Hisen Berisha/
Me rastin e përvjetorit të ndarjes nga jeta të senatorit të nderuar Bob Dole, kujtojmë me respekt dhe mirënjohje të thellë rolin e tij të pashoq si mbështetës i madh i lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Si një “Ambasador Nderi” i emëruar nga Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Bob Dole u bë zëri ynë në Uashington dhe avokati ynë i palodhshëm në momentet më të vështira.
Historia është mësuese e jetës. Ajo na tregon se si kemi udhëtuar bashkë me fatet e kombit nëpër sfidat më të mëdha. Në këtë rrugëtim, senator Bob Dole ishte një prej atyre figurave të ndritura që, ashtu si heronjtë e kombit tonë, na ndihmoi të kthehemi drejt botës së lirisë dhe demokracisë, duke na larguar nga tirania dhe padrejtësia.
Në momentet e errëta të historisë sonë, kur komunizmi na kishte mbyllur në një tunel pa dalje, Bob Dole ishte një dritë shprese. Ai, bashkë me të tjerë liderë të popullit amerikan, na orientuan drejt shpëtimit dhe ndihmuan që Kosova të kthehet në atë që është sot – një shtet i lirë dhe i pavarur. Kujtojmë me nderim të madh gjithë ata burra të mëdhenj të kombit amerikan – senatorë, kongresmenë, dhe liderë që na qëndruan pranë, duke e bërë çështjen e Kosovës një çështje të ndërgjegjes dhe drejtësisë ndërkombëtare.
Puna e senatorit Dole nuk ishte vetëm një akt diplomatik; ajo ishte një akt i pastër njerëzor dhe i drejtësisë. Mësimet e tij dhe të shumë miqve të tjerë të Kosovës në SHBA na kujtojnë se rruga drejt lirisë dhe shtetësisë nuk është e lehtë, por është e mundshme me mbështetjen e miqve të sinqertë dhe me përkushtimin e të gjithë neve.
Kujtojmë sot me respekt fjalët e tij të urta dhe të qarta, dhe përkujtojmë me krenari veprën e tij të madhe për Kosovën. Ai ishte dhe mbetet një shembull i ndritur i mikut të vërtetë dhe i burrit të madh të një kombi që na e dha dorën në orët tona më të vështira.
Zoti e bekoftë kujtimin e senatorit Bob Dole, miqtë tanë në SHBA, dhe të gjithë ata që ndihmuan dhe ndihmojnë Kosovën në rrugën e saj drejt një shteti të lirë, të drejtë, dhe sovran.
Zoti i bekoftë SHBA-në dhe kombin amerikan!
Zoti e bekoftë Kosovën, shtet të pavarur e sovran!