• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2024

Një panoramë e shkurtër e lidhjeve kulturore e arkeologjike midis ilirëve dhe popullatave të Italisë së Jugut*

August 7, 2024 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Mesapët

Mesapët ishin një fis ilir i shpërngulur rreth fillimi të mijëvjeçarit të fundit p. Kr., në Italinë e Jugut dhe i vendosur në qytetin antik të Apulit (Kalabria antike). Njoftimet e para historike të sigurta për Mesapët lidhen me luftërat e zhvilluara prej tyre kundër Tarentasve, nga fillimi i shek. V deri në vitin 335 p. Kr., kur pas ndërhyrjes së Aleksandër Molosit, që ishte thirrur në ndihmë nga Tarentasit, i lanë mënjanë grindjet me këta të fundit për të përballuar gjendjen e krijuar nga rreziku samnit. Në luftën e I dhe II samite, Mesapët u renditën në anën e romakëve, ndërsa gjatë luftës III më 229 p. Kr., të shqetësuar nga forca gjithnjë e në rritje e Romës, u ndanë nga Romakët dhe u hodhën kundër tyre. Në luftën kundër Romës ata, së bashku me Lukanët, Samnitët e Tarentasit, iu drejtuan për ndihmë Pirros së Epirit dhe qenë të parët që pritën dhe ndihmuan forcat e tij kur ato zbarkuan brigjet e Italisë në vititn 280 p. Kr. Edhe pse të mundur më vonë nga Roma dhe të detyruar të merrnin pjesë në konfederatën e kryesuar prej saj, Mesapët shpeshherë ngrinin krye, duke e kundërshtuar procesin e romanizimit, që nisi të thellohej sidomos në fillim të shek. I p. Kr. Gjithësesi mesapët duke jetuar për një kohë të gjatë në Italinë e Jugut dhanë kontribut dhe në etnogjenezën e popujve të tjerë të rajonit. Në burimet latine theksohet se thuhet se populli Salentin ka pasur prejardhje nga tre vende: Kreta, Iliria, Italia…[1]

Gjuha mesape ishte mesapishtja. Gjithashtu ata kanë lenë një numër mbishkrimesh, studimi i të cilave mendohet se ka rëndësi për njohjen e ilirishtes[2]. Në këtë kontekst njohja dhe zbërthimi i mbishkrimeve mesape fiton një rëndësi të veçantë për të hedhur dritë mbi ilirishten si një nga gjuhët prej së cilës nuk trashëgohet shumë material gjuhësor. Prej ilirishtes disponojmë një material të kufizuar, kryesisht onomastik, toponime dhe emra, njerëzish, perëndish, fisesh e banorësh (rreth 1000), dhe tre-katër glosa. Këtyre u shtohen materialet e mesapishtes, që, me gjithë rezervat e ndonjë studiuesi të sotëm, mbahet përgjithësisht si ilirishte. Prej kësaj kemi rreth 450 antroponime toponime një numër tekstesh të shkurtra. Janë bërë përpjekje të pasurohet ky fond duke u identifikuar fjalë të ndryshme ilire në greqishte e në latinishte, në italishten jugore e veriore e në të folmet e zonës së Alpeve. Është grumbulluar kështu lëndë prej së cilës mund të merret një ide e leksikut të ilirishtes, e sistemit fonetik të saj, dhe në një farë mase, e fjalëformimit, dhe të bëhet ndonjë përqasje me gjuhët e tjera.

Prej kohësh në opinionin shkencor është vërejtur dhe hedhur për diskutim teza e përafërsisë së gjuhës së sotme shqipe me ilirishten. Më tepër se një tezë politike për të dëshmuar autoktoninë e shqiptarëve, kjo tezë është skicuar nga linguistët përmes fondit gjuhësor të ilirishtes që gjendet në burimet historike, mes tyre dhe emra mesapë. Po japim disa prej afrimeve e barazimeve të shumta që janë bërë gjer më sot midis emrash ilirë dhe fjalësh shqipe. Ilir. Bardus, Bardyllis, Skenobardus, mesap. Barzides, Barzidihi: shqip i bardhë, Bardhi; ilir. Bardibalus, shq. balë; ilir, Bistum, shq. bisht; ilir (mons) Borea Boreas, shq, borë; ilir. Brindia, Brindesion, mesap. brenton kokë dreri) shq. bri-ni; ilir. Bigeste, shq, bigë; ilir. Dardania trevë, banorët e saj Dardani, emër personi Dardanus Dardana, toponimet Dardas Derdas, qyteti Dardapara, shq. dardhë apelativ dhe emër i shumë fshatrave; ilir. Dalmatia Delmatia trevë, banorët Dalmatae Delmatae, Delmion, Delminion, shq, dele, delme, delmer; ilir Dassus, Dassius, Dazos, etnonimi Dassaretae, shq. dash; Dimallum, Maluntum, qyteti Malvesa, shq. mal (temë kjo që shfaqet edhe në treva gjuhësore të tjera): ilir, Pelagonia, banorët Pelagones, shq. pellg; Ulcinium, Ulcissia (castra), Ulcirus, shq. ulk; ilir. Vendes, Vendenis; shq. vend etj. Sigurisht vështërësia në identifikimin dhe vërtetimin plotësisht të kësaj teze qëndron në faktin se nuk kemi tekste të plota në gjuhën ilire në të zbuluara deri më sot.

Siç vëren me të drejtë Profesor Domi një element mbështetës i teorisë së prejardhjes së gjuhës shqipe nga ilirishtja janë disa fragmente të shkurtra nga gjuha mesape. Ne s’kemi nga ilirishtja ndonjë tekst të lidhur, me përjashtim të disa fragmenteve shumë të shkurtra nga ilirishtja e Italisë, mesapishtja. Prandaj s’kemi si ta njohim morfologjinë e saj. Po kemi mjaft të dhëna për fjalëformimin. Në këtë gjuhë nga materiali që disponojmë zotëron formimi prapashtesor. Fjalët e përbëra nuk mungojnë po përdoren shumë më pak. Edhe në shqip prejardhja, prapashtesore e parashtesore, është më e përdorur se përbërja, se kompozitat. Studiues të ndryshëm kanë vënë në dukje prapashtesa e parashtesa të ilirishtes, disa prej të cilave janë vënë në lidhje edhe me prapashtesa e parashtesa të shqipes. Ka një sërë përkimesh e analogjish midis këtyre dy gjuhëve në formimet emërore, si në formantet, si në vlerat semantike të tyre. Janë caktuar rreth 15 izoglosa të tilla. Prej tyre disa janë përkime pak a shumë specifike, të tjera më të përgjithshme, dalin edhe në gjuhë të tjera, po edhe këto, duke u parë krahas të parave, marrin vlerë e peshë. Kështu në ilirishten del prapashtesa -at- në emra banorësh: Oiciniatae: Olcinium; Docleatae e Docleates: Doctea; Labeates, Sardeates: Sarda etj.; në emra personash: Clevatus e Clevata, Pleuratus, në toponimi: Aemate, Gedate. Në shqipe shfaqet prapashtesa korresponduese –at- në emra vëllezërish ( Demat, Zekat), në emra fshatrash e toponimesh të tjera ( Luzat, Dukat, Bushat). Të tjera përkime e paralelizma: ilir. (e)ste, që tregon vend, në shqip (e)shtë po me atë vështrim: i1. Palaeste, Tergeste, në shqip ullishtë, breshtë, v(ë)reshtë etj.; ilir. -to-/ta-: Dasto, (mes.) Daxta, Ditus Dita, në shqipe -të: i thatë, i gurtë, i ftohtë, i dystë; il. -ano- e -ino- për të shënuar fisin dhe banorin: Dardanus, Dardana, Dardani, Albanoi, Scodrinoi; në shq. -an, -in me kuptim të banorit të një vendi: shkodra-ni, kashari-ni ( banori i fshatit Kashar); ilir. inium: Ulcinaum, në shq. -inj për të shënuar shumësin a kuptimin kolektiv: thelpinj; ilir. -ak- për të shënuar banorin e përkatësinë: Paserentiaci, shq. -ak po me atë vështrim: durrsak, ulqinak, Muzak etj., etj. Është diktuar edhe ndonjë përkim parashtese: li në ilir. (Liburni krahaso Burni), shq. lë: lëfyt fyt.[3]

Marrëdhëniet midis dy brigjeve të Adriatikut përmes kulturës materiale

=========================================

Marrëdhëniet midis dy brigjeve të Adriatikut gjatë periudhave të ndryshme historike kanë qenë e vazhdojnë të jenë objekt i kërkimeve e studimeve të specialistëve të fushave të caktuara. Autorë të shumtë kanë sjellë të dhëna nga më të ndryshmet, të cilat kanë ndihmuar për të përcaktuar më qartë këto lidhje kulturore e materiale. Deri në studimet e deritanishme, si dëshmi më e hershme e marrëdhënieve midis dy brigjeve të Adriatikut, është një kamë e bronzit të mesëm, gjetur në gërmimet arkeologjike në tumën e Vajzës në Vlorë[4].

Nisur nga forma dhe zbukurimi i fletës, megjithëse e ndryshme pasi i mungon doreza metalike, ajo gjen analogji me kamat e tipit «Polada» të bronzit të hershëm të Italisë, dhe konsiderohet si prodhim vendas i bërë sipas modeleve të kamave italike.

Në periudhën e bronzit të mesëm në Shqipëri shfaqen edhe objektet e para të importuara nga Mikena, të dëshmuara nga objekte të tilla si shpata, thika, maja heshtash etj., këmbime të cilat do të vazhdojnë të thellohen me tepër gjatë periudhës së bronzit të vonë. Zbulimet e realizuara përtej Adriatikut, nga profesori i palodhur F. D’Andria në vendbanime të bronzit të vonë në rajonin e Apulias, kanë kontribuar mjaftueshëm në qartësimin e raporteve midis dy brigjeve në këtë periudhë të historisë sonë[5].

Periudha e hekurit shënon dhe shfaqjen më masive të objekteve të importuara nga Gadishulli Italik, ku përmendim armë e zbukurime të ndryshme prej bronzi zbuluar thuajse në nga të gjitha territoret e Shqipërisë së Ulët Bregdetare. Ndër objektet më interesante me origjinë italike, dëshmi e raporteve intensive tregtare e kulturore midis dy rajoneve tona, përbën sëpata e bronzit e tipit «ad occhio» e gjetur në depon e Torovicës së bashku me 91 copë sëpata të vogla të ashtuquajtura të tipit kelt dhe me 31 sëpata të tipit shqiptaro-dalmat[6]. Disa nga shembujt më domethënës të këtyre të fundit, dhe si ilustrim i epokës së Bronzit të Vonë, ndodhen të ekspozuar në stendat e Muzeut Historik Kombëtar.

Gjithashtu, në tumat e Patosit dhe të Dukatit, janë zbuluar disa fibula të tipit italik, të periudhës submikene dhe protogjeometrike. Në radhën e objekteve të importuara nga Italia e Jugut bën pjesë edhe një gjoksore bronzi në trajtë rrote, e zbuluar në tumën e Hamallajt (Durrës). Ajo është e vetmja e këtij lloji e zbuluar në territorin e vendit tonë, po që gjen analogji me objekte zbukurimi në trajtë disku të Italisë së Jugut. Një vlerë të pakrahasueshme në përcaktimin e këtyre raporteve, ka padyshim qeramika e pikturuar e stilit devollit e gjetur në Otranto dhe e përcaktuar nga F. D’Andria si import ilir, dhe të cilën e daton jo më të herët se shek. VIII p. Kr. Lidhur me problemin e raporteve midis dy brigjeve, vlen të vëmë në dukje disa përputhje gati të plota të formave kryesore të enëve që janë të pranishme në kulturën devollite, dhe qeramikën e periudhës gjeometrike të Italisë së Jugut. Në mbështetje të këtyre lidhjeve kulturore, një tregues i rëndësishëm është edhe sfera e botës shpirtërore — shprehur nga riti i varrimit në tuma, që është karakteristikë për kulturën devollite dhe i përhapur edhe në territorin e Apulias, kryesisht në tuma të kohës së vonë të bronzit, dhe fillimit të epokës së hekurit.

Bibliografi:

1- F. Drini, Mesapët, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vol. 1.

2- F. d’Andria, Nuovi dati sulle relazioni tra gli Illiri e le popolazioni dell’Italia Meridionale / Të dhëna të reja për lidhjet ndërmjet Ilirëve dhe popullatave të Italisë së Jugut, Iliria, vol. 16 nr. 1, 1986 (Kuvendi II i Studimeve Ilire. IIe colloque des Etudes Illyriennes, Tiranë, 20-23. XI. 1985),

3-M. Domi, Probleme të historisë së formimit të gjuhës shqipe, arritje dhe detyra / Problèmes de l’histoire de la formation de la langue albanaise, résultats et tâches, Iliria, vol. 13, nr. 1, 1983.f. 5-38.

4- F. Prendi, Një depo sëpatash nga Torovica e Lezhës / Un dépôt de haches préhistoriques à Torovicë de Lezhë, Iliria,vol. 14 nr. 2, 1984.

5- Marco Terenzio Varrone 116 B.C-27 B.C.

*Fjala e mbajtur Festivalin Kulturor Salento-Albania: Un ponte tra le due sponde. Një urë mes dy brigjeve, 2.08.2020

Filed Under: Emigracion

Shtatorja e Skënderbeut mbërrin në Itali

August 7, 2024 by s p

Hora e Skënderbeut/

Shtatorja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, tashmë ndodhet në Itali. Kjo shtatore, me iniciativën e shoqatës “Hora e Skënderbeut” është dhuratë e mërgimtarëve shqiptarë për arbëreshët. Dhurata për arbëreshët bëhet në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre në ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditës arbërore për më shumë se pesë shekuj. Po ashtu arbëreshët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999, kur ata hapën dyert e zemrat për kosovarët, të cilët ishin të dëbuar dhunshëm nga forcat serbe, gjatë zbatimit të planit të gjenocidit.

Kjo shtatore madhështore, e cila është vepër e skulptorit nga Prishtina Gëzim Muriqi, do të vendoset në sheshin përballë bashkisë në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi) në Sicili. Inaugurimi i saj do të bëhet më 30 gusht 2024, që përkon edhe me datën e themelimit të qytetit i cili daton nga viti 1488.

Shoqata “Hora e Skënderbeut” falënderon Presidenten e Kosovës, zonjën Vjosa Osmani e cila ka marrë përsipër financimin e transportit, si dhe stafin e saj të cilët kanë kanë ndihmuar në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm, në mënyrë që shtatorja e Skënderbeut të niset drejt shtetit Italian.

Një falënderim të veçantë kemi edhe për veprimtarin Qamil Isufi i cili është angazhuar me përkushtim dhe ka marrë përsipër shpenzimet shtesë, në mënyrë që shtatorja të niset me kohë e të sigurohet transporti i saj.

Shoqata „Hora e Skënderbeut“ falënderon të gjithë mërgimtarët, shoqatat, ansamblet, klubet, e bizneset e shumta të cilët me kontributin e donacionet e tyre kanë bërë të mundur që të jemi shumë afër realizimit të këtij projekti.

Pas gati dy vite angazhim të shoqatës “Hora e Skënderbeut”, shtatorja e Skënderbeut ndodhet në Itali dhe në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë së Horës së Arbëreshevet z. Rosario Petta ne do të caktojmë datën kur ajo do të mbërrijë atje për tu vendosur përfundimisht në sheshin përballë bashkisë, e për tu përuruar më 30 gusht të këtij viti.

Sipas informacioneve tona, shumë bashkatdhetarë kanë shprehur dëshirën që të bëhen pjesë e kësaj feste madhështore. Ne i ftojmë të gjithë të interesuarit që rezervimet për shkuarjen e qëndrimin në Horën e Arbëreshëve në Sicili ta bëjnë me kohë. Festa tani është shumë afër!

Filed Under: Histori

Melushe Bebeziqi (1933-1967) balerina e famshme shqiptare e Balshoj teater…

August 7, 2024 by s p

Saimir Kadiu/

Është një e vërtetë e padiskutueshme që balerinat e famshme ruse si Mathilde Kschessinska (1872-1971), Olga Spessivtseva (1895 – 1991), Anna Pavlova (1881-1931), Galina Ulanova (1910-1998), Natalia Makarova (1940-), Alicia Markova (1910-2004), Maya Plisetskaya (1925-2015), Ulyana Lopatkina, etj., i kanë dhënë Rusisë primatin në këtë disiplinë spektakulare të artit, por ne shqiptaret harrojmë ose jemi të “infektuar me covidin” e të mohuarit të çdo arritjeje të bashkatdhetarëve tanë në majat e artit….Në hollin e Balshoj Teater janë dy fotografi të dy yjeve të baletit rus me origjinë shqiptare e madhja Melushe Bebeziqi dhe e bija e saj Margarita Perkun-Bebeziqi, e cila vdiq në një aksident automobilistIk 43 vjet më parë më 6 GUSHT 1981.

Melushi ka interpretuar në tempullin e baletit botëror role të tilla si:

“ARRËTHYESI”- Lindori (14 nëntor 1953)

“KALI GËRMUQ”- Cigania (7 prill 1960)

“DON KISHOTI”- Spanjolle (13 maj 1961)

“ARRËTHYESI” – Indiane (25 shkurt 1962)

“DON KISHOTI” – Bolero (23 mars 1962)

“SHATRIVANI I BAHÇISARAIT” (14 prill 1962)

“TRAVIATA” – Cigane (20 shtator 1962)

“DON KISHOTI”- Mercedes (5 tetor 1962)

“LAURENCIA”- Liriku (11 janar 1963)

“ROMEO & ZHULIETA” – Shërbyesja (25 prill 1963)

“ARRËTHYESI”- Spanjolle (31 maj 1963)

“LAURENCIA”- Flamengo (12 tetor 1963)

“SHTEGU I SHTRËNGATËS” (7 nëntor 1963)

“GAJANA”- Lezginka (6 shkurt 1964)

“HIRUSHJA” Valltarja me gjarpër (20 shkurt 1964)

“LEJLI DHE MAXHUNI” Mauritania (7 janar 1965)

Ajo ishte një shqiptare 24 karat …

Babai i saj, Xheladin Bebeziqi ishte me origjinë shkodrane. Njeri me shpirt artisti, që këndonte shumë bukur këngët e qytetit të tij. Tregtia e bashkoi me korçaren, Sabiha Serezi, një grua e diplomuar për pedagogji në Stamboll. Në vitin 1924, ajo emërohet drejtoreshë e Shkollës së Vashave në Korçë. Në të njëjtën kohë, zgjidhet edhe Kryetare e Shoqërisë së Gruas shqiptare. Falë tregtisë dhe kulturës, kjo familje më pas, vendoset në Bullgari. Në Sofje, më 31 tetor 1934, lindi edhe Melushja.

Me shpirtin e saj, të një artisteje të lindur shpalosi bukurinë dhe madhështinë e valleve shqiptare. Ende pa mbushur 13 vjeç, filloi të nderoi dhe njëkohësisht gëzoi kombin. Si të ishte Festival Kombëtar dhe jo Ballkanik, ai i zhvilluar në vitin 1947, në Manastir. Mbi 90 përqind e stadiumit ishte i mbushur me shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia. Kur hidhnin qeleshet e bardha nga gëzimi, ngjante si të kishin shpërthyer fishekzjarret. Të gjithë të elektrizuar nga magjia e interpretimit të valleve shqiptare nga Melushe Bebeziqi. Tronditi Budapestin në vitin 1949 me “Dasmën shqiptare”, në Festivalin e Dytë Botëror të Rinisë dhe Studentëve. U kthye në Tiranë, me çmimin e festivalit, si interpretuese. Edhe më shumë shkëlqeu gjatë turneut të vitit 1950, në Rumani, Bullgari, Hungari, Poloni, Çekosllovaki… Nuk kishte ç’të priste më Shqipëria, për të shkolluar këtë talent… Pas këtij turneu të jashtëzakonshëm, u përgatit lista e artistëve që do të nisnin studimet në Bashkimin Sovjetik. Në të ishte emri i Agron Aliajt, Ganimet Vëndreshës, Zoica Haxhos, Petrit Vorpsit, Xhemil Simixhiut dhe në krye i Melushe Bebeziqit. Pas gjashtë vjetë studimesh, në të famshmin “Balshoi Teatër”, kthehen në Atdhe vetëm pesë. Më e pakta që u tha në atë kohë për Melushe Bebeziqin, ishte që braktisi Shqipërinë.

Melush Bebeziqi një primabalerine e Bolshoit vdiq nga një sëmundje e rrallë në zemër në vitin 1967 në moshën 33 vjeçare.

Sipas baletmaestrit tonë të madh Agron Aliaj, Melushja ishte një “krijesë magjike, me një jehonë dhe ndjesi që të lënë statujat e përkryera. Më ka lënë përjetësisht buzëqeshjen e erotizmit fëminor. Shpirtmadhe, por e madhe edhe si interpretuese. E madhërishme në sensibilitet, por magjike edhe si femër! Nuk mund ta trashëgonte dot këtë gjeni, ajo Shqipëri e varfër, shpërdoruese e pamëshirshme e këtyre ndjesive…

Ashtu si bënë me të në vitin 1952, kur ajo erdhi me pushime. E fotografuan lakuriq fotoreporterët shqiptarë. Thënë ndryshe, e masakruan, sepse nuk e mirëkuptuan atë potencial të madh artisti. Nuk e mirëkuptuan as kur në mes të natës, për t’iu shmangur ashpërsisë së bashkëkombasve po lahej lakuriq në detin Adriatik… Ajo erdhi në këtë jetë për t’u bërë artiste me famë botërore. Nuk mund të shprehej shpirti i saj, në atë skenë të vogël, në atë regjim që më shumë se artistë nxori spiunë. Spiunët që shkonin në Komitetin Qendror dhe lëshonin shigjetat e kuqe:

– Pse duhet të shkojë për studime jashtë shtetit një vajzë e tillë?

– Hajde! Kërceni si Melushja dhe u qoftë ju udha e mbarë!- përgjigjej drejtori, Kol Jakova.

Ikëm gjashtë për të studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe u kthyem pesë. Shpeshherë i kam bërë pyetje vetes:

-Bëri mirë apo jo që nuk u kthye Melushja?

Në këtë terren të vështirë, me male dhe njerëz krenarë në ashpërsi, Melushja nuk mund të shpërthente kurrë! Më kujtohet ajo që dikur i kam thënë Perlocajt:

– Unë erdha në Shqipëri për të vdekur pak e nga pak, ndërsa ti ike në Francë për të lulëzuar pak e nga pak…

Vetëm “Balshoi Teatër” ishte për Melushen. Aty dhe vetëm aty, mund të shkëlqente madhështia dhe perfeksioni i saj. Atje… ku më duket shpeshherë, sikur jam pranë Melushes që përshëndet publikun e mahnitur në magjinë e saj. Sepse Melushja ishte gjeni. Kërcimi i saj kishte ekspresivitetin e një krijese shumë të talentuar. Në të fshihej një botë e madhe mistike, orientale, e përzierë me një dramë të madhe njerëzore siç ishte edhe jeta e saj. Ajo ishte valltare magjike në ndjeshmëri, sensibilitet, ledhatime, lëvizshmëri… Ajo fytyrë e ëmbël dhe tërheqëse, ata sy të bukur, të zinj dhe të thellë, ajo zhdërvjelltësi sensuale e trupit, ai kërcim shumë erotik, me përsosmëri lëvizjesh të duarve dhe vitheve, të merrte frymën! Edhe tani, sa herë punoj me artistët e rinj dhe u kërkoj vallëzueshmërinë, më konturohet para syve Melushja.

I thashë një herë kur ishim me studime në Moskë:

-Melushe, nuk e di pse më shëmbëllen me plakën Izergil, personazhin e tregimit të Gorkit që nga Rusia, përfundoi në haremin e Shkodrës, ndërsa ti nga Shqipëria do të përfundosh në Rusi…

Ajo me buzëqeshjen e saj të jashtëzakonshme, ma ktheu:

-Agron! Ti vazhdimisht je pak filozof….

Në fakt, më artiste se ne ishte ajo. Pas provave të lodhshme, shpeshherë mblidheshim të gjashtë studentët shqiptarë dhe loznim kush fantazonte më shumë. Na çudiste të gjithëve me fluturimet artistike për të ardhmen e jetës së saj. Aq sa edhe Xhemili nuk e arrinte dot në fantazi…

Në atë kohë, Bashkimi Sovjetik po hapej drejt Perëndimit. Kishin filluar të vinin artistë të mëdhenj, që më shumë se për talentin dëshiroheshin për përditshmërinë dhe lirshmërinë e jetës së tyre. Në këto kontakte dhe bashkëbisedime, ndjehej mirë edhe Melushja. Sepse ajo, nuk ia prishte kurrë qejfin vetes, duke iu përgjigjur përherë pozitivisht thirrjeve të brendshme. Sepse ajo, kishte lindur, për një botë të madhe, dashuri dhe art të madh…”

Askush më mirë dhe më saktë se një gjigand si Agron Alia nuk mund ta përshkruante se kush ishte balerina jonë e madhe Melushe Bebeziqi…

Edhe e bija e saj “eksploroi” në rrugën e suksesit të së jemës…

Margarita Perkun-Bebeziqi është vajza e koreografit rus Georgi Perkun dhe e balerinës së famshme shqiptare Melush Bebeziqi. Ajo ka lindur në Moskë në vitin 1957.

Por edhe ajo pati vdekje të hershme… Vetëm disa kohë pas triumfit ne Konkursin Ndërkombëtar të Baletit në Moskë në vitin 1981 (ku ajo fitoi medaljen e artë), vdes në një aksident automobilistik më 6 gusht 1981.

Është një fatkeqësi por edhe një turp që këto dy balerina njihen pak ose aspak në Shqipëri. Por kjo lidhet me tepër me qendrimin e shtetit komunist ndaj Melushit e cila pasi studjoi në Moskë , u martua me koreografin Perkun dhe nuk u kthye në Shqipëri pas prishjes me sovjetiket.

Edhe sot e kësaj dite nënë e bijë (që ndajnë të te njëjtin varr në Moskë) janë të te nderuara nga komuniteti artistik i teatrit Bolshoi.

Por në vendin e origjinës ende asnjë nderim për balerinën e madhe shqiptare…

Gjithashtu binjaku i saj Ylli Bebeziqi, një balerin premtues u burgos nga regjimi komunist në Shqipëri dhe vdiq në burg në moshen 24 vjeçare në vitin 1958. Shkak i burgosjes së tij ishte një hakmarrje për dashurinë e tij me vajzen e një personaliteti të njohur ushtarak të kohës. Tragjedia e tij ishte e tmerrshme… e hoqën nga puna, e mbyllën në çmendinë, e vranë në qeli dhe i zhdukën edhe varrin.

Filed Under: Kulture

CILA ËSHTË TRASHËGIMIA POLITIKE E MBETUR NGA SERBIA

August 7, 2024 by s p

Prof. Milazim KRASNIQI/

Doracak për njohjen e të keqes.

Kur e analizon skenën politike të Kosovës së çliruar në vitin 1999 e të pavarësuar në vitin 2008, e ke të vështirë ta kuptosh se nga burojnë gjithë këto anomali në mendësinë, strukturën dhe praktikën politike. Një vend i shumëvuajtur dhe i çliruar me ndihmën vendimtare të NATO-s, do të duhej të kishte në këto vite një skenë politike më të butë, më kooperuese, më të motivuar për zhvillimin e vendit dhe për shërimin e pasojave që ka lënë pushtimi i gjatë dhe posaçërisht i egër në vitet e fundit të tij. Vendi që vetëm falë ndërhyrjes së NATO-s shpëtoi nga zhbërja totale, me anën e spastrimit etnik dhe të gjenocidit serb, do të duhej të bëhej model i ndjeshmërisë refuzuese ndaj të keqes, ndaj dhunës dhe model i luftës për dinjitetit e të gjithë banorëve të vet. Falja dhe durimi do të duhej të ishin kategoritë më të larta morale, ndërsa drejtësia postulati kryesor i politikës dhe i gjithë pushteteve që u ngritën me shumë mund. Por, kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, ashpërsimi i komunikimit dhe i raporteve po zgjatë me vite, pa gjasa që të shkëputet nga kjo trashëgimi shumë negative. Madje edhe gjeneratat e reja, të cilat për fatin e tyre të mirë tashmë janë të shkëputura plotësisht nga ndikimi direkt i politikës serbe, nuk janë të shpëtuar nga pasojat që ka lënë mbrapa ajo mendësi, sepse ata duke imituar të preferuarit e tyre më të vjetër, tërthorazi marrin disa nga veset dhe metodat e importuara nga politika serbe.

Cila është prapavija e „shtetit të papërfunduar?“

Meqë Kosova nuk ka pasur ndonjë traditë të jetës politike të pavarur, ajo trashëgiminë në këtë fushë e ka të huazuar. Paradoksalisht, huazimi më i dukshëm është nga vetë Serbia, okupatori i deridjeshëm i saj, i cili gjatë nëntëdhjetë viteve ka injektuar në mendësinë tonë politike disa nga idetë dhe nga praktikat e ndjekura prej saj. Pra, është fjala për injektim të padukshëm e tinëzar të atyre ideve dhe praktikave, e jo për një huazim të ndërgjegjshëm. Jam i bindur se po të ekzistonte ndërgjegjësimi se këto ide dhe praktika janë me prejardhje nga pushuesi, do të refuzoheshin me forcë nga qytetarët shqiptarë, sikundër që janë refuzuar shumë vlera të tjera që kanë mbajtur etiketën e pushtuesit. Por, injektimi ka qenë i ngadaltë, perfid, përmes elitave të rekrutuara, që kanë imituar politikanët dhe intelektualët serbë e jugosllavë. Ashtu kanë hyrë gradualisht edhe shprehje, barcoleta, gjeste, elemente të veshjes e të dukjes dhe bashkë me to edhe vese, kaprice, mënyra të menduari e të vepruari. Ku shihet kjo trashëgimi politike, e mbetur si një virus i fshehur në jetën politike të vendit tonë?

E para, shihet në konceptimin e shtetit. Serbia që nga krijimi i saj e deri sot, gjithmonë është karakterizuar si „shtet i papërfunduar“. Kjo do të thotë se kufijtë që ka pasur e edhe ata që i ka sot, nga serbët konsiderohen si të përkohshëm, që vetëm pritet një moment i përshtatshëm që ata të ndryshojnë, duke krijuar ndonjë strukturë më të madhe shtetërore, ndonjë bashkim sipas sloganit „Të gjithë serbët në një shtet“. Me këtë koncept politik, Serbia ka provokuar edhe Luftën e Parë Botërore, pas vrasjes së dukës Ferdinand në Sarajevë në vitin 1914. Me këtë koncept edhe Millosheviqi e filloi agresionin e Serbisë ndaj Kroacisë, duke piketuar kufirin e ri në linjën Karllovac-Virovitica-Karllobag. Ndërsa, në Bosnjë e Hercegovinë Serbia synoi të merrte sa më shumë territore, gjë që edhe rezultoi me një akord morbid ndërmjet Millosheviqit e Tuxhmanit, me ç’rast gjatë një darke ata e ndanë shtetin boshnjak duke e vizatuar ndarjen në një sallvetë! Sa i përket Kosovës, ajo konsideroej brenda kufijve të shtetit serb, por me një ndryshim demografik: që territori të zbrazej tërësisht nga shqiptarët! Edhe pas dështimit të turpshëm të këtij projekti të krijimit të një shteti „të përfunduar“, gjë që u sanksionua edhe me dënimin e drejtuesve të shteti serb nga Tribunali i Hagës, Serbia ende punon që Kosova dhe BeH të bëhen shtete të dështuara në mënyrë që të mundësohet një „anshlus“ eventual i Republika Sërpskas dhe i Kosovës. Pra, dështimi llogaritet si shans për ta përfunduar shtetin e Serbisë, sipas konceptit nacionalist „Të gjithë serbët në një shtet“.

Fatkeqësisht, një pjesë e mendimit politik shqiptar edhe në Kosovë e më gjerë, është i atillë që Kosovën e koncepton si „shtet të përkohshëm“, i cili u dashka që sa më shpejt të bashkohet me Shqipërinë. Sipas këtij konceptimi, për t’u bashkuar me Shqipërinë, ky shtet duhet të bëhet i dështuar e mandej të bëhet bashkimi me „shtetin amë“. Përderi sa të jetë aktive kjo mënyrë e konceptimti të shtetit në jetën politike të vendit, kjo do të jetë e rrezikshme për suksesin e Kosovës si shtet, sepse një shtet i dështuar nuk mund të jetë i aftë për bashkim me askend. Përkundrazi, një shtet i dështuar mbetet cak legjitim i ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar, gjë që është përligjur si praktikë pas 2001, me ndërhyrjen në Afganistan. Kosova edhe pas pavarësimit të saj, ka prezencë ndërkombëtare, prandaj zërat politikë që angazhohen për dështimin e tij, me idenë për ta bashkuar me Shqipërinë, vetëm sa e tejzgjasin atë prezencë dhe atë ndërhyrje. Një lloj ndërhyrjeje, në formë presioni që të frenohen qëllimet agresive të Serbisë, ndodh edhe ndaj vetë Serbisë, që të mos lëvizë drejt „shtetit të përfunduar“ i cili nënkupton Serbinë e Madhe, pra agresionin ndaj shteteve më të dobëta fqinje. Bisedimet e tashme ndërmjet Beogradit e Prishtinës, realisht janë në funksion të frenimit tët ambicieve serbe për të vazhduar politikën tradicionale drejt një shteti „të përfunduar“, që do të thotë drejt një Serbie të Madhe.

Plumba për kundërshtarët politikë

Nga ana tjetër, edhe koncepti për shtetin partiak është koncept tipik i praktikave politikave serbe, e jo i atyre europiane. Partia/partitë që e marrin pushtetin në Serbi, nuk kanë më kufizime në politikat qeverisëse, po bëjnë çfarë të duan dhe si të duan. Edhe pushteti gjyqësor mbetet i varur dhe nën presionin e pshtetit politik, ashtu që askush nuk përgjigjet as për abuzime dhe krime të rënda. Po të shohësh në Serbi, praktikisht asnjë nga vrasjet e gazetarëve dhe politikanëve opozitarë nuk është ndriçuar plotësisht dhe shumë nga fajtorët janë të lirë. Fatkeqësisht, as në Kosovë nuk ka ndonjë ndjeshmëri për ndriçimin e vrasjeve politike që kanë ndodhur pas çlirimit të vendit.

E treta, trajtimi i kundërshtarëve politikë si armiq, është praktikë tradicionale e politikës serbe. Po të shikohet historia e luftës politike në skenën e Serbisë, ajo është monstruoze, me vrasje mbretërish, kryetarësh e hierarkësh të lartë të shtetit e të partive politike. Kjo praktikë e shëmtuar e ka bërë Serbinë gjatëe këtyre njëqind e njëzet e pesë vjetëve, një shtet të frikshëm, ku goja mund t’u mbyllet kundërshtarëve edhe me thika e me plumba. Te ne kjo nuk është dukuri, por është tendencë latente, që nuk duhet të injorohet. Kam frikë se po të mos ishte prezenca e fuqishme ndërkombëatre e KFOR-t dhe e EULEX-it, edhe kjo trashëgimi negative, tipike për politikën serbe, do të kishte reflektimet e saj të errëta në jetën politike të vendit.

E katërta, foklorizimi dhe populizmi janë elementë të ligjërimit politik edhe ndër ne, ndërsa në ligjërimin politik serb, janë dominuese. Dëgjojini fjalimet e Nikoliqit, Daçiqit e Vuqiqit dhe lehtë do të zbuloni se sa elementë folklorizimi dhe populizmi ka në fjalimet e tyre, duke e maskuar të vërtetën. Thënia e famshme e Petar Petroviq Njegoshit, „ Le të bëhet ajo që nuk mund të bëhet“ është filozofia kryesore e folklorizmit dhe populizmit serb, i cili përpiqet t’i paraqesë si mundshme gjërat që nuk janë të mundshme. Këtë tendencë e gjeni edhe në ligjërimet e jo pak politikanëve tanë.

Shërbimet sekrete si zbatuese të dhunës politike

Një tjetër trashëgimi negative e politikës serbe është edhe ndikimi i shërbimeve sekrete në politikë dhe në jetën e vendit. Ndërhyrja e shërbimeve sekrete në Serbi ka qenë e tillë që ka prodhuar vrasjen e mbretit Aleksandër Obrenoviqit, të ish presidentit Ivan Stamboliqit, të kryeministrit, Zoran Gjingjiqit, po të përmenden vetëm disa nga titullarët më të lartë të pushtetit në Serbi. Gjatë sundimit komunist serbo-jugosllav, shërbime sekrete UDB dhe shërbimi sekret i ushtrisë, KOS, kanë bërë shumë krime të shumta kundër kundërshatrëve ideologjikë, si brenda ish Jugosllavisë, ashtru edhe jashtë saj. Edhe disa nga atentatet ndaj shqiptarëve janë vepra të këtyre shërbimeve famëkëqia. Serbia e ka krijuar atë traditë të keqe që shërbimet sekrete të kenë primatin e pararojës politike dhe kombëtare. E frikshme për çdo shtet, sepse ky model e ngulgfatë demokracinë dhe e mban popullin në frikë.

E lidhur me këtë praktikë të ndërhyrjes së shërbimeve sekrete është edhe thashethemnaja kundër kundërshatrëve politikë e njeërzve më përgjithësi, e cila i helmon marrëdhëniet midis njerëzve. Kush i ka lexuar qoftë dhe vetëm tregimet dhe dramat e shkrimtarit serb, Stevan Sremacit, e di që intrigat dhe thashethemet janë pjesë e përditshmërisë së jetës së serbëve dhe prej andej ajo është bërë ndikuese edhe në politikë. Smira e famshme që thotë: „da komsiji crke krava“, ( Që komshiut t’i ngorshë lopa“, e sublimon tërë atë keqdashje tërë atë inat, që është i akumuluar në një mendësi provinciale dhe primitive, për të cilën Radomir Konstantinoviqi ka shkruar traktatin e famshëm, „Filozofia e pallankës“. Thashethemet dhe shpifjet gëlojnë edhe sot në politikën dhe në jetën shoqërore serbe. Mjafton të lexohen gazetat ditore në gjuhën serbe dhe të shihet se lufta politike edhe sot bëhet me thashetheme dhe me shifje më shumë se me gjithçka tjetër. Kjo trashëgimi negative, e cila është mjaft prezente në komunikimin politik ndër ne, do të duhej të çrrënjosej plotësisht, duke shkuar drejt europianizimit të komunikimit, ku ballafaqimi i argumenteve dhe gjykimi kritik e logjik është parimi kryesor i çdo komunikimi.

Edhe pasurimi enorm dhe joligjor i politikanëve dhe qeveritarëve është një traditë e famshme e Serbisë. Ajo edhe motivon shumë konflikte dhe qërime hesapesh me metoda të dhunshme të pasanikëve, që kanë fituar duke i shërbyer pushtetit.

Të gjitha këto janë elemente të politikave të dhunshme, që prodhojnë paligjshmëri dhe e dënojnë shtetin me ngecje dhe e komprementojnë para botës. Si të tilla këto mendësi, këto struktura dhe praktika, duhet të shmangen nga jeta jonë politike e shoqërore. Duhet të shmangen, sepse jo rastësisht Serbia është shteti me disponimin më të fuqishëm antieuropian e antiperëndimor. Meqë jemi çliruar fizikisht prej prangave të Serbisë, duhet sa më shpejt e sa më energjikisht të çlirohemi edhe nga pasojat, që në formë virusi ajo ka lënë ndër ne, si trashëgimi tinëzare të saj.

Filed Under: Fejton

Në 300 – vjetorin e Jul Varibobës

August 7, 2024 by s p

Behar Gjoka/

Një hark kohor, që bart kumtin e mbijetesës së fjalës shqipe, aq më tepër të fjalës së gdhendur në shkrim letrar, e cila vjen përmes veprës “Gjella (jeta) e Shën Mërisë së Virgjër”, botuar në vitin 1762, për të hyrë dhe mbetur pjesë e panteonin të letrave shqipe. Në distancën kohore, të vitit të lindjes 1724 (1725), që përkon me 300 vjetorin e lindjes së autorit, kthimi i vështrimit mbi kontributin e shkruar, më tepër se sa kënaqësi e leximit të një teksti të hershëm, është detyrim për të vendosur pikëtakimet ndërmjet kohës dhe hapësirës së ligjërimit në gjuhën shqipe, më në fund kuptohet te libri i J. Varibobës në arbërishten e Mbuzatit, vendlindjes së autorit. Marrëdhënia e qenies, pra edhe asaj arbnore, është e lidhur ngushtësisht me kujtesën si akt moral, porse në rastin e J. Varibobës, që la gjurmën e pashlyer, me veprën e “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër”, pra si poet me shenja të rrokshme artistike, lidhet pashmangshëm me aktin e metakujtesës si proces rizbulues, vlerësues, i shenjave të shumëfishta që i përçon fjala poetike, në jo pak herë. Për më tepër, përvjetori i Jul Varibobës, mbi të gjitha është një akt reflektimi ndaj figurës dhe ligjërimit letrar të shpalosur në faqet e librit, që bart disa aspekte:

Njëri nga aspektet që më ra në sy menjëherë, teksa po shfletoja momente nga jetëshkrimi i autorit, ishte hapësira e gjerë e përcaktimit të vitlindjes së autorit të përmbledhjes poetike “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër”, i cili sipas shënimeve të ndryshme, lëviz në një kurbë të gjerë, nga viti 1721, 1724 e deri në vitin 1727. Pa hyrë në debatin e një hapësire kaq të gjerë, që me domosdo dikur do të marrë përgjigje përfundimtare edhe ky moment jetëshkrimor, po paraqes këtu disa nga faktorët që bëjnë përcaktimet mbi vitin e lindjes së poetit:

– Në librin “Histori e Letërsisë Shqiptare”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, realizuar në vitin 1983, pikërisht në faqen 81, në krye të zërit për autorin e librit “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër”, shkruhet: Jul Variboba (1724-88), pra duke theksuar kështu vitin e lindjes dhe të ndarjes nga jeta të autorit.

– Në internet, posaçërisht, në “Wikipedia”, pra enciklopedia e lirë, në mes të tjerash për poetin e Jetës së Shën Mërisë, shkruhet se: “U lind në tetor 1725, në (Mbuzat, Kalabria, Italia) dhe vdiq 1788, në Roma, Italia, madje duke sjellë një element të ri për muajin, pra me 16 tetor, si dhe duke përmendur vendin e lindjes dhe të vdekjes së shkrimtarit.

– Në librin “Jul Variboba, vepra”, pjesë e kolanës “Visare të Letërsisë Shqiptare”, botuar nga shtëpia botuese “Toena”, në vitin 2010, përgatitur nga prof. Italo Costante Fortino, që botimin e parë të përmbledhjes, e pati realizuar në vitin 1984, njëri nga botimet më serioze të librit “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër”. Në këtë libër, në parathënien e I. C. Fortino, ka një parashtrim mjaft të gjerë, për jetën dhe veprën e poetit, ku ndër të tjera, për vitin e lindjes shkruhet: Në faqen 5, krahas fotografisë së autorit, kemi edhe përcaktimin Jul (Giulio) Variboba 1724-1788, por në hyrje, studiuesi, tek episodi titulluar prej tij, “Të dhëna jetëshkrimore”, vendosur në kllapa thekson: “(1724- 1725-1788)”, pra duke e lënë të hapur dialogun kërkimor për vitin e lindjes së poetit, por njëherit edhe duke krijuar mundësinë që të përkujtohet në 300 vjetorin e lindjes, si përcaktim dhe prag i përvjetorit, të lëvruesit të arbërishtes

POET I PËRTËRITJES SË ARBËNISHTES

Prej J. Varibobës trashëgojmë librin e rrallë me poema dhe vjersha, madje jo rastësisht të titulluar “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër”, botuar në vitin e largët, 1762, gjithnjë me lejen e Propagandës Fides, një tekst që ruan dhe shpalon marrëdhënie të ngushta me fetaren, religjiozen, por ndërkaq, lehtësisht, bie në sy se gjuha e përdorur, e cila vjen si gjurmë unike e vendlindjes, zgjeron ndjeshëm hapësirat e komunikimit, e cila ndërkaq shqipton shenja të rrokshme letrare. Fakti që ka vënë në qendër besimin dhe besimtarët, pra në një kuptim mbase duhet thënë, ky autor është përfshirë në përpjekjen për iluminimin fetar të tyre, pra ndriçimin nëpërmjet shpirtërores fetare. Porse, njëherit, tekstet dhe poetika e formësuar, përçon një adresë të qartë kumtimi, sepse duke qenë para së gjithash, një tekst letrar, komunikon me lexuesin, përtej kohës dhe hapësirës, ku realisht para së gjithash, përlindet si ligjërim letrar, në vatrën gjuhësore të arbërishtes. Rimarrja për të kënduar veprën madhore “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër”, vetëm e frymës së Dhjatës së Re, natyrshëm e ndërlidh fetarisht dhe shpirtërisht me njërën nga figurat qendrore të besimit katolik, me Shën Mërinë. Ndërkaq, befasisht në hapësirën e teksteve vihet re se materia e kësaj përmbledhje poetike, të rëndësishme për vijimësinë e lëvrimit të arbërishtes, e po kaq të letërsisë së shkruar në këtë variant, gjuhësor dhe letrar, paraprihet nga dy episode të shkurtra të shkruara në prozë, që madje ndikojnë në aspektin e receptimit të poezisë së përmbledhur në librin e Vaibobës:

a- “OJ E NDËRMJA RREXHIN”(nga faqja 93 deri 96), ku qartësisht lajmërohet dhe argumentohet se në këtë libër është figuruar si epiqendër e tekstit figura e Shën Mërisë, njëra nga figurat më të shquara dhe më të vyera të besimit katolik.

b- “OJ TI ÇË DHJAVASËN” (nga faqja 97 deri 98), pra që po lexon këtë tekst, e cila vjen e shpaloset si një paratekst autorial, për të ndihmuar lexuesit/dëgjuesit në receptimin dhe përthithjen e shenjave të larmisë, gjuhësore dhe letrare, por edhe shpirtërore fetare, që ka përcjellë teksti, me poema dhe vjersha.

Libri me poezi, “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër”, duke u mbështetur në botimin e shtëpisë botuese “Toena” të vitit 2010, është ndarë në tridhjetë e dy këngë/kalimera/kangjella, të endura në madhësi të ndryshme, të një larmie të beftë metrike, që madje shkon gjithsej në 4716 vargje. Vjershërimi i poetit J. Variboba, dëshmuar në faqet e këtij libri, mbizotërohet nga lëvrimi i poezisë me vargun tetërrokësh, aq i pranishëm në poezinë shqipe, gojore dhe të kultivuar, të gjuhës shqipe, në kohë dhe hapësirë. Në hapësirën kaq të gjerë tekstologjike të kësaj vepre, ndeshim po ashtu të lëvruar në vjershërimin e tij edhe pesërrokëshin, dhjetërrokëshin, katërmbëdhjetërrokëshin e dyzuar, pra duke zgjeruar ndjeshëm ligjërimin e shkrimit të poezisë shqipe, në një metrikë jo pak të zgjeruar.

PRANIA E SHTJELLIMEVE STUDIMORE

Jeta dhe vepra poetike, ndihmesa e dhënë në përhapjen e besimit katolik, në vendlindje dhe më gjerë, është jo pak e njohur, madje është analizuar dhe shqyrtuar nga ana e studimeve, gjuhësore dhe letrare, duke sjellë në vëmendje rolin dhe kontributin e Jul Varibobës në këto dimensione, gjuhësore, letrare dhe fetare. Ndërkaq jo pa habi dhe shqetësim, ndeshim në një paradoks, i cili pa mëdyshje kërkon hulumtime dhe shqyrtime të thelluara, që megjithatë i ka të shpallura të dyja anët e medaljes:

Nga njëra anë, me veprën me vlera gjuhësore dhe letrare të autorit, janë marrë personalitetet të rëndësishëm, të shkencave gjuhësore dhe letrare. Po sjellim në vëmendje një pohim të Kastaq Cipos: “Kurorat e bukura me të cilat Variboba thur këngën e shiqitizës janë asosh që nuk do të fishken kurrë, nderojnë dhe zbukurojnë edhe një literaturë më të pasur. Në këtë poemë Variboba është regjur me të vërtetë artist. Që të na mbushet mendja për sa themi, mjafton të këndojmë atë copë të poemës që ka në krye titullin “Ban kuçe, ban nino…”. Gjuhëtari Shaban Demiraj, ndërkohë i kushton një pjesë të kërkimeve shkencore veprës së Varibobës, që pa asnjë dyshim arrin kulmin me punimin “Jul Variboba në trashëgiminë e tij”. Në një formulim që përcjell botimin e librit, një tekst që përcillet nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, me datë 04. 06. 2021, ndër të tjera shkruhet: “Ngërthimi i kësaj trashëgimie në dorëshkrim të autorit tonë në një vëllim të veçantë, pas thuajse shtatë dekadash, sigurisht që mund të shoqërojë lexuesin e sotëm sqimatar me dilema të rastit, sidomos sa i përket vendit të saj në diskursin albanologjik të kohës sonë, kur gjëllijnë ndërkohë do studime dhe botime kritike të cemta prej studiuesish të spikatur arbëreshë si Giuseppe Ferrari (1961), Italo C. Fortino (1984), Vincenzo Belmonte (2005) etj.”, duke sjellë për lexuesit edhe informacion për studimet e mëparshme të arbëreshëve për figurën dhe veprën poetike, të kryera më herët. Klara Kodra, me librin e titulluar “Jul Variboba në kontekstin e letërsisë shqipe”, e vendos figurën dhe veprën poetike, në marrëdhënie me letrat shqipe, në kohë dhe hapësirë. Po ashtu, Anton Nik Berisha, në librin “Interpretimet të letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, një studim me vlera të posaçme, në një shkrim te Zemra Shqiptare, 07. 12. 2021, ndër të tjera thekson: “Ndërlidhjet dhe përkimet në disa pikë e rrafshe të veprave të letërsisë së shkruar dhe të letërsisë gojore arbëreshe dëshmohen edhe nga një dukuri tjetër e rëndësishme: pjesë të veprave të shkruara të poetëve arbëreshë si të De Radës, Zef Serembes, Françesk Santorit, Zef Skiroit, Jul Varibobës etj. u mësuan përmendësh nga arbëreshë dhe vazhduan të gjallojnë e të komunikojnë edhe nëpërmjet procesit të gojshmërisë, cilësi tipike e veprave letrare gojore”, duke e vendosur në marrëdhënie e poezisë së Varibobës në arealin e letërsisë arbëreshe, në përgjithësi.

Në anën tjetër, ndeshim përcaktimin si letërsi fetare, kinse letërsi jo e mirëfilltë, duke e nënkuptuar, një atavizëm i modelit të leximit tematikë të parimësisë së realizmit socialist, që me domosdo tashmë duhet të shmanget nga shqyrtimet letrare. Mbi të gjitha, për veprën poetike të Jul Varibobës, ndeshim një gjendje pezull, as në tokë e as në qiell, gjë që e ka bërë që të duket si një autor që përfaqëson një ishull vetmitar, të shkëputur nga kohë-hapësirë e ekzistencës së letërsisë shqipe. Ka pohime që e lidhin me letërsinë e vjetër, pra letërsinë e shekujve 16-17, që ndërkohë me krijimtarinë poetike të autorit, e zgjaton ekzistencën edhe në shekullin e 18. Megjithatë, në logjikën formale, nuk është se përfshihet në gjithë dimensionin e vetë letrar në këtë areal të shqipes. Ka raste që letërsia e vjetër, sipas studimeve gjuhësore dhe letrare, përfshin Buzukun, Matrëngën, Budin, Bardhin dhe Bogdanin, duke marrë në konsideratë librat e Selman Rizës, Rexhep Smajlit e ndonjë tjetër. Me të drejtë Bardhyl Demiraj, në aksin e letërsisë së vjetër/të moçme përfshin Gjon Nikollë Kazazin. Kurse, gjer më tani, për veprën e Jul Varibobës, në kuptimin e përcaktimit dhe interpretimit, të epokës letrare që i përkon, ende jemi në formulime evazive, se më tepër i përket letërsisë së moçme, por që tashmë do të duhet integruar në këtë model, të shkrimit poetik, të cilit i përket si frymë, teknikë shkrimi dhe dëshmi gjuhësore dhe letrare. Pikëpërkimet e vëna re më herët, në mes poezisë së Pjetër Budit dhe poezisë së Jul Varibobës, nga ana e Zeqirja Neziri, që kulmon me librin “Vjershërimi i Varibobës” (duke e shkruar me dy bb mbiemrin), botuar në vitin 2008, përkatësisht në faqen 7 të librit studiuesi nxjerrë një konkluzion të beftë, teksa shprehet: “Derisa veprat e Budit e të Varibobës i përkasin më tepër zhanrit të epikës biblike, e cila është në rrjedhë të epikës biblike humaniste, të Barokut e iluministe dhe bashkë me veprat e K. Beratit, N. Brankatit, N. Ketës, N. Filjes, Dh. Todhrit pjesërisht trasojnë literaturën hagiografike mesjetare dhe florilegjinë, tekstet religjioze mesjetare të tipit të përmbledhjeve jounike, me funksion parësor parimin didaktik religjioz”. Analiza e thelluar e tekstit, llojeve letrarë të lëvruar, vargjeve dhe ritmikës, shoqërohet edhe me një përqasje të Varibobës me Budin, e cila përfshin një gamë të gjerë rrafshesh, që niset në faqen 21-35, duke arritur gjer në përfundimin, jo pak befasues, në faqen 34 të librit “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër”: “Duke pasur pikësynim veçoritë dhe pikëtakimet teorike letrare dhe poetike që paraqiten në vjershërimin e Pjetër Budit dhe të Jul Varibobës, arritëm të dëshmojmë se në njërën anë, aq sa janë të pranishme midis tyre, në veçanti e të autorëve të tjerë të letërsisë shqipe të kësaj periudhe, në përgjithësi, në anën tjetër, po aq janë pikëpamje që janë të pranishme edhe në letërsitë evropiane.”, formulime që do të duhen thelluar dhe bërë pjesë e verifikimit dhe interpretimit të letërsisë së hershme shqipe, pjesë organike e të cilës është edhe vepra poetike e Jul Varibobës.

Jul Variboba – urë ndërlidhëse e letrave shqipe

Botimi i librit “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër”, posaçërisht në vitin 1762, është njëra nga piketat e rëndësishme të fatit ndërkohor dhe ndërhapësinor, të librit të shkruar në gjuhën shqipe:

Së pari: Nga njëra anë përmbledhja poetike e Varibobës rimerr aktin e parë të shkrimit të arbërishtes, prej Luk Matrëngës, nëpërmjet librit të tij, “E mbsueme e Kërshtenë”, ku përfshihet edhe një poezi e përshpirtshme, e vitit 1592, pra duke pasuar kështu fatin e “Mesharit”, të Gjon Buzukut, botuar në gegnishten parake, në vitin 1555.

Së dyti: Në anën tjetër, poezia e këtij libri, me ligjërimin e larmishëm, si metrikë dhe larmi gjuhësor, hapi të dy kanatet e lëvrimit të arbërishtes dhe në një kuptim më të gjerë, letrar dhe gjuhësor, paralajmëroi ardhjen e mjeshtrave të arbërishtes, e plejadës së G. Darës, J. De Radës, Z. Serembes, Z. Skiroit, që dihet dhe është pohuar nga studimet letrare të shqipes, shënon kulme të ligjërimit letrar, sidomos të lëvrimit të poezisë, në ekzistencën e letrave shqipe.

Së treti: Në kuptimin gjuhësor dhe letrar, libri më poezi “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër”, nga njëra anë është caku fundor i letërsisë së shekujve 16-18 (shpesh të emërtuar si letërsi e vjetër), sepse nga njëra anë rimerr mënyrën e shkrimit të poezisë së Pjetër Budit, me tematikë fetare, por njëherit me shenja të rrokshme gjuhësore dhe letrare, ku vihet re që Budi, mbështetet edhe në Dhjatën e Vjetër, edhe në Dhjatën e Re, kurse Variboba, simbas përfundimeve të studimeve letrare, është mbështetur vetëm në Dhjatën e Re, si dhe nga prania e realizimit të poezisë me anë të tetërrokëshit, aq të shtrirë në poetiken, gojore dhe të kultivuar të shqipes.

Përcaktimi i bërë më herët nga Anton Nik Berisha, në librin “Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, në vitin 1999, ndër të tjera shkruan: “Në bazë të dhënave të historisë sonë të letërsisë, të njohura deri më sot, poeti i parë shqiptar është Pjetër Budi. Në librat e botuara, të përkthyera shqip, Doktrina e krishtenë (1618) dhe Pasqyra e t’rrefyemit (1621) ai përfshiu edhe disa poezi, që kapin rreth 3300 vargje”. Po në këtë libër studiuesi thekson: “Vepra Gjella e Shën Mërís Virgjër (4718 vargje) e Jul Varibobës, arbëresh nga Mbuzati, ngulim arbëresh në Kalabri, e botuar më 1762 në Romë, dëshmon për vazhdimësinë e veprimtarisë letrare ndër arbëreshët e Italisë. Ajo është vepra e parë poetike, e njohur deri më sot në letërsinë tonë, e botuar më vete dhe me një argument tërësor e të njësuar”.

Hodhëm disa radhë, për ta kujtuar në kuadër të 300-vjetorit të lindjes së poetit Jul Variboba, një kujtesë e mjeshtrit të poezisë, që gdhendi abërishten në përmbledhjen “Gjella e Shën Mërisë së Virgjër”, një tekst me vlera letrare dhe gjuhësore dhe me frymë përlindëse fetare.

*Kumtesë e mbajtur më 5 qershor në Panairin e Librit në Prishtinë.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT