thirrnin” me emrat: -Xheverdare, – Karajfile, – Ltine, – Breshane, – Novicë, – Dodume… Armët shqiptari i ka mbajtë per mbrojtjen e vet , per mbrojtjen e vendit , si dhe per stoli e per plotësimin e trupit të vet. Në mentalitetin e vet , burri shqiptar ka qënë i hijshëm me shkua me armë , sidomos kur janë mbledhë në log të kuvendit. Kudo e kurdo me pa shkue pa armë i është dukt vetja si i çuditshem , si i ngathun  e si me pasë diçka mangut. Shqiptari pra  s’ka  mujtë me ndejë pa armë.  Armët të shumtën e herës  i ka marrë në luftë , por kur  s’ka mujtë ndryshej ka shitë kanë e kularit  dhe e ka ble pushkën  e pa të nuk ka ndejë.  Pushken e ka mbajtë nuse : të paster , të dlirtë si pasqyrë .  Asht per tu theksua se në atë kohë nji hutë kacaturre  ka kushtue 600 grosh , ndersa nji dele 10 grosh. Për armë edhe janë benue (kanë ba be). Kur burri shqiptar  ka thënë : “Pasha armët” , shqiptari  as të ka rrejtë as të ka hanger fjalët.  Për armët edhe janë lavdue…2.  Ndersa një studiues huaj i fundit të shekullit XIX per “dashurinë” e shqiptarëve për armët  do të shkruante : “Dorezat e revoleve  që shqiptari mban në brez  , janë të gjitha  të gdhendura dhe të zbukuruara , por po i pelqeu më shumë pushka , ajo është e gjatë , e hollë  dhe njësoj e gdhendur  dhe e zbukuruar , shpesh me gurë të çmuar , me  një gdhendje  të artë për  gjatë  tytës.3.  Siç tregon historia jonë , armët kanë qenë “shokët besnik” të pandarë të malësorve e shqiptarëve ndër mote e shekuj , shpesh edhe në kushte mbijetese. Edhe Kral  Nikolla i Malit te Zi , (ndonse në përgjithsi në luftë me malësorët shqiptarë , për interesat e zgjerimit të Malit të Zi ) , si  poet dhe si njohës i psikologjisë e trimërisë të malësorve në mbrojtje të nderit , jetës dhe trojeve të veta , e ka pershkruar me mjeshtri , por edhe me realizëm “shoqerinë” e pandarë të malësorve  me  pushkët e tyre.  Në  poemen me titullin  domethënës: “Kryengritja e Malësorëvet” (Malisorski  Ustanak, shkruar në vitin  1911), i kushton  ndër te tjera  edhe disa vargje brilante , momentit kur  Tergut Pasha  i kishte thirrur  (me hile)  në Shkoder malsorët me armet e tyre, për një takim gjoja të rëndësishem dhe në interes të malësorve… Por  në kushtet e pabesisë  e  rrethimit nga ushtria turke, u thotë  malesorve per  t’i  dorzuar  armët tek autoritete turke të Shkodres , pasi  armët e tyre janë të vjetruara , dhe në vend të tyre autoritetet  turke do t’u  jepnin gjoja  pushkë të reja… (Gjë që në të vertet doli mashtrim) . Kral Nikolla  duke e përshkruar këtë moment delikat të “ndarjes” të malesorve me pushkët e tyre ,  pasi thotë se  pushka  u ishte shoqe besnike , e prandaj tash mjerohen me e lanë në fund të ndonjë depoje  o nendhece  ku do të myket. Secili mban pushkën para duersh  e puthë  dhe me të falet kështu:   

“…Lamtumirë , moj pushkë gjaksore , 

Mori shpresa  eme e moçme  ,

Sulltani tjeter po më falë , 

E thonë se ajo ty ta kalon .

Por krizma jote  shumë ma larg nepër bjeshkë ndihet. 

Ti o shoqe ke luftue në Javor  ,  

Të asht ndie krizma nepër Greçë , 

Ke shkelxye  ti për në Shpuzë  dhe prej Tivari ,  

Malazezët  ti i ke vramë , 

Besa edhe shejet edhe shqipet , e nepër liqej e kneta  , 

Rosa e shpend  të egjër e krahpraruem…  

Me nafakë më je kenë gjithmonë  ,

E unë  kurr  s’ta kam lanë fëtyren me tu nxi , 

Ti  je kenë si pasqyrë ,  

Ti je kenë uzdaja e eme. 

Lamtumirë  pra shoqe  besnike , 

Mue më pret nji pushke e re , 

E ty e mue  së bashku na kjoftë , 

Faqja e bardhë e ndera per gjithmonë.    

A thue do  m’errsohesh  ndër depot e tmerrshme , 

Ku nuk deporton dielli  i shkelxyeshem , 

E mbreteron  lagështina  ? 

Për i  mend unë  drue se po , 

E prandaj ahmarrse  para se të  dahem pergjithmonë , 

Dua t’a puthi edhe nji herë  fëtyren tande të shkelqyeshme…”.4.  

Duke parë se shqiptari dhe arma e tij kanë qenë gati “sinonim” i njeri tjetrit  më shkon mendja te vargjet lapidare të homerit shqiptare (At Gjergj Fishtes):

“…Kemi këndue po armët besnike 

Që flakërue kanë në dorë t’Shqiptarve

Kah kanë dekë per besë jetike 

Kah kanë dekë kta , për DHE t’parëve..” .5.

REFERENCAT:

1.Hilë  Mosi , Vepra letrare , fq.314-315, sh.b.”Naim Frashëri” ,Tiranë 1986.

2.At Kolë P. Berishaj , Etnografi -3- , fq.46-48 , Enti botues  poligrafik “At Gjergj  Fishta”, Tiranë 2003.  

3.John  Foster  Fraser ,”Shqiperia e  Poshtme” , fq.11 ,botimi shqip : Zenit Editions 2009.   

4.Botim special i rev. “Leka”me me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë , 1937 , fq.19(621)-20(622). 

5. At Gjergj Fishta; Mrizi i Zanave,fq.9

Filed Under: Sociale

Dosjet e vëllezërve Prifti, së shpejti në disponim të familjes, dhe kujtimet që kanë lënë Peteri dhe Naumi

August 31, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Sigurimi shqiptar kishte hapur dosje për të dy vëllezërit Prifti, Peterin në Amerikë dhe Naumin në Shqipëri, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish- Sigurimit të Shtetit sapo i njoftoi familjarëve se dosjet do të jenë në disponim pasi të përmbushen kërkesat protokollare. Të dy vëllezërit ishin të survejuar dhe për të dy jeta mund të kishte shkuar në drejtim krejt tjetër për një veprim të vetëm, një shkrim, vepër apo edhe një fjalë goje. Në kujtimet që kanë lënë të dy evidentohet sesi pushteti i survejonte dhe njëherit tentonte të rekrutonte një vëlla për veprimtari agjenturore. Për ironi, të njëjtin pikësynim kishte edhe FBI.

Është një rast i rrallë në historinë memuaristike ku të dy vëllezërit kanë dhënë përshkrimet e tyre për përvojat që kanë pasur në këtë pikë: Peter Prifti, 1962-1966 FBI dhe Unë, Naum Prifti – Sigurimi Shqiptar Orvatet ta Rekrutojë Peter Priftin.

Shkrimin për përndjekjet e FBI Peteri ju lut Naumit të mos e botonte sa ishte gjallë dhe vëllai ia respektoi dëshirën duke e botuar pas vdekjes së vëllait në vitin 2010. Ja se c’shkruan aty: FBI (Byroja Federale e Hetimeve) e kontaktoi Peterin për herë të parë në Boston në fund të vitit 1962, pak kohë pas vizitës së tij të parë si turist në Shqipëri. Në atë kohë ai ishte Asistent Shkencor në Qendrën e Studimeve Ndërkombëtare MIT – Massachusetts Institute of Technology.

Naum Prifti e quante një nga paradokset e jetës faktin që ndërsa Peter përndiqej nga FBI nën dyshimin se ishte agjent komunist, regjimi komunist i Tiranës i refuzonte hyrjen -deri në prill 1985 – për arsye të dyshimeve se ishte “agjent i imperializmit amerikan” sikurse etiketoshehin shqiparët që punonin në institucione amerikane. Natyrisht, nuk e përmendnin faktin se Peteri kishte refuzuar të rekrutohej nga Sigurimi Shqiptar. Gazeta Dielli e datës 17 tetor 2019 ka botuar shkrimin e editorit Dalip Greca, Dosja e Vatrës: Editorët e Diellit në Objektivin e Sigurimit.*

Vëllai i madh, Peter, i vetëdijshëm për pasojat që mund të kishte për familjarët puna e tij, kujdesej të publikonte në mënyrë anonime ose me pseudonim, sic është rasti i artikullit Albania in the Post-Hoxha Era – (Shqipëria në Kohën pas Enverit), shkruar nga PFR Artisien, studiues anglez dhe nga Peter Prifti, por e botuar vetëm me një autorësi. Ne librin Remote Albania Politics of Isolation, Onufri, 1999, Peter shkruan se ai vendosi të ishte anonim në këtë artikull për arsye personale meqë kishte 14 vjet që priste të merrte vizën për të ardhur në Shqipëri dhe nuk donte të jepte asnjë shkas që ta humbte shansin e vizitës në atdhe. Kjo fare mirë mund të ndodhte nëse nëpunësit shqiptarë do ta quanin “problematik” artikullin me bashkautorësinë e tij. Shkrimi është botuar në revistën The World Today, The Royal Institute of International Affairs, London, June 1985, pp. 107-111. (Si koment anësor mund të them se artikulli edhe sot të mahnit me parashikimin e të ardhmes politike të Shqipërisë pas vdekjes së Enverit, që autorët e shohin se “do kushtëzohet nga zhvillimet e kohës në arenën ndërkombëtare por më së shumti nga e kaluara e vendit.” Edhe pas 40 vjetëve analizes se shkrimit nuk i ka kaluar koha sepse e ardhmja e Shqipërisë ka mbetur peng i të shkuarës!)

Ndërsa Peter ishte i kujdesshëm të ruante familjen në Shqipëri, nga ana e tij vëllai i vogël në Shqipëri, Naumi, kujdesej që të ndihmonte lejimin e ardhjes së tij në atdhe duke mbledhur shkrime ku Peter kritikohej për “qëndrime komuniste” në shtypin e diasporës shqiptare në Amerikë. “Peterit iu ndalua viza për të hyrë në Shqipëri, meqë ai refuzoi rekrutimin nga Sigurimi dhe meqë komunistët shqiptarë e kishin të tyren moton se “Kush nuk është me ne, është kundra nesh.” Ata e futën Peter Priftin në listën e zezë të atyre që u ndalohej hyrja në atdhe, njëlloj si emigrantëve politike, shkruan Naumi. Meqenëse viza iu refuzua disa herë, Naumi thotë në kujtimet e tij se “e ndihmoi fati të gjente disa kritika të hidhura kundra Peterit tek “shfletoja koleksionet e gazetës Dielli në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare.” Qëllimi ishte t’i mblidhte të gjitha së bashku për t’ia dërguar Ministrisë së Jashtme që nëpunësit të lexonin se Peter, i etiketuar prej tyre si “reaksionar” kritikohej prej anës tjetër se “herë pas here na can kokën me politikën kundër Amerikës.”

Por. Naumi hoqi dorë nga ideja, ngaqë sic thote, “e dija që ata besonin vetëm informatat që merrnin nga agjentët e tyre.” Më tej, Naum Prifti rendit disa fakte për Peter Priftin:

Më 1957 Zëri i Amerikës i propozon Peterit ta marrë në punë si redaktor të emisionit shqip. Peteri e refuzoi atë kërkesë. Në vitet 1959-1960, Peter shkon te Dielli si bashkë-editor me Qerim Panaritin. Pas një viti, jep dorëheqjen si bashkë-editor, boton një artikull për shkaqet e largimit por qëndron si Sekretar i Vatrës. Bashkë me Peter Vangel organizon një Seminar për Studime Shqiptare në Boston në gusht 1960, ku merr pjesë edhe Fan Noli. Më 1962, Peter Prifti vjen për vizitë si turist në Shqiperi. Pasi kthehet në Amerikë, boton një artikull rreth vlerave antike të Apollonisë.

Më 1963-1964 i dërgon Fakultetit të Gjuhës Angleze, Bibliotekës së Universitetit rreth 50 vëllime letrare të autorëve amerikanë edhe anglezë, të cilat ia kërkoi Profesor Skënder Luarasi për nevojat e Fakultetit. Peter i ofron një dhuratë modeste prej 5,000 dollarësh, duke ia besuar këtë detyrë vëllait të tij, Naumit. Gjatë një aktiviteti shkencor ai e paraqiti propozimin te rektori i asaj kohe Kahrem Ylli, i cili i thotë se do ta lajmeroj pasi të konsultohet, por nuk i dha përgjigje asnjëherë. Naumi i shkruan Peterit se “Universiteti ynë ka fondin e vet.”

Duke pasur në disponim së shpejti dosjet e krijuara nga Sigurimi do jetë me interes të shikohet pranëvëna e përmbajtjes së krijuar nga operatorët dhe institucionet e sistemit me përshkrimet që na kanë lënë vëllezërit Peter dhe Naum Prifti.

* https://gazetadielli.com/dosja-e-vatres-editoret-e…/ 17 tetor 2019, Dalip Greca, Dosja e Vatrës: Editorët e Diellit në Lupën e Sigurimit (1958-1959) dhe të FBI-së (1962-2005). Sigurimi: “I zgjuar, por mund të jetë agjent i zbulimit amerikan. FBI: Dosje nga 1962-2005 – Agjent i Sigurimit

Sigurimi: Misioni: As me Peter Priftin, as me Qerim Panaritin, Nxitni konfliktin mes tyre

Filed Under: Komunitet

“Paqja e (pa)mundur me terroristët dhe Putinistët”

August 31, 2024 by s p

Piro Ahmetaj/

Në “kapacitetin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-s”, vijoj të ndjek (24/ 7), me përgjegjësi të shtuar luftën “për/me Ukrainën” si dhe përballjen e Izraelit me një valë të re të përshkallëzimit së sigurisë në lindjen e mesme mbas masakrës së organizatës terroriste të Hamasit më 7 tetor 2023.

Paraprakisht, më duhet të qartësoj edhe më fortë se, për sa trajtoj në këtë opinion, si edhe në çdo rast tjetër, nuk kanë të aspak të bëjnë me paragjykime mbi përkatësinë fetare, etnike, politike, gjinore dhe ngjyre; por as me të drejtën sovrane të vetëmbrojtjes së identitetit kombëtar, integritetit territorial; mbi të gjitha kurrsesi me jetët e qytetarëve të pafajshëm (që vuajnë pasojat e ndërmarrjeve terroriste, neonaziste, neostaliniste, apo çdo forme tjetër të ekstremizmit dhe dhunës barbare), qofshin, palestinez, izraelit, arab, rus, ukrainas dhe çdo vendi tjetër të përfshirë në konflikte të armatosura. Për t’iu rikthyer subjektit të këtij opinioni, sjell në vëmendje një listë të historisë së konflikteve izraelito-arabe: “Rrënjët i ka në ‘Palestinën historike’, në fundin e shekullit të 19-të, kur ‘Sionizmi’ i Theodor Herzl, projektoi atdheun hebre në Palestinë. Në 1948, David Ben-Gurion shpalli themelimin e Shtetit të Izraelit (u njoh nga OKB në 11 maj 1949), por edhe nisjen e luftës I arabo-izraelite. Në 1956 gjatë krizës së Suezit, Izraeli me UK e pushtuan Egjiptin, por nga presioni ndërkombëtar u tërhoqën. Lufta 6-ditore (1967), Izraeli pushtoi Gadishullin Sinai, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës. 1973, Egjipti dhe Siria sulmuan Izraelin gjatë festës së hebrenjve të YomKipurit, por Izraeli i zmbrapsi dhe mori më shumë territore. Marrëveshja e Camp David (1978) e ndërmjetësuar nga SHBA, i normalizoi marrëdhëniet mes Izraelit me Egjiptin. 1987, kryengritjet palestineze shënuan Intifadën e parë. 1993, negociatat e Oslos themeluan Autoritetin Palestinez; Samiti i Camp David (2000); Konferenca e Annapolis (2007), Marrëveshja e Abrahamit (2020), etj.”, që gjithsesi nuk kanë prodhuar paqe të qëndrueshme!

Ndërsa në këtë artikull do të përpiqem të hedh më shumë dritë rreth riciklimit të konfliktit “pas 7 tetorit 2023” ose: “përmbledhje të përditësuar me mësimet e nxjerra nga përballja jo vetëm e Izraelit me organizatat dhe shtetet terroriste; sfidat, impaktet dhe rekomandime për (pa)mundësinë e ndërtimit të paqes në Lindjen e Mesme si dhe impaktet mbi Ballkanin Perëndimor”. Më konkretisht:

Rreth 50 mijë të vrarë dhe mbi 100 mijë të plagosur; mijëra raketa, avion luftarak dhe dronë vrasës; miliona refugjatë në portat e perëndimit si dhe triliona euro shpenzime. Një kosto shumë e lartë, kështu edhe mision pothuaj i pamundur për të bërë një përmbledhje ngushëlluese për jetët e humbura (qytetarë të pafajshëm palestinezë dhe izraelitë) si dhe të solidaritetit “kundër/pro luftës” ndaj ekstremizmit të çdo forme.

Siç dihet, vala e re e konfliktit, nisi më 7 tetor 2023, kur më shumë se 2500 paramilitarë të Hamasit (shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE) sulmuan Izraelin, ndërsa mbi 3000 raketa u hodhën nga Rripi i Gazës duke masakruar mbi 1200 qytetarë në një festë publike; morën si barbare pengje 250 pleq/gjyshër, gra dhe vajza (gjysma ende të padorëzuar), si dhe vijojnë të përdorin si barrikada (ç)njerëzore bashkëqytetarë palestinezë!

Konflikti u zgjerua me përfshirjen “de fakto” të Iranit, mbrëmjen e së premtes datë 13/14 prill 2024, kur një shi me 300 raketa vrasëse goditën brutalisht (fatmirësisht pa zero sukses) hapësirën ajrore të Izraelit: “si hakmarrje ndaj sulmit ajror të 1 prillit 2024”, në konsullatën iraniane Damask, ku mbeti i vrarë gjenerali Mohammad Zahedi, komandant i lartë i Gardës së Iranit (IRGC). Po ashtu për vrasjen e liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, gjatë një sulmi ajror në Teheran, Irani fajësoi “pa asnjë prova” Izraelin dhe kështu të 2 sulmet, i konsideroi si: “shkelje të sovranitetit të Iranit”.

Situata u përkeqësua, me përfshirjen e grupit të armatosur Hezbollah, në vrasjen e 12 fëmijëve nga një sulm me raketa në 28 korrik 2024 në një fushë futbolli në lartësitë e Golanit. Si përgjigje shpaguese nga sulmet ajrore të izraelit në Bejrut në 31 korrik 2024 mbeti i vrarë Foud Shukur, ndër themeluesit e Hezbollahut. Ndërsa si kundërpërgjigje për vrasjen e ushtarakut të lartë, grupi Hezbollah (ndër të tjera akte terroriste në bashkërendim me Hamasin), në 25 gusht 2024 goditi Izraelin me mbi 320 raketa Katyusha (ruse) duke e imponuar Qeverinë e Netanyahut të ndërmarrë një fushatë ajrore ndëshkuese dhe shkatërrimtare ndaj shtabeve, armatimit dhe infrastrukturave kritike të Hezbollahut.

6 (gjashtë) mësimet e nxjerra nga përballja e mbas 7 tetorit 2023:

Mësimi nr. 1: Duke tejkaluar propagandën cinike, më duhet ta përsëris edhe më fort se përtej rrethanave specifike që i janë imponuar Izraelit për mbijetesë: “Ushtrimi i të drejtës së hakmarrjes proporcionale ndaj shteteve apo organizatave terroriste”, mbetet edhe si një sfidë e përbotshme, pasi: “Nëse terroristët e Hamasit, Hezbollahut, apo Shtetit Islamik të Iranit do të gjunjëzonin (në mos shfarosnin nga faqja e dheut Izraelin), nuk do krijonte kjo një precedent fatal për paqen, sistemin e sigurisë globale si dhe vlerat e qytetërimit në mbarë botën?! Për më qartë, për këdo egocentrik mendjendryshkur, por ndoshta të mirë paguar, pyetja mbetet: “Nëse do gjunjëzohej edhe Uashingtoni, Londra, Berlini, Parisi, Roma, Kievi dhe çdo vend tjetër ndaj organizatave terroriste, çfarë pasojash katastrofike do të kishte kjo mbi rendin global, shoqërinë njerëzore, harmoninë fetare, bashkëjetesën paqësore etj.”?! Parë nga ky këndvështrim, luftën e imponuar të Izraelit e gjej: “Jo vetëm në të drejtën sovrane të mbijetesës, por edhe si kontribut shtesë për vlerat demokratike si dhe interesat euroatlantike”!

Mësimi nr.2: Nga kjo përballje e imponuar ushtarake përgjatë 11 muajve të fundit u testuan dhe sprovuan aftësitë e pathyeshme dhe shkatërrimtare të mbrojtjes ajrore të Izraelit, si dhe besimi te fuqia e pamposhtur e flotës ajrore të USA dhe UK, ndaj sulmeve të Hamasit, Shtetit Islamik të Iranit, Hezbollah, etj.. Gjithsesi, mesazhi përbashkët i listës së paskonflikteve të sipërpërmendura mbetet: “Në të gjitha konfliktet, përfshi edhe rastin e fundit, Izraeli me mbështetjen e aleatëve strategjik (USA/UK/BE), jo vetëm ka triumfuar, por edhe ka zgjeruar territorin, pozitat strategjike, bashkë me të edhe peshën gjeopolitike në lindjen e mesme”. Kështu edhe përballja e suksesshme e Izraelit përgjatë 11 muajve të fundit (duke asgjësuar mbi 97 % të raketave dhe dronëve vrasës), shërben edhe si një mesazh force edhe ndaj Putinit, që: “Nëse do të guxonte të sulmonte qoftë edhe 1 metër² të cilido nga 32 vendet anëtare të NATO-s do të mposhtej dhe poshtërohej nga fuqia e pakonkurrueshme e Aleancës Euroatlantike (USA/ NATO/UK/BE)”. Ky mesazh force qëndron edhe për ish-Ministrin e Millosheviçit dhe ushtarin e bindur të Kremlinit (z. Vuèiè), që: “Të mos armatoset duke harxhuar kot së koti mbi 1.3 miliardë euro në vit nga mundi i popullit serb. Kjo pasi asnjë nga vendet e rajonit nuk kërcënon Serbinë, por edhe ajo s’ka këllqe për t’u përballur me aftësitë mbrojtëse të Kosovës (psh., pajisjen e FSK nga USA me 246 raketa Javelin) dhe kurrsesi me fuqinë e sprovuar (1999) ushtarake të Aleancës Euroatlantike”

Mësimi nr.3: Solidariteti diplomatik dhe kohezioni i botës së qytetëruar, demonstruar në terren “konfirmon me vepra” mbështetjen pa kompromis të Izraelit në luftën kundër terrorizmit, si “kërcënim dhe e keqe përbashkët”. Ndërsa prezenca me dy luftanijeve ushtarake të SHBA, UK, etj., në rajon konfirmon mbështetjen pa kompromis të Izraelit edhe për shkak të një lobi të fortë Izraelit në vendimmarrjet e Uashingtonit dhe Londrës. Për marrëdhëniet SHBA-Izrael kam edhe një koment shtesë: “Shumica dërrmuese e 195 shteteve të OKB (përfshi Kosovën) e kanë vetëshpallur SHBA aleat strategjik, ndërsa Izraeli dhe Islanda mbeten ndër të vetmet shtete të konfirmuara kështu nga Uashingtoni Zyrtar”. Si shembull përmendim se paketa e ndihmës ushtarake të USA ndaj Izraelit (1948 – 2024) arrin në 150 miliardë dollarë, ose sa 100 vjet shpenzime ushtarake të Hamas dhe Hezbollah së bashku!

Mësimi nr.4: Nga kjo luftë ndaj terrorizmit u vetëdemaskuan edhe vendet që mbështetën boshtin e së keqes (Hamas – Irani – Hezbollah), si Rusia-Putiniste – Koreja e Kim Jong-ut – Dodikët mendjendryshkur në Ballkanin Perëndimor. Prandaj ky mësim (nr.4), mbart edhe një mesazh mbi domosdoshmërinë kritike, për të bashkëpunuar në rrafshin global dhe rajonal në luftën me rreziqet e përbashkëta, pra shtetet, diktaturat neo-Staliniste apo organizatat terroriste të sipërpërmendura. Nga ana tjetër, sulmet terroriste të 7 tetorit 2023 apo 14 prillit dhe 25 gushtit 2024, kundër një vendi sovran/Izraelit si dhe jetës së popullsisë civile edhe nëse nuk janë planizuar “drejtpërdrejtë nga Kremlini”, është e sigurt që u shërbejnë përpjekjeve të dëshpëruara të Putinit, për të hapur një front të ri lufte krahas asaj në Ukrainë. Por, do të dështojë me turp, ashtu si edhe në përpjekjen për ta tërhequr Kinën në luftë me Tajvanin; apo për ta frymëzuar Beogradin deri në aventurën e “ripushtimit ushtarak të Republikës së Kosovës, edhe pse prej 1990, ajo mbetet nën prezencën/ përgjegjësinë e trupave të KFOR-it”!

Mësimi nr.5, përtej mëndjeve të deformuara në Teheran, Kremlin, Korenë e Veriut, (përfshi në Ballkan) duke u përpjekur t’i japin dimension fetar apo “legjitimuar” sulmet barbare të Hamasit, Iranit, Hezbollahut jo vetëm kundër Izraelit, kurrësesi nuk kanë të përbashkët me vlerat e fesë Islame.

Po ashtu përtej emërtimeve patriotiko-fetare, HAMAS (Lëvizja e Rezistencës Islamike), apo Hezbollah (Partia e Zotit/Allahut), “terroristët e pafe”, që çirren si monstra: “Allâhu ¾Akbar ose Zoti është i madh” edhe pasi masakrojnë barbarisht qytetarë dhe u presin kokat fëmijëve të pafajshëm; kur marrin zvarrë pengje pleq/gjyshër, gra dhe vajza, vrasin me bomba/raketa kamikaze mijëra qytetarë të pafajshëm, apo edhe kur përdorin si barrikada (ç)njerëzore bashkëqytetarë palestinezë nga Rripi i Gazës”, kurrsesi nuk kanë të përbashkët me kuranin dhe as me vlerat e fesë Islame! Në të kundërt, frymëzuesit që fshihen si minj në transhetë e Rripit të Gazës, e keqpërdorin fenë për axhendën e tyre politike. Ndërsa është e mirënjohur fakti që ashtu si edhe besimet e tjera komplementare, edhe feja Islame mbjell paqe, tolerancë, mirëkuptim, bashkëjetesë paqësore, etj..

Mësimi nr 6: Pikërisht për të prevaluar me masat diplomatike për zgjidhjen e konfliktit, OKB, SHBA, UK, NATO dhe BE, i kanë adresuar “mesazhe të ashpra” edhe Qeverisë Demokratike të Izraelit, që: “Të vetëpërmbahet në ushtrimin e drejtës reciproke si dhe të përshkallëzuar të shpagimit, duke shmangur në maksimumin e mundshëm pasojat mbi popullsinë e pafajshme civile”. Kjo mbetet një “këshillë çarmatosëse për propagandistët e Teheranit, Kremlinit, etj.”, që i cilësojnë sulmet ajrore të Izraelit si: “fashiste”! Pikërisht për këtë, z. Netanyahu ka konfirmuar se “Izraeli do të vijojë sulme shkatërruese ajrore, por të kufizuara si dhe të precizuara vetëm ndaj infrastrukturave kritike/ushtarake”. Ndërsa qendra e gravitetit të sulmeve të Izraelit mbetet ndaj terroristëve të pa fe (Hamasit, Iranit, Hezbollahut, etj.), që vijojnë të kërcënojnë jo vetëm “mbijetesën e identitetit kombëtar të Izraelit”, por janë përgjegjës edhe për aktet çnjerëzore dhe jetët e qytetarëve të pafajshëm të Izraelit dhe Palestinës!

Rekomandime për zgjidhjen e konfliktit dhe ndërtimin e bashkëjetesës paqësore në Lindjen e Mesme:

Sigurisht, Izraeli ka fuqi ushtarake dhe aleanca të qëndrueshme për ta “mposhtur shtetet apo grupe terroriste”, ose në rast agresioni, për t’u përballur dhe mundur të gjitha vendet arabe së bashku. Por për të mbjellë klimën e paqes afatgjatë mes popullit Izraelit dhe Palestinës do të duhet të prevalojnë mekanizmat e diplomacisë si dhe një akt historik falje mes Izraelit dhe vendeve të rajonit, të shoqëruar nga një “road-map” ose një paketë gjithëpërfshirëse masash për të mbjellë klimën e mirëbesimin reciprok ndërmjet popujve të rajonit, de-militarizimin, balancat e fuqisë ushtarake, bashkëpunimi ekonomik, kulturor etj., ndërsa aktorët ndërkombëtarë, ShBA, OKB, NATO, BE do duhet të vijojnë të mbajnë peshë – besimi thelbësore. Nga ana tjetër, historia e pasluftërave na mësojnë se rrugëtimi drejt paqes afatgjatë, kërkon vizion, lidership, përkushtim dhe kompromise të mëdha. Siç e sipër përmendëm, konflikti izraelito-arab mbetet një çështje komplekse, të shtrirë në dekada dhe që përfshin një mori faktorësh historikë, fetarë, kulturore, territorialë, identitetin kombëtar, interesa gjeopolitike, ekonomike etj., që nuk mund të zgjidhen si me magji “brenda një nate dhe as njëherësh”! Për më tepër nuk ma lejon as, grada e lartë ushtarake (gjeneral) por as eksperienca në NATO të bëjë “moralizime populiste” mbi detyrimet kushtetuese të Forcave të Armatosura si dhe as më pak ta paragjykoj të drejtën sovrane që ka Izraeli të përdorë në mënyrë të përshkallëzuar fuqinë ushtarake për mbijetesën e identitetit kombëtar dhe mbrojtjen e integritetit territorial si dhe garantimin e jetës qytetarëve Izraelit, por edhe kontributet për mbrojtjen e vlerave demokratike të njerëzimit si dhe interesat e aleancës euroatlantike. Sigurisht duhet vetëpërmbajtje, vijimi aktivitete diplomatike dhe respektim i konventave ndërkombëtare, duke përdorur arme me precizon të lartë kundër Hamasit, Iranit dhe Hezbullah, duke hapur korridore humanitare dhe mjekësore për popullsinë palestineze si dhe duke shmangur në maksimumin e mundshëm viktima të pafajshme (megjithëse 100% është mision i pamundur). Për më tej, për të krijuar frymën e mirëbesimit do duhet një akt falje si dhe një marrëveshje paqe me faktorët lokal të moderuar që zgjidhjen e konfliktit dhe bashkëjetesën paqësore nuk e gjejnë nëpërmjet akteve terroriste. Ndërsa, frymëzuesit dhe terroristët do duhet të çohen para drejtësisë ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit. Thënë këto, në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk do të duhet të ndalen përpjekjet diplomatike nga Izraeli, vendet arabe dhe komuniteti ndërkombëtar. Me duhet ta përsëris edhe me fort se për një paqeje të qëndrueshme dhe afatgjatë, domosdoshmërish do duhet të prevalojnë mekanizmat diplomatike mes Izraelit, Palestinës dhe vendeve të tjera arabe, të përfshira në konflikti. Një zgjidhje e diskutuar gjerësisht mbetet rikthimi te projekti i dy shteteve sovrane (Izraelit dhe Palestinës), që do duhet të përfshijë negociatat për kufijtë, refugjatët dhe Jerusalemin si kryeqytet i përbashkët, si dhe një paketë masash të mirëbesimit reciprok përfshi de-militarizimin, balancat e fuqisë ushtarake; lirimin e të burgosurve, bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimet kulturore etj.. Sigurisht, aktorët ndërkombëtarë, OKB, SHBA, BE dhe ata rajonale kanë një rol thelbësor në negociatat për paqe të qëndrueshme.

Në shtesë, si në çdo nga dhjetëra vlerësimet, edhe këtë opinion dëshiroj ta përmbyll me disa “rekomandime strategjike” për Tiranën dhe Prishtinën zyrtare:

I gjej tërësisht mjerane që “bollshevikët e vetëprangosur nga sindroma e Stockholmit apo fuqia e mbi pushtetit” i risjellin opinionit kombëtar oshilacionet e Enver Hoxhës: “Izraeli një kobure në duart e SHBA/UK, ose një shtet i krijuar nga sionizmi reaksionar”. Thënë këtë, e ritheksoj se për interesat gjeopolitike kombëtare, nuk ka opsion tjetër përveçse t’i bashkohej/t pa hezitim “flamurit të solidaritetit të mbarë botës së qytetëruar”, duke dënuar pa hezitim frymëzuesit politik dhe autorët e akteve terrorist të Hamasit, Iranit, Hezbullahut, nga më çnjerëzoret në historinë moderne të njerëzimit, ndaj identitetit kombëtar dhe popullsinë e pafajshme izraelite dhe palestineze njëherësh. Kështu, dy shtetet sovrane (Shqipëria dhe Kosova) e kanë detyrim zyrtar të dënojnë “me një zë të përbashkët” si dhe të mbështesin përballjen e Izraelit, USA, UK dhe aleatëve Euroatlantik në luftën ndaj shteteve dhe organizatave terroriste. Prandaj, Tirana dhe Prishtina zyrtare do duhet të konfirmojnë mbështetje për Izraelin jo vetëm për shkak të lidhjeve historike dhe reciprocitetit të mirënjohjes që ka Izraelit ndaj Kombit tonë për shpëtimin e hebrenjve nga nazistët gjatë Luftës II Botërore, por edhe për t’u rreshtuar pa kompromis krah SHBA-ve, që ka mbajtur peshë përcaktuese jo vetëm për çlirimin dhe faktorizimin gjeopolitik të Kosovës, por specifikisht edhe për njohjen si “surprizë” në dhomën ovale (Projekti-Trump) nga Izraeli në kuadër të paketës 12 miliardë euro, përfshi autostradën e paqes Beograd-Prishtinë, linjën hekurudhore, portin rajonal në ujërat e thella të Adriatikut, etj.. Në përmbyllje besoj edhe më fortë se “përtej luftës barbare të terroristëve ndaj Izraelit ose Putinit në Ukrainë, paqja mes kombeve dhe bashkëjetesa paqësore mes popujve mbetet sigurisht mision i vështirë, por opsioni i vetëm”. Prandaj mbetem shpresëplotë që Izraeli dhe Ukraina jo vetëm do të dalin fitimtare nga kjo përballje për mbijetesë, mbrojtjen e sovranitetit dhe jetës së qytetarëve, por paqja, vlerat demokratike, fuqia ushtarake dhe interesat euroatlantike do të triumfojnë mbi diktaturat neonaziste, si Irani, Rusia – Putiniste, Kim-Jong, Dodikët e Ballkanit, si dhe Hamas, Hezbullah, apo çdo organizate tjetër terroriste në botë.

Filed Under: Mergata

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT