• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2024

Shqipëria po shkon drejt një diktature demokratike!

August 9, 2024 by s p

Besim Ndregjoni/

Shkëlqesi z. ambasadore, Nancy VanHorn! E ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Tiranë! Më lejoni t’ju shpreh mirënjohjen time të thellë dhe t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë! Ardhja juaj në Shqipëri na gëzon për vetë faktin që ju, sipas mesazhit tuaj, që përcollët nga ambasada keni shërbyer si diplomate në shumë vende të Europës Juglindore dhe keni njohur regjimet komuniste, ku Shqipëria gjatë 50 viteve është sunduar nga regjimi stalinist, kur Europa e kishte dënuar që në vitin 1956, Shqipëria nuk e ka dënuar atë regjim gjenocidal, por kaloi direkt në sistem pluralist dhe ka tri dekada që nuk e dënon krimin komunist, kjo falë edhe heshtjes së përfaqësive diplomatike të akredituara në Shqipëri! Nisur nga mesazhi i juaj miqësor dhe si përfaqësuese e vendit më demokratik në botë, si përfaqësuese e vendit të Marting Luterkingut, po ju drejtohemi dhe po ju përgjigjem mesazhit tuaj të tri pyetjeve:

Ju sjell në vëmendjen tuaj bilancin e krimit komunist, që ka ndodhur në vendin tim, sipas statistikës shtetërore:

-Të ekzekutuar për motive politike, 5037 burra dhe 450 gra.

-Të dënuar me burgosje politike, 21.788 burra dhe 7367 gra.

-Të internuar për motive politike, 48.217 burra dhe 10.792 gra.

-U dëbuan nga qytetet kryesore dhe nga zonat kufitare 11.536 familje.

-U pushkatuan apo vdiqën në burgjet shqiptare 64 shtetas të huaj.

-U burgosën 1215 burra dhe 38 gra të huaja me kombësi joshqiptare.

-95 shqiptarë kosovarë që ndodheshin në Shqipëri u pushkatuan.

-U ekzekutuan dhe u burgosën klerikë katolikë 120 veta.

-U ekzekutuan dhe u burgosën klerikë bektashianë 83 veta-

-U ekzekutuan dhe burgosën klerikë myslimanë 60 veta.

-U ekzekutuan dhe burgosën klerikë ortodoksë 39 veta.

-U shkatërruan dhe u mbyllën 2169 institucione fetare.

-Xhami 740, kisha manastire ortodokse 608, kisha manastire katolike 157, teqe, tyrbe 530.

-Mbi 6000 të pushkatuarve me gjyq dhe pa gjyq mbas 34 vitesh nuk u janë gjetur eshtrat.

Dhe këto familje po vuajnë prej tri dekadash që nuk kanë një varr në tokën e tyre se diktatura u ka zhdukur kufomat… Ky është bilanci i një krimi të padënuar dhe sot mbas 34 vitesh në Shqipëri, ka vetëm heshtje shtetërore. Do të ishim të lumtur, ne, të mbijetuarit e diktaturës që ju të vizitoni të parin vend: 1.Kampin burg të Spaçit, ku u organizua revolta e parë antikomuniste në mbrojtje të identitsetit kombëtar. Flamuri pa yllin sovjetik dhe në mbështetje të lirisë duke pasur udhërrëfyes SHBA-të. 2.Burgun politik të Burrelit, ku diktatura komuniste vrau elitën e kombit shqiptar! 3. Kampin shfarosës të Tepelenës, ku diktatura e Enver Hoxhës u mori jetën mbi 350 fëmijëve nga mosha 1 deri në 5 vjeç, duke mos lejuar ushqyerjen e tyre se quheshin fëmijë armiq të komunizmit! Ne të ftojmë të lexosh librin e At Zef Pllumit “Rrno me tregu”, prift dhe ish-i burgosur politik për 27 vite! Të njohësh krimet e komunizmit në Shqipëri! Tradita e shqiptarit është që miku pritet me ëmbëlsirë dhe të rekomandojmë ëmbëlsirën dibrane “Sheqerpare”. Shqipëria po shkon drejt një diktature demokratike, rezistenca e të mbijetuarve të diktaturës kundër kësaj diktature duhet të ketë mirëkuptimin e ndërkombëtarëve dhe në veçanti të tuajin si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës! E nderueme mike!

Kemi 34 vite që kërkojmë të dënohen krimet e komunizmit me ligj si gjithë Europa. Ka mbi 6 muaj që së bashku me tre komunitete fetare u kërkojmë drejtuesve të shtetit shqiptar që të dënohen krimet dhe këta heshtin siç kanë heshtur prej tri dekadash! Shpresojmë ju si mike dhe diplomate do të bashkoheni me ne që ky shtet i ashtuquajtur “demokratik” të dënojë krimin komunist me ligj! Ne, bashkëkohësve të Dr. Martin Luther King – kampionit të drejtave dhe lirive të njeriut në Amerikë shekullin e kaluar, kur përballeshim me diktaturën enveriste na rri në kujtese thënia brilante e tij: “Më në fund, ne nuk do të mbajmë mend fjalët e armiqve tanë kundra nesh, por do të kujtojmë heshtjen e miqve tanë”, – përballë padrejtësive ndaj nesh.

Autori: Aktivist i të Drejtave dhe Lirive të Njeriut! President i Unionit Mbarëkombëtar Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë!

Filed Under: ESSE

“Sfida dhe dinamika e Sigurisë Kombëtare”

August 9, 2024 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

Para disa ditësh mora dhuratë librin: “Sfida dhe dinamika e Sigurisë Kombëtare” të përgatitur me shumë pasion nga Hyzri Salihu në Dardani, për të cilën e falënderoj. Autori analizon në detaje rreziqet, kërcënimet dhe sfidat në Ballkanin Perëndimor të lidhura me sejcilin prej vendeve në kuadrin e sigurisë së tyre kombëtare. Më pas ai analizon Ballkanin Perëndimor si një urë lidhëse midis lindjes dhe perëndimit, ku nga njëra anë si BE-ja dhe SHBA-të me të drejtë mbështesin integrimin euro-atlantik të këtyre vendeve, ndërkohë që nga ana tjetër aktorë si Federata Ruse dhe Kina përpiqen që nëpërmjet përdorimit të fuqisë së butë, projekteve ekonomike, mbështetjes diplomatike dhe aplikimit të luftës hibride me të gjitha format e saj, përpiqen të krijojnë kaos, shpërqëndrim dhe të dëmtojnë këtë integrim.

Më pas autori, analizon konceptin dhe elementët kryesorë të sigurisë kombëtare si dhe rolin, pozicionin strategjik dhe anëtarësimin e Republikës të Shqipërisë në NATO, në kuadër të sigurisë Ballkanike por jo vetëm.

Një element i rëndësishëm i librit, është nevoja e rritjes të bashkëpunimit në fushën e diplomacisë, sigurisë kombëtare, sigurisë energjetike, sigurisë ekonomike, ushqimore, etj midis Shqipërisë, Dardanisë dhe lidershipit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Ndërthurja e demokracisë, paqes dhe e sigurisë kombëtare, me qëllim përballjen me sukses kundër strategjisë serbe, e cila vitet e fundit ka qënë shumë agresive, antishqiptare dhe kriminale.

Në këtë këndvështrim, ai analizon të gjitha faktorët aktivë dhe pasivë duke analizuar në mënyrë të veçantë aplikimin prej saj të luftës të dizinformimit, luftes asimetrike, luftës hibride, luftës të shkallës së ulët dhe operacioneve kibernetike.

Së fundi, një element i rëndësishëm autori parasheh si determinant ndërtimin dhe forcimin më tej te bashkwpunimit me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe të Mbrojtjes, me qëllim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Dardanisë në NATO, anëtarësim i cili do të ndalonte përfundimisht pretendimet territoriale, provokimet dhe sulmet terroriste të një shteti agresiv si Serbia.

Në fund autori e zgjeron spektrin e analizës më gjerë në rajon dhe në Lindjen e Mesme, duke analizuar situatën gjeopolitike globale dhe luftën që Ukrainë. Ai mendon se aleanca e Kinës me Federatën Ruse, Republikën Islamike të Iranit e cila gjithmonë e më shumë po sfidon haptazi politikën paqeruajtëse të SHBA-ve në Lindjen e Mesme, Korenë e Veriut fuqia bërthamore e të cilës po bëhet gjithmonë e më shumë shqetësuese në këtë rajon të botës duke kërcënuar drejtëpërsëdrejti sigurinë kombëtare të Japonisë, Koresë së Jugut, bazat amerikane në Oqeanin e Paqësorit por jo vetëm.

Për të gjithë ata që kanë interes në lëmin e sigurisë, mbrojtjes, gjeopolitikës, gjeostrategjisë, gjeoekonomisë dhe marëdhënieve ndërkombëtare në Lindjen e Mesme, kontinentin Europian, Amerikën e Veriut por jo vetëm ja vlen ta kenë këtë libër në biblotekën e tyre.

Filed Under: ESSE

I ZËMËRUARI I PËRJETSHËM – ME KASEM TREBESHINËN PAS ÇDO DATËLINDJEJE…

August 9, 2024 by s p

– Nga Visar Zhiti -/

– Ç’do të themi për shkrimarin Kasëm Trebeshina? – Kështu kisha pyetur një ditë pas një datëlindje të tij… që s’e kishin kujtuar fare, edhe pse shkrimtar me njohje dhe i burgosur që i përflitej disidenca dhe rebelimi zëmërak?

Pse kjo mëri e ndërsjellte me të? Edhe tani…?

Rrallë ndodh të ketë një marrëdhënie të tillë plot heshtje të zymtë të vendit me një shkrimtar të vetin…

…po sjell një shkrim timin, që nuk deshën të ishte parathënia e një libri për Kasëm Trebeshinën, pastaj nuk desha unë si pjesë e vorbullës dhe zherrnajës, që gjithsesi doli…

Është datëlindja e 98-të e tij, kur ai s’është më që prej 7 vjetësh…

DIMË QË DIKTATURA DËNOI SHKRIMTARIN, QË KISHTE DËNUAR DIKTATURËN

1.

Gjithmonë dita më pas ka rëndësi tjetër, dita pas fitores, që mund të jetë humbje, pas rënies, që ka brenda hovin e ngritjes, pas kryqëzimit nga ku rrjedh gjaku i ringjalljes.

Një ditë pas datëlindjeve të Kasëm Trebeshinës ç’do të mund të thuhet? Për kundërshtarin e pandreqshëm dhe të zemëruarin e gjithmontë, që duket sikur kumton tani vetëm me heshtjen, por folëse, me të shk(r)uarën, me shumë libra të pabotuar, me të burgosurin e lirë, me të lirin e vetburgosur?

Dimë që diktatura e dënoi shkrimtarin, kur shkrimtari e kishte dënuar diktaturën. Ndëshkimin i ndërsjellë, që, si të thuash, nuk i ngjan thikës me dy presa, se në rastin e parë kemi të bëjmë me një krim shtetëror, kurse në të dytin me një qëndrim dhe “credo”, atë të lirisë së vërtetë dhe të vërtetave të lirisë në misionin e lartë të shkrimtarit, që pengohet.

Duket sikur njeriun e vënë në provë fuqi të mbinatyrshme, tragjedira, përmbytje, murtaja, perëndi dhe gjysmë perëndi, luftëra dhe shtypje, por dhe gjera më të pakta në dukje, frikëra të ndryshme dhe uri, por dhe kërcënimet, një hetues, gardian, e gjykatës, por mbi të gjitha dashuria, siperania, dashuria, miqësia, mirënjohja, bëmat e qëndrimet, qofshin dhe fare të vogla për të zbuluar sfidat dhe se sa njeri është. Po në përballje me njeriun cilët jemi?

Duke gjakuar për të qenë sa më i vërtetë dhe më i natyrshëm, vetmitar dhe shoqëror gjithsesi, kam kërshërinë të shpalos në jetën dhe në veprën e Kasëm Trebeshinës, ku më faniten të fshehta të tjera të pazakonshme dhe të zakonshme, prapaskena dhe interesa klanesh, qëllime të mbrapshta, ëndrrën, ku ndeshen të gjallë dhe të vdekur, fantazma dhe të pushtetshëm, mbërrijmë tek tirania dhe sistemi i saj dhunues, por dhe zbresim te vetburgimi i mëpastajmë sokratik, ku njeriu mbyllet si në shpellë. Pra, duket si një kthim në gjenezë.

Tani shkrimtari vërtet është mënjanuar shumë, gjithë mister të zymtë edhe kryeneçësi mospërfillëse, demiurg në mbrëmjen përthellonjëse të moshës, tashmë dhe i ikur, por dhe në atë që quhet horizonti i pritjes. Nuk ka rëndësi në arrin të thinjet fantazia e shkrimtarit a është fantazmë, po ç’bëjnë librat e tij, kur Treveshina shumicën e dorëshkrimeve e ka të pabotuar, na thuhet, të një krijimtarie ethanake, treçerek shekullore.

Jetëshkrimi për Kasëm sjell mjaft bëma, por dhe karakterin e tij të çuditshëm, përplasjet, pabesitë, dashuritë si dhe do të mund të na japë njërin nga çelësat e leximeve të teksteve dhe nënteksteve, për të cilat më shumë flitet se sa janë lexuar, nga që kanë mbetur ende të panjohur, megjithëse herë pas here dalin nga mugëtira…

2.

PARTIZAN DHE SHKRIMTAR

I tillë ka qenë fati i shkrimtarit Kasëm Trebeshina dhe i krijimtarisë së tij, fat(kob) që ja bënë të tjerët, por që e zgjodhi dhe vetë me idealin e tij dhe asketizmin e tij dhe që ndryshon ngadalë, fat i kacafytjes dhe i mbylljes rrënuese, i mureve brenda mureve, teksa ai si natyrë është i kundërt me fatin e tij, i gjallë, i hapur, i çiltër deri në një egocentrizëm, i paqetë, fantazist, kështu më vjen të them, për aq sa di për të. Trebeshina dhe fati i tij që të dy ishin këmbëngulës dhe duronin. Më i fortë doli Trebeshina, me të vërtetë një kalorës hijerëndë i (ç)misionit të tij. Kali i tij është Pegasi, që ai gjithë kokëkrisje nuk pranoi ta bëjë kalë ushtrie për të tërhequr topa apo të ngarkohet me patatet e batalionit a të burgut, dhe as e futi në kooperativat rurale të Realizmit Socialist, edhe pse kishte qene luftëtar i egër, oficer dhe bënte pjesë me fitimtarët dhe u përkiste atyre që kishin marrë përsipër të ndërtonin një Botë të Re duke dashur me gjak ta shkatërrojnë të vjetrën me gjithsej dhe përfundoi në një burg të ri.

Edhe kur e rrëzonin poetin dhe e merrnin për ta hedhur pas telave me gjemba të ferrit, ai mbahej pas frerëve të yjeve, ndërsa flatrat e Pegasit si me magji i kalonin pas kurrizit… dhe kqyrte botën me mospërfillje krenare dhe mllef të pazakontë. Kështu dhe Kasëm Trebeshina u shndërrua në mit, në një lloj kentauri të habitshëm, gjysmë pegas dhe gjysmë rob, me flatra dhe me patkonj, me bajonetë dhe penë. Pse ta fshehim, vrasës dhe kundërshtar i vrasësve.

U shpreha kështu metaforikisht, në stilin e Kasëm Trebeshinës, si i hazdisur, nga që i çmoj guximet e tij, qendresën dhe shpërfilljet filozofike për gjithçka që është dhunë, përulje, padrejtësi dhe jo virtyt. Aq më tepër që tani Trebeshina nuk është aq kollaj i çkyçshëm, por dhe arkivat për të janë të tilla. Por jo dhe aq. Dosjet e tij, që nga ajo e punës, e hetuesisë, e gjyqit, etj, etj, nëse kanë mbetur, nuk janë lënë t’i shfletojë hulumtuesi i mundshëm. Më shumë se sa mister shkrimtarësh, nëpër to me siguri janë ndrydhur kundërshti dhe krim, përplasje dhe mëkat, denoncime, turp, vrasje të pabesa, të ngadalta, aq sa ke frikë se mos në vend të fletëve do të gjesh pergamena prej lëkure të rrjepura njerëzish.

Kasëm Trebeshina është njeriu që ka kërkuar vazhdimisht të ndeshet, qoftë dhe me të ultën, se për të beteja është e madhe. Kur pa mbaruar mirë adoleshencën, ai rininë e tij me të parët e vuri përballë luftës. U bë partizan dhe luftoi kundër pushtuesit, kuçedrës botërore të nazi-fashizmit. Pastaj kundër komunizmit si me një kuçedër tjetër. Nuk i la kohë vetes të ndihej fitimtar. U fut në burg për të sfiduar dhunën e shtetit të tij dhe mungesën e lirive. Pasi ranë diktaturat komuniste, ai prapë s’u ndie fitimtar, por humbës asnjëherë, ama. Kurrë. I përkushtuar si një murg ndaj shkrimeve të veta. Kështu pohon. Duke pasur si ikonë rrëfimtarin e shkëlqyer të shqipes, Mitrush Kutelin. Që edhe atë e burgosën. Shkrimtarit do të t’i duhej të ishte i mirë dhe i butë me këdo. Madje edhe me pleqërinë e vet. Por, siç thamë, Trebeshina mbetet egërshan gjithmonë. Me diktatorët, me sistemin e tyre, edhe pse luftoi me ta, me harenë dhe harresën kolektive, me fitoret, me nëpërkëmbjen, me kompromisin, me Realizmin Socialist dhe Lidhjen e Shkrimtarëve, madje dhe me miqtë, kështu më duket, ëndërron demokracinë, nuk kënaqet as me të, i ikën të gjithave dhe urren disidencën, madje edhe të vetën, edhe kombësinë…

Kasëm Trebeshina na përshfaqet partizan, trim i çartur, që lufton me fanatizëm duke mos besuar në drejtimin, komedianët, i quan ata të shtabit, ndërkaq ka drejtuar vetë beteja dhe gjyqe partizane, ka ekzekutuar dhe ai, jo vetëm gjermanë, por edhe partizanë, duke ju bindur ligjit të luftës, vrit se do të vrasin, etj, etj. Po konturohej kështu lufta civile në Shqipëri. E tmerrshme! Megjithëse pati zëra që buçitën që atëhere: “

“Ah, o bijtë e nënës, pse kështu përçarë./ Qoftë i mallkuar kush s’do t’ju bashkonjë,/…/Pse e bëtë Kombin në greminë të shkonjë.”

(Hekuran Zhiti, “Dy kundërshtarët”, poemë, marrë nga “Luftëtar’ i lirisë”, “Oshëtima e Korçës”, shkurt 1944.)

Mes asaj ploje, thënë troç, vetëm duke i përfytyruar, unë jam ndjerë keq si në një vorbull infernale dhe më është dukur se isha në zanafillën e krimit dhe të ndëshkimeve të mëpastajme.

Ndërkaq çmoj kurajon për të thënë dhe të vërtetat e rënda.

Se së fundmi, kur shkrimtari gjerman Gynter Grass, vërsnik me Trebeshinën, gati një vit më i vogël se ai, rrëfeu në një libër autobiografik se në rininë e parë kishte qenë me forcat esese, u trondit jo vetëm lexuesi i tij në Gjermani, por i gjithë opinioni letrar botëror dhe gazetat hapën anketa, madje dhe në Shqipëri, për qëndrimin ndaj tij, aq sa u shkua deri atje, që a do t’i hiqej çmimi “Nobel”. Ndërsa një shkrimtar shqiptar shprehej në shtyp për Trebeshinën që pse të mos e marrë dhe ai “Nobel”-in? Natyrisht që letërsia ndahet nga ai që e prodhon atë dhe bën jetë më vete, por për ndërgjegjen e njerëzimit kanë rëndësi në këtë rast dhe realiteti jo letrar. Poeti Ezra Paund si simpatizant i fashizmit u burgos në një kafaz në një shesh të madh të një qyteti të Italisë.

Rebelin Kasëm Trebeshina e burgosën bashkëluftëtarët e tij si kundërshtar dhe, sipas ritualit, dënuan dhe veprën e tij letrare, të akt-ekspertizuar nga kolegët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Fitimtarët ishin bërë më pushtues se pushtuesi që mundën. Lidhja as sot, që gati nuk ekziston, (ashtu siç është bërë nga ana tjetër gërmadhë dhe burgu i Spaçit,) s’di ç’qendrim të mbajë me Trebeshinën, me veten, me shkrimtarët e Realizmit Socialist, me ata që u dënuan me burg, që u pushkatuan, me veprat e tyre, me Kohën, me kohërat, me të tashmen, me risitë letrare, etj. Fjala s’është se ç’mund të thotë, por çfarë mund të bëjë dhe Lidhja e Shkrimtarëve s’ribëhet dot, kurse shkrimtarët si individualitete, si qytetarë edhe shqetësohen dhe ndodh që ta ngrenë zërin, por të kondicionuar nga e kaluara e tyre. Duke mos qenë të lirë, duket sikur nuk prodhojnë dot liri.

Kurse në gjysmën matanë të kombit, në Kosovë, Presidenti Ibrahim Rugova i kishte thënë shkrimtarit Adem Demaçi kur doli gjysmë i verbër nga burgjet e gjata të Jugosllavisë, se “këtu mes nesh ishte një karrike gjithmonë bosh, të priste ty…”.

Intelektualë të shquar të Prishtinës, së bashku, na dëshmon poeti ynë i fuqishëm Ali Podrimja, i ishin kundërvënë uniformitetit në art, servilizmit krijues, tiradave, pra Realizmit Socialist dhe policisë letrare, aq më tepër të huaj, duke guxuar të dalin në mbrojtje të vlerave, lirisë së mendimit e të krijimit dhe botuan si një manifest të tyren tekstin problemor “Vox clamantis in deserto” qysh në tetor të vitit 1971. Tetori siç duket qenka edhe muaji i kundërshtimeve të mëdha, se edhe Kasëm Trebeshina, “Zë i humbur në shkretëtirë”, në tetor, por më 1955, gati dy dekada më parë, guxoi atëhere kur nuk guxohej dhe i shkroi një promemorje diktatorit Enver Hoxha me akuza të rënda, por të vërteta, largpamëse, e paralajmëronte për batakun ku po e çonte vendin dhe kulturën, akt që nderon jo vetëm inteligjencën shqiptare, por të gjithën në perandorinë komuniste dhe racën e atyre që shkruajnë. Thonë që ajo letër nuk gjendet në arkivë, të tjerë thonë që ka qenë dhe është. Për mua ka rëndësi kumti i saj. Kasëm Trebeshina e mbart këtë kumt. Gjithashtu Trebeshina u kacafyt në vendin amë të Realizmit Socialist, në Leningrad dhe në Moskë, kundër kësaj metode, e përjashtuan, e burgosën në atdhe, nisi greva urie, kur i gjithë populli në një farë mënyre do të ishte në një grevë të tillë, kur intelektuali i njohur Xhevat Korça i kishte dhënë fund jetës me një grevë të tillë urie, i pari fare në burgun ku do të mbyllej Kasëmi, që pasi të dilte do të kërkonte të drejtën ta linin të ikte nga Shqipëria, por e morën për të çmendur ata që ishin më të çmendur dhe pastaj ai vetë e kërcënoi shtetin se nuk do të votonte më. Dhe e burgosën prapë.

Kur Trebeshina hynte së pari në burg si disidenti i parë, bashkëkohës si të tillë kishte dhe Sejfulla Malëshovën, por ndërkohë ai gjente brenda telave me gjemba kundërshtarë tradicionalë, të lartë, të hapur kundër sistemit dhe ideologë antikomunistë, martirë të lirisë, qendrestarë të zymtë, një pjesë e të cilëve tani ishin nëndhè, pa varr, të pushkatuar nga bashkëluftëtarët e Trebeshinës nga po ato gjyqe, vazhdim i gjyqeve mizore partizane, ku dikur dhe ai pati bërë vetë.

Po ndaloheshin libra, po digjeshin bashkë me to dhe diploma të atyre që ishin lauruar në Perëndim, në Francë e Austri, në Itali e Gjermani, Greqi é Turqi, etj. Mbase ishte inati gjeneral që diktatori s’kishte kryer dot asnjë universitet asgjëkundi, as në mal, siç kishin qejf të thoshin adhuruesit e tij shkretanë.

Do të vazhdonin persekutimet e mëdha. Do të pushkatoheshin dhe poetë, djem të rinj, do të vareshin, dhe atëhere kur s’po ndodhnin më akte të tilla kaq mizore dhe në perandorinë komuniste. Po i afroheshim jo vetëm shekullit të ri, por edhe një mijëvjeçari të ri. Me shpresë të përzishme.

3.

KADARE DHE TREBESHINA,

TREBESHINA DHE KADARE.

Megjithëse i padëshirueshëm, madje dhe i pakuptimtë na duket se ka mbetur pezull një konflikt që shfaqej herë pas here dhe në shtyp, me ndërprerje natyrisht, por i pambaruar dhe i pambyllur mes Trebeshinës dhe Kadaresë apo Kadaresë dhe Trebeshinës a i të dyve, i nisur në diktaturë, i heshtur mbase deri sa nxori krye, kur I.K. nëpërmendi inicialet e dënuara dhe të komplotuara me heshtje të “K. T”-së, gjë që u gjallërua në postdiktaturë, gjithë pezm, hapur, me akuza dhe kundërakuza jashtletrare.

Do të duhej të ndalej pak këtu.

Trebeshina, sipas meje, ka një përkushtim deri në sakrificë për të vërtetën e letërsisë, por kështu dhe Kadareja për letërsinë e vërtetë. I pari i thotë burgut: hapu, në ferr vete si shkrimtar, sepse ruaj brenda vetes luftëtarin, ndërsa i dyti, do të ruajë me çdo kusht shkrimtarin brenda vetes duke pranuar dhe kundërdënimin si mosdënim, luksin që i lejonte ajo kohë dhe më pas për të krijuar si dhe mundësinë e të qenit dëshmitar letrar dhe përballë atyre që sundonin. Ndërsa i pari zbriste humnerave duke u harruar si shkrimtar, i humbbotshëm, i dyti ngjitej lartësive duke u bërë shkrimtar i përbotshëm. Zbritja kishte terr dhe lehtësinë e dhembëshme të asgjësë. Ngjitja ishte e vështirë dhe me vezullime mëkatesh, që të bënin më të dukshëm për t’u goditur. Por dhembja mbetej përreth. Trebeshina, duke hyrë në burg, mbërrinte mjerimin e lirisë, të asaj lirie të mbytur, që s’kishe ç’t’i bëje më, kurse Kadare donte t’ia hiqte kthetrat asaj lirie të mjerë, ta barabiste me liritë që shikonte nëpër Europë. Trebeshinën letërsia nuk e linte të jetonte, Kadarenë nuk e linte të vdiste. Shkruanin të dy, pavarësisht nga njëri-tjetri, njëri si të thuash në parajsën e rremë të ferrit dhe tjetri në ferrin e parajsës së rremë. Njëri fshehurazi me polic te kryet që i kujtonte abazhurin e fikur që nazistët i bënim me kafka të burgosurish, tjetri me abazhur të përndezur që i kujtonte policin e kuq dhe që duhej të fshihte mesazhet. Njëri s’kishte kohë të veten dhe shpikte moskohën, absurdin e saj vrastar, tjetri krijonte kohë edhe për të tjerët dhe shpikte të ardhmen duke risjellë të shkuarën si pjesë të përjetësisë. Nëse njëri s’botonte dot dhe i goditej vepra e tjetri botonte radhazi, me zulm dhe godiste me veprën, shteti ndërkaq të dyve u shtonte dosjet. Realisht i donte të dy ashtu, mendoj, dhe nuk i donte ndërkohë. Por përdorte imazhe të tilla dyshe për propagandë dhe trembur, për të torturuar të gjithën, si rrjedhojë njeri-tjetrin dhe veten. I burgosuri shpresonte lirinë e shpirtit, i paburgosuri çshpresonte shpirtërisht burgun.

Po dikush mund të thotë se edhe Kadare i ka kënduar Partisë dhe shefit të saj, madje bukur, po edhe unë kam të drejtë të them që pse të mos i bërtasim edhe partisë dhe shefit të saj që pse s’ishin ashtu siç u këndoi poeti, në atë lartësi. Nëse nuk i meritonin ato vargje, atëhere nuk u përkasin atyre, por arsenalit të letrave shqipe, iluzioneve dhe kompromisit, gabimeve dhe harrimeve. Shpresoj që as dhe letërsisë.

Trebeshinën s’e la vendi, shteti më saktë, ta botojë veprën dhe pritet që ajo të dalë më shumë në dritë dhe të zërë vendin e merituar. Shkundëllimën dhe vetëtimat e shpeshta i ka dhënë. Nga thellësitë erdhën dallgët e saj si të një lumi të nëndheshëm. Në apokalipsin e ngjarjeve mes gomoneve të arratiakëve fanitet dhe skafi biblik i Noes.

Por ne, kur dalim jashtë letrave, duam qetësinë e brigjeve, pushimin e stuhisë, paqen, ku lexuesi të shkojë lirisht te njëri breg e te tjetri, te ishujt apo në detin e pamatë dhe t’i gjejë të gjitha, mrekullinë e ëndërruar.

Kur Faik Konica botonte shqip në SHBA përrallat arabe, 100 vjet më parë, midis të tjerash shkruante në hyrje të tyre se një kardinal i njohur, por edhe Darvini, sipas një ankete,të dy i lexonin më ëndje ato përralla dhe i fusnin në dhjetë librat më të mirë të tyre. “…dy njerës të larguar njëri nga tjatëri sa një botë nga tjatëra, bashkoheshin në dashurin’ e këtij libri…”.

Dhe unë shtoj se dashuria përbashkuese për librin duhet të na bëjë më të mirë dhe më të drejtë, ashtu si lexuesit edhe krijuesit e tij. Polemikat dhe mosmarrëveshjet të mos jenë në emër të urrejtjes. Nderim dhe dhembje për vuajtjen dhe për krijimin.

Shtoj prapë tani se lexuesi korrigjon. Arrin të bëjë pajtimin e atyre që s’u pajtuan asnjëherë edhe kur s’janë më. Sepse ka veprën…

Jo të brazojë, të japë vlerat, detyrë parësore e Kritikës së munguar.

E them me siguri që veprat që dalin nga urrejtja kurrë nuk janë aq të bukura, as aq jetëgjata sa krijimet që dalin nga dashuria. As dhe aq të rëndësishme.

Sa më larg zilive Lidhjes, të jashtburgut dhe për burgun, të lavdisë dhunuese dhe krenarive hiperbolike, sepse që të gjitha nuk janë letërsi, por lëndë për letërsinë. Veprat e urrejtjes në jetë vdesin më shpejt dhe shërbejnë për ndërprerjen. Dashuria është krijuese dhe punon hyjnisht për vazhdimësinë e pafundme.

4.

EMBLEMATIKU

Vlerësimet për veprën e botuar deri më tani në prozë dhe poezi të Kasëm Trebeshinës, për risitë dhe mesazhet që mbart ajo, sa e vazhdon traditën dhe sa e thyen atë, sa thyen heshtjen dhe të tashmen, shqetësimet që sjell dhe pasurimin që u bën letrave shqipe, janë biografia e shkrimtarit dhe ajo që mbetet është letërsia e tij. Aty janë vlera dhe mbivlera. Megjithatë nga ana shoqërore kemi të drejtë të dimë se ç’ishte dhe ç’bëri shkrimtari mes nesh, si qytetar. Po ne ç’bëmë me të? Aq më tepër “në kohën sot dhe në vendin këtu” jemi të detyruar të pyesim për këdo: me kë ishte, me ata që shtypnin apo me ata që shtypeshin? Sepse duam të farkëtojmë ndërgjegjen e shëndoshë kolektive, përgjegjësinë dhe guximin qytetar.

Kasëm Trebeshina është më emblematiku i disidencës shqiptare në diktaturën e letrave, i kundërshtimit të hapur. Ashtu si vepra e tij, na tërheq edhe jeta e tij. Datëlindjet e tij na shtojnë mundësinë e përsiatjes. Rrëfimet, dëshmitë, kujtesa për të dhe për të gjithë ata që vuajtën si heronj për të Drejtën, të Vërtetën dhe liritë e njeriut, për fjalën, që u përleshën me të keqen vrastare, janë të një rëndësie të domosdoshme. Demokracia nis me to, si me një datëlindje e përditëshme.

Që e gjitha të shndërrohet në letërsi dhe art.

Filed Under: Politike

KONSTANTIN KRISTOFORIDHI NË PRIZMIN E NJE TRADITE ALBANOLOGJIKE

August 9, 2024 by s p

Prof. Begzad Baliu/

Në studimet albanologjike tash më është krijuar një traditë e mirë e botimit të përmbledhjeve letrare e studimore për krijues dhe personalitete të rëndësishme shkencore: Gjon Buzukun, Jeronim De Radën, Dora d’Istrian, Naim Frashërin, Fan Nolin, Migjenin, Gjergj Fishtën, Aleksandër Xhuvanin, Eqrem Çabejn etj. Në një seri të tërë konferencash dhe madje seminaresh të rregullta, si në: Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (Prishtinë), Serinë e Konfe¬re¬ncave të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, në serinë shumënumërshe për vite të tëra të revistës “Jeta e re” (Prishtinë) etj., janë përmbledhur kumtesa kushtuar personalite¬teve vendore dhe të huaja të albanologjisë. Një përmbledhje e tillë është edhe kjo vepër me kumtesa shkencore kushtuar Konstantin Kristoforidhit.

Në konferencën kushtuar themeluesit të shqipes bashkëkohore Konstantin Kristofori¬dhit kanë marrë pjesë studiues të shumtë nga institucione të larta shkencore e arsimore të fushës së albanologjisë, si: Elbasani, Tirana, Prishtina, Shkodra, Tetova, Gjirokastra, Mynihu, Boni, Parisi, Berlini, Roma, Nju Xhersi etj. Vepra e tij bëhet objekt kërkimi e vlerësimi nga linguistë, historianë të letërsisë, pedagogë, gramatikologë, indoeuropeistë, ballka¬nologë, leksikografë, studiues të gjuhësisë krahasi¬mtare, didaktologë, arkivistë, shqipërues etj.

Vëllimi hapet me një fjalë përuruese të Rektorit të Universitetit mikpritës “A. Xhuvani”, Profesor dr. Jani Dode dhe vazhdon me një paraqitje përimtuese të gjenealogjisë së familjes Kristoforidhi nga i nipi dr. Robert Kristofer, e parë, sikur thotë ai nga perspe¬ktiva amerikane. Jetës dhe veprës së Kristoforidhit i qaset njëri prej njohësve dhe studiuesve më të përkushtuar të tij Profesor dr. Xhevat Lloshi më kumtesën e tij “Kristo¬foridhi dhe themeluesi i albanologjisë”, duke nxjerrë në dritë disa anë të panjohura të lidhjes dhe sidomos të ndihmesës që Kristoforidhi i dha Hahnit. Nëse interesimi i Hahn-it për gjuhën shqipe lidhet me domosdoshmërinë e kryerjes së misionit të tij, (i rrethuar nga shqiptarët), rezultatet e tij në fushë të albanologjisë lidhen me ndihmën që Kristoforidhi i dha në njohjen, leximin, saktësimin e fjalëve të shënuara dhe të dëgjuara nga shqipfolës me të cilët komunikonte Hahni. Të kësaj natyre janë edhe studimet krahasuese mes veprave të Kristoforidhit dhe Dozonit (Christian Gut), Xhuzepe Anxhelo Noçitit (Italo Kostante Fortinos), Ndre Mjedës (Mentor Quku), Dhiatës së re (Teuta Toska) etj.

Studime me vlerë paraqesin kumtesat e bardëve të sotëm të studimeve albanologjike: Shaban Demirajt, Jup Kastratit, Shefik Osmanit etj., të cilët merren me veprat tashmë të njohura të tij, në një mënyrë të veçantë dhe të plotësuar me elemente të tjera historike apo edhe të strukturës së brendshme të saj nga fusha e gramatikës, leksikografisë, pedagogjisë etj. Pra, kontributi i Konstantin Kristoforidhit nuk shihet vetëm nga aspekti i vlerësimit të veprave të tij të veçanta, kryesisht “Fjalorit…”, “Gramatikës…”, “Dhiatës..” etj., por edhe brenda fushave të veçanta në të cilat këto vepra kanë pasur ndikim të dukshëm. Studiues të shumtë, të prirë nga interesimet specializuese, kanë trajtuar kontributin e Kristoforidhit në fushë të standardizimit të gjuhës shqipe (Mehmet Çeliku e Qemal Murati), në formimin e identitetit kombëtar (Bardhyl Demiraj), në krijimin e alfabetit të shqipes (Tomor Osmani), në krijimin e hapësirës shkencore kombëtare (Tomor Plangarica), në historinë e fjalës të gjuhës shqipe (David Luka – Petrit Kotrri), në mënyrën e përdorimit të stilit fetar (Artan Haxhi – Tefë Topalli), në lëvrimin e letërsisë (Robert Elsie, Jonida Xhyrra) dhe sidomos në fushë të letërsisë artistike për fëmijë (Astrit Bishqemi), në unifikimin e mendimit patriotik të Rilindjes Kombëtare (Vilson Kurti); në karakterin didaktik – gjuhësor (Abdulla Ballhysa – Ali Shashaj, Njazi Kazazi), në rrafshin historik të veprës së tij (Hysen Shabani – Liman Varoshi), në sistemin diellor (Shpëtim Vyshka) etj.

Brenda studimit të strukturave gramatikore, për të cilat Kristoforidhi ka dhënë kontribute të shumta, gjurmojnë, vlerësojnë e rindërtojnë nga aspekti historik e bashkëkohor studiuesit Wilfred Fiedler, Remzi Parnaska, Bahri Beci, Latif Mulaku, Mustafa Karapinjalli, Ruzhdi Stringa, Ali Jashari, Emine Sadiku, Valter Memisha etj. Një veçori të kësaj përmbledhje paraqet teksti i Shaban Sinanit, kërkimet e të cilit në Arkivin shtetëror tregojnë se jeta dhe vepra e Konstantin Kristoforidhit janë të hapura për kërkime të reja dhe vlerësime që nxisin diskutime të reja shkencore në fushë të gramatikës, leksikografisë, përkthi¬mit dhe sidomos historisë së gjuhës e të albanolo¬gjisë përgjithësisht.

Në traditën e botimeve albanologjike vëllimi me studime kushtuar Konstantin Kristoforidhit shënon një veçori të theksuar deri më tash, për shumë arsye: për studimin bazë të veprës së Kristoforidhit dhe për pamjen historike të jetës e veprës së tij, për konceptet e reja mbi të cilat është parë një anë e veprës së tij, për fushat e reja përimtuese të mbështetura jo vetëm në strukturat gramatikore e leksikografike të veprës së tij etj. Për shkak të të gjitha këtyre elementeve dhe rrugëve të reja që kanë hapur studimet e theksuara vlerësojmë se ky vëllim paraqet një projekt referencial, si një shembull i mirë për konferencat e ardhshme kushtuar personaliteteve emblematike të albanologjisë, sikur është Konstantin Kristoforidhi.

Filed Under: Kulture

Ndërthurja e mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare me atë të vendit pritës

August 8, 2024 by s p

Anita Duriçi/

E kemi dëgjuar shprehjen « Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë. Nëse kërkon që të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë». Sistemi zvicerian ka menduar dhe për sot edhe për 100 vjet. Këtë gjë duhet të përpiqet që të bëjë çdo mësues i kulturës dhe gjuhës shqipe në diasporë në secilin vend ku jeton dhe punon dhe jo vetëm. Në mënyrë që rezultatet e punës sonë të jenë pozitive duhet të ndërthuren një sërë faktorësh në sasinë e duhur, por duhet shumë mund sepse mësimi i gjuhës shqipe zhvillohet një herë në javë, pra 2-3 orë mësimore dhe në këtë pak kohë ne duhet të bëjmë mrekullira. Përmendëm mrekullira sepse të transmetosh një gjuhë, do të thotë të përçosh njohuritë, kulturën, dashurinë për atë kulturë e gjuhë dhe që të arrijmë këtë duhet të ndalemi tek mënyra sesi i tejçojmë këto njohuri dhe sa e mundësojmë që i gjithë ky informacion të përthithet nga nxënësit.

Të flasësh apo shpjegosh gjuhën dhe kulturën shqipe nuk mjafton. Cfarë mund të nevoitet tjetër? Le të ndalemi pak në secilën pikë që lidhet me mësuesit dhe nxënësit në diasporë.

Nxënësi është një sfidë më vete sepse secili nxënës ka aftësi të ndryshme nga të tjerët, stil të ndryshëm pune, po ashtu dhe vështirësi të ndryshmen nga shoqet shokët. Pra detyra jonë eshtë që të përqendrohemi jo vetëm në nivel të përgjithshëm por edhe inidivual në mënyrë që të mos lëmë askënd pas.

Të dhënit mësim në vend të huaj është një sfidë me vete e cila kërkon jo vetëm aftësi të fituara gjatë punës dhe jetës por edhe aftësi gjuhësore në të dyja gjuhët. Nevojitet njohje e sistemit arsimor të vendit pritës dhe gjithashtu një sfidë tjetër është përshtatja e mësimdhënies me atë të vendit ku jetojnë dhe shkollohen nxënësit, në mënyrë që lëndët në gjuhën shqipe të vijnë sa më natyrshëm.

Për këtë arsye duhet që mësuesi të ketë një njohje të mirë të zhvillimit të një ore mësimi në shkollat e vendit pritës dhe të përpiqet që ti përafrojë sado pak metodat e mësimdhënies.

Rendësia e përshtatjes me sistemin arsimor të vendit pritës është e domosdoshme sepse 90% e fëmijëve në diasporë janë lindur në DHE të huaj. Praktikat mësimore të vendit pritës janë të ndryshme nga vendi i origjinës. Në rastin e Zvicrës por edhe të disa vendeve të tjera, shpesh herë politikat e integrimit të vendit favorizojnë përshtatjen e iniciativave në mësimdhënie, por jo gjithmonë.

Përshtatja e metodave të mësimdhënies të vendit të origjinës me ato të vendit pritës sjellin lehtësi në përvetësim të njohurive, lehtësi në mësimdhënie, zhvillim të vazhueshëm të praktikave mësimore dhe mbi të gjitha zhvillim duke ndjekur ritmin kohës.

Kur nënvizojmë se praktikat mësimore të vendit pritës janë të ndryshme nga vendi i origjinës kemi parasysh ndërthurjen e teorisë me ushtrimet, sasinë e testeve të përjavshme apo ato mujore, organizimin e orës mësimore në formë loje, në formë debati, praktike në klasë ose në natyrë, përdorimin e teknologjisë dhe gjithashtu përshtatjen e nivelit mësimor dhe vlerësimit me nota me nivelin dhe aftësitë e nxënësit.

Që ti marrim parasysh të gjitha elementet e lartpermendur nuk duket si dicka e pamundur dhe me të drejtë gjithkush do mendonte se kjo është e lehtë. Cdo mësues në diasporë përballet me vështirësi të ndryshme si përshembull klasat janë heterogjene, mungesa e unifikimit të një plani mësimor, mungesa e modeleve të testeve dhe provimeve të gatshme, mungesa e eksperiencës së mësimdhënies në vendin pritës, mos njohja e rregullave të vendit. Vështirësi tjetër është përshtatja dhe ndërthurja e aftësive ( gjuhësore, teknike, metodike, etj në mënyrë që një orë mësimore të organizohet sa më mirë. Duhet që çdo mësues të ketë një nivel të mirë gjuhësor në të dyja gjuhët, të ketë motivim dhe dashuri të madhe për punën edhe kur kushtet mund të mos jenë shumë të favorshme. Punën na e vështirësojnë edhe orët e pakta në dispozicion për zhvillimin e mësimit. Atëherë si të përshtasim mësim e gjuhës shqipe me atë të vendit pritës ?

Së pari, të përpiqemi që ti realizojmë kriteret e lartpërmendura, të organizohen herë pas here seminare formuese, të lehtësohet pak puna e mësimdhënësit edhe nga vendet mëmë dhe të organizohen aktivitete që nxënësit njohuritë e marra ti vendosin në praktikë. Librat që i kemi në dispozicion ti mbajmë si shtyllë mbeshtetëse por ti pasurojmë cdo ditë orët mësimore me informacion shtesë, ushtrime më tërheqëse, detyra dhe pyetësorë që lidhen me teorinë por edhe me jetën në vendin pritës dhe për më tepër të përfshijmë teknologjinë në orët mësimore.

Duhet pasur parasysh se gjuha dhe kultura amtare luan një rol kyç në integrimin e brezit të ri, për këtë arsye duhet që mësuesi të përpiqet që edhe njohuritë që duam të transmetojmë të jenë të ngjashme me ato të vendit pritës.

Pra shpjegimi dhe organizimi i orëve mësimore të mos jetë shumë i ndryshëm nga ai i një ore mësimore të shkollës së vendit pritës. Njohja e gjuhës dhe kulturës forcon rrënjët e identitetit dhe njohja e kulturës së vendit pritës nëpërmjet gjuhës shqipe, bën që të forcohe vetëvlerësimi teksa njohin rrënjët tona dhe njëkohësisht mikpresin kulturën e vendit ku jetojnë.

E gjitha kjo bën që të ketë gjithëpërfshirje në jetën dhe sistemin e vendit pritës edhe në vitet e ardhshme kur nxënësit që do të jenë qytetarë të vendeve të ndryshme të botës të mos përballen me vështirësi që gjuha shqipe i eliminon nëse mësohet sic duhet. Mbi të gjitha gjithë kjo punë do ti ofrojë nxënësve një ngrohtësi amësore në mëmëdhe por edhe në vendet ku jetojnë.

Pak më sipër u përmend organizimi i një ore mësimore në kushte sa më të favorshme për përthithjen e njohurive dhe për këtë mund të ndalemi pak tek roli i lojrave dhe aktiviteteve në procesin e mësimit.

Ka shumë forma, por le të ndalemi vetëm tek një tematikë, përshembull 10 lojra për tu njohur me njëri-tjetrin. 1. Rrethi i emrave 2. Karta e identitetit 3. portreti kinez 4. I zhdukuri 5. Topi me emër 6. Zip zap 7. Tele-blerje 8. Stuhi në det 9. Akrostiku 10. Kuize si Kahoot… janë disa nga lojrat që i përdorim në kantonin e Vaud-it dhe që gjatë seminarit u shpjeguan me detaje në menyrë që mësuesit e pranishëm të shkëmbenin eksperiencat por edhe të krijonin idenë sesi falë lojrave dhe përdorimit të teknologjisë mund të arrijmë të mësojmë shqipen edhe të perceptojmë realitetin që na rrethon me anë të gjuhës shqipe.

Lojrat online, kuizet dhe pyetësorët e ndryshëm i nxisin fëmijët të mësojnë më lehtë dhe në mënyrë argëtuese dhe ti mbajnë mënd më mirë ato cfarë kanë mësuar në klasë.

Ka shumë e shumë forma por ajo që duhet të kemi parasysh është që në mësimin e gjuhës shqipe të përfshijmë edhe ngjarje, dukuri dhe fenomene të vendit pritës, të përfshijmë teste, lojra, të pasurojmë materialet shtesë të mësimdhënies dhe mbi të gjitha të kemi në qendër nxënësin me të gjithë vecoritë që e karakterizojnë. Vetëm duke u përpjekur mund të arrijmë t’ju ofrojmë nxënësve një mësim cilësor dhe gjuhës shqipe vendin që meriton.

Gjithçka që ja vlen, merr kohë! Jo pa qëllim po e mbyll me këtë shprehje për të treguar se kalimi nga gjuha e vendit pritës si gjuhë amtare tek gjuha shqipe është një proces i gjatë. Edhe ajo që ne po bëjmë është një proes i vazhdueshëm i cili do kohën e tij që të japë rezultate. Me siguri e gjithë kjo punë e madhe që po bëhet nga mësuesit në diasporë do të japë frytet e saj dhe fëmijët tanë do të flasin bukur e pastër gjuhën shqipe.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT