Anita Duriçi/
E kemi dëgjuar shprehjen « Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë. Nëse kërkon që të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë». Sistemi zvicerian ka menduar dhe për sot edhe për 100 vjet. Këtë gjë duhet të përpiqet që të bëjë çdo mësues i kulturës dhe gjuhës shqipe në diasporë në secilin vend ku jeton dhe punon dhe jo vetëm. Në mënyrë që rezultatet e punës sonë të jenë pozitive duhet të ndërthuren një sërë faktorësh në sasinë e duhur, por duhet shumë mund sepse mësimi i gjuhës shqipe zhvillohet një herë në javë, pra 2-3 orë mësimore dhe në këtë pak kohë ne duhet të bëjmë mrekullira. Përmendëm mrekullira sepse të transmetosh një gjuhë, do të thotë të përçosh njohuritë, kulturën, dashurinë për atë kulturë e gjuhë dhe që të arrijmë këtë duhet të ndalemi tek mënyra sesi i tejçojmë këto njohuri dhe sa e mundësojmë që i gjithë ky informacion të përthithet nga nxënësit.
Të flasësh apo shpjegosh gjuhën dhe kulturën shqipe nuk mjafton. Cfarë mund të nevoitet tjetër? Le të ndalemi pak në secilën pikë që lidhet me mësuesit dhe nxënësit në diasporë.
Nxënësi është një sfidë më vete sepse secili nxënës ka aftësi të ndryshme nga të tjerët, stil të ndryshëm pune, po ashtu dhe vështirësi të ndryshmen nga shoqet shokët. Pra detyra jonë eshtë që të përqendrohemi jo vetëm në nivel të përgjithshëm por edhe inidivual në mënyrë që të mos lëmë askënd pas.
Të dhënit mësim në vend të huaj është një sfidë me vete e cila kërkon jo vetëm aftësi të fituara gjatë punës dhe jetës por edhe aftësi gjuhësore në të dyja gjuhët. Nevojitet njohje e sistemit arsimor të vendit pritës dhe gjithashtu një sfidë tjetër është përshtatja e mësimdhënies me atë të vendit ku jetojnë dhe shkollohen nxënësit, në mënyrë që lëndët në gjuhën shqipe të vijnë sa më natyrshëm.
Për këtë arsye duhet që mësuesi të ketë një njohje të mirë të zhvillimit të një ore mësimi në shkollat e vendit pritës dhe të përpiqet që ti përafrojë sado pak metodat e mësimdhënies.
Rendësia e përshtatjes me sistemin arsimor të vendit pritës është e domosdoshme sepse 90% e fëmijëve në diasporë janë lindur në DHE të huaj. Praktikat mësimore të vendit pritës janë të ndryshme nga vendi i origjinës. Në rastin e Zvicrës por edhe të disa vendeve të tjera, shpesh herë politikat e integrimit të vendit favorizojnë përshtatjen e iniciativave në mësimdhënie, por jo gjithmonë.
Përshtatja e metodave të mësimdhënies të vendit të origjinës me ato të vendit pritës sjellin lehtësi në përvetësim të njohurive, lehtësi në mësimdhënie, zhvillim të vazhueshëm të praktikave mësimore dhe mbi të gjitha zhvillim duke ndjekur ritmin kohës.
Kur nënvizojmë se praktikat mësimore të vendit pritës janë të ndryshme nga vendi i origjinës kemi parasysh ndërthurjen e teorisë me ushtrimet, sasinë e testeve të përjavshme apo ato mujore, organizimin e orës mësimore në formë loje, në formë debati, praktike në klasë ose në natyrë, përdorimin e teknologjisë dhe gjithashtu përshtatjen e nivelit mësimor dhe vlerësimit me nota me nivelin dhe aftësitë e nxënësit.
Që ti marrim parasysh të gjitha elementet e lartpermendur nuk duket si dicka e pamundur dhe me të drejtë gjithkush do mendonte se kjo është e lehtë. Cdo mësues në diasporë përballet me vështirësi të ndryshme si përshembull klasat janë heterogjene, mungesa e unifikimit të një plani mësimor, mungesa e modeleve të testeve dhe provimeve të gatshme, mungesa e eksperiencës së mësimdhënies në vendin pritës, mos njohja e rregullave të vendit. Vështirësi tjetër është përshtatja dhe ndërthurja e aftësive ( gjuhësore, teknike, metodike, etj në mënyrë që një orë mësimore të organizohet sa më mirë. Duhet që çdo mësues të ketë një nivel të mirë gjuhësor në të dyja gjuhët, të ketë motivim dhe dashuri të madhe për punën edhe kur kushtet mund të mos jenë shumë të favorshme. Punën na e vështirësojnë edhe orët e pakta në dispozicion për zhvillimin e mësimit. Atëherë si të përshtasim mësim e gjuhës shqipe me atë të vendit pritës ?
Së pari, të përpiqemi që ti realizojmë kriteret e lartpërmendura, të organizohen herë pas here seminare formuese, të lehtësohet pak puna e mësimdhënësit edhe nga vendet mëmë dhe të organizohen aktivitete që nxënësit njohuritë e marra ti vendosin në praktikë. Librat që i kemi në dispozicion ti mbajmë si shtyllë mbeshtetëse por ti pasurojmë cdo ditë orët mësimore me informacion shtesë, ushtrime më tërheqëse, detyra dhe pyetësorë që lidhen me teorinë por edhe me jetën në vendin pritës dhe për më tepër të përfshijmë teknologjinë në orët mësimore.
Duhet pasur parasysh se gjuha dhe kultura amtare luan një rol kyç në integrimin e brezit të ri, për këtë arsye duhet që mësuesi të përpiqet që edhe njohuritë që duam të transmetojmë të jenë të ngjashme me ato të vendit pritës.
Pra shpjegimi dhe organizimi i orëve mësimore të mos jetë shumë i ndryshëm nga ai i një ore mësimore të shkollës së vendit pritës. Njohja e gjuhës dhe kulturës forcon rrënjët e identitetit dhe njohja e kulturës së vendit pritës nëpërmjet gjuhës shqipe, bën që të forcohe vetëvlerësimi teksa njohin rrënjët tona dhe njëkohësisht mikpresin kulturën e vendit ku jetojnë.
E gjitha kjo bën që të ketë gjithëpërfshirje në jetën dhe sistemin e vendit pritës edhe në vitet e ardhshme kur nxënësit që do të jenë qytetarë të vendeve të ndryshme të botës të mos përballen me vështirësi që gjuha shqipe i eliminon nëse mësohet sic duhet. Mbi të gjitha gjithë kjo punë do ti ofrojë nxënësve një ngrohtësi amësore në mëmëdhe por edhe në vendet ku jetojnë.
Pak më sipër u përmend organizimi i një ore mësimore në kushte sa më të favorshme për përthithjen e njohurive dhe për këtë mund të ndalemi pak tek roli i lojrave dhe aktiviteteve në procesin e mësimit.
Ka shumë forma, por le të ndalemi vetëm tek një tematikë, përshembull 10 lojra për tu njohur me njëri-tjetrin. 1. Rrethi i emrave 2. Karta e identitetit 3. portreti kinez 4. I zhdukuri 5. Topi me emër 6. Zip zap 7. Tele-blerje 8. Stuhi në det 9. Akrostiku 10. Kuize si Kahoot… janë disa nga lojrat që i përdorim në kantonin e Vaud-it dhe që gjatë seminarit u shpjeguan me detaje në menyrë që mësuesit e pranishëm të shkëmbenin eksperiencat por edhe të krijonin idenë sesi falë lojrave dhe përdorimit të teknologjisë mund të arrijmë të mësojmë shqipen edhe të perceptojmë realitetin që na rrethon me anë të gjuhës shqipe.
Lojrat online, kuizet dhe pyetësorët e ndryshëm i nxisin fëmijët të mësojnë më lehtë dhe në mënyrë argëtuese dhe ti mbajnë mënd më mirë ato cfarë kanë mësuar në klasë.
Ka shumë e shumë forma por ajo që duhet të kemi parasysh është që në mësimin e gjuhës shqipe të përfshijmë edhe ngjarje, dukuri dhe fenomene të vendit pritës, të përfshijmë teste, lojra, të pasurojmë materialet shtesë të mësimdhënies dhe mbi të gjitha të kemi në qendër nxënësin me të gjithë vecoritë që e karakterizojnë. Vetëm duke u përpjekur mund të arrijmë t’ju ofrojmë nxënësve një mësim cilësor dhe gjuhës shqipe vendin që meriton.
Gjithçka që ja vlen, merr kohë! Jo pa qëllim po e mbyll me këtë shprehje për të treguar se kalimi nga gjuha e vendit pritës si gjuhë amtare tek gjuha shqipe është një proces i gjatë. Edhe ajo që ne po bëjmë është një proes i vazhdueshëm i cili do kohën e tij që të japë rezultate. Me siguri e gjithë kjo punë e madhe që po bëhet nga mësuesit në diasporë do të japë frytet e saj dhe fëmijët tanë do të flasin bukur e pastër gjuhën shqipe.