• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2024

Bob Dole, in memoriam…

August 30, 2024 by s p

Hisen Berisha/

Me rastin e përvjetorit të ndarjes nga jeta të senatorit të nderuar Bob Dole, kujtojmë me respekt dhe mirënjohje të thellë rolin e tij të pashoq si mbështetës i madh i lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Si një “Ambasador Nderi” i emëruar nga Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Bob Dole u bë zëri ynë në Uashington dhe avokati ynë i palodhshëm në momentet më të vështira.

Historia është mësuese e jetës. Ajo na tregon se si kemi udhëtuar bashkë me fatet e kombit nëpër sfidat më të mëdha. Në këtë rrugëtim, senator Bob Dole ishte një prej atyre figurave të ndritura që, ashtu si heronjtë e kombit tonë, na ndihmoi të kthehemi drejt botës së lirisë dhe demokracisë, duke na larguar nga tirania dhe padrejtësia.

Në momentet e errëta të historisë sonë, kur komunizmi na kishte mbyllur në një tunel pa dalje, Bob Dole ishte një dritë shprese. Ai, bashkë me të tjerë liderë të popullit amerikan, na orientuan drejt shpëtimit dhe ndihmuan që Kosova të kthehet në atë që është sot – një shtet i lirë dhe i pavarur. Kujtojmë me nderim të madh gjithë ata burra të mëdhenj të kombit amerikan – senatorë, kongresmenë, dhe liderë që na qëndruan pranë, duke e bërë çështjen e Kosovës një çështje të ndërgjegjes dhe drejtësisë ndërkombëtare.

Puna e senatorit Dole nuk ishte vetëm një akt diplomatik; ajo ishte një akt i pastër njerëzor dhe i drejtësisë. Mësimet e tij dhe të shumë miqve të tjerë të Kosovës në SHBA na kujtojnë se rruga drejt lirisë dhe shtetësisë nuk është e lehtë, por është e mundshme me mbështetjen e miqve të sinqertë dhe me përkushtimin e të gjithë neve.

Kujtojmë sot me respekt fjalët e tij të urta dhe të qarta, dhe përkujtojmë me krenari veprën e tij të madhe për Kosovën. Ai ishte dhe mbetet një shembull i ndritur i mikut të vërtetë dhe i burrit të madh të një kombi që na e dha dorën në orët tona më të vështira.

Zoti e bekoftë kujtimin e senatorit Bob Dole, miqtë tanë në SHBA, dhe të gjithë ata që ndihmuan dhe ndihmojnë Kosovën në rrugën e saj drejt një shteti të lirë, të drejtë, dhe sovran.

Zoti i bekoftë SHBA-në dhe kombin amerikan!

Zoti e bekoftë Kosovën, shtet të pavarur e sovran!

Filed Under: Analiza

Shaban Murati, një zë unik kombëtar

August 30, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Mjeshtri i Madh i Diplomacisë, Shaban Murati, më 2 shtator mbush 79 vjet dhe hyn në të 80-tat. Profesori i shquar, për të gjithë ata që e njohin dhe u është dhënë rasti të bisedojnë me të, është padyshim një personalitet poliedrik, diplomat me aftësi të rralla, humanist, historian, gazetar e polemist, me kulturë solide në fushën juridike dhe atë të së Drejtës Ndërkombëtare, njohës i mirë i letërsisë, eseist, madje dhe profesor në estetikë. Me një karrierë të gjatë në diplomaci, Shaban Murati i ka këshilluar shqiptarët dhe ka motivuar diplomacinë e re shqiptare të mësojnë nga përvoja e popujve të tjerë, si dhe nga përvoja kombëtare, të mendojnë me kokën e vet, të dinë se kriteri kryesor është kombi, të mos bëjnë asgjë që bie në kundërshtim me interesat e kombit.

Me një aktivitet të gjatë publicistik, diplomatik, filozofik e letrar, Profesor Shaban Murati ka një rol të jashtëzakonshëm për daljen nga keqkuptimi i kobshëm i apokalipsit revolucionar dhe shndërrimin e madh antropologjik të shoqërisë shqiptare drejt një shoqërie moderne evropiane. Gjithë vepra e tij ka si lajtmotiv reformimin e kodit të kombësisë, ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave të trashëgimisë sonë kombëtare.

Vepra e Shaban Muratit është një mesazh, një apel për intelektualët shqiptarë, për diplomatët, historianët dhe studiuesit e rinj, që të rendin pas së vërtetës me guxim. Në Shqipërinë tonë, ku rrallë flitet për atdhetarizëm normal dhe ku në diplomaci po ndodh një fenomen i gjemetrisë ireale dhe absurde, Shaban Murati, vizionar dhe kurajoz, përpiqet të fshijë tabu dhe antitabu, duke u përfshirë me një zell të pashoq në jetën publike të vendit, për një lulëzim të ri të energjive kombëtare, me moton që mbikombëtarja të mbështetet në themele kombëtare.

Ky është një mision pretencioz, në shembullin e antropologjisë strukturale, që të sigurojë ngritjen intelektuale dhe zhvillimin normal të shoqërisë shqiptare në kohën e ndryshimeve kaleidoskopike.

Për sa kohë një komb si Shqipëria nuk e ka të strukturuar unitetin e vet të brendshëm, për sa kohë jemi të kërcënuar në ekzistencën dhe pavarësinë tonë dhe fqinjët sillen si rivalë e kundërshtarë, nganjëherë edhe si pushtues, do të ekzistojnë njerëz si Shaban Murati, me një ekzaltim të rrallë të ndjenjës patriotike, që përbën shprehjen më të lartë të detyrës qytetare.

Personalitete të tilla janë garancia më e mirë për kombin, që ai të shkundet nga izolimi dhe inferioriteti, për të kuptuar fuqinë e tij të mirëfilltë, cilado qoftë ajo. Në veprat e tij, si analist i politikës së jashtme, si legjislator i qetë i arsyes dhe dhe i mendimit diplomatik, ai ka gdhendur qartë gjithë strategjinë kombëtare në realitetin e ri gjeopolitik.

Shaban Murati kurrsesi nuk mund të qortohet për ndonjë mungesë konsekuence. Ai përfaqëson një shkollë më vete të diplomacisë shqiptare. Duke i quajtur gjërat me emrin e tyre, sentencat diplomatike të ambasadorit janë pohime sublime për të hequr dorë nga hallaktjet e deliri spontan dhe për të mos u trembur nga fantazma e vetvetes.

***

Pjesën më të madhe të analizave të tij prof. Murati ia ka kushtuar problematikës, fizionomisë, rrugëtimit dhe përballjeve konkrete të diplomacisë shqiptare në ditët e sotme me detyrat dhe misionin e saj. Në qendër të analizave diplomatike vendoset objektivi profesional, shkencor dhe diplomatik, i kërkimit të një identiteti shtetëror dhe kombëtar të diplomacisë shqiptare. Në vështrimin kritik të autorit, diplomacia shqiptare e periudhës së demokracisë ende nuk e ka gjetur dhe formuar identitetin e vet shtetëror dhe kombëtar dhe duhet t’i futet rrugës së kërkimit të këtij identiteti. (Shih librin “Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit).

Murati është, para së gjithash, themeluesi i modelit kulturor kritik të diplomacisë shqiptare, duke nxitur shkollën diplomatike shqiptare të përshtatet me sfidat e reja të integrimit euro – atlantik. Veprat e tij janë një manual me interes si për diplomacinë dhe institucionet e shtetit shqiptar, ashtu dhe për studiuesit dhe të apasionuarit e diplomacisë dhe të politikës së jashtme. Ato përbëjnë një kontribut të çmuar në drejtim të zhvillimit të mendimit diplomatik shqiptar, aq i domosdoshëm për formimin e identitetit shtetëror dhe kombëtar të saj. “Ata që kanë drejtuar Shqipërinë dhe diplomacinë, përgjithësisht kanë qenë profanë në diplomaci dhe nuk patën as vizion e as dimension shtetëror, që të kërkonin dhe t`i jepnin identitet diplomacisë shqiptare. Ata nuk qenë në gjendje të ndërmarrin qoftë edhe një nismë të vetme diplomatike shqiptare. Në Shqipëri ka munguar mendimi diplomatik, e për pasojë diplomacia shqiptare nuk mund të ketë identitet”, është shprehur diplomati Shaban Murati gjatë intervistave të tij publike. Duke e kundruar diplomacinë shqiptare si të kompleksuar dhe gati të shpërfytyruar, përderisa misioni i saj nuk deduktohet nga asnjë princip universal, apo parim kombëtar e ndërkombëtar, diplomati ynë i shquar ka analizuar shkaqet dhe pasojat e kësaj gjendjeje: “Kjo situatë e pakëndshme ku Shqipëria e sheh veten jashtë një praktike të re diplomatike dhe të marrëdhënieve të Ballkanit, duhet të verë në mendim dhe në lëvizje diplomacinë dhe qeverinë shqiptare. Këtu duhet ndalur dhe reflektuar thellë se për ç’arësye Shqipëria ka një status të tillë, i cili mund të quhet inferior. Status ku shtetet e të njëjtit gadishull, disa prej të cilëve i përkasin të njëjtit bllok ushtarak, nuk e marrin në konsideratë faktorin “Shqipëri” në politikën e tyre ballkanike apo jashtëballkanike”, thotë prof. Shabani në një nga opinionet e tij.

***

Profesor Shabanin e ka intriguar më së shumti Ballkani, historia e tij e pafat si paradhomë e Evropës, plagët e tij të pambyllura, armiqësitë e pafund, urrejtjet patologjike, nacionalizmat shovene, perspektivat e zymta.

Eshtë ambasadori që ka shërbyer në më shumë vende fqinje dhe të Rajonit tonë, në «fusha shpesh të minuara”. Analizat diplomatike të ambasador Muratit ndalen në analizën fenomeneve shqetësuese dhe me rëndësi për diplomacinë dhe për shtetin shqiptar, duke zbërthyer qëndrimet dhe interpretimet konkrete të problemeve dhe të marrëdhënieve aktuale të Shqipërisë me shtetet e tjera, kryesisht ato fqinje, të politikës rajonale dhe ndërkombëtare të Shqipërisë. Në këtë optikë ai analizon dinamikën dhe veçoritë e reja të marrëdhënieve të Shqipërisë edhe me Evropën dhe SHBA-të, tronditjet dhe rreziqet e moskuptimeve diplomatike.

Lajtmotivi kryesor i mbi 20 librave të botuar të Shaban Muratit është Shqipëria dhe Kosova, të cilat duhet të ecin me këmbët e veta, të bëhen shtete të pavarura reale, që të kenë integritetin e tyre. Në mënyrë të veçantë udhëheqësit duhet të kenë integritetin e tyre shtetëror kombëtar dhe personal, pasi po e marrin në qafë kombin shqiptar, duke rrënuar trashëgiminë kombëtare, në emër të një konceptimi të gënjeshtërt të kombit. Duke ndjekur politika të ndara ato po kryejnë vetëvrasje.

Ambasadori u kushton rëndësi të veçantë aspekteve diplomatike dhe shtetërore të marrëdhënieve me Kosovën, ku fokuson dilemën e madhe të diplomacisë së Shqipërisë mes folklorizmit dhe forcimit institucional të marrëdhënieve specifike mes dy shteteve shqiptare.

Ambasadori Shaban Murati thotë se titullin “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe Shqipërisë” e ka vendosur me dhimbje mbi librin e tij, sepse diplomacia e të dy vendeve ka ecur në rrugë të gabuar, duke marrë, përqafuar dhe adoptuar tezat, qëndrimet, politikat dhe kushtet e e diplomacisë serbe dhe ruse.

Një këndvështrim mjaft interesant paraqesin analizat e diplomatit Murati për marrëdhëniet strategjike me Turqinë, për marrëdhëniet me Maqedoninë apo Kroacinë dhe është thelluar në analizimin e problemve që qëndrojnë pezull me Greqinë. Në disa libra, të mbështetur edhe nga Fondacioni Çamëria ”Hasan Tahsini”, Shaban Murati ka ndriçuar gjenezën dhe dinamikën diplomatike aktuale të një prej çështjeve më enigmatike të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë, që mori emrin “Çështja e detit”.

“Çështja e detit nuk ka ekzistuar kurrë në marrëdhëniet shqiptaro-greke, është shprehur ambasadori. Nëse ajo do të kishte qenë çështje, ajo do të ishte trajtuar gjatë 80-90 viteve, qysh nga 1914, kur u vendosën për herë të parë marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve.

“Kufijtë detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë janë përcaktuar nga traktate ndërkombëtare, të cilat janë të detyrueshme për të dy shtetet dhe nuk kërkojnë mendim ose opinion nga shtetet përkatëse. Pra, shkurt, çështja e kufijve detarë midis këtyre dy shteteve nuk ekziston; mbetet e paqenë historikisht dhe e paqenë edhe aktualisht”.

Ndërsa për çështjen çame Ambasadori Murati është shprehur në mënyrë të qartë dhe prerë: “Një nga provat më ulëritëse të asimetrisë së marrëdhënieve dypalëshe apo thënë më hapur, të përulësisë dhe të kompleksit të inferioritetit të diplomacisë shqiptare gjatë gjithë periudhës postkomuniste, është çështja çame”. Në librin “Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës” Murati e ka përcaktuar çështjen çame si pjesë e çështjes së pazgjidhur shqiptare në Ballkan: “Çështja çame është një problem politik dhe historik, me një specifikë të veçantë dhe e cila duhet trajtuar si e tillë nga diplomacia dhe shteti i Shqipërisë”. (Tiranë, 2009, fq.25).

“Se sa larg mund të shkojë atdheshitja e tregon sjellja e disa politikanëve dhe analistëve në Tiranë, të cilët nënshtrimin qeveritar shqiptar ndaj kushtit të Athinës për të mos përfshirë çeshtjen çame në dosjen e bisedimeve diplomatike shqiptaro-greke dhe për të mos e përmendur çështjen çame dhe emrin e Çamërisë as në Tiranë dhe as në gjithë Shqipërinë, e quajnë pa iu skuqur faqja “Sukses të politikës së jashtme të Shqipërisë. Asnjë qeveri nuk e meriton mbiemrin ‘shqiptar’, nëse në programin e tyre nuk është çështja çame. Opiumi diplomatik grek për trajtimin e çështjes çame si çështje juridike apo çështje gjykatash, ka trullosur gjatë njëzet e pesë viteve shumë qeveri të Shqipërisë dhe diplomacitë e tyre, thotë Prof. Murati.

Përcaktimi i drejtë i një përkufizimi dhe i një qëndrimi adekuat për karakterin e vërtetë të çështjes çame është i një rëndësie kardinale, sepse nga ky këndvështrim mund të shkohet në rrugën e zgjidhjes së kësaj çështje ose në varrosjen e saj. Dhe për të dalluar se ku synojnë qëndrimet dhe predispozicioni i njërës apo tjetrës qeveri lidhur me zgjidhjen e çështjes çame, duhet të shtrohet pyetja hamletiane se “çfarë është çështja çame?”. Në një analizë dhe këndvështrim profesional, sipas mendimit tim, çështja çame është një çështje politike. Ajo kërkon zgjidhje politike nga marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Pikërisht si e tillë kjo çështje hyn në dosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve dhe bëhet edhe çështje diplomatike, dhe rrjedhimisht detyrë dhe objektiv i diplomacisë së Shqipërisë. Zgjidhja e saj kërkon tani kushtin “sine qua non” të hartimit shtetëror të një platforme diplomatike për çështjen çame. Diplomacisë dhe shtetit shqiptar u ka munguar kjo platformë për shkak të dobësive të drejtuesve të tyre, të cilët janë pajtuar me asimetrinë e marrëdhënieve midis dy vendeve. Platforma diplomatike kërkon që çështja çame të bëhet pjesë e pandarë dhe e vazhdueshme e të gjitha tratativave diplomatike midis dy shteteve. Ka dy faktorë kryesorë, që determinojnë këtë kompozim të ri të marrëdhënieve diplomatike dypalëshe për trajtimin e çështjes çame.

***

Me avantazhin që më jep njohja nga afër me profesor Shaban Muratin, këtu e 35 vite më parë, në mbyllje të këtij shkrimi, të cilin do ta konsideroja më shumë një gjest mirënjohjeje që duhet ta ketë çdo qytetar shqiptar ndaj këtij Shqiptari të Madh, mund të shprehem pa droje se në historinë e diplomacisë shqiptare Shaban Murati renditet pas Mehmet Konicës, Medi Frashërit e Rauf Ficos. Faik Konica do të thoshte dikur se Rauf Fico ishte shqiptar edhe atëherë kur nuk kishte Shqipëri. E njëjta gjë mund të thuhet sot edhe për Shaban Muratin, megjithëse ekziston një Shqipëri zyrtare, me kufijtë e saj formalë, por që fqinjët i vënë në diskutim. Murati, ashtu si Fico, mbetet gjithmonë një evropian i madh i një vendi të vogël, një studiues vizionar dhe me ndërgjegje të pastër kombëtare, prijës i diplomacisë shqiptare, me kontribute të jashtëzakonshme në themelin e diplomacisë sonë.

Sot Shaban Murati është i vetmi zë unik, një apostull i vërtet lirie dhe shqiptarie, plot energji e dinamikë, që vazhdon ta thotë fjalën e tij, me një pasion atdhetar të pashembullt në kohën tonë. Me një stil elegant, të zhdërvjellët e sugjestiv të shkruari, është mëse e vërtetetë se në pikëpamjet e veta politike diplomatike ai është një legjitimist, që përballet me guxim ndaj atyre që e konsiderojnë veten pronarë ekskluzivë të racionalitetit.

Ambasadori Murati vazhdon të ndjekë me kujdes zhvillimet në rajon dhe jo vetëm. Analizat dhe komentet e tij vijnë gjithmonë në momentin e duhur, në mbështetje të një politike të jashtme kombëtare, e cila duhet të jetë koherente dhe e ndërtuar mbi bazën e reciprocitetit dhe promovimit të të drejtave të shqiptarëve kudo që ata janë e jetojnë.

Unë personalisht nuk kam njohur dhe nuk njoh personalitetet tjetër në hapësirën mbarëshqiptare, që mund të krahasohet me Prof.Muratin për nga instinkti dhe pasioni atdhetar, mprehtësia diplomatike dhe guximi në rrafshin e angazhimit për një ide dhe ideal kombëtar, jashtë çdo koniukture apo ndikimi politik.

Urime dhe jetë të gjatë Profesor!

Disa nga Veprat e Prof.Shaban Muratit:

– Serbia kundër Serbisë : analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë – 2004

-Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës : (fletë nga ditari i një ambasadori) – 2007

-Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës : një testament diplomatik – 2009

-Profile të diplomacisë europiane në Ballkan – 2009

-Hije në diplomacinë shqiptare – 2012

-Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit – 2013

-Rusia ballkanike – 2014

-Shqiptarët e Maqedonisë, prioritet i çështjes shqiptare – 2016

-Ballkani faustian – 2016

-Çështja e paqenë e detit, një intrigë diplomatike greke apo shqiptare? – 2018

-Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës – 2018

-Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana – 2019

-Antitabu : Këshilla për miqtë – 2020

-Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë – 2020

-Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë – 2021

“Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi”(2023)

“Aleanca e duhur Shqiperi -Kroaci”(2024)

“Rusët po vijnë” (2024)

Filed Under: ESSE

POROSIA E AT ZEF PLLUMIT NË 100-VJETORIN E LINDJES DREJTUAR INTELEKTUALËVE DHE KLASËS POLITIKE SHQIPTARE: DASHURIA PËR NJËRI – TJETRIN DHE PROGRESI I KOMBIT

August 30, 2024 by s p

 Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

                                                                           At Zef Pllumi

At Zef Pllumi – si edhe shumë bashkvëllezer të tij françeskanë, ndër më të mirët e klerit katolik shqiptar – ka kaluar një jetë shumë të dhimbshme, plot vuajtje dhe sakrifica. Prandaj, është shumë me vend që At Zef Pllumi kujtohet në këso rastesh e përvjetorësh, siç është 100-vjetori i lindjes: 28 Gusht, 1924.  Ai ishte dhe mbetet ndërgjegja e Kombit që edhe sot nepërmjet veprave, shkrimeve dhe intervistave të tija, lënë pas flet dhe dëshmon gjithnjë për krimet e diktaturës sllavo-komuniste të regjimit të Enver Hoxhës në Shqipëri kundër popullit të vet, për pothuaj gjysëm shekulli. At Zef Pllumi, në përjetësi, flet me bindje e fakte të përjetuara, në kujtesë, me largpamësi dhe porosit me këshilla për të tashmen dhe për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

I pyetur me një rast se çfarë porosishë ka për Kombin shqiptar, At Zef Pllumi është përgjigjur, e porosis për tri gjëra: “Të kenë fé, kurr të mos e braktisin fenë; të kenë shpresë; e mbi të gjitha, të kenë dashuni…Kjo ashtë porosia e kjo ashtë përshndetja për të gjithë popullin shqiptar”, ka thenë ai para se të ndërronte jetë. 

Është kjo një thirrje e At Zef Pllumit për të gjitha kohërat dhe për të gjithë brezat e shqiptarëve – dashuria për njëri tjetrin!  Është kjo një thirrje që At Zef Pllumi e bënte, vazhdimisht, sa ishte gjallë dhe një porosi drejtuar bashk-kombasve të vet,që ai e ka theksuar, pothuaj në të gjitha veprat, shkrimet, deklaratat dhe intervistat, ç’prej prej lirimit të tij nga burgjet dhe kampet e regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës, me 4 Nëntor, 1989.  Është ky një mesazh që ai e ka theksuar shpesh edhe duke dëshmuar të kaluarën e hidhët, por gjithmonë duke shikuar nga e ardhmja e Kombit shqiptar – mesazhe e thirrje që ai u ka bërë shpesh, sidomos, intelektualëve shqiptarë — që pas periudhës së gjatë e të errët të komunizmit — të bashkojnë, më në fund, “Jo vetëm fuqitë e veta mendore, por edhe zemrat për atë idealin e përbashkët që, sot për sot, ashtë vetëm Progresi i Kombit”, është shprehur ai.

Pas shembjes së Murit të Berlinit, është promovuar ribotimi i numrit të parë i revistës së famshme të françeskanëve shqiptarë, të para luftës, “Hylli i Dritës” Maj të vitit 1993.   Në një ceremoni të rastit në Kuvendin Françeskan në Shkodër ku merrnin pjesë një numër i madh bashkëpunëtorësh, të rinj e të vjetër, të kësaj reviste të famshme, përshfirë studiues të kulturës, artistë, gazetarë, intelektualë të fushave të ndryshme, botues e të tjerë, At Zef Pllumi, përshëndeti ribotimin e revistës së famshme shqiptare, Hylli i Dritës duke iu drejtuar intelektualëve shqiptarë kudo, me këtë porosi për klasën intelektuale shqiptare:

“Miq të nderuem, falë mëshirës së Zotit ia mbërritem kësaj dite. Nata që kaluem qe e gjatë dhe e vështirë. Liria që u fitue duhet të bie edhe dritën. Sot po jepet rasti, përsëri, mbas sa vitesh që bashkëpuntorët e “Hyllit të Dritës” të japin kontributin e vet në kulturën shqiptare me aq dritë sa mund të lëshojë nji yllë. Por, ndërkaq urojmë që kultura shqiptare nesër të ndrisë si diell”, ka shtuar ai, duke nënvizuar optimizmin e tij për të ardhmen, që “ky diell, jo vetëm, do të ndrisë, por edhe do të ngrohë të gjithë popullin, në qoftë se intelektualët shqiptarë kanë me i bashkue, jo vetëm fuqitë e veta mendore, por edhe zemrat për atë idealin e përbashkët, që sot për sot ashtë vetëm, Përparimi i Kombit, është shprehur frati i Malësisë së Madhe. 

 “Ky progres duhet të jetë i gjithanshëm, jo vetëm ekonomik – po ma tepër mendor, shoqënor dhe kulturor. Mendoj se duhet t’u kujtoj intelektualëve shqiptarë se sado shkencë që të kenë, sado dije dhe erudicion që të përhapin, kurrë nuk do të mbërijmë në atë nivel kulturor që na duhej të jemi – po nuk patëm dashuninë për njani tjetrin. Në rast se mungon dashunia”, ka theksuar At Zefi, atëherë, “Në atë rast, duhet të kemi mirëkuptim. Dhe në qoftë se edhe ky do të mungojë, atëherë do t’i referohemi virtytit të tolerancës.  Po mungoi edhe ky virtyt, atëherë jemi xhahilë.  Xhahil-llëku ashtë shkatërrimi i Kombit. Në qoftë se nuk respektohen mendimet e njani tjetrit, don me thanë se nuk respektohet njeriu. Po nuk u respektua njeriu, e drejta dhe liria e mendimit, praktikisht, ne mbërrijmë në përfundimin se nuk duam as Kombin, as Atdheun”, është shprehur At Zef Pllumi. Ai ka përfunduar fjalën e tij të shkurtër me atë rast duke u bërë thirrje intelektualëve shqiptarë që në bashkpunim me njëri tjetrin, pjesëtarët e inteligjencës shqiptare, “duhet t’i prijnë këtij populli fatkeq, për me ecë përpara me ngulm në rrugën e vërtetë të Progresit Kombëtar.” (At Zef Pllumi, Hylli i Dritës 2-3, Tiranë, 1993). 

Ndërkaq, pyetjes gjatë një interviste, vite më parë, me Radion e Vatikanit shqip, se ç’mendonte ai për politikën shqiptare e për politikanët, Zef Pllumi iu përgjegj kështu: “Kjo âshtë e meta mâ e madhe e historisë së këtij populli. Na jemi shpall shtet në vedi, pa i pasë njerëzit që ta drejtojnë, se zakonisht shtetet i drejton politika, popujt i drejtojnë njerëzit e politikës; janë ata që e japin drejtimin, porse njerëzit e politkës janë pak a shumë të përgatitun, ose duhet të jenë kështu. Ndërsa në Shqipni ashtë krijue mendimi feudal se ai që ka politikën, ka gjithçkafen në dorë, se politika asht burim fitimi. Shqiptari endè s’e ka kuptue se politika asht shërbim, e jo fitim. Vetëm kur të vijnë ata njerëz që kanë me e kuptue se politika asht shërbim, atëherë, po, mund të shpresojmë…”, ka thenë për Radio Vatikanin, At Zef Pllumi — ky dëshmitar i paepur i Zotit dhe i Kombit, i cili ka lenë faqe të bardhë e të mrekullueshme të historisë së fesë, Kombit, të shpresës e të qëndresës së vërtetë shqiptare, përballë të së keqës komuniste.

Thirrjet dhe porositë e At Zef Pllumit, ndonëse janë shqiptuar vite e dekada më parë, janë tepër aktuale edhe sot në 100-vjetorin e lindjes së tij, kur të merret parsysh se 35 vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit, jo vetëm klasa politike shqiptare vazhdon të jetë e ndarë dhe e përçarë, por fatkeqësisht, as klasa intelektuale shqiptare sot nuk është e bashkuar me mendje e zemër rreth idealit të përbashkët të “Progresit të Kombit”, një ide për të cilin ka bërë thirrje At Zef Pllumi – Krenaria e Shkrelit të Malësisë së Madhe.  Në këtë përvjetor, së paku, le të kujtojmë porosinë e Zef Pllumit, për të punuar drejt Progresit të Kombit — ashtuqë intelektualët shqiptarë dhe klasa politike shqiptare, sipas mundësisë, si individë dhe si grup, të përhapin aq dritë sa mund të lëshojë edhe një yll, në rrugën e vështirë e të gjatë të progresit kombëtar dhe të dashurisë ndaj njëri tjetrit.  Kjo është porosia e tij edhe për mbarë Kombin shqiptar në 100-vjetorin e lindjes së tij!

Frank Shkreli

Padre Zef Pllumi, francescano albanese, testimone della persecuzione della chiesa

 Pllumi 

A person in a white robe with a cross on his chest

Description automatically generated

                                  At Zef Pllumi me Nenë Terezen në lutje

A person standing in front of a cross

Description automatically generated

Autori në qelinë e vuajtjeve e të tortutave, ose në “birucën” e At Zef Pllumit, siç e quanin vet të burgosurit anti-komunistë – sot muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, në Shkodër. I quanin “biruca” për shkak të hapësirës së ngushtë dhe sasisë së vogël të dritës dhe ajrit në to.

Filed Under: Komente

Kosova, Shqipëria dhe mërgata shqiptare e Amerikës

August 29, 2024 by s p

Marjan Cubi/

Gjatë qëndrimit afro 3 mujor në Kosovë, vërejta një zhvillim ekonomik, social, urbanistik dhe politik mbresëlënës. Në pak kohë, Kosova dhe Shqipëria kanë pësuar ndryshime dhe zhvillime të jashtëzakonshme ku mërgata shqiptare e Amerikës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë kontribut historik dhe jetik. Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë dhe Kosovës sidomos i falet kontributit të vazhdueshëm dhe investimeve të mërgatës shqiptare të Amerikës. Shtetet tona dhe institucionet përgjegjëse duhet të krijojnë më shumë lehtësira proceduriale dhe fiskale me qëllim thithjen e investimeve dhe krijimin e një klime sa më të favorshme biznesi me qëllim zhvillimin e ekonomisë kombëtare. Shqiptaro-amerikanët e suksesshëm në shkencë dhe biznes janë krenari për kombin tonë. Modelet e suksesshme të zhvilluara në Amerikë duhet të zhvillohen dhe në Shqipëri e Kosovë me qëllim fuqizimin e ekonomisë kombëtare dhe rritjen e fuqisë eksportuese. Sa më të zhvilluar të kemi ekonominë, tregtinë, sipërmarrjen e miqësinë me Amerikën, aq më të forta, më të suksesshme e më të fuqishme do të jenë Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët në trojet etnike. Si shtet, si popull e si komb shqiptar, ne duhet ti jemi përjetë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Miqësia dhe aleanca e përjetshme me Amerikën është jetike në çdo kohë për shqiptarët. Askush nuk duhet të çojë nëpërmend të vërë në diskutim vendimmarrjen amerikane. Loja antiamerikane është lojë antikombëtare.

Filed Under: Opinion

Rikonfirmim i Partneritetit të Departamentit të Shtetit Amerikan me Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”

August 29, 2024 by s p

Uashington, 29 Gusht 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra u prit në Departamentin e Shtetit Amerikan. Delegacioni zyrtar i Vatrës i kryesuar nga kryetari Dr. Elmi Berisha, nënkryetari z.Alfons Grishaj, kryetari i Këshillit të Vatrës z.Kolec Ndoja, drejtori i degëve z.Mondi Rakaj dhe arkëtari i Vatrës z.Besim Malota, u takuan me z. Alexander Kasanof zëvendës ndihmës Sekretari për Ballkanin Perëndimor, Shtypin dhe Diplomacinë Publike në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike. Takimi zyrtar prej një ore ishte i hapur dhe i përzemërt, ku u sollën në vëmendje disa pika thelbësore të çeshtjes shqiptare në përgjithësi. Kryetari i Vatrës, Dr. Elmi Berisha paraqiti një tablo të detajuar mbi situatën në Ballkanin Perëndimor e veçanërisht Kosovës dhe Shqipërisë. Të gjithë anëtarët e delegacionit zyrtar të Vatrës dhanë mendime të vyera, ide dhe pikëpamje profesionale për situatën në Kosovë dhe Shqipëri.

Z. Kasanof siguroi partneritetin midis Departamentit të Shtetit dhe Federatës Vatra. Ai theksoi se impenjimi i tij do të jetë maksimal për zgjidhjen e problemeve të Kosovës dhe në Ballkanin Perëndimor. Njëkohësisht ai garantoi që në mandatin e tij bashkëpunimi midis zyrës së tij dhe Vatrës vetëm do të fuqizohet në interesin e përbashkët.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT