• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2024

POEZIA KA FUQINË E LIRISË

August 3, 2024 by s p

Dr. Migena ARLLATI/

Teksa libri me poetët e Gjakovës bëhet gati të shkojë drejt shtypit, me përulësinë më të madhe dhe me një ndjenjë të pakufishme respekti, ulem të shkruaj këtë parathënie. Vetë emri Gjakovë është metaforë, është simbol i një sërë ndjesish të krijuara nga procese e ngjarje të ndodhura e të përjetuara nga njerëzit e Gjakovës në shekuj e dekada, ndjesi të cilat tashmë i rrinë këtij emri si një aureolë. Përgjithësisht, historia e çmon këtë vend me një konsideratë fisnikëruese që në fakt është një marrëdhënie mes gjithçkaje të ndodhur këtu në kohëra vlimesh e kthesash për popullin shqiptar. E sigurisht, një rol të pamatë kanë luajtur edhe njerëzit e pendës, të arsimit e të artit. Ata, si bashkëpërjetues të të gjitha dhimbjeve e lavdive në të panumërtat krajata, u bënë zëdhënës shpirtëror të lotit të lindjes a të vdekjes, të fitores a të humbjes, të tragjedisë a të ngadhnjimit mbi të. Duke sublimuar deri në caqet më të larta ndjesore emocionalitetin e popullit nga vinin e duke qenë në themel të komunikimit sa artistik po aq edhe human, artistët u bënë gjenerues të asaj energjie që përçon larg; larg në kohë e në hapësirë, për të bashkëndjerë e për të bashkëndarë si bashkëvendas pulsin shpirtëror në sfidimet e shumëfishta në përballje me okupuesit, në mbrojtjen e interesave kombëtare, në rropatjet ndaj ekzistencës, në frustrime kulturash e erërash epokale të cilat janë përplasur në trojet tona si dallgë të pamëshirshme.

Në këtë vëllim, janë veçuar qëllimshëm nga unë, letrarët, konkretisht poetët, që me vargjet e tyre i ngritën piedestal nocioneve të larta nacionale e humane. Me burimet e pashtershme të përjetimit dhe të fjalës, ata sollën përgjithësisht një krijimtari të dedikuar dhe të vetëkushtëzuar nga tematika kundërvënëse ndaj robërisë, tematika e mbrojtjes së dinjitetit dhe lirisë, e mbrojtjes së simboleve kombëtare, e fjalës së lirë të munguar etj. Prandaj poezia e tyre ka fuqinë e lirisë!

Zeja e poetit nuk është aq e lehtë sa duket. Sidomos në periudhën e paraçlirimit të Kosovës, para se të ngjyhej në bojë, pena duhej ngulur në mish; para se fjala të dilte, duhej guxuar e rrezikuar pasi fjala, vargu, arti ishin kthyer në armë. Poetët kishin vetëm një armë në këtë luftë të ashpër dhe në këtë ndeshje titane: vargun. E përveç gjithë të ligave të tjera, ata hapëronin me rrezikun se mund të anatemohen, të paragjykohen, të prrallen e të denigrohen, pasi makinacionet e shumëfishta nuk bënin gjumë as natë, as ditë.

Në rrugën e të bërit art, të afirmuarit është një proces i ngadalshëm e i përshkallshëm në të cilën krijuesi reflekton qartë dhe ndikon spontanisht. Ai i përcjell nën lëkurë ndryshimet në shoqëri. Adhurimi për autorë si: A. Çetta, E. Gjerqeku, D. Mehmeti, R. Hoxha, B. Bokshi, A. Musaj, S. Lokaj, M. Nura, A. Gjakova, A. Podrimja, T. Dërvishi, M. Kupa, M. Bobi, M. Saneja, S. Rexhepi, H. Haxhosaj, A. Byci, A. Deva, F. Brovina, A. Mala, F. Ymeri, F. Rexha etj., etj., vjen pas madhështisë që ata ndërtuan me krijimtarinë dhe ndikimin e madh të saj. Me shumë të drejtë quhen poetët e plejadës. Gjendja artistike që ata sollën ishte dëshirë për të frymuar lirshëm, nevojë për kacafytje me të pamundurën, këlthitje për çprangosje, dëshmim për të drejtat e mohuara, akuzë për krime të qëllimshme. Këta, e jo vetëm këta tema, u kthyen në një zakonshmëri për kohëshmëri të gjatë dekadash. Është e qartë se pjesa më e madhe e të pranishmëve në dy gjeneratat e para nuk janë thjesht krijues por personalitete të mirëfilltë të artit dhe mendimit shqip. Ata nuk ishin vetëm krijues por edhe veprimtarë të çështjes shqiptare, promovues dhe mbrojtës të hapur të të drejtave të popullit të tyre, gjë të cilën e bënin hapur jo vetëm në art.

Historia e re e Kosovës flet zëshëm për veprimtarinë e tyre, ndërsa poezia mbetet vetëm një pjesë fragmentare e kësaj veprimtarie. Sigurisht se trajtimi i mëtejshëm i krijimtarisë, gjuhës dhe stilit të përdorur kërkon një observim të thellë dhe përmbajtësor. Secili nga ta është unik, me përparësitë dhe me kufizimet e veta. Ndaj, edhe poezitë e përfshira në “Vargnim Gjakove” janë një reflektim i sinqertë për të kaluarën, një prani paqeje e dashurie në të tashmen dhe një shqetësim human mbi të ardhmen. Të gjitha këto të shtjelluara me një thellësi mendimi dhe lehtësi rrëfimi që rrallë haset. Ato jo vetëm që na ofrojnë kënaqësinë e leximit, por edhe na bëjnë të reflektojmë dhe të besojmë thellë për ideale të fuqishme.

Sot, autorët e lartpërmendur, rreshtohen në panteonin e poezisë shqipe, pasi koha nuk i ledhatoi e as fati nuk i kurseu. Mbeten të adhuruar për atë që sollën në poezi dhe jo vetëm në poezi.

***

Në vigjilje të përvjetorit të 60-të të Mitingut të Poezisë dhe në nderim të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, me një entuziazëm të pashoq, nisa të ideoj një përmbledhje me poezi nga poetët e Gjakovës. Mendimet që dalin nga zemra peshojnë e kanë shumë vlerë ndaj unë i dhashë jetë mendimeve të mia dhe i ktheva në një realitet. “Vargnim Gjakove” e quajta, me dëshirën më të mirë që secili prej poetëve të ketë vendin e tij në këtë rradhë poetizuese e cila më ngjan me një varg rruazash apo perlash ku secila prej tyre ka ndriçimin dhe bukurinë e saj.

Do ta quaja një vëllim festiv, dhuratë imja në përmbylljen e dekadës së gjashtë të Mitingut. Mitingu ishte mbajtur për herë të parë në vitin 1964, sipas idesë së Din Mehmetit dhe Enver Gjerqekut, me bashkëaktivizimin e miqve të tjerë poetë, për t’u institucionalizuar pak kohë më vonë me formimin e Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” (1967). Në vite e dekada, në të kanë marrë pjesë me qindra poetë nga e gjithë Kosova, me dhjetëra e dhjetëra nga Shqipëria e viset e tjera shqiptare, e po ashtu, me dhjetëra poetë të huaj pasi aktiviteti është i rangut ndërkombëtar.

Poetëve në vëllimin “Vargnim Gjakove” i paraprijnë pesë poezi nga personalitete përgjithësisht klerikë fetarë, poezitë e të cilëve datojnë nga shek. XVII e këndej: Y. Efendija (shek. XVII), Gj. N. Kazazi (shek. XVIII), T. ef. Gjakova (shek. XVIII), T. Zajmi (shek. XIX) dhe A. G. Bojaxhiu (shek. XX). Krijimet e paraqitura nga ta janë një pasuri e rrallë jo veç për vlerat artistike sa për humanitetin dhe origjinalitetin që na vjen i reflektuar aq bukur nga kohësi të largëta. Nuk ka asnjë mëdyshje që edhe këto figura i përkasin arealit të Gjakovës, bile edhe Nënë Tereza – mbesë Gjakove, e bija e Dranes së lindur në Novosellë.

Më tej, në libër renditen katër gjenerata poetësh: I (1920 – 1940), II (1941 – 1960), III (1961 – 1980), IV (1981 – 2010). Secili poet përfaqësohet me dy krijime (dy gjeneratat e para) dhe me një krijim (dy gjeneratat e dyta). Renditja është bërë kronologjikisht sipas vitit të lindjes. Fillohet me vargjet e Anton Çettës, pajtimtarit dhe veprimtarit të madh të besës e të fjalës dhe përfundohet me poeten e re 19 vjeçare, Olsa Domi, autore e dy vëllimeve. Përfshirja e poetëve i ka tejkaluar të gjitha paragjykimet personale e tejpersonale që te dikush mund të shfaqen qëllimshëm apo shkarazi, sepse në art nuk ka vend për lakmi e për zemërligësi. Për secilin krijues flet vetë arti dhe krijimtaria që ka sjellë në vite ndaj të gjitha diskutimet me sens inatçor dhe dashakeqës bien poshtë.

Ky vëllim i lë vend vetëm poezive, pasuruar dhe disajnuar me foto, pasuar nga disa fjalë në sensin biografik për secilin autor. Ndërsa vëllimi i radhës që kam në përgatitje e sipër është një studim letrar për këto individualitete krijuese.

E tani që “Vargnim Gjakove” me poetët e Gjakovës është i gatshëm, nuk është koha për të marrë lavde por është momenti i duhur për të dhënë nderime. Nderime për të gjithë ata që shpirtin e tyre e kthyen në varg e vargun në përkushtim shpirtëror për një pjesë aq të rëndësishme të qenies së njeriut, sikurse është vendlindja, fëmijëria, shtëpia e prindërve a trualli të cilit i përkasin, pasi njeriu pa këto do të ishte njeri pa atdhe. E një njeri pa atdhe është një njeri i mbetur pa asgjë. Në fund, dua ta mbyll me ndjesinë e një njeriu që ka bërë punën dhe tashmë nuk i kanë mbetur më fjalë. Duke i mbyllur sytë dhe duke parë me dritën e shpirtin, diçka më pëshpërit: Aty ku ka poezi ka emocion, dhe aty ku ka nderim për poezinë ka fisnikëri!

Filed Under: LETERSI

Kujtojmë në 136-vjetorin e lindjes gjuhëtarin austriak, profesorin dhe albanologun, Maksimilian Lamberc

August 3, 2024 by s p

QSPA/

Lamberc e nisi studimin e shqipes si dialektolog, duke mbledhur materiale gjuhësore në terren më 1913-1914 gjatë një udhëtimi studimor në Itali. Ai i ka kushtuar vëmendje të veçantë dialekteve arbëreshe e ndarjes dialektore të shqipes, folklorit dhe kulturës popullore shqiptare. Fryti i parë i kësaj pune është skica “Albanische Mundarten in Italien”, e shoqëruar me një hartë që tregon shpërndarjen e ngulimeve arbëreshe. Në këtë skicë sintetike ai bën një paraqitje të përmbledhur të historisë së formimit të ngulimeve arbëreshe të Italisë, tregon me hollësi ç’ishte bërë deri atëherë, për mbledhjen dhe studimin e të folmeve të tyre dhe thekson rëndësinë e studimit të këtyre dialekteve për historinë e gjuhës shqipe, sepse ato paraqesin mbetjet e fundit të shqipes mesjetare.

Ai mori pjesë në rolin e specialistit në zhvillimin e punimeve të Komisisë Letrare Shqipe dhe të vendimeve që mori ajo për çështje të gjuhës së përbashkët e të rregullave të drejtshkrimit të saj. Ai ka lënë reth 60 dorëshkrime në të cilat paraqet të dhëna mbi folklorin e folkloristikën, mitologjinë, etnologjinë, gjuhësinë, letërsinë, historinë etj. Studimet themelore në fushën e kulturës popullore janë “Die Volkspoesie der Albaner”, 1917 (“Poezia popullore shqiptare”), “Albanische Märchen und andere Texte zur albanischen Volk-skunde”, 1922 (“Përralla shqiptare dhe tekste të tjera nga folklori shqiptar”), “Albanien erzhält”, 1956 (“Shqipëria rrëfen”), “Die Volksepik der Albaner”, 1958. (“Epika popullore shqiptare”), një studim i hapët për ciklin shqiptar të kreshnikëve. Pas vdekjes u botua punimi “Mitologjia shqiptare” në veprën kolektive “Ëörterbuch der Mythologie”, 1969. Në fushën e sintaksës ka botuar një monografi për periudhën hipotetike të shqipes “Die hypothetische Periode im Albanischen” (1914). Pas Luftës II Botërore, mbajti kursin e gjuhës shqipe në Universitetin e Lajpcigut dhe hartoi një varg librash për mësimin e shqipes, një antologji të letërsisë shqiptare me përkthim gjermanisht e me një hyrje për gjuhën shqipe (1948, dy vëllime) dhe një kurs të gjuhës shqipe në tre vëllime (Fjalor shqip-gjermanisht, Antologji shqipe, Gramatikë, 1954, 1955, 1959). Ka përkthyer dhe botuar të plotë gjermanisht veprën e Gj. Fishtës “Lahuta e Malësisë”, si edhe dramën “Toka jonë” të K. Jakovës. Për kontributin e tij në fushën e studimeve albanologjike është dekoruar me “Urdhrin e Flamurit”.

https://fjala.al/…/maksimilian-lamberc-albanologu…

Filed Under: Histori

Në Prizren nis DokuFest

August 3, 2024 by s p

PRIZREN, 3 Gusht 2024-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Behlul Jashari

Nisi në Prizren në atmosferë feste Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest, në edicionin e 23-të, i shpallur i hapur për t’u mbajtur nga 2 deri në 10 Gusht 2024 me shfaqjen e 103 filmave në garë dhe mbi 200 filma në përgjithësi.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.

Ndërsa para 25 viteve, në 15 Korrik 1999, në qytetin historik të Lidhjes Shqiptare, Prizren, ishte aktiviteti i parë i përbashkët kulturor Kosovë-Shqipëri i pas luftës – një koncert i artistëve shqiptarë për festimin e arritjes së lirisë së Kosovës.

Filed Under: Kronike

IL PICCOLO DI TRIESTE (1986) / EKSPOZITA MADHËSHTORE KUSHTUAR AKTORIT TË MADH ALEKSANDËR MOISI (PROGRAMI I AKTIVITETEVE)

August 2, 2024 by s p


Burimi : Il Piccolo di Trieste, e premte, 21 mars 1986, faqe n°16
Burimi : Il Piccolo di Trieste, e premte, 21 mars 1986, faqe n°16

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 2 Gusht 2024

“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të premten e 21 marsit 1986, në faqen n°16, një shkrim rreth ekspozitës madhështore dedikuar asokohe nga qyteti i Triestes aktorit të madh Aleksandër Moisi, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Trieste nderon personalitetin e aktorit të madh Aleksandër Moisi

“Një shok që kemi humbur, i cili ishte ylli i rinisë sonë”

Burimi : Il Piccolo di Trieste, e premte, 21 mars 1986, faqe n°16
Burimi : Il Piccolo di Trieste, e premte, 21 mars 1986, faqe n°16

Në kuadër të ekspozitës kushtuar aktorit Aleksandër Moisi, të ngritur nga Muzeu i Teatrit Qytetar “Carlo Schmidl” në sheshin Verdi 1 në Trieste, në ditët në vijim janë planifikuar dy momente të tjera për studimin e thelluar dhe njohjen e veprimtarisë dhe personalitetit të interprestuesit të madh të lindur në Trieste në 1879 nga një nënë triestine dhe një baba shqiptar, dhe që vdiq në Vjenë më 22 mars 1935.

Pasnesër, e diel 23 mars, në orën 11:00 në kinemanë “Ariston Kapela Underground” dhe Muzeu i Teatrit Qytetar do të prezantojnë para publikut një nga dy filmat e mbijetuar mes atyre të xhiruar nga Moisiu, “Lorenzino de’ Medici” (1935) nga Guido Brignone, i vënë në dispozicion nga Arkivi Kombëtar i Filmit i Romës.

Megjithatë, të hënën, më 24 mars, në sallën Baroncini (nëpërmjet Trento 8) në bashkëpunim me “Assicurazioni Generali”, Klubin e kulturës italo-austriak dhe selinë rajonale të Rai-t, Muzeu i Teatrit Qytetar do të propozojë në orën 16:45 “Dy dëshmi për Moisiun : Maria Fabbri dhe Roberto Campa.”

Aktorja Maria Fabbri ishte pranë Moisiut më 2 shkurt 1934 : në Teatro Manzoni në Milano (tempulli italian i teatrit të prozës së kohës) në debutimin e kompanisë së sapokrijuar Moisi – Capodaglio, me debutimin në italisht të aktorit të famshëm, i cili deri atëherë kishte qenë i dashuri i publikut gjermanofolës, në një seri organike shfaqjesh.

Gjatë dy turneve italiane të viteve ‘34 dhe ‘35, triestinja Fabbri luajti role të tilla si Ofelia në “Hamlet”, “Le Opere” në “La leggenda di ognuno”, Mascia në “Il cadavere vivente”, Marta në “Tutto il male vien di lì”.

Roberto Campa, djali i komedianit të kompanisë Pio Campa dhe aktores Wanda Capodaglio, ishte dëshmitar i ngjarjeve që çuan në themelimin e kompanisë dhe turneut historik në Itali që nga viti 1933.

Zëri i dy të ftuarve do të ngjallë një fragment autentik të historisë teatrore dhe, siç shprehej Cvajgu në vitin 1935, “një shok që e kemi humbur, por që nuk duam të humbasim… yllin e rinisë sonë”.

Gjithashtu të hënën e ardhshme, në orën 17.45, programi televiziv i prodhuar nga selia rajonale për “Friuli-Venezia Giulia” të Raitre në 1985 “Moisiu. Tregim për një aktor të shekullit të njëzetë” : tekste dhe regji nga Lilla Cepak. Aktiviteti do të mbyllet me një debat.

Ndërkohë, ekspozita e organizuar nga Muzeu i Teatrit Qytetar “Carlo Schmidl” vazhdon me sukses, e ndarë në dy seksione, një i kuruar nga Adriano Dugulin i Muzeut të Triestes, tjetri nga Ulrike Riss i Bibliotekës Kombëtare Austriake – Koleksionet Teatrore të Vjenës.

Krahas fotografive dhe dokumenteve të çmuara, dorëshkrimeve dhe posterave me autograf, libra dhe prerje shtypi, në sheshin Verdi 1 janë ekspozuar edhe dy pulla shumë të rralla të emetuara në Shqipëri për nder të Moisiut.

Është gjithashtu e mundur të admirosh rripin (brezin) dhe kurorën që aktori i madh i Triestes kishte veshur, shtatëdhjetë vjet më parë, në “Edipi mbret” dhe një xhaketë të shfaqjes “Der Graf von Charolais”.

Së shpejti do të ekspozohen edhe kostumi i “Hamletit” dhe llullja (çibuku) i Osvaldit, protagonistit të “Spettri” të Ibsenit.

Kronologjitë, mbështetjet informative biobibliografike të ekspozuara dhe libri i botuar nga Muzetë Qytetare të Historisë dhe Artit na lejojnë të rigjurojmë etapat e karrierës së këtij interpretuesi të madh të skenës evropiane të dekadave të para të shekullit, që pesëdhjetë vjet pas vdekjes së tij është rikthyer në plan të parë falë operacionit teatror inteligjent dhe të dashur të nënshkruar nga Giorgio Pressburger dhe prodhuar nga Stabile del Friuli-Venezia Giulia : “Eroe di scena, fantasma d’amore (Moissi)”, të cilin e pamë në janar në Politeama Rossetti.

Për ata që nuk e kanë vizituar ende ekspozitën për Moisiun, ju kujtojmë se gjatë ekspozitës mund të dëgjoni zërin e aktorit në disa lexime dhe monologje të famshme të rikuperuara nga disqet dhe regjistrimet e vjetra.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 29 prill me orët e mëposhtme të hapjes : e martë në të premte nga ora 09:00 deri në 13:00 dhe nga ora 17:00 deri në 19:00; të dielën nga ora 11:00 deri në 13:00; si dhe gjatë intervaleve të shfaqjeve operistike të planifikuara në Teatrin Verdi.

Filed Under: Kulture

“Programi Trump-2, për ShBA edhe më të fortë, edhe më vitale”

August 2, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Ndërsa kanë mbetur 90 ditë, establishmenti politik, mediatik dhe opinioni publik jo vetëm në Sh.BA por edhe në kryeqytetet e BE, NATO-s, Kiev, Moskë, Pekin, etj mbeten të fokusuara nga zgjedhjet në USA.

Nga njëra anë, në garë për herë të dytë është rikthyer fuqishëm bizmesmeni Donald Trump, i cili edhe mbasi “Zoti e shpëtoi nga atentati me armë zjarri”, ka konfirmuar se: “të gjitha akuzat politike dhe gjyqësore ndaj tij do të gjykohen dhe marrin përgjigjen e merituar nga qytetarët Amerikanë në 5 Nëndor 2024”.

Nga pala tjetër, llogaritë e demokratëve duke konfirmuar z. Jeo Biden për presidencë-2, rezultuan drejt një fitore të sigurt për Trump. Prandaj, për ta rikuperuar është pothuajse e konfirmuar që zv/presidentja Kamala Harris, në 3 muajt në vijim do të përballet me fuqinë e sloganit të Trump-2: “për një Amerikë edhe më të madhe/vitale si dhe Amerikanët të parët”, por edhe me performancën si zv/Presidente në 4 vitet e fundit.

Që në fillim të herës, me duhet ta nënvizoj se kjo analizë nuk është gjithësesi “për të rikonfirmuar simpatinë personale”, por të paraqes një “food for thought”, ose përmbledhje strategjike rreth “Platformës -Trump-2ʺ, zhvilluar nga Fondacioni Heritage, një ʺthink tankʺ Republikan Amerikan në DC, i cili edhe pse “i pavarur”, njihet për qasjet konservatore si dhe lidhjet me ish-Presidentin Trump.

Më konkretisht, Projekt-Platforma 2025 (920 faqe), përmban: “një axhendë qeverisëse, jo vetëm nga janari i 2025, por për të ardhmen e USA”. Ndërsa edhe vetë hartuesit e Platformës, konfirmojnë se synimi kryesor i Trump-2025, është promovimi i një pakete politikash të djathta për të çliruar USA nga kapja e mekanizmave të shtetit, pra nga interesat e aktorëve të nënëdheshëm (pa votuar), burokracia me kollare demokratike, korrupsioni, philanthropistët, etj. Me fjalë të tjera për ta ç’bunkerizuar, ç’burokratizuar, reformuar, modernizuar dhe forcuar pushtetin ekzekutiv, ose qeverinë federale të Sh.BA duke e “ri-kthyer përsëri Amerikën në një superfuqi të pamposhtur dhe pakonkurueshme edhe për shekujt që vijnë”.

Ndërsa New York Times e konsideron: “një projekt radikal të politikës konservatore”, CNN paralajmëron se autorët, rreth 140 personalitete që kanë shërbyer edhe në administratën Trump-1: “pritet të marrin pozicione kyce edhe në administratën e Trump-2”. Gjithësesi z. Trump e ka mohuar të ketë lidhje të drejtpërdrejta me këtë projekt. Kështu në 5 korrik 2024, në platformën e tij Truth (e vërteta) ka konfirmuar: “Unë nuk di asgjë për Projektin 2025, nuk e kam as idenë kush qëndron mbas tij”.

Në kapacitetin e ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-s si dhe nga konsultimet me kolegë/miq në Washington, në vijim po paraqes një përmbledhje të ideve thelbësore, ose rreth “4 kollonave të projektit ose Platformës Trump – 2025”:

Kollona nr 1: ri-vendosjen e familjes amerikane dhe rikthimin te vlerat konservatore të Ronald Regan si qendër e gravitetit të Plaftormes Trump-2, për ta bërë ameriken “great again/përsëri të madhe ndërsa Amerikën superfuqi të pakonkurrueshme edhe për shekujt në vijim”; centralizimin dhe modernizimin e shtetit administrativ; mbrojtjen e sovranitetit dhe kufijve të kombit; garantimin e të drejtave individuale të dhëna nga Zoti. Në parathënie presidenti i Fondacionit Republikan Kevin Roberts ka ngritur alarmin: “ka ndodhur një marshim i gjatë i marksizmit kulturor nëpër institucionet e ShBA. Qeveria federale është kthyer në një gjigand të armatosur kundër qytetarëve amerikanë dhe vlerave konservatore, ndërsa liria e qytetarit dhe të drejtat e njeriut gjenden të kërcënuara/ rrethuara si kurrë më parë”

Edhe pse jo vetëm në dukje “një platformë radikale por me vullnetin dhe parakushtin për konsensus sa më të gjerë për t‘i bashkuar Amerikanet”. Kështu, Paul Dans, ndër kontribuesit e projektit thekson: “përgatitje sistematike për të formuar një armatë/ushtri të re të konservatorëve, të gatshëm për tu përballur me shtetin e kapur nga rrenjët (deep state), pra nga fuqia e interesave të nënëdheshme e aktorëve te pa-votuar, korrupsioni, burokratët, etj. Kjo korespondon edhe me retorikën e fortë të Trump-it, po e citoj: “do të pushojë nga puna prokurorët marksistë që po shkatërrojnë Amerikën” dhe “do të zhdukë nga rrënjët deep state”, si dhe emërimin e “një prokurori special për të ndjekur dhe ndëshkuar politikanët dhe pushtetarët e lartë (përfshi presidentin) më të pa-aftë dhe më të korruptuar në historinë e ShBA-ve”!

Nga ana tjetër, projekti rekomandon orientimin e qeverisë dhe shoqërisë amerikane drejt vlerave kristiane si dhe balancave konservatore. Për të arritur këtë synim, Russell Vought, një nga drejtuesit e projektit, sugjeron për të futur parimet e nacionalizmit kristian në qeveri dhe jetën publike, nëse/mbasi Trump të fitoje mandatin e dytë. Po kështu kandidati presidencial Trump u tha anëtarëve të një organizate të krishterë të premten e kaluar ne Florida se:“nëse votojnë për Të në nëntor, për katër vjet nuk do të duhet të votojnë më”, deklaratë shumë e fortë që edhe pse të gjithë e kuptojnë …, mbetet ende e pa komentuar nga shtabi i Trump ?!

Kollona nr 2, zgjerimi domethënës i kompetencave, ose forcimi i fuqisë vendimarrëse të presidentit të ShBA si dhe rritje e kontrollit të shtepisë së bardhë mbi departamentet e qeverisjes federale. Kështu kujtojme se, Trump-1, që në 2019 mendonte se neni i dytë i Kushtetutës së ShBA-ve i jepte Atij “të drejtën për të bërë gjithçka ekzekutive si president”. Ndërsa po kështu, drejtori i Heritage, Kevin Roberts argumenton se: “Nocioni i agjencive të pavarura federale që nuk i përgjigjen presidentit cenon vetë themelin e Republikës së ShBA-ve”. Prandaj, Platforma Trump-2 sugjeron vendosjen e shumicës së departamenteve të qeverisë federale nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Presidentit: “duke eliminuar pavarësinë dhe burokracinë e këtyre institucioneve”. Me konkretisht, propozon marrjen nën kontrollin e Presidentit të Departamentit të Drejtësisë (DOJ), Byrosë Federale të Hetimit (FBI), Departamentit të Tregtisë (DC), Komisionit Federal të Komunikimeve (FCC), Komisionit Federal të Tregtisë (FTC); si dhe transformimin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), etj.

Projekti bazohet në një politikë edhe më të rreptë (përveç murit me beton-diçital) të kontrollit të kufijve nga emigracioni paligjshëm në SHBA. Ai rekomandon arrestimin dhe dëbimin e emigrantëve pa dokumente që jetojnë në SHBA, si dhe propozon edhe përdorimin e ushtrisë për zbatimin e ligjit. Stephen Miller, arkitekt i njohur i politikës së Trump për imigracionin, që mendohet te marrë një post të lartë në një administratë e Trump-2, konfirmon se Projekti përfshin: “ndalimin dhe largimin e shkelësve të emigracionit në ShBA.”

Në këndvështrimin e këtij Projekti, Departamenti i Drejtësisë (DOJ) është: “një burokraci e fryrë me një bërthamë kritike të personelit që orientohet nga një axhendë radikale liberale/majtiste” dhe që ka “humbur besimin” e popullit amerikan. Prandaj, ajo duhet të reformohet tërësisht nën mbikëqyrjen e Shtëpisë së Bardhë. Po ashtu, Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit (FBI) duhet të jetë përgjegjës para Presidentit. Projekti 2025 pranon se dënimi me vdekje është një çështje e ndjeshme popullore dhe angazhohet për t’u marrë seriozoisht me promovimin e këtij ligji … përfshi për krime të urryera si pedofilinë, i cili do të lihet në kompetencë të shteteve të veçanta të SHBA.

Projekti rekomandon reforme radikale të Departamentit të Shtetit: “të gjithë punonjësit në role drejtuese ne DASh duhet të shkarkohen deri në fund të 20 janarit 2025”! Kiron Skinner, e cila ka shkruar kapitullin e DASh të Projektit (ajo ka drejtuar për rreth 1-vit zyrën e planifikimit të politikave të DASh gjatë administratës Trump1), e konsideron shumicën e punonjësve të DASh shumë të majtë dhe rekomandon që ata të zëvendësohen nga ata që janë më besnikë ndaj një presidenti konservator. Pra projekti “i pavarura”, përputhet me planet e Trump për të pushuar nga puna mijra qeveritarë duke rikthyer “Programin F”, që Trump e vendosi në urdhër ekzekutiv të tetorit 2020 dhe Biden e anuloi në Janar 2021.

Kollona nr 2, reformë domethënëse ekonomike. Projekti, si edhe biznesmeni Trump, mbetet kritik ndaj Rezervës Federale dhe propozon shfuqizimin të tij. Projekti parashikon si zgjidhje radikale: “kalimin nga taksë mbi të ardhurat në një taksë konsumi, siç është taksa kombëtare mbi shitjet”.

Po ashtu rekomandon thjeshtimin e taksave mbi të ardhurat individuale në dy normat tatimore të sheshta nga: “15% mbi të ardhurat deri në bazën e pagave të sigurimeve shoqërore dhe 30% të ardhurat mbi të. Të ulë normën e taksës se korporatave nga 21% në 18%, duke e quajtur atë “taksën më të dëmshme” për vendin, reduktimin e normës së fitimeve kapitale në 15% nga niveli asktual/2024-ës prej 20%, për bizneset me fitim të lartë, ndërsa me krenari kujton që Trump-1, e uli normën nga 35% në 21%”.

Kollona nr 3, Arsimimi, Shëndetësia, mbrojtja klimaterike, media, etj. Shkrirja e Departamentit të Arsimit (DoE), programet e të cilit ose do të transferohen në agjenci të tjera ose do të ndërpriten. Arsimi do t’u lihet kompetencë e 52 Qeverive/shteteve të SHBA për të përzgjedhur programet dhe standardet federale, ndërsa kërkimi shkencor do ti nënshtrohet një reforme të gjithëanshme për të dominuar edhe mijëvjeçarët në vijim.

Instituti Kombëtar i Shëndetit (NIH) do të reformohet sipas parimeve konservatore. Projekti kërkon të shkurtojë ndjeshëm fondet për “Medicare dhe Medicaid”. Ai propozon që pornografia të quhet krim, heqjen e mbrojtjeve ligjore kundër diskriminimit bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor si dhe mbylljen e programeve të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI) duke detyruar Departamentin e Drejtesisë të ndjekë penalisht “racizmin kundër të bardhëve”, etj.

Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS): “do të shndërrohet në Departamentin e Jetës”. Në vitin 2022, në çështjen Dobbs kundër Organizatës së Shëndetit të Grave, Gjykata e Lartë vendosi që Kushtetuta nuk i jep të drejtën abortit, duke j’ua lënë shteteve të krijojnë legjislacionin. Mbi këtë bazë, Projekti inkurajon presidentin e ardhshëm “të miratojë mbrojtje më të fuqishme për lindjet e reja”, megjithëse as nuk promovon ndalimin absolut të abortit, por parandalimin e shtatzënisë në adoleshencë.

Projekti këshillon se në rast fitore presidenti republican, Trump-2 të shkojë më tej sesa thjesht të anullojë urdhrat ekzekutivë të Presidentit Biden për ndryshimet klimaterike. Ai propozon braktisjen e strategjive, përfshirë shfuqizimin e ligjeve të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) dhe Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA), të cilat i konsideron: “nxitësit kryesorë të industrisë së alarmit të ndryshimeve klimatike.”

Projekti Trump-2 akuzon rrjetet sociale, Facebook, Instagram, Twitter dhe TikTok, se rrezikojnë shëndetin mendor dhe lidhjet sociale të të rinjve amerikanë duke krijuar një formë varësie: “Politika federale nuk mund të lejojë vazhdimin e tyre”, të cilat jane po ashtu “si makineri/armë dezinformimi si dhe spiunazhi kundër sigurisë si dhe interesave kombëtare amerikane”.

Kollona nr 4: Të gjitha vendimet që lidhen me politikën e jashtme duhet t’u japin përparësi Nr.1 interesave kombëtare “America First”, e thënë më qartë: “Amerika një superfuqi e pakonkurueshme si dhe interesat e amerikanëve të pacënueshme”. Transformimi i Pentagonit dhe institucioneve kryesore të sigurisë për të reduktuar burokracinë dhe rritur fuqinë/aftësitë ushtarake të Sh.BA në mbrojtjen e sovranitetit dhe interesave Amerikane. Programet e modernizimit të forcës/fuqisë hapësinore, kibernetike, inteligjencës artificiale do j’u alokohen triliona €, duke e bërë kështu USA shumë shekuj përpara të gjithë të tjerëve.

Ristrukturimi thelbësor dhe uljen e shpenzimeve administrative/burokratike të UN. Ndërsa përtej gjysëm konteksteve: “një SHBA e pakonkurueshme, një NATO dhe BE më e fortë, një botë edhe më e sigurt, mbeten qasja e fortë e projektit Trump-1/2”. Por është pranuar, që falë edhe kërcënimit të Tij të shumëpërfolur: “vendet që nuk respektojnë këto kuota (2%) nuk do të mbrohen nga NATO”, nga më pak se 5 sot 23 vende anëtare (2017) kanë rritur shpenzimet ushtarake në 2% të GDP (2024), dhe po ashtu BE mbi 500 milard € shpenzimet për mbrojtjen. Nga ana tjetër, ka përsëritur publikisht se: “nëse do isha President (pra jo Biden), Putini që e njeh mirë vendosmërinë time, nuk do kishte ndërmarrë këtë marrëzi në 02/2022”, ndërsa garanton se: “Trump-2 do ta mbyllë për 24 orë luftën e ndaj Ukrainës…”!

Kështu “zgjidhje të forta ka” edhe për ndalimin e përshallëzimit të konfliktit në lindjen e mesme, përballjen e Izraelit me Shtetet dhe Organizatat Terroriste (Hamasin, Hezbullah) ndërsa sa për paqen në Ballkan, do të “imponohet” nga zbatimi i marrëveshjes së nënëshkruar në dhomën ovale, midis Serbisë dhe Kosovës në kohën e administratës Trump-1 (shtator 2020).

Kiron Skinner, e cila ka shkrua kapitullin e Departamentit të Shtetit e konsideron Kinën një kërcënim serioz per USA dhe është kritik ndaj çdo marrëveshje pajtuese me të. Projekti shpreh gjithashtu shqetësim për vjedhjen kineze të pronësisë intelektuale dhe akuzon “Big-Tech” se veprojnë në emër të PKK për të minuar SHBA-në. Do inkurajohet evitimi i investimeve kineze në SHBA dhe kompanitë që kërkojnë të investojnë në sektorë të ndjeshëm në Kinë do të përballen me kufizime deri te revokimi lejes.

Në përmbledhje, përtej zhurmës elektorale rreth Platformës konservatore/Trump/2:“nese ka apo s’ka lidhje me Trump me këtë fondacion”, mund të themi me siguri: “ky projekt si dhe kjo analizë janë bazuar në supozimin që Trump fiton zgjedhjet e 5 Nëndorit 2024” !

Në shtesë, për të mbetur i ndershëm me lexuesin dhe mijëra ndjekësit (përfshi respektin ndaj kritikëve), mund të konfirmoj se edhe si autori kësaj analize, megjithë përpjekjen e sforcuar për ta parë si i paanshem këtë Platformë (Trump-2) (kujtoj se kam patur privilegjin të jem pjesëmarrës në ceremoninë e presidentit Trump-1, Janar 2017), nuk mund të mohoj konsideratën e lartë për qasjen e fortë konservatore, kurajon shtetare, vendosmërinë shembullore të Presidentit Trump-1 si dhe shpresën se Trump-2 do t’ja dalë jo vetëm për USA, në përballjen me shtetin e kapur nga establishmenti i nënëdheshëm (pa-votuar), interestat e philanthopistëve, korrupsioni, demokracia burokratike, etj.

Përtej analizës në tërësi, po paraqes edhe “tre mesazhe strategjike” që mund të nxjerrim nga Projekti-Trump/2, në raport me Rajonin, Kosovën, interesat kombëtare si dhe ardhmërinë Euroatlantike të RSh:

Së pari, duke përsëritur mirënjohjen për mbështetjen vendimtare që ShBA i ka dhënë kombit për: “njohjen e pavarësisë 112 vjet më parë; çlirimin e Kosovës para 25 vitesh; anëtarësimin e RSh në NATO në 2009, etj”, po ashtu do të mbetet e skalitura në memorjen e historis sonë kombëtare edhe “Marrevëshja Trump – 2020” nënshkruar nga dy vendet sovrane (Kosovë-Serbi) në dhomën ovale, pra nën përkujdesjen personale të Presidentit Trump-1: “pakete me investime strategjike, autostrada e paqes Beograd-Prishtinë; Port rajonal në ujërat e thella të adriatikut si dhe “qershia mbi torte”, njohja nga Izraeli e Kosovës, etj”. Thënë këto, mbetem besimplotë që kjo marrëveshje deri te njohja e Kosovës edhe nga Serbia, do të “imponohet edhe nga Trump-2”, përkundër riciklimit të oshilacioneve të Millosheviçit dhe të tjerë mëndjendryshkur jo vetëm në Beograd.

Së dyti, përveç regjimit të E.Hoxhes, që për 45 vjet paturpësisht e trajtonte USA si: “xhelat botëror dhe armikun e Shqiptarëve”, shpresoj se si në 33 vitet që lamë, edhe gjatë Trump-2 ose znj.Harris, do të dështojnë me turp bollshevikët e moderuar në Tiranë, që nga fuqia e mbipushtetit, fotot me Presidentët, vizitat e personaliteteve, stërvitjet e USA/NATO-s, mbështetjen/projektet ekonomike, luftën për vulën e opozitës zyrtare, etj, t’jua shesin shqiptarëve si mbështetje partiake nga ShBA. E kunderta është e vertetë, të gjithë presidëntet e USA (përfshi Trump) në 112 vjet: “kanë qenë dhe mbeten vetëm me Shqiptarët, si dhe me interesat gjeopolitike të USA në rajon dhe mesdhe”.

Së treti, konsideruar kontekstin e projektit Trump-2, besoj edhe më fort se edhe Shqipëria ka domosdosmëri jetike që pas 80 vjetesh, ti ri-kthehet modelit të së djathtës se Mit’hat Bej Frasherit, ku: “Familja, Atdheu, Zoti, Liria, Vota, Prona, Tregu, dinjiteti, Interesat Kombëtare, balancat demokratike e pushteteve si dhe besimi në vlerat Euroatlantike”.

Për më tej, përtej patronazhistëve të pushtetit dhe kamikazëve të vulës/listës së opozitës, mbetet misioni i përbashkët i shqiptarëve me arsye fisnike që, Shqipëria, të bëhet si USA dhe gjithë Europa, edhe për inat të politikanëve zullumqarë, shtetarëve kusarë, philanthopistët globale si dhe sekserëve të gjithëpusht-eteve që veçanërisht 33 vitet e fundit kanë pushtuar të djathtën dhe sundojnë me “kollare demokratike” kombin tonë të bekuar.

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT