• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2024

𝗞𝗿𝘆𝗲𝗺𝗶𝗻𝗶𝘀𝘁𝗿𝗶 𝘁𝗮𝗷𝗹𝗮𝗻𝗱𝗲𝘇 𝗱𝗵𝗲 𝗥𝗮𝗺𝗮

August 19, 2024 by s p

Bujar Leskaj/

Më datën 14 gusht 2024, Gjykata Kushtetuese e Tajlandës shkarkoi nga detyra kryeministrin Srettha Thavisin, për shkak se kishte emëruar anëtar të kabinetit të tij qeveritar një ish-avokat që kishte vuajtur dënim me burg. Sikur kjo gjë të ndodhte në Shqipëri, autokrati Rama, inspiruesi i ngjizjes së Partisë Socialiste me të inkriminuar që nga viti 2013, nuk do të kishte mundur të qëndronte qoftë edhe një ditë të vetme në pushtet. Rama i hapi rrugë futjes së personave me rekorde kriminale në parti dhe katapultimit të tyre si deputetë në Parlament apo kryetarë bashkish, si dhe drejtues të lartë kompanish publike,apo shfrytëzues të pasurive publike përmes lejeve e licencave të ndryshme deri investitor strategjik.

Kjo lukuni personash i duhet Ramës dhe sektit të tij në pushtet, për t’i përdorur në fushata elektorale për financimin elektoral dhe më gjerë. Asnjë prej te inkriminuarve nuk është zgjedhur nga Partia Socialiste përmes garës dhe propozimeve nga baza, por janë diktuar nga lart, nga vullneti apo kapriçiot okulte të Ramës.

Me të trija palë zgjedhjet e përgjithshme të trukuara të viteve 2013, 2017 dhe 2021, si dhe në zgjedhjet vendore të viteve 2015, 2019 dhe 2023, Rama zbatoi modelin e mbrapshte dhe autokrat politik “i forti blen vota për të blerë më pas pushtetin”. Shpërndau pushtet pa kursim tek të inkriminuarit e tij, në këmbim të parave dhe votave të blera, duke i sponsorizuar dhe duke i lënë të penetronin në nivelet më të larta të shtetit dhe të vendim-marrjes publike. Rama sponsorizoi, përkrahu dhe realizoi ngritjen e një klientele individësh të pasur e “të fortë”, deri me rekorde kriminale, nga politika, biznesi dhe media. Kjo shtresë i garanton lidhjen e sektit të vet në qeverisje, me krimin dhe kriminelët, me trafiqet dhe trafikanët, si dhe me biznesmenët e manjatët. Kjo shtresë është e domosdoshme për Ramën, për t’i garantuar sponsorizimin financiar dhe prioritetin pasuror e financiar ndaj kundërshtarëve të brendshëm e të jashtëm, por edhe për të pasur në veprim në çdo moment “shtetin paralel” të të fortëve, që veprojnë për të blerë votat, kërcënuar votuesit, si dhe blerë ose frikësuar kundërshtarët politikë dhe opozitën.

Dorëheqja gjashtë vite më parë, më 15 mars 2018, e Kryeministrit të Sllovakisë Robert Fico, pas vrasjes së Ján Kuçiak, një gazetari që hetonte lidhjet e mundshme midis zyrtarëve të qeverisë së tij dhe një sindikate italiane të krimit të organizuar, i ngjan një akti sublim, në krahasim me batakun e Ramës, që ka 12 vjet që ua ka hapur partinë, qeverinë dhe shtetin personave të lidhur me krimin. KM Rama po e copëton Shqipëriné , pasurinë publike me ligje të qepura me dorë dhe pa ligje, si nje autokrat pa maskë , si grabitqar i vërtetë.

Bashkëjetesa dhe simbioza e “Liderit Rajonal” me persona me të kaluar të dyshimtë dhe rekorde kriminale buron nga vetë deviza e sektit të tij “më jep para, influencë dhe vota, të të jap pushtet ekonomik e politik “. Një cikël i mbyllur kriminal elektoral.Ajo nuk shkatërrohet dot, jo e jo me dorëheqje, apo me nisma të një Gjykate Kushtetuese të pagojë dhe jo profesionale si kjo e sotmja, që nuk ka top ta luajë, por vetëm me votën e qytetarëve të përgjegjshëm për votën e lirë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025. Populli na mëson:Zullumi me tu trashur këputet. Sekti Rama drejt këtij degradimi ka vite që vërtitet.

Nga opozita kërkohet alternativë zhvillimi kombëtar, ekip me integritet në çdo aspekt dhe fushatë luftarake gjithëpërfshirëse.

Filed Under: Ekonomi

Isa Boletini, konsulli rus, Ura e Ibrit dhe Stano i BE-së

August 19, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Para 121 vjetësh ndodhi një bela e madhe në Mitrovicë, e cila do t’i shkaktonte kokëdhembje të mëdha Sulltan Abdyl Hamditit, i cili mori të gjitha masat dhe i bëri koncesione carit rus vetëm për qetësimin e situatës në këtë qytet kosovar. Por, edhe pse sulltani e largoi Isa Boletinin nga Mitrovica dhe dënoi me vdekje atentatorin shqiptar të konsullit rus, situata mbeti edhe më tej kritike. Por, as sulltani osman dhe as valiu i Kosovës apo ndonjë palë e tretë e përfshirë në këtë rajon nuk do të mund të imagjinonte se 120 vjet më vonë në Mitrovicë dhe rrethinë situata do mbetej edhe më tej “shpërthyese” dhe problematike”.

Derisa organizatori/vrasësi i policit shqiptar të Republikës së Kosovës mbetet i strehuar në Serbi, BE-ja, përmes zëdhënësit të saj Peter Stano, bënë thirrje që ura mbi lumin Ibër, të cilin në kohën e lashtë banorët e quanin Ujëbardhë, të qëndrojë e mbyllur si “rezultat i një numri të madh rrethanash të vështira politike”. Nëse heqin datat dhe emrat e protagonistëve, krijohet përshtypja se ndodhemi akoma në telashet e pranverës së vitit 1903, kur në këtë rajon strategjik shqiptar zhvillohej një diplomaci konfrontuese midis fuqive evropiane dhe rajonale, gjë e cila del në pah nga dimensioni që mori çështja e hapjes së konsullatës ruse dhe më pas edhe nga aktiviteti permanent propagandistik edhe antishqiptar i konsullit Shqerbin në mesin e popullatës ortodokse serbe në rrethinën e Mitrovicës.

Kërkesa për internim të Isa Boletinit dhe vrasja e konsullit rus

Viti 1903 është një pikë kthese për zhvillimet në Vilajetin e Kosovës. Zhvillime të rëndësishme që ndodhën në rajon në këtë kohë, të tilla si miratimi i Programit të Reformës së Mürzsteg (1903), Kryengritja e Ilindenit, por pa dyshim ngjarja ma pikante ishte vrasja e konsullit rus në qytetin e Mitrovicës, në veri të Vilajetit të Kosovës, prej nga vinin provokimet e bandave dhe të shtetit serb. Vrasja e konsullit Shqerbin tensionoi situatën jo vetëm në Mitrovicë, por edhe marrëdhëniet midis Perandorisë Osmane dhe Rusisë.

Në këtë kohë, një peshë të veçantë kishte pjesa veriore e Vilajetit të Kosovës, e cila përmes Sanxhakut të Novi Pazarit krijonte një lidhje strategjike me Vilajetin e Bosnjës, i cili pas Kongresit të Berlinit hyri nën kontrollin ushtarak të Austro-Hungarisë, ngjashëm me protektoratin ndërkombëtar që u vendos aty pas Paqes së Dejtonit.

Në rajonin verior të Vilajetit të Kosovës ekzistonte një rivalitet i madh politik, ekonomik dhe ushtarak ndërmjet fuqisë evropiane austro-hungareze dhe pretendimeve serbe dhe ruse për dominim dhe ushtrim të influencës në Ballkanin Perëndimore. Në këtë kontekst, Vilajeti i Kosovës, sidomos në fillim të shekullit 20, u bë cak i orekseve hegjemoniste territoriale serbe. Krahas pranisë së fuqishme të klerikëve serbë dhe rusë në Vilajetin e Kosovës, gjithnjë e më shumë kishte interesim për hapjen e misioneve diplomatike në territorin e Kosovës: në Shkup, Prizren, Prishtinë dhe në Mitrovicë. Për më tepër, sipas dokumenteve osmane, Mitrovica konsiderohej zemra e Shqipërisë në atë kohë për shkak të lidhjes hekurudhore me Pejën, Shkupin, Yeni Pazarin, Prishtinën dhe Prizrenin. Ky rajon kishte një lidhje të drejtpërdrejtë me Sanxhakun e Novi Pazarit, që ishte një rrip i ngushtë midis shteteve sllave të Serbisë dhe Malit të Zi, që shërbente njëkohësisht edhe si pykë për të pamundësuar bashkimin politik të këtyre dy shteteve dhe për të ruajtur një kalim në Kosovë, Maqedoni dhe, prej këndej, në Egje. Kjo ishte arsye përse Austro-Hungaria, Rusia, Perandoria Osmane dhe Serbia dëshironin që përmes pranisë politike dhe ushtarake në qytetin e Mitrovicës të shtrinin influencën e tyre në këtë rajon strategjik.

Në kontekstin e ruajtjes së status quo-së në rajon, Rusia e mori në konsideratë hapjen e një konsullate në Mitrovicë në përgjigje të idesë se interesat e veta ishin lënë në hije nga iniciativat e Austro-Hungarisë, rivale të saj në rajon. Duke e marrë në konsideratë reagimin e dhunshëm të shqiptarëve, që kishte të ngjarë të përkeqësojë situatën në mënyrë të pakontrolluar, guvernatori i atëhershëm i Kosovës në përgjigjen për konsullin rus në Shkup, vuri në dukej të metat e hapjes së konsullatës ruse në Mitrovicë, duke sqaruar se emërimi i një konsulli atje nuk ishte i përshtatshëm për shkak të faktit se Mitrovica ishte një vend i vogël, ai gjithashtu paralajmëroi se hapja e një konsullate atje do të ishte e privilegjuar për shtetet dhe qeveritë fqinje, si dhe i shkroi se nuk kishte asnjë konsull të ndonjë shteti në Mitrovicë.

Ndërsa autoritetet osmane kërkuan që largimi i konsullit të shtyhej deri sa shqiptarët të qetësoheshin, gjenerali që përfaqësonte Serbinë në Stamboll këmbënguli në lëvizjen e Shqerbinit në Mitrovicë sa më shpejt të ishte e mundur. Edhe serbët lokalë u përpoqën të mobilizoheshin nga Serbia për konsullatën ruse në Mitrovicë. Gjithashtu në një telegram të koduar të dërguar në Ministrinë e Brendshme nga Kosova, raportohej se konsulli serb i Prishtinës kishte organizuar një mbledhje të pleqve dhe anëtarëve të këshillit shpirtëror nga fshatrat e rrethinës së Kolashinit në Mitrovicë për të hartuar një dokument që mbështeste hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë, pa njoftuar autoritetet lokale.

Rusia, krahas insistimeve për hapjen e Konsullatës së saj në qytetin e Mitrovicës, kërkonte nga Porta e Lartë edhe një kusht të madh, dërgimin e Isa Boletinit në internim, për shkak se ai kur e dëgjoi lajmin për ardhjen e konsullit rus, nisi një lëvizje të organizuar kundër hapjes së misionit konsullor rus në qytetin e tij. Ky udhëheqës i njohur shqiptar në këtë rajon, gjithashtu mobilizoi njerëzit e Novi Pazarit duke i dërguar një telegram qeverisë osmane se ata nuk e mirëprisnin ardhjen e një konsulli rus. Kjo ishte arsyeja përse guvernatori osman i Kosovës ishte i bindur se hapja e konsullatës ruse do të ishte e mundur vetëm pasi disa individë të largoheshin nga rajoni. Faktori Isa Boletini duhej të merrej seriozisht.

Në anën tjetër, pala ruse do ta ngrinte shqetësimin për mospërmbushjen e premtimit të dhënë nga shteti osman për internimin e Isa Boletinit nga Mitrovica dhe dhënia e akreditimit për konsullin e emëruar. Në të njëjtën kohë, shteti rus kërcënonte se mosrealizimi i këtyre kërkesa do të thoshte ndërprerje e marrëdhënieve diplomatike me shtetin osman. Pas këtij kërcënimi, Isa Boletini do të largohej nga Mitrovica për në Stamboll, jo me metoda ushtarake, por me bindje, dhe ai do t’i jepej një detyrë prestigjioze nga Sulltani në lidhje me mbrojtjen e tij, por trazirat shqiptare në rajon nuk mundën të parandaloheshin.

Sulltan Abdul Hamidi gjithashtu i udhëzoi zyrtarët të bënin atë që ishte e nevojshme për të parandaluar përshkallëzimin e ngjarjeve. Kur Stambolli të kuptojë se nuk do të jetë në gjendje të parandalojë hapjen e konsullatës ruse, u përpoq të vonojë hapjen sa më shumë që të jetë e mundur, por në fund u pajtua për fillimin e punës së konsullit rus në Mitrovicë.

Shqerbin më në fund mbërriti në qytetin e Mitrovicës më 26 janar 1903 dhe menjëherë filloi aktivitetet e tij, duke vizituar fshatrat me popullatën ortodokse serbe në fshatrat përreth qytetit. Sipas një dokumenti osman, një aktivitet i tillë i konsullit rus Gregory Shqerbina kishte ngjallur shqetësimet e popullsisë shqiptare në rajon. Sipas Edith Durham, besohet se konsulli rus, i cili ishte në mesin e trupave osmane, personalisht qëlloi dhe vrau shumë shqiptarë dhe madje komandoi edhe baterinë e artilerisë osmane që ishte angazhuar për të shtypur një revoltë shqiptare. Thuhet se kjo sjellje e konsullit rus i kishte acaruar shqiptarët në ekstrem dhe në shenjë hakmarrje në mars të vitit 1903, deri ai po shëtiste jashtë qendrës së qytetit, ushtari osman Ibrahim bin Halid, e qëlloi për vdekje. Burimet shqiptare thonë se ushtari osman Ibrahim bin Halid (Ibrahim Haliti), ishte nga fshati Llashticë i rrethit të Gjilanit.

Kjo vrasje e konsullit rus ishte dëshmia më e mirë se përkundër gatishmërisë së Portës së lartë për t’i bërë koncesione shtetit perandorak rus, situata në Mitrovicë mbeti konfrontuese dhe epiqendër e rivaliteteve midis shteteve fqinje dhe atyre evropiane. Kjo duket qartë edhe nga reagimi i skajshëm i Serbisë ndaj njoftimit të kontit austriak Aehrental, ministër i Jashtëm, për ndërtimin e hekurudhës së Sanxhakut, e cila do të kalonte nëpër qytetin e Mitrovicës, ku jeta ishte e mbushur me rreziqe dhe pasiguri dhe ku gjatë historisë telashet midis shqiptarëve dhe serbëve e tërhoqën vëmendjen e opinionit publik më shumë se gjithandej në Kosovë.

Muri i Berlinit dhe përpjekja serbo-ruse për ndarjen e veriut të Kosovës më 1999

Me ngritjen e befasishme të Murit të Berlinit në gusht 1961, ndarja gjermane u çimentua – në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe Lufta e Ftohtë arriti në pikën kritike. Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania Lindore (RDGJ nuk kishin zgjidhje tjetër për të ndaluar fluksin e refugjatëve nga Gjermania Lindore në Perëndim. Në vitet e mëparshme kishin ikur tre milionë qytetarë, shpesh të rinj të kualifikuar, të cilët ia kthyen shpinën socializmit që ekzistonte në të vërtetë në tokën gjermano-lindore. SHBA-të reaguan me kujdes ndaj ndërtimit të murit. Pika e kontrollit Charlie – Kalimi kufitar në Friedrichstrasse ishte një simbol i dimensionit ndërkombëtar të konfliktit të Berlinit. Kur Berlini Lindor filloi ndërtimin e murit, shumë prisnin përfshirje më të madhe të SHBA-së. Por administrata Kennedy dhe politikanët gjermanë reaguan me maturi. Ata e dinin: bota ishte në prag të një lufte të re bërthamore.

Edhe në qershor të vitit 1999 bota ishte të një konfrontim të madh SHBA-Rusi, kur kreu ushtarak i Rusisë po bënte përpjekje që në mënyrë të njëanshme të krijonte në sektor ushtarak rus nga lumi Ibër e tutje. Millosheviqi edhe pse kishte pranuar Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake të Kumanovës, po lëvizte të gjithë gurët për ndarjen e Kosovës. Në fakt, në kohën kur ende po vazhdonin bombardimet e NATO-s ndaj caqeve ushtarake serbe, diplomacia ruse kishte filluar presionet për një sektor rus paqeruajtës në veri të Kosovës. Më vonë presidenti Ahtisaari, i Finlandës, ka pohuar se përpjekja ruse për të kapur bazën ajrore të Sllatinës ishte krijuar për të mundur ndarjen e Kosovës si pjesë e një marrëveshjeje sekrete me Millosheviqin. Ai këmbëngulte se asnjë shpjegim tjetër nuk përfshin plotësisht ngjarjet konfuze të atyre ditëve dramatike.

“Unë jam i bindur se ishte rënë dakord midis forcave të armatosura ruse, si dhe shërbimeve të inteligjencës dhe udhëheqjes jugosllave që Rusia të merrte kontrollin e pjesës veriore të Kosovës dhe të formonte një sektor të vetin”.

Ahtisaari pohon se ky plan sekret shpjegon arsyen përse Millosheviqi pranoi marrëveshjen e paqes të cilën ai dhe Viktor Chernomyrdin ia kishin dorëzuar në Beograd, miratoi ofertën e paqes që ai solli në Beograd dhe pse rusët punuan për të ndaluar bisedimet ushtarako-teknike për të blerë më shumë kohë. Një pretendim i tillë serb mund të kuptohet edhe nga qëndrimi që përfaqësonte asokohe presidentit kroat Franjo Tugjman, i cili në një takim me ambasadorët e të G-8 në Kroaci në Zagreb më 22 maj 1999, pati deklaruar se „forcat serbe duhet të tërhiqeshin në pjesën veriore të Kosovës, ku duhet të vendoseshin edhe trupat e huaja, duke përfshirë njësitë ushtarake ruse“. Ndaj këtij propozimi të presidentit kroat pati reaguar e përditshmja e pavarur “Novi List”, e cila akuzoi se ideja e tij përbënte “një marrëveshje të Jaltës” ose ndarje të Kosovës.

Dështimi rus për të vendosur një vijë ndarëse mbi lumin Ibër përmes krijimit të një sektori rus, ishte pa dyshim meritë e shkathtësisë diplomatike të zëvendëssekretarit amerikan Strobe Talbott dhe ekipi i tij, të cilin sekretarja Medlin Albright e kishte dërguar në Moskë për finalizimin e detajeve të përfshirjes së Rusisë në KFOR.

“Uashingtoni këshilloi mençur Strobe Talbotin t’i zhyste rusët në diskutim dhe t’i mbajë aty derisa sa të miratohet rezoluta një Nju Jork,“ thotë Wesly Clark, i cili po ashtu ishte kundërshtari më i madh që rusëve t’u jepet një sektor i veçantë. Por, meqë Rezoluta e OKB-së nuk e qartësoi rolin e Rusisë brenda KFOR-it, ekipi rus nën drejtimin e ministrit të Mbrojtjes Sergei Ivanov me ushtarakët e lartë Anatoli Kvashnin, Leonid Ivashov, gjenerali Ivashov dhe Viktor Zavarzin dhe këshilltari politik Vladimir Putin ia dolën dinakërisht të fusnin në Prishtinë, e më pas në bazën ushtarake të Sllatinës kontingjentin e trupave ruse të dërguara nga Bosnja. Kjo situatë kritike nxiti angazhimin urgjent të presidentit amerikan Bill Clintoin, zëvendëspresidentit Al Gore, sekretares Medline Albright, Sekretari të Mbrojtjes, William Cohen gjeneralëve Hug Shelton, Wesly Clark dhe të shumë diplomatëve dhe ushtarakëve të tjerë amerikanë, të cilën me vendosmëri e dështuan plani serbo-rus për ndarjen e Kosovës.

Talbot i tha ministrit rus të Mbrojtjes: “Nuk mund të kemi ndarje. Synimi ynë nuk është ta ndajmë Kosovën, por sapo të vendosim një vijë, kemi ndarje. Të gjithë serbët do të derdhen në sektorin rus”. Ndërsa, kryeministri i ri, Sergei Stepashin, i cili kishte punuar në nivele të larta në shërbimet e inteligjencës ruse, në takim me Talbotin theksoi: “Duket se ne kemi shmangur një përshkallëzim në Kosovë ashtu siç kemi shmangur një përshkallëzim të tillë në krizën e Kubës shumë kohë më parë”. Në anën tjetër, lidershipi i BE-së në Samitin e Kölnit vazhdonte të merrte për vete meritat e përfundimit të luftës në Kosovë.

Pas shumë netëve të gjata dhe negociatave të vështira të pafundme, SHBA dhe Rusia më 18 qershor 1999 arritën marrëveshjen për pjesëmarrjen e trupave ruse në KFOR. Përfundimi: Rusisë nuk do t’i jepej asnjë sektor më vete. Trupat ruse do të shpërndaheshin në mes të 45,000 paqeruajtësve të NATO-s dhe do t’u përgjigjeshin komandantëve kombëtarë të NATO-s. Konfigurimi përfundimtar paqeruajtës, ishte shumë i ngjashëm si në Bosnjë. Ndoshta për çështje balance, veriu i takoi Francës.

Dialogu për çështje trafiku dhe vazhdimësia e “revolucionit të drunjve”

Që nga paslufta veriu i vendit u bë oazë krimi, ku shqiptarët dhe serbët bashkëpjesëmarrës të zellshëm. Në anën tjetër, kalimi mbi Urën e lumit Iber të Mitrovicës u pika më e nxehtë e Kosovë, ajo herë bllokohej me gjëra të rënda herë bëhej e pakalueshme nga mbyllja që bëhej prej KFOR-it. Është e qartë se shpresa e vetme ishte dialogu i Brukselit, që filloi në vitin 2011 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Por, tani qe jemi në vitin 2024, as nuk kemi normalizim marrëdhëniesh, as marrëveshje finale dhe as hapje të plotë të urës mbi Ibër. Përjashto Asociacionin, ku ka një përkushtim dhe vendosmëri ndërkombëtare, Procesi i Brukselit ka degraduar në telenovelë trafiku. Nëntë vjet më vonë, në tetor 2015 ishte arritur Marrëveshja e Brukselit për heqjen e barrikadës dhe rivitalizimin e urës së Ibrit. Bashkimi Evropian, përkatësisht Zyra e BE-së në Kosovë, që është kompetent për zbatimin e kësaj marrëveshje, kishte nisur punimet e rivitalizimit të urës e cila ishte parashikuar se do të zgjasë deri në qershor të vitit 2016, dhe më pas pritej që ura e Mitrovicës do të hapej për lëvizje të plotë të lirë, për këmbësor dhe automjete. Dhe tani kur Qeverisë së Kosovës doli me nismën për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e veturave, pos shtetit fqinj të Vuçiqit, dolën kundër edhe ndërkombëtarët.

Ndërsa, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ndonëse e pranon se urat janë për bashkim të njerëzve, thotë se Ura e Ibrit është “çështje shpërthyese dhe problematike” dhe “nëse keni një problem, atëherë e zgjidhni me dialog, jo me vendime të njëanshme”. Mund të mos na pëlqejë, por ky qëndrim i ndërkombëtarëve është imponim i një zgjidhjeje kundër vullnetit të shumicës, kur pakica serbe është kundër, atëherë nuk është i rëndësishëm vullneti i shumicës edhe atëherë kur kemi të bëjmë me rregullat e trafikut dhe jo vetëm me ndryshimet kushtetuese. Ndoshta mënyra se si mund të kuptohet Kosova sot është nëpërmjet qëndrimit të ndërkombëtarëve për urën e Mitrovicë. Nëse parafrazojmë mendimin e Talbot-it se “por sapo të vendosim një vijë, kemi ndarje”, atëherë duhet kuptuar që tani se pikërisht aty nesër mund të jetë kufiri i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ky opsion do të shënonte momentin lapidar të ndarjes së brendshme të Kosovës.

Vazhdimi i telenovelës të Urës së Mitrovicës, që ndan pjesën veriore të qytetit e cila është e banuar me shumicë serbe pas spastrimit etnik të shqiptarëve dhe pjesën jugore që është me shumicë shqiptare, ndoshta është simbolika më e keqe e dështimit të etablimit të Perëndimit në Kosovë dhe rajon. Nëse vazhdohet me këtë qasje ndërkombëtare, kur vendimi Qeverisë së Kosovës konsiderohet i njëanshëm edhe përballë strukturave ilegale të Serbisë, vazhdon të funksionojë në praktikë strategjia e komunikimit të drejtpërdrejtë të serbëve të Kosovës me Beogradin, që nënkupton dëgjueshmërinë e tyre vetëm ndaj Beogradit. Si mund të ndodhë integrimi i serbëve në sistemin e Kosovës përderisa vendimet e Kosovës: për targat e automjeteve, për zhbërjen e strukturave ilegale serbe, për ndalimin e dinarit serb, për mosnjohjen e pasaportave ilegale dhe për ndalimin e funksionimit të paligjshëm të Postës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, konsiderohen të njëanshme.

Nëse është kështu, atëherë i bie që operimi dhe vendimet e Qeverisë së Serbisë që kanë të bëjnë me Kosovën nuk janë të njëanshme! Në këtë kontekst, çfarë kuptimi ka referenca nga Marrëveshja Themelore më 27 shkurt 2023 dhe Aneksi i Zbatimit të 18 marsit 2023, që parashikon se: “Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën në bazë të të drejtave të barabarta”. Të gjitha veprimet e paligjshme e deritanishme të Serbisë, jo vetëm që paraqesin shkelje serioze të parimeve të fqinjësisë së mirë, por ato krejt hapur synojnë ta minojnë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Ndërsa, thirrja e serbëve lokalë për ta penguar hapjen e urës përbënë cenim të rendit kushtetues, që nënkupton nevojën e veprimit të shtetit dhe institucioneve të rendit. Nëse i referohemi nenit 155 të kushtetutës së Spanjës, të një vendi anëtar të BE-së, në rast se një komunitet i Spanjës nuk e respekton Kushtetutën, atëherë qeveria është e detyruar që ta obligojë atë me forcë e ligjit që ta bëjë atë. Për çfarë vetëm në rastin e Kosovës çdoherë duhet pasur përjashtime.

Kundërshtimi, sidomos ai evropian, i hapjes së urës, insistimi për ruajtjen e strukturave ilegale të shtetit serb brenda territorit të Kosovës, kërkesa për rikthimin e valutës së shtetit serbe dhe së fundi edhe njohja e njëanshme nga BE-ja e pasaportave të qendrës koordinuese ilegale serbe, tregon BE-ja se po ndjek një “zgjidhje”, edhe pse ajo kundërshtohet nga pozita dhe opozita dhe shumica e qytetarëve të Kosovë, që e shpi dialogun në një ngërç dhe njëkohësisht e forcon pozicionin kundërshtues të përfaqësuesve radikalë serbë në Kosovë kundër integrimit në sistemin shtetëror kosovar.

Për më tepër, sipas logjikës së Stanos, i cili natyrisht me këtë rast nuk përfaqëson qëndrimin personal, por të BE-së, në çdo shtet të rajonit mund të gjendej një komunitet etnik që do të kërkonte të mbante një rrugë apo urë të mbyllur si shenjë e sfidimit të pushtetit qendror. Por, ai dhe ndonjë zyrtar evropian është mirë ta kuptojnë se bllokimi i rrugëve është “armë” e njohur e Beogradit, kur në gushtit të vitit 1990 serbët e Kroacisë patën bllokuar rrugët përreth qytetit kroat Kninit, duke vendosur mjete të rënda transportuese, por edhe zhavorr e drunj, në atë që quhej si “revolucioni i drunjve.”

Dhe nëse edhe pas tridhjetë e katër vjetëve vazhdojmë të normalizojmë logjikën e “revolucionit të drunjve,” atëherë i tërë procesi i Brukselit fillon t’i ngjajë stilit të bisedimeve për çështjen e arsimit në Gjenevë në kuadrin e konferencës për ish-Jugosllavinë në fillim të viteve 1990-ta, i cili sipas ambasadorit Gerht Ahrens, drejtues i këtij procesi, shqiptarëve ua krijonim përshtypjen se problemi i Kosovës ishte ndërkombëtarizuar, ndërsa serbëve se tema e arsimit është një çështje e brendshme e Serbisë, ndërkohë që qëllimi i vërtetë ishte përgatitja e terrenit për hapjen e negociatave politike për statusin e Kosovës. Nëse është kështu, atëherë na del se krejt marrëveshjet e Brukselit janë një instrument për paketimin diplomatik të status quo-së dhe të negociatave të pa fund, përkatësisht derisa të krijohet një momentum i ri për realizimin e një ndarje të brendshme të Kosovës në vija etnike, në Kosovën serbe dhe Kosovën multientike, por askund shqiptare.

Rasti i ndarjes së brendshme territoriale të Bosnjës-Hercegovinës me shumicë myslimane tregon se ato e dobësojnë dhe e pengojnë funksionimin e shteteve. Megjithëse Serbia, që i nisi tri lufta dhe i humbi ato, që nga qershori i vitit 1999 bashkë me miqtë e saj nisi një fushatë për ta kthyer përmbysë të vërtetën e asaj që ndodhi në Kosovë, ajo ka punuar pareshtur për të mohuar krimet e kryera në Kosovë dhe gjetiu, duke ekzagjeruar dhe vetëviktimizuar serbët e Kosovës, Bosnjë dhe të Kroacisë.

Kësisoj, ajo krijoi qëllimisht kundër-narrativë, sipas së cilës kishte viktima, përfshirë edhe kriminelë, nga të gjitha anët. Kështu Serbia, megjithëse krimet e saj u kualifikuan si më të rënda që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, në fund ajo përfitoi nga krimet e luftës, sepse ruajti territorin e RS dhe ende kontrollon veriun e Kosovës, duke thurur plane për t’ia aneksuar fillimisht atë pjesë Serbisë. Kjo s’është fantazi, është e shkruar, e formuluar qartë, është doktrinë që pret orën e saj. Gjithashtu, siç pohonte shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, “bombat e NATO-s ndëshkuan Serbinë me 1999, por jo edhe doktrinën e saj”.

Dhe pikërisht mbi këto premisa duhet kërkuar interpretimin e politikës hegjemoniste serbe ndaj Kosovës, e cila pikënisjen e saj në fundin e shekullit 19 dhe fillimin e shekullit 20, përkatësisht problemi me konsullin rus, i cili kishte zbarkuar në një qytet kosovar një agjendë serbe dhe që po krijonte rrëmujë dhe shqetësime si për popullatën vendore shqiptare, ashtu edhe për autoritetet e shtetit osman. Ishte pikërisht koha kur shteti serb po bënte gjithçka për të penguar konsolidimin e lëvizjes kombëtare shqiptare dhe ndërtimin e një aleance me shtetin perandorak të Austro-Hungarisë, një fuqi evropiane që po mbështeste krijimin e një shteti etnik shqiptar në Ballkan që e shihte si digë kundër depërtimit të influencës sllave.

Ngjashëm si atëherë, Serbia që nga paslufta është orvatur që përmes dimensionit rus të shkaktojë trazira në brendësi në territorin e Kosovës. Kështu, Serbia dhe Rusia po udhëheqin me sukses projektin e pengimit të etablimit të Perëndimit në Ballkan dhe në veçanti në Kosovë. Por, ndoshta tani, kur Perëndimi është i përqendruar në luftën e Ukrainës, në luftën e Gazës dhe në krizat e reja që duken në horizont, rreziku i projektit serb, të cilin asokohe e parandaluan amerikanët, duket po aq i madh sa në qershor të vitit 1999. Dhe, nëse ajo çfarë është fituar në fushëbetejën diplomatike amerikane-ruse në bisedimet e Moskës dhe Helsinkit në qershor të 1999, të rrezikohet përmes procesit infinitiv të Brukselit, atëherë ky do të ishte një dështim i madh i NATO-s dhe i Perëndimit për etablimin e suksesshëm në Kosovë dhe në rajon.

Pragmatizmi, si exit strategji

Nëse edhe pas njëzet e pesë vjetëve ura mbi Ibër vazhdon të mbahet e mbyllur, kjo dëshmon ose dështimin e BE-së ose fjala është për ndonjë skenar të panjohur për ne. Ky është një mister i madh për mua. BE-së nuk i mungon kreativiteti, por të thuash se hapja e urës nxit rebelimin e komunitetit serb, duket skandaloze për aq kohë sa dizajnuese e turbullirave të tilla ka qenë dhe mbetet lidershipi i politik e shtetëror i Beogradit, i cili ndjek strategji të njëjtë me atë të Millosheviqit në vitet 1980, duke i thirrur serbët për padëgjueshmërinë ndaj Qeverisë së Kosovës.

Prandaj, në këtë situatë delikate Qeveria e Kosovës për shumë arsye duhet të lëvizë me shpejtësi për të evituar një përplasje serioze me Perëndimin, para së gjithash me SHBA-në, ngase krijohet perceptimi i gabuar se pala problematike nuk na qenka Beogradi, por Prishtina. Dhe nëse duam të shmangim këtë kurth, mendoj se Qeveria duhet të bëjë një tërheqje të sërishme nga pozicioni i tanishëm.

Pra, pavarësisht se BE-ja ka dështuar ta përmbushë këtë marrëveshje që nga qershori i vitit 2016, Qeveria e Kosovës ka një varg arsyesh që të tregohet më e kujdesshme për shmangien e një diskursi konfrontues me partnerët ndërkombëtarë, sidomos me SHBA-në, që janë garantues të vetëm të stabilitetit në Kosovë dhe regjion.

Është e vërtetë që aleatët e mëdhenj të Kosovës – SHBA dhe BE, janë seriozisht të pakënaqur që nuk po gjejnë tek udhëheqja aktuale e Kosovës atë bindshmëri që e kanë gjetur në qeveritë e mëparshme. Kjo është pjesë e traditës diplomatike mes fuqive të mëdha dhe shteteve më të vogla dhe ka peshën e vet në funksionimin e sistemit ndërkombëtar. Të mësuar me këtë mendësi, aleatët perëndimorë nuk është çudi se shohin si provokim vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës mbi lumin Ibër, për të cilën më 2015 BE-ja premtoi se do të hapej brenda vitit 2016.

Shumë qendra ndërkombëtare të vendosjes perëndimore, të kënaqura me përmbysjen e Millosheviqit, besojnë se Serbisë duhet t’i njihet një peshë e veçantë në Ballkan, veçanërisht duke pasur parasysh intencën për shkëputjen e saj nga influenca e Rusisë si dhe për shkak të luftës në Ukrainë. Por, është tepër naive të besohet që një vend si Serbia, që luhatet mes Lindjes dhe Perëndimi, mund të shërbejë si faktor stabiliteti në rajon.

Nuk mund të besohet se pikërisht një vend si Serbia, e cila historikisht që nga krijimi si shtet ka operuar midis Lindjes dhe Perëndimit, mund të shkëputet nga koncepti hegjemonist, nëse nuk përballet me vendosmërinë e Perëndimit. Prandaj, është jo serioze kur BE-ja e politizon dhe shkakton përhap panik sikur ura mbi Ibër të ishte ekuivalenti i Murit të Berlinit.

Meqë synimi i Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës nga vendet e QUINT-it, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, është cilësuar si i njëanshëm, vendi ka nevojë për një qasje më pragmatike, që do të nënkuptonte një tërheqje me marrëveshje të afatizuar sesa të kemi një tërheqje imponuar dhe pa asnjë benefit.

Qeveria e Kosovës do të duhej para vendeve të Qunit-it dhe NATO-s të prezantonte një koncept realist dhe një shtyrje të limituar kohore, të paktën deri pas zgjedhjeve nacionale në vend, për implementimin e pakushtëzuar të vendimit për hapjen e urës mbi Ibër, sepse kjo urë nuk është as nuk mund të bëhet më e fortë se Muri i Berlini. Njëkohësisht, një lëvizje pragmatike e Qeverisë së Kosovës do të ishte një exit-strategji për evitimin e kurthit të Beogradit për vetëviktimizimin e komunitetit serb në vend, dhe gjithashtu evitimin e perceptimit të gabuar, se nuk është Serbia, por Kosova fajtori i mungesës së procesin e Brukselit.

Por, një lëvizje e Qeverisë së Kosovës duhet të ishte në mënyrë kategorike e limituar në kohë: të paktën të shtyhej deri në pranverë e vitit që vjen, domethënë derisa në SHBA të jetë përmbyllur procesi zgjedhor për lidershipin e ri. Sepse, sa për evropianët, bazuar nga eksperienca e viteve 1990, mund të themi se BE-ja nuk ka vullnet ose nuk dëshiron apo edhe nuk mundet që ta “nxjerr macen nga përsheshi”.

Kjo qasje bëhet edhe e nevojshme edhe për shkak të rrethanave në vend, në rend të parë, për të shmangur çfarëdo alibie për mospjesëmarrjen e serbëve lokal në zgjedhjet parlamentare, të cilat pritet të mbahen brenda pak muajve. Në këtë mënyrë, Prishtina do ta dekonstruktonte strategjinë e Beogradit që pas krijimit të vakumit institucional në veri, të shtynte përfaqësuesit e partive politike serbe t’i bojkotonin zgjedhjet nacionale dhe kjo automatikisht do i linte serbët të pa përfaqësuar edhe në nivelin qendror. Dhe në një rast të tillë, saga e vetëviktimizuese do të bëhej më agresive dhe njëkohësisht Kosova do të shikoj si palë problematike dhe automatikisht do të fuqizonte pozicionin serb në dialogun e Brukselit. Kësisoj do të shtohej vendosmëria ndërkombëtare për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një institucion një etnik, i cili do të hapte shtegun për ndarjen e brendshme të Kosovës në vija etnike sipas modelit boshnjak. Dhe pas kësaj, Beogradi do të kishte në dorë një levë tepër të fuqishme për kontestimin e shtetit të Kosovës, jo vetëm nga jashtë, por edhe nga brenda.

Në të njëjtën kohë, Perëndimi, SHBA dhe BE, nëse sinqerisht janë kundër bosnjëzimit të Kosovës, në komunikim me palën problematike, domethënë me Serbinë, duke ia bërë të qartë se ndarje të brendshme të Kosovës nuk mund të ketë. Ndryshe, një qëndrim i luhatur, siç ka ndodhur në shumicën e rasteve që nga paslufta, do të ishte një inkurajim për strukturat kriminale dhe rrjedhimisht kjo situatë do të ndikonte në rritjen e tensioneve në veri të Kosovës. Dhe çdo përshkallëzim eventual do të ishte një dhuratë e madhe për Rusinë, e cila si askund tjetër në rajon, në Kosovë e minon me vendosmëri projektin e etablimit të Perëndimit dhe njëkohësisht përmes vetos së saj e mban të mbyllur derën e Këshillit të Sigurimit si instrument bllokues për integrimin e plotë të shtetit të Kosovës në sistemin ndërkombëtar.

Në anën tjetër, kundërshtimi, sidomos i evropianëve, për hapjen e urës, pavarësisht motiveve të zyrtarëve të Brukselit, nga sfiduesit e rendit kushtetues të Kosovës, në rend të parë nga lidershipi i shtetit fqinj, po shfrytëzohet me agresivitet propagandistik për koncesione të reja dhe realizimin me sukses të strategjisë së mosdëgjueshmërisë së serbëve lokalë ndaj institucioneve të Kosovës. Inkurajon ruajtjen e mëtutjeshme të strukturave ilegale serbe brenda territorit të shtetit të Kosovës. Në këtë mënyrë, Beogradi po gëzon benefite të dyfishta: një njërën anë, me paratë e BE-së po financon strukturat paralele në Kosovë dhe në anën tjetër po kërkon dhe marrë koncesione përmes Procesit të Brukselit, si Asociacioni apo akomodime të reja për Kishën ortodokse serbe të Kosovës.

Kërkesa më anakronike e Brukselit kundër aplikimit të euros në transaksionet bankare, pasi kjo formë “shkakton krizë humanitare”, dhe mirëkuptimi ndaj kërkesës së Vuçiqit për rikthimin e valutës së shtetit serb brenda Kosovës dhe së fundi njohja e njëanshme e pasaportave të qendrës koordinuese ilegale serbe, tregon se BE-ja po ndjek një “zgjidhje”, e cila çështjen e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi e ka zhvendosur në periferi dhe as që duket në horizont. Me kërkesa të tilla të njëanshme ndaj Kosovës, BE-ja njëkohësisht ka forcuar pozicionin e përfaqësuesve radikalë serbë në Kosovë për kundërshtimin e integrimit të serbëve.

Me këtë qasje, me apo pa dashje BE-ja po krijon përshtypjen sikur marrëveshjet e paimplementuara të Brukselit dhe i gjithë procesi i dialogut po merr një formë të re, përtej asaj që e ishte specifikuar me rezoluta e OKB-së në shtator të vitit 2010, dhe, tani në vend të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, gjithnjë e më shumë ka një tendencë të sforcuar që përmes strategjisë së lodhjes të mbahet gjallë ideja se shtetësia e Kosova nuk është e përmbyllur dhe rrjedhimisht edhe statusi i saj është i diskutueshëm, e që në fakt dhe për ironi përputhet me parimin serb të përkohshmërisë së çdo gjëje në Kosovë. Kjo përshtypje po ndërtohet mbi premisën se vetë BE-ja marrëveshjet e arritura në Bruksel, Aneksin e Ohrit apo Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirës dhe për Targat e të tjera po i përdor më shumë si strategji për blerjen e kohës sesa si intencë që në një kohë reale të përmbyllë dialogun për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes dy shteteve të vogla dhe fqinje të Ballkanit Perëndimor përmes një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse, finale dhe ligjërisht të detyrueshme.

“Koha.net“

Filed Under: Opinion

Fan Noli në Lidhjen e Kombeve, simpozium përkujtimor në OKB

August 19, 2024 by s p

Për herë të parë, brenda sallës së selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, do të flitet për kontributin e madh të Fan Nolit për kombin shqiptar! Një simpozium përkujtimor dhe historik do të mbahet me rastin e 100-vjetorit të misionit të Fan S. Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Takimi do të zhvillohet në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, më 9 shtator 2024, nga ora 11:00 deri në 13:00!

Ky organizim historik realizohet me iniciativë të Bibliotekës së Fan Nolit në Boston, VATRA-s, gazetës “Dielli,” dhe pjesëmarrjen e disa akademikëve, studiuesve dhe autorëve të ndryshëm, për të nderuar trashëgiminë shumëdimensionale të Fan Nolit.

I gjithë ky aktivitet zhvillohet nën mikpritjen dhe mbështetjen e ambasadorëve të Shqipërisë në Amerikë dhe në Kombet e Bashkuara.

Nëse dëshironi të dhuroni/donacione për realizimin e këtij eventi të rëndësishëm Ju lutem klikoni linkun:

https://www.zeffy.com/…/d4a782b8-54d3-4343-8e31…

Organizatorët:

Neka Doko – Bibloteka Fan Noli Boston

Ilir Ikonomi – Gazetar/Studiues e autori Nolit Washington

Rafaela Prifti – Editore e Gjuhës Angleze në Gazetën “Dielli” Nju Jork

Mentor Maksutaj – Kryetari i VATRA në Boston (sponsor)

🇺🇸
🇦🇱
🇽🇰

P.S. Të gjithë donatorët do të përmenden gjatë aktivitetit dhe falenderohet në rrjetet sociale!

Filed Under: Analiza

Biblioteka e parë publike në Perandorinë Osmane e themeluar nga kryeministri shqiptar Kypryly Mehmed Pasha

August 19, 2024 by s p

Prof. As. Dr. Hasan Bello/

Një nga qindra veprat publike që mbajnë vulën e dinastisë shqiptare të Kyprylynjve është dhe biblioteka e parë publike në Perandorinë Osmanë, ndoshta dhe në të gjith Lindjen e Mesme e ndërtuar me kontributin personal nga veziri i madh Kypryly Mehmed Pasha.

E konceptuar si një kompleks funksional, përveç bibliotekës, Mehmed Pasha planifikoi që pranë saj të ndërtonte një medrese, një hamam dhe një tyrbe. Por për shkak se ai nuk arriti ta përfundonte, sepse vdiq në vitin 1661 ajo u realizua sipas testamentit (vakfijes) që la i biri Fazëll Ahmet Pasha në vitin 1678.

Përveç librave të Mehmed Pashës dhe të birit, Kypryly Fazëll Ahmet Pashës i cili ashtu si i ati njihej si merakli i tyre, biblioteka u pasurua ndër vite edhe nga pasardhës të tjerë të kësaj dinastie.

Kjo bibliotekë përveç literaturës së pasur në gjuhën arabe, perse dhe osmane kishte në organikën e saj edhe një personel prej katër vetash.

Ajo funksionoi si kompleks arsimor dhe kulturor për gati tre shekuj me radhë dhe vijon ende si bibliotekë. Për studiues të ndryshëm, biblioteka ka qenë objekt studimi në aspektin arkitekturor, historik, arsimor dhe bibliografik.

Kjo bibliotekë publike e themeluar me kontribut personal nga shqiptarët në shek.XVII do të bëhet model që edhe nënpunës apo individë të tjerë më pas të themelonin biblioteka të ngjashme.

Ajo që të çudit sot është fakti, pse nuk ka një pasanik/biznesmen shqiptar, i cili ashtu si Kyprylynjtë në shek.XVII të japë një kontribut publik për ndërtimin e një biblioteke?

Filed Under: Histori

“Shtëpia e verdhë”- simbolika e një marrëzie totale

August 19, 2024 by s p

Behar Gjoka/

Romani më i ri i Bashkim Hoxha, me titullin Shtëpia e verdhë, lëvrues i disa romaneve, me formë dhe ngjyresa të larme, menjëherë teksa e merr në duar, të ndërmend dhe përbashkëson dy gjendje të pazakonta:

A – Shtëpia e verdhë, si një topos politiko-gjeografik, i shpikur kaq trashë, prej marrëzisë serbe, gjithsesi për të akuzuar Shqipërinë dhe shqiptarët, një guxim absurd dhe çmendurak, ku madje as serbët nuk e besojnë. Megjithatë, edhe në këtë rast, sikur në gjithëherët në historinë e shpikur, filozofia e marrëzisë, më shumë se sa kolektive, ka bartur psikologjinë e tyre hegjemoniste dhe shovene, si dhe atmosferën e humanizmit, si një atavizëm identifikues në gjithë rajonin, e sidomos në dhëniemarrje me shqiptarët.

B – “Shtëpia e verdhë”, tanimë si topos letrar, i hapësirës së gjerë të romanit, ku qartësisht ëndrra dhe zhgjëndrra e marrë, afrohet dhe largohet në faqet e librit, sikur në një film që po realizohet pikërisht në këto çaste, ndërsa po shfletojmë tekstin e ngjarjeve romanore.

Bashkëlidhja rastësore dhe hipotetike në mes toposit të sajuar dhe toposit letrar, pra i marrë hua nga konkretja e verbërisë, ndërkaq e vë në zgrip realitetin, kinse të shpikur, ndonëse nga ana e shpikësve, është e ditur dhe menduar fundi i marrëzisë, ndonëse fluturimet e kundërvënies pa logjikë, do të enden edhe për ca kohë në viset e gadishullit krenar, që gjellin kredhur në kthetrat e asgjësimit të qenies, që është i ndryshëm nga ata. Edhe në këtë rast vlen pohimi i Zh. P. Sartri se: “…letërsia afirmon menjëherë pavarësinë e saj; ajo nuk do të reflektojë më shabllonet e mendimit të kolektivitetit, identifikohet me shpirtin, d.m.th me pushtetin e përhershëm për të formuluar dhe krijuar ide.” , çka e afirmon edhe teksti i këtij romani.

Një trillim real, në një realitet fiktiv

Teksti i romanit Shtëpia e verdhë, endet si frymë tërësore dhe strukturohet enkas në dy gjendje letrare dhe joletrare, si një ndërlikim qëllimor estetik, jo kaq të shpeshta në letrat shqipe.

Nga njëra anë, përballë lexuesit është “historia” e frikshme me shtëpinë e verdhë, kuptohet se kemi të bëjmë me një fantazi të trilluar, nëpër ethet dhe rrathët e urrejtjes të fqinjëve serbë, një imagjinatë “fantastike” dhe e përndezur, që ka të shkrirë në thelbin e vet linçimin dhe asgjësimin e shqiptarëve, mjerisht tanimë duke e shpikur atë, sikur në një ekstazë haluçinante një “fiksion”, ndonëse të pangjarë kurrë në shtëpinë e verdhë.

Në anën tjetër, gjë që vlen si shenjë estetike, ndarjet e shumta të materies letrare, në pjesë, në kapituj dhe episode, në një kuptim po ashtu edhe figurimi në evoluim të habitshëm i personazheve, si figura më tepër të trilluara, e materializon dhe shënon thelbësoren e realitetit fiksional të tekstit romanor, si një rast më vete, që ndërlidh realen dhe imagjinaren.

Bashkëshkrimi i këtyre gjendjeve, gati përjashtuese ndërmjet tyre, madje të pranëvënia dhe përballëvënia e këtyre dy realiteteve, pra e situatës konkrete, krejt të sajuar, mbi bëmat e pangjara në shtëpinë e verdhë, me lëndën e trilluar mirëfilli të hapësirës së tekstit, ndërkaq ka mundësuar thurjen e një atmosfere jo pak të ndërlikuar, megjithëse mishërohet në mënyrë paradoksale dhe me bazament të një trilli të dyfishtë dhe po kaq të dyzuar, pra të trillit real dhe të shpikur, tanimë të dekoduar dhe shqiptuar si një tekst fiksional, që vjen te lexuesi si befasi, me rrjedhën e ngjarjeve dhe plazmimin e protagonistëve. Sa i përket natyrës së romanit, po citojmë një parashtresë të zgjeruar për këtë zhanër: “Vetëm në roman dhe në disa forma të tjera epike të afërta me të ndodh kujtimi krijues, i cili e qëllon dhe transformon lëndën…“ . Pra, romani Shtëpia e verdhë, padashtas dhe rastësisht kalon nëpër kalvarin e një “fantazie”, pothuajse të marrë, po kaq të shprehur në një trillim konkret dhe të paimagjinueshëm, e mbi të gjitha, derdhur nëpër përthyerjet autoriale, të një fiksioni të përveçëm, ku mbivendosen realja me trillimin autorial.

Libër që ngërthen skenarin e filmit

Një aspekt tjetër, me rëndësi brendastrukturor dhe artistik, i tekstit romanor Shtëpia e verdhë, është edhe prania e dy situimeve shkrimore, mbase e dy hapësirave ligjërimore, tekembramja me gjasë e dy mënyrave thënëse:

E para, kuptohet që pjesa më thelbësore e materies tekstologjike të librit, përcillet dhe formësohet nga prania totale e narratorit, e tipit të rrëfimtarit të gjithpranishëm, që përpos tjerash, mbulon klimën e larmishme të botës romanore, episodet dhe sekuencat e shumta, shprehësinë dhe heshtjen, si dhe realizon konfigurimin tërësor të personazheve, në kohë-hapësirën e sugjeruar, të cilët përveç fjalës së narratorit, skicohen edhe me anë të dialogut të ndërmjetëm që shkëmbejnë, pra të replikave të shpejta dhe qesendisëse. Universi letrar i prozëshkrimit, kuptohet se ngjizet dhe shpalohet, duke patur si epiqendër ligjërimore, rolin parësor të rrëfimtarit të gjithdijes, që me gjithpraninë, e dinamizon dhe shkartis, rrjedhën e ngjarjeve, të cilat pavarësisht sfondit real, burojnë nga përpunimi imagjinar.

E dyta, në faqet e librit më të ri të autorit, lehtësisht vihet re, se krahas gjuhës romanore, pra të formësuar dhe përcjellur si poetikë e prozës, në tekstin e gjerë të prozëshkrimit, shpesh ndeshim ligjërimin me anë të gjuhës filmike, më specifike dhe me adresë të tjetërsojshme, e cila zgjeron kumtet dhe pasuron pentagramin shprehës të tekstit të romanit Shtëpia e verdhë. Madje, duhet qartësuar dhe theksuar, pavarësisht afrive në mes narrativës së prozës dhe të përshkrimit, dhe atmosferës së pasurimit të tekstit filmik, ndërkaq në mes tyre, kanë nuanca dhe ndryshime të rrokshme, varësisht tipologjisë shkrimore që sendërtojnë.

Të kuptohemi, filmi si zhanër sinkretik, ku përfshihen shumë elementë, ndonëse parësor ka pamjen, të mjediseve të ndryshme, ku edhe luhen ngjarjet, si dhe të personazheve, e këta të fundit e kanë, gati të pashmangshme fjalën, replikat e ndërmjetme, që ndihmojnë në formimin dhe shpalimin e karaktereve. Në faqet romani, mund të flitet për një prani mjaft të përfillshme, të sekuencave filmike, të cilat gjenden të shpërndara në materien e romanit. Teksti i skenarit, me gjasë i një sinopsi të shkurtër, ndërkaq shpalohet në dy forma:

– Teksti i mëvetësuar, pra i shkëputur nga lënda e prozës romanore, siç ngjet në faqet 39-40, ku madje plasohet për herë të parë teksti filmik, që dukshëm sendërtohet me një formësim shprehës të dallueshëm dhe specifik.

– Prani e integruar në hapësirën e tekstit të romanit, të kapitujve të ndryshëm të prozëshkrimit. Kështu, në fundin e faqes 44 – 45, një situatë e rimarrë edhe në faqet 47 – 49, kemi të shqiptuar elementë të tekstit filmik, që ka për adresë dhe pikësynim tjetër, për dallim nga teksti letrar në shkrimin e prozës. Teksti me ngjyresa të prozës filmike, rishfaqet në mesin e faqes 79 – 80. Situimi i një proze të pastër filmike, përsëri shpërfaqet në faqet 89 – 91, pra deri në fund të faqes. Në krye të faqes 121 – 122, në fillim kemi stilemat e prozës filmike, si për ta krijuar klimën e kumteve të zhanrit filmik. Situata e ligjërimit filmik, ndërkohë rishfaqet në faqet 127 – 128 (më pak se një faqe). Për të ardhur në mesin e faqes 132 – 135 (deri në mesin e faqes së fundit). Edhe në faqen 162, ka një hapësirë të tekstit të librit, shkruar si prozë filmike, gjë që mundëson përtheksimin e nuancave ligjërimore të natyrës filmike, të këtyre sekuencave ligjërimore. Përsëri në faqen 168-169, kemi një gjendje të përveçme letrare, gjithnjë të paraqitur si tekst filmik. Në fundin e faqes 199 – në mesin e faqes 200, po ashtu kemi të përfshirë një parashtrim tekstor të këtillë.

Pra, dukshëm jemi në një rrethanë të përfillshme të lëvrimit të tekstit të prozës filmike, që shkon në rreth njëzet e dy faqe tekst gjithsej, të përfshirë në hapësirën romanore. Pjesë e ndërfutur në tekstin e romanit Shtëpia e verdhë, janë edhe dy pasazhe të natyrave të tjera ligjërimore:

– Histori e futur brenda rrëfimit, e parahistorisë me Cubin e Destanit, pra të zotit të shtëpisë së famshme, shtëpisë së verdhë, të cilës më shumë i ka dalë syri se sa nami, kur befas në këtë rrethanë përqaset ferri me ferrat, e cila vjen e përfaqësiar me një faqe tekst, duke zgjeruar spektrin e kumtit letrar.

– Paradoksi i fatit të Prometeut, se kush e luan rolin: “…ah, Prometeun, ky është kulmi: rolin e tij e luan Arditi, fuksi i kursit…” (2024: 70), si një përkujtesë e hapur e dashurisë së autorit për dramën, të cilën po ashtu e ka lëvruar kaq gjerësisht.

Në atmosferën ligjërimore të librit, bëhet fjalë për një situatë tekstologjike, krejt të ndryshme nga proza romanore, e cila realisht në këtë situim ligjërimor, formëson skicën e një filmi, ndonëse gjendet e integruar në tekstin e romanit, duke krijuar gjasat e skicë – idesë së filmit mbi shtëpinë e verdhë, të përfshirë në tekstin romanor, e me të drejtë, të dyja format e ligjërimit, nga ana e autorit titullohen, Shtëpia e verdhë, që përfaqëson epiqendrën e universit të romanit. Nga Roland Barthes, më herët kemi përcaktimin: “Romani është Vdekje; ai nga jeta bën një fat, nga kujtimi një akt të dobishëm, e nga zgjatja një kohë të drejtura dhe domethënëse. Por ky shndërrim mund të përmbushet vetëm në sy të shoqërisë. Është shoqëria ajo që imponon Romanin…” . Ekzistenca e romanit si zhanër, varësisht kontekstit të ndikimit të shoqërisë, është një nga idetë vizionare, që ndihmon për të kuptuar vijimësinë e tij, si dhe të qenit si zhanër i hapur, njëherit.

Struktura kompozicionale e shkapërderdhur

Romani Shtëpia e verdhë, përveçohet edhe në aspektin e sendërgjimit strukturor kompozicional, të materies letrare. Vështruar, në tërësinë e hapësirës tekstologjike, libri realizohet me disa ndarje të mëdha, po ashtu edhe me ndarje në kapituj, si dhe me nëndarje më të vogla, të natyrës së teksteve filmike. Duke kundruar kompozicionin e librit, le të themi me kaq shumë copëtime strukturore, ku do të përveçonim ndarjet e mëdha:

– Pjesa e Parë, e cila emërtohet Ëndrra, ndërkaq përndahet në shtatë kapituj relativisht të shkurtër, ku projektohet ëndrra e Feliksit dhe Viktorit, për tu bërë kineastë të mëdhej dhe me famë. Krahas tekstit të prozës romanore, në lëndën e gjerë romanore, ndeshim edhe situatën e përfshirjes së tekstit filmik, ku madje kapitulli gjashtë, pothuajse përkon me ngjyrat e prozës filmike, kurse kapitulli shtatë, paraqet një situmi letrar të gërshetimit të tekstit në prozë me tekstin filmik.

– Pjesa e Dytë, e titulluar Lufta, që përbëhet nga tetë kapituj, të cilët janë relativisht më të gjatë se sa ato të pjesës së parë. Në episodet e kësaj pjese, ngjet kthimi në kohën e luftës, e cila në një kohë jo kaq të largët, pati përfshirë gjithë gadishullin e trazuar. Në fillim fare, teksti në prozën dinamike të shpalosura në roman të shpie në Banja Luka. Pastaj vjen “historia” e shpikur nga Losho Vujeviçi. Marrëzia e historianit se Kosova është djep i Serbisë. Për të mbërritur gjer te paradoksi që të besosh gënjeshtrën e shkruar: “Lufta në Kosovë ka qenë një mizori e patreguar. “(f. 75) Në kapitullin e tretë, si e integruar në tekstin e prozës, gjendet e shkruar një sekuencë e pastër filmike, f. 79 – 80. Po ashtu, një ndërthurje të tekstit letrar si shkrim proze, tanimë edhe me tekst filmik, ndeshim në faqet 89 – 91.

– Pjesa e Tretë, e cila ndërkaq përcillet me titullin e romanit Shtëpia e verdhë, ku përsëri ashtu si në pjesën e dytë, janë përfshirë tetë kapituj. Në këtë pjesë, realisht jemi në pikëtakimin e të dy teksteve përbërës të romanit, pra e dy teksteve libror dhe filmik. Kapitulli i parë i kësaj pjese hapet me një sekuencë të qartë shkruar filmike, në faqet 121 – 122. Situata e ligjërimit të brendashkruar, pra si tekst proze dhe tekst filmik, rimerret edhe në faqet 127 – 128. Prania bashkëshkrimit të këtillë, përsëritet edhe në kapitullim e dytë, përkatësisht në faqet 132 – 135, pra duket se kemi të bëjmë me një hapësirë të zgjeruar të tekstit filmik. Në fund të kapitullit të katërtë, në faqen 162, kemi përsëri një situatë teksti filmik. Edhe në kapitullin pasardhës, madje më saktësisht në faqet 168 – 169, sërish kemi një situim të tekstit filmik.

– Pjesa e Katërt, që madje titullohet Filmi, e cila përbëhet nga tre kapituj shkurtimor, ku te i fundit, në faqen 199 – 200, ndeshet edhe një sekuencë e tekstit filmik.

Pra, struktura e romanit Shtëpia e verdhë, është e përbërë nga katër ndarje të mëdha, konceptuar si pjesët kryesore të librit. Brenda hapësirës së këtyre pjesëve, autori ka realizuar ndarje më të vogla, të cilat shkojnë në njëzet e gjashtë kapituj gjithsej. Pjesë e strukturës romanore është edhe përkushtimi paraprirës, ku shkruhet: Luftën e fillojnë disa njerëz të palumtur atje lart për të bërë të palumtur shumë të tjerë këtu poshtë. Po ashtu, episodi i fundit, titulluar Shënim i autorit, përveçse element strukturor, ndërkaq në sytë e lexuesit, merr vlerën e një truku të gjetur estetik, që autorë të tjerë e vendosin në fillim të librit, që bashkë me “implikimin”, shërben si një referencë me depërtu më në thellësi të materies letrare.

Parahistoria si rrëfim fiksional

Ngrehina letrare e romanit Shtëpia e verdhë, shqiptuar përmes narratorit të gjithdijes, si prani e plotë në tekstin e prozës, por edhe si prani e tërthortë në sekuencat e tekstit filmic, përbën një fakt letrar, që kërkon vëmendje të shtuar, për të hyrë realisht në rrjetat narrative dhe strukturore. Bota romanore e derdhur në hapësirën tekstologjike, sendërtohet duke ndëshkuar e përthyer nëpërmjet narrativës autoriale, si gjithprani:

Së pari: Skicimi i ëndrrës së kineastëve për tu bërë të suksesshëm, me anë të filmit që ka në qendër shtëpinë e verdhë, një shpikje e paimagjinueshme e haluçinacioneve serbe. Për kineastët, të kuptohemi ka fare pak rëndësi e vërteta reale, thelbësore në këtë rast është trajtimi i temës së luftës, sidomos i misterit të saj, ku madje Shtëpia e verdhë, përcillet si një kryemister, krejt i pagjasshëm, me gjasat e ndodhive makabër.

Së dyti: Endja e një “historie” të pandodhur kurrë, sikur në Shtëpia e verdhë, ndonëse e lyer me gjineshtër, si pëlqesë e zotërueseve të shtëposë, ku me gjasme kryeheshin operacione të marrjes së organeve jetike, të ushtarëve serbë, gjë që as shpikësit serbë nuk e besonin. Pikërisht kjo “histori” e marrë, gati kozmike në çmendurinë e shpallur, e trilluar kaq trashë, shërben si parahistori letrare, që e treguar në distancë kohore, pra duke shpaluar ngjyresat postmoderne, të ironizimit te diçkaje të pangjarë.

Së treti: Ëndrra e kineastëve, lufta dhe detaji i shtëpisë së verdhë, tanimë si topos aventuresk, pra më tepër letrar dhe filmik, mundësojnë plasimin e realitetit artistik të dyfishtë:

– Teksti i sendërgjimit të atmosferës romanore, ku madje përplasen kohët dhe hapësirat, zbulojnë dhe magjenë konturuese të personazheve, përthyer në rrafshet e imagjinares autoriale.

– Teksti filmik, që më tepër vjen i brendashkruar në tekstin e romanit, ndonëse bart dhe përçon tipologjinë e shkrimit të tekstit filmik, të ndryshëm në formësim dhe adresim, më përtej tekstit letrar të romanit.

Pra, parahistoria e pangjarë, në hapësirën e gjerë tekstologjike, varësisht larmisë narrative, ka përftuar “mbrapahistorinë” letrare, mbi ekzistencën dhe rolin e shtëpisë së verdhë, anipse fillesa lidhet me një shpikje të marrëzisë serbe. Për letërsinë e shkruar në shekullin e njëzet e një, ndihmon sugjerimi: “Entuziazmi ideologjik nuk prodhon as shkrimtarë e as lexues të mirë-përkundrazi, shkakton keqformimin e tyre.” , e cila e bën të pashmangshëm pjesëmarrjen e lexuesit, nëse arrihet gjer te prania e lexuesit model, do ishte fatmirësi për shenjat letrare. Një thirrje e pazakontë që në letërsinë shqipe, aq më tepër në mendimin kritik dhe studimor, as që është dukur ende, të paktën të pranohej si mendësi, e jo të debatohej për të liruar energjinë e fjalës, si dhe energjitë dhe magjinë e shkrimit letrar, që ndërkaq ekziston në larmi shprehëse, që e ngërthen në ngrehinën e vetë, vlerat gjithkohore dhe gjithhapësinore.

Roman i personazheve

Rrjedha e përmbysur, pranëvënia e tekstit romanor, me sekuencat e tekstit filmik, ka mundësuar rrethanat që, Shtëpia e verdhë, të përftohet si roman personazhesh që ekzistencën, e kanë të lidhur me shenjëzimin e shtëpisë së verdhë, topos i shpikur, që shndërrohet në artefakt letrar. Gërshetimi i reales me imagjinaren, prozës romanore me tekstet filmike, vjen përmes dy figurave, Feliksit dhe Viktorit, përpjekjes që të bëhen të famshëm, po kaq edhe serbët, që shpikin dhe të pavërtetat i shprëndajnë si vërtetësi. Lidhja si e tillë, ka larmi mundësish, me gjasë lidhje jetike, të rastësishme dhe tërthore. Personazh i tipologjisë jetësore, pra jetik në skocimin e tyre, si dhe mbi të gjitha të lidhur me fatin e shtëpisë së verdhë, vetiu kuptohet që është i zoti i shtëpisë. Në faqet e romanit prezantohet me emrin Destan, ku përshkrimi autorial: …duke hapur derën e një prej dhomave mbushur me tym duhani, shfaqet silueta e errët e një njeriu kthyer me shpinë…(f. 130), pra i zoti i shtëpisë, mbytur në gjemitë e turpit, e të pabëmes, e njollës së rëndë që ia vunë përsipër me pa të drejtë. Fjala e autorit narrator: Jeta e Destanit ka ngrirë dhe ndoshta edhe lotu në sy ka ngrirë që atë ditë…(f. 150). Pesha e hidhur e shpifjes kozmike dhe të papërballueshme, ka rënë mbi bashkëshorten, Meremen, e cila në kulmin e dëshpërimit niset për të takuara Karla Del Ponten. Një peshë mali ka rënë mbi të birin, Naimin, që edhe në këtë humnerë ku në mënyrën me mizore, i kanë kredhur padrejtësisht, luan rolin e ndërmjetësit me botën përqark. Prania e Besnikut, që dikur, në kohën e diktaturës, kishte ardhur në fshat si i internuar apo historia e largët me Cubin, befasisht e përngjyros romanin me ngjyresa postmoderne, të kalimit në të dikurshmen, jo kaq të largët, sillet e përsillet nëpër ditët e sotme dhe të ardhmërisë. Fjala e personazhit: – Mendoje që je duke folur me një të vdekur. Burrin e vdes turpi. Atë ditë unë vdiqa. (f. 163, kur të merr e pambajma, që është me zi se flama, kur shpifja shitet për të vërtete, supet rrëzohen e shpirti shkrumbohet.

(Qasje studimore për romanin Shtëpia e verdhë, të autorit Bashkim Hoxha, botim i shtëpisë botuese Onufri.)

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT