• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2024

FOLLOW THE MONEY! (NDIQ PARATË!)

August 10, 2024 by s p

“Nëse doni të hetoni krime, vraponi pas pasurisë. Pas çdo pasurie të madhe, ka krime të llahtarshme” – Honore de Balzak.

Shkas për t’iu rikthyer këtij shkrimi për opinionin e gjerë dhe për ta analizuar më detajisht, m’u bënë ca emërime partiake të këtyre ditëve të partive politike në pozitat kyçe ku “luftohet korrupsioni!”. Për hir të së vërtetës, në RMV, nuk e di se sa herë i është shpallur luftë korrupsionit!? Çdo parti politike që e ka shijuar të paktën një herë jetën qeveritare, pjesëmarrjen në Qeveri gjithmonë e ka justifikuar me pretekstin se futet për hir të procesit eurointegrues të vendit, si një ndër prioritetet më esenciale, deri aty saqë ky “slogan” i kënduar në kor nga të gjithë u shndërrua në klishe politike dhe si një strehim pas këtij nocioni “sublim” për alibi dhe kamuflim për “veprat” e tyre politike, dhe preteksti i dytë i futjes në Qeveri, ishte sjellja e “shtetit të së drejtës” dhe “lufta kundër korrupsionit”. Formulën për ta luftuar korrupsionin, si duket e kishin gjetur, por assesi për ta zbatuar këtë proces të vështirë. Sidoqoftë, simbiozë e qëlluar nga politikanët tanë, sepse realisht dhe praktikisht, vetëm luftimi i korrupsionit, rrjedhimisht e sjell edhe shtetin e së drejtës.

Në raportet e fundit të Komisionit Evropian, në përgjithësi në Ballkan, e në veçanti në RMV, është vërejtur një mungesë praktike në ndërmarrjen e veprimeve konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për të mos thënë që është shënuar pak përparim, megjithatë, të gjitha partitë politike kur bie fjala krimi dhe korrupsioni, seç kanë një mungesë vullneti për t’u përballur me këtë fakt brengosës dhe për t’i shpallur luftë zyrtarisht këtyre fenomeneve negative, edhe përskaj deklaratave të SHBA-së, se: “…i shikon si partnerë natyrorë ata që luftojnë korrupsionin”!

Pa e zgjatur më tej, le t’i futemi thelbit të këtij shkrimi!

Si u luftuaka korrupsioni?

Kjo pyetje sa e thjeshtë, aq edhe komplekse në përbërjen e saj, gjendet tek fjalia e thjeshtë: “Ndiq paratë!”. Kjo thënie e njohur në filmin dokumentar “All the president’s men”, i vitit 1976, u shndërrua në maksimë të njohur për ndriçimin dhe luftimin e korrupsionit politik përmes shqyrtimit të transfereve të parave nëpërmjet partisë, me çka rezultoi në rrëzimin e presidentit amerikan Riçard Nikson-it nga Shtëpia e Bardhë. Kjo thënie që iu atribua asaj kohe “Deep Throat” –it, përkatësisht, informatorit që mori pjesë në zbulimin e skandalit “Watergate”, sot edhe në shumë seminare dhe trajnime që mbahen mbi temën e financimit kriminal dhe të korrupsionit, shumë ekspertë të lartë udhëzojnë në zbatimin e rregullit të artë: “Ndiq rrugën e parave!” – si një mjet i cili drejtpërdrejtë kontribuon në luftën kundër terrorizmit, krimit dhe korrupsionit në mbarë botën, sepse paratë janë i vetmi mjet apo “oksigjen” për çdo aktivitet qoftë i ligjshëm apo i paligjshëm dhe i arritshëm për çdo organizatë. Kjo praktikë e zbatuar në mbarë botën sot për luftimin e korrupsionit, nuk ka gjetur zbatim në vendin tonë, ndaj sipas kësaj mund të thuhet se në vendin tonë asnjëherë nuk ka qenë e shpallur lufta kundër korrupsionit. Në momentin kur kushdo qoftë që do të fillojë vërtetë në zbatimin e rregullit të artë, përfshirë institucionet kyçe për luftimin e krimit dhe korrupsionit si: Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Policia Financiare, Drejtoria e të Hyrave Publike dhe të tjerë, duke e bashkërenduar në mënyrë horizontale bashkëpunimin e tyre, nuk mund të thuhet se korrupsioni ka filluar të luftohet në mënyrë efikase. Edhe ky nocion klishe, rrezikon që ta humbë kuptimin që e ka, e që tash e tutje do të shërbejë si blof politik i çdo partie tjetër politike në RMV.

Shembullin që e sjell nga praktika autori maqedonas Mihajllo Manevski, i cili në vitin 1989 ka qenë ministër i Gjyqësisë dhe Administratës (atëherë Sekretar Republike për Gjyqësinë dhe Administratën), gjatë mandatit të tij, Drejtoria Tatimore e Ish Republikës Socialiste të Gjermanisë i është drejtuar me shkresë për dhënien e ndihmës juridike. Kërkesa përbëhej si në vijim:

“Një qytetar i Republikës së Maqedonisë, i cili një kohë të gjatë ka jetuar dhe punuar në Republikën Socialiste të Gjermanisë, ka filluar me ndërtimin e një moteli në afërsi të një autostradeje. Motelin e ka ndërtuar me të gjitha dokumentet e nevojshme ndërtimore. Si objekt, moteli ka qenë relativisht i madh dhe tërheqës. Organet tatimore të RS të Gjermanisë, në përputhje me autorizimet e tyre, kanë kryer kontroll në dokumentacionin financiar për ndërtimin e motelit dhe kanë kërkuar nga pronari t’i tregojë burimet e të ardhurave për ndërtimin e motelit. 

Shtetasi maqedonas, i cili e ka ndërtuar motelin, në atë procedurë ka deklaruar se motelin e ka ndërtuar me mjete nga krediti që e ka tërhequr nga banka, me mjetet e kursyera nga paga, kurse përpara organeve tatimore ka deklaruar gjithashtu se i ati i tij, i cili ka jetuar në një vendbanim në Republikën e Maqedonisë, ka pasur një tufë prej 1 000 dhi, dhe se ato i ka shitur dhe të hollat që i ka fituar nga shitblerja e tyre, ia ka dhënë atij, dhe ai më pas ato të holla i ka shfrytëzuar për ndërtimin e motelit.” 

Organet tatimore gjermane kanë kërkuar nga RM-ja të verifikohet nëse vërtetë i ati i atij personi i cili e ka ndërtuar motelin ka pasur 1 000 dhi dhe nëse i ka shitur të njëjtat. 

Mirëpo, çka është vërtetuar nga kontrolli? Nga kontrolli është vërtetuar se i ati i personit të lartpërmendur ka ndërruar jetë përpara 10 viteve dhe se në atë vendbanim nuk ka pasur dhi e jo më tufë prej 1 000 dhi. Gjithashtu, në atë periudhë kohore në Republikën e Maqedonisë, ka qenë në fuqi ligji për ndalimin e ruajtjes së dhive.

Ky rast nga praktika, duhet të kuptohet dhe të merret si një shembull pozitiv se si duhet të sillen organet tatimore për vërtetimin e burimeve të të ardhurave kur ekziston bazë për dyshim se ato mjete pagesore nuk janë fituar në mënyrë legale, ose janë si rezultat i tatimit të fshehur, akcizave, doganës apo se janë rendiment i veprave tjera kriminale. Ky shembull, paraqet shembullin më praktik të rregullit të ndjekjes së gjurmëve të të hollave.

Mbi të gjitha, Evropa dhe SHBA-ja harrojnë se në vendet tona korrupsioni luftohet vetëm kësisoj dhe vetëm atëherë kur në krye të institucioneve kyçe për luftimin e korrupsionit, gjenden njerëz me kredibilitet të lartë moral.

Për luftimin e krimit dhe të korrupsionit, definitivisht duhet të të djersitet fundshpina!

Emir Kurtishi, jurist

Filed Under: Analiza

36 vite më parë komunistët varën në litar poetin disident Havzi Nela

August 10, 2024 by s p

Bujar Leskaj/

36 vite më parë, në 10 Gusht 1988, mësuesi poet, ndër të paktët shkrimtarë disidentë që ka pas Shqipëria e periudhës komuniste, Havzi Nela, u var në litar

Trupi i tij u mbajt gjithë ditën i varur në qendër të qytetit të Kukësit.

Por e keqja s’kishte fund.

Trupin e tij e morën dhe e futën vertikalisht në një vrimë të krijuar nga heqja e një shtylle druri duke i privuar mundësinë për t’u shtrirë si të gjithë të vdekurit.

Qëndroi në atë mënyrë për pesë vite e dhjetë ditë, deri më 20 gusht 1993.

36 vjet pas varjes në litar të poetit të fundit antikomunist në Evropë, të poetit shpirtlirë të “brezit të humbur” të periudhës së zezë komuniste shqiptare; poetit, që asnjëherë nuk iu nënshtrua regjimit komunist, dhe e luftoi me të gjitha mënyrat që kishte mundësi, ende debatojmë për krimet e komunizmit dhe autorët e tyre.

36 vite më pas, Shqipëria postkomuniste ende vazhdon të vuajë nga bijtë e etërve komunistë, ndoshta më të sofistikuar, por po aq të ligj, antinjerëzorë, antishqiptarë e vrasës sa etërit e tyre, të cilët dënuan, firmosën e varën Havzi Nelën!

Kur të vdes

Havzi Nela

Kur të mësoni se kam vdekë,

Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”

A e dini se çfarë kam hjekë

Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”

Kur t’kërkoni me ma gjetë.

Thoni: “Ai urreu mizorin”.

Thoni: “Dheu s’ka me e tretë”.

Thoni: “Ai e deshi jetën,

Jeta n’vuetje e dërmoi”.

Thoni se ka mbrojtë të drejtën,

Grusht tiranësh nuk duroi.

Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,

Si skifter në fluturim,

Provoi prangat, t’errtë qelinë,

Për të mjerët lëshoi kushtrim”.

Thoni: “Dritë ai kërkoi,

E vetë dritë nuk pa me sy”

Thoni: “Për njerëzinë këndoi,

E për vete mbajti zi”.

Thoni se e qërroi terri

Thoni: “Dielli nuk u ngrohu”.

Thoni se e trishtoi tmerri

E të shtypunit i tha: “Çohu!”

Kur të vijë, të çelë pranvera,

Kur bilbili nis me këndue.

Mbi vorr tim me gur’e ferra,

Nji tufë lule me ma lëshue.

Prekni vorrin, mos ngurroni,

Kush ka lindë, ai ka me vdekë,

Veten ju kur t’a ngushëlloni,

Thoni:”Gjallë kurkush s’ka mbetë!”

Filed Under: Kronike

Ilmi Kasemi Beati, “Mikelanxhoja” shqiptar nga Çamëria

August 10, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Ilmi Kasemi Beati, skulptor i njohur me origjinë nga Çamëria, është padyshim simboli i përsosmërisë artistike në artet e bukura në hapësirën mbarëshqiptare, veçanërisht në skulpturë.

I pajisur me prirje dhe aftësi estetike e teknike të mahnitshme, me shije të hollë, me dell të ndjeshëm dhe me fantazi të pashtershme, ai përthithi mençurisht ajkën e përvojës kombëtare e ndërkombëtare dhe çau përmes vështirësish të shumta, brenda dhe jashtë vendit, gjatë emigracionit në Itali, duke u ngjitur pareshtur në majat më të larta të artit bashkëkohor.

Me veprat e tij në skulpturë, por edhe në pikturë, Beati është shndërruar në një mit i gjeneratave të artistëve shqiptarë. 64 vjeçari, me një portret klasik, paksa surreal, ku shndrit një buzëqeshje fisnike, mbuluar me një mantel misteri, e sfidon kohën me vepra nga më të ndryshmet, ku ndërthuret realizmi me neoklasicizmin, impresionizmi me paratetizmin simbolist, duke depërtuar thellë në mendimin iluminist të kohës që jetojmë dhe duke çliruar energji me inspirim mitologjik dhe nostalgjik, për të krijuar plot temperament dhe misticizëm besimin e shoqërisë shqiptare te e bukura dhe vlerat historike e humane. Veprat e tij janë absolutisht autentike. Sapo i sheh shquan menjëherë dhe identifikon autorin e tyre, që rikrijoi një botë origjinale, duke arritur vlera të rralla estetike.

Ilmiu, ose Mike siç i thërrasim shkurt, është një prej bashkëkohësve dhe miqve të mij të vjetër, të cilin e kam veçuar gjithmonë për temperamentin e tij të veçantë artistik. I qetë, por edhe shpërthyes e i dalldisur, i butë por dhe rebel plot zjarr e pasion, i familjarizuar me këdo, ai shfaqet gjithnjë optimist mes boceteve dhe realizimeve të tij, që nuk janë ta pakta, që nga veprat monumentale, deri te portretet dhe skulpturat e relievit.

Vështirë ta mendosh skulptorin larg veprave të rëndësishme monumentale. Si mjeshtër në këtë fushë Ilmi Kasemi Beati spikati kur realizoi në vitin 2009 monumentin madhështor të At Gjergj Fishtës, vendosur në sheshin e qytetit të Lezhës,e që nuk është vetëm një statujë.

Por ai ka lëvruar e krijuar me mjeshtri të rrallë në të gjitha rrafshet e skulpturës, ku ka arritur pika kulmore të virtuozitetit mjeshtëror.

Dhe vitet e fundit pasuan mjaft vepra të tjera, ku spikatin: “Memorial për Çamërinë”, Mbreti Pirro, Gjergj Kastrioti, dhe Gin Bua Shpata, Ali Pasha, Çelo Mezani, Lule Çapari, Ali Tepelena, statueta e Noli Film Festival, Abedin Dino e Rasih Dino, Tumankuqja, Dodona, e shumë të tjera.

Beati, me artin e tij, transmeton porosi patriotike dhe estetike. Ai është një artist i brumosur me vetëdije e karakter kombëtar, i frymëzuar në çdo çast nga mitet, nga historia dhe përditshmëria. Arti i tij inspirohet nga heronjtë shqiptarë dhe përgjithësisht frymëzohet nga arti ynë mitologjik dhe mesjetar. Siç shihet nga punët që përmendëm, Beati është një përcjellës i mirë i karakteristikave etnografike çame, nën peshën e energjisë së brendshme që merr parreshtur nga magma e tragjedisë çame, nga mitet dhe legjendat e saj të përsosura. Ja çfarë shkruan skulptori në një nga statuset e tij në facebook: “Çamri, Thesproti apo Epir i Vjetër, pavarësisht nga emërtimi, në fakt ajo është toka që ka të bëjë me Pelasgjinë, duan apo s’duan namuzqarët, me njerëzit që e sistemuan atë, si me gurë ashtu edhe me kulturë dhe për këtë do të mjaftonte ajo që në shtrirjen e gjatë kohore duhet t’a quajmë pa fobi si toka dinastive hyjnore. Aty lindi koncepti religjioz me shumë Zota. Duan apo s’duan qerratallarët dhe agallarët. Por Dodonës iu turrën me egërsi dhe e prenë. Në kujtim të saj politragjike kjo tokë politeiste është mësuesja e parë per ecelenza dhe vendi nga nis Europa e kësisoj mund të quhej Dodonida”, shkruan skulptori në një nga statuset e tij në facebook. Çdo punë që nxjerr nga duart e të tij të arta skulptori Beati e ndan me ndjekësit e tij të shumtë, dhe kjo duket se i jep forcë dhe e shtyn drejt së pamundshmes. Nuk i intereson dhe nuk i ka interesuar kurrë mendimi zyrtar për punët e tij. Nuk ka pyetur kurrë për padronë.

Kalon shumë kohë në natyrë, buzë lumit Erzen, pasi aty qetësohet dhe komunikon me artin e tij, takon njerëz të thjeshtë e të zakonshëm, pasi aty mundohet që të shikojë brendësinë e njeriut, egon e tij, dëshirat, ambiciet, dhimbjen e gjithçka që e bën një njeri të gjallë.

Zaten ai është gjithnjë në kërkim të një lumi, që jo vetëm i freskon fantazinë, por edhe i ofron argjilën që i duhet për bocetetet dhe modelet e tij krijuese, është gjithnjë i përcëlluar nga një zjarr, që e përfytyron dhe e provokon aty për aty edhe kur nuk e ka, është në kërkim të një ngasjeje misterioze, që e ndërsen për të hyrë në hullitë e magjisë së krijimit.

Beati skalit, bashkë me veprat, edhe portretin e tij, duke rrëmuar deri në skutat më të thella të shpirtit njerëzor, për të prodhuar monumentet e tij hyjnore, me magjinë e një “Mikalanxheloje” shqiptar.

Duke rrëmuar e rrëmuar në subkoshiencë, duke ndezur drita e llambushka inkadeshente deri në skutat më të thella të unit të tij krijues, ky artist unik dhe i papërsërtshëm, cdo krijimi që del nga duart e tij të llangosra me baltë e allçi i jep një rrëzëllim qiellor.

Ilmi Kasemi Beati, me veprat e tij sublime e magjiplota, me kumtin e paqes, humanizmit e mirësisë, me vlerat më të epërme estetike që clirojnë energji të pafundme, mbetet padyshim një mjeshtër i rrallë, që kapërcen kohën që jetojmë, duke shërbyer si një gurrë e pashtershme për krijuesit e rinj.

Filed Under: Kulture

SHTRIRJA GJEOGRAFIKE E ILIRISË DHE DISA FAKTE TË VAZHDIMISË ILIRO-SHQIPTARE

August 10, 2024 by s p

Dr. ALBERT KURTI/

Hapësira gjeografike, ku banonin ilirët u njoh si Iliria. Autorët e mëvonshëm grekë dhe romak, identifikuan Ilirinë me territorin që korrespondon me pjesën më të madhe të Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës, pjesën më të madhe të Kroacisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, Serbisë perëndimore e qëndrore dhe disa pjesë të Sllovenisë. Këto territore shtriheshin nga lumi Drava në veri, lumi Morava në lindje, maleve të Akrekauneve në jug dhe detin Adriatik në perëndim. Prania e elementit etnik ilir është vërtetuar arkeologjikisht nga burimet e shkruara edhe në rajonet veriore të Maqedonisë dhe të Greqisë, si në Akarnani e në Atoli. Fiset jugore të Ilirisë (Thesprotët, Kaonët e Mollosët) formonin krahinën e Epirit.

Historiani athinas Tukididi në “Historinë e Luftës së Peloponezit” në shekullin V Para Lindjes së Krishtit dhe Straboni në veprën tij “Gjeografia” i përshkruajnë banorët e Epirit si barbarë. Autorët antikë grek, çdo popullsi që nuk ishte greke i quanin barbarë, jo në kuptimin e civilizimit, por si popullsi e huaj.

Shkrimtari grek i shekullit IV p.e. sonë (Para Lindjes së Krishtit), numëron 14 fise, por nga burimet e tjera historike – epigrafike rezulton që ky numër të ketë qenë shumë më i madh. Nga fiset kryesore ilire të cilët luajtën një rol të rëndësishëm në historinë politike të kësaj krahine, përmenden sidomos Thesprotët, Kaonët, Molosët, etj.

Banorët e Epirit ishin ilirë, i përforcon akoma më shumë edhe “Letrat shqiptare të Lajbinicit”. Kemi të regjistruar gjithsej 7 fragmente letrash, ku shkruhet për shqipen me emërtime të barasvlershme: shqipja, gjuha shqipe, gjuha e shqiptarëve, gjuha epirote, gjuha e epiriotëve dhe një rast ku parakuptohet ajo.

Lajbinici i bashkohet një opinio cummunis të rretheve intelektuale të asaj kohe. Këtij bashkimi i ka dhënë shkas, sipas tij, leximin e faksimiles së Lutjes të së Dielës (Ati Ynë), në krye të së cilës mbishkruhet: Lingua Epirotica sive Albanesia (Gjuha Epirote ose/përkatësisht shqipe). Emërtimet e barasvlershme gjuhë epirote: gjuhë shqipe ka nxitur sipas tij, Lajbnicin, që të indetifikojë shqipen me ilirishten.

Në mbishkrimet e gjetura në Dodona, Nilsoni shkruante se dalin afërsisht 50 emra me origjinë ilire. Si hapësirë gjeografike Epiri i Antikitetit, përkon sot nga gjiri i Vlorës në veriperëndim deri në gjirin e Artës në juglindje, në lindje shtrihet deri në pellgun ujëmbledhës së maleve Pindi dhe në perëndim nga deti Jon.

Nga studimet më të reja të mbështetura jo vetëm në burimet e shkruara historike, por edhe të dhëna arkeologjike si dhe ato gjuhësore rezulton se trualli historik i ilirëve përfshinte tërë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, që nga rrjedhja e lumenjve Morava e Vardar në lindje, deri në brigjet Adriatikut e detit Jon në perëndim, që nga lumi Sava në veri, deri në gjirin e Ambrakisë në jug, pra deri në kufijtë e Helladës së vjetër.

Burimet historike dhe ato arkeologjike e gjuhësore dëshmojnë për praninë e ilirëve jashtë trevave të tyre. Kështu që, në gadishullin Apenin ndodheshin edhe disa fise ilire, si Mesapët, Japigët, Daunët, Peucët, etj.

Grupe të tëra ilirësh, midis tyre dhe mesapët dhe japigët u vendosën në Itali gjatë bregut të Adriatikut dhe në krahinat jugore të saj.

Mesapët ishin fis ilir të shpërngulur rreth fillimit të mijëvjeçarit të fundit p.e.r. (Para Lindjes së Krishtit) në Italinë e jugut dhe i vendosur në Apulia dhe Kalabrinë antike.

Janë vënë re gjithashtu edhe bashkëpërkime midis mesapishtes dhe shqipes në sistemin fonetik dhe gramatikor, si p.sh.: reflektimi i (O-së) së shkurtër indoevropiane në (A), evolucioni (m) > 👎 i mbaresës së rasës njëjës të emrave në të dyja këto gjuhë.

Japigët me shumë mundësi kanë ardhur nga Iliria. Japigët kishin gjuhën Mesapët bashkë me fiset e tjera si Daunët dhe Peucët.

Artikulli është shkëputur nga libri “MISTERI I SHFAQUR” (“THE SECRET UNVEILED”).

Foto: pinterest.com

Filed Under: Histori

MUHAMMED YUNUS KREU I RI I QEVERISË SË PËRKOHSHME TË BANGLADESHIT DHE SHQIPTARËT

August 10, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli/

Mediat botërore njoftojnë se Profesori Mohammed Yunus, laureat i çmimit Nobel të Paqës për vitin 2006, arrijti në Bangladesh për të bërë betimin si udhëheqës i përkohshëm i atij vendi. Z. Yunus, në moshën 84-vjeçare, arrijti në vendin e tij, vetëm disa ditë pasi Kryeministrja Sheikh Hasina – gruaja që ka qeverisur Bangladeshin me një dorë të hekurt autoritare për 15 vjet – u detyrua të hiqte dorë nga detyra e saj dhe të largohej nga vendi pas prtoestave më mëdha popullore që kërkonin largimin e saj. Ajo u detyrua të jepte dorëheqje nga detyra e Kryeministres pas protestave të forta kundër qeverisë së saj. Protestat shpesh të dhunshme, të udhëhequra nga studentët – prej të cilave mbetën të vrarë qindra protestues — u ashpërsuan, për fat të keq, dita ditës përball refuzimit të Kryeministres Hasina të jepte dorëheqjen.

Një prej kërkesave kryesore të protestave të udhëhequra nga studentët ishte që Profesori Yunus, fitues i Çmimit Nobel për Paqe (2006) të emërohej në krye të qeverisë së përkohshme – me shpresën se i ashtuquajturi “bankieri i të varfërve”, do të rivendos demokracinë në Bangladesh pas disa viteve të një regjimi autokrat në atë vend. Sipas lajmeve në mediat botërore, vendimi për të emruar Profesorin Yunus në krye të qeverisë së përkohshme është marrë pas një takimi konsultimesh midis Presidentit të vendit, Mohammad Shahabuddin, udhëheqsve ushtarakë dhe udhëheqësve të studentëve protestues kundër regjimit të kryeministres së vendit.

Në një deklaratë mbi zhvillimet e fundit dramatike politike në vendin e tij, Profesori Yunus përshëndeti “Studentët trima të cilët dolën në krye të përpjekjeve për të bërë të mundur Ditën e dytë të Fitores”, dhe falënderoi “popullin që i dha atyre mbështetjen e plotë”. “Le ta përdorim”, shtoi ai, “fitoren tonë të re” ndërsa u bëri thirrje të gjithëve që të jenë të qetë dhe të “përmbahen nga çdo lloj dhune”. Ai ftoi të gjitha partitë politike por dhe të gjithë ata që nuk merren me politikë që të jenë të qetë gjatë kësaj periudhe të vështirë në historinë e vendit të tij. “Ky është vendi ynë i bukur, që ofron shumë mundësi të shkëlqyeshme. Ne duhet ta mbrojmë dhe ta bejmë edhe më të bukur për të gjithë ne dhe për brezat e ardhëshëm”, tha ndër të tjera udhëheqsi i emëruar për të qeverisur përkohsisht vendin dhe për të organizuar zgjedhje te reja.

Profesorit Yunus, i njohur anë e mbanë botës si “Bankieri i të varfërve”, iu dha Çmimi Nobel për Paqe në vitin 2006, pikërisht, për ndihmën — që nepërmjet bankës së tij Grameen Bank, të cilën ai e themeloi në vitin 1983 — u jepte miliona njerëzve mundësinë që të dilnin nga varfëria, e të cilët nuk kishin mundësi të përdornin bankat e zakonta për marrje kredishë. Ishte, pikërisht, ky program mikro-financimesh, veçanërisht për femrat, që frymëzoi projekte të ndryshme mikrofinancimesh në dyzina vendesh në botë –- e që tërhoqi vëmendjen dhe eventualisht edhe mbështetje nga shumë udhëheqës botërorë, gjatë viteve.

Në rregull, mund të thotë dikush, por çfarë ka të bëjë me Shqipërinë dhe me shqiptarët ky bankier i të varfërve, fitues i Çmimit Nobel për paqe, me origjinë nga Bangladeshi? Ishte Janari i vitit 2013. Profesori Yunus, si fitues i Çmimit Nobel për paqe, falë ideve të tija të kredive mikro për shtresat e varfëra të shoqërisë, konsiderohej si një prej 100-personaliteteve më të njohura në botë. Në vitin 2011, qeveria shqiptare i kishte bërë ftesë atij të vizitonte Shqipërinë për të parë nga afër se si po zbatohej në praktikë teoria e tij e ndihmës teknike për hapjen e bizneseve shoqërore për shtresat më në nevojë të atij vendi.

Unë nuk di, pasi nuk e kam ndjekur zbatimin e këtij programi gjatë viteve në Shqipëri, por më kujtohet se në atë kohë komuniteti shqiptaro-amerikan në krye me organizatën më të fortë për nja dy dekada në Washington – Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) — e mbështeti idenë e projekteve në Shqipëri të mikrofinancimeve të Bankës së themeluar nga Profesor Yunus. Mos gabofsha, sikur kjo nismë ka filluar të zbatohej në prill të vitit të vitit 2011-12, kur, aktualisht, nisën të mbështeteshin dhe të hapeshin të ashtuquajturat bizneset e para sociale në Shqipëri.

Për të inkurajuar vazhdimin e këtij programi në Shqipëri, por jo vetëm, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) kishte vendosur të ftojë Profesorin Yunus që të takohej me përfaqsuesit e komunitetit shqiptaro-amerikan, duke i akorduar atij, “Çmimin Për Arritje Jetësore”, në darkën vjetore gala, në shtator të vitit 2013. Ashtu siç ishte traditë çdo vit, NAAC kishte ftuar në atë darkë udhëheqsit politikë nga të gjitha trevat shqiptare, të ardhur në Nju York për mbledhjen vjetore të Asamblesë së Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Morën pjesë Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, Zëvendës kryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, kryebashkiakja e Tetovës, Teuta Arifi dhe kryetari i Bashkisë së Preshevës, Ragmi Mustafa, mndër të tjerë.

Atë natë, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan nderoi me çmime Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Philip Reeker dhe nobelistin e paqës, Muhammad Yunus, si persona që kanë kontribuar në favor të shqiptarëve kudo që ndodhen. Me atë rast, Mohammed Yunus, foli para qindra shqiptaro-amerikanëve duke shpjeguar programin e tij bankar nepërmjet shembujve konkretë se si funksionon programi i tij për kredi të vogla, për të varfërit. Profesori Yunus para audiencës në darkën e NAAC-ut qe shprehur optimist për interesimin – sidomos nga të rinjtë në Shqipëri — për këtë lloj biznesi shoqëror duke shtuar se, fillimisht kishte vërejtur një entuiziazëm shumë të madh në Shqipëri, në atë kohë.

Unë nuk mund të vlerësoj programin dhe projektet e zhvilluara në Shqipëri gjatë viteve nga Banka e Profesorit Yunus Mohammad — pasi siç thashë më lartë, nuk e kam ndjekur — por e dij se ai vet ishte shumë i interesuar për të ndihmuar Shqipërinë në atë kohë, ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan në krye me organizatën Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) ishte serioz në mbështetjen e projekteve mikrofinanciare të tij që ai kishte në plan për Shqipërinë.

Për mirë ose për keq, kjo ishte lidhja e udhëheqsit të ri të përkohëshëm të Bangladeshit me Shqipërinë dhe shqiptarët – nepërmjet komunitetit shqiptaro-amerikan, kryesuar në atë kohë nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC). Është gjithashtu e vështirë të thuhet nëse emërimi tij në krye të qeverisë së Bangadeshit është diçka e mirë ose jo për të personalisht dhe për vendin e tij në këtë periudhë të vështirë politike. Çmimi Nobel për Paqe që i është dhenë atij për punën në fushën e mikrofinancës, nuk besoj se i garanton atij ose vendit të tij sukses në fushën politike. Por ajo që unë besoj është se edhe në një vend, megjithë problemet e mëdha politike, korrupsionit dhe varfërisë së madhe me të cilat përballet një shtet, siç është Bangladeshi – gjithmonë ka mundësi dhe shpresë për ndryshime pozitive. Kjo është edhe arsyeja që protestuesit bangadeshas, të udhëhequr nga studentët, nepërmjet protestash kërkuan kthimin në atdhe të Profesor Yunus Mohammed në krye të qeverisë së përkohëshme, me qëllim për të bërë ndryshimet e nevojshme politike dhe ekonomike, nepërmjet zgjedhjeve të lira dhe drejta.

Frank Shkreli* –*Autori ka shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.

“Bankieri i të varfërve”, Profesor Mohammed Yunus, laureat i çmimit Nobel të Paqes për vitin 2006, duke folur në darkën gala të organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, pasi iu dorëzua “Çmimi për Arritje Jetësore”, me 17 shtator, 2013 në Nju Jork

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan nderoi (2013) me çmime Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, Philip Reeker dhe nobelistin e paqës, Muhammad Yunus, si persona që kanë kontribuar në favor të shqiptarëve kudo që ndodhen.

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT