• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2024

Shkolla Shqipe “Arbëria” në Chicago

August 20, 2024 by s p

Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se regjistrimet për Shkollën Shqipe ARBERIA do të fillojnë Ne 25 Gusht.

Shkolla hap dyert ne 8 Shtator dhe ne mezi presim t’i mirëpresim fëmijët tuaj në një vit tjetër të shkëlqyer mësimor.

Nëse keni ndonjë pyetje, mos ngurroni të kontaktoni. Shpresojmë t’ju shohim ju dhe fëmijët tuaj ne 8 Shtator!

We’re excited to announce that registration for Albanian School will begin on August 28th! Classes start on September 8th, and we can’t wait to welcome your children to another great year of learning.

If you have any questions, feel free to reach out. We hope to see you and your kids there!

Filed Under: ESSE

Veprimtaritë atdhetare, komercializimi i historisë, rasti i dasmës së Skënderbeut

August 20, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Martesa e Gjergj Kastriotit u riprodhua në Kishën e Dejës, Zadrimë, në mesin e muajit korrik, me mbështetje të komunitetit shqiptar në Austri. A sjell kjo veprimtari dicka të re në rrafshin e të dhënave historike për këtë pikë që është shumë nevojtare për prova dhe dokumente të mirëfillta apo duhet ta vlerësojmë si manifestim të ndjenjave dhe krenarisë sonë kombëtare? Pa e nënvlerësuar vendndodhjen edhe si tezë të mundshme historike, është me vend të pyesim për vendndodhjen e dasmës meqë për vite me radhë shfaqjet festive përkujtimore kanë qenë në Kaninë dhe në Manastirin e Ardenicës, përkatësisht me referencat “Martesa simbolike” dhe “kurorëzimi”. Për ato, ekzistojnë referenca në disa botime e studime, ndonëse në nivele të ndryshme shkencore, ndërsa për martesën në Kishën e dikurshme të Shën Mërisë, në Zadrimë, iu takon historianëve dhe hulumtuesve shkencorë të qëmtojnë më tepër për plotësimin e kësaj faqeje a kapitulli të së kaluarës sonë. kështu që si shfaqjet, e mbështetura nga pushteti, ashtu edhe historia, përherë e më pak e favorizuar nga i njëjti pushtet, të kenë vendin e vet.

Dasma në Kaninë – Burimet historike dëshmojne se dasma e kryeprincit shqiptar zgjati tri ditë nga 21 në 23 prill 1451 në Kaninë, Vlorë, vendlindja e Donikës. Vajza e madhe e Gjergj Arianitit dhe Marie Murzakës ishte lindur dhe rritur në Kaninë, nga ku doli nuse e Gjergj Kastrioit. Sipas gojëdhënave, kalaja e Kaninës ishte zbukuruar për festë dhe vallet e këngët kumbonin rreth e rrotull saj. Pasi shkëmbyen unazat, cifti u drejtua per në Qishbardhë (Kishën e Bardhë) afër Kaninës ku iu dha bekimi ungjillor.

Ardenica – Sipas të dhënave gojore dhe dëshmive të transmetuara nga murgjit brezi në brez, pas dasmës në shtëpinë e nuses në Kaninë, ceremoniali i kurorëzimit u bë në mesditën e datës 26 Prill 1451, i drejtuar nga Peshkopi Feliks, nën kujdestarinë e të cilit ndodheshin dy manastiret më të mëdha të Myzeqesë, ai i Apolonisë dhe i Ardenicës. Shpura shoqëruese e cila udhëtoi përmes rrugës së “Muzakies” në itinerarin Vlorë-Ardenicë, kishte Princat shqiptarë, fisnikë të familjeve të mëdha, ambasadorë të Napolit, Vatikanit, Raguzës dhe Proveditori i përgjithshëm i Venedikut në Shqipëri.

Dasma si Shfaqje – Të shtunën e fundit të prillit të çdo viti, për vite me radhë, shoqatat vendore organizojnë festimin e kurorëzimit të Skënderbeut me princeshën Donika në manastirin e Ardenicës (26 prill, 1451), me mbështetje nga pushteti vendor dhe nga Ministria e Kulturës.

Viti 2018 – 550 vjetori i vdekjes së Skënderbeut, “dasmorët” nuk vijnë në Ardenicë. Pas ceremonisë së “dasmës” në Kaninë pritej që “krushqit” dhe “çifti” të niseshin ta kurorëzonin martesën e tyre në Manastir, që, sipas dëshimeve, përkujton aktin ceremonial të mes-shekullit të XV. Në atë vit jubilar, sipas mediave, bashkëdasmorë me vlonjatët ishin edhe mbi 50 “dasmorë” arbëreshë, të ardhur enkas për këto dy ngjarje. Pas festimit në Kaninë, ceremonia në Ardenicë nuk u realizua dhe, sipas shtypit, nuk u dha shpjegim përse mbeti pezull.

Dasma në Zadrimë 2024 – Në pasditen e nxehtë të 16 korrikut, dasma e heroit kombëtar riprodhohet në qiell të hapur nga aktorë vendas në kishën e Dejës, ngritur në trojet e Kishës së dikurshme të Shën Mërisë, në zonën e Zadrimës. Cilat janë burimet mbështetëse? Historiani gjerman Markus Petërs pohon se “Kisha gotike e Vaut të Dejës, e vetmja e këtij stili në Shqipëri,…ishte kisha në të cilën ishte martuar Heroi Kombëtar katolik Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Në librin “Arbëria dhe Gjergj Kastrioti” autori Athanas Gega argumenton se mbiemri Kastriot i takon të jetë i lidhur me toponimin Kastri, duke pasur parasysh vendndodhjen e pronave dhe tokave të familjes: “Mbiemri Kastrioti… që ka mbijetuar në histori, lidhet më shumë me lokalitetin e Kastrit në Mirditë, që ndodhet midis fshatrave të Dibrit, Mnelës, Kashnjetit e Vigut, se sa me lokalitete të tjera, që kanë të njëjtin emër”. “Kastriotët zotëronin …. territorin e përfshirë në verilindje të Shkodrës dhe të Lezhës e deri në Prizren”. Historianë si Milan Shuflai dëshmojnë se “Gjergj Kastrioti ishte Protektor i Shtetit të Arbërit” dhe meqë “qendra e Shtetit të Arbërit ishte Mirdita” është e arsyeshme të thuhet se aty ka qenë edhe dasma e Gjergjit me Donikën. Për kohën e produksionit të dasmës – në mesin e korrikut – nuk mund të gjendet shpjegim tjetër vec se një datë që ka qenë e mundur për realizuesit e shfaqjes të jenë aty.

Duke kujtuar se edhe për vendlindjen e Gjergj Kastriotit ashtu si për dasmën e tij ekzistojnë të paktën tri teza kryesore të njohura dhe një më e vonshme, vlen të përsërisim fjalët e Nolit që sjell mendimin e historianit austriak Jakob F. Falmerajer, i cili thotë: “Të gjesh origjinën e një kreu fisi shqiptar, është një mundim sa i kotë, aq edhe i padobishëm” ndonëse në të gjitha variantet e veprës për Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin, ai iu referohet të dhënave të historianëve mbi origjinën e fisit të Kastriotëve.

Në përfundim, festimi i dasmës në Zadrimë është një veprimtari atdhetare shumë e lavdërueshme por duhet pasur kujdes nga komercializimi i historise ngaqë një ngjarje kaq e etur për kthjelltësi dhe pune hulumtuese shkencore shërbehet thatësisht nga produksione dasmash në këtë korrik të nxehtë.

Filed Under: Histori

Kur Greqia njihte minoritetin shqiptar nën garancinë e Lidhjes së Kombeve

August 19, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Pas Luftës së Madhe, dhe në përfundim të punimeve të Konferencës së Paqes së Parisit (1919), u hartuan Traktatet e Minoriteteve, të cilat lindën si një nevojë për të përballuar tensionet etnike që ishin ndezur për shkak të krijimit të shteteve komb. Shtete të shumta, i kthyen këto traktate pjesë të legjislacionit të tyre të brendshëm, ashtu sikurse dhe Greqia, e cila e ratifikoi këtë dokument në 29 Shtator të vitit 1923. Në prag të hartimit të këtyre marrëveshjeve nga shtetet përkatëse për mbrojtjen e minoriteteve, në një memo* të autoriteteve greke, ndër të tjera, për shqiptarët deklarohej, se:

“Edhe Shqiptarët mund të hapin shkolla speciale (për minoritetet), por ata nuk e kanë parashikuar këtë duke qenë se kanë ndërgjegje të pastër greke dhe dëshirojnë që fëmijët e tyre, pavarësisht se në ambientin familjar flasin gjuhën shqipe, të marrin një shkollim të pastër grek.” Një deklaratë e tillë nuk ishte e bazuar në të dhëna të nxjerra prej popullatës shqiptare, e megjithatë ajo mbeti e pandryshuar në mendimin e qarqeve greke ndër vite. Gjatë kësaj periudhe (1920-1923), çamët (shqiptarët) nuk mund të ankoheshin për shkeljet që autoritetet Greke bënin ndaj tyre, por edhe pas ratifikimit të këtij akti ndërkombëtar, çështjet e çamëve, të cilat dilnin në pah si rrjedhojë e shkeljeve të neneve të kësaj marrëveshje, nuk gjetën zgjidhje as në nivel ndërkombëtar, për shkak të mekanizmave të papërshtatshëm për shqyrtimin e këtyre rasteve. (Fletorja Zyrtare e Greqisë. Nr. 311. (30 Tetor 1923).

Sipas nenit 2 të Traktatit të Minoriteteve (1920), “Greqia merrte përsipër mbrojtjen e plotë të jetës dhe të lirive të të gjithë banorëve të Greqisë, pa dallim vendlindje, kombësie, gjuhe ose feje. Të gjithë banorët e Greqisë mund të ushtrojnë lirisht, në mënyrë publike ose private, çdo praktikë, fe ose besim, të cilat nuk shkojnë në kundërshtim me rendin ose moralin publik.”

Sipas nenit 1, të këtij akti ndërkombëtar, Greqia i njihte nenet 2 dhe 8 (të drejtën e shkollimit dhe të përdorimit të gjuhës amtare) si ligje themelore, mbi të cilat nuk do të dilte asnjë ligj tjetër, e aq më pak akt nënligjor.

Në nenin 8 deklarohej se minoritetet racore, fetare dhe gjuhësore duhet të gëzojnë të njëjtin trajtim prej ligjit si shtetasit e tjerë grekë. Për më tepër, ata duhet të kenë të drejtën të vendosin, administrojnë dhe kontrollojnë, me anë të shpenzimeve të tyre, institucione bamirësie, fetare ose sociale, shkolla dhe institucione të tjera arsimimi me të drejtën për të përdorur gjuhën e tyre dhe të praktikojnë fenë e tyre në to. Në nenin 3 deklarohej se nënshtetësia shqiptare njihej ipso facto dhe pa asnjë formalitet për banorët të cilët banonin në territoret që iu transferuan Greqisë në Traktatet pas datës 1 Janar 1913.

Sipas nenit 16, të gjitha të drejat që lidheshin me minoritetet racore, fetare ose gjuhësore përbënin detyrime të natyrës ndërkombëtare dhe ishin të vendosura nën garancinë e Lidhjes së Kombeve. Të gjitha nenet e kësaj konvente, të cilat duhet të zbatoheshin mbi çamët, nuk u morën në konsideratë gjatë harkut kohor 1913-1944.

Si paraqitet gjendja sot? Të dhënat zyrtare të Greqisë për numrin e grupeve etnike në këtë vend janë të pasakta. Numri i banorëve që u përkasin grupeve etnike në këtë vend është shumë më i madh se numri i pasqyruar nga politika zyrtare greke. Qeveria greke zyrtarisht njeh vetëm një minoritet – myslimanët e Trakisë.

Të gjitha provat historike tregojnë se në Greqi janë përdorur metoda asimiluese ndaj arvanitasve, apo çamëve, sllavo-maqedonasve, apo minoriteteve të tjera. Atyre u është mohuar etnia dhe në dokumentet zyrtare quheshin dhe quhen ende si “pakicë gjuhësore”, ose “grekë dygjuhësh”. Gjatë historisë, sllavët në Maqedoninë greke, Greqia i ka konsideruar grup linguistik dhe jo kombësi. I ka quajtur grekë sllavofonë ose grekë dygjuhësorë.

Në rastin e arvanitasve, propaganda dhe makineria nacionaliste greke ka funksionuar, duke u munduar që të shkëpusë lidhjet mes tyre dhe shqiptarëve të sotëm. Grekët i quajnë “arvanitas”, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë “alvanos”, si dhe mohojnë me këmbëngulje lidhjen gjuhësore.

Në rastin e çamëve u përdor feja. Myslimanët u quajtën “turq” dhe të krishterët u asimiluan. Pavarësisht të gjitha këtyre masave, në disa fshatra në kufi me Shqipërinë e deri në Pargë flitet ende shqip.

Në fund të shekullit XIX dhe gjatë gjithë shekullit XX, ndaj grupeve etnike jogreke Greqia ka ushtruar gjenocid. Është i njohur në histori projekti i spastrimit etnik ndaj çamëve. Në qershor të vitit 1944, zervistët, të udhëhequr prej gjeneralit Napoleon Zerva (1881-1956), hyrën në Çamërinë e mesme, ndërsa në shtator të po atij viti, pushtuan edhe Çamërinë veriore. Gjatë këtyre ekspeditave vrastare kryen krime çnjerëzore mbi popullsinë e pafajshme shqiptare të Çamërisë, e cila u shpërngul në Shqipëri.

Shënim*- Memo nuk ka datë, as dërgues, as marrës. Nga dosja e shfletuar bëhet fjalë për draftet e paraqitura nga qeveria greke për të pasqyruar, sipas saj, gjendjen e minoriteteve nën qeverisjen e ligjeve greke. Dosja është e vitit 1922 sipas shënimit në fletën e parë, por disa prej dokumenteve janë të vitit 1919. IAYE. Zyra Qëndrore /1922/114/3/1/1/ Memoire sur les Droits des Minorites en Grece. [Memo mbi të drejtat e Minoriteteve në Greqi].

Filed Under: Komente

BALADË DRITASH PËR ZORBËN

August 19, 2024 by s p

Viola Isufaj/

Në gjysmën e dytë të një shekulli plot pështjellime politike, të cilat nuk lanë pa prekur e dëmtuar trungun e letërsisë shqipe, bën jetë në errësi për t’u shfaqur më pas, në dritë, ky poet, i cili sjell një nga modelet më të pangjashme të shkrimit të poezisë moderne shqipe.

Pastërtia e pabesueshme në përdorimin e teknikave në realizimin e virtuoziteteve të tij poetike, e bën atë një klasik modern. Së bashku me: Camajn, Reshpjen, Podrimjen, Shkrelin, e të tjerë autorë të poezisë shqipe, ndonëse pa kontakte të drejtpërdrejta me ta, ai, po ashtu, përcakton modernitetin e vargut shqip bashkëkohor.

-Për poetin Zef Zorba, i cili është bërë i njohur për lexuesin pas vdekjes, është shkruar shumë pak.

Ismail Kadare (i cili ka shkruar edhe parathënien e vëllimit poetik Buzë të ngrira në gaz), hedh dritë mbi formacionin poetik të Zef Zorbës. Ai shprehet se Zef Zorba, duke qenë më i pashquari i poetëve, më i mbështjelli nga heshtja dhe nga terri, na shfaqet në të vërtetën, pamjen dhe përmasat e tij të tjera.

Këtu rri enigma e kulturës shqiptare për gjysmë shekulli-do të shkruante një tjetër figurë e letrave dhe studimeve shqiptare. Zbulimi nuk lidhet vetëm me vlerën, por më tepër me fenomenin: si është e mundur që një autor: poet, kaq i veçantë të krijojë për në gjysmë shekulli, i panjohur dhe i fshehur? –shpërfaqet habia e këndshme e studiuesit Sabri Hamiti. Zbulimi i Zef Zorbës poet, lëkund, sipas tij, kaq shumë evidenca, si shenja kolektive të sjelljes dhe kaq shumë kërkime personale, si krijime individuale në shqip. Studiues të tjerë e kanë konsideruar të errët e të mbyllur, hermetik e profetik poetin që nuk shkroi për lexuesin e kohës së tij, por për atë të së ardhmes.

-Poezia e Zorbës gjithnjë do të ngrejë një çështje të parë thelbësore: këtu kemi të bëjmë me një mekanizëm të hollë të thurimës poetike. Si funksionon ai mekanizëm? Me shqetësimin e vazhdueshëm për t’u kujdesur për të mos ta lënë esencën krijuese unike të këtij autori të humbë në konstatime e analiza, marrim përsipër ta shqyrtojmë nga afër, në mënyrë thellësore shkrimin e tij.

-Përmes zbulimit të lidhjes me Idromenot dhe në veçanti me Kolë Idromenon, i cili bëhet udhëheqës shpirtëror i Zef Zorbës, jemi orvatur të shpjegojmë njohjen dhe afeksionin e tij për artet figurative dhe krijimin e imazheve kryesisht ekspresioniste në poezi (imazhe, të cilat kemi menduar gjithmonë se meritojnë një studim të veçantë).

Zorba përfytyron e mendon harmonikisht në bazë të harmonisë së ngjyrave dhe imazheve, pikërisht falë prirjeve të lindura dhe rrethanave favorizuese: mësimeve të Kolë Idromenos. Pa asnjë dyshim, kjo është vepër shumë komplekse. Zef Zorba punoi për t’i shtuar poezisë, pikturës dhe muzikës saktësinë, hijeshinë, lakimin, ngjyrimin e përkryer të frazave. Moderniteti i tij lidhet me përthyerjet e dritës, ngjyrat, po aq me tingullin dhe modulimin, prandaj atë mund ta kuptojmë më mirë përmes një prerjeje muzikore dhe përmes një takimi me artet pamore. Në këtë studim jemi ndalur në mënyrë specifike te relacionet e veprës së tij me muzikën.

Pjesët e Fugave të fundit -cikli i katërt- do të emërtohen sipas tempit: Allegro, Andante Mosso, Lento, Largo dhe Alegro Furioso. Sakaq, edhe cikli i pestë që është poema Mbresat e rrugëve,

konceptohet me këto pjesë: Introduksion, Tema e fagotit, Tema e Ksilofon -kumbonëve, Tema e Instrumentave me perkusion, Tema e Violës, Parte concertante, Kadenca e Ksilofon –kumbonëve, Kadenca e fagotit, Kadenca e Violës, Kadenca e Instrumentave me perkusion, Ripressa, Stretta Finale.

I jemi afruar kështu lidhjes me artet figurative e cila duket se është sa genuine, e trashëguar aq dhe e kultivuar gjatë jetës, derisa dhe nëpër vargje pluskojnë nominalisht: një Idromeno, Van Gog, Shagal, Matis, ca Pikaso e Dali, e shumë akuaforte. Tituj të poezive së Zorbës në vëllimin Buzë të ngrira në gaz

shpalosen pikërisht në këtë mënyrë.

Madje edhe te cikli i fundit “Në zgrip”, ndiejmë takimin me muzikën; sidomos ai është i dukshëm në poezinë Një gozhdë, me ritëm rock, bazuar mbi aliteracionet vështrimore thik, thellë, thatë, -siç shpjegon autori, – e, së fundmi, pjesa Natën kur bie shi, – e konceptuar alla Ravel. Tituj të tillë janë domethënës, por natyra e domethënies së tyre lipset të tregohet. Kjo prirje për kërkim është veçanërisht e brishtë pasi ekzistojnë

rreziqet e analogjive të paarsyeshme midis arteve. Është plotësisht e vërtetë se pjesa dërrmuese e analogjive sipërfaqësore janë të çoroditura apo spekulative. Shumica e këtyre qasjeve konsiston në një përkthim të termave nga një art në një tjetër. Dhe të përshkruash një art me terma të artit tjetër është një trill retorik pa ndonjë rëndësi të veçantë. Mirëpo në këtë hulumtim nuk do jetë fjala për një përkthim të

tillë, as për muzikalitetin a harmoninë në vetvete, e cila mund të studiohet në çdo krijim artistik. Bëhet fjalë për një poezi tek e cila Muzika është cilësi fundamentale. Analogjitë këtu nuk janë të sipërfaqshme, po substanciale. Qysh në krye të herës mund të hetohen qartë ide muzikore-që janë aty për të formatuar një art-i cili aspiron kushtet e muzikës. Kemi punuar në këtë terren shumë të rrëshqitshëm për të bërë një analizë të hollë dhe konkrete të relacioneve muzikore në veprën e Zef Zorbës.

-Zorba konstituon një formë të veçantë të dijes në botën njerëzore. Në vargjet e vëllimit Buzë të ngrira në gaz do të evokohen: Monradi, El Greco, kanonet Mozartiane; aty do të citohen vargje të Alkeut, të Oscar Wild-it, -dhe do të ndihet një ritëm i ngjashëm me ritmin e Horacit: nuno est bibendum, nuno. Në fushë të filozofisë do të përmendet Kanti, teksa do të thirret Shekspiri te Merimangë me vargjet e tij turn back, dull earth/an find thy center out. Zorba do të përmendë gjithashtu, Martinin (i deleguar i Propaganda Fide) te Largo duke e shoqëruar me shënime etj. Ne jemi ndalur, prandaj, në mënyrën e përthithjes dhe shndërrimit të ndikimeve të huaja në tekstin e tij.

– Që nga thellësitë e shpirtit inteligjent, lind një poezi e re, që kullon traditën e truallit të vet dhe duke thirrur me pasion elemente nga tradita hermetike, sjell në dritë formulime thelbësore të papritura, fjalë të dala nga heshtja, nga thellësia e meditimeve. Këto fjalë, të zbuluara e të risuara në dimensionin e tyre semantik,

dëshirojnë të japin esencën e një pështjellimi sentimental. Zorba është i dashuruar me gramatikën esenciale të hermetistëve. Zhvendosjet analogjike dhe esencialiteti i fjalës janë aty për të shprehur të pashprehshmen. Përdorimi i shpeshtë i analogjisë, eliminon termin e përafërt (similitudën) për t’i dhënë imazhit efektin- rrufe. Na ka interesuar të studiojmë ato që mund të quhen: tkurrja e sintaksës, eliminimi total ose i pjesshëm i shenjave të pikësimit, zbërthimi shumë i fortë i pauzave, strukturat tipike të hermetistëve me pleonazmat tipike dhe metaforat e befta si dhe të tjera aspekte.

-Kujtesa në korpusin e Zorbës duket se del kryesisht në dy modele të dallueshme, të cilat shpesh ekzistojnë edhe njëkohësisht në të njëjtin tekst: si një mjet për të ngulitur një ndjenjë nostalgjie; dhe, nga ana tjetër, dhe më universalisht, si një mënyrë për ndërtimin e identitetit individual, historik dhe kulturor. Për këtë arsye, kur flasim për këtë personalitet, kujtesa shërben si një temë letrare me rëndësi jo të vogël, së cilës i kemi kushtuar një çështje më vete.

-Zorba është një personalitet poliedrik. Dashuria e tij e parë ka qenë teatri. Ai studion teknikat muzikore, vijon punën si llogaritar, gdhend, lexon, shkruan poezi, përkthen. Zorba ka sjellë përkthime të një cilësie shumë të lartë. Pasi ta paraqesim këtë kontribut shumë të vlershëm të Zorbës në përqafimin e kulturave të ndryshme, ndalemi në analizë të perimetuar të tekstit të përkthyer, deri në shtresat më të

pak të depërtueshme të tij. La pioggia nel pineto p.sh. është një simfoni poetike që përkthen në

fjalë tingujt e shiut. Shembujt dygjuhësh janë vënë përballë njëri- tjetrit, për të parë sesi imazhet pamore dhe tingëllimore, bashkëshoqërimi me ngjyra të freskëta e të pastra dhe tingujt, poema i krijon po aq “të ujshëm” edhe në gjuhën shqipe.

Kemi vijuar, prandaj, me simetritë sintaksore dhe marrëveshjet për asonancat dhe konsonancat për të cilat janë gjetur në shqipe fjalë jo vetëm më të njëjtin ritëm (numër rrokjesh e theksash) por mundësisht me të njëjtët tinguj. Më pas jemi thelluar me çështjen: metri dhe figurat retorike, duke u ndalur në marrëveshjet për vargjet trerrokësh, 6,7,8 dhe 9 rrokësh dhe me pesë llojet e rimave të përdorura, të transmetuara të gjitha në gjuhën shqipe.

– Veçimi, i lidhur pashmangshmërisht me poetikën e Zorbës, është dhe thelbi i fortë i letërsisë. Izolimi është gjithashtu mjeti themelor i leximit dhe i të shkruarit, i cili mund të gjurmohet në veprat e fshehura, ato që u krijuan për sirtarët,- gjithçka që nuk do të lexonim dot kurrë, por që rrezatojnë jashtë në botë, sot, gjithë bukuri. Jo thjesht veçimi ashtu sikurse vetmia është një nga temat themelore të gjendjes dhe të letërsisë së tij, por vepra e tij poetike është shkruar dhe lexuar në izolim për të mos u shtrirë në një audiencë përtej krijuesit të saj. Në këtë studim ndjekim me vëmendje sesi në vetmi ndodh udhëtimi në qendër të qenies, përmes së cilit ai është në gjendje të zbulojë disa aspekte të karakterit, personalitetit dhe ekzistencës. Zbulojmë disa prej formave të veçimit dhe i analizojmë me kujdes ato duke nxjerrë përmes sintezës koordinata të rëndësishme të kësaj vepre të cilat bëjnë jetën e tyre të pafundme, paradoksalisht, pikërisht prej izolimit.

-Çështja tjetër do të ishte në kuptimin më të gjerë, një çështje etike, morale: çfarë lloj njeriu banon poemën? Cili është nocioni i tij i jetës së mirë apo i vendit të mirë? Nocioni i tij i së keqes? Çfarë mban ai të fshehtë nga lexuesi? Çfarë fsheh madje dhe nga vetja e tij?

Zorba do të shikohet patjetër edhe si një personalitet etik, sikurse ishte. Për fat të keq, shkrimet për të janë të pakta ende. Ka një papërputhshmëri, një hendek të ftohtë midis rëndësisë së veprës së tij për sistemin tonë letrar dhe shkrimeve të pamjafta që gjenden për të. Duke qenë se nuk ka një libwr studimor deri më tani për veprën e tij, do të dëshironim dhe guxonim me kënaqësi dhe me drojë t’i kushtoheshim kësaj sprove të parë.

-Këtu do të ndërtohet njëkohësisht me analizat e tekstit edhe një jetëshkrim e Zef Zorbës dhe ndonëse asaj do t’i referohemi për aq sa hedh dritë mbi veprën e autorit, nuk do të mungojë interesi i brendshëm për biografinë e poetit në fjalë, pasi dëshmitë jetësore deri tashmë nuk kanë qenë të bollshme. Jeta e tij, e pa rënë aq shumë në sy, tashmë na tërheq e na thërret. Në disa shenja të tekstit të Zorbës, pikërisht aty ku duket se elementi i shprehësisë personale del mjaft i zbehtë, është zhytur thellë dhe ndërlikueshëm përvoja e tij jetësore. Ne do të hetojmë këto shenja të tekstit letrar që kondensojnë përvojën e tij jetësore dhe personalitetin e tij. Do të vëzhgojmë sesi ngjashmëritë opake dhe pasqyrat shformuese ristrukturojnë, transformojnë dhe integrojnë realitete të jetuara, dhe sesi në këtë integrim humbasin kuptimet ngushtësisht personale për të përftuar një material gjithënjerëzor.

Do të vëzhgojmë gjithastu, sesi, i zënë në pasionin eternal për dije dhe arte, artisti Zorba, ristrukturon dhe integron mendimet e tij, ndjesitë dhe sensualitetin në një formë poetike të veçantë e të mbresëlënëse, të brishtë dhe të ndjeshme, multivalente dhe të bukur në vetvete, në një vepër që rilind nga hiri i vet.

Filed Under: Interviste

Promovimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare

August 19, 2024 by s p

Haxhi Dulla/

Promovimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare është një temë mjaft e ndjeshme. Është obligim i bashkatdhetarëve tanë kudo që janë në botë të promovojnë atdheun, nëpërmjet kulturës, gjuhës dhe mirësjelljes. Është shumë e vështirë të gjesh rrugën e duhur që do të jetë një recetë e mahnitshme dhe në të njëjtën kohë e mrekullueshme për të promovuar Kosovën në botë. Është e vështirë të lindësh një ide e tillë, por ndoshta është më e vështirë të gjesh njerëzit e duhur që, si të fortë, do të krijojnë, promovojnë dhe mbi të gjitha të ruajnë idenë për promovimin koherent të Kosovës dhe, dhe me të gjithë banorët e saj.

Kosova mund të promovohet në mënyra të ndryshme. Bukuritë natyrore janë një reklamë shumë e mirë për vendin. Mjafton paraqitja e përfaqësuesve tanë në sport. Ia vlen të tregojmë për të arriturat tona sportive. Falë kësaj, njerëzit nga e gjithë bota do të na njohin edhe në tepër. Promovimi i turizmit është shumë i mirë. Në vendin tonë nuk kemi det, por kemi male. Bjeshkët e Rugovës , Alpet Shqiptare në trekëndshin kufitar dhe fermat e agroturizmit që mund të inkurajojnë të huajt të vijnë. Në mes të Kosovës ekziston ujëvara e madhe Mirusha. Burimi i Drinit të Bardhë , dhe shumë atraksione të tjera interesante.

Prizreni është përshtatur shumë mirë për turistë të huaj. Sa për kuriozitet cdo vit vizitohet nga mijëra polak rrugës për pushime në Shqipëri. Agjencionet turistike nga Polonia organizojnë vizita të tilla jo vetëm në Prizren por edhe në tërë Kosovën. Via Ferata është shumë e njohur në dashamirës bjeshkatar polak, por mediat tona shqipfolëse shumë pakë shkruajnë për këtë. Fal mikut tim Astritit nga Peja me qindra polak vizitojnë bjeshkët tona. Rezulton se është e mundur të promovojmë vendin. Duhet vetëm vullnet. Por gjithçka që na nevojitet është një ide e mirë…Në foto një letër falenderuese pas promovimit të Kosovës në njërën nga bibliotekat publike polake, të cilës i falenderohem nga zemra…

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT